27.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Qeveria jep me PPP edhe strehimin social, reagon Jorida Tabaku: Shqipëria me koncesion!

Qeveria shqiptare ka një mesazh të qartë nga FMN dhe BB në lidhje me shpenzimet dhe buxhetin; fokusimi tek rindërtimi dhe tek rikuperimi i ekonomisë nga pandemia, por ka vendosur të fokusohet tek oligarkia dhe PPP-të.

Vendimi i Qeverisë që përcakton një skemë PPP për strehimin social ku bën bashkëpunëtorë edhe qeverinë vendore është një shenjë që vesi del me shpirtin.

12% e PBB sot është në kontratat e PPP, norma më e lartë në Bashkimin e Europian dhe shumë herë më e lartë se vendet e rajonit.

Ndërkohë që portet, aeroportet dhe çdo pasuri e shqiptarëve (përfshirë edhe pasurinë e tyre personale) është në PPP, qeveria vendos që të thellojë edhe më shumë krizën.

Ajo vendos të kaloj përmes një VKM-je edhe strehimin social në skemën e shëmtuar dhe të pandershme të PPP-ve që ka ngritur në vend.

Një skemë mafioze për të kapur çdo truall të lirë publik që ky i fundit të zhvillohet nga klientët e qverisë. Një skemë e shëmtuar që u përdor dhe në lidhje me truallin e teatrit kombëtar.

Tanimë, do të përdoret kjo skemë korruptive dhe mafioze për të zhdukur parqet dhe për t’i justifikuar si banesa sociale. Kurrë shqiptarët nuk do t’i marrin këto banesa, përkundrazi!

Në një kohë ku borxhi publik po shkon sa 100% e PBB, në një kohë ku detyrimet karshi të tretëve po rriten si pasojë e sjelljes arrogante të qeverisë që po i kushton mbi 445 mln euro në arbitrazh.

Më shumë borxh, më shumë detyrime, më pak mundësi për t’u strehuar por më shumë para për klientët e qeverisë nga paratë e shqiptarëve.

Qytetarët paguajnë më shumë taksa, qeveria i dhuron më shumë para dhe projekte oligarkisë së PPP-ve ndërkohë që komuniteti merr gjithnjë e më pak shërbime në këmbim.

Pse Gazment Bardhi meriton respekt dhe mirëkuptim

Nga Marash LOGU

Si e kam njohur unë Gazment Bardhin

E kam takuar Gazment Bardhin për herë të parë në një takim të gjatë në Gusht 2018. Kisha disa muaj që asistoja kryetaren e Komisionit Parlamentar për Arsimin dhe Median, Albana Vokshi. Gazi kishte parë disa prej shkresave që kisha përgatitur unë dhe i kishte vlerësuar. Ma tha sapo filluam bisedën. U ndjeva mirë. Doemos kushdo që i çmohet puna që e bën me pasion, do të ndjehej mirë.

Thelbi i atij takimi nuk ishte ky. Gazi priste që së shpejti të merrte një detyrë të re. Pak muaj më pas do të zgjedhej Sekretar i përgjithshëm. Ndaj, kishte merak për punën që kishte bërë deri më tash si këshilltar ligjor i Grupit parlamentar. Donte t’ia besonte dikujt që do ta bënte po aq me përkushtim sa ai. Dhe e vërteta është se nuk besoj të ketë pasur ndonjë këshilltar të cilësdo partie, ta ketë kryer atë detyrë me aq shumë zell dhe përpikëri. Nuk ka një projektligj në 6 vite për të cilin Gazi nuk përgatiti një opinion ligjor. Veçanërisht, ai shkëlqeu si pjesë e ekipit të PD-së për ligjin e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi.

Ma propozoi mua pra, që me kalimin e kohës të merrja pozicionin e tij. Kishte biseduar edhe me kryetarin dhe ishte dakord – më tha. Sigurisht, u ndjeva i vlerësuar dhe mirënjohës për mundësinë që po më jepej. Megjithatë, isha në mëdyshje se angazhimi aq shpejt në parti, pavarësisht se në një pozicion teknik, do të më privonte disi nga mundësia për t’u rritur profesionalisht. Ndaj, nga fillim-Tetori aplikova dhe u pranova si jurist në studion ligjore, ku punoj edhe sot.

Më bëri përshtypje se gjatë rrëfimit të fillimeve të tij, Gazi më tregoi se kur kishte aplikuar për t’u pranuar si specialist në Ministrinë e Drejtësisë, i ati i kishte thënë që të mos lodhej kot. Megjithatë, ai kishte insistuar dhe ishte pranuar. Kishte punuar ditë dhe natë, nga mëngjesi në darkë, për ta merituar atë pozicion. Dhe ishte vlerësuar. Nga specialist në këshilltar i Ministrit, drejtor i Oponencës në Drejtorinë e Kodifikimit, më e rëndësishmja në Ministrinë e Drejtësisë.

M’i tha këto se donte të më nxiste të besoja se pavarësisht se vija nga një familje e thjeshtë, me punë dhe besim mund t’ia dilja. Ai ia kishte dalë. E di që kur vendosa të punoja në studio ligjore, pati një hatërmbetje. Por, nuk ishte veçse kalimtare sepse kur shefi i zyrës ku unë punoj e kishte pyetur për mua, ai i kishte thënë fjalët më të mira. Gjatë kohës që përfaqësova PD në KAS dhe Kolegj Zgjedhor, Gazi ishte kurdoherë i gatshëm për të më mbështetur dhe ndihmuar në atë betejë jo të lehtë.

E kuptoj që shumë njerëz e njohin vetëm nën kostumin e Sekretarit të përgjithshëm të PD-së, dhe për shkak të seriozitetit që i imponon pozicioni, mund t’iu duket i distancuar. Apo për shkak se mbi të bien një mijë e një punë e përgjegjësi, pamundësia për t’iu gjendur kujtdo apo kurdo, mund t’u duket indiferentizëm. Por, e vërteta – nga përvoja ime – është ndryshe. Gazment Bardhi është ndër njerëzit më të përgatitur, më punëtor, më të përkushtuar dhe më të ndershëm të familjes tonë politike. Ndaj meriton respektin dhe mirëkuptimin e secilit prej nesh.

Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen para kohe nga jeta të gazetares dhe publicistes Vera Isaku

Vera Isaku do të kujtohet përherë për kontributin e saj të paçmueshëm në publicistikë dhe letërsi. Zonja e shquar e letrave shqip,me angazhimin e saj si gazetarja e parë e RD dhe shtypit të lirë të viteve ‘90 ka fituar një vend të posaçëm në historinë e re të Shqipërisë.

Ngushëllimet e mia në këtë ditë të hidhur shkojnë për bashkëshortin Agimin, familjen, miqtë, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e saj. U prehtë në paqe!

Xhaferaj: Dy pyetje për Edi Ramën, Maketi i Portit të Durrësit, apo lavatriçja e parave të ndotura të Rilindjes?

Kryetari i Degës së PD të Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, në një konferencë për mediat e ka cilësuar si një aferë për pastrimin e parave projektin për Portin e Durrësit. Xhaferaj u shpreh për mediat se, Durrësi nuk është kundër projetktit, por kundër ndërtimit nëpërmjet aferave korruptive dhe në mungesë të plotë transparence.

Deklarata e plotë

Dy ditë më parë Kryeministri Rama hodhi për konsum maketin e Portit të ri të Durrësit. Përsëri dhe si gjithmonë pamë një prezantim në 3D.

Por nisur nga rëndësi që ka Porti i Durrësit për qytetin dhe gjithë Shqipërinë, ne i kemi kërkuar dhe vashdojmë t’i kërkojmë qeverisë sqarime për disa cështje:

Së pari: Qytetarët akoma nuk e dinë se mbi cfarë studimi do zhvendoset Porti Ekzistues. Ku do të zhvendoset, kur do të zhvendoset, si do të zhvendoset dhe cfarë kapacitetesh do të ketë?

Së dyti: Janë disa institucione Europiane dhe Ndërkombëtare që kanë financuar me kredi ndërtimin e infrastrukturës portuale. Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka financuar 17 milion Euro për ndërtimin e kalatës së kontenierëve.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar 32 milion Euro për terminalin e trageteve. Banka Botërore ka financuar 13 milion USD për kalatën e përpunimit të grurit.

Ndoshta problemi më i vogël është vlera financiare. Problemi madhor ka të bëjë me faktin se Rama po na largon gjithmonë e më shumë nga rruga drejt BE-së.

Së treti: Cfarë do bëhet me kontratat koncesionare për terminalin e mallrave rifuxho dhe terminalin e pasagjerëve? Aty kemi kompani Gjermane që janë me koncesion për 35 vite.

Përsëri do paguajmë në arbitrazh papërgjegjshmëritë e kryeministrit?

Partia Demokratike nuk është kundër projekteve që zhvillojnë qytetin. Por, deri më tani kemi parë vetëm makete dhe nuk kemi as studime, as transparencë dhe as kuadër ligjor.

Pra, kemi parë maketin e Ramës dje, darkën me arabët tek restoranti i famshëm i Nusretit të ministrit Ahmetaj dhe plackitjen që po i bëhet pa kuadër ligjor kësaj godine, që njihet si godina me xhama, (që sikurse shihet edhe kanë rrethuar).

Qytetarët kërkojnë përgjigje nga qeveria për këto problematika dhe njëkohsisht drejtësia e re duhet të veprojë.

Futbollisti shqiptar transferohet në Japoni

Benjamin Kololli është pjesë e Shimizu S-Pulse. Është klubi që ka njoftuar për transferimin e mbrojtësit shqiptar, si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata në qershor me FC Zurich.

Shimizu S-Pulse përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ka bërë të ditur se futbollisti i Kombëtares së Kosovës ka nënshkruar kontratë deri më 2024 me klubin japonez.

Ai thotë se, mezi pret që të luajë në kampionatin e Japonisë.

“Jam shumë i ngazëllyer dhe mezi pres t’i takojë tifozët në stadium dhe të luaj me këtë ekip, me këtë uniformë të bukur portokalli”, u shpreh Kololli për faqen zyrtare.

“Jam i lumtur që gjendem këtu, në Japoni. Jam i interesuar për kulturën këtu, ushqimin japonez, kështu që me të vërtetë mezi po pres”.

Pronari i kompanisë së ndërtimit i arrestuar në Malin e Zi për trafik droge, Pjerin Ndreu i jep tender 700 mijë euro

Edhe pse pronari i kompanisë së ndërtimit ‘Alesio 2014’ është arrestuar për trafik droge në Malin e Zi, kompania e tij përfiton tendera mijëra euro nga Bashkia e Lezhës. Kreu i këtij institucioni vendor Pjerin Ndreu, e ka shpallur këto kompani fituese të një tenderi rindërtimi, me fond limit rreth 700 mijë euro

SYRI TV

Pronari i kompanisë së ndërtimit “Alesio 2014”, Anton Gjinaj u arrestua në prill 2021 në Mal të Zi, pasi rezulton se është i dënuar me 8 vjet burgim në Spanjë, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin lëndë narkotike.

Megjithatë, kompania e tij vijon e pashqetësuar të fitojë tendera multi-milionësh, të zhvilluar nga drejtuesit e “Rilindjes”.

Pak ditë më parë, Bashkia e Lezhës, e drejtuar nga socialisti Pjerin Ndreu, ka shpallur kompaninë “Alesio 2014” fituese të një tenderi rindërtimi, me fond limit 76.4 milionë lekë të reja, ose rreth 700 mijë euro.

Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i kontratës është “Shembja e njësive individuale të banimit të pabanueshme, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019 dhe transportimi i materialeve të dala nga shembja e tyre”. Kohëzgjatja e kontratës është 80 ditë nga nënshkrimi i saj, i cili është nënshkruar në 14 korrik 2021.

Në tender kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Shoqëria “Alesio 2014” ka paraqitur ofertën më të ulët, me vlerë 75.4 milionë lekë të reja, duke u shpallur edhe fituese e tenderit. Kompania ndërtimore “Alesio 2014” u vendos në qendër të vëmendjes publike disa muaj më parë, pasi pronari i saj, Anton Gjinaj, u prangos nga autoritetet malazeze. Gjinaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore spanjolle, pasi ishte dënuar me 8 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik narkotikësh.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.

Ndërkohë, në Shqipëri, Gjinaj ishte një biznesmen, i cili njohu sukses të menjëhershëm në sektorin e ndërtimit, si edhe në tenderat publikë. Prej vitit 2016, Anton Gjinaj, nëpërmjet kompanisë “Alesio 2014” rezulton ortak me qeverinë shqiptare në kompaninë “Foralb Alabastër”, e cila ka si objekt nxjerrjen, përpunimin dhe eksportimin e gipsit dhe alabastrës.

Ligji shqiptar i prokurimeve ndalon nënshkrimin e kontratave publike me kompanitë, të cilat kanë pronarë apo aksionerë persona të dënuar për pjesëmarrje në organizata kriminale.

Megjithatë, ky ndalim duket se nuk është lexuar nga Pjerin Ndreu, një ish-titullar me përvojë të gjatë në radhët e forcave të sigurisë.

Tenderi 700 mijë euro për “Alesio 2014” vjen në një moment, kur kryeministri Edi Rama ktheu vëmendjen e tij drejt prokurimeve publike të dyshimta, pas 8 vjetësh në krye të qeverisë.

Rama kërcënoi publikisht kryetarët e bashkive, të emëruar në shumicë absolute prej tij, se do të dërgonte në SPAK këdo që do të hartonte procedura, të cilat i konsideroi “tendera grabitqarë”.

Por, pavarësisht këtij kërcënimi, shumë prej të emëruarve prej tij në nivel qendror apo lokal vijojnë me zhvillimin e tenderave të dyshimtë, duke krijuar bindjen se kërcënimet e Ramës ishin thjesht shou i radhës mediatik i kryeministrit.

I vihet zjarri kurorës me ullinj në Sarandë, rrezikohen banesat

Një zjarr masiv ka përfshirë një kodër me ullinj në Shelegar të Sarandës.

Nga pamjet mund të shihet se zjarri ka përfshirë hapësira të mëdha me shkurre të thata dhe po përhapet me shpejtësi.

Afërsia e zjarrit me zonat e banuara ka bërë që të shkaktohet frikë dhe panik si pasojë e flakëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të qytetit të Sarandës të cilat po vijojnë përpjekjet për neutralizimin e flakëve.

“A do të hapen negociatat këtë vit”? Ambasadori i Gjermanisë: Nuk varet nga ne…

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf ka zhvilluar një vizitë në Korçë gjatë ditës së fundit.

Pas një takimi me kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, Zingraf ka folur dhe për gazetarët e pranishëm.

I pyetur nga gazetarët nga gazetarët në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë, ambasadori Zingraf është shprehur se ‘kjo është një pyetje 1 milionë dollarëshe’.

Pyetje: Integrimi, a do të hapen negociatat këtë vit, për Shqipërinë?

Peter Zingraf: Është një pyetje 1 milion dollarëshe. Ne donim që të punojmë me partnerët dhe ende  shpresojmë që do të jete ajo dritarja e mundësisë. Ne e kemi të nevojshme, ne duam ti respektojmë  premtimet tona si Bashkim Europian, por nuk varet nga ne, dhe po ne duam të shkojmë atje dhe të bëjmë gjithçka që mundemi me partneret.

Pyetje: Dje u mbushën 5 vjet nga miratimi i Reformës në Drejtësi, a ka ardhur koha për rezultate në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë?

Zingraf: Kjo është gjithmonë një çështje. Ne e kemi parë që reforma ka efektet e saj dhe ka nevoje për kohë që të ecë përpara. Reforma kërkon të gjithë mbështetjen, me mbështetje mund të arrihet, qasjet dhe praktika mund të ndihmojnë institucionet që të vendosin të çojnë përpara arkitekturën e re të reformës.

Pyetje: Opozita në shtator do të kërkojë në parlament një reformë të re territoriale e zgjedhore. A duhet mazhoranca dhe opozita të punojnë së bashku për këto reforma?

Zingraf: Unë e kuptoj që do të kemi një parlament ndryshe përsëri pas rikthimit të opozitës në parlament dhe të dy partnerët kanë thënë që reforma zgjedhore duhet të vazhdojë pasi ka gjëra që nuk janë zgjidhur vitin e kaluar dhe secili partner është shprehur që do të shkojnë pas asaj çfarë ka mbetur mbrapa. Unë do të mirëprisja vazhdimësinë e procesit të kësaj reforme, kjo është çfarë i përket parlamentit.

Kërcet arma në Fier, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Fier.Në fshatin Ngjeqar, Roskovec, pas një konflikti për motive të dobëta, është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi E. H., 40 vjeç. Policia tha se ka shpallur në kërkim autorin.

Njoftimi

Fier/Plagosi me armë zjarri në këmbë një shtetas, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Në fshatin Ngjeqar, Roskovec, pas një konflikti për motive të dobëta, është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi E. H., 40 vjeç, i cili pasi mori mjekim në spitalin e Fierit, u largua për në banesë.

Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat falë veprimeve të shpejta bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit U. S., 50 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij.

Fondet e Rindërtimit/ Rama-Veliaj pasurojnë klientët, kompania e Gjicit e para në listë, përfiton 1.35 miliardë lekë

Edhe në programin e Rindërtimit, pas tërmetit të nëntorit 2019, qeveria dhe Bashkia janë kujdesur që  t’ja japin fondet një grupi klientësh pranë tyre, duke shpërfilluar të tjerë kompani, që ndonëse i plotësojnë kriteret teknike, nuk janë mjaftueshëm të afert me pushtetin. Përfituesja me e madhe e fondeve të Rindërtimit, rezulton kompania e krijuar nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, me 1.35 miliardë lekë, ndërkohë që kompania e dytë dhe e tretë në listën e përfituesve janë kontraktuar nga Bashkia e Tiranës.

Gjjithsej, Qeveria shqiptare ka shpenzuar 21.8 miliardë lekë ose 175.5 milionë euro për programin e rindërtimit nga marsi i vitit 2020 e deri në maj të këtij viti. Por pjesa më e madhe e këtyre parave rezulton se janë shpërndarë në disa kompani. Sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data Albania, kompania e paguar më shumë dhe në krye të renditjes është Kevin Construction me 1.35 miliard lekë, të cilat i ka marrë në disa kontrata e vetme ose në bashkëpunim. Ky subjekt është themeluar në vitin 2006 nga Safet Gjici dhe sot administrohet nga vëllai i tij, Lavdërim Gjici.

Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga Open Data, programi i rindërtimit i ka dhënë kompanisë Gjikuria Shpk, 778.9 milionë lekë. Firma “GJIKURIA” shpk është një ndër më të preferuarat e Qeverisë Rama. Janë të panumërta tenderat që kjo kompani e drejtuar nga Florenc dhe Milo Gjikuria kanë marrë nga administrata publike, ku mund të përmenden tenderi për rrugën Orikum-Llogara dhe ndërhyrjet në “Parkun Natyror” të Himarës, duke rrënuar “Deltën e Palasës”, përmes hapjes së kanaleve dhe marrjes së gurëve e zhavorrit. Vetëm gjatë vitit 2020, kjo kompani, ka  përfituar 13,3 milionë euro si fituese e tenderave nga ARRSH-ja, FZHSH-ja apo Bashkia Himarë.

Ndërkohë një tjetër firmë që ka marrë fonde për procesin e Rindertinit, është G. P. G Company më shumë se 695 milionë lekë. Për hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve në zonën e 5 Majit në Tiranë bashkimi i operatorëve Alb Shpresa, Alb Tiefbau, Egeu Stone, Mela dhe Infratech shpk kanë fituar dy kontrata me vlerë 660.8 milionë lekë. Sipas analizës së Open Data, renditja vijon me bashkimin e operatorëve Kronos Konstruksion, Everest dhe Arb&Transa shpk me vlerë 642.7 milionë lekë.

Sërish kontraktori rezulton Bashkia Tiranë, i cili u ka dhënë këtyre subjekteve këtë total në dy kontrata për zonën e Kombinatit dhe ndërtimin e disa godinave. Ekzistojnë 37 transaksione që kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve kundrejt kompanive, ndërkohë që pjesa tjetër janë kryesisht shoqëri që janë angazhuar në hartime projekti apo kanë ende pak para të të arkëtuara./ShijakTv