14.4 C
Tirana
E premte, 16 Maj, 2025

Rritja e numrit të vetëvrasjeve dhe mungesa e shërbimeve për shëndetin mendor

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Më 10 shkurt një minorene 17-vjeçare u vetëvra në shtëpinë e saj në Gjirokastër. Hetimet paraprake sugjeronin se vajza u shty drejt aktit final nga përballjet e vazhdueshme me bullizmin dhe keqtrajtimin në shkollë. Ky ishte rasti i 6-të i vetëvrasjeve që ndodhën në Shqipëri gjatë muajve të parë të vitit 2025.

Në katër vitet e fundit, 598 persona kanë i dhanë fund jetës së tyre, ndërsa 487 të tjerë kanë tentuar vetëvrasjen.

Një nga periudhat më të errëta ishte viti 2024, i cili regjistroi numrin më të lartë të vetëvrasjeve në katër vitet e fundit, me 112 raste. Sipas ekspertëve, faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e vetëvrasjeve janë të shumtë, përfshirë situatën socio-ekonomike, shëndetin mendor dhe ndikimet sociale, si bullizmi dhe dhuna.

Pavarësisht rasteve duket se në vend mungon infrastruktura e shëndetit mendor. Mungesa e qendrave dhe mjekëve psikiatër bën që fenomeni që rastin më të mirë të neglizhohet.

Pse vetëvriten?!

Viti 2024 shënoi numrin më të madh të vetëvrasjeve të kryera në Shqipëri, me 112 raste që nga periudha e pandemisë COVID-19.

Ekspertët thonë se shkaqet e vetëvrasjeve shpesh janë të lidhura me faktore të jashtëm, si shpifjet, akuzat e padrejta dhe mjediset toksike. Grupi më i rrezikuar për këtë fenomen janë adoleshentët dhe të rinjtë, të cilët ndodhen në periudhën më të vështirë të jetës së tyre, kur janë të ekspozuar ndaj stresit dhe sfidave të shumta. Vetëvrasjet janë një simptomë e problemeve të thella sociale dhe psikologjike që kërkojnë vëmendje dhe trajtim urgjent.

Për psikologen Elona Mustafaraj, rritja e sjelljeve vetëvrasëse lidhet me faktorë të ndryshëm, duke përfshirë çrregullimet e humorit dhe depresionin, që shpesh janë të lidhura me situatat socio-ekonomike dhe personale.

Mustafaraj thekson se këto sjellje janë një tregues i rritjes së numrit të individëve që kanë problematika të shëndetit mendor.

“Nga këndvështrimi psikologjik ky është një tregues i rritjes së numrit të individëve që kanë problematika të shëndetit mendor dhe përgjithësisht, të çrregullimeve të humorit, depresionit. Mund të kemi dhe raste ku mund të jenë dhe elementë të tjerë të çrregullimeve të humorit, jo domosdoshmërish të depresionit”, – thotë ajo. Ndërkohë që sipas sociologut Gëzim Tushi, aktet e vetëvrasjes janë kthyer në një dukuri që po zgjerohet edhe më shumë në shoqërinë modern shqiptare.

Sociologu gjithashtu vë në dukje se vetëvrasjet janë shpesh rezultat i faktorëve të jashtëm, si bullizmi, dhuna, varfëria dhe papunësia, që krijojnë kushte të padurueshme për individët, duke çuar ata në vendime fatale.

“Shpifjet, bullizimi, akuzat e padrejta, intervenimi në jetën private dhe intime, dhuna, agresioni verbal e psikologjik, varfëria dhe papunësia kronike, sëmundjet e pashërueshme dhe gjëndjet terminale janë disa nga faktorët, të cilët kërkojnë aftësi për t’i administruar duke shmangur zgjidhjen fatale të vetëvrasjes” – thotë sociologu duke theksuar se një tjetër arsye përse vetëvrasjet janë kthyer në dukuri lidhet me krijimin e mjediseve toksike për shkak jetës vetmitare, divorceve dhe dhunës në familje.

Mungesa e shërbimeve

Qytetarë duke marshuar në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetiti Mendor.
Credits: LSA – Qytetarë duke marshuar në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetiti Mendor.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik (ISP), tregojnë se vetëvrasjet kanë qenë një problematikë e vazhdueshme për shoqërinë shqiptare.

Në vitin 2022, 0.8% e totalit të vdekjeve në vend ishin shkaktuar nga vetëvrasjet, ndërsa 130 vdekje ishin pasojë e sëmundjeve mendore, me grupmoshën 20-44 vjeç që përfaqësonte shumicën.

Sociologu Tushi thotë se aktet vetëvrasëse ndërmerren kryesisht pasi individi ndodhet në kushtet e vetmisë, depresionit dhe ndërprerjes së dialogut me vetëveten.

“Duhet forcuar rrjeti i Shërbimeve komunitare të shëndetit mendor, forcimi i kapaciteteve numerike e profesionale të psikologëve në shkolla, më shumë aktivitet fizik dhe më pak vartësi nga drogat klasike por sidomos nga “droga e re” e lidhjeve virtuale që po sjellin bullizëm, agresivitet, presion, e të tjera,” –  përfundon sociologu Tushi.

Në përpjekje për të adresuar këtë problem, janë ngritur disa qendra komunitare të shëndetit mendor, por Shqipëria po përballet me një mungesë të theksuar të mjekëve psikiatër.

Sipas të dhënave zyrtare nga kuotat e mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të paktën 8 mjekë ndjekin specializimin në psikiatrinë për të rritur dhe 4 për psikiatrinë për fëmijë dhe adoleshentë.

Pavarësisht kësaj, disa qendra janë ngritur në qytete si Tirana, Elbasani dhe Vlora, kapacitetet e këtyre qendrave janë të kufizuara.

Mjekët psikiatër raportojnë një ngarkesë të madhe pune, duke trajtuar deri në 25 pacientë në ditë, një numër që ka ndikim në cilësinë e shërbimit.

“Mjeku duhet të ketë një numër të kufizuar të vizitave për të qenë sa më efektiv, që të marrë vendimet më të mira, dhe të nxjerrë përfundimet më të mira për rastin. Kur studioja në Itali, psikiatri nuk trajtonte më shumë se 5 deri në 6 raste në ditë. Këtu trajtoj mesatarisht 20-25 pacientë në një ditë ” – thotë për “shteg.org” Arjana Rreli, mjekja psikiatre në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor pranë poliklinikës numër 3.

Pavarësisht rritjes së popullsisë në qytete si Tirana, infrastruktura e shëndetit mendor duket se nuk përballon nevojat për një qytet me mbi një milion banorë.

“Duke qenë se Tirana, kryeqyteti është metropol, është një qytet që zgjerohet çdo ditë edhe që shtohet me banorë, strukturat tona kanë mbetur tre, si në Tiranën që ishte me 400 mijë banorë, si në Tiranën që është sot mbi 1 milionë. Kështu që, rritja e numrit të banorëve presupozon që dhe probabiliteti për të pasur në këtë popullatë edhe probleme të shëndetit mendor është më i lartë. Fluksi tek ne është rritur nga viti në vit”, përfundon mjekja, Arjana Rreli.

Të dhënat kërkimore tregojnë se 1 në 3 persona (pa përjashtime moshore) shfaqin shenja të depresionit. Dhuna fizike dhe psikologjike raportohet si mbizotëruese në 50% të rasteve të abuzimeve në fëmijëri.

1 miliard e 64 milionë euro vlera e ndërtimeve për 2024, Tirana shton kullat

Nga Aranit Muraçi

Lejet e ndërtimit në Shqipëri u rritën me 4.6% në vit në tremujorin e katërt

Tirana në dekadat e fundit është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Ndërtimet nuk kanë të ndalur. Ndërsa ka rënë sipërfaqja dhe është rritur numri i lejeve si dhe vlera e tyre, kjo do të thotë se në të ardhmen në kryeqytet do të ketë më shumë kulla dhe ndërtesa të larta.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT (Instituti i Statistikave) në tremujorin e katërt 2024 janë miratuar gjithsej 317 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 303 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 4,6 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2024 është 482.854 m2, nga 592.660 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rënie prej 18,5 %.
Në vitin 2024 u dhanë 1,336 leje ndërtimi, 266 leje më pak se në vitin 2023 (1,602 leje ndërtimi). Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vitin 2023 ishte 2 milion e 15,819 m², ndërsa në vitin 2024 u dha një sipërfaqe më e madhe, 2 milion e 498,916 m² (+ 383,097 m²). Vlera e ndërtimeve në vitin 2023 ishte 896 mln euro ndërsa në vitin e fundit ajo shkoi në 1 miliard e 64 milionë euro, me një rritje prej 18.8 për qind, ose në vlerë mbi 160 milionë euro.

Në tremujorin e katërt 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25.8 miliardë lekë (260 milionë Euro), nga 25.3 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 1,8 %.

Numri më i madh i lejeve, 114, janë dhënë për ndërtesa në kryeqytetin Tiranë, pasuar nga 76 në qytetin bregdetar të Durrësit.

Elbasani është qarku i tretë me më shumë leje ndërtimi, 28 dhe më pas vjen Vlora dhe Korça, respektivisht me 20 dhe 19 leje ndërtimi. Interesant është fakti se në Kukës është dhënë vetëm një lejë ndërtimi për vitin 2024.

Qoftë në sipërfaqe, në vlerë ose në leje, si në çdo periudhë tjetër, Tirana dominon lejet e ndërtimit. Kjo sepse të gjithë e shohin të ardhmen në Tiranë, ndërsa politikat për të ndërgjegjësuar qytetarët se Shqipëria si një vend bujqësor nuk afron mundësi metropolitane për të gjithë, prandaj edhe jeta mund të ndërtohet edhe në rrethe.

Bashkia e Tiranës arkëtoi rreth 130 milionë euro nga taksa mbi lejet e ndërtimit, për vitin 2024 gati dyfishi i planit. Kjo do të thotë se u dhanë më shumë leje nga çfarë parashikohej. Gjatë dy-tre viteve të ardhshme me lejet e dhëna kryeqyteti do të vazhdojë të mbetet një kantier ndërtimi. Shumë nga lejet u përkasin ndërtimeve të larta, komplekse shumëkatëshe dhe kulla.

Në raport me vitin 2023, volumi i ndërtimeve në sipërfaqe është rritur me 383 mijë metra katrorë, në të gjithë vendin. Ndërsa sa i takon lejeve të ndërtimit ato janë pakësuar me 266 leje, pasi vjet u dhanë në total 1336 leje nga 1602 në vitin 2023./liberale.al

Si organizohej muaji i Ramazanit në kryeqytet 100 vjet më parë

Nga prof. ass. dr. Hasan Bello

Për myslimanët muaji i Ramazanit konsiderohej si “sulltani” i dymbëdhjetë muajve. Ardhja e tij mezi pritej nga të gjithë besimtarët. Një pjesë e tyre i fillonte përgatitjet disa muaj më parë. Kjo, sepse menuja e Ramazanit kishte specifikat e saj.

Në vitet 30-të, fillimi i Ramazanit përcaktohej me metodën klasike, me shikimin e hënës. Kryetari i Komunitetit Mysliman informonte zyrtarisht Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit merte masa për të respektuar protokollin (vizatat, kujdesin ndaj besimtarëve dhe objekteve të kultit, shkurtimin e orarit zyrtar për myslimanët që punonin në administratë etj). Pjesë e kësaj ishte edhe hedhja e fishekzjarreve, të cilët lajmëronin hapjen e iftarit në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Në çdo xhami këndohej mukabele (lexim i Kur’anit me zë të lartë nga një person i caktuar, i cili dëgjohej ose ndiqej nga të tjerët me zë të ulët).

Në xhaminë e medresesë dhe në ato më kryesoret mbaheshin ligjërata të posaçme për komentimin e Kur’anit. Në këto aktivitete, përveç hoxhallarëve të njohur angazhoheshin edhe nxënësit e vitit të fundit të medresesë.

Në xhami këndoheshin hatme për personalitete të njohur publik (siç ishte ajo për babain e mbretit) dhe njerëz të thjeshtë.

Ndërsa për nxënësit e Medresesë së Përgjithshme në Tiranë përgatitej ushqim i veçantë, sipas një liste që miratohej paraprakisht nga KMSh me propozim të drejtorit të saj.

Për fëmijët jetimë dhe të vobegtët kishte iftare dhe syfyre, të cilat organizoheshin jo vetëm nga institucionet, por edhe nga besimtarët me gjendje të mirë ekonomike.

Në përfundim të Ramazanit njoftohej për natën e Kadrit, e cila për institucionet e shtetit ishte pushim zyrtar.

Në fund vinte festa e Bajramit, kur rrugët e kryeqytetit dhe të qyteteve shqiptare mbusheshin me besimtarë, që vizitonin njëri-tjetrin dhe fëmijë plot hare.

Termi Ilir/ E panjohura, gjurmë të etnonimit “Albani” nëpër shekuj

NGA ILIR CENOLLARI

1. Etnonimi Albani shfaqet në shekullin e II të erës sonë (Ptolemeu i Aleksandrisë) ndërsa nga shekulli XI dhe në vazhdim përdoret rregullisht për të treguar territorin e Shqipërisë dhe të popullsisë së tij. Termi “arbantinë”, Arbëri, Arvantinë, Albani, përdoret nga jugu në veri pa më të voglin dyshim në fjalorët dhe librat enciklopedikë të vendeve perëndimore. Faik Konica në fletushkën “Ju rrëfej grekët” shkruan se perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, ose filozofi, shekulli i dhjetë, në një nga librat e vet thekson se popullsia e Epirit është shqiptare.

Një dëshmi të re për këtë të vërtetë e gjejmë tek Suida, autor i një enciklopedie të madhe bizantine të shekullit të dhjetë. Suida përcjell këtë dëshmi tronditëse: Aspaisi ose Aspasius i Tyrit, ka shkruar një traktat mbi oratorinë dhe një histori të Albanisë ose të Epirit me njëzet volume! Suida nuk jep të dhëna biografike për këtë autor, kjo mbetet një enigmë e madhe, por vepra e tij duhet të ekzistojë përderisa përmendet nga Suida. Ku? Ndoshta në Bibliotekën e Kostandinopojës, të themeluar nga patriarku Foti, ndoshta dhe gjetiu. Çfarë thesaresh fshihen brenda kësaj historie?! Thuhet se ky autor ka jetuar diku midis shekullit të II-III të erës sonë dhe vjen pas Ptolemeut. Aspasiusi ka kënduar bëmat heroike të këtij kombi (shqiptar) në librat e veta! Suida nënvizon karakterin luftarak dhe të pamposhtur të mardaitëve (sipas disave i mirditorëve ose shqiptarëve të veriut). Sa libra të tjerë duhet të dergjen në gjumë bibliotekave të botës për historinë e Shqipërisë? A është shkruar gjuha shqipe? Asgjë nuk është e pamundur!

Por dhe kjo dëshmi e Suidas provon se epirotët në shekullin e dhjetë konsiderohen arbëreshë, albanë, arvanitë! Louis Moreri hedh idenë e vagullt të një lidhje të mundshme midis emrit “abas” dhe “alban” pasi Serviusi (in liber 9 aneide) thotë se Abas shkroi një histori të Trojës. Abas është eponimi i fisit të abantëve ose amantëve të Labërisë së sotme. Foti, patriarku i Kostandinopojës, shekulli i IX, thekson se Abas është gruaja e fundit e mbretit të Lidisë, Landaules, që rridhte nga familja e Herkulit (yllejve, hyllinëve, parailirëve, abantëve); emri i saj është Abro. Piro i Epirit ushqente një dashuri të madhe për këtë figurë. Hekateu i Miltetit, shekulli VI p.e.s. dhe Polibi, shekulli i III p.e.s. përmendin një toponim “abro” në Shqipërinë e Veriut, që duket se nuk është gjë tjetër veçse një trajtë e etnonimit “arbër”. Përmendja e qytetit dhe fisit të albanëve në shekullin e II nga Ptolemeu si duket mbështetet në një traditë më të lashtë.

2. Populli ynë përherë ka shtegtuar në vende të tjera, përherë e ka kërkuar “fatin” në rajone dhe kontinente të huaja, si në Afrikë, Azi, Evropë, etj. Emri “alba”, “albani”, “alban” është mjaft i hershëm, shumë më i hershëm se sa “Albanopoli” i shekullit të II të erës sonë të përmendur nga gjeografi aleksandrin Ptolemeu. Denis Halikarnasi (“Antikitete Romane”, faqe 181) thotë se Krushtemeria u themelua nga një koloni albane shumë kohë më parë se të themelohej Roma. Qyteti i Kamerisë është një koloni albane; këta dërguan një koloni në Romë, dikur një nga qendrat më të bukura dhe më të rëndësishme të aborigjenëve. Të njëjtën gjë thotë Plutarku te “Jeta e Romulit”. Nieburi, autor i “Historisë Romane”, faqe 421, thekson se albanët e Romës e nxjerrin origjinën nga Epiri, domethënë Iliria e Jugut ose Shqipëria.

Për ta flasin Plini i Vjetër dhe Tit Livi. Këta “albanë” vijnë nga Troja dhe Iliria. Emri “alban” u ruajt dhe u mbart nga popullsia “albane”, parailire gjatë shpërnguljeve në vende të ndryshme të botës. Ne dimë se Dodona rregullonte shpërndarjen demografike të popullatës së botës së lashtë dhe interesohej vazhdimisht për rajonin e Latios, për të cilin kishte njohuri të hollësishme gjeografike. Një koloni albane e epokës romake u vendos në Francë, në Ekosë, në një zonë malore. Vendi i tyre quhet Briad Alban, ndoshta Briri Alban ose Drun, ndoshta vendi i Druve. Këta albanë janë udhëtarë të përhershëm, prandaj gjithë të huajt në Francë i quajnë albaninë ose Aubinë ose Aubeine. Ndoshta nga zakoni i ngritjes herët në mëngjes, e nisjes për udhë që “menatë”, herët pa zbardhur dita, në agim. Në shekullin e XIII në këtë krahinë emigruan manikenët e Shqipërisë dhe Armenisë, të njohur ndryshe dhe si pavlakinë, pra përkrahës të sektit të pavlikanëve ose manikenëve. Në Egjiptin e lashtë gjejmë një komb “Albanin” ose “Balbanin”, pasardhës të Aleksandrit të Madh, zotër të Egjiptit, pa ndonjë qendër fikse banimi, të cilët zhvillonin fushata plaçkitëse në Nubie dhe Abisini.

Këta pretendonin se ishin pasardhës të Aleksandrit të Madh dhe flisnin një gjuhë të veçantë, as arabisht as koptisht. Në epokën bizantine albaninët e Egjiptit pohojnë përsëri origjinën “graike”, janë të krishterë dhe i përkasin sektit heretik të jakobitëve dhe manekinëve të shekullit të VIII të erës sonë. Ata gjenden në qytetin e Nubisë dhe Asuanit, pranë Tebës së famshme dhe në kohën kur muamedanët zunë këtë vend, albinët bënë trazira në Egjiptin e Sipërm. Në kohën e Khalifatit të Omar dhe Almunit, albinët e Egjiptit bën përsëri trazira të mëdha. Theksojmë se lidhjet e shqiptarëve me Egjiptin shkojnë deri në epokën më të thellë, në epokën e orakullit të Dodonës dhe Amonit, danajve dhe parailirëve të lashtë. Mit’hat Frashëri ka lënë një shkrim interesant mbi praninë e banorëve të lashtë të Toskërisë në Egjiptin e Vjetër, të lidhur me zinxhirë nën këmbët e faraonit hijerëndë. Toponimi “albani” në Kaukaz, Armeni, nuk duhet të jetë pa lidhje fisnore dhe gjuhësore. Autorët e vjetër flasin për lidhje të hershme të popullsive parailire dhe ilire me këtë rajon, lidhje që kanë vazhduar dhe gjatë periudhës bizantine. Albanët janë vendosur dhe në Liban, Siri, Afganistan, Libi, Skoci, Palestinë dhe gjetiu. Francesco Tajani në librin “Le istorie Albanesi”, Palermo 1886, radhit një sërë përputhjesh gjuhësore mes shqipes dhe armenishtes së albanëve. Ai i referohet Amiam Marcelianit, që përmend “albanët e Azisë” për t’i dalluar nga albanët e tjerë. Përpara studiuesit shqiptar hapet një fushë e gjerë kërkimi dhe hulumtimi shkencor, gjuhësor, etnografik, historik, fetar, etj.

Veliaj në kurthin e gjuhës/ Çfarë rrezikon nga kërcënimet për prokurorët

Screenshot

“Kolegu” im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar, megjithëse e quan veten Bruce Willis hajvani dhe u tregon muskujt atyre ushtarëve të BKH”, kjo frazë e përfshirë në statusin e fundit të Erion Veliajt nga qelia, mund të lexohet nga prokuroria si një kërcënim i drejtpërdrejtë i kryetarit të bashkisë së Tiranës, që sa vjen e bëhet më i ashpër ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjykatësit Erjon Bani. Në fakt, kjo është vetëm një nga dhjetëra epitetet fyese dhe denigruese ndaj zyrtarëve të drejtësisë, që kur Erjon Veliaj u la në burg dhe kur nisi një fushatë hakmarrjeje verbale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Prej 10 shkurtit, kur u arrestua në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës me vendim të firmosur nga gjykatësi Erjon Bani dhe me kërkesë të prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani, Veliaj ka zgjedhur një strategji të ashpër reagimi. Gjuha shkon përtej komunikimit institucional, pavarësisht se ai ende mban zyrtarisht postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. E megjithatë, ndërsa përpiqet ta portretizojë veten si viktimë të një komploti politik, paralelisht akuzon dhe fyen prokurorinë dhe gjyqësorin me epitete që shkojnë nga “zvarraniku” te “kasapi i drejtësisë”.

Sulmet frontale ndaj prokurorit dhe gjykatësit

Erjon Veliaj, në momentin e arrestimit

Në statuset e tij, Veliaj ka përdorur një arsenal të tërë epitetesh.

Prokurori Ols Dado është cilësuar si një “muzikant i dështuar”, “violinist mediokër”, “hajvan” “që e kanë bërë prokuror shoqet” dhe “lunatik që nuk e ka idenë se çfarë është drejtësia”. Ndërkohë, gjykatësi Erjon Bani është quajtur “thertorja e drejtësisë”, “kasap i ligjit”, “vegël qorre e politikës së vjetër” dhe “shërbëtor i turpshëm i sistemit”.

Në një tjetër mesazh ai shkruan: “Si mund të flasësh për drejtësi, kur ke përpara një zvarranik që nuk ka ditur as të luajë violinë e lëre më të bëjë drejtësi?!” dhe më tej e quan prokurorin “një skuth të pështirë që ndjek urdhra me sy mbyllur”.

Së fundmi, Veliaj ka shënjestruar drejtpërdrejt Ols Dadon, duke e akuzuar atë si një njeri që e ka marrë pozicionin me “shoqe” dhe që po e përdor pushtetin për të bërë një “veting të paligjshëm mbi 20 vitet e jetës sime – 10 vite si aktivist dhe 10 vite si shërbëtor publik”.

Në mënyrë të përsëritur, Veliaj ka përforcuar idenë se ndodhet në burg për shkak të një skeme politike të fabrikuar. “E kanë shkruar këtë aktakuzë me dorën që dridhet nga frika e së vërtetës. Çfarë nuk kanë shpikur! Më kanë bërë mafioz, trafikant, hajdut e të korruptuar, vetëm e vetëm që të më largojnë nga kjo betejë”, shkruan ai në një tjetër postim.

Kërcënimet, si rrezik për hetimin

Gjykatësi Erjon Bani, që firmosi masën e sigurisë "burg pa afat" për Erjon Veliajn

Për këdo që nuk sheh asgjë të keqe tek disa fjalë më shumë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, duhet thënë se në vendimin që e la në burg, merret parasysh pikërisht kjo lloj sjellje e Veliajt dhe e bashkëshortes së tij, përfshirë këtu; mesazhet kërcënuese ndaj agjentëve të BKH-së dhe përpjekjet për të kontaktuar dëshmitarë dhe për të ndikuar në deklaratat e tyre.

Ishin këto faktorët kryesorë që çuan në lënien në masën e sigurisë “burg pa afat”, ku llogariteshin mes të tjerave edhe njohjet e tyre në sistemin e drejtësisë, fuqia financiare që dispononin dhe përpjekjet e Veliajt për të ndikuar tek vartësit e tij në administratën e bashkisë së Tiranës.

“Një pjesë e madhe e deklaruesve ka pohuar se janë kontaktuar nga shtetësja Ajola Xoxa dhe madje janë thirrur prej saj, duke i dhënë orientime si duhet të sillen para organit procedues”, thuhet në dosjen hetimore.

Prokuroria shkon edhe më tej, duke evidentuar mesazhet kërcënuese që Veliaj i ka dërguar hetuesve të BKH-së, duke u përpjekur të ndalojë thirrjen e bashkëshortes së tij për të dëshmuar.

Në kushtet kur shtetasi nën hetim Erion Veliaj provohet të ketë dërguar mesazhe të shkruara në adresë të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mesazhe këto që duket se kanë synimin të intimidojnë këta zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës së tyre, mund të imagjinohet lehtë më pas sesi ky shtetas mund të sillet me dëshmitarët potencialë në këtë proces, pra me provat që kërkohet të merren nga organi procedues” thuhet në dosje

Si mund të ndikojë sjellja e Veliajt në vendimin e Apelit?

Duke parë gjuhën e përdorur nga qelia e paraburgimit dhe intensitetin e sulmeve publike të kryebashkiakut Erjon Veliaj, gjasat janë që ai të jetë duke minuar veten në procesin e apelimit. Në vend që të përqëndrohet në një mbrojtje ligjore të fortë, ai ka zgjedhur strategjinë e përplasjes dhe kërcënimeve, e cila mund t’ia dobësojë akoma më shumë pozitat përballë togave të zeza.

Supozojmë për një moment se Apeli i GJKKO ia lehtëson masën e arrestit Erjon Veliajt. Por a nuk do të ngrihen dyshime se një arsye madhore për nxjerrjen e tij nga qelia do të jetë pikërisht kjo: sulmet publike ndaj drejtësisë dhe përpjekje për të ushtruar presion dhe për të frikësuar hetuesit dhe gjyqtarët.

Në një gjyq ku perceptimi është po aq i rëndësishëm sa edhe provat, Veliaj po krijon një atmosferë ku çdo vendim në favor të tij do të dukej pasojë e presioneve politike, dhe jo e fakteve. Nëse qëllimi i tij është të dalë nga burgu, atëherë ai mund të ketë zgjedhur rrugën më të gabuar për ta arritur këtë./Lapsi.al

Detaji i veçantë, u kthye sot në stërvitje te Everton! Armando Broja ka ndryshuar komplet fizikun e tij

Viti 2025 u duk si i mallkuar për Shqipërinë pasi nisi në mënyrën më të keqe për legjionarët tanë. Dëmtime pas dëmtimesh, nga Mario Mitaj, te Berat Gjimshiti, te Ardian Ismajli, ndërsa vetëm Armando Broja është dëmtuar 2 herë. Por të gjithë këta futbollistë janë rikuperuar dhe janë gati teksa po afrohet gjithmonë e më shumë ndeshja kundër Anglisë në fundin e marsit. Një tjetër lajm fantastik ka ardhur për Silvinjon, teksa është Armando Broja që është rikthyer në stërvitje.

Sulmuesi shqiptar është rikthyer sot për herë të parë në stërvitje me ekipin e Everton, teksa skuadra është grumbulluar në Abu Dhabi pasi ndeshja tjetër e kësaj skuadre do të jetë në datën 8 mars. Pra Broja do të ketë 9 ditë kohë për t’u përgatitur dhe pritet të jetë në stol që për ndeshjen e radhës në Premier League.

Nga ana tjetër është i garantuar rikthimi i tij në Kombëtare për ndeshjet e marsit te Shqipëria. Ajo që është vënë re është një detaj shumë i veçantë në fotografinë që po qarkullon me Armando Brojën nga stërvitja. Duke marrë parasysh dëmtimet e shpeshta që po i penalizojnë karrierën, më në fund Broja ka ndryshuar diçka nga vetja. Sulmuesi është parë me një masë të shtuar muskulare, si nga këmbët ashtu edhe nga krahët. Broja ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të stërvitur, forcuar dhe shtuar masën muskulare, në mënyrë që të evitojë sa më shumë dëmtimet e shpeshta.

Në bazë të informacioneve tona, Armando ka marrë këshillime që është kjo mënyra sesi mund të ndryshojë karrierën e tij për të mos kaluar më shumë kohë në mjekësi dhe rezultatet janë fantastike. Vetëm 1 muaj e pak ditë kanë kaluar që nga ai dëmtim i fundit i tij dhe ndryshimi nga ajo kohë te ky fizik tani, është rrënjësor.

Një ndryshim që ka ndodhur me shumë futbollistë që luajnë në nivelet më të larta si Alphonso Davies që para se të shkonte te Bayern Munchen kishte një fizik shumë të dobët, por vetëm në pak muaj u kthye në një bishë fizike. Dhe në fakt kjo është pika që duhet të punojnë të gjithë lojtarët e Shqipërisë pasi në shumicën e rasteve vihet re një fizik i dobët i lojtarëve tanë që hasin pamundësi përballje kur luajnë kryesisht me Anglinë, atje ku të gjithë lojtarët janë më të fortë fizikisht.

E rëndësishme është fakti që Shqipëria do të ketë gati sulmuesin e saj më të mirë, që do të jetë kërcënimi kryesor për ndeshjet e marsit. /Sport Ekspres/

Agjërimi për 3 ditë, si e rigjeneron trupin dhe qelizat! Këshillat që ju nevojiten

Kufizimi i ushqimit edhe për tre ditë mund të rigjenerojë të gjithë sistemin imunitar të njeriut.

Këtë e thotë një studim i Universitetit të Kalifornisë së Jugut sipas të cilëve, kjo përbën mënyrën më natyrale për t’i dhënë krahë imunitetit.

Ekspertët kanë kritikuar prej kohësh regjimet drastike që promovojnë kufizimin e ushqimit, duke e përshkruarë atë si jo të shëndetshëm.

Por ky studim i ri thotë se nëse trupi nuk furnizohet me ushqim, atëherë qelizat staminale nisin të prodhojnë rruaza të reja të bardha të gjakut.

Këto rruaza janë luftëtaret më të mira të infeksioneve.

Ekspertët amerikanë besojnë se ky zbulim është i rëndësishëm sidomos për pacientët që vuajnë nga tumoret apo i nënshtrohen kimioterapisë.

Këta të fundit  kanë një imunitet seriozisht të dëmtuar.

Dobësimi i imunitetit me kalimin e moshës

Gjatë rritjes, sistemi imunitar i njeriut dobësohet dhe e ka më të vështirë të luftojë sëmundjet.

Sipas informacioneve, kufizimi i ushqimit për 72 orë  mund ta rikthejë imunitetin në shina.

Ka kufizime drastike ku pihen vetëm lëngje të lehta për tre ditë por edhe kufizime më të lehta siç është përgjysmimi i ushqimit për këto tre ditë.

Zgjedhja bëhet në varësi të gjendjes shëndetësore dhe këshillave të mjekut,

Kufizimi i ushqimit ndez motorrët e rigjenerimit dhe çel rrugën formimit të rruazave të reja të bardha të gjakut.

Gjatë këtyre 72 orëve, trupi sipas ekspertëve, eliminon vetë pjesët e dëmtuara, vjetëruara dhe jo efikase të sistemit imunitar.

Sistemi imunitar është tërësisht i ri ndërkohë që enzimat që rrisin rrezikun e plakjes ulen në numër.

Kufizimi i ushqimit detyron trupin të përdorë depozitat e glukozës dhe yndyrnave dhe përbën një fillim të ri për organizmin.

Studimi në fjalë është bazuar në eksperimente të shumta, megjithatë ai duhet shoqëruar me studime të mëtejshme klinike.

Kufizimi i ushqimit nuk duhet bërë me hamendje apo pa rekomandimin e një mjeku specialist.

Sipas ekspertëve, imitimi i stilit të agjërimit, është një qasje më e sigurt dhe më e lehtë për t’u duruar dhe kapërcyer nga të gjithë ata që janë në dietë.

Një mënyrë e mirë është që të kosumoni arra në momentet kur ju merr uria.

Por mos e teproni, nuk duhet të konsumoni më shumë se 6 arra në ditë.

Shkencëtarët do të kryejnë një studim me pjesëmarrje më të gjërë, duke u motivuar nga gjetja se njerëzit që vuajnë nga rreziku i sëmundjeve që kanë lidhje ose shkaktohen nga obeziteti, përfitonin më shumë nga kjo lloj diete specifike./AgroWeb.org

“Grand Park Skyline,” projekti i 3 kullave në hyrje të liqenit

Nga Elira Kadriu/ citizens.al

Një tjetër projekt ndërtimi po sfidon horizontin urbanistik të Tiranës duke synuar qiellin. Quhet “Grand Park Skyline” dhe parashikon tre kulla 40, 51 dhe 71 kate për apartamente, hotel dhe qendër tregtare në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial.

Projekti, konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati me porosi të kompanisë “X One”, parashikon rreth 145 mijë metra katrorë ndërtim.

Struktura kryesore përmban një piramidë të mbuluar me gjelbërim, e dizajnuar për të shërbyer si qendër tregtare, rrethuar nga kullat e larta. Në kulla parashikohen rreth 700 apartamente, kinema, palestra, spa, restorante dhe rreth 185 dhoma për hotel luksoz nën markën “Philipp Plein”.

“Grand Park Skyline”, me lartësi 266 metra, tejkalon “Mount Tirana” (58 kate/206m) si ndërtesa e dytë më e lartë në Tiranë, – projekti Tirana Society Towers i Alejandro Aravena është i parë dhe i vetmi që synon 300 metra lartësi. Në këtë mënyrë vizioni i qiellgërvishtësve në kryeqytet, vizion i mbështetur dhe nga qeveria, duket se do të vijojë.

Citizens.al/Renderë të projektit “Grand Park Skyline”.

Leja e zhvillimit u miratua më 31 korrik 2024 dhe u prezantua publikisht në një event privat nëntorin e kaluar, ku administratori i kompanisë, Ylli Ujka, ishte një nga protagonistët kryesorë. Aktualisht nuk ka një vendim për leje ndërtimi, por në rrjetet sociale përmendet viti 2025 teksa zyrtarisht kompania ka hapur dhe një web-site ku prezanton projektin.

Megjithatë, “Grand Park Skyline” ka ngjallur kritika për shkak të vendndodhjes së tij dhe mungesës së konsultimeve publike. Gjurma e ndërtesave bie mbi katër pallate ekzistuese pesëkatëshe në rrugën “Adem Jashari”, mes të cilëve edhe selia aktuale e Tirana Bank.

Lexo më shumë rreth serisë “Tirana Vertikale” që shpjegon ndërtimet në kryeqytet.

Zona është në hyrje të parkut të liqenit, krah ish-Gardës së Republikës. Aktualisht është përfshirë në një transformim rrënjësor urban. Aty po ndërtohet një hotel 14-katësh (Nova Five Star, nga Nova Construction), Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë (Teatri i Kukullave) dhe pritet të ndërtohet edhe Biblioteka e re Kombëtare duke kafshuar edhe më tej parkun.

Citizens.al/Gjurma e projektit “Grand Park Skyline” në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial.

Projekti ka zgjuar interes ndërkombëtar, duke u promovuar në portale prestigjioze si ArchDaily dhe Dezeen. Por, një hulumtim i kryer nga BIRN (Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative) ka ngritur pikëpyetje mbi lidhjet mes zhvilluesit dhe qeverisë.

Sipas hulumtimit të publikuar më 24 janar, sipërmarrësi Ylli Ujka qëndronte pas një fushate marketingu elektoral në favor të Partisë Socialiste, që kishte në qendër votuesit shqiptarë të diasporës në Itali. Hulumtimi tregon se Ujka ka mbështetur të paktën dy aktivitete qeveritare në Milano dhe Firence në maj dhe dhjetor të vitit 2024.

Në këtë kohë, Kryeministri Rama, si drejtues i Këshillit Kombëtar të Territorit, i miratoi sipërmarrësit Ujka lejen e zhvillimit për “Grand Park Skyline”. Por përballë dyshimeve për favorizim një zëdhënës i qeverisë i tha BIRN se “insinuatat janë për të ardhur keq” pasi “leja e zhvillimit të pronës është e drejtë, jo favor.”

Ndërsa “Grand Park Skyline” synon të shndërrohet në një simbol të arkitekturës moderne të qytetit, pyetjet mbi ndikimet politike, transparencës në proceset e zhvillimit të qëndrueshëm urban mbeten të njëjta: ku përfundojnë kufijtë mes zhvillimit dhe ruajtjes së hapësirave publike të qytetit?

Ngadalësohet Teknologjia e Informacionit, si po ndikohet tregu i punësimit në Shqipëri

Pas dixhitalizimit masiv në pandeminë e Covid-19, ngadalësimi i rritjes së kërkesës globale për shërbime teknologjike, po ndikon te tregu vendas i punësimit për sektorin. Kërkesa globale më tepër është e fokusuar te risitë teknologjike të fushës së Inteligjencës Artificiale. Për të garantuar qëndrueshmëri, kompanitë vendase po diversifikojnë kontratat. Për rrjedhojë, edhe oferta për punësim po orientohet drejt profileve specifike.

Transformimet globale të kërkesës në sektorin e Teknologjisë së Informacionit, po nxisin ndryshime në tregun vendas të punësimit. Për disa nga drejtuesit e kompanive kryesore të Teknologjisë së Informacionit, oferta për punë në tregun e brendshëm ka nisur të ngadalësohet.

Operatorë të tjerë pohojnë se punësimet e tyre janë të orientuara për profile specifike inxhinierësh, duke e bërë më të vështirë përfshirjen e të rinjve pa eksperiencë.

Ndryshimi në tregun e punës, sipas drejtuesve të kompanive të sektorit TI, fillimisht është ndikuar nga rënia e kërkesës globale për shërbime në teknologji, pas rritjes së vrullshme që pati në pandeminë e Covid-19.

Në 2021 pati një bum të përdorimit të teknologjive të reja informatike, si për aplikacionet e shitblerjeve online, të kontrollit shëndetësor dhe të aplikacioneve për lojëra virtuale. Kjo solli rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për zhvillues jashtë, por edhe në Shqipëri.

Në atë periudhë në mbarë botën, për të përballuar rritjen e kërkesës, kompanitë u shtuan në staf, të cilat prej muajve të verës së vitit 2022 filluan të bien në mënyrë drastike. Për rrjedhojë, shumica e kompanive u detyruan të largojnë nga stafi një numër të konsiderueshëm punonjësish.

Aktualisht transformimi dixhital global po nxit më tepër kërkesën e kompanive për investime të reja në fushat e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe sigurisë kibernetike. Për t’u përshtatur me kërkesën dhe për ruajtur qëndrueshmërinë financiare, kompanitë ofruese të shërbimeve po diversifikojnë kontratat.

“Në treg, kërkesa për investime në teknologji ka pësuar rënie të dukshme, veçanërisht pas periudhës së pandemisë së Covid-19, kur sektori përjetoi një flluskë të fortë për shkak të dixhitalizimit masiv. Megjithatë, kjo ulje kërkese nuk është uniforme për të gjithë aktorët në treg.

Kompanitë që janë pozicionuar si ofrues të shërbimeve të cilësisë së lartë, dhe jo thjesht suport IT, vazhdojnë të përjetojnë kërkesë të qëndrueshme nga klientët që kërkojnë zgjidhje teknologjike të avancuara dhe me vlerë të shtuar”, pohon themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë “Ritech”, Aleksandër Risilia.

Ai shton se për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare, kompania “Ritech” ka diversifikuar kontratat dhe ka përmirësuar proceset e brendshme.

“Në këtë kuadër, kompania jonë ka adoptuar një qasje të orientuar drejt risive teknologjike, duke sjellë shërbime të reja që përfshijnë automatizimin inteligjent, implementimin e sistemeve të bazuara në Inteligjencë Artificiale dhe zhvillimin e zgjidhjeve të personalizuara për menaxhimin e të dhënave dhe optimizimin e proceseve të biznesit.

Fokusi në inovacion dhe përshtatja ndaj nevojave specifike të klientëve na ka lejuar jo vetëm të mbajmë klientët ekzistues, por edhe të tërheqim biznese të reja që synojnë transformimin dixhital të operacioneve të tyre”.

Gjatë vitit 2024, një ndër kompanitë më të mëdha të sektorit të teknologjisë së informacionit “Lufthansa Industry Solutions”, sipas administratores Albana Shkurta, ka parë rritje të kërkesave për shërbime teknologjike dhe dixhitale, duke reflektuar një tendencë globale të investimit në inovacion dhe dixhitalizim.

Zonja Shkurta shton se kompania pret një rritje të qëndrueshme të kërkesës, por me një ritëm më të ulët, duke reflektuar tendencat e industrisë në botë.

“Kërkesa e bizneseve për investime në teknologji ka shfaqur një tendencë të qëndrueshme në rritje, pasi kompanitë përpiqen të përmirësojnë efikasitetin, të optimizojnë proceset dhe të forcojnë pozicionin e tyre në treg.

Transformimi dixhital dhe nevoja për të qenë të qëndrueshëm përballë kërkesave të tregut po nxisin investime të reja, veçanërisht në fushat e Inteligjencës Artificiale (AI), cloud computing dhe sigurisë kibernetike.

Brenda grupit Lufthansa (LH Group), ka një trend në rritje të investimeve në teknologji, duke reflektuar përkushtimin për inovacion dhe përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve operacionale”.

Edhe administratorja e kompanisë “Soft Solutions”, znj. Arjola Koromani, thotë se kërkesa për investime në teknologji ka pasur rritje të qëndrueshme, sidomos në zgjidhje për automatizim dhe optimizim procesesh.

“Kompania jonë ka sjellë disa shërbime risi në treg, duke përfshirë zgjidhje të avancuara në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, shërbime për sigurinë kibernetike dhe sisteme për analizë të të dhënave që i ndihmojnë bizneset të marrin vendime më të informuara.

Industria në të cilën ne operojmë është vazhdimisht e ndryshueshme me prurje të reja dhe për këtë, ne kemi gjithashtu në fokus fushën e kërkimit dhe research-it, e cila lidhet shumë ngushtë me të gjithë pikat që sapo përmenda më lart”.

Por në këtë periudhë, problem kryesor mbetet edhe fuqizimi i Lekut, i cili ka krijuar presion mbi eksportuesit, përfshirë ata të shërbimeve IT, duke ulur konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Kjo situatë kërkon një qasje të balancuar për të mbrojtur biznesin nga këto ndikime të jashtme dhe për të ruajtur avantazhet konkurruese në një sektor të sfiduar globalisht”, thekson drejtuesi i kompanisë “Ritech”.

Si po ndryshon oferta dhe kërkesa e tregut të punës

Kompanitë e Teknologjisë së Informacionit në vend ofrojnë shërbime ndaj të tretëve, të fokusuara kryesisht në tregun amerikan dhe europian. Ngadalësimi i kërkesës për shërbime teknologjike në tregun e huaj krahasuar me periudhën e pandemisë, po ndikon edhe tek oferta për punësime në tregun vendas.

“Tregu i punës ka nisur të ngadalësohet për shkak të një cikli ekonomik global në industrinë e IT-së, që ka çuar në ulje të ritmit të punësimeve dhe në një ngopje për disa pozicione specifike”, thotë z. Risilia.

Nga ana tjetër, kërkesa e të rinjve për punësime në këtë sektor vijon të mbetet e lartë, për shkak të pagesave të larta që ofron sektori për të punësuarit. Në shumë raste, për shkak të përfitimeve, të rinjtë janë nxitur për të ndjekur studime apo kurse profesionale në teknologji.

Por aktualisht, në kushtet e rënies së ofertës dhe kërkesës së lartë për punësime dhe orientimeve globale për shërbime sa më inovatore, punësimet e kompanive janë të orientuara kryesisht për punë të specializuara në profile pune me risitë e novacionit ose me eksperiencë.

“Kërkesa e të rinjve për të punuar në sektorin e IT-së vijon të jetë shumë e lartë, duke ndjekur trendin e viteve të fundit. Kjo kërkesë ndikohet dhe diktohet veçanërisht nga përfitimet e larta që ofron kjo fushë, si pagat konkurruese, mundësitë për punë fleksibël dhe shanset për një zhvillim të shpejtë të karrierës.

Megjithatë, edhe pse shumë të rinj po ndjekin studime dhe trajnime në fushën e teknologjisë, oferta ende nuk arrin të plotësojë tërësisht kërkesën e tregut, i cili aktualisht shkon drejt profileve specifike dhe me përvojë, duke bërë kështu pak të vështirë punësimin e të rinjve pa eksperiencë në tregun e punës.

“Rekrutimi është gjithmonë sfidues, sepse duhet gjithmonë të bësh kombinimin e duhur midis aftësive specifike të kërkuara, konkurrencës në treg për kandidatë të kualifikuar dhe pritshmërinë të larta të kandidatëve”, pohon Albana Shkurta, nga kompania “Lufthansa Industry Solutions”.

Themeluesi i kompanisë “Ritech”, Aleksandër Risilia, rekomandon se në kushtet e ndryshimeve të kërkesës për shërbime në botë, është e domosdoshme që edhe programet mësimore në vend të orientohen drejt risive teknologjike.

“Kërkesa e të rinjve për të punuar në sektorin e IT-së dhe numri i të diplomuarve në këtë fushë kanë vazhduar të rriten në mënyrë progresive, duke reflektuar interesin e lartë për profesionet teknologjike dhe përfitimet që ato ofrojnë.

Por tregu i punës ka nisur të ngadalësohet. Në këtë kontekst, ka një nevojë urgjente për të orientuar arsimin drejt themeleve të domosdoshme, si aftësitë bazë të komunikimit të shkruar dhe verbal, si dhe bazat teknike në TI, përfshirë Algoritmikën, Struktura e të Dhënave dhe Mendimin sipas Sistemeve (Systems Thinking)”.

Profesioni i IT, ndër më të paguarit në 2023

Sipas të dhënave të INSTAT, për pagat sipas profesioneve, në vitin 2023 profesioni i dytë më i paguar në vend ishte “Specialistë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, me pagë mesatare prej 144 mijë lekësh në muaj.

Profesionistët e IT kanë marrë mesatarisht 16 mijë lekë, ose 12.6% më shumë në 2023 krahasuar me vitin paraardhës. Për herë të parë në 2023, ky grup rezultoi i dyti ndër më të paguarit.

Grupi për profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë” ka dhe pagën më të lartë në vend, me 194 mijë lekë në muaj për 2023. Në krahasim me vitin e mëparshëm, paga e tyre është rritur me 15 mijë lekë, ose 8.6%.

“Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” kaluan në profesionin e tretë më të paguar, me pagë mesatare prej gati 144 mijë lekësh në muaj, me rritje 9.2% (+12 mijë lekë).

Në rritjen e pagave për punonjësit e punësuar në sektorin e Teknologjisë së Informacionit ka ndikuar orientimi i bizneseve drejt teknologjisë së bashku me mungesën e specialistëve të këtij sektori për shkak se është një nga profesionet që po emigron më shumë.

Krahas rritjes së pagave, me qëllim frenimin e emigracionit, për rritjen e numrit të inxhinierëve të kualifikuar, shumë kompani po fokusohen te përgatitja e tyre profesionale, nëpërmjet ngritjes së akademive, mbështetur në programe specifike të brendshme të kompanisë ofruese të shërbimeve teknologjike.

“Tregu i punës në fushën e teknologjisë në Shqipëri është në zgjerim dhe ne e kemi parë në rastet konkrete të kompanisë sonë. Kërkesa për të rinj në IT dhe fushat e programimit është e lartë, por edhe ofertat për pozicione pune janë rritur.

Për ne ruajtja e standardeve është shumë e rëndësishme për “produktin final” prandaj, shpeshherë hasim edhe sfida në rekrutim, pasi kërkohet që punonjësit të kenë padyshim specializim dhe aftësi të avancuara në përputhje me pozicionet për të cilat ato aplikojnë.

Për ne është shumë i rëndësishëm investimi te të rinjtë gjithashtu, ndaj edhe kemi në fokus zhvillimin e talenteve përmes ‘Soft Academy’ dhe programeve të brendshme për të siguruar burime njerëzore të përgatitura”, pohon administratorja e “Soft Solutions”, Arjola Koromani.

Potencialet e zhvillimit dhe sfidat e tregut

Drejtuesit e kompanive kryesore të Teknologjisë së Informacionit pohojnë njëzëri se tregu vendas ka ende shumë potenciale për t’u zhvilluar, për shkak të kostos së ulët nga lehtësitë fiskale. Por prej tyre kërkohet zgjidhja e mjaft sfidave, veçanërisht frenimi i emigracionit të të rinjve.

“Tregu i Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri ka potencial të madh për t’u zhvilluar dhe për të kontribuar ndjeshëm në ekonominë e vendit. Ky potencial bazohet në disa avantazhe kryesore:

Rinia e talentuar shqiptare: Shqipëria ka një numër të madh të rinjsh të talentuar në fushën e IT-së, të cilët mund të gjejnë mundësi të mira për karrierë brenda vendit.

Institucionet arsimore të kualifikuara: Sistemi profesional ka institucione cilësore që përgatisin specialistë të mirëfilltë për tregun e teknologjisë.

Kosto e ulët: Shqipëria mbetet një vend me kosto tërheqëse për investime në IT, duke ofruar shërbime konkurruese në raport me kostot.

Lehtësi fiskale: Stimulimi në formë të përjashtimeve apo uljeve tatimore e bën më tërheqës zhvillimin e bizneseve në sektorin e IT-së në Shqipëri.

Nga ana tjetër, disa sfida pengojnë zhvillimin e plotë të këtij sektori:

Konkurrenca jo e ndershme: Praktikat jo të ndershme në treg ngadalësojnë investimet e huaja, pasi krijojnë pasiguri për investitorët.

Burokracia: Procedurat e ndërlikuara administrative janë një pengesë e madhe për kompanitë që kërkojnë efikasitet dhe zhvillim të shpejtë.

Tregu i vogël: Me një kërkesë të kufizuar në tregun vendas, kompanitë shqiptare duhet të mbështeten në tregje të huaja për rritje të qëndrueshme.

Emigracioni: Tendenca për t’u larguar bën që shumë talente të IT-së të zgjedhin mundësi të tjera jashtë vendit, duke dobësuar bazën e ekspertizës së sektorit në Shqipëri.

Nëse zgjidhen këto sfida, Shqipëria ka potencial të bëhet një qendër e rëndësishme për shërbimet IT, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Edhe administratorja e kompanisë “SOFT & SOLUTION”, znj. Arjola Koromani, e konsideron frenimin e emigracionit të të rinjve një nga sfidat që nevojitet të adresohet.

“Tregu i Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri ka një potencial të madh zhvillimi, ashtu si edhe në vendet e tjera ndërkombëtare, duke kontribuar gjithnjë e më shumë në ekonominë e vendit.

Avantazhet kryesore janë rinia e edukuar teknologjikisht dhe kostot konkurruese për investimet. Faktorët që pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie do të lidheshin pak me pjesën e emigracionit të të rinjve të specializuar”, pohon ajo.

Drejtuesi i kompanisë “Ritech”, Aleksandër Risilia, thotë se duke tërhequr investime të huaja dhe duke zhvilluar një ekonomi dixhitale me start-up-e të suksesshme, Shqipëria mund të krijojë një avantazh konkurrues afatgjatë, duke u shndërruar në një qendër rajonale për shërbime dhe inovacione teknologjike./ MONITOR

Basha poston videon dhe i përgjigjet Ramës: 7×7 = 313, aty ku ka bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që shpërdoruan taksat dhe besimin e qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i është përgjigjur me ironi deklaratave të kryeministrit Edi Rama.

Në një postim në facebook, Basha shkruan se 7 X 7 = 313, aty ku ka bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, sepse në krah të tij dhe të mbështetur nga ai, kanë shpërdoruar taksat dhe besimin e qytetarëve.

Reagimi plotë i Bashës:

7 X 7 = 313, aty ku ka bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, sepse në krah të tij dhe të mbështetur nga ai, kanë shpërdoruar taksat dhe besimin e qytetarëve. Shqipëria meriton më shumë, prandaj duhen shkarkuar më 11 maj️