22.5 C
Tirana
E shtunë, 26 Korrik, 2025

Përfaqësuesit amerikanë të OPDAT rikthehen në SPAK dhe GJKKO

Përfaqësuesit amerikanë të OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori) janë rikthyer në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku do të vazhdojnë të ofrojnë asistencë për hetimet që po zhvillohen nga prokurorët e kësaj strukture.

Këta ekspertë amerikanë ishin larguar nga Shqipëria në fillim të muajit shkurt, pas një vendimi të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të pezulluar disa fonde për agjenci ndërkombëtare, përfshirë USAID.

Megjithatë, ata janë rikthyer tani për të vazhduar mbështetjen dhe asistencën e nevojshme për SPAK, një strukturë e krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Që nga krijimi i saj, SPAK ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar nëpërmjet disa misioneve, si OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori), ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).

Kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vijon…

I arrestuari u v*tëvar me tuta në Bllokun e Sigurisë, reagon Komiteti i Helsinkit: I burgosuri tha se ishte përdorues heroine, por në recetë nuk iu shënua ilaçi që duhej të merrte

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me vetëvrasjen në qeli në Bllokun e Sigurisë të 46-vjeçarit, Donald Greku, ngjarje e ndodhur më 13 Mars.

 

Sipas KSHH, i arrestuari kishte pretenduar që në momentin e ndalimit se ishte përdorues i lëndë narkotike të rënda si heroinë dhe kokainë, por në mungesë të mjekut të institucionit stafi i Bllokut të Sigurisë e kanë dërguat në urgjencën e QSUT.

Mbas vizitës, mjeku toksikolog lëshoi recetën u shënohej se 46-vjeçari ishte në gjendjen e toksikomaninsë dhe referoi që ai të ndiqej nga mjeku i Bllokut të Sigurisë, por recetë nuk shënohej medikamenti që ai duhet të merrte.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në raportin e tij, thekson se Donald Greku pasi është kthyer në Bllokun e Sigurisë u vizitua nga mjeku i këtij institucioni.

“Shtetasi D.G mbasi u kthye në Bllokun e Sigurisë u vizitua nga mjeku i këtij institucioni. Në Librin e vizitave mjekësore shënohej “narkotik, i paregjistruar në Qendrën Aksion Plus”, por nuk shënohej nëse ndaj tij duhej të jepej ose jo mjekim. Po këtë ditë, mbasdite ora 15:30 mjeku i institucionit i ka dhënë shtetasit të ndaluar qetësues Xanax. Pas marrjes së medikamentit në orën 19:10, datë 11.03.2025, ai është ankuar për disa shqetësime se nuk ishte në gjendje të mirë, se kishte dhimbje dhe kërkonte ti jepej Metadon. Pas kësaj ankese, mjeku i ka rekomanduar punonjësit të sigurisë që ati ti jepej sërisht Xanax. I pyetur nga vëzhguesit, përse nuk i kishte dhënë Metadon, mjeku i Dhomave të Sigurisë ka sqaruar se në raportin e mjekut specialist toksikolog nuk shënohet preparati që duhej përdorur”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Ngjarje e rëndë në bllokun e dhomave të sigurisë në Drejtorinë Vendore

Sipas medias të datës 13.03.2025 në Bllokun e Sigurisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është vetëvrarë shtetasi D.G. Nisur nga njoftimi i mësipërm, KShH në datën 17.03.2025 nëpërmjet një grupi vëzhguesish verifikuan në vend rrethanat e kësaj vetvrasjeje. Si rezultat i këtij monitorimi rezultoi se:

Shtetasi D.G ishte ndaluar për dyshime në kryerjen e veprës penale të vjedhjes. Qysh në këtë moment ai ka pretenduar se është përdorues i lëndëve narkotike të rënda (kokainë, heroinë). Për këtë arsye stafi i Bllokut të Sigurisë (në mungesë të mjekut të institucionit) e dërguan atë në urgjencën e QSUT dhe mbas vizitës, mjeku toksikolog lëshoi recetën në të cilën shënohej se shtetasi ishte në gjendjen e toksikomaninsë dhe referoi që ai të ndiqej nga mjeku i Bllokut të Sigurisë. Në recetë nuk shënohej medikamenti që ai duhet të merrte.

Shtetasi D.G mbasi u kthye në Bllokun e Sigurisë u vizitua nga mjeku i këtij institucioni. Në Librin e vizitave mjekësore shënohej “narkotik, i paregjistruar në Qendrën Aksion Plus”, por nuk shënohej nëse ndaj tij duhej të jepej ose jo mjekim. Po këtë ditë, mbasdite ora 15:30 mjeku i institucionit i ka dhënë shtetasit të ndaluar qetësues Xanax. Pas marrjes së medikamentit në orën 19:10, datë 11.03.2025, ai është ankuar për disa shqetësime se nuk ishte në gjendje të mirë, se kishte dhimbje dhe kërkonte ti jepej Metadon. Pas kësaj ankese, mjeku i ka rekomanduar punonjësit të sigurisë që ati ti jepej sërisht Xanax. I pyetur nga vëzhguesit, përse nuk i kishte dhënë Metadon, mjeku i Dhomave të Sigurisë ka sqaruar se në raportin e mjekut specialist toksikolog nuk shënohet preparati që duhej përdorur.

Reportazhi francez: Trashëgimia e helmuar e qytetit të çelikut të Shqipërisë

Dikur krenaria e regjimit komunist të Shqipërisë, kompleksi gjigant i metaleve të Elbasanit është tani një nga vendet më të ndotura në Ballkan, i ngarkuar me qindra mijëra ton mbetje, shumica e tyre të rrezikshme.

E ndërtuar në vitet 1970 me ndihmën kineze, kantieri i madh “Çeliku i Partisë” dikur punësonte 10,000 punëtorë në 500 fabrika gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Tani vetëm një e dhjeta e këtij numri punon në fabrikat e privatizuara që kanë mbijetuar, me gjithçka që mund të shitej e hequr nga rrënojat e pjesës tjetër.

Megjithë rreziqet dhe erën e keqe, çdokush mund të hyjë në zona të mëdha të saj dhe shumë fitojnë jetesën duke pastruar grumbujt e mbetjeve të rrezikshme, në kërkim të metaleve për t’u rishitur.

“Kjo është një zonë ku 1.5 deri në dy milionë ton mbetje të rrezikshme janë ruajtur për më shumë se 35 vjet, duke ndotur ujin, ajrin dhe tokën,” tha për AFP Beqir Kila, një aktivist dhe inxhinier i shquar mjedisor shqiptar.

Analizat e kryera nga grupe të ndryshme ekspertësh të pavarur treguan nivele të plumbit, nikelit dhe kromit të paktën tre herë më të larta se kufijtë evropianë, tha ai.

Agjencia Shqiptare e Mjedisit tha se kompleksi, vetëm pesë kilometra (tre milje) nga qyteti i Elbasanit, kryeson listën e “zonave me rrezik të lartë, me një potencial të lartë për ndotje nga mbetjet e metaleve të rënda si ferronikel dhe ferrokrom, një trashëgimi që vazhdon të ndotë ujërat e lumit Shkumbin”, në një raport të publikuar në janar.

Megjithatë, autoritetet nuk po propozojnë asnjë zgjidhje, paralajmërojnë ambientalistët.

“Të ruajtura në ajër të hapur, në mëshirën e kushteve atmosferike, këto mbetje pësojnë ndryshime dhe të gjithë elementët e rrezikshëm dhe toksikë që përmbajnë, depërtojnë në tokë dhe ujë”, paralajmëroi Kila, duke treguar duart e mbuluara me pluhur të zi.

Për vite me radhë, zona në luginën qendrore pjellore të Shqipërisë është përhumbur nga raportet për shkallë të lartë të kancerit dhe defekteve të lindjes.

“Emetimet e plumbit kanë shkaktuar dështim të trurit, sidomos te fëmijët, por edhe probleme gjenetike te gjedhët dhe shpendët”, tha Kila.

Uzinat e çelikut kanë këmbëngulur prej kohësh se po ndjekin rregullat, por as ato dhe as qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave të AFP-së për koment.

“Ne e konsiderojmë katastrofike ndotjen në zonën industriale të ish-kompleksit të çelikut të Elbasanit”, tha eksperti mjedisor Ahmet Mehmeti.

Krahas problemeve nga fabrikat e vjetra, të rrënuara, shumë prej të cilave janë në rrezik shembjeje, ka edhe ndotje nga fabrikat e reja, paralajmëroi ai.

Shifrat zyrtare për ndotjen e ajrit rreth Elbasanit nuk ekzistojnë, dhe vlerësimi i cilësisë së ajrit bëhet nga vetë fabrikat.

“Lojë e fshehtë me autoritetet u përshtatet në mënyrë të përkryer kompanive”, tha Mehmeti, pasi ata janë të interesuar për uljen e kostove dhe jo për nivelet e ndotjes.

Një ekip i AFP-së pa një oxhak që nxirrte tym të zi në vend. Por kur erdhi një kameraman me dron, tymi u ndal papritur.

Mbetjet përmbajnë krom, nikel, zink… shkarkimet kalojnë në ujë, derdhen në lumin e afërt, i cili përdoret për ujitjen e tokës dhe përfundon me fruta dhe perime në pjatën tonë”, tha Mehmeti.

Shqipëria eksporton mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme që nuk lihen në vend, pasi nuk është në gjendje t’i trajtojë vetë.

Korrikun e kaluar, gjithsej 102 kontejnerë të mbushur me mbetje u nisën nga Shqipëria për në Tajlandë, ku do të ricikloheshin.

Por pasi një denoncues raportoi se mbetjet dyshohej se ishin toksike dhe nuk ishin regjistruar si të tilla, ato u kthyen dhe ndodhen në Shqipëri që prej nëntorit.

“Shqipëria ka një ligj për eksportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, por problemi qëndron në mungesën e kontrollit mbi procedurat dhe dokumentet”, tha aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni.

Prokuroria publike në portin e Durrësit ka hapur një hetim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për rastin.

Ndërkohë mbetjet e dyshuara toksike mbeten në Shqipëri./ France 24

Nuredin Dumani implikon zyrtarë policie, dëshmia e vrasësit me pagesë: Shefi i krimeve më kërkonte 10 mijë euro që të më jepte informacion për Talo Çelën

“Një shef krimesh në Elbasan më kërkonte 10 mijë euro për të më dhënë informacion në lidhje me vendndodhjen e Talo Çelës”.

 

Kështu ka thënë mes rrëfimeve të shumta të ditës së djeshme Nuredin Dumani, teksa ka vijuar të hedhë dritë mbi krimet e kryera prej tij dhe vrasësve të tjerë, që herë funksionin si grup e pastaj gjurmonin njëri-tjetrin ta ekzekutonin. Në fakt, një qasje e tillë ishte edhe prita që iu ngrit në hyrje të Elbasanit Nuredin Dumanit, teksa kishte marrë rrugën nga Fieri për të realizuar vrasjen e Elton Kilës, sipas tij për llogari të Suel Çelës.

Dumani, në cilësinë e të penduarit, status që e ka fituar prej shumë kohësh, ka treguar detaje që s’janë thënë më herët në lidhje me atë moment, që teksa priste informacion për vendndodhjen e Kilës, ai ra vetë në pritë. Sërish, edhe dje, ai ia ka faturuar atë pritë Talo Çelës, madje ka shkuar deri atje sa i tha avokates së Altin Ndocit, se drejtuesi i mjetit të atentatorëve dukej si Talo Çela.

Dumani, teksa ka folur rreth atentatit, largimit për në Fier, mjekimit, arrestimit, i ka thënë Gjykatës së Posaçme se nuk pranoi t’u deklarohej prokurorit të Elbasanit, kryepolicit të Elbasanit dhe atij të Tiranës. Ai tha se, “ata ishin të korruptuar, ndaj refuzova të jap deklarime për ta”.

Po ashtu, ai tregoi se ekzekutimin e Kilës e kërkonte Suel Çela, ndërsa nuk e përjashtoi njohjen me shënjestrën e vet, që për fatin e tij nuk e kapi dot: “Po e njoh, madje edhe kemi ndenjur bashkë”!

DËSHMIA

“Më 2019-ën një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishte shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj”, – tha Dumani. Nuredin Dumani u arrestua më 29 mars 2022, vetëm pak orë pasi i shpëtoi një atentati, kohë kur ishte nisur për të kryer një të tillë ndaj Oti Kilës së Elbasanit, vrasje e porositur nga një emër i njohur i botës së krimit në këtë qytet.

“Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Autorët që më qëlluan nuk i kam njohur, pasi ishin të maskuar. Vetëm nga trupi, shoferi më është dukur si Talo Çela. Një ditë para ngjarjes – dëshmon mbi tentativën për të vrarë Otin – bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier, Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallashnikov. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di. Kur jam arrestuar më çuan në Spitalin e Fierit, isha i plagosur. Pastaj shkova në Spitalin Ushtarak. Tre persona, Ardian Çipa, Tonin Vocaj dhe Kreshnik Ajazi erdhën të më takonin. Pas arrestimit, deklarimet e para i kam bërë të Spitali i Burgut”, – tha Dumani.

I pyetur nga avokatët në seancë nëse ishte marrë në pyetje në Policinë apo Prokurorinë e Elbasanit pas arrestimit, Nuredin Dumani tha: “Nuk u kam kthyer përgjigje të korruptuarve”.

OKB-ja shkurton stafin ndërkombëtar në Rripin e Gazës për arsye sigurie! Të përfshirë grupet e programeve të ushqimit, shëndetësisë dhe ata të UNICEF

Organizata e Kombeve të Bashkuara po redukton rreth një të tretën e personelit të saj ndërkombëtar në Rripin e Gazës për arsye sigurie.

 

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres nuk mund ta garantojë sigurinë e personelit të OKB-së, tha zëdhënësja e OKB-së Alessandra Vellucci në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Prandaj rreth 30 nga 100 punonjësit ndërkombëtarë në Rripin e Gazës do të tërhiqen nga kjo zonë. Fjala është për personelin e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF).

Sulme me viktima kryesisht gra dhe fëmijë

Kjo masë merret pasi Izraeli rifilloi sulmet në Rripin e Gazës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi javën e kaluar prej sulmeve janë vrarë të paktën 792 vetë, kryesisht gra dhe fëmijë. Megjithëse Izraeli ka shprehur dyshime mbi shifrat dhe numrit të vdekjeve të njoftuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, organizatat ndërkombëtare si OKB-ja i konsiderojnë ato si mjaft të besueshme.

Izraeli përforcon thirrjet për evakuim

Ushtria izraelite i ka shtuar kërkesat për evakuim drejtuar dhjetëra-mijëra banorëve të zonës bregdetare të Rripit të Gazës. Banorëve të të gjitha qyteteve kufitare në veri u është kërkuar të evakuohen, njoftoi ushtria izraelite. Nga zona kishin pasur sulme me raketa në drejtim të Izraelit. Qytetet e prekura janë Jabalia, Beit Lahija, Beit Hanun dhe Sheyaia në veri, si dhe zonat në Khan Yunis dhe Rafah në jug.

Izraeli ka krijuar edhe një institucion të ri, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, detyra e të cilit është të “përgatisë largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës për në vende të treta në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”.

Atyre që dëshirojnë të largohen nga zona e rrethuar bregdetare palestineze në brigjet e Detit Mesdhe duhet t’u mundësohet largimi “në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare si dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump”, tha Ministria izraelite e Mbrojtjes në një deklaratë./DW

Hotele dhe restorante në Kalanë e Petrelës! Qeveria do t’i japë privatit 210 mijë metra katror për Parkun e Besimit?!

Në një sipërfaqe të stërmadhe prej 210 mijë metra katrorësh në zonën e Petrelës në Tiranë, brenda së cilës ndodhet edhe Kalaja, e cila është monument kulture, pritet të ngrihet i ashtuquajturi Parku i Besimit. Një nismë e qeverisë për harmoninë dhe tolerancën fetare, ku do të ndërtohen “kopje” të disa monumenteve kulturore në të gjithë botën, atë islame, të krishterë, budist apo edhe të besimeve të tjera.

 

Por, nga dokumentet rezulton se, brenda Parkut të Besimit, do të ndërtohen hotele dhe restorante të shumta, duke e tjetërsuar të gjithë atë sipërfaqe, pjesa më e madhe shtetërore. Pritet që, në gjithë territorin përreth të Kalasë së Petrelës të ngrihen hotele dhe restorante, teksa nisur edhe nga investimet e qeverisë, vëmendja e oligarkëve pritet të jetë e madhe.

Dokumenti i mësipërm është publikuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Aty është një hartë, e të gjithë zonës së Petrelës, përkatësisht se zonës përreth kalasë ku do të ngrihet edhe Parku i Besimit.

“Siti i propozuar i konkursit ndodhet në zonën e Petrelës, në një sipërfaqe prej afërsisht 210,000 m2. Pozicionimi buzë luginës të Erzenit dhe kontrasti i kodrave dhe luginave ka nxitur zhvillimin e strukturave turistike (hoteleri, bujtina dhe bar restorante) dhe aktiviteteve sportive-turistike (Zip Line Albania). Në zonë dhe në afërsi të saj, ndodhen një sërë atraksionesh historike si Kalaja e Petrelës, vendbanimi antik i Persqopit dhe Muzeu i Historisë të Forcave të Armatosura” thuhet në këto dokumente.

Sipas tij, zona ndodhet në një distancë 15 km në jug të Tiranës, buzë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan, me lidhje të shpejta me aeroportin, Korridorin Blu dhe Portin e Durrësit. Më pas jepen të dhëna se sipërfaqja është plot 210 mijë m2 dhe sipërfaqja e pronës publike është plot 165.475 m2.

Natyrisht, çdo projekt i hapur nga kjo Korporatë është një tjetërsim i pronës shtetërore. Janë dhënë prona të kushtueshme, në Tiranë apo në bregdet, teksa tashmë radha i erdhi edhe Kalasë së Petrelës.

-640-0-dokumenti-i-korporates-se-investimeve-shqiptare-e-cila-percakton-se-parku-i-besimit-do-te-ngrihet-ne-territorin-e-kalase-se-petreles-1742832829

Por, çfarë do të ndërtohet në atë zonë?!

Sipas dokumenteve me “kamuflimin” e besimit në gjithë atë zonë do të bëhen hotele dhe restorante. “Strehat Mikpritëse – Akomodimet do të konfigurohen në struktura të ulëta që do të shërbejnë si “streha” për të përmirësuar mirëqenien mendore dhe fizike, të pajisura me elemente që promovojnë harmoninë mjedisore, mirëqenien e komunitetit dhe qëndrimin shpirtëror” thuhet në dokumente.

Sipas tyre, janë projektuar deri në 75 njësi për të akomoduar profile të ndryshme vizitorësh, duke përfshirë turistët e mirëqenies, pelegrinët shpirtërorë dhe vizitorët VIP. Ndërkohë, do të ketë edhe akomodim me impakt të ulët. “Struktura të Qëndrueshme – Këto njësi janë një pjesë thelbësore e përvojës së mirëqenies, të projektuara për të mbështetur infrastrukturën e gjelbër të parkut dhe për të ruajtur praktikat e qëndrueshme. Projektimi i 25 njësive shtesë me konfigurime të ndryshme për të akomoduar individë dhe grupe që kërkojnë retreat-e holistike për mirëqenie” shkruhet në këto dokumente.

Me pak fjalë, në gjithë zonën do të ndërtohen 100 hotele! Por, Korporata ka parashikuar të ndërtojë edhe restorante.

“Shërbime që ofrojnë një larmi ushqimesh dhe pijesh të ndryshme, duke respektuar preferencat fetare dhe dietike të vizitorëve. Kapaciteti për të akomoduar lehtësisht fluksin tipik të vizitorëve në hapësirat kulturore të parkut si dhe të ftuarve në strukturat e mikpritjes” thotë Korporata.

Hotelet dhe restorantet që përmendën më sipër do të kamuflohen me disa projekte që do të ndërtohen në zonë. Qeveria ka shfrytëzuar harmoninë dhe bashkëjetesën për këtë projekt, teksa thotë se do të bëjë një mini park “Kur’anor” si ai në Dubai, apo “Shtëpia e Familjes Abrahamike (Abu Dhabi)”. Do të ndërtojë edhe “Kopshtet e Botës (Garten der Welt)” si në Berlin, kopshtet “Bahá’ (Haifa, Izrael) si dhe “Kopshtin e Paqes” në Dublin, Irlandë.

Qeveria synon të bëjë edhe një mini tempulli i të gjitha feve si në Kazan, Rusi, apo edhe memorialin e dëshmorëve në Algjer, Algjeri. Lista vijon me kopshtin “Tohono Chul” Tucson, SHBA, me kopshti japonez “Setagayapark” apo me kopshtet e Xhamisë së Madhe “Sheikh Zayed” në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe./ Vox News

-640-0-dokumenti-i-korporates-qe-shkruan-se-ne-ate-zone-do-te-behen-hotele-dhe-restorante-1742832828 -640-0-whatsapp-image-2025-03-24-at-162701-1-1742832827 -640-0-whatsapp-image-2025-03-24-at-162701-2-1742832827 -640-0-whatsapp-image-2025-03-24-at-162701-4-1742832826 -640-0-whatsapp-image-2025-03-24-at-162701-5-1742832825 -640-0-whatsapp-image-2025-03-24-at-162701-6-1742832824 -640-0-whatsapp-image-2025-03-24-at-162701-7-1742832824

Danimarka vendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë me të njëjtat kushte si burrat! Synimi, rritja e aftësisë mbrojtëse të vendit

Danimarka vendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë. Nga viti 2026 e në vazhdim gratë mund të thirren për shërbim ushtarak. Kjo masë synon të rrisë aftësinë mbrojtëse të vendit.

Danimarka do të shtojë numrin e rekrutëve për Ushtrinë Daneze dhe për Agjencinë Daneze të Mbrojtjes Civile. Nga rreth 4,700 vetë tani, ky numër duhet të shkojë në 7,500 vetë. Prandaj ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se duke nisur nga vitit 2026 gratë duhet të kryejnë shërbimin e detyruar ushtarak në të njëjtat kushte si burrat.

Ai tha se nëse për shërbimin e detyruar ushtarak nuk paraqiten një numër i mjaftueshëm vullnetarësh, gratë mund të rekrutohen edhe me detyrim.

Sipas këtij vendimi femrat që mbushin 18 vjeç pas 1 korrikut të këtij viti mund të rekrutohen për shërbim ushtarak gjatë vitit 2026.  “Barazia është e mirë dhe rrit mundësinë e ndërtimit të fuqisë luftarake në mbrojtjen daneze,” i tha ministri për të përditshmen daneze Jyllands-Posten.

25 për qind e rekrutëve gra

Në Danimarkë shërbimi i detyrueshëm ushtarak zbatohet deri tani vetëm për burrat e moshës 18 vjeç e lart. Për gratë deri sot shërbimi ushtarak nuk është i detyrueshëm, por ato mund të regjistroheshin vullnetarisht për të marrë pjesë në këtë shërbim. Gratë përbëjnë 25 për qind të rekrutëve të ushtrisë daneze.

Edhe pas ndryshimeve do të vazhdojë të zbatohet parimi që për shërbimin e detyruar ushtarak nuk do të rekrutohen detyrimisht të gjithë personat e moshës 18 vjeç e lart.

Dhe meqënëse se ka mjaft vullnetarë, jo të gjithë të rinjtë dhe të rejat do të thirren për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por përzgjedhja e tyre do të bëhet me short.

Danimarka zgjat kohën e shërbimit ushtarak

Vitin e kaluar u vendos që duke filluar nga gushti 2026 shërbimi i detyruar ushtarak në Danimarkë të zgjatet nga katër në njëmbëdhjetë muaj. “Një shërbim ushtarak më i fuqishëm, i cili gjithashtu merr parasysh barazinë gjinore, do të na ndihmojë të kapërcejmë sfidat në politikën e sigurisë,” u shpreh asokohe ministri i Mbrojtjes Poulsen.

Me këtë vendim Danimarka bëhet vendi i dytë i BE-së ku ekziston rekrutimi i grave për shërbimin e detyruar ushtarak. Një ligj i tillë është në fuqi në Suedi që nga viti 2017. Në Norvegji, e cila është anëtare e NATO-s, por jo e BE-së, gratë duhet të kryejnë gjithashtu shërbim ushtarak./DW

SPAK shtyn për të tretën herë hetimet për ish-zv.Kryeministrin Arben Ahmetaj

SPAK shtyn sërish me tre muaj hetimet për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, që akuzohet se ka kryer veprat penale “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.

Prokuroria e Posaçme ka tashmë afat deri në datën 23 qershor për të plotësuar hetimet e munguara në dosjen ndaj Ahmetaj, teksa kjo është hera e tretë që organi akuzës zgjat hetimet.

Arben Ahmetaj ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023. Ky i fundit u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme lidhur me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.

Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.

Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.

Albin Kurti premton mbi 1 miliard euro buxhet për ushtrinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi se gjatë një mandati të mundshëm të ri qeverisës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ndahen mbi 1 miliard euro buxhet.

 

Kështu tha ai gjatë mbledhjes së Qeverisë, teksa foli për mandatin katërvjeçar të ekzekutivit. Ai tha se Qeveria që ai udhëheq ka arritur “rezultate të jashtëzakonshme” gjatë mandatit të plotë kushtetues.

“Buxheti për ushtrinë është trefishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar, përfshirë këtu dronët Bayraktar luftarakë dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha Kurti.

“Në mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro, do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë ‘Made in Kosova’, pra që i prodhojmë vet”, shtoi ai.

Më 2024, buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ishte 153 milionë, ndërkaq këtë vit ai është 207.8 milionë.

Paralajmërimet për rritjen e buxhetit për mbrojtje vijnë në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon procesin e transformimit në ushtri, dhe në kohën kur shteti po ndërmerr hapa për të forcuar mbrojtjen e saj.

Nëntorin e vitit të kaluar, Kosova nisi procesin për hapjen e një fabrike për prodhimin e municioneve dhe nënshkroi një marrëveshje për municione me një prodhues në Turqi – shtet nga i cili Kosova ka blerë dronë për ushtrinë. Po ashtu, Qeveria njoftoi se do të ketë edhe një laborator për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.

Përveç se po mëton të prodhojë armë e municione, Kosova aktualisht edhe është duke blerë armë të ndryshme. Nga Shtetet e Bashkuara, Kosova veçse është në proces të blerjes të mbi 200 sistemeve kundërjarore, Javelin – që pritet t’i kushtojnë shtetit 75 milionë dollarë.

Kurti tha se Kosova, po ashtu, synon të blejë helikopterë amerikanë, Black Hawk, për FSK-në.

Ndërkaq, javët e fundit, Kosova ka ndërmarrë hapa të tjerë për avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë. Këtu përfshihet miratimi i një nisme për lidhjen e një marrëveshjeje kronizë për thellim të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe një deklaratë trepalëshe me Shqipërinë dhe Kroacinë për forcimin e mbrojtjes.

Marrëveshja me SHBA-në, sipas Qeverisë, do ta ndihmojë Kosovën në ngritjen e kapaciteteve strategjike ushtarake. Ndërkaq, deklarata për bashkëpunim me Shqipërinë dhe Kroacinë është thënë se do t’i kontribuojë paqes në rajon.

Lëvizjet e Kosovës drejt forcimit të mbrojtjes dhe industrisë së armatimit janë kritikuar nga Serbia.

Beogradi e ka cilësuar si “provokim” nismën e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për thellim të bashkëpunimit për mbrojtje dhe siguri, duke argumentuar se “minon stabilitetin e rajonit”.

Por, anëtarët e kësaj nisme kanë thënë se duan të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Premtimi i Kurtit për rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes vjen në kohën kur Kosova po pret që të krijojë institucione të reja, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar zgjedhjet – por, nuk ka fituar mandate të mjaftueshme që ta krijojë vetë Qeverinë.

Kurti ka thënë se ai dhe LVV-ja do të udhëheqin me ekzekutivin e ri, teksa nga LVV-ja kanë thënë se mëtojnë që ta krijojnë Qeverinë në bashkëpunim me partitë joserbe.

Partitë kryesore opozitare shqiptare, ndërkaq, janë shprehur kundër një bashkëpunimi me LVV-në./rel

“Urdhëroi punonjësit për hapjen e portave USB”- Ndërhyrja në sistemin TIMS, Prokuroria e Tiranës zbardh akuzat ndaj ish-drejtorit të IT: U futën edhe persona të tjerë paautorizuar për të asistuar në procesin e back up

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-drejtorin e IT-së në Policinë e Shetit, Ervin Muça, i cili akuzohet për ndërhyrje të pautorizuar në sistemin TIMS.

 

Organi i akuzës informon se i pandehuri ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB.

Sipas Prokurorisë, veprimet e Ervin Muçës janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës së datës 1 Shtator 2023, ndërsa ka rezultuar se në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi me iniciale K. M..

Ky i fundit nuk ka qenë pjesë e stafit dhe shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.

Sipas Prokurorisë, “është vërtetuar lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk.

Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up”.

Organi i akuzës informon se hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar dhe pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, por nuk është përfunduar plotësisht.

 

Njoftimi i Prokurorisë Tiranë:

Ndërhyrjet në sistemin TIMS/ Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq shtetasin E.M. për veprën penale ‘Hyrje e paautorizuar kompjuterike’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin E.M., aktualisht me masë sigurimi ‘Arrest në shtëpi’ për veprën penale ‘Hyrje e paautorizuar kompjuterike’ parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore për çështjen penale nr.5404, datë 01.09.2023, rezultoi se: i pandehuri E.M., në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshem të Policisë së Shtetit, nuk ka një informacion, memo informuese, plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre.

I pandehuri E.M., ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.

Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht.

Lidhur me veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilin gjithashtu është regjistruar procedimi penal nr.5404/2023 është vendosur ndarja e çështjes.