25.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri

Gjykata Kushtetuese ka pranuar ta marrë në shqyrtim vendimin e kontestuar të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok. Ajo ka vendosur ta shqyrtojë me seancë plenare publike, një vendim që u përshëndet nga organizatat e medias dhe shoqërisë civile si një fitore e përkohshme për lirinë e shprehjes.

Një grup organizatash dorëzuan në muajin mars ankesën për shpalljen si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave që ndalon qasjen në platformën TikTok në Shqipëri.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), një nga organizatat që pati dorëzuar ankesën, deklaroi përmes një postimi në Facebook se ky është një hap kyç për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.

“Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend”, u tha në reagimin e AGSH-së.

Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ta pezullojë vendimin e qeverisë, por megjithatë vendimi për të kaluar çështjen në shqyrtim të thelluar dhe publik është konsideruar si tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që ka për rendin kushtetues.

“Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat”, thuhet më tej në deklaratë.

Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Asambleja e Përgjithshme e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) ka miratuar një rezolutë të propozuar nga AGSH, që dënon ndalimin e TikTok në Shqipëri dhe e cilëson atë si një kërcënim ndaj lirisë së shprehjes në mbarë rajonin.

“Kjo rezolutë […] thekson se ndalesa e TikTok, […] përbën një precedent të rrezikshëm për censurimin e rrjeteve sociale në të ardhmen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe më gjerë në Evropë”, tha AGSH në një reagim.

Vendimi i qeverisë për të mbyllur TikTok u kundërshtua nga mbi 20 organizata të medias dhe shoqërisë civile, duke e cilësuar një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.

Organizatat argumentojnë se mbyllja mund të krijojë precedentë shqetësues për Shqipërinë dhe rajonin. Ky veprim rrezikon t’i hapë rrugën kufizimeve të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e shprehjes dhe qasjes në internet në mënyrë më të gjerë./citizens.al

FOTO/ Driloni – Nga Park Kombëtar në landfill mbeturinash

Një qytetar nga Pogradeci ka ndarë një shqetësim të thellë lidhur me mënyrën skandaloze se si trajtohen mbetjet urbane dhe si injorohet ruajtja e natyrës në Shqipëri – edhe në zona që teorikisht duhet të ishin të mbrojtura.

Ai ka treguar për “JOQ” se prej disa kohësh punon në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Galiçicës, pranë Manastirit të Shën Naumit, por sipas tij, ndryshimi është i frikshëm: në njërën anë, pastërti dhe kujdes maksimal për natyrën, dhe në anën tjetër, ndotje, papërgjegjësi dhe neglizhencë totale nga institucionet shqiptare.

Me anë të disa fotove ai ka treguar kontrastin mes dy vendeve që ndahen nga pak kilometra kufi. Ai thotë se Parku Kombëtar i Drilonit në Pogradec i ngjan një landfilli mbeturinash dhe papastërtish pasi askush s’kujtohet ta pastrojë apo ta ruajë ambientin të pa ndotur.

“Jam me hall, kam ikur për punë jashtë, por vetëm disa kilometra larg shtëpisë time. E më vjen keq ta them, por më mirë që një pasuri e tillë natyrore menaxhohet nga të tjerët. Nuk ndërtohet kuturu, nuk ka mbeturina vend e pa vend, çdo gjë ruhet me përpikmëri. Turp të tregoj këto foto, por është realiteti i hidhur. Nuk është se dua të shaj vendin tim, por na mungon kultura, edukata dhe mbi të gjitha vullneti për të bërë diçka. Kjo është pasuria që duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë dhe po e shkatërrojmë me duart tona”, përfundon ai.

Ai i bën thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të mos e braktisin më natyrën shqiptare, sepse kjo është e vetmja pasuri që nuk mund të zëvendësohet.

DENONCIMI I JOQ

Dom Nikollë Kaçorri, pse në faksimilen e Aktit të Pavarësisë iu hoq firma! Durrësi, qyteti ku parashikohej të bëhej Shpallja e Pavarësisë, por…

Më 29 maj 1917, ndërroi jetë një nga figurat qendrore të klerit katolik shqiptar, Dom Nikollë Kaçorri, atdhetar, klerik dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

Me emrin e Dom Nikoll Kaçorrit, meshtarit të Pavarësisë, zv/kryeministrit të qeverisë së Vlorës, lidhte një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira njëherësh të historisë sonë kombëtare. Me gjithë kontributin e madh në shpalljen e Pavarësisë dhe funksionimin e të parës qeveri shqiptare, emri i tij është lënë në gjysmëharresë dhe nuk i është dhënë merita që i takon. Në Diktaturë emri i tij përmendej, por me një lloj ndrojtje, ndërsa në këto vite të hapjes së Shqipërisë, figura e tij e plotë nuk ka dalë në pah, siç i takon në panteonin e lavdisë kombëtare.

Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862. Ai u bë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit. Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe gramatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet për gramatikë dhe retorikë në kolegjin urban atje. Më pas studioi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih. Më 1893 u kthye në Shqipëri, ku gjatë viteve 1905-1907 drejtoi kryengritjen e armatosur në Kurbin. Pajisi popullin me 500 armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës dhe në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i parapriu shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike.

Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Krahas veprimtarisë së tij fetare dhe patriotike në shërbim të atdheut, meshtari i Durrësit, Dom Nikollë Kaçorri nisi rrugëtimin e tij me ndalesa në çdo cep të vendit, ku jehonte kënga popullore. Për të ruajtur dhe trashëguar pasurinë folkloristike, Kaçorri shkeli në çdo cep të Durrësit, të Krujës, të Shkodrës, të Pejës, të Gjirokastrës etj. Këngët kushtuar trimave, heronjve dhe kombit shqiptar i mblodhi dhe i botoi në vëllimin “Canti Albanesi Popolari”

KONTRIBUTI

U lind në fshatin Krejë të Malësisë së Lurës më 1862, me të atin katolik dhe të ëmën myslimane. Në po të njëjtën familje, xhaxhai i tij ishte po ashtu mysliman. Ndoqi mësimet e para fetare në shkollën e Troshanit dhe më pas u shkollua në Romë, ku dhe u dorëzua prift. Kur u kthye më 1895, nisi shërbimin fillimisht si meshtar në Delbnisht. Me kryengritjen e Kurbinit, në bashkërendim me Gjin Pjetrin u mundësoi kryengritësve 500 armë.. Më 1907 emërohet kryetar nderi i klubit “Vllaznia” dhe më 1909 u anëtarësua i klubit “Bashkimi”, me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Pasi iu zunë prova që e përfshinin në një kryengritje, u arrestua dhe iu bë gjykimi. Për gjyqin dhe dënimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”. Gazeta “Dielli” e datës 8 nëntor 1911 shkruan: “Me 15 të dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që patën ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtes, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjygji nuk e liroji.” “Dielli nr 89” shkruan: “Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhënë gjykatorja ushtarake. Përgëzojmë nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t’i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”

“Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.”. Verën e 1912 qe ndërlidhës i kryengritjes që kishte ndërmarrë Maz’har bej Toptani, i cili lidhi besë me malësorët katolikë të Kurbinit, Kthellës e Mirditës dhe së bashku me disa myslimanë doli në mal. Në tetor së bashku me klerikë të tjerë shkoi në mision në Rubik, Mirditë, Kthellë, etj., me synimin që të bashkonte katolikët me forcat osmane kundër Malit të Zi që kish rrethuar Shkodrën. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 nëntor 1912.

DURRËSI

Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë së dalë nga Kuvendi i Vlorës. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare.

Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme, nga kryengritësit iu dogj qela ku banonte si dhe biblioteka e tij personale. U largua drejt Vjenës, ku me dekret të 28 janarit 1916, Perandori Franc Jozef e dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhrit të Franc Jozefit. Në kryeqytetin austro-hungarez qëndroi tri vjet, ku dhe u ekzaminua e mjekua për sëmundjen e mushkërive. Prej rëndimit të sëmundjes ndërroi jetë në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha LovontalLinau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendej në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Në janar të 2011, kleriku Dom Izak Doda gjeti varrin e Kaçorrit në kryeqytetin austriak. Muajt pasardhës me interesimin e klerikëve të tjerë dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Vjenë, u bë i mundur riatdhesimi i eshtrave të tij si dhe varrosja në kishën e Shën Luçias, Durrës.

TRASHËGIMIA

Më 1962, me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u përmend për herë të parë qysh prej vitit 1944. Për veprimtarinë e tij u nderua “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë.” Në përmendoren e Pavarësisë nuk u paraqit truporja e tij. Në asnjë vepër arti, aq të shumta për Pavarësinë, nuk u pikturua fytyra e tij. Në faksimilen e Aktit të Pavarësisë u arrit deri atje sa iu hoq firma. Në filmin “Nëntori i dytë”, kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm një herë, po jo në ballkonin ku u ngrit flamuri. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 rreshta. Të qenit e tij në gjysmëhije erdhi për shkak jo vetëm të rrobës së tij klerikale, por dhe për atë rol parësor që ai kishte në aktin e Pavarësisë, por për shkak të konjukturave të kohës, të vjetra e të reja, ky rol nuk është nxjerrë në pah aq sa duhet, pasi emir i tij nuk meriton të jetë vetëm në një shkollë të thjeshtë fshati në Lurë, por në rrugë e sheshe në Tiranë, Vlorë e kudo në shqiptari, ku pritet me dashuri e fisnikëri emir dhe vepra e paharruar e Dom Nikoll Kaçorrit./Gazeta Panorama

Kur turma nisi të fishkëllente Causheskun, filloi rënia dhe ndryshimi i madh

Nga Fitim Zekthi

Në 21 dhjetor të vitit 1989 ndodhi një nga ngjarjet politike më të pabesueshme të botës. Diktatori rumun Caushesku kishte thirrur një miting të madh në Bukuresht për tiu drejtuar popullit pas ndodhive të pak ditëve më parë në Timoshoara ku kishte ndodhur një protest kundër regjimit komunist. Sheshi ishte i mbushur plotësisht në çdo cep të tij si shumë herë të tjera kur kishte patur mitingje të tilla të thirrrura nga Caushesku dhe Partia Komuniste. Sapo doli Caushesku dhe e shoqja në ballkon për të folur nga turma filloi të kishte fishkëllima të cilat nisën të shtohen. Caushesku po vijonte të fliste dhe zhurmat në turmë u shtuan, filluan thirrje si “vrasës, maskarenj” etj. Gjendja u bë shpejt e padurueshme, turma e stërmadhe nisi të thërriste gati e gjitha. Ajo që dikur, deri pak kohë më parë ishte një turmë e bindur, brohoritëse, lëvduese dhe adhuruese deri në ekstrem e liderit të “pagabueshëm”, ajo që për liderin të vriste dhe shprehej se jepte jetën tani po shfrynte kundër tij. Caushesku ndryshoi mënyrën se si po fliste, nisi të bëjë premtime, të flasë për rritj pagash, për ekonominë etj por gjendja u acarua edhe më shumë. E shoqja e kapi shpejt që gjendja ishte shumë e rëndë dhe do shkonte keq. Shërbimi Secret dhe njeërzit e Sigurisë e morën Causheskun me të shoqen, i larguan nga aty me helikopter. Më pas ngjarjet dihen. Ajo që është e jashtëzakonshme në këtë ngjarje ëhstë habia, mosbesimi i thellë i Causheskut kur doli në ballkon dhe nisi të flasë. Ai nuk e besonte dot, nuk e kishte menduar kurrë që njerëzit mund të mos e donin, që njerëzit nuk e donin, që e kishin inat, që e urrenin. Kjo është nëj ngjarje e studiuar gjerësisht nga shkenca poliotike në shumë aspekte. Sipas shumë studiuesve të politikës ai u trondit thellë, ishte diçka që nuk e kishte menduar kurrë, ai kishte një besim dhe bindje të verbër se njerëzit e donin dhe kjo është gjëja më e veçantë e asaj ndodhie.

Arbër Hoxha: Ndeshja me Serbinë, vendimtare për Botërorin

Sulmuesi i Shqipërisë, Arbër Hoxha u shfaq në konferencën për shtyp në krah të portierit Tomas Strakosha.

Ai u shpreh se kjo ndeshje është vendimtare për rrugën drejt Botërorit dhe se nëse duhet të zgjidhte fitoren me Serbinë dhe humbjen me Letoninë, do ta pranonte. Ndër të tjera, Hoxha u pyet për unazën që mban në gishtin e martesës, teksa zbuloi që është vetëm i fejuar, dhe së shpejti do të martohet.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që kundërshtari ka shumë cilësi, por po punojmë shumë mirë, po përgatitemi dhe shpresojmë e besojmë që do ta fitojmë ndeshjen. Ne jemi profesionistë, do bëjmë tonën në fushë, bëjmë më të mirën. Kjo ndeshje është e vështirë dhe vendos për një vend “play off” për në Botëror, shpresojmë të fitojmë dhe të kemi shpresë në Botëror. Konkurrenca të bën më të fortë, jemi në Kombëtare, sado minuta që të kemi të japim më të mirën. Jam vetëm i fejuar, por edhe shumë shpejt i martuar. Kam qenë i vogël në atë kohë, po ka qenë shumë emocionale jo vetëm për mua, po për të gjithë shqiptarët, Hysaj na tregon edhe tani për historinë atje. Ne duhet të bëjmë më të mirën. Do e pranoja të fitonim me Serbinë dhe të humbnim me Letoninë”, përfundoi Arbër Hoxha.

Indrit Vokshi: Droga nuk është e jona!

Nga Indrit Vokshi

Turpi i Zotit në PPE ku ish kryeministri SB e paraqiti Shqipërinë si vend të karteleve të drogës, si magazina më e madhe e drogës dhe krimit në Europë, si ferri mbi tokë, si vendi më i madh eksportues i kriminalitetit etj.

Dikush që nuk e njeh Shqipërinë dhe dëgjon atë çfarë flet, imagjinon sikur Shqipëria është një Kolumbi me kartele e emra kartelesh, tipike si në ato filmat. E vërteta nuk është kjo.

Shqipëria ka grupe të strukturuara kriminale. Mirëpo nëse nisemi nga ky kriter, grupet dhe organizatat më të mëdha i kanë bazat në Itali, Gjermani, Francë, Spanjë, Britani.. dhe nuk janë shqiptarë. Nga një studim që kam pas bërë mbi pastrimin e parave matej se 1.5 e GDP botërore është para e pisët. Shqiptarët ku janë?

Në planin historik biznesi i drogës është biznes i “piratëve” europianë. Jakovi I i Anglisë në vitet 1600 ndali duhanin (e shpalli të turpshëm e si droga) por e anuloi ndalimin sepse hasi në rezistencën e lordëve anglezë të cilët pasuroheshin nga ajo tregti. Në vitet 1800 Britania me East India Company e cila kishte shpërndarë gati 100,000 ushtarë nëpër brigjet e botës, sulmoi Kinën dhe nisi “Lufta e Opiumit”. Kurora angleze dëmtohej financiarisht nga ndalimi i opiumit. Edhe sot kokaina përdoret si serum financiar ose si mjet pasurimi për disa familje europiane, siç përdorej dikur kafja, duhani, opiumi e të tjera mallra si mineralet në Afrikë e Amerikë të cilat nuk ishin masive në Europë por “piratët” europianë shkonin i kapnin në vendin ku mbinin dhe e kishin monopol tregtimin e tyre.

Shqiptarët sikur gjithë të tjerët marrin pjesë në ketë industri e tregti droge por nuk janë shqiptarët as bosë kryesorë të tregtisë së drogës në Europë (se nuk i lejon njeri të jenë), as ka Shqipëria kartele droge. Portet ku shkarkohet përqindja më e lartë e drogës janë në Holandë e Spanjë. Çfarë t’u themi këtyre narko-mbretërve të Spanjës e Holandës tani? Filipi i Zi i Spanjës? Wilhemi i Zi i Holandës?

Ndaj është turp e degradim të shkosh aty tek një konferencë partiake tek një grup partish e të deklarosh anglisht se Shqipëria ka kartele droge e m’the t’thashë; sepse jemi provincë, sjemi hiç në treg. Shqipëria është një ndër rrugët ku droga kalon për të shkuar në Europë tek porositësit dhe, shqiptarët janë disa nga “hamallët” që mundësojnë infrastrukturën e mbajnë thasët. Duke u pasuruar vetë, padyshim. Ata europianët e dinë ketë të vërtetë shumë më mirë se ne sepse janë historikisht “të zotët” e kësaj pune, ska mbetur t’i informojmë ne. Tu i tregu babës arat ne.

Në daçin t’i fitojnë zgjedhjet në daçin t’i humbin. Në daçin të japin dorëheqje në daçin jo, punë e tyre, e dinë vetë çfarë bëjnë me pronën e tyre. Veç është e ulët të shkosh e ta shpallësh Shqipërinë vend me kartele droge e eksportuesen më të madhe të kriminalitetit.

Mjerimi intelektual në të cilin e katandisi PD-në Berisha

Nga Simon Hadaj

Partia Demokratike nisi rrugëtimin e saj si forca e parë politike opozitare në vend, e frymëzuar nga studentët dhe intelektualët e Dhjetorit, që ëndërronin një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të integruar në Evropë. Mirëpo, rruga që PD ka ndjekur në këto tri dekada është larg asaj ëndrre fillestare. Në vend të konsolidimit të një partie të ideve, të lirive dhe të së vërtetës, Sali Berisha e ka shndërruar këtë forcë në një bunker paranojak, ku mendimi ndryshe dënohet, ndërsa përkulja ndaj udhëheqësit shpërblehet me dafina.

Në këtë mjedis të deformuar politik, të thuash të vërtetën është një akt që të bën objekt sulmi, ndërsa të përsërisësh gënjeshtrat e Berishës është rruga më e shpejtë drejt ngritjes brenda partisë. Kjo përmbysje e vlerave ka prodhuar një kastë politikanësh që nuk kanë më as moralin dhe as guximin për të artikuluar një mendim të lirë.

Rasti më flagrant i këtij mjerimi intelektual është Agron Gjekmarkaj.

Dikur i pozicionuar si një zë ndryshe, një përfaqësues i frymës akademike brenda PD-së, Gjekmarkaj sot ka përfunduar në një akrobat të rëndomtë politik. Nga deklaratat se nuk do të bëhej kurrë deputet i Sali Berishës, te mbështetja e hapur për Lulzim Bashën si shpresë e vetme për një PD evropiane, e deri te deklarata e sotme se Berisha nuk duhet të largohet nga drejtimi i partisë – të gjitha këto dëshmojnë për një kthesë të madhe, por jo parimore. Kjo nuk është thjesht një rënie personale; është dëshmia më e qartë se si Berisha ka arritur të deformojë edhe zërat që dikur pretendonin të sillnin frymë intelektuale brenda partisë.

Gjekmarkaj sot duket më besnik se Mul Noka dhe më i përulur se Albana Vokshi.

Ai është bërë simboli i një partie që nuk pranon më intelektualët me mendim të lirë, por vetëm shërbëtorët e një kulti që është konsumuar prej kohësh.

Nëse një parti politike nuk ka më guximin të thotë disa të vërteta të thjeshta – si fakti që një lider i shpallur “non grata” për korrupsion dhe minimin e demokracisë nuk mund të jetë më udhëheqës i saj – ajo nuk e meriton më as mbështetjen e qytetarëve dhe as të përfaqësojë interesat e shoqërisë. Shqiptarët, me votën dhe largimin e tyre nga PD, këtë e kanë kuptuar të parët. Por militantët e verbër dhe oborrtarët e Berishës ende bëjnë çmos ta mbajnë këtë trup politik të vdekur në këmbë, si një mumje e ekspozuar në selinë e PD-së./alfapress.al

Zhdukja e Jan Prengës/ Mbërrin në Shqipëri letërporosia, do të merren në pyetje Astrit Prenga dhe Gëzim Shullani

Në Gjykatën e Posaçme vijon seanca gjyqësore për çështjen e vrasjes, rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, ku të pandehur janë Dritan Rexhepi dhe Aldo Majnishta.

Gjatë seancës, Gjykata ka bërë të ditur se ka mbërritur në Shqipëri një letërporosi që lidhet me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve, Astrit Prenga, vëllai i viktimës, dhe Gëzim Shullani.

Sipas përmbajtjes së letërporosisë, autoritetet britanike kërkojnë më shumë informacion përpara se të procedojnë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve:

“Para se të rishqyrtojmë kërkesën tuaj, duam të dimë statusin penal të personave që do të dëshmojnë, detaje mbi pyetjet që do t’u bëhen, akuzat për të cilat kërkohen dëshmitë, si dhe sesi dëshmia e tyre mund të shërbejë në hetimin e SPAK”, thuhet në letërporosi.

Në të njëjtën letërporosi, theksohet se policia britanike do të ngarkohet për marrjen e dëshmive, duke u bazuar në pyetjet që do t’u vihen në dispozicion nga autoritetet shqiptare.

Matura Shtetërore/ Karabina: Dalja e tezës humb besueshmërinë, tregues i problemeve të thella në arsimin parauniversitar

Skandalet që përfshijnë maturën shtetërore vijojnë edhe këtë vit.

Vetëm 30 minuta pas nisjes së provimit të Gjuhës së Huaj, teza e Anglishtes u publikua në rrjetet sociale, duke ngritur sërish dyshime të forta mbi besueshmërinë e procesit.

E ftuar në “MCN Live”, ekspertja e arsimit Mirela Karabina e cilësoi këtë ngjarje si një pasqyrë të qartë të dështimit sistematik të administrimit të maturës dhe më gjerë, të gjithë sistemit arsimor parauniversitar.

Matura shtetërore është reflektim i asaj që kemi bërë me arsimin deri më tani. Kemi 12 vite keqmenaxhim nw kwtw qeverisje, mungesë transparence dhe mungesë të plotë të llogaridhënies. Këtu fillojnë të gjitha problemet.

Matura duhet të jetë një proces i besueshëm, transparent dhe cilësor, por sot nuk i përmbush asnjërën prej këtyre kushteve.

Vetëm në vitin 2006 mund të thuhet se matura u zhvillua siç duhej. Çdo vit më pas kemi folur për keqadministrim.

Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt te nxënësit, nga fiktiviteti i notave, te zgjedhjet e gabuara të degëve universitare.

Ajo thekson se dalja e tezës në rrjet është demoralizuese dhe demotivuese për maturantët, duke e bërë të gjithë procesin të pabesueshëm.

Karabina e sheh këtë si simptomë të një krize më të thellë në arsimin parauniversitar.

Dalja e tezes është demotivuese, demoralizuese dhe humb besueshmërinë e procesit të Maturës Shtetërore dhe e tërë sistemit tonë arsimor.

Nëse një maturant sheh që teza qarkullon online gjatë provimit, ai e humb motivimin, besimin, dhe kupton se nuk vlerësohet për meritë. Ky është një mesazh shkatërrues për të rinjtë

Kjo e shoh si simptomë të një krize më të thellë në arsimin parauniversitar. Matura shtetërore është vetëm maja e ajsbergut, ndërsa problemi i vërtetë qëndron në themelet e sistemit.

Gjithçka që ndodh me maturën është pasojë e problemeve të thella në sistemin tonë arsimor.

Kjo nuk është më vetëm çështje provimesh, është çështje e të ardhmes së brezit të ri dhe e vetë shoqërisë.

Shëndetësi e sëmurë: 8 në 10 shqiptarë besojnë se sistemi është i korruptuar

Nga Ilda Hoxha

“Kur kisha nënën tek Trauma, veç lekë kërkonin dhe të drejtonin: shko merr këtë aty. I linin njerëzit derisa na drejtonin për të blerë protezë dhe të gjitha gjërat e nevojshme për ndërhyrjen. Nuk ia mban kujt të ankohet, sepse nuk të kapin me dorë”. Kjo është vetëm një nga dëshmitë e familjarëve për përvojën e tyre me korrupsionin në spitalet shqiptare, e publikuar në raportin “Vlerësim i perceptimit të publikut shqiptar mbi korrupsionin në sektorin e shëndetësisë” nga shoqata “Together for Life”.

Raporti i publikuar në maj 2025 bazohet në anketimin e 1 mijë qytetarëve dhe njerr në pah një fenomen mjaft shqetësues në sektorin e shëndetësisë. Të dhënat tregojnë se 8 në 10 persona shprehin bindjen se sistemi shëndetësor në Shqipëri është i korruptuar.

“83% e të anketuarve e konsiderojnë sistemin shëndetësor si të korruptuar,” thekson raporti.

Alma Lahe, një prej eksperteve të këtij raporti, argumenton se ajo që i prek pacientët dhe për të cilën ata tregojnë ndjeshmëri më të madhe është korrupsioni i vogël, që e ndjejnë drejtpërdrejt në xhepin e tyre.

“Nga raporti i publikuar nga TFL rezulton se korrupsioni është një fenomen mjaft i përhapur në këtë sektor dhe ai është i përhapur në të gjitha nivelet, duke filluar nga korrupsioni i ‘vogël’ nëpërmjet mirëmbajtjes së ofruesve të shërbimit që kërkojnë, apo pranojnë pagesë jo formale nga pacientët për shërbime që duhet të ofrohen falas dhe deri te korrupsioni i ‘madh’ që përfshin institucionet e larta dhe që ka të bëjë me procedurat tenderuese në infrastrukturë, pajisje apo shërbime,” tha Lahe për BIRN.

Raporti i Shoqatës “Together for Life” tregon se korrupsioni ka prekur të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor. Spitalet universitare perceptohen si më të korruptuarat nga 8 në 10 të anketuar (81%); spitalet rajonale perceptohen si shumë të korruptuara nga 76% e të anketuarve, ndërsa spitalet bashkiake perceptohen si shumë të korruptuara nga 60% e burrave dhe 55% e grave.

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, Dritan Trepça është i vetëdijshëm se korrupsioni në sistemin shëndetësor perceptohet si një ndër format më shqetësuese të korrupsionit publik për qytetarët.

“Një nga burimet më të zakonshme të perceptimit për korrupsion në shëndetësi është praktika e ryshfetit apo ‘bakshishit’ për mjekët, infermierët, apo personelin tjetër për të marrë kujdes të favorshëm, më të shpejtë, apo më të kujdesshëm. Këto praktika, ndonëse shpesh justifikohen si ‘traditë’ apo ‘falënderim’, në realitet ushqejnë një sistem informal pagesash që cenon barazinë në qasje,” tha Trepça.

Shkaqet e korrupsionit

Gjetjet e raportit të shoqatës “Together for Life” tregojnë se 70% e pacientëve kanë paguar ryshfet për shërbimin e kërkuar, sepse u është lënë të kuptohet se ndryshe nuk do ta merrnin atë shërbim. Ndërkohë, 53% e të anketuarve thonë se kanë paguar për të marrë shërbim më të mirë, 42% për të përshpejtuar marrjen e shërbimit dhe 22% të pacientëvë u është kërkuar pagesë drejtpërdrejt nga stafi.

“Tre në katër pjesëmarrës (75%) raportojnë se kanë dhënë ryshfet për kryerjen e operacioneve dhe trajtimeve. Kjo sugjeron një presion të madh mbi pacientët për të siguruar trajtim adekuat në raste urgjente ose jetike,” thekson raporti.

“Vizitat në spitalet publike (56%) dhe lindjet e kujdesi obstetrik-gjinekologjik (52%) janë ndër shërbimet për të cilat pjesëmarrësit në anketë pranojnë se kanë dhënë ryshfet”, nënvizohet në raportin “Vlerësim i perceptimit të publikut shqiptar mbi korrupsionin në sektorin e shëndetësisë”.

Rreth 2 në 3 të intervistuar (63%) mendojnë se shkaku kryesor i përhapjes së korrupsionit në sistemin shëndetësor është kultura e pranuar e ryshfetit në shoqërinë shqiptare. Sipas raportit, mungesa e kontrollit dhe e ndëshkimeve nga autoritetet është faktori kryesor që nxit korrupsionin në shëndetësi. Po ashtu, qytetarët përmendin keqmenaxhimin dhe mungesën e transparencës, mungesën e vetëdijes dhe guximit për të raportuar korrupsionin, pagat e ulëta të personelit shëndetësor si dhe nënfinancimin e sistemit nga shteti si shkaqe kryesore.

Doktor Trepçka nga Urdhri i Mjekëve thotë se perceptimi për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë është një ndër pengesat për ndërtimin e një sistemi të drejtë, efikas dhe të besueshëm.

“Korrupsioni i perceptuar, edhe kur nuk është i faktuar, në çdo rast krijon një klimë mosbesimi që dëmton si qytetarin, ashtu edhe vetë profesionistin. Zgjidhja kërkon një qasje të gjithanshme: transparencë, drejtësi, ndërgjegjësim dhe forcim të institucioneve,” thekson ai.

Lahe nga shoqata “Together for Life” thekson se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në monitorimin e institucioneve, me qëllim që të kërkojë transparencë.

“Është roli dhe misioni i shoqërisë civile të jenë aktivë në monitorim dhe në të kërkuarit nga institucionet të jenë më transparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse”, thotë ekspertja Alma Lahe.

Ekspertët e raportit rekomandojnë ndër të tjera se: “Për të rikthyer besimin e publikut, është thelbësore që rastet e korrupsionit të ndiqen dhe ndëshkohen në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në kohë nga autoritetet përkatëse. Kjo përfshin zbatimin konsekuent të ligjit dhe shmangien e çdo tolerance ndaj praktikave korruptive në sektorin shëndetësor”./BIRN