25.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

BE e thotë troç: Përparimi i vendit drejt BE varet nga zhvillimi siç duhet i këtyre zgjedhjeve

Përmes një videomesazhi në ‘Twitter’, ambasadori i BE, Soreca thekson se qytetarët kanë fuqinë të vendosin kush do t’i përfaqësojë.

“Sot është dita e fundit e fushatës elektorale në Shqipëri. Nesër është heshtje zgjedhore. Ndaj do të doja që ta shfrytëzoja rastin për të drejtuar një mesazh para ditës së zgjedhjeve. Më 25 prill ju keni fuqinë të vendosni se kush do t’ju përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm. Kush do të bëjë ligjet që do të ndikojnë në jetën tuaj dhe kush do të vendosë për reformat e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Fuqia juaj demokratike qëndron tek shprehja e vullnetit tuaj lirisht dhe me integritet në qendrën e votimit. Kjo është mënyra se si kujdeseni për familjen, komunitetin dhe të ardhmen tuaj. Në këto zgjedhje fuqia juaj qëndron gjithashtu tek zgjedhja e kandidatit të preferuar që do t’ju përfaqësojë.

Ju nuk mund të anashkaloni këtë mundësi që zëri juaj të dëgjohet. Kjo votë është e juaja, askush nuk mund t’jua marrë. Përparimi i vendit tuaj drejt BE do të varet nga zhvillimi siç duhet i këtyre zgjedhjeve, duke përfshirë respektimin e rezultatit. BE është këtu për të qëndruar pranë Shqipërisë dhe duke e ndihmuar për të realizuar ëndrrën e saj dhe aspiratën e kaq shumë njerëzve në Shqipëri, që t’i bashkohen BE-së. Kjo është arsyeja se pse ditën e zgjedhjeve ne do të jemi në terren me 50 ekipe të delegacionit të BE dhe të SHBA-ve për të qenë me ju për një zhvillim të lirë, të drejtë dhe transparencë për zgjedhjet. Që të punojë për të gjithë demokracia ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve. Votoni të dielën dhe bëni durim ndërsa presim rezultatet. Ti vendos, ti vendos (në shqip)”, thuhet në videomesazhin e Sorecës.

Ndërkohë që përveç videos, diplomati i BE shkruan se; “Më 25 prill pushteti demokratik është në dhënien e votës tuaj lirshëm dhe me integritet. Kjo është mënyra se si ju tregoni se kujdeseni për komunitetin tuaj, familjen tuaj dhe të ardhmen tuaj. Kjo votë është juaja, askush nuk duhet ta marrë atë nga ju. Bashkimit Evropian do të qëndrojë pranë jush në ditën e votimeve. Ti vendos! Ti Vendos!”.

Zyrtarja e lartë e Merkel: Basha “busulla” europiane e Shqipërisë, nëse ka blerje votash do të izoloheni

1.Pandemia ka krijuar një situatë të pazakonte diplomatike. Kryeministri Rama ka kritikuar BE-në se ka lënë jashtë vëmendjes vendet e Ballkanit. Disa herë ai ka veshur me përgjegjësi BE-në se po le gjyshërit tanë pa vaksine. Ndërkohë që gjetja e zgjidhjes se vaksinimit ka ardhur nga Turqia, Kina dhe vaksinat ruse. A është shqetësues për ju, ndryshimi i kursit, qoftë edhe retorikës, nga BE-ja drejt vendeve të lindjes?

Ndryshe nga sa e paraqet Kryeministri Edi Rama, BE-ja po siguron mbështetje gjithëpërfshirëse për vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë Covid-19. Gjatë të ashtuquajturës “vala e parë”, u vunë në dispozicion ndihma emergjente për sektorin shëndetësor, për shembull për sigurimin e maskave, aparateve respiratorë dhe testeve, si dhe një paketë ndihme prej 3.3 miliardë eurosh për përballimin e pasojave të pandemisë në Ballkanin Perëndimor. Në një kohë kur vetë vendet anëtare të BE-se u goditën keq nga pandemia dhe ishin qendra e pandemisë globale, Ballkani Perëndimor nuk u harrua. Midis majit dhe gushtit të këtij viti, BE-ja do të mbështesë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me 651,000 doza vaksinash. BE-ja gjithashtu ofron ndihmë përmes programit ndërkombëtar të shpërndarjes “COVAX”. Vaksinimi është mënyra për të dalë nga kriza, por për sa kohë nuk ka mjaftueshëm vaksina, masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit janë thelbësore. Dhe për këtë mban përgjegjësi qeveria e Edi Ramës. Qeveria shqiptare dhe populli i Shqipërisë janë të lirë të vendosin se cilën rrugë do të ndjekin. Ne në grupin parlamentar CDU/CSU do të dëshironim që Shqipëria të bëhej anëtare e bashkëpunimit në Bashkimin Europian, ashtu si të gjitha shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Nëse dhe kur kjo është e mundur varet kryesisht nga vullneti politik për të përmbushur kushtet e nevojshme. Ne kemi parë pak progres në këtë fushë në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

2. Znj. Leikert, Shqipëria ndodhet më pak se 2 ditë nga zgjedhjet që do të caktojnë qeverinë e 4 viteve të ardhshme. Si e shikoni klimën politike me të cilën po shkohet në zgjedhjet e 25 prillit?

Është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike dhe që të gjithë aktorët e përfshirë të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre. Kjo fillon me organizimin e zgjedhjeve dhe përfundon me çështjen e formimit të koalicioneve. Kjo vlen si për partinë në pushtet, ashtu edhe për opozitën. Në Ballkanin Perëndimor ndonjëherë kam përshtypjen se pushteti politik barazohet me fuqinë ekonomike. Kjo qëndron në kontrast të plotë me idenë tonë të bashkëjetesës demokratike në Bashkimin Evropian. Si grup parlamentar CDU/CSU në Bundestag, ne shpresojmë që të jetë e qartë për të gjithë aktorët politikë të përfshirë në Shqipëri se zgjedhjet janë gjithashtu një vendim se ne cilin drejtim do të shkojë Shqipëria. Do të ndiqet rruga drejt Bashkimit Europian me më shumë përpjekje dhe do te krijohet një perspektivë për të rinjtë në vendin e tyre, apo vendi do te lihet më tej pa një busull orientimi.

3. Raporti i ndërmjetëm i vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri ka evidentuar një klimë të tensionuar politike dhe mosbesim të partive politike mes njëra-tjetrës. A është një sinjal ky se do të kemi zgjedhje jo të pranueshme?

Këtë duhet ta përcaktojnë ekspertët e ODIHR-it dhe për këtë duhet pritur dita e zgjedhjeve dhe vlerësimi përfundimtar. Edhe këtu kriteret janë të qarta dhe objektive.

4. Ju jeni deputete e Bundestagut që vjet vendosi disa parakushte për Shqipërinë për t’i plotësuar në mënyrë që të nisin negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë. Nëse ODIHR do të raportojë probleme me zgjedhjet që do zhvillohen më 25 prill, rrezikojmë ne bllokimin nga BEja?

Po, sigurisht. Ka kushte të përcaktuara qartë që janë vendosur për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Disa procese, si përparimi i Reformës në Drejtësi, varen jo vetëm nga qeveria, por hetimi i individëve të korruptuar, luftimi i krimit të organizuar, hetimi i krimeve zgjedhore, dekriminalizimi ose marrja e masave më të rrepta kundër ekonomisë informale dhe pasurisë së pajustifikuar të zyrtarëve të lartë duhet të jenë gjithashtu nën përgjegjësinë e qeverisë. Reformat shpesh perceptohen nga përfaqësuesit e qeverisë në Shqipëri ose në vendet e Ballkanit Perëndimor si diçka e jashtme. Si diçka që diktohet nga jashtë. Por të jem e sinqertë: qytetarët e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës duan të gjithë sundimin e ligjit, një standard më të lartë jetese, një kujdes shëndetësor më të mirë, një sistem arsimor modern dhe rrugë të mira. Kjo nuk është diçka që Brukseli ose Berlini u diktojnë partnerëve politikë në Shqipëri. Në vizitën time të fundit në Shqipëri në vitin 2019, përshtypja ime ishte se kjo është në interesin e natyrshëm të njerëzve atje.

5. Ambasadorët kryesorë në Shqipëri kanë intensifikuar thirrjet për qytetarët që të dalin të votojnë dhe të mos shesin votën. A keni ju raportime nga diplomatët që keni në Shqipëri për ekzistencën e rasteve të intimidimit të zgjedhësve dhe blerje të votave?

Është e rëndësishme që njerëzit të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes për zhvillimin e vendit te tyre. Çdo formë intimidimi, kërcënimi ose manipulimi nuk është e pranueshme. Vëzhguesit e ODIHR-it, gjithashtu do ta marrin këtë parasysh në vlerësimin e tyre të zgjedhjeve.

6. Duke qenë se PD-ja është pjesë e Partive Popullore Europiane bashkë me partinë tuaj, CDU-në në Gjermani, a e mbështesni ju rrotacionin politik në Shqipëri dhe rikthimin e PD-së në qeveri me kandidat Bashën Kryeministër?

Si grup parlamentar CDU/CSU, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Shqipërisë. Sigurisht, jemi në kontakt të ngushtë me partinë tonë partnere, PD-në dhe kryetarin e partisë Lulzim Basha. Ai vjen me një premtim të qartë për reformën dhe me një busull “pro” europiane. Qeveria shqiptare e Kryeministrit Rama në këto vitet e fundit nuk ka arritur të dërgojë një sinjal bindës të një fillimi të ri dhe të progresit . Më 25 prill, populli i Shqipërisë, i cili deri tani ka votuar vetëm duke emigruar jashtë, do të bëjë bilancin e tij./panorama

Basha nga Shkodra: Të dielën sjellim ndryshimin! Fitorja më e madhe dhe më e bukur sepse do jetë fitorja e gjithë shqiptarëve!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar fushatën përmbyllëse në qytetin e Shkodrës. Duke bërë thirrje për një bashkim të madh drejt ndryshimit më 25 prill, Basha tha se ditën e diel do të sjellim fitoren më të madhe dhe më të bukur, sepse do jetë fitorja e të gjithë shqiptarëve.

Fjala e plotë e kryetarit të PD para qytetarëve të Shkodër

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, shkodrane e shkodranë. Mirë se ju gjej në këtë ditë të bekuar nga shiu i perëndisë që paralajmëron bereqetin e fitores, fitores më të thellë që e pret Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë ditën e diel me votat tuaja për numrin 9.  Cili numër? 9. Shkodra e pamposhtur e demokracisë, Shkodra e papushtueshme dhe e pandalshme e qytetarisë, Shkodra e njerëzve fisnikë, e atyre që shqiptarëve dhe mbarë kombit ia ka ngritur kokën edhe në ditët e saj më të zeza. Është sot siç ka qenë gjithmonë në prirje, në udhëheqje, në pararojë të marshimit më të madh kombëtarë, në zgjedhjet më masive popullore, në zgjedhjet më të rëndësishme pikërisht sepse është Shkodra e ndryshimit, e demokracisë, e Shqipërisë si gjithë Europa. Fitorja e ditës së diel do të fillojë nga Shkodra, do të fillojë nga maja më e lartë e Kelmendit e do të zbresë deri në skajin më jugor të vendit.

Kjo do të jetë fitorja më e thellë dhe do të jetë fitorja më e bukur sepse do t’i takojë çdo shkodraneje dhe çdo shkodrani. Do ti takoj të gjithë shqiptarëve pa përjashtim. 8 vite makth, 8 vite premtime të pa mbajtura, 8 vite nëpërkëmbje, varfëri, shtypje, korrupsion, banda, do të marrin fund sepse në 25 prill energjia që kam prekur dhe kam ndier sa herë kam qenë në qytetin tuaj të mrekullueshme anë e mban Shkodrës dhe Shqipërisë. Kjo energji do të derdhet masivisht në kutitë e votimit. Vëllezër e motra shkodranë ju i keni prirë përherë ndryshimit, ju do t’iu prini fitores.  Qeveria e pas 25 prillit do të jetë qeveria e Shkodrës dhe e Vlorës, e Korçës dhe e Durrësit dhe unë do të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve.

Dua të falënderoj nga zemra e t’ju uroj edhe në emër të të gjithë shkodranëve socialistëve të zhgënjyer që do të votojnë numrin 9, do të bëhen një me vëllezërit e motrat tona sepse nuk ka shqiptarë që nuk e di më se e vetmja mënyrë për ndryshim është vota masive popullore për numrin 9. Dhe largimi përfundimtar i Edi Ramës nga skena politike. 8 vite dështim. 8 vite mjerim. Përgjigjen do ta marrin me votë në kutitë e votimit. Vëllezër dhe motra 12 orë na ndajnë nga heshtja elektorale. 2 ditë e 12 orë na ndajnë nga fitorja. Por siç nuk ndalet uji i Drinit e i Kirit, siç nuk ndalet uji i Bunës mos e ndalni asnjë çast punën derë më derë, zemër më zemër, derisa të mbushet plot ai liqeni i Shkodrës, plot si Adriatiku, me votat e ndryshimit çdo kuti votimi në Shkodër, në Vlorë, në Durrës, në Korçë, në Tiranë e në mbarë Shqipërinë sepse ndryshimi që po vjen është ndryshimi për çdo familje.

Ndaj asnjë familje, asnjë prind, asnjë ri dhe e re nuk mund të mungojë. Votoni edhe për fëm9ijët tuaj, për ata të cilët luftojmë, për ata për të cilët do të zhvillojmë Shkodrën dhe ekonominë e saj, do të hapim vendet e punës, do të rrisim pagat dhe do të kthejmë kulturën, dijen dhe artin në piedestalin e lartë shkodran i cili ngrihet madhërishëm në të gjithë kapitujt e ndritur të historisë tonë kombëtare.

Ora po afron që Shkodra të marshojë kryelartë me destinin dhe fatin që i ka caktuar historia prijëse e demokracisë, prijëse e fitores. Prijëse dhe çelësi i hapjes së derës. Derës së mbyllur për 8 vite nga Edi Rama dhe klika e tij, derës drejtë destinit tonë, misionit tonë hyjnor që Shkodra e ngërthen në historinë e saj. Kulturën e saj, me rininë e saj të mrekullueshme, me nënat dhe baballarët tanë, me themeluesit dhe qëndrestarët e demokracisë. Derës së bashkimit Europian, derës së Shkodrës Europiane, derës së Shqipërisë anëtare e Bashkimit Europian. Ju e dini, nuk ka forcë ta ndalë vullnetin e Shqiptarëve për ndryshim, kurrë më parë nuk kemi qenë kaq shumë, kaq plot me besim, kaq të vendosur, kaq të bashkuar për ndryshimin që po vjen. Nuk ka forcë ta ndalë dhe të dielën masivisht në kutitë e votimit duke votuar numrin 9.

Bashkë për Shqipërinë!

Shkodra fiton!

Shqipëria fiton!

Zoti e bekoftë Shkodrën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!

SHBA e përkushtuar në luftën globale kundër ndryshimit të klimës

Me fjalët se bota duhet të “kapërcejë krizën ekzistenciale të kohës sonë,” Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi synimin e ri për të reduktuar ndotjen nga gazet karbonike në masën 50-52% brenda vitit 2030 gjatë punimeve të samitit virtual global për ndryshimet klimatike me pjesëmarrjen e dhjetëra udhëheqësve të tjerë botërorë.

“Kjo është dekada kur duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të rënda të krizës klimatike,” tha zoti Biden të enjten, duke u bërë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht ekonomive më të mëdha të botës, “t’i përgjigjen sfidës”.

Kryeministri britanik Boris Johnson vlerësoi zotimin e Presidentit Biden si “një faktor përcaktues,” duke thënë se “do të ketë një ndikim transformues në luftën globale kundër ndryshimit të klimës”.

“A është e realizueshme? A do ta tejkalojmë ndoshta? Parashikoj se po,” u tha gazetarëve John Kerry, emisari i administratës amerikane për klimën, kur u pyet për qëllimin e Shteteve të Bashkuara. “A është e mjaftueshme? Jo. Por është maksimalja që mund të bëjmë në këto momente”.

Synimi që deklaruan Shtetet e Bashkuara merr si bazë nivelet e ndotjes në vitin 2005. Shtëpia e Bardhë thotë se përpjekjet për ta arritur këtë objektiv përfshijnë zhvendosjen e prodhimit të energjisë drejt burimeve të pastra, prodhimin e kamionëve e makinave më ekonomike në djegien e karburantit, mbështetjen e teknologjive që u mundësojnë fabrikave të bllokojnë dhe neutralizojnë gazet karbonike para çlirimit në atmosferë dhe reduktimin e sasisë së gazit metan.

Një fakt zhgënjyes për organizatorët dhe ambientalistët në takim ishte mungesa e angazhimeve gjatë punimeve të së enjtes nga dy vendet më të populluara në botë, Kina dhe India.

Zotimet Ndërkombëtare
Presidenti kinez Xi Jinping tha se vendi i tij do të kontrollojë në mënyrë rigoroze përdorimin e qymyrgurit në vitet e ardhshme dhe do të eliminojë gradualisht burimet energjetike karbonike gjatë periudhës 2026-2030. Zoti Xi përsëriti gjithashtu zotimin e Kinës se vendi i tij do të ketë arritur sasinë maksimale të gazeve të çliruara karbonike para vitit 2030.

Kryeministri indian Narendra Modi njoftoi një partneritet me Shtetet e Bashkuara për një axhendë të energjisë së pastër për vitin 2030 “për të ndihmuar mobilizimin e investimeve, demonstrimin e teknologjisë së pastër dhe mundësimin e bashkëpunimeve të gjelbra”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha para pjesëmarrësve: “Ne kemi nevojë për një planet të gjelbër, por situata e globit është emergjencë e nivelit të kuq. Duhet të garantojmë që hapat e ardhshëm të jetë në drejtimin e duhur. Udhëheqësit kudo duhet të marrin masa”.

Takimi dy-ditor zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të Presidentit Biden për të rivendosur Amerikën në rol udhëheqës në këtë çështje, pasi paraardhësi i tij, Donald Trump, i tërhoqi në 2017 Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja me fuqi ligjore e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike. Presidenti Biden e anuloi vendimin menjëherë pasi mori detyrën.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjithashtu njoftoi synimet për të reduktuar në masën 40-45% sasinë e gazeve të çliruara brenda vitit 2030 krahasuar me nivelin e regjistruar në 2005.

Evropa do të zbatojë sistemin e shkëmbimeve/tregtimeve të sasive të gazit të çliruar për ndërtesat dhe transportin, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke shtuar: “Gazet karbonike do të kenë koston e tyre, sepse natyra nuk mund ta paguajë më këtë çmim”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu kënaqësinë që Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë përsëri në politikën e klimës.

“Faleminderit për këtë dhe faleminderit për organizimin e këtij takimi,” i tha Kancelarja Merkel Presidentit Biden. “Kjo është një detyrë prej Herkuli, sepse kjo nuk kërkon asgjë më pak se një transformim të plotë, një ndryshim të plotë të mënyrës sesi ne bëjmë biznes”.

Aktiviteti i zhvilluar përmes internetit, me pjesëmarrjen e më shumë se 40 udhëheqësve, nuk ishte pa probleme teknike. Një jehonë shpërqëndruese shoqëroi fjalimin e hapjes nga Nënpresidentja amerikane Kamala Harris si dhe fillimin e deklaratës së zotit Biden.

Video-klipi me komentet e regjistruara paraprakisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron u ndal në mes që të merrte fjalën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken për të prezantuar Presidentin rus Vladimir Putin, i cili po shfaqte shenja të qarta padurimi, pasi kishte pritur në heshtje për gati dy minuta.

Presidenti rus tha se vendi i tij mund të vërë në zbatim terma dhe kushte preferenciale për investime të huaja në projekte të energjisë së pastër.

Pas fjalimit të zotit Putin, u transmetua pjesa e mbetur e komenteve të udhëheqësit francez Macron, gjatë të cilave ai bëri thirrje për rregullore ndërkombëtare, duke thënë, “Nëse nuk vendosim një çmim për çlirimin e gazeve karbonike, nuk do të ketë tranzicion” në energji të pastër.

Kryeministri japonez Yoshihide Suga njoftoi një objektiv të ri për ekonominë e tretë më të madhe në botë dhe e pesta për sa u përket gazeve karbonike të çliruara në atmosferë.

“Sigurisht që nuk do të jetë një detyrë e lehtë,” tha zoti Suga për objektivin e ri të Japonisë që është komentuar si zhgënjyes nga disa grupe ambjentaliste.

“Qeveria japoneze e ka çuar në 46% objektivin e saj për të reduktuar çlirimin e gazeve karbonike krahasuar me nivelet e vitit 2013. Por ky është një ndryshim i vogël krahasuar me objektivat për reduktim nga vende të tjera dhe ka mpakur përpjekjet për reduktim në shkallë ndërkombëtare,” tha përmes një deklarate dega në Japoni e organizatës ambjentaliste Greenpeace.

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, i cili ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ndihma ekonomike me vlerë 1 miliard dollarë në këmbim të reduktimit në masën 40% të ritmeve me të cilat vendi i tij po priste pyjet e Amazonës, tha në komentet e tij se Brazili do të arrijë brenda vitit 2050 një efekt neutraliteti në çlirimin e gazeve dhe ndikimin mbi klimën.

Vendet e Pambrojtura
Vendet më të vogla patën rastin të komentojnë në ditën e parë të takimit, duke përfshirë udhëheqësit e disa prej zonave më të kërcënuara nga ndryshimet klimatike, të tilla si Antigua dhe Barbuda në Karaibe, Gaboni në Afrikë dhe Republika e Ishujve Marshall në Oqeanin Paqësor.

Duke vënë në dukje se vendi i tij në zemër të Himalajeve jo vetëm ka një ndikim neutral tek klima, por edhe sasi negative të gazeve karbonike të çliruara në atmosferë, Kryeministri i Butanit, Lotay Tshering, u bëri thirrje të gjitha vendeve “të vendosin objektiva më ambicioze”.

Lufta kundër Ngrohjes Globale
Një zyrtar i administratës së Biden u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp të mërkurën që me synimin e ri të Shteteve të Bashkuara dhe objektivat e deklaruara nga Japonia, Kanadaja, Britania dhe Bashkimi Evropian, “në total, ekonomitë e mëdha që përbëjnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së botës praktikisht janë angazhuar tani për hapa që do të sjellin reduktimin e gazeve të çliruara në shkallë globale për të arritur të kufizojmë ngrohjen globale në 1.5 gradë”.

Udhëheqësit botërorë ranë dakord për të kufizuar ngrohjen globale në nën 2 gradë Celciusin në marrëveshjen e OKB-së për klimën të arritur në Paris në 2015 dhe për të synuar për reduktimin në 1.5 gradë Celcius.

Mesatarisht në të gjithë globin, temperaturat janë rritur më shumë se 1.1 gradë Celcius që nga viti 1980. Shkencëtarët e komentojnë këtë rritje si faktor për frontet atmosferike më të nxehta, zjarre jashtë kontrollit, stuhi dhe fenomente të tjera. Ata vërejnë se ritmet e rritjes së temperaturës janë përshpejtuar që nga vitet 1980.

Ekziston skepticizëm në lidhje me angazhimin e njoftuar të enjten nga Presidenti Biden dhe pritet një betejë e fortë partiake kundër zotimit të tij për të zvogëluar përdorimin e burimeve natyrore me bazë karbon në çdo sektor të ekonomisë amerikane.

“Kërkesa pa bukë nga kundërshtarët tanë të huaj dhe goditje maksimale për qytetarët amerikanë,” kështu e komentoi udhëheqësi republikanëve në Senat, Mitch McConnell, planin e Klimës të Presidentit Biden, duke e cilësuar plot “përparësi të gabuara”.

Gazeta Washington Post shkruante në një artikull redaksinal në numrin e së enjtes se megjithëse Presidenti Biden ka ofruar një premtim të madh, vënia në jetë do të jetë shumë më e vështirë.

“Shteteve të Bashkuara do t’u duhen linja të reja të tensionit të lartë për të transportuar energjinë elektrike nga zonat ku mund të ngrihen mullinjtë e erës, apo nga zonat me diell tek zonat ku nuk ka burime të tilla (të gjelbra),” thuhej në artikull.

“Sisteme të mëdha infrastrukturore për energji nga era, dielli dhe potencialisht, energjia bërthamore dhe hidro duhet të ndërtohen në një kohë të shkurtër dhe objektet që punojnë me naftë, gaz apo qymyrguri do të duhet të mbyllen para se u ka ardhur koha. Transformimi i sektorit të transportit duke zëvendësuar automjetet ekzistuese me makina me energji elektrike do të jetë sfidë edhe më e madhe. E gjithë kjo do të kërkojë shuma të mëdha investimesh publike dhe private”.

Qëllimi i ri i Shteteve të Bashkuara “është një hap i rëndësishëm përpara”, sipas grupit “Climate Action Tracker” që analizon në mënyrë të pavarur shkencore veprimet e qeverive për klimën. Por ky konsorcium ndërkombëtar shtoi se zotimi “është ende afro 5-10% më pak se masat që kërkoheshin për të arritur brenda 2030 objektivin për një kufizuar rritjen e temperaturës së planetit vetëm me 1.5 gradë Celcius”.

Sot ora 19:00 mitingu përmbyllës i fushatës së fitores, mos mungo para Universitetit

Sot në orën 19:00 Basha përmbyll fushatën e fitores në Tirane në një takim me qytetarët. Shqipëria do të ndryshojë të dielën.

Mitingu do të mbahet para Universitetit dhe ftohen qytetaret të marrin pjesë.

Ponari: Pandemia goditi bizneset por krijoi dhe mundësi të reja

Pandemia preku ekonomitë e gjithë botës dhe shkurtoi vendet e punës. Vendosi në vështirësi buxhetin e shtetit dhe frenoi planet e investimeve publike dhe private.

Ky vit që ka hyrë premton ndryshime për mirë, veçanërisht biznesi si agjenti kryesor ekonomik.

Price Watter House Coopers Consulting, një nga kompanitë botërore lider në fushën e auditimit dhe konsulencave fiskale dhe legale ka kryer një anketim në nivel global, ku kanë marrë pjesë mbi 5000 drejtuesë kompanish nga më shumë se 100 vende të botës përfshirë edhe Shqipërinë, mbi vizionin dhe pritshmëritë e CEO-ve të kompanive të mëdha për zhvillimin e ekonomisë post-covid.

Sondazhi adreson 3 elementë të rëndësishëm që janë relevantë në tregun ku operojmë: besimi në rimëkëmbjen e ekonomisë, risqet me të cilat përballet biznesi dhe reagimi i tyre për këto risqe nëpërmjet masave të ndryshme apo orientimit të investimeve.

Drejtuesit shqiptarë besojnë në përmirësimin e ekonomisë globale si dhe në rritjen e të ardhurave të kompanive të tyre.

66% e drejtuesve të kompanive shqiptare besojnë se ekonomia globale do të përmirësohet brenda 12 muajve të ardhshëm, 76.6% prej tyre mendojnë se të ardhurat e kompanive të tyre do të rriten brenda 12 muajve të ardhshëm dhe 80.9% e tyre mendojnë se të ardhurat e kompanive të tyre do të rriten në 3 vitet e ardhshme.

Zoti Ponari, ku bazohet ky optimizëm i drejtuesve të kompanive Shqiptare, përfshirë edhe Ju, sipas asaj që na referon sondazhi?

Ponari: Pas çdo stuhie lind dielli, ndaj edhe për ekonominë globale dhe atë shqiptare po afron lindja e diellit pas stuhisë së madhe që kaluam dhe që ende nuk ka përfunduar.

E ardhmja duket më pozitive, më premtuese, sepse ekonomia botërore do të ketë ndryshime dhe natyrisht ndryshime për mirë do të ketë edhe ekonomia shqiptare.

Pavarësisht goditjes që pandemia i dha biznesit krijoi dhe një lloj zgjimi tek bizneset për të gjetur hapësira dhe mundësi të reja, duke bërë që bizneset të orientohen sot drejt një rruge të re që është bota dixhitale. Pra kriza krijoi edhe mundësi dhe i bëri bizneset dhe drejtuesit e tyre për të menduar hapësira të reja se ku duhet të riorientohen dhe të investojnë.

Industritë në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë ndërtuar strategji të reja të cilat do ta çojnë biznesin më përpara, drejt linjës së bizneseve botërore.

A ka një pjekuri të biznesit shqiptar pas gjithë kësaj stuhie dhe a mund të flasim për një ndërgjegjësim më të madh të biznesit tonë pas gjithë kësaj krize për shkak te Covid 19 për një oportunitet të ri, ku mund të shikohet që të vetëm nuk mund të bëjmë dot ndërsa me bashkëpunime mund të arrijmë më lart?

Ponari: Zhvillimi i biznesit në tërësi kërkon që të ketë një partneritet me baza të shëndosha dhe solide. Sot ndërmarrjet e mëdha shqiptare janë të lidhura me koorporata të mëdha të Europës Perëndimore dhe të vendeve të tjera, ç’ka ka krijuar një partneritet solid, veçanërisht në tregun e sigurimeve, ku pothuaj gjysma e kompanive janë në partneritet me kompani të mëdha Europiane dhe kjo ka krijuar mundësi dhe hapësira të jashtëzakonshme dhe sigurisht ka dhënë edhe një garanci të madhe financiare, jo vetëm për vetë kompanitë por por të gjithë tregun në tërësi.

Në këtë aspekt, tregu është fokusuar në rritjen dhe konsolidim, ç’ka do të bëjë që në vitet e ardhmshme apo ndoshta edhe menjëherë pas pandemisë bizneset vendase do të jenë më solide nga shumë pikëpamje. Dhe ndoshta zhvillimi i reformave nga shteti që janë aq të domosdoshme për ekonominë në Shqipëri, do të bëjnë që ekonomia dhe biznesi të mos përqëndrohet më vetëm në disa persona, por të zgjerohet dhe të kalohet në ekonomi shumë më të mëdha, me më shumë persona, duke krijuar një avantazh për të gjitha bizneset dhe për pasojë edhe më shumë avantazhe edhe për punonjësit e tyre.

Zoti Ponari, ju operoni në industrinë e sigurimeve dhe një nga shërbimet apo paketat që ofroni janë edhe sigurimet e shëndetit dhe të jetës. Sa ka ndikuar pandemia që Shqiptarët të ndërgjegjësohen për të blerë një sigurim të tillë?

Ponari: Ne shpesh kemi folur për sigurimet dhe hapësirat dhe mundësitë që ofron kjo industri. Aktualisht kjo është një nga industritë më të goditura për shkak të krizës së pandemisë, sepse shumë ndërmarrje dhe koorporata të mëdha në të gjithë botën kanë qenë të siguruar dhe industrisë së sigurimeve i është dashur të paguajë dëme në shuma jashtëzakonisht të mëdha.

Në industrinë e sigurimeve në Shqipëri dy janë elementët që e bëjnë që kjo industri të jetë e pandjeshme në rritjen ekonomike të vendit: e para është mentaliteti i qytetarëve shqiptarë dhe e dyta është legjislacioni.

Ndërsa sa i përket nga pikëpamja e sigurimeve të shëndetit dhe të jetës ka një moskuptim të drejtë sepse nga njëra anë është tregu i sigurimeve për të mbuluar këto dëme për sigurimet e jetës, të shëndetit, dëmet nga tërmetet, përmbytjet dhe në tërësi nga fatkeqësitë natyrore dhe nga ana tjetër kemi qeverinë e cila vazhdon akoma të marrë përsipër të përballojë këto dëme, duke anashkaluar këtë industri.

Një pjesë e qytetarëve e prekën vetë se çdo të thotë të përfitosh nga sigurimet, kur ra tërmeti, ku rreth 30 milionë euro dëme u paguan nga kompanitë e sigurimeve, sikundër gjatë pandemisë ka patur dëme të konsiderueshme edhe sa i përket shëndetit.

Nëse do ti rikthemi pyetjes nëse e gjithë kjo a ka shërbyer për ti ndërgjegjësuar shqiptarët dhe a ka një rritje të sigurimeve të jetës dhe shëndetit, do të thoja që shqiptarët ende mbeten besnikë të asaj shprehjes që gjithçka e lëmë në dorë të Zotit, ndaj nuk ka patur një efekt konkret të dukshëm, por vetëm një tentativë shumë të vogël që përllogaritet në përqindje, por në vlerë apsolute në fakt është e papërfillshme.

Sot industria e sigurimeve në Shqipëri zë vetëm 35 euro për frymë, pra mesatarisht një qytetar shqiptar konsumon vetëm 35 euro sigurime në vit, ndërsa qytetarët e rajonit dhe Europës konsumojnë 3000 euro për frymë, dërsa Zvicra dhe Amerika mbi 6000 euro për person.

Nga pikëpamja e rekrutimeve për palët e treta, si e shihni ju mungesën e fuqisë punëtore në treg?

Ponari: Një nga arsyet e mungesës së fuqisë punëtore për ndërmarrjet dhe institucionet, pavarësisht se jemi në ekonomi tregu, mendoj që po të pyesësh të rinjtë shqiptarë por edhe grupmoshat e tjera se ku do të punosh, të gjithë duan të punojnë në shtet. Arsyet se përse dihen. Sepse mendojnë që në shtet puna është më e rehatshme, kërkesa e llogarisë është më e vogël, ndërsa në ndërmarrjet private puna është më e kontrolluar dhe ka kërkesë llogarie më të lartë.

Ajo që duhet bërë mendoj unë për ta minimizuar këtë lloj mendësie dhe trendi pune është që të kalohet në paga preferenciale sipas industrive dhe niveleve të punës. Kjo do të bënte që të mbroheshin interesat e atyre kompanive që përgatisin stafe profesionale, që të mos u ikin punonjësit dhe të kalojnë sa nga një kompani në një tjetër, siç po ndodh në industrinë financiarë që është dhe më e goditura sa i përket këtij fenomeni.

Sot ne jemi përballë një page që krijon hapësirë për tu larguar çdo punonjës i kualifikuar sepse taksat në profesionet e lira janë aq të ulta sa ato nuk do të donin të punonin në profesionet ekonomike. Vetëm përfitimi nga taksat i profesioneve të lira është i barabartë me fitimin vjetor të një punonjësi në sektorin financiar.

Një punonjës që punon në industrinë financiare i cili paguhet me 500 mijë lekë të reja në muaj, ai paguan 20 milionë lekë taksa në vit dhe kjo e bën atë të painteresuar që të vazhdojë të punojë në këtë sektor.

Pra rregullimi i sistemit të pagave dhe taksave bën të mundur edhe rregullimin e punonjësve dhe kërkesave për punë.

Zoti Ponari, a po investoni ju tek punojësit tuaj me qëllim që të rritet produktiviteti i tyre dhe kompania të bëhet më konkurruese në treg?

Ponari: Pa diskutim që një nga synimet e kompanisë që unë drejtor, SIGAL Uniqa Group Austria, është edhe rritja profesionale e punojësve që ata të jenë kompetentë të kryejnë funksionet që kanë marrë përsipër të bëjnë apo ato detyra që u janë ngarkuar.

Ne u kushtojmë vëmendje jo vetëm trajnimeve brenda vendit, sepse ato janë të domosdoshme, por njëkohësisht një rëndësi të veçantë u kushtojmë trajnimeve jashtë, në Europë.

Pjesa më e madhe e stafit që unë drejtor janë të trajnuar në Vjenë dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian, për të gjitha llojet e produkteve apo procedurat që duhet të ndjekin.

Nga njëra anë kjo përgatitje ka bërë që ata të jenë të lakmueshëm nga kompanitë e tjera që preferojnë ti marrin të gatshëm dhe ti përdorin si burime të tyre njerëzore, dhe nga ana tjetër kjo ka nxitur një konkurrencë ndërmjet kompanive për të patur stafe profesionistësh në mënyrë që kompania të rritet dhe të ecë me hapa të shpejtë.

Stafet e mirëpërgatitura, siç janë në SIGAL, bën që kompania jonë të jetë tepër kompetitive me kompanitë e tjera, të cilat përpiqen që këtë kontigjent punojësish ta marrin të gatshëm dhe ta përdorin për kompanitë e tyre.

Prandaj është e domosdoshme që kjo përgatitje dhe investim në staf të bëhet jo vetëm në një kompani por në të gjitha kompanitë dhe industritë me qëllim që të ketë nivele të barabarta dhe të ketë një standard të personave që drejtojnë kompanitë dhe departamentet përkatëse në çdo kompani.

Ne, duke qenë pjesë e një grupi të madh siç është UNIQA dhe duke patur një ‘know how’ shumë të mire, përqendrohemi në këtë përgatitje europiane, krahas përgatitjes lokale, që të jemi me të njëjtat standarte si kolegët tanë europianë e ndërkombëtarë, të jemi në të njëtat nivele me ta sa i përket cilësisë së përgatitjes profesionale.

Sipas mendimit Tuaj, cili është roli i shtetit në industrinë e sigurimeve ku ju operoni?

Ponari: Roli i shtetit është gjithmonë i rëndësishëm në çdo industri, pavarësisht se në industrinë tonë ka një rol më tepër mbikëqyrës. Ky rol duhet fuqizuar sa më shumë në mënyrë që edhe shërbimet të jenë koherente dhe garancitë financiare të kompanive të jenë të fuqishme. Nga ana tjetër, sa i përket përgatitjes dhe kualifikimit të punonjësve, shteti ka shumë gjëra në dorë që mud të bëjë për të rritur cilësinë e shërbimeve në tërësi.

Shkëputur nga emisioni i A2 Business, i gazetares Aurora Sulçe

Instituti Ndërkombëtar për Studime të Ballkanit: Basha fiton zgjedhjet më 25 Prill, regjimi i Ramës-brutal!

IFIMES – Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, me seli në Lubjanë – Slloveni, parashikon se opozita e drejtuar nga Partia Demokratike del fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Në një opinion të botuar në “eurasiareview”, IFIMES shprehet se Shqipëria nuk mund të mbajë më barrën e rëndë të varfërisë dhe padrejtësisë.

“Aleanca për Ndryshim, e udhëhequr nga Partia Demokratike përbën koalicionin fitues. Është një koalicion i përgjithshëm kundër regjimit brutal të Partisë Socialiste të Edi Ramës. Shqiptarët janë zhveshur nga e ardhmja e tyre. Kjo është e dukshme në çdo hap, përfshirë prindërit që nuk e dinë se çfarë e ardhme i pret fëmijët e tyre, numrin e madh të shqiptarëve që kërkojnë punësim dhe një të ardhme më të sigurt. Sundimi autokratik dhe arrogant i Kryeministrit Rama, në ndërthurje me nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit e ka çuar Shqipërinë në humbje dhe larg rrugës së integrimit në BE”, thekson IFIMES.

Duke u ndaluar te figura e kryeministrit Edi Rama, instituti shprehet se, “biografia politike dhe morale e Ramës është një barrë për Shqipërinë”.

“Partia Socialiste nuk ka arritur të modernizohet, por ka mbetur një parti e ngurtë, regjuese, autokratike komuniste. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Rama ka vendosur një regjim i cili është një ndërthurje e regjimeve të Enver Hoxhës dhe Sllobodan Millosheviçit”, komenton më tej IFIMES, që sjell në vëmendje dhe akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për “tregti me territore shqiptare”, duke cekur rastin e Kosovës dhe marrëveshjen e detit me Greqinë.

IFIMES vijon më tej, duke u shprehur se Republika e Shqipërisë, aktualisht, është në situatën më të vështirë që nga rënia e regjimit të Enver Hoxhës në 1991.

Sipas IFIMES, humbja e regjimit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë e mjaftueshme për të siguruar një të ardhme dhe perspektivë më të mirë të shtetit të Shqipërisë dhe qytetarëve të tij.

Sipas analistëve, vijon IFIMES, zgjidhja mund të vijë përmes instrumentit të “Besës” – që mund të përdoret për të arritur një konsensus të përgjithshëm shoqëror: të bësh një premtim publik (marrëveshje shoqërore) në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të lënë mënjanë dallimet, ankesat dhe antagonizmat.

Ish-zv/ministrja e PS, e shokuar nga deklarata e kandidates së Ramës

Kryeministri në ikje, Edi Rama mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, kishte marr me vete dhe dy kandidate për deputete në Tiranë dhe në Shkodër, Bora Muzhaqi dhe Edona Bilali, të cilat u pyetën nga ana e gazetarëve në studio, se cilat do të ishin projektet e para që do t’i kërkonin kryeministrit për qytetet e tyre.

Bilali e Shkodrës tha se, do të sillte në qytet investitorë të huaj, ndërkohë që më e fortë ishte deklarata e Muzhaqit, e cila edhe pse vjen nga një profil ekonomik, tha se, “Edi Rama e leu Tiranën me ngjyra për të ulur krimin”.

Këto deklarata të të rejave që aderojnë në PS, nuk mund t’iu shpëtojnë socialistëve të vjetër, që tashmë e gjejnë veten jashtë partisë, për shkak të përplasjeve me Ramën. Ka qenë ish-zvministrja e ekonomisë Irena Beqiraj ajo që ka komentuar deklaratat e dy kandidateve të Ramës në këto zgjedhje.

Postimi i Beqirajt

DUKE pare Opinion! Tan Hoxha pyet – si do të arrini majën kur në 8 vite, më shumë rritët borxhin se Prodhimin e Brendshem Bruto? Kandidatja, ekonomiste e LSE – Rama e leu Tiranën me ngjyra për të ulur krimin!

Kandidatja e Shkodres ka filluar nga puna të sjellë 2 investitorë nga Austria që do të hapin 3000 vende pune.

Por ndërkohë një biznesmeni në Shkodër, që kërkonte punonjes, qeveria i sygjeroi të përdorte ligjin për punësimin e të huajve edhe t’i sillte nga Bangladeshi.

Për çfarë do vijnë austriakët në Shkodër, të punësojnë krahun e lirë të punës që vjen nga Bangladeshi?

Po kthehem te librat e mi, mbase gjej ndonjë përgjigje!!!!!

Unë besoj në Fitoren e Madhe të Ndryshimit!

Nga Agim BAÇI

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që ka promovuar, në tetë vite si kryeministër, vetëm kulturën e rrezikshme të vlerësimit të “të fortëve”, duke refuzuar prej kohësh njeriun e ndershëm, duke refuzuar njeriun që zbaton ligjin, duke refuzuar njeriun që kërkon të drejtën për veten dhe shoqërinë.

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që ka vendosur talljen si programin e vetëm për shqiptarët.

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që promovon dhe mbron ata që u kapën duke mashtruar qytetarët shqiptarë me legalizimet e shtëpive.

Unë besoj se bashkëqytetarët e mi nuk do votojnë më 25 Prill për njeriun që mbron dhe promovon publikisht këdo që, në kundërshtim me çdo ligj e moral, ka survejuar jetët tona.

Unë jam shpresëplotë se bashkëqytetarët e mi do ta refuzojnë talljen dhe dhunën dhe se do të mbrojnë votën e tyre, që më pas të kenë moralin për të kërkuar llogari dhe zbatim ligji nga të zgjedhurit prej tyre!

Unë jam shpresëplotë se bashkëqytetarët e mi nuk mund të tolerojnë më asnjë të zgjedhur prej tij që kërkon të sillet si pronar i jetëve tona dhe që nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e tij.

Unë jam shpresëplotë se çdo qytetar i përgjegjshëm e kupton se shitja- blerja e votës është përçmim për vetveten, ndaj nuk do të lejojë të nëpërkëmbet e të trajtohet thjesht si një numër.

Ndaj unë besoj se Edi Rama e ka humbur Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, sepse ai ka humbur mundësinë t’i bëjë bashkëqytetarët tanë të besojnë se ai mund t’i respektojë si qenie me dinjitet, se mund t’u thotë të vërtetën, se mund t’i çojë përpara në rrugëtimin drejt vlerave!

Ndaj, i nderuar bashkëqytetar, voto këtë të dielë Për Ndryshimin e mos lejo që të mëpërkëmbesh nga askush! Sepse, kushdo që kërkon të të blejë votën është një person që nuk meriton të jetë vendimarrës për jetën tënde, për të ardhmen e fëmijëve të tu, sepse ai që blen votën, shet më pas edhe dinjitetin e tij, duke u bëra streha e së keqes dhe e së padrejtës!

Ne duhet ta mbrojmë veten tonë, shtëpitë tona dhe flamurin që na mbledh drejt një udhëtimi për një jetë me dinjitet, për një shtet ku njerëzit trajtohen si të barabartë përpara ligjit.

Me kurajon tonë dhe me ndihmën e Zotit ne, të gjithë së bashku, mundemi për një Shqipëri më të mirë!

Me Ndryshimin Shqipëria Fiton!

Reagon Xhelal Mziu: Mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme, jam kundër dhunës!

DEKLARATË E KANDIDATIT TË PD PËR DIBRËN, XHELAL MZIU

Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit.

Dua të jem i qartë: Unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!

Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve.