30.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Situatë dramatike nga zjarret në Vlorë, flakët u afrohen banesave në Dukat

Situata nga zjarret vazhdon të jetë dramatike në Vlorë. Këtë herë pamjet tronditëse vijnë nga zona e Dukatit. Duket se situata nga zjarret atje është përkeqësuar.

Flakët kanë përfshirë faqen e malit dhe mund të rrezikojnë banesat. Banorët po punojnë vetë për shuarjen e flakëve por e kanë të pamundur të venë nën kontroll situatën e rëndë.

Katastrofa nga djegia e plehrave në Fier/ A ishte i qëllimshëm helmimi iqytetarëve nga Bashkia?

Faktet që kanë dalë në dritë ditët e fundit hedhin dyshime të forta se, helmimi i qytetarëve të Fierit mund të mos ketë qenë aksidental, por i qëllimshëm. MCN publikon dokumente që hedhin dyshime të forta se djegia e mbeturinave në fushën e Mbrostarit mund të jetë e lidhur me prishjen e pazareve të një kontrate të majme publike.

Në datën 4 qershor, Bashkia e Fierit hapi një tender me vlerë 198 milionë lekë ose gati 2 milionë dollarë për shërbimin e pastrimit dhe largimit të mbeturinave në të gjithë qarkun e Fierit për një periudhë 3 vjet e gjysmë. Pjesë e objektit të tenderit ishte dhe transporti i mbetjeve nga Fusha ekzistuese e Depozitimit në Mbrostar deri tek Inceneratori.

Ofertat e tenderit u hapën në datën 23 qershor dhe në garë morën pjesë tre kompani. Sipas dokumenteve zyrtare, çmimin më të ulët e ofroi Victoria Invest me 160.4 milionë lekë. Por veç saj në garë morën pjesë edhe Alko Impex, e cila ofroi çmimin 194 milionë lekë si dhe kompania Kombi Invest, me ofertë 197 milionë lekë.

Tre javë pas hapjes së ofertave, në datën 16 korrik, Bashkia e Fierit shpalli fituese pikërisht Kombi Invest, kompaninë me ofertën më të lartë duke skualifikuar dy kompanitë e tjera, Alko Impex dhe Victoria Invest.

Por edhe pse shpalli fituesin, edhe pse e publikoi atë në buletinin e prokurimit publik, një javë më vonë Bashkia e Fierit bën një kthesë të pashpjegueshme 180 gradë. Në datën 23 korrik, Këshilli Bashkiak i Fierit merr vendim që të anulojë tenderin 2 milionë dollarësh të pastrimit, për të cilin vetëm një javë më parë kishte shpallur fituesin. Sipas vendimit, ky shërbim do të kryhej nga vetë Bashkia e Fierit përmes Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit.

Vendimi i Këshillit Bashkiak për anulimin e tenderit u bë në datën 26 korrik. Në të njëjtën ditë, fusha e mbetjeve në Mbrostar u përfshi nga flakët. Për asnjë rast, autoritetet përfshirë Bashkinë e Fierit nuk e sqaruan publikisht nëse djegia e mbeturinave në Mbrostar ishte zjarrvënie e qëllimshme apo aksidentale. Por rënia e flakëve në të njëjtën ditë me anulimin e kontratës së majme 2 milionë e vesh të gjithë këtë ngjarje me dyshime shumë të rënda.

Ndërkohë që tre ditë më parë, pra në datën 30 korrik, Alko Impex ka bërë ankesë në Komisionin e Prokurimit Publik, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Këshillit Bashkiak për anulimin e tenderit, edhe pse kjo kompani nuk ishte fituesja. Lufta për të shtënë në dorë biznesin e mbetjeve në Fier duket e ashpër. Me gjasa, në javët në vijim do të dalin të tjera fakte për këtë ngjarje të mbetjeve në Fier.

Por Prokuroria e Fierit dhe SPAK-ut kanë një detyrim të madh ligjor ndaj qytetarëve të Fierit, që u helmuan me toksina për më shumë se një javë. Të japin përgjigje për pyetjen që ngrenë të gjitha këto dyshime. A u helmuan qytetarët e Fierit për prishjen e pazareve në tenderin 2 milionë dollarësh të pastrimit? Nëse po, ky do të ishte një nga krimet më monstruoze të korrupsionit në Shqipëri./MCN

Dështimi i kuqezinjve në Lojërat Olimpike/ Rama dhe Veliaj përvetësuan skuadrat olimpike. Fidel Ylli bleu votat…

Ish-presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, i ftuar në studion e edicionit informativ të lajmeve në Syri Tv, foli për dështimin e kuqezinjve në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Bezhani i tha moderatores Eneida Ndoci se presidenti aktual i KOKSH-it, Fidel Ylli, ka bërë “qoka” me përfaqësimin e Shqipërisë në Olimpiadë.

Sipas Bezhanit, Fidel Ylli nuk i ka vënë rëndësi rezultatit të sportistëve tanë në Olimpiadë, por njerëzve që e kanë ndihmuar të bëhet president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

“Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, ka dashur të bëjë qoka me përfaqësimin e Shqipërisë në Olimpiadë. Ai nuk i ka vënë rëndësi fare rezultatit, por njerëzve të cilët e kanë ndihmuar për t’u bërë president i KOKSH-it.

Rezultati i Brikenit (Caljes) ishte i mirë, por me një kujdes më të madh do të kishim një rezultat edhe më të mirë.

Të pretendosh për medalje dhe të mos kesh interesimin e duhur, kjo nuk është normale.

Sportisti nuk ka nevojë për t’i rënë shpatullave, por për kushte.

Sportisti që shkon në një aktivitet të tillë, duhet të ketë trajnerin me vete, patjetër.

Erion Veliaj dhe Edi Rama, kanë përvetësuar skuadrat olimpike, kryeministrit nuk i takon të japë flamurin, është kompetencë e Presidentit.

Fjalimi i Ramës për Fidel Yllin është i turpshëm, jo si fjalim kryeministri

Fidel Ylli ka blerë votat me paratë e shtetit për t’u bërë president i KOKSH-it.

Erion Veliaj thotë që dënon krimin, por bashkëpunon me të”, deklaroi Viron Bezhani.

Policia dhunon banorët që protestojnë për burimin e Sinecit, PD: Shembull i kapjes së shtetit nga një regjim i korruptuar

Policia dhunon banorët që protestojnë në mbrojtje të burimit të Sinecit, Alizoti: Shembull i kapjes së shtetit nga ana e një regjimi të korruptuar që punon kundër interesave të qytetarëve.

Edhe pse ka një vendim nga Administrata e Zonave të mbrojtura për të pezulluar punimet pranë burimit natyror të Sinecit, policia dhunon qytetarët që protestojnë për zbatimin e vendimit të AdZM-së.

Është e qartë për të gjithë se kjo polici nuk i shërben qytetarëve, por ortakëve të Ramës që shkelin në mënyrë flagrante ligjin dhe të drejtat e banorëve të zonës. Ky rast është një tjetër shembull i kapjes së shtetit nga ana e një regjimi të korruptuar deri në palcë, i cili punon kundër interesave të shumicës së shqiptarëve. Dhuna ndaj qytetarëve duhet hetuar dhe ndëshkuar një orë e më parë. Është detyra e SPAK të tregojë se askush nuk është mbi ligjin dhe se forcat e rendit nuk mund të përdoren në shkelje të ligjit kundër qytetarëve.

 

AS: Ronaldo dëshiron të largohet nga Juventusi

Kthimi në stërvitje me Juventusin nuk i ka ndryshuar planet e Cristiano Ronaldos. Vendimi i tij mbetet i njëjtë: ai dëshiron të largohet dhe dëshiron ta bëjë sa më shpejt të jetë e mundur.

Çdo ditë që kalon e ndërlikon realizimin e kësaj dëshire, por portugezi nuk i është nënshtruar idesë së qëndrimit në Torino, pas një udhëtimi që ai e konsideron të përfunduar.

E ardhmja e tij varet nga Kylian Mbappé: Ronaldo e di se nëse Real Madridi arrin të marrë francezin, PSG do të tentojë ta marrë Ronaldon. Është shpresa e tyre më konkrete dhe në Itali janë të sigurt se Florentino Pérez do të përpiqet të mbyllë nënshkrimin me Mbappen deri në minutën e fundit të këtij afati kalimtar.

Nëse parisienët nuk ndryshojnë pozicionin e tyre, Cristiano Ronaldo do të duhet të gjejë një rrugë tjetër shumë më të komplikuar. Dhe, siç mëson AS, ideja e tij është të trokasë përsëri në derën e Real Madridit.

Rrethi i tij tashmë u përpoq të realizonte këtë operacion pranverën e kaluar, por Florentino Perez u shpreh hapur për rastin: “Nuk ka kuptim për ne”.

CR7, pavarësisht kësaj, shpreson se ardhja e Ancelottit mund ta ndihmojë atë. Marrëdhënia e tij e shkëlqyer me Carletto, të cilin ai e përshkroi si “një njeri të jashtëzakonshëm, një nga më të mirët dhe më të rëndësishmit” me të cilin ai kaloi një periudhë gjatë karrierës së tij, teorikisht mund të shërbejë për të rihapur dyert e Bernabéut për të nëse Mbappé nuk nënshkruan me Realin.

Një ide që, megjithatë, nuk do të bëhet realitet. Plani i Real Madridit mbetet i njëjtë: Mbappe ose asgjë. Nëse Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Juventusi, ai duhet të shpresojë se ëndrra e madhe e Real Madridit do të realizohet këtë verë.

Kampionet olimpike zbresin në tokën dardane

Ekipi olimpik i xhudos tashmë ka ateruar në Aeroportin “Adem Jashari”. Dy kampionet olimpike nga Tokyo 2020, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova tashmë kanë shkelur në tokën dardane, shkruan Gazeta Express.

Ata u pritën me një ceremoni shtetërore në Aeroportin “Adem Jashari” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të organizohet një festë në të cilën qeveria bën thirrje që të merret pjesë.

Kosova i fitoi dy medalje të arta në Tokio, duke e cuar në tri numrin e përgjithshëm të medaljeve në historinë e vet në Lojëra Olimpike, pas të medaljes së parë olimpike, të artë po ashtu, të Majlinda Kelmendit në debutimin e Kosovës në Olimpiadë në Rio 2016.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Vendit tonë i ka mbetur vetëm edhe një garues në Tokio 2020, mundësi Egzon Shala.

Shala do të përballet me mundësin bjellorus Dzianis Khramiankou në rrethin e parë në peshën e rëndë, 125 kilogramë, të enjten më 5 gusht.

Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik.

Video/ Banorët e Lumasit përplasen me policinë për Kanionin e Sinecit, Berisha dënon dhunën policore

Banorët e Lumasit janë ngritur sërish në protestë për shkak se edhe pas vendimit për pezullim të punimeve, firma nuk e ka ndërprerë punën në kanionin e Sinecit.

Pas vendimit të marrë nga AdZM Elbasan për Sinecin, pritej që firma “Salillari” të ndërpriste punimet.

Banorët e zonës kanë bllokuar sot me forcë mjetet e firmës “Sallillari”, por janë përleshur e rrahur me efektivët e policisë.

Në mbështetje të banorëve të Lumasit kanë ardhur edhe ambientalisti Sazan Guri dhe avokati i çështjes, Arben Llangozi.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar edhe një video.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Narkobandite me uniforme versulen si shtaze mbi banoret e Lumasit qe mbrojne burimin e Sinecit, pasurine e tyre jetike ujore qe duan tua grabisin.

Denoj dhunen e eger policore.

Nderim dhe mbeshtetje te plote banoreve guximtar te Lumasit. sb

Mbyten dy pushues në Qerret dhe Durrës

Një tjetër person ka humbur jetën në plazhet e Shqipërisë. Bëhet me dije se rreth orës 6:00, në plazhin e Qerretit në Kavajë, u mbyt shtetasi Naim Tola me origjinë nga Tirana , i moshës 50 vjeç.

Edhe pse u dërgua me urgjencë në Spitalin e Durrësit, Tola nuk arriti dot të jetojë.

Një tjetër pushues humbi jetën sot në plazhin e Durrësit. Policia bëri të ditur se, shtetasi B. S., 75 vjeç, banues në Durrës dyshohet se është mbytur duke u larë në det në lagjen nr.1, Durrës.

Kujtiojmë se këtë sezon turistik, shumë persona kanë humbur jetën në plazhet e vendit.

Shqipëria në flakë, drejtori i Emergjencave Civile në plazh!

Ndërkohë që Shqipëria po përvëlohet nga zjarret e shumta që kanë pushtuar vendin, drejtori i Emergjencave Civile që duhet të ishte në ballë të situatës, ka zgjedhur të freskohet duke marrë pushimet. Zbulimin e ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka shkuar në Drejtorinë e Emergjencave Civile për të bërë një audit, por ku është konstatuar se drejtori përkatës ka ikur me pushime. Gjë që ka bërë që auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Emergjencave Civile të bllokohet.

Burime për gazetaren Anila Hoxha tregojnë se grupi i auditit pasi ka mbërritur për të kryer kontrollet pranë emergjencave, specialistët i kanë pohuar grupit të kontrollit se drejtori i emergjencave është me pushime dhe nuk mund të lejojnë askënd për të kontrolluar se përse emergjencat nuk po funksionojnë në këtë situatë zjarresh.

Anila Hoxha komunikoi me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehun, i cili e konfirmoi situatën e pazakontë.

Shehu tha se: “I bëj thirrje publikisht drejtorit të emergjencave civile të kthehet urgjent në detyrë për të zbatuar detyrimet që ka sipas ligjit, me situatën kur disa zona të vendit janë pushtuar nga zjarret. E dyta të mos bëhet pengesë për auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është e vërtetë që është komunikuar se nuk mund të jepet asnjë informacion derisa të kthehet drejtori i emergjencave”.