23.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Covid-19/ Koduzi: Komiteti nuk mori asnjë masë kundër variantit ‘Delta’, jemi si ‘han pa porta’

I ftuar në hapsirën Intervista e Ditës në SYRI TV, mjeku Gazment Koduzi ka komentuar hyrjen e variantit Delta, i cili prek edhe të vaksinuarit, si dhe a është në kontroll situata në Shqipëri.

Koduzi: Rezultati i komitetit të ekspertëve duke lajmuar qytetarët se varianti Delta ka hyrë në Shqipëri ishte jo-serioze dhe brenda pritshmërive pasi ky komitet kështu ka vepruar gjatë gjithë kësaj periudhe.

Për të parë se çfarë lloji varianti virusesh qarkullojnë në vend, ka metoda tangenciale për të bërë analizën e tyre. Që nga momenti që është rritur numri i rasteve në Shqipëri, varianti Delta ka qënë prezent. Tashmë ngeli vetëm për tu konfirmuar në rrugë laboratorike. Në epidemiologji ka metoda të tjera për të gjetur, si është rritja e numrit të rasteve të reja, periudha e inkubacionit etj.

Ky komitet nuk doli jashtë pritshmërisë pasi nuk shpalli asnjë masë të re llogjike dhe vazhdon të mbajë në fuqi masa alogjike. Si psh. Ora policore që asnjë vend rreth nesh nuk e ka. Greqia tashmë nuk ka një orë policore. Gjermania nuk ka pasur orë policore as në kulmin e pandemisë.

Në Shqipëri vazhdon një kufizim alogjik i cili është për të treguar që qeveria është padronia e jetës së tyre duke vendosur gjoba marramendëse.

Nga ana tjetër komiteti nuk ka marrë masat e pritshme për të ndaluar hyrjen e variantit Delta i cili vjen nga jashtë.

Mjafton që të marim eksperiencën e vende fqinje si Greqia, ku për të hyrë duhet të jesh i vaksinuar, apo të kesh një PCR negative, ose një vërtetim që e ke kaluar sëmundjen në 9 muajt e fundit.

Shqipëria në këtë drejtim është një han pa portë.

Pak ujë! Pak ujë! Pak ujë, o shok, o vlla për Krujën

Ilirian TAGA

Pak ujë! Pak ujë! Pak ujë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak ujë në kët zheg kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.

Pak ujë! O burrë! O hero’ ngado që të jesh. …
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak ujë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët zheg pa gjumë

Oh! ta kisha shtamën të madhe edhe të mbushun!
Me ujin e shtamës në dheun pluhun të ksaj dite ta shkruejshe kushtrimin…
Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Por ujë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…
Dergjem n’thatsin pa gjumë dhe pa ujë…

Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot…
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.

Gjeli këndon dhe thotë se asht afër burimi
– Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër shiu…
Por un s’besoj sot në fjalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet

O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andr’min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

P.s. të na e bëjë hallall Migjeni për përshtatjen

Çmenduria, një pallat mes pallateve në vetëm 100 metra katrorë hapësirë publike

Endri Tafani

E dini çfarë mund të bëhet në 100 m2 shesh në mes të 5 pallateve?

Një pallat tjetër sigurisht. Aq afër ndërtimi i ri, sa praktikisht zëre se u ka vënë tulla dritareve të pallateve ekzistues. Praktikisht i ka burgosur në shtëpitë e tyre.

Dilni në ballkon apo mos dilni fare më mirë, por nga dritarja e vendit ku jeni, hidhni një vështrim jashtë saj. Vetëm beton ngjitur. Beton i shëmtuar ngjyra ngjyra. Aq afër me dritaren sa te merr frymën. Jemi të gjithë të burgosur në Tiranë.

Tirana vdiq si qytet e nuk bëhet kurrë më. E bashkë me të dhe një pjesë e jona, sidomos e atyre që kanë jetuar në Tiranë tjetër.

Por përveç vdekjes është dhe kjo puna e burgut që na mbajnë. Të burgosur përtej vdekjes. Nuk di më keq se kaq.

SHBA, Fauci jep alarmin për përhapjen e variantit Delta

Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, dha një alarm të ri të dielën lidhur me rritjen e rasteve të koronavirusit në vend, veçanërisht në ato rajone ku njerëzit kanë refuzuar të vaksinohen edhe ndërsa varianti “Delta” po përhapet me shpejtësi.

“Ne po shkojmë në drejtimin e gabuar”, tha zoti Fauci në një program të kanalit televiziv CNN. “Pesëdhjetë përqind e vendit nuk është vaksinuar. Ky fakt përbën problem. Ne po e vëmë veten në rrezik”, tha Anthony Fauci, këshilltari i lartë mjekësor i Presidentit Joe Biden.

Në Shtetet e Bashkuara, shtrimet në spital dhe vdekjet janë shumë poshtë shifrave kulmore të arritura dimrin e kaluar. Por numri i infeksioneve të reja është rritur ndjeshëm në disa pjesë të vendit ku skepticizmi për nevojën e vaksinimit, siguria e vaksinave dhe rezistenca ndaj sugjerimeve të qeverisë për t’u imunizuar mbeten një pengesë e fuqishme.

Më shumë se 51,000 infeksione të reja u regjistruan në Shtetet e Bashkuara të shtunën, një rritje prej 172% gjatë dy javëve të fundit, ndërsa më shumë se 250 vdekje kanë ndodhur çdo ditë gjatë kësaj periudhe.

Qeveria thotë se deri tani më shumë se 162 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht, ose 49% e popullsisë së vendit – gati 60% e të rriturve.

Por sondazhet kanë treguar se rreth 80% e amerikanëve të pavaksinuar thonë se nuk do të vaksinohen duke mos marrë parasysh paralajmërimet që po bëjnë zyrtarët.

Shumë politikanë konservatorë më parë kishin përkrahur një qasje më të kujdesshme ndaj vaksinimeve ose kishin deklaruar se vaksinimi ishte një çështje zgjedhjeje personale. Tani disa prej tyre po shprehin irritim ndaj atyre që nuk pranojnë të vaksinohen.

Guvernatorja republikane Kay Ivey nga shteti i Alabamës iu drejtua javën e kaluar të pavaksinuarve: “Këta njerëz po zgjedhin një mënyrë jetese të tmerrshme”, tha ajo.

Një guvernator tjetër republikan, Asa Hutchinson i shtetit Arkansa, ka bërë thirrje prej kohësh për vaksinime në shtetin e tij jugor, por ky shtet ka ende një nga nivelet më të ulëta të imunizimeve. Dy adoleshentë vdiqën kohët e fundit nga COVID-19 në shtetin e tij.

“Këto janë kambana alarmi,” i tha ai rrjetit CNN. Megjithatë, ai vuri në dukje, “se rezistenca (ndaj imunizimeve) është shtuar”.

Por zoti Hutchinson shprehu optimizëm se të pavaksinuarit do të ndryshojnë mendimin.

“Njerëzit mund të ndryshojnë rezistencën e tyre,” tha ai. “Këtu duhet të përqëndrohemi”.

Zoti Fauci tha se personat e vaksinuar “janë shumë të mbrojtur”, përfshirë edhe kundër variantit Delta.

Por ritmi i vaksinimeve ka rënë në Shtetet e Bashkuara me më shumë se 80% që nga mesi i prillit.

Disa qytete, përfshirë Los Anxhelosin në Perëndim dhe Seint Luisin në qendër, kanë vendosur udhëzime të reja për njerëzit që të mbajnë maska në hapësirat e brendshme publike, pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Qytetet e tjera po shqyrtojnë direktiva të ngjashme.

Historia nuk ka përfunduar

“Gjatë Luftës së Ftohtë e dinim se kush ishim. Sot Perëndimi është i mefshtë”. Intervistë me politologun Andrew Michta.

“Në Kinë po ndodh diçka që bota nuk e ka parë kurrë më parë. Jemi gati? Kina po krijon shtetin e përsosur të survejimit dhe inxhinierët e saj të shpirtit po kërkojnë të krijojnë “njeriun e ri” që ëndërronin Lenini, Stalini dhe Mao. Dhe Kina dëshiron ta plazmojë botën sipas imazhit të saj. Sepse një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: në dekadat e ardhshme, sfida më e madhe për demokracitë tona dhe për Europën nuk do jetë Rusia, do të jetë Kina”. E shkruan Kai Strittmatter, një gazetar i “Süddeutsche Zeitung” që ka qenë korrespondent i saj në Pekin, në librin e tij të fundit “Die Neuerfindung der Diktatur” (i dalë në frëngjisht dhe në anglisht). “30 vjet pas Luftës së Ftohtë, kemi jetuar në një botë ku na është thënë se historia kishte “mbaruar””.

Sipas Andrew A. Michta, politolog amerikan dhe President i College of International and Security Studies në George Marshall European Center for Security Studies me seli në Gjermani, që nuk ekzistonin më kundërshtarë të dukshëm, të besueshëm ndaj idesë unike triumfuese që ishte demokracia liberale, nuk e mendonte vetëm Francis Fukuyama. “Shkrirja e tregut të lirisë dhe lirisë individuale, e ndihmuar nga revolucioni dixhital, do ta bashkonte ekonominë botërore. Ideologjia nuk do të kishte më rëndësi. Tregjet do t’i mundnin idiosinkrasitë kulturore. Kina dhe Rusia do të demokratizoheshin. Tani ka ardhur goditja prej vetëkënaqësisë tonë dhe ka ardhur nga Kina komuniste. Sfida ideologjike e Kinës kundër demokracisë liberale është në një rend të madhësisë më të lartë se çdo gjë që propaganda sovjetike e Luftës së Ftohtë mund të shpresonte të arrinte. Kina ka mjetet për t’u bërë shteti i parë totalitar high-tech i historisë. Ajo çka Pekini ofron është një vizion i botës mashtrues: “Një treg i lirë për njerëz jo të lirë”, ku prosperiteti dhe liria individuale nuk kanë më nevojë të jenë pashmangshmërisht të ndërthurura”.

Ky historian dhe politolog ka vite që si një Kasandër paralajmëron për sfidën që regjimi kinez i paraqet demokracisë perëndimore. Por “Perëndimi”, thotë Michta, si koncept ka gjithnjë e më pak domethënie. “Sipas mendimit tim është rezultat i një serie ndryshimesh në zhvillim nga Lufta e Ftohtë”, rrëfen Michta për “Il Foglio”. “Faktori i parë ka të bëjë me elitat tona, që i interpretojnë gabimisht arësyet për të cilat Perandoria Sovjetik u shemb dhe sidomos atë që do të pasonte Luftën e Ftohtë, domethënë “fundin e historisë” e Fukuyama dhe bindjen e keqpërgjigjur se liberalizmi dhe globalizmi qenë rrugët “natyrale” për t’u ndjekkur. Hipoteza bazë ishte se Kina, me t’u modernizuar, do të bëhej një “responsible stakeholder” në komunitetin global dhe se Rusia do t’i përqafonte e gjera liberale.

Të dyja kanë rezultuar më shumë se një dëshirë e pastër dhe se do të duhej të pranohheshin si të tilla në dekadën e parë menjëherë pas Luftës së Ftohtë. E kemi përdorur për të justifikuar offshoring e zinxhirëve tanë të furnizimit me qëllim që të shfrytëzohej kostoja e ulët e punës. Në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar një deindustrializim dramatik dhe zbrazjen e shkatërrimin e komuniteteve të tëra. Ja kemi dorëzuar Kinës diamantet e teknologjisë, prodhimit e knoë-hoë tonë dhe kemi lehtësuar modernizimin më të shpejtë të një shteti në histori, një rritje prej 900% të PBB kineze brenda një gjenerate. Por, natyrisht, Kina jo vetëm që nuk është demokratizuar, por është bërë gjithnjë e më shumë nacionaliste dhe gjeostrategjikisht luftarake, me Rusinë revizioniste të rreshtuar me Republikën Popullore të Kinës. Sot Perëndimi gjendet përballë një Rusie që dëshiron të rishikojë zgjidhjen pasLufte të Ftohtë dhe një Kinë që dëshiron ta zëvendësojë krejtësisht me sistemin e saj të përqëndruar mbi zinxhirët e saj të furnizimit të përqëndruar dhe vlerat e saj. E gjitha kjo në një moment ku Europa është e çarmatosur dhe e përçarë ideologjikisht, ndërsa Shtetet e Bashkuara po dalin nga dy dekada lufte të pandërprerë në teatra të ndryshme”.

Problemi i dytë është i brendshëm dhe me natyrë ideologjike. “Kemi përjetuar dekada eksperimentimi pasmodern, për të cilën ideja e qytetarisë individuale kaq thelbësore për traditat tona demokratike, ashtu si koncepti i shtetit komb, zëvendësoheshin gjithnjë e më shumë nga kategori grupi dhe transnacionalizmi si dhurata të Zotit për padrejtësitë e supozuara të shkaktuara nga Perëndimit. Si qytetërim po përjetojmë një periudhë pasigurie të thellë që duket se është shkaktuar jo nga një traumë masive si në të kaluarën, impakti i Luftës së Dytë Botërore, por si një disfunksionim i vetëshkaktuar”.

Michta flet për “dekonstruksion”. “Ne amerikanët jemi një eksperiment unik në histori, ku qyetaria, vlerat demokratike të pranuara dhe kultura e mbetur e kolonëve britanikë na kanë mundësuar që të krijojmë një komb ku origjina etnike kishte pak rëndësi. Skllavëria mbetet një njollë në histori, por edhe këtë trashëgimi (mbi të cilën kemi bërë luftën tonë civile) jemi përpjekur ta kalojmë në vitet ’60 nëpërmjet të drejtave civile. Dhe pikërisht ku dukej se kishim arritur një khtessë, elitat tona kanë nisur “marshimin e madh” të tyre gramshian nëpërmjet institucioneve, me politika relative raciale e identitare dhe transformimin e sistemit tonë arësimor. Një lloj “ballkanizimi” i Amerikës përgjatë linjave raciale dhe gjinore, për të cilën patriotizmi dhe detyrimet midis qytetarëve të lirë që historikisht kanë bërë të mundur kompromisin demokratik është zëvendësuar nga një vizion thuajse leninist të konfliktit, në të cilin nuk mund të arrihet një kompromis, por motoja është “Unë fitoj, ti zhduku””.

Europa, thonë diplomatët kinezë është kërthiza e Perëndimit. “Nëqoftëse shikohet nga modeli kinez i blerjes së porteve, hekurudhave dhe rrjeteve të komunikimit, si 5G, del që Kina ka blerë resurse në të gjithë Perëndimin me një ritëm gjithnjë e më të madh. Vetëm tani Europa po fillon të kuptojë se Kina nuk është vetëmm një problem ekonomik. Në Shtetet e Bashkuara e shohim si një tërësi problemesh ushtarake dhe ekonomike. Europianët nuk duan ta pranojnë kërcënimin ushtarak e përfaqësuar nga Kina, e shkaktuar nga “të mos zgjedhësh nga cila anë të jesh””.

Ndërkaq Europa duhet të përballojë në shkëputje multikulturore në zhvillim dhe e mbështetur nga shumë entitete të huaja, si në Francë, dhe shpesh aleate të kinezëve, si Turqia. “Problemi nuk është emigracioni në vetëvete, edhe pse vjen në një moment ku vëllimi i njerëzve që futen në shoqërinë tënde nga kultura të ndryshme mund t’ja ndryshojnë rrënjësisht politikën. Problemi është ndryshe: nuk këmbëngulim më që emigrantët të cilët zgjedhin të hyjnë në komunitetet tona të akulturohen. E nënvizoj: akulturohen, pranojnë dhe përqafojnë vlerat e qytetërimit tonë. Kjo ishte pritshmëria në Shtetet e Bashkuara dhe shpresoja në të gjithë Perëndimit. Jo më: revolucioni i viteve ’60 ka filluar procesin e transformimit të shoqërive tona. Në Amerikë kjo nënkupton se multikulturalizmi ka nisur të dekonstruktojë idenë e kombit. Siç ka shkruar Sam Huntington tek “Who Are We?”: “Furrnalta” që ishte qasja jonë ndaj emigracionit është zëvendësuar nga formula “salad bowl”, ideja që përbërësit janë përzier dhe e ruajnë cilësinë e tyre. Nuk shkrihen më në një bërthamë. Në Europë keni lejuar një proces të ngjashëm, në të të cilit ideologjia multikulturore ka krijuar ato që i kam quajtur “komunitete të varura”, ku popullsitë e emigruara përcaktohen si entitete vetëkrijuese, duke ndërvepruar me shtetin dhe shoqërinë të domosdoshmen, por duke mbetur të ndara”.

Pasmodernizmi ka pasur fajet e veta. “Ajo është rrënja, por ja ngarkon direkt fajin marksizmit të mbetur, neomarksistëve që kanë dominuar kolegje e universitete dhe tani kontrollojnë sistemin tonë arësimor dhe pjesën më të madhe të kulturës. U kemi lejuar gjeneratave të ndryshme të burrave e grave që të indoktrinohen për ta refuzuar trashëgiminë e tyre ose, më mirë, i kemi privuar nga një imazh i ekuilibruar të asaj që qytetërimi ynë ka realizuar”.

Duhet kthyer në vitet ‘60. “Në Shtetet e Bashkuara rebelimi ishte i lidhur me luftën në Vietnam. Shumë prej njerëzve që kanë dalë në rrugë përfunduan duke zënë pozicione autoriteti në këshillat shkollore dhe në universitete. Adhurimi i anarkisë si kusht i njeriut, mantra “bëj si të duash” si kredo e shoqërive perëndimore, e ka kompletuar ciklin. A mund të anullohet? Por, ama vetëm nëqoftëse rivendosim idenë se demokracia nuk kka të bëjë vetëm me barazinë, por edhe cilësinë e lidershipit. Demokracitë begatojnë kur kombet që ruajnë barazinë para ligjit prodhojnë burra e gra cilësorë që hyjnë në shërbimin publik”.

Humbja e besimit perëndimor ka të bëjë me një shoqëri që plaket. “Ngrini një pikëpyetje më rëndësi: shoqëritë perëndimore mund të begatojnë nëse koeficentët aktualë e lindshmërisë ngecin, domethënë kur shoqëritë tona jo vetëm plaken me shpejtësi, por thjesht reduktohen në përmasa? Besoj se ka diçka shumë më themelore në punën e shoqërive tona: i kemi dhënë besim shtetit më shumë sesa familjes për të siguruar mirëqenien dhe sigurinë tonë më shumë se në çdo moment tjetër në të kaluarën. Sipas mendimit tim, ky është një motiv themelor për të cilin shoqëritë tona po plaken”.

Çdo diskutim lidhur me identitetin kolektiv, si debati lidhur me rrënjët kristiane të Europës, është stigmatizuar. “Perëndimi është i rrënjosur në kristianizëm”, na thotë Michta. “Është pasuria jonë nën sulm, themelet e qytetërimit tonë. Spazmat që kanë tronditur Perëndimin në shekullin e XX (fashizmi, nazizmi dhe komunizmi) kanë lënë plagë të thella mbi psikikën tonë kolektive, por ajo që duhet të kuptojmë është se impulset totalitare të përfaqësuara nga këto ideologji qenë gjithmonë të rrënjosura në bindjen se kolektivizmi më shumë se liria qe dhuratë e Zotit. Shpesh pyes veten se pse mbesim kaq të lidhur pas formulash kolektiviste dhe stataliste, kur përvojat traumatike e shekullit të kaluar do të duhej të na zhgënjenin njëherë e përgjithmonë lidhur me nocione të tilla. Problemi është se nuk ja transmetojmë trashëgiminë tonë kulturore të rinjve, por u mësojmë atyre vetëm kapitujt e errrët e historisë dhe nuk festojmë arritjet e mëdha e qytetërimit. Jam i preokupuar për mënyrën me të cilën gjeneratat më të reja në Shtetet e Bashkuara do të kuptojnë trashëgiminë tonë. Jemi gjithnjë e më shumë të çankoruar nga rrënjët tona, nga etosi ynë judeo – kristian, nga vlerat që gjeneratat në Europë e në Amerikë kanë dashur dhe mbrojtur. Jemi shkatërruar nga kjo “antropologji e hapur”, ky relativizëm absolut për të cilin na thuhet se nuk kemi më të drejtën ta gjykojmë, t’i japim vlerë, të flasim për atë që është e vërtetë dhe e mirë, atë për të cilën Allan Bloom ankohej vite më parë. Duhet të rilidhemi më trashëgiminë tonë. Mbi të gjitha, duhet t’ja mësojmë të rinjve, për të transmetuar atë që në fund të fundit është një pasuri e jashtëzakonshme”.

Ndërkohë, teksa Perëndimi dekonstruktohet, Kina marshon e sigurtë në një 2021 ne 8% të PBB, rishkruante historinëe pandemisë, nënshtronte Hong Kongun dhe kërcënonte Tajvanin, kryente një eksperiment inxhinierie sociale në Ksiniang duke i futur ujgurët që të prodhonin me punë të detyruar maskat të cilat i dërgonte në Perëndim dhe presidenti i saj jepte leksione demokracie e lirie nga Davos. Banorët e Liangjiahe, në veri të Kinës, e kujtojnë mirë atë adoleshent të gjatë e të zbehtë që punonte në ara dhe flinte në një kapanon kashte të mbushur me pleshta. Ishte “Revolucioni Kulturor” dhe Mao e dërgoi këtë djalë të “riedukohej” në fshat për 7 vjet. Nga ajo shpellë, që herëpasëhere vizitohet nga adoleshenti i bërë President i përjetshëm, Xi Jinping shikon nga Perëndimi dhe buzëqesh.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Protesta masive në Francë, qeveria miraton ligjin që e bën vaksinimin anti-Covid të detyrueshëm

Parlamenti i Francës miratoi legjislacionin që i bën vaksinat kundër koronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe e zgjeron listën e vendeve që kërkojnë të ashtuquajturën leje shëndetësore.

Ndryshimi vjen pas protestave në Francë kundër rregullave. Por, presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron, thotë se synon ta bëjë vaksinimin armë kryesore kundër koronavirusit, ndërsa, sipas Qeverisë së tij, ndryshimet janë të nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit e cenueshëm, si dhe për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.

Ligji që i bën të detyrueshme vaksinat për punëtorët e kujdesit shëndetësor, u jep atyre kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen – në të kundërtën, rrezikojnë pezullimin.

Franca kërkon pasaportën e COVID-19 për qasje në vende publike
Ndryshimet në lejen shëndetësore hyjnë në fuqi në gusht, nëse miratohen nga Gjykata Kushtetuese.

Leja tregon se njerëzit janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë shëruar prej tij ose kanë rezultuar negativë gjatë testimit. Ajo është kërkuar për hyrje në muze, kinema, pishina dhe vende të tjera që tërheqin turma të mëdha.

Me rregullat e reja, leja do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante dhe bare, si dhe për të bërë udhëtime në distancë të gjatë me trena dhe aeroplanë.

Ashtu sikurse shumë vende të tjera në Evropë, Franca është duke u përballur me variantin shumë ngjitës të koronavirusit, Delta. Infeksionet ditore janë rritur në 22,000 nga 4,000 sa kanë qenë në fillim të korrikut. Shtrimet në spital janë po ashtu në rritje.

Pak më pak se 50 për qind e popullsisë së Francës – prej 67 milionë banorësh – është e vaksinuar plotësisht. Kjo është ende larg çdo pragu që disa ekspertë thonë se mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Autoritetet gjetkë po i rrisin përpjekjet për të nxitur vaksinimin masiv.

Në Gjermani, Qeveria është duke shqyrtuar kufizime për njerëzit e pavaksinuar, nëse numrat e rasteve me koronavirus arrijnë lartësi të reja në muajt e ardhshëm.

Helge Braun, shef i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se njerëzit e pavaksinuar mund të ndalohen të hyjnë në vende si: restorantet, kinematë apo stadiumet sportive, “sepse rreziku është shumë i lartë”.

Braun i tha gazetës “Bild am Sonntag” se politikat e tilla do të ishin të ligjshme, sepse shteti ka përgjegjësi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tij.

Më shumë se 49 për qind e qytetarëve të Gjermanisë janë plotësisht të vaksinuar dhe më shumë se 60 për qind kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Por, ritmi i vaksinimit në këtë vend është ngadalësuar në javët e fundit.

Shtetet e Bashkuara janë duke luftuar gjithashtu për të rritur numrin e njerëzve të vaksinuar.

Situata e ka çuar vendin pa nevojë në një “gjendje të vështirë”; numri i rasteve po rritet nga amerikanët e pavaksinuar, tha Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA.

“Ne po shkojmë në drejtimin e gabuar”, tha Fauci për rrjetin televiziv CNN dhe shtoi se është “shumë i irrituar”.

Fauci, i cili gjithashtu shërben si këshilltar kryesor mjekësor i presidentit amerikan, Joe Biden, tha se infeksionet po përhapen pothuajse ekskluzivisht në mesin e njerëzve të pavaksinuar – çfarë është edhe arsyeja përse autoritetet qeveritare “praktikisht po i lusin njerëzit e pavaksinuar, që të vaksinohen”.

Zyrtarët shëndetësorë po konsiderojnë përsëri të rekomandojnë që njerëzit e vaksinuar të mbajnë maska, tha Fauci.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, më shumë se 163 milionë njerëz, ose 49 për qind e popullsisë amerikane, janë plotësisht të vaksinuar.

Lojërat Olimpike kthehen në vatër infektimesh me COVID-19

Organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio thanë se 153 njerëz të akredituar për Olimpiadën, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus qysh në fillim të muajit – 16 prej tyre vetëm në 24 orët e fundit.

Totali përfshin 19 atletë.

Disa prej tyre janë banorë të Fshatit Olimpik, ku 16 njerëz kanë dalë pozitivë.

Ata janë larguar nga apartamentet dhe janë vendosur në hotele karantinë.

E shtyrë për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit, Olimpiada ka nisur më 23 korrik.

Qyteti nikoqir, Tokio, është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rasteve me koronavirus, ashtu si edhe tri prefektura fqinje.

Edhe tifozët nga Japonia, edhe ata nga jashtë janë ndaluar të marrin pjesë në ngjarjet olimpike.

Olimpiada do të përfundojë më 8 gusht.

Disa ditë më pas, më 24 gusht, nisin Lojërat Paralimpike.

Basha përshëndet Nora Gjakovën për medaljen e Artë: Historike! Kosova po ngrihet ballëlartë!

Kryetari i PD, Lulzim Basha përshëndet Nora Gjakovën për medaljen e artë në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Tokio.

“Gëzojmë për medalisten e artë Nora Gjakovën dhe për Kosovën”, shkruan Basha në një postim në Twitter.

Postimi i kryetarit Basha

Gëzojmë për medalisten e artë Nora Gjakovën dhe për Kosovën sepse ky nuk është vetëm një sport, por një shtet që nëpërmjet sportit ngrihet ballëlartë në arenën ndërkombëtare dhe na nderon të gjithëve! Historike!

Kosova vijojn të shkruajë historinë në Lojërat Olimpike, Nora Gjakova fiton medaljen e tretë të Artë

Nora Gjakova ka fituar medaljen e artë olimpike, pasi mposhti Sarah Leoine Cysiquen në finale të hënën, duke i siguruar Kosovës medaljen e tretë të artë olimpike në historinë e saj. 

Nora triumfoi ndaj francezes në finale e kategorisë deri në 57 kilogramë, duke e fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Triumfi i 28-vjeçares nënkupton se Kosova i ka fituar tashmë dy medalje të arta në Tokio 2020 dhe tri të arta në historinë e saj në Lojëra Olimpike, që të rija në xhudo.

Është një histori olimpike për sportin kosovar që po shkruhet nga vashat, sepse pas medaljes së parë olimpike në historinë e Kosovës të fituar nga Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Rio 2016, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i ndoqën hapat e saj në Japoni.

Ronaldo rikthehet në Torino

Cristiano Ronaldo është rikthyer në Torino, për t’i nisur përgatitjet me Juventusin për sezonin e ri 2021/22.

Ronaldo ka qenë në pushim që prej eliminimit të Portugalisë nga Euro 2020 në rrethin e 16 më të mirëve, pas disfatës ndaj Belgjikës më 27 qershor.

Ai pritet të raportojë për stërvitje të hënën në mëngjes në qendrën stërvitore të Juventusit.

Sulmuesi 36-vjeçar është futur në vitin e fundit të marrëveshjes me bardhezinjtë në kohën kur thashethemet për të ardhmen e tij vijojnë.

Ronaldo, i cili besohet se javët e fundit i kaloi në Mallorca me familjen e vet, ateroi në Torino të dielën me aeroplanin e vet privat.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë pritet t’iu nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në Juventus të hënën para se t’i bashkohet skuadrës për t’u përgatitur për sezonin e ri 2021/22.