13.5 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Kreu i KQZ takim me Altin Dumanin dhe Olsian Çelën! Celibashi: Nënshkruam protokollin për parandalimin e krimeve zgjedhore

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka zhvilluar sot një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.

dumani celibashi cela spak kqz zgjedhjet (5)

Gjatë këtij takimi është nënshkruar Protokolli i Koordinimit dhe Bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, për masat e ndërmarra për zgjedhjet e 11 majit.

“Ky protokoll është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025”, shkruan Celibashi.

dumani celibashi cela spak kqz zgjedhjet (3)

Ky bashkëpunim synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon procesin zgjedhor, duke forcuar kështu drejtësinë zgjedhore dhe duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

dumani celibashi cela spak kqz zgjedhjet (1)

Postimi i plotë i Celibashit

Sot në mjediset e KQZ Shqiperi, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK, z. Altin Dumani, nënshkruam Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ky protokoll është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nëpërmjet këtij protokolli parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve të përfshira.

⚖️ Ky bashkëpunim i strukturuar synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon procesin zgjedhor, duke forcuar kështu drejtësinë zgjedhore dhe duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

✅ Me këtë marrëveshje, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK riafirmojnë angazhimin e tyre për një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe normat e Bashkimit Evropian.

Protokolli është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur transparencën dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse për administrimin dhe monitorimin e tyre.

Bashkëpunimi do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të pandërprerë mes palëve për të garantuar që çdo rast i dyshuar apo çdo përpjekje për të ndikuar në procesin zgjedhor të adresohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.

dumani celibashi cela spak kqz zgjedhjet (6) dumani celibashi cela spak kqz zgjedhjet (4) dumani celibashi cela spak kqz zgjedhjet (2)

FAKE NEWS i prodhuar kundër Bashës dhe bashkëshortes, lajmi i rremë zhduket nga portali

Mbrëmjen e djshme Syri.net publikoi një lajm të rremë mbi bashkëshorten e kreut të Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Bashës, në të cilin pretendohej se Aurela Basha ka qenë drejtuese e programeve në East West Management Institute, një institut që ka vepruar në Shqipëri me financim të USAID. Por pas reagimit të Lulzim Bashës, lajmi i gënjeshtërt u zhduk nga media online, si dëshmi e pavërtetësisë të tij.

Sulmi ndaj Bashës dhe bashkësortes së tij, në vazhdën e malit të akuzave dhe teorive konspirative që i janë sajuar për të goditur imazhin e kreut të demokratëve euroatlantikë, u hodhë poshtë nga vetë Basha, fill pas publikimit të lajmit të rremë.

Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Basha ka sqaruar se bashkëshortja e tij nuk ka punuar asnjëherë për East West Management Institute, por për organizatën holandeze East-West Parliamentary Practice Project, e cila financohet nga qeveria holandeze dhe Bashkimi Europian.
Ai më tej thotë se Berisha ka humbur çdo pikë dinjiteti, duke shpërndarë mashtrime të ulëta, ndërkohë që e di shumë mirë se ai dhe zyrtarët e PD-së, në ditët e saj të vështira, kanë qenë përfituesit kryesorë nga organizata e drejtuar nga bashkëshortja e tij.
“Organizata e Sali Berishës duhet të bëjë transparencë mbi financimet e saj në radhë të parë, ndërsa halli i Berishës dhe familjes së tij nuk zgjidhet me mashtrimet e ndyra që ai përhap përmes altoparlantëve të tij”, thekson Basha.

Reagimi i plotë i Bashës:

Organizata e Sali Berishës ka shpërndarë sot një tjetër mashtrim, në lidhje me familjen time.
Së pari, bashkëshortja ime nuk ka punuar kurrë dhe as nuk punon për East West Management Institute.
Ajo ka punuar për organizatën holandeze East-Ëest Parliamentary Practice Project, e cila financohet tërësisht nga qeveria holandeze dhe BE, dhe nuk është financuar asnjëherë nga qeveria apo ndonjë organizatë amerikane.
Sali Berisha e ka humbur çdo pikë dinjiteti, duke shpërndarë mashtrime të ulëta, ndërkohë që e di shumë mirë se ai dhe zyrtarët e PD-së, në ditët e saj të vështira, kanë qenë përfituesit kryesorë nga organizata e drejtuar nga bashkëshortja ime.
Organizata e Sali Berishës duhet të bëjë transparencë mbi financimet e saj në radhë të parë, ndërsa halli i Berishës dhe familjes së tij nuk zgjidhet me mashtrimet e ndyra që ai përhap përmes altoparlantëve të tij.
Shqipëria meriton më shumë!

Por ndonëse lajmi u fshi, shija e keqe për atë që u gatua me dashakeqësi mbetet.
Në veçanti kur sulme të tilla janë bërë një traditë e mediave të kontrolluara nga Rama dhe Berisha, që tregojnë përmes këtij investimi kundër Bashës sa të investuar janë për të mbrojtur status quo-në me çdo mjet, politik, ekonomik dhe mediatik.

Kujtojmë këtu fushatën e nisur nga Rama para zgjedhjeve të vitit 2021, ku u sajua një histori lebetitëse mbi kasetën e Krushës, ku Basha akuzohej nga qeveria për fshehjen e pamjeve të masakrës të ndodhur në Kosovë nën regjmin e Milosheviçit. Akuza që jo vetëm synonin të godisnin një pikë të fortë të Bashës në raport me rolin e tij pozitiv në ngjarjet në Kosovë, punën për Gjykatën e Hagës dhe në formimin e institucioneve të atjeshme pas çlirimit. Një baltë e hedhur nga kundërshtari politik, për të bërë pis kandidatin e opozitës për kryeministër, por me pasoja jo pak të rënda për ngjarjet e pasluftës, sepse narrativa e ngritur nga Rama dhe të tijët, i bënte jehonë akuzave të agresorëve, Serbisë.
Po aq e rëndë ishte ndër të tjera edhe historia e rreme e “rublave ruse”, e cila rezultoi një manipulim i nisur nga zyrat e Edi Ramës, e faktuar tashmë edhe nga hetimet dhe dënimet e dhëna nga institucionet amerikane të drejtësisë, ndaj Charles McGonigal.

Pjesë e këtyre sajesave u bë më vonë edhe Sali Berisha, që pas sanksionimit non-grata, kishte të nevojshme goditjen e Lulzim Bashës me çdo mjet, për të shmangur debatin nga halli i tij persoanl. Berisha u bë riciklues i mashtrimeve të prodhuara nga qeveria ndaj Lulzim Bashës, një ndër to edhe historia e McGongial. Madje aq qesharake u bë çështja, sa duke legjitimuar akuzat e sajuara nga Rama, ngriti një komision auditit të drejtuar nga Ledina Mandia, i cili përfundoi në koshin e plehrave pasi mediat prestigjoze dhe insitucionet amerikane zbuluan të vërtetën për mbi akuzat e prodhuara kundër Bashës.

Këto janë vetëm pak raste nga thesi i madh i gënjeshtrave që sjellin në kujtesë luftën e ashpër dhe të shtrenjtë ndaj kreut të demokratëve euroatlantikë. Një thes që u fry pak më shumë me lajmin e rremë të prodhuar ditën e djeshme, i cili fakton se për Ramën dhe Berishën, Basha mbetet kundërshtari i vetëm, për goditjen e të cilit, janë gati të paguajnë shtrenjtë e të korruptojnë këdo.

Sulmet kundër SPAK, BIRN: Rama po ‘mbjell farën e mosbesimit’ te sistemi i drejtësisë

Kryeministri Edi Rama i çoi të mërkurën një hap më tej sulmet e nisura pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, kur shpalli gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste se nuk do t’i pranonte më masat e sigurisë së lëshuara prej tyre.

“…këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha kryeministri.

Takimi u thirr enkas për të shenjestruar SPAK dhe GJKKKO lidhur me 24 masa sigurie për punonjësit e Universitetit Bujqësor të Tiranës, që akuzohen për abuzim me tenderat. Rama i quajti të martën masat e sigurisë të marra “pa gjyq” dhe ftoi rektorin Fatbardh Sallaku të fliste para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Në një fjalim prej gati 6 mijë fjalësh, Rama tha se “drejtësia i ka sytë më gjak” dhe hera-herës mori edhe rolin e mbrojtësit të saj, ndërsa e akuzoi strukturën e posaçme për shkelje të të drejtave të njeriut. Rama premtoi se nuk do ta toleronte më këtë.

“Tani merrini dhe shikojini sesa zgjatje ka në parburgimet e kësaj drejtësie, që ka gjithë mbështetjen tonë për të qenë e pavarur, por nuk ka për ta pasur më heshtjen tonë kur pavarësia kthehet në “Carta Bianca” për të shkelur të drejtat e njeriut,” deklaroi Rama.

Ekspertët e sistemit të drejtësisë dhe monitorues të tij i thanë BIRN se qëndrimet e kryeministrit ishin të pabazuara dhe tingëllonin si ftesë për të shkelur ligjin dhe për të minuar besimit të publikut te drejtësia.

Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndo i tha BIRN se retorika e kryeministrit Edi Rama të kujtonte raste flagrante të së shkuarës ku drejtues të ekzekutivit nuk kanë pranuar vendimet e sistemit të drejtësisë.

“Në të kaluarën kemi patur rast flagrant të mosekzekutimit të urdhrave të ndalimit të prokurorisë nga Policia e Shtetit, sikurse kanë qenë ngjarja e 21 Janarit. Çdo vendim gjyqësor është i detyrueshëm për t’u zbatuar dhe kushdo që pengon zbatimin e tij duhet të procedohet për shpërdorim detyre (neni 248 i Kodit Penal), pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës (neni 320) apo mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës (neni 320/a)”, tha Skëndaj.

Ndërkohë, juristi Ervin Metalla i vlerëson deklarimet e kryeministrit Edi Rama në kuadrin e retorikës politike me qëllim cënimin e besimit te drejtësia, më shumë se sa një kërkesë të drejtpërdrejtë për të mos i zbatuar vendimet e gjyqësorit.

“Kjo nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që konsiderohet shtet,” tha Metalla duke iu referuar zbatimit të vendimeve.

Sipas tij, Rama përmes mospranimit lë të kuptohet se do të vazhdojë t’i kundërshtojë këto vendime me të njëjtën retorikë që ka përdorur deri tani, duke cënuar besimin te drejtësia.

“Në këtë kuptim, nuk më duket se ekzistojnë ende premisat për një krizë kushtetuese, por retorika në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse mbjell farën e re të mosbesimit tek institucionet e drejtësisë së re që prodhoi reforma,” shtoi Metalla.

Kryeministri Edi Rama ndryshoi publikisht qëndrimin e tij ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Më parë, Rama dhe politikanë të tjerë të Partisë Socialiste aplikuan politikën e refuzimit të komenteve për hetimet dhe arrestimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme në radhët e mazhorancës. Pas arrestimit të Veliajt, Rama është përfshirë në sulme dhe replika ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes, duke paralajmëruar një reformë të re në sistemin e drejtësisë.

Të mërkurën në dëgjesën me rektorin e Universitetit të Kamzës, Rama nuk ngurroi të tërhiqte paralele mes Gjykatës së Posaçme dhe regjimit totalitar në Shqipëri dhe vendimet e Gjykatave në Rusi.

“Ky është fundi, kjo është gjuha e Vladimir Vladimiroviç Putinit. Kjo nuk është gjuha e Evropës,” tha Rama, si pjesë e argumenteve për të mos njohur masat e sigurisë.

Kryeministri madje aludoi se SPAK e kishte bërë Shqipërinë problematike për Komitetin e Parandalimit të Torturës në Këshillin e Europës. “Kjo nuk ka lidhje me pandëshkueshmerinë, kjo nuk ka lidhje me hetimet profesionale, kjo nuk ka lidhje me drejtësinë europiane, nuk është e rastit që jemi një problem për Komitetin e Torturës”, tha ai ndër të tjera.

Ndryshe nga pretendimet, BIRN nuk gjeti asnjë përmendje të SPAK apo Gjykatës së Posaçme në raportin e fundit Komitetit të Parandalimit të Torturës për Shqipërinë. Rama po ashtu iu referua rastit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, i dënuar me vendim të formës së prerë për shpërdorim detyre, por që sipas një vendimi të fundit të Gjykatës së Strasburgut, duhej të ishte gjykuar me një masë sigurimi më të butë se “arresti me burg”. Kryeministri pretendoi se rasti në fjalë ishte një parashikim se masat e sigurisë do gjendeshin problematike edhe në të ardhmen dhe se për këtë do të paguante taksapaguesi.

Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skendaj tha se këto kritika ishin të pabazuara. Skëndaj tha se monitorimet e tyre të kryera ndaj gjykimeve për çështje të korrupsionit tregonin se Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme respektonin të drejtën dhe procesin e rregullt.

“Monitorojmë atje ku kemi të drejtën e aksesit në vendimmarrje dhe monitorimet e disa seancave gjyqësore për çështjet e korrupsionit në harkun e viteve 2023-2024 kanë nxjerrë në pah respektim të së drejtës për proces të rregullt nga organi i prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme,” tha Skëndaj për BIRN.

Ajo shtoi se sistemi i drejtësisë i ndërtuar me shkallë është i aftë të kontrollojë dhe korrigjojë veten dhe nëse kjo nuk arrihej, palët mund t’i drejtoheshin GJEDNJ-së.

“Ne kemi një sistem gjyqësor që garanton të drejtën e ankimit të çdo shtetasi dhe korrigjon shkeljet e lidhura me proceset penale në ngarkim të tyre. Nëse sistemi i brendshëm dështon, kemi gjithashtu Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila edhe për vende me demokraci të zhvilluar ka konstatuar shkelje të Konventës kur bëhet fjala për nenin 5 (e drejta për liri dhe siguri) apo nenin 6 (e drejta për një proces të rregullt)” tha Skëndaj.

Duke iu referuar pretendimeve të Ramës për GJEDNJ, Skëndaj tha se ato ishin korrigjuese dhe se GJKKKO i përdorte ato si referenca.

“Por këto vendimmarrje të GJEDNJ-së nuk duhet të keqpërdoren për të dëmtuar punën dhe imazhin e institucioneve të drejtësisë. Në të kundërt, kjo do të minonte parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe do krijonte një klimë të dëmshme paragjykuese në publik”, tha ajo.

Përkundër asaj që pretendon kryeministri, Skëndaj thotë se sulmi denigrues prej zyrtarëve të lartë dhe personave nën hetim ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është i patolerueshëm dhe i pajustifikuar “në një shtet të së drejtës dhe në në një vend demokratik”, ndërsa thekson se “kjo praktikë duhet të marrë fund”.

Për avokatin Metalla, retorika e përdorur nga kryeministri Edi Rama ka si qëllim jo vetëm cënimin e besimit te sistemi i drejtësisë, por edhe presionin ndaj gjykatave më të larta që do të shqyrtojnë çështjet në fjalë.

“Veç minimit të besimit të publikut tek drejtësia, kjo retorikë zhvlerësuese, përcjellë me një ton përçmues ndaj SPAK dhe GJKKO, përbën një trysni të hapur ndaj gjykatave më të larta që pritet t’i shqyrtojnë këto çështje dhe janë të vetmet institucione që mund të korrigjojnë gabimet apo shkeljet e gjykatave më të ulëta,” tha ai.

Metalla shtoi gjithashtu se reforma në drejtësi nuk ka lënë hapësira për alibi dhe se vetë sistemi duhet të jetë në gjendje të vendosë standardet, të cilat sipas tij nuk mund të shpallen nga politika si “leksione të së drejtës Proceduriale Penale”.

Metalla theksoi se nuk di ndonjë rast që SPAK dhe GJKKO të kenë shkelur të drejtat e njeriut dhe se një pretendim i tillë nuk është gjetur gjatë kontrollit që u bëhet këtyre vendimeve në gjykatat më të larta, përfshi në një rast edhe Gjykatën Kushtetuese.

“Në çdo rast, janë vetë këto të fundit që mund të korrigjojnë shkeljet ose gabimet, të cilat prezumohet se nuk kryhen me dashje nga SPAK apo GJKKO, por për shkak të kuptimit të gabuar të ligjit apo vlerësimit dhe çmuarjes jo të duhur të provave”, tha Metalla, ndërsa shtoi: “këtë kuptim të drejtë të ligjit apo vlerësim të duhur të provave nuk mund të na e mësojë politika”./BIRN

Sinjale lamtumire, Salah: Ishin 8 vite të mrekullueshme te Liverpuli

Tifozët e Liverpulit mendojnë se Mohamed Salah ka lënë të kuptohet se ai do të largohet nga “Anfield” në fund të sezonit, pasi intervista e tij e fundit tingëlloi si një mesazh lamtumire. Sulmuesi, i cili ka shënuar 30 gola dhe ka regjistruar 22 asiste këtë sezon, është pa kontratë në verë dhe deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

 

Liverpuli dëshiron të rinovojë kontratën dhe egjiptiani ka përsëritur disa herë se dëshiron të zgjasë qëndrimin e tij, por rroga dhe kohëzgjatja e kontratës mbetet një diskutim që ndan palët. 32-vjeçari dha një intervistë në “TNT Sports”, ku tha:

“Unë dua që tifozët të kujtojnë se u dhashë gjithçka atyre, ia dhashë të gjitha qytetit. Unë isha këtu, nuk isha dembel, thjesht e shijova futbollin tim dhe i dhashë të gjitha. Mendoj se për këtë është qyteti, ata të japin dashuri dhe ti krijon një lidhje me ta, sepse jep gjithçka. Unë dua që ata të kujtojnë se kam qenë këtu për tetë vjet dhe i kam dhënë të gjitha”. Të shumta ishin reagimet e zhgënjyera të tifozëve pas kësaj deklarate, ndërsa atyre u ka tingëlluar si një konfirmim lamtumire. Megjithatë, Salah refuzoi të jepte ndonjë përditësim konkret për bisedimet e tij për të ardhmen dhe kontratën.

“Asnjë lajm”, tha ai. “Unë jam duke menduar vetëm për Premier Ligën dhe do të shohim fundin e sezonit”. Egjiptiani është një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Liverpulit, pasi ka shënuar 241 gola në 388 ndeshje për klubin që kur u bashkua nga Roma në vitin 2017 për një tarifë fillestare prej 36.5 milionë paundësh.

Sulmuesi ka fituar tetë trofe në “Anfield”, duke përfshirë Premier Ligën dhe Ligën e Kampioneve. Ai ka qenë prej kohësh i lidhur me një transferim në Ligën Pro Saudite dhe Liverpuli do të jetë i pafuqishëm për ta ndaluar atë këtë verë, nëse kjo është ajo që ai zgjedh.

Trajneri Arne Slot tha me humor në konferencën e fundit për shtyp se forma e mirë e sulmuesit, po e bën më të vështirë për klubin arritjen e një marrëveshjeje për rinovimin e kontratës me sulmuesin.

“Formën e tij të mirë mund ta shihni në të dyja mënyrat. Sepse sa më mirë ai luan, aq më i shtrenjtë ai mund të bëhet. Por nëse do të luante keq, ne mund të kishim dyshime për rinovimin e kontratës së tij. Ai duhet të ketë këto performanca për të luajtur këtu dhe unë shpresoj që ai të rinovojë. Mo ka pasur karrierën e tij dhe ai ka qenë i shkëlqyer. Ka bërë disa sezone fantastike këtu në Liverpul dhe shpresojmë që të vazhdojë ta bëjë këtë për një periudhë më të gjatë. Dhe mos më pyesni më mua për rinovimin”.

PSE RAMA NUK BË(N)RI DOT SHTET DHE PROGRAMI EKONOMIK PËR NË BE

Nga Përparim Gjeka

Mandati qeverisës kudo në botë është zakonisht katër (ose 5) vjeçar për arsye se llogaritet që kjo kohë është e mjaftueshme për të realizuar programin me të cilin ke fituar zgjedhjet. Për ato reforma që janë ndërmarrë, por duhet akoma kohë për zbatim, kërkohet edhe një mandatim tjetër katër vjeçar. Duke qenë se 8 vjet janë jo vetëm të mjaftueshme për të parë rezultatet praktike të vizionit të një lideri apo qeverie, por më shumë vjet në pushtet mund të kthehen në stagnacion ose rënie ekonomike për vendin, ka vende si Amerika që e kufizojnë me ligj deri në tetë vjet të njëjtin lider.
Kjo narrativë është provuar katërciperisht në Shqipëri në rastin e qeverisjes së Edi Ramës. Në mandatin e parë 2013-2017, për hir të së vërtetës u ndërmorën disa reforma me dëshirën e mirë për ndryshim, si reforma në shëndetësi, në arsim, në zhvillim territori, në drejtësi etj. Por shëndetësia nga shëndetësi falas për popullatën përfundoi në PPP nga buxheti i shtetit për oligarkët, arsimi mbylli universitete kioska, por përfundoi në arsim kioska pa blerës (nxënës e studentë), qendrat e qyteteve patën investime, por më tepër u lyen fasada sesa pati plane rregulluese dhe zhvilluese të territorit. Reforma në drejtësi që u trumpetua me te madhe bllokoi sistemin për shumë vjet dhe në kohën kur arriti disa rezultate, përfundoi se duhet reformuar akoma edhe një herë sipas vetë Ramës. Pra, kohëzgjatja 12-vjeçare në pushtet u kthye në mallkim për vendin edhe sepse pati keqadministrime buxhetesh me të paktën 1 miliard dollarë çdo vit mesatarisht, të zbuluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga ana makroekonomike, u vu re rritje inflacioni më e madhe se sa rritja ekonomike, rritje e borxhit të jashtëm, rënie e konsumit të brendshëm si rezultat edhe i shpopullimit të vendit, fryrje të administratës dhe rënie të produktivitetit, rritje e përqindjes së varfërisë me mbi 30% të popullsisë nën minimumin jetik, etj. etj.

Tani problemi më i madh është që për shumicën e shqiptarëve këto probleme të qeverisjes shihen si diçka normale, sikur kushdo që të ishte në pushtet nuk mund të kishte bërë kushedi sa më shumë, kurse e pafalshme është që thuajse gjithë faktorët e opozitës nuk kanë bërë të qartë me analiza, shifra, fakte, plane dhe programe ekonomike dy pika të rëndësishme:
I. Pse ky kryeministër nuk ka asnjë shans, qoftë edhe teorik, të reformojë ekonomine dhe të afrojë Shqipërinë me minimumin e standardeve për në Bashkimin Europian?
II. Cili është programi ekonomik që garanton rritjen ekonomike mbi 5% në vit si parakusht për hyrje ne BE zhvillim të gjithanshëm shoqëror dhe ripopullim të vendit?

PSE EDI RAMA NUK BË(N)RI DOT SHTETIN QË DUAM

Në analizë rigorozisht ekonomike po vërtetojmë se kryeministri Rama nuk ka kredencialet për të kërkuar një mandat të katërt:
1. As që nuk është i ndërgjegjshëm se për futjen në Europë ka qenë kërkuar dhe kërkohet një minimum standardi ekonomik, dhe ky kërkon një rritje ekonomike prej minimumi 5% në vit, rritje e cila as nuk parashikohet në plan-programet afatmesme 2025-29. Historiku 12-vjeçar nuk ka pasur rritje mesatare mbi 3%, kurse parashikimi më optimist është 3.9%, dhe kjo rritje konsiderohet arritje nga kjo qeveri. Me fjalë të tjera, po na thuhet se ky popull kaq meriton, të jetë gjithmonë i fundit i Europës dhe të mos guxojmë të mendojmë për më mirë.
2. Ka vërtetuar se nuk e njeh si funksionon ekonomia e tregut, e cila bazën e zhvillimit ekonomik e ka te iniciativa dhe konkurrenca e lirë, dhe jo te mbështetja e oligarkëve me kontroll mbi aktivitetet kryesore ekonomike. Gjithashtu, shteti nuk ka bëre detyrën tjetër duke mos krijuar kushte për mbështetjen e subjekteve ekonomike në bujqësi, blegtori, turizëm, agroindustri, etj., me subvencionime, infrastrukturë, promovime etj. Dëmi më i madh i dukshëm është pikërisht në bujqësi dhe blegtori, me uljen e krerëve të bagëtive dhe derdhjet nëpër kanale të prodhimeve bujqësore. Mosnjohja e ekonomisë tregon edhe shpresa se me kanabizimin e vendit dhe paratë informale te krimit në ekonomi do të kishte zhvillim ekonomik. Pasoja e dukshme fatale e kësaj qasjeje është realisht vjedhja që u bëhet shqiptarëve të ndershëm, me uljen e vlerës së valutave të huaja me rreth 30% si rezultat i qarkullimit të mbi katër miliardë euro në para jashtë sistemit bankar.
3. Nuk ka paraqitur asnjëherë asnjë plan të integruar ekonomik me reforma sektoriale që të paktën teorikisht sigurojnë rritjen ekonomike dhe sociale të duhur. Të gjitha ndërhyrjet në ekonomi, duke nisur nga ajo fiskale me taksën progresive kaotike në kohë, nga informaliteti preferencial e deri te reformat e dështuara në shëndetësi, arsim, bujqësi etj. Për ta kuptuar më qartë këtë qasje, mund ta krahasojmë me zhvillimin kaotik të Tiranës pa një plan urbanistik transparent të miratuar edhe sot e kësaj dite.
4. Administrata Rama dëshmon një produktivitet të ulët në kufijtë e injorancës, sepse sistemi administrativ reflekton një piramidë autoritare ku shefi që nuk di gjithçka urdhëron për gjithçka, por në të njëjtën kohë kryesore nuk është ekspertiza profesionale, por besnikëria dhe servilizmi ndaj shefit. Një shembull i qartë nga mandati i parë është zëvendësimi i ministrit të Financave, ish-guvernator i Bankës Kombëtare, me një mësues anglishtije. Shembujt vazhdojnë me ministra pa përvojë pune dhe pa grada shkencore, kryetarë bashkie me të kaluar kriminale, drejtues që nuk kanë ditur as të vjedhin dhe të mbulojnë gjurmët e tyre etj. Shefat injorante e të babezitur ndihen mirë vetëm me vartës akoma më injorantë e të babezitur.
5. Menaxhimi personal i kohës së kryeministrit në funksion të punës vërtetohet se është katastrofal nga daljet në media. Ndërkohë që kryeministrat e botës demokratike e harxhojnë kohën kryesisht në studime dhe krahasime shifrash dhe analiza trendesh në ekonomi shtetërore apo ndërkombëtare, konsultime me institucione akademike dhe bordet kombëtare, mbledhje dhe diskutime sektoriale sipas ministrive, kërkesë llogarie dhe vendosje limitësh për realizim detyrash, gjurmim dhe denoncim korrupsioni brendaqeveritar, inspektime dhe promovime ekonomike, vendosje prioritetësh nëpërmjet ligjeve në parlament dhe ndjekja e tyre në ekonomi, gjeopolitike etj., kryeministri ynë shumicën e kohës e sheh të bëjë propagandë kundër opozitës, e sheh duke u bërë reklamë disa arritjeve të vogla në vend, shpeshherë duke abuzuar me arritjet e sektorit privat, të cilët qeveria nuk ka kontribut, duke pasur si prioritet shpërndarjet e postimeve në rrjetet sociale, e sheh duke dalë vend e pa vend, kohë e pakohë në media, duke kaluar kohë me ndjekës në rrjetet sociale, me rubrika dhe podkaste mediatike etj. Si mund të pritet zhvillim ekonomik nga udhëheqja e dikujt që jo vetëm nuk e kupton ekonomine, e kriminalizon ekonomine, e vjedh ekonomine e përbashkët dhe as që harxhon kohën kryesore për ekonomine, e cila është kryesore për zhvillimin e gjithanshëm dhe të qëndrueshëm të vendit?

PROGRAMI EKONOMIK QË GARANTON RRITJE EKONOMIKE MBI 5% SI PARAKUSHT PËR ANËTARËSIM NË BE

Në analizë rigorozisht ekonomike po vërtetojmë se vendi ynë ka mundësinë (kryesisht për arsye se niset nga një bazë e ulët) dhe potencialin (kryesisht për arsye se ka burime natyrore dhe njerëzore të mjaftueshme) që me reformat e duhura ekonomike të sigurojë rritje ekonomike mbi 5% në vit në pesëvjeçarin e ardhshëm. Këto reforma konsistojnë si vijon:

1. Dekriminalizimi i ekonomisë nëpërmjet ligjeve dhe ligjzbatimit mbi pastrimin e parave, trafiqet, krimin e organizuar dhe krimin ekonomik. Një ligj i tillë, për shembull, do të ishte kufizimi i pagesave jashtëbankare deri në një shumë të caktuar dhe një maksimum i transaksioneve jashtëbankare në sektorin e ndërtimit. Kjo do të ulte ofertën e eurove në treg dhe do të balanconte shkëmbimin valutor.
Tarifim i lartë i shtëpive të dyta, të treta e në vazhdim në pronësi për të detyruar shitjen e apartamenteve bosh që mbahen si kolateral nga zyrtarët e korruptuar te 20%-ave dhe boseve te parave të trafikuara që i mbajnë të bllokuara tani. Kjo do të rriste ofertën në treg dhe do të ulte çmimin e banesave, duke ulur edhe inflacionin në përgjithësi.

2. Formalizimi i ekonomisë nëpërmjet reformave fiskale dhe forcimit të zbatimit të ligjit. Taksa e sheshtë e ulët, regjim i thjeshtë fiskal, incentiva për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, standardizim pagesash etj. Reforma të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe fond sovran kombëtar duke futur çdo shtetas në sistemin qendror me numër unik për rishpërndarje sa më të drejtë të të ardhurave kombëtare.

3. Ristrukturim i ekonomisë kombëtare duke fuqizuar prodhimin në vend sipas parimit të avantazhit krahasues. Në kushtet e Shqipërisë duhet investuar me prioritet në bujqësi dhe blegtori; logjistikë dhe transport, det-ajër-tokë – kombëtar dhe ndërkombëtar; agroindustri dhe industri e lehtë; turizëm dhe shërbime të lidhura me të, si p.sh. katering dhe turizëm shëndetësor; zona të lira ekonomike për investime të huaja, energji e rinovueshme dhe ndoshta zbatime të teknologjive të reja të inteligjencës artificiale, meqë të gjithë janë në hapat e parë, si dhe rritje e konsumit te brendshem duke rritur paga e pensione, hapje tregjesh të reja për milionat e turistëve etj. Rritja e prodhimit vendas do te shtonte exportet e do te ulte importet duke ndikuar te ulja e inflacionit (cmimeve).

4. Reforma urgjente në tre sektore jetike me karakter social:
a) Reforma e tokës dhe e pronës duke futur në binare titujt e pronësisë me parimin “prona vetëm atij që i takon”; legalizim vetëm brenda planeve urbanistike të përshtatura që të ruajnë sa më shumë ndërtime e të eliminojnë sa më pak ndërtime, por të jenë në gjendje të kenë infrastrukturën e plotë.
b) Reforma në shëndetësi me fuqizim të sektorit të shëndetit publik për trajtimet bazë në unison me universitete shtetërore dhe krijim i kushteve për sektorin privat për trajtime të specializuara.
c) Reforma në arsim duke theksuar arsimin praktik në përshtatje me tregun e punës në Shqipëri.

5. Reforma administrative per meritokraci ne te gjithe zinxhirin e administrates shteterore, me synim rritjen e eficiences dhe shkurtimin e numrit te panevojshem.

6. Strategji të personalizuara për ripopullimin e vendit per rritjen e kapaciteteve njerezore dhe konsumit, jo vetëm me aktivitete për ruajtjen dhe rritjen e ndjenjes kombëtare në Diasporë, por me programe konkrete si incentiva për investime në Shqipëri e Kosovë të biznesit shqiptar në botë, angazhim më të madh e të sinqertë të trurit në diasporë me projekte konkrete në fushat akademike dhe ekonomike, bursa për fëmijët në universitetet tona etj.

Ripopullimi në fakt është edhe derivat i suksesit në reformat e tjera, kështu që na duhet një qeveri që e ka prioritet ripopullimin dhe jo shpopullimin si kjo qeveri aktuale që ka larguar me qindra mijë shqiptarë si rezultat i dështimeve që analizuam më lart.

Uzurpuesit e demokracisë të tërbuar kundër SPAK-ut!

Nga Azgan Haklaj

Ky nuk është konstatim por një realitet makabër politik me protagonistë pikërisht uzurpuesit 35 vjeçarë të demokracisë në Shqipëri Berisha-Rama-Meta.
Një sulem frontal i tyre kundër strukturave te Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale anti korrupsion dhe anti krim në vendin tonë.
Ky sulem nuk është i ri por ka ndyshuar formë dhe tani është unifikuar “en bloc” nga aktorët e politikës se vjetër.
Ndërkohë që Berisha-Meta dhe sejmenët e tyre politiko-mediatikë shfrynin kundër SPAK-ut e Altin Dumanit si demat kur tërbohen në ring,
Edi Rama dhe te tijët leshonin mesazhe kërcënuese mes rreshtave deri në ironi e sarkazma me Ndoc Rrokun.
Por kur panë që të gjithë hajdutët e dallkaukët politikë po trajtoheshin e hetoheshin njëlloj në të dy krahët tani dhe Ndoc Rroku i vertetë Edi Rama hodhi dorashkën ndaj drejtësisë së re duke e kërcënuar hapur se nuk njeh vendimet e tyre.
Sulltan Ramës nuk i mjaftuan komisionet shantazhuese parlamentare kur nxori me dhunë në foltoren mediatike Fatmir Xhafën të delegjitimonte pikërisht atë që deri dje mburrej se e kishte bërë vetë disa kërcënoj hapur.
Rama në simfoni me dyshen Berisha-Metaj nuk la sallë, padcast apo media publike pa nxjerrë vrer, shantazh, intimidim e presion kundër prokurorëve e gjykatësve që guxuan ti afrohen vathës se tij me të cilën po gllabëron ekonominë dhe shpopullon Shqipërinë.
Kulmi arriti me anti mitingjet e padëgjuara në hyrje të ndërtesës së drejtësisë për te arritur deri në mitingje e gjyqe publike politike në qendër të kryeqytetit.
Me pamje të parë këta japin imazhin e trimave “triumfatorë” por nuk ka njeri në këtë vend me mesataren e inteligjencës dhe informimit që nuk e kupton se është e kundërta.
Është një levizje e sinkronizuar e politikës së vjetër tashmë të alarmuar.
Alarmin e shtoi informimi publik i kreut të SPAK-ut Altin Dumani se institucioni që drejton do të mbikqyrë nga afër krimet elektorale.
Kjo u materializua menjëherë me dërgimin për gjykim të krerëve të bandave kriminale të cilat janë publikisht të njohura për përdorje në proceset elektorale.
Me pak fjalë tani SPAK dhe GJKKO nuk janë vetëm në ring me establishmentin e vjetër politiko-kriminal.
Tabloja ka vetëm një ndryshim pasi organet e drejtësisë së re kanë në anën e tyre jo vetëm aleatët suportues euroatlantikë por mazhorancënn e shqiptarëve.
Eshtë jo vetëm detyrë por mision kombëtar mbështetja e këtyre organeve nëse aspirojmë të përparojmë dhe të ndërtojmë të ardhmen në këtë vend.
Alarmi deri në çmenduri histerike që ka kapur Edi Ramën dhe po materializohet në komunikime ditore apo dëgjesa të sajuara si ajo e Klotilda Bushkës apo rektorit Fatbardh Sollaku është deshmia me e fortë se SPAK është në rrugën e mbarë kushtetuese që i jep ligji.

Piktori dhe Lali Eri nuk ja në të pasur, por varfanjak – kanë shumë pakë njerëzore në vetvete!

Nga Kim Mehmeti

Këto ditë është duke u zhvilluar një betejë për jetë a vdekje mes mafias politike dhe drejtësisë së Shqipërisë. Si një ndër drejtuesit e kësaj mafie – ‘drejtori’ i shkollës së hajdutëve pranë Bashkisë së Tiranës – Lali Eri është duke bërë çmos që t’i mposhtë e t’i vë nënë kontroll prokurorët dhe gjykatësit e Shqipërisë.

Dhe tani për tani dihet vetëm një gjë: në këtë betejë të ashpër ka përparësi mafia politike, të cilën e mbështesin artistë, gazetarë, media, intelektualë—. Pra që e mbështesin të gjithë ata që tani nuk kanë si ta fshehin se i ka ushqyer dhe i ushqen mafia më e rrezikshme se gjitha të tjerat për Shqipërinë.

Dhe nuk ka dyshim se nga kjo betejë do shihet qartë nëse Shqipëria do mund të bëhet shtet ku ligji do vlejë për të gjithë, apo do mbetet atë që është – atdhe i krimit. Atdhe ku thuajse të gjitha elitat ushqehen nga hajdutëria dhe ku vetëm varfanjakët e hanë bukën e vet.

Sidoqoftë pra, duhet pritur të shihet nëse Lali Eri do ia arrij t’i shantazhojë prokurorët dhe gjykatësit ashtu siç bëri dikur me gazetarët, kur mesë të tjerëve, edhe me mesazhe ku fyente dhe kërcënonte gazetaren e njohur Beti Njuma.

Por megjithatë ka diçka që mund të thuhet që tani: kanë të drejtë mediat dhe gazetarët që ushqehen nga grazhdi i mafias politike kur thonë se Piktori e Lali Eri, jo vetëm që nuk janë të pasur , por jetojnë në varfëri. Po, ata edhe me miliona euro në xhep do ndjehen të varfër, sepse nuk kanë asgjë njerëzore në vetvete.

E ndërkohë dihet se është e kotë të kërkosh njeri te politikanët hajdut që e kanë dëbuar turpin nga vetvetja. Siç dihet se të tillët sillen ashtu si edhe Lali Eri i cili, nëse nuk do trembej nga hajduti në vetvete, nuk do kishte pse t’i shantazhonte e t’u frikohej prokurorëve dhe gjykatësve.

NATO përpjekje për sigurinë e infrastrukturës strategjike të Detit Baltik

NATO po kërkon të gjejë zgjidhjet e duhura për të garantuar infrastrukturën që ndodhet në shtratin e Detit Baltik, me rritjen e tensioneve dhe incidenteve në këtë rajon. Shtete si Gjermania, Rusia dhe Letonia lagen nga ujërat e këtij deti, ku ndodhen shumë kabllo dhe tubacione kritike. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Vladislavs Andrejevs sjell më shumë hollësi mbi këto përpjekje.

Gjatë viteve të fundit, në Detin Baltik janë shënuar një sërë incidentesh që përfshijnë dëmtimin e linjave të energjisë dhe komunikimit në shtratin e detit. Dyshimet për rastet janë ngritur ndaj anijeve të lidhura me Kinën dhe Rusinë.

“Në 15 muajt e fundit janë dëmtuar 11 kabllo (për komunikimin), çka ka sjellë edhe ndërprerje. Natyrisht, duhet ta mbajmë parasysh një gjë të tillë. Kemi rritur praninë tonë atje, si dhe praninë e partnerëve tanë të NATO-s”, tha Andris Sprud, ministri i Mbrojtjes së Letonisë.

Nuk ka asnjë provë përfundimtare se dëmtimi është bërë qëllimisht, por disa zyrtarë ushtarakë baltikë janë të shqetësuar se një numër kaq i lartë incidentesh mund të sugjerojnë për sabotim.

“Në tre muajt e fundit ka patur shumë raste incidentesh me spirancat. Sigurisht, gjëra të tilla ndodhin, por nuk ka gjasa të ndodhin kaq shpesh në një zonë të vogël”, thotë komandanti i marinës letoneze, Maris Polencs.

Shkencëtarët po tentojnë të gjejnë se se si të mbrojnë më mirë infrastrukturën strategjike nënujore. Personeli në Qendrën e NATO-s për Kërkimin dhe Eksperimentimin Detar ose C-M-R-E, në Itali, thotë se është arritur përmirësim në gjurmimin e transportit detar në rajon.

“Algoritmet që ka zhvilluar qendra, shpesh duke përdorur inteligjencën artificiale, kanë shërbyer për mbikqyrjen e trafikut të anijeve, sidomos anijeve tregtare.Por po ashtu edhe trafikut civil në vendndodhje të ndryshme. Rezulton se po funksionon shumë mirë”, thotë Eric Pouliquen, drejtor i CMRE -së.

Edhe nëse ngjarjet e fundit janë aksidentale, NATO-ja nuk është e përgatitur për sabotim në Detin Baltik, thotë ish-ministrti letonez i Mbrojtjes Artis Pabriks.

“Ne duhet të parashikojmë dhe të përcaktojmë se cilat anije mund të na kërcënojnë, kjo është një detyrë për shërbimet e zbulimit”, tha zoti Pabriks.

Në fund të janarit, NATO-ja premtoi se do të vendosë fregata, avionë dhe dronë detarë për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike në rajon.

VOA

Pësoi dëmtim muskulor, futbollisti i Interit rrezikon duelin me Napolin

Mateo Darmian u largua nga fusha e lojës në pjesën e parë mbrëmjen e djeshme duke pësuar një dëmtim muskulor dhe me shumë mundësi do të humbasë duelin e ditës së shtunë kundër Napolit.

Mbrojtësi do të bëjë ekzaminime, por situata nuk është pozitive.

Krahët janë problem për Interin në këtë moment sepse Inzagi do të ketë vetëm titullarët Dumfris dhe Dimarko. Edhe dje u aktivizua Bastoni në linjën e majtë, pasi Zalevski dhe Augusto janë të dëmtuar.

“Ka humbur çdo pikë dinjiteti”/ Basha reagon ndaj akuzave të Berishës: Mashtrim i ulët! Berisha përfitues kryesor i organizatës të drejtuar nga bashkëshortja ime në ditët e vështira të PD

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj akuzave nga organizata e Sali Berishës në lidhje me bashkëshorten e tij.

Në një postim në facebook, Basha ka sqaruar se bashkëshortja e tij nuk ka punuar asnjëherë për East West Management Institute, por për organizatën holandeze East-West Parliamentary Practice Project, e cila financohet nga qeveria holandeze dhe Bashkimi Europian.

Ai më tej thotë se Berisha ka humbur çdo pikë dinjiteti, duke shpërndarë mashtrime të ulëta, ndërkohë që e di shumë mirë se ai dhe zyrtarët e PD-së, në ditët e saj të vështira, kanë qenë përfituesit kryesorë nga organizata e drejtuar nga bashkëshortja e tij.

“Organizata e Sali Berishës duhet të bëjë transparencë mbi financimet e saj në radhë të parë, ndërsa halli i Berishës dhe familjes së tij nuk zgjidhet me mashtrimet e ndyra që ai përhap përmes audioparlantëve të tij” – përfundon Basha.

Reagimi i plotë i Bashës:

Organizata e Sali Berishës ka shpërndarë sot një tjetër mashtrim në lidhje me familjen time.

Së pari, bashkëshortja ime nuk ka punuar kurrë dhe as nuk punon për East West Management Institute.

Ajo ka punuar për organizatën holandeze East-West Parliamentary Practice Project, e cila financohet tërësisht nga qeveria holandeze dhe BE, dhe nuk është financuar asnjëherë nga qeveria apo ndonjë organizatë amerikane.

Sali Berisha e ka humbur çdo pikë dinjiteti, duke shpërndarë mashtrime të ulëta, ndërkohë që e di shumë mirë se ai dhe zyrtarët e PD-së, në ditët e saj të vështira, kanë qenë përfituesit kryesorë nga organizata e drejtuar nga bashkëshortja ime.

Organizata e Sali Berishës duhet të bëjë transparencë mbi financimet e saj në radhë të parë, ndërsa halli i Berishës dhe familjes së tij nuk zgjidhet me mashtrimet e ndyra që ai përhap përmes audioparlantëve të tij.

Shqipëria meriton më shumë