16.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Gjekmarkaj: Këto zgjedhje nuk do të njihen!

Agron GJEKMARKAJ

Shqipëria në rrezik!!

Shteti dhe mafia në Shqipëri janë bërë një!

Strukturat mafioze të Edi Ramës masakruan procesin elektoral!

Kudo natën në cepa lagjesh në qytet në fshtra nën mbrojtjen e policisë shpërndanë para , kërcënuan, premtuan, gënjyen për votën!

Paratë e krimit trukuan frymën e votës shqiptare!

Pushteti lokal e qëndror me ndihme sociale, punësime abuzive, legalizime e shtëpi tërmeti ndërhyri kudo për të trukuar vullnetin për ndryshim!

Kjo është historia më e shemtuar e manipulimit të votave në Europë, qysh nga viti 1922 në Itali dhe 1933 në Gjermani!

Demokracia nuk ekziston, vullneti qytetar gjithashtu, ajo dhe ai, janë shndërruar në mall që ka çmimin e parasë së drogës, së tendërave dhe të frikës!

Liria jonë është nën agresion!

Vota jonë është përdhunuar!

Opozita është e kërcënuar!

Të drejtat civile varen nga humori i të fortëve!

Procesi elektoral është operacion financiar, nuk është më ide, program, skuadër apo lider!

PD është në provën e saj më të madhe të ekzistencës!

Ajo duhet të hyjë në llogoren ku mbrohet pluralizmi dhe jeta!

Opozita e udhëhequr nga Lulzim Basha do t’i prijë kësaj beteje në sheshet shqiptare, derisa regjimi të bjerë dhe vota të kthehet!

Opozita nuk do kompleksohet nga burokratët e ambasadave ajo do të degjojë shqiptarët dhe t’i përgjigjet sfidës së korrupsionit me sfidën e Demokracisë!

Opozita do të marrë në dorë fatet e Demokracisë dhe të Zgjedhjeve!

Këto zgjedhje nuk do të njihen.

Ato duhen pështyrë!

Do t’i përzëmë hajdutët e votës nga zyrat e shtetit dhe nga jeta e këtij kombi!

Përballja po vjen!

Letrën e Thaçit për Ramën e shkruajti vetë Rama?

Analisti Rron Gjinovci ka komentuar letrën që ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi ia ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Gjinovci ka qenë skeptik për përmbajtjen e letrës, duke thënë se ish-presidenti nuk arrin të shkruajë në atë formë, raporton Gazeta Express.

“Të gjithë e dimë që Thaçi s’din me shkru ashtu. Hajt mos u boni patetik tu pretendu që s’pe dini”, ka shkruar Gjinovci në Facebook. Edhe analistja kosovare, Kimete Berisha shkruan: “Njëherë thashq: sa letër të bukur urimi i paska dërguar Rama vetes!!!”

Thaci në letrën e tij, ndër të tjera, i ka kërkuar Rames që të vazhdojë të kujdeset për Shqipërinë dhe për Kosovën gjithashtu, duke thënë se kur ai kujdeset për Kosovën, kujdeset për shqiptarët.

LETRA

Vëlla Edi,
Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde. Entuziazëm ky që vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si rrallë herë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vëllau im.
Sot, dielli ngrohte zemrën e Shqiptarit brenda meje.

Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës.

Me gjithë ndërgjegjen e pastër e luftën e dinjitetshme për t’u bashkuar me Shqipërinë, mu kujtua se vetëm atëherë kur Kosova u çlirua, ne e kuptuam se bashkimi ishte larg dhe i pamundshëm. Shqipëria e poezive dhe librave ishte dëshirë e ideal, e jo pasqyrë e realitetit të kohës. Unë edhe kam luftuar për kët’ ideal me Kosovën brenda Shqipërisë. Kur mundësitë u kufizuan, unë luftova për Kosovën shtet – krenarinë e jetës time.
Jam munduar shumë për Kosovën, por edhe kam gabuar – dikur me entuziazmin e idealistit, e më vonë me arrogancën e pushtetarit.

Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar me raportin të cilin kemi krijuar bashkë. Ti je vëlla i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura. Je Kryeministri i Shqipërisë që idealizova, dhe vëllau shqiptar për të cilin me entuziazëm luftova. Sot, Shqipëria që ti aq shumë punove ta ndërtosh, është Shqipëria për të cilën dikur u betova të luftoj. Është Shqipëria e poezive të Naimit – Shqipëria me malet e bukura e lisat e gjatë që sot, në tavanin e qelisë së burgut, më vizatohen e më rrin n’mend dit’ e natë.

Pra, vëllau im Edi, ti që bëre Shqipërinë të cilën e idealizova si i ri e u betova si ushtar, po të them i bindur se fitoren tënde e gëzojnë shqiptarët. Me ta, u gëzova edhe unë pa masë.

Prandaj, me librat që më shoqërojnë në vetminë e këtyre ditëve ku koha refuzon të nxitojë, unë të përqafoj dhe uroj vëllazërisht nga larg për shkak të pamundësisë për të festuar bashkë. Është e shëmtuar që nuk mund të jem aty, por përtej afshit revolucionar të kujtimeve të mia si ushtar dhe pragmatizmit prej politikani që m’godet herë-pas-here në formë kujtimesh, sot nuk të uroj si miku me të cilin ndave copa të rrugëtimit politik, por si vëllaut tim nga gjaku.

Me shpresën që do të mund të takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë.

Sot Shqipëria fitoi! Sot shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët.

Me dashuri,
Vëllau yt,
Hashimi.

Është koha për të parë mbi interesat personale

Namir LAPARDHAJA

Është bërë e udhës vitet e fundit në PD që sa herë ka zgjedhje, të pakënaqurit e listës së deputetëve kërkojnë pas humbjes dorëheqjen e kryetarit. Kështu bën edhe në 2017. Në fund, gjithçka përfundon me një rritje “pazari”. Bëhen ca marifete, dhe në fund ca përfundojnë në kryesi, ca në parti e ca gjetkë.
Ata që s’kapin ndonjë “kockë” në këtë drejtim, e kanë zgjidhjen gati: krijojnë parti dhe vetëzgjidhen kryetar. Dhe kështu vijon historia.

Problemi është se PD nuk ndodhet në kushtet për të parë fatet personale të askujt.

PD është aset i padiskutueshëm kombëtar dhe si e tillë duhet ruajtur.

Edhe nga pronësia, edhe nga ligësia, edhe nga paaftësia, edhe nga shurdhëria, edhe nga miopia.

Sigurisht që në zgjedhjet e fundit PD nuk ka qenë në kushte të barabarta, as të favorshme.

Sigurisht që kundërshtari përballë i ka luajtur të gjithë gurët e paligjshmërisë.

Për ne që kemi qenë të angazhuar fort në fushatë, është e qartë se kundërshtarët tanë kanë bërë gjithçka të paligjshme që kanë pasur në dorë për të arritur atë rezultat që kanë marrë. Kur them gjithçka, do të thotë GJITHÇKA, pa lënë gjë mangët.

Por e gjithë kjo ka nevojë për një reflektim të thellë, për një angazhim të gjithanshëm, për një vizion që tejkalon vetveten, për një rithemelim të të gjithë së djathtës shqiptare, për një parti të qartë ideologjike, për kauza të mëdha morale, për garë të ndershme brenda saj, të pandikuar, as nga të vjetrit, as nga të rinjtë; për frymëmarrje të gjallë, për shndërrimin e një partie elektorale, për qarkullim elitash, për një sinergji të gjithanshme vlerash, për qartësi në mision dhe në qasje ndaj gjithçkaje.

Sot fati i atdheut është i rrezikuar nga një regjim oligarkik dhe rreziku më i madh i demokracisë është që nuk mund të realizohet rotacioni me mjetet që demokracia ka në dispozicion (zgjedhjet).

Të hedhësh sot gurë mbi PD-në është gjëja më e lehtë. Shndërrohesh lehtësisht në personazh mediatik etj.

Por edhe që gjithçka të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë, është e papranueshme.

Është koha për të parë mbi interesat vetjak dhe për ta lexuar qartë realitetin e ri të krijuar pas këtyre zgjedhjeve.

Mbi çdo kosto për fatet personale në PD, e djathta duhet të shndërrohet sa më parë në alternativë konkurruese për shqiptarët.

Daniel Serwer dhe Damon Wilson : Shqipëria e rrezikuar nga kapja e shtetit nga Rama

Dy analistë amerikanë thonë se forcat politike në Shqipëri duhet të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe demokratizimit. Profesori Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins dhe Damon Wilson i Këshillit të Atlantikut, thanë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara duan të shikojnë integrimin e Shqipërisë dhe forcimin e institucioneve, përfshirë pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e parlamentit. Me analistët bisedoi Keida Kostreci.

Zoti Serwer thotë se pas zgjedhjeve duhert të respektohen rezultatet dhe duhet punuar drejt konsolidimit të institucioneve.

“Rruga përpara është me pjesëmarrjen e plotë të opozitës dhe duke respektuar opozitën, por edhe respektimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe përgjegjësive të partisë qeverisëse. Dhe ato përgjegjësi përfshijnë konsolidimin e institucioneve demokratike, veçanërisht të gjyqësorit të pavarur”, – thotë ai.

Zoti Wilson, zv/president ekzekutiv në Këshillin e Atlantikut thotë se ka pasur shumë pasiguri në Bruksel dhe Uashington për ritmin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Kështu shpresoj që ky mandat të jetë sinjal për qeverinë, por edhe për opozitën se ky është një mandat që i duhet vendit për të ecur përpara në disa nga çështjet kryesore si sundimi i ligjit dhe masat antikorrupsion, për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në BE”, – tha ai për Zërin e Amerikës.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që ky proces të fillojë në verë. Zoti Wilson thotë gjithashtu se zgjedhjet dërguan edhe sinjalin që njerëzit duan të shohin opozitën të luajë rolin e saj.

“Njerëzit duan të shohin demokracinë në funksionim, duan të shohin opozitën të marrë pjesë në demokracinë parlamentare të Shqipërisë dhe të jetë opozitë aktive brenda parlamentit, mbështetëse e interesave të vendit”, – shton zoti Wilson.

Zoti Serwer dhe zoti Wilson thonë se megjithë disa probleme duket se zgjedhjet ishim më të mira se në të kaluarën.

Zoti Serwer është dakord me përfundimet e vëzhguesve të ODIHR-it si për anët pozitive edhe për shqetësimet që ngrenë ata. Zoti Serwer thotë në lidhje me shitblerjen e votave se sa më shumë rritet mirëqenia dhe të ardhurat individuale, aq më e kushtueshme bëhet të blihet vota.

Por ai shqetësohet sidomos për përdorimin e administratës në shërbim të partisë, pasi e sheh si një problem më afatgjatë.

“Abuzimi me detyrën më duket se është një kritikë shumë më e thellë. Dhe ne duhet të shmangim kapjen e shtetit nga forcat politike. Dhe sidomos kur zgjidhet i njëjti kryeministër tre herë me radhë ka një rrezik për kapjen e shtetit”, – tha ai.

Zoti Wilson bie dakord me nevojën për ta shmangur një gjë të tillë.

“Shqipëria po shqyrtohet me kujdes. Ende nuk ka filluar procesin e pranimit real për Bashkimin Evropian për shkak të disa dyshimeve që shumë hartues të politikave në Evropë që kanëlidhje me angazhimin e saj për sundimin e ligjit”, – tha ai.

Zoti Serwer thotë se megjithëse ka pasur përparim në vend, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të shqetësuara për probleme si sundimi i ligjit dhe korrupsioni. Ashtu si edhe shqiptarët, thotë ai.

“Unë nuk pres nga askush në demokraci që të jetë i kënaqur. Ata duhet të kërkojnë nga qeveria e tyre atë që duan. Dhe një nga shqetësimet kryesore të popullit shqiptar tani është korrupsioni dhe sundimi i ligjit dhe vendet e punës.”

Zoti Wilson thotë se SHBA nuk mbështet palët por Shqipërinë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mbështesin një kandidat të veçantë, apo një person apo një individ. Nuk funskionon kështu, kur je një anëtar i NATO-s dhe je në rrugën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, – thotë ai.

Zv/Presidenti i Këshillit të Atlantikut thotë se mandati i tretë do të jetë një shans për shumicën për të fituar besimin e duhur për integrim.

“Është një mandat për ta marrë seriozisht këtë proces, për të përshpejtuar përpjekjen e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe për t’u bashkuar me familjen e vendeve të BE-së, ashtu siç ka hyrë në aleancën e NATO-s. Tani është koha për të parë Shqipërinë në atë familje dhe në atë komunitet.”

Të dy analistët bien dakord se angazhimi i shprehur nga Shtetet e Bashkuara ndaj proceseve në Ballkan, është që sinjal që Shqipëria dhe vendet e tjera të vazhdojnë në rrugën e reformave të nevojshme dhe demokratizimit.

Meta nuk jep dorëheqjen!

Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk do të japë dorëheqjen. Kjo përgjigje ka ardhur pas deklaratave nga maxhoranca që i kujtuan Metës qëndrimin para zgjedhjeve. Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi deklaron se ‘e gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: nuk ka dorëheqje’.

“Për të gjithë sahanlëpirësit e Bablokut: Presidenti Meta di vetëm TË MBAJË FJALËN! Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike do të japë dorëheqje. E gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: NUK KA DORËHEQJE! 🇦🇱”, shkruan Blushi.

Mea culpa politike e mendtë në kokë

Nga Genc Pollo, ish ministër e deputet

1- Surpriza e formulës D’Hondt sipas ligjit të vjetër
Ditët e para kësaj jave mbasi u shpallën rezultatet zgjedhore bëra një ushtrim në kompjuter duke pjesëtuar rezultatin e çdo subjekti në secilin qark e duke renditur herësit të cilët korespondojnë me mandatet e deputetit të fituara. E thënë ndryshe aplikova formulën D’Hondt që mban emrin e një matematikani belg të shekullit të 19-të e që përdoret rëndom në botë për shpërndarjen e mandateve. Nuk po bëja atë që gjëndej në çdo portal!

Po imagjinoja sikur Kodi Zgjedhor nuk ishte ndryshuar njëanshëm nga Edi Rama në vjeshtë dhe se PD e LSI po garonin të dyja brenda koalicionit të Opozitës së Bashkuar por secila me listën e vet. Rezultati i këtij ushtrimi më befasoi: Opozita në pesë qarqe merrte një mandat më shumë se aktualisht; pikërisht në Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë e Gjirokastër. Me këtë rezultat PS merrte vetëm 69 mandate deputetësh dhe Opozita e Bashkuar 68. Kingmaker mbetej PSD e cila me gjasë në shtator do të bënte me votë atë që tha të hënën kryetari i saj me gojë.

2- Përgjegjësia personale dhe ajo kolektive.
Një të hënë në shkurt 2019 grupi parlamentar i Partisë Demokratike diskutoi e miratoi një propozim të pazakonshëm që deputetët e dëgjuan një ditë më parë në TV: largimin definitiv nga Kuvendi ose siç njihet “djegien e mandateve”. Plot dy muaj më vonë Këshilli Kombëtar i PD-së diskutoi e miratoi një tjetër propozim të pazakonshëm: “të angazhohet të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë” ose siç tashmë njihet bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Vendimmarrja u krye në atmosferë të ndikuar prej muajsh nga një bestytni popullore se masa të tilla ekstreme do të sillnin vetvetiu ndryshimin e qeverisë. Por edhe ata anëtarë të grupit e të Këshillit të cilit ishin pak të ndikueshëm nga bestytnitë u ndodhën para një dileme të vështirë: refuzimi i propozimit do të thoshte edhe delegjitimim publik i udhëheqjes; e gjitha kjo para zgjedhjeve vendore që do të ndiqeshin nga ato kuvendore. E parë në retrospektivë si propozimi ashtu edhe vendimi ishin të gabuar. Mbase do t’ia kishte arritur qëllimit po të pranohej në ndërgjegje se kostot e një “color” revolucioni si ai ukrainas apo gjeorgjian do t’ja vlenin dhe të ishte kalitur vullneti për t’i çuar gjerat deri në fund. Edhe kur fundi ishte afër ekstremit. Por kjo nuk ndodhi! Vërtet që opinioni brenda e jashtë u ndërgjegjësua për zullumin banditesk të Ramës e disa ndërkombëtarë filluan të çelin sytë ndaj tij. Por duke qenë se dy aktet e opozitës nuk sollën ndryshimin politik të premtuar pjesa neutrale e opinionit filloi t’i shohë ato si kuturisje problematike. Sa për ndërkombëtarët të mëdhenj e të vegjël shqetësimi se mos kuturisje të tilla bëheshin praktikë opozitare në Ballkan, Kaukaz e më gjerë ishte ku e ku më i madh se sa problemet brenda Shqipërisë. Kaq mjaftonte e tepronte që të bëheshin agresivë me opozitën.

3- Sikur të bëhesha prapë nuse !
Por të shikosh në retrospektivë nuk do të thotë të bësh të mençurin pas kuvendit. Kjo analizë vetëkritike ndihmon të kuptosh se çfarë ndodhi e na shërben të gjithëve si përvojë.

Sikur PD e pas saj tërë opozita të mos kishte djegur mandatet atëherë Rama nuk do të kishte mundur të abrogonte koalicionet parazgjedhore siç ishin praktikuar prej dy dekadash dhe nuk do të mund t’i merrte me këtë truk 2,8% të gjithë mandateve; ose pesë copë siç m’a dëfteu ushtrimi më sipër. Atij që më kujton se faji është më shumë tek hajduti se sa tek roja i gjegjet hazërxhevapi duke sqaruar se nuk ke pse të varësh me dorën tënde mëlçitë në qafë të ujkut.

Sikur PD e pas saj tërë opozita të mos kishte bojkotuar zgjedhjet lokale, nuk parashikoj se do arrinte triumf në to; por PD e vetme fitoi 1/4 e bashkive në 2015 nga Shkodra në Përmet e nga Kukësi në Selenicë. Opozita e 2019 mund të shpresonte me realizëm për më shumë se kaq. Edi Rama i mori pa garë të tëra bashkitë në vend dhe i keqpërdori për zgjedhje duke rritur masivisht punësimin elektoral. Nuk do të doja të rekomandoja që bashkitë e munguara të PD të bënin të njëjtën gjë. Por është e qartë se ato do të ndihmonin shumë fushatën në terren. Sidomos në tre katër qarqe ku formula d’Hondt për dyqind a treqind vota e dërgoi mandatin e fundit nga partitë e opozitës tek PS.

Epilog
Nëse opozita nuk do të kuturisej në pranverën 2019 me shumë gjasë ajo do të arrinte të fitonte të paktën 70-71 mandate. Nëse qeveria Rama në fushatë nuk do të blinte vota, nuk do abuzonte me shtetin, nuk do të thërriste në ndihmë banditët, nuk do të kontrollonte mediat e me radhë, fitorja e opozitës do të ishte më e thellë. Por këto të fundit opozita nuk i ndalte dot. Mund të vazhdoja më tutje me nëse opozita nuk do të bënte gabimin X e Y po do të ishte teprim i panevojshëm. Motivi për këtë shënim nuk është të qarët mbi qumështin e derdhur. Jeta politike vazhdon. Po ashtu edhe detyrimi për të nxjerrë mësime e për të mos përsëritur gabimet.

Kryemadhi: Sistem kriminal, Rama manipuloi zgjedhjet, betejë kudo

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka cilësuar të gjithë procesin zgjedhor një manipulim industrial. Në daljen e parë publike pas rezultatit që nxjerr PS fituese dhe LSI-në të tkurrur në 4 mandate, Kryemadhi jo pa emocione foli për tradhti dhe zhgënjim për shifrat, por siç tha ajo e kthjellët për atë që kishte ndodhur.

“LSI dhe qytetarët ishin përballë këtyre zgjedhjeve, përballë një pabesie të madhe që deformoi thellë vullnetin e tyre, e vuri Shqipërinë në një udhëkryq të rrezikshëm. I dha hapësirë bandave, krimit, mundësi lëvizjeje oligarkëve dhe mediave të kapura nga oligarkët për të shformuar çdo qëndrim të qytetarëve shqiptarë. Mbetemi të palëkundur në këtë proces. Jo vetëm që nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë dhe më tutje. LSI nuk do të jetë vetëm në parlament, do të jetë në sheshe, në çdo shtëpi të qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë denoncimet për çdo manipulim dhe tjetërsim vote në këtë proces. LSI do të vazhdojë në mënyrë të pashtershme duke filluar që sot betejën e procesit zgjedhor. Iu bëj thirrje numëruesve të jenë vigjilentë sepse në Durrës ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit, kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për PS. Në Berat, në Durrës, kudo numëruesit dhe komisionerët të numërojnë çdo votë të LSI për kandidatët, të PD për kandidatët dhe të PS. Tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Korçës, Beratit dhe Durrësit. Mandate që i janë grabitur LSI për të nxjerrë Edi Ramën në Durrës. Për 140 vota i hiqet mandati dhe i jepet Edi Ramës. Për 140 vota i hiqet Endrit Braimllarit dhe i jepet Niko Peleshit. I hiqet Ardit Çelës dhe i jepet Blendi Klosit. Numëruesit tanë, të vazhdojnë betejën deri në fund, jo vetëm për të delegjitimuar të gjitha grabitjet e votave të LSI.

Ky proces i manipuluar, para, gjatë dhe pas votimit, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, në dhunimin e Kushtetutës në mënyrën më flagrante, në përdorimin e policisë dhe prokurorisë, sa dhe për të blerë bukën mbështetësit e LSI nuk kishin para në xhep. Mjafton të shohësh manipulimin mediatik të dy mediave kombëtare.

Administrata publike, mjafton të shikoni proceset e numërimit, do të shikoni administratën publike që janë vëzhgues dhe mbajnë shënim votat e patronazhistëve të tyre. I gjithë procesi ishte një manipulim industrial. Ne jemi si feniksi, nga hiri ynë do të ringrihemi dhe do ta çojmë më tej betejën tonë. Beteja jonë nuk është një betejë për një karrige kryeministri apo një karrige ministri, beteja jonë është për ju të rinjtë që të mos ikni nga Shqipëria por të rrini këtu. Është një betejë që Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve dhe jo e Bangladeshit. Beteja jonë të mos ndalojmë për asnjë sekondë për të ardhmen e shqiptarëve. Zhgënjimin e kam pasur shumë të madh në numra, por një gjë e kam pasur të kthjellët. Ky sistem është një sistem që i doli boja. Mjafton të shikosh që LSI me 107 mijë vota merr 4 mandate dhe një parti me 35 mijë vota merr 3 mandate. Ky është sistemi kriminal. Beteja jonë vazhdon, nuk do të ndalet”, deklaroi Kryemadhi.

Rezistencë apo nënshtrim? Kjo është çështja

Ylli MANJANI

Nuk jam anëtar i PD dhe nuk i jap vetes të drejtë të gjykoj e arsyetoj mbi çështje të brendshme të saj.
Por, si qytetar i Republikës, më intereson aseti politik me vlerë të jashtzakonshme PD. Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm politik në Shqipëri.

Ndaj çdo përpjekje për zhvlerësimin e këtij aseti është shërbim ndaj rregjimit të tashmë të konfirmuar të Ramës!
Në këtë kontekst vlen të shihet dhe kontributi i Lulzim Bashës. Mendoj se Ai ka bërë goxha punë në krye të PD. Me përvojën që ka fituar tashmë nuk do ja vlente largimi i Tij nga PD. Ndoshta ka nevojë për një rikonfirmim por edhe kjo ceshtje i duhet lënë anetareve e statutit të PD për ta adresuar. Por sa më shpejt…

Interesi publik kërkon një PD të fortë, të organizuar dhe me strategji bashkimi, jo përçarje.
Shkatërrimi i PD = jetëgjatësi e rregjimit.

Nuk shoh asnjë alternative tjetër politike më të përshtatshme se PD dhe Lulzim Basha për drejtuar një Front Rezistence ndaj rregjimit.
Demokracia nuk është më thjesht në rrezik, por e goditur rëndë. Ndaj nuk bëhemi më demokratë e as nuk e vendosim demokracinë duke larguar Lulin.
Përkundrazi, e bëjmë këtë gjë vetëm duke afruar çdo të palumtur me rregjimin.

Në këtë moment nuk shoh alternative tjetër përveç se: o me rrezistencën o me rregjimin.
Luli dhe PD duhet të jenë në krye të rrezistencës, për hir të interesit publik.
*
Dhe më në fund, të mos shkëpusim vemendjen se në ç’kohë po jetojmë. Post kriza ekonomike e 2008 ka sjellë si pasojë një Europë politike që jeton në populizëm; një lindje ka rrëshqitur në autokraci; dhe një Amerikë në betejë për tregje…
Ndaj sot është më e thjeshtë të jesh autokrat, populist, apo agjent tregjesh sesa kryetar opozite, aq më tepër në një rrumpallëhane vend.

“Fle më mirë kur s’mendoj për Mbappe dhe Neymar”

Pep Guardiola ka bërë shaka se mendimet rreth Neymarit dhe Kylian Mbappes e kanë mbajtur zgjuar gjatë natës para gjysmëfinales së Manchester City  kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i City, i cili po përgatitet për gjysmëfinalen e parë evropiane që prej se iu bashkua klubit pesë vite më parë, thotë se kampioni francez është kërcënim i madh në çdo cep të fushës.

City nuk përballet me asnjë mungesë për këtë ndeshje dhe Guardiola thotë se lojtarët e tij duhet ta luajnë stilin e lojës së vet, duke mos u mbrojtur shumë mbrapa, për shkak të inteligjencës së sulmuesve të PSG-së.

Duke folur para ndeshjes së parë gjysmëfinale në Parc des Princes të mërkurën, Guardiola e nënvizoi rrezikon që përbejnë Mbappe dhe Neymar.

“U përpoqa të fle mirë mbrëmë dhe fjeta vetëm kur nuk mendoja më për lojtarët e tyre (Mbappe dhe Neymar)”, tha Guardiola.

Ai shtoi: “Ne do të tentojmë t’i ndalim ata duke u mbrojtur si ekip dhe duke luajtur si ekip. Duhet t’i përshtatim ca gjëra, natyrisht, por në të njëjtën kohë, nuk do të kishte kuptim të mos jemi ata që jemi në fushë”.

Raporti i Mjekësor: Vdekja e Maradonës mund të parandalohej

Mjekët e Diego Armando Maradonës mund të përballen me akuza për vrasje pa paramendim, pasi raporti mjekësor ka gjetur se legjenda argjentinase nuk kishte marrë trajtim të duhur mjekësor.

Maradona vdiq nga sulmi në zemër më 25 nëntor 2020, disa javë pas një operacioni në tru.

Një raport mjekësor mbi vdekjen e tij, i kryer nga një komision i caktuar nga autoritetet lokale argjentinase, nënvizon se vdekja e ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Napolit ka mundur të shmangej.

Raporti konfirmoi se Maradona vdiq nga një sëmundje paraprake e zemrës, por erdhi në përfundim se kishte neglizhencë të përgjithshme në kujdesin e pacientit e cila ndikoi në vdekjen e tij.

Raporti e dënon mungesën e kujdesit mjekësor në ditët e fundit të jetës së Maradonës.

Doktorët nuk kishin qenë të vetëdijshëm për sëmundjet e shumta të zemrës me të cilat përballej Maradona, duke qenë se ata nuk i kishin bërë kurrë ekzaminime të rregullta fituesit të Kupë së Botës më 1986, sipas raportit.

Shtatë persona janë nën hetime për vdekjen e tij, përfshirë mjekun personal të Maradonës, Leopoldo Luque.