13.5 C
Tirana
E shtunë, 8 Nëntor, 2025

Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik denoncojnë aferën në Pazarin e Korçës: Tenderi që u dha pa garë ka përfunduar me punime jo cilësore

Tre kandidatët për deputetë të Koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu, Elvin Bregu dhe Shpëtim Agolli, kanë denoncuar atë që e quajnë një aferë korruptive në rikonstruksionin e Pazarit të Korçës.

Sipas tyre, ky projekt është një tjetër rast i shpërdorimit të fondeve publike përmes një tenderi pa garë dhe me fitues të paracaktuar, ashtu si rikonstruksioni i Parkut “Rinia” dhe sheshi pranë kullës “Panorama”. Ata theksojnë se, përveç keqmenaxhimit financiar, Pazari i Korçës është kthyer në një zonë të mbushur me biznese të falimentuara, mbeturina dhe infrastrukturë të dobët që përmbytet me reshjet e para.

Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik shprehen se do të vazhdojnë të denoncojnë aferat korruptive dhe të jenë në krah të qytetarëve për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ata i bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen në kauzat e tyre, duke theksuar se “Korça meriton më shumë”.

Postimi i plotë:

Përtej propagandës, Pazari i Korçës është jo vetëm një nga historitë e shpërdorimit të parave publike nëpërmjet një tenderi pa garë me fitues të paracaktuar, sikurse rikonstruksioni i Parkut “Rinia” dhe sheshit tek kulla “Panorama”, por mbi të gjitha, fatkeqsisht, një varrezë me biznese të falimentuara, të mbuluara nga pirgje plehrash dhe ku nga cilësia shumë e dobet e punimeve, mjafton një shi… dhe gjithçka përmbytet.

Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik janë në krahë të qyetarëve, duke denoncuar çdo ditë me prova dhe fakte jo vetëm aferat korruptive të pushtetarëve lokalë, duke qenë garant i zgjidhjes së problemeve dhe halleve të tyre të përditshme.

Ju ftojmë të na bashkoheni në kauzat tona që janë edhe kauzat tuaja sepse Korça meriton më shumë.

“Shumë shtete në kontinentin afrikan refuzojnë”- Rëndësia e njohjes së Kosovës nga Kenia, analiza e REL: Mund të sjellë ndryshim të kësaj politike, i nxit të marrin të njëjtin vendim

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shumë shtete e kanë njohur shtetësinë e saj. Por, shumë të tjera, si në kontinentin afrikan, ende refuzojnë ta bëjnë këtë, për shkak të shqetësimeve për lëvizjet separatiste brenda shteteve të tyre.

 

Qysh në takimin e parë të mbajtur nga Unioni Afrikan (UA) këtë muaj, Maroku – që udhëheq presidencën e këtij institucioni për muajin mars – bëri thirrje për mbrojtjen e “integritetit territorial”, si mënyrë për të ruajtur stabilitetin në kontinent.

Njohja nga Kenia mund të sjellë një ndryshim të kësaj politike, duke nxitur që edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.

Gëzim Visoka, autor i librit “Çnjohja e shteteve”, thotë se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.

“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.

Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se, në të ardhmen, Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se njohja nga Kenia mund të nxisë një trend të njohjeve të Kosovës.

Ai tha se, personalisht, do të bisedojë me udhëheqës të Afrikës Lindore për të parandaluar “përhapjen e trendit [të njohjes së Kosovës]”.

Ai, gjithashtu, paralajmëroi se në dy javët e ardhshme do të ketë tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga dy vende afrikane, por nuk i specifikoi.

Edhe në të kaluarën, Serbia ka njoftuar për tërheqje të njohjeve nga vende si: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana e të tjera.

Shumica prej vendeve për të cilat Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen, janë nga Afrika.

Visoka, më herët, i kishte cilësuar çnjohjet e pavarësisë së Kosovës si “akte të çrregullta”, që nuk kanë kuptim në rastin e Kosovës, pasi që arsyet e përmendura në njohjet fillestare – si konstatimi i 2010-tës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare – nuk kanë ndryshuar.

“Në shumicën e rasteve, çnjohjet ndodhin prej shteteve që janë kryesisht vende post-koloniale, pa traditë të gjatë diplomatike dhe që njihen për politikë të ndryshueshme të jashtme, që e ndërrojnë varësisht prej ndihmës financiare, ekonomike, bile edhe ushtarake, që marrin prej fuqive rajonale ose ndërkombëtare”, kishte thënë Visoka.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës e ka akuzuar Serbinë për presion ndaj shteteve për mosnjohjen apo tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën në Ohër më 2023, përmes “refuzimit të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”.

Pse ka nxitur reagime njohja nga Kenia?

Përveç shpresës nga Kosova dhe frikës nga Serbia se njohja e Kenias mund të nisë një trend të ri të njohjeve, njohja e Kenias në veçanti ka rëndësi.

Prej shteteve afrikane që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani, Kenia është shteti i dytë me bruto prodhimin e brendshëm më të madh, pas Egjiptit.

Pas zyrtarizimit të njohjes nga Kenia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me presidentin e Kenias, William Ruto, diskutuan edhe për “mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në tregti, arsim, turizëm dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”.

“Të dyja vendet tona janë të përkushtuara për hapjen e misioneve diplomatike si një hap konkret drejt një partneriteti të fortë dhe të qëndrueshëm”, shkroi Osmani në X.

Deri më tani, roli i Kenias në Ballkan ka qenë i kufizuar në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Por, në Afrikë, e veçanërisht në Afrikën Lindore, ky shtet gëzon një rol të rëndësishëm si fuqi rajonale, përmes pjesëmarrjes në projekte të ndryshme, si autostrada elektrike me Etiopinë dhe Rrjeti i Energjisë i Afrikës Lindore.

Kenia, gjithashtu, është anëtare themeluese e Komunitetit të Afrikës Lindore (EAC), kryesimin e së cilës tani e gëzon presidenti Ruto.

Ajo ka luajtur disa herë rol kyç edhe në ndërmjetësimin e konflikteve brenda rajonit.

Për shembull, më 28 mars, Kenia dërgoi ish-kryeministrin Raila Odinga në Sudanin Jugor, me synimin për të parandaluar rikthimin e luftës civile.

Pse nuk e njohin Kosovën më shumë shtete?

Që nga viti 2008, Kosova ka siguruar njohje nga gati 120 shtete. Në vitet e fundit, MPJD-ja është kritikuar nga opozitarë dhe njohës të politikës për mosangazhim për njohje të reja.

Visoka thotë se ka shumë arsye pse Kosova nuk ka siguruar më shumë njohje. Ndër to, kryesore janë “zhvendosja e prioriteteve të politikës së jashtme të Kosovës” dhe “fushata proaktive diplomatike e Serbisë për të parandaluar dhe, kur është e mundur, për të tërhequr njohjet e Kosovës”.

Sipas tij, ndikim ka pasur edhe Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar më 4 shtator 2021, kur Kosova është pajtuar që të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Kjo ka krijuar përshtypjen ndërkombëtare se Kosova nuk është më e interesuar për njohje të reja, ose se rruga për njohje duhet të kalojë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thotë Visoka.

Marrëveshja e Uashingtonit obligoi edhe Serbinë që të pezullonte iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që ta tërhiqnin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Visoka thotë se shumë shtete frikësohen se procesi i njohjeve mund të ketë efekte destabilizuese dhe t’i minojë interesat e tyre, “prandaj kanë prirje të ruajnë rendin ndërkombëtar ekzistues dhe t’i japin përparësi integritetit territorial ndaj së drejtës për vetëvendosje”.

Por, sipas tij, kjo gjë mund të ndryshojë, nëse shteti që kërkon njohje, si Kosova, angazhohet “me diplomaci proaktive” dhe “bashkëpunon ngushtë me aleatët e vet në botë”./REL

Importoi në vend 18 ton mish pule me salmonelë, shpallet në kërkim administratori i kompanisë! E pëson i vëllai dhe 3 inspektorë të AKU-së

Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë që dyshohet se importoi në vend 18 ton mishi pule me salmonelë.

 

Gjithashtu është proceduar vëllai i tij, si edhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“U kryen veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç”, informon policia.

Nga hetimet ka rezultuar se administratori i kompanisë, 50-vjeçari Arben Goxha, së bashku me vëllain e tij, 53-vjeçarin Mondi Goxha, kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës.

Ndërkohë 3 inspektorët e AKU, Gezim Hushi, 38 vjeç, Sada Lufta, 42 vjeçe, dhe Aldo Sinjari, 46 vjeç, akuzohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Njoftimi i policisë:

Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.

Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M. G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G. H., 38 vjeç, S. L., 42 vjeçe dhe A. S., 46 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllain e tij shtetasin M. G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës. Shtetasit G. H., S. L., dhe A. S., në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Rikthimet…

Nga Ardi Stefa

Në politikë lehtësisht ikën, por vështirë se rikthehesh. Shumë pak veta kanë qenë përjashtmi i rregullit.

Përsa i përket Berishës, kjo nuk vlen (sikundër pretendojnë disa analistë), sepse ai nuk u largua kurrë.

Humbi zgjedhjet, ngeli kryetar i partisë dhe i opozitës, i fitoi ato pas disa vitesh; i rifitoi; i humbi për t’u “larguar”, i humbi përsëri edhe pse ishte në hije dhe përsëri do t’i humbasë, pavarësisht se pretendon se do të fitojë e do ta bëjë Shqipërinë Madhështore…

Arsyeja?
Ka një milion arsye pse opozita duhet të fitojë, ashtu sikundër ka po një milion arsye pse duhet t’i humbasë…

Dhe arsyeja e parë dhe më kryesore është reformimi, ndryshimi, modernizimi dhe përshtatja e opozitës me epokën e re. Reformimi në ide, burime njerëzore, vlera, meritokraci, program, retorikë e veprim.

Por a mund të ndodhë? Vështirë!

E kapur me thonj e dhëmbë pas së kaluarës; në kulte, njerëz, ide, retorikë e mentalitet opozita jonë nuk e ka seriozisht marrjen e pushtetit. Të qenët në opozitë është më komode për të. E “ngrin” kohën atje ku e tek kush i intereson, pa llogaritur që bota përreth nuk “ngrin”, as qëndron e as pret bashkë me të. Dhe, sa kohë që ajo ngujohet në pritje në kullën e saj të fildishtë, bota e njerëzit jashtë ndryshojnë e evoluojnë vazhdimisht pa pritur të zgjohet e të ndryshojë opozita që “do të rikthehet”!

Ndërkohë përpjekja e organizuar e qeverisë për të investuar e për të mos lejuar ekzistencën e një opozite serioze e konkurruese përkohësisht i ka dhënë dorë, por në fund të fundit në një moment do t’i kthehet kundër. Sepse ky investim kundër opozitës nuk ishte gjë tjetër veçse rezultat i një qëndrimi arrogant, ngaqë te pozita mbizotëron perceptimi autoritar se, duke qenë se nuk kishte opozitë për të ushtruar presion, gjithçka do të “rregullohej” siç donte ajo.

Opozita si kundërshtare e qeverisë nuk i intereson shumicës së elektoratit, përveç opozitës dhe ndjekësve të saj.

Në të kundërt, opozita si “qeveri e ardhshme” na intereson të gjithëve.

Natyrisht fragmentarizimi dhe pamundësia rrugëtojnë bashkë në politikë. Sa më shumë të ngelet jashtë e larg pushtetit opozita, aq më shumë e ka të pamundur, dobësohet e zbehen karakteristikat e saj qeverisëse.

Dikur Xhulio Andreoti ka thënë: “Pushteti dobëson atë që nuk e ka!”

Dhe le të mos gënjejmë veten. Do të jetë e vështirë që të ketë ndryshim të qeverisë aktuale në 11 maj 2025.

Përveç se nëse “qeveria e ardhshme” do të jetë e sotmja me ndonjë shtesë: të ndonjërit apo disave nga opozita e sotme.

Vullnetarët? Janë të rrallë, por jo e pamundur të gjenden…

PSD rikthen kandidatë “të dënuar” në zgjedhjet parlamentare

Nga Dallandyshe Xhaferi dhe Sabina Nika

Në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit nga rradhët e Partisë Socialdemokrate të drejtuar prej Tom Doshit do të garojnë 186 kandidatë për deputetë, duke regjistruar edhe numrin më të lartë të kandidatëve nga kjo parti në 12 vitet e fundit.

Sipas të dhënave që “shteg.org” disponon, rezulton se 15 prej tyre janë autorë të veprave të ndryshme penale, brenda dhe jashtë vendit, por sipas ligjit shqiptar rezultojnë “të rehabilituar”, ndërkohë që shumica e kandidatëve nuk kanë një profil publik.

Nga vëzhgimet që “shteg.org” ka realizuar në profilin e kandidatëve të PSD-së në rrjetet sociale, vetëm 10 prej tyre kanë publikuar foto të PSD-së dhe të Tom Doshit gjatë fushatës, ndërkohë që 31 kandidatë nuk kanë postuar asnjë përmbajtje, 29 janë të joaktivë në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, dhe pjesa tjetër nuk ka një të tillë apo shpërndajnë vetëm postime të ceremonive familjare.

Njëri prej kandidatëve që garon në zgjedhjet parlamentare të 2025 është edhe Flori Tomçini, i cili rezulton të jetë gjykuar nga gjykata Italiane dhe ajo greke vite më parë. Tomçini bëhet aktiv në rrjetet sociale vetëm gjatë periudhës së fushatave duke pozuar me kryetarin e PSD-së, Tom Doshi. Ai ka kandiduar për anëtar të Këshillit Bashkiak në Dibër në vitin 2022, si dhe është i përfshirë në listën e PSD-së për deputet në zgjedhjet aktuale.

KQZ vendosi për përfshirjen e tij në garën për deputetet, pasi sipas ligjit shqiptar cilësohet “i rehabilituar”.

Të rehabilituar dhe “të padënuar” cilësohen ata individë që mund të kenë kryer dënim me burg deri në 20 vite, por gjatë 10 viteve nga vuajtja e dënimit nuk kanë kryer asnjë vepër tjetër penale.

Kandidati që nuk mban mend përse është dënuar

Flori Tomcini
Credits: facebook – Flori Tomçini

Flori Tomçini, kandidati për deputet nga Qarku i Dibrës, është një prej socialdemokratëve që më herët ka pasur probleme me ligjin.

Sipas verifikimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai ka pasur dënime të mëparshme nga Drejtësia italiane dhe ajo greke.

Ai ka qenë i gjykuar nga gjykata e Peruxhias në Itali në vitet 2015-2016, për arsye që, sipas tij, nuk i mban mend. Po në vitin 2016, Tomçini është dënuar nga gjykata e Selanikut në Greqi për “thyerje kufiri”. Sipas vetëdeklarimit të tij, ai nuk është në dijeni për arsyet e dënimit dhe thotë se nuk ka informacion për proceset gjyqësore që kanë ndodhur.

Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, shprehet për “shteg.org” se partitë politike kanë mundësinë të verifikojnë kandidatët e tyre përpara se ata të shpallen publikisht, por shumë herë ato e konsiderojnë pastërtinë e figurës si përgjegjësi personale, duke shmangur një verifikim të plotë. Kjo mund të ketë sjellë edhe pasoja për Partinë Socialdemokrate, e cila ka injoruar potencialin rrezik nga lidhjet e paspecifikuara juridikisht të disa kandidatëve.

Pavarësisht mungesës së informacionit rreth dënimeve të tij, Tomçini ka arritur të pozicionohet si kandidat për deputet pa u ekspozuar shumë në rrjetet sociale. Aktiviteti i tij është kryesisht i përqendruar gjatë periudhave të fushatave, ku ai shpesh pozon para banderolave të PSD dhe përpiqet të mbajë lidhje me 1.9 mijë ndjekësit e tij, të cilët ai i inkurajon të mbështesin përfaqësimin e tij në Kuvend.

Megjithatë, Tomçini nuk është i vetmi kandidat me të kaluar të tillë juridike.Në rradhët e Partisë Socialdemokratike gjenden dhe 14 kandidatë të tjerë të gjykuar më herët nga drejtësia shqiptare dhe ajo e huaj. Ky fenomen nuk është i ri, pasi në zgjedhje të tjera ka pasur kandidatë që janë cilësuar si “të rehabilituar”, duke ngritur pyetje për transparencën dhe etikën e procesit të selektimit të kandidatëve.

Pas marrjes së Kryesisë së kësaj Partie nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, në vitin 2017, në listat e kandidatëve për deputetë nuk kanë munguar personat të akuzuar dhe të shpallur fajtorë për çështje të ndryshme, duke nisur që nga vepra penale e “rrahjes”, “organizim i lotarive të palejuara” e deri tek vepra penale “sjellje e padenjë në shoqëri”.

10 vite pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, qëllimi i së cilit ishte garantimi i besimit të publikut në pavarësinë e institucioneve dhe pastrimin e figurës së politikanëve, ende në listat e kandidatëve për deputet përfshihen persona të akuzuar dhe dënuar më parë për kryerjen e disa veprave penale.

Dashnor Shehi, drejtues i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, shprehet se përfshirja e personave me të kaluar kriminale në listat e kandidatëve për deputetë nuk është një problematikë që i përket vetëm një partie politike, por është një shqetësim më i gjerë.

Shehi sjell në vëmendje rastin e zotit Meta, i cili është nën hetim dhe madje i burgosur për krime të cilat janë të mjaftueshme për ta mbajtur në burg. Ai thekson se, megjithatë, Meta e sfidon procesin ligjor dhe hyn në zgjedhje si kandidat.

“Po marrim një rast, Meta është nën hetim, është madje i burgosur, se presupozohet se krimet që ka bërë janë të tilla që ta mbajnë në burg. Mirëpo ai e sfidon të gjithë këtë proces edhe hyn në zgjedhje,” – thotë Shehi.

Sipas tij, përfshirja e personave me të kaluar kriminale në listat e kandidatëve ka një ndikim negativ në politikbërjen dhe konkurrencën politike. Ai thekson se ky veprim bie ndesh me synimin për të pasur figura të pastërta në politikë.

“Që nga ai moment gjysma e këtij pretendimi për të pasur njerëz të pastër bie, sepse ata të tjerët nuk janë fare as në arrest shtëpie, as në arrest me burg, dhe ti po i heton, por ai që është nën arrest hyn në listë dhe është protagonist në zgjedhje,” – thotë Shehi.

Ndërkohë, Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, shprehet se në Shqipëri është e nevojshme miratimi i një ligji që të rregullojë veprimtarinë e partive politike. Ai thekson se ky ligj duhet të marrë në konsideratë jo vetëm imazhin e kandidatëve, por edhe financimin e tyre, për të siguruar një transparencë më të madhe dhe një proces më të drejtë zgjedhor.

Një parti apo një individ?

Posteri i Tom Doshit për kandidimin në Shkodër
Credits: Partia Socialdemokrate – Posteri i Tom Doshit për kandidimin në Shkodër

Partia Socialdemokrate e cila prej vitit 2017 kryesohet nga Tom Doshi, është formuar që në vitin 1992 kur në krye të saj qëndronte akademiku Skënder Gjinushi. Aktiviteti i saj me shtimin e numrit të kandidatëve në listat e votimit është rritur kryesisht pas vitit 2017, ndërkohë që deri në momentin kur drejtimin e partisë e mori Doshi asnjë kandidat nga rradhët e saj nuk kishte mundur të siguronte një mandat deputeti nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe 2013.

Sipas të dhënave që “shteg.org” disponon, numri i kandidatëve të PSD-së për deputetë, ose edhe për anëtarë të këshillave bashkiakë është rritur ndjeshëm 10 vitet e fundit, duke numëruar me dhjetra në të 12 qarqet e vendit.

Rritja e numrit të mbështetësve të kësaj partie është reflektuar edhe në mbështetjen financiare që KQZ-ja miratoi ditën e premte, 21 Mars, në të cilën u vendos që PSD-ja të marrë një buxhet pre 3 milionë lekësh prej fondeve publike për të zhvilluar fushatën e saj.

Megjithatë, në faqen zyrtare të kësaj partie nuk publikohet asnjë material që ka të bëjë me kandidatët apo me grupin e partisë. I vetmi informacion në rubrikën “Rreth Partisë” është historiku i partisë dhe imazhi i Kryetarit, Tom Doshi, për të cilën përveç takimeve me elektoratin janë publikuar dhe artikuj të dedikuar zemërgjerësisë dhe ndihmës së tij për njerëzit në nevojë.

Tom Doshi duke takuar Papa Françeskun
Credits: Faqja zyrtare e PSD-së – Tom Doshi duke takuar Papa Françeskun

Në artikullin “Misionari i Politikës Shqiptare, kryetari i PSD-së, Z. Tom Doshi”, shfaqet i buzëqeshur përballë Papa Françeskut, ndërkohë që në tekst theksohet ndihma e tij ndaj një banori të Shkodrës, të cilit i ka mundësuar financimin e operacionit.

Ndërkohë, kandidatet e tjerë të listës së PSD-së nuk gëzojnë asnjë promovim të dukshëm. Faqja zyrtare e partisë nuk ofron informacion rreth kandidatëve, dhe aktiviteti i tyre është praktikisht i pamundur të gjendet në rrjetet sociale. Nga 186 kandidatë, vetëm një numër i vogël, rreth 10 prej tyre, janë aktivë dhe publikojnë përmbajtje që lidhen me Partinë Socialdemokratike.

Sipas Drejtorit ekzekutiv të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, PSD-ja ngjason më shumë me një biznes se sa me një parti politike, që mundi të forconte akoma dhe më shumë pozitat e saj pas bojkotimit  të opozitës nga zgjedhjet e 2019-s. Nëse në Shqipëri do të zbatoheshin standartet e Bashkimit Evropian, PSD nuk do të ekzistonte si parti politike.

“Nëse hapni faqen e internetit të PSD-së nuk ka të dhëna mbi kryesinë dhe strukturat vendimmarrëse, apo ndonjë njoftim për mbledhje ku diskutohet dhe merren vendime. Doshi është kreytar i PSD-së, është biznesmen, është pronar i partisë dhe ka një listë të personalizuar të siguruar përmes njohjeve të tij”, – thotë Krasniqi duke shtuar se “de facto” prej 10 vitesh PSD-ja është në koalicion me Partinë Socialiste pasi e ka mbështetur në çdo akt.

Sipas Krasniqit, ky grupim politk as në këtë fushatë nuk ofron asgjë më shumë se sa modeli i kandidaturave të zgjedhjeve të kaluar.

“Domethënë është e njëjta përpjekje e tyre për të siguruar një votë klienteliste në zonën e Shkodrës dhe të Tiranës për të ndikuar në qeverisjen e vendit” përfundon ai, ndërkohë që aktualisht në parlament ushtrojnë mandatin e tyre 3 deputet nga PSD-ja, 2 nga qarku i Shkodrës (Meri Markiçi dhe Gledi Çeliku) dhe një nga Tirana (Gertjan Deda).

Nga “të dënuar” në kandidatë për deputet

Flamuri i Partisë Socialdemokrate
Credits: Partia Socialdemokrate – Flamuri i Partisë Socialdemokrate

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe të vitit 2013 Partia Socialdemokrate nuk siguroi asnjë mandat nga rradhët e saj për të përfaqësuar mbështetësit në Parlament, deri sa më 2017 nga kjo parti u zgjdh si i vetmi deputet Tom Doshi, ish-deputet i Partisë Socialiste.

Shtimi i numrit të kandidatëve për deputet në listën e Partisë Socialdemokrate është shoqëruar ndër vite edhe me rritjen e numrit të “kandidatëve të rehabilituar”, të cilët sipas dokumentave që “shteg.org” disponon nga KQZ-ja rezulton që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, katër kandidatë, mes të cilëve edhe Kryetari Doshi, ishin shpallur fajtorë për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Tom Doshi, i cili mbante dhe numrin “1” si kandidat nga qarku i Shkodrës, ka vetëdeklaruar se ishte akuzuar nga Kolegji Ushtarak Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të sjelljes së padenjë në shoqëri në vitin 1990.

Gjithashtu, Doshi është ndër politikanët e parë të shpallur familjarisht “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018. Sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, Doshi ishte i përfshirë në korrupsion domethënës, ndërkohë sipas një investigimi të realizuar nga OCCRP dyshohet se ai drejton një grup të organizuar kriminal në Australi.

Përveç Doshit, kandidatë të tjerë që kanë kryer më herët vepra penale dhe më pas kanë shpallur kandidaturën në zgjedhjet për Kuvend të 2017-s ishin: Lami Troci kandidat i Qarkut Dibër, i cili në vitin 2014 është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për veprën “organizim i lotarive të palejuara” dhe është dënuar me 60 mijë lekë gjobë; Xhejdi Saraçi, ishte njëri prej 16 kandidatëve nga qarku i Fierit, i cili nuk ka deklaruar asnjë dënim të formës së prerë, megjithatë ai është shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë në vitin 2013 për veprën penale të drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie apo në gjendje të dehur.

As kandidatja e Qarkut të Tiranës, Zhaneta Harka në vitin 2017 nuk ka deklaruar se ka marrë një dënim të formës së prerë apo kundravajtje penale, megjithatë sipas vërtetimit të Gjendjes Gjyqësore, në vitin 2000 është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me 5 mijë lekë gjobë për vepren penale të rrahjes.

Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 11 Majit në listën e PSD-së janë identifikuar 15 kandidatë të proceduar më parë penalisht, ndërkohë që për Afrim Krasniqin, nëse Shqipëria do të kishte një ligj për rregullimin e partive politike, dhe nëse do të ndiqte standardet e Bashkimit Evropian për zbardhjet e problemativa që lidhen edhe me transparencën e financimit të partive, PSD-ja nuk do të ishte pjesë e jetës politike.

Fenomeni Socialdemokrat

Mitingu i Partisë Socialdemokrate
Credits: Facebook – Mitingu i Partisë Socialdemokrate

Gjatë 3 proceseve zgjedhore për anëtarë të Këshillit Bashkiak, konkretisht në vitet 2015, 2019 dhe 2023 Socialdemokratët kanë regjistruar 1196 kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit. Konkretisht 411 prej tyre kanë kandiduar në vitin 2015 dhe asnjë prej tyre nuk ka rezultuar të jetë autor i ndonjë vepre penale. Ndërkohë, në vitin 2019 PSD-ja ka rregjistruar 263 kandidatë për këshillat bashkiakë, 7 prej të cilëve kanë rezultuar si autorë të disa veprave penale.

Ata janë rregjistruar si kandidatë për Këshillin Bashkiak të Lezhës, Vlorës, Fierit dhe Korçës, dhe veprat penale për të cilat janë shpallur fajtor më parë varjojnë nga “vrasje nga pakujdesia”, “vjedhje e mbetur në tentativë”, “plagosje e lehtë me dashje” dhe deri tek shpallja fajtor për “falsifikimi të dokumentave”, ndonëse kishin kaluar 4 vite që nga miratimi i ligjit “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike”, njohur ndryshe edhe si ligji i dekriminalizimit.

Konkretisht, kandidatët e dënuar më herët nga gjykatat që kandiduan për Këshillin bashkiak të Lezhës më 2019-n janë Ardian Marku, Erin Gjoni dhe Bledar Deda. Dy të parët, Marku dhe Gjoni, arritën të siguronin edhe votat e nevojshme për të qenë anëtarë të Këshillit Bashkiak Lezhë, ndërkohë që në total Këshilli Bashkiak kishte 6 mandate nga PSD.

Adrian Marku rezulton të jetë i dënuar 2 herë nga gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë për dy vepra të ndryshme penale në vitin 2003 dhe vitin 2006. Konkretisht, në 2003-shin Marku është shpallur fajtor për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake, për çka është dënuar me 6 muaj burgim. Ndërkohë në vitin 2006 është dënuar me 200 mijë lekë gjobë për shkak të kryerjes së veprës penale “Kontrabandë me mallrat e tjerë”.

Marku nuk ishte kandidati i vetëm që kishte kryer më shumë se një vepër penale para marrjes së statusit “anëtar i Këshillit Bashkiak”. Erin Gjoni, sipas të dhënave të vendosura në dispozicion të “shteg.org” nga Komisioni Zgjedhor, rezulton se Gjoni gjatë viteve 2009-2017 është ndaluar nga policia dhe është dënuar nga Drejtësia shqiptare, italiane dhe malazeze për kryerjen e disa veprave penale. Në vitin 2009 Gjoni i ndaluar nga prokuroria e Shkodrës për përdorimin e patentës fallco të automjetit. Ai i është nënshtruar masës së detyrimit me paraqitje, ndërkohë që në 1 mars 2010 rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Rrethit Shkodër me 2 vite e dy muaj provë, masë e cila konsiston në mbajtjen e kontakteve me zyrën vendore të Shërbimit të provës, çka konsiston në qëllimin për mos kreyerjen e asnjë vepre penale gjatë kohës që ndodhet nën këtë masë.

Kjo masë u mor ndaj Erion Gjonit për shkak të kryerjes së veprave penale të parashikuara në nenin 186/1 dhe 291 të Kodit Penal, të cilat korrespondojnë me “Drejtimin e mjetit në gjendje të parregullt” dhe “Falsifikim i dokumentave”.

Në vitin 2011 Gjoni është gjykuar nga Drejtësia italiane për veprën penale “konflikt të çastit” dhe më 27 shtator është vendosur masa e dënimit 5 vite e 3 muaj pezullim. Në 2017 ai është ndaluar nga Prokuroria Hervegov Novi në Mal të zi me arsye “Pasaportë e dëmtuar” vepër për të cilën ka paguar gjobë.

Kandidatë nga lista e PSD-së, të cilët kanë kandiduar si anëtarë të Këshillit Bashkiak në Fier dhe kanë rezultuar si fajtorë për kryerjen e veprave penale janë, Enver Hajdini dhe Sentiljan Goga.

Hajdini është shpallur fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier më 1978 për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”, për të cilën është dënuar me 6 muaj “riedukim nëpërmjet punës”. Ndërkohë, Sentiljan Goga është deklaruar fajtor për “vjedhje të mbetur në tentativë” për çka është dënuar edhe me 3 muaj burgim.

Asnjëri prej dy kandidatëve nuk mundi të siguronte mandatin e antarit të Këshillit Bashkiak më 2019-n, ndonëse PSD-ja siguroi 5 mandate në Këshillin me 51 mandate në total. Thënë ndryshe, PSD arriti të siguronte në Fier 4670 vota.

Në Korçë i vetmi “kandidat i rehabilituar” në zgjedhjet lokale të 2019-s rezultoi Aleksandri Llazari, i cili është dënuar me 8 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia” në vitin 2011./shteg.org

Drejtori i institutit “Piepoli” e pranon: Nuk kemi pyetur për Bashën në sondazhet tona

Në emisionin “Frontline” u diskutua sondazhi i tretë i Institutit “Piepoli”, ku u pa përqindja e partive politike dhe pëlqyeshmëria e drejtuesve të këtyre partive.

Në lidhje skype, presidenti i këtij instituti Livio Gigliuto foli për mekanizmin e përdorur, për numrin e të pyeturve dhe për marzhin e gabimit.

Teksa në një moment, ndërhyre gazetari Poli Hoxha, i cili u shpreh se ky sondazh nuk përkon me zhvillimet e fundit dhe me aktivitetin politik të Lulzim Bashës, duke i bërë një pyetje të drejtpërdrejtë.

Hoxha e pyeti në është përfshirë Lulzim Basha dhe grupimi i tij politik në pyetësorin e këtij sondazhi apo jo, sepse nëse del në këto shifra që ju e paraqisni, i bie që ditët e fundit të mos ketë ndodhur asnjë gjë në Shqipëri.

Livio Gigliuto e pranoi live se Lulzim Basha dhe Koalicioni Euroatlantik nuk janë përfshirë në sondazhin e tij, duke mos qenë në pyetësorin drejtuar qytetarëve, mirëpo një pyetje e tillë mund të përfshihet në sondazhet e ardhshme.

Kjo është hera e parë kur një kompani zhvillimi sondazhesh e pranon live që nuk e ka përfshirë emrin e Bashës në sondazhet e saj.

Video më poshtë:

Presidenca e Kosovës kundërshton propozimin për shtrenjtim e energjisë elektrike

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur të premten se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.

Reagimi i Presidencës ka ardhur pas paralajmërimeve të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Mes tjerash, në komunikatë është përmendur që ndonëse ndryshimet e propozuara po bëhen me qëllim të rritjes së sigurisë dhe furnizimit me energji në vitin 2025, rritja e çmimit të energjisë elektrike “po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg”.

“Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare”, është thënë në komunikatën e Presidencës, e cila është publikuar në ditën e fundit kur ZRRE ka thënë se pranon komentet dhe sugjerimit rreth propozimit për shtrenjtim.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

Në fillim të marsit, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, paralajmëroi për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme.

Në intervistën për REL-in, ai tha se për të zvogëluar sasinë e importit, Kosova duhet të rrisë prodhimin vendor, sidomos përmes energjisë alternative.

Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.

Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

Aktualisht, mbi 20 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga burimet alternative, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Autoritetet e Kosovëskanë thënë më herët se synimi është që pas vitit 2031, 35 për qind e energjisë elektrike të gjenerohet nga këto burime.

Strategjia për Energji 2022-2031 e Kosovës përqendrohet tek investimet në energji të ripërtërishme, por një pjesë përfshin edhe Termocentralin Kosova A, përkatësisht investimet në së paku një njësi apo bllok të tij./rel

Silvinjo “gozhdoi” Muçin në stol, Solskjaer i jep fanellë titullari ndaj Gallatasarajt. Sulmuesi shqiptar mund të barazojë ikonën Mario Gomez

Ernest Muçi ishte spektator pa pagesë në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares shqiptare, pasi si në ndeshjen ndaj Anglisë, ashtu edhe në atë ndaj Andorrës, trajneri Silvinjo e la gjatë gjithë kohës në stol futbollistin.

Fjalët e trajnerit për të pas sfidës me Andorrën kur theksoi se të gjithë duhej të jepnin maksimumin për të fituar vendin në formacion, nuk lanë një shije të mirë, duke llogaritur se Muçi vlerësohet si një futbollist i cili premton të jetë protagonist me Shqipërinë për shumë vite. Por nëse Silvinjo nuk e sheh Muçin të gatshëm për një vend në rreshtimin e tij, ndryshe është situata me Ole Gunar Solskjaer te Beshiktashi.

Mediat turke raportojnë se ai është gati t’i besojë Muçit një fanellë titullari në derbin kundër Gallatasarajt që zhvillohet këtë të shtunë. Një vendim i rëndësishëm, që përkon me lajmet që janë përhapur në media se Solskjaer dëshiron të marrë maksimumin nga Muçi dhe kohët e fundit ka zhvilluar edhe biseda personale me të për ta ndihmuar që të rifitojë besimin.

Për Muçin kjo ndeshje mund të jetë e veçantë nëse ia del që të gjejë rrugën e rrjetës ndaj Gallatasarajt. Sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen e fazës së parë dhe nëse e bën edhe në të dytën, atëherë do të bëhej lojtari i parë që nga sezoni 2015-2016 kur ia doli për herë të fundit gjermani Mario Gomez, që të shënojë në të dy ndeshjet derbi me Gallatasarajn.

A mund të ndihmojë tërshëra në humbjen e peshës?

Tërshëra është një nga ato ushqime që mund të përshtatet në çdo vakt dhe kohë të ditës. Por a është vërtet një aleat në humbjen e peshës apo thjesht një tjetër trend dietik

Shkakton ngopje dhe mund të ndihmojë në humbjen e peshës.

Një nga avantazhet e mëdha të tërshërës është se ju mban më të ngopur për më gjatë. Është plot me fibra të tretshme, të cilat kur arrijnë në zorrë, formojnë një lloj “xheli” që ngadalëson tretjen dhe përthithjen e sheqernave. Kjo do të thotë më pak rritje të sheqerit në gjak dhe më pak dëshira.

Megjithatë, sasia ka rëndësi. Idealisht, një porcion prej 70 gramësh deri në tre herë në ditë është i mjaftueshëm. Nëse e teproni, mund të përfundoni duke marrë më shumë kalori sesa digjni.

Kujdeset për shëndetin e zorrëve

Zorrët janë “truri” i dytë i trupit dhe shëndeti i tij ndikon në gjithçka, nga tretja deri te sistemi imunitar dhe disponimi. Tërshëra është plot me fibra prebiotike, të cilat ndihmojnë në balancimin e florës mikrobike të zorrëve. Kjo jo vetëm që përmirëson tretjen dhe funksionin e zorrëve, por gjithashtu redukton inflamacionin në trup, i cili madje mund të ndihmojë në parandalimin e obezitetit.

Mund të përmirësojë gjendjen shpirtërore

Dieta ndikon drejtpërdrejt në disponimin tonë dhe tërshëra ka diçka të veçantë që e lidh atë me psikologjinë e mirë: triptofanin. Triptofani është një aminoacid që trupi e përdor për të prodhuar serotonin, i njohur gjithashtu si “hormoni i lumturisë”.

Përveç kësaj, tërshëra është e pasur me vitamina B, të cilat luajnë një rol në funksionimin e duhur të sistemit nervor dhe prodhimin e energjisë.

Pra, tërshëra nuk është vetëm një tjetër ushqim “i shëndetshëm”. Është një shumë-mjet i vërtetë ushqyes që mund t’ju ndihmojë të ndiheni më të ngopur, të përmirësoni tretjen dhe të përmirësoni disponimin tuaj.

Edhe sa mandate i duhen qeverisë për të shfarosur totalisht bujqësinë

Nga Klodian Tomorri

Grafiku më poshtë tregon rritjen reale të prodhimit bujqësor në tremujorin e katërt të 6 viteve të fundit. Ose më saktë rënen e tij. Baza krahasuese është vjetore, pra tremujori i katërt krahasuar me tremujorin e katërt të vitit parardhës.


Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, bujqësia shqiptare ka hyrë në një spirale të pandalshme rënie, duke shënuar tkurrje të prodhimit në pesë nga gjashtë tremujorët e fundit të vitit. Dhe shifrat e rënies janë të larta. Por çfarë do të thotë kjo?  Më poshtë, grafiku që tregon ndryshimin kumulativ të prodhimit bujqësor në vëllim.


Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, bujqësia shqiptare prodhoi 17.8 për qind më pak prodhim se sa në tremujorin e katërt të vitit 2018. Dhe efekti financiar i kësaj rënie është dramatik.

Nëse çmimet e prodhimeve bujqësore do të fiksoheshin në vitin 2020 për të pastruar efektin e inflacionit, atëherë rezulton se familjet bujqësore të Shqipërisë, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar fituan nga prodhimet e tyre 100 milionë euro më pak se sa fitonin në tremujorin e fundit të 6 viteve më parë.

Duke qenë se familjet fermere janë përgjithësisht ato me të ardhurat më të ulëta, impakti social i kësaj rënie është dramatik. Të varfër që bëhen gjithmonë edhe më të varfër për shkak të shkatërrimit të sektorit nga i cili ata sigurojnë shumicën dërrmuese të të ardhurave të tyre.

Dhe ky cikël i paprecedentë rënie, shtron natyrshëm një pyetje cinike. Edhe sa mandate i duhen qeverisë për të shfarosur totalisht bujqësinë shqiptare?

Nëse merr për bazën trendin e mandatit të fundit, rezulton se në vitin 2030, atëherë kur Edi Rama premton se do t’u japë shqiptarëve pasaportën e BE-së, bujqësia shqiptare do të ishte gati sa gjysma e asaj të vitit 2018.

Ky është një realitet distopik për shkak se ciklet e ekonomisë e bëjnë praktikisht të pamundur rënien e vazhdueshme të një sektori për një kohë të gjatë dhe kaq të thellë. Por po të shohësh atë që ka ndodhur me bujqësinë shqiptare në 7 vitet e fundit, misioni për të asgjësuar totalisht ekonominë rurale të vendit dhe fshatin nuk është aq i pamundur./ Kapitali.al