14.1 C
Tirana
E premte, 16 Maj, 2025

Nga rrogat, favoret, të drejtat e arrestimi, si ishte ligji i zgjedhjeve parlamentare në 1925-ën! Askush s’mund të pranohej për deputet, pa mbushur moshën 30 vjeç

Nga Dashnor Kaloçi/ Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe nga më të ndryshmet. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria, u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.

Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.

Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarësia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.

Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së. Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku një vend të veçantë zë edhe legjislacioni i zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, e cila është botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.

                                      Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)

(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)

Kombi Shqiptar i lirë dhe indipendent, kryenaltë për kohën e tij të kalueme dhe plot besim për kohën e ardhëshme, në Kuvendin Kushtetues vendon këtë Statut.

Kaptinë I.

FORMIM I SHTETIT

Pjesa A.

Dispozita të Përgjithshme

Art. 1. Shqipnija asht Republikë Parlamentare e Kryesueme prej nji Kryetari. Sovraniteti buron prej popullit.

Art. 2. Republika Shqiptare, asht indipendente, e pa-ndame, tanësija tokësore e sajë e padhunueshme edhe toka e sajë e pajetërtueshme.

Art. 3. Flamuri Kombtar, asht i kuq me shqipe të zezë dy krenshe në mes.

Art. 4. Shqipja asht gjuha zyrtare.

Art. 5. Republika Shqiptare s’ka fé zyrtare.

Të gjitha fét e besimet janë të nderueme dhe lirija e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyne asht e sigurueme.

Feja nuk mund të formojë pengime juridike me as-nji mënyrë.

Fét e besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike.

Art. 6. Tirana asht Kryeqyteti i Shqipnis.

Art. 7. Pushteti legjislativ ushtrohet prej Senatit e Dhomës së deputetve si mbas këtij Statuti.

Art. 8. Pushteti përmbarues i përket vetëm Kryetarit të Republikës, i cili e ushtron me anën e Ministravet.

Art. 9. Pushteti gjyqsuer ushtrohet prej gjykatavet dhe vendimet e tyne epen n’emën të Republikës Shqiptare.

Pjesa B.

Pushteti legjislativ

DHOMA E DEPUTETVET

Art. 10. Përfaqësija Kombtare përmblidhet në dy trupa; prej Dhomës së Deputetve, e përbame prej deputetësh të zgjedhun nga populli dhe prej Senatit, i përbamë prej Senatorve, të zgjedhun si mbas ligjës së posaçme.

Art. 11. Deputetët zgjidhen për 4 (katër) vjet dhe për ç’do 15.000 frymë nji.

Art. 12. As kush nuk mund të pranohet për deputet pa qenë shtetas Shqiptar, pa pasë mbushun moshën 30 vjetshe, pa gëzuem të drejtat civile e politike dhe pa pasun të gjitha cilësit e tjera të lypuna prej ligjës.

Art. 13. Cilësija e deputetit asht e pa-pajtueshme me ç’do nëpunësi të Shtetit me rrogë ose me nëpunësi komunale, ose me shërbimin aktiv fetar.

Art. 14. Deputeti nuk përfaqëson vetëm qarkun qi e ka zgjedhun, por kombin përgjithësisht.

Art. 15. Deputetit nuk mund t’i epet as nji porosi urdhënore prej zgjedhësvet të vet.

Art. 16. Deputetët kanë të drejtë me marrë nji shpërblim prej 5000 fr. Ari në vjetë.

Këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.

Art. 17. Mënyra e ushtrimit të zyravet të Dhomës së deputetve, caktohet në rregullorën e mbrendëshme të saj.

Art. 18. Parija e Dhomës së deputetve zgjidhet prej saj, dhe në gji të saj, në nisje të ç’do sesioni, për gjith vijimin e tij deri në fillim të tjetrit. Zgjedhja e paris dhe emnimi i nëpunësve të Dhomës së Deputetve, bahen mbas rregullores së mbrendëshme të saj.

Art. 19. Dhoma e deputetve shqyrton fuqit e cilësit e saj ligjore të misvet të vet, dhe gjykon e vendon mbi ta mbas parashkresavet të rregullores së mbrendëshme të saj.

Art. 20. Ç’do Mis i Dhomës së deputetve, asht i detyruem ma bamun dy bé; njanën përpara se të shqyrtohen fuqit e cilësit e tija, dhe tjetrën përpara se të nisë detyrën e tij si Deputet.

Beja e parë asht këjo: “Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të kryem detyrën e shqyrtimit me ndërgjegje e asnjianësi të plotë.

Beja e dytë do të bahet me këto fjalë: “Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të ruejtun besnikrisht mëvetësin e tanësin toksore të Shqipnis, se kam për t’i ndejun besnik Atdheut e Republikës dhe për t’u dalun zot Statutit e ligjëvet të Shtetit, e se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithëshme pa u-penguem as pak prej interesash të veçanta a krahine.

Art. 21. Deputeti i zgjedhun rishtas qi, pa shkake të justifikueshme të vërtetueme siç duhet, nuk paraqitet deri në dy muej përpara Dhomës së deputetve për të bamë ben e detyrshme, quhet i ramë nga deputetsija.

Gjykimi mbi pranueshmin a mos të shkakevet justifikative, i përket Dhomës së deputetve.

Art. 22. Deputeti qi për dy muej rrjesht mungon prej mbëledhjevet pa auktorizimin e Dhomës së deputetve, quhet vetiu i rrëxuem nga deputetsija.

Art. 23. Kur, për ç’do arsye qi të jetë, mbetet zbrazët vendi i nji deputeti, mbrenda dy muejsh prej ditës së zbrazjes, por jo ma parë se nji muej, duhet zgjedhun nji tjetër në vend të tij.

Art. 24. Dhoma e deputetve, mblidhet vetiu dy herë në vjetë në dy sesjone të rregullshme të tremuejshëm.

I pari sesjon fillon me 15 Shtatuer e mbaron me 15 Dhetuer, dhe i dyti fillon me 1 Mars dhe mbaron me 31 Maj të ç’do viti.

Art. 25. Deputetvet nuk mund t’u kërkohen përgjegjësi për mendimet e shfaquna e për votat e dhanuna në Dhomën e deputetve.

Art. 26. Në kohë të sesjonit, deputetët nuk mund të gjinden të burgosun për borxh.

Gjith ashtu, në kohë të sesjonit, nuk mund të ndiqen as t’arrestohen për çashtje penale, pa lejen e vendimin e Dhomës, veç se n’u kapshin në faj e sipër për krim. Në këtë rasë auktoritetet gjyqsore janë të detyruem me lajmue Dhomën e deputetve, mbenda 24 orësh me anë të Ministris së Drejtësis.

Për delikte e krime politike, deputetët gjykohen dhe dënohen kurdoherë, do-me-thanë mbrenda e jasht sesjonit, prej Gjyqit të naltë me auktorizimin e Dhomës, si mbas ligie së posaçme.

Art. 27. Dhoma e deputetve, ka të drejtë me dekretue lirimin e nji misi të vet për gjith kohën e sesjonit, në qoftë se ka qenë zanë në periudhë të pushimevet, me përjashtimin e atyne qi janë zanë për krime.

Art. 28. Në sesjon të jashtzakonshëm bisedohen vetëm ata sende qi e kanë shkaktuem, të cilat do të caktohen në programën e pregatitun prej Qeveris.

Kryetari i Republikës ka të drejtë me e mbyllun këtë sesjon kur do qi t’a shohë me arsye, por gjithmonë ma parë se të nisë sesjoni i zakonshëm.

Art. 29. Në të hapun të sesjonit të parë të zakonshëm, Kryetari i Republikës me nji ligjiratë ase lajmesë, parashtron gjendjen e përgjithshme të vendit e masat e gjykueme të nevojshme për me u-marrë atë mot prej Pushtetit përmbarues, dhe Dhoma i ban nji përgjegje sa ma të shpejtë.

Art. 30. Dhoma e deputetve nuk mund të bisedojë e të vendojë pa qenë pranë nji ma shum se gjysma e të gjithë misvet të saj qi kanë kaluem ndëpër formalitetet e artikujvet 19 e 20.

Nuk njehen në numër të përgjithshëm, ata qi mungojnë me leje.

Art. 31. Të gjitha vendimet votohen me shumicë absolute të deputetvet qi gjinden pranë.

Zgjedhjet qi i përkasin personave, në qoftë se nuk votohen për herën e parë me shumicë absolute, herën e dytë votohen me shumicën relative të deputetve të mbledhun.

Art. 32. Votimi i ligjevet bahet nji here parimisht e dy herë artikull për artikull, në tri dit të ndryshme.

Votimet për kodet e paraqitun prej Qeveris e të pregatituna prej nji komisije të posaçëme të krijueme me ligjë, bahen toksisht (en bloc) në tri mbledhje në ditë të ndryshme, për veç ligjëvet, qi Dhoma me vendim i quen të ngutshme, të cilat votohen mbas rregullores së mbrendëshme.

Art. 33. Mbledhjet e Dhomës së deputetve, bahen botnisht. Për veç gjindjes s’armëvet kushdo tjetër mundet me marrë pjesë në to në konformitet me rregulloren. Bisedimet e Dhomës botohen në vëllime të posaçme.

Art. 34. Dhoma e deputetve, mund të bisedoj edhe në mbledhje të fshehtë në qoftë se kërkohet prej ministërvet ase prej pes deputetvet e në qoftë se pranohet prej shumicës, mbassi të kenë lanë Dhomën të gjithë ata qi s’janë deputetë.

Art. 35. Dhoma e deputetve asht e pa dhunueshme. Asnji zyrtar a fuqi armësh, për veç trupit policuer me shenjë te veçantë, nuk mund të vehet mbrenda Dhomës, ase te porta e ndërtesës ku mblidhen deputetët pa vendim e kërkim të Dhomës.

Art. 36. Ç’do akt me fuqi ligjore do të spalle në gazetën zyrtare, e cila u dërgohet të gjitha Bashkive të Shqipnis.

Shpallja do të bahet të shumtën dy javë mbas votimit dhe akti hyn në fuqi e zbatim nji muej mbas shpalljes, përveç atyne ligjëvet qi caktojnë nji afat të ndryshëm për të hyemit e tyne në fuqi.

Aktet me fuqi ligjore do t’i inserohen në mbështjelljen zyrtare të ligjëvet e të dekretevet.

Art. 37. Parija e Dhomës asht e detyrueme mbrenda në sesjon me i këthyem Pushtetit përmbarues, ç’do projekt të paraqitun prej tij e të refuzuem prej Dhomës, me gjithë arse e mos pëlqimit.

Art. 38. Asnji projekt-ligjë qi s’pëlqehet prej Dhomës së deputetve, nuk mund të paraqitet për bipedi nji herë të dytë po n’atë sesjon.

Art. 39. Për gjith vjetë, Pushteti përmbarues do t’i paraqesë Dhomës së deputetve për shqyrtim e pëlqim Bugjetin e përgjithëshëm t’ardhunavet e të prishunavet të Shtetit, bashkë me parashtresën e mënyravet e të mjetevet mbas të clave do t’u bajë ballë atyne shpenzimevet.

Të gjitha t’ardhunat e shpenzimet e Shtetit, do të futen në Bugjet.

Bugjeti do të paraqitet gjithmonë në hapjen e sesjonit vjeshtuer, i cili s’mund të mbyllet pa u votue Bugjeti.

Mënyra e hartimit të Bugjetit, bahet me ligjë. Bugjeti votohet kaptinë për kaptinë, dy herë në dy ditë të ndryshme.

Pushteti përmbarues, në mbarim të vitit financjar dhe mbrenda në sesjonin e dytë të vitit financjar tjetër, do t’i paraqesë Dhomës së Deputetve për shqyrtim e pëlqim Bugjetin konsomtif të motit të kaluem, i cili votohet nji herë përgjithësisht.

Art. 40. Kur, për ç’do arsye qi të jetë nuk arrijnë me marrë formën ligjore definitive Bugjeti i ri deri në fillim të vjetit financjar për të cilin asht pregatitun, Pushteti Përmbarues ven në zbatim atë ma të përparshmin për aq kohë sa do të vonojë pëlqimi e votimi i të riut.

Në rasë qi Dhoma asht çelun, at’herë këjo i hap nji kredit të përmuejshëm se cilës degë t’administratës, por ky kredit nuk mund kapërcejë nji të dymbëdhjetën pjesë të shpenzimevet të zakonshme qi i përkasin mbas bugjetit të vjetër.

Art. 41. Pushteti përmbarues nën përgjegjësin e tij civile, detyrohet të shenjojë në bugjetin e përvitshëm të Shtetit ç’do ligjë qi ngarkon shtetasit me paga e taksa.

Ligjet qi nuk shenjohen në Bugjet, quhen si të ngrituna e të pa fuqi ligjore.

Art. 42. Kur nji kredit i dhanun në bugjet nuk mjafton për atë shërbim, Pushteti Përmbarues me nji dekret ligjë mbrenda në motin financjar, kërkon prej Dhomës shtimin e atij krediti deri sa t’arrijë, dhe, kur shfaqen shpenzime për nevoja të pa-parapame në Bugjet, Pushteti Përmbarues përsëri mund të kërkojë prej Dhomës nji shtesë krediti, gjithnji në themel të nji project-ligjës së posaçme.

Ligjët për kredite suplementare ashtu dhe të jashtzakonshme, votohen si ligjët e zakonshme.

Në rasa lufte, kryengritjeje, e kalamiteti public kur Dhoma e deputetve gjindet në pushim, Qeverija mundet me dekret-ligjë të krijojë nji kredit të jashtzakonshëm nen-përgjegjësin e saj.

Këjo dekret-ligjë i duhet paraqitun Dhomës në sesjonin e afërm.

Art. 43. Dhoma e deputetve ka të drejtë të thërrasë përpara saj cilindo nga Ministrat, për me e pyetun mbi ç’do çashtje qi i përket degës së tij.

Mënyra e thirrjes dhe e shfaqjes së Ministravet, caktohet në rregulloren e mbrendëshme.

Art. 44. Dhoma e deputetve kontrollon Qeverin.

Për mbrojtjen e interesave të përgjithëshme, Dhoma detyrohet, në ç’do rasë të veçantë, të formojë prej guini të vet Komisi hetimesh për të studjuem çashtjet e faktet qi lidhen me to. Komisit hetuese kanë të drejtë me kërkuem shpjegime me gojë e me shkrim, si prej auktoritetevet botore ashtu edhe prej privatve. Mund të këqyrin edhe të gjitha aktet zyrtare qi t’u duken të nevojshme.

Art. 45. Dhoma e deputetve akuzon Ministrat e i dërgon përpara Gjyqit të Naltë të Shtetit, në bazë të ligjës së veçantë.

Art. 46. Dhoma e deputetve nuk mund të pranojë deputetsi as të ndigjojë të tjerë për veç ministërvet, ase zavendësvet të këtyne me përjashtimin e rasës së parame në Art. 29.

Art. 47. Në mbarim të periudhës ase në rasë të shpërndarjes së Dhomës së deputetve, Pushteti përmbarues detyrohet mbrenda në dy javë prej ditës së shpërndarjes së saj, të dekretojë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat duhen bamë, jo ma vonë se dy muej e gjymës dhe jo ma parë se nji muej prej datës së dekretit.

Në qoftë, se për shkake të pa prituna, periudha e Dhomës së deputetve, merr fund, ma tepër se nji muej përpara kohës së caktueme në Statut, Dhoma e re mblidhet vetiu pesmbëdhet dit pas zgjedhjeve. Në qoftë se në kohën mbas mbarimit të periudhës parlamentare dhe pa u bamë zgjedhjet e reja, Pushteti përmbarues gjindet i shtërnguem me shpallë luftë ase me dhanë dorëhekjen Kryetari i Republikës, me dekret të këtij të fundit ase të zavëndësit të këtij, thëritet Dhoma e vjetër për aprovimin e dekret-ligjes për luftë ase për pranimin e dorëhekjes, të Kryetarit të ri si mbas këtij Statuti.

Art. 48. Trupi Ministruer, e Ministrat votë besimin e marrin vetëm prej Dhomës së deputetvet. Memorie.al

Eksporti i vajit të ullirit! Rënie të shitjes në krahasim me një vit më parë, ekspertët: Do strukturohet tregu

Në vitin 2024 eksportet e vajit të ullirit kanë rënë me 97% krahasuar me vitin 2023.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ky vit nuk ka qenë i mbarë as për sasinë e prodhuar të vajit të ullirit por as edhe të çmimit.

Grosistët kërkojnë që një litër vaj ulliri tek fermerët ta marrin nga 450-500 lekë, çmim ky që nuk mbulon as kostot e prodhimit.

Nga harta e eksporteve tashme as Italia, Hungaria dhe SHBA nuk po preferojnë të marrin ullirin nga Shqipëria, pasi për ta tregu i preferuar është Greqia, dhe për këtë ka një arsye.

“Për cilësinë e vajit të ullirit që kemi ne,kemi goxha probleme. Çdo industri, përshtypja ime është që do strukturohet tregu, pra prodhuesit e vegjël të vajit nuk do të ekzistojë më por do mblidhen bashkë dhe do shkojnë atje ku është ekonomia më e madhe për të ulur kostot dhe për të rritur marzhet e fitimit të tyre”, u shpreh Rezart Prifti-ekspert ekonomie.

Por ndryshe është historia e fermerit nga Belshi i Elbasanit, Sadush Sharku, është pronar i 1400 rrënjë ulliri. Ai thotë se këtë vit prodhoi afërsisht 60 përqind vaj ulliri por falë një kontrate me SHBA ka siguruar një çmim që ka kapur rekorde 1200 lekë litri dhe kjo sipas tij për shkak të vajit të ullirit cilësor që ai prodhoi pasi e certifikoi si organik.

“Viti që kaloi fare i pakënaqur jam me 700 litra vaj, arsyeja ishte fillimisht lagështira e tepërt gjatë periudhës së lulëzimit, më vonë pastaj thatësira e tmerrshme që atje gati po binin gjethet. Është vet-ofruar një kompani amerikane dhe ajo kërkonte që të gjente vaj ekstra të virgjër dhe i gjithë vaji u shit me 1200 lekë litri. Çmimi maksimal ka qenë 500 e pak, zakonisht e shitëm me 450. Po s’u rregullua kjo punë, në këtë formë është e vështirë të marrësh diçka”, tha fermeri Sadush Sharku.

Por fermerët e ullirit thonë se problem nuk është cilësia, por çmimi, sipas tyre vaji i ullirit në Greqi kushton më lirë për shkak të politikave mbështetëse, pasi atje kolegët e tyre subvencionohen lek për litër vaj.

Analiza e DW: Gjermania nën presion pas përplasjes së Trump dhe Zelensky në Shtëpinë e Bardhë! Kërkohet shpejtësi në formimin e qeverisë

Politika gjermane reagoi e tronditur pas skandalit në Shtëpinë e Bardhë e dështimit të bisedimeve mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zhvillimet aktuale transatlantike pikërisht në periudhën e tranzicionit të qeverisë pas zgjedhjeve federale e vendosin politikën gjermane nën presion të shtuar. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Të Gjelbrit) bëri thirrje për veprim të shpejtë evropian dhe kombëtar në Berlin. “Ne nuk mund të presim derisa të formohet një qeveri e re federale, sepse situata është serioze.”

Unioni CDU/CSU dhe SPD po shqyrtojnë hapat për të formuar një koalicion qeveritar të ardhshëm dhe për të mobilizuar miliarda të tjera për mbrojtjen. Baerbock paralajmëroi: “Gjermania duhet të marrë drejtimin në këtë moment historik.” Annalena Baerbock foli edhe për një “kohë të re të pafytyrësisë” dhe bëri thirrje për aleanca të forta evropiane.

Unioni CDU/CSU e vlerësoi sjelljen e Uashingtonit si një “gabim strategjik”, kurse SPD si një “lojë cinike”. Në të njëjtën kohë, partitë gjermane u zotuan të vazhdojnë solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për Ukrainën e sulmuar.

Gjermania të krijojë shpejt qeverinë e re
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shpreh në mënyrë të pazakontë kritik ndaj presidentit amerikan, Donald Trump pas skandalit gjatë vizitës së kreut të shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky. në Uashington. “Diplomacia dështon kur partnerët negociues poshtërohen para syve të botës,” tha Steinmeier gjatë një fluturimi për në Uruguai për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Ai bëri thirrje që Gjermania të formojë shpejt një qeveri të re. “Ajo skenë dje në Shtëpinë e Bardhë më la pa fjalë. Kurrë nuk do të kisha besuar se një herë do ta mbronim Ukrainën nga SHBA”, tha Steinmeier.

Thirrje brutale zgjimi për Evropën nga Zyra Ovale
Kurse kreu i partisë E Majta, Jan van Aken, kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit. “Tani kemi vërtet një situatë të re botërore. (Presidenti i SHBA) Donald Trump ka bërë të qartë, se e drejta ndërkombëtare nuk zbatohet, vetëm ligji i më të fortit. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se bota ka nevojë për një përgjigje të përbashkët” tha van Aken për ARD.

Edhe ish-kryetari i Konferencës së Sigurisë të Mynihut, Christoph Heusgen foli për një fuqizim të shpejtë të Evropës. “Nëse thirrja brutale e zgjimit nga Zyra Ovale mbrëmjen e së premtes nuk është e mjaftueshme që ne më në fund të investojmë masivisht në forcimin e mbrojtjes evropiane, ekonomisë evropiane dhe modelit të sukesshëm liberal evropian, demokratik dhe ligjor atëherë nuk e di se çfarë do të duhet të ndodhë më shumë”, tha Heusgen për “Rheinische Post”./DW

Operacioni i SPAK ku të përfshirë ishin edhe shefa policie/ Grupi kriminal drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, biznesmeni që u vra 3 vite më parë

Të tjera detaje janë zbardhur grupi kriminal që u godit nga SPAK, gjatë operacionit të kryer në bashkëpunim me policinë e Shtetit, ku rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës, 4 shefa  të komisariateve të policisë.

 

Gazetarja Klodiana Lala raporton se grupi drejtohet nga Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës që u ekzekutua në Tiranë.

Sipas gazetares Lala, grupi ‘Papa’ është në përplasje të forta me grupin e Aleksandër Sadikaj i ekzekutuar në afërsi të rreth rrotullimit të Saukut me eksploziv dhe Adriatik Kalemit.

Ndërkohë personi me iniciale XH.N që SPAK thotë se, më datë 17.09.2020 në qytetin e Sarandës, ka qarkulluar me një makinë në përdorim të tij, duke mbajtur pa leje një armë zjarri, është shtetasi nën hetim Xnino Nebi.

Ndërsa personi nën hetim me iniciale EA (alias K.A) Eldian Allushi i cili sipas SPAK, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjësi i policisë personi nën hetim E.A, si dhe pas këshillave të këtij të fundit, është arritur që mbajtjen pa leje të armës së zjarrit në automjet e ka marrë përsipër një shtetasi tjetër i mitur, i cili më pas është arrestuar nga oficerët e policisë gjyqësore, ndërkohë që realisht shtetasi i mitur ka qenë duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin e mësipërm ku ndodhej dhe arma, mjet i cili i ishte dhënë nga shtetasi nën hetim Xhino Nebi, disa çaste më parë.

Në një deklaratë zyrtare ditën e diel, SPAK thotë se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze dhe greke ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri dhe Greqi.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe veprave penale, një pjesë e të cilave është kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal si vijon:

“Gjatë viteve 2019-2021, evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa, krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i tij dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A).

Nga hetimi del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021, pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal, kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, cannabis sattiva në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara dhe kultivuar në ambiente të mbyllura”, thotë SPAK.

Britania, Franca dhe Ukraina do të përgatisin një plan për armëpushim, Starmer: Do ta diskutojmë edhe me SHBA

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara. Kështu tha kryeministri britanik, Keir Starmer, teksa udhëheqësit evropianë u mblodhën për bisedime në Londër pas takimit të tensionuar të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky me Presidentin Trump.

 

“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Francën, dhe ndoshta me një apo dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet dhe më pas ne do ta diskutojmë atë plan me SHBA-në”, tha Starmer për BBC-në.

Starmer po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë, që është një nga pikat që Zelensky dhe Trump u përplasën gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

“Unë gjithmonë kam qenë i qartë se do të duhet një siguri e SHBA-së sepse nuk mendoj se mund të garantohet pa të”, tha Starmer për BBC.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu marrin pjesë në samitin e sigurisë.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Operacioni ku u arrestuan 3 efektivë, SPAK zbardh skemën: Grupi kriminal vepronte në Sarandë, trafikonte lëndë narkotike drejt Greqisë! Iu sekuestrua drogë me vlerë 1.7 milionë euro

Prokuroria e Posaçme SPAK ka dhënë detaje në lidhje me një grup kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria në Greqi, ku të përfshirë kanë qenë edhe tre efektivë policie.

SPAK thote se gjatë viteve 2019-2021, evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike.

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar më 23.09.2022, proçedimin penal nr.169 të vitit 2022, si dhe aktualisht po vazhdon hetimet paraprake për veprat penale; “Fallsifikim i dokumentave”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorim i detyrës” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”“Trafikimit të lëndëve narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal, “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal , “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal,  “Grupi i strukturuar Kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“ , të parashikuar nga nenet 186, 245/1, 248, 283/a e 28/4, 284 e 28/4, 287 e 28/4, 333/a dhe 334  të Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze dhe greke ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri dhe Greqi.

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe veprave penale, një pjesë e të cilave është kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal si vijon:

  • Gjatë viteve 2019-2021, evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa, krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i tij dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A).

Nga hetimi del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021, pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal, kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, cannabis sattiva në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara dhe kultivuar në ambiente të mbyllura.

Në bashkëpunim mes tyre, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar bimën narkotike, ndërsa anëtarë të caktuar, personat që do të kryenin transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.  Ajo që vihet re është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin nga agjencitë ligjzbatuese, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore.

Përveç krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit që dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal që kryente trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi, dyshohen se janë:

  • Shtetasit italianë L.B dhe D.C, të cilët janë dënuar në Republikën e Greqisë për këtë veprimtari të kundraligjshme, si dhe shtetasi nën hetim B.T.
  • Punonjësit e policisë së shtetit E.D dhe E.H, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.
  • Disa shtetas shqiptarë të tjerë, të paidentifikuar deri më tani nga hetimi.

Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.

Përveç krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit që dyshohen se janë shtetasit nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike, dyshohen se kanë qenë:

    • Shtetasit nën hetim XH.N dhe SH.K ;
    • Punonjësit e policisë së shtetit E.A dhe E.H, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.
    • Disa shtetas shqiptarë të tjerë të paidentifikuar ende deri më tani nga hetimi.

Nga hetimi, evidentohet fakti i pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nga të ardhura të dyshuara prej përfitimit nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe kultivimi i bimëve narkotike nga personat nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A) dhe SH.K, të cilët si gjatë periudhës së veprimtarisë kriminale në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike, ashtu dhe pas kësaj periudhe, kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, me qëllimin e vetëm, pastrimin e produkteve të veprës penale.

Nga hetimet është evidentuar fakti se gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i destinuar për kultivimin e bimëve narkotike, ku krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal dyshohet se është shtetasi nën hetim L.B (alias E.S), ndërsa anëtarë të tjerë të këtij grupi dyshohet të kenë qenë:

    • Punonjësi i policisë së shtetit SH.R, i cili duke shfrytëzuar pozicionin e tij të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit , rezulton se ka ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal duke dhënë këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.
    • Disa shtetas shqiptarë të tjerë të paidentifikuar deri më tani nga hetimi, të cilët nën drejtimin e krijuesit, organizatorit dhe drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal, L.B (alias E.S), merreshin drejtëpërdrejtë me kultivimin e bimëve narkotike.

Nga hetimi është arritur të dokumentohet fakti se në datën 01.10.2020, nga shërbimet e policisë gjyqësore te Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë, (në një distancë rreth 1000 metra nga fshati Dukaj për në fshatin Salari), në një furgon tip “Iveco”, me ngjyrë të bardhë të mbyllur janë gjetur dhe sekuestruar bimë narkotike cannabis sattiva në formën e bimëve, me kërcell, degë, gjethe dhe boçe, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 (një mijë e dyqind e tetëdhjetë) kilogram dhe e përberë nga 1360 (një mijë e treqind e gjashtëdhjetë) bimë me gjatësi 30 – 120 cm.

Nga veprimet hetimore në kuadër të procedimit penal nr.169 të vitit 2022 të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme, ka rezultuar se bimët narkotike ishin kultivuar nga grupi i strukturuar kriminal i drejtuar nga L.B (alias E.S).

  • Është evidentuar fakti se më datë 17.09.2020 në qytetin e Sarandës shtetasi nën hetim XH.N ka qarkulluar me një makinë në përdorim të tij, duke mbajtur pa leje të organeve kompetente shtetërore në automjet një armë zjarri e llojit pistoletë me mulli, të kalibrit 9.5 mm, si dhe 17 fishekë të kalibrit 9.5 mm, të futur në një kuti.
  • Është evidentuar fakti se personi nën hetim E.A (alias K.A) ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjësi i policisë personi nën hetim E.A, si dhe pas këshillave të këtij të fundit, është arritur që mbajtjen pa leje të armës së zjarrit në automjet e ka marrë përsipër një shtetasi tjetër i mitur, i cili më pas është arrestuar nga oficerët e policisë gjyqësore, ndërkohë që realisht shtetasi i mitur ka qenë duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin e mësipërm ku ndodhej dhe arma, mjet i cili i ishte dhënë nga shtetasi nën hetim XH.N disa çaste më parë.
  • Gjithashtu nga hetimet paraprake evidentohet se gjatë periudhës së viteve 2019-2021, shtetasit nën hetim E.H, E.A, E.D dhe SH.R, punonjës policie, me veprimet e tyre të kundraligjshme të kryera me dashje, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal, duke kryer/apo moskryer me dashje në vazhdimësi veprime apo mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre si punonjës të policisë së shtetit, i kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm interesave të ligjshëm të shtetit, duke cënuar sigurimin e veprimtarisë së rregullt ligjore të punonjësve të policisë së shtetit, si dhe duke cënuar besueshmërinë e policisë së shtetit përpara publikut në lidhje me misionin e saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, sic përcaktohet dhe në ligjin nr.108/2014 dt.31.07.2014 “Për policinë e shtetit” të ndryshuar, si dhe  në aktet nënligjore “Rregullorja e Policisë së Shtetit” .

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.17, datë 28.02.2025 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A), B.T, SH.K, XH.B, L.B (alias E.S), E.H, E.D, SH.R dhe E.A.

Më datën 01.03.2025  nga  Agjencia e Mbikqyerjes Policore dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë ekzekutuar urdhërat për ekzekutimin e vendimit penal nr.17, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasit:

  • -E.H, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë ndër të tjera dhe punonjës policie në Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit, si dhe është larguar nga Policia e Shtetit në vitin 2022.
  • -SH.R, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën pranë Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, ndërsa në momentin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ishte me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë.
  • -E.A, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa në momentin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ishte me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Është shpallur në kërkim punonjësi i policisë E.D, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë , ndërsa aktualisht ishte me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.

Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë kryer veprimet e mundshme proçeduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.17, datë 28.02.2025 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” dhe zbatimin e masave të sigurimit, por ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të ndryshme si telefona, armë etj, dhe po vazhdojnë kontrolle në  banesa dhe ambiente të tjera

Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Paralajmërimi i Macron: Nëse Putin nuk ndalet ai do të vazhdojë drejt Moldavisë dhe Rumanisë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka paralajmëruar se nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk ndalet, “ai me siguri do të vazhdojë me Moldavinë dhe ndoshta më tej me Rumaninë “.

 

Teksa foli për çështjen e armaturës mbrojtëse të Evropës përballë frikës së një shkëputjeje amerikane, ai tha:  “Shkëputja e mundshme e SHBA nga Ukraina  nuk është në interesin e tyre (SHBA)”, sepse “ajo që SHBA ka bërë gjatë tre viteve të fundit është plotësisht në përputhje me traditën e saj diplomatike dhe ushtarake”.

Nëse Uashingtoni pranon të “nënshkruajë një armëpushim pa ofruar asnjë garanci sigurie për Ukrainën”, atëherë “kapaciteti i tij parandalues ​​gjeostrategjik ndaj Rusisë, Kinës dhe të tjerëve do të zhduket në të njëjtën ditë ”, argumentoi presidenti francez.

Duke ringjallur diskutimin për një ombrellë bërthamore evropiane për të forcuar sigurinë e Evropës, Macron theksoi se një dialog strategjik me vendet evropiane që nuk posedojnë armë bërthamore “do ta bënte Francën më të fortë”.

“Ne kemi mburojë, ata jo”. Dhe ata nuk mund të varen më nga parandalimi bërthamor amerikan. Ne kemi nevojë për dialog strategjik me ata që nuk e kanë dhe kjo do ta bëjë Francën më të fortë”.

Taulanda Jupi: Edi Rama tregoi sot një Shqipëri që nuk ekziston

“Edi Rama sot në Athinë u tregoi shqiptarëve të diasporës një Shqipëri që nuk ekziston. Ai flet për paga më të larta dhe taksa më të ulëta, por realiteti është i kundërt: Shqipëria ka pagat më të ulëta dhe taksat më të larta në Ballkanin Perëndimor.” – kështu shkruan në një reagimin e saj lidhur me takimin e sotëm të Ramës në Athinë, kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, Taulanda Jupi.

Jupi shprehet më tej se barrën fiskale më të madhe e mbajnë ata që punojnë shumë dhe janë të kualifikuar.

“Barrën më të madhe e mbajnë ata që punojnë më shumë, ata që janë më të kualifikuar dhe ata që mbajnë këtë vend mbi supet e tyre. Shtresa e mesme, profesionistët, sipërmarrësit, mjekët, inxhinierët, pedagogët – të gjithë ata që i japin vlerë shoqërisë, ndëshkohen me taksa të rënda dhe mundësi të pakta. Ky është modeli i qeverisjes së një vendi që shtyp produktivitetin dhe shpërblen mediokritetin.”

Sipas Jupit, e vërteta është se “një qeveri që takson më shumë ata që punojnë më shumë është një qeveri që frikësohet nga përparimi dhe liria që sjell mirëqenia. Shqipëria ka nevojë për politika që shpërblejnë punën, jo propagandën. Shqipëria meriton më shumë!”

Ky grafik tregon se kush paguan më shumë taksa në rajon.

Burimi: Price Waterhouse Coupers 2025

Momenti i shumëpritur, Myrto Uzuni debuton sot në SHBA

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni ka nisur stërvitjet me skuadrën e tij të re, Ostin. Lojtari beratas pritet që gjatë kësaj fundjave të bëjë debutimin e tij të parë me fanellën e klubit nga Amerika.

 

29- vjeçari para disa ditësh nënshkroi kontratën me klubin nga MLS-ja dhe tani ka nisur stërvitjet e para. Ostin luan ndaj Portlandit më të dielën e 2 marsit dhe Uzuni, nëse jo nga minuta e parë, pritet të jetë në stol.

Kujtojmë që Myrto u largua nga Granada, pasi shkroi historinë me këtë klub spanjoll, duke u bërë golashënuesi më i mirë i huaj i këtij klubi. Pavarësisht se ai nuk është preferuar nga trajneri Silvinjo, Uzuni do të luajë shanset e tij në Kombëtaren shqiptare, ku është pjesë nga vitit 2018.

Lufta totale ndaj drejtësisë

Nga Fitim Zekthi

Kryeministri Rama ka nisur një luftë të hapur me prokurorinë speciale SPAK dhe Gjykatës kundër krimit dhe korrupsionit GJKKO. Gjuha që ai po përdor, sjellja e tij politike ndaj kësaj prokurorie dhe ndaj gjykatës janë ekstreme, shantazhuese, kërcënuese. Kryeministri po thotë se gjykata duhet të japë prova pse e arrestoi kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, pse nuk zgjodhi një masë tjetër më të butë, pse e la Tiranën pa kryetar bashkie, pse mohoi qeverisjen e qytetit, pse mohoi votën e 500 mijë banorëve.

Kryeministri Rama përdori rastin e ndalimit të rreth 20 pedagogëve dhe zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës për të shkuar edhe më larg në sulmet ndaj gjykatës dhe prokurorisë. Ai tha se gkykata po bëhet represive, se ajo po ushqehehet me gjak, se gykata po bëhet ‘jacobine’, se gjykata po udhëheq me shpatë dhe se kjo nuk do të lejohet.

Gjuha e kryeministrit Rama është padyshim në kufijtë e një vepre penale. Ajo është një gjuhë shantazhi dhe kërcënimi, është një gjuhë e pengimit të drejtësisë. Në një çështje gurthemeli si ajo Terminielo vs Chicago Gjykata Supreme e SHBA ka vendosur që në vitin 1949 se gjuha që mund të shkaktojë “rrezik të qartë dhe të shpejtë” është e ndaluar. Kur kjo gjuhë përdoret nga kryeministri (nuk po flasim për gjuhën e kryetarit të bashkisë sepse ajo kalon çdo kufi) rreziku që ajo paraqet, kërcënimi që ajo mbart, shantazhi që ajo shkakton është shumë e madhe. Kjo u pa edhe te protesta që bënë njerëzit e Ramës dhe të Veliajt tek dera e GJKKO. Gjithsesi kjo është një çështje tjetër.

Çështja kryesore në këtë rast është mënyra se si kryeministri Rama e kupton drejtësinë. Ai paraqiti një foto që sipas tij simbolizonte drejtësinë ‘jacobine’, foto e famshme e një pikture kjo në fakt. Kjo foto tregon për një grua të verbër (siç duhet të jetë drejtësia e cila ka në një dorë një shpatë dhe në dorën tjetër peshoren. Kryeministsri Rama se SPAK dhe GJKKO janë bërë jakobinë. Jakobinët, dihet që janë simboli i një prej mizorive më të mëdha të kohërave. Jakobinët vranë mijëra njerëz pa gjyq, mbyllën kishat, u prenë kokat priftërinjve dhe aristokratëve, gjymtuan kundërshtarët politikë etj. Rama kërkon të thotë se drejtësia e SPAK dhe e GJKKO është e tillë, kullon gjak nga sytë,
Etërit themelues të SHBA-së, autorët e kushtetutës amerikane, mendimtarët që hartuan Deklaratën e Pavarësisë, që shkruajtën Letrat e Federalistit i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe kufizmit të pushtetit, ndarjes së pushteteve dhe rolit të gjyqësorit. James Madfison thotë se parlamenti është pushteti i thesit d.m.th. i parave dhe i buxhetit, ekzekutivi është pushtetei i shpatës sespe zbaton ligjet dhe këtë e bënë nëpërmjet komandimit të agjensive ligjzbatuese. Madison thotë se gjyata është peshorja.

Madison, Franklin, Jeffesron etj. ishin shumë të trembur se Thesi dhe shpata duke qenë dy pushtete shumë të fuqishme do ta shtypnin dhe përdornin peshoren. Peshorja është një pushtet shumë i dobët krahasuar me shpatën dhe thesin. Ata u kujdesën që shpata dhe thesi të mos jenë kurrë në një dorë dhe në fakt kongresi amerikan nuk ka qenë kurrë i dominuar plotësisht nga qeveria. Ata u kujdesën për një pushtet gjyqësor me tre shkallë dhe për një mënyrë emërimi të gjyqtarëve e cila të mos lejonte kontrollin e tyre nga ekzekutivi apo legjislativi. Në Shqipëri dihet që thesi dhe shpata janë në dorën e kryeministrit. Peshorja me sa duket nuk është në dorën e tij. Që GJKKO dhe SPAK të jenë jakobine duhet që ato të kontrollohen nga Rama. Rama është thesi dhe shpata. Drejtësia jakobine në Francë në vitet 1793 -1800 u kontrollua plotësisht nga qeveria. Kudo në çdo vend kur drejtësia është jakobine, dënon njerëz kot apo persekuton njerëz, ajo kontrollohet nga shpata dhe thesi. Nuk ka kurrë drejtësi jakobine, që merr hak, që kullon gjak nëse ajo nuk kontrollhet nga qeveria.
Rama e tha këtë pikërisht sepse drejtësia e SPAK dhe e GJKKO nuk janë jakobine, janë thjesht të pavarura në një masë shumë shqetësuese për qeverinë dhe Ramën. Ato janë në një masë shqetësuese të pavaruara nga Rama dhe politika për shkak se ato institucione nuk u ngritën nga vullneti dhe dëshira e Ramës dhe e politikës. Ato thjesht kanë fuqinë e kurajos të hetojnë dhe çojnë në gjykatë njerëz të thesit dhe shpatës dhe kjo e ka luajtur mendsh thesin dhe shpatën. Kjo është e gjithë diferenca.

Gjërat e tjera se SPAK duhet të japë prova, se SPAK la Tiranën pa kryetar, se SPAK mohoi votën e 500 mijë qytetarëve janë deklafata populiste brenda kuptimit jakobin, brenda kuptimit që gjykata nuk mund të mos jetë në dorën e qeverisë. Provat paraqiten vetëm në gjykata, kur kryhet një vepër penale edhe po të jesh votuar nga 1 miliard njerëz nuk mbrohesh dot por do t’i përgjigjesh ligjit, kur dyshohesh për një vepër penale edhe po të jesh mbret nuk mbrohesh dot për shkak të detyrës. Tërë thelbi i drejtësisë është se “askush nuk mund të jetë mbi ligjin”. Është pikërisht kjo gjë nuk pranohet sepse Rama, Veliaj, politikanët e lartë të 34 viteve tranzicion e kanë menduar veten gjithmonë mbi ligjin. Siç tha dikur funskionari i lartë i Partisë së Punës : “Pse ligjet tona do na dënojnë ne”? Pikërisht për këtë shkak ata kanë nisur një luftë totale mbi drejtësinë. Lufta e tyre e vërtetë në fakt.

Lulzim Basha dhe zgjedhjet e 11 Majit

Nga Namir Lapardhaja Rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit nuk ishte ai i pritshëm për Koalicionin Euroatlantik dhe për drejtuesin politik të këtij grupimi, Lulzim...