29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

“Kepi i Rodonit”, banori i fshatit: Mark Frroku filloi konfliktin me sharje dhe grushte

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus e ka trajtuar këtë çështje duke intervistuar disa prej personave të përfshirë.

Bajram Kaculi, njëri prej banorëve të fshatit që fillimisht u arrestua, ka treguar se ish-deputeti Mark Frroku, si pronar i kompanisë që bënte rrethimin e tokës për llogari të Kishës Françeskane, filloi konfliktin me sharje e më pas degradoi në dhunë fizike.

Ai ka qenë i pari që filloi konfliktin me sharje, me grushte, ai ka qenë, ne nuk e njihnim. Të tjerët e mbështesnin nga mbrapa. Ofendimet më të rënda. Nga sharje filluan direkt në grushte e çfarë të gjenin përtokë. Deri në momentin që shkrepi arma. Tek arma u ndamë se na kapi frika. Personi me armë u tërhoq mbrapa se e larguan dhe të vetët se e panë që u tensionua shumë situata. U largua në distancë nga trau 100 metra, zbrazi krejt karikatorin se kanë qëlluar, e ka zbrasur krejt karikatorin lart për të na trembur”, tregon Bajram Kaculi.

Kurse avokati i Kishës Françeskane, që ka përfaqësues në gjyq punëtorët për llogari të kishës, thotë Mark Frroku nuk ka ushtruar dhunë ndaj banorëve.

Gazetari Spartak Koka: Ka ushtruar dhunë Mark Frroku ndaj banorëve?

Sokol Dedndreaj: Jo, jo.

Gazetari Spartak Koka: Ka një pretendim që është qëlluar nga ana e Mark Frrokut me hekura?

Sokol Dedndreaj: Punonjësit e Mark Frrokut dhe Mark Frroku kanë shkuar në vendngjarje për të punuar dhe për të kryer punime. Dhe këto punime ai po i kryente në mënyrë vullnetare, nuk kanë qenë punime të mëdha, me marrëveshje të lidhur midis palëve. Kështu që ai nuk ka shkuar i përgatitur për luftë. Nëse ata kanë kundërvepruar, domethënë janë mbrojtur.

Gazetari Spartak Koka: Në këtë rast mund të justifikohet si vetëmbrojtje?

Sokol Dedndreaj: Po vetëmbrojtje pa diskutim. Janë mbrojtur sepse jemi para një sulmi të qartë dhe një sulmi të fuqishëm, të gjithanshëm të disa personave kundër 4 personave.

Ndryshon ligji, konsullatat do të ofrojnë të njëjtat shërbime si zyrat e gjendjes civile në vend

Përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare jashtë do të ofrojnë shërbime të njëjta si zyrat e gjendjes civile në vend për të lehtësuar procedurat për shtetasit shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme.

Ndryshimet e fundit në ligjin “Për gjendjen civile” parashikojnë një sërë rregullimesh përfshirë edhe pjesën e lehtësimit të procedurave jashtë territorit.

Konkretisht relacioni që shoqëron draftin e publikuar nga Ministria e Brendshme parashikon në nenin 22 “detyrat e shërbimit të gjendjes civile në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, për të cilët do të kryejnë veprime të njëllojta si nëpunësit e tjerë të shërbimit të gjendjes civile brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas formulimit në pikën 2 të nenit 71, këta nëpunës përpara fillimit të detyrës kanë detyrimin të trajnohen si nëpunësit e tjerë të gjendjes civile”.

Relacioni saktëson se në pikën 3 të këtij neni në projektligj parashikohet se këta nëpunës administrojnë dokumentacionin dhe kryejnë veprime në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010 për shtetasit shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe në dispozitat e tjera ligjore.

“Pika 4 e këtij neni parashikon nxjerrjen e rregullave të administrimit dhe përcjelljes së dokumenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për shtetasit shqiptarë mbi të cilët nëpunësit e shërbimit në postet konsullore kryejnë veprime të gjendjes civile. Për nëpunësit konsullorë këto detyra shtohen me qëllim ofrimin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të shpejtë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit” thuhet në relacion.

Ministria argumenton se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të ndryshuar””, propozohet në kuadër të reformës së ndërmarrë nga Qeveria e Shqipërisë për riinxhinierimim e shërbimeve publike, ku pjesa më e madhe e tyre ofrohen “on-line”, në bazë të aksesit të shtetasve në portalin qeveritar unik “ealbania”.

“Me zbatimin e reformës është shtuar gama e shërbimeve “on-line” për qytetarët, të cilëve krahas dokumenteve me nënshkrim elektronik të prodhohen me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010, u mundësohet dhe përftimi i dokumenteve të tjerë që më parë lëshoheshin nga zyrat e gjendjes civile në bashki / njësi administrative dhe zyrat e arkivës së gjendjes civile pranë prefektit të qarkut në sportel” thuhet në relacion./MONITOR

Shqipëria hyn në “garë” me 3 shtete për Dritan Rexhepin! SPAK kërkon ekstradimin e “mbretit” të drogës, por kush do ta “rrëmbejë” liderin e kartelit “Kompanio Bello”

SPAK ka përgatitur dosjen me të cilën pretendon të sjellë para drejtësisë sonë Dritan (Gramoz) Rexhepin, të konsideruar si baroni ndërkombëtar i drogës.

I arrestuar nga forcat e antidrogës turke, me sinjalin e policisë italiane, vlonjati 43 vjeç, kërkohet me ngulm nga Shqipëria për t’u sjellë përballë Prokurorisë së Posaçme, aty ku ndodhet edhe dosja e një prej krimeve më të tmerrshme të ndodhura në vendin tonë në dekadën e fundit.

SPAK do të përpiqet t’ua “rrëmbejë” shteteve të tjera që kanë të njëjtin interes për hetimin dhe gjykimin e të arrestuarit të Turqisë, për shkak se ndaj tij janë një mori çështjesh të hapura, si në Itali, Britaninë e Madhe dhe në Ekuador, vendi ku u arrestua, dënua dhe u la i lirë në një masë dënimi të lehtë, masë të cilën Rexhepi e shfrytëzoi të ‘arratisej’ nga vendi.

Edhe pse ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me kohën e largimit nga Ekuadori, vendi nga ku ai nisi një mbretërim të ri me anë të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndonëse lirimi i tij përkon me disa vrasje në qytetin port të Guayas. Nga aty, ku ai vuante edhe dënimin prej 13 vjetësh burgim dhënë nga gjykatat vendase, Rexhepi dyshohet se porositi rrëmbimin dhe mbajtën peng të Jan Prengës, në shenjë hakmarrjeje për një sasi lënde narkotike që ishte vjedhur në portet e Anglisë.

Për këtë sasi droge të zhdukur ishte vënë nën akuzë nga grupet kriminale, vëllai i Prengës, i cili më vonë ra në burg atje. Duke mos pasur mundësi të kishin përballje fizike më vëllanë që ata pretendonin që iu kishte vjedhur kokainën, u organizuar goditja në familje, ku në mesin e ditës, në mesin e qytetit të Kamzës u rrëmbye nga katër persona Jan Prenga. Ai u mor në një makinë fuoristradë, por fakti që policia u vu shumë vonë në dijeni të rrëmbimit, Jan Prenga dyshohet se ndërroi jetë para se sa të dërgoi në vendin ku edhe ishte parashikuar të mbahej peng.

Në fakt, për atë ngjarje të rëndë, ka pamje tronditëse, fakte dhe emra personazhesh të fuqishëm të botës së krimit në vend, ku asnjë prej tyre nuk është vënë në pranga. I vetmi person i ndëshkuar për atë ngjarje është vetëm kopshtari i resortit, nga ku u pa të dilte trupi i pajetë i pengut të mafies së kokainës për tu zhdukur sot e asaj dite.

DOSJA

Ditën e djeshme u bë me dije se Prokuroria e Posaçme ka përgatitur dosjen me të cilën do të kërkohet ekstradimi i Dritan Rexhepit nga Turqia, pas arrestimit të tij mëngjesin e 8 nëntorit. Materiali do t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë ditën e sotme, për tu nisur në rrugë zyrtare për në Turqi, pasi të përkthehet në gjuhën turke. Pjesë e dosjes do të jenë të gjitha vendimet në ngarkim të Dritan Rexhepit, të dhëna nga gjykatat shqiptare, dënimi për vrasjen e 2 policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999, bashkëngjitur provat konkrete edhe për porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës me porosi të bosit të kokainës nga burgu ku ndodhej në Ekuador.

Në garë me Shqipërinë për ta ekstraduar “mbretin e arratisjeve” është edhe Italia, e cila ndihmoi autoritetet turke në gjurmimin e Rexhepit dhe më pas në arrestimin e tij në një vilë në periferi të Stambollit. Prangosja e bosit të kokainës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare ndërkohë që tashmë nis edhe beteja për ekstradimin e tij. Ende nuk ka informacione në lidhje me dy shtete që e kërkojnë, nëse do të tentojnë ta marrin me çdo kusht Rexhepin për ta vënë përballë drejtësisë së tyre, por Shqipëria, me anë të përpilimit të të gjitha fakteve që e lidhin me ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, tenton të përfitojë për shkak se ngjarja është jo vetëm e rëndë por edhe mjaft e ndjeshme.

Po përveç këtyre fakteve, për atë krim të rëndë ende nuk ka asnjë person të dënuar për rrëmbimin, vrasjen, zhdukjen dhe humbjen e gjurmëve të krimit të rëndë. Po ashtu Italia, autoritetet e së cilës e kërkojnë Rexhepin prej shumë vitesh dhe që e kanë gjurmuar të kërkuarin e tyre, kanë bërë kërkesë për ekstradimin e tij, ndërkohë që mediat e Ekuadorit prej ditësh ‘vlojnë’ me ngjarje të dyshimta me të cilat lidhin emrin e kapos së “Kompanio Bello” me to.

Kulluri: Bardhi i bie derës së gabuar, nuk ekziston për ne! Gjendja psikoemocionale e Foltores është e rëndë

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD Edvin Kulluri i ftuar në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Arbën Hitaj tha se gjendja emocionale e “Foltores” është e rëndë, e këtë e thotë duke iu referuar akuzave të Sali Berishës ndaj SPAK e cila e akuzon për korrupsion për aferën e privatizimit t ish-kompleksit Partizani.

“Bardhi nuk ekziston për ne i bie derës së gabuar. Rama është bërë i fuqishëm dhe nuk pyet as për opozitë. Këtu SPAK po e kthen PS në shërbim të provës të së majtës. Gjendja psikoemocionale e foltores është e rëndë. Ata kanë hyrë në një cikël psikoemocional që unë nuk e shpjegoj dot.

Me këto marrëzira që flasin një zot e di se ku e gjejnë kurajon të artikulojnë këto mendime ndaj SPAK që e dimë shumë mirë që nuk është vepër e SPAK”, tha Kulluri.

SHËNIM/ Pse Partia Demokratike mbetet e vetmja shpresë për shqiptarët?

Skena politike e sotme është aq shumë e trazuar saqë është e pamundur të dëgjohen zërat dhe propozimet e arsyeshme.

Në vend të ideve, mbizotërojnë akuzat.

Në vend të propozimeve konkrete, vendin e ka zënë show-i politik i pushtetit dhe i “Rithemelimit”.

Qeveria është goditur nga SPAK-u, por një gjë e tillë nuk është shndërruar në përfitim për opozitën.

Sepse atë po e mban peng një njeri, Sali Berisha, për hallin e tij personal.

Në kushte të tjera, ai do ishte braktisur, mirëpo grupimi i Gaz Bardhit dhe pak deputetë që e ndjekin për egoizëm të shfrenuar dhe për ëndrra me sy hapur si liderë të mëdhenj, kanë bërë që situata të jetë e turbullt.

Në kushtet kur Edi Rama fshihet pas gishtit tregues ndaj Berishës dhe Metës, Gaz Bardhi fshihet pas Sali Berishës dhe ky i fundit fshihet në selinë e uzurpuar të PD-së prej SPAK-ut, e vetmja shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët ngelet Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kryetari i saj Lulzim Basha.

Kur të tjerët fshihen nga diçka, ai takon njerëzit.

Kur të gjithë sulmojnë SPAK-un, ai dhe grupimi mbështetës i Partisë Demokratike inkurajojnë sistemin e drejtësisë.

Kur të parët janë bojkotuar dhe takojnë vetëm njëri-tjetrin, Basha pritet në Bruksel dhe në Londër.

Kur Rama bën llogje dhe “Rithemelimi” hedh karriget, Basha dhe grupi i deputetëve të PD artikulojnë zgjidhje, ngrehin shqetësime dhe japin alternativa.

Rruga nuk është aspak e lehtë. Ajo kërkon sakrifica dhe alturizëm.

Por ky është një mision dhe e ardhmja u takon atyre që e trajtojnë politikën si të tillë.

Deutsche Welle: Si u shemb skela që vrau 5 shqiptarë në Gjemani

Në fund të tetorit, një skelë u shemb në Hafencity të Hamburgut, duke vrarë pesë persona me origjinë shqiptare. Autoritetet e kishin ekzaminuar nga afër vendin vetëm disa ditë më parë – dhe patën konstatuar defekte.

Sipas një informacioni të televizionit publik NDR, në disa pjesë të kantierit të madh të ndërtimit në vendin e quajtur Überseequartier, mungonte mbrojtja nga rënia. Pajisjet mbrojtëse personale të disa punëtorëve nuk ishin kontrolluar. Dhe: kantieri nuk ishte i sigurt kudo, që të mos dëmtohej askush në rast të rënies së objekteve.

Këto janë vetëm disa nga defektet e vërejtura në kantierin e dëmtuar të ndërtimit në Überseequartier nga Zyra e Rregulloreve të Ndërtimit dhe Inxhinjerisë Strukturore e Hamburgut. Dhe këto qenë konstatuar saktësisht dhjetë ditë para se një skelë e madhe të rrëzohej në një pus ashensori. Kjo del nga përgjigja e Senatit për një pyetje të kreut i grupit të CDU-së, Dennis Thering.

Pasojat nuk janë ende të qarta

Senati nuk thotë nëse – dhe nëse po, çfarë përfundimesh nxorrën autoritetet nga defektet në kantierin e ndërtimit. Thering shpjegon se siguria në kantieret e ndërtimit në Hamburg duhet të jetë një përparësi kryesore. Procedura penale në vazhdim duhet ta sqarojë çështjen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Skela me punëtorë ra në boshllëk

Aksidenti, i cili u kushtoi jetën pesë punëtorëve të ndërtimit nga Shqipëria ndodhi mëngjesin e 30 tetorit në kantierin e madh të ndërtimit në Überseequartier. Një skelë që mbante disa punëtorë ndërtimi ra nga kati i tetë brenda një boshllëku ashensori. Rreth 150 vetë nga ekipet e shpëtimit u mobilizuan për t’i shpëtuar punëtorët. Sipas informacioneve të siguruara, puna e shpëtimit ishte e ndërlikuar. Nuk është ende e qartë pse u shemb skela.

FOTOT e rralla: Urbanët e Tiranës, në vitet ’40

Ndërsa sot në Tiranë debatojmë për kushtet e urbanëve, në vitet ’40 duket se ata ishin në gjendje mjaft të mirë.

Në foto janë urbanët e linjës Rruga e Elbasanit-Aeroporti i Tiranës (Laprakë).

Foto janë marrë nga arkivi italian LUCE dhe janë botuar në facebook nga faqja “Shqipëri e harruar”.

Vdekja e Lasgush Poradecit, çapitja e një hapi që ndalon, fikja e një ylli që shpërthen në shkëlqimime malli.

Nga Albert Vataj
Ai, Lasgush Poradeci, nuk është prej kaq vitesh në të jetshmit e kësobote. Por poezia e tij, shpirti i dlirë e këndimtar i një zemre andshmërie, vijon të ledhatojë valët e liqenit të mallshëm të Pogradecit, atij mëtimi të urtë që flinte në ëndjen e poetit dhe zgjohej në tamëltimin e vargjeve e epjen joshëse të syve të tij të ujtë e zemrën trazimtare.
Dhe erdhi ajo ditë nëntori, për të kumtuar një mort dhe për të nënshtruar një zëshmëri zjarrmëtare, duke e mëtuar vdekshmërinë si një cytje përnga një tjetër dimension, si një hop për nga një tjetër gjëmimshmëri përjetimi. Behu te pragu fjala që u ngri në buzë, plazmoi në caqe përjetësie, atje tej në yjësi, atje ku shpirti i tij e mbrujti me fjalë dhe vargëzim gjithmonshmërinë e një zemre që e mat gjithësinë me hapa ndjenjash, me çapitje drithëruese trupash që frymojnë në ajrin e kujtimeve si zogj.
Më 12 nëntor të vitit 1987, ajo ditë e cergët e prushit të valëve, gatitej për një cak të mbarimtë fluturimi shpirti që shtegtoi me zjarret dhe këndoi me dëshirimet, e shtrinte pikëllimin e vet me rrëke lotësh dhe zjarmim dhimbjeje. Lajmësit vinin me erën dhe ngrinin me ecjen e mbetur në eter.
Kish vdekur Lasgushi, ishte dhënë dorzan trishitmit ajo prehje e prehërt e mallit dhe kujtimeve.
U bë lajmës kjo gjam që pikoi me retë dhe rrugëtoi me ajrin e ftohtë e kërciti në hapin prej bryme të atij zgjimi terratues, atij mëtimi që ligështon e pikëllon, atij kumtimi që me ndalimin e frymimit të gjoksit, që u ngop me hyjni poezie dhe ndijimi.
Ishte shuar kështu poeti 35 vite të shkuara, si dje moti ish zemëruar e qielli ish ngrysur në gërmushjet gri, kishte reshtur së pluskuari në trokth ai kraharor zjarresh në moshën 88-vjeçare. Shuar kish kënga, këputur ish cicërimi kishte liriku i valëve të liqenit, dashnori i përjetshëm i aventurave zjarrmëtare.
Vdekja e Lasgush Poradecit ishte ndalimi i kohës. Vdekja e Poradecit, ishte vdekja e poetit, fikja e një ylli, ishte ngjarje e galaktikës së shpirtit të botës, i cili jepej në çdo frymim e çdo mëtim.
Vdekja e poetit, nuk përngjason me asnjë tjetër vdekje. Ajo është vetanake sepse gjithçka përkundrull këtij ndalimi ka reshtur së frymuari. Ka ngrirë rrëkaja e strehëve, ka ndalur zogu këndimin, gjethet dhe degët, trishtueshëm kalërojnë kortezhit të stinës dhe thyerjes së një drite.
Gjithçka më pas rrugëton pa të, pa kreshtën jehuese të atij kumbimi shpirti që gjemoi hovshëm në atë gjoks që e shterroi mosha por jo zjarri.
Hapat e hedhur drojshëm dhe pëshpërima e i një zemre që gatitej për trokun e fundit, i viheshin nga pas asaj hijeje që ndiqte trupin e tij të shndërruar në ajër. Ai do të thyhej siç zgjedh një valë të thërmohet në gjurmën që la në rërën e grishur nga etja. Ai do t’i mungonte valëve të liqenit, aq sa do ta pikëllojë zemrën flakatare të dëshirimit. Ai do t’i kthente shpinën gjithçkasë që nuk donte të pranonte asnjë ndarje zemërthyese, siç ishte ajo e poetit.
Të gjithë zgjedhin të ikin, por ai kërkoi dhe la më shumë se aq, la një shtjellë të errët mungimi. Qyteti, njerëzit, liqeni, valët, qielli, retë, era, gjethet, çapitja e hapave, krejt do të mbeten të nderura në kujtesën e kohës si qiej të zbrazur nga fluturimet.
Ai, poeti, Lasgush Poradeci, u këput bashkë me gjethen e fundit dhe iku me valën e liqenit, tej, atje kur asnjë ikje nuk mbërrin dot. Iku për të mbetur tek ne, fjalë gatuara me përjetim dhe prush, poezi e mbrujtur me andje e andërrim, dëshirim e dehje. Poeti i ajrit dhe ledhatimeve i ishte dorëzuar dritës së hyjshme të amshimit, duke mbetur shkëndi në kujtesë që sot ndez mall dhe qiri. Përjetësia i qoft prehër atij shpirti, poezia i’u bëftë prehër çdo zemre që u prush e çdo andje që ju blatua asaj që ai mëkoi.

Përplasjet për çështjen “Beleri”, DW: Kancelari Scholz kundër bllokadës së Greqisë ndaj Shqipërisë

Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh të martën, 14.11.2023, në Berlin kundër bilateralizimit të procesit të zgjerimit të BE. Scholz e tha këtë në përgjigje të një pyetjeje për mosmarrëveshjet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin grek Kyriakos Micotaqis.

Kancelari socialdemokrat theksoi se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është “në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt”. Scholz tha se është e nevojshme të shkohet drejt afrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave iu dha premitimi për anëtarësim pikërisht 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut 2003.

Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e bisedimeve për tre grup-kapitujt e deri në fund të vitit 2023. Këta kapituj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike. Që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Europian të shteteve anëtare të BE. Më 11 nëntor Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.

Shkak për këtë është mbajtja ende në burg e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. 52-vjeçari u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 dhe akuzohet për shit-blerje votash. Autoritetet greke e konsideruan arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit një “cënim të shtetit të së drejtës, shkelje të të drejtave civile, mosrespektim të të drejtave politike.”

 

Dy liderët evorpianë ishin takuar edhe një ditë më parë në një grup të vogël pune, me liderë të ndryshëm të disa vendeve të BE-së, si Hungaria, Qipro, Sllovakia, në një darkë që kishte dhënë të hënën në mbrëmje presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në Berlin. Darka kishte si synim dakordimin mes vendeve për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e BE-së.

 

Scholz kërkon pauza humanitare në Gaza

Micotakis dhe Scholz përsëritën këtë të martë qëndrimin e tyre se, me sulmet hakmarrëse në Gaza, Izraeli po ushtron të drejtën e tij për vetëmbrojtje dhe siguruan se Tel Avivi është “i përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe vepron në përputhje më të”. Të dy liderët ishin kundër ndërprerjes së luftimeve, por u shprehën për pauza humanitare. “Nuk mund të pranohet që të krijohet një situatë në të cilën Hamasi të ketë mundësi të rimëkëmbet, të grumbullojë armë dhe të sulmojë përsëri Izraelin,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Të dy liderët do të takohen këtë javë veçmas me presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili së fundmi i cilësoi bombardimet në Gaza si “fashiste”. Kancelari gjerman Olaf Scholz i shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Erdoganit, i cili pritet të jetë për vizitë në Berlin të premten, më 17 nëntor 2023. Por ai theksoi se Izraeli është pa dyshim një vend demokratik dhe se vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Akuzat kundër Izraelit janë absurde,” tha socialdemokrati Scholz.

Scholz u shpreh për pauza humanitare në Gazë, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare, largimin e të huajve të bllokuar në Rripin e Gazës dhe trajtimin mjekësor të plagosurve. Konservatori Mitsotakis, nga ana e tij, vuri në dukje se e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje duhet të përshtatet “në çdo rast” brenda ligjeve të luftës dhe ligjit ndërkombëtar dhe humanitar. Të dy liderët përsëritën idenë se zgjidhja e vetme është ajo e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës. /DW

Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, analiza e VOA: Çfarë do të ndodhë pasi të jenë ndalur luftimet në Gazë?

Ndërsa janë shtuar thirrjet për armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, izraelitët kanë filluar të mendojnë se çfarë do të ndodhë pasi të kenë përfunduar luftimet. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, anëtarët e komuniteteve përgjatë kufirit me Gazën thonë se do të donin të riktheheshin në shtëpitë e tyre, por vetëm nëse do të ndiheshin të sigurtë.

Kibuci “Kfar Aza” dhe pjesa më e madhe e komuniteteve izraelite në kufi me Gazën janë shndërruar në qytete fantazma që nga 7 tetori, kur militantët e Hamasit shkatërruan shtëpitë, vranë rreth 1200 izraelitë dhe morën peng në Gazë rreth 240 persona.

Izraeli evakuoi rreth 200 mijë banorë të zonave pranë Gazës dhe i strehoi në hotele dhe banesa të përkohshme. Pjesa më e madhe e banorëve të këtyre komuniteteve thonë se duan të kthehen në shtëpitë e tyre, por vetëm nëse sigurohen se nuk do të përsëritet kurrë më ajo që ndodhi më 7 tetor.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e shtetasve izraelitë është që të shkatërrohet plotësisht Hamasi dhe më pas Izraeli të mbajë nën kontroll situatën e sigurisë në Gazë.

 

“Gaza do të çmilitarizohet dhe nuk do të ketë më kërcënim nga Rripi i Gazës për shtetin e Izraelit. Dhe me qëllim që të sigurohemi se nuk do të ketë një kërcënim të tillë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll sigurinë në Rripin e Gazës për të parandaluar terrorin që mund të vijë prej andej”, tha Kryeministri Netanyahu.

 

Ndërsa po rritet numri i viktimave në radhët e civilëve, po shtohet trysnia ndaj Izraelit nga aleati kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të bërë më shumë për të lehtësuar krizën humanitare që po përkeqësohet.

“Janë vrarë shumë palestinezë, shumë kanë vuajtur gjatë javëve të fundit, dhe duam të bëjmë gjithçka të mundshme për të shmangur dëmet ndaj tyre dhe për të maksimalizuar asistencën që marrin”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Megjithëse udhëheqësit izraelitë nuk janë kundër ndihmave humanitare për Gazën, ata thonë se nuk mund të ketë armëpushim për sa kohë që Hamasi vazhdon të mbajë peng 240 persona. Kjo është një kërkesë edhe e familjarëve të pengjeve dhe me mijëra izraelitëve që i mbështesin ata. Analistët thonë se armëpushimi do të ishte një gabim strategjik.

“Një armëpushim për Izraelin do të thotë thjesht se fiton Hamasi, se ia hedh pa u ndëshkuar për vrasjet në masë dhe se Izraeli humb. Nuk do të jemi në gjendje të rivendosim sigurinë në territorin tonë, dhe as nuk do të jemi në gjendje të rikthejmë rolin tonë parandalues në rajon. Armiqtë tanë do të kuptojnë se sa herë na godasin dhe ne fillojmë të vetëmbrohemi, komuniteti ndërkombëtar do të na lidhë duart me një armëpushim”, thotë Michael Oren, ish-ambasador i Izraelit në Shtetet e Bashkuara.

Por, dikur luftimet do të ndalen dhe dikush do të duhet të drejtojë rindërtimin në Gazë dhe administrimin e 2.3 milionë banorëve.

Shtetet e Bashkuara mendojnë se Autoriteti Palestinez, që tani qeveris Bregun Perëndimor, do të marrë përsipër rrjedhimisht edhe Gazën. Por, vëzhguesit thonë se Autoriteti Palestinez shihet si i dobët dhe i korruptuar nga shumica e palestinezëve. Edhe Kryeministri izraelit Netanyahu është kundër drejtimit të Gazës nga Autoriteti Palestinez.

Analistët thonë se një zgjidhje e përkohshme mund të arrihet nëpërmjet një lloj autoriteti qeverisës ndërkombëtar.

“Do të duhet kohë derisa të krijohet një sovranitet i fortë në terren, një pushtet vendor. Pasi Izraeli thotë se nuk dëshiron të qeverisë Rripin e Gazës, nuk dëshiron të qëndrojë në Rripin e Gazës. Komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara nuk shohin një të ardhme në ripushtimin e Gazës. Pra, në fund të ditës, Rripi i Gazës do të duhet të qeveriset nga palestinezët, por do të duhet kohë që të krijojmë, të inkurajojmë, apo të mbështesim ngritjen e një strukture pushteti vendor në Rripin e Gazës”, thotë Avi Melamed, analist për sigurinë në Lindjen e Mesme.

Tani për tani, luftimet e ashpra vazhdojnë në Gazë, ndërsa viktimat vazhdojnë të shtohen nga të dyja palët dhe pa një fund të afërt./VOA