26.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Çfarë ndodhi pas vrasjes në Durrës? Dëshmia e Erion Alibej

Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, këtë të martë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Alibej, një prej figurave kyçe në dosjen “Plumbi i Artë”, po përballet me akuza të rënda për drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe porositje vrasjesh.

Në dëshminë e tij, Alibej rrëfeu një sërë veprimesh të ndërmarra pas vrasjes së vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, përfshirë kontaktet me Nuredin Dumanin, strehimin e tij në Elbasan dhe tentativat për kapjen e të shumëkërkuarit Talo Çela.

Klevis Allën nuk e kam takuar asnjëherë. Në atë periudhë, Nuredini ishte i pasigurt nëse Klevisi kishte folur apo jo për të,”- deklaroi Alibej.

Ai tha se kishte marrë Dumanin në Elbasan për shkak të gjendjes së rënduar në të cilën ndodhej ky i fundit në zonën e Spillesë. Për këtë qëllim, Alibej pretendon se kishte blerë një banesë në Elbasan dhe e kishte strehuar Nuredin Dumanin.

Vendosa të marr Nuredinin në Elbasan, sepse kisha merak për të, mos i ndodhte gjë në Spille ku nuk kishte kushte. Bleva një shtëpi në Elbasan, pasi nuk po gjeja më me qira, dhe ia mora në emër të Sander Bahos. Kemi marrë informacion që Talon e strehonte Abedin Mama. Po bënim vëzhgime dhe Nuredini më tha që kishte angazhuar ‘çunat e Fushë-Krujës’, vetëm me emrat Besi dhe Veri. Ata kishin shkuar te një pulëtorja për të kërkuar Talon.”

Ai shtoi: “Dumani ishte zhvendosur në Spille dhe ishte në gjendje të keqe, kështu që vendosa ta marr në Elbasan. I bleva një shtëpi dhe e kompletuam. Para se të shperngulej familjarisht, Nuredini fillimisht erdhi vetë. E mori Sander Baho në dalje të autostradës, dhe për disa kohë qëndroi në shtëpinë e tij. Më pas, e tërhoqa në shtëpinë që kisha blerë për të.

Nga fundi i prillit, më kontaktoi një djalë me emrin Endri Karaj, i cili më tha se donte të fliste me mua në emër të Xhuljan Hoxhës. I thashë se nuk isha në Shqipëri, megjithëse isha në shtëpi në Elbasan. Më vonë, kam komunikuar me Xhuljan Hoxhën, i cili më dërgoi foto dhe më tha që Rigers Runaj po i jepte të gjitha informacionet. Më tha se Runaj ishte afër shtëpisë sime. Unë nuk e zgjata shumë bisedën dhe i thashë që kur të kthehem në Shqipëri do ta takoj fizikisht.”- tha Alibej.

Teatri i antagonizmit: Një regjim me dy protagonistë në simbiozë destruktive

Nga Neli Demi

Një regjim, dy fytyra

Nëse do t’i shihnim si dy pole të kundërta, Rama dhe Berisha përfaqësojnë gjithë spektrin e një Shqipërie të ndarë, të lodhur, të kthyer në spektatore të krizës së vet. Por në thelb, ata janë të lidhur me një fijë të padukshme, të ngjashme me marrëdhënien mes një substance dhe pasqyrimit të saj në një tjetër medium. Secili përkufizohet nga ekzistenca e tjetrit. Secili ka ndërtuar legjitimitetin e vet mbi refuzimin e tjetrit.

Berisha është kthyer si një “antidot” ndaj së keqes që quhet Rama. Rama përherë ka fituar si “shpëtimtar” ndaj së shkuarës që përfaqëson Berisha. Njëri gërryen të sotmen për të mbrojtur një të shkuar të idealizuar. Tjetri kap të ardhmen për të shmangur llogaritë e së shkuarës. Dhe ndërsa gjuha politike flet për përplasje, realiteti na flet për një simbiozë destruktive, ku lufta mes tyre nuk shkatërron sistemin, por e stabilizon atë duke shkatërruar çdo gjë tjetër që përpiqet t’i rivalizojë.

Kjo marrëdhënie nuk është më thjesht konkurrencë. Është një binar i vetëpërtëritshëm, një dualizëm që paralizon çdo alternativë. Rama dhe Berisha janë dy fytyra të të njëjtit model pushteti. Një model që nuk funksionon më për qytetarin, por vetëm për kastën që e mirëmban.

Simbioza destruktive si një formë stabiliteti të kalbur

Në natyrë, simbioza është marrëdhënie bashkëjetese mes dy organizmash që përfitojnë nga njëri-tjetri. Në politikë, kur kjo marrëdhënie ndodh mes dy kundërshtarësh që e mbajnë njëri-tjetrin gjallë përmes përjashtimit të të tretëve, kemi të bëjmë me një simbiozë destruktive.

Rama dhe Berisha, në mendimin tim, janë aktorë të këtij tipi simbioze. I pari ka ndërtuar një regjim të mbështetur mbi kontrollin e mediave, kapjen e institucioneve, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe iluzionin e modernitetit. I dyti mban peng çdo mundësi të reformimit të opozitës, duke shfrytëzuar forcën/instiktin e mbijetesës personale si strategji politike.

Berisha është alibia më e vlefshme për çdo gabim të Ramës. Rama është garancia më e fortë për mbijetesën e Berishës. Asnjëra palë nuk ka interes të zhdukë tjetrën, sepse zhdukja e njërit do të thotë krizë për vetë legjitimitetin e tjetrit. Ky është paradoksi i këtij sistemi simbiotik: nuk qëndron në peshoren e vlerave, por në ekuilibrin e frikës.

Dhe ndërsa kjo simbiozë thellohet, shoqëria shqiptare zhgënjehet në heshtje, intelektualët ftohen nga pjesëmarrja publike, qytetari dekurajohet nga vota dhe vetë demokracia shndërrohet në një ritual pa përmbajtje.

Rregjimi i mungesës së zgjedhjes

Kur gjithçka përqendrohet rreth këtij dueti antagonisto-simbiotik, realiteti politik i vendit shndërrohet në një teatër, ku publiku nuk sheh më dallimin mes rolit dhe aktorit. Votuesit nuk zgjedhin më. Ata ndryshojnë pozicionin e spektatorit në sallë, por jo shfaqjen.

Në këtë kontekst, mungesa e alternativës bëhet qëllim politik, jo pasojë. Sepse çdo përpjekje për të thyer këtë rreth vicioz përballet me dy forca të bashkërenduara: refuzimin agresiv të opozitës së vjetër dhe strategjitë e përthithjes të pushtetit aktual. Të dyja funksionojnë si valvola të së njëjtës makineri që nuk lejon qarkullimin e ideve, figurave, apo projekteve që nuk burojnë nga vetë trupi i saj.

Dhe kështu, qytetari ndihet (ngel) pa hapësirë: i zhgënjyer nga një opozitë që nuk e bind dhe i lodhur nga një pushtet që e mbyt. Ai largohet, hesht, dorëzohet. Demokracia zbrazet nga kuptimi. Frika rikthehet si formë e vetme organizimi i shoqërisë.

Përtej protagonistëve: Nevoja për një akt të ri politik

Nëse Rama dhe Berisha janë dy protagonistët e një teatri që zgjat prej dekadash, atëherë kriza e sotme nuk është më thjesht krizë politike. Është krizë e imagjinatës politike kolektive, e aftësisë për të përfytyruar një tjetër skenë, me aktorë të rinj dhe me një publik që nuk rri më spektator por kërkon llogari.

Sepse një simbiozë destruktive jeton vetëm për aq kohë sa publiku e ushqen me frikë dhe me plogështi. Me frikën se çdo alternativë tjetër është më e keqe, dhe me plogështinë për të ngritur një alternativë të re.

Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për të ndërtuar një rrymë të tretë, një qasje ndryshe, shpërfillet, ridikulizohet, injorohet. Sepse do të duhej të thyente këtë binar të forcës dhe nostalgjisë, të pushtetit dhe revanshit.

Por historia nuk përparon nga ringjallja e simboleve të vjetra, por nga guximi për të shpikur një tjetër mënyrë të të menduarit dhe të të vepruarit. Shqipërisë i duhet një kthesë që nuk vjen as nga të rikthyerit në skenë, as nga të paprekshmit në pushtet, por nga ata që guxojnë të lexojnë të sotmen me sy të lirë dhe të flasin me zë të vetin.

Nëse nuk dalim nga ky teatër, do të na përcaktojnë gjithmonë rolet të tjerët. Dhe historia do të mbetet peng i dy aktorëve që ushqejnë njëri-tjetrin me praninë e vet.

Testi në Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, dalin tezat 20 minuta pas fillimit të provimit

Ashtu si edhe në provimet e tjera, edhe këtë herë Ministria e Arsimit ka dështuar.

Teza e provimit të Gjuhës Shqipës dhe Letërsisë, të cilët maturantët po i nënshtrohen ditën e sotme, është publikuar në rrjetet sociale vetëm 20 minuta, pasi nxënësit u futën në provim.

Bëhet fjalë për variantin e tezës B, teksa tashmë pritet si gjithmonë reagimi i Ministrisë së Arsimit, duke u justifikuar me pretendimet se kjo gjë nuk e justifikon procesin. Publikimi i tezave të provimeve të Maturës që duhej të ishin sekret vijojnë të bëhen publike.

Maturantët u futën në provim në orën 10:00 dhe përfundojnë në orën 12:30, ku të gjithë janë të detyruar të qëndrojnë në klasat ku zhvillohet provimi deri në fund.

Kujtojmë se më 3 Qershor maturantët iu nënshtrua provimit të parë, atij të gjuhës së huaj, teksa do të zhvillojnë provimin e Matematikës më 17 qershor dhe më pas Provimin me Zgjedhje më 24 qershor.

     

Basha për Bukoshin: Një jetë në shërbim të Kosovës dhe të kombit shqiptar

Lulzim Basha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë kyçe në historinë e shtetformimit dhe një personalitet me vizion të qartë europian për të ardhmen e kombit shqiptar.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, një lider i palodhur në kohët më të vështira dhe një simbol i përkushtimit ndaj Kosovës dhe çështjes kombëtare,” – shkruan Basha.

Ai kujton me mirënjohje bashkëpunimin me Dr. Bukoshin në projektet arsimore që lidhnin Shqipërinë dhe Kosovën në vitet e vështira pas luftës, duke theksuar përkushtimin e tij për të investuar tek të rinjtë si garanci për të ardhmen.

“Dr. Bukoshi ishte më shumë se një politikan dhe mjek – ai ishte një urë mes njerëzve, një njeri me integritet dhe përkushtim të rrallë, që do të mbetet në kujtesën e kombit si një nga ndërtuesit e parë të shtetit të Kosovës,” vijon Basha.

Postimi i Bashës:

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e themelimit të pavarësisë së Kosovës dhe në zemrat e shumë njerëzve.

Kam pasur privilegjin ta njoh fare i ri, dhe të bashkëpunoj me të për një qëllim të përbashkët, sjelljen e studentëve nga Shqipëria dhe Kosova për studime në Holandë. Ai ishte gjithmonë i përkushtuar dhe me një vizion të qartë për të investuar te rinia si shpresa për të ndërtuar një të ardhme europiane për kombin shqiptar.

Dr. Bukoshi ishte më shumë se një politikan dhe mjek; ai ishte një urë lidhëse midis njerëzve, një udhëheqës i palodhur në kohët më të vështira dhe një burim frymëzimi për ne të gjithë.

Kosova humbi sot një prej bijve të saj më të devotshëm, ndërsa unë humba një mik të vyer.

Trashëgimia e tij do të vazhdojë të udhëheqë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi, bashkëshortes Zana, vajzave Ora, Shota dhe Nita, dhe gjithë atyre që e njohën e e deshën.

I paharruar kujtimi i tij. U prehtë në paqe!

Lidhja Shqiptare e Prizrenit konstruktoj Shtetin Komb!

Nga Azgan Haklaj

Ripërtëriu epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit!

I kallëzoj botës se shqiptarët janë trashëgimtarë të një rracë fisnike, bartës të një gjuhe e kulture që ka lindur në agimin e qytetërimit botërorë!

Brumosi shqiptarët me ndjenjën e nacionalizmit, zgjoj vetëdijen kombëtare, dashurinë për Atdheun e sakrificën sublime për të!

“Sikur tri jetë t’i kisha, të tria do t’i shkrija për lirinë e Atdheut.
“Jetoni dhe vdisni për Shqipëri”. Sylejman Vokshi

Me dt 10-të qershor të vitit 1878-të dhjetëra delegatë nga të gjitha viset shqiptare u mblodhën në Prizren, në Kuvendin e Prizrenit.
Burrat e shquar të Kombit Shqiptar, gjeneralë, ushtarakë karriere, ideologë të nacionalizmit dhe Rilindjes Kombëtare, klerikë e prijës të sprovuar në luftërat për liri thirrën këtë Kuvend panshqiptarë si domosdoshmëri historike.
Ata filluan punimet e tij menjëherë pa humbur kohë, ndonëse nuk kishin mbërritur të gjithë delegatët, për shkak të pengesave të shumta, që synonin sabotimin e organizimit të kësaj besëlidhje shqiptare.
Për numrin e pjesëmarrësve ka të dhëna të ndryshme, që nga, 300, 133, 110, 47, por sigurisht nuk janë të përfshirë të gjithë, për arsye se delegatët e vilajetit të Shkodrës nuk arritën të mbërrinin në kohë, po ashtu edhe të Manastirit, kurse nga vilajeti i Janinës kishin ardhur vetëm 2, natyrisht njeri ishte Avddyl Frashëri.
Kishin ardhur edhe disa feudalë sllavë e turqë nga viset e Bosnje Hercegovinës.
Vetëm bordi i Lidhjes kishte 60 antarë.
Kararnamen (dekretin), e kanë firmosur 47-të vetë, prandaj shumica e studiuesve i referohen këtij numri pra nr 47.
Kjo ngjarje historike për nga efekti që solli në historinë kombëtare për liri e pavarësi dhe shtetëformim, pavarësisht largësisë kohore, radhitet me dinjitet dhe meritë të pamohueshme përkrah famëmadhes, Besëlidhjes së Lezhës dhe është vazhdim i natyrshëm i ideologjisë, platformës e srategjisë së saj në kushte të reja historike.
Ky Kuvend panshqiptarë me shtrirje e pjesëmarrje nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar, pas Shtetit të Përqendruar Arbëror të Gjergj Kastriotit, është e para lëvizje kombëtare që ripërtëriu Epokën e Moisiut tonë, Gjergjit të lavdishëm.
Ky Kuvend është i pari i organizuar me platformë të qartë politike, ushtarake, administrative.
Betejat shekullore të popullit shqiptar deri atherë ishin të identifikuara me kryengritjet e pandërprera e të përgjakshme kundër Perandorisë Osmane.
Por atëkohë rreziku i frikshëm ishte ekspansioni shovinist sllavo- ortodoks i shteteve fqinjë që kishin shpallur pavarësinë nga Turqia, si Serbia, Greqia, Bullgaria, Mali i ZI, prandaj shtrohej përpara elitës shqiptare nevoja urgjente e mbledhjes së një Kuvendi Kombëtar të mandatuar nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare.
Populli shqiptar me anë të prijësve e përfaqësuesëve të tij u dha plotëfuqinë delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të vendosur për të ardhmen e tij.
Beteja ishte në shumë fronte me turqit, malazezët, serbët, bullgarët, grekët.
Disfatat e rënda të otomanëve me Rusinë Cariste, çertifikimi që i bëri Traktati i Shën Stefanit ëndrrave shoviniste të Rusisë e satelitëve të saj sllavë në Ballkan, fqinjëve armiq’ shekullorë të shqiptarëve e vunë në pikëpyetje serioze vetëekzistencën shqiptare dhe të ardhmen e tyre në Ballkan.
Në këtë udhëkryq të errët të historisë, shqiptarët patën fatin e madh historik të kishin si interpret të ëndrrave të së ardhmes së tyre një ansambël burrash të shquar, mendjendritur, vizionarë e luftëtarë të paepur, të cilët kanë zënë vend të përjetshëm në Panteonin e Kombit Tonë.
Rilindasit e mëdhenj Pashko Vasa, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, prijësit e shquar Iliaz Pashë Dibra, Mehmet Pashë Deralla, Ali Pashë, Gucia, Idriz Seferi, Binak Alija, Haxhi Zeka, Hodo pashë Sokoli patën në krah komandantët e shquar Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Ded Gjon Luli, Baca Kurti, Çun Mula, Preng Bib Doda, klerikët patriotë Imer Prizrenin dhe Ahmet Koronicën, trimat e shquar Jakup Ferri, Mic Sokoli, Col Delia, Sef Kosharja, Shpend Zeqir Haklaj, simbolet e pavarësisë së Shqipërisë Bajram Curri e Isa Boletinin që rrokën pushkët e u rreshtuan në Ushtrinë e saj në moshë fare të re.
Listës së personaliteteve kontribues të Lidhjes i shtohen Haxhi Shaban Prizreni, Hasan pashë Tetova, Zija bej Dibra, Jashar bej Shkupi, Shaban Bej Peja, Filip Doda, Shuajip Spahiu, Mustafa pashë Vlora, Vesel bej Dino etj.
Disa ditë para këtij Kuvendi historik Sulltan Abdyl Hamidi kishte thirrurr në Stamboll disa personalitete shqiptare me qellim që t’ua ipononte dhënien e karakterit islamik kësaj besëlidhje shqiptare, e pasi dështoj në përpjekjet e tij për t’i bindur u mundua t’i pengonte për të kthyer, por nuk ia arriti qëllimit dhe ata mbërritën në kohë.
Vendimi i Kuvendi të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare, pasi i dha goditje dërrmuese Stambollit në përpjekjet e tij për ta veshur atë me mantel islamik dhe hodhi themelet e një organizate kombëtare shqiptare.
Menjëherë u formuan organet e saj të larta.
Në krye të saj qëndronte Këshilli i Përgjithëm me seli në Prizren, me kryetar Iliaz Pashë Dibrën.
U krijua qeveria e përkohëshme, Ushtria e saj.
“E verteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” e Pashko Vasës u ba Platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Uniteti Krahinor dhe fetar ishte boshti ideologjik i udhëheqësve të saj, të cilat u sanksionuan edhe në programin dhe në aktet juridike të saj, të hartuara nga Iluministi Pashko Vasa.
U shpall një besëlidhje e përgjithshme për ndalimin e të gjitha veprimeve të gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave të ndryshme që përfaqësoheshin në Kuvendin e Prizrenit.
Në relacionet që iu dërguan kancelarive të fuqive të mëdha të kohës, drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ia banë qartësisht të ditur opinionit publik ndërkombëtarë se shqiptarët janë një Komb dhe etni e pandarë në trojet e tyre të lashta iliro-dardano-arbërore në Ballkan.
Vendosmëria e Qeverisë së Përkohëshme e kryesuar nga Imer Prizreni dhe e Ushtrisë së Lidhjes e kryesuar nga Sylejman Vokshi për të mbrojtur me çdo çmim trojet shqiptare nxitën e vunë në veprim të shpejtë diplomacinë ruse dhe agjentët e saj për të përçarë shqiptarët në bazë fetare.
U hartua një plan ogurzi për spastrimin territorial në trekëndëshin Pejës -Gjakovë -Prizren nga shqiptarët katolikë që banonin në këto treva qysh në kohët e Krishtërimit Apostolik.
Këtij projekti famëkeq iu kundërvunë me vendosmëri e vizion patriotik kombëtar udhëheqësit e shquar të Lidhjes Haxhi Zeka dhe Ali Ibra.
Për Ali Ibrën, konsujt austriakë e rusë i njoftuan menjëherë kryeqendrat e tyre perandorake, Vjenën dhe Shën Petërburgun se “I ka marrë në mbrojtje shqiptarët katolikë të Rrafshit të Dukagjinit”.
Turqia edhe pse ishte goditur rëndë nga Traktati i Shën Stefanit i dt 3 mars të vitit 1878-të, edhe pas ngjarjeve e 4-5-6 shtatorit të vitit 1878-të, aksioni i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që kulmoj me vrasjen në kullën e Adullah Pashë Drenit të Mehmet Ali Pashë Maxharrit, i cili kërkonte që Plavë e Gucia t’i jepeshin Malit të Zi, ajo nuk kishte ndërmend të bënte asnjë lëshim ndaj kërkesave të shqiptarëve për autonomi e vetëqeverisje.
Së bashku me të u vra dhe Adullah Pashë Dreni, i cili kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për organizimin e Lidhjes, por u rreshtua me të derguarin e fuqive të mëdha, e mori në mbrojtje atë, duke tradhëtuar kauzën kombëtare e duke u damkosur si tradhëtar.
Turqia nuk donte të njihte dy elementë themelorë të identitetit shqiptar Kombësinë Shqiptare dhe Gjuhën Shqipe.
Krahas betejave legjendare në disa fronte kundër turqëve dhe sllavëve Qeveria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloj dhe një betejë intensive diplomatike nëpërmjet kryeministrit të Italisë së bashkuar, arbëreshit Françesko Krispi.
Abdyl Frashëri e patriotë të tjerë arritën ta ndërkombëtarizojnë çeshtjen kombëtare dhe ta vinin në tavolinën e kancelarit gjerman Bismark, pikërisht në virgjilje të Kongresit të Berlinit me dt 13-të qershor të vitit 1878-të, ku fuqitë e mëdha do të përcaktonin kufijtë e Ballkanit.
Megjithëse i mbledhur për të korrigjuar Traktatin e Shën Stefanit dhe për t’i venë fre orekseve shoviniste ruse në Ballkan Kongresi i Berlinit u shkaktoj dëme të mëdha shqiptarëve.
Vendimet e tij u pritën me indinjatë nga patriotët shqiptarë anë e mbanë trojeve etnike shqiptare.
Ushtria vullnetare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloj beteja legjendare me forcat ushtarake të Mark Milanit të Malit të Zi dhe i zmbrapsi ato duke u shkaktuar humbje të mëdha.
Vetëm në brigjet e Lumit Lim trimat shqiptarë të udhëhequr nga Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, i asgjesuan qindra- mijëra luftëtarë malazezë.
Aq të përgjakshme ishin këto beteja saqë Limi u skuq nga gjaku i derdhur dhe kokat e të vrarëve rrokulliseshin nëpër lumë si gurë.
Beteja e qëndresa shqiptare pati jehonë ndërkombëtare.
Katër shekuj pas Epopesë së Gjergj Kastriotit (Skenderbeut) shqiptarët arritën të bëhen faktor detërminues në Ballkan.
Berlini u dorëzua duke respektuar faktet reale në terrenin e luftimeve.
Në vend të Plavë -Gucisë u njohu të drejtën malazezëve të aneksonin Hotin dhe Grudën.
Ideatorët e Planit B të Berlinit menduan se këto treva që banoheshin nga shqiptarët katolikë do të ishin kockë e lehtë për t’u gëlltitur me pretendimin se Mali i Zi i krishterë do t’i mashtronte me lehtësi e më vonë do t’i asimilonte krejtësisht ata.
Trimat e këtyre maleve dhe ushtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i mbrojtën këto troje me të njëjtin heroizëm që mbrojtën Plavë- Gucinë.
Në të gjitha kryeqendrat e trevave shqiptare, nga Janina në Ulqin dhe Tivar Lidhja Shqiptare e Prizrenit i krijoj degët e saj.
Ngriti administratën e gjykatat shqiptare.
Urdhëroj përdorimin e Gjuhës Shqipe.
Me këto veprime të shpejta konstruktoj tiparet themelore të qenësishme të Shtetit Komb.
Ajo asnjëherë nuk e njohu ndarjen administrative të shqiptarëve në katër vilajete, pas riorganizimit të Perandorisë Otomane me përfundimin e reformave të Tanzimatit.
Ajo krijoj një autoritet qëndror, politik, administrativ, ushtarak duke krijuar qeverinë e saj.
Kushtet e rënda historike, në të cilat u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, beteja në disa fronte, dhe statukuoja që fuqitë e mëdha europiane e monarkitë e tyre vëndosën në Ballkan, egërsia dhe barbaria e ushtrisë turke e armatosur gjer në dhëmbë ndaj popullsisë civile të pambrojtur e detyruan atë që pas luftimeve heroike dhe qëndresës së paepur në Shtime dhe Caralevë me dt 18-23 prill të vitit 1881 të shpërndahej.
Me 18-të prill të vitit 1881 Ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndesh me ushtritë turke të komanduara nga Dervish Pasha në Shtime dhe Slivovë.
Rreth 3000 luftëtarë, vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione turke me mbi 15000 ushtarë, oficerë, të paisur me armatimin më të mirë të kohës.
Betejat ishin të përgjakshme, me heroizëm të madh të shqiptarëve, ndonëse në kushte të pabarabarta, por u treguan qëndrestarë të paepur e të pathyeshem deri në flijim për atdheun.
Me dt 20-të prill të vitit 1881 Mic Sokoli, veprimtari i shquar kundër Reformave të Tanzimatit, i aksioneve të Ushtrisë së Lidhjes, në Gjakovë për vrasjen e Pashë Maxharrit, në betejat për mbrojtjen e trojeve tona në Plavë – Guci, në Betejën e Nokshiqit në dhjetor 1879- janar 1880-të, në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, në Betejën e Shtimes, i vuni gjoksin shkëmb topit të sulltanit e mbeti në fushën e nderit dhe të lavdisë për tu përjetësuar në këngë.
“N’Fushë t’Kosovës u lidh jezeri, (mjegulla).
Haj medet ka mbetë shumë njeri.
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”.
Apo:
“Mic Sokoli ban me dorë.
Besa shokë s’po muj me folë.
Se m’ka ra do gjak në gojë.
Se m’ka ra do gjak në bark
Shtatë martine i kam në shtat”.
Aty u plagos Ali Ibra zv komandanti i ushtrisë së Lidhjes dhe Shpend Zeqir Haklaj komandant i formacioneve luftarake të Gashit.
Aktet heroike të shqiptarëve dhe panoramën e tmerrshme të luftës e përshkruajnë me realizëm. vargjet:
“Ali Ibra n’vraç të zi.
Po i shkon gjaku për zingji.
Se këtu i thonë shqiptari”.
Për shkak të epërsisë numerike, barbarisë shtazarake të ushtrive të panumërta e që shtoheshin nga ora në orë Ushtria e Lidhjes me dt 21 prill tërhiqet.
Me dt 22-23 prill u zhvilluan luftime të ashpra në Qafë Dule dhe Suharekë për të penguar ushtritë osmane të hynin në Prizren.
Pas thyrjes së rezistencës së kryengritësve shqiptarë kapet i plagosur Sef Kosharja në Malin e Porodimës, afër Shtimes dhe nga këtu i lidhur për duarsh u dërgua para Dervish Pashës në Kodrën e Gllavicës afër Kosharës, në pikën me strategjike të saj të quajtur Okol.
Pashai i premtoj Sefës se nëse distancohesh nga “Hasharati”, siç i quanin turqit malësorët kryengritës do ta falte e do ti ndërtonte një kullë të bukur.
Sef’ Kosharja iu kundër përgjigj Pashës me këto fjalë:
“O Pashë s’jam me ty e as bahna.
Besën ua kam dhënë krerëve të dheut e Flamurit tim e qe besa edhe des.(Vdes)
Besa tek ne nuk shkelet së kena ftyrë”.
Meqenëse Dervish Pasha nuk ia doli me dinakëri e premtime të përfitonte e ta bindte, i egërsuar nga qëndrimi mospërfillës i trimit dha urdhër të varej në lis dhe u la ashtu i varur për tre ditë, për të tmerruar, mbjellur frikë e panik tek kryengritësit.
“Kush ta heqin nga litari i pritet koka dha urdhër pashai i Turqisë”.
Pas tre ditësh nipi i tij, djali i motrës Shabani nga Shtimja e mori dajën Sef’ dhe e varrosi në varrezat e Sllatinës në Slivovë.
Populli e ka gdhendur në këngë lisin e shqiptarisë Sef Kosharja:
“Sef’ Kosharja i pari i fisit.
Hije t’paska maja e lisit.
Hije m’ka o shok’t e mi
E dhash’ jetën për liri”.
Para litarit përfundoj edhe Komandanti i Ushtrisë së Lidhjes Sylejman Vokshi.
Ai u denua nga Porta e Lartë me vdekje, varje në litar.
Fjalët e fundit para gjykatës së Perandorisë Otomane të Sylejman Vokshit “Sikur tri jetë t’i kisha, të tria do t’i shkrija për Atdheun tim” tregojnë karakterin e pathyeshëm të tij dhe vetëdijen për sakrificën sublime.
“Jetoni e vdisni për Shqipëri” është testamenti i tij para litarit të Turqisë.
Sylejman Vokshi dhe Ali Ibra qëndruan të patundur gjer në fund.
Qëndresën e komandantit të pamposhtur e përshkruan kënga:
“Jam Syl Vokshi e s’e lshoj trollin
Krah për krah me Mic Sokolin”.
Për shkak të popullaritetit të madh të tij Sulltan Abdyl Hamidi ia fali jetën.
Ia ktheu denimin internim me punë të detyruar dhe më vonë, pas një amnistie u kthye në shtëpi.
Ai kaloi në amëshim në vitin 1890.
Megjithëse pati jetëgjatësi të shkurtër, vetëm tre vite 1878-1881, Lidhja e Prizrenit i tregoj botës se shqiptarët janë trashëgimtarë të një rrace fisnike, bartës të një gjuhe dhe kulture që ka lindur në agimin e qytetërimit botërorë.

Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare ish-kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi

Ka vdekur në moshën 78 vjeçare ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi.

Bukoshi ka qenë duke vuajtur nga një sëmundje e rëndë shëndetësore. Bujar Bukoshi, ka lindur më 13 maj 1947 në Suharekë.Ai u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit. Pas kthimit në Kosovë, punoi si mjek në Suharekë.

Bukoshi është një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ishte edhe zëvendëskryeministër i Kosovës në kabinetin e dytë Thaçi nga viti 2011 deri në vitin 2014.

Bujar Bukoshi ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil nga viti 1991 deri në vitin 2000.

Një brez që ankohet, por nuk vepron dhe po mbetet vetëm, po plaket!

Nga Bujar Vreto

Pa kaluar ende muaji i zgjedhjeve, zërat e pakënaqësisë kanë mbushur rrugët, kafenetë, tregjet. Ulem me banorë të qytetit dhe zonave rurale por vetëm ankesa: S’kemi ujë për vaditje, nuk kemi rrugë, bujqësia është shkatërruar dhe prodhimet nuk i nxjerrim dot në treg. Janë fjalë që i dëgjoj prej tyre, por pyetja që më vjen natyrshëm është: “Po si ka mundësi që këto probleme nuk i reflektuat në votë? Pse nuk ndëshkuat ata që ua shkaktuan?”

Përgjigjja është e dhimbshme në thjeshtësinë e saj:
“S’kishim kë të votonim. Të hiqnim një hajdut e të sillnim një tjetër? Një shpurë për të zëvendësuar një tjetër?” Është kjo ndjesi pafuqie që na ka ngrirë, që na ka lënë në vendnumëro, ndërkohë që shpresa rrëshqet gjithnjë e më larg.

Kjo është arsyeja pse sot më shumë se kurrë na duhet një elitë e re, veçanërisht në të djathtën politike, jo thjesht për të zëvendësuar fytyra, por për të rindërtuar besimin, për të sjellë integritet, vizion dhe guxim përballë një realiteti që po rrënohet dita-ditës.

Por ankesat nuk ndalen te infrastruktura, vaditje apo bujqësia, por ka një plagë edhe më të thellë që fshihet në sytë e prindërve dhe gjyshërve: ikja e të rinjve. “Na kanë ikur fëmijët, nuk kthejnë më kokën pas”, thonë me zërin që u dridhet.
Dhe unë s’e fsheh më frikën që kam shprehur që vite më parë.” Nëse vazhdojmë kështu, rreth viteve 2030 deri më 2035, do të jemi brezi i parë i azilantëve në qytetet tona. Librazhdi dhe Prrenjasi do të jenë azile të heshtura.”

A nuk është kjo alarmante? A nuk është kjo arsye e mjaftueshme për t’u zgjuar?

Tani është koha për të marrë përgjegjësi. Tani është momenti të japim besën, të kemi guximin të mos tërhiqemi, të mos biem në të njëjtat kurthe të shkurajimit dhe zhgënjimit. Sepse nëse jo tani, kur? Nëse jo ne, kush?

Koha do e tregojë nëse do jemi gjenerata që ia doli, apo ajo që u dorëzua. Por një gjë është e sigurt: ndryshimi nuk pret më.

Restaurimi i Burgut të Spaçit, kritika për mungesë profesionalizmi dhe cilësie

Në ish-Burgun e Spaçit po kryhen punime që synojnë konservimin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, si një nga burgjet më të egra të regjimit komunist në vendin tonë, por këto ndërhyrje sipas ekspertëve po cenojnë identitetin e objekteve.

Nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale aktivistët kanë bërë thirrje për reagim qytetar në lidhje me rikonstruksionin që po kryhet në ish-Burgun e Spaçit, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).

Sipas dy aktivisteve dhe eksperteve, Sidorela Vatnikaj dhe Eltjana Shkreli, projekti po shkatërron dhe po humbet vlerat e memories së Burgut të Spaçit, një ish-institucion i vuajtjes së dënimit gjatë komunizmit dhe i kthyer në muze një vit më parë.

“Siç shihet qartë, ky është një projekt shkatërrimi dhe jo ruajtje. Godina në të majtën time e ka humbur totalisht funksionin e vet, si dhe identitetin”, është shprehur Sidorela Vatnikaj, me anë të një video të postuar nga Burgu i Spaçit.

Në postimin e saj, Vatnikaj është shprehur se nuk bëhet fjalë për një restaurim jo të mirë, por për një përpjekje për të fshirë historinë, duke e transformuar fasadën dhe brendësinë e ndërtesave historike.

“Ky nuk është thjesht një restaurim i keq, kjo është një përpjekje për të fshirë historinë jo vetëm të qindra të burgosurve që vuajtën dënimin aty, të mijëra familjarëve të vet, por edhe historinë tonë, kolektiven, të shkuarën dhe pamundësinë për t’i ikur diktaturës sepse nuk e kemi njohur kurrë e aq më pak dënuar, përkundrazi i kemi dhënë vetëm një furçë bojë të bardhë”, është shprehu ajo.

Një nga objektet para dhe pas ndërhyrjes restauruese. Foto: Arnen Sula, "Facebook"
Një nga objektet para dhe pas ndërhyrjes restauruese. Foto: Arnen Sula, “Facebook”

Punimet janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale përmes vendimit të 6 dhjetorit 2024 dhe kanë karakter konservues-restaurues. Për to si aplikues është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe mbikqyrjen e punimeve po e realizon Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

“Pasojat e një shteti që funksionon JOprofesionalisht dhe për më tepër e legjitimon shkatërrimin e dëmtimin e trashëgimisë sonë – duke e miratuar e zbatuar…”, u shpreh në mediat sociale arkitektja dhe aktivistja, Eltjana Shkreli.

Ndërsa të tjerë ekspertë apeluan për një ndërhyrje e cila ruan identitetin e ndërtesave ekzistuese, duke shfaqur gjurmët e ish-të burgosurve përgjatë diktaturës në këtë mjedis që konsiderohej si nga më të rreptit, i ngritur në thellësi të zonës së Mirditës, në fshatin Kodër-Spaç.

“Këto punime duhet të ndalen menjëherë! Çdo ndërhyrje në këtë hapësirë të ndjeshme duhet të bazohet në një studim serioz historik e konservues, duke u mbështetur në rrëfimet e ish-të përndjekurve politikë, por edhe të ish-punonjësve të sistemit që kanë qenë pjesë e strukturës së Spaçit”, shkruajti arkitekti dhe urbanisti Arnen Sula.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk ka reaguar ende përmes një njoftimi zyrtar për qëndrimet e aktivistëve, të cilët e kritikojnë ndërhyrjen si jo profesionale dhe tjetërsuese për vlerat e objektit historik. /amfora.al

Më 9 qershor 1937, plazhi i Durrësit botohej për herë të parë në gazeta si një vend pushimi dhe turizmi.

Më 9 qershor 1937.

Plazhi i Durrësit botohej për herë të parë në gazeta si një vend pushimi dhe turizmi.

Sipas gazetave të kohës, aty u ngritën vilat e njerëzve të pasur, si dhe disa kabina publike për qytetarët.

Pronarët e “banjove popullore” ishin Rexhep Breshku dhe Noti Strati. /kultplus/

Shqipëri – Serbi/ “The Guardian”: Detajet e një ndeshje thriller

Shqipëri-Serbi u mbyll pa gola, por asnjëherë nuk mund të thuash se sfida përfundoi në paqe. “The Guardian” ka bërë një artikull për ndeshjen, ku tregon me detaje gjëra që ndodhën para, gjatë, e pas sfidës.

Prestigjiozja e njohur nuk heziton të tregojë gjithçka, që nga atmosfera në stadium, ndërprerjet e ndeshjes, sharjet e tifozëve, penalltia e humbur e Manajt e deri te vërshëllima e fundit e arbitrit.

Artikulli i plotë nga “The Guardian”:

Brenda “Arenës Kombëtare”, mbi 20,000 tifozë mbajtën frymën dhe përqendruan çdo grimcë vëmendjeje tek Rey Manaj. Jashtë, mijëra të tjerë që kishin mbushur Tiranën gjatë gjithë ditës, disa duke pritur në radhë nëpër kufij dhe më pas duke vrapuar drejt bareve apo ekraneve publike për të ndjekur ndeshjen, shtrënguan gotat e birrës në duar. Shqipëria kishte fituar një penallti dhe askujt nuk i interesoi nëse ajo ishte e dyshimtë. Nëse Manaj do të ruante qetësinë, ndoshta më në fund do të lindte një hero i futbollit dhe mallkimi që kishte rënduar mbi këtë përballje do të zhdukej njëherë e mirë.

Manaj u drejtua për të gjuajtur, ndoshta pak më i ngrirë nga sa duhej, dhe iu afrua topit ballë për ballë. Nëse kishte nevojë për një kujtesë të kontekstit, mjaftonte të dëgjonte jehonën e thirrjeve “Serbia, Serbia, …. motrën” që kishin qenë banda zanore e ditës dhe sapo ishin ndalur pak para se ai të merrte hapin vendimtar. Goditja ishte e ulët, shumë afër portierit serb Djordje Petrovic, i cili e priti pa shumë vështirësi. Menjëherë pas kësaj u dëgjua vërshëllima e pjesës së parë, ndërsa delegacioni serb zbriti me nxitim në fushë për të përqafuar portierin e tyre. Për Manajn, ajo që mbeti ishte vetëm një imazh i ngrirë i një momenti që nuk arriti ta përmbushte.

Në fund, kjo ndeshje arriti ta kalojë një provë të madhe, por vetëm me shumë vështirësi dhe jo pa pasoja të mundshme. Barazimi pa gola ishte gjithnjë rezultati më i sigurt për të ruajtur paqen dhe, duke pasur parasysh takimin katastrofik të këtyre dy skuadrave në Beograd gati 11 vite më parë, suksesi i vërtetë ishte përfundimi pa incidente. Nuk pati dronë që të thyenin sigurinë e rreptë, nuk pati përleshje që të vazhdonin në orët e vona të një nate të ngarkuar, të nxehtë dhe të tensionuar. Askush nuk mund të mburrej se kishte përmbysur rrjedhën e ngjarjeve, as në fushë dhe as jashtë saj.

Djordje Petrovic dives to his right to save Rey Manaj’s penalty

Megjithatë, delegati i ndeshjes nga UEFA, ish-shefi i policisë zvicerane Jacques Antenen, kishte mjaft për të menduar teksa kalonte nëpër tribunë gjysmë ore pas përfundimit dhe ulej për të diskutuar me kolegët nga FIFA. Ai ishte zgjedhur enkas për eksperiencën e tij me ngjarje me rrezik të lartë, dhe duket se kishte shumë për të raportuar kur në minutën e 65-të, arbitri Davide Massa ndaloi ndeshjen për herë të tretë.

Objekte të ndryshme kishin rënë herë pas here mbi lojtarët serbë nga tribuna lindore e stadiumit, duke detyruar zërin e stadiumit të bënte thirrje për qetësi kur Sasa Lukic u godit ndërsa po përgatitej të gjuante një këndore. Pak para minutës së 60-të, Strahinja Erakovic u godit afër vijës anësore, dhe pasoi një thirrje tjetër për ndalim. Kur edhe Andrija Zivkovic u prek në mënyrë të ngjashme, sinjalet paralajmëruese ishin të qarta.

Massa në dy raste duket se i kërkoi skuadrave të largoheshin nga fusha, por më pas zgjodhi të bisedonte gjatë me lojtarët e të dyja palëve pasi i mblodhi në qendër të fushës. Kjo përfundoi me ndërhyrjen e kapitenit shqiptar Berat Gjimshiti, i cili iu afrua sektorit nga ku kishin ardhur sendet. Policia ndërhyri menjëherë për të parandaluar përsëritjen, dhe pjesa e mbetur e ndeshjes kaloi në qetësi relative. Në fund, Massa meriton vlerësim për mënyrën si menaxhoi një situatë të papranueshme, duke kuptuar se një vendim më ekstrem mund ta kishte përkeqësuar situatën.

Kështu, një paqe e brishtë do të vazhdojë deri në tetor, kur këto dy kombëtare do të përballen sërish, dhe Serbia do të ketë për detyrë të përmbahet vetë nga elementët e saj të rrezikshëm. Nuk kishte vend për dyshime në rrugët drejt stadiumit, sidomos në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku atmosfera para ndeshjes ishte ngarkuar. Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë bashkë Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027, por ultrasit vendas nuk ndajnë optimizmin e diplomatëve që kanë ideuar këtë bashkëpunim.

Aleksandar Mitrovic spurned a number of chances to win the match for Serbia.

“Armiqtë e vjetër nuk bëhen miq të rinj,” shkruhej në një banderolë të madhe mbi Piramidën e Tiranës, e shoqëruar nga fotografia e heroit të rezistencës shqiptare, Elez Isufi. Tifozë ngjitën mbi 100 shkallë për t’u bërë pjesë e spektaklit; të rinj me biçikleta ndezën flakadanë të kuq poshtë. Përballë, anëtarë të “Tifozat Kuq e Zi”, grupi i njohur që ishte përjashtuar nga kjo ndeshje pasi nuk mori biletat e zakonshme, u përgatitën të marshonin me një pankartë që godiste Federatën Shqiptare të Futbollit.

Mesazhi i tyre ishte i qartë: “Na merrni biletat, na sillni policinë përballë, por nuk mund të vrisni zemrën që rreh për Shqipërinë.” Brenda stadiumit, ata që kishin fituar në short apo që kishin paguar me mijëra euro në tregun e zi, u përpoqën ta ndezin atmosferën. Nuk dukej aspak si një ndeshje e ftohtë e ngjashme me ato të sponsorizuara kur Serbia doli në nxemje mes fishkëllimave dhe sharjeve të pandërprera. Këto vazhduan edhe gjatë himnit të tyre kombëtar, kur fëmijët që shoqëronin lojtarët serbë Lazar Samardzic dhe Aleksandar Mitrovic bënë me duar simbolin e shqiponjës – një veprim që ka vënë në punë institucionet drejtuese të futbollit në turnetë e fundit.

Ndeshja, siç pritej, ishte e tensionuar dhe nuk tregoi shenja se ndonjëra nga këto skuadra mund t’i bëjë konkurrencë Anglisë në krye të Grupit K. Përkundër teknikës së lartë, Serbia tregoi pak rrezik përpara, ndonëse u desh një pritje e jashtëzakonshme nga Thomas Strakosha për të ndalur një goditje perfekte me kokë nga Mitrovic pas pushimit. Mitrovic humbi edhe një tjetër mundësi, por ishte Shqipëria, e shtyrë përpara nga tifozët me çdo sinjal të vogël, që duhet ta kishte fituar. Manaj e humbi rastin e tij për pavdekësi, por Nedim Bajrami duhej ta kishte bërë të harrohej ajo penallti kur iu dha një rast i pastër për të përmirësuar situatën. Goditja e tij e dobët nuk i krijoi aspak vështirësi Petrovic-it dhe përfaqësoi në mënyrë të përsosur gjithë atë që ishte kjo ndeshje.

“Merituam më shumë, por ky është futbolli,” tha trajneri i Shqipërisë, Sylvinho. Këto fjalë të zakonshme do të bëjnë pak për ta ngushëlluar Manajn. Por ndoshta fakti që sporti mundi, sadopak, të dominojë diskutimin pas ndeshjes, është tregues se ka një rrugë më të mirë përpara, qoftë për miq, qoftë për armiq.