28.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Emigrantët të tregojnë adresat! Ligji që i detyron nëse duan të marrin shërbime nga e-Albania

Shtetasit shqiptarë që jetojnë brenda apo jashtë vendit nuk do të jenë në gjendje të marrin shërbime online nga portali qeveritar e-Albania nëse nuk deklarojnë në mënyrë të saktë vendbanimin e tyre.

Në projektligjin e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Brendshme bëhen një sërë ndryshimesh në procedurat e gjendjes civile. Rishikohet koncepti i vendbanimit dhe vendqëndrimit të shtetasve dhe rivendoset një afat deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit për deklarimin e adresës brenda dhe jashtë vendit.

Nëse shtetasit ndryshojnë vendbanim ata duhet ta deklarojnë atë jo më vonë se 30 ditë pas ndryshimit. Për të reduktuar sa më pak deklarimet e fiktive, ligji parashikon verifikimin e deklarimit të adresës nëpërmjet strukturave përkatëse në pushtetin vendor. Shtetasit mund të deklarojnë më shumë se një vendbanim. Deklarimi i adresës brenda ose jashtë vendit do të ofrohet vetëm nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.

Projektligji gjithashtu kërkon të adresojë fenomenin e martesave fiktive ku shtetas me problematika në vendet e hapësirës Shengen shfrytëzojnë të drejtën e ndryshimit të mbiemrit nëpërmjet lidhjes së martesës, duke shmangur ligjin. Këto martesa nuk konsumohen asnjëherë. Nëpunësit e gjendjes civile tashmë do të kenë kompetencë të verifikojnë në mënyrë administrative këto martesa.

Ligji gjithashtu synon t’i japë të drejta të plota nëpunësve në ambasada dhe konsullata, duke qenë se një pjesë e mirë e shtetasve shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ku ndodhin dhe faktet juridike të lindjes, martesës apo vdekjes.

Projektligji më tej parashikon se do të jetë ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile për të nxjerrë mënyrën e aplikimit, rregullat për ndryshimin e vendbanimit dhe mënyrën e administrimit të dokumentacionit.

20 për qind e të rinjve në Shqipëri me arsim të lartë, më pak se gjysma e normës në BE (42 për qind)

Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë sa i përket normës së popullatës me arsim të lartë. Mesatarisht në vendin tonë rreth 20% e popullsisë mbi 25 vjeç kanë arritur të sigurojnë një diplomë të arsimit të lartë, ndërkohë që pjesa tjetër; 80% janë më arsim elementar ose të mesëm.

Nëse i referohemi shifrave për vendin tonë shohim se 21% e femrave mbi 25 vjeç janë me arsim të lartë përkundrejt meshkujve me një normë prej 18.3%. Sipas INSTAT, përqindja e femrave me arsim të lartë në vitin 2022 ka qenë më e madhe se ajo e meshkujve. Janë 37.1% të femrave në BE të cilat kanë arsim të lartë sipas shifrave për vitin e kaluar të publikuar nga Eurostat, pra rreth 15.7 pikë përqindje më shumë se në Shqipëri. Irlanda, Suedia dhe Lituania janë tre vendet me normën më të lartë të femrave me diplomë në Europë. Përkatësisht normat për këto tre vende janë 57.2%. 56.3% dhe 54.1%.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet e treta nga fundi sa i përket meshkujve të cilët zotërojnë një diplomë të arsimit të lartë. Me një normë në 18.3% Shqipëria ka lënë pas rajone të Rumanisë dhe disa rajone rurale të Italisë me 17.8% dhe 17.1% të meshkujve mbi 25 vjeç me arsim të lartë. Udhëheqin renditjen me përqindjen më të madhe Luksemburgu dhe Irlanda me 51% dhe 49.6%.

Sakaq, sipas shifrave të ‘Institutit të Statistikave’ 41.9% e meshkujve në vendin tonë kanë arsim fillor, ndërsa 39.9% kanë arsim të mesëm. Sa i përket femrave, janë 51.4% me arsim fillor dhe 27.3% me arsim të mesëm. Mesatarisht në Shqipëri rreth 20% e popullsisë mbi 25 vjeç kanë arsim të lartë, ndërkohë që 80% janë më arsim fillor ose të mesëm.

Eurostat në publikimin më të fundit, nuk ka publikuar të dhëna për rajonin tonë. Për Shqipërinë situata mund të jetë përkeqësuar për arsyen se shifrat zyrtare tregojnë se në vitin akademik 2023-2024 u regjistruan në auditore 500 studentë më pak, rënie që ka vijuar sistematikisht gjatë viteve të fundit për shkak të emigracionit dhe rënies së lindshmërisë. Ndërkohë BE ka si objektiv që numri i të diplomuarve të shkojë në 45 për qind, ndërsa Shqipëria si aspirante për në BE në vend që të hartojë politika e të ndërtojë strategji që i afrohen standarteve europiane, duket se bën të kundërtën.

Numri i të diplomuarve, mesatarja e BE-së

Në vitin 2022, më shumë se dy të pestat (42.0%) e popullsisë së BE-së të moshës 25-34 vjeç kishin një diplomë të arsimit të lartë (një pjesë brenda kësaj grupmoshe mund të jenë ende duke studiuar).

Nga 240 rajone, për të cilat Eurostat ka të dhëna të disponueshme (nuk ka siguruar të dhëna për Mayotte në Francë ose Åland në Finlandë), kishte 72 rajone (ekuivalente me 30% të të gjitha rajoneve të BE-së) ku kjo përqindje kishte arritur ose tejkaluar objektivin e politikës së BE-së, për këtë zonë: 45.0%. Rajonet që kanë arritur tashmë këtë objektiv janë të hijezuara në jeshile-blu në hartë.

Rajonet më të arsimuara dhe më pak të arsimuarit në BE

Në krye të listës ishte rajoni i kryeqytetit të Lituanisë me 73.6%, i ndjekur nga 11 rajonet e tjera ku të paktën 60.0% e të rinjve kishin një diplomë të arsimit të lartë. Të tjerat përfshinin rajonet e kryeqytetit të Francës, Irlandës, Holandës, Polonisë, Hungarisë, Suedisë, Luksemburgut dhe Danimarkës. Shumë prej këtyre rajoneve tërheqin njerëz me kualifikim të lartë, ndoshta për shkak të mundësive të ndryshme arsimore, punësimi dhe sociale ose të stilit të jetesës që ato ofrojnë.

Përqindje relativisht të larta të arritjeve të arsimit të lartë u regjistruan gjithashtu në dy rajone të specializuara në aktivitetet kërkimore dhe inovative dhe/ose në prodhimtarinë e teknologjisë së lartë: Utrecht në Holandë dhe País Vasco në Spanjën veriore; Irlanda Veriore dhe Perëndimore ishte i vetmi rajon tjetër në BE që regjistroi një përqindje mbi 60.0%.

Në anën tjetër, kishte 17 rajone të BE-së, ku më pak se një e katërta e të gjithë njerëzve të moshës 25-34 vjeç kishin një diplomë të arsimit të lartë, në vitin 2022: 7 nga 8 rajonet në Rumani (përjashtim bën rajoni i kryeqytetit të Bucureşti-Ilfov), 3 rajone në Hungari, 2 rajone në Bullgari, një rajon i vetëm në Çeki, 3 rajone në jug të Italisë dhe rajoni i Guyanes (Francë). Disa nga këto rajone u karakterizuan si rajone rurale/të izoluara me një nivel të ulët të mundësive të punësimit për individë me aftësi të larta..

Nivelet më të ulëta rajonale të arritjeve të arsimit të lartë u regjistruan në rajonet rumune të Sud-Muntenia (16.0%) dhe Sud-Est (17.0%), rajoni çek i Severozápad (18.0 %) dhe rajoni hungarez i Észak-Magyarország (18.2 %).

/Përgatiti: a.m/ Liberale.al/

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, merr pjesë në ceremoninë e nderimit të kardinalit Mikel Koliqi dhe Hafiz Sabri Koçit

Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë në Shkodër në ceremoninë e nderimit me titullin ‘Lisi i Artë’, dy personalitet të shquara që edhe në ditët më të errëta, ndriçuan mendjet dhe zemrat e shqiptarëve përmes besim në Zot, kardinalit Mikel Koliqi dhe Haxhi Hafiz Sabri Koçi

Levizja Studentore Shqiptare Dhjetore -90 Shkurt -91 ndau titujt me  motivacionin “ Për kontribut të lartë në shërbim të kombit, Lirisë dhe Demokracisë”

Në fjalën e tij kryetari i PD vlerësoi se rijapja e objekteve të kultit i dha jetë rizgjimit shpirtëror dhe politik të vendit, pas një errësire nën diktaturën më të egër komuniste në kontinent.

“Rihapja e objekteve të kultit pas ndalimit të lirisë së besimit përbën një nga momentet kulmore të kujtesës tonë kolektive, që duhet trashëguar brez pas brezi, për të mos lejuar qe harresa të davarisë dhimbjet e shënuara në trupin e shoqërisë tonë nga regjimi gjakatar. Por gjithashtu, për të mos harruar se përtej kalvarit të gjatë të vuajtjeve, vrasjeve, hetimeve, shkatërrimeve, shpresa dhe dashuria për Zotin ngadhënjyhen përkundër një përbindëshi që ishte në çastet e tij të fundit, por sigurisht ende i rrezikshëm.”- theksoi Basha

Basha vlerësoi Shkodrën si qyteti i qëndresës fisnike që i priu  guximshëm çeljes së objekteve të kultit, duke sfiduar hapur diktaturën ndërsa solli në vemendje dhe meshën e parë të mbajtur nga Dom Simon Jubani

“Dyert e shtëpis së Zotit u hapën sërish pas 23 vitesh. Shpresa oshëtiru anembën vendi. Ashtu siç oshëtinë nga emocionet dhe lutjet e njerëzve kisha te varrezat e Rrmajit, ku më 11 nëntor 1990, u mbajt mesha e parë solemne, e ndjkur nga më shumë se 40 mijë besimtarë, e drejtuar nga kleriku Dom Simon Jubani, i cili gjysmën e jetës së tij e kaloi në galerat e komunizmit, por jetoi që të shihte dhe udhëhiqte atë grigjë largë errësirës antinjerëzore.”- theksoi kryetari i PD ndërsa u ndal edhe tek falja e namazit në Xhaminë e Plumbit

“Ajo javë e madhe do të mbyllej më 16 nëntor,  te Xhamia e Plumbit ku u mbajt falja e namazit për të gjithë shkodranët, që pa dallim fejemorën guximin ta ndiqnin këtë ceremoni. Mbi 55 mijë njerëz, ndoqën klerikun e nderuar mysliman Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i burgosur për shumë vjet nga regjimi komunist, i cili këndoi Ezanin pas 23 vitesh heshtje. Ngjarje madhështore, që do të jehojnë gjatë në histori edhe për një koponent të rëndësishëm që i bën ato pa kohë, të vlefshme për të mësuar prej tyre sa herë që humbasim besimin, orientimin dhe shpresën.” tha në fjalen e tij Lulzim Basha.

Kryetari i PD u ndal në fjalën e tij edhe tek bashkëjetesa fetare, një model kulturor në gjithë Shqipërinë.

“Pavarsisht besimeve dhe prejardhjes, pavarsisht rreziqeve dhe frikës, ata njerëz u bashkuan për t’i dhënë fund një diktature, që pak muaj më vonë, edhe për meritë të tyre, do t’i linte vend zhvillimeve demokratike.  Sot, ky është një mësim i vlefshëm për këdo që kërkon ripërtëritjen e vlerave që me shumë mund dhe sakrifica u fituan 33 vite më parë.Ndaj dhe përgjigjja e vetme kalon përmes besimit, bashkimit dhe vlerave. Sot, 33 vite më parë, e përgjithmonë.” -përfundoi mesazhin e tij kryetari i PD, Lulzim Basha.

Deputetët e opozitës morën pjesë në komisionet online, ironizon nënkryetari i PD: Natën përfitojnë grante nga Rama dhe ditën përmbysi karrige me mesazh të Berishës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka reaguar pas pjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në mbledhjen online të komisioneve sot.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Çollaku ironizon pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës, teksa shprehet se hetimi i fondeve qeveritare të AZHBR dhe publikimi i afërt i listës së përfituesve, mesa duket ia ka këputur gjunjët ndonjë Aksionisti të opozitës.

Më tej shton se nuk bëhet dot opozitë kur natën përfiton grante nga qeveria me SMS të kryeministrit Edi Rama dhe ditën përmbys karrige me SMS të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Reagimi i plotë:

Sot në mbledhjen e Byrosë Parlamentare.

Revolucion Parlamentar i çuditshëm, as lajmëruan kur e filluan, as lajmërojnë që e lanë mes rruge.

Hetimi i fondeve qeveritare të AZHBR dhe publikimi i afërt i listës së përfituesve, mesa duket ia ka këputur gjunjët ndonjë Aksionisti të opozitës.

Se opozitë nuk bën dot, kur natën perfiton grante nga qeveria me sms të Edi Ramës e ditën përmbys karrige me sms  të Doktorit.

Virozat “mposhtin” Covid: Simptomat janë të njëjta, duhet testim për t’i dalluar

Në këtë sezon duket se virozat stinore predominojnë kundrejt virusit të Covid-19, i cili vijon të qarkulojë në vendin tonë por në shifra më të ulta krahasuar me dy muaj më parë ku u duk se pati një valë të re.

Mjekët e familjes, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët, për të dy rastet thonë se ka fluks pacientësh që janë prekur nga infeksione respiratorë për shkak të virozave.

“Në muajin shtator kishim gati 60 raste në ditë të prekur nga Covid-i, ndërsa tani kjo shifër është reduktuar, por predominojnë virozat me kollë, me dhimbje koke dhe temperaturë“- tha Dr. Violeta Kacori, mjeke familjeje qendrën shëndetësore nr. 8.

Ndonëse kanë pothuajse simptoma të njëjta, Covid-i nga virozat dallohet vetëm nëpërmjet testimit. Por ajo që është karakteristike thonë mjekët është se tempertura në rastet e Covid-it ka qenë më rezistente.

“Në rastin e virozave ka pasur një temperaturë 39 deri në 38.5, por është dominuar nga antipiretikët dhe ka zgjatur 3 ditë. Ndërsa me Covid-in temperatura ka qenë 37.5 por rezistente”– tha mjekja Violeta Kacori.

Në këtë situatë epidemiologjike të sëmurët kornik kanë rendur të vaksinohen pasi mjekja thotë se i ndihmon ata që t’i kalojnë lehtë të dy sëmundjet infektive.

“Ka pasur interesim dhe janë vaksinuar një numër i konsiderueshëm, pasi në fakt u pa një vit më parë që kush ishte i vaksinuar e kaloi më lehtë si gripin edhe Covid-in”, u shpreh ndër të tjera Kacori.

Asani: Fanella kuqezi është më e bukura, në Moldavi kemi ardhur për fitore

Jasir Asani është padyshim njëri prej protagonistëve kuqezi në këtë rrugëtim fantastik të eliminatoreve të Europianit, që mund të kurorëzohet në ‘Zimbru Stadium’ me një biletë për në Gjermani 2024.

Sulmuesi anësor që ka shënuar tre gola, njëri më i bukur se tjetri, rrëfeu emocionet që i jep fanella kuqezi dhe premtoi maksimumin për një tjetër sukses ndaj Moldavisë, për të siguruar zyrtarisht kualifikimin në Europian.

Komplimente për të që keni bërë deri tani she shpresojmë të jetë dita juaj edhe nesër?
Faleminderit shumë. Jemi të fokusuar te ndeshja nesër, pasi do të jetë shumë e vështirë. Kemi ende punë dhe ndeshja nesër do të jetë shumë e rëndësishme për ne. Do të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren.

Të gjithë janë marrosur pas të majtën tënde dhe pse jo, të shënosh sërish nesër për të vulosur kualifikimin…
Jemi përgatitur shumë mirë gjithë javën me stafin dhe ekipin, pasi duam të bëjmë më të mirën. Nuk ka rëndësi kush shënon. Rëndësi ka të japim të gjithë maksimumin, të shënojmë , të marrim te pikët dhe të kthehemi të festojmë në Tiranë.

A keni presion për të mbyllur çështjen e kualifikimit që nesër?
Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe sidomos nesër do të jetë sfidë shumë e fortë, pasi Moldavia nuk ka asnjë humbje në shtëpi. Unë mendoj se do të marrim tre pikët nesër, pasi nuk kemi ardhur për barazim dhe jemi gati të gjithë të japim maksimumin.

Çfarë mendimi keni për këtë stadium?
Kam luajtur në stadiume si ky. Fusha duket shumë e mirë dhe mund të bëjmë lojën tonë. Nuk do të jetë e lehtë, pasi edhe Moldavia është ekip i mirë, por ne kemi ardhur për tre pikët dhe duam të kualifikohemi që nesër.

Ndoshta këtu mund ta shënosh golin edhe nga më larg…
Ndoshta… Nuk ka rëndësi kush e shënon golin, pasi do të jem i lumtur nëse marrim tre pikët.

A e kishit menduar ndonjëherë që në një kohë kaq të shkurtër do  të ishit gati për të marrë pjesë në një kampionat Europian?
Nuk e kam menduar të them të drejtën, por gjithmonë e kam pritur ftesën, por ndonjëherë vjen kur nuk e pret. Kur u transferova në Hungari, bëra shumë mirë dhe e prisja një ftesë. Erdhi më në fund dhe jam shumë i lumtur, pasi kjo është fanella më e rëndësishme që kam veshur. Më e veçanta. Kam emocione në stërvitje, por edhe në ndeshje. Jam shumë i lumtur, ndaj do të bëjmë maksimumin për të fituar nesër dhe për të marrë fitoren.

Deputetët e Berishës tradhëtojnë Revolucionin/ I quajtën të paligjshme, por marrin pjesë në komisionet online për të marrë dietat

Ndërsa prej disa javësh deputetët e opozitës kanë protestuar duke mos lejuar zhvillimin normal të seancave në Parlament dhe në mbledhjet e Komisioneve, disa prej këtyre duket se janë tërhequr nga ky vendim për të marrë dietat.

Ditën e sotme deputeti i PD Edmond Spaho ka marrë pjesë në Komisionin e Ekonomisë, mbajtur online.

Po ashtu, deputetë të tjerë të opozitës që kanë marrë pjesë në disa Komisione online, që më herët i kanë cilësuar antikushtetutes dhe të paligjshme, janë Bujar Leskaj, Lindita Metaliaj, Isuf Çela dhe Ina Zhupa.

Basha depoziton në Kuvend projektligjin për Vetingun e politikanëve

Kreu i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend projektin e tij të hershëm për vetingun e politikanëve, që synon kontrollin pasuror dhe lidhjet me krimin të politikanëve përmes transformimit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha depozitoi në Kuvend projektligjin për disa shtesa në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, për t’i dhënë kompetencat e “vetingut” të politikanëve lnspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të lnteresit, ILDKPKI.

Projektligji i publikuar në faqen e Kuvendit propozon një transformim të ILDKPKI-së nga një organ me drejtim individual në një organ me drejtim kolegjial, me emërtimin “Autoriteti për Luftën Kundër Korrupsionit”, dhe një organizim dhe funksionim të ngjashëm me organet e vetingut në drejtësi.

Kontrolli i pasurisë dhe kontrolli i figurës së politikanëve, sipas këtij propozimi do të kryhet nëpërmjet hetimit pasuror dhe hetimit për lidhjet me krimin të politikanëve dhe funksionarë të tjerë shtetëror, apo kandidatëve për deputetë apo kryebashkiakë.

Përveç deklarimit të pasurisë, subjektet e këtij ligji do të kenë detyrim për deklarimin e kontakteve të papërshtatshme.

“Ky detyrim nuk është shtrirë në të gjithë personat për të cilët ligji parashikon detyrimin për deklarimin e pasurisë dhe të interesave private, por është kufizuar në personat që janë deputetë, kandidatë për deputetë, ata që mbajnë funksionet të larta shtetërore si dhe për kryetarët e bashkive dhe kandidatët për kryetar bashkish,” thuhet në relacionin shoqërues.

Sipas nismës, nëse një zyrtar i kësaj kategorie apo një kandidat në zgjedhje nuk do të kalojë vetigun parashikohet ndërprerja dhe kufizimi i të drejtës për t’u zgjedhur, si dhe përfundimin i funksionit politik apo shtetëror që ka.

Nismëtari e cilëson këtë projektligj si hap plotesues i ligjit në fuqi “Për garantimin e integritetit te personave qe zgjidhen, emerohen apo ushtrojne funksione publike”, ose siç njihet ndryshe si procesi i dekriminalizimit.

Për të verifikuar rrethana që lidhen me figurën, autoriteti i vetingut ka të kompetenca për të kërkuar raportim nga gjykata, prokuroria, Byroja Kombëtare e Hetimit, Policia e Shtetit, Shërbimet shtetërore Informative dhe çdo organ tjetër që ka në kompetencë administrimin e të dhënave të nevojshme, si dhe të marrë informacion nga shtete të tjera.

Kontrollin e integritetit për persona që janë subjekt i ligjit, sipas propozimit, mund ta kërkojnë një grup prej 7 deputetësh, kryetari i Kuvendit, kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i SPAK, si dhe nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote. Por, çdo kërkesë për kontroll duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike dhe nismëtari gjobitet me 100 000 lekë nëse kontrolli nxjerr që të dhënat kanë qenë të pavërteta.

Ndërkohë, të drejtën për të bërë kërkesën për kontroll paraprak të kandidaturave në zgjedhje apo organe kushtetuese e ka edhe një parti politike për kandidatë të mundshëm të saj.

Sipas propozuesit, “ky projektligji i hap rrugën procesit të pastrimit të politikës nga krimi dhe korrupsioni dhe ndërtimit të një shteti demokratik”.

Basha dhe Partia Demokratike zyrtare drejton aktualisht një grup të vogël deputetësh pas përçarjes së grupit parlamentar të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021. Që propozimi i tij të arrijë të miratohet duhet të ketë mbështetjen e mazhorancës socialiste në Kuvend.
/BIRN

Berisha-Rama në aktin e fundit, lojës i ka dalë boja!

Nga Bato Kosova

Sali Berisha e tha prerë se nuk do të ketë protestë për një marrëveshje, (Rama-Meloni), të kundërshtuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, por dhe çdo organizatë për të drejtat e njeriut.

Një marrëveshje që për një vend emigrator si i yni, duhet kundërshtuar për të mos u shndërruar në precedent për t’i dërguar shqiptarët në vëndet e treta, një përpjekje që fatmirësisht dështoj në Britani.

Në një luftë të gjithanshme të Sali Berishës me SHBA, me Britanin e Madhe, me Gjermaninë, me BE dhe vendet anëtare që me gjithë milionat e eurove të hedhura nuk po ia del të këpusë zinxhirët e izolimit, së fundmi në betejën e tij më të vështirë dhe të fundit me SPAK, ai ka vetëm një aleat dhe ky është Edi Rama.

Por sot Edi Rama ka të njëjtin hall dhe se ndihmon dot. Ata thjesht zgjasin agonin e njëri tjetrit dhe luajnë “pozitash e opozitash”.

Sali Berisha nisi një betejë në parlament menjëherë pasi i arrestuan dhëndrin dhe e proceduan atë vetë.

Çfarë prodhoj kjo betejë?! Shfaqje tragji-komedi, shenjë dëshpërimi të thelle. I gjithë Rithemelimi në luftë me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme.

Selia e PD e zaptuar nga Berisha është kthyer në arenën e luftës me SPAK. Të gjithë në rradhë për të mbrojtur Berishën, dhëndrin dhe fëmijët e tij.

Nën tymin e parlamentit shihet vetë lufta me SPAK, sepse parlamenti i Ramës vazhdon normalisht.

Dhe ajo që është me skandaloze, është legjitimiteti që deputetët e Rithemelimit po i japin Kuvendit, po u bashkohen de fakto mbledhjeve online të deputëve të “regjimit” në Komisione. Njëkohësisht seancat plenare i kanë dhënë komoditet Ramës.

Askush nuk kërkon llogari, askush nuk e kupton çfarë po voton Edi Rama. Kështu po ndodh, dhe me buxhetin. Po e miraton në heshtje të plot dhe sipas orekseve të tij.

Kështu po ndodh me Integrimin, “aksionerët” e Berishës, po i japin justifikimin e madh Ramës, për zvarritjen e procesit nga BE, e cila në fakt e ka bllokuar vetëm për shkak të qeverisjes së tij të korruptuar.

E njëjta gjë po ndodh edhe me çështjen e emigrantëve afrikanë, që do sjell Italia këtu.

Berisha po e mbështet këtë marrëveshje, duke e kaluar në heshtje dhe duke i mundësuar Ramës që të mos japë llogari dhe shpjegime.

Pra po duket qartë nga koordinimi, se ky ka qenë një plan i mirpërgaditur, mes Ramës dhe Berishës.

Këtë e faktoj vetë kreu i Rithemelimit kur tregoj, se kishte zhvilluar një bisedë me zëvendësin e Melonit, pikërisht për këtë çështje.

Pra Berisha pranoj se ai e dinte për marrëveshjen sekrete Rama- Meloni, kur askush nuk e kishte idenë.

Rama- Berisha duket se kanë bërë një marrëveshje, “win-win”. Rama kalon buxhetin dhe marrëveshjen me Italin i pashqetësuar, Berisha i bën presion SPAK-ut duke kërcënuar me destabilizim.

Berisha tregoj edhe njëherë me qëndrimin antikushtetues për emigrantët, se ai ka hallin e tij dhe për hallin e tij është gati të bëjë gjithçka.

Rama ja shpërblen duke i hedhur topin me deklarata, “SPAK e kam krijuar unë”, Berisha luan lojën sikur nuk po akuzohet për ato që ka bërë, por po luftohet nga Rama “që ka nën kontroll SPAK”.

Ju duket vetja “lojtarë” por në fakt që të dy po përpëliten dhe po e shtyjnë agoninë, deri ditën kur prokurorët dhe gjyqtarët tu kërkojnë gjeneralitetet dhe tu komunikjonë akuzat që në fakt i kanë si dy pika uji!/Alfapress.al

Lulzim Basha në promovimin e librit të gazetarit Namir Lapardhaja: Nuk ka shoqëri të drejtë pa vlerësimin e librit dhe kulturës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte i pranishëm këtë të enjte në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ku u promovua libri më i ri i gazetarit dhe kritikut letrar, Namir Lapardhaja.

Në praninë e shkrimtarit Preç Zogaj, presidentit të UET, Selami Xhepa dhe përgjegjësit të Departamentit të Arteve të Aplikuara në këtë universitet, Ermir Nika, Lapardhaja solli në këtë prag panairi librin “Një urë fjalësh mes nesh e tjetrit”, botim i UET Press, i cili u vlerësua për publicistikën e sjellë, si një kontribut i vyer për shoqërinë shqiptare.

Basha shkruan se, përveç kënaqësisë për librin, ndau me të pranishmit, pedagogë e studentë të UET, angazhimin “për përkrahje të kulturës në çdo kuptim, për nevojën e respektit dhe ndihmës për njerëzit që merren me letërsi, kulturë e art”.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të isha në promovimin e librit “NJË URË FJALËSH MES NESH E TJETRIT” të shkrimtarit dhe kritikut letrar Namir Lapardhaja. Namiri është një shkrimtar dhe publicist mjaft elegant. Kontributi i tij është i njohur prej gjithkujt. U ndjeva mirë të dëgjoj fjalët e vyera për librin e Namirit, por edhe për botimet dhe gjendjen e kulturës shqiptare sot nga Preç Zogaj dhe nga studiuesi Ermir Nika. Ndava me ta veç ndjenjës së fortë të kënaqësisë për librin e Namirit dhe diskutimeve për librin edhe angazhimin tonë për përkrahje të kulturës në çdo kuptim, për nevojën e respektit dhe ndihmës për njerëzit që merren me letërsi, kulturë e art. Një shoqëri, një vend nuk mund të jetë kurrë mirë, nuk mund të ndërtojë një shoqëri të drejtë dhe në paqe pa vlerësim të lartë për librin dhe kulturën”, – shkruan Basha në Facebook.