31.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

OECD: Ekonomia globale, drejt rritjes më të dobët që nga Covid-19

Ekonomia globale po shkon drejt periudhës më të dobët të rritjes që nga Covid-19, ndërsa lufta tregtare e Donald Trump dëmton zhvillimin në ekonomitë kryesore, përfshirë SHBA-në, sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD).

Organizata uli perspektivën për prodhimin global dhe shumicën e ekonomive kryesore të G20, ndërsa paralajmëroi se marrëveshjet për të lehtësuar barrierat tregtare do të ishin kyç në ringjalljen e investimeve dhe shmangien e çmimeve më të larta.
Rritja globale pritet të jetë 2.9 % në 2025 dhe 2026, tha OECD në perspektivën e fundit të publikuar. Shifra ka tejkaluar 3 % çdo vit që nga viti 2020, kur prodhimi ra për shkak të pandemisë.

Rritja e SHBA-së do të ngadalësohet veçanërisht, duke rënë nga 2.8 % vitin e kaluar në vetëm 1.6 përqind në 2025 dhe 1.5 % në 2026, ndërsa një periudhë inflacioni më e lartë do ta pengojë Rezervën Federale të ulë normat këtë vit, tha OECD.

Vlerësimi i fundit përfaqëson një ulje të parashikimeve të ndërmjetme të marsit, të cilat i paraprinë njoftimeve të tarifave të presidentit amerikan më 2 prill. Edhe atëherë, OECD paralajmëroi për një ndikim të konsiderueshëm, që rrjedh nga taksat e administratës Trump dhe pasiguria e lidhur me politikën.

Që atëherë Trump ka ulur pjesërisht disa detyrime, por rritja e normës mesatare efektive të tarifave të SHBA-së është ende “e pashembullt”, nga 2.5 % në mbi 15 % – më e larta që nga lufta e dytë botërore, vuri në dukje OECD.

Organizata gjithashtu uli parashikimet e vitit 2025 për vendet e G20, përfshirë Kinën, Francën, Indinë, Japoninë, Afrikën e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me perspektivën e marsit.

Álvaro Pereira, kryeekonomisti i OECD-së, tha se vendet kishin nevojë urgjente të arrinin marrëveshje që do të ulnin barrierat tregtare. “Përndryshe, ndikimi i rritjes do të jetë mjaft i rëndësishëm”, tha ai. “Kjo ka pasoja masive për të gjithë.”

Krahasuar me perspektivën e fundit të plotë të OECD-së në dhjetor, perspektivat e rritjes për pothuajse të gjitha vendet janë ulur, tha Pereira.

Një pengesë ndaj rritjes dhe investimeve është edhe pasiguria në lidhje me drejtimin e politikës tregtare globale. Luhatjet e tarifave të SHBA-së kanë ndikuar shumë, ndërsa Trump ka vendosur taksa ndaj Kinës përpara se t’i tërheqë pjesërisht masat, ndërsa ka kërcënuar me tarifa të larta ndaj ekonomive të tjera, përfshirë BE-në.

Trump është zotuar gjithashtu të vendosë një sërë barrierash sektoriale, duke përfshirë dyfishimin e taksave mbi importet e çelikut dhe aluminit në 50 %.

OECD-ja përgatiti parashikimet ekonomik duke supozuar se normat e tarifave që nga mesi i majit do të mbaheshin të pandryshuara, pavarësisht pengesave, duke përfshirë një vendim gjykate javën e kaluar që zbuloi se Trump kishte tejkaluar autoritetin e tij në vendosjen e detyrimeve të 2 prillit.

Pjesërisht si rezultat, inflacioni i SHBA-së tani pritet të rritet në gati 4 % deri në fund të vitit 2025 dhe të mbetet mbi objektivin e Rezervës Federale në vitin 2026, që do të thotë se banka qendrore ndoshta do të presë deri vitin tjetër përpara se të ulë normat e interesit, tha OECD.

Treguesit e fundit treguan një “ftohje të dukshme” të rritjes reale të PBB-së në SHBA, së bashku me një rritje të ndjeshme të pritjeve për inflacionin, paralajmëroi ajo.

Në përgjithësi, perspektiva e OECD-së për këtë vit është ulur për rreth tre të katërtat e anëtarëve të G20 krahasuar me parashikimin e saj të ndërmjetëm të marsit.

Rritja e Kinës do të ngadalësohet nga 5 % vitin e kaluar në 4.7 % në vitin 2025 dhe 4.3 % në vitin 2026, sipas perspektivës së re, ndërsa Eurozona do të zgjerohet me vetëm 1 % këtë vit dhe 1.2 % në vitin 2026.

Ekonomia e Japonisë do të rritet me vetëm 0.7 % dhe 0.4 % këtë vit dhe vitin tjetër. Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar parashikohej të zgjerohej me 1.3 % këtë vit dhe 1 % në vitin 2026 – një ulje e normave të pritura 1.4 dhe 1.2 % përkatësisht në mars.

Tregtia globale do të zgjerohet me 2.8 % në vitin 2025 dhe 2.2 % në vitin 2026, dukshëm më e ulët se parashikimet e OECD-së në dhjetor.

Rreziqet fiskale po rriten së bashku me tensionet tregtare, paralajmëroi OECD, me kërkesat për më shumë shpenzime mbrojtëse që pritet të shtojnë presionet mbi shpenzimet.

Vlerësimet e aksioneve “historikisht të larta” po rrisin ndjeshmërinë ndaj goditjeve negative në tregjet financiare.

Një periudhë e gjatë investimesh të dobëta ka përkeqësuar sfidat afatgjata me të cilat përballen ekonomitë e OECD-së, dhe kjo po dëmton më tej perspektivën e rritjes./FT-Monitor

Nga prozhektorët mbi det, te shtyllat me fill elektrik, “mbrojtja” e kufirit në diktaturë! Çdo shqiptar, që orvatej të largohej nga vendi, merrte dënimin që…

NGA PROF.DR.ELMAZ LECI

Talonin në racionimin e ushqime në vendin tonë pak e kujtojnë, pasi ai i përket një periudhe të kaluar tashmë më se gjysmë shekullore , por që ka ndodhur vërtet dhe atë e shkaktoi politika socialiste e komunizmit në fshat. Kujtojmë se në vitin 1967 përfundoi me forcë në Shqipëri i gjithë kolektivizimi dhe si rezultat më në fshat nuk kishte prona bujqësore private. Propaganda e kohës e paraqiti atë si një hop cilësor, pasi kooperativizmi ishte kryer edhe në zonat më të thella të vendit, ku gjoja fshatarët sipas asaj propagande e pritën me entuziazëm kolektivizimin.

Gjendja e keqe në fshat arriti deri aty sa në se në qytet të jepnin me talon 1 kg djathë në muaj, në fshat që ai e prodhonte djathin, nuk merrnin asnjë gram. Kur në qytet, po të zgjoheshe në orën 2 të mëngjesit edhe mund të merrje një litër qumësht, në fshat jo, nuk e kishin këtë të drejtë, sepse ishin fshatarë e ata duhej t’i furnizonte kooperativa bujqësore, ndërsa kooperativa nuk kishte prodhim. Këto ishin të gjitha rezultat i shkatërrimit të pronës private në fshat. Ndaj qeverisja socialiste vendosi talonin për prodhimet bujqësore.

Kjo lloj politike e socializmit “fitimtar” rezultoi se ishte një aspekt i zi, që i parapriu vendosjes se racionimit të plotë të ushqimeve e pse jo edhe të persekucionit, sepse në flisje se në dyqanin e kooperativës “nuk ka” djathë, qumësht etj. etj. e pësoje keq me ligjin e agjitacion propagandës.

Simbolikisht “taloni” i socializmit në Shqipëri, në fakt, erdhi nga mali së bashku me pushtetin e “çlirimtarëve”, d.m.th. erdhi me pushkët e atyre që populli sikur e besoi fillimisht, sepse ishte ne ekstazën e çlirimit të vendit, por edhe të efektit të propagandës të “lugës së florinjtë”. E shtuan atë lloj “entuziazmi” rindërtimet që nisën e ndodhin zakonisht pas çdo lufte dhe në vijim edhe parulla e shumëdëshiruar e mashtruese për shqiptarët, ajo për rindërtimin e “Shqipërisë demokratike”.

Kjo e fundit, si gënjeshtër e madhe e si propagandë “boshe” nuk vijoi shumë sepse nisi “dajaku” i mbledhjes me grabitje të prodhimeve, sekuestrimet e mallrave, arrestimet e dënimet e të pasurve, të cilët duhet thënë se bënë fitoren e luftës sepse ata kishin e furnizuan luftëtarët antifashistë me ushqime etj. Por ndodhi ajo që nuk duhej të bëhej, nisi menjëherë boshatisja e atyre pak hambarëve të të varfërve për të mbushur me prodhimet shqiptare tregun e jugosllavëve. Nisi dhe aplikoi “pushteti popullor” taksat e shumta e tatimet e renda me moton se “ ka nevojë shteti” e nga ana tjetër vijoi të “hajë djalli”. Dhe fshatari, klasa mbisunduese në Shqipëri, edhe kur nuk kishte pula tagrambledhësi donte me patjetër rreth 600 kokrra vezë për çdo krerë pule. Taksa dhe vetëm taksa kërkonte e grabiste shteti e pushteti si për arën edhe për livadhin, si për lopën edhe për delen, por edhe për dashin e dhinë, për çdo pemë e për çdo dru pylli, deri taksë për beqarinë. Dhe fshatari, se pothuajse gjithë popullsi fshatare qe Shqipëria, u bë si i shushatur. Ku ti gjente fshatari i shkretë, që rrënohej përditë tërë ato taksa e tatime pa fund?! Delte pyetja, të cilën nuk mund ta thoshte e nuk mund ta shprehte: A për një regjim të tillë despotik luftuan e u sakrifikuan?! A po për atë lloj qeverisje zhvatanike votoi populli “me dëshirë”?! Nejse. Në atë periudhën e largqoftit, asnjëherë nuk u bënë zgjedhje, por që gjithnjë shpallej se njerëzit votonin me 99.99 për qind. E mos të votoje po deshe?!

Fshati dhe fshatari në përgjithësi te ne nga para çlirimit trashëgoi pasuri jo të pakt si blegtori e prodhime por pas nëntorit të vitit 1944, mbi fshatarin shqiptar u vendosën gradualisht vargonjtë e regjimit, u vendosën mbi të taksa e tatime të shumta, që ja rrëmbenin prodhimet pa pikën e mëshirës, ku shpesh herë i linin edhe kalamajtë pa ushqime.

Egoizmi i Enver Hoxhës për sundimin e tij dhe të klanit, “punoi” shkallë-shkallë e vit pas viti, deri sa e çojë vendin në një varfërim të plotë. Vendi u izolua jo vetëm politikisht por edhe teknikisht. Nga një anë fshatari shqiptar varfërohej në sajë të masave të kolektivizimit e shkatërrimit të pronës, nga ana tjetër mbi të rëndonte edhe “politika e madhe” e taksave dhe tatimeve të tmerrshme. Në se para kolektivizimit i merrte direkt taksat e tatimet në natyrë, pas kolektivizimit ato o merrte te “thesi i kooperativës” pa pyetur fare e pa asnjë lloj fature transparente për fshatarin.

Pas prishjes edhe me Kinën, niveli i jetesës veçanërisht në fshat shkoi keq e më keq. Aq e padurueshme u bë jetesa, sa që njerëzit nuk po duronin më dhe tentativat apo arratisje u bënë shqetësim i madh për regjimin. Këtë e tregojnë edhe rrethimet e vendit me “zona kufitare”, me “breza të butë” e “klone”. Kjo ishte “periudha e lavdishme” që partia komuniste, e punës apo socialiste (njëlloj është), i caktonte popullit shqiptar detyrën e vështirë por të “pa kundërshtueshme” që të “ndërtonte socializmin me forcat e veta”.

T’i shmangeshe këtij misioni ishte e konsiderohej një dezertim i dyfishtë: Çdo shqiptar që orvatej të largohej nga vendi, tradhtonte idealet e socializmit dhe për këtë merrte një dënim që shkonte nga dhjetë vjet kamp pune, deri në vdekje. Tekstet e ligjeve të kohës e quanin këtë lloj shkelje, “arratisje”, megjithatë çdo vit disa shqiptarët e ndërmerrnin një veprim të tillë. Më 1966, në liqenin e Shkodrës u vendos me shtylla një fill metalik. që materializonte “zonën kufitare”…Të tilla përçudnime kishte kudo rreth e rrotull vendit. Në buzë të detit Jon, në Sarandë, përballë Korfuzit, me të rënë nata hynin në veprim dy prozhektorë të mëdhenj, për të zbuluar më mirë ndonjë arratisje të mundshme.

Parulla “vigjilencë” e kudondodhur, nxiste këdo që të parandalonte sabotimet e mundshme të “armikut të brendshëm”. Atmosfera e luftës mbahej gjallë nga ndërtimi i qindra bunkerëve të vegjël e të mëdhenj, ndërsa propaganda antijugosllave e antiimperialiste e revizioniste, krijonte në popull një tension të madh. Sigurimi i shtetit, policia sekrete dhe një rrjet i pafund spiunësh vullnetarë, punonin pareshtur në shërbim të vetizolimit, duke i shërbyer kështu plot servilizëm ustallarëve të tyre të nomenklaturave të larta. Mbyllja nga çdo anë e trajtimi çnjerëzor, u bëhej njerëzve në vijimësi. Ky lloj trajtimi, shtetëzimi i pronës, i mjeteve, detyrimi i punës sipas përcaktimit të politikës, e të tjera masa penalizuese, ishin ata që e ulën këmbëkryq varfërinë në Shqipëri e posaçërisht në fshat.

Te ai, rezultat i masave kufizuese e humbja e interesit për pronën, bënë të mundur që prodhimi ra dhe vjedhjet e abuzimet u bënë gati masive. Vjedhja u kthye në modë, nga një akt i urryer para vitit 1945, ajo u kthye në një veprim të rëndomtë, pasi me forma të ndryshme vidhnin pothuajse të gjithë, edhe kryetari i kooperativës, edhe brigadieri, edhe agronomi e aq më shumë komunisti dhe edhe-të…nuk kishin të sosur, sepse pasuria ishte e të gjithëve dhe e askujt.

Një gazetar i huaj në atë kohë kishte vëzhguar dhe publikoi se ishte “shteti ai që ndaloi edhe bluarjen e drithërave të bukës në mullinjtë e kooperativës. Fshatarët u kthyen 100 vjet pas, duke e bluar drithin me mokër dhe prej saj në fshat u shtuan shumë rastet e shpërdorimit të stomakut. Egoizmi i Enver Hoxhës për pushtet, nën maskën e barazisë, bëri kthimin e pronës private në pronë të të gjithëve, që në fakt duhet konceptuar si pronë në mëshirën e fatit”. Më 1945, prona private u ruajt disa kohë në caqet e 40 hektarëve dhe ishte e parashikuar që familjet fshatare pa tokë do të merrnin 5 hektarë. Në fakt, morën shumë më pak ose aspak. Nga ana e varfërisë pas kolektivizimit Shqipëria e mori të tatëpjetën e pakthyeshme. Qysh në vitin 1945, në pronat e mëdha të shfrytëzuara më përpara nga italianët u krijuan fermat e para të shtetit. Pastaj nën shembullin e Jugosllavisë e të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1946, disa familje u bashkuan në shtatë kooperativat e para. Ata duhej t’ia shisnin prodhimin e tyre shtetit, duke iu bindur vendimeve të planit. Ata duhej të deklaronin gjithçka që prodhonin dhe grumbullonin, përndryshe dënoheshin nga gjykata ushtarake. Fshatarët e tjerë u ngarkuan me tatime të jashtëzakonshme.

Më 1956-n proces i kolektivizimit u përshpejtua dhe dy vjet më pas ishte kolektivizuar 63% e tokës fshatare. Krahas kësaj, u zvogëluan dhe ngastrat e tokës vetjake. Më 1949 toka e lejuar shkonte nga 1.2 hektarë në 3000 metra katrorë, pastaj më 1967 në 1000 metra dhe në fund u kufizua në 300 metra katrorë. Po kështu u zvogëlua edhe numri i krerëve të bagëtive vetjake. Sipas numrit të frymëve të familjes, në fillim u lejuan nga 1 deri në 4 lopë, më pas zbriti në 2 dhe në fund vetëm me 1 lopë e më pas në asnjë. Bariu që mund të mbante deri në 40 kokë dele, pas 1967 -ës u desh të kënaqej me dhjetë dhe më pas nuk mund të mbante asnjë sepse u ndalua me ligj.

Enver Hoxha e cilësoi atë lloj “përparimi” në prodhimin bujqësor si meritë të kolektivizimit! Nuk është pa bazë shprehja, madje tepër e goditur, ku thuhej se “punonin 3 milion skllevër” për byronë politike e sorollopin e tyre. Dhe punët shkuan keq e më keq, saqë në 25 janar të vitit 1987 e përditshmja “Zëri i popullit” e detyruar do të shkruante se në tre rrethe zarzavatet mungonin. Çdo familje, pavarësisht nga anëtarët, kishte të drejtë të blinte me talon një kilogram mish në javë, kocka e dhjamë bashkë sepse mishin nuk mund ta zgjidhje, pasi ishte i ambalazhuar qysh më parë nëpër pako dhe ishte mish gjelle. Herë pas here, një herë në pesëmbëdhjetë ditë, mund të blije një pulë. Qumështi ishte vazhdimisht një problem i madh. U racionuan edhe vezët, që u kufizuan me 5 kokrra në javë, për çdo familje.

Kjo ishte ajo lloj politike që i izoloi të gjitha fushat e prodhimit. Me kolektivizimin dhe me bërjen e gjithçkaje që shqiptari e kishte pronë të tijën dhe kthimin e saj me dhunë në pronë shtetërore, ai u kthye tamam si skllav sepse nuk kishte asnjë lloj prone, as tokë, as fabrikë, as shtëpi, madje as familjen nuk e kishte të tijën. Kudo dhe në çdo kohë kryetari i Frontit, operativi i Sigurimit, brigadieri e sekretari i partisë, ndërhynin deri në punët e brendshme të familjes. Jo vetëm ekonomikisht u izolua shqiptari, por edhe moralisht, sepse bindjet iu privuan, liria e besimit iu mohua, madje iu ndalua edhe me ligj.

Katandisja e fshatarit, pse jo edhe pjesa e popullsisë që banonte nëpër qytete në skamje e mjerim ishte forma kryesore e terrorit komunist në Shqipërinë londineze e mbi shqiptarët dhe ajo është aq e gjerë sa zor se ndonjëherë do të shkruhet e plotë. Dhe të gjitha, janë vetëm një grafi, janë vetëm një skopi, e veprimtarisë kriminale, janë vetëm një tablo se çfarë bëri Enver Hoxha me popullin, janë aktakuzë e rëndë që e akuzojnë atë ideatorin e tyre, i cili e zbriti varfërinë këmbë kryq në fshatin e dikurshëm të pasur shqiptar. Ishte koha kur regjimi komunist e “uli këmbëkryq” varfërinë në fshat./Gazeta Panorama

Ervis Iljazaj: Ngërçi politik në Kosovë, një rast më shumë unik se sa i rrallë

Nga Ervis Iljazaj

Republika e Kosovës aplikon një sistem zjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura. Është e qartë se një sistem i tillë favorizon fragmentizimin e sistemit partiak. Sisteme të tilla garantojnë përfaqësueshmëri, por nga ana tjetër nuk garantojnë qëndrueshmëri të qeverisjes dhe të sistemit demokratik. Në një demokraci, përfaqësimi politik është shumë i rëndësishëm, por njësoj i rëndësishëm duhet të jetë dhe qëndrueshmëria e qeverisjes. Demokracia nuk është vetëm përfaqësim, por edhe qëndrueshmëri dhe vendimarrje, që do të thotë llogaridhënie.

Këtë gjë Kosova e ka vuajtur, ku shpeshherë qeveritë kanë qenë të paqëndrueshme, me përjashtim të qeverisë Kurti 2. Sistemi proporcional kombëtar i Kosovës vështirësisht i jep mundësinë një partie të vetme të fitojë shumicën absolute të mandateve që mundëson formimin e qeverisë. Dhe në këto zgjedhje ka ndodhur po kështu, gjë e cila ka futur në një krizë të formimit të qeverisë dhe kostituimit të parlamentit.

Sikur mos të mjaftonte sistemi zgjedhor, në Republikën e Kosovës ka dhe një nen absurd ku përcakton se Kryetari i Kuvendit i përket partisë që merr më shumë mandate, pavarësisht nëse kjo parti ka shumicën absolute ne Kuvend ose jo. Kjo praktikë në fakt është e rrallë në parlamentet e tjera demokratike. Kushtetutat e vendeve Europiane, në shumicën e tyre, parashikojnë se kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve. Nuk ka rëndësi është i partisë së parë apo jo. Rëndësi ka që deputeti që propozohet kryetar të ketën shumicën e deputetëve.

Por rasti i Kosovës është edhe më absurd se kaq. Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit.
Dhe këtë praktikë po shfrytëzon Albin Kurti për të penguar kostituimin e Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të qeverisë. Duket qartë se kjo është një taktikë e Kurtit për të shkuar kështu deri në momentin zgjedhjes se Presidentit dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Është e paimagjinueshme se si një kushtetutë t’i japë instrumente partive politike për të bllokuar sistemin demokratik në një vend të caktuar. Kushtetutat ndërtohen për të propozuar zgjidhje dhe mekanizma zhbllokues të konflikteve politike dhe jo t’i ushqejnë ato deri në pikën sa mund të bllokojë të gjithë sistemin. Kushteta e Kosovës në këtë pikë është totalisht një kushtetutë vetëbllokuese. Gjë e cila duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt për të ndërtuar një sistem demokratik efikas.

Kosova në situatën ku ndodhet, sidomos në politikën e jashtme dhe në kontekstin gjeopolitik, nuk e ka luksin të krijojë kriza të tilla vendimarrjeje afatgjatë. Sa më shumë zgjat pa një qeveri të qartë dhe të qëndrueshme, aq më keq është për të.
Dihet që ndonjëherë nenet e Kushtetutës nuk mjaftojnë për të garantuar demokracinë. Përtej saj kërkohet dhe sjellje politike e partive e përgjegjshme dhe me ndërgjegje kombëtare. Dhe këtë gjë forcat politike në Kosovë deri më tani nuk po e tregojnë. Megjithatë, politika nga natyra e saj është konfliktuale. Dhe konflikteve politike duhet t’i japin zgjidhje organet e pavaruara dhe Kushtetuta. Mirëpo ajo që po ndodh është totalisht e kundërta.

Në Kosovë, jo vetëm që Kushtetua nuk i jep zgjidhje konflikteve politike, por përkundrazi, ajo i jep instrumente partive që konfliktet t’i çojnë deri aty sa të bllokojnë formimin e institucioneve të shtetit të saj. Prandaj, Kushtetua e Kosovës në këtë drejtim ka nevojë urgjente për një reformë e cila të garantojë përfaqësim politik dhe stabilitet qverisës dhe institucional. Në të kundërt, krizat do të përsëriten ëdhe në të ardhmen në dëm të demokracisë së saj./Liberale.al

Për çfarë marrin më shumë hua shqiptarët? Kredia konsumatore arrin në 92 mld lekë në 3-mujorin e parë

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82

Tre muajt e parë të 2025 kanë dëshmuar një rritje të kërkesës së qytetarëve për financim nga bankat. Gjatë kësaj periudhe, nuk janë marrë vetëm më shumë kredi për blerje banese, por edhe për financimin e konsumit.

Në fund të tremujorit të parë, kredia për të mbuluar nevojat personale të qytetarëve për blerje pajisjesh profesionale, mobilje për shtëpi, edukim, shëndet, pushime, ushqim, blerje makine dhe të tjera, ka arritur në 92 miliardë lekë. Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë flasin për një rritje me afërsisht 5% të kredisë për këtë qëllim.

Por cili nga qarqet rezulton të ketë marrë më shumë kredi konsumatore?

Duke qenë se shumica e popullisë është e përqendruar në Tiranë, më shumë se gjysma e kredisë konsumatore është dhënë për individët në kryeqytet. Sipas statistikave zyrtare, vlera e kredive për financimin e konsumit në qarkun e Tiranës ishte 51 miliardë lekë, ndërsa në qytetet e tjera të vendit nuk i arrin dot as 10 miliardë.

Durrësi është qarku i dytë ku ka pasur më tepër kërkesë dhe janë miratuar më shumë hua konsumatore nga bankat. Konkretisht, kredia konsumatore në këtë qark regjistroi një rritje me 4.5% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, qytetarët e qarkut të Lezhës dhe të Korçës rezultojnë me shumën më të vogël të kredive të marra, përkatësisht me 1.7 miliardë dhe 2.6 miliardë lekë.

Kredia konsumatore u jepet individëve për të financuar lloje specifike shpenzimesh, për të blerë për shembull mallra të qëndrueshëm si elektroshtëpiake, pajisje elektronike, makinë, mobilje ose për të blerë mallra jo të qëndrueshëm siç janë produktet ushqimore dhe të tjera./SCAN

Si u “mashtrua” me faljen e gjobave të Policisë së Shtetit!

Emisioni “Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një “mashtrim” me vendimet dhe ligjet për “faljen” e gjobave të Policisë së Shtetit gjatë 10 viteve të fundit.

Para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, doli një VKM që falte gjobat e ndërtimeve, atyre në bujqësi dhe gjobat e policisë deri më 30 nëntor 2024.

Qytetarët iu drejtuan policisë që t’u hiqeshin nga sistemi gjobat. Por, drejtuesit e policisë i informuan se janë falur vetëm gjobat e COVID 19. Pas denoncime e të shumta, Fiksi shfletoi VKM në dhe ligjin me numër 127 të vitit 2024 dhe rezulton se ka shumë interpretime.

Në nenin 1 shkruhet se “masat administrative që shfuqizohen” përfshinin edhe masat administrative nga policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake. Ndërkohë, në nenin 2, “përfituesit” janë ata që kanë ndërtuar për qëllime banimi, për qëllime blegtorale dhe “individët që nuk kanë zbatuar rregullat e COVID”.

VKM-ja dhe konfuzioni para zgjedhjeve! Në datën 9 maj 2025 doli një Vendim i Këshillit të Ministrave që falte gjobat, ndër të tjera edhe të Policisë së Shtetit. Vendimi përcaktonte edhe se Drejtoritë Vendore të Policisë duhet të bënin listat e përfituesve. Pas hyrjes në fuqi, qytetarët vërshuan në godinat e policisë pasi mësuan se faleshin gjobat nga janari 015 deri më 30 nëntor 2024.

Por, aty kanë mësuar se do hiqen gjobat e COVID!

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një ankesë nga një qytetare. “Kam një ankesë për Vendimin e Këshillit të Ministrave, ku thuhet se falen gjobat e makinave nga viti 2015 deri më 30 nëntor 2024, ku janë falur gjobat e makinave për shkelje të ndryshme dhe gjobat e COVID 19, gjobat për ndërtimet pa leje etj, etj. Dje më kanë bllokuar lejen e qarkullimit të makinës se kam 10 gjoba pa paguar nga viti 2024. Shkova dhe u ankova dhe më thanë se janë falur vetëm gjobat e periudhës së COVID 19, kur njerëzit dilnin me makinë vetëm gjatë COVID.

Gjobat e tjera nuk janë falur! Kjo është absurde, sepse në vendim shkruhet ndryshe!” ishte njëra nga ankesat. Pas kësaj ankese, gazetarët e Fiks Fare u interesuan në Policinë Rrugore të Tiranës. Punonjësit e policisë i thonë gazetarit të Fiksit se janë falur vetëm gjobat e COVID. Sipas tyre, ka një paqartësi me atëvendim, por ata veprojnë pas një shkrese të drejtorisë vendore. Polici thotë se kanë ardhur shumë por ata veprojnë vetëm ça u thonë nga drejtoria vendore.

Fiksi shkon edhe te Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, ku një polic thotë se janë falur vetëm gjobat e policisë në COVID. Ai thotë se ka ardhur një shkresë dhe ia tregon edhe gazetarit të Fiksit vetëm për gjobat gjatë pandemisë!

Fiksi ka shfletuar VKM-në e datës 9 maj 2025, ku në këtë vendim përcaktohet se kush përfiton nga falja e këtyre gjobave. Ata që kanë marrë gjoba nga inspektoratet e mbrojtjes së territorit, ata që kanë marrë gjoba nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetërore Shëndetësor dhe, ata që kanë marrë gjobë nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake.

Në pikën 5 të këtij vendimi, janë procedurat që zbatohen nga Policia e Shtetit. Sipas saj, drejtoritë vendore, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi, përgatisin listat. Më pas, këto lista dërgohen për miratim në Policinë e Shtetit. Menjëherë pas miratimit të këtij vendimi, mediat i kanë bërë një jehonë. Por, asnjë ministër,
zv.ministër, drejtor apo edhe vetë Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë koment e kush përfiton!

Në atë kohë, pati edhe një reagim nga Partia Demokratike, ku akuzonte qeverinë për faljen e gjobave, ndër të tjera edhe të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake? Por, a e kishin lexuar VKM-në dhe ligjin me numër 127, të vitit 2024?

Ky ligj është shumë i shkurtër dhe përcakton se përfitojnë nga falja e gjobave të Policisë së Shtetit ata që i kanë marrë gjatë pandemisë COVID 19!

/TCH

Zelensky: Rusia duhet të fillojë të kuptojë se konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë “ka një kosto”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën vonë se Rusia duhet të fillojë të kuptojë se konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë “ka një kosto”, duke përsëritur thirrjet e Kievit për sanksione shtesë kundër Rusisë.

Në një deklaratë për X, Zelensky tha se shumë njerëz kanë folur me Rusinë në nivele të ndryshme, por asnjë nga këto bisedime nuk ka rezultuar në një “paqe të besueshme” ose nuk ka ndaluar konfliktin, i cili ka vazhduar për më shumë se tre vjet.

“Fatkeqësisht, Presidenti rus Vladimir Putin ndihet i pandëshkuar. Edhe pas të gjitha sulmeve të tmerrshme të Rusisë, ai thuhet se po përgatit edhe më shumë të ashtuquajtura ‘përgjigje’”, tha Zelensky, duke iu referuar vërejtjeve të homologut të tij gjatë një telefonate me Presidentin e SHBA-së Donald Trump vetëm pak orë më parë.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se diskutoi sulmet e fundit me dronë nga Ukraina ndaj Rusisë me Putinin në një telefonatë që zgjati “përafërsisht një orë e 15 minuta”, duke vënë në dukje se presidenti rus i tha “shumë fuqishëm se do të duhet t’i përgjigjet sulmit të fundit në aeroportet”.

Kievi pretendoi se kishte goditur 41 bombardues strategjikë rusë në një “operacion special të paprecedentë dhe unik” të dielën, i cili përfshinte sulme me dronë që synonin aeroportet ushtarake në pjesë të shumta të Rusisë, përfshirë rajonin siberian të Irkutskut.

“Kjo do të thotë që me çdo sulm të ri, me çdo vonesë të diplomacisë, Rusia po ia drejton gishtin të gjithë botës – të gjithë atyre që ende hezitojnë të rrisin presionin mbi të.”

“Megjithatë, është Rusia ajo që duhet të kërkojë paqe. Është në Moskë që ata duhet të fillojnë të ndiejnë se lufta ka një kosto, një kosto të lartë, dhe koston më të lartë duhet ta paguajë agresori”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas argumentoi se Putin do ta interpretonte mungesën e një reagimi të fortë ndaj komenteve të tij si një “gatishmëri për të mbyllur sytë ndaj veprimeve të tij”, duke pretenduar se homologu i tij rus e sheh një qasje të tillë si “leje të heshtur” për të vazhduar luftën në Ukrainë.

“Nëse të fuqishmit nuk e ndalojnë Putinin, kjo do të thotë se ata ndajnë përgjegjësinë me të. Dhe nëse duan ta ndalojnë, por nuk munden, atëherë Putini nuk do t’i shohë më si të fuqishëm”, shtoi ai.

Emër surprizë! Largim i sigurt nga Çelsi, Brojën e kërkon një ndër klubet më të famshëm në botë

Sëlltik po monitoron situatën e Armando Brojës. Sulmuesi i Kombëtares është rikthyer sërish të jetë në qendër të merkatos së verës, pasi largimi i tij nga Çelsi raportohet i sigurt.

Sëlltik kërkon të përforcohet në sulm dhe 23-vjeçari shfaqet si alternativë. Një ndër klubet më të famshëm në botë është në gjurmët e tij, pas sezonit ku mbizotëruan dëmtimet.

Broja ishte i huazuar tek Evertoni. Kartonin e tij ndërkohë e zotëron Çelsi deri në vitin 2028.

Mbetet për t’u parë nëse do të jetë sërish huazim, apo këtë herë do të aplikohet transferim i përhershëm. Broja ndërkohë është tërësisht i rikuperuar nga dëmtimet.
Emra të tjerë të përmendur më parë për sulmuesin shqiptar janë Milani, Ajaksi, PSV dhe Lajpcig. Kështu janë disa vende ku shfaqet interes për të.

Iu mbajnë të hidratuar gjatë ditëve të nxehta të verës, zbuloni 10 frutat dhe perimet më të pasura me ujë

Me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës, është thelbësore të qëndrojmë të hidratuar për të ruajtur energjinë, freskinë dhe shëndetin në përgjithësi.

Përveç ujit, ka shumë fruta dhe perime që përmbajnë sasi të larta uji dhe lëndë ushqyese, të cilat ndihmojnë trupin të përballojë vapën. Ja 10 prej tyre që duhet t’i keni gjithmonë në frigorifer gjatë verës:

1. Shalqiri

Me mbi 90% ujë, shalqiri është “mbreti” i hidratimit veror. Përveç freskisë, ai është i pasur me antioksidantë si likopeni, që ndihmojnë në mbrojtjen nga dielli.

2. Kastraveci

Kastraveci përmban rreth 96% ujë, duke qenë një nga perimet më hidratuese. Mund të konsumohet në sallata, smoothie ose thjesht si snack.

3. Luleshtrydhet

Të ëmbla dhe të pasura me ujë (rreth 91%), luleshtrydhet janë perfekte për hidratim dhe një burim i mirë i vitaminës C.

4. Domatet

Edhe pse shpesh i konsiderojmë si perime, domatet janë fruta që përmbajnë mbi 94% ujë. Ato janë ideale për sallata të ftohta verore.

5. Pjepri

Një tjetër frut me përmbajtje të lartë uji (rreth 90%). Pjepri është gjithashtu i pasur me kalium, që ndihmon në balancimin e elektroliteve.

6. Selinoja

Me 95% ujë, selinoja është shumë e ulët në kalori dhe ndihmon në hidratim, tretje dhe pastrim të trupit.

7. Portokalli

Përveç vitaminës C, portokalli ka mbi 85% ujë, duke e bërë një frut të shkëlqyer për hidratim gjatë ditëve të nxehta.

8. Rrushi

Rrushi është freskues, i ëmbël dhe i pasur me ujë. Mund të mbahet në frigorifer ose ngrirje për një snack të ftohtë e të shëndetshëm.

9. Ananasi

Përveç përmbajtjes së ujit, ananasi ka enzima që ndihmojnë në tretje dhe është shumë freskues në smoothie apo sallata.

10. Marule jeshile 

Marulja iceberg përmban rreth 95% ujë. Shtojeni në sanduiçë, tortilja apo sallata për një efekt freskues dhe hidratues.

Turizmi rrit çmimet, shqiptarët do të paguajnë edhe më shumë për ushqimet

Turizmi po ushtron presion te çmimet. Rritja e kërkesës nga njëra anë si pasojë e shtimit të të huajave, me prodhimin vendas në vendnumëro nga tjetra po prodhon shtrenjtim veçanërisht të zarzavateve.

“Flasim për zarzavatet që janë të domosdoshme për moshën tonë. Janë shumë-shumë mbi mesataren e viteve të fundit. 2 mijë lekë një kg domate. Ku të shkojë më. Çfarë të them. Të shtrenjta janë të gjitha. Nuk ka ku të shkojë më.”

Shqipërisë i duhen 1.5 miliardë dollarë ushqime këtë vit. Përllogaritjet janë bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar te pritshmëritë për të pasur edhe më shumë turistë milionë turistë. (grafik 1) Po çfarë duhet bërë në këto kushte?

“Së pari prodhimi ynë bujqësor duhet të strukturohet më mirë dhe t’i përshtatet ndryshimeve klimatike. E para duhet të dalim me prodhim shumë më herët dhe e dyta në kulmin e sezonit turistik veror që është në muajt korrik e gusht ne duhet të kemi sa më shumë prodhim vendas”, tha Ilir Pilk.

Turizmi është një shans i mirë për bujqësinë, vlerësojnë njohës të sektorit. Por me zhvillimet aktuale në bujqësi, veçanërisht ato në drejtim të financimit, më shumë se sa prodhimi vendas, të gjitha gjasat sinjalizojnë për zgjerim të importeve.

“Duke parë edhe pjesën e turizmit që po na rritet goxha, do të ishte një gjë e mirë për ne sikur të ktheheshin pak sytë te bujqësia. Do ndihmonte ekonominë, fermerët, pra të gjithë ne. Do plotësonte nevojat edhe për turizmin, por edhe për konsum të brendshëm”, shton Pilku.

Presioni te çmimet e produkteve nga turizmi po vihet re jo vetëm te zarzavatet, por edhe te kategoritë e tjera të konsumit si bulmeti apo mishi. Ai pritet të bëhet edhe më i fortë në vijim. Një vend europian që së shpejti mund të mbingarkohet nga shumë turistë që mbërrijnë në brigjet e tij.

Kështu shkruan e përditshmja britanike ‘Express’ në një shkrim, i cili “ngre edhe alarmin” se vendi mund të “pushtohet” nga 30 milionë turistë të huaj vjetorë brenda 2030-ës./ A2CNN

“Gara” e maturës: Zgjedhje të “lehta”, rezultate të ulëta/ Lëndët me zgjedhje si Gjeografia, Qytetaria dhe Historia “ngelin në klasë”

Rruga nga gjimnazi në universitet kalon përmes provimeve të maturës shtetërore, ku rezultatet në secilën lëndë luajnë një rol vendimtar. Edhe pse lëndët e detyruara janë të rëndësishme, janë pikërisht lëndët me zgjedhje ato që përcaktojnë drejtimin universitar dhe, rrjedhimisht, profesionin e ardhshëm. Duke marrë shkas nga nisja sot e provimit të parë të maturës, gjuhës së huaj, “Scan Intel” ka analizuar rezultatet e lëndëve me zgjedhje për vitin e kaluar, për të kuptuar se si janë paraqitur maturantët në ato disiplina që vetë i kanë zgjedhur.

Sipas të dhënave të “Qendrës së Shërbimeve Arsimore”, ndër lëndët më të preferuara ka qenë Ekonomia me 9,135 maturantë, ndjekur nga Qytetari dhe Psikologji me 7,647 dhe Biologjia me 4,331. Në krahun tjetër, Kimia rezulton me interesin më të ulët, vetëm 161 maturantë.

Këto prirje përkojnë edhe me të dhënat e regjistrimeve në universitete, ku degët e biznesit, administrimit dhe ligjit mbeten ndër më të preferuarat.

Por, ajo që bie në sy është kontrasti midis popullaritetit të një lënde dhe rezultateve të arritura në të: lëndët që zgjidhen nga më shumë maturantë kanë, në përgjithësi, nota më të ulëta. Për shembull, Gjeografia ka një mesatare prej vetëm 5.79, Qytetaria 6.51 dhe Historia 6.69. Ndërkohë, lëndë më pak të përzgjedhura si Kimia apo Fizika, shënojnë mesatare dukshëm më të lartë.

Pse ndodh kjo?

E para mund të shpjegohet me konkurencën më të ulët si pasojë e numrit më të madh të maturantëve që e kanë zgjedhur. Një arsye tjetër lidhet me faktin se shumë maturantë zgjedhin lëndët shoqërore sepse perceptohen si më të “lehta” apo më të sigurta, edhe pse mund të mos kenë përgatitjen e duhur. Ndërkohë, lëndët shkencore apo ekzakte zgjidhen zakonisht nga ata që kanë prirje, motivim dhe përgatitje më të mire, që reflektohet në nota më të larta.

Për vitin 2024, kalueshmëria në lëndët e detyruara ishte mbi 99%, por është pikërisht performanca në lëndët me zgjedhje ajo që bën diferencën midis një vendi në degën e ëndërruar./SCAN