26.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Droga ‘lum’ nga Shqipëria dhe Holanda, super-operacion në Itali. 65 të arrestuar, shqiptarë dhe italianë

Bilanci i operacionit antidrogë nisi mëngjesin e sotëm i udhëhoqur nga Prokuroria e Venecias në ekzekutimin e dy urdhrave dhe të përfshirë në operacion mbi 100 policë.

Për të gjithë të dyshuarit, të cilët siç sqarojnë hetuesit janë “65, kryesisht shqiptarë dhe italianë”, akuza është për “organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Një prej arresteve shtëpiake është kryer në Gjermani “nëpërmjet lëshimit të një urdhër-arresti europian”, ndërsa tre të dyshuar, të cilët në momentin e ekzekutimit ndodheshin në territorin shqiptar, janë arrestuar nga policia e vendit tonë.

Për më tepër, “kërkime të shumta janë duke u zhvilluar në provincat e Treviso, Venecia, Monza Brianza dhe Ravenna”. Gjatë hetimeve, më pas detajon Fiamme Gialle, “u mor konfirmimi i asaj që doli nga përgjimet, që çuan në arrestimin e 17 korrierëve në provincat e Ankonës, Arezzo, Bari, Bergamo, Bolonja, Modena, Novara, Ravenna, Udine. , Venecia dhe Verona dhe sekuestrimi i mbi 420 kilogramëve kokainë, heroinë, hashash dhe marihuanë, me një vlerë të përllogaritur të shitjes me pakicë mbi 34 milionë euro”. Droga, sipas asaj që u rikonstruktua nga hetuesit, “vinte nga Holanda, përmes Gjermanisë dhe nga Shqipëria”, për t’u shitur në Itali.

Sërish sipas hipotezës akuzuese, promotori i shoqatës kriminale do të ishte një shqiptar banues në Ponte di Piave, në provincën e Trevisos. Masat paraprake janë rezultat i një hetimi të nisur në vitin 2020.

Origjina e hetimeve, sqaron policia, është “arrestimi i një shqiptari dhe një gruaje italiane, të ndaluar në Padova në janar 2020 dhe sekuestrimi i dy kilogramëve heroinë të gjetur në makinën e tyre”.

Kontrollet e mëvonshme – të zhvilluara në bazë të analizës së të dhënave telefonike të “personave të dyshuar si të afërt me dy të arrestuarit” dhe të “shërbimeve të shumta të vëzhgimit dhe hijezimit” – bënë të mundur “rindërtimin e zinxhirit të trafikut të drogës, duke konstatuar origjinën nga subjektet shqiptare të vendosur në Veneto, që furnizoheshin me sasi të mëdha nga Shqipëria dhe Holanda”.

Përveç kësaj, “janë identifikuar korrierë të shumtë, të cilët mbanin para dhe drogë në automjetet e tyre, duke lëvizur midis Italisë, Shqipërisë dhe Gjermanisë, dhe dy baza logjistike në komunat veneciane të Eraclea dhe Musile di Piave, të përdorura për ruajtjen e droga.” E njëjta organizatë përdori edhe “telefonat celularë të koduar me origjinë shqiptare, të pajisur me sistemin e mesazheve të çastit Matrix dhe që përdoreshin për kujdesin për logjistikën dhe lëvizjen e drogës”.

Falë këtyre kontrolleve, “u identifikuan pasuritë që i atribuohen të dyshuarve kryesorë, për një vlerë të përafërt prej një milion eurosh, përfshirë një kompani zvicerane të prodhimit dhe kultivimit të kërpit, e regjistruar zyrtarisht në emër të gruas së kreut të organizatës”, si dhe “shtatë prona dhe disa makina me vlerë, të cilat iu nënshtruan sekuestrimit parandalues”.

SHIFRA E DITËS: SHBA shpenzojnë më shumë për mbrojtjen sesa 10 vendet e tjera (me shpenzimet më të mëdha pas saj)

Shqiptarët mund të konsiderohen me fat që kanë aleat strategjik një superfuqi ushtarake si SHBA. Se cila është fuqia ushtarake e SHBA-së në praktikë, provën e dhanë bombardimet e vitit 1999 mbi ish-Jugosllavi, ku nuk zbriti asnjë ushtar në terren dhe brenda një muaji regjimi i Milosheviçit kapitulloi pa kushte.

Shpenzimet për mbrojtjen nga Shtetet e Bashkuara përbënin gati 40 për qind të shpenzimeve ushtarake krahasuar me të gjitha vendet e tjera në mbarë botën, në vitin 2022, sipas shifrave të publikuara së fundmi nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Shpenzimet e mbrojtjes amerikane u rritën me 71 miliardë dollarë nga viti 2021 deri në vitin 2022. Një pjesë e shpenzimeve u rritën për shkak të një ndihme ushtarake të dërguar për të mbështetur Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për mbrojtjen sesa 10 vendet e tjera të mëdha të marra së bashku, të cilat kanë edhe buxhetin më të madh në shpenzimet ushtarake.

Studimi i SIPRI për shpenzimet e mbrojtjes është më i gjerë se përkufizimet që përdoren shpesh në diskutimet e politikave fiskale në Shtetet e Bashkuara dhe sipas llogaritjeve të tyre, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 877 miliardë dollarë për mbrojtjen kombëtare në vitin 2022.

Mes shpenzimeve përfshihen shpenzime diskrecionale dhe të detyrueshme nga Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Shtetit dhe Programi Kombëtar i Inteligjencës. Funksioni i buxhetit të mbrojtjes kombëtare (766 miliardë dollarë në 2022) përjashton shpenzimet nga Departamenti i Shtetit dhe programe të caktuara të Departamentit të Energjisë. Krahasimi ofron njohuri të dobishme mbi shkallën e madhe të shpenzimeve të mbrojtjes së SHBA-së në krahasim me kombet e tjera.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për mbrojtjen se çdo vend tjetër, Zyra e Buxhetit të Kongresit parashikon që shpenzimet e mbrojtjes si pjesë e produktit të brendshëm bruto (PBB) do të ulen gjatë 10 viteve të ardhshme – nga 3.1 përqind e PBB-së në 2023 në 2.8 përqind në 2033. Kjo është dukshëm më e ulët se shpenzimet mesatare 50-vjeçare për mbrojtjen prej 4.3 për qind të PBB-së.

Shpenzimet e mbrojtjes së SHBA-së përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit federal dhe Shtetet e Bashkuara shpenzojnë shumë më tepër se vendet e tjera. Në përcaktimin e nivelit të duhur të shpenzimeve të tilla në të ardhmen, do të jetë e rëndësishme të vlerësohet nëse ato po përdoren në mënyrë efektive apo edhe përshtatja me prioritetet e tjera kombëtare.

Zbardhet raporti i BE: Rrjetet shqiptare aktive në “shtëpitë e barit” në disa vende evropiane. Ballkani furnizuesi kryesor

Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se kanë përshtatur një model të ri biznesi që fokusohet kryesisht në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura në Bashkimin Europian. Kështu thuhet në një raport të publikuar nga Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDA) dhe Europol.

Sipas raportit “Tregu i drogës në BE, kanabisi”, bazuar në të dhënat nga disa hetime të përbashkëta ndërkombëtare rrjetet shqiptare dhe serbe, në veçanti, duket se janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit në shkallë të gjerë në Bashkimin Europian, veçanërisht në Spanjë.

Në raport përmenden disa raste të goditjes së rrjeteve kriminale, përshirë ato shqiptare në kultivimin e kanabisit në mjedise të mbyllura.

“Në korrik të vitit 2021, një rrjet kriminal i udhëhequr nga një klan shqiptar u çmontua në veri-lindje të Spanjës, ku menaxhonte disa plantacione të brendshme kanabis ku u arrestuan 107 persona, përfshirë shtetas shqiptarë, spanjollë, sllovakë dhe grekë, u çmontuan 51 ferma kanabisi dhe u sekuestruan 25 000 bimë kanabisi. Në përfundim të operacionit nga Europol u vlerësua se ishte vjedhur më shumë se 1.6 milionë euro energji elektrike për kultivimin e kanabisit”, thuhet në raport.

Sipas Raportit të Europol dhe Qendrës së Monitorimit për Drogën, Spanja nuk është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europain ku rrjetet e Ballkanit Perëndimor angazhohen në kultivimin e kanabisit. “Për shembull, thuhet në raport, 60 anëtarë të një rrjeti kriminal shqiptar u arrestuan në prill 2019 për menaxhimin e të paktën një duzinë plantacionesh kanabisi në Belgjikë dhe në veri të Francës”.

Gjithashtu raporti thotë se “rrjetet belge, holandeze dhe shqiptare duket se janë aktorët kryesorë në kultivimin e kanabisit në Belgjikë”. “Disa faktorë mendohet se kanë kontribuar në këtë, si afërsia me tregjet e konsumit, si dhe rreziqet dhe kostot që lidhen me trafikimin e kanabisit në Bashkimin Europain nga Ballkani Perëndimor”, vlerëson raporti.

“Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor duket se janë të përfshirë jo vetëm në në kultivimin e kanabisit brenda Bashkimit Europain, por edhe në trafikimin e kanabisit që kultivohet në vendet e Ballkanit perëndimor, madje disa nga këto rrjete mund të përfshihen edhe në trafikun me shumicë të kokainës në Evropë”, thotë raporti.

“Megjithëse shumica e kanabisit bimor të konsumuar në BE ka të ngjarë të jetë prodhuar në BE, rajoni i Ballkanit Perëndimor duket se mbetet një burim i rëndësishëm i kanabisit bimor të trafikuar në tregun evropian”, thuhet me tej. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu furnizues të rëndësishëm të kanabisit për vendet e tjera të rajonit dhe Turqisë.

Sipas paportit të EMCDA dhe Europol “Shqipëria konsiderohej si një burim i madh jashtë BE-së i kanabisit bimor të destinuar për tregun evropian përpara vitit 2018, por që atëherë vendet fqinje si Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut raportojnë reduktime të konsiderueshme në sekuestrimin kanabis me origjinë shqiptare”.

“Megjithëse informacioni i disponueshëm sugjeron një rritje të prodhimit në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deri më sot nuk është vërejtur ndonjë intensifikimi i trafikut ndërkufitar të kanabisit”, thuhet në raport. Kanabisi bimor i trafikuar nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Europian duket se transportohet kryesisht nga toka.

Sipas raportit “përafërsisht 48% e kanabisit bimor të kapur në Greqi në vitin 2020 mendohej të ishte me origjinë shqiptare, një rënie në raport me shifrat e viteve të mëparshme (62% në 2018 dhe 71% në 2017)”. Trafikimi i kanabisit bimor drejt Italisë gjithashtu duket se ka rënë në vitet e fundit, siç tregohet nga të dhënat e sekuestrimeve dhe nga numri I ksafeve skafeve që kalojnë detin Adriatik, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas raportit, “rrugët detare vazhdojnë të përdoren, si rasti i sekuestrimit të fundit të 1 ton kanabis bimor nga një varkë me vela dhe skafe në brigjet e Vlorës, Shqipëri, në gusht të vitti 2022, që dyshohej se synohej për shitje në Itali.” Raporti i antidrogës europiane vlerëson se lloje të shumta të produkteve të kanabisit gjithashtu mund të trafikohen nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Raporti përmend një rast në shkurt 2020 ku autoritetet italiane sekuestruan 450 kilogramë kanabis bimor, 75 kilogramë rrëshirë kanabisi dhe 3.5 litra vaj kanabisi në të njëjtën ngarkesë nga Shqipëria. Në një rast tjetër të përmendur në raport , në prill 2020, forcat e rendit italian arrestuan dy shtetas italianë për kontrabandë te rreth 646 kilogramë kanabis bimor dhe 250 kilogramë rrëshirë kanabisi nga Shqipëria. Në një numër të kufizuar rastesh, trafikimi i kanabisit nga Ballkani Perëndimor duket se është kryer nëpërmjet avionëve të vegjël dhe mjeteve ajrore pa pilot, thuhet në raport. /VOA

Gjykata e Lartë refuzon rekursin e Vangjush Dakos për masën e arrestit

Gjykata e Lartë lë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Dako u arrestua arrestuar pasditen e 6 qershorit të këtij viti me urdhër të SPAK së bashku me 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit si dhe 1 ndërtues.

Ndaj Vangjush Dakos, 4 ish-zyrtarëve të Drejtorisë së urbanistikës së Bashkisë së Durrësit, dhe ish-Drejtorin Adhurim Qehajaj, pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Farruku, u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për tre nëpunëse gra u vendos masa e ‘arrest shtëpie’.

Prej asaj kohe, Dako ndodhet prapa hekurave dhe ka bërë disa herë kërkesë në gjykatë për ndryshim të masës së sigurisë, përfshirë edhe Apelin dhe së fundmi edhe Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm që prapa hekurave ish-kryebashkiakun.

Gjykata e Posaçme ka 2 javë që e kërkon, Berisha i bën gjyq Edi Ramës dhe e dënon me 12 vite burg!

Ndërkohë që Gjykata e Posaçme ka 2 javë që e kërkon qé të paraqitet për ti komunikuar masën e sigurisë, Sali Berisha, këtë të enjte ka zhvilluar gjyqin e tij privat live, ku ka bërë avokatin, prokurorin dhe në fund gjykatësin.

“Merre si ta marrësh, – tha Berisha, – por unë dje faktova para jush këtu me hartë dhe dokumente të paraqitura nga Edi Rama, se ai është autori që ka ndryshuar në mënyrë të kundraligjshme destinacionin e terrenit të klubit Partizani, ngha terren sportiv, në terren urban. Unë nuk e di çfarë fakti mund t’u paraqes tjetër, pasi me këtë fakt, Edi Rama dënohet të paktën 8 deri në 12 vite burg.

Unë nuk po bëj këtu prokurorin e narkoshtetit, unë po bëj këtu gjyqin publik. Dhe unë mendoj se me faktet që paraqiti vetë Edi Rama, iu provova shqiptarëve se ky njeri me ndryshimin që i ka bërë destinacionit të terrenit sportiv në vitin 2006, në një kohë kur nuk ishte e pronarëve, ishte krejtësisht pronë e shtetit, atëherë kjo do të thotë se ata që kishin synim këtë pronë, e paguan apo nuk e paguan atë, nuk kemi për ta marrë vesh ndonjëherë, por Edi Rama shkeli rëndë ligjin e urbanistikës dhe me këtë ligj dënohet me të paktën 8 vite burg.

Prandaj doli te Bolino ai, nxori hartat dhe sillej e mbështillej.

Po dje, a u përpoq të fshihet për pjesën tjetër prapa ndryshimit të ligjit të sportit? E thotë vetë. Unë ua citova aty.

Çfarë doli aty? Ligji i sportit përkundrazi vetëm sa e saktësonte, kishte respektuar pronësinë e pronarëve, por kurrë ndryshimin e destinacionit.

Kurse Edi Rama me kompaninë zvicerane UrboPlan, me të cilën janë marrë dy persona, se ky Shalsi ka qenë si punë vullnetari, paskan qenë Artan Dhuli dhe ministrja Majlinda Dhuli. Këta kanë qenë dy personat e ngarkuar për planin zviceran, në të cilin Edi Rama e ka lënë zonë urbane.

A nuk janë këto dëshmi flagrante të një shkelje madhore të ligjit nga ish-kryetari i bashkisë?

Pastaj, pse nuk paskam të drejtë unë, si nuk qena e drejtë që të deklaroj se dacibao është shkruar në zyrat e Edi Ramës, kur ai vetë del dhe citon dacibaon.

Nuk i thashë unë Edi Ramës që dil pak te Bolino e na thuaj se e bëra pas ndryshimit të ligjit për sportin. E bëri vetë atë se e ka mizën nën kësulë. Dhe doli e citoi dacibaon.

Atëherë, a dëshmon se Edi Rama është pas dacibaos.

Kurse sot, e njëjta gjë është thënë për ligjin e pronave. Po aty thotë se edhe ndryshimi i kryetarit, ishte komision dhe u bë agjenci, erdhi një pedagoge, Justina Boriçi në timonin e kësaj agjencie, e kanë marrënë pyetje njëlloj si në zyrat e Sigurimit të Shtetit.

Më fal për shprehjen, po janë edhe budallenj. Se sigurisht kryeministri nuk mund të emërojë pa u njohur me CV dhe të gjitha, një drejtor të një agjencie me rëndësi kombëtare, siç është agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Sepse çdo i emëruar në poste të larta, nuk ndodh si me Edi Ramën, që e marrin vesh nga televizori, jo sepse do kërkosh edhe mendimin, do pranojë apo jo në radhë të parë.

Dhe këtë ata, me porosi të Edi Ramës, le që janë përpjekur me të gjitha format.

Por nuk është qëllimi, por këta përdorin si argument se është favorizuar Jamarbër Malltezi, pra për të më inkriminuar mua thonë se janë bërë ndryshime në ligjin e pronave.

Unë e shpjegova pjesën kryesore, ka edhe një pjesë tjetër që do e shpjegoj në seancën tjetër të gjyqit publik kundër Edi Ramës.

Nuk ka avokat në botë që e mbron Edi Ramën. Edi Rama është tashmë i pakallur me këto që ka bërë.”

Hoxha: Ja dy rrugët që i kanë mbetur Sali Berishës! Pengimi i drejtësisë, mund ti sjellë akuzë të re

Shqiptarët nuk e mbështesin Sali Berishën në sulmet e tij ndaj drejtësisë. 74.5% e qytetarëve të anketuarve në sondazhin e Report Tv, mendojnë se Sali Berisha duhet të ishte paraqitur në SPAK për t’u përballur me drejtësinë për dosjen e ish kompleksit Partizani edhe pa një autorizim paraprak nga Kuvendi.

Për analistin Poli Hoxha, Sali Berisha tashmë ka dy rrugë, ose të kërkojë azil politik, duke qenë akuzon qeverinë, ose që të shkojë në SPAK.

”Berisha ka zgjedhur një rrugë politike. Pengimi i drejtësisë mund të sjellë ndonjë akuzë të re. Berisha ka dy rrugë, ose atë të një azili politik, pasi kështu si po e shtron, le të të kërkoj azil ose të shkojë në SPAK.

Nëse e kanë bërë procesin ndaj tij në mënyrë antikushtetuese aq më mirë për Berishën. Dil i pafajshëm se del 100 herë më i fuqishëm, s’ka rrugë tjetër. Shko siç shkojnë gjithë te tjerët.’- tha Hoxha në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’.

Hoxha tha se me këtë opozitë, mazhoranca aktuale fiton jo mandatin e katërt, por edhe 15 mandate. Sipas tij Berisha e ka aksionin politik vetëm për interesat e tij personale.

”Fitojnë me shumicën e pakicës. Sa vjen dhe rritet marzhi i qytetarëve bojkotues që shkon gati 60 e ca %. PS fiton me rreth 40 e ca %.

E ka sigurt fitoren me këtë lloj opozitë. PD-ja ka ngelur në vend! Nuk ka alternativë. Berisha flet për hallin e tij. Nuk mund të mundësh Edi Ramën me këtë lloj opozite. Jo 4 mandate, por 15 mandate mund të rrijë me këtë ‘stausquo’.

Që kur u shpall non grata, nuk pamë asnjë riorganizim të PD-së. Asnjë hapje asnjë figurë të re, e përdori për qëllime të veta. Dështime në zgjedhjet e 14 majit. Humbi Kukësin, Rrogozhinën dhe të gjitha këto tregojnë se nuk ka pasur frymën për opozitë. Kjo ka qenë një lëvizje personale që në fillim për non gratën”- tha Hoxha.

“Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat, taksë deri në 23%”, PD: Godet rëndë bizneset familjare

Partia Demokratike deklaroi se qeveria me ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat, e çon taksën deri në 23% për të vetëpunësuarit dhe disa kategori të tjera. Në një deklaratë për mediat anëtarja e Kryesisë dhe deputetja, Merita Bakiu tha se ky ligj godet rëndë bizneset familjare.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE

Përshëndetje të nderuar qytetarë!
Projektbuxheti që po kalon nën mjegullën e atyre që nuk e duan këtë vend, ka lenë në harresë shumë e shumë qytete përsa i përket investimeve në infrastrukturë.
I tillë është dhe rasti i Krujës. Një qytet plot histori, mundësi e potencial zhvillimi, por i ngelur jashtë vëmendjes së pushtetit qendror e lokal.
Qyteti i Krujës është në vendet turistike më të vizituara në Shqipëri, qytet që ka ruajtjur edhe traditën e artizanatit në disa zeje të kufizuara në Pazarin e Vjetër.
Por qeveria me Ligjin e ri te tatimit mbi të ardhurat, do të vendosë taksa deri në 23%, për të gjithë të vetëpunësuarit, per perpunimin e tekstileve, per konfeksionimin e veshjeve, per prodhimin e produkteve prej druri dhe dushku, per riparimet e artikujve familjar e te tjera sherbime. Në këtë formë, nga ky ligj jo vetëm qe nuk ndihmohen por goditen shume e shumë biznese familjare.
Për më tepër në projektbuxhetin e vitit 2024 jepen para për ujësjellësin e qytetit të Krujës i cili rezulton të jetë inaugurar çka tregon shumë për abuzimin që po bëhet.

Ky projektbuxhet vijon e financon në minimumin e vet pushtetin vendor të Krujës duke e kthyer në një bashki mjerane që nuk mundet të bëjë asgjë për qytetaret e saj.
Ky pra të dashur qytetarë është projektbuxheti I vitit 2024. Një projekt vjedhje i thënë më mirë! Si përfaqësuese në parlamentin shqipëtar e qytetit të Krujës, i bëj thirrje qeverisë që të përfshijë në projekt-buxhetin e vitit 2024 zbatimin e projektit të rrugës Krujë-Tiranë. Është i domosdoshëm ky investim pasi Kruja e ka të domosdosshme një lidhje direkte me Tiranën. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve të këtij komuniteti.
Ju faleminderit!

Harta e re gjyqësore/ Dhoma e avokatisë kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm të vendimit, nisin seancat në Kushtetuese

Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur shqyrtimi i kërkesës së Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit të hartës së re gjyqësore.

Seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese me objekt “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën të Vendimit te Këshillit të Ministrave nr.495, datë 21.07.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”” u mbaj më 14 Nëntor.

Seanca e radhës është përcaktuar të mbahet më 7 Dhjetor 2023, ku subjekte të interesuara përveç Këshillit të Ministrave, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jenë edhe Prokurori i Përgjithshëm.

Vendimi për hartën e re gjyqësore u miratua më 10 Qershor 2022 nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pas vendimmarrjes së KLGj-së avokatët protestuan dhe bojkotuan dy herë radhazi seancat gjyqësore për periudhën 14 deri 17 Qershor, dhe me një tjetër bojkot pa afat të seancave pas 29 qershorit për çështjet administrative dhe penale. Dhoma e Avokatisë në atë kohë i kërkoi Këshillit të Ministrave që të marrë në konsideratë kërkesat e tyre për pezullim të përkohshëm të vendimmarrjes, pasi rishpërndarja e gjykatave do të rrisë kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, do t’i privojë ata nga e drejta për akses në drejtësi dhe do të dëmtojë profesionin e avokatit.

Bojkoti pa afat i avokatëve nuk u mor në konsideratë nga qeveria ku në mbledhjen e 21 korrikut 2022 u miratua vendimi për hartën e re gjyqësore.

Pas miratimit të vendimit nga qeveria më 1 shkurt 2023 nisi funksionimin Gjykata Kombëtare e Apelit në Tiranë pas shkrirjes së 6 gjykatave të apelit në rrethe.

Më 1 Maj u shkurtuan gjykatat e shkallës së parë. Rishpërndarja e re e gjykatave solli krijimin e 12 gjykatave të shkallës së parë nga 22 që ishin më parë. Gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, si: Berat, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit), Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës), Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës), Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit), Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës), Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit) ,Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit) dhe Shkodër(bashkuar me Gjykatën e Pukës).

Dhe nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, një në Lushnje, që të mbulojë të gjithë zonën jugore dhe jugperëndimore të Shqipërisë, dhe një në Tiranë, që do të mbulojë të gjithë zonën veriore dhe juglindore, përkatësisht Korçën, e cila nuk ka akses të lehtë në Lushnjë.

Sipas avokatëve rishpërndarja e gjykatave erdhi nga mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve që krijoi procesi i vetingut.

KLGJ në raportin për hartën e re gjyqësore argumentonte se rishpërndarja e gjykatave synon të ekuilibrojë ngarkesën e punës dhe shpërndarjes së gjyqtarëve ndërmjet gjykatave, me qëllim uljen e kostos financiare dhe eliminimin e zvarritjeve të proceseve gjyqësore. /Monitor

Qytetarët dalin në protestë dhe bllokojnë punimet e rrugës Thumanë-Kashar: Nuk po na lejojnë të shkojmë te tokat tona, nënkalimi jashtë çdo standardi

Banorë, fermerë e biznesmenë të Thumanës paraditen e kësaj të enjteje (16 tetor) kanë dalë në protestë duke bllokuar punimet e rrugën Thumanë-Kashar.

Ata janë shprehur se firma ndërtuese ju ka premtuar në fillim që nënkalimi që lidh autostradën me fushat e Thumanës do ishte i kalueshëm nga çdo lloj mjeti pasi të gjithë banorët kanë toka në zonë, me kultivimin e të cilave mbajnë familjen. Por, banorët thonë se nënkalimi i lënë është i pakalueshëm nga mjetet bujqësore.

Sipas tyre është i kalueshëm vetëm nga ndonjë automjet dhe biçikletë.

“Jemi në këtë protestë, kemi dalë dhe shumë herë por nuk na kanë dhënë rrugëzgjidhje. Për çfarë arsye na pezullojnë punimet në tokat tona. Nuk ka rrugë për të shkuar te toka”, tha një qytetar.

Banorët e Thuamës kërkojnë që shteti të mara masa.

Gatuan për të moshuarit, Rajmonda Hoxha e përlotur: Jam e vuajtur vetë, moshat e treta më dhimbsen

Bamirësia është sakrificë. Ajo i ngjason procesit të lindjes, e cila përcillet me një dhimbje sepse heq dorë nga diçka që të ka takuar ty duke e dhënë atë vullnetarisht dhe përfundon me një gëzim. Sa më e madhe dhimbja aq më e madhe është dhe bamirësia.

Bamirësia sjell shërim shpirtëror tek njeriu. E pikërisht sot do ju njohim me një zonjë e cila mund të quhet pa frikë “heroina e heshtur”.

Rajmonda Hoxha e ftuar në Vila24 me moderatore Anila Çela zbuloi historinë e saj të rrallë. Ajo prej 5 vitesh viziton “ Shtëpitë e të moshuarve” dhe çon gatime.

“Kam patur vjehrrën në shtëpi, më dhimbsen moshat e treta, edhe shoqet i kam mbi 65 vjeç. Prej 5 vitesh me burrin dhe fëmijët shkoj në “Shtëpinë e të Moshuarve”, gatuaj dhe ju çoj gatimet e mia dhe hamë si familje bashkë me ta. Më dhimbsen pasi janë të braktisur, dikur kanë qenë mjek, pedagog,mësues dhe sot janë atje, vetëm. Ata kanë nevojë për njerëz, kanë nevojë të bëjnë një bisedë. Çdo muaj unë i takoj, tani po afrojnë dhe festat dhe si çdo vit dhe këtë herë do ju çoj ëmbëlsirën”- tha zonja Hoxha për News24.