25.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

25 vjet nga ekzekutimi mafioz i Bujar Kaloshit

Nga Tritan SHEHU

Mengjezi i sotem u çel heret me nje kujtim tragjik, si pasoje e asaj ngjarje kriminale.

Por dhe me kujtim, homazh te thelle e plot respekt per ate, qe ajo dore kriminale largoi nga ne, per mikun e shtrejte, bashkepuntorin e vyer, demokratin e pa perkulur, perfaqesuesin e asaj familje te madhe vlerash e kulture, familjarin shembullor, njeriun e thjeshte e plot virtute, te perkushtuarin, modelin e shtetarit ideal:

Bujar Kaloshin.

25 vite me pare, ne ate paradite te nxehte ato krisma te asaj arme tinzare goditen te gjithe ne, goditen demokracine, shtetin tone te ri, aspiratat per Liri e Perendim.

Se ato krisma erdhen nga skutat me te erta e kriminale te te kaluares, pikerisht per te goditur Shqiperine demokratike e perendimore.

Ne fakt ato ishin preludi i nje revanshi te eger e urrejtje te akumuluar nga ata qe dhunen, shtypjen, vrasjen e kishin pasur si karakteristike per mbi 45 vite diktature.

Ta kujtojme gjithemone Bujarin tone ashtu siç ai ishte, modeli i demokracise, si nje frymezim korrektesie e qendrese per te gjithe!

Misteret e Besnik Mustafajt në tri novela

Nga Agron GJEKMARKAJ

#Besnik #Mustafaj, në kullën e tij diku në një kodër mbi Tiranë, “i lodhur” nga politika aktive, këqyr boten tek lëviz poshtë tij siç e ka bërë shumë para se ajo të shfaqej për të në vetë të parë.

Bota lëviz ngarkuar mbi shpinën e njerëzve si gur Sizifi, apo shkëmbinjtë mbi shpatullat e Gjeto Basho Mujit, të cilët gjithmonë rikthehen për të na thënë se çfarë panë në fund të udhëtimit. Amanetet, porositë, habitë, çmeritjet, emocionet, dashuritë, frikërat, luftërat e kumtet e tyre, shenjtoret e profetët e rremë që kanë hasur në zabelet e shkreta apo mexhliset e qytetit mbërrijnë te një shkrimtar, i cili gjendet aty për vullnet hyjnor qysh kur nga dhembët e kadmosit dolën shkronjat, në një shteg apo burim, mbi në urë apo në luginë, ku dëgjohet jehu i një rapsodie që zgjon kureshti. Me shkronjat ndër duar, ai e nxit të kërkojë thagmën që e mban në jetë.

Në këso kryqëzimesh misterioze, ku mbërrin një lajm që duhet t’u kalojë brezave si ADN e memories, si vazhdimësi kujtimesh, Besnik Mustafaj është gjendur shpesh. “Zoti krijoi njeriun sepse i pëlqejnë historitë”, beson Elie Wiesel në librin e tij “Portat e Pyllit”. Besnik Mustafajt i pëlqejnë ato pa dyshim, i tregon si pakkush në tavolinë, di shumë sosh, e mbi të gjitha i rishkruan duke e trajtuar thjeshtësinë e tyre të origjinës me teknologjinë e kthimeve të përjetshme, qysh prej Uliksit e këtej, për të spikatur në antropologjinë e letërsisë me portretet e personazheve, në etnografinë e saj me kostumet plot ngjyra e shije të komunikimit.

Subjektet e tij mbresëlënëse në letërsinë shqipe, në poezi e prozë, janë prova. Të gjitha ato bashkë e kanë bërë atë njërin prej shkrimtarëve më ndikues në “republikën e letrave shqipe”, e cila e ka mandatuar atë edhe si ambasador shpirtëror të saj përmes shumë përkthimesh në kontinentin e vjetër. Më i fundit, një komunuelth i vogël me tri novela, ku njëra prej tyre shënjon krejt librin, thirrur “Historia si një mushkë”, na i mëson disa gjëra sa të thjeshta për natyrën e novelës si lloji më karakteristik, historitë e shkurtra, por intensive, që, siç thotë Edgar Po, duhen lexuar në një të ulur. Ashtu është edhe rastësia që i vendos bashkë një plak e një të ri udhës pa cak, në novelën e parë një që ka shumë për të treguar e një tjetër po kaq për të mësuar, enigma që i mban bashkë diku për të kapur një majë, herët në kohë në gjenezë të pushtimit osman. Një profet, një vezir, një grua si testuese mëkati e lumturie, sulltani dhe “mushka” që ecën me tekat e saj, produkt i një koke që nuk ndikohet lehtë, dhe një dëshmitar plak që tregon, ai që bën punën e Mustafajt.

Sipas kritikut të famshëm rus Sklovskij, novela është një ngjitje në mal me shpejtësi, ndryshe nga romani, i cili ngjan me ecjen e ngadaltë në fushë. M’u kujtua ky përcaktim nga mënyra sesi teksti ma kushtëzoi leximin dhe kuriozitetin. Personazhet nuk kanë emra, ngjarjet nuk rrethohen me data, peizazhi s’ka pika gjeografike të njohura. Ato mund t’i afrosh sa të duash në kohë, deri te gjyshi a baba, që një natë dimri ia kallëzojnë fëmijës ose mund t’i largosh deri në skaj të kohës aq sa ato kthehen si legjendë. Të dyja largësitë Besnik Mustafaj i ka afruar tek e vërteta, që lind nga krijimi, në mes të së cilës rri ai vetë si skrib, te nevoja për të hulumtuar gjendjen e njeriut ndër shekuj, për të përkufizuar evolucionin e tij dhe sidomos atë që mbetet monumentale, që krijon traditë dhe urtësi, bash atë simbiozë që e bën shkrimtarin ndërmjetës të përjetshëm mes historisë dhe individit bashkëkohës.

“Fundi si një vrimë e zezë” është gjithaq një narracion i shtrirë në kohën otomane. Personazhet kanë emra, më kryesori prej tyre quhet Fadil Beka, vdekja e të cilit nuk është në lartësinë e emrit që gëzon në malësi. Ai ka fatin e Uk Gegës në poezinë e Martin Camajt, i cili vdes nga një kungull që maca këput duke kapërcyer nga një tra në tjetrin. Një histori, e cila nis në mënyrë solemne si epet e bjeshkës, me vajtojcën Shahe Neziri, që thirret nga i riu Demir Perihana, nipi i Fadil Bekës; vazhdon me dramën e Dilaver Beqirit se vrasësi është i biri, Seladini, e mbyllet për një keqkuptim themelor filozofik, egoist, dominues mes njerëzve. Arsyen e vërtetë nuk po e zbulojmë, por thjesht për ndihmë të lexuesit në skenën e vrasjes ndodhen nja shtatë a tetë gomerë, të cilët japin kontribut për të kuptuar shpesh sa banalë është vdekja, sa i thellë është, gati komik, hendeku mes aspiratës së tij dhe rrethanave që ndërpresin gjithçka bash si hingëllima e veshgjatëve. Besnik Mustafaj ka raste që ndëshkon pa asnjë keqardhje si një terapi zgjimi e reflektimi.

E treta dhe e fundit është “Ura si vend i punëve të dreqit”. E pandeshur më parë ngjan historia e Hana Selimit, nuses së Isak Resulit, për një urë të ngushtë ky dy palë krushq shkëmbehen, por që vetëm një palë mund të kalojnë, një histori që përfundon për t’u treguar në një kohë të parë nga Benjamin Dizraeli, shkrimtar e Kryeministër britanik, e në fund e përfundimisht nga Besnik Mustafaj. Ajo dreq ure që ndan e bashkon, ajo ngrehinë e ngurtë që pjek e përplas njerëz, që lidh e ndan fate, një ngushticë që gëzimin e kthen në hidhërim, një shteg që prodhon subjekt ngjethës duke skalitur karaktere e fatalitete, epikë e lirikë shqiptare në fisnikëri e marrëzi. Por ura na duhet përherë e gjithmonë, pa atë nuk i lidhim kohën, pa atë dëshmia nuk vjen te shkrimtari, pa të eksperienca njerëzore ndërpritet, vetë natyra didaktike e saj, pa të nuk shkruhet letërsia.

Shkrimtari e ndërton gjithmonë atë për të këqyrur historinë si mushkë xanxare, për të vërejtur vrimën e zezë ku ikim drejt errësirës pa kthim, për të ndarë punët e njeriut e të dreqit, duke e lënë këtë të fundit pa pikë rëndese, pasi Besnik Mustafaj e pushton atë (urën) dhe vazhdon e tregon histori duke përzgjedhur mes tyre për të krijuar më të mirën e botëve për ne lexuesit e tij. Besnik Mustafaj tregon shumë, por gjithmonë e mban për vete jo vetëm misterin e zanafillës, por edhe qëllimin. Ka diçka që lexuesi dhe kritika nuk ia marrin dot ndonëse përpiqen, ndaj vazhdojnë dhe e lexojnë në një tërheqje të pafund për ta mundur shkrimtarin për t’i marrë atë që është vetëm e tij. Një ditë do të ndodhë, por vetëm kur në duar të kemi librin e fundit. Deri atëherë, durim!

Zjarri vijon prej 4 ditësh në Dukat, shkrumbohen më shumë se 30 ha kullota

Zjarri në malin e Dukati vijon që prej 4 ditësh, duke shkaktuar dëme të mëdha. Mësohet se janë djegur hektarë të tërë me shkurre e kullota, ndërsa tymi e flaka kanë mbuluar një pjesë të territorit. Sipas informacioneve zyrtare, aktualisht, janë shkrumbuar më shumë se 30 hektarë.

Ndërkohë, mësohet se terreni për zjarrëfikësit është shumë i vështirë. Puna e tyre vijion të jetë me mjete rrethanore, për shkak se është e pamundur transportimi i pajisjeve të specializuara në zonat ku ka rënë zjarri.

Në emër të betonit

Nga Edmond TUPJA

Prej kohësh, si tërë kryeqytetasit, jetoj edhe unë në epokën e betonimit të pamëshirshëm të Tiranës, betonim ky vepër e dyshes së frikshme Edi Veliaj & Erion Rama (Ah, ndjesë për këtë këmbim të rastësishëm mbiemrash!), e cila ka vendosur t’i ndryshojë kryekëput pamjen dhe, më e keqja, historinë materiale e shpirtërore qytetit të lindjes dhe, me shumë gjasë, të vdekjes sime.

Kjo është arsyeja që një valë e re zemërate më pushtoi pardje kur televizioni ‘Ora News’ më mësoi se betonimi në fjalë po shkaktonte, falë qarkullimit të dendur të betonierave, jo vetëm ndotje mjedisore e zanore, por edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve duke i penguar kështu qytetarët në jetën e tyre të përditshme.

‘Ora News’-i i çori maskën (jo atë antikovid, sepse kovidi, ashtu si rrufeja, nuk bie kurrë as në Bashki, as në Kryeministri!) Erion Veliajt, kryetarit (me ‘t’ kjo fjalë, aspak me ndonjë shkronjë tjetër) tashmë të diskredituar të Bashkisë Betonuese së Tiranës.

Pra, i çori atij maskën kur më mësoi që, krejt në kundërshtim me pretendimin e tij se betonierat në fjalë qarkullonin në kuadrin e punimeve publike të ndërmarra nga Bashkia e tij Bombastike, ato furnizonin me beton edhe kantiere firmash ndërtimi private duke shkelur kështu rregullat në fuqi të vendosura nga vetë mjerania Bashki!

Nga sa më sipër, o lexuese e lexues të nderuar të kësaj rubrike, më rezulton, na rezulton haptas se kryetari (me ‘t’ kjo fjalë, etj., etj.) i Bashkisë Bashkëfajtore të Tiranës shkëlqen në artin e neveritshëm të të gënjyerit! Turp, turp, tri herë turp dhe, njëkohësisht, krupë, krupë, tri herë krupë!

Nga ana tjetër, Edi Veliaj & Erion Rama (Ah, sërish ndjesë për këtë këmbim të rastësishëm mbiemrash!) ndoshta e dinë apo e ndiejnë – veçse sa thellë? – se kullat e përbindshme, që në Tiranë po mbijnë si kërpudha (me ‘ë’ kjo fjalë, aspak me tjetër zanore), ndonjë psikiatër me formim psikanalitik do t’i interpretonte si simbole falike (pra, që të kujtojnë falusin, d.m.th. penisin), madje edhe fjalën ‘kullë’ do ta përqaste me fjalën italishte ‘culo’ (lexo: kulo), ndoshta edhe me fjalën frëngjishte ‘cul’ (lexo: ky), të cilat, që të dyja, në shqipe përkthehen me fjalën ‘bythë’! Mirëpo çfarë bëjnë kullat e përbindshme në fjalë?

E thjeshtë fare: Ato çohen, ngrihen, ngrehen, ngrefen përherë e më lart! Por këto folje që sapo përdora me këtë rast janë pjesë të leksikut, d.m.th. të fjalorit erotik të gjuhës shqipe dhe shënojnë veprimin e organit gjinor të mashkullit në gjendje të eksituar! E pabesueshme! Në dritën e psikanalizës frojdiane, këmbimi i mbiemrave të dy zotërinjve në fjalë na dalka jo fort i rastësishëm! Më saktë, ai mund të konsiderohet bile si një ‘ndërdepërtim’!

E tmerrshme, por sa e vërtetë! Përveç kësaj, këtë situatë vjen dhe e koklavit gjithashtu shprehja frazeologjike shqipe ‘të jesh bythë e brekë me dikë’, kuptimet e së cilës, në ‘Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe’ (Tiranë, botimet EDFA, 2010), gjuhëtari i njohur Jani Thomai i sqaron si vijon: ‘të jesh tepër i afërt me dikë, i lidhur shumë ngushtë me të; të mos ketë kufi midis jush e të mund të bëni çdo gjë të keqe së bashku’; pastaj, si sinonim të shprehjes frazeologjike në fjalë, Jani Thomai përmend shprehjen ‘të pjerdhësh në një poç (me dikë)’, shprehje kjo që unë po e nuancoj deri diku duke e modifikuar në përshtatje me realitetin modern të kryeqytetit tonë: ‘të pjerdhësh, të shurrosh e të dhjesësh me dikë në një poç betoni të denjë për një çift kryetarësh’ (kjo fjalë e fundit me ‘t’, aspak me ndonjë shkronjë tjetër!)

Në mbyllje të këtij shkrimi, po marr guximin t’i sugjeroj çiftit të lumtur Edi Veliaj & Erion Rama që të qëndrojnë vazhdimisht – mundësisht deri në përjetësi – të bashkuar, të lidhur, të stërlidhur e të ndërlidhur, të ndërthurur, të ndërdepërtuar e të salduar pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin duke sfiduar ferr e parajsë dhe duke u betuar për besnikëri të ndërsjellë e të pamposhtur në emër të betonit të përbindshëm që ua ka zbrazur frikshëm mendjen, zemrën e shpirtin për t’ua mbushur me lavdi të laparosur e me krenari të këllirtë!

“Trimi” i çartur i dritareve…

Nga Iva V.GRILLO

Zv.Kryeministri yne qe me sa duket zakonisht fle si nje qengj, na tregon se naten e fundit paska bere nje gjume te trazuar.

E kane shqetesuar zhurmat e makinave te ndertimit, te gjorin… Ato makina qe hedhin beton ne cdo cep te Tiranes, sipas planeve e vizionit qe ka per qytetin pikerisht skuadra qeverisese ne te cilen ben pjese dhe gjumeprishuri i sotem.

Me “nervin” qe e karakterizon, ai rreket te na binde se eshte vecse njeri nga “vdekataret” e thjeshte te ketij vendi: ka te njejtat halle, i del gjumi i nates dhe madje reagon njesoj si njerezit e zakonshem duke nxjere koken dhe turfulluar kunder “padrejtesive” nga dritarja respektive: e dhomes se gjumit, banjos apo ajo e Facebook.

Ne fakt, planet e skuadres ne te cilen ben pjese edhe Zv.Kryeministri kane kohe qe kane lene pa gjume nje pjese te mire te qytetareve te Tiranes dhe mbare Shqiperise. Dhe kjo jo vetem per shkak te zhurmes se makinave te ndertimit qe sonte i prishen gjumin Zv.Kryeministrit, por mbi te gjitha per shkak te abuzimeve te panumerta qe shoket e koleget e tij bejne mbi kurrizin e qytetareve te thjeshte, prej motesh tashme, duke i shkaktuar deme te parikuperueshme hapesirave publike.

Zv.Kryeministrin tone nuk duhet t’a zinte gjumi gjithe naten, jo per shkak te makinave zhurme-medha qe derdhin beton kudo qe u jepet nje shesh per pershesh, por per shkak te filozofise se “betonizimit” te nje pushteti abuziv e te korruptuar, ne maje te piramides te se cilit eshte edhe vete Zv.Kryeministri.

Mund te na vinte disi keq per gjumin e prishur te ketij “trimi te çartur” ne qofte se prej pozicionit te rendesishem qe ka, do t’a kishte ngritur zerin ndaj shefit te vet per shkaterrimin te trashegimise se qytetit, masakres urbane qe po i behet Tiranes, ligjeve me porosi qe favorizojne grupime te caktuara te shoqerise apo propagandes se pafre qe shoqeron qeverisjen e skuadres se tij.

Problemi i ketij vendi nuk eshte zhurma e makinave te ndertimit… ajo eshte vetem pasoja.

Grykesia dhe kapja e shtetit per interesa korruptive nga klika ku ben pjese dhe Zv.Kryeministri eshte halli i madh qe u ka rene ne koke qytetareve durim-medhenj te ketij vendi.

Por deri tani Zv.Kryministrin e kemi pare vetem ne balle te promovimit te shalqinit dhe qepeve te Myzeqese – gje qe eshte mese e mirepritur – por pasi te kryeje disa detyra te rendesishme te cilat jane pjesa kryesore e pershkrimit te punes se nje zyrtari qe mban post te ketij kalibri.

Atehere natyrshem lind pyetja: Kujt i ankohet ky Zv.Kryeminister- “trim i çartur”, qe sokellin nga dritaret e shtepise e Facebook-ut?

E fundit rrugë e mërgimtarit

Nga Artina HAMITAGA

U lodha pram kogja shumë tu i palu teshat, nejse t’miat s’pata shumë, po i kam mledh do bakshishe me ja qu atyne të shpisë.

Që dy vjet s’e kam pa nanën, për ta’ m’ka djeg malli, m’ka prit shumë k’si hovi. Ja kom ble ni kmishë me lula se e di që qashtu i ka qef. Babës nuk i blejta kurgja, ati ja kom mledh do pare me ja qu, me ja kry do derte gjatë vitit.

Motrave do fustana, i kena do darsma te kusherit, e m’i vesh m’i ndrru.

S’po m’pritet mu ba bashkë me nejt deri vonë tu fol e tu kesh.

M’than që dalin te stacioni edhe nipi e mesa me’m prit. U rriten une pa i pa. Ktyne ju kom ble ma shumë sene se fmija gëzohen, ishalla ju bin taman.

10 dite sa t’rri n’Kosove s’kam me lan birë e skutë pa e kërku se shumë m’ka marr malli, edhe për rrasat e plemëv t’vjetra që ju kanë met atyne kojshive, edhe për qato jam përmallu.

I mora koferat e me veti edhe ni çantë t’vogel me i rujt do pare se m’i kan dhan shoqnia me ja qu neper shpija familjarëve t’vet, e mos po më hupin naj kah.

Ma kishin lan karrikën e dytë ka dritarja, u gëzova se kam qef me kqyr udhën, m’shkon koha ma shpejt dyqysh.

Rruga e mar e t’fala krejtve- u nike zani i atyne qe kishin ardh me i percjell t’vet.

Ja qova ni’ mesazh ktyne te shpisë që u nisa, thash veq nanës mos i kallxoni se natë e ma ban gajlën nuk flen.

Ngjit me mu ke ni djal i ri, student. Ja pata lakmine qe po shkollohet, edhe pse mu dok qe ishke i hekun keq. Po ni ditë sa qare pa dal në selamet se po msojke.

Ishke gzushem edhe ai, mas dy dite kish me martu vllaun.

E kqyrsha xhamin edhe i njehsha ortë sa kanë kalu, e edhe sa m’kanë met për me m’rri.
Si t’shkoj ka mi than nanës me ma qit ni pite. Kuku cka kokna untu dicka, edhe bash kur të shkoj në Kosovë më hin terpia’, nashta përmallshëm për bukën tonë.

Kish nis pak me’m kot gjumi, krytë te xhami i autobusit, e anrrat mkishin qu te dera e shpisë.

Nuk mrrina me qel derën e me hi mrena, nji kersimë e madhe u ni e ma prishi gjumin.
Nuk mujta m’i qel syte mire, veq e nijsha që mu kish mush trupi me copa te xhamit dhe që isha mlu me gjak.

M’erdh ma leht me i mshel sytë apet, gjeta qetësi e dritë.

Ata te shpisë kokan qu herët po me presin. Une po i shoh prej naltit po ata nuk po m’shohin mu.

Nanë veq me ni marak shkova, që shumë m’ki prit ksi hovi, e që s’un ta nita erën edhe ni herë.

Nashta qaj kofer i jemi ju mrrin, veshni teshat qe ja kam ble diten kur kini me’m përcjell për herë të fundit, se ja u kam ble me paret e njerses e mallit. Kom pas qef me ju pa mire e t’bukur.

Babes nashta i dalin paret për vorrim temin, mos bani shumë shpenzime, runi do se ju vyn.

Nanë une po vonona pak, po kur t’vi k’si hovi, ma nuk iki prej Kosovës, trupin tem qaty kini me ma vorros, n’qat tokë që e kom pas mall që sa e sa vjet.

Ditë zie në Kosovë për 10 viktimat e tragjedisë në Kroaci

Kosova mban sot zi për 10 viktimat që humbën jetën në Kroaci, ku autobusi me të cilin ishin nisur drejt Kosovës, doli nga rruga dhe u përmbys.

Pas aksidentit të djeshëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën e ka shpallur ditë zie shtetërore. Në nder të viktimave sot institucionet e Kosovës kanë ulur flamurin në gjysmështizë. Edhe flamujt në objektin e Qeverisë, Kuvendit dhe Komunës së Prishtinës janë ulur në gjysmështizë.

Autobusi me 67 udhëtarë përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Kosovë, ndërsa herët në mëngjesin e së dielës doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Gjatë orëve të mbrëmjes të dielën edhe kryeministri i vendit Albin Kurti së bashku me disa prej ministrave kanë arritur në Kroaci ku dhe kanë vizituar të lënduarit e aksidentit. Ndërkohë kryeministri i Kroacisë është zotuar se qeveria e tij do të mbulojë shpenzimet e të plagosurve në spitale.

Krim në familje, vritet kryefamiljari nga bashkëshortja dhe vajza e tij

Një krim në familje dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Gurrë e Vogël të Klosit, ku një 47-vjecar është gjetur i pajetë në banesë, me shenja dhune. Polici ka shoqëruar bashkëshorten dhe vajzën e viktimës.

Burime zyrtare njoftuan se, rreth orës 22.30 të së Dielës, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka ardhur një telefonatë se në banesën e Ylber Lezit po ndodhte një konflikt në familje.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë drejt adresës së dhënë, ku Mine Lezi ka shfaqur rezistencë duke mos ju hapur derën shërbimeve të Policisë.

Efektivët kanë hyrë me forcë në banesë dhe kanë gjetur me shenja dhune në trup dhe pa shenja jete kryefamiljarin Ylber Lezi 47 vjeç.

Janë shoqëruar në Komisariat bashkëshortja e viktimës Mine Lezi, 51 vjeçe dhe vajza e tyre Aida Lezi, 21 vjeçe.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë të ditur se, 48-vjeçari Ylber Elezi u godit për vdekje nga bashkëshortja dhe vajza e tij.

Fqinjët deklarojnë se viktima ishte përdorues alkooli në masë, ndërsa shtojnë se gruaja e tij ishte me probleme mendore dhe vajza në depresion.

“Realisht nuk e dimë si ka ndodhur ngjarja, por dëgjuam një zhurmë dhe dolëm jashtë, ku pamë që dera ishte e mbyllur. Nuk ishim si të hynim, kështu që njoftuam policinë, që erdhi në 22:30. Viktima ishte përdorues alkooli në masë, bashkëshortja ishte me probleme mendore, ndërsa vajza prej ditësh ishte në depresion.

Energjinë elektrike ua patëm lidhur para pak ditësh, por e shkatërruan se me të meta mendore. Ata nuk kuroheshin me ilaçe. Ylberi ishte goditur me sende të forta në kokë, me dru ose me tullë”, deklaron fqinji i viktimës.

Kurse kryetari i fshatit Gurrë e Vogël në Burrel, Ibrahim Elezi, shprehet se në momentin kur kanë shkuar pranë banesës, dera ka qenë e mbyllur, dhe janë detyruar që të presin policinë, për të ndërhyrë. Ai tregon se i ndjeri ka qenë përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor.

Sa i takon vajzës, ai thotë se e reja kishte pak kohë që kishte shfaqur shenja të depresionit, por për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, asnjëri prej tyre nuk ka marrë mjekim, dhe e vetmja e ardhur ka qenë ndihma ekonomike prej 60 mijë lekësh të vjetra.

Aksidenti tragjik në Kroaci, Basha u shpreh ngushëllime familjarëve: Trishtim i thellë!…

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave nga aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci, ku autobusi me shqiptarë nga Kosova doli nga rruga.

“Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur.

I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve”, shkruan Basha.

Aksident tragjik në Kroaci! Autobusi del nga rruga, humbin jetën 10 shqiptarë nga Kosova

10 persona raportohet se kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kroaci.

Sipas burimeve, autobusi i aksidentuar është me tabela të Kosovës dhe se vinte nga Frankfurti në drejtim të Kosovës.

Mediumi index.hr ka bërë të ditur se, 45 persona janë pranuar në spital për shkak të këtij aksidenti.

Drejtori i spitalit, Josip Samardžić, ka thënë se 45 persona janë pranuar në spital që nga ky mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas një aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod.

Ndërsa, tetë prej tyre janë plagosur rëndë. Këtë mëngjes rreth orës 06:20 në autostradën afër Slavonski Brod, pranë stendave të taksave në korsinë jugore, një autobus me targa të Kosovës ka dal nga rruga, si pasojë 10 persona kanë vdekur.

Njëri nga udhëheqësit e policisë në vendin e ngjarjes ka rrëfyer për rastin, të cilin e ka vlerësuar nga më të rëndat deri tani.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është ndër aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha Galic.