17.5 C
Tirana
E shtunë, 8 Nëntor, 2025

(Fotot e rralla) Aventura e gazetarit turk në 1980-ën në Shqipëri: Shoqëruesi im, Bashkim B, rrinte mbrapa meje në auto-veturë që të shihte se çfarë po regjistronte kamera ime dhe ai s’më lejonte të fotografoja…

– Çfarë pa dhe fotografoi gazetari turk i ‘National Geographic’ Mehmet Biber, në Shqipërinë e izoluar të 1980-ës…?! –

 

 

National Geographic’, realizoi në numrin e tetorit 1980, një reportazh në Shqipërinë e izoluar prej regjimit komunist. Plot 36 vjet më vonë, ky shkrim i gazetarit turk, Mehmet Biber, zbulon kureshti që kanë nisur të mbulohen nga pluhuri i viteve…! “Të realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkatërrojmë bllokadën”, dikton kjo tabelë në qytetin shqiptar të Shkodrës, por izolimi i Shqipërisë nga bota është rezultat i politikës së brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike aneksuese ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecë e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës, dominojnë skenat publike.  Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron “revizionist”, në 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës, dy vjet më parë. Rruga e vetëmjaftueshmërisë është shpesh një rrugë e vështirë.

TIRANA-PIAZZA-SKANDERBEG-6-768x494

– “Marksizëm-Leninizmi është lënda bazë në të gjitha fakultetet, që çon drejt ‘formimit ideologjik’ të studentëve. Kurset thelbësore përfshijnë historinë e Partisë Shqiptare të Punës, politikat ekonomike të kapitalizmit dhe socializmit, materializëm dialektik, filozofi ‘revizioniste’ – dhe sigurisht, veprat e Enver Hoxhës. Plani pesëvjeçar përcakton kuotat universitare, me kuota sipas rajonit dhe profesionit të familjes – nga një e treta për secilin: punëtorët, fermerët dhe intelektualët. Ata, familjet e të cilëve kanë qenë pronarë ose tregtarë në sistemin e kaluar, e kanë më të vështirë”.

– “Po nëse studentët nuk marrin provimet?”

– “Rinia jonë është idealiste. Në fund të vitit, 96% kalojnë. Ata që ngelin, transferohen në një fermë ose fabrikë. Ki parasysh, plani ynë 5-vjeçar përcakton sa doktorë, inxhinierë, gjeologë, shkencëtarë dhe mësues i nevojiten vendit çdo vit. Ky universitet nuk mund të prodhojë më pak. Duhet të kemi të rinjtë më të mirë për të arritur objektivat tona në përputhje me planin”.

rr

Të punosh për shtetin…!

“Plani”. Fraza dukej se ndillte një frikë të përzier me nderim, sa herë që përdorej. Vërtetë, në një ekonomi kaq të centralizuar në mënyrë kaq dogmatike sa ajo e Shqipërisë, plani është i shenjtë. Plani bazohet në shtetëzimin total të pronës. Çdo dyqan, restorant dhe kioskë, i përket shtetit. Çdo taksist, berber, kamarier, furrxhi dhe artist, punon për shtetin. Fermerët punojnë ose në ferma të drejtuara nga shteti ose në kooperativa të sanksionuara nga shteti. Duke ardhur nga një Turqi e pllakosur nga inflacioni, gjeta një tërheqje të pamohueshme nga disa aspekte të ekonomisë së Shqipërisë. Pa taksa mbi të ardhurat. Pa inflacion. Pa varësi nga burimet e jashtme të energjisë. Dhe meqë gjithçka është rreptësisht e kontrolluar nga shteti, nuk ka ngritje çmimesh – ose rritje rrogash.

Punonjësit e fabrikave dhe fermerët, zakonisht marrin 600 deri në 700 lekë në muaj (një dollar është i barabartë me 5 lekë); një profesor universiteti rreth 1.000. Nivelimi i pagave vendos një tavan prej 1.200 lekësh, përveç zyrtarëve të lartë. Me standardet Perëndimore, rrogat janë të ulëta. Por ashtu janë dhe shumë prej çmimeve. Në dyqane gjeta mish me 12 deri në 18 lekë për kilogram ($1.10 deri në $1.60 paundi), bukë 2 lekë (18¢ për paund); një paketë cigaresh vendase kushton 2 lekë (40¢).
Veshmbathja është ajo që e dëmton më shumë buxhetin familjar. Kam parë kostume meshkujsh të bëra në Shqipëri, që kushtonin sa rroga e një muaji, të cilat nuk do doja t’i blija. Këpucët janë 100 lekë, këmishët 50 lekë – por cilësia është e dobët. Plani kufizon 250 milionë dollarët e importeve, kryesisht në makineri bazike, pjesë këmbimi dhe materiale të papërpunuara, të balancuara nga eksporti.

Shqipëria i mban qiratë e ulta – zakonisht jo më shumë se 5% të të ardhurave familjare. Por zyrtarët pranojnë se ka mungesa apartamentesh, veçanërisht për çiftet e sapomartuara. Shërbimet shëndetësore dhe edukimi janë falas, dhe shqiptarët paguajnë pak për transport apo argëtim. Edhe Tirana ofron pak mundësi argëtimi: disa teatro që shfaqin filma ideologjikë, shfaqje, opera dhe programe folklorike, por nuk ka klube nate, të cilat vijnë erë dekadence borgjeze. Tirana ka më shumë restorante se qytetet e tjera, por pak mund ta përballojnë të hanë jashtë shpesh. Shqiptarët kanë pijen e tyre të fortë të rrushit, raki, si dhe konjak, verë dhe birrë. Por ata nuk janë pijetar. Në Tiranë një djalë mund ta çojë të dashurën në një park, nëse e lejon moti, ose për të parë një film mbi temën e preferuar, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.

Sami Kohen, pa një ballo të organizuar nga fabrika në Pallatin e Kulturës. Çifte të reja qëndronin të ngrirë, duke kërcyer foks-trot dhe tango të vjetra, me një orkestër amatore. Zotëronte disiplina dhe qetësia. Në fakt, “revolucioni kulturor” i Shqipërisë, vendos rregullat për sjelljen e rinisë dhe pamjen. Jo vetëm flokët e gjata dhe minifundet, por edhe xhinsi, pantallonat e ngushta dhe make-up, janë tabu. Jo drogëra, seks paramartesor, shaka vulgare ose çamçakëz. Muzika rrok dhe xhazi me ritme të forta, nuk shihen me sy të mirë. Vizitorët e huaj zakonisht i kalojnë netët në barin, tavernën dhe restorantin e Hotel “Dajti”-t, ku kuzhina është relativisht e mirë. “Përveç festave të ambasadave, zor se ka ndonjë vend tjetër ku të shkosh, ndonjë gjë për të bërë ose dikë me të cilin të flasësh”- u qa një diplomat i ri perëndimor, posti i mëparshëm i të cilit ishte në Paris.

E ktheva këtë në një mundësi për të mësuar më shumë mbi rrënjët e mosbesimit të Shqipërisë ndaj botës së jashtme. “Nëse do isha shqiptar, dhe unë do isha dyshues”, – filloi informatori im. “Vazhdimisht fqinjët grabitqarë, i kanë pushtuar: Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, morën copa të mëdha nga territori shqiptar. Ki parasysh, 1 milion e gjysmë shqiptarë jetojnë sot në Jugosllavi, sa gjysma e shqiptarëve në Shqipëri. Për 70 vjet, Greqia kishte pretendime mbi Epirin e Veriut, që është Shqipëria jugore. Derisa diplomatët perëndimorë vunë veton e tyre, Musolini marshoi dhe pushtoi të gjithë vendin në vitin 1939. Më vonë, Tito donte ta bënte Shqipërinë një republikë të shtatë jugosllave. Një histori e tillë la plagë të thella”!

Shqipëria sot nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, Britaninë apo Gjermaninë Perëndimore. A do ndryshojë kjo politikë tani që Shqipëria ka prishur marrëdhëniet më Bashkimin Sovjetik dhe Kinën? “Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi anki-imperialiste, po aq kërcënuese ndaj nesh sa Rusia social-imperialiste dhe Kina revizioniste” – i tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, Sami Kohen-it. “Amerikanët u përpoqën të na afroheshin pas prishjes me Kinën, por ne nuk duam të kemi të bëjmë me ta”. “Britania ende mban 40 milion dollarë ar shqiptar, të marrë pas Luftës së Dytë Botërore”, – u ankua një gazetar. “Gjermania refuzon të na paguajë dëmet për pushtimin nazist, që kapin vlerën e 4.5 bilionë dollarëve. Ne kurrë nuk do të pranojmë marrëdhënie diplomatike me asnjë nga shtetet pa paguar”!

tirana

Të shkojmë drejt së ardhmes!

Shqipëria e sotme është e projektuar në imazhin e Enver Hoxhës, tani përtej të 70-ave. Po pas tij? Me redaktorin e “Hostenit”, një revistë humoristike, rikujtova ndryshimet e Bashkimit Sovjetik pas Stalinit dhe të Kinës pas Maos. A kishte ndonjë mundësi që dhe Shqipëria mund të zbutej pas Enver Hoxhës? – “Ti na ka krahason me ato vende revizioniste”? – qortoi ai, gjithë zell. – “Jo, asgjë nuk do të ndryshojë, pasi shoku Enver të ndërrojë jetë. Partia dhe kombi, janë të lidhura fort. Mësimet e tij na japin neve drejtimin tonë. Ne nuk do devijojmë prej tij”.

Në vend që të hapet ndaj botës, Shqipëria e vet-izoluar, rri gjithmonë gati për luftë. Përveç dy viteve shërbim ushtarak për të rinjtë, të gjithë qytetarët e aftë fizikisht, pavarësisht profesionit të tyre, duhet të shërbejnë një muaj ose më shumë në forcat e armatosura. Ushtrimet e shpeshta ushtarake në të gjitha fabrikat, fermat, dhe zyrat përgatisin popullin kundër sulmeve.

Kudo ku udhëtova – në bregdet, në shtigje malore, në fusha, në parqet e qyteteve, ndërmjet blloqeve të pallateve – pashë bunkerë, emri i tyre popullor . Ata duken – dhe dalin – si kërpudha. “Më shumë beton dhe çelik shkon për bunkerët se për strehim”, – më tha një diplomat. E dija se Enver Hoxha shqetësohej për të ardhmen e Jugosllavisë pas Titos – dhe makthin e një pushtimi Sovjetik. A ndihet vërtet e kërcënuar Shqipëria? “Duhet të përgatitemi për më të keqen”, – më tha një gazetar shqiptar.

“Por a mundet Shqipëria e vogël të përballojë sulmin e një fuqie të madhe”? Armatimet e Shqipërisë, kryesisht të prodhuara në Kinë, janë demode, dhe vëzhguesit diplomatikë në Tiranë, thonë që vendi mund të kërkojë armë në Europë. – “Edhe nëse armiku është superior numerikisht, ne mund t’i ndalojmë ata. I gjithë populli do të mobilizohet në çast. Malet dhe lumenjtë tanë e bëjnë Shqipërinë si një fortesë natyrore. Çdo sulm do t’u kushtonte shtrenjtë pushtuesve”. Mendova për shtëpitë e gurit në Gjirokastër dhe qytetet e tjera malore, muret pa dritare poshtë dhe frëngjitë lart – çdo shtëpi një fortesë, trashëgim i shekujve gjakmarrje. Dhe m’u kujtua kalaja e shekullit të 15-të në Krujë – fortesa nga e cila Skënderbeu udhëhoqi 25 vjet luftën kundër otomanëve.

I lindur Gjergj Kastrioti, dhe i dërguar si peng në moshë të re në oborrin e Sulltanit, u ngrit në komandën e lartë në Perandorinë Otomane. I ri quajtur pas Aleksandrit të Madh (Iskander Bej, në turqisht) të cilin turqit e admironin, Skënderbeu dezertoi dhe udhëhoqi 300 kalorës shqiptarë, për të rimarrë trashëgiminë e tij. Ai braktisi Islamin dhe frenoi rrjedhën turke në Europë, deri në vdekjen e tij në 1468.

Ai u mbajt si një simbol rezistence. Dhe ishte nën flamurin e Skënderbeut – shqiponja e zezë dy krenare në një fushë të kuqe gjaku – që partizanët e Enver Hoxhës, përparuan Shqipërinë e pavarur të sotme.

w

Shteti ndalon “Opiumin e Popullit”

Shiu përhiri Liqenin e Shkodrës dhe mbështolli të egrat Alpe Shqiptare të Veriut, që ruajnë kufirin me Republikën Jugosllave të Malit të Zi. Përgjatë grykëderdhjes së liqenit, e cila është e lundrueshme deri në Adriatik, shtrihet Shkodra, kryeqyteti antik i Ilirisë. Mbi të, një kala mesjetare të sjell ndërmend zotërit venecianë. Një monument në një park aty nderon pesë partizanë shqiptarë, të cilët u vetëflijuan duke zmbrapsur 300 pushtues nazistë. Afër tij më çuan të vizitoja Muzeun e Ateizmit të Shkodrës. Nën sloganin e Marksit; “Feja është opium për popullin” – drejtori, një burri i ftohtë i veshur me gri, me zë të ashpër, më tha se feja kishte penguar pavarësinë e Shqipërisë.

Për shkak se turqit e identifikonin kombësinë me fenë, shqiptarët e besimit myslimanë (rreth 70% e popullatës) konsideroheshin turq. Të krishterët ortodoksë (rreth 20%) quheshin grekë, dhe katolikët romanë (rreth 10%) latinë. Shërbimet si rrjedhojë kryheshin, jo në shqip, e cila ishte e ndaluar dhe nuk kishte as alfabetin e saj roman deri në vitin 1908, por në 3 gjuhë të huaja: arabisht, greqisht dhe latinisht. “Gjatë përpjekjeve për të ndërtuar kombin tonë shqiptar,” vazhdoi ai, ndërkohë që më tregonte ekspozita mbi abuzimet klerikale, “kishat shërbyen si një kolonë e pestë për fashizmin, imperializmin dhe kundërrevolucionin.”

Regjimi i Hoxhës ekzekutoi klerin, i dënoi në kampe pune, ose i caktoi në “punë prodhuese”. Vendet e tjera komuniste e mbajnë nën fre fenë; Shqipëria e ndalon atë, duke e shpallur veten “shteti i parë ateist në botë” në vitin 1967. Të gjitha 2.169 xhamitë, kishat, manastiret dhe vendet e tjera të “obskurantizmit dhe misticizmit”, janë mbyllur, shembur ose shndërruar në qendra rekreacioni, klinika, magazina ose stalla. Katedralja e madhe e Shkodrës, kumbon nga britmat e 2.000 fansave të basketbollit. Gjenerata e re e Shqipërisë njeh vetëm ateizëm. Besimi Marksist-Leninist zëvendëson besimin fetar. Librat e Enver Hoxhës, të botuara pjesë-pjesë në gazeta, të cituara në radio, sloganet e përzgjedhura shërbejnë si një Testament i Ri. Hoxha mbahet si një mesi – pafundësisht i mençur, largpamës dhe dashamirës, por gjithashtu i paepur ndaj armiqve të tij.

44

Lartësimi i profilit të Liderit

Duke jetuar veçmas popullit të tij në një kompleks të ruajtur mirë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe duke udhëtuar në një “Mercedes” me perde, Enver Hoxha është i kudondodhur. Portreti i tij të sheh nga çdo mur, edhe nga kamionë dhe traktorë. Emri i tij është i gdhendur në faqet e kodrave me germa dhjetëra metrash. Vendlindja e tij – një shtëpi guri dykatëshe në Gjirokastër – është një vend i adhurimit kombëtar.
Një mjeshtër i vetëruajtjes staliniste, Hoxha ka asgjësuar në mënyrë të pamëshirshme çdo kundërshtar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Elita revolucionare, e bindur që natyra njerëzore mund të formohet nga indoktrinomi i vazhdueshëm, ka vendosur të krijojë një qytetar të ri shqiptar i cili pa dyshim do të bëjë çdo sakrificë në luftën e vendit të tij ndaj “rrethimit të egër imperialist-revizionist”, për të ndërtuar një shoqëri të lirë nga herezia e individualizmit, mendimit të pavarur apo moralit të huaj.

Ndërkohë që përpiqet të riformësojë qytetarët e vet, ky vend i vogël, dikur i prapambetur, e ka ngritur veten në mënyrë mbresëlënëse me forcat e veta. Le të marrim kombinatin e madh metalurgjik në Elbasan, të quajtur “Çeliku i Partisë”; stacionin hidroelektrik në Fierzë, të pagëzuar “Drita e Partisë”; një regjistrim studentor prej 700.000 përkundër 56.000 në 1938; çuarjen nga dy radio transmetues në 1945, në 52, brenda dy dekadash; jetëgjatësia mesatare gati e dyfishuar në 4 dekada – të gjitha arritje të dukshme.

Regjimi gjithashtu po përpiqet të zbërthejë strukturën klanore patriarkale, që ka mundësuar jetën shoqërore në malet e egra të Shqipërisë. Duke vepruar kështu, po shuan hakmarrjet, të cilat deri në vitin 1920, shkaktonin vdekjen e 1 në 4 meshkujve. Ka ndaluar dhe marrjen e gjakut për tradhti. (Tradita e maleve i jepte të drejtën burrit, të vriste bashkëshorten e tij dhe dashnorin e saj. Familja e saj, në një ritual aprovimi, i jepte një plumb atij!)

Reformuesit i dhanë fund martesave në djep dhe shitjes së nuseve 12-vjeçare, ata sulmuan zakonet që e mbanin femrën shqiptare të konsideruar tradicionalisht, si “me flokë të gjata e, mendje të shkurtër”, me një pozicion inferior. Asnjë cep i jetës shqiptare, materiale ose shpirtërore, nuk i kishte shpëtuar impulsit të Hoxhës për kontroll. Njerëzit me emra “të papërshtatshëm ose fyes”, nga pikëpamja politike, ideologjike ose morale, duhet t’i ndryshonin ato. As të vdekurit nuk shmangeshin nga zelli reformues i Hoxhës. Varrosjet, të paguara nga shteti, bëhen në toka të përbashkëta, pa ndarjen fetare tradicionale.

Po të kthesh anën e ndritshme të monedhës së rritjes së “mësimit të shkrimit e këndimit” (siç shpreheshin) të shfaqet ana e errët të rritjes së kontrollit të mendimit, pasi Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës, përcakton çfarë do të lexojnë shqiptarët, siç shteti vendos kush do të punojë ku, kush do të shpërblehet dhe kush do të ndëshkohet.

Shoqëria dyshuese mbyll dyert e saj. Dora e ashpër e historisë, ka fiksuar dyshimin në psikikën shqiptare. Pas tre javësh në Shqipëri, kuptova se sa pak kisha arritur të penetroja në fasadën e këtij eksperimenti social ogurzi. Kurrë në udhëtimet e mia nëpër botë, nuk kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur, nuk isha ndjerë kaq shumë në ishull. I shoqëruar dhe i vëzhguar gjatë gjithë kohës, ndjeva se makina e verdhë e dallueshme në të cilën udhëtova, ishte si kambana që lajmëronte afrimin e lebrozit mesjetar.

Guida ime, Bashkim Babani, rrinte mbrapa meje që të shihte se çfarë po regjistronte kamera ime. Ai më lejonte të fotografoja jashtë uzinave industriale, por jo t’i vëzhgoja gjatë punës, të vizitoja një digë hidroelektrike, por jo centralin elektrik. Në një distileri, më dhanë të pija raki, por nuk mund të shihja sesi prodhohej. Kërkesat për të vizituar familje dhe shtëpi, ishin shmangur me mirësjellje, ose injoruar. Asnjë foto të bunkerëve, gomarëve, asgjë primitive, sigurisht. Por Bashkimi më ndaloi edhe të riprodhoja imazhet e kartolinave shqiptare. Një qytetar kundërshtoi fotografimin e fëmijëve, para Teatrit të Kukullave të Tiranës. Bashkimi më shkurajoi bërjen e fotove gjatë një ceremonie dasme. Regjimi i minimizon festime të tilla tradicionale. As nuk mbaj mend, të kem parë ndonjë qen ose mace shtëpiake, lukse borgjeze.

Një herë fillova një bisedë drejtpërdrejt me një fshatar në turqisht. Bashkimi e ktheu menjëherë bisedën në shqip dhe i përktheu përgjigjet në zhargonin e zakonshëm të partisë. As nuk mund të çaja mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe i përzemërt, siç ishin shumica e shqiptarëve. Vetëm një herë më ndodhi të has në një thyerje të mikpritjes – një adoleshent në një fermë kolektive rrushi afër Shkodrës, pështyu te këmbët e mia dhe lëshoi një slogan; “poshtë të huajt”. U përpoqa të thyeja barrierat, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll, me gruan dhe djalin tim. Por ai kur nuk e hapi perden, si në “Mercedesin” e Enver Hoxhës, për të më lejuar një vështrim në jetën dhe mendimet e tij private. Me të vërtetë, ai dukej se mishëronte të njëjtën sjellje, të njëjtën maskë, që vendi i tij vesh në mënyrë kaq sfiduese. Memorie.al

tirana_international_albania TIRANA-PIAZZA-SKANDERBEG-6-768x494

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

Alarmi i prodhimit! Punëdhënësit më të mëdhenj, industria dhe bujqësia hyjnë në fazë recesioni! Faktorët që po ndikojnë negativisht

Sektori prodhues në vendin tonë ka hyrë në një fazë të gjatë recensioni. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se bujqësia ra për të katërtin vit radhazi me 2024, ndërsa industria ra për të dytin vit.

 

Prodhimi bujqësor ra me -1.1% më 2024 nga -1.8 më 2023, ndërsa sektori i industrisë shënoi rënie me -6.7%, më e forta që nga pandemia 2020.

Në sektorin e bujqësisë ishin të punësuar 32.2 për qind të totalit të punonjësve dhe në industri rreth 13.4%. Të dy këto sektorë kontribuuan në 45.7 për qind të totalit të punësimit me 2023, sipas INSTAT. Që nga viti 2019 kontributi i bujqësisë në punësim erdhi më rënie me 4 pikë për qind, ndërsa industria mbajti të njëjtën peshë.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, bujqësia është në trajektore rënëse kryesisht për shkak të zhvillimeve negative në fermat familjare së fortë të sektorit të blegtorisë. Në dekadën e fundit numri i kafshëve për qumësht dhe mish gati është përgjysmuar prej falimentit të fermave të vogla.

Rënia e popullsisë në fshatra dhe plakja e saj ka bërë që fermat e vogla familjare me kafshë të shuhen. Për të njëjtat arsye ka rënë edhe prodhimi bujqësor në fushë. Fermat familjare për vetë- konsum janë në faliment të vazhdueshëm nga pakësimi dhe plakja e popullsisë në fshat.

Prodhimi bujqësor po organizohet në formë biznesesh me sera për eksport. Për shkak të këtij tranzicioni tani fermerët që prodhonin për vetë-konsum janë kthyer në konsumatorë që nxisin rritjen e importeve të prodhimeve bujqësore nga jashtë. Në bashkitë e vogla pothuajse nuk ka ma tregje fshatarësh.

Prodhimi bujqësor është ndikuar negativisht edhe nga mungesa e subvencioneve dhe bllokimi i fondeve IPARD. Këtë vit financimet nga skema e kombëtare janë rreth 75 milionë euro nga të cilat 70 për qind janë shpenzime operacionale dhe vetëm 30 për qind e fondit është investim që shton prodhimin.

Sakaq, sektori i industrisë hyri në vitin e dytë të rënies me 2024 prej faktorëve që lidhen kryesisht me rënies e vlerës së euros dhe rritjes së kostove te brendshme. Rënia e euros nga niveli 122 lekë më 2021 në më pak se 100 lekë vitin e kaluar uli të ardhurat e eksportuesve duke bërë që shumë kompani të mbyllin aktivitetin.

Vetëm fabrikat e veshjeve dhe këpucëve kanë shkurtuar gati një të pestën e vendeve të punës vitin e kaluar sipas të dhënave nga statistikat afatshkurtra.

Modeli ekonomik i vendit po zhvendoset nga shpejtësi nga prodhimit tek shërbimet dhe tregtia, pas një përpjekje për dekada për të krijuar produkte “Made in ALbania”. Ekspertë të ekonomisë mendojnë se prodhimi përgjithësisht integron ekonomitë në zinxhirët e lartë të vlerës. Psh gjatë pandemisë Covid-19, ku bota u vendos nën masa kufizuese vendet që kishin ekonomi prodhuese shënuan rënie me të ulët se, ato që ishin të bazuar në shërbime sidomos turizëm./ Monitor

Fushata për zgjedhjet e 11 majit/ Zekthi: Klasa politike në Shqipëri nuk reflekton njerëzit, financohet nga e njëjta bazë biznesmenësh

Analisti Fitim Zekthi, duke komentuar fushatën për zgjedhjet e 11 majit, është shprehur se klasa politike në Shqipëri nuk reflekton njerëzit.

 

Ai tha në studion e emisionit “Open” në Neës24 se partitë financohen nga një bazë e njëjtë e caktuar biznesmenësh.

“Ne në Shqipëri, por edhe në shtete të tjera, kemi një klasë politike që nuk reflekton fare njerëzit. Klasa politike në Shqipëri ka mënyrën e vetë të komunikimit, gjuhën dhe stilin e vetë, por edhe ekonominë e vetë politike.

Partitë politike në Shqipëri nuk financohen më nga kuotat e njerëzve, financohen nga një bazë e caktuar biznesmenësh dhe klasa politike në Shqipëri ka të njëjtën bazë biznesmenësh. Edhe është e shkëputur totalisht…jo vetëm nuk reflekton popullin, por është armiku i njerëzve”, tha Zekthi.

Ndër të tjera tha se, “problemi që ka Shqipëria sot është krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivel të lartë politik. Ky është problemi dhe të dyja përpiqen ta shmangin, sepse të dyja nuk duan të thonë që do përkrahim cdo përpjekje serioze për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe duhet të shohim në radhë të parë nga vetja jonë. Se kështu bëhet fushata, kështu fitohet zemra e popullit.”

E pazakontë! Shqetësime për Barcelonën pas zgjedhjes së Flik, Osasuna mund të kërkojë fitoren në tavolinë

Barcelona mposhti Osasunën mbrëmë më rezultatin 3-0. Ndeshja në La Liga ishte e prapambetur dhe me 3 pikët e fituara, katalanasit janë të vetëm në krye.

 

Një rast i pazakontë, po shqyrtohet si mundësi në Spanjë. Bëhet fjalë për aktivizimin e Inigo Martinez nga Flik.

Ky i fundit u largua nga përfaqësuesja e Spanjës, për shkak dëmtimi. Në rregulloren e FIFA-s, një lojtar që tërhiqet për shkak dëmtimi nga kombëtarja nuk mund të luajë me klubin e tij për 5 ditët e ardhshme.

Spanja e luajti ndeshjen e fundit, më 23 mars. Tashmë varet vetëm nga interpretimi i federatës dhe FIFA-s, teksa një rast i tillë mund të sjellë edhe humbjen në tavolinë për Barçën.

SPAK urdhër kontroll për banesën e motrave Xhovana e Alda Nikolli

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër për kontrollin e banesës së motrave Xhovana e Alda Nikolli

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Mësohet se forcat policore ndodhen tashmë në banesën motrave Nikolli dhe po kryejnë kontrolle.

vijon/…

Kundër ndërtimit të resortit turistik në Velipojë, banorët protestë para SPAK: Po na grabisin pronat

Banorët e fshatit Rrjol protestojnë para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër ndërtimit të resortit turistik në Velipojë.

 

“Po na grabisin pronat”, u shprehën banorët gjatë protestës së tyre para SPAK.

60 familje kërkojnë ndaljen e punimeve, ndërsa dekarojnë se pronat e tyre i kanë me dokumente dhe të trashëguara prej të parëve të tyre.

Janë 95 mijë metër katrorë tokë në breg të detit në zonën e Rrjollit në Velipojë e cila sipas banorëve është pronë e tyre  që nga viti 1936.

Prona ngjitur me brezin rënor, ka një gjatësi prej 4 kilometrash.

“Mu shemb godina para syve!”- Termeti 7.7 ballë në Myanmar, rreth 43 persona të bllokuar nën rrënoja! Pamje nga qyteti me rrugë të çara dhe ndërtesa të shkatërruara

Qyteti Myanmar u godit të premten nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

 

Lëkundjet u ndjenë deri në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok dhe qytetin verior të Chiang Mai, si dhe në provincat Yunnan dhe Guangxi të Kinës.

Tërmeti me epiqendër 16 kilometra (10 milje) në veri-perëndim të qytetit të Sagaing, u pasua dhe nga në pasgoditje e dytë e fortë prej 6.4 ballë, rreth 12 minuta pas tërmetit fillestar, sipas USGS.

Termeti 7.7  Myanmar (2)

Myanmar nuk është i pajisur mirë për t’u përballur me një fatkeqësi të përmasave të tilla. Është një nga vendet më të varfra të Azisë dhe është zhytur në një luftë brutale civile katërvjeçare pasi ushtria mori pushtetin.

Termeti 7.7  Myanmar (1)

Nuk dihet ende nëse ka të vdekur, por CNN raporton se Shërbimet e urgjencës thonë se 50 persona ishin brenda një ndërtese që u shemb në Parkun Chatuchak, Bangkok.

Instituti Kombëtar për Mjekësinë Emergjente thotë se 43 persona janë bllokuar në ndërtesë dhe shtatë të tjerë janë plagosur.

Termeti 7.7  Myanmar (3)

Siç shihet edhe nga pamjet, ndërtesa të shumta janë shkatërruar plotësisht, rrugën kanë pësuar çarje të mëdha, ndërsa qytetarët duken mes lotësh krah njëri-tjerrit rrugëve të qytetit.

“Të gjithë dolëm me vrap nga shtëpia pasi gjithçka filloi të dridhej. Pashë një shembje godine pesëkatëshe para syve të mi. Të gjithë në qytetin tim janë në rrugë dhe askush nuk guxon të kthehet brenda ndërtesave”, tha një qytetar për Reuters.

Termeti 7.7  Myanmar (2)

 “Ne kemi filluar kërkimin dhe kemi shkuar nëpër Yangon për të kontrolluar për viktima dhe dëme. Deri më tani nuk kemi ende informacione.”, tha një oficer nga departamenti i shërbimeve të zjarrit të Myanmar për Reuters.

Termeti 7.7  Myanmar (7) Termeti 7.7  Myanmar (4)

OPDAT zbarkon në SPAK/ Karamuço: Priten zhvillime të mëdha. SHBA nuk do të reduktojë fondet për luftën ndaj korrupsionit në Ballkanin Perëndimor

Për ekspertin e kriminalistikës Ervin Karamuço, ardhja e OPDAT në Shqipëri ësht një mbështetje ndaj SPAK. Më tej, eksperti vijoi duke thënë se SHBA nuk do të nuk do të reduktojë fondet që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar sidomos në Ballkanin Perëndimor.

Sakaq, për Karamuçon pritet të ketë zhvillime të mëdha në sferën politike.

“Janë të njëjtët emra, me të njëjta dije dhe asistencë. Vjen si pasojë e një deklarate sepse politika amerikane ka shumë oshilacione. I cili ka thënë se nuk do të reduktojmë fondet që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar sidomos në Ballkanin Perëndimor.

Do të jetë një kthim i shpejtë para zgjedhjeve. SPAK-u tregoi një pjëkuri se edhe pa Amerikën kreu goditje në një nivel të paparashikueshëm. Ishte tregues për partnerët tanë që ne mund t’ja dalim dhe vetëm. Këto nuk janë si bonuse për të përfituar asistencë. Të shohësh prezencën e tyre aty ka një reagim. Nuk duhet ta kemi këtë që kur janë amerikanët ndodhin disa gjëra, kur nuk janë nuk ndodhin. Do të ketë zhvillime të mëdha.”

Piramida e ndërtimit, si po karbonizohet vendi me kontrata porosie

Nga Esmeralda Cuni/ shteg.org

Në Shqipëri, më shumë se 11 milionë metra katrorë leje ndërtimi janë miratuar brenda pesë vitesh me një vlerë investimi që arrijnë deri në 480 miliardë lekë, por shumica e këtyre investimeve financohen nga blerësit, të cilët janë të detyruar të paguajnë deri në 90% të çmimit të apartamentit para se të nisin punimet.

Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se ndërtuesit shpesh operojnë me kapital të kufizuar dhe mbledhin fonde nga blerësit pa pasur garanci të mjaftueshme për përfundimin e projekteve, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut të humbjes së parave dhe pasurive.

Mungesa e një regjistri të unifikuar për lejet dhe ndërtimet ka bërë të pamundur monitorimin e proceseve dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Gjithashtu, shumë ndërtues vazhdojnë të operojnë pa respektuar procedurat e duhura për regjistrimin e lejeve dhe kontratave, duke lënë blerësit pa mbrojtje ligjore dhe financiare.

Të gjithë këta faktorë kanë çuar në krijimin e një tregu të pasigurt dhe kaotik, ku qytetarët vazhdojnë të bien viktima të mashtrimeve dhe të humbasin investimet e tyre.

Para në gropë

Gropë pallati Tiranë
Credts: shteg.org – Gropë pallati Tiranë

Në qershor 2018, Sokoli nënshkroi një kontratë për blerjen e një apartamenti prej 104m2 në Durrës, por shtatë vjet më vonë, ai ende nuk ka marrë pronën.

7 vite më pas ai është ende dyerve të gjykatës për të marrë pronën që i takon. Në dorë ka ende kontratën por jo shtëpinë.

Apartamenti ishte shitur dy herë nga administratori i kompanisë “Albion Construction”, Ahmet Tusha, i cili u arrestua në janar 2025 për mashtrimin e qytetarëve me një vlerë prej 2 milionë euro. Ndërtimi i pallatit nisi në 2009, por leja e ndërtimit nuk u zbardh kurrë dhe ndërtuesi vazhdoi të ndërtonte dhe shiste të njëjtin apartament disa herë pa likuiduar detyrimet.

Pas një viti, Sokoli kërkoi çelësin për të parë apartamentin, por kur shkoi aty, gjeti një emër tjetër dhe telefonin e një tjetër blerësi,  shtetasin S.J., i cili i tregoi se kishte blerë apartamentin në vitin 2020.

S.J. ishte mashtruar gjithashtu nga i njëjti ndërtues, i cili i kishte shitur apartamentin që ai e kishte prenotuar më parë.

Paradoksalisht kontratatat janë hartuar nga i njëjti noter.

Ky mashtrim vazhdoi për shumë blerës të tjerë, të cilët paditën kompaninë “Albion Construction” në vitin 2022. Prokuroria e Durrësit mbylli hetimet në mars 2025 dhe ka marrë në hetim administratorin për “mashtrim” dhe “ndërtim të paligjshëm”, por është ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me blerësit. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ky subjekt është ende aktiv, por në shkurt 2025 është vendosur sekuestro konservative mbi 70% të kuotave që zotëron Tusha. Rasti i Sokolit nuk është i vetmi.

Në tre dekadat e fundit, së bashku me boomin e ndërtimit shqiptarët janë përballur edhe me amullinë e kontratave me të cilën fitojnë një pasuri. Me një funksionim të dobët të organeve ligj-zbatuese, në të gjithë vendin janë regjistruar me dhjetëra raste kur apartamentet janë shitur dy a më shumë herë, duke bërë që qytetarët të enden për vite të tëra në dyert e gjykatave.

“Kompanitë duhet të ofrojnë një fond garancie të vlerës së investimit, që në thelb është garanci për blerësit, – thotë Zef Preci, drejtor i qendrës për kërkime ekonomike. – Është cënuar jo vetëm siguria fizike, por edhe ajo juridike që është përgjegjësi e shtetit”, – këmbëngul ai.

Për të shmangur këtë fenomen në vitin 2018, ligji për kadastrën parashikoi krijimin e një regjistri të veçantë për lejet e ndërtimit dhe të gjitha kontratat që lidhen për këtë pasuri, por të dhënat e grumbulluara nga “shteg.org” tregojnë se këto rregulla nuk zbatohen.

Sipas Kadastrës, 33% e lejeve të ndërtimit të miratuara përgjatë periudhës 2020-2024 nuk janë regjistruar pranë ASHK-së, duke ngritur dyshime për mënyrën se si ndërtuesit sillen në këto raste. Regjistrimi i lejes së ndërtimit është një kusht i domosdoshëm për të nisur punimet dhe legjitimuar të gjitha kontratat e shitjes apo porosive, në të kundërt ndërtimi konsiderohet pa leje.

Të pushtuar nga ethet e ndërtimit, mijëra qytetarë çdo vit blejnë apartamentet e tyre që në gropë, një praktikë vetëm shqiptare, duke i ekspozuar përballë rrezikut të humbjes së investimit.

“Shteg” konsultoi disa modele të ndryshme kontratash blerjesh që në gropë, ku blerësit paguajnë deri në 90% të vlerës, edhe pse ndërtimi mund të mos ketë nisur ende, duke bërë që investitorët të mos marrin përsipër asnjë risk.

“Risku që mbart kontrata e blerjes që në gropë është shumë i madh, janë si firmat piramidale”, thotë për “shteg.org”, Suzana Guxholli, eksperte ekonomie njëkohësisht rektore e Universitetit Marin Barleti.

“Ndërtimi është një mjet pasurimi që të gjitha palët përpiqen të përfitojnë dhe askush nuk mban përgjegjësi”, komenton Zef Preçi, duke e vënë theksin tek strukturat që duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Nuk ka kurrfarë mbrojtje për qytetarin, duke filluar me lejet, duke filluar që nga certifikimi i kompanive, rankimet e ndërtuesve dhe marrëdhëniet okulte të pushtetit vendor me to’, – shton më tej ai.

Edhe noterët, që janë hallka që certifikon këtë marrëdhënie thonë që peshorja anon nga ndërtuesit, ndërsa mungesa e mekanizmave monitorues bën që ndërtuesit pasi u marrin paratë, ti kenë në dorë blerësit.

“Sipërmarrësit janë goxha të privilegjuar, sepse kryesisht punojnë me paratë e klientëve të tyre. E keqja më e madhe është se e vendosin edhe në kontratë, një pjesë duke e paguar totalin dhe një pjesë tjetër me këste. Mendoj se organizmat përkatëse është e detyrueshme që këtyre sipërmarrësve tu shihet kapitali”, – thotë Fatmir Laçej këshilltar i dhomës kombëtare të noterëve njëkohësisht këshilltar i përgjithshëm i Unionit Botëror të Noterëve.

Ethet e ndërtimit

Tirana Building Area
Credits: shteg.org – Tirana Building Area

E gjithë Shqipëria, e në veçanti Tirana është pushtuar nga ethet e ndërtimit. Sipas të dhënave të INSTAT përgjatë periudhës 2020-2024 u dhanë mbi 11 milionë metra katrorë ndërtime të reja, nga të cilat 8 milionë metra katrorë janë ndërtuar vetëm në Tiranë. Vlera e këtij investimi është 485 mld lekë, ose 4.8 mld euro, që në shumicën e rasteve vendoset nga blerësit dhe jo nga investitorët. Kjo për shkak se në vendin tonë aplikohen kontratat e blerjes që në gropë, duke e konsideruar blerësin bashkë-investitorë.

Ekspertët thonë se ndërtuesit futen në ndërtime miliona euroshe me një kapital modest prej 1 mijë eurosh duke funksionuar si firma piramidale, pasi mbledhin lekët e atyre që duan të blejnë dhe përfundojnë ndërtimin me paratë e të tretëve.

“Blerësi është i penalizuar nga kuadri ligjor i papërshtatshëm dhe zbatimi ligjor i keq i tij”, konstaton Zef Preçi, për të cilin “investimi që në gropë, pa një garanci financiare, ia delegon të gjithë riskun familjarit”.

Nën ethet e blerjes së një prone, në disa raste kontratat paraprake hartohen edhe pa marrë ende lejen e ndërtimit. Një procedurë kjo në kundërshtim me ligjin për kadastrën që përcakton se kontrata të tilla bëhen pasi të jetë miratuar leja e ndërtimit, duke i ekspozuar blerët ndaj rreziqeve të shumta financiare.

Për ekspertët këto kontrata, së bashku me kontratat e premtimit të shitjes, të cilat “shteg.org” ka mundur të konsultojë, jo vetëm që nuk duhet të hartohen por i lënë blerësit në mëshirë të fatit, pa asnjë mbrojtje.

Fatmir Laçej, Këshilltar i dhomës kombëtare të noterëve
Credits: shteg.org – Fatmir Laçej, Këshilltar i dhomës kombëtare të noterëve

Për Fatmir Laçej, megjithëse i konsideron jo korrekte, këto kontrata që bëjnë fjalë për një send të ardhshëm, janë aplikuar dhe vazhdojnë e aplikohen nga noterët.

“Të bësh një kontratë premtim shitjeje, kur nuk nuk ke leje zhvillimore është një ëndërr e keqe”, – thotë Laçej, duke këmbëngul që për çdo rast noteri duhet ta sqarojë blerësin për rrezikun.

“Premtimi nuk është kontratë e dyanshme, por është kontratë e njëanshme ku premtuesi i shitjes merr përsipër vetë detyrimin, por ngelet në kuadër të një premtimi dhe nuk mban përgjegjësi në rast mosrealizimi të premtimit”, – na thotë një tjetër noter që preferon të mos identifikohet.

Duke e drejtuar gishtin tek burokracia e kadastrës ai thotë se personalisht ka hartuar kontrata porosie, të një prone edhe pse leja e ndërtimit nuk është regjistruar ende.

“Personalisht punoj me të njëjtët ndërtues prej disa vitesh dhe e di se si punojnë ata. Në këtë rast i hartoj kontratat sepse e di se gjithçka ka ngecur për shkak të burokracive apo korrupsionit”, – shpjegon ai.

Sipas nenit 48 të ligjit për Kadastrën, brenda 20 ditëve nga dita e lëshimit të lejes së ndërtimit, bashkia që e ka lëshuar atë, e depoziton në zyrën vendore kadastrale për regjistrim.

Ligji përcakton po ashtu se çdo kontratë sipërmarrje, porosie apo premtim shitjeje e investitorit me pronarin e truallit apo me të tretë, që synon në të ardhmen kalimin e pronësisë, regjistrohet në regjistrin e lejes së ndërtimit dhe më tej në regjistrin e karabinasë.

Ky regjistrim e bën njësinë përkatëse të objektit “të zënë” dhe që nuk mund t’i premtohet dikujt tjetër. Pikërisht në këtë regjistër noterët duhet të regjistrojnë çdo kontratë porosie, gjë e cila është e pamundur të ndodhë nëse nuk është regjistruar leja e ndërtimit më parë apo ajo nuk është firmosur ende.

Ligji detyron që çdo kontratë sipërmarrjeje duhet të regjistrohet gjithashtu në kadastër së bashku me plan vendosjen, në mënyrë që të shmangë shitjen disa herë të së njëjtës pasuri.

Mirëpo noterët thonë se jo në të gjitha degët e kadastrave kjo praktikë funksionon, duke bërë që në shumë raste ndërtuesit e nisin punën pa regjistruar lejen.

“Ky afat pothuajse nuk respektohet asnjëherë. Në shumë raste bashkia e dërgon me vonesë, në shumë raste leja humbet në burokracitë e kadastrës. Ndërtuesit preferojnë të paguajnë gjobën dhe të nisin punimet pa u regjistruar leja”, – shpjegon ai.

Ky hendek vërtetohet edhe nga të dhënat e vetë kadastrës.

“Për 5 vitet e fundit janë regjistruar 4521 leje ndërtimi ose vetëm 67% e totalit të lejeve (6715) të miratuara për të njëjtën periudhë. Viti 2020 ka qenë viti me regjistrimin më të vogël të lejeve të ndërtimit, vetëm 28% të totalit, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar vetëm 60% e lejeve të miratuara”- tha për “shteg.org” Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Po ashtu edhe numri i akteve noteriale për ekspertët është shumë më i vogël se sa i atyre që lidhen në të vërtetë.

Të dhënat e INSTAT

Të dhënat nga Hipoteka

Për ekspertët mos regjistrimi në kohë i lejeve të ndërtimit, në disa raste mund të jetë i qëllimshëm nga ndërtuesit, pasi ndryshojnë projektin me shtesa katesh apo ndryshim njësish. Nënkryetari i dhomës së noterëve, Laçej, e konsideron një handikap të madh këtë të dhënë.

“Leja zhvillimore duhet regjistrohet menjëherë dhe po ashtu duhet të regjistrohen edhe prenotimet mbi këtë leje. Vonesa ka pasoja të mëdha, ndaj duhet kujdes më i madh nga klientët të mos pranojnë të firmosin kontrata pa u regjistruar leja”, – thotë ai.

Zef Preçi e shikon problematike të gjithë mënyrën se si ka funksionuar deri më tani dhe vijon të funksionojë kjo marrëdhënie kontraktuale.

“Problemi lidhet me garancitë juridike dhe financiare që ka blerësi, pasi ai mobilizon të gjitha kursimet e veta, për të blerë një pasuri të patundshme”, – thotë Preçi.

Ai sheh me shqetësim rolin e të gjithë institucioneve që janë në mes, duke filluar që nga noteri deri tek njësitë e qeverisjes vendore. Sipas tij të gjithë shkojnë symbyllazi drejt kësaj kontrate pasi as noterët “nuk bëjnë asnjë lloj verifikimi nëse kompania që merr përsipër të investojë, ka lejet apo licencat përkatëse, dhe as institucionet që licencojnë kompanitë nuk kanë lista referuese nëse janë të licencuara apo jo”.

Shumë shoqëri ndërtimi të cilat nuk e kanë kolauduar ndërtesën për të cilën është përgjegjëse bashkia, pra nuk kanë paguar të gjithë detyrimet financiare për ta regjistruar pallatin në ASHK, e njëjta shoqëri merr leje ndërtimi për ndërtesa shumëkatëshe të tjera.

“Është bashkia që nuk i gjurmon dokumentet, sepse të gjitha fijet vijnë e kryqëzohen në bashki. Bashkia duhet të bëjë kolaudimin dhe të gjithë verifikimet në terren. Ne jemi në kushtet e konfliktit të interesit, pasi firmat i zgjedhin vetë mbikëqyrësit dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi vërtetësinë e një numri të madh dokumentesh që futen në dosjen e një objekti që ndërtohet”, – thotë Preçi.

“Bashkia edhe pse ka plan rregullues, operon në mënyrë okulte, jotransparente me kompanitë, që e vendos familjarin në një pozitë të rriskuara, sepse sot në bashkinë e Tiranës nuk gjen dot një hartë se si do të jetë plani rregullues për 20 vitet e ardhshme”.  – këmbëngul Preçi.

Dekada në pritje të Hipotekës

*Bujari prenotoi një apartament prej 54 m2 në Tiranë në një pallat që nisi ndërtimin në vitin 2009. Ai nënshkroi kontratën përfundimtare në vitin 2017, por ndërtuesi nuk kishte paguar asnjë detyrim pranë kadastrës, ndaj banorët nuk mund të merrnin hipotekën.

Të njohur ndryshe si “pallatet e braktisura”, referuar një dalje publike të ish-kreut të Aluiznit Artan Lame, në vitin 2018 rezultonin 1200 apartamente pa dokumente hipotekore. Ai deklaroi se kishte bërë gati listën e zezë me emrat e 341 subjekteve që kishin lënë në mes objektet, dhe do t’ia dërgonte bashkive përkatëse, në mënyrë që ato të mos pajiseshin me leje të reja ndërtimi, pa mbyllur detyrimet aktuale.

Për të zgjidhur këtë ngërç në janar të vitit 2017 qeveria kishte miratuar VKM 19/2017 “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesat dhe/ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave të objekteve shumëkatëshe pa leje”, që u krijonte mundësinë ndërtuesve të regjistronin lejet në hipotekë dhe të aplikon për certifikimin e tyre. Por kjo nismë u la në mes të rrugës dhe ndërtuesit nuk i përmbushën sërish detyrimet, qeveria ndërhyri sërish duke miratuar në vitin 2020 ligjin 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”.

Në thelb ky është një ligj për ndërtimet informale, por u jep të drejtë edhe blerësve të apartamenteve në këto pallate të braktisura që të legalizojnë individualisht apartamentin e tyre, pavarësisht se pallati nuk është hipotekuar ende.

Për të kamufluar situata të tilla dhe shpëtuar ndëshkimit, ekspertët thonë se shoqëria shpall falimentin ose e mbyll atë shoqëri dhe i njëjti ortak hap një shoqëri tjetër dhe vijon ndërtimin e marrjen e lejes me tjetër shoqëri.

Pavarësisht ndërhyrjeve ligjore këto problematika janë thelluar, por edhe janë lejuar nga vetë institucionet që duhet ti monitorojnë: bashki-noter-kadastër.

Bujari që ka porositur apartamentin dëshiron ta shesë, por nuk mund ta bëjë sepse nuk ka hipotekën si pasojë ai ka nënshkruar një kontratë kalim të drejtash tek një tjetër blerës. Blerësi është në pritje të certifikatës së pronësisë, pasi ndërtuesi nuk ka depozituar asnjë dokumentacion në zyrë të regjistrimit.

Meqenëse ligji 20/20 u dha mundësinë që edhe ato pallate që nuk janë përfunduar mund që vetë personat blerës mund ta legalizojnë, atëherë Bujari kanë nisur procedurat e legalizimit të ndërtimit pa leje, që në këtë rast është një apartament në një pallat shumëkatësh. Duke qenë se ndërtuesi nuk ka depozituar asgjë në kadastër dhe si pasojë nuk ka paguar asnjë detyrim, atëherë këta blerës i fillojnë procedurat nga fillimi dhe i paguajë vetë të gjitha tarifat (ndonëse e kanë paguar në fillim ndërtuesin) duke thënë se e kanë investuar vetë. Më pas e legalizon dhe paguan edhe pjesën takuese të truallit.

Për ekspertët as kjo përpjekje nuk ka mundur të zgjidhë këtë problem, që vijon ende.

“Pati një përpjekje për të kapërcyer të shkuarën me ligjin 20/20, por për fat të keq kjo është bërë në mënyrë preferenciale, kryesisht për motive elektorale dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë rregulluese që e përmirëson kuadrin ligjor primar dhe sekondar që do të çonte në parandalimin e këtyre fenomeneve në të ardhmen”, argumenton Preçi.

Për noterët kjo është vetëm një praktikë shqiptare, që shpesh has vështirësi, kur zotëruesit e pronës jetojnë jashtë.

“Është një situatë aq absurde, saqë kur ne u kërkojmë bashkëpronarëve që jetojnë jashtë që të bëjnë një prokurë, dhe u japin tekstin që u jap të drejtë të legalizojë ndërtimin pa leje, noterët në Itali, Francë apo Greqi refuzojnë ta bëjnë prokurat përkatëse sepse iu duket e paligjshme veprimi juridik që kërkojnë të bëjnë. Janë vetëm çudira shqiptare sepse në asnjë vend tjetër nuk ekziston”, – thotë një notere që ka hartuar disa kontrata të tilla.

Për Zef Preçin, as kjo ndërhyrje ligjore dhe as detyrimi për të regjistruar karabinë në hipotekë nuk jep garanci.

“Duket sikur ka rritur sigurinë e blerësve, por kjo nuk ka ndodhur. Ata janë të pambrojtur nga devijimi i projektit fillestar, që bën të mos pajiset me dokumentacion, apo mund të falimentojë ndërtuesi dhe nuk ka asnjë garanci”, – thotë Preçi.

Paratë e pista në ndërtim

Zef Preçi
Credits: facebook – Zef Preçi

Sipas Departamentit Amerikan të shtetit boomi në sektorin e ndërtimit fsheh një anë të errët që lidhet me përdorimin nga krimi i organizuar për pastrimin e parave. Shqetësimin për këtë fenomen prej vitesh gjen vend edhe në raportin e DASH që e lidh me fuqizimin e grupeve shqiptare kriminale në tregjet globale.

Në Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve 2025, DASH nënvizon se grupet kriminale shqiptare “përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion”.

“Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve”, thuhet në raportin e DASH të publikuar pak ditë më parë.

Edhe ekspertët vendas ngrenë alarmin se ndërtimi është një oaz për grupet kriminale.

“Kompanitë që kanë qenë të falimentuara po i blen krimi i organizuar për të pastruar paratë, tek ne po ndodh praktikisht amnistia fiskale”, thotë Zef Preçi.

Sipas një raporti të Global Intiative në vitin 2022 në Shqipëri dyshohet se janë pastruar 666 mln euro në sektorin e ndërtimit. Megjithatë ish prokurori Ervin Karanxha, thotë se pastrimi i parave është shumë i vështirë të provohet ndaj është vepër e veçantë.

Sipas tij në ndërtim ka shumë njerëz të thjeshtë që kanë hedhur para, duke iu referuar në këtë rast emigrantëve që kanë punuar për vite të tërë në të zezë, dhe si pasojë është e vështirë të bëhet diferenca, kush është para e pisët dhe kush është para e pastër.

“Mund të kenë informacione, por me hetime është shumë e vështirë të provohet”, thotë ai.

Sipas tij blerja që në gropë është e mirë sepse dihet që në fillim kush po i hedh paratë.

“Pastrim i parasë është kur bëhet me duar në xhepa, pra mbaron një pallat nga fillimi në fund pa investim të jashtëm, atëherë ka dyshime”, – sugjeron ai.

“Kur bashkohen e zeza me të bardhën është e vështirë të bëhet diferenca”, thotë Karanxha, ndaj sugjeron se i vetmi mekanizëm është kur ke investitorë të vegjël të verifikohet nëse blerësit janë të vërtetë apo jo.

“Të verifikohen blerësit e pronës dhe vlera e pronës, po u verifikuan që vijnë nga veprimtari të dyshimta mund të bllokohen në të kundërt, është e padrejtë”, – thotë ai, duke sugjeruar se edhe në ato raste kur verifikohet inkriminimi i investimit, duhet të bllokohet vetëm pasuria përkatëse dhe jo i gjithë objekti.

“Nuk duhet të nxitohemi, e sekustron por nuk e bllokon të gjithin, por vetëm ato me probleme. Duhet gjithmonë të kemi si parim mbrojtjen e interesit më të lartë të qytetarit”, – përfundon ai.


* Emrat e denoncuesve janë ndryshuar me kërkesën e tyre nga frika e pasojave që ato mund të kenë nga institucionet shtetërore.

“Dritëhijet e listave”: 16 kandidatë nën hetim nga SPAK

Nga Arbjona Çibuku

Gjashtëmbëdhjetë kandidatë për deputetë për legjislaturën e ardhshme janë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Kështu thotë raporti i Qëndresës Qytetare, i cili ka analizuar listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke evidentuar probleme serioze në procesin e përzgjedhjes së tyre.

Sipas raportit, 9 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike janë nën hetim nga SPAK-u duke vijuar me 5 të tjerë nga Partia Socialiste dhe 2 nga Partia e Lirisë.

“Prania e figurave të akuzuara për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në listat e partive kryesore tregon se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve mbetet i dobët, jodemokratik dhe i papërgjegjshëm”, thekson raporti.

Sipas analizës së bërë në raport, një situatë e tillë dëshmon se partitë politike vazhdojnë të përsërisin gabimet e së shkuarës dhe nuk respektojnë organet e drejtësisë ku vihet re se kandidatët nën hetim i përkasin tre partive të tranzicionit, PS, PD dhe PL.

“Institucioni ynë ligjvënës rrezikon të përbëhet nga individë me probleme serioze ligjore, duke dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe vetë funksionimin e shtetit të së drejtës”, vijon më tej raporti.

Raporti vë në dukje se partitë e tranzicionit, si PS, PD dhe PL, ruajnë të njëjtën metodologji për përzgjedhjen e kandidatëve, duke favorizuar figura të njohura dhe duke injoruar proceset e hapura demokratike. Në këtë pikë partitë mbeten me demokraci të brendshme të kufizuar.

PD, ndonëse organizoi primare për herë të parë, nuk ka reflektuar rezultatet e tyre në listat përfundimtare. Po ashtu, PS, edhe pse promovoi platformën “Deputeti që duam” me 18 kandidatura, nuk ka përcaktuar kritere të qarta përzgjedhjeje.

“Procesi mbetet jotransparent, pasi vendimmarrja varet nga strukturat qendrore të partive,” theksohet në raport.

PS ka ruajtur 48 deputetë aktualë në listat e saj, nga të cilët 36 janë në lista të hapura dhe 12 në zona të sigurta. Kjo qasje ka krijuar garë të brendshme brenda partisë.

Nga ana tjetër, PD ka ruajtur dominimin e figurave të njohura, duke përfshirë 40 deputetë aktualë (24 në lista të mbyllura dhe 16 të hapura) si dhe 20 ish-deputetë.

Ndër problemet kryesore të evidentuara në raport është përfaqësimi minimal i diasporës dhe i të rinjve. Vetëm 7 kandidatura nga diaspora janë përshirë në listat e hapura të PD dhe 2 në ato të PS.

“Nga platforma ‘Brain Gain’, vetëm një kandidat u përfshi në listën e PD, duke treguar se mekanizmat e rinovimit janë më shumë strategji politike sesa mjete të vërteta të meritokracisë,” thuhet në raport.

Raporti përfundon duke theksuar se qasja aktuale e partive politike rrezikon të minojë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe funksionimin e shtetit të së drejtës./citizens.al