13.5 C
Tirana
E shtunë, 8 Nëntor, 2025

Bazilika Paleokristiane e Linit, aty ku vizitorët takohen me historinë! E shkuara dhe e tashmja bashkohen në këtë vend unik

Mes mozaikëve dhe pamjes mbresëlënëse të liqenit të Ohrit, gjendet Bazilika Paleokristiane e Linit, një nga thesaret më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore. E shkuara dhe e tashmja bashkohen në këtë vend unik, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për vizitorë vendas dhe të huaj.

 

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi foto nga ky monument kulture, ku duket se po frekuentohet nga vizitorë të shumtë, të cilët na kujtojnë se tashmë kemi të bëjmë me një turizëm gjithëvjetor. Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit. Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit.

Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah. Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.

Ajo përbëhej nga 7 ambiente gjithsej, dyshemetë e të cilave ishin zbukuruar që të gjitha me mozaikë. Bazilika, së bashku me ambientet që e rrethonin atë, ishte ndërtuar për herë të parë në shek. VI pas Krishtit si rezidencë verore e peshkopëve të Lyhnidit (Ohri i sotëm).

Gërmimet kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, që përkon me pushtimin e zonës nga bullgarët, bazilika duhet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas djegies ajo nuk është rindërtuar më.

Emigrantët në Shqipëri, dekreti i Giorgia Meloni: Qëndrim deri në 18 muaj në kampin e Gjadrit! Zbardhet vendimi i ri i qeverisë italiane

Kampet që u ngritën në Gjadër e Shëngjin për strehimin e emigrantëve të paligjshëm që kapeshin në ujërat italiane, pritet të kthehen në një vendndalimi për emigrantët që vijnë nga vendet e sigurta.

 

Kjo nismë që u shtrua pak ditë më parë në qeverinë italiane, dje u paraqit si dekret ku edhe u vendosën rregullat në lidhje me përdorimin e kampeve të ngritura në Lezhë me qëllim përpunimin e të dhënave të personave që vijnë ilegalisht në Itali, ndërkohë që vendet e tyre janë të sigurta. Kështu, përballë sfidave të gjyqësorit vendës dhe në pritje të një vendimi nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, qeveria italiane miratoi ditën e djeshme një dekret që i lejon këtij shteti transferimin e emigrantëve ilegalë nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave pritëse në Shqipëri në Gjadër dhe Shëngjin.

Sipas dekretit të miratuar, emigrantët e parregullt që aktualisht ndodhen në qendrat e ndalimit në Itali, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit, mund të transferohen në qendrën e Gjadrit, ku do të qëndrojnë deri në 18 muaj, në pritje që vendet e tyre të origjinës t’i pranojnë dhe të lejojnë kthimin e tyre. Megjithatë, procedura parashikon që dëbimi përfundimtar të ndodhë nga territori italian, që do të thotë se pas qëndrimit në Shqipëri, emigrantët do të kthehen përsëri në Itali për t’u riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës. Në Itali, kjo skemë ka ngritur shqetësime mbi rritjen e kostove të administrimit, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy oficerë policie gjatë transferimeve midis dy vendeve.

Sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, bëhet fjalë vetëm për “riaktivizimin e një funksioni ekzistues të qendrës, atë të qendrës së kthimit”. Ai shtoi se brenda pak javësh apo muajsh, pritet një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që qeveria italiane beson se do të jetë në përputhje me qëndrimin e saj. Qeveria italiane është shprehur se nuk po ndryshon qëllimin e qendrave në Shqipëri, por synon t’i përdorë ato edhe për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit. Por referuar të dhënave, mësohet se ende nuk ka një marrëveshje të re me qeverinë shqiptare, ndonëse nisma që në fillim hasi kundërshti të forta me baza ligjore nga vetë Gjykata e Emigracionit e Romës.

MEDIAT ITALIANE

Ditën e djeshme kanë reaguar edhe mediat italiane në lidhje me dekretin e qeverisë “Meloni”. Sipas tyre, qeveria italiane nuk po ndryshon destinacionin e qendrës, por synon ta përdorë edhe për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit. Fillimisht, kjo qendër ishte menduar për mbajtjen deri në 28 ditë të azilkërkuesve të shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane, të ardhura nga vendet e konsideruara të sigurta, për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara të kufirit. Tani, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.

Megjithatë, pa marrëveshje të reja me qeverinë shqiptare, kthimi i tyre duhet të ndodhë sërish nga territori italian, shkruajnë mediat vendëse. Kjo do të thotë se emigrantët e paligjshëm të ndaluar në CPR e “Ponte Galeria” (qendra e ndalimit të emigrantëve pranë Romës) do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar. Duke marrë parasysh se mesatarisht vetëm 50 për qind e emigrantëve të ndaluar në qendrat e pritjes arrijnë të kthehen realisht në vendet e tyre, pritet një rritje e kostove për shkak të transportit të vazhdueshëm midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy policë.

Përveç këtyre sfidave praktike dhe financiare, operacioni ngre edhe dyshime ligjore. Rregullorja e re evropiane do të parashikojë qendra pritjeje në vende të treta, por jo më herët se viti 2027. Për momentin, nuk ekziston asnjë bazë ligjore që lejon transferimin e emigrantëve në një vend që nuk është as ai i origjinës dhe as vend tranziti dhe mësohet se për këtë po shfrytëzohet një boshllëk ligjor si në Kodin Italian të Emigracionit ashtu edhe në direktivën aktuale të Bashkimit Europian për kthimet.

Tudor nis “misionin” Juventus, trajneri kroat kërkon të debutojë me fitore kundër Xhenoas

Igor Tudor e di dhe e ka thënë edhe në konferencën e tij të parë si trajner i Juventusit. Nuk ka kohë për të humbur, kanë mbetur vetëm 9 ndeshje për të siguruar kualifikimin për Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm.

Një detyrë që e ngarkon, për shkak të pasionit të tij për Juventusin, pasi ai e di se mund ta imponojë menjëherë filozofinë e tij te ekipi, ashtu siç ka ndodhur në katër rastet e mëparshme kur ishte emëruar në mes të sezonit si trajner në Serie A.

Këtë herë faktet po e përballin me Xhenoan, një skuadër që është shumë e sikletshme, por që Tudor me Juventusin e tij kërkon vetëm fitoren. Tudor do të bëjë sot debutimin në orën 18:00 dhe në “favor” ka historinë. E shkuara tregon për sinjale pozitive në debutim.

E KALUARA- Në prill të vitit 2018, ai ftohet nga Udineze për të zëvendësuar Odon dhe debuton me një barazim 3-3 ndaj Beneventos, një barazim që ka shijen e një disfate pasi goli i Sanjasë erdhi pikërisht në minutën e 90-të, kur trajneri kroat po shpresonte për fitoren e parë. Megjithatë, në fund të sezonit, arriti mbijetesën, falë dy fitoreve dhe një humbjeje, me mesatare pikësh për ndeshje që kaloi nga 0,97 e Odos në 1,75. Në sezonin tjetër, ai thirret sërish nga Udineze, këtë herë për të zëvendësuar Nikolën. Në mars 2019, arrin një fitore 2-0 kundër Xhenoas, që do të jetë edhe kundërshtari i tij në debutimin si trajner i Juventusit, dhe më pas siguron edhe katër fitore të tjera, tre barazime dhe tri humbje. Një tjetër mbijetesë e arritur dhe mesatare pikësh që kalon nga 0,89 në 1,6.

VERONA- Në shtator të vitit 2021, shkon te Verona që kishte shkarkuar Di Françeskon, një lëvizje jo të zakonshme sepse ndodhi në fillim të sezonit. Megjithatë, Tudor fillon menjëherë me fitore 3-2 kundër Romës, dhe do të jetë një sezon i pabesueshëm për veronezët, të cilët, me 13 fitore të tjera, 11 barazime dhe 10 humbje, do ta mbyllin sezonin të nëntit në klasifikim.

LACIO- Përfundimisht, eksperienca te Lacio vitin e kaluar, në mars 2024, ku ai merr vendin e Sarit. Debuton me një fitore 1-0 kundër Juventusit të tij, pasuar nga katër fitore, tri barazime dhe një humbje, me mesatare pikësh që kalon nga 1,48 në 2 dhe kualifikimin në Ligën e Europës. Tani është radha për Juventusin, të bëjë një tjetër debutim me fitore dhe të sjellë në Torino të paktën objektivin minimal, i fundit për të cilin është duke luftuar skuadra bardhezi. Igor Tudor i gëzohet historisë, që në të shkuarën ka bërë që ai të jetë perfekt në debutimet me skuadrat që i kanë besuar stolin. Drejtuesit e Juventusit dhe tifozët po shpresojnë të ndodhë e njëjta histori, por gjithçka do të zbulohet duke nisur nga sot.

Po kthehet në luks, a rrezikon Shqipëria të humbasë “kafen e lirë” si traditë? Sa është rritur dhe sa pritet të shkojë çmimi

Çdo mëngjes miliarda njerëz në mbarë botën e fillojnë ditën me një filxhan kafeje. Por ky ritual i përditshëm po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë.

Kolumbia, Brazili dhe Vietnami janë tre prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë. Megjithatë prodhimi i kafesë po përballet me sfida serioze. Temperaturat e larta dhe reshjet e paqëndrueshme po ndikojnë negativisht tek bimët e kafesë.

Sipas studimeve deri në vitin 2050, gjysma e tokave të përshtatshme për kultivimin e kafesë mund të zhduken.

Ndryshku i gjetheve

Përveç kushteve atmosferike, fermerët po luftojnë edhe me sëmundje si “La Roya”, një lloj ndryshku i gjetheve që ka shkatërruar deri në 50% të prodhimit në disa rajone të Amerikës Latine.

“Më parë, një pemë kafeje prodhonte qindra kokrra. Tani mezi nxjerrim gjysmën. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” – thotë për DW Cristian Cano, kultivues kafeje në Kolumbi.

Kjo krizë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në tregun botëror. Vetëm në vitin 2024 çmimi i varietetit Arabica u rrit me 80%, një nga rritjet më të mëdha në dekada.

Nga një kafe e lirë, në një kafe luksi?

Në Shqipëri kafeja nuk është thjesht një pije – është një traditë, një moment social dhe një zakon i përditshëm. Por çmimet kanë filluar të rriten ndjeshëm dhe shumë vetë pyesin: A po e humbasim “kafen e lirë” si pjesë të kulturës sonë?

Sipas Enri Jahajt, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe të Restoranteve, Shqipëria ka funksionuar për vite me një treg anormal të kafesë:

“Ne kemi qenë një treg i korruptuar në këtë aspekt, sepse nuk jemi prodhues dhe as pjekës të mëdhenj të kafesë. Shumica e kafesë që përdoret këtu është e importuar. Për vite me radhë, çmimi i kafesë në Shqipëri ka qenë më i lirë se në vendet e rajonit, gjë që nuk përkon me logjikën e tregut të lirë. Tani që rregullat janë përforcuar, rritja e pagave dhe taksave po sjell një ndryshim në treg. Kjo po ndikon drejtpërdrejt te bizneset, të cilat janë të detyruara të përshtatin çmimet, sepse kanë edhe koston e personelit. Rritja e kostove është një realitet i pashmangshëm,” thotë Jahaj.

Sa është rritur dhe sa pritet të rritet çmimi i kafesë?

“Brenda një viti çmimi i kafesë është rritur me 20%, dhe pritet të rritet edhe me 20% të tjera. Në Tiranë çmimi mesatar i një filxhani kafeje tashmë është 90-130 lekë, ndërsa në zonat elitare arrin deri në 150 lekë. Sipas parashikimeve gjatë muajve të ardhshëm çmimi minimal pritet të shkojë në 120 lekë, ndërsa ai maksimal do të mbetet në të njëjtat nivele”, shpjegon Jahaj.

A do të kthehet kafeja në luks në Shqipëri? Për momentin ajo mbetet ende një kënaqësi e përditshme për shumicën e shqiptarëve. Por me ritmet aktuale të rritjes së çmimeve, mund të vijë një ditë kur një filxhan kafeje nuk do të jetë më aq i përballueshëm sa dikur./DW

Festa e Fiter Bajramit, kreu i KMSH-së uron besimtarët myslimanë: Të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët dhe të moshuarit! Uroj që të sjellë harmoni në familjen e çdo shqiptari!

Kreut të KMSH-së, Bujar Spahiu u ka uruar besimtarëve myslimanë festën e Fiter Bajramit.

Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i KMSH-së, uron që Fiter Bajrami të sjellë haroni në familjen e çdo shqiptari!

“Sot, besimtarët myslimanë po përcjellin muajin e madhërishëm të Ramazanit.Po i japim lamtumirën e fundit muajit të bekuar, që la pas falje e mëshirë për secilin. Nesër është festë, është Fiter Bajrami”, tha Bujar Spahiu.

Ai u shpreh se nuk duhet harruar që pjesë të gëzimit të bëhen edhe të varfërit, të sëmurët dhe të moshuarit.

“Përveç lutjeve drejtuar Zotit për sikletet e tyre, japim edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë”, tha kreu i KMSH-së.

Urimi i plotë i kreut të KMSH-së:

Të dashur motra dhe vëllezër kudo që ndodheni

Sot, besimtarët myslimanë po përcjellin muajin e madhërishëm të Ramazanit.

Po i japim lamtumirën e fundit muajit të bekuar, që la pas falje e mëshirë për secilin.

Nesër është festë, është Fiter Bajrami!

“Hani e pini të gëzuar, ngase këtë e keni fituar në ditët e kaluara.” (El-Hakka, 24)

Ne, sot i lutemi Zotit të Madhëruar – Mëshiruesit e Bamirësit, që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është, fund e kye, një mirësi e madhe për ne, në Ditën e Ringjalljes të ndërmjetësojë tek Zoti për ne, duke thënë: “O Zot! Unë i kam penguar këta gjatë ditës nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësitë e tjera të ndryshme; pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre.”

Të nderuar motra dhe vëllezër!

Agjërimi ishte një “shkollë” një mujore për secilin prej nesh.

Gjatë këtij muaji njeriu mëson se modestia dhe jo mendjemadhësia është virtyt.

Mëson se falja është më me vlerë se hakmarrja.

Mëson se përkujdesi ndaj të varfërve dhe të pamundurve është cilësi më e lartë se indiferentizmi.

Mëson vetëdisiplinimin, vetëkontrollin dhe vetedukimin.

Sot nuk mund t’i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazan, por desha të theksoj një çështje me rëndësi, mbi të cilën duhet të përqendrohemi me seriozitet dhe sinqeritet: drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm, duhet t’i vazhdojmë më tej.

Të nderuar vëllezër, ruajeni atë që e fituat në Ramazan!

Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë.

Por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit edhe të varfërit, të sëmurët, të moshuarit, për të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit për sikletet e tyre, japim edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë.

Uroj që kjo festë të sjellë harmoni, solidaritet, begati dhe mirëqenie në familjen e çdo shqiptari!

Fitër Bajrami le të na shërbejë si moment i vetëdijesimit tonë që të respektojmë dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore!

Qoftë ky Bajram një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj!

“Vaje” për gruan që e humbi, tronditja e Andon Zako Çajupit! Me Evgjeninë u njoh në Gjenevë, por ajo vdiq pas një viti martese duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin

Ai ka lënë pas ndër veprat më të shquara të letërsisë shqiptare që sot e kësaj dite lexohen nga adhuruesit e letërsisë. Ndër këta vepra është edhe poezia “Elegji në pleqëri për të shkretën djalëri”, poezi kjo që për një kohë të gjatë, që nga regjimi komunist, ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të publikohej.

 

Kjo për arsye se në këtë poezi, Çajupi ka thurur vargje rreth jetës së tij seksuale dhe mendësisë së tij për seksin në përgjithësi gjë që e veçon këtë poezi të Çajupit nga poezitë e tjera erotike shqiptare. Më 27 mars të vitit 1866 lindi dramaturgu dhe atdhetari Andon Zako Çajupi. Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vjetët 1887-1893, kreu studimet për drejtësi. Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit.

U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Botoi “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909). Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, si poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”. Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930.

VEPRIMTARI

U lind në Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani, i cili punonte në Kavallë dhe Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar Çajupi marrë nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë, mori mësimet fillore në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi për pesë vjet ne liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekur një kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës Zoicës, dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut. Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887- 1893 në Gjenevë, ku studioi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendase Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur, por dhe fatkeq, sepse i vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronditi thellë poetin dhe i la vragë të thellë.

Ajo u bë shkak që, pas dhjetë vjetësh, të shkruante elegjinë “Vaje”, një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë. Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Po prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një procesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati, dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare. Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me “Shoqërinë e Stambollit”. Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit.

Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare. Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë “Duke kërkuar një alfabet”, në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar. Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) ku përfshiu komedinë “katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”. Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.

STUDIMET

Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që e ndikuan të vazhdonte studimet për jurisprudencë, në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vjet në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Vdekja e Eugjenisë në vitin 1892, ishte për të humbje tragjike. U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare në atë vend. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Karriera juridike mori fund për shkak të një gabimi strategjik që bëri duke mbrojtur një shoqëri franceze kundër interesave të princit të Egjiptit, më pas iu përkushtua letërsisë. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adoptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur “Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

VEPRA

Shkrimi i parë që njihet është artikulli “Duke kërkuar një alfabet”, botuar në revistën “Shqipëria” në Bukuresht. Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratike dhe fryma popullore në brendi dhe në formë, Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Përrallë nga e kaluara”. Vjersha e gjatë “Baba Tomori”, me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si “Mëmëdheu”, “Ç’jemi? … Ku kemi lerë?”, “Vaj” etj, në të cilat vihet re brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumbon me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj.).

Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat “Sulltani”, “Punërat e Perëndisë”, “Greku dhe Shqiptari”. Në një sërë vjershash poeti flet për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.,. i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën “Krejt Hajvan”, që mbeti si dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë.

Në komedinë e parë, autori vë në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e jep me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. “Pas vdekjes”, është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkruan me sarkazëm dërrmues por tretin e politikanit që bën lojën e Xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, botuar më 1937. Ai ka lënë pas ndër veprat më të shquara të letërsisë shqiptare që sot e kësaj dite lexohen nga adhuruesit e letërsisë. Ndër këta vepra është edhe poezia “Elegji në pleqëri për të shkretën djalëri”, poezi kjo që për një kohë të gjatë, që nga regjimi komunist, ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të publikohej. Kjo për arsye se në këtë poezi, Çajupi ka thurur vargje rreth jetës së tij seksuale dhe mendësisë së tij për seksin në përgjithësi gjë që e veçon këtë poezi të Çajupit nga poezitë e tjera erotike shqiptare.

KOMEDIA

Komedia “14 vjeç dhëndër” është një nga veprat më të njohura të Andon Zako Cajupit. Kjo komedi është përfshirë në vëllimin “Baba Tomorri” të botuar në vitin 1902. Si dramaturg, ai i dha përmbajtje e formë të re dramës, nëpërmjet këndvështrimit realist e kritik, si dhe humorit të mprehtë popullor. Në qendër të kësaj vepre qëndron zakoni patriarkal i martesave në moshë të re. Në këtë komedi Çajupi e merr temën nga jeta e fshatrave malore të Shqipërisë së Jugut. Nëpërmjet shpotisë dhe humorit ai kërkon që në veprën e tij të godasë këtë realitet të hidhur. Në ketë vepër krijimi i një familjeje shihet si mënyra e duhur për ekzistencë, por që autorin nëpërmjet humorit mundohet ta lehtësojë sadopak. Kjo dramë nis si komedi dhe më pas mbaron si tragji-komedi.

Komikja lidhet me situatën absurde ku nusja vë dhëndrin në gjumë, ndërsa tragjikja me shfrytëzimin e nuses. Në disa zona të Shqipërisë, këto zakone vazhdojnë akoma të ekzistojnë. Edhe pse kjo nuk është diçka e mirë sepse pengohet zhvillimi i vendit, na duhet ta pranojmë dhe te përballemi me këtë të vërtetë. Në familjet shqiptare vazhdojmë të shohim shfrytëzimin e gruas si “kafshë shtëpiake”, ku mendimi i saj nuk merret parasysh, por përdoret për t’i shërbyer pjesëtarëve të tjerë të familjes e sidomos burrit të saj. Ndoshta për ketë arsye kjo komedi i ka rezistuar dhe vazhdon t’i rezistojë kohës. Me temën që trajton në këtë vepër, ne mund të dallojmë fare qartë mesazhin që ai ka dashur të na transmetojë. Sipas tij shfrytëzimi i gruas jo vetëm që nuk ka mbarim në kohët që jetojmë, po ai, gjithashtu, trashëgohet brez pas brezi a thua sikur të ishte një virtyt i shoqërisë njerëzore. Ky mesazh na vjen dukshëm në pothuajse çdo fjalë të Tanës, kur ajo ankohet se është e lodhur nga të gjitha detyrat, që ajo ka në shtëpi (“..tërë ditën ngase qetë/dhe drekë e darkë bëj vetë/ Gjithë puna përmi mua! “) dhe kur thotë se kërkon që të marrë për nuse një grua që ta ndihmojë. Nuk marr nuse për sisë/po për punët e shtëpisë..”). Subjekti i kësaj vepre është i tipit tradicional. Në të dallojmë qartë ekspozicionin, pikën e lidhjes, zhvillimin dhe pikën kulmore. Ekspozicioni shënon pjesën hyrëse të komedisë dhe ka formën e bisedës. Ne këtë pjesë, që shënon pjesën nismëtare të fabulës, shkallë-shkallë shtohet lënda, theksohet tema e ideja dhe me këtë bëhet ndarja (distancimi) midis personazheve. Këtë e shohim tek fillimi i skenës, ku behet një prezantim i momentit dhe i vendit ku po zhvillohet ngjarja dhe kur personazhet fillojnë të flasin, që na jep në një ide të personazheve që marrin pjesë. Në rastin tonë, skena fillon me bisedën midis Tanës dhe Vangjelit, dy personazhe kryesore, të cilët do të na shoqërojnë gjatë gjithë veprës. Gjinoja është personazhi rreth të cilit rrotullohet ngjarja. Ai është një fëmijë katërmbëdhjetëvjeçar, të cilin nëna e tij do ta martojë, pra ai shërben si justifikim që Tana të ketë një mbështetje për punët e shtëpisë. Në fjalët e tij vëmë re, që ai nuk i ngjan fare një “dhëndëri” siç është përshkruar gjatë të gjithë veprës, por përkundrazi është një fëmijë tipik i kohëve të atëhershme. Natën e parë të martesës së tij ai i thotë nuses: “Lozim ndonjë lodër? Të dua si motër.”. Marigoja është gruaja njëzetvjeçare e Gjinos.

Në kohën që zhvillohet ngjarja, për martesat vendosnin prindërit duke parë interesat e tyre. Edhe me Marigonë ka ndodhur e njëjta gjë. Nga ato pak fjalë që thotë duket që nuk ka qenë dëshira e saj të martohej me Gjinon, po përkundrazi ka qenë e detyruar (Ç’motër më ke mua, o lum e përrua? Ti më more për grua. Fli të marrtë lumi). E gjithë komedia, merr shkas nga martesa e Marigosë me Gjinon. Marigoja shihet ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Tana e sheh si një nuse që do ta ndihmojë në punët e shtëpisë. Vangjeli nuk di se ç’të të mendojë. Ai dëshiron që t’i marrin mendimin dhe Gjinos, por ndërkohë edhe e mbështet mendimin e gruas së tij. Dhe së fundmi, Gjinoja në vend që ta shohë si gruan e tij, duke qenë se është një fëmijë i pazhvilluar, e sheh atë si motër. Zonja Kote është kushërira e Tanës. Ajo shfaqet në skenën e dytë (te mulliri). Nga mënyra se si i drejtohet Tanës shohim se ajo është një grua e pasjellshme, pasi përdor fjalë nga më të këqijat për të sharë Tanën. Nga ana tjetër zonja Briri, në fillim sillet me Tanën ashtu siç i ka hije një nuseje. Në momentin që Tana fillon ta mallkojë atë dhe vajzën e saj, ajo revoltohet dhe ia kthen me të njëjtën monedhë. Te dyja këto personazhe janë përdorur nga Çajupi për të nxjerrë në pah karakteristikat e zonjës Tanë.

Lulëzimi i Inteligjencës Artificiale në Kinë po arrin përmasa mahnitëse, por a do të zgjasë?!

Më 6 mars, në Kinë u hap faqja e robotit të Inteligjencës Artificiale, Manus. Vetëm disa orë më vonë, vizitorët që vërshuan në internet, shkaktuan mbingarkesë dhe ndërprerjen e shërbimit online.

 

Kompania që e krijoi robotin, Butterfly Effect, thotë se teknologjia e saj është më e mirë se ajo e kompanisë amerikane të Inteligjencës Artificiale, OpenAI, e cila krijoi platformën ChatGPT. Tani kompania lejon hyrjen në sistem vetëm me ftesë, për të përballuar trafikun, shkruan The Economist.

Manus është shembulli i fundit i manisë që ka kapluar Kinën që nga janari, kur firma startup e Inteligjencës Artificiale DeepSeek, tronditi botën me një model të ri të çuditshëm që rivalizoi menjëherë modelet perëndimore.

Efekti në tregjet kineze ka qenë vërtet tronditës. Aksionet janë rritur në nivelin më të lartë në histori, duke lënë pas edhe aksionet amerikane.

Indeksi i teknologjisë Hang Seng, që gjurmon kompanitë më të mëdha kineze të teknologjisë të listuara në bursën e Hong Kongut, është rritur me më shumë se 40% që nga mesi i janarit (shih grafikun).

Ne-thellesi-1174

Shumë veta në Kinë besojnë se Inteligjenca Artificiale do t’i ndihmojë novatorët të krijojnë aplikacione të reja. Kompanitë teknologjike po rrisin investimet në qendrat e të dhënave, duke shkaktuar një rritje të shpenzimeve kapitale.

A do të zgjasë ky lulëzim?

Javët e fundit, me qindra ndërmarrje të mëdha kineze, nga prodhuesit e makinave dhe kompanitë shtetërore të energjisë, deri te bankat dhe shitësit e ushqimeve dhe pijeve, kanë thënë se kanë në plan të përdorin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale të krijuar nga DeepSeek.

Disa kompani gjigante teknologjike në vend, si Tencent, po e përfshijnë DeepSeek në produktet e tyre, pavarësisht se kanë modelet e veta.

Qeveritë lokale tani po integrojnë modelet e DeepSeek në aplikacionet celulare që përdoren nga banorët për shërbimet bazë, ndërsa departamentet qeveritare, spitalet dhe universitetet në të gjithë vendin, po bisedojnë se si mund ta përdorin atë në leverdi të Partisë Komuniste.

Analistët lokalë të kapitalit tani thonë me shaka se duhet të përdorin DeepSeek që raportet e tyre të tërheqin vëmendje. Disa investitorë madje mendojnë se kompania mund të ringjallë tregun e pronave në Hangzhou, qyteti ku ka selinë.

Kapitalistët e sipërmarrjes kineze janë po aq optimistë. Një firmë me seli në Pekin është e kënaqur që përfshirja e teknologjisë së DeepSeek në portofolin e saj të robotikës ka ulur kostot dhe ka rritur rendimentin.

Mes këtij vrulli, kanë lindur firma të panumërta startup të Inteligjencës Artificiale, në të gjithë Kinën. Disa investitorë po hedhin para, edhe pse dyshojnë se mund të krijohet një flluskë në treg. “Është dërrmuese, por nuk kemi zgjidhje tjetër”, thotë një investitor në Hangzhou.

“Ekonomia nuk është e mirë dhe nuk ka shumë mundësi gjetiu. Kështu që duhet të investojmë në Inteligjencën Artificiale sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai shton se strategjia është të investohet në një raund “A”, pika më e hershme e financimit, dhe pastaj të dilet gjatë një raundi “A+”, që mund të ndodhë vetëm disa muaj më vonë.

Më 6 mars, qeveria e Kinës tha se do të krijonte një fond kapitali sipërmarrës me vlerë 1 trilion juanë (140 miliardë dollarë) për investime të përqendruara në teknologji.

Vrulli

Firmat më të mëdha teknologjike në Kinë, duke përfshirë Alibaba, Baidu, Huawei dhe Tencent, po e përqafojnë këtë vrull dhe shpresojnë të përfitojnë në veçanti nëpërmjet divizioneve të tyre cloud.

Muajin e kaluar, kompania Alibaba tha se qëllimi i saj kryesor ishte që Inteligjenca Artificiale të arrinte nivelin e njeriut. Më 6 mars, ajo hodhi në treg një model të ri arsyetimi që thotë se është po aq i mirë sa ai i firmës DeepSeek.

Kompania ka premtuar të shpenzojë rreth 53 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme, për të ndërtuar qendra të dhënash, me qëllim për të përmbushur kërkesën për shërbimet cloud të Inteligjencës Artificiale.

Kjo është më shumë se sa ka shpenzuar gjatë dhjetë viteve të fundit. Ajo zë vendin e parë në tregun kinez cloud, me një pjesë prej 36%, dhe rritja mund të vazhdojë më tej. Kompania Baidu tashmë ka shënuar një rritje të të ardhurave nga divizioni cloud, duke ndihmuar në kompensimin e rënieve në divizione të tjera.

Kërkesa gjithnjë e më e madhe për Inteligjencë Artificiale, mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e marzheve të fitimit në industrinë cloud të Kinës. Këto marzhe zakonisht janë më të ulëta se në Perëndim, për shkak të konkurrencës së ashpër.

Që nga fillimi i shkurtit, është rritur edhe kërkesa për serverë të përshtatur për Inteligjencë Artificiale, sipas Liu Yiran nga Banka HSBC. Furnizuesit kanë filluar të mundësojnë serverë të “para-pajisur” me softuer të Inteligjencës Artificiale.

Shumë prej tyre u shiten drejtpërdrejt kompanive, apo edhe ndërmarrjeve shtetërore, që mund të parapëlqejnë të kenë serverë në ambientet e tyre, për të përmirësuar sigurinë.

Kompania Sangfor Technologies, e cila u krijua nga një grup ish-punonjësish të kompanisë Huawei, ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj nga kjo prirje e re: çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur me rreth 140% deri tani këtë vit.

Zonja Liu dhe ekipi i saj, vlerësojnë se tregu për serverët e Inteligjencës Artificiale do të rritet mesatarisht me më shumë se 70% në vit, deri në 2028.

Lulëzimi i Inteligjencës Artificiale në Kinë po nxit investimet kapitale në të gjithë zinxhirin e furnizimit të harduerit në vend.

Sipas disa analistëve në Bankën e investimeve Jeffries, prodhuesit e serverëve mund të shpenzojnë më shumë se 1.4 trilionë juanë gjatë dy viteve të ardhshme, teksa po zgjerojnë kapacitetin e prodhimit.

Kompania GDS, një nga më të mëdhatë në vend, ka rritur planet e shpenzimeve kapitale. Rivali i saj VNet, kohët e fundit tha se do të dyfishonte kapacitetin këtë vit.

Sidoqoftë, disa analistë kanë filluar të bëjnë thirrje për të pasur kujdes. Kai Wang, nga firma amerikane e shërbimeve financiare Moingstar, argumenton se DeepSeek nuk do të ndryshojë themelet e shumicës së kompanive që kanë bërë para me rritjen e fundit të tregut të aksioneve në Kinë.

Lindën shqetësime kur mbështetja e fortë e qeverisë për ekonominë nuk arriti të jepte frytet e parashikuara. E njëjta gjë mund të ndodhë këtë vit, thotë zoti Wang, nëse kompanitë nuk arrijnë të bëjnë mjaftueshëm para nga Inteligjenca Artificiale.

Një faktor tjetër mund të jetë qasja në gjysmëpërçues të përparuar. Tani për tani, furnizimi është i mjaftueshëm. Kompanitë ende kanë mundësi të blejnë çipa H20 nga firma amerikane Nvidia.

Edhe pse këto janë më pak të fuqishme se çipat më të mirë të Nvidia-s, të cilat Amerika i ka ndaluar në Kinë, ata duket se po funksionojnë. Modeluesit lokalë të çipave, si Cambricon, Enflame dhe Huawei, kanë filluar të furnizojnë disa kompani kineze të Inteligjencës Artificiale.

Megjithatë, mungesa e gjysmëpërçuesve mund të shuajë furinë e Kinës në Inteligjencën Artificiale. Disa analistë shqetësohen se me shfaqjen e aplikacioneve të reja dhe me rritjen e kërkesës për fuqi kompjuterike, do të kufizohet furnizimi i çipave.

Kompania shtetërore kineze SMIC po vuan nga kufizime serioze të kapacitetit dhe nuk është në gjendje të prodhojë gjysmëpërçuesit më të përparuar.

Për më tepër, edhe çipat më të mirë të modeluar nga Huawei, ende mbeten shumë mbrapa atyre të Nvidia-s amerikane. Greg Allen nga firma CSIS, me seli në Uashington, shkroi kohët e fundit se çipat e prodhuar nga Huawei dhe softueri që i shoqëron kanë ende nevojë për përmirësime derisa të mund të përdoren nga DeepSeek dhe kjo mund të zgjasë me vite.

Thuhet se administrata Trump po mendon të vendosë kufizime më të ashpra ndaj Kinës duke përfshirë kufizimin e qasjes në çipat H20. Lulëzimi i Kinës mbështetet në besimin se kostoja e trajnimit dhe të modeleve të Inteligjencës Artificiale do të vazhdojë të bjerë.

Duke kufizuar qasjen në çipa, Amerika mund t’i rrisë kostot, duke i dhënë një fund të papritur euforisë së Inteligjencës Artificiale të Kinës./Monitor

Mirela Karabina reagon ndaj prezantimit të programit nga Edi Rama: 7×7=313

Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Elbasanin, Mirela Karabina, ka reaguar pas prezantimit të programit nga kryeministri Edi Rama. Sipas saj, ky program nuk sjell asgjë të re për qytetarët përveçse thellon krizën ekonomike dhe varfërinë.

Në një postim në facebook, Karabina e ironizoi mënyrën e prezantimit të Ramës dhe e akuzoi atë për keqqeverisje dhe korrupsion. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të refuzojnë një model politik që, sipas saj, i ka varfëruar dhe mashtruar prej vitesh.

Më poshtë është reagimi i plotë i Mirela Karabinës:

“Veshur me tuta e duke u rrutullu, Rama po prezanton programin e ri të zhvatjes dhe varfërisë së qytetarëve.

7×7=313, Rame, ku i ke shokët?

Jep përgjigje njëherë për shokët hajdutë, se kush ju voton ju, voton varfërinë e tij.”

Rikthimi i amerikanëve në SPAK, lajm i mirë për drejtësinë shqiptare

Ervis Iljazaj

Pas lajmërimit të Ambasadës Amerikane në Shqipëri se të gjitha projektet ishin pezulluar me qëllim auditimin e funskioneve të tyre si pasojë e një urdhri të Departamentit të Shtetit, kishte një entuziazëm të madh në politikën shqiptare. Ky entuziazëm u shpreh më së shumti për ndërprerjen e asistencës amerikane ndaj SPAK. Të dyja palët politike, PS dhe PD, e përdorën këtë lajm në favor të tyre.

Partia Demokratike kërkoi t’i mbushë mendjen shqiptarëve se SPAK është një projekt korruptiv dhe për këtë arsye Donald Trump dhe administrata e tij nuk do ta mbështeste më për këtë fakt. Më këtë arsyetim, PD është munduar gjithë këto kohë të jusitifokojë hetimet që bien mbi liderin e saj Berisha.

Nga ana tjetër Edi Rama në një dalje publike i tha shqiptarëve se tashmë amerikanët kanë ikur, dhe SPAK ka vetëm mbështetjen e tij dhe të Partisë Socialiste. Të dyja qëndrimet ndaj SPAK, edhe pse në mënyra të ndryshme, janë formë e pastër presioni ndaj Prokurosisë së Posaçme. Dihet tashmë se një nga elementët kryesorë që ka bërë që kjo prokurori të jetë e pavarur është mbështetja ndërkombëtare, sidomos ajo amerikane. Dhe kur kjo u pezullua përkohësisht, politika shqiptare ishte në festë.

Tanimë që ekspertët e OPDAT janë rikthyer për të asistuar prokurorët e SPAK në hetimet e tyre, në politikën shqiptare ka rënë heshtja. Ky është një lajm i keq për ta dhe një lajm i mirë për drejtësinë shqiptare dhe shqiptarët vetë. Kjo është një shenjë e qartë e vazhdimit të mbështetjes që aleatët e Shqipërisë kanë për drejtësinë tonë.

Megjithëse publikisht palët kanë një qëndrim të ndryshëm në raport me SPAK, që të dyja dëshirojnë mbylljen e tij. Partia Demokratike e ka qëndrim publik, madje premtim elektoral mbylljen e SPAK. Nuk lë moment pa e përmendur se me ardhjen e saj në pushtet SPAK do të çmontohet. Ndërsa PS, edhe pse e mbështet publikisht, nën rrogoz bënë çmos për ta penguar në punën e tij. E gjitha është një propagandë elektorale duke qenë se SPAK është insitucioni më i besueshëm në Shqipëri. Nëse do të mundte, PS do ti bashkonte votat me PD për ta shkrirë SPAK. Çështja është se nuk munden dhe nuk i lejon kush.

Pavarësisht mbështetjes amerikane ose jo, SPAK ka mbështetjen e plotë nga Bashkimi Europian. Ambasadori i BE në Shqipëri nuk lë rast pa e përmendur se SPAK është një institucion që gëzon mbështetjen e plotë të BE. Dhe nëse Shqipëria kërkon të integrohet dhe të bëhet pjesë e saj me të drejta të plota, kushti thelbësor është SPAK dhe vashdimi i luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Për të gjitha këto rrethana, SPAK duket se është një projekt që nuk mund të kthehet me mbrapsht. Duan apo s’duan politikanët tanë duhet të bëjnë llogaritë me të. SPAK është një dhuratë që aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë i kanë bërë asaj. Dhe sigurisht që deri më tani kjo prokurori e ka shpërblyer besimin e shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve. Për politikën shqiptare do të ishte shumë komode dhe e dëshiruar që të ulen bashkërisht dhe të bëjnë një drejtësi të re me kushtet e tyre dhe jo të ndërkombëtarëve. Një drejtësi që ne e kemi provuar 30 vjet se si është dhe nuk do shumë mend për ta kuptuar se si do të jetë nëse do të ulen përsëri bashkë për të ribërë drejtësinë edhe njëherë nga e para në mënyrë sovranë, pa ndërhyrje ndërkombëtare.

Shembja e ndërtesës në Bangkok për shkak të tërmetit në Mianmar, të paktën 15 persona konfirmohen të gjallë nën rrënoja! Raportohet për rreth 100 punëtorë të zhdukur

Zyrtarët tajlandezë po përdorin mjete të vogla për të gërmuar nën rrënojat e ndërtesës së shembur në Bangkok për të shpëtuar të mbijetuarit.

Duke qenë se është një ndërtesë e papërfunduar, raportohet se nuk ka ujë të rrjedhshëm, kështu që të bllokuarit brenda nuk do të kenë ujë për të pirë, thanë zyrtarët.

Ata u shprehën se kanë zbuluar të paktën 15 persona të gjallë nën rrënoja. Disa prej tyre kanë mundur të bërtasin dhe të bëjnë zhurmë, ndërsa të tjerët janë zbuluar për shkak të lëvizjeve të tyre dhe nxehtësisë së trupit.

Bangkok

“Ende nuk e humbim shpresën dhe dëshirojmë që të kemi lajme të mira”, thanë zyrtarët.

15 personat raportohet se janë shumë thellë nën rrënoja, rreth 5 deri në 10 metra.

Rreth 100 punëtorë ndërtimi ende rezultojnë të zhdukur dhe 6 të tjerë janë konfirmuar të vdekur pas shembjes së ndërtesës.