32.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Trekëndëshi i Bermudes te SPAK-u, Basha te qytetarët. Kjo është e vërteta, çdo gjë tjetër është lojë!

NGA GENTIAN GABA

Zhurma e përditshme e shkaktuar nga rropama politike, e cila lë indiferente pjesën më të madhe të qytetarëve, pasi çështjet që trajtohen janë të personazheve me kostum e kollaro, që gjallërojnë ekraneve dhe sallave të kuvendit, dhe jo të njerëzve të thjeshtë, duket se ka arritur të mbajë artificialisht në këmbë spikamën e një realiteti normal, por që është thellësisht në krizë.

Gjuha e helmatisur, akuza akuzatorësh të diskredituar, xhingla-minglat, kacavjerrjet, tymi, batutat, karriget e përmbysura, revolucione online, buxhete të bëra skutash, komisione të bëra maleve dhe partizançe, janë një koreografi e studiuar për të krijuar perceptimin se spektakli vazhdon. Madje, për të treguar se spektakli vazhdon, edhe kur goditja bëhet më e fortë.

Por, a është kështu?

Në fakt, jo. Ajo që po ndodh në politikën shqiptare qysh pas 9 shtatorit, e që po kulmon me vringëllimin e shpatës së zjarrtë të drejtësisë, është historike dhe ka ndryshuar rrjedhën e lumit të politikës.

Nuk duket ende me sy të lirë, pasi siç u tha më sipër, po bëjnë sikur çka po ndodh, është diçka rutinore, e zakonshme. Nuk është aspak kështu.

Ngjarjet po trondisin thellë skenën politike, duke prodhuar një shock tek njerëzit që kanë mbajtur dhe mbajnë postet më të larta në hierarkinë institucionale dhe politike të vendit, ish-presidentë, ish-kryeministra dhe kryeministri aktual.

Hetimet e SPAK-ut, janë forca që po i shtyjnë ata të veprojnë në mënyrë të tillë që aksionet të mos kuptohen nga aktet, por nga pasojat që ato prodhojnë.

II. Kështu merr kuptim, edhe në zbatimin politik, gjuha oruelliane e tyre, përmbajtja e të cilës kuptohet kur përbyset, lexohet mbrapsht, skiç, si të doni, veçse jo në mënyrën tradicionale, nga e mjata në të djathtë, me emër, mbiemër, folje, ndajfolje, etj..

Është një gjuhë që përmban një kod, një kod heshtje, përmes të cilit kërkojnë mbijetesën, mbrojtjen e asaj që mund të mbrohet nga trashëgimia personale, familjare e politike. Dhe mbijetesën, mund ta arrijnë vetëm bashkë, pasi të ndarë nuk ka garanci.

Për shumë gjatë vepruan nën “dilemën e të burgosurit”, të pasigurtë se çfarë u kishin deklaruar partnerëve për njëri-tjetrin, apo cilat ishin planet e partnerëve për ta. U përpoqën të kornizonin shoshoqin për t’i shpëtuar aksionit që po organizohet pas 30 vitesh pandëshkueshmëri, apo për të ndryshuar vendin në rradhë, me shpresën se “bisha” do të ngopet po hëngri njërin nga ata.

Por, tani që panë me sy se askush nuk është më i paprekshëm, kanë kuptuar se për të mbijetuar sa të munden, kanë nevojë për njëri-tjetrin. Një vëllazëri hallexhinjsh të rangut të lartë, për t’i vendosur shkopinjtë nën rrota manovrës së gjërë të pastrimit të politikës dhe rinovimit të saj, me pseudo lufta, pseudo kauza, pseudo akuza, pseudo mazhoranca dhe pseudo opozita.

Me këtë shfaqje të madhe, në të cilën njëri bën policin e mirë dhe tjetri policin e keq, për t’u treguar ndërkombëtarëve se këtu jemi bash dielli dhe shiu, kërkojnë të mbajnë të bllokuar elementin kryesor, që kërcënon po aq sa drejtësia mbijetesën e tyre, dhe që bashkë me drejtësinë kompleton kalimin në një stad tjetër të politikës shqiptare. Një opozitë e reformuar, e ndarë nga e shkuara, në kontrast të thellë me mazhorancën e korruptuar të Edi Ramës dhe me atë pjesë të opozitës, që në sytë e shqiptarëve, është mazhoranca e vjetër Berisha-Meta.

Prandaj, vrulli njëmujor i shfaqjes me karrige, penxhere, kangjella, është sa përdorimi i kësaj zhurmë për të trembur frikën, si ata njerëzit e humbur në pyll, por edhe mënyra më e mirë, që të mos dëgjohet asgjë tjetër përveç uturimës së tyre plot halle.

Dhe kështu, revolucioni bashkë me rendmbajtësit, duket si një lojë ngriva-shkriva, që ndizet dhe fiket sapo i duhet treguar pushteteve të tjera, qytetarëve dhe ndërkombëtarëve se, jemi ne këtu dhe nuk ikim kollaj.

Prandaj revolucioni i karrigeve, përfundoi online, ku deputetët e Ramës e të Berishës diskutojnë ligjin më të rëndësishëm të vitit në skype, sikur të ishin miq kafenesh, paçka se u shanë e u përjashtuan sikur të ishin në hasëm me njëri-tjetrin. Por, kjo ishte loja. Të mbyllnin parlamentin, që buxheti të ishte çështje e Ramës dhe Berishës, jo e qytetarëve.

Po kështu, mbahet peng Reforma Zgjedhore, me vullnet të Ramës dhe me bekim të Berishës, duke vendosur në dyshim gjëra që në dyshim nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë, mbi përparësinë e subjekteve që udhëheqin këtë proces, për të provokuar zvarritje, lodhje dhe bllokim.

Po kështu, miratohet nga ana e Berishës marrëveshja personale e Ramës me Melonin, në këmbim të simetrisë me të cilën bashkëndajnë skenën politike, si një ekuilibër terrori nga i cili, eliminimi i njërit shënon edhe asgjësimin e tjetrit.

Po kështu, SPAK sulmohet nga të dy për ta delegjitimuar. Natyrisht secili sipas mënyrës së tij. Berisha duke e sharë frontalisht, ndërsa Rama duke u përpjekur t’i presë krahët me përqafimin vdekjeprurës që lind nga fjalët, “Drejtësinë e bëra unë”. Krejt ndryshe nga e vërteta e 140 votave pro, e presionit të ethshshëm të SHBA-ve dhe BE-së, që në fakt i shkoi lodrën ligjvënësve të Kuvendit. Por, sikur të mos mjaftonte, le të kujtojmë se si OFL-ja e krijuar nga Rama u sajua për të futur në mbingarkesë veprimtarinë e SPAK-ut. Po ashtu, le të sjellim në vëmendje përlasjen e Kryeministrit me përfaqëusesen e SHBA-ës, për zgjedhje e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme. Momenti vendimtar, që i dha hov të ri ekzistencës së SPAK-ut, që dukshëm ka krijuar pakënaqësi transversale.

III. Ja pra, prandaj sillen kështu. Kjo është vjeshta e tyre politike. Dimri po troket dhe janë gjetur me plane krejt të zbuluara, të cilat mund të ngrohin disi zemrat e militantëve të tyre në mëditjen e mbijetesës politike. Por rruga mbetet pa kthim.

Ndaj dhe opozita ka një punë jo të lehtë përpara. Gjendja e rëndë e demiurgëve të sistemit do të thithë mjaft energji në dekikat e fundit të kësaj lufte për mbijetesë.
Do të duhen ende energji të mëdha për t’i shoqëruar drejt banesës së fundit politike ata që kanë kapitale të mëdha financiare dhe mediatike, kësodore përballja duhet të jetë asimetrike.

Interesi i të rreshtuarve në bangën e të akuzuarve dhe të atyre që pritet t’iu bashkohen, është të mbajnë të ngërthyer opinionin publik te gjëra që janë pa interes për qytetarët, duke eliminuar nga debati shoqëror çdo formë komunikimi, që artikulon zgjidhje për çështje që prekin jetën e përditshme të shqiptarëve.

Ata nuk duan këtë. Duan të flitet për ta. Duan t’i përdorin selitë e partive të tyre si zyra avokatie, nga të cilat të shpallen të përndjekur politik dhe njëkohësisht të lëshojnë pretenca bombastike ndaj “kundërshtarit”, për të ushqyer ciklin e lajmeve, kanal më kanal, portal më portal, rrjet social më rrjet social.

Ndoshta nuk është ndonjë jetë kushedi se çfarë, por, Andreotti, që dinte diçka për korrupsionin, politikën dhe lidhjet e saj me krimin, thoshte: “Tirare a campare è meglio che tirare le cuoia” (e përkthyeshme me fjalët “më mirë të mbijetosh sesa të vdesësh”, ose, duke e përshtatur me rastet konkrete, më mirë një tmerr pa fund sesa një fund i tmerrshëm). Me shumë gjasë një leksion i vyer për treshen më jetëgjatë të tranzicionit.

Për t’i shpëtuar kurthit të futjes në grackën e hallexhinjëve, që janë rreshtuar në dyert e SPAK, e që kërkojnë pretekst për t’u marrë me këdo, vetëm për të hequr vëmendjen nga halli i tyre me drejtësinë, detyra e opozitës është të merret me njerëzit dhe jo me ata. Të komunikojë me qytetarët dhe për problemet e tyre, jo me pak politkanë të dëshpëruar që janë kthyer në një vrimë të zezë nga e cila nuk del asnjë rreze dritë.

Sigurisht është e vështirë të ndërtosh diçka teksa është në vijim një tërmet që po shkreton peizazhin e mëparshëm politik, ndaj para se të nisë rindërtimi, duhet pritur kalimi i tërmetit, duke ndjekur strategjinë që ka në fokus zgjedhësin.

Zgjedhjet e ardhshme janë shumë pranë, por afrimi i tyre, në një kontekst politik dinamik(shumë politikanëm nuk do të kapin në liri verën që vjen), nuk duhet të shtyjë në gabime të diktuara nga padurimi për t’u futur në një betejë me njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur, dhe mbi të gjitha, që e kanë përballjen me drejtësinë dhe jo me aktorë të tjerë politikë.

Politikanë me halle të tilla, bashkë me ushtarët e tyre të zellshëm, mezi presin zgjerimin e fushës së luftës, sepse kështu diversifikojnë lëmin e titujve të ububushëm me pengje, kapje, shitje e blerje. Si disa të mbytur, që kërkojnë të mbysin një spektër të tërë politik, duhen lënë në fatin e tyre. Sado provokuese të tingëllojnë veprimet, akuzat dhe sulmet që përdoren. Janë një stuhi e vdekur.

Sifda e rindërtimit të opozitës është ta rikonceptojë veten larg politikës së zakoshme të zhurmës dhe sherrit, që nuk prodhon asgjë për njerëzit, por të jetë çdo ditë pranë qytetarëve, të flasë, të dëgjojë, të propozojë, të reflektojë shpresat, ambiciet dhe ëndrrat e tyre.

Ndaj, pas një përballje të gjatë të brendshme, nisur më 9 shtator 2021, ata që po vijojnë këtë rrugëtim ndryshimi, kanë për detyrë të jenë “skllevër” të strategjisë, e cila kërkon rigorozitet dhe kolegjialitet në etapat e ringritjes, që kalojnë nga riorganizmi në çdo fshat e qytet, si dhe formësimi i programit dhe ekipit që do të zbresë në terren në zgjedhjet e ardhshme, i cili duhet kompletuar përpara 31 marsit të vitit që vjen.

Tani që koha u ka dhënë të drejtë për shumëçka, me bregun që ka nisur të duket në horizont pas një udhëtimi rraskapitës oqeanik, nuk duhet të tundohen nga loja se kush bën më shumë pis tjetrin, në të cilën kërkojnë që t’i zbresin, e cila mban lart “testosteronin” e ciklit 24 orësh të titujve e klikimeve, por është vakum dhe vanitet që nuk ka rëndesë dhe rëndësi për njerëzit.

Ajo që ka rëndësi, e që pas një dekade trazimesh të brendshme e të jashtme do të duhej të ishte e qartë për ata që kërkojnë të sjellin ndryshimin, është që ata të jenë ndryshimi që duan të sjellin, duke qenë ndryshe nga sa kanë qenë më parë, dhe ndryshe nga kundërshtari.

Kjo është edhe rruga që ka ndjekur Basha pas rikthimit të tij. Teksa ata që ai ka pagëzur si Trekëndëshi i Bermudës, një emërtim që është bërë ikonik, janë në radhë për në SPAK, ai ka propozuar platformën politike për Reformën Zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, për të zhbërë marrëveshjen e 2008-ës, si dhe po zhvillon një tur në gjithë Shqipërinë për të dëgjuar njerëzit dhe për të rindërtuar partinë, të goditur rëndë nga ai që kërkoi ta rrëmbente për ta përdorur si mburojë në betejën e tij kundër SHBA dhe drejtësisë.

Është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që shkon përtej Unazës së vogël të Tiranës, e cila ka defektin e vjetër ta shohë veten si qendra e një vendi të cilit nuk i ngjan, e me të cilin nuk ndan asnjë hall.
Atje janë votat, atje fitohen zgjedhjet, ndërsa në Unazë, me muhabetet e vjetra e të lodhura të tavolinave që përcillen portaleve dhe ekraneve, vetëm ngec. Siç ka ngecur gjithçka për shumë gjatë…

Mirela Karabina: Për hallin e tij personal Berisha ka dy vjet që së bashku me Edi Ramën, mundohet të dëmtojë PD-në

Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD Mirela Karabina është shprehur se “Për hallin e tij personal, ka dy vjet që së bashku me Edi Ramën, mundohet të dëmojë PD-në, në këmbim të kullave të familjarëve të tij me shpifje e trillime që një ditë i pohon e një ditë i përgenjeshtron”.

REAGIM I ZËDHËNËSES SË PARTISË DEMOKRATIKE, MIRELA KARABINA

Hallet dhe makthet e tij, Sali Berisha, nuk i zgjidh dhe as do t’i zgjidhë me mashtrime ordinere që riciklon ditë pas dite.

Sali Berisha sot duhet t’u tregonte Shqiptarëve pse në njërën anë bën sikur bllokon kuvendin dhe në anën tjeter i çon deputët në komisionet parlamentare online.

Sali Berisha t’u tregoj shqiptarëve çfarë i është premtuar në këmbim të miratimit të marrëveshjes së Ramës për emigrantët.

Sali Berisha t’u thotë shqiptarëve pse nuk shkon të përballet me drejtësinë dhe të provojë pafajësinë por fshihet si struci.

Sot një fakt është i qartë dhe botërisht i ditur, Sali Berisha është person i padëshiruar në SHBA dhe Britani të Madhe dhe në kërkim nga SPAK.

Për hallin e tij personal, ka dy vjet që së bashku me Edi Ramën, mundohet të dëmojë PD-në, në këmbim të kullave të familjarëve të tij me shpifje e trillime që një ditë i pohon e një ditë i përgenjeshtron.

PD prezanton 8 amendamente për buxhetin e vitit 2024! Agalliu: Të dyfishohet bonusi dhe indeksimi për pensionet

Partia Demokratike ka prezantuar 8 amendamente për buxhetin e vitit 2024. Konkretisht Partia Demokratike ka propozuar dyfishimin e bonusit dhe dyfishimit të indeksimit për pensionistët. Fondi për indeksimin e pensioneve të bëhet nga 4.1 mld lekë në 8.2 mld lekë, ndërsa fondi për bonusin e pensionistëve nga 3.65 mln lekë të shkojë në 7.3 mld lekë.

Një tjetër propozim nga Partia Demokratike është edhe rritja me 30% e subvencioneve për bujqësinë. Po ashtu fondi për subvencionet për bujqësinë nga 14.1 mld lekë të shkojnë në 20 mld lekë.

Në një deklaratë për mediat deputeti demokrat Arbi Agalliiu nënvizoi se efekti financiar në buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.

Deklarata e plotë e PD

Përshëndetje të nderuar qytetarë. U bë disa ditë, apo javë më sakt që buxheti i shtetit për vitin 2024 është duke u diskutuar në një amulli të vërtetë në diaskutime të cilat do të duhej të ndodhnin në kushte normale në parlament dhe komisionet parlamentare. Por ngjarjet politike të cilat kuptohen mjaftë qartë nga qytetarët për kë po zhvillohen në këtë lloj forme, I kanë ose më sakt janë munduar të heqin vëmendjen nga project-buxheti i vitit 2024. Në fakt, deputetët e Partisë Demokratike dhe PD në përditësi ka denoncuar dhe ka ngritur shqetësime të cilat i përkasin këtij projekt-buxheti sipas zërave dhe sektorëve të caktuar. Jam sot këtu për të dhënë lajmin se Partia Demokratike ka dorëzuar 8 amendamente lidhur me këtë buxhet në Kuvendin e Shqipërisë. Amendamente të cilat do të lançohen në ditët dhe orët në vijim nga secili deputet që ka bërë amendamentin duke përmbyllur në këtë lloj forme propozimet e Partisë Demokratike. Në fakt ky është një projekt-buxhet i cili jo vetë ka një vlerë goxha të lartë, rreth 7 miliardë euro, por ajo që bën përshtypje është fakti se ku shkojnë këto para. Dhe ajo që bën akoma më përshtypje, se si sector të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare lihen jashtë vëmendjes, sikurse është bujqësia, sikrse është shëndetësia apo sikurse është arsimi. Në fakt unë do të përmend shkurtimisht në çfarë fushash janë dorëzuar amendamentet dhe kolegët në vijim do të prezantojnë secilin prej tyre. Kemi dorëzuar një amendament përsa I përketë ndihmës ekonomike dhe të njerëzve me aftësi të caktuara apo njerëzve në nevojë. Kemi dorëzuar një amendament lidhur me indeksimin e pensioneve. Kemi dorëzuar një amendament lidhur me të përndjekurit politik. Kemi dorëzuar një amendament lidhur me bujqësinë dhe subvencionet për bujqësinë. Kemi dorëzuar një amendament lidhur me të rinjtë, në përgjithësi me të gjithë sektorët që mbulon Ministria e Arsimit, e cila fatkeqësisht planifikon një buxhet jo domethënës, nuk shkon në 5% të GDP që është jo vetëm angazhim i nxjerr nga vet qeveria, por është dhe një detyrim ndaj shumë e shumë të rinjve të cilët po e braktisin këtë vend çdo ditë e më tepër. Po kështu për ish pronarët, kemi bërë një amendament dhe mbi të gjitha për arsimin e mesëm profesional duke e parë si një element kyç profesionet e reja të cilat fatkeqësisht sot të rinjtë kërkojnë t’I zhvillojnë jashtë Shqipërisë, për arsye të mungesës të shpresës, të korrupsionit në këtë vend, e për arsye të cilat Partia Demokratike I ka thënë në vijim. Unë do të ndalemt tek amendamentet që personalisht kam propozuar.

-Pensionistët janë shtresa më vunerabel e shoqerisë, ku veç pamundësisë fizike të tyre ju shtohet edhe ajo financiare. Deri më sot pensionet dhe bonusi për pensionistët ka qenë në nivele të ulëta, duke krijuar tek kjo shtresë e shoqerisë shqetësim të madh dhe pamundësi jetese. 

Ky amendament ka për synim që të 2-fishojë fondet e akorduara nga qeveria për pensionistët. Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4 137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3 650 milionë lekë. Nëpërmjet këtij amendamenti kërkohet që fondi për indeksimin e pensioneve të bëhet 8 274 milionë lekë duke bërë të mundur në këtë mënyrë edhe reflektimin e indeksimit për vitin 2024 si dhe bonusi i pensionistëve të jetë 7 300 milionë lekë. Kjo do të ndihmonte sadopak këtë shtresë e cila me së shumti është mbështetur nga remitancat e familjarëve të tyre.

Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.

-Bujqësia është sektori me numrin më të madh të të punësuarve dhe si i tillë kërkon mbështetje maksimale. Kjo mbështetje bëhet edhe më e nevojshme sidomos me pezullimin e fondeve IPARD nga BE.
Subvencionet në bujqësi në ndihmë të bujkut dhe fermerit janë jetike. Investimet në sigurinë ushqimore por edhe në infrastrukturën bujqësore (kullimi dhe ujitja) janë domosdoshmëri.
Në këtë kontekst, ky amendament propozon rritjen me rreth 30% të buxhetit për bujqësinë për vitin 2024 duke rritur subvencionet.

Mbështetja për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duhet të shkojë nga 14180 milion lekë në 20 000 milion lekë.
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njejtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.

Projekti 205 mln euro për zgjerimin e Tiranë-Durrës fut në sherr qeverinë

Zgjerimi i rrugës Tiranë Durrës ka shkaktuar një përplasje të fortë brenda qeverisë mes ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave. Thuajse çdo ditë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi po deklarojnë publikisht në media dhe komisionet parlamentare, ku diskutohet buxheti, se zgjerimi i rrugës do të nisë vitin e ardhshëm.

Por në projektbuxhetin e vitit 2024, që ministria e Financave ka dorëzuar në Parlament, për këtë investim nuk është akorduar asnjë qindarkë.

Deklaratat publike të Ballukut dhe Berberit dhe vënia e theksit tek projekti i zgjerimit të rrugës Tiranë Durrës duken pjesë e një fushate të koordinuar për të presuar ministrinë e Financave, por edhe Parlamentin që të ndryshojnë projektbuxhetin për të akorduar fonde për këtë investim. Por deri më tani duket se nuk ka asnjë shenjë që projektbuxheti të ndryshojë.

Zgjerimi i rrugës

Projekti për zgjerimin e rrugës Tiranë Durrës me 4 korsi të tjera shtesë është bërë në vitin 2016. Tenderi i shpallur nga ARRSH për projektimin u fitua nga kompania italiane SPEA.

Sipas projektit dhe preventivit të përditësuar të çmimeve kostoja për zgjerimin e rrugës me trafikun më të madh në Shqipëri vlerësohet në 205 milionë euro.

Vitin e kaluar, ky investim u përfshi në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, një parakusht që një investim i madh publik të buxhetohet. Por sipas VKM, që rregullon procedurat e menaxhimit të investimeve publike, çdo projekt me vlerë më të madhe se 10 miliardë lekë (95 milionë euro) duhet t’i nënshtrohet oponencës së jashtme për studimin e fizibilitetit.

Kjo oponencë duhet të kryhet nga një kompani private, përzgjedhjen e së cilës VKM ja ngarkon ministrisë së Financave. Kjo pikë në vendim iu imponua qeverisë nga Komisoni Europian dhe Banka Botërore për të shmangur batërdinë e ndodhur në Shqipëri me copëzimin e investimeve publike, veçanërisht rrugëve në lote pafund, dhe zgjatjen e tyre me vite të tëra duke rritur koston për taksapaguesit.

Këtu është dhe ngërçi që ka futur në sherr ministrinë e Financave me atë të Infrastrukturës për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës.

Ministria e Financave ende nuk ka bërë oponencën e jashtme të studimit të fizibilitetit të rrugës Tiranë-Durrës dhe në këto kushte investimi nuk mund të buxhetohet. Ndërkohë ministria e Infrastrukturës kërkon me këmbëngulje që zgjerimi i rrugës të fillojë vitin e ardhshëm.

Lufta për anashkalimin e VKM-së

Për të shmangur kufizimin e vendosur nga VKM që rregullon menaxhimin e investimeve publike, ministria e Infrastrukturës po tenton dy rrugë. Së pari, atë të copëzimit të rrugës me lote.

Plani i MIE parashikon tenderimin e dy loteve të para për vitin e ardhshëm nga Sheshi Shqiponja deri në afërsi të Kasharit me vlerë totale 4 miliardë lekë. Rrjedhimisht ministria e Infrastrukturës kërkon të buxhetojë të paktën 800 milionë lekë ose rreth 7.6 milionë euro për vitin e ardhshëm, sipas kushtëzimit të vendosur në ligj që duhet të buxhetohet të paktën 20 për qind e vlerës së investimeve në vitin e parë.

Por VKM sanksionon 20 për qind të vlerës së plotë të projektit, dmth 20 për qind e 205 milionë eurove, që do të thotë se rruga nuk mund të nisë pa u akorduar të paktën 41 milionë euro që në vitin e parë.

Ndërkohë mënyra e dytë se si ministria e Infrastrukturës po tendon të anashkalojë kufizimin ligjor që e bën të pamundur buxhetimin e rrugës është ajo e ndryshimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave duke rrëzuar pikën që kërkon oponencën e jashtme për projektet me vlerë mbi 95 milionë euro.

Belinda Balluku është duke luftuar fortë për të rrëzuar kufizimet siç e tregojnë deklaratat e përditshme të saj për nisjen e rrugës Tiranë-Durrës vitin tjetër. Por deri më tani këto deklarata mbeten thjesht dëshira, pasi në buxhet nuk ka asnjë qindarkë të akorduar për këtë rrugë.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse ministrja më e fuqishme e qeverisë do të arrijë të rrëzojë kështjellën e ligjit, që e bën të pamundur nisjen e rrugës Tiranë-Durrës vitin tjetër apo deklaratat e saj do të mbeten thjesht një përpjekje e dështuar presioni mbi ministrinë e Financave dhe një dëshirë e parealizuar./ kapitali

Botim i UET PRESS/ Namir Lapardhaja orienton lexuesit drejt letërsisë së vërtetë

Në këtë panair të 26-të të librit, Namir Lapardhaja vjen për lexuesit nën siglën e shtëpisë botuese UET PRESS, por kësaj radhe me një libër të kritikës letrare që titullohet “Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit”. Libri u promovua të enjten në mjediset e UET ku ishin të pranishëm studentë, akademikë, shkrimtarë dhe politikanë, mes të cilëve edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Përgjithësisht, publiku i gjerë e ka njohur autorin me shkrimet e natyrës politike, si gazetar, apo përfaqësues politik, por në UET ai mbahet mend si anëtar i jurisë për Çmimin Kadare, për vitin 2022, si njohës i letërsisë dhe si një shkrimtar. Libri vjen si një përpjekje për të mbuluar një zhanër pak të lëvruar në Shqipëri si kritika letrare.

UET PRESS e ka në politikat e saj promovimin jo vetëm të letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë nga të gjitha trojet, por edhe të nxisë kritikën shqipe. Ky libër dhe vetë autori Lapardhaja është një dëshmi e kësaj, i cili jo vetëm ka sjellë mbresat e tij si lexues mbi vepra dhe autorë të letërsisë shqipe, të brezave të ndryshëm, por edhe vjen si një manual për ata që nuk dinë nga t’ia nisin leximit.

Sipas Presidentit të Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj, mungesa e kritikës letrare, apo e paraqitjeve profesionale të librave ndihet ndjeshëm në rrafshin e botimeve shqipe dhe në këtë kuptim puna e Zotit Lapardhaja është për t’u përshëndetur. Duke gjetur ngjashmëri me punën e Natasha Lakos, Zogaj vlerësoi te Lapardhaja qasjen e tij këmbëngulëse për t’i shkuar veprave deri në fund dhe për të rizgjuar vëmendjen te autorë të ndryshëm me përshkrimet lakonike të botimeve të tyre.

“Pas librit të Natasha Lakos, që është pak-a-shumë i të njëjtit lloj, promovojmë sot një libër shumë të rëndësishëm, që kërkon të orientojë lexuesin te libri i mirë, por kërkon të japë edhe një lloj sodifaksioni shkrimtarëve, sepse ka shkrimtarë për të cilët nuk i lexojnë dhe nuk shkruan kush, Namiri di të shkruaj, e njeh letërsinë, ka stilin e tij në të shkruar dhe ka kapacitetin për t’i shkuar te thelbi i gjësë,” – u shpreh Zogaj duke e falenderuar Lapardhanë për punën dhe përkushtimin e treguar për letërsinë.

Ngjashëm paralele me punën e Natasha Lakos në librin “Njeriu si një tjetër”, hoqi edhe Drejtuesi i Departamentit të Arteve në UET, Dr. Ermir Nika. Ai e përshëndeti vullnetin e Namir Lapardhasë për t’iu futur kritikës letrare, një zhanër që sipas tij kërkon maturi dhe gatishmëri për t’u përballur edhe me marrëdhëniet direkte me autorët që merren në shqyrtim, marrëdhënie që mund të trazohen.

Sipas Dr. Nikës letërsia shqiptare e vuan mungesën e studiuesve me qasje të re dhe kritikës në tërësi dhe për këtë përshëndeti mbështetjen e dhënë nga UET dhe UET PRESS për botimin e Zotit Lapardhaja duke apeluar që pse jo, në të ardhmen, ky lloj botimi të kthehet në një traditë edhe për më shumë.

“Duhet që këtë iniciativë që ka marrë UET PRESS-i ta shndërrojmë në një projekt madhor, edhe nëse nuk kemi mbështetje të shtetit, të paktën të bëjmë studime, të bëjmë konferenca, të bëjmë antologji le të themi universitare për të dhënë atë tablonë e qartë të zhvillimeve që ka sot letërsia shqiptare, e cila është një letërsi që ka krijuar një rrjet të madh edhe albanologësh dhe janë pikërisht veprat e këtyre autorëve, por që ka krijuar edhe katedra të veçanta universitetesh prestigjioze si në Kozencë, Mënih, Hiroshimë, Moskë, Pjetërburg, SHBA, Kanada, jemi një gjuhë që përfaqësohemi sot me disa ambasada edhe aty ku nuk ka përfaqësi diplomatike kemi katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe,” – u shpreh Dr. Nika.

I pranishëm gjatë promovimit, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vlerësoi te Zoti Lapardhaja vitalitetin e tij të treguar në qasjen ndaj komunikimit publik në tërësi, por dhe përkushtimin për të marrë stafetën e drejtimit të një gazete historike si Rilindja Demokratike.

“Zë kritik, këndvështrim kritik, për të ngjitur malin e vështirë të ringjalljes së shpresës dhe rikthimin e besimit te politika,” – ishte vlerësimi i Zotit Basha për Lapardhanë dhe librin e tij.

Ashtu siç shkruan autori “Letërsia ka shërbyer si kurë për mijëra njerëz”, një kurë edhe për shumë shqiptarë, që të vetmen arratisje, gjatë diktaturës, gjatë izolimit, kishin librat, letërsinë e Kadaresë. Një dritare ku shihnin botën, një dimension ku mund të ishin të lirë.

Lapardhaja e bën të qartë që nuk ka ndjekur ndonjë teori strikte interpretimi, duke e lënë po aq subjektive dhe të lirë pikëvështrimin e tij mbi vepra dhe autorë, sa edhe vetë veprat ua lënë lexuesve.

“Kjo përmbledhje […] është një koleksion i shënimeve personale mbi autorët dhe veprat e tyre, këto shënime janë interpretime tërësisht personale nga përvoja vetjake, zgjedhja e veprave dhe autorëve nuk është ngritur mbi kriter të caktuar, por bazohet mbi lexime të ndodhura në periudha të ndryshme,” – u shpreh Lapardhaja duke theksuar më pas misionin e këtij libri që është për “ndërmjetësim miqësor, një urë fjalësh mes veprash dhe lexuesish, bazuar mbi ftesën e vazhdueshme për të lexuar letërsi të vërtetë si një nga mjetet më rezultative për progresin njerëzor.”/ Liberale

Sali Berisha drejt arrestimit?! Anila Hoxha: Prokuroria do i drejtohet Këshillit të Mandateve

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon t’i bëjë rezistencë drejtësisë, në lidhje me çështjen për të cilën ai është nën hetim, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Sipas vendimit, Berisha duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00, por deri më tani, ish-kryeministri e ka injoruar këtë vendim dy herë.

Gazetarja Anila Hoxha, duke folur në emisionin “Breaking” me Fiori Dardha, deklaroi se Prokuroria e Posaçme mund të presë deri në fillim të muajit dhjetor dhe më pas, është e detyruar të vendosë një masë më të rëndë për Berishën. Sipas saj, SPAK do i drejtohet Këshillit të Mandateve me një kërkesë për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës.

“Nëse Berisha nuk paraqitet, pritet t’i caktohet një masë më e rëndë sigurie. Prokuroria e Posaçme mund të presë deri në të hënën e parë dhe të tretë të dhjetorit, teksa pas kësaj do t’i drejtohet Këshillit të Mandateve me një kërkesë për Berishën. Ish-kryeministri është i detyruar të paraqitet në orën 10 para një oficereje, teksa SPAK ka bërë shumë tentativa për këtë vendim dhe pritet që tashmë të konsiderohet i njoftuar. Pra, SPAK do presë deri në fillim të dhjetorit dhe nëse ai sërish nuk paraiqtet, nuk do tentohet më të njoftohet. SPAK i ruhet paragjykimeve dhe akuzave se është sulm politik dhe prandaj mund të presë dhe javën e parë.

Nga ana tjetër, Apeli do të gjykojë po ashtu ditën e hënë ankimimin e Berishës si dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, ku do vendoset nëse do qëndrojnë masat e sigurisë, përkatësisht, detyrim paraqitjeje për Berishën dhe arrest me burg për Malltezin.

Gjithsesi, Berisha ka një precedent për të mos u paraqitur në Prokurori edhe kur ka patur raste të tjera kundër tij, siç ishte ajo e fundit, ku ishte denoncuar për shpifje nga kryebashkiaku Erion Veliaj.”– tha Hoxha.

Uran Butka ngre gishtin: PD devijoi rrugën, sot gjendet në një krizë të thellë

Ish-deputet i Partisë Demokratike, njëherazi dhe historian i njohur, Uran Butka ka deklaruar në emisionin “Pas Mesnate” se aktualisht PD ka devijuar nga rruga që nisi dhe gjendet në një krizë.

Ai theksoi se në fillim demokratët ishin njerëz që donin të kontribuonin për ndryshimin e sistemit, nga një sistem totalitar komunist në një sistem demokratik perëndimor. Mirëpo, sipas Butkës, pasi gjërat nuk shkuan ashtu siç të gjithë prisnin.

“Ne u futëm në këtë lëvizje, jo vetëm si bijtë e këtyre intelektualëve dhe patriotëve, punuam për Shqipërinë dhe si njerëz që donim të kontribuonim për ndryshimin e sistemit, nga një sistem totalitar komunist në një sistem demokratik perëndimor. Unë isha një nga ata dhe u përpoqa në ato vite të bëja diçka, të lija gjurmë në politikë, pastaj dhe në fushën e kulturës dhe historisë. Mund të them që gjërat nuk shkuan ashtu siç ne u futëm në fillimet e demokracisë. Jo vetëm unë, por një pjesë e mirë e intelektualëve dhe e politikanëve që bën hapin e parë shumë të rëndësishëm dhe shumë cilësor dhe shumë të nderuar. Mjafton të përmendim parlamentin e parë në vitin 1992, që ishte një nga parlamentët më cilësor dhe që ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në hapjen e rrugës së demokracisë. Pastaj gjërat filluan të ndryshojnë, Partia Demokratike për fat të keq të udhëheqësve të saj, të drejtuesve të saj kryesor, e ndryshuan rrugën që ne e nisëm dhe në vend të përpiqeshin për demokracinë, për Shqipërinë, për të djathtën shqiptare, sepse Shqipërisë i duhej një e djathtë shqiptare mbas një e majte që e qeverisi në mënyrë arbitrare, për 45, gati 50 vjet, i duhej një e djathtë konservatore perëndimore dhe PD devijoi nga rruga që u nis dhe tashmë gjendet në një krizë,”, tha ai./abcnews.al

Autori, Origjinali, Mesjeta, Kopja

Edison Ypi

Një tjetër Mesjetë më e errët dhe më e egër se ajo e inkuizicionit, djegies së librave dhe mendimtarëve në turrën e druve, na ka hy brenda me të gjitha të zezat, pa trokitur te porta.
Autorin e vranë. Origjinalin e helmuan. Janë zëvendësuar nga Kopja dhe Kopjaci që po rrëshqasin si minj nëpër vrima dhe qenefe. Livadhi i freskët dhe i shëndetshëm i librave të mirë dhe leximeve emocionuese, tashmë nuk ekziston. U mbush me rrëshqanorë, u bë batak i helmët e i qelbët legenash që mburrin veten.
Vlerat që mezi u formësuan nga Njerëzimi gjatë shekujve dhe mileniumeve, improvizimi, alternimi, kreativiteti, na lanë shëndenë.
Përtacia, parazitizmi, qefi për me rrejt, qefi me mbush dhe me zbraz barkun, fukarallëku i mendjes, shterpësia e imagjinatës, vrazhdësia e hajdutllëkut, e bënë punën e vet, e vranë Artin si stërmundim, si vullnet, sakrificë, vetmohim, i janë vërsulur kopjimit.
Thirrja e egër ardhur nga kohët e lumtura të gazetës Drita dhe revistës Nëntori, mbledhjet, plenumet, miqësia vllazërore me vende nga fundi i botës, hajnia, rrena, frika, i thanë Bujrum Mesjetës, dhe ulën në krye të sofrës kopjen dhe kopjacin.
Origjinali po se po që është zhdukur pa nam e nishan. Por edhe kopja e ka humbur orientimin. Kopja nuk po di kopje e cilës kopje është, kopje e kopjes së parë, kopje e kopjes së dytë, të tretë, apo të njëqintë.
Kopja me autor kopjacin ka rrafshshuar të gjitha relievet, ka mbushur të gjitha honet e thella, humnerat mendimtare.
Tashmë që kopja mbahet për origjinal, dhe kopja e kopjes, kopja e kopjes së kopjes, kanë zaptuar gjithçka, dukey tepër vonë për të ndrequr diçka.
Fjalori është katandisur te nja treqint fjalë gjithsej, ja pesqint, kurrë më tepër.
Librat, jo vetëm artistikë, janë kopje për ibret të njëritjetrit.
Fjalimet e të gjitha llojeve janë kopje të varfëruara e shkurtuara si kurrë më parë.
Titujt e programeve televizive, formatet, dhe brendia e programeve, janë të kopjuara.
Çfarë ka ndodhur me Poezinë dhe Letërsinë lus të më mirkuptoni që s’po e them këtu.
Flasin, shkruajnë, pyesin, përgjigjen, lëvizin, duke kopjuar më të kollajtët, bërllogun social, politik, mediatik, që sjellin dallgët nga përtejdetit.
Kopjes po i vjen në ndihmë me sa mundet motra e saj, klisheja.
Zullumet që po bën kopja dhe klisheja me pjesmarrjen e të kudondodhurës rrenë, udhëhequr nga kopjaci, janë tashmë një det pa anë e fund plot me këllira që i mbajnë për kryevepra, dështime që i shesin për suksese, marrëzira që i imponojnë për urtësira.
S’është dëgjuar kurrë të thuhet, për shembull, zoti Biden, apo zoti Berlusconi, apo zoti Blair. Vetëm nëpër dreka e darka e qoka, zotrinjtë u drejtohen njëritjetrit me zoti filan, zoti fistek.
Megjithatë Shqipo Kopjaci servil e frikacak i kompleksuar deri në tmerr, edhe kur për tjetrin flet keq dhe në hell do ta shkojë, u drejtohet me zoti Berisha, Zoti Rama, Zoti Meta etj. etj. me një qurravitje kopjace të turpshme të panevojshme.
Ku ka ndodhur një krim, prej kohësh nuk shkon më një polic por një “efektiv policie” (!), dhe kur për të ndihmuar dikend që theu tre brinjë kur e preku një makinë, nuk vete ta ndihmojë një mjek, por një “bluzë e bardhë” (!).
“Kënaqësi që ma pranove ftesën”, ose “faleminderit që u bëre pjesë e emisionit tim”, thotë pa i lëvizur qerpiku copa e mishit që i thotë vetes moderator ose moderatore kur dihet se nuk është aty për tu mburrur me manovra të fëlliqta autoreferenciale por për t’i shërbyer publikut.
Në vendin e kopjeve, klisheve, rrenave, kafeja, uji, dhe në përgjithësi lëngjet, nuk pihen por konsumohen (!), Ngjarja nuk ndodh në katundin x, por në aksin (!) mes qytetit y dhe z.
Ku kopja dhe kopjaci janë përhapur si ferrat në përrua, çfarë shkruhet, çfarë pikturohet, çfarë kompozohet, çfarë filmohet, janë pleh, llum, bërllog, dhe nuk i interesojnë askujt, nuk kanë asnjë rëndësi. Rëndësi ka kopertina me llustra, titulli bombastik i kopjes, emri i kopjacit të lavdishëm, lehjet e tij plot me kalkulime, jeta me bëma të paqëna, ku ishte, ku s’ishte, si e ktheu gotën, si e rrufiti kafen, çfarë brekësh mbath, çfarë ushkur përdor, çfarë ha, çfarë pi, sa dashnore ka.
Aq e rëndësishme është bërë kopja, sa tamam si në Mesjetë, i kanë ngritur dhe këngë.

Kopje moj të qofsha falë
Ishe çupë por qënke djalë
Kopje moj që na kënaqe
Del e bredh nëpër çardhaqe
Kopje moj që gjeç belanë
Ma zure në fyt trahananë.

Ja kush janë 9 shqiptarët më të rrezikshëm që nuk janë arrestuar nga policia (Emrat)

Kapja e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore e atyre të shpallur në kërkim ndërkombëtar vijon të jetë një shqetësim për Shqipërinë pasi shumica prej tyre nuk janë kapur brenda territorit të vendit ndërsa ata që dyshohet se janë në Shqipëri, fotot e tyre thjesht vijojnë të jenë të afishuara në rastin më të mirë e në atë më të keq nuk janë të publikuara sepse faqja e policisë së shtetit nuk punon.

Behar Bajri është vetëm një i ekstraduar pas arrestimit në Francë. Dosja metamorfoza nxori se si grupet kriminale bashkëpunojnë me drejtësinë dhe përfitojnë prej saj e jo vetëm. Por mes të arrestuarve ka dhe nga ata të cilët nuk janë ekstraduar ende por dhe nga ata të cilët kanë përfituar nga mungesa e marrëveshjeve mes Shqipërisë për këtë çështje.

Laert Haxhiu i prangosur në Greqi e Gramoz Rexhepi në Turqi janë dy të shumëkërkuar të tjerë për të cilët Shqipëria shpresat i ka varur tek suksesi i procedurave të ekstradimit.

Ngritja e njësisë Fast me aq bujë në vitin 2019 thuajse nuk çoi asnjërin prej kësaj liste në pranga, edhe pse krimet ndodhnin brenda territorit Shqiptar.

Bledar Jambelli ishte porositës i vrasjes së ish-oficerit të policisë Artan Cuku në vitin 2017. Por edhe pse ndodhej në Shqipëri edhe pse krijoi kushtet për marrjen e jetës së Cukut ai sërish arriti të largohej në Greqi. Në shtetin fqinj u arrestua, por ekstradimi i tij dështoi.

E njëjta histori për një tjetër të shumëkërkuar si Jani Aliaj. Pasi kreu vrasjen në një nga zonat e frekuentuara të Tiranës u largua drejt Greqisë.

Altin Hajri është një tjetër emër i cili vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës. Bashkëpunëtori tjetër i tij, Gentian Funiqi edhe pse i arrestuar në Spanjë në vitin 2022 ende nuk ka shkelur tokën shqiptare për t’u përballur me drejtësinë.

Për Talo Çelën, grabitësin e miliona eurove në Rinas e të akuzuar për më shumë se 10 ngjarje kriminale, vijon një tymnajë informacionesh. Ajo që dihet, “piloti” siç e quanin një pjesë e të arrestuarve të parave të Rinasit, është në kërkim.

Si Talo Çela edhe për Ervis Martinajn, i kërkuar nga drejtësia për operacionin “Plumbi i Artë” ende nuk dihet asgjë. Mediat vazhdojnë të hedhin pikëpyetje në lidhje me të nëse është vrarë zhdukur apo ka inskenuar gjithçka, pasi përplasja me grupet rivale po i eliminonte shokët dhe të afërmit njëri pas tjetrit.

Erjon Llapushi është një tjetër emër që renditet në listën e personave që Policia e Shtetit i konsideron si të kërkuarit më të rrezikshëm. Tetorin e vitit 2021 ai dhunoi për vdekje një kamerier në Elbasan. Gazmend Kurmaku, i tha se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar e Llapushi pas kërcënimeve e shtyu, ndërsa 50-vjeçari u përplas me kokë në një pjesë betoni e humbi jetën dy ditë më pas në Spitalin e Traumës.

Emri i Gëzim Çelës si baroni i drogës u përmend sërish këtë vit në operacionin e policisë së shtetit të koduar si “Flakë në Det” ku u kapën lëndë narkotike, por jo ai që organizon trafikun.

I quajtur “fantazma”, për shkak se askush nuk binte në gjurmët e tij, 30-vjeçari Ibrahim Lici, prej kohësh vijon të jetë në arrati dhe duke iu shmangur drejtësisë që e akuzon për vrasje. Njësia Fast edhe pse kishte informacione se Lici mund të kishte udhëtuar drejt Turqisë nëpërmjet Kosovës sërish nuk mundi ta arrestojë deri kur humbi gjurmët në Stamboll.

Artan Fuga: Pranimi i albanologes kineze Ke JING në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, një elozh dhe një kritikë

Asambleja e Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë, pranoi si anëtare nderi të saj albanologen kineze Ke Jing. Ky fakt u bë i ditur nga akademiku, Artan Fuga. Ky i fundit thekson se albanologia kineze ka një kontribut të shquar në përpjekjen madhore të saj për hartimin e fjalorit shqip-kinezisht. Mes të tjerash Fuga ka edhe një kritikë për albanologen kineze.

“Nga pikëpamja ime do të sugjeroja që për fjalorin që vendos korrespondencat e fjalëve midis shqipes dhe gjuhës kineze, sesi do të shkruhen fjalët e reja në shqip, çfarë forme do të marrë leksiku i shqipes në kodet e shkruara, këtë do ta vendosin institucionet e Shqipërisë, Kosovës.”, sugjeron Fuga.

REAGIMI I FUGES
Dje në datën 16 nëntor 2023,
Asambleja e Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë, pranoi si anëtare nderi të saj albanologen kineze Ke Jing Dhe mirë bëri!
Albanologia kineze ka një kontribut të shquar, sikurse e paraqiti në fjalën e saj inagurale të pranimit përpara akademikëve shqiptarë, si edhe gjuhëtarëve të tjerë të pranishëm, sidomos në përpjekjen madhore të saj për hartimin e fjalorit shqip – kinezisht. Duke drejtuar për një kohë katedrën përkatëse në Universitetin e gjuhëve të huaja të Pekinit, dukej qartë se zonja jo vetëm shprehte një dashamirësi të admirueshme për gjuhën, kulturën, historinë, antropologjinë mbi identitetin kombëtar shqiptar, por edhe kishte dhënë edhe kontribute personale madhore për të bërë të njohur gjuhën dhe letërsinë shqipe në kulturën e një vendi të madh, me tradita kulturore të pasura sikurse është Kina. Aq më tepër që si edhe më pas ajo drejton projekte të mbështetur nga shteti kinez që kanë të bëjnë me ura komunikimi dhe bashkëpunimi midis universeve linguistike dhe kulturore midis dy vendeve. Me një shqipe për t’u pasur zili ajo paraqiti në leksionin e saj një sërë konceptesh dhe parimesh metodologjike shumë të rëndësishme që lidhen me strategjinë e hartimit të fjalorit duke dhënë shpresa se vërtet do të kemi një vepër të rëndësishme që i bën nder shqipes, sikurse nderon edhe profesoreshën Ke JING, ekipin e saj, si edhe katedrën përkatëse në Universitetin e gjuhëve të huaja të Pekinit.
+++
Thënë të gjitha këto me sinqeritet dhe dorë në zemër, dëshiroj edhe të formuloj një kritikë për një nga piket e rëndësishme që u shtjelluan në leksionin magjistral të saj.
Sipas saj, atje në katedrën në universitetin ku ajo punon, kishin vendosur që fjalën e rëndësishme “web” t’a shkruanin në shqip “ueb”. Argumenti i kolegëve kinezë, sikurse e paraqiti zonja JING, ishte se shqipja nuk ka 37 germa, por 36, pra germa “w” nuk bën pjesë në alfabetin shqip. Për rrjedhojë fjala e përmendur duhet shkruar me “u”.
Me këtë arsyetim dhe përfundim nuk jam fare dakord dhe i një mendjeje me të.
Nuk do ja vlente të diskutonim për një germë në një fjalë. Por, problemi është shumë më serioz sesa duket. Sepse nuk është vetëm një fjalë, pra vetëm “web” që hap debat, por një sërë fjalësh të tjera të përveçme në epokën e shkrimit on line. Shkrimi on linë, sidomos nga mënyra e funksionimit të platformave dixhitale, nuk është njësoj sikur të shkruhet në pllaka guri, në papiruse, në shtypshkronjat e Gutenbergut, apo në shekullin e 19-të. Filozofia e shkrimit të shqipes nuk mund të mbetet në skema tradicionale që sigurisht nuk mund të hidhen poshtë, por edhe nuk janë kanune të palëvizshme që nuk i përshtaten kohës. Mbi të gjitha kemi të bëjmë me marrëdhënien e teksteve shqipe me universin dixhital të të shkruarit on line, i cili do të ketë në dekadat e ardhëshme, sigurisht, horizonte të reja përpara tij. Shkrimi on line ka rregullat, semantikën, semiotikën e vet, dhe çdo qëndrim i ngurtë përpara tyre sjell pasoja që nuk besoj se do të ishin të suksesshme.
Nga pikëpamja ime do të sugjeroja që për fjalorin që vendos korrespondencat e fjalëve midis shqipes dhe gjuhës kineze, sesi do të shkruhen fjalët e reja në shqip, çfarë forme do të marrë leksiku i shqipes në kodet e shkruara, këtë do ta vendosin institucionet e Shqipërisë, Kosovës. Janë gjuhëtarët shqiptarë që do të marrin vendime, të konsultuara gjerësisht, të krahasuara me gjuhë të tjera, sipas nevojave të kulturës shqiptare, që u takon vendimi për mënyrën e shkrimit të fjalëve të reja të integruara në gjuhën shqipe. Madje nuk i takon vetëm Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës ekskluziviteti i marrjes së vendimeve. Janë edhe katedrat e gjuhës, letërsisë, informatikës, komunikimit në universitetet shqiptare, ku veçoj ato të Universitetit të Tiranës që u takon të marrin një vendim. Askush nga albanologët e nderuar të huaj të mos nxitohen në këtë fushë, por ose të konsultohen, ose të presin vendimet tona. Do të ishte kësisoj e tepërt për shembull që në hartimin e fjalorëve dygjuhësh gjuhëtarë apo dijetarë kosovarë ose të Shqipërisë të vendosnin si do të shkruhej një fjalë në arabisht, japonisht, apo greqisht. Për rrjedhojë edhe në gjuhën kineze.
Është e padiskutueshme që shqipja ka 36 germa në alfabetin e saj dhe nuk ka asnjë arsye që të shtojë germa të tjera. Unë jam dakord me profesoreshën JING për sa më sipër. Por, aty ku unë nuk jam dakord me të është që prej këtej fjalën “web” ta shkruajmë si “ueb. Më poshtë po shtjelloj argumentet e mia.
Nuk kuptoj për shembull se përse kolegia ka zgjedhur të propozojë të shkruhet si “ueb” dhe jo si “veb” fjala “web”. Por, e anashkalojmë këtë detaj pa rëndësi.
Është po aq e ditur që në historinë e të shkruarit shqip fjalët e huaja janë shkruar sipas parimit të shqiptimit, pra shkruhen si shqiptohen, me germa shqipe. Ta zëmë fjala “republic” apo në format e tjera të shkruara që ka marrë në botë, shkruhet “republikë”. Pra sipas parimeve fonetike dhe alfabetike shqipe. Kështu edhe me pafund fjalë të tjera.

Mirëpo ajo që është e vërtetë për këto forma të asimilimit të fjalëve të huaja në shqipen e shkruar apo të folur, nuk mund të zbatohet kaq lehtësisht kur është fjala për fjalë të përveçme që kanë të bëjnë sidomos me strategjitë shumë të rëndësishme të shkrimit on line. Kanë të bëjnë:
Së pari me fjalë kyçe të përveçme që lidhen me përdorimin e motorëve të kërkimit on line, si edhe me përdorimin e chatbot-ëve, si edhe mbledhësve automatikë të biga datave linguistike në web.

Së dyti me referencimin e teksteve të shkruara në shqip kur është fjala për të ndërtuar hierarkinë e informacionit dhe të ndërtimit të listës organike të rezultateve të kërkimit.
Së treti kur është fjala për ndërtimin e bibliografive në web, në punime shkencore etj.
Ka një dallim të madh i shkruari on line nga të shkruarit në letër. Këto dallime duhen mbajtur mirë parasysh. Ka shumë syresh. Nuk janë pak. Mbi të gjitha shkrimi on line është i bazuar në hipertekstin, pra pak a shume, pa u zgjatur, ka ndërtuar një univers të ri të të shkruarit, së paku midis gjuhëve me bazë alfabetin latin, kryesisht të botës perëndimore, veçanërisht të gjuhëve kombëtare të Evropës Perëndimore, madje më gjerë në kontinentin tonë, me të cilin i shkruari i teksteve on line, të dixhitalizuara, në shqip komunikon. Tekstet e shkruara në shqip në matricën e të shkruarit on line ndodhen në një botë të hipertekstit që në përmbajtje, në disa drejtime, i kalon dasitë kombëtare. Në shumë drejtime tekstet si hiper-tekste, si ndër-tekste, etj, krijojnë një univers përtej – kombëtar.

 

 

Si do ta shkruaj në shqip ta zëmë në një referencë në web simbolin e url WWW… etj.? Do ta shkruaj : UUU…? Ku do të më çojë ky puritanizëm i të shkruarit të një teksti shqip në këtë mënyrë? Cila strategji e ndërtimit të linqeve do të ma pranonte këtë lloj të shkruari nëse do të doja që teksti im i shkruar në shqip të klikohej për të qarkulluar në botën e ndër-tekstit dixhital? Ata që komunikojnë shqip në universitetin on line e kuptojnë se kjo do të krijonte probleme të rënda komunikimi, referencimit, listimi, etj.
Si do të arsyetoj ta zëmë kur të shkruaj “facebook”? Do të them se meqë “oo” në shqip jep “u”, atëherë fjalën “facebook” do ta shkruaj “fejsbuuk”? Le ta vendos në motor kërkimi “fejsbuk” dhe të shohim nëse do të futem dot në këtë platformë!
I njëjti problem do të krijohej edhe në se do të shkruaja tekste shqip ku në vend të emrit të madh ta zëmë Maks Weber, të shkruaja Maks Ueber! (Shqipja nuk ka as germë “ks”). Në vend të emrit të madh Witgenstein të shkruaja Uitgeinstein!!!Cili motor kërkimi do të ma referenconte si duhet?
Imagjinojmë se çfarë pasojash do të mund të kishte financiarisht kjo logjikë në botën e marketingut dhe të reklamës!!!

Unë jam dakord për atë që shqipes nuk ka nevojë hëpërhë t’i shtohet ndonjë germë, apo t’i hiqet ndonjë e tillë. As të shkruaj në shqip ta zëmë “@” se do të ishte ekzagjerim! Por, edhe ky opsion i shtimit të ndonjë germe mbase nga brezat e ardhshëm nuk përjashtohet. Germat nuk janë ikona të shenjta, por kode komunikimi që evoluojnë. Ndërkaq, nëse bëhemi të ngurtë, rrezikojmë një pastërti të rrezikshme izoluese.
Kur në një tekst shqip përdor edhe germa si ö, ü, w, etj., kjo nuk do të thotë aspak që shtoj germave të alfabetit shqip germa të tjera. Larg meje ky pretendim. Por, nëse përdor pa fund fjalë me origjinë të huaj, kur është nevoja, për efekt të shkrimit on line, si edhe për efekt të respektimit të hipertekstit dhe ndërtekstit, jam i detyruar të përdor ndonjë germë të huaj. Nisur këtej, le të them si shqiptarët e kanë bërë tashmë këtë zgjedhje në praktikë. Mendon dikush se norma mund t’i kundërvihet tashmë praktikës të suksesshme tridhjetëvjeçare?
Si do ta shkruante emrin e përveçëm një kinez kur në gjuhën e tij të bukur dhe të pasur, desha të them të mrekullueshme, do të donte të shkruante ta zëmë Max Weber?

+++

Ky debat me zonjën JING që unë besoj se ajo do ta mirëkuptojë me dashamirësinë e etikës në shkencë, me bën të përsëris disa parime që Akademia e Shkencave në Shqipëri deri tani nuk ka dashur as t’i dëgjojë.

E para për hartimin e fjalorit në shqip ka nevojë të debatohet thellë, gjerë, gjatë, një platformë në planin epistemologjik, semantik, semiotik. Pastaj të hidhemi te fjalët.
Së dyti, fjalori nuk është çështje ekskluzive gjuhëtarësh, por e ekipeve ndërdisiplinore, politologë, informaticienë, semiologë, filozofë, lëvrues të shkencave mbi letrat, programues, etj.. Unë militoj për një albanologji të re ndërdisiplinore.
Së treti, i shkruari on line ka specifika shumë të rëndësishme dhe atje nuk mund të vihet me horizontet e ngushta të të shkruarit sipas kulturës së Gutenbergut.
Së katërti, ne nuk mund të krijojmë një “ueb”, një “fejsbuuuk” vetëm për Shqipërinë. Atë që një vend i madh mund ta bëjë, për ne do të ishte izoluese dhe shkatërruese. Do të izoloheshim. Kultura shqiptare gjallon sot në një botë të hapur dhe përfiton nga kjo hapje.
Së pesti, Akademia e Shkencave ka nevojë t’i ikë përqasjeve thejsht ceremoniale, dhe të bëhet një vend debati shkencor, sipas parimeve të shkencës, edhe kur është rasti fatlum të presë në gjirin e saj albanologë klasi si zonja JING.