17.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

‘PD nuk pastrohet pa largimin e Berishës’, Mërtiri: Nëse ka patur vjedhje votash, nuk janë bërë pa “bekimin” e tij

Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se kontradiktat kanë qenë gjithmonë pjesë e mënyrës së veprimit të Sali Berishës dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë me të edhe sot. Sipas tij, këto kundërthënie nuk shkaktojnë më asnjë reagim brenda Partisë Demokratike.

Duke komentuar qëndrimet e Adriana Kalasë, e cila ka sugjeruar largimin nga PD pas pretendimeve për manipulim të votave preferenciale, Mërtiri u shpreh se një tjetërsim i tillë nuk mund të ndodhte pa dijeninë e Berishës.
“Nëse janë vjedhur vota, janë vjedhur nga Berisha dhe njerëzit e tij. Kalaja po kërkon hakun e vet, sepse ajo ka bërë për Berishën atë që rrallëkush ka bërë. Fakti që ajo çuditet është se pse Berisha e flaku jashtë. Por Berisha këtë punë ka bërë për më shumë se 30 vjet”, tha ai.

Mërtiri theksoi gjithashtu se demokratët nuk mund të presin një reformim të vërtetë të partisë pa një ndarje të qartë me figurën e ish-kryeministrit.
“PD nuk mund të pastrohet pa u larguar Berisha. Ai është personi që i mban të gjitha lidhjet dhe influencat. Nëse janë vjedhur vota për një kandidat apo një tjetër, kjo nuk ka ndodhur pa dijeninë dhe miratimin e tij”, u shpreh analisti.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit të Kalasë në drejtim të vetë Berishës, duke e konsideruar të paplotë analizën e saj mbi situatën në PD.

Gjysma e të huajve me leje qëndrimi në Serbi vijnë nga Rusia

Nga Jovana Kërstiq dhe Svetllana Bozhiq-Krainçaniq REL

“Dua të mbijetoj”. Kështu e fillon rrëfimin e saj Ana, shtetase e Rusisë, për zhvendosjen dhe jetesën e saj në Serbi.

Ajo u zhvendos në Beograd në korrik të vitit 2023 dhe pas një muaji vendosi të hapte një biznes – gjë për të cilën, deri atëherë, thotë se kishte ëndërruar.

“E kuptova se duhej të bëja diçka që dua dhe e dua vërtet. Unë kam dashur gjithmonë të hap një bibliotekë. Dhe këtë vendosa ta bëj në Serbi”, thotë Ana për Radion Evropa e Lirë.

Ajo mori me qira një hapësirë në komunën e Vraçarit të Beogradit dhe hapi një vend ku njerëzit “lexojnë libra dhe shoqërohen, ndërkohë që hanë dhe pinë”.

Ana punonte në industrinë e teknologjisë informative, ndërsa sot kafeneja e saj është e mbushur me rafte librash.

“Biblioteka është e vogël, por veprat janë përzgjedhur me dashuri. Janë librat që unë i dua”, thotë ajo.

Ana shton se është e kënaqur me mënyrën se si mjedisi e ka pranuar.

“Është fantastike. Kam shumë miq në mesin e serbëve. Shumë fqinj me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera”, shprehet ajo.

Ana është një prej dhjetëra mijëra qytetarëve rusë që kanë shkuar në Serbi prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Për disa, Serbia ka qenë vetëm një destinacion i përkohshëm, por të tjerë kanë mbetur atje.

Kafeneja e saj bibliotekë është një vend takimi për banorët vendas, por edhe për pjesëtarë të shumtë të komunitetit rus në Beograd.

Librat në raftet e saj janë në rusisht, anglisht dhe serbisht, por ka edhe romane nga autorë serbë të përkthyera në rusisht.

“Kjo është dëshira ime, të kontribuoj në përparimin e komunitetit rus, por edhe të komunitetit në të cilin jetojmë. Të përmirësoj komunikimin dhe lidhjen e ndërsjellë”, thotë Ana, duke shtuar se hapësirën e saj, do që ta bëjë​një “shtëpi për të gjithë”.

“Shumë nga ata që vijnë këtu, më thonë se ndihen si në shtëpi. Për momentin, kjo mjafton për mua”, thotë Ana.

Të dhënat zyrtare tregojnë se çdo i dyti i huaj me leje qëndrimi në Serbi vjen nga Rusia.

Nga afërsisht 100.000 të huaj që banojnë ligjërisht në Serbi, më shumë se 53.000 janë rusë, sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave të Serbisë (RZS).

Kjo është hera e parë që numri i të huajve që kanë qëndrim të rregullt në Serbi, është i detajuar në statistika.

Hulumtimi është kryer nga RZS-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe rezultatet janë prezantuar në prill.

Demografi Vlladimir Nikitoviq nga Instituti i Shkencave Sociale në Beograd thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe se mbërritja e tyre është një lajm i mirë për Serbinë.

“… sepse në Serbi kemi ende një bilanc negativ të migrimit – kur e krahasojmë se sa njerëz vijnë dhe sa largohen, pavarësisht nëse janë shtetas tanë apo të huaj. Pra, të dhënat janë pozitive në kuptimin demografik”, thotë Nikitoviq.

Të dhënat zyrtare tregojnë se mosha mesatare e atyre që kanë emigruar në Serbi, është 32.6 vjeç, që është më e ulët se mesatarja kombëtare.

Nikitoviq thotë se kjo mund “t’i përmirësojë” statistikat e Serbisë.

“Mesatarja jonë tani është afërsisht rreth 43-44 vjeç. Në këtë kontekst, ky është një efekt pozitiv dhe do të ishte mirë nëse modelet e tilla, do të vazhdonin”, thekson Nikitoviq.

Sipas të dhënave, të cilat i referohen vitit 2023, qytetarët rusë që jetojnë në Serbi, janë mesatarisht 30 vjeç.

Shumica janë burra, 54.4 për qind, ndërsa gratë përbëjnë 45.6 për qind.

Rreth 83 për qind e tyre jetojnë në komunat qendrore të Beogradit dhe në Novi Sad.

“Ata kanë zgjedhur mjediset që besojnë se mund t’u ofrojnë më shumë. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një mundësi për ato mjedise – në njëfarë mënyre”, beson demografi Nikitoviq.

Sa i përket demografisë, sipas tij, është mirë për komunitetet lokale kur një popullsi që është mesatarisht më e arsimuar se popullsia e përgjithshme, shpërngulet – siç është rasti me qytetarët rusë.

“Ata, gjithashtu, kanë një portofol aftësish që këtij komuniteti i mungojnë, sepse është kryesisht popullsi që vjen nga pjesët më urbane të Rusisë – niveli i zhvillimit të të cilave është shpesh mbi mesataren e Bashkimit Evropian”, shpjegon Nikitoviq.

“E, tani, praktikisht varet nga shoqëria jonë se si do ta përdorë këtë impuls”, shton ai.

“Jeta është e shtrenjtë në Beograd. Qiranë e apartamentit e paguaj 750 euro, kjo është shumë! Është tepër e shtrenjtë. Tregu është i shtrenjtë”, thotë Ana.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës dhe mbërritjes së një numri të madh rusësh në Serbi, rritja e çmimeve është bërë një nga temat dhe shqetësimet e përditshme të banorëve serbë.

Nikitoviq thotë se do të ishte “e padrejtë t’i hidhej faji popullsisë ruse”.

“Nuk është shkaktuar drejtpërdrejt nga mbërritja e popullsisë ruse. Por, momenti është përdorur për t’i rritur çmimet për arsye të ndryshme – jo vetëm për strehimin, por për të gjitha shërbimet”, beson ai.

“Duket se kjo valë [e rritjes së çmimeve] ka kaluar”, thotë ai dhe shton se migrimet e tilla e përshpejtojnë procesin e urbanizimit.

“Shikojeni Beogradin sot, i cili është një qytet shumë më metropolitan sesa ishte vetëm shtatë ose tetë vjet më parë. Rusët kontribuuan në këtë, por edhe migrimet e tjera që po ndodhin dhe për të cilat jemi të vetëdijshëm edhe pa këto të dhëna statistikore”, thotë ai.

Për Anën, hapja e një biznesi në Serbi ishte gjithashtu sfidë.

“Ende nuk mund ta kuptoj politikën tatimore në Serbi… Është vërtet shumë vështirë t’i paguash të gjitha këto taksa. Të ardhura nuk kemi shumë, ndaj punojmë vetëm”, thotë Ana, e cila punon bashkë me një mik të sajin.

Ajo shton se situata aktuale është e tillë që nuk të ofron përmbushje materiale, por ajo personale është e madhe, sipas saj.

“Kështu është për momentin, po përpiqemi ta rregullojmë. Nuk e di se si, por shpresojmë se do ta bëjmë”, shton ajo.

Serbia nuk ka qenë gjithmonë një destinacion tërheqës për emigrantët rusë.

Pika e kthesës ka ndodhur në mars të vitit 2022, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në atë kohë është regjistruar vala e parë e të arriturve të regjistruar në Serbi – ku qytetarët rusë ende mund të hyjnë pa viza, ndryshe prej shumicës së vendeve të tjera evropiane.

Disa kanë shkuar atje, sepse nuk kanë mundur t’i vazhdojnë bizneset në vendin e tyre. Kjo për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Moskës, të cilave Beogradi nuk u është bashkuar.

Disa të tjerë, ndërkaq, janë larguar nga Rusia për shkak të mospajtimit me luftën ose nga frika e mobilizimit ushtarak.

Që atëherë, qindra mijëra qytetarë rusë kanë hyrë në Serbi, por jo të gjithë kanë qëndruar.

Për ata që vendosin të qëndrojnë, është e nevojshme një leje qëndrimi. Në vitin 2022, më shumë se 19.000 rusë i kanë marrë ato.

Me vazhdimin e luftës edhe në vitin 2023, leje qëndrimi në Serbi kanë marrë edhe qytetarë të tjerë rusë – gati 23.000.

Shkalla e ndryshimit shihet më së miri në krahasim me vitet e kaluara.

Gjatë vitit 2012, më pak se 500 qytetarë rusë kanë marrë leje qëndrimi në Serbi, që do të thotë se numri i imigrantëve rusë, ndërkohë, është rritur pothuajse 47 herë.

Ana thotë se do një pasaportë serbe, por se motiv i saj nuk është liria e lëvizjes.

“Dua një pasaportë serbe, sepse dua të jetoj këtu. Nuk ka të bëjë me udhëtimin e lirë apo qëndrimin pa viza”, sipas saj.

Në vitin 2023, në Serbi kanë lindur mbi 230 foshnje nga prindër me shtetësi të huaj.

Më shumë se gjysma e këtyre fëmijëve kanë prindër që janë shtetas rusë.

Edhe pse beson se ky është një lloj treguesi se qytetarët rusë jo vetëm që qëndrojnë më gjatë në Serbi, por edhe krijojnë familje atje, demografi Nikitoviq thotë se është e vështirë të vlerësohen qëllimet e tyre në lidhje me qëndrimin e përhershëm në Serbi.

“… sidomos duke marrë parasysh situatën [në Rusi]. Dihet që sa më gjatë që të qëndrosh diku, aq më të mëdha janë shanset për të qëndruar aty”, shton ai.

Sipas tij, praktika demografike tregon se, mesatarisht pas shtatë vjetësh, shanset për të qëndruar diku rriten me shpejtësi.

Edhe pse Beogradi dhe Moska tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dhe publiku serb dominohet nga narrativi i “kombeve vëllazërore”, ky vend u ka treguar një fytyrë paksa ndryshe disa qytetarëve rusë, duke ua shkurtuar mikpritjen.

E përbashkët e tyre është kundërshtimi i pushtimit të Ukrainës dhe i politikave të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kështu, në vitin 2023, aktivistëve kundër luftës, Vladimir Volohonski dhe Jevgeni Irzhanski, u janë refuzuar kërkesat për të zgjatur qëndrimin e tyre në Serbi, për shkak të, siç është thënë, “shqetësimeve për sigurinë”.

Një mesazh të ngjashëm ka marrë edhe aktivisti kundër luftës, Ilya Zernov, disa muaj më vonë. Policia kufitare nuk e ka lejuar të hyjë në Serbi, edhe pse ai ka arritur atje nga Gjermania, për të marrë pjesë në gjyq për një sulm ndaj tij, i cili ka ndodhur më herët në Beograd.

Në këtë grup bën pjesë edhe historia e Elena Koposovas, kërkesa e së cilës për qëndrim të përhershëm është refuzuar vazhdimisht nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Ajo jeton në Serbi me bashkëshortin dhe fëmijët e saj tash e pesë vjet.

Në justifikim përmenden “arsyet e sigurisë”, por Koposova beson se arsyeja e vërtetë lidhet me nënshkrimin e një letre publike kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Pas qytetarëve rusë, kinezët përbëjnë numrin më të lartë të qytetarëve të huaj në Serbi.

Sipas të dhënave nga fundi i vitit 2024, çdo i dhjeti i huaj në këtë vend vjen nga Kina.

Në total janë rreth 12.300 prej tyre.

Ky numër është rreth tetë herë më i lartë se në vitin 2012, kur ishte rreth 800.

Shumica e tyre janë të vendosur në Bor dhe Zrenjanin – gjë që tregon se është puna ajo që i ka çuar në Serbi.

Dy kompani të mëdha kineze operojnë në këto dy qytete – kompania minerare Zigjin në Bor dhe Linglong në Zrenjanin, e cila po ndërton një fabrikë të gomave të makinave.

Kinezët pasohen nga qytetarët e Indisë (4.574), të Turqisë (4.029), të Maqedonisë së Veriut (1.952) dhe të Ukrainës (1.472).

Pjesa e shtetasve të tjerë në numrin e përgjithshëm të të huajve në Serbi është rreth 17.7 për qind.

“Ky qytet është imi ose vdes!”/ SMS: Pse bosët e Liverpool s’punojnë me shqiptarët

Liverpool është një qytet ku mafia shqiptare ka pasur gjithmonë vështirësi për të depërtuar, ndryshe nga pjesa tjetër e Britanisë ku ajo dominon tregun e drogës. Tabloidi “Daily Mail” i ka kushtuar një shkrim të gjatë investigativ kësaj çështjeje.

Ky realitet pasqyrohej edhe në dramën kriminale të BBC-së ‘This City Is Ours” (Ky qytet është i yni), ku bosi i krimit në Liverpul, Michael Kavanagh, refuzon krijimin e lidhjeve me trafikantët shqiptarë.

“Daily Mail” ka zbuluar një sërë provash, përfshirë mesazhe, që tregojnë se si bandat lokale ruajnë kontrollin mbi tregtinë e drogës në Liverpul dhe tregohen të kujdesshme për të mos lejuar rivalët shqiptarë të fitojnë terren.

“Është territori i fundit i drogave në Angli që nuk kontrollohet nga mafia shqiptare, e cila ka forcuar pushtetin në Britani përmes reputacionit për besueshmëri, çmime të ulëta dhe gatishmëri për të përdorur dhunë vdekjeprurëse. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) pranon se kriminelët shqiptarë ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregtinë e drogës në Britaninë e Madhe” – citohet në shkrim.

Por si kanë arritur gangsterët e Liverpool të mbajnë dominimin përballë një rreziku kaq të madh?

Shikuesit e serialit ‘This City Is Ours’ mund të kujtojnë një skenë ku Jamie Phelan – që përpiqet të zëvendësojë Michael Kavanagh si drejtues i perandorisë familjare të drogës – propozon të blejnë një ngarkesë nga trafikantë shqiptarë. Por Michael e refuzon idenë me zemërim, duke thënë se “nëse i përfshin shqiptarët, ata nuk do largohen më kurrë”.

Edhe pse skena është fiktive, prova nga jeta reale tregon se debati i bosëve të krimit në Liverpool për bashkëpunimin me furnizues nga Ballkani është shumë i vërtetë. Kjo u ilustrua nga një bisedë mes lordëve të drogës në Liverpul, Vincent dhe Francis Coggins – të njohur si pjesë e bandës së frikshme Huyton Firm në EncroChat, e cila tashmë është dekriptuar.

Mesazhet, të zbuluara gjatë një procesi gjyqësor, tregojnë vëllezërit duke diskutuar mundësinë për të punuar me një trafikant shqiptar me bazë në Marbella. Vincent i thotë Francis se një “djalë i ri” i kishte ofruar partneritet, por Francis përgjigjet se “nuk ishin të interesuar”, duke sugjeruar në vend të kësaj një kontakt tjetër nga bota e krimit.

“Po, të lodhin shumë albot,” shkruan Vincent. “I thashë që nuk ishim të interesuar, por i lidhëm me dikë tjetër”. Një burrë nga Liverpuli me njohuri për tregun e drogës tha se kjo bisedë pasqyron qëndrimin e përgjithshëm mes bosëve të bandave në qytet.

“Ja ku e keni – ata nuk duan të punojnë me shqiptarët, por kjo është në nivelin e shumicës, kështu që biseda është korrekte dhe mjaft e sjellshme”, i tha ai Daily Mail. “Në këtë nivel, firma të ndryshme lëvizin para dhe ndajnë informacion e burime. Por nëse vëllezërit Coggins do të dëgjonin se shqiptarët donin të hynin në tregun me pakicë në Merseyside, biseda do të kishte qenë shumë ndryshe. Do të kishte luftë”.

Francis shkruan në një mesazh tjetër: “Qyteti është i imi ose vdes”. Burimi i Daily Mail shtoi: “Francis është shumë i qartë se kush sundon Liverpulin, dhe nuk janë shqiptarët”. Bandat shqiptare besohet se kanë marrë kontrollin e tregut britanik të kokainës, me vlerë 5 miliardë paund në vit, duke negociuar direkt me kartelet kolumbiane dhe duke konkurruar me çmime shumë më të ulëta kundër rivalëve kriminalë.

Një nga emrat kryesorë është Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, i cili u ekstradua në Shqipëri më në fund në janar, pas 27 vitesh arratisje. Ekspertët shpjegojnë këtë fenomen me faktin që shqiptarët e kanë të vështirë të “përzihen” në Liverpool siç bëjnë në Londër apo Birmingem, si dhe për shkak të rrezikut nga kundërpërgjigjet e dhunshme nëse do përpiqeshin të hynin me forcë në tregun lokal.

Burimi nga Liverpuli tha: “Nëse ke portin, ke qytetin. Nëse shqiptarët duan të bëjnë lëvizje, duhet të marrin kontrollin e portit. Por kjo nuk po ndodh për momentin”. Një ish-trafikant i kokainës nga Liverpool po ashtu vuri në dukje rëndësinë e kontrollit të portit për bandat e drogës: “Tregu i drogës të klasit A në Liverpul dominohet nga grupet nga Huyton, Speke dhe Vauxhall. Ata kanë shokë në Portin e Liverpulit, që u jep kontroll mbi atë që hyn në qytet. Ata nuk do t’i lejojnë shqiptarët në tregun e tyre”.

Edhe pse jo e gjithë droga hyn në Liverpul përmes transportit detar — shumë prej saj vjen me aeroplanë ose anije të vogla — ndikimi mbi portin padyshim ka ndihmuar ngritjen e grupeve si Huyton Firm.

Analiza e REL: Si po e shfrytëzon Kina tërheqjen e Perëndimit për të zgjeruar praninë në Ballkanin Perëndimor?

Kina po e forcon ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor përmes fuqisë ekonomike, projekteve infrastrukturore dhe gjithnjë e më shumë përmes ndikimit kulturor dhe mediatik, thuhet në një analizë të Qendrës së Forenzikës Digjitale (DFC) nga Podgorica, e publikuar më 3 qershor.

Sipas analizës – projekt i financuar nga Ambasada amerikane në Podgoricë – Pekini po shfrytëzon tërheqjen e partnerëve perëndimorë për të rritur praninë e vet në rajon përmes investimeve në infrastrukturë, media dhe kulturë. Projektet infrastrukturore, sipas analizës, janë kanali kryesor për hyrjen kineze në rajon, shpesh të shoqëruara me procedura jotransparente dhe rrezik për korrupsion.

“Çmimet më të ulëta në krahasim me konkurrentët amerikanë dhe evropianë po u mundësojnë kompanive kineze të sigurojnë bashkëpunim me vendet e rajonit. Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor shërben si trampolinë dhe urë për shtrirjen e investimeve kineze në Evropë”, tha analisti i DFC-së, Marko Banoviq.

Në nivel global, Kina – ndonëse formalisht neutrale në luftën në Ukrainë – mbështet Rusinë. “Kështu arrin të ruajë partneritetin strategjik me Moskën, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e veta ekonomike në Evropë”, vlerëson Banoviq.

Përmes iniciativave si “Brezi dhe Rruga” dhe angazhimit në BRICS, Kina po synon t’i vendosë themelet e një rendi të ri ndërkombëtar ku modeli i saj politik dhe ekonomik të ketë rol qendror.

Kina në Serbi – partner strategjik

Analiza e DFC-së thekson se Serbia është një nga pikat kyçe të ndikimit kinez në Evropë. Marrëdhëniet janë forcuar sidomos pas ardhjes në pushtet të Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit. Që nga viti 2024, Kina është bërë aleati kryesor politik dhe ekonomik i Serbisë, sipas Banoviqit.

Në gjysmën e parë të vitit 2024, Kina ishte investitori i dytë më i madh në Serbi, pas BE-së, me rreth një të tretën e investimeve të drejtpërdrejta. Në Serbi operojnë 1.560 kompani me kapital kinez, që punësojnë rreth 20.600 persona. Kina është partneri më i madh tregtar i Serbisë, me një shkëmbim prej 5.7 miliardë eurosh – nga të cilat 5.13 miliardë janë import.

Marrëveshja për tregti të lirë nga korriku 2024 përfshin mbi 20.000 produkte, nga të cilat 90 për qind do të përjashtohen nga taksat doganore.

Nga viti 2012 deri në 2021, janë identifikuar të paktën 61 projekte me vlerë totale 18.7 miliardë euro të realizuara nga kompani kineze. Banka kineze Exim ka dhënë kredi në vlerë 5.7 miliardë euro, ndërsa kompanitë kineze kanë investuar drejtpërdrejt rreth 2 miliardë.

Politikisht, Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia mbështet politikën e “një Kine”.

“Ndikimi kinez promovohet si model fitimtar për të dyja palët, pa kushte politike – ndryshe nga BE-ja që insiston në sundimin e ligjit dhe reforma”, thekson Banoviq.

Ndikimi kinez pasqyrohet edhe në ndryshimet ligjore – përfshirë Ligjin e Punës dhe ligjin për procedura të veçanta – të cilat janë përshtatur për të favorizuar investitorët kinezë.

Kina i ka shitur Serbisë dronë dhe sistemin antiajror FK-3, duke e zgjeruar tregun e saj të armëve përtej kufijve tradicionalë.

Kina dhe Kosova

Ndërmjet Kosovës dhe Kinës nuk ekzistojnë marrëdhënie diplomatike formale, por ndikimi kinez nuk është krejtësisht i munguar – megjithëse mbetet shumë i kufizuar.

Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 dhe e mbështet integritetin territorial të Serbisë, duke e parë Kosovën në prizmin e çështjeve të veta të brendshme, si Tajvani dhe Tibeti.

Kina ka penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL. Ajo nuk ka ambasadë në Prishtinë, por vepron përmes Zyrës Ndërlidhëse në kuadër të ambasadës së saj në Beograd.

Megjithatë, tregtia mes dy vendeve po rritet. Në vitin 2023, Kosova importoi nga Kina mallra me vlerë 650 milionë euro, ndërsa eksportoi vetëm 442 mijë euro.

Kryesisht bëhet fjalë për pajisje teknologjike, përfshirë sisteme mbikëqyrjeje të kompanive Dahua dhe Hikvision – të cilat janë nën sanksione në vendet perëndimore për arsye sigurie.

Investimet kineze në Kosovë janë pothuajse të papërfillshme. Kina përmendet rrallë në media dhe shpesh në mënyrë neutrale ose negative, me theks të madh te partneriteti me BE-në dhe SHBA-në.

Sipas një sondazhi të DFC-së, 69 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë se lidhjet e forta me Kinën do të përmirësonin interesat e vendit – duke reflektuar orientimin e thellë pro-perëndimor të shoqërisë kosovare.

Kina dhe Mali i Zi

Kina dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të mira politike, si në nivel dypalësh ashtu edhe përmes iniciativës “Brezi dhe Rruga”. Ndryshe nga Rusia, Pekini nuk përzihet drejtpërdrejt në politikën e brendshme të Malit të Zi dhe madje ka mbështetur anëtarësimin e vendit në BE.

Ndryshe nga BE-ja që përqendrohet në reforma ligjore e institucionale, angazhimi kinez reflektohet përmes bashkëpunimit me institucione konkrete, investimeve në infrastrukturë dhe financa. Kjo përfshin vizita zyrtare, shkëmbime studimore dhe pjesëmarrje të kompanive kineze në tregun malazez.

Kina ende nuk është investitori më i madh në Mal të Zi, por ka rol të rëndësishëm si kreditor dhe kontraktues. Shembulli më i madh është kredia prej afro një miliard dollarësh që Qeveria malazeze mori nga banka Exim për ndërtimin e autostradës Bar–Boljare, projekt i kompanisë kineze CRBC.

Kina është gjithashtu e përfshirë në projekte si rikonstruksioni ekologjik i Termocentralit të Plevlës. Por, shumë prej këtyre projekteve janë jotransparente dhe kanë ndikim negativ në mjedis.

Ndikimi i Pekinit në Mal të Zi nuk është vetëm ekonomik – përmes programeve kulturore dhe arsimore, shkëmbimit të studentëve dhe përmbajtjeve mediatike që promovojnë perspektivën kineze. Kina po ndërton ndikim të butë që ndikon diskursin publik dhe orientimin politik.

Sipas një sondazhi të DFC-së nga maji 2024, 33.8 për qind e qytetarëve besojnë se Kina ka ndikim të madh në Mal të Zi, dhe 63.2 për qind e vlerësojnë atë si pozitiv.

Kina në Bosnje e Hercegovinë

Ndikimi kinez në Bosnje dhe Hercegovinë është më i dukshëm në entitetin Republika Sërpska, përmes tregtisë, arsimit, mediave dhe diplomacisë. Edhe pse bashkëpunimi paraqitet si ekonomik dhe kulturor, analiza vlerëson se ai ka përmbajtje gjithnjë e më shumë politike.

Në vitin 2023, këtë vend e vizitoi i dërguari special i Qeverisë kineze për çështjet evropiane, Vu Hongbo, me fokus te bashkëpunimi, në kuadër të iniciativës “Brezi dhe Rruga” dhe sigurisë evropiane.

Në nëntor të po atij viti, presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, u takua me ambasadorin kinez, Ji Ping për të diskutuar mbi situatën politike dhe Marrëveshjen e Dejtonit, gjë që u interpretua si përfshirje direkte e Kinës në çështjet e brendshme të Bosnjës.

Në vitin 2021, Kina dhe Rusia tentuan përmes Kombeve të Bashkuara të mbyllin Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), por rezoluta nuk kaloi.

Kina në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, ndikimi kinez vjen përmes tregtisë, arsimit, mediave dhe diplomacisë. Edhe pse marrëdhëniet paraqiten si të favorshme për të dyja palët, analiza ngre shqetësime për ndikim të mundshëm negativ që mund të cenojë sovranitetin dhe proceset demokratike.

Kina kritikoi ashpër vizitën e deputetëve maqedonas në Tajvan, ndërkohë që projektet e zhvillimit që ofron shpesh përmbajnë klauzola të fshehta, si mundësia e kërkesës për kthim të menjëhershëm të kredive nëse cenohen interesat kineze.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut i ka borxh Kinës 479 milionë dollarë – që përbën 8.7 për qind të borxhit të jashtëm të vendit. Shkëmbimi tregtar në vitin 2024 ishte rreth 490 milionë dollarë, me deficit të madh në anën maqedonase.

Instituti Konfuçi në Shkup është instrumenti kryesor i ndikimit kulturor dhe arsimor kinez. Numri i kursantëve është rritur nga 60 në vitin 2013 në 562. Gjysma e librave të përkthyer nga kinezishtja janë për fëmijë – tregues i synimit drejt brezave të rinj. Maqedonia e Veriut ka realizuar më shumë projekte shkencore me Kinën sesa me çdo vend tjetër./REL

Bizneset e turizmit kërkojnë që qeveria t’u subvencionojë punonjësit jashtë sezonit

Ndërsa sektori i turizmit po përballet çdo ditë e më shumë me mungesë të fuqisë punëtore, dhe një pjesë e mirë po e zgjidhin këtë përmes punonjësve nga Filipinet, kërkohet marrje masash serioze nga qeveria që kjo situatë të mos vijojë më.

Ndër këto masa është subvencionimi i studentëve që ndjekin degë të hoteleri-turizmit dhe i punonjësve, jashtë periudhës së sezonit.

“Kemi rekomanduarit tre gjëra kryesore. E para, subvencionimin e shkollave profesionale dhe universiteteve. Në mënyrë që këta nxënës në këtë moment që ti i kërkon, të mos shkojë të mbarojë juridikun dhe të vijë të punojë kamerierë. Por të mbarojë shkollë turizmi dhe t’ia paguaje shteti rrogën. Për një familje është gjëja më e madhe që ti hiqen shpenzimet për shkollim. E dyta subvencion i punonjësve të turizmit. Nëse do cilësi, ti nuk mund ti thuash ik në muajin tetor dhe hajde në maj. Dhe e treta, rregullimi i kodit të punës, që kontrata të ketë detyrime ligjore”, tha Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës Hoteleri-Turizëm.

Sipas Topuzit, vendi ynë mund të aplikojë lehtësisht modelin grek apo italian të turizmit i cili ka një kosto minimale në raport me ndikimin që ka ky sektor në ekonomi.

“Po të bësh një llogari të thjeshtë, duhen 60 milionë euro në vit për ta mbyllur këtë cikël. Duhet bërë një analizë e plotë, çdo turist fut në punë 7-8 punonjës, sepse kur themi turizëm, është i gjithë zinxhiri dhe nuk bëhet fjalë vetëm për atë që shërben. Ne kemi bërë një studim, PNUD bashkë me shoqatës, tonë dhe një ndër pyetjet ishte nëse turzimi ka nevojë për punonjës të huaj dhe vetëm 5 për qind ishte dakord për punonjës të huaj. Sepse duke qenë një industri sezonale ai nuk ka mundësi ta paguajë një punonjës të huaj për të gjithë viti. Ndërkohë që pjesa më e madhe e këtij biznesi është familjar dhe nuk mund të përballojë këtë kosto.”

Vetëm në 4 muajt e parë të vitit në Shqipëri kanë hyrë 2.4 milionë shtetas të huaj, duke sinjalizuar një sezon të mbarë turistik jo vetëm veror por edhe përgjatë muajve të tjerë.

Scan 

Fushatë me postera dhe premtime, ish-Keneta, lagja që politika e mban “të përmbytur”

Nga Erjola Azizolli

Në zgjedhjet e 11 majit, Durrësi mbeti arenë e dominimit të partive të mëdha, një garë e parashikueshme me rezultatin e pandryshuar (si katër vite më parë) 8 mandate për PS-në dhe 6 për PD-në.

Partitë e mëdha dominuan me hapësira për zyra elektorale kudo nëpër qytet, me postera, grupe mbështetësish, takime të organizuara, ndërsa kandidatët e partive të vogla u mbështetën kryesisht nga burime familjare

Por larg atmosferës së posterave shumëngjyrësh zyrave elektorale dhe premtimeve të njëpasnjëshme, në periferi të qytetit, një nga lagjet më të mëdha ajo e ish-Kënetës vijon të përballet me të njëjtat problematika nga zgjedhjet në zgjedhje dhe premtime të pambajtura.

Ish-Këneta

Lagjet nr. 14, 15 dhe 17 të njësisë nr. 6 të Durrësit, të njohura si ish-Këneta, janë shtëpia e afro 40 mijë banorëve, shumica prej të cilëve të vendosur dekada më parë nga veriu i vendit.

Më 11 maj, vetëm 10 mijë prej tyre dolën në votime, një pjesëmarrje e ulët që tregon më shumë lodhje sesa shpresë.

Në këtë zonë, problematika kryesore që lidhet me përmbytjet është kthyer në përditshmëri. Banorët ankohen se pas çdo reshjeve intensive, rrugicat mbushen me ujë dhe oborret përmbyten.

Pusetat dhe kanalet e hapura qëndrojnë mbi nivelin e banesave, duke e bërë të pashmangshëm dëmin. Përmbytja e fundit më 30 janar preku qindra banesa, por banorët thonë se nuk kanë marrë ende asnjë dëmshpërblim.

Banorët

“Ne vetë i kemi bërë rrugët mes lagjeve me duart tona,” thotë Ramiz Miha, banor i ardhur nga Dibra që jeton në zonë prej 20 vitesh. “Të paktën të mbajnë premtimin për kanalet, se premtime kemi dëgjuar për 20 vjet me radhë”

Edhe në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit premtimet u fokusuan në sistemime kanalesh dhe shtrim i rrugëve mes lagjeve.

“Kemi 20 e kusur vite që dëgjojmë të njëjtat premtime dhe prapë ne vazhdojmë të përmbytemi”, tha për Faktoje Simon Lleshaj, banesa e të cilit u përfshi së fundmi nga përmbytjet.

Problemin e përmbytjeve e ngriti dhe Safije Hyko e Qamile Bufi, banore të zonës me të cilat kontaktoi Faktoje.

Gratë që qëndronin sëbashku me rrugicën e lagjes u ankuan se përmbytjet këtu janë bërë të zakonshme.

“Sa herë që ka shumë shi, ne rrimë me sytë nga qielli se kemi frikë se do vërshojë uji dhe do përfshijë oborre dhe banesa”, tha Safije Hyko.

Bashkia tha se zona është përmbytur dy herë në 10 vitet e fundit, ndërsa është në fazën e vlerësimit për dëmet.

“Bashkia Durrës është në fazën e vlerësimit dhe shqyrtimit për trajtim financiar të qytetarëve të prekur sipas mundësisë së buxhetit apo transfertat e fondit të kushtëzuar”, shpjegoi institucioni. Ndërsa Bashkia vijon të merret më vlerësimin e dëmit, problematika mbetet

Fushata 

Ndërsa problemet në lagje si ish-Këneta përsëriten çdo vit, fushata zgjedhore e Durrësit tregoi një realitet tjetër, një fushatë ku partitë e mëdha nuk lanë hapësirë për konkurrencë

Partia Socialiste ruajti 8 mandatet që kishte, me mbi 70 mijë vota (52%), ndërsa koalicioni PD-ASHM mori mbi 53 mijë vota (39%), por humbi terren krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, rënie me 9%. Partitë e tjera në garë nuk arritën rezultat në Durrës, ndonëse pjesë e listave të tyre ishin emra të pakontestuar.

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” mori marrë 2.43% të votave, Partia “Mundësia” 2.62%, Lëvizja “Bashkë” 1.2%, Partia Koalicioni Euroatlantik 0.9%, Koalicioni Djathtas për Zhvillim 0.7%, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare 0.2%, Partia Socialdemokrate 0.2%, Lëvizja Atdheu 0.3%.

“Mund të them që kjo fushatë u dominua kryesisht nga dy partitë e mëdha, dhe në përçapje të partive/ koalicioneve të reja për të gjetur hapësirë promovimi e fushate”, tha për Faktoje, Mirian Reçi, përfaqësuese e Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC) në Durrës.

Në këto zgjedhje mungoi gjithashtu debati mes kandidatëve. Kandidatët përdorën masivisht rrjetet e tyre sociale për të promovuar takimet e tyre elektorale dhe shumë pak prej tyre u panë në intervista në mediat lokale, por jo në përballje.

Forumi publik “Përballja e Ofertave Politike për Zgjedhjet Parlamentare 2025”, organizuar nga CSDC ishte i vetmi që u zhvillua në qytet, por që u përkrah vetëm nga katër kandidatë nga partitë e reja./faktoje.al

“Fëmijët e të internuarve t’i pranoni në shkollë”, shkresa e Shemsi Totozanit më 1950. Dënimi me 10 vite burg, akuzat

NGA HAJREDIN ISUFI
STUDIUES

Lindi në Delvinë me 30 dhjetor 1911 në një familje qytetare. Shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës e më pas vazhdoi studimet për letërsi në Francë. Më 1937, për arsye shëndetësore, ndërpret studimet dhe kthehet në Shqipëri. Fillimisht emërohet profesor për gjuhën frënge në Institutin tregtar të Vlorës dhe vazhdoi mësimdhënien deri në vitin 1942. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), u lidh me grupin organizativ të Vlorës e më pas zgjidhet anëtar i Komitetit Qarkor. Shemsi Totozani ishte trim dhe njeri i aksioneve. Ai mori pjesë bashkë me shumë vlonjatë në demonstratën e 28 nëntorit 1942, kur ishte vetëm 21 vjeçar, ku dhe u arrestua. Pas daljes nga burgu me një grup shokësh, ish-nxënësit e tij u hodhën në ilegalitet në Krahinën e Mesoplikut. Aktiviteti i tij në ilegalitet vazhdoi vetëm dy javë e me porosi të Qarkorit të Vlorës, zbret përsëri në qytet për të vazhduar veprimtarinë e tij antifashiste në jetën legale së bashku me shumë bashkëqytetarë vlonjatë. Shokët e Qarkorit të Vlorës për të shmangur një arrestim të mundshëm e për të humbur gjurmët, menduan ta dërgonin Shemsi Totozanin në Gjirokastër. Ai atje, u prit ngrohtë në Gjirokastër dhe nuk zgjati shumë, me 12 prill 1942 hyri në organizatën e PKSH-së si anëtar celule. Pas 4 muajsh, me 16 korrik 1942 u hedh në ilegalitet, megjithëse vuante nga një sëmundje kronike që e mundonte shumë. Oficerët anglezë propagandonin kundër EAM- ELAS-it e kishin bërë pjesë të programit të tyre me qëllim që të krijonin përçarje dhe ftohje në masën e të krishterëve grekë që ishin në radhët e ELAS-it”.

Shemsi Totozani vriste mendjen se nga kush i vinin këto goditje që ia lëndonin shpirtin e tij të pastër, herë-herë mendonte kur i dilte gjumi natën, se mos e kishte nga Nako Spiro apo Qibrie Ciu, me të cilët kishte pasur ndonjë debat të lehtë pune… por e largonte atë mendim nga shpirti i tij i trazuar dhe mendjen e përcillte në ndonjë ndodhi tjetër, por nuk arrinte dot të shpjegonte pse kishte nisur një luftë kundër tij… që nuk iu nda për vite e vite me radhë deri në fund të jetë së tij.

SHEMSI TOTOZANI EMISAR I QARKORIT TË GJIROKASTRËS NË FSHATRAT E MINORITETIT GREK

Në vjeshtën e vitit 1942 dhe në pranverën e vitit 1943, u ndërmorën veprime konkrete nga Fronti Nacionalçlirimtar (FNÇL) dhe Qarkori i Gjirokastrës për të tërhequr vullnetarë për çetat partizane dhe për të krijuar këshillat antifashistë. Qarkori i Partisë së Punës Komuniste (PKSh) në Gjirokastër, shpërndau në terren aktivistët më të përzgjedhur për të organizuar takime e konferenca me popullin dhe drejtuesit e fshatrave minoritare për të rekrutuar njerëz në frontin antifashist e të mos ndikoheshin nga presionet e EDES-it (Lidhja Demokratike Greke), i drejtuar nga Napoleon Zerva, që kishte shpërndarë në disa zona të minoritetit së Dhrovjan dhe Leshnicës rreth 23 zervistë ku paguanin 1 sterlinë angleze për të rekrutuar pjesëtarë të familjeve minoritare në radhët e EDES-it. (1). Emisari i grupit të aktivistëve të Qarkorit të Gjirokastrës që u nis për në fshatrat e minoritetit ishte Shemsi Totozani, sekretar i seksionit politik të Qarkorit të Gjirokastrës, bashkë me Shefqet Reçin, Dilaver Poçin, me pseudonimin “Çakalli”, e shokë të tjerë, mes tyre dhe Rexhep Çami nga Filati dhe Rexho Plaku një drejtues i rëndësishëm politik në Konispol e rrethina.(2) Historiani Minella Daljani shkruan se në këtë kohë, minoriteti grek në Shqipëri kishte edhe kuadrot e veta drejtuese të lëvizjes antifashiste si; Dhimitër Çati, Lefter Talo, Theodhor Siano, Spiro Ciu etj. Daljani, gjithashtu, na informon se Dhimitër Çati nga Sotaria e Dropullit të Sipërm me pseudonimin “Aleko”, jetonte në Janinë. Ai kishte qenë ndërlidhës ndërmjet Qarkorit të Gjirokastrës dhe të zyrave epirotike të EAM-it (Fronti Çlirimtar Kombëtar grek në Janinë për një front të përbashkët në luftën antifashiste.(3). Kontaktet e të dërguarve të Qarkorit, shënuan zhvillime të dukshme në fshatrat e minoritetit Grek. Në shumë fshatra u formuan këshillat NÇL dhe grupe të armatosura antifashiste. Me 15 shkurt 1943 në Konispol u formua “Çeta e Çamërisë”. Në atë çetë bashkë me shqiptarët myslimanë çamë ishin të inkuadruar dhe shumë luftëtarë grekë nga minoriteti grek në Shqipëri; Lefter Talo ishte njëri nga të tre anëtarët drejtues të çetës. Kjo çetë do të bëhej bërthama e batalionit “Çamëria”, që u krijua me 18 qershor 1943 me myslimanë çamë dhe ortodoksë minoritarë.

Në fund të marsit 1943 falë bashkëpunimit të FNÇL shqiptar me EAM-in grek, emisarët e parë drejtues të EAM-it nga zona e Filatit të përbërë nga Janis Kontis, Taqis Theologis, Panajotis Mitsis etj. Sapo shkelën në Leshnicë, fshat minoritar në kufi, takimin e parë e patën me komandantin e “Çetës Çamëria”, Shemsi Totozanin dhe Lefter Talon. Grupi i emisarëve të EAM-it- shkruan Panajotis Mitasis (anëtar i grupit) në librin e tij “Thimamai” (4). Në Leshnicë zhvilluan një takim me banorët e fshatit që i pritën miqësisht dhe iu shpjeguan “qëllimin e luftës së përbashkët kundër pushtuesve”, e më pas kaluan në disa fshatra minoritare. Me 25 mars, festa kombëtare e Greqisë i gjeti në fshatin Aliko. Aty, bashkë me fshatarët festuan ditën e festë kombëtare me këngë e valle, ku u mbajt dhe një fjalë e rastit.

Këto në çdo fshat që shkuan krijuan bazat për ngritjen e këshillave antifashiste dhe luftëtarëve minoritarë për çetat partizane antifashiste. Niko Zhango që iu bashkua forcave partizane shqiptare, me veprat e tij voluminoze i vlerëson shumë emisarët e EAM-it që dërgohen në fshatrat minoritare dhe thirrjes e udhëheqësit të së majtës greke.

Aris “që i bënte thirrje komunitetit grek në Shqipëri të merrte pjesë në rezistencën antifashiste, së bashku me partizanët e vendit ku jetojnë, ndërsa Napoleon Zerva i këshillonte minoritarët të bashkoheshin me organet Nacionaliste të EDES-it” (5). Ky komision i EAM-it në kthim, bashkë me disa drejtues çam të “Çetës Çamëria”, Rexho Plaku nga paria e Konispolit, Taho Sejko dhe Vehip Demi nga Filati, shkuan bashkë me emisarët e EAM-it në fshatrat çame të Filatit për të mobilizuar forca të reja partizane dhe ngritjen e Këshillave antifashiste (5). Emisarët çamë u bënin thirrje vendasve të tyre çamë që të ndërprisnin çdo lidhje me pushtuesin dhe mbështetësit e tyre, Nuri Dino e Mazar Dino. Emisarët çamë në Koskë morën pjesë edhe në ngritjen e Këshillit të Parë Antifashist në fshatin Koskë.

MBLEDHJA E NEPRAVISHTËS (20 QERSHOR 1943)

Qarkori i PKSH dhe Frontit NCL të Gjirokastrës, organizuan në fshatin Nepravishtë të Libohovës një mbledhje ku merrnin pjesë kuadrot aktivë të lëvizjes antifashiste nga gjithë fshatrat e zonës së minoritetit. Në atë mbledhje Qarkori i Gjirokastrës përfaqësohej nga Shemsi Totozani (6).

Mbledhja u mbajt në shtëpinë e komandantit të çetës partizane të Nepravishtë, Isuf Çobani. Në atë takim u analizua situata politike e minoritetit grek, problemet me të cilat ishin përplasur me elementët armiq dhe vijën politike që duhet të mbështeste – luftën antifashiste, kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Minella Daljani, vë në dukje se në atë takim të rëndësishëm “pavarësisht nga ekzistenca e një vije të përbashkët politike, e njerëzve të përbashkët, në frontin e përbashkët- në luftën nacionalçlirimtare nuk munguan përplasjet dhe mosmarrëveshjet, kundërshtimet dhe dyshimet ndërmjet kuadrove drejtues të minoritetit grek dhe atyre të FNÇL. Çështja që pati më tepër diskutime ishte “përgjegjësia që do të kishin partizanët e minoritetit në formacionet partizane” (7). Shemsi Totozani i mbështetur dhe nga Dhimitër Çati, një drejtues antifashist me influencë në zonën e minoritetit, e qetësoi situatën dhe në vijim të mbledhjes kaluan në një pikë tjetër. Simbolet që do të mbanin partizanët shqiptarë të minoritetit kur të kalonin në tokën greke për të bashkëpunuar me Regjimentin XV të ELAS-it.

Shemsi Totozani u tha të pranishmëve se kapat (kapelet) e partizanëve minoritarë që do të kalonin kufirin do të ishte me një yll të kuq, ndërsa flamuri do të ishte pa yll. Ngjyra që do të kishte flamuri ngjalli debate. Totozani shprehu një mendim të vetin për ngjyrën e flamurit që “të ishte një kombinim mes flamurit shqiptar dhe atij grek, që të shprehte simbolin e bashkimit dhe vëllazërimit mes dy popujve”. Ky propozim nuk u pranua dhe çështja e ngjyrës së flamurit u shty për t’u diskutuar në një takim tjetër. (8). Mbledhja në Nepravishtë- shkruan Minella Daljani, erdhi në përfundim se “veprimet e minoritetit grek në Shqipëri ishin aktivë me pjesëmarrjen në frontin antifashist. Në përfundim të mbledhjes, me kërkesën e Shemsi Totozanit, Haki Rushiti transferohet në çetën e Pogonit. EAM-i në verën e vitit 1943 shtoi interesin për minoritetin grek në Shqipëri dhe nisi enkas tri emisarë, dy ushtarakë Milto Kurjani dhe Panajotis Papadimitrin . Milto Kurjani misionin e emisarëve drejt zonës së minoritetit e shpjegoi në këtë mënyrë: “Organizata e Ballit Kombëtar dhe mercenarët e Dinenjve të Çamërisë kishin ndërmarrë sulme ndaj fshatrave të minoritetit grek. Një përfaqësi e minoritetit grek prej tre vetash, emrat e të cilëve nuk bëhen të njohur, kërkuan ndihmën e EAM-it grek. Dyshes Kurjani dhe Papadimtriut iu ngjet dhe një i njohur i tyre J. Zografi, të tre kaluan kufirin dhe u ndalën në fshatin Sheper dhe Nivjan. Aty, shkruan Papadimtriu (9) takuam Bedri Spahiun, Sekretarin politik të Qarkorit të Gjirokastrës Shemsi Totozanin dhe Zihni Sakon, mësuesin e greqishtes. Më tej Papadimitriu shton se “me të dërguarit politik të Qarkorit të Gjirokastrës diskutuam të gjitha format e bashkëpunimeve si dhe rreth marrëdhënieve mes dy lëvizjeve tona antifashiste” (10). Kur bisedimet ishin drejt përfundimit, Shemsi Totozani iu drejtua dy emisarëve të EAM-it; ”Nëse do të arrini që të realizoni që minoriteti grek të mos na qëllojë pas shpine, suksesi ynë do të jetë i plotë në Luftën Antifashiste e në bashkëpunime” (11). Ndërhyrja e emisarëve Kurjani dhe Papadimitri, shkruan N. Zhango, “bënë që në fshatin Memorahi të merreshin vendime të rëndësishme. Minoriteti grek në Shqipëri të bëhej një mbështetje e fortë e Frontit Antifashist. Në atë takim ishte dhe emisari i EAM-it Milto Kurjani dhe Lefter Talo. Shemsi Totozani ka qenë i dërguari i Qarkorit të Gjirokastrës për koordinimin e bashkëpunimin e çetave të minoritetit grek dhe “Çetës Çamëria” në “Regjimentin 15” kundër forcave pushtuese dhe atyre të EDES-it në zonën e fshatrave të Murganës në Filat. Me 23 shtator 1943 “Çeta e Pogonit” me luftëtarë të minoritetit grek i shkoi në ndihmë Regjimentit 15-të të ELAS-it në përballje me forcat e EDES-it (12). Emisari që bënte lidhjet e Qarkorit të Gjirokastrës me Komandën e Regjimentit 15-të, ishte Shemsi Totozani, thuhet se vetë Totozani shkoi bashkë me “Çetën e Pogonit” në frontin luftimeve. Në fillim të vitit 1943 kur nga radhët e ELAS-it u larguan disa kuadro kryesorë, si Vangjel Zoto, Ilia Kaçi, ky i fundit komandant i batalionit të ELAS-it në Sul etj., dhe kaluan tek forcat e EDES-it. Komanda e EAM-it në Janinë organizoi një mbledhje në Vivar të Murganës, një krahinë malore në zonën e filatit që përmblidhte rreth 16 fshatra dhe ishte bastion i EAM-it/ ELAS-it në zonën e Filatit. Në atë mbledhje u ftua dhe një përfaqësi nga Qarkori i PKSH të Gjirokastrës, që u përfaqësua nga Shemsi Totozani.

PAS ÇLIRIMIT

Shemsi Totozani në vitet 1946-1955, arriti në kulmet e karrierës së tij. Në 1946 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë. Më pas, në vitin 1950 vendoset në një post tjetër të rëndësishëm, zëvendësministër i arsimit dhe në mungesë të ministrit ishte titullar kryesor i asaj ministrie. Në këtë kohë ai informohet se fëmijët e familjeve që ishin izoluar në kampin e internimit të Tepelenës, nuk lejoheshin të vazhdonin shkollimin me bashkëmoshatarët e tyre në atë qytet. Ky informacion e vuri në lëvizje titullarin e asaj ministrie dhe pa humbur kohë iu drejtua me një shkresë zyrtare Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës (Seksionit të Arsimit) në të cilën thuhej;

“… fëmijët e Kampit të Internimit që nuk ndjekin shkollën, autorizoheni t’i pranoni këto fëmijë në shkollë…. Dhe në rast se do të keni nevojë për 2-3 mësonjës, njoftoni këtë ministri… “ (në AQSH Fondi 511, Dosja 11, viti 1950)

Kjo ndërhyrje me kurajë e Shemsi Totozanit, bëri që fëmijët e pafajshëm që dergjeshin në kampet famëkeqe të Tepelenës e që u ishte mohuar e drejta e shkollimit, t’u hapeshin dyert e dijes dhe vazhdonin të mësonin në bankat e shkollës me bashkëmoshatarët e tyre të qytetit të Tepelenës. Më pas, Shemsi Totozani transferohet nga Ministria e Arsimit për t’u emëruar në një post të rëndësishëm – ambasador i Shqipërisë në Francë. Kur diplomati ishte në kulmin e karrierës së tij në Paris, Bedri Spahiu, baxhanaku i tij, goditet rëndë nga Partia në plenumin e qershorit 1955 duke u akuzuar si element antipartiak dhe menjëherë internohet bashkë me familjen e tij në qytetin e Elbasanit.

Në këtë kohë fillon tatëpjeta për Shemsi Totozanin. Ai kthehet menjëherë nga Parisi në Tiranë, kjo lëvizje e papritur dhe pa motivacion e indinjoi thellë atë dhe nuk ishte në gjendje ta shpjegonte se nga i vinte kjo luftë. Ai dërgohet pas disa kohësh diplomat në Bullgari, por edhe prej andej lëvizin shpejt duke e kthyer në Tiranë, në një detyrë të re, në Ministrinë e Jashtme, por edhe këtu nuk e lanë të qetë. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik e largojnë nga ajo detyrë për ta dërguar me 1964 në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori”, në Tiranë. Lëvizjet e shpeshta e kishin dëshpëruar shumë shpirtin e trazuar të Shemsi Totozanit, të cilat i shpreh edhe në kujtimet e tij…: ”… U dëshpërova shumë dhe krijova bindje se Partia e kishte humbur besimin ndaj meje.. Kjo bëri që dalëngadalë edhe unë të humbas besimin ndaj Partisë time..”

Në shkollën pedagogjike, ai u përball me sulme të ashpra, që dita ditës shënonin për të një fund të dhimbshëm të një njeriu të pafajshëm. Ai ishte vënë në një rreth të kuq dhe pa e ditur as vetë. Në celulën e Partisë në Shkollën Pedagogjike, sulmohej edhe etiketohej hapur me epitetet si; “element antiparti”. Në mbledhjen e celulës së Partisë së shkollës ndaj tij ngriheshin akuza se; “ ishte i pakënaqur nga Pushtetit Popullor për krijimin e kooperativave bujqësore”, “ndaj vijës së Partisë e të Komitetit Qendror të Partisë”. Tashmë Shemsi Totozanit i ishin larguar tërë shokët dhe një pjesë e tyre kishin frikë t’i afroheshin mikut e bashkëqytetarit të vjetër se pësonin fatin e tij.

Totozani situatën e rëndë me të cilën u përball në shkollën Pedagogjike e përshkruan kështu;

“… nëse vinte ndonjë i deleguar në mbledhjen e celulës së Partisë së shkollës nga rajoni apo qyteti i Tiranës, unë bëhesha objekt i sulmeve me akuza shumë të rënda duke më akuzuar pa të drejtë si “element armik i rrezikshëm kundër vijës së Partisë”… etj. etj..

Tashmë ai e kishte kuptuar, burimi i të gjithë atij mllefi ishte lidhja familjare që kishte me Bedri Spahiun dhe mbështetja që i bënte ai familjes së tij duke mos pasur asnjë mbështetje. Shemsi Totozani ishte i përgatitur shpirtërisht se edhe atë do ta priste fati i Bedri Spahiut, baxhanakut të tij. Në vitin 1964 ai përjashtohet nga Partia dhe pas disa muajsh me 1965 transferohet me gjithë familjen në qytetin e Elbasanit.

ARRESTIMI DHE DËNIMI

Shemsi Totozani i dëshpëruar shpirtërisht shkoi në qytetin e Elbasanit me familjen e tij. Tashmë ai ishte i braktisur nga miqtë e shokët. Në Elbasan, ditët kalonin dhe atij i afroheshin në kafene njerëz të panjohur që dalëngadalë miqësoheshin dhe tregoheshin të përzemërt. Shemsiu që ishte i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë nuk i shkonte ndërmend që këta ishin provokatorë të caktuar nga dega e brendshme, për ta survejuar: me cilin shoqërohej, çfarë fliste.. etj.

Më 23 tetor 1974, Shemsi Totozanin e arrestojnë dhe me 24 në hetuesinë e prokurorit të Rrethit të Elbasanit iu lexua dhe aktakuza, me të cilën qysh në rreshtat e parë thuhej;

“ I pandehur Shemsi Totozani në vitin 1965 ke ardhur i transferuar nga Tirana në qytetin e Elbasanit. Që nga ajo kohë deri në momentin e arrestimit duke qenë në pozita armiqësore ke propaganduar me qëllim për të minuar e dobësuar Pushtetin Popullor me persona të ndryshëm..”

Shemsi Totozani, tashmë i pandehur akuzohej se kishte propaganduar se;

“… ushtria jonë nuk ishte në gjendje të mbronte vendin”; “se gjendja ekonomike në Shqipëri ishte e keqe”, “ rrogat e punonjësve janë të vakëta e njerëzit vuajnë”, dhe “ndërtimi i socializmit me forcat tona është i pamundur”.

Shemsi Totozani pasi u njoh me aktakuzën u përgjigj i prerë; akuzat nuk i pranonte, nuk ishte armik dhe quante shpifje dhe sajesa ”unë nuk agjitoj propagandë kundër Pushtetit Popullor” dhe e ndërpreu fjalën e tij duke thënë: “ kërkoj kohë të përgjigjem” do të analizoj tërë veprimtarinë time dhe do të jap shpjegime më vonë.”

Nga procesverbalet e hetuesisë mësojmë se ai merrej në pyetje disa herë në ditë dhe i bëheshin lloj-lloj presionesh që të pranonte akuzat që ngriheshin ndaj tij.

Në procesverbalin e 26 tetorit 1974, hetuesi i degës së punëve të brendshme të Elbasanit, shënoi në procesverbal se kishte marrë në pyetje të pandehurin Sh. Totozani dhe e pyeti të përgjigjej rreth akuzave që i bëheshin.

Përgjigja e tij ishte se “Ai nuk ishte armik i popullit dhe nëse do të ishte e tillë nuk do të kishte edukuar fëmijët e tij punëtorë e të ndershëm. Dhe më tej i deklaroi hetuesit se personi që konsiderohej armik, “ishte një person me karakter të fortë e nuk i pranonte padrejtësitë siç i kishin ndodhur tek ai dhe të tjerët”

Hetuesi e ballafaqonte Shemsi Totozanin me persona që dëshmonin kundër tij për ”bisedat propaganduese”, që bënte me ta. Në një rast me 3 janar 1975 në hetuesi ishte thirrur një dëshmitar me inicialet Sh.R për të dëshmuar për armiqtë të Shemsi Totozanit. Dëshmitari në fjalë stis lloj-lloj shpifjesh, sikur Shemsiu i kishte thënë se; “prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 nuk më është dukur aspak e drejtë dhe përgjegjësinë për mua e mban Partia jonë dhe udhëheqësi i saj”. “Bashkimi Sovjetik mbetet gjithmonë Kështjellë e Paqes etj”..

Në një çast, hetuesi iu drejtua të pandehurit Shemsi Totozani:

– I dëgjuat shënimet e dëshmitarit Sh.R dhe çfarë keni për të thënë? Përgjigja e Shemsiut ishte: “Jo vetëm që nuk e njoh një njeri të tillë, por për herë të parë dëgjoj një emër të tillë sonte këtu. As e njoh, as e kam dëgjuar e as biseduar, prandaj kërkoj ndjekje ligjore kundër tij për shpifje!”

Shemsi Totozani në hetuesi u ballafaqua me disa nga ishata që iu afruan si shokë që në ditët e para kur shkoi në Elbasan e deri në ditët e fundit kur u arrestua, për t’u dëgjuar si dëshmitar të propagandës antipushtet që gjoja kishte zhvilluar i pandehuri «Sh. Totozani» me ta. Në hetuesi u thirrën edhe dëshmitarë të tjerë, të njohur e të panjohur të Shemsi Totozanit për të akuzuat atë se në bisedat me shokët “ishte munduar të ngjallte panik dhe të tregonte mosbesim dhe lëkundje në aftësitë mbrojtëse të atdheut tonë para një agresioni të mundshëm”

Dëshmitarët me iniciale Q.H, M.B etj., thanë se i pandehuri u thoshte atyre se ”faktor për prishjen me Bashkimin Sovjetik ishte udhëheqja jonë” etj. etj..

Mbi bazën e këtyre dëshmive, prokurori i rrethit të Elbasanit, me 10 shkurt 1975 hartoi pretencën prej disa faqesh kundër të pandehurit Shemsi Totozanit dhe e akuzonte ndër të tjetra se; ”Të pandehurit Shemsi Totozani nuk i pëlqente demokracia që ekzistonte në vendin tonë, nuk pajtohet me ligjet e diktaturës se proletariatit duke dashur të godasë fitoret tona në fushën ekonomike, ka bërë krahasime midis standardit ekonomik të punonjësve tonë dhe atyre të vendeve kapitaliste e revizioniste».

Së fundi, prokurori kërkoi që i pandehuri Shemsi Totozani të deklarohej fajtor sipas nenit 63/1 të Kodit Penal dhe të dënohej me 10 vjet burg, heqjen e dekoratave dhe konfiskimin e pasurisë. Edhe Gjykata e Rrethit të Elbasanit në bazë të nenit 278 dhe 279 e la në fuqi dënimin me 10 vjet.

Ishte e dhimbshme që në moshën e pleqërisë të dergjej në burgjet komuniste një njeri i pafajshëm. Ai ishte një viktime e sistemit komunist, dhe pati fatin e shumë bashkatdhetarëve të tjerë të ngrinin zërin kundër padrejtësive të sistemit. Këta njerëz duhen kujtuar se i bëjnë nder kombit.

REFERENCA

1-AQSH, F/17 AP, viti 1943 D -9,
S. Baci, “Minoriteti grek në Shqipëei”, 1939-1949, Tiranë
2002, f.111
2- AQSH, F/17, viti 1943 dok. i përmendur.
3- M.Daljani, “Ethniqi andistasi tis eleniqis minotitas stin
Alvania (1940-1944), Athinë 2000, f. 91
(Qëndresa Kombëtare e Minoritetit Grek në Shqipëri, 1940-1944)
4- N.Zhango, “Anglikos imperialismes andistasi” (1940-
1949), Athinë 1978, Vëll II.
5-P. Mitsin, “Thiamamai”, Selanik 2021, f.53
6- N.Zhango, “Anglikos imperialismes qe ethniqi andistasi” (1940-1945), vëll II.
7- M.Daljani, “Ethniqi andistasi….. f.91
8- po aty,,,
9-po aty,,,
10- P. Papadimitriu, “Istoriqi minotikas stin Alvania to
mesa dekemoriu (1943)”, f. 174
(Organizmi ushtarak i minoritetit grek në Shqipëri, nga gushti 1943 deri në mes të dhjetorit 1943″ f.3)
11-Papadimitriu, “Istoriqi…. po aty…
12-Papadimtriu, Istoriqi…. vepër e përmendur… f.173
13-M. Daljani, “Ethiniqi… vep.e përm

Rrjet i fuqishëm i drogës sintetike zbulohet pas hetimeve dyvjeçare

Nga Sabina Nika

Nga Tirana në Helsinki, përmes Amsterdamit dhe Barcelonës, droga udhëtonte pa njohur kufinj. Askush nuk e vinte re kur paketat e amfetaminës kalonin në kamionë me targa polake apo kur ngarkesat me ekstazi postoheshin nga Spanja drejt veriut të Europës. Pas dy vitesh ndjekjeje, përgjimesh e koordinimi ndërkombëtar, një operacion i përmasave të mëdha çoi në rrëzimin e katër grupeve kriminale me rrënjë shqiptare dhe degë që përthithnin territore të tëra në Europë.

Në orët e para të mëngjesit të 3 qershorit, SPAK, së bashku me autoritetet finlandeze dhe holandeze, lëshuan goditjen e fundit. Në Shqipëri u vunë në pranga nëntë persona. Dy të tjerë u shpallën në kërkim. Në Finlandë, arrestimet shkuan në 55, një numër që tregoi qartë se kjo nuk ishte një bandë e zakonshme rrugësh, por një rrjet i sofistikuar me prani të gjerë etnike: shqiptarë, finlandezë, polakë, aziatikë, afrikano-veriorë.

Një trafik me rrënjë shqiptare

Më 3 qershor 2025, strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policisë së Shtetit shqiptar ekzekutuan masa sigurie ndaj 9 shtetasve shqiptarë, si pjesë e një rrjeti kriminal që trafikonte lëndë narkotike drejt Finlandës. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, njëri prej të cilëve ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë.

Ndërkohë, në Finlandë janë arrestuar 55 persona të kombësive të ndryshme si shqiptarë, finlandezë, polakë, rumunë dhe shtetas nga vendet aziatike e afrikane të gjithë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike, përfshirë 170 kg amfetaminë, 100 kg marijuanë dhe 10 kg kokainë. Lënda narkotike trafikohej kryesisht nga Spanja dhe Holanda në drejtim të Finlandës, përmes kanaleve të sofistikuara të logjistikës, duke përfshirë shërbimin postar dhe automjete transporti me targa të huaja.

Sipas autoriteteve hetimore, të gjitha grupet kriminale kishin si drejtues shtetas shqiptarë që vepronin nga territori shqiptar. Dy prej tyre ishin nga Vlora, ndërsa të tjerët nga Berati dhe Kuçova, me banim në Tiranë.

Sipas hetimeve roli i shqiptarëve nuk ishte transportues, por organizatorë. Ata vendosnin marrëveshjet, ndanin rrethinat në Finlandë, por vepronin nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Komandat jepeshin në heshtje, nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Telegram, Signal apo WhatsApp, dhe pagesat kalonin me metoda informale drejt Shqipërisë, larg gjurmëve bankare.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se për herë të parë, grupet shqiptare kishin në fokus trafikun e drogërave sintetike, përveç kanabisit dhe kokainës.

Janë dokumentuar katër episode të mëdha trafikimi, që përfshijnë transportimin dhe shitjen e mbi 400 kg amfetaminë, 500 kg kanabis dhe sasi të konsiderueshme kokaine, si dhe shpërndarjen e tabletave ekstazi në Helsinki dhe qytete të tjera.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, 11 persona janë caktuar me masën “arrest në burg”. Në zbatimin e këtij vendimi u përfshinë 110 punonjës të Policisë së Shtetit nga disa drejtori vendore dhe njësi të specializuara.

Hetimet nisën në vitin 2023, pas një kërkese nga autoritetet finlandeze. Më 21 nëntor 2023 u krijua një Skuadër e Përbashkët Hetimore mes SPAK dhe institucioneve finlandeze, ndërsa hetimi përfshiu metoda speciale si përgjime, vëzhgime dhe shkëmbim informacioni në kohë reale.

Prokurori Alfred Shehu vuri në dukje se një veçanti e këtyre grupeve ishte “shkëmbimi” i anëtarëve në raste të caktuara, duke përforcuar bashkëpunimin ndërgrupor. Ndërkohë, ka nisur edhe një hetim pasuror për 11 persona të përfshirë, me qëllim gjurmimin e burimeve të paligjshme të të ardhurave.

Strukturë pa fytyrë

E veçanta e këtij rrjeti qëndronte se nuk kishte një boss. Grupi funksiononte në mënyrë horizontale. Në disa raste, anëtarë të një grupi shpërndanin drogë për një grup tjetër. Ata ndanin transportues, logjistikë dhe kontakte duke mbuluar gjurmët dhe shmangur ndjekjen.

“Bashkëpunimi mes tyre ishte aq i lartë saqë hetimi nuk mund të kufizohej vetëm në një strukturë,” – deklaroi një nga prokurorët e SPAK, Alfred Shehu. “Vepronin të ndarë, por me një qëllim të përbashkët, të dominojnë tregun e drogës sintetike në Finlandë.”

Për SPAK-un dhe drejtuesin e tij Altin Dumani, kjo goditje nuk është thjesht një tjetër sukses i operacioneve antidrogë. Është një dritare që hapet mbi një realitet të ri. Kriminaliteti shqiptar po zhvendoset nga droga tradicionale drejt substancave sintetike. Dhe po ndërton baza në vende që deri dje nuk ishin në hartën e zakonshme të trafikut si Finlanda.

“Kemi për herë të parë grupe shqiptare që fokusohen jo te kanabisi, por te droga sintetike. Kjo është më fitimprurëse dhe shumë më e rrezikshme për komunitetet,” – tha Dumani gjatë konferencës për shtyp.

“Sasitë janë të mëdha, sepse janë droga sintetike, edhe ekstazi është kapur dhe të gjithë e dimë rrezikun. Tipologjia është e tillë, që ky grup kishte krijuar bazat në Finlandë dhe herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre, të cilët shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndëve narkotike” – deklaroi kreu i SPAK./shteg.org

“Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat

Nga Elira Kadriu/ citizens.al

Ndërhyrjet restauruese në disa prej godinave të ish-burgut famëkeq të Spaçit kanë ndezur debat në rrjetet sociale dhe më gjerë, duke ngritur pyetje thelbësore mbi ruajtjen e kujtesës dhe autenticitetit të vendit simbol të vuajtjes gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Restaurimi, i cili nga autoritetet konsiderohet i pjesshëm, po bëhet për të ndihmuar në realizimin e një filmi kushtuar së shkuarës së ish-kampit. Kjo ka ngjallur edhe më tepër reagime.

Shqetësimi u nda fillimisht nga arkitekti Arnen Sula, i cili botoi në rrjetet sociale fotografitë ku binte në sy një fasadë e suvatuar në të bardhë e godinës që dikur shërbente për pritjen e vizitorëve. Ai i konsideroi ndërhyrjet “të pakontrolluara” dhe që “zhdukin memorien historike”.

“Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike, ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese, është i të gjithëve,” theksoi Sula, autor i ekspozitës “E kaluara, e tashme” (2024) me 49 portretet e ish-të burgosurve politikë.

Pas tij, reagimet ishin të forta me në thelb shqetësimin se godina, dikur e degraduar, po merrte një pamje të transformuar. Sipas kritikëve kjo rrezikon të deformojë kuptimin e saj historik.

Filmi të cilit i vijnë në ndihmë punimet, është i regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti – të dy ish-të përndjekur dhe të dënuar politikë gjatë diktaturës. Ajazi në Qafë Bari, Zhiti në Spaç.

Ish-dhoma e takimit me familjarët pas restaurimit me suva të bardhë/Foto nga Arnen Sula, Facebook.

Ajazi tha për Citizens.al se nuk është e vërtetë se ndërhyrjet po “manipulojnë historinë, përkundrazi”. Sipas regjisorit, ndërhyrjet po realizohen me supervizim teknik të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), si dhe me pjesëmarrjen e skenografëve, arkitektëve dhe ekspertëve të huaj.

“Po luhet me faktin se ‘A u bë llaçi i bardhë, apo u bë i zi’,” theksoi Ajazi i revoltuar teksa ndau fotografi të mëvonshme të së njëjtës godinë. Sipas tij pas përfundimit të suvatimit dhe lyerjes është vijuar me “vjetërzimin e suvasë” pasi projekti i tij filmik synon të nxjerrë sa më mirë kontekstin historik.

Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur të cilët u angazhuan në minierën e bakrit dhe piritit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua. Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite.

Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Në vitin 2010 dhe – më vonë – në vitin 2023 u paraqitën projekte konkrete. Projekti i fundit duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).

Ajazi tregoi për Citizens.al se pas vendimit të vitit 2023, grupi i tij i punës zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama, të cilit i kërkoi ndihmë për të materializuar idenë e filmit.

“I thamë kryeministrit, ju bëni muzeun, një projekt madhor i cili kërkon kohë, ne bëjmë filmin,” tha Ajazi duke nënvizuar se qëllimi i tij është i njëjtë, ruajtja e trashëgimisë historike të ish-burgut të Spaçit.

Sipas regjisorit ndërhyrjet që po bëhen aktualisht janë të pjesshme dhe të orientuara drejt rikrijimit të realitetit të asaj periudhe, e cila do ta ndihmojë ekipin e tij gjatë xhirimeve. Ai këmbënguli se nuk ka aspak rrezik për të dëmtuar sitin.

Më poshtë pamje të gjendjes së mëparshme të godinës në ish-burgun e Spaçit:

Çfarë parashikon projekti?

Projekti i (IKTKT-së) me vlerë rreth 100 mijë euro, parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.

Në relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.

Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.

Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.

Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.

Ndërtesës “Nr.3” njohur si “Komanda” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i riparohen dhe plotësohen parmakët dhe t’i suvatohet ballkoni i katit të dytë.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si vendroja parashikohet t’i rregullohet skarpata e sipërme dhe e poshtme, t’i vendosen parmakë, t’i rregullohen shkallët dhe muret.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si “Dhoma e takimeve” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i vendosen dritaret dhe dera e drurit, të suvatohet dhe lyhet me bojë hidromat.

Ndërtesave Nr.4 dhe Nr.5 njohur si “Infermieria, Kuzhina dhe Mensa” parashikohet t’u meremetohen muret, parmakët, t’u vendoset një derë dhe një dritare druri si dhe t’u rregullohen shkallët.

Ndërtesës Nr.6 njohur si “Fjetorja” parashikohet t’i vendoset parmak shkallëve të katit të parë dhe ballkonit të katit të dytë.

Brenda ish-dhomës së takimit me familjarët gjatë “procesit të vjetërizimit”/Foto Namik Ajazi.

Kritika dhe shqetësime për punimet

Arkitektë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur publikisht qëndrimin kundër mënyrës se si po veprohet në Spaç.

Kreshnik Merxhani, arkitekt, tha për Citizens se ndërhyrjet janë të papranueshme për një monument kulture.

“Aty ke një strukturë ekzistuese dhe ty të lejohet vetëm ta konservosh. Nuk ke të drejtë ta suvatosh, arnat lëri siç janë,” tha Merxhani duke theksuar se vetëm ekspertët mund t’i argumentojnë dhe mbrojnë ndërhyrjet e tilla.

Organizata të shoqërisë civile, përfshirë Bashkinë e Mirditës, fondacionin “Kujto.al”, “Qëndresën Qytetare”, shoqatën e të Përndjekurve Politikë Shkodër dhe figura të njohura publike si publicisti Fatos Lubonja (njëherësh ish-i përndjekur), kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

Në letër kërkohet ndalimi i menjëhershëm i punimeve, derisa të zhvillohet një verifikim transparent dhe profesional.

“Ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës,” thuhet në letër, duke paralajmëruar rrezikun që Spaçi të shndërrohet në një “skenografi artificiale”.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i një prej organizatave nënshkruese dhe autor i ekspozitës “Anatomia e Burgut të Spaçit”, tha për Citizens.al se “kjo duket si ndërhyrje make-up-i”.

“Ai është vend vuajtjeje dhe nuk ka kuptim të bëhen ndërhyrje estetike, ku duket se lumturisht mund të jetoje. Duhet kthyer në nivelin që ka qenë, jo t’i ndërtohet realitet i ri.”

Tabela e Institutit të Monumenteve, jashtë objektit shënon se punimet do të zgjasin 8 javë dhe financohen nga Instituti. Nuk është e qartë nëse këto punime janë konform “Planit të Menaxhimit të ish-burgut të Spaçit” të miratuar me propozim nga CHwB Albania në gusht 2024.

Gjak i pashlyer prej 1994: Saga e përgjakshme Kaza-Gjini rikthehet me atentatin e 1 qershorit

Në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala, dëshmitë e zbardhura nga dosja hetimore mbi vrasjet mes fiseve Gjini e Kaza, tregojnë qartë zanafillën e zinxhirit të vrasjeve që daton në 1994, me ekzekutimin e shefit të krimeve në Lezhë, Ndue Kaza dhe që vijoi me atentatin e 1 qershorit 2025 ku mbeti i vdekur vëllai i tij, Pjetër Kaza.

Nga hetimet rezulton se Pjetër Kaza, dyshohet se është vrarë për motive gjakmarrje. Fisi Kaza dhe Gjini janë në hasmëri që prej vitit të largët 1994.

Gjatë deklarimit në polici, bashkëshortja e viktimës tha se ai nuk ruhej, pavarësisht problemeve të hasmërisë që kishin si familje”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni “Në Shënjestër” gjithçka duket se fillon me ekzekuimin në qendër të Mirditës më 7 Janar të vitit 1994, të shefit të krimeve në Lezhë, Ndue Kaza, një vrasje e cila tronditi jo vetëm uniformën e policisë, por edhe vetë familjen Kaza që  nuk e fali kurrë gjakun e të afërmit të tyre.

Referuar dokumentimeve të kohës, Ndue Kaza ndodhej në Rrëshen ditën e vrasjes së tij.

Thuhet se ekzekutimi i Ndue Kazës, erdhi pasi ai kishte ndërhyrë për të shmangur një konfikt midis dy grupeve rivale.

Do ishte pikërisht kjo vrasje që do të shërbente edhe si një prelud për të hapur një plagë që nuk do të mbyllej kurrë midis dy familjeve.

Hakmarrja që dhe pse u duk sikur u shty në kohë nuk mungoi.  Por ajo erdhi edhe më e përgjakshme, vetëm 3 vite më pas,  më 3 Korrik 1997.

Ai që do të merrte hak në emër të familjes Kaza për humbjen e të afërmit të tyre, komisarit të policisë, Ndue Kaza, do të ishte Martin Kaza, një nga vëllezërit e oficerit tashmë të ndjerë i cili qëlloi mbi dy vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini, në qendër të Laçit, duke i lënë të vrarë.

Dod Gjini ishte edhe ekzekutori direkt i shefit të krimeve të Lezhës, Ndue Kaza.

Menjëherë pasi kreu krimin, Martin Kaza vendosi të largohej nga Shqipëria dhe të mos i dorëzohej drejtësisë.

Por ndërsa u largua nga Shqipëria, drejtësia dha për të fillimisht një dënim në mungesë, për vrasjen e dy vëllezërve Gjini.

Në vitin 2001, katër vite pas krimit të dyfishtë që kreu, Gjykata e Kurbinit e shpalli atë fajtor, duke e dënuar me 22 vite të gjata burgim në mungesë.

Pas vrasjes Martin Kaza u largua nga Shqipëria dhe u strehua në Britaninë e Madhe ku qëndroi aty i fshehur për gati 20 vite deri në vitin 2017 kur u zbulua në një lagje të Londrës.

Kaza u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin për vrasjen e vëllezërve Gjini në vitin vitin e mbrapshtë 1997. Martin Kaza që bëri çmos të mos ekstradohej nga Britania e Madhe.

Ndërsa autoritetet shqiptare kishin dërguar te homologët e tyre britanikë edhe mostra të ADN-së të nënës së tij.

Por ndërkohë që u ekstradua në Shqipëri, ai filloi një betejë ligjore në Gjykatën e Apelit, për t’i shpëtuar dënimit, duke qenë se ishte dënuar në mungesë.

“Martin Kaza u arrestua në vitin 2017 në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, teksa fshihej aty. Pasi u ekstradua në Shqipëri në vitin 2018 ai e çoi çështjen e tij në Gjykatën e Apelit, e cila prishi vendimin e parë dhe e dërgoi çështjen edhe njëherë për rigjykim në Gjykatën e Kurbinit”, thuhet në dosjen hetimore.

Gjykata e Apelit arsyetoi se i pandehuri Martin Kaza, që ishte gjykuar në mungesë  dhe dënuar me 22 vite burgim për vrasje me paramendim, i ishte cënuar e drejta për një  proces të  rregull ligjor.

Por avokati i tij, pretendoi se gjykata e rrethit gjyqësor Kurbin nuk i ka garantuar asnjë të drejtë të pandehurit.

“Martin Kaza, në gjykimin e zhvilluar kundër tij. Nga provat e administruara në  gjykim nuk ka asnjë akt që të provojë që të  jetë njoftuar i pandehuri ose ndonjëri prej familjarëve të tij, në një kohë që i pandehuri dhe familja e tij ka patur një  adresë të përcaktuar dhe njoftimi i tij ka qenë lehtësisht i mundshëm”, thuhet në pretendimin e avokatit të Martin Kazës.

Avokati pretendonte se Kazës nuk i ishte garantuar e drejta e mbrojtjes dhe shkak për këtë ishte mënyra e pyetjes së të plagosurit Besnik Legisi në ambjentet e IEVP-së  Burrel. (BalkanWeb)