19.3 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

KAS rrëzon KQZ-në: Takimi i Ramës me punonjësit e bashkisë duhej ndaluar

Mitingu i Kryeministrit Edi Rama me administratën e Bashkisë Tiranë në “Sheshin Skënderbej” duhej ndaluar.

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar të enjten Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve (KQZ) duke i dhënë të drejtë Qëndresës Qytetare, e cila pati kërkuar zyrtarisht që të mos lejohej zhvillimi i këtij aktiviteti.

Sipas Kodit Zgjedhor, ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucione apo me administratën publike. Pas vendimit të KAS Komisioneri tashmë pritet të shqyrtojë mundësinë e gjobitjes së Kryeministrisë.

Sipas Rigels Xhemollarit nga Qëndresa Qytetare, e cila promovon transparencën dhe llogaridhënien, ky vendim i mbyll rrugën disa aktiviteteve që mund të ndodhin pas 25 marsit, me bërjen publike të kandidatëve që do të jenë në listat zgjedhore.

“Mendoj që është një vendim barrikadë duke shpresuar që do të shkojë deri në fund me sanksion, por që të gjithë duhet të jemi vigjilentë për çdo aktivitet tjetër pasi mund të ketë edhe një kundër revansh nga ana e zyrës së Kryeministrit për të mos zbatuar ligjin zgjedhor”, deklaroi Xhemollari.

20 shkurt 2025, Rama grumbulloi në qendër punonjësit e Bashkisë së Tiranës, mitingu që nga ai u konsiderua “takim” u zhvillua 10 ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Aktiviteti ishte raportuar në KQZ si pjesë e ceremonisë hapëse për titullin “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, por në realitet mori kah tjetër.

Në nisje të organizimit u shfaq një video nën narracionin e Kryeministrit ku tregohej se “si ndryshoi Tirana” nga periudha kur ai ishte ministër Kulture e më pas Kryetar i Bashkisë.

Nga podiumi i ngritur në shesh, Rama mbajti një fjalim me tone të forta politike dhe mesazhe kundër opozitës.

Qëndresa Qytetare, i kërkoi KQZ-së ta ndalonte këtë aktivitet, duke argumentuar se shkelte rregullat zgjedhore.

Komisioneri Celibashi e cilësoi të ligjshëm aktivitetin nën argumentin se ishte njoftuar më parë. Por KAS gjykoi ndryshe.

Në vendimin që rrëzoi poshtë pretendimet e KQZ-së ajo argumenton se aktiviteti i zhvilluar nuk përputhej me atë që ishte raportuar zyrtarisht 5 ditë më përpara.

“Duke qenë se aktiviteti i mbajtur më 20 shkurt 2025, ora 16:30, në sheshin ‘Skënderbej’ ishte i ndryshëm nga ai i raportuar në KQZ, vendosim shfuqizimin e vendimit nr. 129, datë 20.02.2025, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve,” deklaroi KAS./citizens.al

Dosja Veliaj: Hetimet, akuzat dhe faktet

Nga Arbjona Çibuku/ citizens.al

Prej 10 shkurtit Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ndodhet prapa hekurave, nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), dyshon se ai dhe bashkëshortja Ajola Xoxa, gjithashtu nën hetim, përfituan 1.1 milionë euro përmes skemave korruptive.

Hetimet paraprake tregojnë se paratë qarkulluan nga kompani dhe organizata jofitimprurëse të kontrolluara apo lidhura me Xoxën.

Ato u gjeneruan nga pagesa fiktive prej punonjësve të saj, fonde publike dhe dhurimet e të paktën 6 sipërmarrësve në marrëdhënie biznesi me bashkinë e Tiranës.

Si një përgjigje ndaj orvatjeve dezinformuese për ta shtrembëruar dhe relativizuar hetimin, Citizens.al sjell në këtë artikull të gjitha detajet e çështjes Veliaj, të përmbledhura në mënyrë skrupuloze, me synimin për t’i dhënë qartësi qytetarëve.

Kronologjia: Si vijuan hetimet e SPAK (Kliko mbi titull për të lexuar tekstin e plotë)

Verifikimet e SPAK mbi deklaratat e pasurisë të çiftit Veliaj-Xoxa, kanë ngritur dyshime për pasuri të pajustifikuara dhe transaksione të dyshimta për pastrim parash.

Veliaj figuron me një apartament dhe rreth 60,000 euro kredi të marrë në vitin 2015, ndërsa Xoxa me rreth 620,000 euro të deklaruara në llogari bankare dhe dy apartamente në zona të lakmuara të Tiranës.

Një vilë në Qerret dyshohet se u la qëllimisht në pronësi të kompanisë ndërtuese për t’iu shmangur deklarimeve, ngjashëm si me shitjen e një prone te “Shkolla e Kuqe” një kushëriri, i cili e dha më pas për pallat.


Ilustrim, kryebashkiaku Veliaj dhe çështjet që e kanë shoqëruar në detyrë.
Pronat: Pasuritë me probleme të çiftit Veliaj-Xoxa (Kliko mbi titull për të lexuar tekstin e plotë)

 

Në hetimet e saj SPAK shqyrtoi të dhënat bankare dhe deklaratat e bëra nga dhjetëra sipërmarrje që kanë pasur të bëjnë me Xoxën si dhe organizatat jofitimprurëse që kanë bashkëpunuar me të duke përfituar edhe fonde publike.

Hetimet kanë pikasur qindra mijëra euro faturime nga sipërmarrjet e afërta me Xoxën teksa janë ngritur dyshime në lidhje me mënyrat e sponsorizimit të aktiviteteve, të cilat SPAK dyshon se kanë përfshirë edhe pagesa korruptive të sipërmarrësve që fitonin tenderë dhe leje ndërtimi nga Veliaj si kryetar i Bashkisë Tiranë.

Flukset e parave: OJF-të dhe transaksionet e dyshimta (Kliko mbi titull për të lexuar tekstin e plotë:
Ilustrim, financuesit kryesor të qendrës Harabel.

Nga 6 sipërmarrësit e përfshirë në çështje, SPAK ka vendosur ta arrestojë njërin prej tyre. Pesë të tjerët janë vënë nën masë detyrim paraqitje. Ata dyshohen se përfituan tenderë dhe leje ndërtimi përmes korrupsionit.

Prokuroria e Posaçme pretendon se ata xhiruan para në favor të Veliajt përmes: konsulencave fiktive me studion ligjore të Xoxës ose sponsorizimet e fshehta të aktiviteteve artistike të lidhura me të.

Në hetimet paraprake përmenden edhe sipërmarrës të tjerë, si Samir Mane (Mane Foundation), Mirton Lika e Vladimir Kosta (Lani shpk), Vladimir Avrami (Salus Konstruksion, Ventus) dhe Skerdilajd Faria (Sombrero), ky i fundit rezulton të ketë paguar rreth 375,000 euro shërbime drejt kompanive të Xoxës.

Prandaj nuk përjashtohet që në të ardhmen numri i të dyshuarve të shtohet.


Arrestohet Erion Veliaj
Ilustrim nga arrestimi i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Sipërmarrësit dhe kompanitë e përfshira (Kliko mbi titull për të lexuar tekstin e plotë)

 

Çështja ndaj kryebashkiakut Veliaj tërhoqi vëmendjen publike edhe për shpenzimet e majme, të cilat SPAK dyshon se kreu bashkëshortja e tij në dhjetë vite.

Xoxa ka mohuar shifrat e deklaruara, por hetimet kanë nxjerrë në pah manovrat e saj për të fshehur porositë.

Ku shkuan paratë, shpenzimet e shfrenuara online të Xoxës (Kliko mbi titull për të lexuar tekstin e plotë)

 

Ilustrim i skemës së blerjeve të dyshuara online nga A.Xoxa.

Çështja Veliaj-Xoxa vijon të jetë në fazën e hetimeve nga SPAK. Sipërmarrës dhe persona në dijeni janë thirrur dhe priten të thirren për të dëshmuar versionet e tyre të fakteve.

Por ajo që mund të thuhet është se hetimet për kryebashkiakun kanë ngritur një debat të madh publik dhe politik, mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike apo shpenzimet e luksit të politikanëve.

Mbi të gjitha, ka nxjerrë zbuluar qëndrimin e shumicës socialiste në pushtet, e cila tanimë nuk i kursen trysnitë dhe presionet përballë hetimeve për një politikan të afërt me Kryeministrin.

BIRN: Ndarja e urgjencave kirurgjikale sjell kosto shëndetësore për pacientët

Nga Osman Stafa

Në orën nëntë të darkës në mesin e dhjetorit 2024, Armela, 30 vjeç nga Kamza ndjeu papritur dhimbje të forta barku dhe dyshimet për apandesit e nisën atë me urgjencë drejt spitalit.

“Dyshova menjëherë për apandesit për shkak se kur përplasja thembrat në tokë, kisha dhimbje të forta,” tha Armela për BIRN.

Nga Kamza ku jeton, Armela bashkë me nënën e saj morën një taksi dhe u nisën drejt spitalit më të afërt, atë të Traumës, por aty u thanë se duhej të shkonin në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Por me të mbërritur në urgjencën e QSUNT, një tjetër infermier i përcolli drejt Sanatoriumit, pasi ishte e enjte dhe ‘kirurgjitë i kishin ata”.

Me dhimbje të forta dhe e shqetësuar për shëndetin, Armela thotë se mori një tjetër taksi dhe humbi edhe 20 minuta të tjera kohë përpara se të kishte mundësinë që të vizitohej nga një mjek. Diagnostikimet imazherike zbuluan se Armela nuk vuante nga apandesiti, por nga infeksioni urinar dhe nuk kishte nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale.

Por qindra pacientë të tjerë humbasin kohë të çmuar nga njëri spital në tjetrin për shkak të një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili i ka ndarë urgjencat kirurgjikale mes tre spitaleve kryesore në Tiranë.

Pas djegies së urgjencës së re në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në shkurt të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë vendosi që t’i shpërndante urgjencat kirurgjikale me Spitalin Universitar të Traumës dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” sipas një grafiku javor të përcaktuar.

Aktualisht, urgjencat kirurgjikale trajtohen të hënën në QSUNT, të martën në Spitalin e Traumës, të mërkurën dhe të enjten në spitalin “Shefqet Ndroqi në Sauk dhe në fundjavë rikthehen sërish në QSUNT.

Zyrtarisht, Ministria e Shëndetësisë nuk ka publikuar asnjë informacion për të informuar qytetarët që të drejtohen në spitalin e duhur për të marrë ndihmë urgjente mjekësore.

Një mjek i urgjencës në QSUNT e konsideroi situatën aspak normale, por të diktuar nga mungesa e numrit të shtretërve.

“Kjo nuk është mjekësi. Kjo është të torturojmë dhe sorolloasim pacientët, që mund të vijnë për ndërhyrje emergjente në apadesit, ngatërrim zorrësh, gur në tëmth, etj,” tha mjeku në kushtet e anonimatit për shkak të frikës se mund të përballej me pasoja në punë.

Në urgjencën e QSUNT, një infermiere i tha BIRN se prej më shumë se një viti janë me qindra pacientët që ata i përcjellin në drejtim të Traumës apo Sanatoriumit, në varësi të grafikut të përcaktuar nga Ministria.

“Jo vetëm kaq, por ne na është thënë as mos t’u japim ndihmën e parë, por t’i drejtojmë menjëherë drejt spitaleve që kanë ditën për të pritur urgjencat kirurgjikale,” shtoi ajo.

Një tjetër mjeke në QSUNT ankohet se ndarja e urgjencave mes tre spitaleve të ndryshme nuk është shoqëruar me një fushatë informimi për pacientët.

“Jeta e një pacienti mund të luajë me sekonda,” tha mjekja, ndërsa shtoi se nuk ishte normale që të sëmurët të bënin shëtitje nga njëri spital në tjetrin.

Urgjencat e traumave

Spitali Universitar i Traumës është një institucion shëndetësor me varësi të dyfishtë, nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mbrojtjes. Spitali shërben gjithashtu si qendër kombëtare e traumës, ka funksione kërkimore shkencore si dhe ofron shërbime të urgjencës mjekësore.

Përveç urgjencave kirurgjikale abdominale gjatë ditës së martë, Spitali Universitar i Traumës trajton gjatë viteve të fundit edhe traumat në zemër, të cilat më parë trajtoheshin në repartin e Kardiokirurgjisë në QSUNT.

Një mjek i spitalit të Traumës i tha BIRN në kushtet e anonimatit se kishin mungesa në mjekë dhe aparatura të specializuara për t’i trajtuar të gjitha rastet e traumave në zemër. Mjeku u ankua se në Spitalin e Traumës mungon mjeku kardiokirurg dhe ndërhyrjet në zemër bëhen nga kirurgë të përgjithshëm. Ai tha gjithashtu se mungonte edhe një aparaturë për ndërhyrjet në zemër – aparatura e qarkullimit ekstrakorporal – e cila gjendet në urgjencën e Kardiokirurgjisë në QSUNT, por jo në spitalin e Traumës.

“Këtu mund të nisësh pacientë shumë rëndë, me goditje në zemër, duke ditur se po e çon ta shpëtosh, por këtu po e sjell drejt vdekjes. Kjo pasi atë operacion s’do e bëjë specialisti, që është kardiokirurgu, por kirurgu i përgjithshëm,” tha mjeku i Spitalit të Traumës.

Dy mjekë kardiokirurgë me të cilët BIRN foli theksojnë se mungesa e kardiokirurgëve në spitalin e Traumës ka sjellë që rastet e goditjeve në zemër ata t’i transferojnë në QSUNT, duke u kushtuar kohë pacientëve. Ata theksojnë gjithashtu se ka një problem ligjor, pasi një mjek të përgjithshëm nuk e lejon licenca që të kryejë operacione zemre.

“Kirurgjia e përgjithshme dhe kardiokirurgjia janë dy specialitete tërësisht të ndryshme. Kardiokirurgu trajnohet 5 vjet vetëm për t’u marrë me zemrën dhe çdo patologji të saj, ndërsa kirurgu i përgjithshëm 4 vjet për t’u marrë me çdo organ tjetër përveç zemrës dhe trurit,” tha ai pa dashur të citohet me emër.

Ndryshe nga pretendimet, drejtoresha e Spitalit të Traumës, Edlira Bode i tha BIRN nëpërmjet një bisede telefonike se spitali që ajo drejton i disponon të gjitha kapacitetet për trajtimin e traumave në zemër dhe e bën këtë në mënyrë të suksesshme prej vitesh. Bode sqaroi se ata nuk trajtojnë patologjitë e sëmundjeve kardiake, të cilat vazhdojnë të trajtohen në QSUNT.

“Kirurgët tanë janë plotësisht të aftë për të trajtuar çdo lloj traume, përfshirë edhe traumat në zemër,” tha Bode.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, edhe Ministria e Shëndetësisë deklaroi se Spitali i Traumës zotëronte kapacitete të plota për trajtimin e traumave të të gjitha llojeve.

“Të gjithë rastet e aksidenteve apo emergjencave shëndetësore referohen në strukturat përkatëse shëndetësore nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore dhe se Spitali Universitar i Traumës, në cilësinë e Qendrës Kombëtare të Traumës ka staf mjekësor të specializuar për pritjen dhe trajtimin e të gjitha llojeve të traumave,” tha Ministria e Shëndetësisë./ BIRN

Del Kalendari i Ramazanit për 2025/ Ja çfarë duhet të dinë besimtarët për muajin e shenjtë

Të shtunën, më 1 Mars 2025 besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, do të nisin një udhëtim shpirtëror të jashtëzakonshëm: muajin e shenjtë të Ramazanit.

Ky nuk është thjesht një muaj agjërimi, por një kohë reflektimi të thellë, devotshmërie dhe mirësie. Një periudhë ku zemrat afrohen më shumë me Zotin dhe me njëri-tjetrin, ku shpirti pastrohet dhe njeriu lidhet më fort me vlerat e besimit, durimit dhe dhembshurisë.

Çfarë përfaqëson Ramazani?

Për miliona besimtarë, Ramazani është më shumë sesa një traditë fetare është një ndalesë e domosdoshme në ritmin e shpejtë të jetës. Një mundësi për të reflektuar mbi qëllimin e ekzistencës, për të vlerësuar bekimet e përditshme që shpesh i marrim si të mirëqena dhe për të ushqyer shpirtin me paqe dhe dashuri.

Duke iu referuar kalendarit Islam, Ramazani është muaji i nëntë i vitit hënor, një kohë e shenjtë ku, sipas traditës islame, Profeti Muhamed, mori shpalljen e Kuranit “si udhërrëfyes për njerëzit me drejtësi dhe shpëtim” .

Agjërimi: Një akt i devotshmërisë dhe vetëkontrollit

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një provë e vullnetit dhe përkushtimit. Nga agimi deri në perëndimin e diellit, besimtarët ndalojnë së ngrëni, së piri dhe së kryeri veprime që mund ta shpërqendrojnë shpirtin nga lidhja me Zotin. Por më shumë sesa një kufizim fizik, ky është një ushtrim shpirtëror, një mënyrë për të forcuar vetëdisiplinën, për të pastruar zemrën dhe për t’u afruar me të tjerët përmes dhembshurisë dhe bamirësisë.

Në mbrëmje, me perëndimin e diellit, agjërimi ndërpritet me një gotë ujë dhe hurma, për të vijuar më pas me vaktin tradicional të iftarit. Kjo është një kohë bashkimi me familjen, miqtë dhe komunitetin, ku ushqimi nuk është thjesht një nevojë, por një simbol i mirësisë dhe ndarjes.

Më shumë se një sakrificë: Një rrugëtim i brendshëm

Shpesh, Ramazani shihet si një sfidë fizike, por në të vërtetë ai është një dhuratë. Nuk është vetëm një periudhë kufizimesh, por një çlirim nga e tepërta dhe një forcim i vullnetit. Gjatë këtij muaji, myslimanët jo vetëm që agjërojnë nga ushqimi dhe pijet, por gjithashtu i përkushtohen më shumë lutjeve, leximit të Kuranit dhe veprave të mira.

Në këtë kohë të shenjtë, zemrat hapen më shumë për bamirësi, për ndihmë ndaj atyre që kanë nevojë dhe për përhapjen e energjisë pozitive. Për besimtarër myslimanë Ramazani është një kujtesë se lumturia nuk gjendet në të mirat materiale, por në shpirtin e pasur me dhembshuri dhe mirënjohje.

Netët e Bekuara

Në 10 ditët e fundit të Ramazanit, besimtarët përjetojnë netët më të rëndësishme të vitit, ku besohet se njëra prej tyre është Nata e Kadrit, nata kur është zbritur shpallja hyjnore. Kjo natë, më e vlefshme se një mijë muaj, është një derë e hapur për falje, mëshirë dhe pranimin e lutjeve.

Përtej agjërimit-një mënyrë jetese

Edhe pse Ramazani zgjat vetëm 30 ditë, vlerat dhe mësimet e tij mund dhe duhet të zgjasin gjatë gjithë vitit. Durimi, dhembshuria, mirësia dhe lidhja e thellë me shpirtin janë thesare të çmuara që mund të na udhëheqin çdo ditë.

Në këtë muaj të bekuar, çdo akt i vogël i mirësisë ka një vlerë të madhe. Dhe në fund të ditës, Ramazani nuk është thjesht një periudhë sakrifice, është një mundësi për të qenë më të mirë, më të përulur dhe më të ndjeshëm ndaj botës që na rrethon.

Agjërim të lehtë dhe të pranuar për të gjithë besimtarët myslimanë!

Më poshtë gjeni kalendarin e Ramazanit 2025:

Lamtumirë Shqipëri! 44,400 shtetas shqiptarë morën shtetësinë e një vendi tjetër në BE

Në vitin 2023, 1.1 milionë njerëz morën nënshtetësinë e vendit të BE- së ku jetonin, një rritje prej rreth 6.1% (+60.200 persona) krahasuar me vitin 2022.

Shumica e shtetësive të reja janë dhënë nga Spanja (240,200; 22.9% e totalit të BE-së), Italia (213,600; 20.3%) dhe Gjermania (199,800; 19.0%).

Shumica (87.6%) e njerëzve që iu dha shtetësia e BE-së ishin shtetas të një vendi jo anëtar të BE-së. Qytetarët e një shteti tjetër të BE-së nga vendi i banimit përbënin 10.7%.

Ky informacion vjen nga të dhënat për marrjen e shtetësisë të publikuara nga Eurostat sot, Instituti Europian i Statistikave.

Sirianët, marokenët dhe shqiptarët ishin 3 fituesit kryesorë. Por ndërsa sierianët dhe marokenët i përkasin vendeve të botës së tretë, dhe janë vende me një popullsi gati sa 10-fishi i popullsisë së Shqipërisë,  në raport me këtë të fundit shqiptarët janë fituesit kryesorë të shtetësisë së një vendi tjetër në BE.

Në vitin 2023, shtetasit sirianë ishin grupi më i madh i qytetarëve të rinj të BE-së, me një total prej 107 500 shtetësish të reja të dhëna. Grupi i dytë më i madh ishin shtetasit marokenë me 106 500 shtetësi të dhëna, të ndjekur nga shqiptarët (44,400).

Shkalla e natyralizimit është raporti i numrit të personave që kanë marrë nënshtetësinë e një vendi ku jetonin gjatë një viti ndaj numrit total të banorëve joshtetas në të njëjtin vend në fillim të vitit.

Në vitin 2023, Suedia regjistroi shkallën më të lartë të natyralizimit midis vendeve të BE-së, me 7.9 shtetësi të dhëna për 100 banorë jo-shtetas, e ndjekur nga Rumania (5.9) dhe Italia (4.1). Në anën tjetër, normat më të ulëta të natyralizimit për 100 banorë jo-shtetas u regjistruan në shtetet baltike: Lituani (0.1), Letoni (0.4) dhe Estoni (0.5).

Lamtumirë Shqipëri! 44,400 shtetas shqiptarë morën

Në vitin 2023, 1.1 milionë njerëz morën nënshtetësinë e vendit të BE-së ku jetonin.

Marrësit kryesorë:

Sirianë (107 500 shtetësi të reja)

Marokenë (106 500)

Shqiptarë (44 400)

Lamtumirë Shqipëri! 44,400 shtetas shqiptarë morën

Në vitin 2023, normat më të larta të natyralizimit (raporti i shtetësive të dhëna nga BE-ja për 10 ishin regjistruar në 10 shtete)

Suedia (7.9 shtetësi të dhëna për 100 banorë joshtetas)

Rumania (5.9)

Itali (4.1)

“Isha me leje lindje, firmosa poshtë shtëpisë”/ Mesazhet, Bashkia e Fierit fonde Ajola Xoxës

CNA ka zbardhur një tjetër detaj nga dosja hetimore për Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën. Në vendimin e zbardhur nga gjykata del se edhe Bashkia e Fierit ka dhënë fonde për Ajola Xoxën për konsulencë ligjore.

Ines Dani, e regjistruar si person fizik që duhet të ushtronte aktivitetin e saj në mënyrë të pavarur, por sipas komunikimeve rezulton totalisht e varur financiarisht nga shtetasja Ajola Xoxa është “përdorur” edhe në firmosjen e një kontrate mes Bashkisë së Fierit dhe kompanisë së Ajola Xoxës.

Bashkia e Fierit ka nënshkruar një kontratë me Ines Danin, por sipas kësaj të fundit në komunikimet e pasqyruara në vendimin e gjykatës rezulton se nuk ia ka haberin se çfarë kontrate është, por shprehet se ka dalë poshtë shtëpisë, ndërkohë që ishte me leje lindje dhe ka hedhur vetëm firmën.

Aty shprehet qartë se nuk di asnjë detaj.

Shërbimi i shtetases Ines Dani ndaj Bashkisë Fier konsistonte në konsulencë ligjore për një ekspertizë të jashtme në propozim legjislacioni.

Pra Ines Dani merr përsipër të ofrojë ekspertizë ligjore për ndryshime apo draftime ligjesh. Pagesa e rënë dakord mes palëve është 24.650 euro. Kjo kontratë është në 19.12.2019.

Komunikimet e tregojnë qartë se Ines Dani nuk ka asnjë dijeni për kontratën sigurisht që nuk është ajo përfituesja e këtyre parave, por përfituesja fundore e këtyre shumave është vetë Ajola Xoxa dhe kjo provohet në komunikimet në vijim.

KOMUNIKIME DHE DETAJE
Në këtë pikë, shtetësja Adela Kondakçiu thërret në skenë atë që duket se është iniciatorja dhe personi që ka siguruar në të vërtetë kontratën me Bashkinë Fier.

Adela Kondakçiu thotë: TË SQAROHEM EDHE NJË HERË ME AJOLEN?

Ines Dani natyrshëm i përgjigjet: PO. UNE NUK KAM CA TË BEJ.

Pra, personi fizik që duhet të përfitojë të hollat e konsiderueshme nga Bashkia Fier, nuk shfaq interes në lidhje me këtë, duke thënë qartë që ajo veç firmën ka vënë dhe se duhet folur me Ajolën pasi ajo nuk ka ca të bëjë.

Edhe kur Adela Kondakçiu e pyet në lidhje me vlerën finale, nëse ajo është 24.650 euro (faqja 171), Ines Dani i përgjigjet: PO, BESOJ.

Adela, në të njëjtën faqe vijon duke e pyetur. Ti nuk ke firmosur kontratë?

Ndërsa Ines Dani i përgjigjet: Unë di që e kam firmosur para ca muajsh, ose më saktë 1 vit fare. ISHA ME LEJE LINDJE KUR FIRMOSA SHPEJT E SHPEJT POSHË SHPISË.

Kur Adela e pyet nëse kanë kopje, Ines Dani i përgjigjet në faqen 173: JO, UNE JO.

Nga i gjithë komunikimi por edhe ai që do pasojë provohet qartë se fondet publike të cilat do të jepen (siç rezultojnë më pas të jenë dhënë) nga Bashkia Fier, në formë shërbimi për konsulencë ligjore, janë siguruar nëpërmjet ndikimit të ushtruar nga shtetësja Ajola Xoxa tek autoritetet e bashkisë Fier, dhe kjo e fundit është përfituese fundore e tyre, siç do të provohet në vijim.

Duke iu rikthyer lëvizjeve në llogarinë e personit fizik Ines Dani, kjo e fundit, i thotë Adela Kondakçiut, praktikisht duke i dhënë llogari: Unë tërhoqa 40.000 të reja nga llogaria. Kisha aq në gjëndje.

Më datë 04.05.2021, Adela i thotë Ines Danit: Po duhet marrë edhe një statement për pagesën e Fierit nëse ka kaluar. Agroni tha që në prill do të mbyllej.

Më datë 06.05.2021 duket se Ines Dani ka bërë aplikim për pezullim të aktivitetit të saj si person fizik, por nuk di nëse i është aprovuar. Në fakt nuk i është aprovuar se, sipas njoftimit të Adelës, ka detyrime tatimore të papaguara.

Më datë 15.06.2021 Adela njofton Ines Danin se pagesa nga Bashkia Fier kishte kaluar një ditë më parë. Në këtë pikë, biseda bëhet interesante.

Adela pyet Ines Danin: Keni rënë dakord si do tërhiqen fondet apo ta diskutoj unë?

Kuptohet qartë se tërheqja e këtyre fondeve, të cilat supozohet të jenë të personit fizik Ines Dani, pra në thelb të shtetases Ines Dani, duhet të diskutohet paraprakisht me persona të tjerë. Adela thotë që mund të diskutonte dhe ajo.

Në këtë rast, si edhe në rastet e tjera, është e qartë se personi i vetëm me të cilin mund të diskutonte dicka të tillë, për shuma të tilla, është shtetësja Ajola Xoxa.

Ines Dani, për fondet që supozohet të ishin të saj për shkak të shërbimit të ofruar në kontratë, i thotë: DISKUTOJE. Adela i përgjigjet: OK.

Pikërisht në këtë periudhë, Adela i dërgon Ines Danit-një faturë të thjeshtë tatimore e cila duket se është leshuar fiktivisht rreth dy jave para kalimit të fondeve nga Bashkia Fier.

Një përfundim i tillë arrihet duke parë formën e faturës, e cila mund te leshohet në çdo moment në vitin 2021 por të deklarohet brenda vitit, për shkak të mungesës së sistemit online në kohë reale.

Gjithashtu, në rend kronologjik tek komunikimet e administruara, fatura i është dërguar shtetases Ines Dani pas kalimit të fondeve nga Bashkia Fier dhe jo më parë.

E thënë më thjesht, fatura është lëshuar më parë për të shmangur dyshimin se menjëherë me kalimin e fondeve nga Bashkia Fier në favor të Ines Danit, kjo e fundit ka kërkuar shërbime të cilat do të paguheshin në favor të personit fizik Greta Domi.

Nga ana tjetër, përshkrimi i faturës është një element tjeter me interes për hetimin.

Në këtë rast, një person fizik si Greta Domi, në fushën e avokatisë, i ofron shërbime konsulence ligjore një personi tjetër fizik në të njëjtën fushë, shtetases Ines Dani, e cila “ka qëlluar” që në të njëjtën periudhë kohore të ketë përfituar një shumë të konsiderueshme nga Bashkia Fier.

Fatura në fjalë mban numrin 6 dhe është lëshuar për konsulencë ligjore për vlerën 1.234.000 lekë.

Pasi Adela i dërgon faturën, i thote: Fatura e Gretes (fage 204).

Ines Dani i përgjigjet: Ok. Paqartësia e Ines Danit në ndarjen e të hollave tregohet edhe në faqen 221 të komunikimeve, ndërsa Adela i thotë që ka një gjëndje kreditore të tatimet në vlerën 46.703 lekë, dmth që shteti duhet t’i japë lekë Inesit.

Në lidhje me këtë, Ines Dani pyet: Janë të miat apo tuajat?

Kjo tregon qartë përfshirjen e Bashkisë së Fierit që ka dhënë fonde për kompnaitë e Ajola Xoxës për konsulencë ligjore. Ajola Xoxa përdor Ines Danin për injektimin e parave./ CNA

Rama me Berishën ta ndajnë kur ka ikur amerikani i fundit, se po u bë si ‘gjermani i fundit’, do kalben në burg!

NGA BATO KOSOVA

Ndonëse kanë kaluar shumë vite dhe rrethanat dhe kohërat kanë ndryshuar, ende në politikën shqiptare vijon debati lidhur me datën e ikjes së gjermanit të fundit, në 28 apo 29 Nëntor.

Ky debat ‘historik’ është shpërfaqur ditët e fundit në një debat ‘politik’ mes Ramës dhe Berishës, mirëpo kësaj radhe jo për gjermanin, por për amerikanin e fundit.

Nëse deri më dje Berisha thoshte se nuk ka amerikan në SPAK, sepse i vetmi ‘amerikan’ që e kontrollon atë është Edi Rama, sot Rama thotë që amerikanët ikën dhe jam unë dhe PS-ja ata që e ‘mbrojnë’ Prokurorinë e Posaçme.

Nëse deri dje Berisha thoshte se ishin amerikanët e Sorosit që më goditën nëpërmjet SPAK-ut, tani thotë që do të ribëjë SPAK-un nga e para me amerikanët e tjerë, ndërsa, nga ana tjetër, Rama akuzon prokurorët e SPAK-ut dhe gjykatësit e GJKKO-së si ‘ushtar’ të Berishës.

Mirëpo, ndërkohë që Berisha dhe Rama zhvillojnë këtë ‘betejë epike’ për amerikanin e fundit, proceset e inceneratorëve, të Gërdecit, të CEZ-it etj. vijojnë.

Ndërkohë që ‘sivëllezërit’ e Ramës dhe të Berishës, që festuan me shampanjë fitoren e Trumpit në SHBA, vijojnë hallet e tyre me drejtësinë.

Në Bosnje, ‘binjaku’ i Berishës, u dënua nga gjykata, ndonëse kishte marrë avokat njeriun e Trumpit, ndërsa ai i Rumanisë, që zëvendësi i Presidentit të SHBA-ve e mbrojti në Gjermani, u arrestua dhe iu kapën edhe 10 milionë euro me pasaportën gati për në Moskë. Ndërkohë që ‘kushëriri i parë’ i Ramës, Gruewski, edhe pse me partinë e tij në pushtet, nuk po kthehet dot nga arratia ku ndodhet në arrati.

Në një kohë që Berisha dhe Rama zihen për amerikanin e fundit dhe ‘proamerikanët’ e flaktë të Ballkanit dënohen nga gjykata, Agaçi i Ramës është ‘sëmurë rëndë’ dhe nuk dihet se ku është, ndërsa pritet firmosja në GJKKO për telefonin e Ramës dhe masë për të gjithë zyrtarët e qeverisë, kurse një masë e dytë për Veliajn për inceneratorin është gati.

Në këtë panoramë shumëngjyrëshe, Gjykata e Lartë, nuk pranoi lirimin e Ilir Metës, edhe pse Rama dhe Berisha u investuan së bashku për të pasur një precedentë në këtë gjykatë për veten e tyre. Si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, Dumani do të shprehej se e kanë të kotë.

Tani pyetja që shtrohet është: ka ikur amerikani i fundit apo jo, dhe në çfarë date? Ta ndajnë sa më parë, se do t’i gjejë si puna me gjermanin e fundit, që kanë 34 vite e zihen.

Mirëpo, i bie që ndërsa bëjnë këto debate ‘konstruktive’, të kalben në burg e t’u hidhen çelësat në oqean, nga ku të vijojnë të qetë diskutimet për amerikanin e fundit./Alfapress.al

SPAK “godet” sërish pasuritë e vëllezërve Çopja, sekuestrohet vila luksoze

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes njoftimeve të datave, 01.08.2024, 21.01.2025 dhe 20.02.2025 informoi mbi procedimin e një organizate kriminale kriminale me bazë në qytetin e Elbasanit, e cila drejtohej nga vëllezërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimet e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme që dyshohet se janë produkt i veprës penale.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar kryerjen e hetimeve për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe te paluajtshme që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.

Më datë 23.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 117, datë 15.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së paluajtshme në adresën; Lagjia “5 Maji”, Elbasan, e cila është njësi banimi në pronësi dhe përdorim të familjes së vëllezërve F.G. (alias F. Ç) dhe H.B. (alias H. Ç), këta të fundit persona nën hetim sipas procedimit penal nr.75, viti 2022, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër jetës dhe pronës, si dhe të pastrimit  të produkti të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale.

Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private, me 2 (dy) kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.

Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi – ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto  hapësira plotësisht të mobiluara.

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit për “injektimin” e parave

Një tjetër skandal ka dalë nga dosja hetimore e SPAK-ut e zbardhur në vendimin e gjykatës nga gjyqtari Erjon Bani.

Këtë herë bëhet fjalë se si bashkëshortja Ajola Xoxa përdorte punonjësit e saj në skemën e “injektimit” të parave.

Rasti që do të sjellim sot ka të bëjë me shtetasen Ines Dani, avokate, e cila ishte një person fizik që zyrat i kishte në kompaninë e Ajola Xoxës.

Si person fizik, Ines Dani nuk duhet të priste që faturimet t’i bëheshin nga dikush tjetër, por të gjeneronte të ardhurat falë aktivitetit të saj.

Por sipas komunikimeve të zbardhura në këtë vendim Ines Dani është thjesht “masha” e Ajola Xoxës për të injektuar para.

KOMUNIKIMET DHE DETAJET
Ines Dani i kërkon Adelës më datë 20.05.2019: Unë kam nevojë patjetër për një faturim. Sepse jam sh keq me deklarimin e të ardhurave. Me dalin shumë shpenzime dhe asnjë e ardhur. Kam kredinë, kartat e kreditit dhe sigurisht ushqehem ndërkohë. Nuk po i justifikoj dot. TË LUTEM THUAJI AJOLËS. Do t’i them edhe unë por ti mbase ke kontakt më shpejt për gjëra të tilla.

Adela Kondakçiu: Ok, të flas kur të takohem me të. Sepse, nuk është se keni fatura për të bërë sipas dijenisë time.

Ines Dani: Nuk di c’të them. Unë jam në një situatë të vështirë. SE MUA PO MË DEL ASHIQARE FSHEHJE TË ARDHURASH…kur unë i kam këto të ardhura. Kam shumë merak. Se mbi të gjithë, vë në rrezik bashkëshortin tim që është në punë shteti.

Adela Kondakçiu: Të them të drejtën se kam idenë. Ju duhet t’i kishit diskutuar para hapjes së NIPT it këto, Gjithsesi nëse duhet mbase mund të gjejmë një zgjidhje. Të flas me Ajolen.

Ines Dani: Po pra, por u mendua që do faturohej më shumë nga unë. Pra, unë do kisha të ardhura. Jo kshu. Hapje NIPT i dhe asnjë faturim.  Kjo është lemeri. Ne e kemi folur bashkë sa do ishte mesatarisht xhiroja dhe të ardhurat. Kanë kaluar 5 muaj dhe asgjë. Sa herë kemi nevojë të flasim??? KUPTOHET QË KJO S’TË TAKON TY. PO FLAS PËR ZYRËN.

Adela Kondakçiu: Ne kemi folur bashkë për xhiro minimale maksimale. Jo për vlera faturimesh me sa mbaj mend. GJITHSESI TË FLAS ME AJOLËN SE FATURIMET I CAKTON AJO.

Ines Dani: Kemi folur sa mund të shkojë NIPT i im. Unë për këtë të kam pyetur se kjo më ka interesuar që të dija ca do ndodhte me shpenzimet e mia.

Adela Kondakçiu: Po pra. Sa mund të shkojë limiti. SIPAS INTERESIT TË ZYRËS. Ines Dani i përgjigjet: Ok, por të lutem sa më shpejt. Se po filluan të më kërkojnë shpenzime, vari lesht pastaj. POR SE SA FATUROHET realisht e PËRCAKTON DIKUSHI TJETËR.

Ines Dani: Po pra. Por jo Zero. E kam ZERO fare. Kupton? NUK MË THA NJERI QË DO RRINTE ZERO FARE. Adela Kondakçiu: DO TA DISKUTOJME ME AJOLEN SE NUK VENDOS UNË.

Ines Dani: Edhe unë do e flas. Por të lutem fole edhe ti. Më mirëkupto. UNË E DI KUSH E VENDOS. Por si financierja e zyrës po ta parashtroj edhe ty që të flasësh për këtë situatë.

Adela Kondakçiu: Sapo të kem mundësi do flas me të.

Në faqen 112 evidentohet sërish prodhimi i faturave në emër të shtetases Ines Dani, për shërbime që nuk rezultojnë të jenë kryer nga kjo e fundit, dhe për të cilat duket qartë se nuk asnjë dijeni. Jo vetëm kaq, subjektet tregtarë që kërkojnë shërbimin, pra ata që paguajnë të hollat, në këtë rast rezultojnë të lidhur ngushtë me interesa financiarë më bashkinë Tiranë.

Konkretisht, në faqen 112 shtetësja Adela Kondakçiu njofton shtetësen Ines Dani: Kam bërë edhe një faturë tjetër nga ty sot.

Pra, Ines Dani nuk ka asnjë ide për shërbimin që ka ofruar, subjektit të cilit ja ka ofruar dhe sigurisht për faturën që është lëshuar. Kjo, sepse personi i parë që pëmend këtë faturë dhe e njofton për lëshimin e saj është Adela Kondakçiu, pa ju kërkuar në asnjë moment kjo gjë nga shtetësja Ines Dani.

Në vijim, në faqen 113 Adela i dërgon Ines Dani me foto një faturë tatimore shitje.

Konkretisht bëhet fjalë për faturën nr. 15 datë 26.11.2020, lëshuar nga personi fizik Ines Dani, në cilësinë e shitësit të shërbimit, për subjektin tregtar “FUSHA” shpk, në cilësinë e blerësit të shërbimit.

Nga fatura rezulton se Ines Dani ka faturuar “FUSHA” shpk për shërbime konsulencë ligjore në vlerën 9.000 euro +TVSH, gjithsej 10.800 euro, që me kursin e kohës 1 curo-123 lekë, llogaritet në vlerën rreth 1.328.400 lekë (me TVSH).

Ines Dani pasi njihet me faturën i thotë Adelës vetëm: ok.

Por në këtë pikë, gjithnjë në faqen 113, Ines Dani kujtohet të kërkojë diçka që paraqet shumë interes për hetimin, përsa kohë provon xhirimin e parave për faturime fiktive nga subjekte tregtarë të lidhur me bashkinë Tiranë në llogarinë e saj si person fizik, dhe përsa kohë nga ana tjetër, shfaq mekanizmin e kalimit të këtyre përfitimeve të paligjshme nëpër llogaritë bankare deri në mbylljen e plotë të ciklit të destinacionit të të hollave, duke nxjerrë në pah mjaft qartë se në favor të kujt përfundojnë ato.

Konkretisht, Ines Dani pasi njihet me faturën i thotë Adelës: Na bëj një tabelë për hyrjet dhe daljet nga llogaria ime, që të di sa janë të miat dhe sa jo.

Adela Kondakçiu i përgjigjet : Po do ta bëj. Ines kjo ka qenë gjëndja deri në fund të tetorit me tërheqjet, nëse ke tërhequr në nëntor duhet zbritur nga vlera e mbetur dmth kjo vlera 357.219 lekë.

Nga tabela e derguar tek shtetësja Ines Dani rezulton se totali në llogarinë e shtetases Ines Dani është 965,149 lekë, të cilat përbëhen nga gjendja ekzistuese e llogarisë, pagat e Inesit (maj-nëntor) (ndërkohë që është përson fizik).

Tërheqjet e bëra nga Inesi, në muajt Qershor-Tetor, sipas tabelës janë 607.930 lekë dhe pjesa e mbetur për t’u terhequr është 357.219 lekë.

Për të sqaruar paqartësitë e organit procedues në lidhje me këtë tabelë, dhe në thelb me përgjigjen e pyetjes se sa realisht përfiton shtetësja Ines Dani nga puna e saj si avokate e licensuar si person fizik, ka menduar vetë kjo shtetase në komunikimet e faqes 117.

Ines Dani pasi njihet me tabelën pyet Adela Kondakçiun: 357 janë të miat?

Adela Kondakçiu i përgjigjet: Po.

Por, shtetësja Ines Dani pas saktësimit se sa para ishin të saj dhe sa jo, i drejtohet Adelës duke i thënë: ADELA, DO E FLAS EDHE ME AJOLEN, POR PARAPRAKISHT, NËSE DO JU DUHET TË TËRHIONI LEKË NGA LLOGARIA PF (PERSON FIZIK) IME, MË THUAJ MUA MË PËRPARA QË TË TI JAP UNË DHE MOS TI TËRHEQESH TI NGA LLOGARIA. (KONFIDENCIALE KJO ).

Pra, më se pari është e qartë se në llogarinë e personit fizik Ines Dani nuk është vetëm titullari i saj që disponon, por edhe Ajola Xoxa. Jo vetëm kaq, por ky komunikim provon faktin që të ardhurat e gjeneruara de jure nga personi fizik Ines Dani, në një mënyrë ose një tjetër, në rastin konkret nëpërmjet tërheqjeve në llogari, merren nga shtetësja Ajola Xoxa.

Në lidhje me këtë kërkesë, Adela Kondakçiu i thotë Ines Dani se këtë radhë pagesa, siç i kishte thënë Ajola, do të kalohej ndryshe.

Konkretisht: Në faqen 134, në përgjigje të kërkesës së Ines Dani për të mos bërë tërheqje nga llogaria e saj si person fizik, Adela Kondakçiu i thotë: PAGESA ME KA THËNË AJOLA QË DO KALOJË ME TRANSFERTË TË HARABEL NË FAKT. Sa është thënë në këtë komunikim provohet me xhirimet bankare të evidentuar në statement e llogarisë së OJF “Harabel”.

Pra, në rastin konkret, sipas udhëzimeve të Ajola Xoxes lekët nuk do të merren direkt nga llogaria e personit fizik Ines Dani, në formë CASH, por do të kalohen me transfertë bankare në një OJF të kontrolluar plotësisht nga shtetësja Ajola Xoxa. Një gjë e tillë në fakt edhe ka ndodhur dhe është e njëjtë me mekanizmin e përdorur edhe nga personi tjetër fizik që ushtron aktivitetin e avokatisë në zyrat e “Partners Lae”, shtetësja Greta Domi.

Ines Dani ka vetëm një përgjigje: Ok

Adela Kondakçiu vijon diskutim në lidhje me këtë ide të Ajolës, duke i thënë Ines Danit: INES MUND TË KALOJMË 4.000 EURO PLUS TVSH TE HARABEL KËTË DHE PJESËN TJETËR VITIN TJETËR.

Thënë ndryshe, shuma e të hollave që në rastin konkret kalohet nga “FUSHA” shpk tek personi fizik Ines Dani, për shërbime konsulence ligjore, me urdhër të Ajola Xoxes kalohet më pas pjesërisht tek organizata “Harabel”.

Në përfundim organi procedues ka arritur në përfundimin se mekanizmi që përmendet në komunikimet e bëra mes financieres Adela Kondakçiu dhe avokates Ines Dani e regjistruar si person fizik për tërheqjen e parave cash dhe me transfertat në OJF-të e Ajola Xoxës të kontrolluara vetë nga Ajola, të bëra nga subjekte që kanë përfituar nga Bashkia e Tiranës, dëshmon rrugën e ndjekur për pastrimin dhe injektimin në sistemin bankar të përfitimeve të paligjshme të siguruara nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, Ajola Xoxa./ CNA

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Dokumentet/ SKEMA e Ajola Xoxës, si i përdorte punonjësit

Rruga Elbasan-Qafë Thanë ndan fshatin në 2 pjesë, banorët e Hotolishtit dorëzojnë peticionin me 511 firma

Banorët e Njësisë Administrative Hotolisht, në Librazhd, janë shprehur të shqetësuar për ndikimin negativ që mund të ketë zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë mbi jetën e e komunitetit të kësaj zone dhe të fshatit tyre, ndërsa duhet të ndodhë e kundërta.

Ata janë të shqetësuar për shkatërrimin e lagjes historike dhe nga më të bukurat përgjatë luginës së Shkumbit. Ky projekt shkatërron dhjetra vila dhe shtëpi dhe ndikon negativisht në ekonomi dhe jetesën e tyre.

Kundërshtimi i këtij projekti ka sjellë firmosjen e një peticioni nga 511 banorë, të cilët kërkojnë që ky projekt të rishikohet menjëherë dhe rruga sipas tyre të kalojë përmes një tuneli ose të devijohet nga ana e lumit Shkumbin.

Rruga Elbasan-Qafë Thanë ndan fshatin në 2 pjesë,

Ata theksojnë se nuk janë kundër zgjerimit të rrugës, por janë të shqetësuar për mënyrën se si është parashikuar kalimi i saj mes për mes fshatit, gjë që mund të çojë në shkatërrimin e shtëpive të tyre dhe të krijojë pasoja të tjera të padëshiruara për jetën e përditshme të komunitetit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka deklaruar se është duke rishqyrtuar projektin për të minimizuar ndikimin në komunitet, duke përfshirë mundësinë e kalimit të rrugës përmes një tuneli. Megjithatë, banorët shprehen të pakënaqur nga mungesa e informacionit dhe transparencës deri tani dhe kërkojnë një përgjigje të qartë dhe një zgjidhje që do të mbrojë fshatin dhe jetesën e tyre.

Nëse nuk merren masa për të adresuar shqetësimet e tyre, banorët kërcënojnë se do të organizojnë protesta për të kërkuar që zgjidhja të jetë e pranueshme dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të ardhmen e fshatit.