15.3 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

TEDA, midis ekonomisë globale dhe impiantit fantazmë

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Zona e Zhvillimit të Teknologjisë dhe Ekonomisë (TEDA) nënshkroi kontratën e parë me një kompani të huaj, e cila ushtron veprimtarinë e saj në Shqipëri, ndonëse punimet në zonë ende nuk kanë mbaruar dhe hapësira e saj rrethohet nga puset e thella të impiantit fantazmë të Kasharit.

Pavarësisht se TEDA është ideuar për të tërhequr investitorë të huaj nga e gjithë bota për të investuar në Shqipëri, kompania izraelite që nënshkroi kontratën e parë në fushën e teknologjisë, vepron në vendin tonë që prej vitit 2022 dhe deri në muajin dhjetor të vitit 2024 vetëm një kompani e huaj kishte shprehur interesin për të investuar në vendin tonë.

Sipas të dhënave publike, 5 tenderat për zhvillimin e punimeve nga Bashkia Tiranë në zonën TEDA kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve të reja, ndërkohë që 3 prej tyre janë vlerësuar me flamur të kuq.

Qendra globale e teknologjisë

Pak metra larg Impiatit “fantazëm” të Trajtimit të Ujërave të Ndotura dhe shumë pranë puseve me tabelën “Rrezik” në rrugët e mbushura me baltë të Kasharit, ndodhet hapësira prej 35 hektarësh e zonës së Zhvillimit të Teknologjisë dhe Ekonomisë (TEDA), njohur ndryshe si zona e parë e ekonomisë së lirë në Shqipëri.

Pavarësisht infrastrukturës rrugore dhe ndotjes së mjedisit për shkak të derdhjes së ujërave të zeza të kryeqytetit në atë zonë, TEDA është projekti i që synon të sjellë në Shqipëri investitorë nga e gjithë bota në fushën e teknologjisë dhe të inovacionit.

Gjatë ditës së sotme 28.02.2025 u arrit nënshkrimi i marrëveshjes së parë me një kompani izralite që do të investojë në TEDA.

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ambasadores së Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, gjatë ditës së sotme, 28 shkurt 2025, u nënshkrua marrëveshja në fushën e teknologjisë midis Zonës së Lirë Ekonomike të Bashkisë Tiranë (TEDA) dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”.

TEDA është projektuar si zonë teknologjike dhe e zhvillimit të ekonomisë konkuruese për tregun e ekonomisë globale, punimet e së cilës përllogariten se do të përfundojnë në mars të vitit 2026. Deri në dhjetor të vitit të kaluar, 2024, sipas përgjigjes që Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) ka vendosur në dispozicion të “shteg.org”, vetëm një kompani kishte shprehur interesin për të aplikuar projektet e saj në zonën e TEDA(ës).

“Pas verifikimeve të kryera pranë institucionit tonë, rezulton vetëm një kompani “CVMR” Corporation, e cila është një kompani kanadeze, lider global në teknologjinë e prodhimit të metaleve e cila ka shprehur interesin e saj për të aplikuar në sektorin TEDA”, – thuhet në përgjigjen zyrtare, ndërkohë që përcaktohet se aplikimi në muajin dhjetor ndodhej në fazën e parë të shfaqes së interesit dhe ende nuk është arritur nënshkrimi i një marrëveshjeje.

Por ndryshe nga përgjigjja zyrtare që AIDA vendosi në dispozicion të “shteg.org”, në janar të 2025-ës, gjatë nisjes së fazës të dytë së ndërtimeve që parashikon ndërtimin e godinave, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ishin disa kompani që shprehnin interesin për t’u implementuar në Shqipëri.

“Ne jemi pionerët e parë në këtë eksperiment. Kemi disa kompani të para nga Izraeli dhe nga vende të tjera të BE, të cilat duan të instalohen këtu,” – deklaroi muajin e kaluar Veliaj.

Ndërkohë, që kompania izraelite më të cilën TEDA nënshkroi marrëveshjen për zhvillimin e teknologjisë, sipas të dhënave në Open Corporates është themeluar nga shoqëria mëmë izraelite në vitin 2022 me kapital fillestar prej 100 lekësh. Kryesisht kjo kompani ofron konsulencë, dizajn, furnizim, instalim dhe implementim i rrjeteve dhe shërbimeve dhe zgjidhjeve IT dhe kibernetike.

Strehëza e investitorëve strategjikë

Projekti TEDA
Credits: shteg.org – Projekti TEDA

Aktualisht, TEDA i përngjan një fushe të lënë dierrë, rëndësinë e së cilës e përcakton vetëm tabela e zbehtë informuese e Bashkisë Tiranë.

Sipas të dhënave zyrtare, ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 35 hektarësh dhe ka mundësi zgjerimi edhe me 15 hektarë të tjerë, duke shkuar në 50 hektarë, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ministri Gonxhja deklaroi se nga ky projekt me kosto 100 milionë euro përllogariten të punësohen 7 mijë vende pune.

“Falë këtij investimi, që deri në fund të tij pritet të arrijë vlerën e 100 milionë eurove, do të krijojmë kushtet për të zhvilluar industri si ajo automotive, farmaceutike, ICT, Hi-Tech, pajisje të precisionit të lartë, industri robotike, prodhim teknologjik, etj. Përllogaritet që në momentin e përfundimit, TEDA Tirana të gjenerojë mbi 7 mijë vende cilësore pune, me paga të larta”, u shpreh ministri Gonxhja, ndërkohë që vendi në të cilin ky projekt po implementohet ndodhet pak metra largësi nga Impianti i Trajtimit të Ujërave Të Zeza në Kashar, një tjetër projekt me koso prej 100 milionë eurosh, por jashtëfunksional për qytetin.

Sipas një vendimi të miratuar në vitin 2021 nga Komiteti i Investimeve Strategjike, me propozim të Bashkisë Tiranë dhe me firmë të Kryeministrit Rama, TEDA mban statusin si “Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë”.

“Statusi ‘Investim/Investitor strategjik, Procedurë e Veçantë’ i jepet projektit të investimit ‘Zona Teknologjike dhe e Zhvillimit Ekonomik (TEDA) Tiranë’ propozuar nga Bashkia Tiranë, për një periudhë 4 (katër) vjeçare”, – thuhet në vendim, ndërkohë që viti 2025 shënon përfunimin e mbajtjes së këtij statusi, edhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar.

Ndërkohë që Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) bën të ditur për “shteg.org” se kjo agjenci është struktura administrative kompetente për dhënien e shërbimeve për investitorët të cilat aplikojnë dhe kërkojnë të përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”.

Sipas ligjit për investimet strategjike të cilit AIDA i referohet në zhvillimin e funksionit të saj, investitorët në sektorët e ndryshme të ekonomisë duhet të investojnë 30 milionë euro ose më shumë për të marrë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” dhe 50 milionë euro ose më shumë për të marrë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.

Në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, përkatësisht neni 8, janë përcaktuar edhe sektorët strategjikë, ku ndër të tjera është i parashikuar edhe sektori i “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” (TEDA)”, – thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Tendera me “flamuj të kuq”

Tabela informuese “TEDA”
Credits: shteg.org – Tabela informuese “TEDA”

Sipas të dhënave të publikuara në Open Procurement, Bashkia e Tiranës ka çelur 5 tendera për realizimin e punimeve në zonën TEDA, në të cilat përfshihet studimi i vizibilitetit, mbikqyrja e punimeve dhe ndërtimi i ambjenteve të brendshme. Nga këto tendera dy kanë rezultuar të rregullta dhe 3 të tjerët, të cilët që lidhen me ndërtimin dhe mbykqyrjen e punimeve në lotin e tretë, si dhe me ndërtimin e shërbimeve të brendshme, janë vlerësuar me “flamuj të kuq”, që kupton shqetësimin për ekspozimin ndaj akteve joligjore, kryesisht korrupsionit gjatë procesit të tenderimit.

Sipas kontratave, vlera e tenderave të fituara deri më tani kanë shkuar më shumë se 100 milionë lekë.

Një shënim “RedFlag” apo “Flamur i kuq”, tregon një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial te pajtueshmërisë ligjore, në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.

Gjithashtu, një shënim “RedFlag” tregon se gara e prokurimit është zhvilluar me një konkurrent të vetëm. Ligji shqiptar i lejon këto lloj procedurash, por shpesh ato më shumë se mungesë konkurrence, shfaqin opsione të formulimit të kritereve në favor të një kompanie të paramenduar.

Familjet e prekura nga autostrada Thumanë-Kashar. IKMT i gjobit me 100 mln lekë gjob

Banorët e prekur nga ndërtimi i autostradës Thumanë-Kashar po përballen me një tjetër goditje të rëndë: përveçse shtëpitë e tyre u prishën, ata tani janë gjobitur nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) me nga 10.6 milion lekë të reja (100 milion lekë të vjetra) secili.

Tre prej tyre, Mondi, Rabija dhe Erlendi, të cilët jetonin në zona të ndryshme përgjatë aksit ku sot kalon autostrada, ishin në proces legalizimi prej vitesh. Megjithatë, pas rezistencës për të mos liruar pronat e tyre, ata u ndëshkuan me pretendimin se kishin ndërtuar pa leje.

“Ky veprim është totalisht i pabazë dhe absurd, ndaj kemi vendosur t’i drejtohemi gjykatës për shfuqizimin e masës. Pasi na prishën shtëpitë dhe na nxorën në rrugë, tani duan të na lënë edhe në borxh të përjetshëm ndaj shtetit,” – shprehen të prekurit, të cilët sot gjenden para gjyqeve.

Sipas banorëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e tyre, ky është një rast i qartë i padrejtësisë sociale dhe një sulm i dyfishtë ndaj qytetarëve të pambrojtur. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe një zgjidhje të drejtë për situatën e tyre.

“Qamil Buxheli për faraonët dhe firaunët”

Nga Virion GRAÇI

Duke lexuar librine Arben Iliazit për Qamil Buxhelin, në 100 vjetorin e lindjes, mu gjallëruan mbresat që kam nga leximet e këtij autori të madh të humorit, kudo ku i gjeja shkrimet e librat e tij, në librari, në biblioteka, në faqet e revistës javore “Hosteni”, në përmbledhje tregimesh të zgjedhura humoristike; gjeje në skica/skeçke, nëanekdota, nëfjalë të urta me bishtdhe në histori të palexuara, të qarkulluara gojarisht nga njëri te tjetri sipas modelit mbrojtës: Kështu ka thënë Qamil Buxheli. Me sa duket, kishim nevojë për guximin e tij dhe për gëzimin që të shkaktonte e shpotia e tij, ironia rrezëlluese. Nga tëhershmet thirrje me spec, e shkruar kjo, ishte modifikimi blasfemik i Manifestit të parë Komunist: nga “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”, në“Proletarë të të gjitha vendeve, mos kërkoni veresie.”

Në letërsitë kombëtare, ndërsa në gjini të tjera krijuesit që ngelen në pateon, që bëhen klasikë janë disa për çdo brezni, në fushën e humorit e satirës shkrimtarët janë të rrallë; në kontinent e më tutje, në botë, shkrimtarët e satirës e të humorit numërohen me gishtat e njërës dorë. Shpegimi i parë lidhet me talentin; duket se për këte lloj letrar, Providensa nuk është treguar zemërgjerë me krijesat tokësore, pak kujt ja ka dhënë dhuntinë; shpegimi plotësues mund të jetë natyra e komikes, satirikes – ndërsa drama e tragjedia arrijnë ta zmadhojnëderi në pafundësi kohëzgjatjen emocionale tëçastit, të prerjes së ngushtë kohore, satira dhe humori arrijnë që përjetësinë/kohështrirjen epokale ta shndërrojnë në një çast të vetëm, në një episod të vogël. Për këtë specifikë të prodhimit humoristik e të pëjetimit, gjërat quhen të ditura, të thëna, mjafton t’i kthehesh trashëgimisë për çdo analogji.

Në letërsinë tonë, duke pasur parasysh pjesëpër teatër të Ҫajupit, satirën e Gj.Fishtës, D. Bubanin, N. Bulkën e v. ’30-të e të tjerë të mevonshëm, Qamil Buxheli është i pari dhe i fundit autor deri tani që ka vepër të plotë letrare në llojin e satirës, duke qenë njëherësh pionier dhe kulm: është autor i romanit të parësatirik, kultivoi tregiminhumoristik dhe mbetet mëprodhimtari deri sot; kultivoi tregimin e shkurtër dhe anekdotën dhe mbetet i patejkaluar, sikurse është i shquar për reportazhet problemore, skicat letrare.

Paradoksalisht,krijimtaria e tij satiriko-humoristike lulëzoi përgjatë seriozitetit solemn të regjimit diktatorial, në periudhën ku censura, autocensura, liria e fjalës, liria krijuese në çdo dimension, ishin kodifikuara nga shteti dhe entet e tij botuese, ishin të kontrolluaramaksimalisht nga autoritetet zyrtare që me artin i lidhte kryesisht vija e ideologjike e partisë-shtet dhe punësimi komod në Tiranë, nëpër redaksi – si garantues të bionomit harmonik propagandë-krijimtari, ndërsa të qeshurën nuk e donin, i frikeshin po aq sa organeve të dhunës e të sigurisë.

Me Q. Buxhelin ndodhi si me shkrimtarët e mëdhej: instinkti krijues, vullneti i pakompromis për të mirën, për të bukurën, për të drejtën dhe të vërtetat domethënëse jetësore e ndihuan t’i sfidojë kufizimet dhe dogmat e epokës së tij, të ngrihet me gjuhën e satirës kundër veseve, mangësive, vaniteteve individuale e atyre grupore.

Krijimtaria e Q.Buxhelit vërteton përkufizimin e Z.Frojdit kur ka shkruar: ‘marrë në tërësi, humori është një veprim me të cilin Un-i i rrezikuar njerëzor mbrohet nga fyerjet që ja shkakton bota e jashtme dhe përpiqet t’i përballojë ato, jo vetëm duke mos pranuar t’i vuajë ato fyerje, por duke iu kudërvënë për të mbrojtur dinjitetin e tij përballë fuqish madhore.’ Pra, Frojdi e sheh humorin si mjetin e fundit të njeriut të mirë për vetmbrojtje dhe jep shembullin: gjykatësi ia kumton të pandehurit dënimin me vdekje dhe njoftimin se ekzekutimi do të kryehet të hënën, fjala jote e fundit. I dënuari përgjigjet: nuk po nis keq për mua java që vjen.

Fatmirësisht,Q. Buxheli nuk ishte në marrdhënie antagoniste me regjimin politik të kohës, as me shoqërinë. Por, higjena shpirtërore/intelektuale, intuita e pagabueshme prej krijuesi e sillte ndesh me hipokrizinë, me servilizmat, me gënjashtrat, me lapërdhitë dhe shëmtitë ngado që vinin, prej kujtdo të ishin ato. Përgjigjia e tij ishte e njëjtë: humor dashamirës, përqeshje fisnike, qortime elegante nëpërmjet gjuhës së figurshme artistike. Siç më kujtohet nga një bisedë televizive, gati 30 vite më parë, ai pohoi si moto fjalën e urtë–largoja mushkonjën nga faqja tjetrit, pa i rënëme shpullë. Kështu, humorii tij nuk ishte denigrues, kritika e tij nuk ishte nihiliste, parodia e tij ishte njerëzore, dashamirëse, materiali i tij gjuhësor e frazeologjikishte i natyrshëm dhe burimor, në thelb, humor i tij ishte modern, ishte humor i mendimit.

Dihet, Q.Buxheli u qëndroi besnik idealeve të tij rinore; duke zgjedhur rrugën e letërsisë, si çdo shkrimtar, herët a vonëdo të binte ndesh me ‘zbatuesit e idealeve’, me përditshmërinë, me pushtetin e deformuar, të denatyruar, sipas rastit, sikurse do të haste tipa të lehtë nga natyra, me të meta e kusure; gjërat ishin sheshit, sikurse thotëduke përgjithësuar marrdhëniet shkrimtar-pushtet shtetëror: ne kemi satirën, ata kanë satërin.
Libri i parë që kam lexuar nga Q. Buxheli, ndodhi rastësisht kur ishanë shkollën 8 vjeçare, ka qenë “Kariera e zotit Maksut,” (1971) gjetur në rrëmujën e librave të tim eti. Më ngazëlleu. Jam i mendimit se është kryevepra e tij, nyja nga ku shkojnë fijet e veprave tëmëparëshme e tëmëvonshme, krahas mjeshtërisë kompozicionale, pasurisë lëndore dhe procedimeve artistike..
Ky roman, si piknisje tipologjike ështëme formulë të njohur që nga komedia antike romake, rimarrë nga ajo latine, gjallëruar te Shekspiri me “Komedinë e keqkuptimeve” dhe te N. Gogoli me “Revizorin”, pra fabula e ngatërresës së një a dy njerëzve me një a dy të tjerë, të ngjashëm me ta. Mbi keqkuptime rrethanansh apo skema mashtruese të qëllimshme të personazheve, hapet perdia e skenës së jetës, dalin në shesh tipa, karaktere, ambiente, pra del në pahthelbi i një shoqërie, një rendi politik,i vleraveetike e morale, idividuale e kolektive.
Ngjarjet e romanit vendosen nëkomunën e Tarinës, qëmë ka tigëlluar si Tiranës; komuna me kryetarin, xhandarët, klerikët fetarë, mësuesit, të kamurit e të skamurit; kjo hapësirë komune e viteve ’30, të bën të shohësh përtej saj, në hapësirë e në kohë. Krenaria e investimeve shtetërorenëTarinëështë ndërtimi i VC-së publike, krahas punëve dytësore si riparimi i burgut dhe muri rrethues i varrezave. Projektimi i saj i lënë specialistëve të huaj pasi këta tanët, ‘kur ju kërkon të bëjnëVC, e bëjnë hale’. Për ta çuar satirën në nivele gogoliane, tregohet se në inagurimin e VC-së publike do të vinte kreu i shtetit, sikurse ndodhi në rrethana krejt të paparashikuara dhe, në dalje, ishte vendosur libri i përshtypjeve ku frekuentuesit mund të shpreheshin me shkrim.
Autoritet tona shtetërore, tradicionalisht, me spektakle inagurimesh të tilla për popullin, kanë legjitimuar moralisht sundimin e tyre dhe të drejtën natyrore për vijimësi. Autori i bën të dukshme me gjuhën e humorit problematikat e mprehta të shoqërisë së kohës, pa rënë në publicistikë, pa deklarativizma, duke u marrë konkretisht me paradigmën nëminiaturë: Komuna Tarinë. Satria, sarkazma, humor i kristaltë i këtij romanishkëlqejnë në çdo kohë leximi- meritë e autorit, por dhe e sistemeve politikë që zëvendësojnë njëri-tjetrin, por përsërisin njëri-tjetrin, metodologjikisht. Q.Buxheli te “Kariera…” ka ravijëzuar skeletin e çdo pushteti shtetëror me fjalimexhijtë e palodhur, me duartrokitësit e parapaguar, me rryshfetdhënësit e rrushfetmarrësit; për më tepër – delenxhijtë e derdimenët që rasti i ka ngulur nëpër zyra e kolltukë, nisin një garë të ethshme për të hyrë, po me bakshishe e peshqeshe nëlibrahistorie, në historinë e Shqipërisë, si njerëz, si familje, si klasë.
Q. Buxheli ka sjellë te “Kariera… ” një galeri tipash të gjithëkohshëm, sikurse ka zbuluar me gjuhën e gjetjeve zbavitëse mekanizmat me të cilat pushtetmbajtësit e mëtonjësit për karierë të madhe përpiqen të lahen e të shplahen për sytë e publikut.Zymtësinë e jetës së përditëshme, përvuajtjen e njeriut të zakonshëm, arrin ta japë pa na shkaktuar zymtësi, e gjallëron me gjetje të bukura estetikisht, (dora e shtirë për lypje quhet ‘shikojnë a pushoi shiu’; protesta fshatare, përleshja me xhandarët e kapur e tëfutur nëpër thasë për t’u dhënë dajak ‘shpegohet’ si lojëra popullore, vrapim me thes e kërcim me shkop; të uriturve ju shpërndahen kruajtëse dhëmbësh për të krijuar te vizitorët e huaj idenë se porsa janë çuar nga gostia e bollshme, etj., gjetje funksionale. Nga ky këndshikim, pra, për shkak të kësaj tabloje, nuk është për t’u habitur që edhe ky libër, u la mënjanë nga kritika lavdëruese e kohës, për të mos thënë u pa shtrembër, pa harruar masat e dëmshme administrative ndaj autorit. Ai, sidoqoftë, me gjuhën e satirës i lau hesapet me satrapët duke i stigmatizuar sërish faraonët dhe firaunët.
Nga kujtesa, skematikisht, dy shembuj nga “Kariera…”
(I) Fshatarëve të varfër që kërkojnë ndihmë e zgjidhje nga qeveria, u kërkohet të marrin nga një ministër secili. – Nga një ministër? Ne jemi të varfër. – Nuk kushtojnë, nga një grosh janë. – E çfarë të bëjmë me ministrat? – Ti varni. – Ti varim? – Ti varni në mur, – u thotë nëpunësi i prefekturës. (Është fjala për fotografitë e ministrave.)
(II) Nëpunësit, sa herëbënin prapësi, rryshfete, mëkate, shkelje të ligjit, mbulonin me beze fotografinë e Lartmadhërisë. Nuk donin ti shkonte i madhi. I madhi nuk shikonte, nuk dinte gjë.
Jeta e re socialiste, me dukuritë e saj, fushatat, gabimet e teprimet e saj, ka kaluar po ashtu nëpër filtrat satirikë të Q. Buxhelit.
Disa shembuj.
Nivatorizmi/shpikjet/racionalizmiet, të propaganduara, por pa gjasa konkrete për sukses e leverdi ekonomike, për shkak të mënyrës si ishte konceptuar ekonomia jonë, stigmatizohet: …i lumtë shokut filan, makineria që ai shpiku zëvendëson punën që më parë e bënin 3-4 veta, por për ta vënë në punë këtë makineri duhet 10-15 shokë të tjerë kurse për ta ndaluar duhen thirrur dhe ata të repartit tjetër.
Qarkullimi i kuadrove, për edukim, për shkëmbim përvojash të përparuara …shkon një kuadro në bazë, për ta arsyetuar dobinë e qarkullimit të kuadrove edhe në stane, mes blegtorëve; duke kuvenduar me kryebariun vjen lajmi se një çoban, i sapoqarkulluar në stanin e tyre, e kanë ngrenë qentë e ‘tij’, pasojë e qarkullimit të ‘kuadrove’ edhe në këtë sektor.
Cilësia e shërbime në të vetmin sektor shërbimesh, ai shtetëror, në çdo aspect si pastërtia, edukata në shërbim nga punonjësit përkatës, në serinë e reportazheve te “Hosteni”, “Progam me muzikë sipas kërkesave të dëgjuesëve tanë”, për restorantet e ushqimit social, (1) papastërtia, hyrje daljet e instektve, kafshëve shtëpiake, etj: “O çoban çoban i dhenve/ a u flet atyre qenve, se po vjen syzeza.” Ndërsa (2) për shërbimin, vargëzon po me motive folklorike: u çu Rusha ka la syt/ n’durt e bardha mban një sitë/ çdon klient me hangr, me t’qitë? –Asgja Rush, veç një thikë/ e pak ujë se jam tuj mbytë.
Për rolin e titullarëve të institucioneve në mbarëvajtjen e punëve, parodizim në rubrikën e ‘Hostenit’: Të pashë në një majë bregu/ po bëje gjumë shelegu/boll fjete fjetsh të madhen/merr shaminë e prije vallen.”
Për nepotizmin në administratë e institucione …gjetje të shkëlqyer, pas mbledhjes me këtë temë, lufta parimore kundër nepotizmit, drejtori dëgjon në qendrën e zërit të ndërmarrjes transmetimin e ndeshjes së futbollit midis ndërmarrjes së tij dhe ekipit të njëndërmarrjeje tjetër: topin e ka djali i tezes, ia pason djalit të xhaxhait, ky – dajës, daja – xhajës nga daja, daja – krushkut….
Për lidhjen (artificiale) mes kuadrove drejtues me masat punonjëse…shoku Ilo shkon për vizita. Ka marrë të dhëna për punonjësit me qëllim që ti urojë apo qortojë sipas meritave apo të metave që ata kaë. E meqë janë vizita të planifikuara e të kryera me shpejtësi, nga halli, ai ngatërron personat, atë që merrt me shpifje e falenderon sepse e ngatërron me atë që merret me shpikje, sikurse qorton atë të shpikjeve po për shkak të ngatërresës; boll brodhe lule më lule, hamoqellë, tai mblidhe mendjen, martohu, u bëfsh me nuse e me çilimij uron një burrë të martuar e me disa fëmijë duke ngatërruar të dhënat që ka për një beqar.
Për tipat që rrojnë si këshilltarë të eprorëve …një personazh e merrte pagën duke ndenjur nën hijen e fikut që nuk lidhte kokrra dhe jepte ide, formula, gjente rrugëzgjidhje, psh: t’i varrosim të vdekurit vertikalisht që të kursejmë tokën; pse t’i mundojmë fëmijët deri në Krujë për të parë kalanë, e bëjmë këtu një kala dhe e shohim kollaj, etj.
I quajturi emancipim socialist i jetës në fshat …një djalë qyteti qëështë fejuar në fshat me një vajzë të quajtur Miranda, në rrugë e sipër takon veterinerin e ndër të tjera e pyet për Mirandën. Veterineri fillon t’i tregojë me passion për një lopë stalle të quajtur Miranda, siç kishte filluar pajisja me emra të përvetshëm e gjedhëve.
Janë me qindra episode të tilla në korpusin letrar të Q. Buxhelit, krahas rrëfimeve të gjata e të strukturuara mirësi romanet. Trashëgimia e tij kërkon vëmendje. Në vende me letërsi historikisht të zhvilluara, vepra të satirës e humorit kanë shënuar shënuar cilësisht epoka të reja letrare, për shembull “Gargantua e Pantagryel”, “Don Kishoti i Mançës”, “Aveturat e Hakelber Finit” e “Aventurat e Tom Sojerit”, ose Jaroslav Hashek, bashkëkohës e bashkëqytetar me Frac Kafkën, me Shvekjkun e tij është po aq i përbotshëm, etj. Kështu duhet parëroli e vend i Qamil Buxhelit mes bashkëkohësve e kolegëve të tij; përkundrejt patetikës së tyre revolucionare e propagandistike, përkundrejt hiperbolizimeve të tyre glorifikuese për partinë, për udhëheqësin, për parajsën komuniste në Shqipëri, për lumturinë e pacak të shqiptarëve dhe rolin e tyre ndriçues në botë, letërsia e tij, ku mungonte politizimi partiak, mungonte armiku i jashtëm e ai i brendshëm dhe urrejtja për ta, ishte ana tjetër e medaljes, përbërës nderues i skenës kulturoreshqiptare, përnjimend emancipuese, pasuruese e mendimit kritik, humanizuese, çliruese dhe argëtuese njëkohësisht.

p.s. kur jam para pyetjes së rëndomtë të gazetarëve për fillimet e mia krijuese e të tjera hollësi biografike nga këto, buzëqesh dhe i them vetes kujdes, mos e tepro. Më vjen në mend një intervistë e improvizuar e Q. Buxhelit. Gazetari e pyet kur ke filluar të shkruash. Ai përgjigjet- në semestrin e dytë të klasës së parë fillore. – Si ka mundësi kaq vonë? habitet gazetari. – Më parë kam qenë analfabet, përgjigjet Buxheli.
Kështu si unë, besoj, lexuesit e shumtë, sa herë do ta kujtojnë Q. Buxhelin, do të buzëqëshin dhe do tëbëhen më të matur, më të pjekur, më të fisnikëruar.

Ujësjellësi i Himarës, institucionet shmangin takimin me banorët e Shushicës

Nga Arbjona Çibuku/ citizens.al

Institucionet përgjegjëse për projektin e Ujësjellësit të Himarës iu shmangën sot një takimi të thirrur nga banorët e luginës së Shushicës, të cilët prej vitit 2023 kundërshtojnë devijimin e ujit nga burimi i Lëpushës, që ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Vjosës.

Nga rreth gjashtë autoritete që ishin ftuar, në takimin që u zhvillua të premten në Tërbaç të Vlorës, morën pjesë vetëm përfaqësues nga Bashkia e Selenicës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilët nuk dhanë komente për planet apo vijimin e punimeve.

Takimi qe thirrur nga kryetarët e fshatrave të luginës së Shushicës, së bashku me banorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Përveç Bashkisë Selenicë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si zbatues i projektit, ata i patën drejtuar ftesa edhe: Bashkisë Himarë, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, Bankës Gjermane për Zhvillim (kfw; si financues të projektit) dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim.

“Kemi provuar të gjitha format demokratike për të shprehur mendimin tonë mbi këtë projekt dhe jemi ende të hapur për dialog me vendimmarrësit mbi një zgjidhje që nuk dëmton zonën tonë,” theksoi Astrit Balilaj, kryetari i fshatit Kuç.

Ai shtoi se banorët kërkojnë të informohen dhe duan të dëgjohen para se të vijohet me zbatimin e projektit.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e Raportit të Vlerësimit të publikuar në janar 2025 nga Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), i cili thekson ndikimin negativ të projektit mbi biodiversitetin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

“Raporti i IUCN thekson se shmangia e plotë të projektit dhe përdorimin e burimeve alternative të ujit është zgjidhja e duhur për të siguruar mbrojtjen e biodiversitetit dhe integritetit të Parkut të Lumit të Egër të Vjosa,” tha Olsi Nika, nga organizata EcoAlbania.

Ilustrim, gjatë takimit të banorëve të Shushicës në Vlorë/Eco Albania.

Të gjendur përballë indiferencës institucionale, banorët u shprehën të vendosur për të vazhduar kundërshtimin e tyre, përmes protestave dhe rrugës ligjore.

“Do të vijojmë me protesta për të ndaluar marrjen e ujit të Lëpushës dhe burimeve të Shushicës, pasi pasojat janë të pakthyeshme, si për mjedisin, ashtu edhe për jetën dhe traditat e zonës,” tha Leonard Malaj, banor i fshatit Brataj.

Ekspertët e mjedisit, të pranishëm në takim, theksuan se Shushica është një habitat kritik që duhet ruajtur me prioritet.

Prof. Aleko Miho nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës vuri në dukje paradoksin e shpalljes së Vjosës si Park Kombëtar, ndërkohë që burimet e saj ujore po shfrytëzohen.

“Ky projekt, që në fillim nuk më është dukur zgjidhje e mençur. Përveç ndikimeve ekologjike, uji i Shushicës nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur ambiciet turistike të bregdetit,” tha ai duke shtuar se ndikimi social duhej marrë më tepër parasysh.

Ndërsa projekti vazhdon të jetë në gjyq, Strabag, kompania zbatuese, rinisi punimet në janar, duke dërguar tubacione në Parkun Kombëtar të Vjosës, pavarësisht kundërshtisë së banorëve.

Në qershor 2024, 54 banorë të mbështetur nga EcoAlbania dhe Res Publica paditën Këshillin e Basenit Vlorë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Bashkinë Himarë.

Shushica, së bashku me burimet e saj, është një degë e rëndësishme e Vjosës dhe, që nga marsi 2023, pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit të Parë të Egër në Evropë.

Përmes ndërtimit të një ujësjellësi në Himarë, qeveria synon të devijojë ujin nga burimi i Lëpushës, që ushqen Shushicën, për ta çuar drejt bregdetit me qëllim përmbushjen e kërkesave të turizmit masiv.

Rreth 17 kilometra tubacione, nga Kuçi në Himarë, janë thuajse gati, por diga e devijimit, infrastruktura kryesore dhe më problematike e projektit, ende nuk është ndërtuar.

BIRN: Fyerje e teori komploti, Veliaj po devijon vëmendjen nga akuzat e rënda

Ekspertë të komunikimit i shohin fyerjet dhe sulmet personale ndaj prokurorit Ols Dado dhe gjyqtarit Erion Bani si një përpjekje e mazhorancës për të devijuar vëmendjen nga akuzat e rënda penale që rëndojnë ndaj kryebashkiakut.

Prej javësh, duke shfrytëzuar faqen e tij në Facebook dhe një mori mediash që shpërndajnë mesazhet e tij pa filtra, kryebashkiaku Erion Veliaj ka vënë në shënjestër Ols Dadon, prokurorin e çështjes ndaj tij dhe bashkëshortes.

Duke përdorur fyerje e epitete denigruese, Veliaj është përpjekur ta pikturojë Dadon si person që ka armiqësi personale, apo si të lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe si të paaftë. Ai e përshkruan hetimin si proces të pakuptimtë e kafkian dhe veten e tij si viktimë të gjithë këtij procesi.

Veliaj, gjithashtu, publikoi një transkript të përballjes gjyqësore, në të cilin, sipas Gjykatës së Posaçme, i vuri në gojë prokurorit Dado fjalë që ky nuk i kishte thënë. Veç Veliajt, media dhe publikime pranë tij kanë rrëmuar biografinë e prokurorit, duke publikuar dëftesa të supozuara notash e të ngjashme.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, në daljet publike të fundit, e përshkruan SPAK si një organ represioni, i cili intimidon dëshmitarë dhe shkel të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, edhe kur i referohet akuzave, kryebashkiaku, që ndodhet në qeli që prej datës 10 shkurt, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash, i mohon ato a priori, duke e shoqëruar mohimin me një lumë fyerjesh e talljesh për prokurorin.

Për ekspertët e komunikimit, këto sulme ad hominem ndaj prokurorit Dado, gjyqtarit Erion Bani dhe SPAK-ut e Gjykatës, janë një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga akuzat dhe provat në dosje, për të krijuar justifikime para mbështetësve socialistë, si dhe një shfaqje e shokut dhe e tronditjes, sepse kontrolli i tyre është sfiduar.

“Sulmi ad hominem ndaj prokurorit dhe gjykatësit është mënyra më e thjeshtë e mbrojtjes,” i tha BIRN-it analisti dhe shkrimtari Ermal Hasimja.

:Pavarësisht se nuk ka asnjë efekt juridik, ky sulm synon justifikimin përpara mbështetësve dhe votuesve të z. Veliaj”, shtoi ai.

Në të njëjtën linjë, Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit, shton se Rama dhe Veliaj u gjendën përballë faktit që dikush u ka sfiduar pushtetin dhe dominancën.

“Ky është një reagim tipik i personave që shohin pushtetin t’u rrëshqasë nga duart,” tha ajo.

“Kur një lider nuk ka më kontroll mbi narrativën, ai ose shpërndan kaos, ose radikalizohet verbalisht për të ruajtur mbështetjen e vet”, shtoi Gjoni.

Deklaratat e gjata të Ramës me akuza ndaj SPAK dhe mesazhet e Veliajt në rrjetet sociale, që kanë targetuar specifikisht prokurorin Dado, shoqërohen vazhdimisht me lumë komentesh prej mbështetësve që u mëshojnë më fort këtyre qëndrimeve.

Me shikim të parë duket sikur kemi të bëjmë me shpërthime zemërimi, por për pedagogun e komunikimit Erlis Çela kjo është një strategji e menduar mirë dhe që lidhet me fushatën elektorale dhe zgjedhjet e 11 majit.

“Kryeministri e kupton që sulmi që po i bën ai SPAK-ut ka një kosto politike, por ai është gjithashtu i vetëdijshëm se kjo kosto duhet marrë për të minimizuar ndikimin që ka arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës para zgjedhjeve,” tha ai.

“Pra, në këndvështrimin tim, kjo është më tepër një strategji e koordinuar me Partinë Socialiste dhe qeverinë sesa një qasje individuale e z. Veliaj”, shtoi Çela.

Sipas tij, përpjekja për ta zhvendosur vëmendjen nga provat dhe argumentet drejt një narrative emocionale me armiq dhe komplote bëhet me qëllim për ta kthyer procesin penal në një proces politik.

“Mendoj se kjo përdoret kryesisht me qëllim për të devijuar vëmendjen nga thelbi i akuzave dhe për ta zhvendosur debatin drejt betejës politike dhe morale,” tha Çela. “Qëllimi final është që ta paraqitë veten si viktimë e një komploti”, theksoi ai, ndërsa shtoi se kjo bëhet për të mobilizuar mbështetësit.

Të njëjtin qëndrim ka edhe analisti dhe shkrimtari Hasimja, i cili thotë se retorika e përdorur nga Veliaj dhe Rama nuk ka për qëllim të jetë mbrojtje juridike, por të furnizojë me argumente mbështetësit e tyre, të cilët do të përballen me pyetje mbi këtë çështje.

“Këtyre të fundit u duhen argumente të forta për një çështje me të cilën do të përballen eventualisht nëpër debate publike e private”, thotë ai.

Edhe Edlira Gjoni i sheh mesazhet e Veliajt si një përpjekje për mobilizim të mbështetësve dhe me mungesë të argumenteve logjike mbi çështjen.

“Veliaj, me sulmet e tij të personalizuara, është në modalitetin e ‘luftëtarit të rrënuar’, që kërkon të mobilizojë ndjekësit e tij jo me argumente logjike, por emocionale, me ndjenja paranoje dhe përndjekjeje – prandaj edhe bën krahasime absurde me Joseph K. të Kafkës”, thotë ajo.

Ajo thotë se Veliaj po përpiqet me çdo kusht, duke përdorur përqeshjen dhe thjeshtëzimin, të lërë jashtë diskutimit publik faktet e çështjes dhe 9 akuzat e rënda ndaj tij.

Pedagogu i komunikimit Roland Lami, po ashtu, shkruan në faqen e tij në Facebook se ka një përpjekje të organizuar për të hequr vëmendjen nga akuzat reale.

“I gjithë arsenali qeveritar, mediatik, pseudointelektual është i përqendruar në logjikën ad hominem kohët e fundit, në funksion të mbrojtjes së Veliajt, pra kush është prokurori Olsi Dado dhe jo çfarë akuzash ka ngritur ai ndaj Veliajt”, shkruan ai.

Lami thotë se gërmimi në të shkuarën e prokurorit, duke rrëmuar deri në detaje e tipare fizike të tij, është i qëllimshëm.

“Sa më shumë elementë kompromentues të natyrës etike, profesionale dhe morale që evidentohen, me të drejtë ose jo, aq më shumë viktimizohet Veliaj dhe delegjitimohet procesi gjyqësor”, shkruan ai.

Për Edlira Gjonin, përpos përpjekjes për të hequr vëmendjen nga akuzat reale, Veliaj dhe Rama janë në përpjekje për të treguar se ata janë të pushtetshmit. Ajo thotë se arrestimi i Veliajt i ka shokuar ata, sepse pikërisht u ka cënuar kontrollin që mendonin se kishin.

“As Veliaj, as Rama nuk po kërkojnë drejtësi, por pushtet. Ose më saktë, mos-prekje të pushtetit. Janë të shokuar e nuk e besojnë dot se pozitën e tyre dikush guxoi të mos e marrë në konsideratë”, thotë ajo.

Sipas Gjonit, kjo është arsyeja pas sulmeve dhe gjuhës së përdorur ndaj SPAK, që paraqitet sikur ka bërë një gabim, është çorientuar apo i paaftë.

“Rama, në anën tjetër, po përdor një strategji më të sofistikuar të delegjitimimit diskursiv. Duke i quajtur veprimet e SPAK-ut ‘lajthitje e çastit’ dhe duke luajtur me idenë e ‘shkrirjes’ së tij, Rama po përdor gjuhë që e paraqet drejtësinë si problem që duhet korrigjuar, jo si pushtet të pavarur”, thotë Gjoni.

Sipas saj, kjo nuk është thjesht një betejë juridike, “por një betejë për dominim pushteti, hierarkie e kontrolli në ligjërimin publik”.

Edhe Hasimja e shikon sulmin si një përpjekje që shkon përtej targetimit të një prokurori dhe që ka për qëllim të ulë besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

“Ndërkohë që është e drejta e z. Veliaj apo z. Rama të shprehin mendimin e tyre, sulmi ndaj institucioneve të drejtësisë natyrisht që godet funksionimin e këtyre të fundit duke u ulur besueshmërinë. Është diçka që një politikan nuk do të duhej ta bënte”, thotë ai.

Por Hasimja thotë se sulmet dhe retorika ndaj SPAK nuk kanë funksionuar.

“Megjithatë, deri më sot duket se këto sulme janë të pasuksesshme”, thotë shkrimtari. Ai shton se sondazhet tregojnë besim të qytetarëve te Prokuroria e Posaçme dhe se e vetmja gjë që u mbetet Ramës dhe Veliajt në këtë pikë është mobilizimi i militantëve.

“Sulmi synon mbi të gjitha që të ruajë kohezionin dhe motivimin e militantëve socialistë dhe ofrimin e një alibie për votuesit e Rilindjes”, përfundoi ai./BIRN

Bojkoti i marketeve në Ballkan detyron tregtarët të ulin çmimet, shqiptarët indiferentë

Për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve qytetarët në Ballkanin Perëndimor kanë bërë thirrje për bojkot të supermarketeve. Në disa shtete bojkoti dha efekt, kurse në Shqipëri dhe Kosovë nuk ka pasur reagim qytetar.

Një kilogram gjalpë, prodhim vendi, kushton në Shqipëri rreth 15 euro. Po ashtu edhe në Malin e Zi dhe në Kosovë, rreth 15 euro. Në Maqedoninë e Veriut rreth 14 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë 18.15 euro, kurse në Serbi 19.05 euro.

Për shkak të çmimeve të ushqimeve shumë nisma qytetare në Ballkanin Perëndimor bënë thirrje për bojkotimin e supermarketeve.

Kroacia e nisi e para dhe brenda një jave shitjet ranë me të paktën 53%. Rrjeti gjigant i supermarketeve “Kaufland Croatia” njoftoi se do të ulte çmimet e të paktën 1,000 produkteve. Nga ana tjetër, Konzum, bëri me dije se do të injektonte para në mënyrë që të ulte ose të ngrinte çmimet për 250 produkte vendase. Përballë këtij bojkoti masiv, pati edhe një reagim nga qeveria, e cila njoftoi se do të shtonte në listën e produkteve me çmime të kufizuara plot 40 produkte të tjera.

Në Shqipëri dhe Kosovë asnjë reagim

Në një faqe në Instagram të quajtur “Qytetarët” u shpërndanë thirrje për bojkot të supermarketeve nga data 5 deri më 10 shkurt. Megjithatë, reagimi i qytetarëve ka qenë i pakët. DW vizitoi disa prej këtyre supermarketeve gjatë këtyre datave dhe ka vërejtur se qytetarët kanë vazhduar të bëjnë blerje si zakonisht.

Njësoj si Shqipëria ka qenë edhe Kosova. Në rrjetet sociale ka pasur thirrje për bojkot, por qytetarët nuk e kanë përqafuar si nismë.

Dy bojkote në Maqedoninë e Veriut

Ndryshe nga Shqipëria dhe Kosova, në Maqedoninë e Veriut janë realizuar dy bojkote. Në bojkotin e parë, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, ka pasur një rënie të shitjeve me 46.59%. Nga ana tjetër, në bojkotin e dytë ka pasur një rënie më të vogël të shitjeve, në masën 22.12%. Përtej këtyre shifrave, qytetarët nuk i kanë ndalur thirrjet për të bojkotuar supermarktet, si një masë proteste kundër rritjes së çmimeve që janë regjistruar gjatë viteve të fundit.

Ngrirje çmimesh në Bosnjë dhe Hercegovinë

Bojkot ka pasur dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, i mbajtur në datën 31 janar, ku në supermarkete, ndryshe nga herët e kaluara, ka pasur një numër shumë të vogël klientësh. Qeveria ka reaguar menjëherë duke njoftuar se do të ngrijë çmimet e të paktën 50 produkteve, por një deklaratë e tillë është parë me skepticizëm nga qytetarët. Po ashtu, kontrollet e intensifikuara dhe ndëshkimet për rritjen e paarsyeshme të çmimeve, të cilat janë njoftuar nga qeveria e Republikës Srpska, nuk u panë si masa të besueshme për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve. Për këtë arsye, qytetarët zhvilluan një bojkot të dytë në 7 shkurt, ndonëse përgjigja qytetare ishte në nivele më të ulëta krahasuar me bojkotin e parë.

Reagime të pjesshme në Serbi dhe Malin e Zi

Në Malin e Zi, deri tani janë realizuar dy bojkote. Bojkoti i parë u mbajt më 31 janar, nga ku sipas të dhënave që vijnë nga Administrata e Taksave, ka pasur një rënie të qarkullimit deri në gjysmë milioni euro.

Në ditën e bojkotit, shitjet ranë me 56.14% krahasuar me të njëjtën ditë të javës së kaluar. Edhe në Malin e Zi, thirrjet për mbajtjen e një bojkoti tjetër kanë vijuar në rrjetet sociale, por ndaj tyre nuk ka pasur reagim masiv.

Për shkak të inflacionit dhe rritjes drastike të çmimeve, në Serbi, bojkoti i parë dha efekt. Ai u mbaj në 31 janar dhe sipas, të dhënave që vijnë nga Administrata e Taksave, gjatë kësaj dite ka pasur 25% më pak kupona fiskalë të prerë. Si përgjigje, supermarketet rritën çmimet, qeveria nuk reagoi dhe për këtë arsye qytetarët bën thirrje për një bojkot të dytë, por nuk ka të dhëna konkrete se cilat ishin rezultatet e këtij bojkoti.

Skandali, Belinda Balluku i dha koncesionin e rëndësishëm firmës së babait të administratorit të OSHEE! E firmosi zv.ministri, e ‘vulosi” vetë si zv.kryeministre! Mish-mashi me Bordet e energjisë

EMISIONI VETTING

Prej disa vitesh, kompanitë publike në sektorin e energjisë kanë qenë në qendër të skandaleve për abuzimet me fondet publike, duke qenë se sektori i energjisë është shumë i vështirë të kuptohet nga publiku pasi janë çështje teknike.

Sipas inxhinierit elektrik, Azmer Duleviç, një pjesë e mirë e qytetarëve në zonat rurale kryesisht, mund të jenë pa energji elektrike.

“Nuk ka investime sot e 30 e ca vite dhe normalisht nëse nuk ka investime, këtu ata që e vuajnë dhe patjetër e paguajnë dyfish janë qytetarët”, tha për “Vetting” inxhinieri Duleviç.

dilevix

Zhvillimet e fundit vitin e kaluar zbulojnë se lëvizjet e Ministres Belinda Balluku, duke marrë Ceno Klosin si zv.ministër të Infrastrukturës mund të jetë një lëvizje për të shpëtuar sa më shumë nga anija që po mbytet.

Konkretisht Ceno Klosi ka qenë drejtor ekonomik i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi që ai të përjashtohej nga detyra për shkak të shkeljeve të rënda, por tashmë Ceno Klosi ishte graduar Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe në mars 2024 u bë zv.ministër.

Por teksa bilancet e OSHEE-së nuk publikoheshin prej disa vitesh, mbas ardhjes së tij u publikuan disa nga bilancet, të cilat mesa duken kanë marrë “dorën e fundit” nga ai që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk duhet të ishte më në këtë kompani publike.

“Vetting” ka hedhur dritë mbi terrin informativ, ku administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka marrë drejtpërdrejt nga Balluku kontratë koncesioni në konflikt interesi të mundshëm me detyrën.

Konkretisht në 2 gusht 2022, Ministria e Infrastrukturës ka shpallur njoftimin për dhënien me koncesion/PPP të rëndësishëm.

Disa muaj më pas, në shkurt 2023 do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive, ky dy prej firmave “Illyrian Consulting Engineers” shpk në pronësi të Olset Haxhiut dhe “I.D.K- Konstruksion” dhe shpk në pronësi të Barjam Dalipaj,  me afat 35 vite.

ilirjan

Por Barjam Dalipaj është babai i Blendian Dalipaj, i cili prej 28 tetorit 2022 është administrator i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, institucion që është në pronësi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në varësi të drejtpërdrejt të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Sipas kushteve të kontratës, por edhe sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave, Dalipi nuk mund të fitonte këtë kontratë sepse është person i lidhur duke ngritur pikëpyetje se si Balluku e ka miratuar këtë ofertë nga grupi i kompanive fituese. Duke e ndjerë rrezikun, ministrja e Infrastrukturës ia ka deleguar firmosjen e kontratës zv.ministrit Ami Kozeli, i cili ia ka dhënë në konflikt interesi të mundshëm administratorit të institucionit që është në varësi të këtij të fundit.

Por kontrata ka kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe në fund të dhjetorit 2024, ministrja Balluku ka firmosur në cilësinë e zv.kryeministres duke qënë në konflikt të mundshëm interesi me detyrën.

Keqadministrimi i sektorit të energjisë

Keqmenaxhimi i kompanive publike të energjisë lidhet edhe me natyra të tjera të konfliktit të mundshëm të interesit brenda institucioneve. Konkretisht te Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që është në pronësi të OSHEE-së, Erald Hasanaj është Kryetar i Këshillit të Administrimit, në të njëjtën kohë është edhe shef kabineti i Blendian Dalipit që është administrator i OSSH. Pra, edhe shef, edhe vartës duke rënë ndesh me statutin e OSSH-së.

Admirim Lakra është një tjetër anëtar i Këshillit të Administrimit të OSSH-së, në të njëjtën kohë drejtor i mirëmbajtjes së rrjetit të OSSH-së, i cili edhe raporton te administratori Blendian Dalipi, edhe miraton vendime për Blendian Dalipin, në të njëjtën kohë edhe Hasanaj.

Një situatë e ngjashme paraqitet edhe te Furnizuesi i Tregut të Lirë, ku  administrator është Albi Gjenerali. Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës është Irakli Qiriako, i cili është drejtor i Operimit në FTL dhe i Programacionit.

Ky person është edhe vartës, edhe emëron, edhe miraton politikat e kompanisë, edhe i propozon. Por kjo bie ndesh me politikat e kompanisë publike, pasi nuk mund të mbikëqyresh veten.

Këto të gjitha sjellin keqadministrimin dhe keqraportimin duke sjellë mospërputhje të bilancit energjetik sipas raportimeve të OSHEE-së, KESH-it dhe OST-së.

Sipas inxhinierit Azmer Dulevic, bordet e kompanive publike në sektorin e energjisë janë thjesht disa mekanizma thjeshtë për të legjitimuar procesin kur bëjnë investime apo japin tendera.

“Në këndvështrimin tim këto janë të kota sepse unë nuk di ndonjë rast që anëtarët e bordit të kenë dalë kundër dëshirës së kryetarit apo drejtorit të OSHE-së dhe vetë vendimeve të linjës së ministrisë përkatëse”, u shpreh inxhinieri Dulevic.

Sipas këtyre të dhënave dyshohet se ka një abuzim shumë të madh prandaj fshihen bilancet dhe prandaj duhet që në Këshillat Mbikëqyrës të jetë Ceno Klosi.

Por sektori i energjisë ka probleme të rënda edhe me procesin e shitblerjes së energjisë.

Pse procedurat e shit-blerjeve të KESH-it në shumicën e rasteve nuk përputhen kërkesa e ofertës me rezultatet? Pse te optimizimi nuk përputhet kërkesa e ofertës me rezultatet?

Sipas inxhinierit Dulevic, duhet të ketë një audit dhe bilancet publike, këto ndërmarrje t’i kenë publike sepse akoma jemi me publikimet e bilanceve të vitit 2021-2022.

Një nga çështjet më të rëndësishme është optimizimi, i cili është rregullimi i portofolit financiar dhe fizik i energjisë.

Optimizimi financiar kemi kur subjekti e merr energjinë elektrike dhe e shet në orarin e PIK-ut (orari me çmimet më të larta), e zëmë 100 euro dhe e ble në orarin e Baseload (orari me çmimet më të ulëta) me 70 euro, pra fitimi 30 euro.

Kurse optizimi fizik është që këtë fitim (30 euro), subjekti e ble përsëri energji dhe ka fituar sasi energjie dhe e ka të disponueshme për konsum, në këtë rast nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare.

Në shumë raste është blerë energji ndryshe nga sa është kërkuar, e cila ngre dyshime për abuzim në bashkëpunim me tregtarët privatë.

Nuk mund të ketë optimizim, kur nuk përputhet mekanizmi i shitje-blerjeve.

Njëri nga këta shembuj është procesi i shit-blerjes së energjisë për 30 shtator – 6 tetor 2024 ku kanë shitur zero energji dhe KESH ka blerë ndryshe nga sa është kërkuar.

Një shembull tjetër është për përiudhën 23 shtator – 29 shtator 2024, ku KESH ka shitur zero energji.

Koorporata e bën kërkesën për shprehje interesi dhe në fund e përshtat sipas interesave të tregtarëve në kundërshtim me ligjin sepse është një procedurë që bëhet me e-mail, nuk është transparente.

“Këto kompanitë privatë që merren me tregtimin e energjisë, shitjen dhe blerjen e energjisë si ka mundësi që dalin çdo vit me bilanc pozitiv? Pra mbi 130, 150 milionë euro bilanc pozitiv.  Kurse KESH-i nga ana tjetër del me bilanc negativ. Tani këtu ka diçka që nuk shkon”, u shpreh inxhinieri Dulevic.

Shkeljet janë të panumërta nga zv.kryeministrja Balluku dhe zv.ministrat e saj, të cilët kanë dhënë koncesione/PPP në konflikt interesi të mundshëm me detyrën, kanë lehtësuar punën për kompanitë që kanë si administrator familjarët e drejtorëve të përgjithshëm apo edhe familjarët e kabinetit Balluku, që marrin tendera nga ARRSH-ja dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Duke analizuar rast mbas rasti, duket e çuditshme se si ministrja që kontrollon qiellin, rrugët, portet dhe burimet energjetike në Shqipëri ka imunitet nga drejtësia e re.

Kanë kaluar 4 vite nga nisja e hetimeve prej Prokurorisë së Posaçme në sektorin e energjisë, konkretisht me procedimin penal në tetor 2021, por deri tani nuk ka asnjë masë ndalimi apo arresti për asnjë zyrtar të lartë, që ka qenë apo është në detyrë te ndërmarrjet publike të energjisë.

Vendi më i ftohtë në botë kërkon fuqi punëtore, rroga minimale 35 mijë euro në vit

British Antarctic Survey (BAS) ka publikuar disa oferta pune për të punuar në stacione të ndryshme kërkimore shkencore në Antarktidë. Këto pozita janë të parat që shpall ky institucione dhe do të lëshohen oferta të reja në një periudhë prej tre muajsh.

BAS kërkon një gamë të gjerë profesionistësh, nga shkencëtarë, teknicienë, inxhinierë, marangozë, kuzhinierë e elektricistë, deri te biologë detarë, inxhinierë elektrikë dhe konsulentë për shëndetin dhe sigurinë. Aplikimi është i hapur për të gjithë.

Sipas ofertave të para, kontratat kanë një periudhë nga 6 deri në 18 muaj dhe janë të karakterit fleksibël.

Paga më e ulët fillon nga 35.000 euro në vit. Po ashtu, të gjithë shpenzimet e ushqimit dhe strehimit janë të mbuluara për të gjithë punonjësit, pavarësisht nga detyra e tyre.

BAS do të sigurojë akomodim, ushqim, udhëtime, veshje të specializuara dhe mjete, si dhe periudhë trajnimi për punonjësit.

Antarktida është një nga destinacionet më unike në botë. Me një popullsi që arrin deri në 5,000 persona gjatë verës dhe 1,000 gjatë dimrit, ajo është e banuar kryesisht nga punonjës të sektorëve të ndryshëm.

Ndërkohë, duhet theksuar se Antarktida ka një klimë ekstremisht të ftohtë, me mungesë të dritës diellore gjatë dimrit dhe temperatura shumë të ulëta që mund të ndikojnë në aspektet fizike dhe psikologjike të punonjësve.

Punëtorët e huaj ndihmojnë në rritjen ekonomike të Spanjës

Ekonomia e Spanjës u rrit më shpejt se e çdo vendi tjetër evropian dhe se e Shteteve të Bashkuara më 2024. Ekspertët pajtohen se kjo rritje ekonomike është kryesisht për shkak të fluksit të punëtorëve të huaj që kanë zgjeruar fuqinë e punës. Qeveria e Spanjës po punon që të rregullojë statusin ligjor të mbi 900 mijë punëtorëve të huaj gjatë viteve të ardhshme. Kjo politikë dallon me prirjen ndërkombëtare për të shtrënguar kufijtë, ndërsa autoritetet spanjolle thonë se ardhja e punëtorëve të huaj ndihmon edhe me problemin e plakjes së popullsisë në vendin anëtar të Bashkimit Evropian.

Brenda një fabrike në verilindje të Spanjës, punëtorë nga 62 vende të ndryshme punojnë krah për krah në firmën ushqimore ‘BonÀrea’. Firma ka bazën në qytetin e vogël Guissona, në një zonë rurale të Katalonias.

Punëtorët janë kryesisht nga Ukraina, Rumania, Bullgaria, Maroku dhe Senegali.

“Këta njerëz vijnë këtu për të punuar në industrinë e mishit; këto janë punë që vendasit nuk i kërkojnë për arsye të ndryshme”, thotë Xavier Moreno, drejtues i zyrës së burimeve njerëzore te firma ‘BonÀrea’.

Dyzetë për qind e 5000 punëtorëve të kompanisë kanë lindur jashtë vendit. Formula e saj e suksesit është kopjuar nga biznese të tjera në të gjithë Spanjën.

“Jemi me fat sepse ka punë për të gjithë. Unë jam mësuese dhe i takoj familjet dhe ata janë shumë mirënjohës. Si banor vendas duhet t’i bëni të ndihen se jeni të gatshëm t’i ndihmoni. Kjo është një gjë e bukur për të bërë”, thotë banorja vendase Angelina Infante.

Ekonomia e Spanjës u rrit me 3% vitin e kaluar, përtej mesatares së Eurozonës prej 0.8%, sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Kjo madje tejkaloi edhe normën e rritjes së Shteteve të Bashkuara prej 2.8%.

Qeveria spanjolle, pronarët e bizneseve dhe ekonomistët pajtohen se punëtorët emigrantë janë arsyeja kryesore e suksesit.

Ky sukses vjen mes një ndryshimi të gjerë midis qeverive të vendeve të pasura drejt shtrëngimit të kufijve dhe retorikës kundër emigrantëve.

Në të gjithë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara, rritja e ndjenjave kundër të huajve ka fuqizuar partitë politike të së djathtës së skajshme.

“Spanja po ecën shumë mirë sepse Gjermania është më e përqendruar në sektorin industrial dhe po vuan më shumë nga tensionet gjeopolitike. Arsyeja e dytë është se ne po rritemi ndërsa zgjerojmë bazën e njerëzve që mund të punojnë, falë emigracionit”, thotë Pedro Aznar, profesor i ekonomisë në skollën e biznesit ‘Esade’.

Spanja gjithashtu përballet me rritjen e forcave politike kundër emigracionit, që janë kundër migrimit të paligjshëm nga Afrika dhe vendet myslimane.

Kryeministri socialist i Spanjës Pedro Sánchez ka mbrojtur migracionin e ligjshëm duke pasur parasysh përfitimet ekonomike nga kjo.

Mohamed Es-Saile, 38 vjeç, arriti ilegalisht në Spanjë kur ishte 16 vjeç.

Që atëherë ai punon si elektricist dhe riparues në firmën ‘BonÀrea’.

Ai thotë se sigurisht që është i vetëdijshëm për frikën që ekziston ndaj banorëve me përkatësi fetare myslimane që nxit një pjesë të reagimit kundër emigracionit në Evropë. Megjithatë, ai thotë se nuk ka përjetuar urrejtje në Guissona.

“Këtu ndihesh sikur jeton në një shtëpi me njerëz nga vende të ndryshme dhe është një gjë e mirë sepse mund të takosh njerëz nga kultura të tjera. Gjithmonë ka diçka për të mësuar dhe takon dikë që është më i ditur se ti. Është shumë mirë, ndihem si në shtëpinë time”, thotë Mohamed Es-Saile teknik elektromekanik në firmën ‘BonÀrea’.

Emigrantët nga Amerika Latine megjithatë përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurve të fundit.

Sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë, mbi 4 milionë emigrantë nga Amerika Latine jetojnë në Spanjë.

Víctor Razuri filloi punë në ‘BonÀrea’ pasi shkoi në Spanjë nga Peruja vitin e kaluar. Ai punon si mekanik dhe elektricist.

Zoti Razuri, 41 vjeç, tha se nuk e ka pasur të lehtë për t’u përshtatur me jetën e tij të re.

“Këtu ka njerëz nga kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme. Përshtatja ishte pak e vështirë. Megjithatë, gjithmonë gjërat janë bërë me respekt. Tani ndihem shumë mirë dhe i integruar. Ne kemi formuar një ekip pune shumë të mirë”, thotë ai.

Gati tre milionë të huaj përfaqësojnë 13% të të gjithë fuqisë punëtore.

Sipas Bankës Qendrore të vendit Spanja do të ketë nevojë për 30 milionë emigrantë në moshë pune gjatë tridhjetë viteve të ardhshme për të mbajtur ekuilibrin aktual mes punëtorëve dhe pensionistëve.

Sipas statistikave 85% e 433,000 njerëzve që gjetën punë vitin e kaluar mes janarit dhe shtatorit ishin të lindur jashtë vendit.

Spanja, si shumë qeveri, ka luftuar me migrimin e paautorizuar nëpër Detin Mesdhe dhe ka mbështetur marrëveshjet e BE-së me Marokun në përpjekje për të frenuar flukset.

Megjithatë, Spanja, nën kryeministrin Sánchez, nuk ka plane të ndalojë fluksin e saj të të huajve të autorizuar.

Në anën tjetër të Evropës politikat ndaj të huajve po shtrëngohen çdo herë e më shumë fal rritjes së përkrahjes për partitë që kanë politika kundër emigrantëve.

E djathta ekstreme fitoi zgjedhjet në Austri dhe partia e ekstremit të djathtë të Gjermanisë AfD doli e dyta në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës me 20.5% të votave, duke dyfishuar rezultatin e saj të mëparshëm.

Partia ‘Bashkimi Kombëtar’ në Francë gjithashtu ka mundësi për të marrë pushtetin.

Ndërsa retorika politike në mbarë botën po vazhdon të kthehet kundër migrimit, Kryeministri Sánchez vizitoi Mauritaninë, Senegalin dhe Gambian vitin e kaluar për të promovuar një skemë të përkohshme pune për punëtorët afrikanë në Spanjë.

Rezultatet e këtij plani ende nuk janë parë, por qeveria po synon gjithashtu të integrojë në sistemin e saj migrantët e paautorizuar që tanimë gjenden në Spanjë.

Nëntorin e kaluar, koalicioni i krahut të majtë të Kryeministri Sanchez njoftoi se do të sigurojë leje pune dhe dokumente për mbi 900,000 të huaj të tjerë që kanë hyrë ilegalisht në Spanjë. Procesi do të zgjasë tre vjet me shpresën për t’i bërë ata pjesë të fuqisë punëtore që të paguajnë taksat.

Mjellma e zezë – Bukuria që vret

Nga Aladin Stafa

Dëshira e njeriut për të parashikuar të ardhmen do të ekzistojë sa kohë njeriu të jetë në Tokë. Kurioziteti se çfarë e nesërmja sjell, e bën jetën e tonë sa interesante, aq edhe të padeshifrueshme, ndërsa çdo vendim apo ngjarje që na ndodh gjithmonë hap portën e një udhëtimi të mundshëm prej skenarëve të pafundmë që universi na sjell. Përgjatë historisë kanë qenë pikërisht këto ndodhi të befasishme, të cilat kanë surprizuar këdo duke impaktuar kështu jetën e humanëve dhe duke shkaktuar më tej shkatërrim dhe konfuzion. Ngjarje të ashtuquajtuara si “Black Swan” apo “Mjellma e Zezë” janë fenomene të shpjeguara qartë në librin me autor Nassim Nicholas Taleb, sjellë mjeshtërisht në shqip nga prof. Blendi Lami, i cili i hap rrugë idesë se për shkak të limitit të shqisave tona, diturisë së kufizuar dhe eksperiencës sonë minimale, njeriu nuk është në gjendje të përfytyrojë që e pamundura edhe mund të ndodhë.
Por, përse është quajtur ky fenomen si “Mjelma e Zezë”? Çfarë do të thotë kjo? Cili është kuptimi? Deri në vitin 1697 njerëzimi besonte se të gjitha mjellmat ishin të bardha, si pasojë e dëshmive empirike mbledhur nga studiuesit e fushës. Por pak më vonë, disa eksplorues holandezë u ndeshën me një tipologji të re të kësaj specieje; mjellmën e zezë. Për herë të parë u pa ajo në Australinë Perëndimore, shanset për ekzistencën e së cilës ishin minimale. Ky ilustrim vërtetoi edhe njëherë kufizimin e njohurive të njeriut nga observimi dhe besimi i fortkrijuar që rridhte nga evidencat faktike ndër mijëra vjet. I çuditshëm është fakti prej këndej sesi ky fenomen, pra befasia me të cilin u gjendën shkencëtarët kur panë mjellmën e zezë, të quhej dhe si fenomeni i Mjellmës së Zezë, me anë të të cilit mund të shpjegosh lehtësisht disa realitete të papritura të botës sonë. Në libër përshkruhet qartë suksesi që sjellin idetë e mëdha, çfarë sjell përhapja e fesë, ngritja apo dhe rënia e hegjemonive, si dhe aspektet e ndryshme që përbëjnë jetën tonë të përditshme.

Në botën financiare ky fenomen i kudogjendur, dëshpërimisht rreket të kapet nga profesionistët e fushës, duke sjellë shpeshherë dështime dhe suksese. Kriza financiare e vitit 2008 dhe propabiliteti i riskut në periudha afatshkurtra dhe afatgjata, janë shembuj që treguan qartë përllogaritjet e bëra deri në njohjen e limituar të mundësive, duke mos e çuar ndërmend pamundësinë si një faktor kyç në këtë proces. Por si çdo gjë, edhe ky fenomen ka anën e tij pozitive krahas asaj negative. Mjellmën e Bardhë, shansin e lumtur, fenomenin Yang që përndryshe na tregon se për të qenë i suksesshëm duhet bërë diçka më shumë që kalon përtej sferës së mundësive. Nëse njeriu nuk mund ta parashikojë të pamundurën/ befasinë/ të papriturën, atëherë pse ai të mos e injorojë atë? Në vend të përpjekjeve të njëpasnjëshme naive për parashikimin e këtij fenomeni, e duhur do të ishte përshtatja dhe pranimi i vetë ekzistencës së tij. Fluturimi pas rrymës dhe mosdorëzimi ndaj vështirësive që rrethanat sjellin, do të ishte një rast për të maksimalizuar mundësinë drejt suksesit. Përgjithësisht, gjërat e mira duan kohën e vet të vijnë ndërsa e kundërta ndodh me shkatërrimin/ rrënimin, që në shumë raste vjen menjëherë. Libri na e mëson këtë ndërsa është jeta ajo që na e dëshmon. Njeriu ka shekuj që endet në Tokë.

Në disa raste në kërkim të së vërtetës e në disa të tjera në betejë me atë çfarë e pret. Në të dyja rastet pothuajse ka dalë i mundur, sepse shanset e tij janë të limituara. Por kjo duhet parë si një gjë pozitive, sepse çfarë kuptimi do të kishte jeta atëherë? Nëse do të dinim çdo përgjigje e nëse me të dhënat e së shkuarës do të mund të parashikonim të ardhmen efekti surprizë do të humbiste. Prandaj dhe fenomeni i Mjellmës së Zezë do të vazhdojë të ekzistojë. Që nga krijimi i Tokës, zhvillimi i jetës në këtë planet ka marrë formë nga ngjarje të rastësishme me kohën, vendin dhe aktorët përkatës.

Fenomeni i mjellmës së zezë nuk na mëson vetëm se si ekuilibrat mund të prishen në pak sekonda, por dhe se si ne nuk duhet të bazohemi vetëm tek ajo çfarë shohim apo perceptojmë. Libri na mëson se sa të ekspozuar jemi që në orët e para të ditës nga e papritura dhe se asesi nuk mund t’i shmangemi asaj që pret të na vijë. Stoikët do ta quanin ‘Fati’, ndaj përtej kontrollit dhe mundësive tona për të ndikuar sado pak tek ai, pranimi i tij si pjesë e realitetit është mundësia e fundme për të bërë më e pakta një jetë të qetë. Por, sigurisht të paparashikueshme dhe shpesh të vështirë./Gazeta Panorama