20.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Vijon protesta e bizneseve në Vlorë: Të shmangen furgonat e policisë që po tmerrojnë pushuesit! Të lejohet muzika deri në orën 2

Përfaqësuesit e bizneseve në Vlorë kanë dalë sërish në protestë. Komiteti Teknik miratoi dje vendimin e kryeministrit Rama për të shtyrë me 1 orë ndalimin e muzikës, në kuadër të masave anti-Covid, por përfaqësuesit e bizneseve thanë se, zgjatja me një orë e muzikës nuk përmbush asgjë.

Në ditën e dytë të protestës ata përsëritën kërkesat e tyre që të ndryshohet orari kufizues dhe baret dhe restorantet të shërbejnë deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe të lejohet një muzikë në sfond.

”Nuk po flitet më për muzikën e lartë, por për një fashë orari që baret të jenë të hapura dhe të kenë një muzikë në sfond”, u shpreh njëri nga përfaqësuesit e bizneseve.

Për bizneset shqetësim janë edhe shfaqjet e policisë. ”Kërkojmë një bashkëpunim me policinë dhe operatorët. Jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë qoftë edhe me telefon, por duhen shmangur furgonat e policisë duke tmerruar pushuesit”, u shprehën ata.

Marshimi përgjatë shëtitores me dritat e celularëve ndezur përmbylli protestën e biznesit mbrëmjen e së hënës në Vlorë, ndërsa protesta vijon edhe ditën e sotme.

Festa e Kurban Bajramit/ Mijëra besimtarë mbushin Sheshin “Skënderbej”

Besimtarët myslimanë në të gjithë vendin kremtojnë sot festen e Kurban Bajramit. Që herët në mëngjes, mijëra besimtarë ndryshe nga një vit më parë që për shkak të pandemisë faljen e namazit të Kurban Bajramit e kanë bërë në xhami nën masat kufizuese, këtë të martë ato kane falur namazin në sheshin Skëndërbej.

Gjatë faljes së Kurban Bajramit, klerikët myslimanë bënë apel për më shumë paqe, dashuri mes njerëzve dhe ndihmë ndaj personave në nevojë.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu në fjalën e tij ka theksuar dhe ka kërkuar më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.

“Jemi një botë e globalizuar dhe kërkon sa më shumë për të përballuar sfidat.  Këtë festë ta përjetojnë sa më mirë, të vizitojnë njëri tjerrin dhe të shpërndajnë sa më shumë dashuri. Të gjithë kryefamiljarët myslimanë që kanë mundësi të presin kurban dhe ta shpërndajnë atyre që kanë nevojë”, ka thënë Spahiu.

Pas faljes besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre.

Ndërkohë e njëjta atmosferë festive ka shoqëruar faljen e Kurban Bajramit në çdo xhami të vendit.

Festa e Bajramit kulmon me kurbanin. Sipas riteve çdo familje myslimane bën kurban një kafshe si shenje treguese e dashurisë për zotin.

Basha uron besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin

Urimi i Lulzim Bashës:

“Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

Ju uroj nga zemra Gëzuar për shumë vjet festën e Kurban Bajramit!
Sakrificat dhe lutjet tuaja qofshin të pranuara! Në familjet tuaja mbizotëroftë gëzimi, paqja dhe shpresa për një Shqipëri të drejtë e të begatë për të gjithë shqiptarët!

Tradita juaj e ndarjes së të mirave me të afërmit dhe fqinjët në nevojë është shenjë e madhe e përgjegjësisë që ju ndjeni ndaj vendit.

Zoti ju bekoftë juve dhe familjeve tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, shkruan Basha.

“Qirijtë e Lungomares”, reagon deputeti Leskaj: Bizneset e Lungomares mund të ndezin shkëndijën e një proteste mbarëpopullore

Qirijtë e Lungomares

nga Bujar Leskaj

Dje 94 biznese përgjatë Lungomares në Vlorë: bare, restorante, fast-food-e, kafene dhe hotele vendosën të protestojnë 24 orë, duke i mbyllur lokalet e tyre dhe vënë qirinj përpara hyrjes, për të simbolizuar protestën. Kishin pesë ditë që kërkonin që të lejohej muzika deri në orën 24:00 dhe bizneset e tyre të ushtronin aktivitetin deri në orën 02:00 të mëngjesit, duke i drejtuar edhe një letër kryetarit të sektit qeverisës të Shqipërisë, Ramës.

Këto ishin kerkesa të natyrshme, të mbështetura nga Unioni i Operatorëve Turistikë të Vlorës. Kjo qasje orare është përzgjedhur edhe nga qeveritë e fqinjëve tanë për të gjitha njësitë që ushtrojnë aktivitet turistik në Greqi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke parë rastet e ulura të infeksioneve nga Koronavirusi dhe domosdoshmërinë e mbështetjes së sezonit aktual të turizmit të detit dhe rërës.

Turizmi, sikurse edhe tek ne, përfaqëson një industri përcaktuese në rimëkëmbjen e ekonomive të fqinjëve tanë, sidomos Greqisë dhe Malit të Zi, nga dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga Covid-19. Por qeveria jonë, megjithëse piku i sezonit turistik veror filloi më datën 15 korrik, bënte veshin shurdhër dhe syrin qorr. Nga 15 korriku, pronarët e lokaleve në Vlorë nisën t’i kërkonin qeverisë minimumin e mundshëm për të patur një sezon turistik veror normal: lejimin e muzikes deri në mesnatë dhe të aktivitetit edhe pak orë më pas.

Qeveria u përgjigj duke dërguar policinë në lokalet që parmbrëmë luajtën himnin kombëtar në momentin e pushimit të muzikës në orën 22.00, dhe duke arrestuar disa menaxherë dhe pronarë, çfarë solli përshkallëzimin e protestës deri në vendimin për të bllokuar aktivitetin për 24 orë.
Kryetari i sektit qeverisës bëri prapaktheu menjëherë, duke deklaruar lejimin e muzikës edhe për një orë më shumë, deri në oren 23.00 dhe duke komanduar Komitetin e Ekspertëve për masat anti-Covid 19 që të mblidhej dhe vendoste vetëm këtë masë lehtësuese në shkallë vendi.

A nuk mund dhe duhej të ulej qeveria dhe të dëgjonte kërkesat e drejta dhe aspak të ekzagjeruara të biznesit vlonjat të Lungomares? Të realizonte me të një plan pune, që edhe qetësia e pushuesve në pallatet e banimit në Lungomare të mos trazohej, por edhe aktiviteti turistik dhe i biznesit në këtë zonë thelbësore për Vlorën të mos dëmtohej? Kjo mund të arrihej shumë lehtë me dialog dhe mirëdashje. Madje mund të shtrihej në shkallë vendi në të gjitha destinacionet tona turistike. Por pikërisht këto gjëra i mungojnë sektit qeverisës Rama. Përgjegjshmëria për dialogun dhe mirëdashja ndaj biznesit patriot dhe korrekt me Shtetin. Dhe situata degjeneroi në konflikte fizike të policisë me biznesin dhe arrestime të menaxherëve dhe pronarëve të disa bizneseve në Lungomare, mes të cilëve një grua.

Ishte indiferenca vrastare dhe papërgjegjshmëria e sektit Rama, që e katandisi industrinë turistike të Shqipërisë, të zhvilluar dhe konsoliduar prej tashmë më shumë se dy dekadash, në prag të falimentimit nga situata me pandeminë. Që kundroi, pa iu dridhur qerpiku, me mijëra profesionistë të operatorëve tanë turistikë të humbnin vendin e tyre të punës, ose të detyroheshin të gjenin punë në sektorë të tjerë, për të mbajtur familjet e tyre. Qe rregjistroi i pashqetësuar humbjen e mbi 1.2 miliardë eurove të aktivitetit turistik, nga bllokimi total në mars-prill 2020 dhe nga masat bllokuese ose kufizuese për lëvizjen e lirë në muajt e mëvonshëm, ndërkohë që shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi (madje edhe Kosova) miratonin paketa ndihme të drejtpërdrejtë në të holla për të gjitha bizneset e sektorit turistik. Shteti i Maqedonisë së Veriut, tërisht i krahasueshëm me mundësitë buxhetore me shtetin tonë, dha një pagesë të drejtpërdrejtë prej 250 eurosh për çdo veprimtar turistik të vendit të vet.

Ishte sekti Rama që ofroi kushtet e dy paketave të kredive sovrane 1 dhe 2, ku praktikisht biznesi turistik i vendit nuk e gjeti veten dhe numëroheshin me gishtat e njërës dorë ata operatorë turistikë që aplikuan për këto kredi. Shqipëria ishte ndër vendet e rralla në botë, në mos e vetmja në Evropë, me industrinë turistike dhe sektorët e tjerë të lidhur me të që japin më shumë se 10 përqind të prodhimit kombëtar(tek ne arrin deri në 24 përqind), e cila nuk pati asnjë paketë ndihme të specializuar për sektorin e turizmit, të prekur aq rëndë nga Koronavirusi.
Shqipëria është ai vend që i lejon vetes që një konsullatë e saj të refuzojë vizat turistike të hyrjes për 48 irakianë, me paragjykimin se janë azilkërkues!

Kryetari i sektit qeverisës reagoi dhe u zbyth vetëm kur pa se të 94 bizneset e Lungomares mund të ndiznin shkëndijën e një proteste mbarëpopullore kundër tij, të lajmëruar për mbrëmë. Ai e di mirë fuqine e protestës vlonjate.

Por qirinjtë e Lungomares nuk janë shuar dhe nuk do të shuhen kurrë, edhe pse nuk u arrit këtë rradhë të ndizeshin në protestë mbarëpopullore, për shkak të manovrës së Ramës . Ato do të vijojnë të qëndrojnë ndezur në ndërgjegjen e të gjitha bizneseve të ndershme, korrekte e patriote të vendit, që shohin kërdinë e tenderave të trukuar dhe të paracaktuar të qeverisë Rama, që fitohen vetëm nga oligarkët dhe klientët e tij sipërmarrës, si dhe të detyrimeve të dhjetra PPP-ve, që ia kanë lidhur duart dhe këmbët Buxhetit të Shtetit, duke e detyruar t’ju jetë borxh me 11.4% të prodhimit kombëtar. Sipërmarrja e vendit do të dijë të reagojë fort në të ardhmen, në mbrojtje të interesave legjitime të saj. Protesta e Lungomares është vetëm shkëndija e parë.

Shpërthen revolta në Vlorë! Policia terror ndaj biznesmenëve, qytetarët në mbështetje të sipërmarrësve

Policia ka ushtruar dhunë dhe terror mbi pronarët e lokaleve pranë bregdetit në Vlorë.

Forcat e policisë arritën deri aty, sa të ndalin muzikën pas orës 22.00, edhe pse në sfond ishte Himni Kombëtar.

Policia ka shoqëruar në komisariat edhe një administrator biznesi sepse kishte të vendosur himin e flamurit në sfond. Në lidhje me këto ngjarje të pakëndshme për turizmin shqiptar, biznesmenët në qytetin bregdetar jugor shqiptar kanë zgjedhur që të protestojnë gjatë mbrëmjes së sotme.

Sipërmarrësit janë mbledhur në bregdet dhe kanë ndezur edhe qiri, në shenjë revolte ndaj aksioneve policore.

Sipërmarrësit, por edhe shumë qytetarë janë shprehur të pakënaqur për mënyrën sip o vepron qeveria dhe policia.

Një nga biznesmenët tha se kjo protestë është si e armëve kimike dhe kanë si kërkesë që të hiqet gardhi i policisë.

“Kjo është protestë si e armëve kimike. Ne e kemi kërkesë që të hiqet gardhi policor, siç e shikoni sot nuk ka polici. Sot ka turizëm dhe ka vetëm biznesmen. Ne kemi kërkesë edhe fashën e orarit, të paktën të kalojë para orës 2.

Nga ora 00:00 deri në orën 02:00 ka më pak vetë, por ambjenti është më i qetë për arsyet e koronavirusit. Ne kërkojmë që deri në orën 00:00 të ushtrojmë aktivitetin tonë, brenda normales. Qirinjtë janë simbolikë e thjeshtë, që ne jemi qytet i qetë, që duam turizëm plot me ngjyra, dhe jo me orare mortore, sepse nuk na duket e denjë që mbyllet në 22.00 me polici”, tha biznesmeni.

Rama u paralajmërua nga bizneset, ja çfarë pritet të ndodhë në Lungomare mbrëmjen e sotme

Bizneset në Lungomare kanë filluar përgatitjet për protestën e paralajmëruar në orën 20 e 30 të mbrëmjes.

Përgjatë gjithë vijës bregdetare vihen re biznese të cilat kanë rrethuar territorin e tyre me shiritin e mbylles teksa kanë vendosur përpara vendit ku qëndrojnë klientët tabela me mbishkrime të caktuara në formë proteste.

Kujtojmë që prej orëve të para të së hënës bizneset në Lungomaren po qëndrojnë mbyllur.

“Prill i hidhur”, libri i ri i poetit Bardhyl Londo

Nga Agron GJEKMARKAJ

Bardhyl Londo prej pak ditësh ka botuar një libër “Prill i hidhur” nga shtëpia botuese “Onufri”, i cili të mban mbërthyer jo për maksimalizimin poetik të së kaluares, të eksperiences njerzore e intelektuale neper të cilen ka ecur por mbi të gjitha për të ardhmen që kjo veper na shenj.

Londo për mua është një objekt studimi, një person të cilit i jam mirnjohes sepse edhe mirnjohja është instrument në studimin e letersisë dhe kjo për faktin se shfaqet një nga shkrimtaret më reflektiv për vendin e individt në kohe dhe hapesirë, në histori ,aktualitet dhe perspektive. Me autenticitetin dhe identitetin që ka deshmuar në letersinë shqipe ka perkufizuar kordinatat e njeriut bashkëkohor i cili ka pershkruar rrugë të ndryshme të njohjes deri në fundin e tyre. Po Bardhyl London e kam mik dhe në këtë rast kritka pa këtë komponent do të ishte një thashethem steril.

Njeriu dhe Kryqi

Një poezi plot me pyetje është kjo e Bardhyl Londos ! Pyetja në këtë rast është instrument i një mendje të hapur apo e një shpirti religjioz. Ajo është një gjendje mendore e kushtezuar nga semantika e vete ekzistences, me raportin e njeriut me natyren dhe me të ngjashmin e tij me mitin dhe besimin e tij bazik që është Kryqi një “kryq që më kujton çdo çast të jetes se gurët janë gati të hidhen mbi mua/ se Juda pret me padurim të me tradhetojë dhe Pjetrin nuk e zë gjumi derisa të kendojë kendesi dhe të mëë mohojë tre here”!

Umberto Saba ka një shënjë dalluese të poezisë së tij, një çeles leximi për poezinë e vet por edhe të tijen për të eksploruar boten, ajo është një shpend – pula. Çdo poet e ka një të tillë, Bardhyl Londo ka “kryqin”, stigmate e të cilit ndihen në çdo rresht, si bartes misioni, si predikues, si qengj në mes të ujqerve, si gjak që të kujton jeten e dhimbjet e saj, fillimin dhe fundin ! Ai pyet “ Po më thoni :A njihni dikë që të mos e ketë kryqin mbi supe?”. Fjala e krijo kryqin. Ajo e trasmeton atë nder shekuj. Fjala është Kryqi i tij që e gjakos.

Njeriu dhe kujtesa historike

Gjergj Kastrioti-Hamza Kastrioti dhe Donika janë tre poezi në kapitullin pervjetorit në të cilat burri, tradhtia dhe dashuria shpjegojnë vetveten në një lexim pa hierarki patetike të historisë. “Ti ishe aq i madh sa nuk dinim ku të të fusnim” …..” ka shekuj që të hamë e të brejmë sidomos kur vinë pervjetoret” i rrefen ai pershtypjen e vet Mbretit Gjergj ndersa Hamzait “vonë e kuptuam: ti ishe vetë ne, ne ishim ti” !

Kurse Donikes “ ..se vetem në shtrat ajo ishte grua, se vetem në shtrat nuk ishte Zonjë e rënde e Arbërisë”. Tek “De Oratore” Ciceroni shkruan që “historia është deshmitare e koheve,dritë e se vertetes, jetë e kujteses, mesuese e jetes”. Londo e di këtë e nga poezia e tij mbase do të na thotë që , memoria është njohje e një të shkuare që na lejon të jetojmë e interpretojmë të tashmen tonë nën pulsimin e ndergjegjes kritike.

Njeriu dhe Qyteti

Qyteti është Tirana, njeriu është njëri prej nesh që e shesh lumin mes permes saj me sytë e Bardhyl Londos “një lum llum… kurrë nuk do të derdhet brenda njeriut”, rruget magjike njera prej te cilave “edhe pse kaloj shpesh i vetem /kurrë s’e dita ç’do të thotë vetmi, është një rrugë në Tiranë, që më bën me teper njeri”, kodrat që “njohin vetem alfabetin e dashurisë”.

Në kapitullin një “lumë përmes qytetit” mund të tentojmë kerkimin e lirikes pas hetimit të reales si nevojë pë te besuar tek e bukura si alternative , tek forca e saj sheruese në qytetin që humbet referencat, kujtesen, natyren i cili individin e dehumanizon drejt numrave duke e zhveshur nga forma dhe permbajtja. Londo tenton digen e fundit ndertuar me litota një material që nuk blihet meqënëse është lëndë shpirterore.

Qyteti provoi izolimin, karantinen, depresionin, veren e mallkuar,fluturimin e korbave të cilet “vazhdonin gjuetinë makabre, të zinj, të piset si ferr/vonë si spermë e një dhunimi fatal, një re mbi qytet shiun derdhi“! Poeti është aty në dritare me cingaren ndezuar duke shkruar dëshminë e tij.

Njeriu dhe vdekja

Londo e lexon njeriun në plotësinë dhe boshllekun e tij. Një antropologji që duhet të mbajë sebashku dy gjëra, jo vetem njeriun e vetmuar të zbrazur, boshin e tij që nuk mbushet por edhe njeriun plot pa mungesa. Njëra është realitet , tjetra kujtim. Ateherë cfarë është boshlleku që në të njejten kohe mbushet me kujtim? Ajo është shenja që bëhet poezi.

Ajo është një “varreze shetitese” ku poeti shetit “me te vdekurit e tij”. Është një grua që ka ikuar nga Itaka e tij, Penelopa e perjetshme qe në Parajsë e pret pa nxitim “qe e ndjek kudo nga pas “kendej në tokë dhe“ derdh gotën e tepert të verës, më jep ilaçin kur vjen orari, nga frika mos e harroj pa pirë, më shtron tavolinen kur më merr uria”!

Sokol Olldashi “I shkel syrin dhe fton për një bilardo”, “Teodora Laço ka hapur shahun dhe pret levizjen time te gabuar”. Të gjitha shënjat në me të egrin e muajve Prillin siç e therriste Eliot, me të hidhurin siç e perkufizon Londo I shfaqen, si mall, si vaj, si mugese, si bosh që kerkon të mbushet, por Kryqi këtë ka perjetesine me misterin e besimit dhe jo rikthimin fizik, ai me forcen e dashurisë të mundon e gezon.

Por dilemma mbetet si mohimi I trete I Pjetrit aqsa në njëq muzg apo agim të vjen të pyesesh veten “Ndoshta erdhi ora të iku /sytë të mbyll si një perde tragjedishë/pikëpyetjen toturuese do marr me vete’ a ishte jetë kjo apo gjë tjeter ish ?”

Njeriu dhe sivellezerit e tij

London në qetesinë e hidhur të karantines bashkbisedon me sivellezerit e tij të Republikes së letrave. Ata janë miq të perhershem me emra të skalitur në trashigiminë kulturore të botes dhe të martuar të perjetshem me të, si Osip Mandelshtam,Andrej Voznjesenskij, Pazolini,Robert Hass, Adam Zagajevski e të tjerë. Në një kerkim universal dialogu është Bardhyl Londo për gravitetin e rendesen e njeriut në jetë, për jeten si nënë e si njerke, për të gjetuar atë që Ungareti e cileson si “fibra e universit” në logjikë e vanitet, në urrejtje e dashuri, në bosh e plotesi.

Njeriu dhe Dashuria

Duke lexuar “Prill i hidhur” arrita në një konkluzion fundor, pasi disa temave mes të shumtave që i shtjellova si dita e sa munda në menyrë abuzive siç është interpretimi, tejet i personalizuar. Pozicioni i njeriut në hapësirë dhe kohë nëë pikëprerjen e tyre merr kuptim jo nga inteligjenca e tij po nga diçka ku e ku më e jashtëzakonshme tek aftësia për të falur, “të lumë ata që falin”, thuhet në librin e shënjtë.

Njeriu është e vetmja krijese që e zoteron këtë aftesi të çuditshme, atë të të falurit si një forme lirie e dashurisë njerzore ose si dashuri e pakushtezuar ndonjehere edhe e padrejtë në dukje, por dashuria është e padrejtë, për fat nuk matet me kutin e drejtësisë. Padrejtësia e dashurisë është kontributi madhor me këtë liber që të fut te dridhurat me emocionet e forta, të magjeps shijet me elaborimin e tyre, të pikellon me fuqinë e tij testamentare, por edhe sjell dritë në letersinë shqipe të vitit të mbrapshtë 2020 duke vënë një kufi të ri në token e saj të pashkelur. Mos o Zot!

Pse keshtu? Vertete nga Kryqi lindim, Kryqin mbajmë dhe të Kryqi shkojmë a nuk mund të ishe me dorëlëshuar me ne, të paktën të ishte më i lehtë në të ngjitur? Lexojeni këtë libër për ta kuptuar teksa Bardhyl Londo tërheq putirin që Valentina s’e ka vënë ende re për t’ja hequr nga dora!

Përmbytjet në Gjermani/ Shqiptari shpëton shtetasin gjerman që e kishte mbuluar uji në makinë

Një shqiptar ka arritur që bashkë me kolegun e tij që po udhëtonin me kamion të shpëtojnë një gjerman nga përmbytjet që vijojnë që të marrin jetë në Gjermani dhe Belgjikë.

Shqiptari është kthyer në hero, Renato Temali nga Shkodra që jeton dhe punon në Gjermani ka qenë duke u kthyer nga puna kur kanë parë një person që ndodhej brenda një makine e cila ishte mbuluar nga vërshimi i ujit nga përmbytjet.

Temali ka dalë nga kamioni duke hipur mbi kabinën e makinës së ishte mbuluar nga uji dhe me një kaçavidë ka thyer xhamin e derës së shoferit për të shpëtuar drejtuesin e makinës që ishte mbuluar nga vërshimi.

Deri tani numri i viktimave ka shkuar në 190, ku 163 viktima janë regjistruar në Gjermani dhe 36 në Belgjikë.

Në mesin e qindra viktimave si pasojë e përmbytjeve në Gjermani është edhe një çift shqiptar nga Kosova.

Nga përmbytjet, Gjermania ka bilancin më të rëndë, por ende të zhdukur janë qindra persona, teksa puna për gjetjen e tyre vijon nga ekipet e kërkim shpëtimit.

Protesta në Lungomare vazhdon, biznesmeni: Rama flet përralla, Policia bandite kaloi vijën e kuqe

Armando Mirgjoni, administrator i një prej lokaleve në Lungomare, të cilët mbrëmë protestuan kundër fashës orare të muzikës të vendosur nga qeveria si edhe dhunuan nga policia, në lidhje të drejtpërdrejtë me Syri Tv, me moderatoren Eneida Ndoci, tha se, pavarësisht se Komiteti i Ekspertëve sot vendosi ta shtyjë këtë fashë në orën 23.00, ata nuk janë dakord dhe do të vazhdojnë protestën e tyre.

Mirgjoni i cilësoi si përralla thëniet e kryeministrit Rama dhe e cilësoi policinë si bandite me mënyrën se si ka vepruar mbrëmë.

“Mbrëmjen e djeshme të gjithë bizneset, baret, lounget, kanë vendosur Himnin Kombëtar në shenjë protestë kundër fashës orare të vendosur nga qeveria për muzikën.

Disa biznese pas orës 22.05, ka ardhur policia dhe ka shoqëruar me forcë të gjithë biznesmenët si edhe punëtorët që janë mbajtur në polici deri në orën 3.30 të mëngjesit.

Ne kemi vazhduar protestën derisa sa punëtorët janë liruar. Policia me veprimet e djeshme e ka kaluar vijën e kuq.

Dje ka qenë një terror policor. Ka 10 ditë që ky terror ka vazhduar, por dje ka qenë tmerr i vërtetë.

Ne si biznese jemi mbledhur dhe jemi në një zë që, që nga fillimi i Lungomares, edhe në zonën historike, ne do ta vazhdojmë protestën edhe sonte në orën 21.00.

Sonte pronarët dhe punëtorët do dalin në Lungomare me qirinj në dorë dhe do të protestojnë.

Nuk duam asgjë nga shteti. Duam vetëm, që të na largojnë policët banditë që na bëjnë presion.

Nuk jemi kundër policisë, sepse jemi për shtet ligjor por duam polici qytetare jo të jetë e ndikuar që të na bëjë presion dhe të ushtrojë dhunë. Dhe duam që të na shtyhet fasha pas orës 00.00 të mbrëmjes.

Deklarata e Ramës për ne nuk është aspak e mjaftueshme. Për ne kryesore është zgjatja e fashës orare, jo muzika. Ne nuk jemi kundër atyre që bëjnë ato zhurmat.

Me përrallat që bëri kryeministri sot që e zgjati me një orë fashën e muzikës ne nuk jemi me këtë, Ne jemi kundra dhe do vazhdojmë protestat.

Protesta e sotme do vazhdojë në vijëmësi dhe më pas do bisedojmë me kolegët. Do marrim një vendim, për më vonë si do operojnë”.