16.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Ristani heq mobiljet e Veliajt nga zyra, tender 465 MLN lekë për poltron, tavolinë dhe kasafortë

E caktuara për drejtuese Anuela Ristani ka vendosur të heqë mobiljet e Erion Veliajt nga zyrat dhe bën tender për mobilimin e selisë së bashkisë Tiranë. Poltron rrotullues, raft librash, tavolinë ovale si e Shtëpisë së Bardhë, kasafortë sekrete, komplete kolltuqesh, kredencë, garderobë, pasqyra për tualet dhe një listë e gjatë mobiliesh që do t’ia ndryshojnë pamjen nga brenda zyrave.

E gjitha kjo u kushton taksapaguesve të kryeqytetit 465 milionë lekë pa llogaritur shtesën e TVSH-së në vlerën e kontratës. Jo vetëm kaq, por nga xhepat tona paguhet edhe fatura e korrupsionit gjatë procedurës së tenderit. Tashmë nga një denoncim që është bërë në KPP kemi mësuar se kriteret janë qepur për një kompani të caktuar.

Komisioni i tenderit i autorizuar nga kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e ka ndarë prokurimin në dy lote: Loti 1: “Pajisje për zyra” dhe Loti 2: “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë”.


Vlera e pritshme e kontratës është 46,482,958 lekë pa TVSH, ose 473,784.09 Euro pa TVSH, e ndarë në lote: Loti 1: “Pajisje per zyra”, me fond limit 15,408,601 lekë pa tvsh; Loti i dytë – “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë” me fond 31,074,357 lekë pa tvsh. I çuditshëm është afati i sjelljes së mobiljeve që, sipas njoftimit të bashkisë, është 1 vit.

Një preventiv i larmishëm prej 58 artikujsh është vendosur si detyrë speciale para bizneseve prodhuese të mobilerive dhe tregtarëve. Kërkohet “Poltron rrotullues”. Kjo pajisje është në modë për drejtuesit.

Me një mekanizëm që lejon fiksimin e pozicioneve të ndryshme të përshtatshme në ulje. Shpinorja duhet të jetë e përshtatshme në pozicionet vertikalisht si dhe para e prapa. Duhet të ketë krahë anësore. Të ketë përshtatëse piston me gaz për nivelimin e lartësisë. Thellësia e ulëses, e përshtatshme për përdorues të rritur. Bazamenti duhet të jetë metalik ose plastik me 5 degëzime në formë ylli dhe me rrota sferike në ekstremet e tyre. Të plotësojë kërkesat e standardit “SH EN 1335-1:2021, SSH EN 1335-2:2018”

Më tej kërkohet tavolinë mbledhje ovale, si e Shtëpisë së Bardhë./ Faktor.al

Shtëpia e Bardhë konfirmon: Donald Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Hagë! Së shpejti biseda telefonike me Xi Jinping

Shtëpia e Bardhë njoftoi zyrtarisht se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në samitin e NATO-s që do të mbahet më 24 dhe 25 qershor në Hagë, Holandë.

Pas rikthimit në pushtet, Trump po kërkon me këmbëngulje nga vendet anëtare të NATO-s të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre për mbrojtjen kombëtare.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levit, bëri me dije se së shpejti do të zhvillohet një bisedë telefonike mes presidentit Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping. Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me kujdes zbatimin nga Kina të marrëveshjes doganore të muajit të kaluar.

Levit theksoi gjithashtu se Trump nuk ishte informuar paraprakisht për operacionin ukrainas “Rrjeta e Merimangës”, ku Ukraina sulmoi bazat ruse në Siberi me dronë për të goditur avionët bombardues me kapacitete bërthamore.

Nga ana tjetër, presidenti Trump përgëzoi fituesin e zgjedhjeve presidenciale në Poloni, nacionalistin Karol Navroki, duke shprehur kënaqësinë për rezultatin. “Urime Poloni, ke zgjedhur një FITUES!” shkroi ai më herët në rrjetet sociale.

Ky samit pritet të sjellë diskutime të rëndësishme mbi sigurinë globale dhe bashkëpunimin midis aleatëve të NATO-s në një kohë sfidash të shumta ndërkombëtare.

“Dhashë gjithçka”, mesazhi i lamtumirës së Inzagit nga Interi: Edhe rrugëtimi në Ligën e Kampioneve është dëshmi e prekshme

Simone Inzagi i ka dhënë lamtumirën Interit duke ndërprerë para kohe kontratën me zikaltrit që përfundonte në vitin 2026, për të nisur një aventurë të re në Arabinë Saudite në stolin e Al Hilal.

Palët janë ndarë miqësisht, por pas një sezoni të vështirë ku ekipi e mbylli pa trofe dhe me një dështim në Ligën e Kampioneve që do të kujtohet gjatë.

Megjithatë, Inzagi ka zgjedhur t’u dërgojë një mesazh tifozëve nëpërmjet klubit, duke i kujtuar sukseset e festuar në këto vite.

MESAZHI I INZAGIT

“E dashur familje zikaltër,

Ka ardhur për mua momenti që t’i them lamtumirë këtij Klubi pas një udhëtimi katërvjeçar, gjatë të cilit dhashë gjithçka.

Çdo ditë ia kam kushtuar mendimin tim të parë dhe të fundit të ditës Interit. Jam shpërblyer me profesionalizëm dhe pasion nga lojtarët, drejtuesit dhe çdo punonjës i klubit.

Gjashtë trofetë e fituar, mes të cilëve edhe titullin e yllit të dytë, së bashku me rrugëtimin në Ligën e Kampionëve në vitin 2023 dhe atë pak ditë më parë, janë dëshmi e prekshme se sa shumë është mbështetur puna ime nga një bashkësi qëllimesh me stafin tim dhe me çdo përbërës të Interit.

Falënderoj aksionerët për besimin që nuk ka munguar kurrë, Presidentin dhe bashkëpunëtorët e tij për ndihmën dhe dialogun e përditshëm. Në një ditë të vështirë si kjo e sotmja, mendoj se është e drejtë të përsëris këtë ndjenjë mirënjohjeje edhe për diskutimin që përfundoi pak kohë më parë. Ishim të sinqertë dhe së bashku vendosëm ta përfundojmë këtë udhëtim madhështor.

Dua t’u kushtoj një fjalë të fundit miliona tifozëve zikaltër që më brohoritën, qanë dhe vuajtën në momente të vështira dhe qeshën dhe festuan në gjashtë triumfet që përjetuam së bashku.

Nuk do j harroj kurrë. Forca Inter.

Simone Inzagi”.

Zbuloni pesë lloje frutash të ngrira që ndihmojnë me uljen e niveleve të larta të sheqerit në gjak

Asnjë frut nuk është i ndaluar në një dietë të ekuilibruar për menaxhimin e diabetit, e megjithatë disa prej tyre cilësohen si më të mirat. Ato jo vetëm reduktojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit, por edhe ndihmojnë në menaxhimin e kësaj sëmundjeje.

Duke qenë të larta në fibra dhe antioksidantë, ndihmojnë në uljen e niveleve të larta të sheqerit në gjak, duke reduktuar gjithashtu stresin oksidativ dhe dëmtimet nga radikalet e lira të lidhura me rritjen e rrezikut të sëmundjeve kronike.

Prandaj, frutat e freskëta apo të ngrira, nuk duhet të shmangen tërësisht nga ata që jetojnë me diabet.

E duke qenë së frutat e ngrira mund të jetojë edhe më gjatë se të freskëtat, për t’i shijuar ato në çdo kohë që dëshironi, AgroWeb,org ju njeh më poshtë me pesë llojet më të mira që mund të konsumoni nëse keni diabet.

Luleshtrydhet e ngrira

Edhe pse janë të ëmbëla, çuditërisht luleshtrydhet janë të ulëta në sheqerna. 1 filxhan me luleshtrydhe të ngrira përmban 7 gram sheqer natyral, së bashku me 3 gram fibra dietike. Luleshtrydhet janë plot vitaminë C, e cila ndihmon në mbrojtjen kundër qelizave të dëmshme që rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kronike si diabeti. Gjithashtu, antioksidantët e shumtë tek to, luftojnë inflamacionin dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës, duke përmirësuar regaimin e trupit tuaj ndaj insulinës.

Mjedrat e ngrira

Këto kokrra të vogla janë të jashtëzakonshme për shëndetin dhe janë gjithashtu të ulëta në sheqer dhe të pasura me fibra. Në mënyrë të veçantë, atom und të ndihmojnë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak pas konsumit të vaktit.

Boronicat e ngrira

Me shijen fantastike dhe ngjyrën blu të thellë, boronicat janë të pasura me lëndë ushqyese dhe përbërës të fuqishëm që japin përfitime miqësore ndaj sheqerit në gjak. Mbani mend se fibrat që gjendet tek frutat ndihmojnë në ngadalësimin e përthithjes së sheqerit. Këto kokrra janë të fuqishme falë vitaminës C, vitaminës K dhe antocianinës, të cilat kontribuojnë në uljen e rrezikut të diabetit.

Qershitë e ngrira

Edhe qershitë janë po aq të pasura me lëndë ushqyese sa frutat e përmendura më lart. Plot e përplot me vitaminë C, kalium, magnez dhe një burim i pasur i polifenoleve, të cilat kanë veti anti-inflamatore dhe antioksidante. Të gjitha këto vlera të qershive të ngrira mund të ndihmojnë në menaxhimin e diabetit.

Avokado e ngrirë

Edhe pse klasifikohen si perime, avokadot janë në të vërtetë fruta.Dhe ajo që është edhe më interesante është se ato janë të ulëta në sheqer dhe të pasura me lëndë ushqyese. Prandaj janë një zgjedhje e shkëlqyer për ata me diabet. Avokadot janë gjithashtu një burim i yndyrnave të shëndetshme, vitaminës E, folatit, kaliumit dhe magnezit. Lëndë të cilat ofrojnë një kontroll më të mirë të glukozës në gjak. /AgroWeb.org

Mirela Karabina: Matura Shtetërore – një proces i deformuar që duhej ndalur me kohë

Nga Mirela Karabina

Prej vitesh, Matura Shtetërore ka humbur kuptimin e saj si mekanizëm i drejtë dhe transparent për vlerësimin e nxënësve. Ky proces është kthyer në një rutinë të deformuar, mbushur me skandale, gabime shkencore në teza, kopjim masiv dhe dalje në rrjete sociale të tezës gjatë provimeve.

Ligji 80/2015 për Arsimin e Lartë parashikonte një ndryshim rrënjësor, duke i dhënë universiteteve të drejtën për përzgjedhjen e studentëve. Ky ligj do të duhej të ndalte praktikën e Maturës Shtetërore si e vetmja rrugë drejt arsimit të lartë.

Por, fatkeqësisht, ligji është shkelur dhe procesi i provimeve të maturës është i degraduar.

Edhe sot në provimin e parë të gjuhës së huaj të MSH kemi të njëtën fenomen të ripërsëritur:
– Teza qarkulloi në rrjete sociale gjatë provimit.
– Ministria e Arsimit nuk mban asnjë përgjegjësi dhe bën vetëm një postim në FAcebook që procesi nuk cënohet.
– Dhe Ministrja aktuale e Arsimit dhe ish-ministrat e kalojnë si një fenomen “normal”.
Madje edhe shpërblehen, të gjitha sot janë deputete të rizgjedhura në Kuvendin e Shqipërisë.

Fenomeni i Maturës Shtetërore të deformuar është një abuzim institucional pasojat e të cilit bien mbi nxënësit, familjet e tyre dhe shoqërinë duke ulur besueshmërinë e sistemit arsimor.

Rezultati është:
27 mijë maturantë më 2025,
1000 më pak se në 2024,
dhe mijëra më pak,
krahasuar me 47 mijë maturantë më 2012-ën.

Koha për një reformë të vërtetë të MSH ka ardhur e ka kaluar.
Ministria e Arsimit e ka centralizuar këtë proces dhe e ka përqëndruar në duart e saj.

Ndaj duhet me i dhënë besueshmëri shkollës dhe mësueve që të menaxhojnë ata provimet e maturës në shkollat e tyre.

Duhet t’i rikthejmë universiteteve autonominë për përzgjedhjen e studentëve dhe të ndërtojmë një sistem pranimi që mbështetet në meritë, transparencë dhe integritet.

Matura Shtetërore duhet të kthehet sa më parë në një proces normal dhe të besueshëm.

Të shohim si do të ecin provimet e lëndëve të tjera…

Kolegji Zgjedhor ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e 11 majit

Nga Desada Metaj

Kolegji Zgjedhor duket të jetë i vetmi institucion i drejtësisë që ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e procesit zgjedhor të 11 majit. Bëhet fjalë për votën personale të kandidatëve të listave të hapura, disa prej të cilëve pretendojnë se votat u janë “tjetërsuar” gjatë procesit të numërimit.
Gjithçka nisi menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, ku disa kandidatë u ndanë me njëri-tjetrin me rezultat të ngushtë, duke bërë që çdo votë të numërohej me shumë kujdes dhe të mbahej shënim me rigorozitet. Nga PS, në këtë proces u përfshinë kandidatët Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti dhe Xhemal Qefalia. Nga PD, rezultati i ngushtë mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, si dhe ai mes Arian Ndojit dhe Aulon Kalasë, bëri që mjeku i njohur dhe aktivisti të jenë tashmë në qendër të një lëvizjeje juridike (dhe politike) për të kërkuar të drejtën dhe të vërtetën e votave personale si kandidatë të listave të hapura.
Ndërsa Edi Rama e “zgjidhi” shpejt e shpejt me një mesazh “grindjen” e disa kandidatëve që kërkuan numërim, Sali Berisha u tregua fillimisht i hapur për transparencë. Por deklaratat publike të kryetarit të PD nuk ishin në sinkron me lëvizjet e përfaqësuesve të kësaj partie në KAS, të cilët hodhën poshtë kërkesën e kandidatëve Alimehmeti dhe Kalaja për rinumërim të votave për Tiranën.
Zyrtarisht, KQZ u ka dorëzuar, pas kërkesës, kandidatëve që kanë pretendime, filmimet e numërimit të votave. Me gjasë, ata dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë konstatuar shkelje, teksa dorëzuan në KAS kërkesën për rinumërim. Por kjo kërkesë u hodh poshtë me pretendimin se një kërkesë e tillë duhej të paraqitej nga subjekti politik dhe jo nga kandidati. Në këtë rast, PD i “braktisi” kandidatët e saj, duke hedhur poshtë të drejtën e tyre për transparencë dhe duke e bërë Sali Berishën të dukej paksa gënjeshtar në premtimet e tij publike.
I vetmi anëtar i KAS që votoi pro kërkesës së kandidatëve të PD për transparencë, Ilir Rusmali, u sulmua fort nga PD, pasi me gjasë doli nga rreshti i “marrëveshjes” mes PS dhe PD për të mos hapur telashe vetes me rinumërim votash.
Tashmë, kandidatët e PD kanë dorëzuar kërkesën në Kolegjin Zgjedhor për të kërkuar të drejtën e rinumërimit të votave. Në dorë të këtij kolegji duket se është edhe fati i zhvillimeve politike (dhe jo vetëm) të partive politike, pas një fushate të personalizuar mes Ramës dhe Berishës dhe listave me besnikë të dy forcave kryesore.
Është e qartë se as Rama dhe as Berisha nuk duan hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, sidomos në Tiranë, ku ylli i PS shkëlqen me 20 mijë votat e Blendi Gonxhes dhe ku diferenca mes kandidatëve të PD është e vogël. Në kutitë e Tiranës dhe Durrësit, ndoshta mund të ketë të papritura të pakëndshme për PS dhe PD. Ndaj, para kësaj mundësie të vështirë për t’u kapërcyer, pas një procesi zgjedhor me shumë pikëpyetje, siç kanë bërë dhe herë të tjera për llogari të status quo-së së tyre, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë përcaktuar kufijtë e lojës duke mos lejuar rinumërim.
Një sqarim juridik i detyruar: në një nga daljet e tij, Sali Berisha deklamoi me të madhe se ai është për transparencë dhe se do të mbështeste kandidatët e tij për t’iu drejtuar KAS-it. Nga ana tjetër, sqaroi ndër të tjera se fillimisht duhet të sqarohej çështja e pavlefshmërisë dhe, pastaj, nëse kandidatët kishin pretendime për “tjetërsime” votash, duhet të paraqiteshin te ai që, si kryetar i “subjektit zgjedhor”, të kërkonte në një moment të dytë edhe transparencën, pra rinumërim ose rivlerësim të votave. Në fakt, Kodi Zgjedhor është pak ndryshe. Kodi Zgjedhor, në nenin 124, pika 2, fjalia e dytë ka këtë parashikim: “Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi”. Me fjalë të tjera, kur një subjekt zgjedhor ka pretendime të të dyja llojeve – pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe rinumërim/rivlerësim të zgjedhjeve – ato mund të paraqiten njëkohësisht në KAS. Nuk është e detyrueshme që fillimisht të ezaurohet ankimi për pavlefshmëri dhe më pas, në një moment të dytë, ankimi për “rinumërim/rivlerësim”. Fakt është që subjekti PD, si parti politike, ka kërkuar vetëm pavlefshmëri të zgjedhjeve (në qarqe të caktuara), pa kërkuar edhe transparencën e votave!
Tashmë, që ankimi i subjektit PD është paraqitur vetëm me kërkesën për pavlefshmëri (pa e shoqëruar edhe me kërkesën për transparencë të numërimit/rivlerësimit), me shumë gjasë nuk ka më hapësirë që të kërkohet nga PD “në një moment të dytë” transparenca.
Nga ana tjetër, deri më tani është mbajtur si praktikë e mëparshme që “kandidatët e një partie” nuk mund të paraqesin një ankim të pavarur nga subjekti i tyre. Një rregull alogjik dhe diskriminues (vini re: deri edhe kandidatët e pavarur e kanë një të drejtë të tillë). Kjo praktikë, nëse nuk ndryshohet nga Kolegji Zgjedhor, do t’i vërë një kapak të rëndë kërkesës legjitime të kandidatëve për transparencën e votave të tyre. Kjo do të ishte as më pak e as më shumë një “beseprerje” që partia u bën kandidatëve të vet!

I futur në listë të zezë nga DEA , kush është kreu i grupit shqiptar që mbushi Finlandën me drogë?

Trafiku i drogës në Finlandë, dyshohet se drejtohej nga një emër i njohur në fushën e narkotikëve.

SPAK dhe autoritetet finlandeze zhvilluan një aksion të gjerë sot, duke arrestuar 9 persona. Sipas tyre, ata u përkasin 4 grupeve të ndryshme. Deri tani janë zbuluar emrat e 6 prej të arrestuarve dhe ata janë: Dorjan Luzaj, Geraldo Seferaj, Elton Myftari, Elton Tavani, Erind Teneqexhiu alias Agalliu, Kela Qevani.

Emri më i njohur është Dorjan Luzaj, i cili dyshohet se është një prej krerëve të trafikut. Ai është një emër i njohur për autoritetet, pasi rezulton i skeduar nga DEA amerikane. Në vitin 2010 ai është arrestuar në SHBA pikërisht për trafik droge.

Luzaj ka dalë atje para drejtësisë bashkë me një numër të madh shqiptarësh, pasi akuzoheshin se shpërndanin drogë në Kanada dhe disa shtete të SHBA, si Ilinois (Çikakgo) apo Kaliforni. Vetë DEA në atë kohë ka raportuar se kreu i grupit ishte Dorjan Luzaj.

“Më 21 maj 2010, në Gjykatën e DuPage County Bond, u paraqitën 12 individë të akuzuar për përfshirje në një rrjet të trafikut të kanabisit, i cili dyshohet se drejtohej nga Dorian Luzaj. Ky rrjet kishte lidhje me Kaliforninë dhe ishte përgjegjës për shpërndarjen e më shumë se 600 paundëve kanabis në muaj nga Kalifornia dhe Kanadaja drejt tregtarëve të tjerë në zonën e Çikagos. Operacioni, i koduar si “Chicago Haze”, ishte rezultat i një hetimi shtatëmujor të përbashkët mes autoriteteve shtetërore dhe federale, duke përfshirë Zyrën e Prokurorit të Shtetit të DuPage County, Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Illinois, Administratën e Zbatimit të Drogës (DEA), Grupin Metropolitan të Zbatimit të Ligjit të DuPage (DuMEG) dhe disa agjenci lokale të zbatimit të ligjit”, njoftonte DEA.

Në një njoftim zyrtar, SPAK bëri të ditur se këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope.

Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzyar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.

Sipas SPAK, të arrestuarit janë: B.S, (27.01.1985), E.A (alias E.T 07.02.1991), A.M (07.06.1981), K.Q (14.04.1981); T.K (alias T.T 15.10.1977), G.S (05.07.1994), E.M, (29.05.1983), L.H, (09.01.1983) dhe D.L, (07.06.1983).

Më herët u raportua se një nga personat e arrestuar që konsiderohet si drejtues i një prej grupeve ishte mësues historie. Ndërkohë 4 drejtuesit e grupeve janë dy nga Vlora, 1 nga Berati dhe një tjetër nga Kuçova.

Shqipëria po fundoset/ Gjergji Nika: Vendi ka nevojë për lidership, shqiptarët janë lënë në mëshirë të fatit

Nga Gjergji Nika

”Ose deti është i shtrembër, ose ne s’vozisim drejt!”

Shqipëria po fundoset! Për shkak të kapitenëve të paaftë, të pafrymëzuar, joprofesionistë, meskinë e të shkëputur nga shoqëria, fundi duket se do të jetë i hidhur! Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e lidershipit

Jo se nuk kemi pasur liderë, por sepse liderët tanë, më tepër se për popullin e Shqipërinë kanë menduar për vete dhe enturazhin e tyre të ngushtë politik e ekonomik!

Në këto 35 vite, kur duhet të kishte shpërthime shpirtërore, morale dhe aty ku duhet të shkëlqente virtyti, shpërthen “vrima e zezë” e manipulueshmërisë, dashurisë për partinë mbi Shqipërinë, cinizmit dhe moskokëçarjes ndaj përditshmërisë së qytetarëve.

Nëpër televizione promovohen figura të dyshimta dhe ruhet establishmenti i tranzicionit tonë të tejzgjatur, duke fshehur të vërtetën tragjike të një shteti, i cili po shembet çdo ditëe me shumë.

Të një shteti ku qytetarët largohen masivisht jo vetëm për shkak të pamundësive ekonomike e mungesës së shpresës, por edhe për shkak të neveritjes nga ky sistem politik i kalbur, i cili edhe kur bën rotacion, thjesht mban veten në shpinë të qytetarëve!

Mungesa e lidershipit të drejtë politik na ka sjellë deri në atë pikë, që të numërojmë humbjet e luftës në kohë paqeje!

Shqiptarët janë lënë aq shumë në hallin e tyre sa një shi i imët mbyt qytetet, një zjarr djeg qindra hektarë derisa shuhet vetë, turizmi nuk ka plan, kryetarët e partive u imponojnë partive të tyre t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë pa pasur kauza, ose me të vetmen kauzë- pasurimin galopant, krimi përfshin çdo centimetër katror të Shqipërisë dhe udhëheqësit politikë, ndërsa mbështetësit piqen në diell apo ngrijnë në të ftohtë, bëjnë pazare pushteti, pastrimi paraje e ndërtime kullash pa kriter.

Për të gjitha sa më sipër dhe shumë të tjera, nevojitet urgjentisht një LIDER!

Spastrime me “projekt-ligj” në diplomaci, rrezikohet largimi i diplomatëve të karrierës

Nga Sebi Alla

Në gusht të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësime për përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë në konferencën “Diplo 2024”. “Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka luajur një rol kyç në zhvillimet transformuese të kësaj kohe. Sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të të gjithë sistemit të organizmit të vendit” tha Rama.

Por pa kaluar as viti, hartimi i një projektligji të ri, që pritet të kalojë në Parlament për shqyrtim dhe votim, vë në pikëpyetje “transformimin” e diplomacisë.

Një paragraf i futur “nëndorë” në nenin 68 (pika 3), të “Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, mund të ndryshojë rrënjësisht shërbimin diplomatik, deri në largimin e pjesës më të madhe të diplomatëve të karrierës. “Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre”, thuhet në pikën shtesë e cila përbën thelbin, por është mbajtur e fshehur si në faqet zyrtare të institucioneve, ashtu edhe në “konsultim publik”.

Përfshirja e togfjalëshit: “të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre”, kupton qartësisht se askush nuk do e ketë vendin e sigurt, pavarësisht pozicionit që mban në shërbimin e jashtëm apo të brendshëm diplomatik. Njëkohësisht lë intepretime për dyshime se pas këtij provimi me ligj, do të ketë emërime të reja pa marrë parasysh “vitet e karrierës” dhe profesionalizmin e vlerësuar në grada hierarkike por lidhjet politike dhe klienteliste. Të paktën ky mbetet një nga shqetësimet kryesore të ekspertëve të ndryshëm me të cilët Faktoje.al u konsultua.

Diplomatët

Ndonëse koncepti i diplomatëve qartëson karrierë të gjatë duke kaluar në disa faza, pozicione dhe grada, me projektligjin e ri mund të “shuhet” ky koncept, duke e ngritur si shqetësim edhe nga ish-diplomatë të njohur.

“Një përqasje e tillë, e cila gjen vend gjerësisht në projektligjin e ri të propozuar, i lë diplomatët e karrierës, të formuar ndër vite, në hije, me synim zhdukjen e kësaj ‘specie’, për t’i hapur vend një shtrese të re diplomatësh, që pritet të rekrutohen, të cilët do të marrin atributet e ‘karrierës’, duke zëvendësuar të tanishmit dhe kapur poste drejtuese në diplomacinë shqiptare, pa pasur përgatitjen dhe eksperiencën e duhur, që është shumë e nevojshme në diplomaci” thotë për Faktoje.al, Sokol Gjoka, ish-ambasador dhe ish-drejtor politik në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Edhe ish-ambasadori Agim Nesho këtë projektligj e sheh si formë për të larguar diplomatët e karrierës dhe zëvendësuar ata me “militantë partiak” në shërbim të qeverisë.

“Fatkeqesisht, shërbimi i jashtëm vihet në shërbim të qeverisjes dhe përdoret për realizimin e agjendave të qeverisë. Për më tepër, kohët e fundit politika e jashtme është personalizuar dhe i shërben kreut të qeverisë dhe konjukturave të momentit”, thotë Nesho, teksa shton se zakonisht në gjithë eksperiencën botërore futja në shërbimin e jashtëm bëhet me konkurs dhe kandidatët i nënshtrohen një provimi. “Diplomati nuk i nënshtrohet provimeve të tjera po vlerësohet nëpërmjet punës që bën. Bërja në këto momente e një vleresimi tjetër do të nënkuptonte një spastrim të shërbimit nga njerëz që nuk janë të dëshirueshëm”, thekson Nesho.

Si ndryshoi projektligji

Në faqen zyrtare të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme është publikuar projektligji, për shërbimin diplomatik, por në draft nuk afishohet pika 3 e nenit 68. Po ashtu edhe varianti i publikuar në faqen e Kryeministrisë nuk afishon këtë shtesë, por ajo gjendet si fakt i kryer vetëm në projektligjin final të mbërritur në Kuvend. “Ky nen është anti kushtetues, bie ndesh me ligjin për nëpunësin civil, me të cilin një diplomat karriere është i mbrojtur, dhe synon të shkallmojë përfundimisht diplomacinë e karrierës, një investim i rëndësishëm i bërë ndër vite”, konstaton Gjoka.

Për ish-ambasadorin, projektligji i ri ka mungesë transparence dhe nuk është bërë pa qëllim… “Neni 68, pika 3 nuk ka qenë i përfshirë në draftin e këtij projektligji që u paraqit për diskutim publik, ç’ka dëmton transparencën e tij dhe vërteton postulatin se ‘djalli fshihet në detaje’. Dhe ky nuk është i vetmi nen që synon ta ç’rrenjosë karrierizmin dhe profesionalizmin nga diplomacia shqiptare se të tillë gjen të shprehura aty-këtu, në nenin 38, 42, 50, etj”, thotë Gjoka. “Diplomacia, ashtu si tërë forcuar, administrata publike duhet mbajtur sa më larg politikës, mbasi ajo është një pasuri kombëtare, e cila i duhet Shtetit sa ai të funksionojë”thekson ish-ambasadori për Faktoje.al.

Provimi që privon gradat

Ligji i shërbimit të jashtëm si ai aktual Ligji nr.23/2015, po ashtu dhe projektligji, parashikojnë një sistem të rreptë të kontrollit të karrierës së diplomatit, duke kaluar nga grada në gradë dhe me një proces testimi.

Ekspertët konstatojnë se mekanizmat për kontrollin dhe verifikimin e njohurive ligji në fuqi i ka, po ashtu dhe projektiligji i ri i propozuar ka marrjen e gradës me testim dhe vetëm në rast të vlerësimit pozitiv. Po përse u shtua një pikë në nenin e fundit të projektligjit? “Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, i ofruar tashmë Kuvendit për miratim, në vend që t’i shërbente forcimit të karrieres diplomatike, ai e zhvesh edhe më shumë atë nga kariera profesionale, duke e kthyer në një ligj klientelizmi politik, ku përfaqësues të këtyre të fundit, të veshur me kostumin e diplomatit, do ta kthejnë diplomacinë e karrirës, në një diplomaci klienteliste, mbase dhe partiake”, konstaton për Faktoje.al, ish-ambasadori Gjoka.

Një tjetër shqetësim mbetet se kush do të jenë “profesorët” apo “grupi vlerësuesve” që do të kalojnë në shqyrtim aftësitë e diplomatëve të karrierës. Gjithashtu lihet e hapur mundësia që në testim të kalojnë edhe ambasadorët dhe çdo rang tjetër drejtues dhe me gradë të lartë diplomatike. Në draftin e paraqitur thuhet se: “Procedurat dhe kriteret e testimit do të përcaktohen me akt nënligjor”.

Përfundimi

Projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë” pati mungesë transparence dhe mbi të gjitha nuk u diskutua dhe afishua publikisht një nen dhe veçanërisht një pikë shtesë e cila fut në provim sistemin e shërbimit diplomatik në vend.

Rreziku i zëvendësimit të shërbimit diplomatik me përfaqësues politik ose “kliantelizëm” ngrihet si shqetësim kryesor i këtij drafti nga diplomatë me karrierë të gjatë.

Nisur nga paralajmërimi i ish-ambasadorëve se drafti është regres, por edhe optikën tjetër nga e sheh diplomacinë kryeministri Rama, deklaratën e këtij të fundit për transformim do ta kategorizojmë si gjysmë të vërtetë. Në fund të fundit konkursi për të futur të gjithë në provim nuk është larg…

/Faktoje.al

Skandal/ Mësuesi i Historisë, kreu i bandës që shpërndante drogë nga Shqipëria në Finlandë

Goditja e katër grupeve kriminale ndërkombëtare që trafikonte drogë, kokainë, amfetaminë dhe ekstazi nga Shqipëria drejt vendeve të Europës ka nxjerrë në pah fakte tronditëse. Nga njoftimi për mediat, SPAK bëri me dije se ka arrestuar 11 persona si dhe sekuestruar para, makina, celularë e prova të shumta që lidhen me trafikun e këtyre lëndëve. Nga Prokuroria u mësua gjithashtu se pjesë e grupit është edhe një mësues Historie që drejtonte njërin prej grupit të trafikantëve.

Qëndresa Qytetare përmes një reagimi publik ka kërkuar një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu para Komisionit të Edukimit në Parlament.

Duke sjellë në kujtesë rastin e pak viteve më parë, ku Drejtori i Shkollës artistike në Durrës Jan Kukuzeli u shpall në kërkim si pjesë e një grupi ku ishte spaçator droge, teksa sot ku SPAK publikoi detajet nga operacioni i kryer me autoritetet finlandeze u njoftua se një nga krerët e grupeve që kishte dërguar sasi të mëdha droge në Finlandë ishte mësues historie.

“Kjo është në kufijtë e një skandali para të cilit MAS, ka detyrimin ligjor të bëjë transparencë, pasi është nëse kjo do kishte ndodhur në çdo vend të Evropës, sot Ministrja e Arsimit do kishte dhënë dorëheqjen.

Qëndresa Qytetare kërkon nga Ministria e Arsimit të japë sqarime, prej sa vitesh ka qenë i punësuar ky person, a janë bërë verifikime nëse ka qenë i dënuar jashtë vendit dhe SPAK duhet të bëjë më shumë transparencë.

Në fund, reagimin e tyre, Qendresa e mbyllin duke deklaruar se shqiptarët t’i lënë fëmijët në mëshirë të arsimtarëve trafikantë.