33.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Flutura Açka: Parlamenti ka marrë arratinë, duhet të mbyllet urgjentisht

Sipas deputetes së PD-së, Flutura Açka, “ky Parlament ka marrë arratinë”.

Deputetja Açka, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” deklaroi se Parlamenti duhet të mbyllet, për t’i hapur rrugë fillimit të një Parlamenti të ri për qytetarët shqiptarë.

“Ka deputetë të përkushtuar dhe jam e lumtur që i kam njohur, por ka të tjerë që rutinën e tyre e përdorin vetëm për veten e tyre.”

“Ky parlament duhet të mbyllet sot dhe të fillojë një parlament tjetër për shqiptarët. Ky Parlament ka marrë arratinë mesa shoh unë.”

“Po kalon një pr.buxhet,pa debate. Kjo është e papranueshme për një parlament serioz, evropian”, tha ajo.

Si u krye operacioni i rrallë në QSUT, mjeku: Nga 4 raste në botë, i pari i mjekuar

Personeli shëndetësor i Shërbimit të Kirurgjisë Orale dhe Maksilofaciale, në QSUT, realizoi përpara disa ditësh një operacion tepër të rrallë tek një fëmijë i diagnostikuar me një sindromë të rrallë, FHEIG Sindromë, i pari rast i evidentuar në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Goodmorning Albanians”, në Euronews Albania, Dr. Arlind Myftarin, pjesë e ekipit të mjekëve që zhvilluan ndërhyrjen, zbuloi dhe të pathënat e operacionit të rrallë.

Mjeku theksoi se ndërhyrja ishte tepër e vështirë pasi nuk kishte një referencë ku të bazoheshin. Sipas tij ky është rasti i parë në botë ku një sëmundje e tillë mjekohet përmes ndërhyrjes kirurgjikale.

Ai tha se në internet ekzistojnë vetëm 3 raste të tjera të evidentuara, por asnjë prej tyre e mjekuar.

“Genetikisht fillimisht nuk ka pasur prani fare. Dërgohet analiza në Gjermani, i është bërë tre herë përsëritje pasi dhe vetë laboratori në Gjermani ishte pak i pasigurt për të dhënë një përgjigje, pasi është një përgjigje goxha e rëndë. E kanë përsëritur tre herë analizën dhe u vonuan tre ose katër muaj. Pasi ka ardhur përgjigjja, ne paraprakisht ishim në dijeni se mund të ishte e njëjta gjë. Kemi parë në protokolle dhe kemi diskutuar me mjekë. Nuk kishim ku të mbështeteshim, pasi ka pasur tre raste të evidentuara por jo të mjekuara. Tre raste që janë në internet janë të evidentuar me këtë lloj sëmundjeje por në asnjërën prej tyre nuk është bërë intervent. Nuk ka një lloj databaze apo shkrimi ku ky paciant me këtë diagnozë përveç mjekimit që ka marë ka dhe këtë lloj kirurgjie që i është bërë”, tha mjeku.

Myftari shtoi se ishte insistimi i prindërve që operacioni të kryhej në Shqipëri, pasi besonin te mjekët që kishin ndjekur sëmundjen e fëmijës për 3 vite rresht.

“Kur kam marrë përgjigjen qëllova rastësisht në një fondacion që dërgonin fëmijët jashtë shtetit, në Vjenë dhe Austri. Dhe ua referova si mundësi prindërve për t’i ndihmuar, pasi më dhimbseshin. Por ishte kërkesa dhe insistimi i prindërve, i të ëmës dhe i të atit që fëmija të operohej në Shqipëri. Më ka bërë çudi se shqipatrët kur u thua shko jashtë i ke të gjitha të paguara dhe operohu aty nuk kundërshtojnë. Ky ishte rasti i parë që kërkuan të operoheshin këtu”, tha doktori.

Operacioni u realizua nga Dr. Arlind Myftarin, Dr. Sh. M. Bensar Shuteriqi, Dr. Alba Bimo si dhe stafi infermieror dhe asistues i QSUT.

E shkarkoi nga detyra, Suella Braverman letër Rishi Sunak: Tradhëtar e dështak

Suella Braverman ish-sekretare e Brendshme e Shtetit, pas shkarkimit nga detyra, përmes një letre të gjatë ka akuzuar kryeministrin britanik Rishi Sunak se ai është një dështak dhe se ka tradhëtuar marrëveshjen për ndalimin e varkave të emigrantëve të paligjshëm.

“Ju keni dështuar në mënyrë të qartë dhe të përsëritur në përmbushjen e secilës prej këtyre politikave kryesore. Ose stili juaj i veçantë i qeverisjes do të thotë se nuk jeni në gjendje ta bëni këtë.

Ose, siç duhet të përfundoj me siguri tani, ju kurrë nuk keni pasur ndonjë qëllim të mbani premtimet tuaja.

Refuzimi juaj i kësaj rruge nuk ishte thjesht një tradhti e marrëveshjes sonë, por një tradhti e premtimit tuaj ndaj kombit se do të bënit “çfarëdo që të duhej” për të ndalur varkat”, ka shkruar Braverman.

Braverman, një nga figurat kryesore të partisë konservatore, i kërkoi kryeministrit Sunak të “ndryshojë kursin urgjentisht”, duke thënë se ai i ka udhëhequr konservatorët drejt humbjes në zgjedhje dhe se rivendosja e tij në krye të partisë është një dështim.

Mediat e huaja  kanë publikuar letrën e plotë të Braverman. Ish-zyrtarja ka qenë një nga zërat kritik edhe për emigrantët shqiptarë, deklaratat e së cilës shkaktuan jo pak mëri tek komuniteti shqiptar në Britani. Ajo u largua nga detyra me urdhër të Rishi Sunak këtë të hënë.

Kryebashkiaku Kreshnik Hajdari merret i pandehur nga SPAK

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Lajmin e raporton gazetarja Anila Hoxha, e cila bën të ditur se Hajdarit i është komunikuar akuza, neni 190/2 i K.Penal për falsifikimin e formularëve.

Një ditë më parë, Hajdari i shpëtoi heqjes së mandatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa sot pozita e tij është vështirësuar me komunikimin e akuzës nga prokurorët e SPAK.

SPAK e thirri Hajdarin, dy ditë pasi Prokuroria, nëpërmjet një shkrese, njoftoi se ai është dënuar në Greqi në vitin 1999, fakt që nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje.

Nga verifikimet e Prokurorisë, gjithashtu konfirmuar nga ministria e Drejtësisë greke, Kreshnik Hajdari rezulton i bashkëgjykuar i mitur dhe është dënuar me “masa riedukuese e qortimit”. Sipas drejtësisë greke, i pandehuri në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor. Kjo çështje u shqyrtua një ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Marrëveshja Rama-Meloni/ “Bomba” e shkrimtarit italian: Refugjatët do të jenë në dorën e Mafias

Shkrimtari italian, Roberto Saviano ka sot në lidhje me marrëveshjen e firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij Giorgia Meloni, përmes një videoje në FaceBook. I njohur si një nga kundërshtarët më me zë të qasjes së kryeministres italiane, shkrimtari ka treguar disa nga “rreziqet” e kësaj marrëveshjeje.

Sipas tij protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët nuk është vetëm një propagandë e pastër politike, por do të rezultojë e padobishme në nivel organizativ dhe menaxherial. Saviano, në një video për Fanpage.it, shpjegon gjithashtu dhe se rrethanat e marrëveshjes mund të përfshijnë krimin e organizuar (mafian shqiptare) në marrjen në dorë të menaxhimit të refugjatëve në kampet e Shëngjinit.

“Për momentin është vetëm një njoftim, ai i sjelljes së rreth 36 mijë emigrantëve në dy qendra paraburgimi në Shqipëri . Një i ndërtuar për menaxhimin e procedurave kufitare, pra identifikimin, origjinën, vizitat mjekësore. Një tjetër për të ndaluar emigrantët në pritje të riatdhesimit. Por si të gjitha gjërat e tjera që ka bërë kjo qeveri, është thjesht një reklamë elektorale. E shtrenjtë, megjithatë, dhe e paguar nga taksapaguesit. Për këtë Shqipërisë do t’i jepet një shumë, vetëm paraprakisht, prej 16 milionë eurosh. Para së gjithash, duke qenë një marrëveshje ndërkombëtare, ajo duhet të kalojë në Parlament. Por qeveria deklaron se, bazuar në Traktatin e Miqësisë ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë të vitit 1995, ajo nuk do të jetë e nevojshme. KJo një marrëveshje ndërkombëtare e këtij lloji kërkon gjithmonë mbikëqyrje parlamentare. Kjo marrëveshje është krejtësisht e palogjikshme, e bërë me nxitim dhe në mënyrë amatore.”- ka thënë Saviano.

Gjatë përfundimit të videos, ai shpjegon dhe shkaqet që të çojnë të mendosh se marrëveshja do të përfshijë mafian shqipatare e cila sipas tij do të marrë në menaxhim situatën që do të lidhet me kampin e refugjatëve.

“Dhe në fund, çfarë do të ndodhë në Shqipëri kur të nisë ky projekt? Kush mendoni se do të menaxhojë ardhjen, prokurimin, mensat, në disa raste edhe arratisjet nga këto qendra? Familjet mafioze shqiptare. Rreziku që krimi i organizuar shqiptar të marrë pjesë në këtë operacion është shumë i lartë. Pa kontroll të drejtpërdrejtë, siç dihet, kujt do t’i shkojë financimi italian? E pamë me Turqinë, me Tunizinë, me Libinë. Transferimi i kontrollit të kufijve tuaj nuk çon aspak në siguri më të madhe, nuk çon aspak në një kapacitet më të madh menaxhues, ai sjell vetëm tmerrin e padrejtësisë, torturës, korrupsionit.
Ne po lëvizim fizikisht kufijtë tanë në një vend tjetër: nga ana operacionale e gjithë kjo nuk do të përkthehet në një efektivitet më të madh në mbrojtjen e këtyre kufijve, por do të thotë shitje e tyre. Duke larë duart prej tij, duke u përpjekur të detyroni të tjerët të bëjnë punën e pistë. Nga njëra anë, emigrantët do të paguajnë për të gjitha këto. Nga ana tjetër qytetarët, të cilët mashtrohen dhe grabiten. Burimet ekonomike do t’u hiqen për t’u investuar në qendrat e paraburgimit në Shqipëri. E cila, megjithatë, nuk do të jetë e dobishme.”-përfundoi Saviano.

Pas prokurorëve dhe gjykatësve, Berisha sulmon gazetarin dhe profesorin Blendi Kajsiu

Portali i familjes Berisha ka sulmuar ashpër analistin Blendi Kajsiu, pas një shkrimi kritik të këtij të fundit, për mbrojtjen që po bëjnë berishistët për rastin e dosjes “Partizani”.

Kajsiu, një analist që është kritik me të dyja palët, është sulmuar nga Berisha, që paguhet nga Rama.

“Opinionisti Blendi Kajsiu në një shkrim të tijin me titull “Ngërçi i mbrojtjes berishiste” për rastin e kompleksit “Partizani”, duke u munduar të argumentojë me sforco se, sipas tij, njerëzit e Berishës po bëjnë gabim që po mbrohen politikisht, ndërkohë që të vetmen betejë që mund të fitojë është ajo juridike (tezë kjo që dëgjohet rëndom në korridoret e PS-së), nuk ka bërë gjë tjetër, veçse që në fillim të shkrimit të tij e ka kthyer Kajsinë në marmalatë.

Fillimisht duhet të themi se, në qoftë se Berisha dhe avokatët e tij kanë evidentuar dhe kanë denoncuar me dhjetëra shkelje proceduriale të procesit në lidhje me masën e sigurisë, që nga anashkalimi i parlamentit, te shkelja hapur e Kushtetutës, kalimi i afateve të zbardhjes së masës e deri te konflikti i gjyqtares së çështjes, shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me firmë të Berishës në vitin 1996, nuk është veçse mbrojtje juridike, por në thelb vërteton që pikërisht duke shkelur këto procedura shndërrohet automatikisht në një sulm politik me regji.

Kajsiu shkon dhe më tej, duke e kthyer jo vetëm Kajsinë në marmalatë, por edhe marmalatën në bërsi, kur arrin deri aty sa bëhet zëdhënës i opinionit publik pa iu dridhur qerpiku kur thotë se “kjo mbrotje nuk ka ngjitur as te elektorati i djathtë dhe as tek ai gri”. As sondazhistët e njohur të Partisë Socialiste nuk do ta kishin këtë guxim.

Nejse, për hir të debatit ne jemi të detyruar ta kthejmë “marmelatën” sërish në Kajsi, se i bie ta mbyllim debatin me kaq. Sekush ka të drejtë të ketë opinionin e tij, por kur dikush ngre argumentin mbi një mashtrim, mendimi i parë që të vjen ndër mend është se qëllimi i tij nuk është e vërteta, por manipulimi për qëllime politike!

Kajsiu thotë se pronarët e tjerë nuk u pasuruan sa dhëndri i Berishës, por në fakt ky është mashtrim! Ortaku i tretë në këtë sipërmarrje është një bashkëpronar njëlloj si z. Malltezi dhe ka përfituar njëlloj si ai pa qenë dhëndër i Berishës!

Nëse Kajsiu gënjen me apo pa vetëdije, e përcakton standardi juridik, por në standardin politik gënjeshtra e ka gjithmonë një qëllim! Ajo që duket “bizare” në qëndrimin e Kajsiut është pretendimi se për standardin e tij politik, pasurimi i ligjshëm dhe i paligjshëm i familjarëve të pushtetarëve është njëlloj, korrupsion.

Lidhur me sa më sipër, nëse duam të aplikojmë standardin politik të Kajsiut për pasurimin e familjarëve të politikanëve, del se këtë duhet ta bëjmë mbi parimin komunist që kush pasurohet, vjedh gjakun dhe djersën e popullit!

Këtë standard e përdorin dallkaukët dhe populistët”, thuhet në shkrimin e publikuar nga portali i familjes Berisha.

“Qëllimi real i Kajsiut është mbulimi i kapjes së drejtësisë dhe normalisht do të thoja që do të duhej t’i vinte turp. Por, siç edhe thuhej dikur “puna nuk është turp por nder”, për Kajsiun kjo është punë!

Puna e mbarë Kajsi!

Sa për turpin mund ta gëlltisësh me bukën e gojës që fiton nga puna

PD, Andia Ulliri: Ky projekt-buxhet nuk jep asnjë gjë domethënëse për të rinjtë shqiptarë. Qeveria nuk bën asnjë përpjekje për të ngjallur shpresën për të rinjtë që të qëndrojnë në vendin e tyre

Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri deklaroi se projekt-buxheti për vitin 2024 nuk ofron asgjë për të rinjtë shqiptarë.

Në një dalje për mediat Ulliri tha se 7 miliardë euro shpenzime ka programuar për të bërë qeveria në vitin 2024 por shumica dërrmuese shkojnë për PPP, koncesione dhe luks qeveritar dhe shumë pak për të rinjtë.

Deklarata e plotë e deputetes dhe anëtares së kryesisë ANDIA ULLIRI:

“Jemi në javët e diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2024. Në kushte normale, ky projektbuxhet do të diskutohej në seanca plenare dhe komisione parlamentare duke mundësuar evidentimin para jush të asaj çka kjo qeveri merr dhe jep. Por fatkeqësisht kjo nuk po lejohet të ndodhë për arsye të qarta për këdo, ndaj dhe Partia Demokratike ka vendosur që të denoncojë përditë problematikat e këtij projektbuxheti.

Si deputetja më e re e Parlamentit Shqiptar e ndjej dyfish obligimin për të folur për rininë.
Ky projektbuxhet nuk jep asnjëgjë domethënëse për të rinjtë shqiptarë.

Në një periudhë kur shumica e rinisë kërkon të largohet nga ky vend duke sakrifikuar edhe jetën për të shkuar në vende si Britani e Madhe, Gjermani e Itali, qeveria shqiptare nuk bën përpjekje për t’i mbajtur ata këtu, nuk bën përpjekje për të ngjallur shpresën për të rinjtë që të qëndrojnë në vendin e tyre.

Buxheti për rininë nuk është aspak domethënës duke shuar çdo ditë e më tepër shpresën e tyre për të qëndruar në Shqipëri.

Investime minimaliste në shkollat profesionale, pothuaj aspak mbështetje për projektet apo sipërmarrjet e të rinjve, mbëshetje tallëse për ekselentët në universitete, janë vetëm pak nga shumë e shumë elementë që tregojnë se kjo qeveri nuk i ka prioritet të rinjtë.

7 miliardë euro shpenzhime ka programuar për të bërë qeveria në vitin 2024 por shumica dërrmuese shkojnë për PPP, koncesione dhe luks qeveritar. Shumë shumë pak për të rinjtë. Edhe ato fonde të buxhetuara ose shkojnë tek klientët e qeverisë ose një pjesë e mirë në xhepat e administratës së korruptuar.

Ndaj, sot është dita të themi se duhen më shumë para për të rinjtë. Duhen më shumë investime për të rinjtë. Rinia duhet të jetë prioritet në të gjithë sektorët, nëse do duam që nesër Shqipëria të mos braktiset e të ngelet bosh.”

“I nderuar të zgjeroj këtë traditë”, kryebashkiaku i Rithemelimit letër Ramës: Duam që të presim disa prej emigrantëve që do të vijnë në Shqipëri

Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Ramës, Ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca, përfaqësuesit të UNHCR në Shqipëri, Toshitsuki Kawauchi, ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, dhe ministrit të Jashtëm Igli Hasani… ku shpreh dëshirën që të presë në këtë qytet refugjatët që pritet të mbërrijnë në vendin tonë pas marrëveshjes me Italinë.

Në letrën zyrtare, kreu i Fushë Arrëzit Hil Curri, i cili doli nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, shprehet ndër të tjera, se shpreh gatishmërinë për të “kontribuar në një përgjigje humanitare ndaj situatës aktuale që përfshin emigrantët që kanë gjetur strehim në Evropë”.

“E kuptoj se Kryeministri i Shqipërisë, ne bashkëpunim me Kryeministren e Italise, eshte pajtuar qe
te lejojè emigrantet nga Italia te qëndrojne ne kampe te vendosura ne Shqipèri, veçanèrisht ne disa
bashki te zgjedhura. Dua te shpreh gatishmërinë time dhe deshiren per te strehuar disa prej ketyre
emigrantève ne territorin tonë. Fushe-Arrëzi eshtê nje komunitet qe mahnit me nje territor te bukur, qe na mundèson te ofrojmë strehim de mbështetje te pershtatshme per keta individë.

Bashkia jone ka nje histori te gjate tê mirëpritjes se vizitorève me duar te hapura. Une ndiej nje krenari te veçante per natyrën e ngrohte dhe mikpritèse te popullit tone, e cila ka qene nje karakteristike e kultures shqiptare per breza të terê. Eshte nje pjese e identitetit tone qe une konsideroj te shtrenjte dhe do te isha i nderuar te zgjeroj kete tradite per emigrantêt ne nevoje. Une jam i gatshèm te punoj ngushte me autoritetet perkatese per te siguruar mirèqenien dhe integrimin e emigrantève te vendosur nën kujdesin tone.

Për me tepër, komuniteti i Fushe-Arrezit eshte i gatshëm te japë nje kontribut pozitiv ne jetët e ketyre individeve duke u ofruar nje mjedis mbeshtetes ku ata mund te ndërtojnë jeten e tyre, të gjejne siguri dhe te kene qasje ne burimet e nevojshme. Bashkia jone eshte e gatshme te bashkëpunoje me qeverine, organizatat jofitimprurese dhe organet nderkombetare per te siguruar qè kêta emigrante te marrin ndihmen qe u nevojitet. Une kerkoj me respekt mundesine per tu angazhuar ne nje dialog konstruktiv me autoritetet relevante pèr te diskutuar detajet dhe logjistiken e strehimit te emigranteve ne Fushe-Arrez. Une jam i gatshēm te punoj me vendosmeri per te përmbushur te githa kerkesat e nevojshme dhe per te ofruar njè mjedis te sigurt, mikprites dhe mbeshtetes per këta individe.

Ju falënderoj per konsiderimin e propozimit tim he pres pergjigen tuaj. Bashkia Fushe-Arrez mbetet e perkushtuar per rolin tone ne mbeshtetjen e atyre ne nevoje he pèr te vazhduar traditën e pasur te mikpritjes shqiptare”, shkruan ai.

Zbardhet shkresa e GJKKO për Kuvendin, kërkon marrjen në pyetje të Sali Berishës

Gjykata e Posaçme i ka dërguar një shkresë Kuvendit ku kërkon marrjen në pyetjes së Sali Berishës.

Shkresa është dërguar një ditë më parë dhe është marrë nga protokolli i Kuvendit.

Nëpërmjet këtij dokumenti të siguruar për Balkanweb nga gazetari Osman Stafa, GJKKO i kërkon Kuvendit të vërë në dijeni deputetin Sali Berisha për vendimin e dhënë nga ana e kësaj gjykate, ai i detyrimit me paraqitje.

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari shkon në SPAK

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari ka shkuar sot në SPAK. Siç shihet nga pamjet, Hajdari ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion në praninë e avokatit të tij, Theodhori Sollaku.

Kujtojmë se një ditë më parë KQZ konfirmoi mandatin e Hajdarit, pas verifikimeve të një dënimi të tij në shtetin grek.