19.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Van Gaal trajner i Holandës për herë të tretë

Louis van Gaal është emëruar trajneri i Kombëtares së Holandës për herë të tretë, pas largimit të Frank de Boer në qershor.

De Boer dha dorëheqje nga posti i trajnerit pas disfatës zhgënjyese të Holandës kundër Republikës së Çekisë në rrethin e 16 më të mirëve në Kampionatin Evropian 2020.

Federata e Futbollit e Holandës ka vendosur ta kthejë në stol një fytyrë të njohur.

Van Gaal ka nënshkruar marrëveshje fillestare një vjeçare për ta udhëhequr ekipin në kualifikime për Kupën e Botës 2020 dhe do të jetë në krye të tij nëse Holanda ia del të kualifikohet në Botërorin e Katarit 20222.

Ish-trajneri i Manchester Unitedit u shpreh i lumtur që e mori për herë të tretë në dorë ekipin kombëtar holandez.

“Futbollin holandez e kam pasur gjithmonë afër zemrës dhe posti i trajnerit të ekipit kombëtar është pozitë kyçe për zhvillimin e mëtejmë të futbollit tonë”, tha Van Gaal.

“Për më tepër, për mua është nder të jem trajner i ekipit kombëtar të Holandës. Ka mbetur pak kohë deri në ndeshjet e ardhshme kualifikuese, të cilat janë vendimtare për pjesëmarrje në Kupën e Botës”, shtoi ai.

Holanda do të përballet me Norvegjinë, Malin e Zi dhe Turqinë në tri ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Katari 2022 në shtator.

Në të kaluarën, ai e kishte udhëhequr Holandën nga viti 2000 deri më 2002 dhe nga viti 2012 deri më 2014.

Rama xhiro me helikopterin e ushtrisë, kreu i Emergjencave e justifikon: Helikopteri nuk përdorej për shuarjen e zjarreve

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako u mundua sot të justifikojë kryeministrin Edi Rama, i cili u shfaq dje duke bërë xhiro me helikopter, ndërkohë që poshtë në tokë, ekipet e emergjencave apo forcat e FA-ve, pa asnjë mjet, mundoheshin të fiknin vatrat e zjarrit.

Pas eventit familjar që kishte, të paktën sikundër pohoi vetë, lidhur me mungesën e tij në kulmin e situatës së zjarreve, Kiu në një prononcim nga Gjirokastra, i pyetur në lidhje me helikopterin ushtarak që u përdor dje për të transportuar Edi Ramën nga Himara në Vermosh dhe anasjelltas, tha se mjeti fluturues nuk mund të përdoret për shuarjen e zjarreve, pasi jo të gjithë mjetet ajrore kanë vend të përshtatur për mbajtjen e kovës me ujë.

“Mund të them që janë helikopterë të posaçëm që operojnë me kova, jo çdo mjet mund të ketë kova. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me partnerët, të cilët kanë vënë në dispozicion mjete ajrore”, tha Çako, vetëm se nuk e dinte se kur do vijnë këto mjete.

Çako u shfaq në media dhe u bë viral, pasi u kërkonte ekipeve të zjarrfikëseve të punonin me kazma e lopata. Teksa ata punonin me kazma, sopata e lopata, sipas porosisë së Kiut, Edi Rama lëvizte me helikopter nga plazhet e jugut drejt maleve në veri të vendit.

Riaktivizohet zjarri në Gjirokastër, banori: Më mirë të digjem vetë se ta lë banesën të shkrumbohet

Riaktivizohet vatra e zjarrit në zonën e fshatit ‘Arshi Lengo’ në Gjirokastër. Mësohet se zjarri ka përfshirë pikat e kodrës së Shën Triadhes.

Kujtojmë se dje në fshatin “Arsim Zeneli” një 64-vjeçar humbi jetën pasi luftonte me zjarrin sepse rrezikohej banesa e tij, ndërkohë që bashkëshortja u plagos rëndë.

Një nga banorët e zonës, 68 vjeçari Zaharaq Londi, në një pronocim për mediat tha se, një person e ka vënë zjarrin me qëllim dhe ndodhet në polici dhe se atij iu shkatërrua çdo gjë kishte ndërtuar prej vitesh.

Londi tha se, po të ishte e mundur do e vriste me duart e tij personin që vuri zjarrin, pasi është një krim i cili shkaktoi dëme të pallogaritshme dhe se kërkon që çështja të zbardhet në mënyrë sa me të drejtë.

“Unë, po të mos vinte zjarrfikësja dhe makina e policisë, dje do isha i vdekur, flakët iu afruan banesave dhe shkrumbuan 3 mijë rrënjë të hardhive qe i kisha unë, duke më fshirë çdo gjë kisha punuar prej një jete. Është krim i madh të vësh zjarrin në këtë mënyrë, ai zotëria dje humbi jetën, bashkëshortja në spital dhe ne të tjerëve na la me gisht në gojë. Nuk janë shumë persona që kanë vënë zjarrin, është vetëm nje dhe ai ndodhet në polici dhe unë kërkoj që të vije komisioni dhe të vihet drejtësi ose do e vras me duart e mia atë njeri”, u shpreh banori.

I pyetur se a pranoi të evakuohej në momentin që ishte kërkuar nga forcat e emergjencës një gjë e tillë, Zaharaqi u përgjigj se më mirë të digjej vetë se ta linte banesën e tij të shkrumbohej.

“Nuk kisha ku të shkoja, nuk mund ta lija shtëpinë të më digjej, më mirë të digjesha aty brenda. Punova tërë jetën si qeni dhe ai person që vuri zjarrin na shkatërroi çdo gjë”, përfundoi banori.

Xhaçka deklaroi 12-fishim të kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri, ku janë helikopterët?

Ish-Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka organizoi më 6 korrik të 2018 një shfaqje publike të asaj që e konsideroi rritje 12-fish të kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri.

Ajo bëri me dije se helikopterët Cougar të Forcave Ajrore ishin pajisur me kova të reja, me një kapacitet prej 2500 litra uji për shuarjen e zjarreve në terrene të vështira.

“Prej ditës së sotme, infrastruktura e Forcave të Armatosura është përmirësuar, pas pajisjes së helikopterëve me kovat e posaçme, të cilat kanë një kapacitet prej 2500 litra uji. Ky kapacitet, në fakt, është 12 herë më i madh sesa përpjekjet e shkuara”, u shpreh Xhaçka gjatë fjaimit të rastit.

Aktiviteti pati për qëllim edhe promovimin e ligjit të ri të emergjencave civile, që i dha një rolë më të madh Forcave të Armatosura, të cilin ish-ministrja e quajti “një reformë të mirëfilltë ligjore, administrative, operacionale dhe strukturore”.

Ndërkohë, dy ditë më parë, zv.Ministrja e Mbrotjes, Dallandyshe Bici duke iu përgjigjur kërkesës së prefektit të Vlorës për ndërhyrje nga ajri në Karaburun, u shpreh se helikopteri ishte në remont.

Ajo këmbënguli se ai nuk ishte i nevojshëm, një vlerësim që rezultoi i gabuar pasi zjarri në Karaburun u përhap shpejt dhe presioni detyroi qeverinë ta përdorte të hënën helikopterin, duke e reklamuar me bujë.

Në publik, ndërkohë, u ngritën pikëpyetje nëse vendi kishte vetëm një helikopter në dispozicion.

Ky dyshim u fashit të martën nga një deklaratë për Report TV e ministrit aktual të Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili tha se helikopterët e tjerë nuk ishin të përshtatshëm për shurjen e zjarreve.

“Kemi helikopterë të tjerë, po nuk janë të përshtatshëm për këtë punë. Do të doja më shumë se ju që të kishim 100-200 helikopterë”, u shpreh Peleshi mes të tjerash.

Për të ditur mbi kapacitetet e vendit për shuarjen e zjarreve, do të duhet të presim raportin e KLSH-së, e cila ka nisur një auditim të institucioneve përgjegjëse, ku do të verifikojë nëse tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, përputhen fizikisht me ato që janë blerë, si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve./EXIT

SPAK: Kemi nisur hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtë të mërkurë ka bërë me dije se ka nisur hetimet për shembjen e Teatrit Kombëtar.

SPAK përmes një shkrese dërguar sekretarit për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjatës ka konfirmuar nisjen e hetimeve.

Ndër të tjera në shkresën e siguruar nga abcneës.al bëhet me dije se dhe kallëzimi i bërë nga Partia Demokratike në lidhje me këtë çështje i është bashkuar këtij procedimi penal.

“Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe organi i akuzës është duke kryer veprime hetimore të plota dhe të gjithë anshme. Për shkak të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit hetimor, në këtë fazë të hetimeve paraprake, nuk mund t’ju informoj në lidhje me veprimet hetimore konkrete të kryera nga ana e prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në deklaratën e SPAK.

Vendimi final, 118 milionë euro Becchettit nga taksat tona për tekat e Ramës

Në fund të korrikut është ezauruar edhe seanca e fundit, në një përpjekje të qeverisë shqiptare për të vonuar zbatimin e detyrimit ndaj biznesmenit italian. Vonesat dhe propaganga e qeverisë në fakt e kanë rritur dëmin nga 108 milionë që ishte në fillim, në 118 milionë. Ky borxh do të rritet nëse sërish rilindja shtyn pagesën. E gjitha kjo, një taksë që do ta paguajnë shqiptarët, erdhi si pasojë e një trilli të kryeministrit, i cili kërkoi të mbyllë televizionin Agon Channel, për shkak se nuk i pëlqente linja editoriale

Pas shumë muajve mohim, propagandë dhe vonesa e zvarritje, ajo që ka arritur qeveria shqiptare në përballjen me biznesmenin italian, Becchetti, është zmadhimi i faturës së kripur, duke e çuar nga 108 milionë që ishte në fillim, në 118 milionë euro detyrimin ndaj tij. Kjo për shkak të penaliteteve ekstra që gjykatat e arbitrazhit kanë llogaritur në favor të sipërmarrësit, i cili u dëbua nga vendi dhe ju mbyll televizioni Agon Channel, vetëm për një trill të kryeministrit, pasi nuk i pëlqente linja editoriale.

Janë tashmë të njohura deklaratat bombastike të Edi Ramës, kur thoshte me të madhe në publik, që jo nuk kemi humbur gjyqe në arbitrazhe, por kemi fituar sipas tij. Ai u përbetua se nuk do të merrte asnjë cent Becchetti, ndaj të cilit nuk i ka kursyer as fyerjet.

Të njëjtin qendrim, ka mbatjur edhe ministri Ahmetaj. Eshtë bërë tashmë virale një video, ku ai deklaron me forcë titanike se; Becchetti do të marrë zero lekë. Asnjë qindarkë sipas tij. Po ja që pak ditë më parë, odisea është mbyllur, dhe instanca e fundit, arbitrazhi i Uashingtonit ka vendosur në favor të afaristit italian.

Kjo është e gjitha një histori skandali, dhe shantazhi qeveritar ndaj një sipërmarrësi dhe pronari mediash, në favor të klientëve të rilindjes. Eshtë bërë publike edhe një bisedë e një prej njerëzve më të afërt të Ramës, që është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi i cili i kërkonte Becchettit gjatë një takimi, që të rishikonte linjën editoriale të mos ishte kritik me qeverinë.

Besohet se pikërisht kjo bisedë e regjistruar, ka qënë prova e fortë që ka vendosur që në fillim dhe pa asnjë ekuivok që çështjen ta fitonte sipërmarrësi italian. Në fakt, një provë dhe një rrethanë që medoemos do të duhej të merrej në konsideratë edhe nga SPAK, duke qënë se ky rast është një prej dëmev më të mëdha të shkaktuar shtetit në historinë e këtyre 30 viteve.

Vonesat rrisin faturën

Gjykata e Arbitrazhit në Uashington konfirmoi për herë të tretë gjobën rekord ndaj Shqipërisë duke i dhënë të drejtë biznesmenit italian, Francesco Becchetti, edhe në fazën e fundit të procesit gjyqësor. Deri tani, qeveria është justifikuar se gjyqi me Becchettin nuk ka përfunduar ende. Por me vendimin e fundit të gjykatës, dënimi marramendëse është përfundimtar dhe shkon automatikisht për ekzekutim, bën të ditur McnTV.

Gjyqi mes biznesmenit italian Becchetti dhe qeverisë shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit nisi në vitin 2015. Pas 4 vjet procesesh, në prill të vitit 2019, gjykata dha vendimin e parë duke e dënuar Shqipërinë me 108 milionë euro për shpronësim të padrejtë të televizionit Agon Channel. Ky vendim u apelua nga qeveria shqiptare, e cila në gusht po të vitit 2019 kërkoi anulimin e tij. Procesi i apelit zgjati gati dy vjet, dhe në prill të këtij viti gjykata konfirmoi gjobën plus interesat për çdo vonesë në pagimin e saj.

Edhe pse vendimi i dytë ishte i formës së prerë, qeveria shqiptare vendosi të ezaurojë edhe fazën e fundit të procesit, atë që në termin teknik njihet si korrigjim i vendimit, një lëvizje e cila më shumë se përpjekje për të anulluar gjobën ishte taktikë e qeverisë për të shtyrë sa më shumë zyrtarizimin e saj. Faza e korrigjimit nisi në 26 maj të këtij viti dhe pas dy muajsh, në datën 29 korrik gjykata ICSID ka dhënë vendimin përfundimtar duke mos e ndryshuar vendimin, por duke korrigjuar vetëm disa gabime të vogla ortografike.

Me vendimin e formës së prerë, që tashmë ka ezauruar të gjitha fazat e mundshme të arbitrazhit, Shqipëria është e detyruar të paguajë gjobën rekord për llogari të Becchetti dhe ortakëve të tij plus interesat që rriten çdo ditë. Sipas vendimit të gjykatës, deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti gjoba që duhet të paguajë Shqipëria ka arritur 118.5 milionë euro, ndërsa nëse Shqipëria vazhdon të mos e paguajë në fund të vitit ajo shkon në 121.4 milionë euro. Në finale, i gjithë zinxhiri i apelimeve të qeverisë pati vetëm një efekt: rritjen e gjobës si pasojë e interesave, pasi sipas vendimit të gjykatës, aplikimi i interesave nis që nga shpallja e vendimit të parë.

Sipas procedurës, vendimi i arbitrazhit duhet të kalojë për njohje në Gjykatën e Apelit në Shqipëri. Por nëse qeveria do ta refuzojë këtë, atëherë Francesco Becchetti mund të kërkojë sekuestrimin e aseteve të shtetit shqiptar jashtë, një proces të cilin e nisi që në dhjetor të vitit të kaluar./MAPO

Media gjermane: Shqipëria nuk ka mjete për të përballuar zjarret, kërkon ndihmë nga jashtë

Në Shqipëri zjarret janë përhapur pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Kapacitetet e vendit për përballimin e situatës janë modeste, autoritetet shqiptare janë në bisedime për ardhjen e ndihmës nga BE.

Prej disa ditësh Shqipëria ndodhet e përfshirë nga zjarret, pothuajse në të gjithë territorin e saj. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Emergjencave Civile zjarret janë përhapur nga veriu në jug duke përfshirë pyje, kullota dhe prona private në 13 rrethe: Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë ku 9 vatra zjarri janë aktive.

Dëmet e deritanishme janë të mëdha. Zjarret shkaktuan të martën (03.08) edhe një viktimë: Andrea Haxhiaj, 64 vjeç, banor në një fshat në Njësinë Administrative të Lunxhërisë, (qarku i Gjirokastrës) u gjend i pajetë në kopshtin pranë banesës, nga asfiksia në përpjekje për të shuar flakët që kishin përfshirë vreshtin e tij. Bashkëshortja e tij është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital; i plagosur është edhe një efektiv i Forcave të Armatosura bëjnë me dije burime nga Komiteti i Emergjencave Civile. Në Vlorë dhe Fier janë shkatërruar qindra hektarë me pyje, kullota e mijëra rrënjë ullinj. Banorët e 3 fshatrave në luginën e lumit Drino në Gjirokastër, janë evakuar nga forcat e Policisë dhe të Ushtrisë.

Peleshi: Situata serioze në Karaburun
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një deklaratë publike e quajti situatën serioze sidomos në gadishullin e Karaburunit, (qarku i Vlorës) ku vatra e zjarrit vazhdon të mbetet aktive që prej tri ditësh dhe “ka marrë përmasa të rrezikshme, e ndihmuar nga era”, ka theksuar ai të marten.

Edhe në malet e fshatrave Tragjas dhe Dukat, po në qarkun e Vlorës, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll. Mbi 500 forca ushtarake dhe zjarrfikës ndodhen në gadishull dhe në këto dy fshatra, ku po përdoren edhe helikopterë për të shuar zjarret nga ajri. Por situata është vënë nën kontroll në pyjet me pisha të Parkut Kombëtar të Llogarisë dhe është evituar arritja e zjarrit në bazën ushtarake të Pashalimanit, bëjnë me dije burime zyrtare nga Agjencia e Mbrojtjes Civile. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një zjarr i madh ka përfshirë edhe pyjet e FushëArrëzit, në Pukë.

Kapacitetet e Shqipërisë në mjete për të përballuar një përhapje të tillë zjarresh pothuajse në të gjithë territorin e saj janë modeste. Përfshirja e të gjithë rajonit nga zjarret si pasojë e tempetaturave të larta të fundkorrikut dhe fillim gushtit vështirëson ardhjen e mbështetjes nga vendet fqinjë dhe partnere.

Mbështeje nga BE, SHBA dhe rajoni       
Burime zyrtare thanë për DW se autoritetet në Shqipëri kanë biseduar ndërkohë për të marrë mbështetje nga Mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile, i cili e mbështeti fuqimisht Shqipërinë në përballimin e zjarreve të verës 2017 me avionë zjarrfikës dhe harta satelitore Kopernikus, që ndihmojnë në identifikimin e vatrave të zjarrit dhe efikasitetin për t’i shuar ato. Presidenti Meta u bëri thirrje të martën autoriteteve “për t’i drejtur sa më parë kërkesën për ndihmë këtij mekanizmi dhe ꞔdo vendi partner që ka mundësi të ndihmojë” .

Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes deri tani janë bërë bisedime me qeveritë e Kosovës, Italisë dhe Kroacisë për mbështetje me mjete në vartësi nga zhvillimi i situatave të tyre, lidhur me zjarret.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,(SHBA) në Tiranë, në një reagim në median sociale për situatën e rëndë nga zjarret, vë në dukje se “SHBA kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqiperisë në kohë nevoje. Pajisjet e Forcave të Armatosura për shuarjen e zjarrit janë pjesë e një dhurate prej 360 mijë dollarësh nga Komanda Europine e SHBA.”

Zjarre të qëllimshme, zjarrvënës të arrestuar
Situata e vështirë, që i duhet të përballojë Shqipërtisë, në një përhapje kaq të gjerë të zjarreve nuk është shkaktuar vetëm nga temperaturat e larta mbi 40 gradë Celsius. Policia në një njoftim zyrtar, bëri me dije se arrestoi të martën tre persona, në qarkun e Vlorës dhe një në qarkun e Përmetit të dyshuar për zjarrvënie. Zv.Kryeministri, Erion Braꞔe në median sociale i quan madje të gjitha zjarret në territorin e Shqipërisë, “të qëllimshme dhe gjithë autorët e tyre ,kanë kryer krim dhe duhet të përgjigjen para ligjit”./DW

Flakët e zjarrit i afrohen bazës së Pashalimanit, situatë e rëndë edhe në Gjirokastër

Beteja me flakët në disa zona të vendit ka vijuar edhe gjatë orëve të natës. Sot në ditën e nëntë të zjarreve në Karaburun, situata paraqitet më e qetë në pjesën që dje kishte situatë të rënduar, si në shtëpitë afër fshatit Dukat i Ri ashtu dhe në Pashaliman. Aktualisht vatrat e zjarrit janë sërish mbi bazën e Pashalimanit si dhe në Malin e Dukatit.

Zjarrfikësit kanë qenë gjatë gjithë natës në bazën e Pashalimanit ku rreth orës 24.00 deri në orët e para të mëngjesit ka pasur një situatë të vështirë pasi flakët e zjarrit janë afruar 30 metër afër bazës dhe u bë e mundur neutralizimi i flakëve.

hqetësim ditën e sotme janë zjarret që janë shfaqur mbas malit të Karaburunit mbi gjirin e Gramës ku janë shfaqur vatra zjarri, të cilat mund të shkojnë në Llogara.

Në këto momente janë duke shkuar forcat e ushtrisë për të parë situatën nga afër dhe përveç helikopterit të ushtrisë priten edhe dy helikopterë të tjerë, të cilët do të operojnë në zonë.

Në qarkun e Gjirokastrës, një vatër e rrezikshme zjarri është riaktivizuar në Lunxhëri.

Forcat zjarrfikëse në Gjirokastër të mbështetura nga 100 forca ushtarake, janë në terren për të shuar vatrën mes fshatrave Qestorat dhe Tranoshishtë.

Në zonën e Karaburunit situata ka vijuar të jetë alarmante edhe përreth bazës detare të Pashalimanit dhe në afërsi të Dukatit.

Në bazën e Pashalimanit rreth orës 00:00 deri në orët e para të mëngjesit ka pasur një situatë të vështirë pasi flakët e zjarrit janë afruar 30 metër afër bazës, por u bë i mundur neutralizimi i flakëve.

Gjatë orëve të para të mëngjesit kanë shkuar forcat e ushtrisë për të parë situatën nga afër dhe përveç helikopterit të ushtrisë priten edhe dy helikopterë të tjerë të cilët do të operojnë në zonë.

Dështimi i shtetit me situatën e zjarreve, Basha: Rama mendon për luksin e tij kur përdor helikopterin e ushtrisë për udhëtime

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar sërish mëngjesin e sotëm për situatën e rëndë të krijuar nga zjarret në të gjithë vendin. Basha përshëndet me mirënjohje punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira.

Kreu i PD shkruan më tej se, pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij

Reagimi i kryetarit të PD, Basha

Mirënjohje për punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë që po përballen me flakët përgjatë këtyre orëve të vështira. Pamjet që i shfaqin teksa luftojnë me mjete rrethanore janë sa pikëlluese po aq sa indinjuese kur shohim se në të njëjtën ditë, Edi Rama, i heq përballjes me zjarrin helikopterin e ushtrisë, për ta përdorur për udhëtimet e tij.

Natyrisht, kërcënimi i zjarrit është i kudondodhur në rajon, por nuk ndodh askund që në një moment krize, mjetet e pakta të mpaken edhe më shumë për t’i shtuar privilegjet një individi. Kjo nuk është papërgjegjshmëri, por modeli me të cilin është keqqeverisur dhe varfëruar vendi.

Prandaj nuk ka fonde dhe mjete për t’u përballur me emergjencat, qofshin zjarre apo tërmete, sepse shteti përdoret si instrument i një pakice që punon për vete, jo për qytetarët.

Strazimiri: Kemi 8 helikopterë “Eurocopter AS 532 Cougar” kundër zjarreve që nuk i përdorin

Genti Strazimiri

Shqipëria ka helikopter modern për të fikur zjarret, madje jo 1, por 8 copë!
Quhet “Eurocopter AS 532 Cougar” dhe fik zjarret si në videon bashkëngjitur!

Sali Berisha e gjeti Forcën Ajrore me helikopterë rusë e kinezë që nuk ndizeshin, dhe e la me flotë helikopterësh të fjalës së fundit!
Por edhe kur Shqipëria nuk i kishte ende helikopterët në fjalë, Sali Berisha pajtonte Canadair për fikje zjarresh, dhe nuk e linte vendin të shkrumbohej!!!!

Shqipërisë NUK I MUNGOJNË HELIKOPTERËT!
Shqipërisë I MUNGON QEVERIA!!!
KAQ!