11.1 C
Tirana
E shtunë, 17 Maj, 2025

Asllani në qendër të shakave, Turam nuk e lëshon mesfushorin mes të qeshurave! Interi argëtohet në Holandë

Barazimi përballë Napolit në fundjavë, duket se nuk ka ulur aspak moralin në radhët e Interit. Të paktën kjo duket nga atmosfera mjaft e çliruar me të cilën zikaltrit janë paraqitur në Roterdam, ku kanë udhëtuar sot për ndeshje në Ligën e Kampioneve ndaj vendasve të Fejenord.

Pamjet e publikuara nga mediat italiane nga vizita në stadiumin ku do të luhet ndeshja këtë të mërkurë, tregojnë lojtarët e Interit duke u argëtuar në disa momente humori, me Kristjan Asllanin protagonist.

Turam është ai që mban nga krahët futbollistin pa e lëshuar mes protestave të tij, duke sjellë të qeshura te lojtarët e tjerë.

SHIH VIDEON

Super lëngu i kuq që ul presionin e gjakut dhe mbron zemrën

Panxhari i zier ka padyshim një vend në sallatat e vjeshtës. Madje mund të themi se është përfshirë edhe ndër perimet e preferuara, falë aromës së ëmbël.

Përveç kësaj, panxhari gjithashtu kontribuon ndjeshëm në mbrojtjen e zemrës dhe inflamacionit, për shkak të antioksidantëve që përmbajnë.

Panxhari – si dhe ushqime të tjera si marule, spinaqi dhe selino – është i pasur me nitrate inorganike, të cilat, me ndihmën e baktereve në zgavrën e gojës, shndërrohen në oksid nitrik, i cili ndihmon në rregullimin e enëve të gjakut dhe neurotransmetimin (mesazhet kimike në tru).

Me plakjen, prodhimi i oksidit nitrik zvogëlohet, me uljet përkatëse që kontribuojnë në shëndetin më të dobët vaskular (enët e gjakut) dhe njohës (trurit).

Prandaj, duke pirë shpesh lëng panxhari, ju e përmirësoni këtë prodhim, ndërsa ulni edhe presionin e gjakut.

Studime të shumta kanë trajtuar kontributin e lëngut të panxharit ose panxharit të plotë në shëndetin kardiovaskular.

Nivelet e baktereve të lidhura me shëndetin e mirë vaskular dhe njohës ishin më të larta, ndërsa presioni sistolik i gjakut u ul mesatarisht me pesë njësi (mmHg) pas konsumimit të lëngut të panxharit.

Një studim tjetër ekzaminoi efektin e pirjes së 250 ml lëng panxhari në ditë te 68 persona me hipertension.

Ajo që studiuesit zbuluan ishte se ky zakon i përditshëm mund të reduktonte në mënyrë drastike presionin e gjakut.

Endri Hasa: Koha për politikë që i shërben qytetarëve

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Endri Hasa, ka deklarar se politika duhet të ofrojë shërbim për qytetarët dhe të shmangë manipulimet për klikime. Ai theksoi se është krenar për qëndrimin e tij të palëkundur ndaj parimeve dhe përkushtimin ndaj qytetarëve, sidomos atyre të Elbasanit.

Në postimin e tij në facebook, Hasa shkruan se qëllimi i vetëm i Koalicionit Euroatlantikë është që të kriojë një ofertë të re duke ju qasur me përgjegjësi morale dhe politike qytetarëve në të gjithë Shqipërinë.

Postimi i plotë i Endri Hasa:

Koha për politikë që i shërben qytetarëve
Të dashur miq, në një kohë që secili duhet të marr përgjegjësi publike për të ndërtuar dhe për të ofruar diçka që i shërben qytetarëve, fatkeqësisht ende vijohet me skema dhe makinacione që shërbejnë vetëm për klikime dhe titujt portalesh dhe që kanë zero vlerë për qytetarët. Dëshpërimi dhe marrëzia e kujtdo që nuk arrin ta shoh siç është realitetin meriton dhe duhet të marr vetëm shpërfillje.
Nëse ka diçka për të cilën jam krenar në rrugëtimin tim politik është konsistenca dhe qëndrimi ndaj parimeve dhe principeve për të cilat kam hyrë dhe jam marrë me politike.
Sot unë kam vetëm një qëllim në angazimin tim politik me Koalicionin Euroatlantik: Krijimin e një oferte të re, duke ju qasur me përgjegjësi morale dhe politike qytetarëve në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në vendlindjen time, Elbasan.
Sot unë e kam lidhur angazhimin dhe pasionin për tu marrë me politike me ata njerëz që 8 vite më parë më votbesuan për të qenë në Parlament dhe që me gjithë angazhimin tim, shërbeva dhe përfaqsova çdo problematikë të atyre njerëzve që meritojnë më shumë.
Le të ecim përpara, bashkë sepse Shqipëria meriton më shumë.

“Fati i çështjes, në duart e Bashës”/ Juristi Gurabardhi: Tërheqja e Alibeajt nga rekursi nuk ndalon betejën për PD!

Juristi Agron Gurabardhi ka komentuatr zhvillimet e fundit mbi rekursin në Gjykatën e Lartë për simbolet e PD. Juristi sqaron çështjen nga pikëpamja ligjore, duke sugjeruar se tërheqja e Alibeajt nuk ndalon betejën për Partinë Demokratike në Gjykatën e Lartë, pasi sipas tij fati i rekursit është në duart e Lulzim Bashës.

Postimi i Gurabardhit:

Tërheqja e Alibeajt nga rekursi nuk ndalon betejën për PD. Fati i çështjes, në duart e Bashës!
Ditën e sotme Rezart Kthupi ka depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për heqjen dorë nga rekursi ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 11 qershor 2024, me të cilin u vendos në favor të vendimit të gjyqtarit Zhukri.
A mund të tërhiqet subjekti politik i krijuar nga Alibeaj nga rekursi në Gjykatën e Lartë?
Po ai mund të tërhiqet.
E drejta për të tërhequr rekursin, sipas nenit 490 të Kodit të Procedurës Civile, ankuesi ka të drejtë të tërhiqet nga rekursi në çdo fazë të shqyrtimit deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë.
Heqja dorë nga rekursi duhet të bëhet me një deklaratë të qartë dhe të pakushtëzuar nga personi apo subjekti që ka paraqitur rekursin.
A mund të vazhdojë Gjykata e Lartë shqyrtimin edhe pa rekursin e Alibeajt?
Po, nëse ka palë të tjera që e kundërshtojnë tërheqjen ose që kanë paraqitur rekurs të veçantë.
Nëse procesi prek interesa më të gjera, Gjykata e Lartë mund të vendosë të shqyrtojë çështjen edhe pa kërkesën e Alibeajt.
Nëse Lulzim Basha vazhdon të kërkojë drejtimin e Partisë Demokratike dhe nuk është tërhequr nga procesi gjyqësor, atëherë rekursi në Gjykatën e Lartë nuk mund të tërhiqet vetëm nga Alibeaj dhe grupi i tij, për sa kohë ka palë të tjera që kanë ende interes juridik aktiv në këtë çështje.
Çfarë ndodh në këtë rast?
Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë nëse ka ende një palë me interes ligjor
Nëse Basha ose dikush tjetër që ka legjitimitet përfaqësimi në PD vijon procesin, tërheqja e grupit të Alibeajt nuk e ndalon shqyrtimin e rekursit.
Gjykata do të shohë nëse PD si subjekt juridik ka ende një interes aktiv në këtë çështje.
Nëse Basha ka ende interes për të vijuar rekursin, procesi nuk pushohet, edhe pse Alibeaj dhe grupi i tij tërhiqen, kjo nuk ka efekt për Bashën, nëse ai nuk ka bërë të njëjtën kërkesë për tërheqje.
Në këtë rast, Gjykata e Lartë mund të vazhdojë shqyrtimin e çështjes mbi bazën e kërkesës së mbetur.
Nëse të gjitha palët tërhiqen, Gjykata mund ta pushojë çështjen.
Vetëm nëse asnjë nga palët nuk insiston më në shqyrtimin e rekursit, atëherë Gjykata e Lartë do ta pushojë procesin për mungesë të interesit juridik.
Pra, nëse Basha ka ende një kërkesë aktive, procesi vazhdon dhe rekursi shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.
Nëse vetëm grupi i Alibeajt tërhiqet, kjo nuk ndikon në proces për sa kohë ka palë të tjera me interes ligjor.
Gjykata do të vendosë bazuar në legjitimitetin e palëve dhe interesin juridik në vijim të çështjes.

“Na tradhëto dhe ti Lulzim Basha”, ironia e demokratit me debatin për rekursin: Paskemi pasur në rreth e rrotull hyzmetçinj

Ilirjan Taga, anëtari i Këshillit Kombëtar i PD-Demokratët Euroatlantikë, ka reaguar në rrjetet e tij sociale mbi debatin e ngritur nga tërheqja e Enkelejd Alibeaj nga rekursi. Në postimin e tij ironik Taga kërkon që edhe Basha t’i tradhëtojë demokratët, siç kanë bërë ata që sipas tij u shkërmoqën para syve të tyre këto katër vite, duke iu referuar kështu ndryshimit të qëndrimeve të ish-drejtuesve të lartë, dhe kthesat 180 gradë në raport me të shkuarën.

Postimi:

Na tradhëto edhe ti Lulzim Basha!
Katër vite pamë si na u shkërmoqën para syve karakteret e njerëzve që kishim në krahë, me rradhë. Pamë se si njerëzit që na rrethonin paskëshin qenë vetëm plëndsa të mbushur me … Paskemi pasur rreth e rrotull hyzmetçinj të plëndsit e jo të fytyrës.
Lul, na ke mbetur vetëm ti. Na prit në besë edhe ti mor burrë!
Pse duhet të jesh ndryshe?! Na prit në besë edhe ti se nuk mërzitemi, përkundrazi. Prite dhe ti në besë Lulzim Bashën mik, pritna në besë edhe neve… Ti qofsh!

“Loja është e qartë, por një ditë maskat do të bien” Demokrati Goxhaj: Sa më shumë përpiqen ta eliminojë Bashën, aq më shumë tregojnë se e kanë frikë

Ervin Goxhaj, drejtuesi i Degës 4 në kryeqytet të PD-Demokratët Euroatlantikë, ka reaguar në lidhje me vendimin e Enkelejd Alibeaj për t’i diktuar Bashës kushte për koalicionin, duke kërcënuar me tërheqejen e tij nga rekursi për simbolet e PD, akt që u krye ditën e sotme nga jurisit Rezart Kthupi. Në një shënim në rrjetet e tij sociale, Goxhaj shprehet se ka një skenar të koordinuar për të eliminuar çdo zë që nuk është pjesë e pazarit politik, por sipas tij sa më shumë përpiqet Rama dhe të tjerët të godasin Lulzim Bashën, aq më shumë tregon se e kanë frikë.

Postimi i Goxhaj:

Po, duket qartë që ka një skenar të koordinuar për të eliminuar çdo zë që nuk është pjesë e pazarit të madh politik. Historia me vulën, mosregjistrimi dhe vendimet e çuditshme të gjykatave nuk janë rastësi — janë pjesë e një skeme të qartë për të mbajtur opozitën të dobët dhe të kontrolluar.

Edi Rama di shumë mirë që një opozitë reale do t’i rrezikonte pushtetin, prandaj i duhen këto lojëra prapaskene, i duhen gjykata që marrin vendime të diktuara dhe media që ushqejnë propagandën. Por një gjë është e qartë: sa më shumë përpiqet ta eliminojë Lulzim Bashën, aq më shumë tregon se e ka frikë. Sepse po të ishte vërtet “i mbaruar”, nuk do lodhej kaq shumë.

Dhe kjo frikë që Rama ka, duhet të jetë një mesazh për çdo demokrat të ndershëm: nëse ai mundohet kaq shumë për ta eliminuar Bashën, atëherë ndoshta ai është i vetmi që nuk e kontrollon dot. Dhe kjo është arsyeja pse sot kemi një opozitë të përçarë, të shantazhuar dhe të manipuluar.
Loja është e qartë, por një ditë maskat do të bien. Pyetja është: a do të ketë opozita guximin të ringrihet dhe t’i thotë “jo” kësaj marionete që Rama ka ndërtuar?

“Frikacakët dhe të dobëtit dorëzohen përballë së keqes”/ Gazment Koduzi: Koha tregon kush i është nënshtruar dyshes Rama-Berisha

Gazment Koduzi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në zgjedhje e 11 majit, ka reaguar mbi debatin e lindur pas vendimit individual të Enkelejd Alibeaj dhe Rezart Kthupit, për t’u tërhequr nga rekursi për simbolet e PD në Gjykatë të Lartë, duke e lënë vijimin e procesit në kampin e Lulzim Bashës. Sipas Koduzit koha do të tregojë se kush është nënshtruar dhe ka bërë pazar me dyshen Rama-Berisha, duke shtuar se përballja ligjore për vulën vijon pasi është betejë për shqiptarët që kanë sakrifikuar jetën për liri gjatë komunizmit.

Postimi i Koduzit:

Çmimi i lirisë është gjithmonë i lartë, por shqiptarët e kanë paguar gjithmonë atë. Dhe një shteg ne nuk do ta zgjedhim kurrë, ai është shtegu i dorëzimit ose i nënshtrimit. Kjo është historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në një betejë gjithmonë mes të mirës dhe të keqes. Për Ne vula e PD-së është historia e lirisë, është historia e shqiptarëve të cilët kanë sakrifikuar jetën për liri gjatë komunizmit. Vula është beteja ku triumfon ligji dhe e drejta, edhe çdo dorëzim para këtij akti, është dorëzimi përballë Ramës dhe Berishës. Koha do të tregoj çdo gjë! Ne do të jemi aty për t’ju treguar se frikacakët dhe të dobëtit dorëzohen përballë së keqes. Koha do të na jap të drejtë, e koha do të tregojë se kush ju është nënshtruar dhe bëri pazar me dyshen Rama-Berisha!

Veliaj dhe “Procesi” i tij: Justifikimet letrare përballë fakteve të SPAK!

Erion Veliaj, i vetëshpallur si viktima më e madhe e drejtësisë shqiptare që pas gjyqeve të diktaturës, ka përqafuar frymën e “Procesit” të Franc Kafkës për të shpjeguar dramën e tij personale. I izoluar në paraburgim që prej datës 10 shkurt, ish-kryebashkiaku i Tiranës ka hyrë dhelpërisht në rolin e një personazhi letrar, që vuan mes absurdit të shoqërisë ku jeton, por në anën tjetër përzgjedh paragrafë, fjali dhe detaje nga dosja hetimore, të cilat i nxjerr nga konteksti për të fajësuar drejtësinë me pyetje të tipit: “Mirë që jam fajtor pa faje e pa fakte, po dënimin pa gjyq pse??”.

Në alibinë e tij letrare, që ndjek si një fill të gjitha statuset e tij në Facebook, Veliaj kujton se para se të arrestohej udhëtoi dy herë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në datën 30 Dhjetor dhe në datën 20 Janar. “U ktheva sërish” thotë ai i habitur. “Ku është rreziku? Ku është arratisja?”

Prandaj dhe atë që e konsideron si rreziku i ikjes, Veliaj e thjeshton me fjalët: “Gjyqtari Bani arsyeton se meqë Ols Dado më akuzon për vepra që dënohen me 12 dhe 15 vjet – pra, 27 vite burg – unë do ikja nga Shqipëria”.

Qëllimi i Veliajt është të shfaqet si një individ jo vetëm i pafajshëm, por edhe i pafuqishëm përballë një mekanizmi të padrejtë, të cilin e personifikon emri i prokurorit Ols Dado, njeriu që e mban në burg me pa të drejtë, ndoshta për hatërmbetjet e ndonjë leje ndërtimi të refuzuar dikur dhe që e ka shndërruar kryebashkiakun naiv dhe të mirë të Tiranës, në të burgosur politik.

Në fakt, dosja e sigluar nga Altin Dumani dhe Olsi Dado dhe më pas vendimi i firmosur nga gjykatësi Erjon Bani përshkruan një personazh krejt tjetër nga qytetarët e përhumbur të Franc Kafkës.

Në dosje, Veliaj del si një kryetar bashkie i korruptuar që me njërën dorë ndan leje ndërtimi, ndërsa dorën tjetër e shtrin në zyrat e bashkëshortes së tij, Ajol Xoxës dhe merr si ryshfet, vila dhe para kesh, të cilat i qarkullon për t’i pastruar me miqtë e tij të ngushtë.

Dosja përmban fakte dhe episode, të cilat Veliaj nuk i përmend, por që më parë nuk ka pasur kurajon t’i bëjë asnjë politikan tjetër i marrë nën hetim nga SPAK. Janë këto fake dhe episode që e kanë bindur gjykatësin Erjon Bani të firmosë masën e sigurisë me burg të kryebashkiakut, në mënyrë që procesi i gjykimit të jetë më i drejtë dhe më i paanshëm.

Përveç korrupsionit të përmasave olimpike dhe pastrimit të parave, kryebashkiaku i Tiranës i ka kaluar kufijtë e absurdit duke kërcënuar agjentët e BKH-së përmes mesazheve telefonike.

“Lali” nuk ka pritur duarkryq që çështja të shkojë në gjykatë, nuk e ka ruajtur qetësinë dhe as është hutuar si ndonjë viktimë kafkiane që endet pa busull në labirintet e sistemit, kur ka mësuar se shtëpia e tij po kontrollohej nga agjentët e BKH. Ndryshe nga personazhi i pafuqishëm i “Procesit”, Jozef K. ai e sfidoi realitetin me mesazhe kërcënuese nga celulari i tij.

Mesazhe, që mesa duket, drejtësia i ka lexuar si duhet.

Prandaj dosja prej 360 faqesh shkon përtej gjysëm të vërtetave që përshkruhen në mesazhet e Veliajt në rrjetet sociale.

Përveç akuzave për korrupsion dhe pastrim parash, SPAK ka argumentuar qartë se Veliaj nuk ka ngurruar të përdorë çdo mjet për të frikësuar hetuesit dhe për të manipuluar procesin. Dhe këtu hyn lista e “haramit” që kryebashkiaku nuk e përmend në statuset e tij patetike:

1️ Kërcënimet ndaj agjentëve të BKH-së – Po, po, Veliaj nuk ka pritur t’i çojë dikush tjetër mesazhe në emër të tij, por ka marrë vetë telefonin duke u përpjekur të ushtrojë presion mbi hetuesit. Një strategji që e futi edhe më thellë në batakun penal ku gjendet tani.

“Sjellja e shtetasit nën hetim Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe “kurajon” e shfaqur nga ky shtetas për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë për personalitetin e këtij të fundit” shkruhet në dosjen që e izoloi në burg.

2️ Përdorimi i pushtetit politik në bashki – Marrja në pyetje e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, ishte një tjetër episod tragjikomik ku del në pah pushteti i tij si kryetar bashkie. Bashkë me Ajola Xoxën, në SPAK kanë qenë edhe punonjës të Bashkisë së Tiranës – një tjetër “detaj” që Veliaj nuk e përmend, por që tregon qartë se si e përdor administratën bashkiake si mburojë personale.

Dhe në arsyetimin e tij, gjykatësi Erjon Bani e përmend këtë si faktor rreziku për “helmimin” e provave, kur thotë:

“Prania e punonjësve të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë, vartës të drejtpërdrejtë të shtetasit Erjon Veliaj, si gjatë kontakteve që shtetësja Ajola Xoxa ka patur me personat e thurrr për të dhënë deklarime në prokurorinë e posaçme, ashtu edhe gjatë momenteve të kontrollit në zyrat e Partners Laë shpk, dëshmon synimin për të vënë në rrezik marrjen e provave, por nga ana tjetër edhe miksimin e funksionve publike me ato private të titullarit të bashkisë, duke i kërkuar personave që varen prej tij të kenë kontakte të paautorizuara me hetues në kryerje e sipër të detyrës”

3 Mungesa e bashkëpunimit dhe përpjekja për të manipuluar dëshmitarët – Në dosje përmendet disa herë tentativa e Ajola Xoxës dhe deputetes socialiste, Klotilda Bushka për të maipuluar një nga dëshmitaret e procesit Ina Goxhaj, si një nga momentet kryesore që ka ndikuar në rëndimin e masës ndaj Erjon Veliajt.

Gjykatësi Erjon Bani nuk e sheh veprimin e Ajola Xoxës si një episod të veçuar, por e sheh atë si pjesë të sjelljes mosbashkëpunuese të çiftit Veliaj-Xoxa, që të dy kanë bërë përpjekje për të penguar hetimin. Ndaj në vendim shkruhet “gjykata mban në konsideratë personalitetin e shtetasve nën hetim” duke llogaritur këtu se edhe pasi janë vënë në dijeni për hetimin, kanë vazhduar me shkeljet. Jo më kot, prokurorët kërkuan të llogaritet

“ambienti ku shtetasit nën hetim jetojnë, funksionin publik që ushtron shtetasi Erion Veliaj, njohjet e shumta, lidhjet e siguruara dhe ndikimin mjaft të fortë që buron nga ushtrimi i këtij funksioni, rëndësia e të cilit shtohet në mënyrë eksponenciale nisur nga territori që mbulon dhe fondet publike që administron Bashkia Tiranë, si Bashkia më e madhe në vend…”.

Ndaj, atyre që ndoshta “lali” u ngjan me viktimat e sistemit, të cilat Kafka i krijoi me mjeshtëri, përgjigjia është “Jo, kjo nuk është e vërtetë”.

Sepse ndryshe nga Jozef K, Erjon Veliaj ka qenë në majat e sistemit, ai ka pasur në duar çdo instrument të pushtetit politik dhe nuk ka hezituar ta përdorë fuqinë e tij për ta penguar hetimin ndaj tij.

Dhe një reagim i tillë kundër drejtësisë, nuk të çon më në studiot televizive për intervista, por në qelinë e burgut. Aty ku statuset në Facebook janë e vetmja formë arratisjeje./Lapsi.al

Mbetjet e rrezikshme, mjedisorët ngrenë alarmin për ngecjen e hetimit

Nga Vladimir Karaj

Basel Action Network dhe Milieukontakt Shqipëri e cilësuan të martën shqetësues mungesën e rezultateve të hetimit nga Prokuroria e Durrësit dhe mungesën e një plani të qartë për trajtimin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, që u rikthyen në portin e Durrësit 12 javë më parë nga Ministria e Mjedisit.

Mbetjet e dyshuara të rrezikshme u eksportuan fillisht nga Shqipëria drejt Tajlandës, por pasi rasti u ekspozua në publik, anija u kthye pas në Portin e Durrësit, ku mbërriti në 28 tetor 2024. Pasi u shkarkuan në Durrës mbetjet u vunë nën sekuestro nga prokuroria, e cila kishte nisur më herët hetim në lidhje me këtë çështje. Por 12 javë pas këtij procesi, organizatat e mjedisit thonë se ende nuk ka asnjë përgjigje mbi dyshimet e ngritura rreth kësaj ngarkese.

“Nuk jemi të sigurt as nëse mostrat janë marrë dhe analizat kanë filluar,” tha zoti Jim Puckett nga BAN. “Nëse ka filluar, është shqetësuese që mostrat nuk janë marrë publikisht dhe pa ndjekur protokollet e duhura dhe zinxhirin e ruajtjes së provave. Trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon ndëshkim penal sipas konventave që Shqipëria ka nënshkruar. Nuk është e pranueshme që kjo të injorohet dhe të lihet në harresë,” shtoi ai.

BAN dhe Puckett iu ofruan Prokurorisë e Durrësit me informacion dhe dëshmi, përfshi fotografi të marra nga denoncuesi dhe deklaratat e tij origjinale mbi ngarkesën e mbetjeve në portin e Durrësit, si dhe të dhëna të analizave laboratorike që tregonin nivele të larta ndotjeje nga objekti i parashikuar për pranim në Tajlandë. Në deklaratën për shtyp, bëhet me dije se prokuroria refuzoi ta merrte këtë dëshmi dhe kërkoi që ajo të dorëzohej personalisht.

Organizatat ngritën një sërë pyetjesh mbi procesin hetimor dhe po ashtu mbi planet e Shqipërisë për trajtimin e këtyre mbetjeve.

Të pyetur nga BIRN mbi shqetësimet e ngritura në deklaratë, drejtuesja e prokurorisë së Durrësit Suela Beluli dhe Ministria e Mjedisit nuk u përgjigjën kërkesave për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Në një investigim të mëparshëm BIRN gjeti se rasti i denoncuar nga BAN për eksport të mbetjeve të duyshuara të rrezikshme, është vetë një prej disa eksporteve të kësaj natyre. BIRN gjeti se të paktën 20 mijë ton mbetje të rrezikshme u eksportuan jashtë Shqipërisë që nga viti 2020 për shkak se autoritetet dështuan të ushtronin kontroll./BIRN

INTERVISTË/ Fitues i Çmimit Kadare 2025, Armand Bora: Artisti i realizuar është një qytetar i përgjegjshëm

Nga Luiza Pinderi

Dramaturgu Armand Bora nuk preferon t’i botojë veprat e tij. Thotë se kur e boton diçka ajo ngrin, bëhet si e vdekur. Në të kundërt, duke u vendosur në skenë transformohet, lëviz dhe vjen gjithmonë me risi. Është kjo arsyeja që ka botuar vetëm një herë në jetën e tij.Triptiku “Ata që mbijetuan” duket se për autorin e ka plotësuar ciklin e rritjes përgjatë rrugëtimit me skenën dhe aktorët, duke gjykuar se ka ardhur koha që ajo të jetësohet përmes shkrimit.

Për herë të parë Bora u bë pjesë e konkursit Çmimi Letrar Kadare 2025 duke u zgjedhur nga juria e këtij edicioni si dorëshkrimi më i realizuar mes 40 të tillëve në garë. Rijetoi kështu të njëjtin sukses të 1994-ës, kur me veprën e parë të vendosur në skenë në një festival teatror, fitoi tre çmime dhe një kredo profesionale që e ka ndjekur në të gjithë karrierën si regjisor.

Juria e përbërë nga tre fituesit ndër vite të Çmimit Kadare, Vera Bekteshi, Loer Kume dhe Dionis Prifti, i vlerësuan tre dramat e Borës për vlera të qëndrueshme estetike dhe ndërtimin e personazheve autentike që përcjellin mesazhe në realitetin e sotëm përmes evokimit të se kaluarës. “Ata hyjnë pa trokitur”, “Udha e qumështit” dhe “Domino në burgator”, të cilat autori i sjell në dorëshkrimin e tij përmes titullit “Ata që mbijetuan”, trajton të jetuarit në komunizëm mes frikës, dhunës dhe torturës psikologjike, që jetonte çdo ditë një njeri normal, i rrethuar nga përndjekja, censura dhe vetëcensura, gjykimi dhe vetëgjykimi. Kjo marrëdhënie e shtetit me individin e shtyu Armand Borën ta bënte atë temë të teatrit, duke e sjellë me një qasje ndryshe, të pa hasur më parë e me personazhe të pa trajtuar.h

Totë se ne ende nuk jemi shkëputur nga komunizmi dhe kjo mund të bëhet vetëm kur një temë e tillë të trajtohet në art përmes notave të humorit apo autoironisë. Jo vetëm për këtë triptik që nisi dekadën e dytë të Çmimit Kadare, duke e rikthyer vëmendjen te drama, por edhe për rrugëtimin e tij në teatrot europianë e botërorë, për rolin e artistit, për punën me studentët, Armand Bora vjen në këtë rrëfim për Gazetën Liberale, sa zbulues aq edhe evokues e nxitës për rolin e artit dhe artistit.

Të trija dramat e triptikut “Ata që mbijetuan”, që u vlerësuan me Çmimin Kadare 2025, na rikthejnë në të shkuarën tonë komuniste. Personazhet e tyre janë njerëz të zakonshëm që jetojnë dhe përjetojnë dramat e dhimbshme të asaj kohe. Çfarë i thonë ato publikut shqiptar sot?

Për çdo krijues kthimi në të shkuarën e vendit të tij apo të një vendi tjetër bëhet për disa arsye. Një arsye mund të jetë që të revokojë atë të shkuar në mënyrë që të mos përsëritet më. Një arsye tjetër mund të jetë e karakterit historik. Arsyeja ime, për të cilën jam ulur dhe e kam shkruar pjesën e parë të triptikut “Ata hyjnë pa trokitur”, ka qenë një shqetësim qytetar që qëndronte brenda meje dhe buronte nga fakti që shoqëria shqiptare, edhe pse kishte kaluar një ndryshim cilësor në fund të viteve ’90-të në aspektin politik, ekonomik, social e kulturor, sërish mbarte në vetvete një raport të pandryshuar të individit me shtetin apo pushtetin. Kjo më duket si një reminishencë e periudhës së komunizmit. Pushteti vijonte ta trajtonte individin si pronë të tij, në mënyrë të dhunshme, duke i ndërhyrë në jetën private, personale.

Nga ana tjetër, edhe individi vijonte të vuante, ose të ishte në atë kompleksin e inferioritetit të këtij raporti që u krijua mes individit dhe shtetit për 50 vite në kohën e komunizmit. Ishin këto shqetësime që më bënë t’i flas kohës së sotme, përmes një raporti individësh me pushtetin që i takojnë një periudhe tjetër.

Ju keni vendosur që rrëfimin, mesazhet, historitë të mos i ndërprisni me dramën e parë “Ata hyjnë pa trokitur”, por i keni plotësuar me dy dramat e tjera, “Udha e qumështit” dhe “Domino në burgator”. Pse ky vendim për të sjellë një triptik, çfarë nuk ishte thënë ende?

Të trija veprat, përpos faktit që i flasin një periudhe të historisë, nuk i lidh ndonjë gjë tjetër. Nuk janë personazhe të njëjtë që zhvillohen nga vepra e parë në veprën e dytë apo të tretën. Janë personazhe të ndryshëm që përveçse, le të themi kohës, i bashkon edhe një element tjetër shumë i rëndësishëm. Kur përmendet tema e komunizmit, ti ke parasysh që do të shkruash patjetër për një të persekutuar, për një njeri që ka vuajtur nëpër burgje. Në Shqipëri u bënë trend këto lloj personazhesh direkt pas ndryshimit të sistemit. Pati disa vepra që i drejtoheshin këtij target grupi, pra njerëzve që vuajtën realisht kampet e përqendrimit, u dënuan, u ekzekutuan, sakrifikuan jetën e tyre dhe shumë gjëra të tjera.

Unë bëra një zgjedhje tjetër sepse e kam konsideruar Shqipërinë si një burg të madh. Edhe ajo pjesë, e cila mund të dukej sikur ishte e “lirë”, vuante në një mënyrë tjetër. Personazhet e të trija dramave të mia, nuk janë personazhe kundër pushtetit, që flasin apo ndërmarrin veprimtari kundër tij. Janë njerëz që duan të jetojnë në mënyrë normale, të bëjnë jetë të qetë, të zhvillojnë familjen e tyre në paqe me pushtetin. Por ky pushtet është kaq i dhunshëm, kaq i keq sa edhe këtë nuk ta lejon. Ti nuk mund të jesh në rregull, korrekt me këtë pushtet edhe kur ti nuk vepron. Pikërisht këta janë njerëz, që në njëfarë mënyre, e thonë hapur që nuk kanë asnjë lloj problemi. Por edhe për ta është e pamundur të jenë jo fajtor. Në sisteme të tilla, të gjithë janë fajtorë, të gjithë duhet të gjejnë faj brenda vetes.

Në veprën e parë “Ata hyjnë pa trokitur” janë dy personazhe që mendojnë se nuk është normale të mos kenë bërë faj dhe përpiqen ta gjejnë atë. Aq shumë i fortë është kërkimi i fajit sa ata transformohen në hetues për njëri-tjetrin. Në këtë hetuesi që zhvillojnë dhe e përjetojnë në mënyrë reale, tregojnë dobësinë e tyre. Burri e tradhton gruan dhe gruaja e tradhton burrin gjatë këtij procesi hetues. Në fund, ata kthehen në realitet dhe e kuptojnë se sa të dobët dhe sa të pafuqishëm janë karshi dhunës së shtetit që përfaqësohet përmes hetuesisë.

INTERVISTË/ Fitues i Çmimit Kadare 2025, Armand Bora: Artisti i

Sa i përket pyetjes se çfarë ka akoma për të thënë, e vërteta është se shumë gjëra ka për t’u thënë për atë periudhë. Shumë gjëra ende nuk janë thënë. Leximet e ndryshme që i bëhen në kohë asaj periudhe do të sjellin vepra interesante. Mendoj se do të ndryshojë qasja ndaj kësaj teme. Jam i sigurt që ne do të arrijmë të shkëputemi nga komunizmi kur të distancohemi emocionalisht dhe të fillojmë të bëjmë autoironi apo ta shohim përmes ngjyrave të humorit. Mendoj se atëherë shoqëria shqiptare do të jetë shkëputur plotësisht. Për aq kohë sa ne e trajtojmë apo e sjellim përmes veprave të ndryshme të artit atë temë, në mënyrë dramatike të drejtpërdrejtë, tregon se ajo është akoma brenda nesh dhe shoqëria ka nevojë që ta nxjerrë këtë ëndërr të keqe që ka jetuar për shumë vite.

Jeni autor dhe regjisor i shumë dramave të cilat ndër vite kanë ardhur në skenë për publikun, që do të thotë se i keni kaluar të dyja proceset dhe provuar të dyja ndjesitë. Cila është pjesa më e vështirë, ta shkruash apo ta vendosësh në skenë një dramë?

Edhe pse autorin me regjisorin i bashkon shfaqja, janë dy procese të ndryshme. Unë e kam filluar si regjisor, shkollimi im është i tillë. Dëshira për të shkruar nuk ka qenë një nxitje artistike, por ka qenë mungesë dhe nevojë. Prej shumë vitesh drama shqipe vuan nga mungesa e veprave dhe ndonjëherë regjisorët detyrohen ose të bëjnë një dramatizim, të përshtatin një vepër letrare për skenën, ose dikush merr guximin dhe e shkruan. Për mua kjo ka qenë arsyeja e fillimeve të mia me sprovën e shkrimit të dramaturgjisë.

Unë i përkas një kategorie regjisorësh, të cilët e konceptojnë teatrin si vepër të regjisorit, jo të autorit. Po ta shikojmë në kohë, autori njihet që prej fillimit të teatrit. Ne nuk e njohim sot kush ka qenë regjisori i veprave të Eskilit apo Euripidit në antikitet. Por edhe më vonë. Ne nuk i njohim regjisorët e veprave të Shekspirit. Kohët e fundit kanë filluar të njihen. Opera italiane ruan kompozitorin, dirigjentin e më pas regjisorin. Gjermania ka qenë ajo që ka bërë revolucionin dhe i ka dhënë prioritet regjisë. Unë i takoj këtij lloj mendimi që autori është një pretekst për regjisorin. Është një mjet. Nuk është qëllim që unë të vë Shekspirin, por mua më duhet vepra e tij për të materializuar shqetësimin tim. Kjo është vlera e Shekspirit apo e çdo autori tjetër.

Unë i jap përparësi idesë sime si regjisor. Në këtë kuptim, duke qenë se edhe vetë i kam punuar tekstet e mia, kam qenë në dilemën se kush do të prevalojë, regjisori apo autori. Ka pasur raste kur më ka mrekulluar fakti që e kam tejkaluar vetveten. Armandi dramaturg e ka trajtuar si pretekst nga Armndin autor.

Nuk më ka ndodhur me të gjitha veprat e mia, por ka pasur raste kam qenë i ftohtë, racional, kam hequr elementë, duke e konsideruar si veprën e tjetrit. Bëhesh si një kirurg që heq atë pjesë që nuk i vlen më trupit të njeriut. Është një proces shumë i bukur. Regjia për mua është art kolektiv. Ti e ndan punën me aktorët, spektatorët. Shkrimi është individual, ti je vetëm para kompjuterit apo letrës së bardhë dhe nuk arrin ta ndash kënaqësinë e punës me të tjerët. Prandaj regjia ka qenë dhe mbetet më e rëndësishme.

Veprimtaria juaj e gjatë në fushën e artit regjistron një repertor të gjerë aktivitetesh, nga veprat operistike te ato teatrale, audiovizive etj. Cila është një ngjarje, një dramë, një bashkëpunim që ka shënjuar karrierën tuaj?

Unë jam përjashtim i atij evolucionit të artistit ,i cili piqet me eksperiencën dhe sa më shumë kalon koha aq më i talentuar bëhet. Unë kam pasur sukses që në shfaqjen time të parë. Ajo ka qenë një surprizë në festivalin mbarëkombëtar të teatrove shqiptare në 1994-ën. Ka qenë një shfaqje me teatrin e Vlorës. Ka një koincidencë të bukur sepse është i njëjti tekst që unë sot po e punoj me studentët e Universitetit Europian të Tiranës në kuadër të Klubit të Teatrit. “Tre mendje në ankand” është një nga tekstet e para të teatrit absurd në Shqipëri. Një komedi që i fliste kohës në mënyrë perfekte, e cila solli edhe disa elementë modernë të teatrit: hoqi dekoret, muzika ishte live, luante me ndjenjat e spektatorëve që qeshnin gjatë gjithë kohës e në fund përballeshin me një thyerje dramatike.

Ajo vepër më promovoi, më dha mundësinë të futesha në tavolinën kryesore artit teatror shqiptar, ku ishte Piro Mani e figura të tjera që kanë bërë historinë e teatrit tonë. Falë asaj pune dhe atyre tre çmimeve që u morën, unë pata një ofertë nga Teatri i Kombësive në Shkup.

Vepra ime e dytë është vendosur në Shkup, ku rashë në kontakt me teatrin e Grotowski-t, me teatrin antropologjik, ku në një farë mënyre m’u rrëzuan të gjitha konceptet që unë kisha krijuar në shkollë për teatrin klasik, tradicional, rus. Ishte herët dhe akoma s’kishim pasur mundësi për të parë vepra moderne dhe nuk ishim ndeshur me konceptet moderne të teatrit. Në këtë kuptim, kjo vepër ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Për shumë vite unë kam “abuzuar” me emrin e saj. Më dilte në mbrojtje kur më sulmonin apo hapja shtigje të reja kur doja ta përdorja.
Pastaj është padyshim “Ata hyjnë pa trokitur” vepra e dytë që më ka dhënë kontaktet me spektatorë jashtë territorit shqipfolës. Është një nga veprat që ka pasur pesë produksione me pesë çifte të ndryshme aktorësh.

Keni pasur mundësinë që me vendosjen e dramave tuaja në skenat ndërkombëtare, të duartrokiteni nga publiku i huaj. Çfarë gjeni në ato skena dhe te ai publik që nuk e gjeni në Shqipëri?

“Ata hyjnë pa trokitur” ka pasur një tur të gjatë në vendet e rajonit, në Greqi, në Serbi, por edhe në Europë. Kemi qenë në Paris. Për herë të parë teatri shqiptar ka vajtur me këtë vepër në Holandë, në Delft, një qytet i mrekullueshëm. Në Zagreb, Kroaci, është vendosur me dy aktorë kroatë. Australia ka qenë një nga vendet më ekzotike e më të largëta. Është vendosur në Melburn në La Mama Theatre. Në fund të vitit që shkoi ka qenë në New York, off-Broadway, në një teatër të vogël, ku u luajt në anglisht. Plani i radhës është që të kthehem sërish në New York në maj, për të parë mundësinë e vendosjes në skenë në vende të tjera.

Ju më pyetët për diferencën, se çfarë gjej te spektatori i huaj që nuk e gjej te spektatori shqiptar. Por unë kam kërkuar atë të ngjashmen, se çfarë na bashkon ne me grekun, kroatin, me francezin apo me australianin. Jam kënaqur kur kam gjetur gjëra të përbashkëta. Nuk harroj një moment shumë të bukur me një gazetare në Kroaci, e cila erdhi pas shfaqjes dhe më tha: “Kjo nuk është historia juaj, është historia jonë”. Donte të thoshte se ajo lloj historie ishte jetuar edhe në Zagreb.

Ka pasur plot raste të tjera të veçanta. Në Australi unë kam pasur kuriozitetin për të ndjekur se si e përjetoi shfaqjen një 70 e ca vjeçar, i cili vinte për herë të parë në teatër. Ishte një shqiptar, emigruar prej shumë vitesh në Australi, jeta e të cilit ishte biznes dhe punë. Nuk i kishte ndodhur të hynte në një sallë teatri. Spektakli atij njeriu i filloi që në momentin që hyri, duke parë tavanin, dritat njerëzit.

Në Australi kam pasur fatin të njihem me një profesor shqiptar, Avni Sali, i cili më çuditi me mënyrën si e ndoqi shfaqjen. Sapo ishte kthyer nga një kongres në Stamboll dhe udhëtimi dihet që është i gjatë e i lodhshëm. Te kjo shfaqje jam edhe unë me aktorët në skenë dhe kam mundësi të shikoj reagimet e tyre. E pashë që mbylli sytë dhe uli kokën. Mendova se është lodhur, e zuri gjumi. Jam befasuar kur pas shfaqjes filloi të më pyesë për detajet. E kuptoi çudinë time dhe më tha: “Unë teatrin e ndjek me sy mbyllur. Dua të dëgjoj, jo të shikoj.”

Kanë qenë të gjitha histori të bukura. Në Holandë e kemi dhënë shfaqen në orë 11:00. Në Francë kuptuam që nuk kishte orar për shfaqje. Sa mbaruam ne hyri shfaqja tjetër, sepse ishin tre-katër shfaqje të tjera deri në agimin e ditës. Çdo vend ka pasur eksperienca të bukura.
Cila është ajo vepër letrare, teatrale, autor, personazh që ka formësuar dhe që i flet gjithmonë Armand Borës?

Drama “Ata hyjnë pa trokitur” është si ai fëmija i parë ku ti shkarkon shumë ëndrra, shumë dashuri, shumë pritshmëri. Mendon se nuk do të shkruash dramë tjetër apo nuk do të bësh fëmijë tjetër dhe përpiqesh t’i dedikohesh plotësisht. Aty e gjej veten më mirë, pasi jam edhe pjesë e spektaklit. Kam pasur kënaqësinë të shoqërohem në këtë rrugëtim me dy miqtë e mi, Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani, me të cilët është shfaqur më gjatë kjo dramë. Me këtë vepër ndjehem më i realizuar.

Bota e artit u godit nga pandemia dhe izolimi duke nxjerë shumë artistë në “pension të parakohshëm”. A është ende teatri shqiptar në krizë dhe nëse po, nga se shkaktohet ajo?

Nuk mendoj se ka qenë pandemia e keqja më e madhe e teatrit shqiptar. Pandemia në Shqipëri kaloi siç e kaloi në shumë vende të tjera bota teatrore. Ne punuam online. Bëmë ato formatet që i bëri Europa. Por teatri shqiptar ka probleme që vijnë së pari prej dramaturgjisë, dhe mungesës së teksteve shqiptare. Në këtë kuptim, unë e vlerësoj Çmimin Kadare. Patjetër që është kënaqësi e madhe dhe gjej rastin për ta falënderuar jurinë e këtij çmimi që më vlerësuan, por më shumë dua t’i falënderoj për faktin që vlerësuan dramën.

Në edicionin e njëmbëdhjetë të këtij çmimi, fakti që vëmendja u kthye te drama, është tregues edhe i shqetësimit të anëtarëve të jurisë për faktin që ka nevojë të flasim për dramën, për teatrin, për të kuptuar se ku duhet të shkojmë e çfarë profili duhet të ketë teatri shqiptar. Çdo teatër në botë ka krijuar profilin e tij.

Teatri shqiptar deri në vitet ’90-të, duke shmangur anën dhe ngarkesën ideologjike, prapë kishte një profil, falë faktit që çdo teatër kishte regjisorin apo kryeregjisorin, i cili duke punuar çdo ditë më atë trup, krijonte profilin e teatrit. Të tillë kishim Piro Manin në Tiranë, Serafin Fankon në Shkodër, Orgockën në Korçë, apo në qytetet e tjera, Elabsan, Vlorë etj. Sot ka një çoroditje, një sallatë estetike, një përzierje.

Është shumë e vështirë të thuash se kjo është fytyra e teatrit shqiptar. Padyshim që kjo të vë në vështirësi dhe ti paragjykon spektatorin. Ka momente që në një vepër serioze publiku kthehet, e pëlqen dhe ti mendon se ka spektatorë që duan teatrin, duan vepra të mira. Po mund të them se ka një çoroditje që po zgjat shumë, por besoj se do të vijë momenti dhe do të tejkalohet edhe kjo situatë.

Krahas punës suaj me shkrimin dhe teatrin, vijoni punën si pedagog. Nëse në një moment ndaleni dhe kujtoni veten në moshën e studentëve tuaj, cila është diferenca më e madhe që vëreni? Dhe së dyti, cila është ajo gjë që sot ua përcillni auditorëve, por do të donit ta dinit në nisje të karrierës suaj?

Diferenca është e madhe sepse ne kemi pasur fatin të kemi pedagogë Piro Manin, Kadri Roshin, Violeta Manushin, Agim Qirjaqin, pra emra të mëdhenj të teatrit. Ky brez ka fatin të më ketë mua pedagog. (Qesh) Mua më vjen keq që këta studentë s’kanë pasur fatin të njihen me emrat e mëdhenj të teatrit shqiptar, që po të ishin kushte të tjera, patjetër do të ishin emra të mëdhenj të teatrit europian e botëror.

Studentëve përpiqem t’iu them se teatri nuk është argëtim. Teatri është përgjegjësi. Ata duhet ta konsiderojnë profesionin e tyre si një profesion shumë të përgjegjshëm. Është një profesion, në të cilin nëse nuk je i shqetësuar, nëse nuk mendon, nuk ke konceptet e tua, nuk ke qasjet e tua kritike ndaj realitetit, nëse nuk do të sjellësh ndryshimin, atëherë unë e vë në pikëpyetje godinën që je duke ngritur në fushën e artit.

Përpiqem gjithmonë t’iu them studentëve, që ky lloj serioziteti, ky lloj vlerësimi, kjo lloj përgjegjësie për teatrin, t’i ndjekë në çdo hap të karrierës së tyre, në çdo përzgjedhje të titujve e veprave. Sa më pak kompromise të bëjnë me atë që është tundimi i sotëm, fama apo paraja, dhe sa më shumë të përqendrohen te problemi që i shqetëson dhe duan të ndajnë me shoqërinë përmes gjuhës së teatrit. Nëse do të dalin qytetar të përgjegjshëm nga kjo shkollë, do të arrijnë të bëhen edhe artistë të mirë. Nëse nuk do ta kenë këtë lloj formimi, këtë lloj tharmi, që do t’iu rrisë nesër përgjegjësinë si qytetarë, do të mbeten thjesht aktorë që vërtet mund të mbushin faqet e gazetave apo mund të kenë të ardhura të mëdha, të duartrokiten, por për mua nuk janë të realizuar. Të realizuar janë kur bëhen qytetarë të përgjegjshëm për fatet e këtij vendi dhe për brezat e ardhshëm./liberale.al