27.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

Basha, homazhe në nderim të Uran Kostrecit: Kemi humbur një kolos të qëndresës kundër diktaturës komuniste!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi homazhe në nderim të poetit dhe të veprimtarit antikomunist, Uran Kostreci, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Basha pas homazhe përcolli dhe një mesazh ngushëllimi për simbolin e qëndresës antikomuniste dhe luftëtarin e lirisë që vitet e rinisë i kaloi në burgjet e diktaturës.

Mesazhi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha

Sot është një ditë e trishtë, shumë e trishtë për të gjithë miqtë e Uran Kostrecit, për të përndjekurit politik dhe pasardhësit e tyre, për të gjithë shqiptarët patriot, ndahemi nga një njeri me vlera të jashtëzakonshme, me një dhimbje të dyfishtë, me vetëdijen që kemi humbur një kolos të qëndresës kundër diktaturës komuniste, një njeri që diti t’i përgjigjet dhimbjes, torturave dhe dramave me pastërtinë e shpirtit të tij, me një zemër të madhe që nuk u pushtua kurrë as në vitet e gjata nëpër burgjet e komunizmit dhe as pas daljes prej tyre, por përkundrazi prodhoi një nga veprat më të mëdha dhe më të thella, dëshmi të dhimbjes së jashtëzakonshme të një populli të tërë e në veçanti të atyre guximtarëve që çmimin e lirisë e paguan duke qenë të vetmit njerëz të lirë brenda burgjeve të komunizmit.

Dhe së dyti, me vetëdijen se plejadës së këtyre qëndrestarëve pak nga pak po i mungojnë fizikisht kolos të tillë si Uran Kostreci, ndërsa ne, brezit të ri dhe pasardhësve të tyre na lind detyra e madhe patriotike dhe privilegji, nderi dhe pesha e përgjegjësisë për ta mbajtur përherë të gjallë jo thjesht kujtimin e tyre, por kujtimin e guximit e shqiptarëve të rrallë si Uran Kostreci dhe shokët e tij përball terrorit, diktaturës dhe mekanizmave të saj.

Jam i bindur që sot shumica dërrmuese e atyre që e kanë njohur nga afër Uran Kostrecin, siç kam patur privilegjin edhe personalisht dhe shumë më shumë të tjerë të cilët nuk e kanë patur këtë privilegj por e kanë njohur përmes penës së tij, ndjej një zbrazëti në shpirt e i lutem zotit që pastë prehjen e merituar në paqen e përjetshme, të na lërë të gjithë ne e në veçanti familjarët e tij me kujtimet më të mira të këtij njeriu të rrallë me të cilin do të krenoheshte çdo komb.

Ju faleminderit!

Video/ Ministrja inspekton serën me domate, por kamera zbulon kanabisin, pas publikimit të videos pamjet fshihen me urgjencë

Disa pamje të postuara në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë së Bujqësisë së Bujqësisë, por edhe të vetë ministres Milva Ekonomi, për vizitën e kësaj të fundit në QTTB Lushnjë (Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore) ngrenë dyshimet se në serat e këtij institucioni mund të ketë dhe disa bimë të dyshimta.

Në videon më poshtë, në sekondat 36-37, në krah të domateve dukej një rresht me bimë, identike me kanabis sativa. Alert.al që publikoi i pari këtë skandal thotë se, ka kërkuar një sqarim nga ministria e Bujqësisë dhe jo vetëm që nuk mori përgjigje, por video e publikuar më herët u hoq, u modifikua dhe pamjet e “kanabisit” u zëvendësuan.

Sipas të njëjtave burime që citon edhe agronomë, njohës të fushës, bimët janë të ngjashme me kanabisin ose të kërpit industrial.

Duhet të ishte Ministria e Bujqësisë që të sqaronte gjithçka dhe mbi të gjitha përse e modifikoi videon e parë?

Ish drejtuesi i EULEX para Kuvendit të Kosovës: EULEX dënon politikanë pa prova, çfarë i dorëzuan Serbisë

Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, ka akuzuar këtë mision se ka kërkuar dënimin e disa prej figurave kryesore politike të Kosovës, pavarësisht nëse ndaj tyre nuk kishte prova.

Simmons raportoi të hënën ‘online’ para Komisionit të parlamentit të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Simmons deklaroi se EULEX nuk kishte synim sundimin e ligjit por ishte mision politik për të goditur figura kryesore të politikës në Kosovë me qëllim çuarjen para të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Simmons tha se qëllimi kryesor i punës së EULEX ndër vite në Kosovë ka qenë dënimet dhe jo procesi i drejtë gjyqsor ndërsa shtoi se misioni bëri shumë pak për hetimin e krimeve të luftës.

Ish-gjyqtari tha se rasti “Kleçka” – procesi gjyqsor kundër Fatmir Limajt për krime lufte – nuk duhet të kishte shkuar kurrë për gjykim pasi ndaj tij nuk kishte prova.

Megjithatë kjo ndodhi pasi siç deklaroi Simmons, atij iu kërkua nga shefi i operacioneve civile Kenneth Dean të largojë nga politika “peshqit e mëdhenj”.

Simmons akuzoi misionin e EULEX-it se i ka dorëzuar autoriteteve të Serbisë dosje të krimeve të luftës që i kishte trashëguar nga misioni i Kombeve të Bashkuara.

Raportimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, Simmons e kishte paralajmëruar për Exit më herët ku ka shpjeguar pozicionin e tij në lidhje me të gjitha akuzat ndaj misionit të EULEX-it.

Rritje rekord me 25% e çmimi të gazit dhe nga 5% çmimit të karburanteve

Çmimi i gazit është rritur me 25% brenda ditëws në të gjitha pikat e shitjes.
Në pikat e furnizimit me pakicë të karburanteve, këtë fundjavë është vënë re rritje të çmimit të naftës dhe benzinës.

Nëse në fillim të javës një litër naftë blihej me 157 lekë për litër, sot çmimi ka kapërcyer në 162 lekë, me rritje mesatare 5 lekë për litër.

Shkak për ndryshimin e radhës është rritja e çmimit të lëndëve djegëse në bursat ndërkombëtare, për shkak të rritjes së kërkesës me hapjen graduale të ekonomive të cilat prej një viti kanë pasur kufizime për shkak të pandemisë COVID-19.

Edhe gazi, ka njohur shtrenjtim me 20-25% në fund të muajit shkurt, duke u tregtuar me çmim 60 lekë për litër nga 45 që ishte më herët.

Në tregun shqiptar, çmimi i lartë dhe i paqëndrueshëm i karburanteve është pasojë edhe e taksave direkte, të cilat e bëjnë të pamundur konkurrencën me rajonin.

Sipas indeksit të Global Petrol Prices, pas karantinës, çmimi mesatar i karburanteve në Shqipëri ra me 35%, duke zbritur nga dhjetëshja e vendeve me karburantet më të shtrenjta në Europë. Por pas luhatjeve të fundit në bursa, duket se këto çmime po i drejtohen rritjes.

Niveli i taksimit në tregun e hidrokarbureve:

Taksa e Qarkullimit-27 Lekë/Litër
Taksa e Karbonit-3 Lekë/Litër
Taksa e Markimit-1 Lekë/Litër.

Reagimi i fortë i Malajt: Shteti i kapur, qeveri e kalbëzuar, kush qëndron pas tenderit 28 milionë euro në polici

“Dua të bëj dallimin a është korrupsion, a është kapje shteti. Instituti për mirëqeverisje është ngritur që më 2013, kur unë u ndava me politikën dhe ka studiues shumë të mirë shqiptarë dhe studentë të talentuar dhe ne jemi fokusuar ku mund të përmirësohet qeverisja. Një nga këto janë menaxhimi i financave publike sepse ajo është fusha kryesore.

Shkrimi për gropat e zeza, ekonomiksi i SPAK-ut është një vit përpara, nuk flasim kur ndodh një ngjarje, ne mundohemi të kontribuojmë çfarë duhet përmirësuar, por kur ngjarja ndodh ne shikojmë që ajo përpjekje që kemi bërë ne, dhe këtu nxis dhe kolegët e tjerë akademikë dhe të OJQ-ve, të jenë më aktivë për atë që duhet bërë më mirë. Në rastin konkret duhet përshëndetur ajo që bën SPAK, por duhet të dallojmë diçka shumë thelbësore. Gjithë ideja nga arrestimet duket sikur në majën e këtij korrupsioni kaq të madh janë thjesht punonjësit e administratës. Nga përvoja e gjatë, edhe para viteve ’90 dhe pas viteve ’90 është e pamundur që një punonjës i administratës të marrë përsipër të luajë gurët e rëndë të një tenderi 28 mln euro.
Por këta punonjës që me vetëdije kanë shkelur procedurat, e kanë bërë dëmin e tyre dhe do të shkojnë në një proces dënimi penal. Sa, unë nuk jam dakord me atë që thuhet pse merreni me peshqit e vegjël dhe nuk merreni me peshkaqenët”, deklaroi Malaj.

Ai theksoi se ligji për menaxhimin e buxhetit, që është bërë me asistencën e BE, që është modern ka përcaktuar qartë mbrojtjen e punonjësit i cili nuk duhet të lejojë që të keqpërdoren taksat.

“Dhe ai thotë, punonjësi zbatues, pra ai që do firmosë, në qoftë se një urdhër nga eprori më sipër është në kundërshtim me ligjin, sipas vlerësimit të punonjësit, ky nuk e zbaton herën e parë dhe lajmëron sekretarin e përgjithshëm të institucionit.
Në qoftë se i bien një urdhër tjetër me shkrim dhe i thonë që i thonë ju duhet ta zbatoni këtë urdhër, pavarësisht se ju duket i kundërligjshëm, ky është i detyruar ta zbatojë, por lajmëron ministrin e Financës që duhet të ketë një regjistër për rastet kur punonjësit e çdo institucioni ankohen se eprori ka dhënë një urdhër të gabuar dhe KLSH, pra lë gjurmë. Pyetja ime është, kaq vite pasi është bërë ky ligj modern europian, a kemi ndonjë të dhënë?

Ligji parashikon që sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, që është personi i nivelit më të lartë në menaxhimin buxhetor, ku janë dhe tenderët, ku janë dhe PPP-të që lindin detyrimet, duhet të raportojë një herë në vit në parlament. Kjo nuk ndodh. Edhe pse thelbi i një qeverisje efektive është ndarja e nivelit administrativ me atë politik, ne kemi mbetur gjithmonë vetëm tek debati politik në parlament”, u shpreh ai.

Malaj tha më tej se nuk paragjykon asnjë koleg, dhe parimisht çdo ministër ka të drejtë të thotë që unë nuk jam pjesë e procesit të tenderimit, ligjërisht, por në qoftë se i kapur nga interesat e oligarkëve, nga etja për fitime të mëdha, ai indirekt ose direkt ndërhyn është bërë vetë pjesë e ligjit.

Ai theksoi se goditja për ekonominë është e madhe.
“Pasojat më të mëdha, po ta shikoni dhe tani, dhe me iniciativën e SHBA-ve, por edhe me iniciativën e BE, korrupsioni dhe kapja e shtetit para së gjithash godet ekonominë. Kur nuk ka garë, ku dihet gjithmonë që garën do ta fitojë ai që ka korruptuar shtetin, bie interesi i biznesit. Kompanitë konkurruese që guxojnë të ankohen japin paralajmërimin që këtu ka elementë shqetësues të korrupsioni. E para është tek ekonomia. Nuk kemi një ekonomi që përmirësohet nga konkurrenca dhe më të mirët. Kemi një ekonomi që shtypet nga korrupsioni dhe kapja e shtetit. E dyta janë taksat, taksat e taksapaguesve shqiptarë dhe taksat e takspaguesve amerikanë e europianë.

Të ngresh agjencinë e prokurimeve publike ne kemi firmosur marrëveshje me USAID, kemi firmosur me BE, ligjin për audituesin, për përmirësimin e ligjit për menaxhimin e financave publike. Pra, BE në ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë më shumë kanë qenë ndihma shtet formuese se sa investime fizike në ekonomi. Por në qoftë se ne harxhojmë para që sekretari i përgjithshëm të jetë përfundimisht niveli më i lartë i administratës publike, në qoftë se kjo nuk zbatohet, në qoftë se pushohen nga puna njerëz për motive politike, në qoftë se gjobat për ta shkojnë 70 milionë, në qoftë se gjobat për arbitrazh ndërkombëtar…dhe kjo ishte pyetja që i bëra para pak ditësh ministres së Financave, e cila na ftoi në një debat për buxhetin 2022-2024 dhe i thashë a keni parashikuar ju si ministre e Financave në buxhet kush do i paguajë 130 milionë euro të Becchettit? Përgjigjja ishte ju lutem jeni jashtë teme. Çfarë teme ka ministri i Financave të një vendi më shumë se sa keqpërdorimi i taksave të shqiptarëve, qoftë si taksa, qoftë si borxhe. Por borxhet që marrim që jepen në PPP-të”, deklaroi Malaj.

Ai tha më tej se nuk jemi në fazën që është dërrmues për ekonominë, demokracinë dhe sigurinë korrupsioni është kapja e shtetit, është niveli më i lartë. “Në fjalor do të thotë që një qeveri e ndërton sistemin e saj të kuadrit ligjor të përzgjedhjes së deputetëve, politikanëve, drejtuesve të institucioneve përgjegjës për të luftuar korrupsionin në favor të disa oligarkëve. Praktikisht, kryeministri mblodhi kryetarët e bashkive, pse duhet t’i mblidhte? Kryeministri ka një agjenci që e paguajnë taksapaguesit shqiptarë, agjencia antikorrupsion. Kjo nuk është luftë me fushata. Ata paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, legjislacioni i tyre modern, për njësitë antikorrupsion është bërë me taksat e donatorëve ne duhet të kemi një punë të përditshme. Unë dyshoj dhe kam të drejtë të dyshoj që struktura e kryeministrit për antikorrupsionin, strukturat e auditimit të brendshëm, pse duhet të na dalin tani kur del SPAK, kur për këto tendera është folur publikisht”, tha ai.

Por a e bën dot administrata këtë? Malaj u shpreh: “Në qoftë se ne nuk synojmë ta ndërtojmë modelin shtet formues të Shqipërisë midis institucioneve dhe individëve, por do presim nga udhëheqësit që bëjnë estradën e radhës, që i mbledh kryetarët e bashkisë dhe i kërcënon, për çfarë i kërcënon, që t’i qëndrojnë besnikë? Ai i ka pasur informacionet dhe për rastin e Lushnjës, kanë qenë publike, janë bërë debate publike. Pse kërcënohet kryetari i bashkisë së Vlorës, meqë nuk del deputet, del një deputet i ri tani dhe unë thotë unë do kërkoj auditim të jashtëm. Pse do kërkosh auditim të jashtëm kur ke auditimin e brendshëm. Pse nuk e ke përdorur?” Sipas tij, sepse është kalbëzuar qeverisja e vendit, në një pjesë të saj.
“E di sa punonjës të mirë ka në administratën publike? Nuk kemi ndjerë ndonjë vështirësi. Në ’97 ishin 90% të PD-së, ata që ishin të mirë mbijetuan dhe Ministria e Financave dhe pak ministri kanë një staf profesional që të nderonte dhe në negociata me FMN. Puna është lidershipi, në qoftë se lidershipi krijon një bërthamë të tijën, të drejtpërdrejtë, zgjedh disa persona në postin e sekretarit të përgjithshëm, në poste ku rrjedhin paratë publike, mjaftojnë këta që ta bëjnë pis të gjithën”, deklaroi ai.

Çfarë i ndodh punonjësit që nuk firmos?
“Mund të pushohet, por meqë thanë se është bërë ligj modern pse nuk i fitonin gjyqet më parë, para se të bëhej ligji për administratën publike që ne BE-ja na e ka kushtëzuar që në kohën që ishim në qeveri. Në qoftë se ju nuk bëni këtë ligj, ne nuk ju japim asnjë ndihmë. Ne kemi pasur debate, duhet të bëjmë ne ligj për të mbrojtur doganat dhe tatimet, kur një pjesë e tyre ishin të korruptuar se kur u bë ligji i administratës, ata fitonin një imunitet të veçantë?! Është bërë ky debat në qeveri.

Ka institucione ku abuzohet, ku 80-90% e punonjësve janë nën presion të 5% të tjerëve, që thonë ok gjëja e parë që do bëj, do siguroj paratë për prokurorin dhe pastaj bëj shkeljen. Prandaj jo më kot theksohet që A-ja, shkopi i Arkimedit për ta ndryshuar situatën, për ta lëvizur nga vendi kulturën e mosdënimit është pikërisht reforma në gjyqësor dhe SPAK. Në vende të tjera ka dhënë rezultate. A do jenë të përhershme? Jo, në qoftë se nuk shoqërohen me një kulturë të përgjithshme, me një angazhim më të mirë. Më lejo të them për punonjësit që janë arrestuar, e para me kushtetutë mund të jenë fajtorë vetëm kur shpallen me vendim gjykate, por nga ana tjetër janë përballe një situate ku të provojnë që nuk e kanë shkelur ligjin. Përderisa është bërë një hetim paraprak dhe mendohet që është krijuar një dëm ata e kanë shkelur ligjin dhe nuk e kanë zbatuar të drejtën që jep legjislacioni kur nuk je dakord.

Është bërë ligji për ‘spiunët’ në administratë, nuk kemi të dhëna që punonjës dhe unë do ta kërkoj dhe me shkrim nga KLSH sepse qeveria nuk të jep përgjigje, ka një urdhër të brendshëm që të mos iu përgjigjet OJQ-ve dhe shkel të gjitha parimet bazë të një qeverisje me pjesëmarrje: a ka nëpunës që e kanë besuar integritetin e tyre dhe që po ky ligj i mbron ata dhe kanë paralajmëruar ministrin e financës dhe KLSH që këto raste duhen verifikuar se kanë risk të lartë. Besoj që do jenë shifra të vogla sepse nuk kanë besim. E para nuk janë trajnuar. Janë nxitur apo nuk janë nxitur? E vetmja gjë që është shqetësuese për mua është që këta individë që do akuzohen, do kenë presion, ose me joshje, ose me kërcënim që të mos flasin”, deklaroi Malaj.

Politikë deri në dhomat e gjumit…

Nga Iva V.GRILLO

Kohet e fundit kemi vene re popullaritetin ne rritje te nje lloji te caktuar “skeçi”, ku skenari eshte i njejti por aktoret ndryshojne sipas rastit, ashtu sic e kerkon halli i dites se qeverise hallemadhe.

Skenari eshte pak a shume ky: nje burre azgan ose grua e dhembshur, “lozonjare e hokatare” deri ne dhimbje shfaqen “papritur” me torte e dhurata ne pragun e deres se shtepise se re te fshatarit X, i cili i pret krahehapur sic e do zakoni i shqiptarit–sidomos kur shikon kamerat qe bejne regjistrimet.

“Mikut” i ka shkrepur ne koke jo vetem qe te beje qoken faqe gjithe njerezise, por insiston me ngulm qe dhuratat qe ka sjelle per femijet te hapen para kamerave duke kerkuar troc e me dhune edhe falenderimet e mirenjohjen e nje femije–kerthi qe rri i tulatur pa e ditur sepse eshte bere pjese e ketij skeçi.

Por historia nuk mbaron me kaq: burri azgan qe eshte veshur firmato koke e kembe per te shkuar ne katund per qoken publike dhe qe nuk ka asnje ide mbi arkitekturen apo inxhinierine, vendos te beje edhe inspektimin teknik dhe estetik te shtepise, ne cdo qoshke ku arrin te futet.

Kamera e ndjek kudo “inspektorin” tone dhe papritur ai dhe gjithe ndjekesit e ketij skeçi voyeristik e gjejne veten mu ne mes te dhomave te gjumit e privatesise te disa njerezve te thjeshte, te cilet me drejte i gezohen shtepise se re, por nuk ka pse paguajne cmim te tille per gezimin e tyre.

Me pas, shikojme mikun te ulur kembekryq tek i jep mesime “te vyera” per jeten jo vetem femijeve-kerthinj por edhe plakut te shtepise qe ka dyfishin e moshes se mikut e per eksperience jetesore na jep uje ne bisht te luges te gjitheve…

Ne fund nuk mund te mos mungoje edhe permendja “rastesore” e shefit zemermire te qeverise i cili pavaresisht se nuk ka ardhur vete per te pare dhomen e gjumit, ka dhene urdher nga lart qe cdo gje te behet cilesore dhe drita natyrale te hyje ne nje drejtim te caktuar…

Pas kesaj eshte mese e qarte se fshatari X eshte vetem nje figurant qe u gjend aty prane dhe shtepia e tij e re eshte pjese e skenografise se radhes se nje skeçi qe ka vetem nje qellim: te beje te shkeqeje vetem aktori kryesor… paçka se ne kurriz te dinjitetit e privatesise se njerezve te thjeshte.

Formacioni më i mirë i Euro 2020, mes më të mirëve dhe një shqiptar

Mesfushori i Kombëtares se Zvicrës dhe Arsenalit ka arritur që të jetë në ekipin më të mirë të Euro 2020.

Granit Xhaka është shpërblyer nga UEFA si njëri prej mesfushorëve më të mirë në këtë kampionat. Zvicra u eliminua nga Spanja në çerekfinale, për ta bërë historinë duke eliminuar Francën.

Kjo ishte edhe hera e parë që Zvicra kishte shkuar kaq larg në një garë ndërkombëtare në futboll.

Në portë për këtë Euro 2020 pa dyshim është Gianluigi Donnarumma, i cili dje arriti që të priste dy penallti, për të fituar në finale kundër Anglisë në Ëembley.

Katërshja më e mirë në mbrojtje sipas UEFA-së ishte: Maehle (Danimarkë), Chiellini (Itali), Maguire (Angli) dhe Luke Shaë (Angli).

Granit Xhaka është zgjedhur si mesfushori më i mirë defansiv bashkë me Paul Pogba (Francë). Kurse treshja më e avancuar në mesfushë ishte: Raheem Sterling (Angli), Federico Chiesa (Itali), Dolberg (Danimarkë) dhe në sulm ishte Cristiano Ronaldo (Portugali).

Në formacionin më të mirë të UEFA-së bëjën pjesë tre lojtarë të Anglisë dhe tre të Italisë. Danimarka ka dy lojtarë kurse nga një lojtar e ka Zvicra, Franca dhe Portugalia.

Dosja 184, shtyhet sërish gjyqi për dy nga të akuzuarit

Gjykata e Dibrës shtyu pwrswri gjyqin për dy të akuzuarit e dosjes 184, Robert Aga ish shef i komisariatit të policisë Dibër dhe Hasan Hoti ish administrator i Njësisë Administrative Lurë.

Trupa gjykuese nuk doli dot me një vendim pasi mungoi i akuzuari Hoti, ndërsa avokati i tij kishte dorëzuar shkresë për arsyet e mungesës.

Duke qenë se të dy të akuzuarit gjykohen njëherësh, trupa gjyqësore nuk mori vendim, duke e shtyrë atë për në seancën e radhës e cila do të mbahet me datë 26 Korrik.

Ndryshe nga Drini Gjeci e Nuri Meda të cilët kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ish shefi i komisariatit Robert Aga dhe ish administratori i Lurës Hasan Hoti, vijojnë sipas gjykimit të zakonshëm.

Për Gjecin e Medën prokuroria e Dibrës ka kërkuar nga 2.5 vite burg. 4 personat e lartpërmendur akuzohen për ndikim tek votuesit e zgjedhjeve të pjesshme lokale të zhvilluara në vitin 2016 në Dibër.

Ish-ministri i PS: Qeveria aktuale është e babëzitur, arrogante dhe e korruptuar, këtë e tregojnë edhe shifrat

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj e ka konsideruar kapjen e shtetit si kërcënim për demokracinë e vendit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Malaj tha se, qeveria aktuale është e babëzitur, arrogante, e korruptuar dhe këtë sipas tij e tregojnë edhe shifrat.

“Kapja e shtetit është shumë kërcënuese pasi cënon demokracinë dhe shoqërohet me pushtet absolut. Qeverisja është e babëzitur, janë arrogantë sepse nuk dëgjojnë më, është e korruptuar sepse janë shifrat që e tregojnë. Nuk janë gjëra të vogla, BE e kupton se në Shqipëri është përkeqësuar demokracia”-tha Malaj

I pyetur nëse rrezikon ekonominë kjo kapje e sistemit, Malaj bëri një krahasim me qeverisjen e ish-kryeministrit Berisha me firmat piramidale ndërkohë që vuri në pikëpyetje mandatin e tretë tashmë të fituar nga Edi Rama. Malaj shtoi se në Shqipëri është toleruar shumë paraja kriminale duke kriminalizuar edhe sistemin e ekonomisë.

“Më lejoni të bëj një karahasim mes Berishës që ka shumë gjynahe në shtetin depresiv që krijoi dhe Ramës që kërkon mandatin e tretë. Edhe Berisha u zgjodh president, por dha doreheqje. Është shumë shpejt për të folur pë mandat të tretë. Në Shqipëri është toleruar shumë paraja kriminale, u kriminalizua ekonomia. Tolerimi i kësaj paraje kriminale në një mandat të tretë është njesoj si veprimi i Berishës me firmat priramidale”, shtoi Malaj.