28.5 C
Tirana
E premte, 6 Qershor, 2025

Denoncimi i fortë: Tom Doshi po hedh shuma marramendëse për blerjen e votave

DOSHI NE KESHILLIN E MENDATEVE - Deputeti Tom Doshi, duke hyre ne mbledhjen e Keshillit per Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ne Kuvend, ku eshte diskutuar rreth kerkeses se Prokurorise se Pergjithshme per ti dhene autorizim per ndjekje penale ndaj dy deputeteve, Tom Doshi dhe Mark Frroku./r/n/r/nDOSHI IN COUNCIL OF MANDATES - Lawmaker Tom Doshi, before the meeting of the Council for the Regulation, Mandates and Immunity in the Parliament.

Kandidatja për deputete në listën e Tiranës nga koalicioni opozitar, Mesilda Doda, në një intervistë për Fax News, ka apeluar qytetarët që të dalin masivisht për të votuar në 25 Prill.

Doda tha se, PDIU përveçse ku ka kandidatët e saj, po bën fushatë në të gjitha qarqet ku ka një prani të madhe të komunitetit çam, ndërsa shtoi se po bëhet maksimalizimi i votave për koalicionin opozitar.

“Ka pasur raste që kanë pasur me vete policinë dhe ushtrinë dhe nuk ja kanë dalë dot që të mbajnë Shqipërinë në robëri, si në kohën e Ramiz Alisë. U lutem qytetarëve që në datën 25 Prill të dalin sa më shumë të për votuar, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, dilni sa më shumë të votoni, detyra jonë është që të ndryshojmë dhe të sjellim një Shqipëri normale.

E kanë mbajtur shqiptarët për 8 vite me radhë shqiptarët këtë pandemi vjedhjesh, janë parti më të vogla pranë PS-së dhe shkojnë me premtime për blerje votash. SPAK duhet të zgjohet, pasi nesër do të duhet të mbajë përgjegjësi për mosveprimet”, u shpreh Doda, e cila përmendi se partia e Tom Doshit, emri i të cilit është lakuar nga ambasada amerikane, po tenton që të blejë vota në terren.

A ka prova që Tom Doshi po ndërhyn në zgjedhje?

Doda: Në në terren e kemi këtë lloj informacioni, provat duhet t’i gjejnë organet e drejtësisë, ndaj do të duhet që të gjithë të bëjnë punën e tyre. Derisa na kanë ardhur ne fakte që jepen shifra marramendëse për blerjen e votave, atëherë drejtësia duhet t’i gjejë.

Video/ Qytetarja kërkoi të flasë në mitingun e Ramës, ndalohet nga policia

Një qytetare e cila ka tentuar të futet në mitingun që po mbante kryeministri Rama, është ndaluar nga policia të jetë pjesë e këtij mitingu.

Siç shikohet edhe nga pamjet, qytetarja është ndaluar nga policia që edhe e ka shtyrë.

Qytetarja ka pasur për qëllim ti shprehë kryeministrit problematikën e saj, por mesa duket nuk ka qenë e këtij mendimi policia.

Ndiqni videon e siguruar nga JOQ…

Bashkimi Kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm/ Berisha: Parashikoj një fitore të sigurtë të PD dhe opozitës

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur më gjerësisht mbi idenë e Bashkimit Kombëtar, Mini-Shengenin-Ballkanik dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Berisha tha se pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës në vitin 2013, ai së bashku me ish-presidentin Thaçi, u bënë promotorë të ndryshimit të kufinjve dhe ndarjes së Kosovës. Ai po ashtu foli mbi ndikimin që pritet të ketë në politikën rajonale dhe më gjerë dyshja Osmani-Kurti.

Ish-Kryeministri shqiptar ‘zbulon’ detaje të panjohura më parë, mbi vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit. Këto dhe shumë tema të tjera i’u ftoj të lexoni intervistën e plotë dhënë për “Gazeta Blic” të ish-kryeministrit dhe ish- kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Intervista e plotë

Gazeta Blic: Zoti Berisha, muajt e fundit në Kosovë po përflitet shumë ideja e Bashkimit Kombëtar, si i vlerësoni këto deklarata dhe sa është e mundur të realizohet diçka e tillë?

Sali Berisha: Në bindjen time Bashkimi Kombetar i shqiptarëve është i pashmangshëm. Ideja e ‘Bashkimit Kombetar’ si ide udhëheqëse dhe si ideal kombëtar është diktuar nga njëra anë nga padrejtesitë më të mëdha historike të Europës ndaj shqiptareve, coptimit të trojeve te tyre në të cilat ata kudo ishin shumicë etnike, dhe vazhdimësi gjeografike. Pra është nje ide e hershme e shfaqur dhe konkretizuar nga fundi i viteve 70-të shekullit te 19-të në kulmin e perpjekjeve të Fuqive të Mëdha të kohës për të mohuar ekzistencën, kombin shqiptar, asgjësuar atë dhe coptuar trojet e tij. Ndarja e parë e madhe e kombit dhe trojeve shqiptare ndodhi gjatë Perandorisë Otomane, e cila jo vetëm nuk njihte kombin shqiptar por coptoi në tre dhe kater vilajete trojet shqiptare. Ndarja e madhe e trojeve me pas në vitet e Krizes Lindore, mesi i viteve 70 te shekullit te 19, kjo ndarje u konkretizua me coptimin e mëtejshem të trojeve shqiptare dhe tani tjetërsimin e tyre në favor të fqinjëve grabitqar. Kështu ideja e ‘Bashkimit Kombetar’ u kristalizua pikërisht ne vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe që nga ajo kohë deri në vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore, shqiptarët derdhën lumenj gjaku për bashkimin e tyre në një shtet të lirë të veçantë fillimisht nën sovranitetin e Turqisë dhe me pas të pavarur. Me gjithë zgjimet e fuqishme dhe letargjitë e zgjatura ajo nuk njohu shuarje kurrë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët patën të gjitha mundësitë të bashkoheshin në luftë kundër pushtuesve nazifashist dhe sebomëdhenj. Por kjo nuk u realizua sepse Tito e pengoi atë nëpërmjet repartit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë qe themeloi në Tiranë me emrin Partia Komuniste e Shqipërisë por edhe për shkak të brishtësisë, dobësive dhe konfuzionit të nacionalizmit shqiptar. Pas lufte, Enver Hoxha, siç dëshmojnë dokumente të shumta, jo vete la me qëllim Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi por ai ndërmori të gjitha aktet që të shndërronte Shqiperinë në Republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Pas çlirimit të shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri nga diktaturat komuniste, shqiptarët në Kosovë, udheheqja e tyre politike me qëndrimet e tyre por edhe qeveria e Shqiperisë arritën të vendosin çështjen shqiptare në tryezen e fuqive të mëdha të kohës. Në drejtim të zgjidhjes sa janë shënuar arritje të mëdha, historike. Shqiptarët në Kosovë kaluan nga rezistenca paqësore në luftë guerrlie te armatosur. NATO me fuqinë e saj ajrore bëri të mundur çlirimin e Kosovës. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut arritën me forcën e armëve të diktojnë marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët në Mal të Zi luajtën rol thelbësor në pavarësinë e Malit të Zi. Përparimi në drejtimin e duhur të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare ishte i jashtëzakonshëm.

Por megjithe këtë, ideali i bashkimit kombëtar i shqiptarëve mendoj se është i perjetshëm. Mirëpo tani duhet patur parsysh se megjithë rolin themelor të shqiptarëve në këto procese, aksionerë përcaktues të tyre kanë qenë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kështu që parimi i partneritetit dhe luajalitetit nuk lejon vendime apo veprime të njëanshme të shqiptareve ndaj një statusi të vendosur ndërkombetarisht dhe me miratimin e tyre të sanksionuar në akte dhe marreveshje dhe ligje ndërkombëtare. Kështu që ideja e Bashkimit Kombëtar, për realizimin e plotë të saj kërkon së pari mirkuptim të plotë nga aleatët tanë kryesorë por edhe çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe dëshmimin e shqiptarëve para komunitetit ndërkombëtar se ky proces konsolidon me tej paqen, stabilitatin në rajon.

Por këtu dua të shtoj se idenë e Bashkimit Kombëtar e nxit dhe e favorizon dhe armiku kryesor i kësaj ideje, serbomadhi Vuçiç me mohimin që ai i bën shtetit te pavarur të Kosovës dhe pretendimet e tij territoriale luftënxitëse ndaj tij. Me këto qëndrime të bazuara krykëput në doktrinën e serbomadhisë, Vuçiç nxit kështu një përballje të re midis agresorve serb dhe shqiptarëve, e cila pavarësisht nga çmimi do përfundoje me fitoren e shqiptarëve mbi agresorin serb dhe bashkimin e tyre përfundimtar.

Gazeta Blic: Sa e shihni të realizueshëm projektin e “Mini-Shengenit” Ballkanik, nëse po, a ka përfitime apo pasoja për shqiptarët?

Sali Berisha: Projekti i Mini- Shengenit ka qenë një ide e levizjes vetëm me letërnjoftime të qytetarëve ne vendet e hapësirës së Ballkanit Perëndimor, zbatimi i të cilës ka filluar vite më parë. Në këtë kontekst, mendoj se kjo është lehtësi dhe paritet. Mirëpo Mini- Shengeni, i cili bazohet në traktatin e Novi Sadit, traktat i shkruar në Beograd dhe të cilin përveç autoriteteve serbe nuk e ka lexuar njeri, është problematik. Në Samitin e themelimit të tij u përjashtua nga Vuçiç dhe Rama, Kosova. Nga Novi Sadi u përhapën harta që shuanin kufinjtë e Kosovës me Serbinë dhe një të tillë e publikoi edhe Edi Rama në FB e tij. Kosova me të drejtë e kundërshtoi, dhe këtë kundërshtim Edi Rama e përdori për të shpallur luftën e ftohtë nga Tirana me Prishtinën.

Gazeta Blic: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e ka përkrahur me ngulm këtë projekt, (Mini-Shengenin) ndërsa ju e keni kundërshtuar vazhdimisht, pse?

Përkrahja që Edi Rama i bëri që në fillim projektit të Vuçiçit ishte përkrahje vasaliteti dhe në dëm të Kosovës. Më vonë në Shtëpinë e Bardhë u firmos një marrëveshje, e cila përfshinte edhe Mini-Shengenin pa cituar askund traktatin e Novi Sadit dhe në kushtet e paritetit të plotë. Jashtë kushteve të paritetit të plotë asnjë marrëveshje nuk mund dhe nuk duhet pranuar.

Gazeta Blic: Zoti Berisha, keni deklaruar kohë më parë se shkëmbimi i territore të Kosovës është një ide e Serbisë së Madhe dhe keni akuzuar edhe ish-Presidentin Thaçi dhe kryeministrin Rama si të përfshirë drejpërdrejtë në këtë projekt?!

Sali Berisha: Projekti i ndarjes së Kosovës dhe hartat e ndarjes saj kanë qarkulluar dhe janë nxitur në fillimet e viteve 90-të nga Sllobodan Millosheviçi si një zgjidhje e problemit të Kosovës, natyrisht gjithnjë në kuadrin e Serbisë së Madhe. Kjo ide është kundërshtuar preras nga Shqipëria. Ajo nuk është pranuar nga qeveria e SHBA-ve, dhe e vërteta është se Kosova u çlirua në tërë territorin e kufinjve të saj në hartën e ish -Jugosllavise dhe këta kufinj u njohën si kufinjtë e saj ndërkombëtar, pas çlirimit të saj, në marrëveshjen e Kumanovës e më vonë në dokumentin Ahtisari dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombetare të OKB-së. Kosovën në këta kufinj e njohën si shtet të pavarur mbi 115 vende në të katër anët e kontinentet.

Pas vitit 2005 pala serbe bëri përpjekje që të negocionte me Shqipërinë për problemin e Kosovës, por këto përpjekje morën një përgjigje kategorike negative nga qeveria shqiptare. Qëndrimi ynë ishte se marrëveshja midis dy vendeve duhet të negociohet vetëm nga Kosova dhe Serbia dhe se Shqipëria nuk merr kurrë pjesë në këto negociata, populli i Kosovës së pavarur ka qeverinë dhe pushtetin e tij përfaqësues. Përveç kësaj ne kundërshtuam çdo ide për ndryshimin e kufinjve apo shkëmbimin e territoreve.

Me qëndrimet tona ishin plotësisht dakord SHBA-të dhe partnerët tanë të tjerë ndërkombëtarë. Pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 dhe vizitës së tij në Beograd, takimit të tij kokë me kokë me serbomadhin Vuçiç, skenari i ndryshimit të kufinjve të Kosovës dhe ndarjes së saj, mori jetë. ‘Trojka’ e argatëve të Beogradit, Edi Rama apo siç e quajnë mediat Zografi Bis, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu, në një seri takimesh të fshehta dhe të hapura u bënë flamurtarë të projektit të Serbisë së Madhe, ndryshimit të kufinjve madje dhe ndarjes së Kosovës. Në funksion të kësaj politike serbomadhe dhe antishqiptare u mbuluan me heshtje të tmerrshme gjenocidi dhe krimet kundër njerzimit që agresorët kryen në zbatim të operacionit famezi “Patkoi” në Kosovë.

Në funksion të kësaj politike antishqiptare por dhe çnjerëzore u mbrojt dhe perhap teza antihistorike e Beogradit e luftes civile në Kosovë duke barazuar keshtu agresorin me viktimën. Në funksion të projektit të Serbisë së Madhe, argatët shqipfolës të Beogradit deklaronin se Leposaviqi nuk ka qenë Kosovë por na e ka ngjitur serbomadhi Rankoviç, madje dhe se në galeritë e Trepçës në anën shqiptare xehret janë mbaruar ndaj dhe Trepça duhet ti kalojë Beogradit etj etj etj.

Po pse e lidh unë këtë me Edi Ramën? E vërteta është se në të gjitha takimet e mia si kryeministër i Shqipërisë me udhëheqjen më të lartë politike te Kosovës, kjo e fundit të gjithë pa përjshtim në bisedime zyrtare dhe private ka kundërshtuar preras idenë e ndryshimit të kufinjve të Kosovës. Por duket se njëri prej tyre, dhe ky është ish- presidenti Thaçi, kundershtimin e ka patur jo të vërtet, dhe me ardhjen e Edi Ramës në pushtet ndryshoi qëndrim dhe u bënë së bashku promotorë të idesë se serbomadhisë.-Nëse do të ndodhte shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, cilat do të ishin pasojat për shqiptarët në përgjithësi?

Shqiptarët do të humbisnin një pjesë të gjerë të territoreve të tyre dhe Kosova do shpërbehej. Ajo ndahej midis Shqipërisë dhe Serbisë natyrisht gjithçka në favor të Serbisë së Madhe, krijimin e të cilit, njelloj siç e paralajmeroi dikur Millosheviçi në Fushë-Kosovë, e paralajmëroi përsëri pas 3 dekadash Gebelsi i Millosheviçit, serbomadhi Vuçiç në vizitën e tij të fundit në Zubin Patok, Liposaviq dhe Mitrovicën e Veriut.

Gazeta Blic: Në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë fitoi Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin, çfarë prisni nga zoti Kurti sa i përket dialogut Kosovë-Serbi?

Sali Berisha: Pres qe dialogu Kosovë-Serbi të rivendoset në shinat dhe parimet e paritetit, dialog midis palëve të barabarta që do perfundojë me një marrëveshje në të cilën secila palë do marrë përsipër përmbushjen e detyrimeve në bazë të ligjeve ndërkombëtare që dy vende të pavarura kanë ndaj njëri- tjetrit.

Gazeta Blic: Si e shihni pjesmarrjen në zgjedhjet e 25 prillit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, a prisni befasi nga kandidatët e VV-së?

Sali Berisha: Mendoj se pjesemarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri është një gjë krejtësisht normale, legjitime dhe demokratike. Por se cili do të jetë rezultati konkret i kandidatëve të saj në këto zgjedhje duhet të presim 25 prillin për të mësuar.

Gazeta Blic: Vjosa Osmani tashmë ka marrë postin e presidentit të Kosovës, si e shihni rolin e dyshes Osmani-Kurti në politikën rajonale dhe më gjerë?

Sali Berisha: Mendoj se Zonja Vjosa Osmani u zgjodh presidente nga qytetarët dhe parlamenti i Kosovës ratifikoi me votën e deputetëve të tij këtë zgjedhje. Personalisht jam i bindur se në kushtet e një qeverie por edhe opozite të fortë, Zonja Osmani dhe Zoti Kurti me reforma të rëndësishme do konsolidojnë në Kosovë demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë funksionale të tregut, do rrisin mireqenien dhe zhvillojnë më tej Kosovën dhe do ta afrojnë atë më shumë me NATO-n dhe BE-në.Perveç këtyre jam i bindur se ata do ti rikthejnë Kosovës në tryezen e negociatave dhe arenën ndërkombëtare, dinjitetin e merituar. Në këtë mënyrë roli i Kosovës do bëhet gjithnjë dhe më i rendësishëm në rajonin tonë.

Gazeta Blic: Kthehemi pak tek Gjykata Speciale, ish-krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë ku janë të akuzuar për krime lufte, a besoni në pafajësinë e tyre?

Sali Berisha: Në konceptin universal çdo i akuzuar është i pafajshem. Unë jam thellesisht i bindur se UÇK nuk ka qenë një organizatë kriminale, anëtarët e saj kanë qenë luftetarë të lirisë. Është e vertet se pas futjes së trupave të NATO-s në Kosovë janë të dokumentuara vrasjet e 200 drejtuesve, aktivistëve të LDK por edhe komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë. Hetimi i paanshem, gjetja dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve është e domosdoshme për drejtësinë dhe paqen sociale të Kosovës. Personalisht nuk kam asnjë dijeni konkrete për autoret e këtyre vrasjeve përveç ish- ministrit të mbrojtjes së qeverisë së Kosoves, Kolonel Ahmet Krasniqi, i cili është ekzekutuar në pragun e shtëpisë ku banonte në prani të dy oficerëve te Shik-ut të Shqipërisë që drejtohej nga Fatos Klosi, të cilin nuk e ka hetuar asnjeri për këtë krim të shëmtuar.

Gazeta Blic: Si e shihni epilogun e gjykimit të tyre në Hagë?

Sali Berisha: Lidhur me epilogun e gjykimit të ish-udheheqësve të UÇK dhe më vonë edhe të Republikës së Kosovës, kam bindje se akuza se kanë drejtuar një organizatë kriminale, akuzë e përsëritur qindra herë në politikën dhe mediat e Beogradit, nuk qëndron dhe do të bjerë njëlloj si ajo e transplantit të organeve. Nuk kam dijeni për akuzat tjera por uroj që të akuzuarit të faktojnë para gjykatës dhe mbarë botës pafajësinë e tyre.

Gazeta Blic: Qytetarët e Shqipërisë me 25 prill u drejtohen kutive të votimit, si e parashikoni rezultatin zgjedhor?

Sali Berisha: Unë parashikoj një fitore të sigurtë dhe të merituar të Partisë Demokratike dhe opozitës.

Gazeta Blic: Më 26 prill, nëse PD-ja me në krye Lulzim Bashën vjen në pushtet cilat janë detyrat emergjente që duhet të fillojë të kryejë?

Sali Berisha: Mendoj se detyra më e rëndësishme e kryeministrit të ardhshëm Lulzim Basha, kabinetit dhe mazhorancës së re është rikthimi, rivendosja në Shqipëri e shtetit ligjor të zëvendësuar në këto vite me narkoshtetin e Edi Ramës.

Gazeta Blic: Pas zgjedhjeve, cilat janë pritshmërite tuaja rreth rrugës së Shqipërisë drejt BE-së?

Sali Berisha: Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, në bindjen time do të çel me reforma dhe suksesin e tyre negociatat me Bashkimin Europian dhe do të ecë me ritme dhe hapa të sigurtë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Gazeta Blic: Duke qenë se jemi me profesion edhe mjek, si e keni parë menaxhimin e Pandemisë Covid-19 në Shqipëri dhe Kosovë, çfarë do të duhej të ishte bërë ndryshe?

Sali Berisha: Keqmenaxhimi ekstrem i pandemisë në Shqipëri, mungesat e mëdha në materiale mbrojtëse ndaj covid-19, shndërrimi i spitaleve, shkollave ne bomba biologjike, numri i kufizuar i shtretërve spitalor dhe shtretërve të reanimacionit për shtrimin e të sëmurve me covid-19, ka patur për rezultat vdekjet e tepërta gjatë pandemisë, më të lartat në Europë dhe më të lartat në botë pas Perusë. Të dhënat e fundit të publikuara, faktojnë se vdekjet e tepërta në Shqipëri gjatë 1 viti të pandemisë janë mbi 300% apo mbi tre herë më të larta se se në Kosovë. Përveç kësaj në Shqipëri vdekshmëria e mjekëve nga covid-19 është 10 herë më e lartë se në Itali dhe është më e lartë se sa në çdo vend tjetër të planetit.

Kurse menaxhimi i pandemisë në Kosovë mendoj se ka patur edhe të meta por ka qenë shumë herë më i mirë, më transparent, më serioz më shkencor se sa në Shqipëri. Kosova vendosi në dispozicion të trajtimit të të semurve me covid-19 trefishin e shtretërve që vendosi Shqipëria. Rezultati është se Kosova pati gjatë vitit të pandemisë 50% vdekje të teperta për 1 milionë banorë më pak se sa Shqipëria. /Yllka Isufi, gazetare e “Gazeta Blic”

Kamza në këmbë me Bashën: Me Ramën nuk ka ndryshim! Por dimër ekonomik, papunësi, varfëri!

• “Me Ramën nuk ka ndryshim”. Basha në Kamëz: 8 vite dështime! Më 25 prill, votoni ndryshimin! Votoni 9! Nuk ka ndryshim pa hapur rrugën europiane të Shqipërisë. Energjinë e ndryshimit çojeni në çdo shtëpi.

• “Me Ramën nuk ka ndryshim! Por dimër ekonomik, papunësi, varfëri”. Basha nga Kamza: Ju e keni në dorë të bëni ndryshimin me votën tuaj. Të gjithë, demokratë e socialistë, votoni numrin 9!

• “Me Ramën nuk ka ndryshim! Ndryshimi do të bëhet i mundur kur ju të votoni numrin 9”. Basha ka një mesazh për votuesit në Kamëz: Ndryshimi është për të gjithë. Me ju, të gjithë bashkë, le ta sjellim ndryshimin më 25 prill!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha është pritur me entuziazëm edhe nga qytetarë dhe të rinj të Kamzës. Duke i falënderuar për mbështetjen e madhe që po i japin ndryshimit, Basha u bëri thirrje që energjinë e bashkimit ta çojnë në shtëpinë e çdo shqiptari që i ka humbur shpresa gjatë 8 viteve keqqeverisje.

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PD para qytetarëve të Kamzës.

Lulzim Basha: Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja të Kamzës, mirë se ju gjej! Nga shpirti juaj buron thirrja e fitores, thirrja e ndryshimit! U nisa nga Paskuqani për këtu, Flamur Noka më tha do të shkojmë për vizitë në një familje. Dhe në fakt u përgatita për një vizitë në familje, por në fakt të gjithë këtu jemi një familje. Një familje zemra e të cilës rreh me një qëllim, ndryshim më 25 prill. Një familje e ndryshme në përbërje, me nëna të vuajtura, me gjyshe të cilat kanë sakrifikuar gjithë jetën për një ditë të bardhë, me baballarë që janë rraskapitur, fermave e minierave për të rritur fëmijët e tyre, me të rinj të Kamzës që i shoh në dritë të syrit dhe nuk kanë asnjë dyshim, asnjë dyshim nga të rinjtë e të rejat e Europës.

Me studentë e student, të cilët kërkojnë mundësinë për të studiuar për t’u kualifikuar, për të punuar këtu pranë prindërve të tyre, pranë familjeve të tyre, me pensioniste e pensionist që pasi paguajnë faturat e kripura të energjisë dhe në faturën e ilaçeve, s’ju mbetet asnjë kacidhe në xhep. Me mijëra familje të hequra padrejtësisht të ndihmës ekonomike, për racizëm dhe diskriminim politik. Me dhjetëra dhe mijë familje të tjera të cilave nga ky shesh 8 vite më parë ju premtua legalizimi falas dhe u lanë në mëshirë të fatit e u braktisën pa pikën e përgjegjësisë nga dështimi që ju troket në derë për herë të tretë. 8 vite dështime, 8 vite papunësi, 8 vite përkeqësim, 8 vite në vendnumëro! Me premtimin e parë të 2013-ës se do të hapen negociatat, 8 vjet dështim dhe dështimi fytyrën e të cilit e njihni fare mirë po troket prapë në derën tuaj për të kërkuar edhe 4 vite!

Cila është përgjigjja e Kamzës? Dua t’ju them që të ndryshëm siç jeni këtu në këtë shesh, të ndryshëm siç jeni anembanë Shqipërisë, kudo ku më ka çuar ky turë shprese dhe besimi nga Jugu në Veri, nga Gjirokastra e Vlora në Shkodër, nga Durrësi në Korçë, përgjigjja është e njëjtë: më 25 prill voton ndryshimin! Ndryshim kërkon sot Shqipëria, ndryshim kërkojnë sot vogëlushët ata që nuk votojnë dot më 25 prill. Ndaj, vota e 25 prillit për ju nëna e baballarë, është votë për të ardhmen e vogëlushëve tuaj, e fëmijëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë. Ndryshimi do të vij, pas reve vjen dielli, vjen drita e diellit që po na ndriçon edhe sot këtë shesh si bekim i Zotit, si shenjë se ajo që është vullnet i juaji do të bëhet. Ndryshimi është në dorën tuaj.

Është në dorën tuaj, është në votën tuaj. Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën! Nuk ka ndryshim pa hapur rrugën europiane të Shqipërisë dhe këtë mund ta bëjmë vetëm ne, vetëm Partia Demokratike, Aleanca për Ndryshim! Unë dua t’ju shpreh mirënjohje të thellë nga zemra për mbështetjen tuaj në ditë më të zeza të këtyre 8 viteve dimër ekonomik, papunësie, varfërie, premtimesh të pambajtura. Kemi qëndruar krah për krah me njëri-tjetrin, tani po afron dita, po afron ora, kur ju e keni në dorë të bëni ndryshimin me votën tuaj.

Ndaj dua t’ju pyes të gjithë ju prindër që doni që fëmijët tuaj të mos largohen e ata që janë larguar e qëndrojnë ilegalisht pa letra, pa shpresë, të kthehen e të kenë një vend pune e paga të mira e të kenë një shtet që kujdeset për strehimin e tyre, që ndihmon lindjen e fëmijëve të rinj, të foshnjave me bonusin e bebeve, me tekstet falas për fëmijët e të gjithë sistemit parauniversitar, që e trajnon rininë, që thith dhe nuk largon investimet e huaja. Votoni numrin 9. Për të gjithë ju pensioniste dhe pensionistë, që rritja e pensionit këto tetë muaj nuk ju del për të paguar siç më tha një gjysh, as një pako cigare. Rritja e pensioneve, kthimi i dinjitetit, rimbursimi i plotë i barnave, ulja e çmimit të energjisë do të bëhet e mundur kur ju të votoni numrin 9.

Dhe për ju studentë dhe studente, gjimnaziste e gjimnazistë që dëshironi në vendin tuaj, të ardhmen që meritoni. Ju që jeni Drita e syrit të prindërve tuaj, shpresa e Shqipërisë Europiane, për reformën e vërtetë në arsim, që asnjëri prej jush mos të mbetet pa studiuar dhe asnjë ditë pa punë, më 25 prill votoni numrin 9. Jemi pra bashkë të ndryshëm, por pa sinorë. Pa sinorë sepse ky bashkim ka marrë formë nga vuajtjet tuaja, nga hallet tuaja, nga dhimbjet tuaja që i keni ndjerë në zemër sepse kemi qenë dhe jemi me ju çdo ditë. Me ju të gjithë bashkë do ta sjellim ndryshimin me 25 prill.

Me ju dhe për ju do të punojmë ditë për ditë që ju dhe familjet tuaja ta ndjen i ekonominë, punësimin, mirëqenien ne vatrat tuaja. Ndaj ju ftoj, Kamzës, Paskuqanit i takon ta udhëheq dhe ta drejtoj edhe fuqinë e ndryshimit që kemi sjell sonte në këtë shesh, çojeni në çdo rrugë, çojeni në çdo shtëpi, në veçanti tek të pashpresët, tek ata që kanë humbur besimin, që rrinë të gjunjëzuar para fatit, ngrijini në këmbë, jepu krahun, merrini me vete në bashkimin tonë drejtë ndryshimit.

Më 25 prill votoni numrin 9! Shqipëria fiton!

Bashkë për ndryshim!

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Fitore!

“Bujqësia dhe blegtoria janë në kushte mesjetare”, Alizoti: Nuk konkurrohet tregu vendas, e jo më ai europian

Drejtuesi i Qarkut të Beratit Tomorr Alizoti ishte në fermën e një blegtori i cili prej 25 vitesh ka investuar për të rritur krerët dhe prodhimin.

“Subvensionet që kam marrë nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’u përballur me tregun evropian. Ne me kushtet që kemi dhe me subvencionet që na janë dhënë ne jemi të fundit, jo vetëm në rajon, por brenda Shqipërisë, sidomos ne qarku i Beratit. Bujqësia shqiptare ka mbetur si në mesjetë. Unë bëj thirrje që qeveria që do të vijë më 26 prill të ketë programe afatgjata dhe të mbështetura në fushën e blegtorisë, si një nga fushat më të vështira, ku punohet 24 orë”, tha fermeri.

Subvencionimi i bujqësisë, tha Alizoti, është një nga planet konkrete të Partisë Demokratike.

“Subvencionim direkt, investim në teknologjinë bujqësore është i domosdoshëm, pasi bujqësia ka nivel më keq se mesjetar. Është jo e konkurueshme. Nuk konkurron brenda vendit, jo më të konkurojë tregun rajonal, si Kosova. Dryshimi do të vijë jo vetëm për ju, por për të gjithë shqiptarët, pasi Shqipëria e ka të domosdoshëm ndryshimin ekonomik dhe politik”, tha Alizoti në bisedë me fermerin beratas.

Mziu takohet me një grup intelektualësh dibranë. Rreth 50% e shkollave të mbyllura!

Drejtuesi politik i Qarkut Dibër Xhelal Mziu u takua në Peshkopi me një grup intelektualësh dibranë.

“Intelektualët janë ato që i janë gjendur Dibrës në momente të vështira. Sot jemi këtu për të zgjuar inteligjencën, mendjen e hollë që të mos vlerësojnë bandat, krimin, që ngritën injorancën dhe e vunë në krye, në drejtim”, tha Myqerem Tafaj, i ftuar në këtë takim.

Besim Ndregjoni vuri theksin tek harresa që i është bërë shtresës së ish- të persekutuarve, e cila u harrua nga Rilindja.

Eksperti i ekonomisë Flamur Gjymishka, foli për gjendjen ekonomike të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. “Ekonomia është në rënie, dhe sot Shqipëria është në prag kolapsi ekonomik”, tha ai.

Xhelal Mziu u shpreh se ka vizituar të gjitha fshatrat e Dibrës ku ka parë varfëri të skajshme.

“Rreth 50% e shkollave të mbyllura, dhe ato që funksionojnë janë pa ngrohje, pa mirëmbajtje, pa dyer e xhama, dhe me mësues militantë pa arsim përkatës. Është tjetërsuar vota pasi kanë blerë varfërinë që e kanë rritur vetë, kanë goditur familjen duke e varfëruar, duke e nënshtruar, kanë ikur shumica e njerëzve për shkak se e kanë të pamundur jetesën këtu”, tha Xhelal Mziu.

Basha në Paskuqan: Ndryshimi është shpresa e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë të shkojmë në kutitë e votimit të votojmë 9

• Në Paskuqan socialisti gris teserën e PS në sy të Bashës, kryedemokrati: Na ka bashkuar vuajtja, le të na bashkojë edhe ndryshimi dhe shpresa. Ndryshimi është për të gjithë. Voto 9! Voto ndryshimin!

• Një grup socialistësh i bashkohen Bashës në Paskuqan. Basha: Socialistët janë vëllezërit dhe motrat tona. Bashkë për ndryshim! Votoni numrin 9 për fëmijët tuaj dhe të ardhmen tuaj!

• Basha në Paskuqan, fushatë derë më derë: Ndryshimi është shpresa e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë të shkojmë në kutitë e votimit dhe të votojmë 9.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarë të Paskuqani, i cili u prit me entuziazmin e zakonshëm të banorëve dhe të simpatizantëve. Qytetarë votues tradicional të majtë që i bashkohen PD, kishte edhe në këtë zonë të Tiranës, të cilët nuk nguruan t’i shprehnin mbështetje Bashës në zgjedhjet e 25 prillit.

“Unë jam një anëtarë i Partisë Socialiste deri më sot dhe si anëtarë i Partisë Socialiste deri më sot nuk kam gjet ndonjë mirësi as për komunitetin as për veten, as për gjë. Edhe unë sot kam vendosur t’i bashkohem Partisë Demokratike. Të bashkohem ty që të vazhdojmë rrugën përpara, me ndryshimin siç foli dhe ambasadorja Amerikane. Për ndryshim e jo për kriminel. Unë sot në prezencën tënde do ta grisë këtë teserë partie se s’ka vlerë më për mua”, u shpreh Petrit Marku.

“Unë jam një socialist dhe një votues tradicional i së majtës dhe në rast se deri dje ishte nevojë, sot është domosdoshmëri për ndryshim. Sepse premtoi vende pune dhe largoi rininë të gjithë, premtoi ngjallje ekonomike solli krizë, premtoi vende pune dhe bëri atë që bën, premtoi shëndetësi falas dhe solli… dhe unë them që nëse sot nuk bëhet ndryshimi pastaj faji është i joni”, tha Nazmi Xhepa

Kreu i opozitës i garantoi se ndryshimi do të vij për të gjithë shqiptarët pa dallim politik, pasi sipas tij, 8 vite vuajtje ka qenë e njëjtë si për demokratët ashtu edhe për socialistët.

“Përgjegjësia tani është e njerëzve, për fëmijët tuaj dhe familjet tuaja dhe unë ju falënderoj! Së pari, besnikërinë më të parë e keni ndaj fëmijëve tuaj, besnikërinë e keni ndaj Shqipërisë. Unë të falënderoj nga zemra që i bashkohesh ndryshimit dhe të garantoj që nuk ta shpërdorojmë besimin e asnjë shqiptari, as socialistëve të ndershëm se e di që mërzia juaj është dyfish më e madhe së ju e keni besuar, keni votuar, keni shpresuar dhe jeni dyfish më të zhgënjyer. Do bëjmë gjithçka që jo vetëm të mos zhgënjeheni, por ndryshimi të vijë për të gjithë. Një popull, një familje, vëllezër dhe motra. Zoti Xhepa, zoti Marku, në radhë të parë dua t’ju them që këtë besim që po investoni te ndryshimi, për mua është përgjegjësi shumë e madhe ndaj jush dhe familjeve tuaja.

Kjo që do të ndodhë me 25 prill nuk bëhet as për PD-në as për PS-në, bëhet për ju, për familjet tuaja. Ju them shpesh dhe jua kam thënë në mbledhje edhe para fushatës demokratëve. Njësoj siç kanë vuajtur demokratët, kanë vuajtur edhe shumica dërrmuese e socialistëve të thjeshtë. Mos kujtoni se kanë festuar. Papunësi, emigracion, çmimin e naftës njësoj e paguajnë, shëndetësi në kolaps, ilaçet e pa rimbursuara, energjinë elektrike, fëmijët në emigracion. Njësoj e kanë pësuar këto 8 vjet edhe socialistët e ndershëm si demokratët dhe vuajtja na ka sjellë bashkë. Tani, le të na sjellë bashkë edhe zgjidhja edhe shpresa edhe ndryshimi. Kështu që, ju falënderoj nga zemra për besimin që keni tek ndryshimi që po vjen. Ju besoj e dini, nuk jeni të vetëm, janë me qindra me mijëra socialistë që po i bashkohen ndryshmit dhe ne ju mirëpresim me krahë hapur sepse një gjë ju premtoj, ndryshimi që do të vijë me 25 prill do të jetë për të gjithë shqiptarët. As unë, as ekipi im nuk do ta ndajë Shqipërinë por do ta bashkojë. Ju faleminderit nga zemra! Numrin 9 me 25 prill, për të gjithë shqiptarët që duan familjet e tyre, duan fëmijët e tyre”, tha Basha.

Në fjalën përshëndetëse para banorëve të Paskuqanit, kryedemokrati tha se vota për numrin 9 më 25 prill do të thotë arsimim cilësor për fëmijët shqiptar, ndalimin e plagës së emigracionit, zgjimin e ekonomisë dhe hapjen e rrugës drejt Bashkimit Europian.

Lulzim Basha: Për tetë vite me radhë kam qenë në rrugët tuaja, në shtëpitë tuaja, në familjet tuaj dhe në sipërmarrjet e kësaj zone. Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra të Paskuqanit për tetë vite me radhë kam parë, e kam dëgjuar për vuajtjet dhe dhembjet e prindërve, për pamundësinë e fëmijëve të Paskuqanit. Kemi shkelur derë më derë me një përpjekje mbi njerëzore për ta mbajtur gjallë shpresën, për ti mbajtur këtu fëmijët tanë e fatkeqësisht tetë vite. Tetë vite të gjata, dimri më i gjatë politika që ka kaluar Shqipëria, e ka shkatërruar ekonominë tonë, i ka larguar të rinjtë në emigracion dhe tani po troket në derë me të vetmen ofertë që ky dimër tetë vjeçar të vazhdojë edhe katër vite të tjera. Cila është përgjigja e Paskuqanit? A mundet njeriu që premtoi uljen e taksave për ju dhe i rriti taksat tetë vite me radhë tre vijë dhe t’ju kërkojë edhe katër vite të tjera.

A mundet që ai që nënshkroi pak metra që këtej legalizimin e të gjithë shtëpive falas e që sot ka shkatërruar me dhjetëra e ,me mijëra banesa ka larguar fëmijët pesë vjeç me gaz lotsjellës për t’iu hapur rrugë pritjeve të tij të babëzisë të vijë përpara jush dhe të kërkojë edhe katër vite të tjera? A mundet? Jo, sigurisht që jo dhe kjo është arsyeja sepse nuk përballet dot me shqiptarët. Kjo është arsyeja pse nuk përballet dot me njerëzit. Kjo është arsyeja pse gjithë këto javë dhe këto ditë që i kanë mbetur bredh nëpër Shqipëri vetëm e vetëm që mos ti japë përgjigje pyetjes se çfarë bëre tetë vjet, ku i ke premtimet, ku i ke 300 mijë vendet e punës, ku e gjen shëndetësinë falas, ku i ke legalizimet falas. Kjo është arsyeja e vetme pse refuzon debatin që është e drejta juaj, është e drejtat e çdo qytetari të Evropës, debati politik me kundërshtarin sepse sado që trash zërin prapa kamerave ai është një burracak që nuk e ka mbajtur premtimin e tij dhe ka frikë të përpallet.

Ka frikë të përballet me banorët e Paskuqanit, ka frikë përballjen me banorët e Gjirokastrës të Shkodrës, të Korçës e të Durrësit. Ka frikë të përballet me nënat shqiptare të cilëve jua çoji fëmijët në emigracion. Ai nuk asnjë përgjigje e natyrisht nuk ka asnjë zgjidhje. Kur ke pasur tetë vjet pushtetin dhe nuk ke bërë asgjë si mund të dalësh përpara qytetarëve dhe të kërkosh edhe katër vite të tjera. Jo, kurrë. Shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë. Dje në Durrës, sonë në Elbasan dhe tani në Paskuqan kam takuar socialistë të ndershëm, Petritin, Nazmiun , qindra socialistë që po i bashkohen ndryshimit sepse ndryshim kërkon Shqipëria sot, të etur për ndryshim janë jo vetëm banorët e Paskuqanit dhe të Kazmës, janë banorët e Tiranës dhe të Durrësit, të mëdhenj e të vegjël nga jugu në veri. Dhe 25 prilli është dita për ta bërë ndryshimin realitet me votën tuaj.

I drejtohem mijëra socialistëve të ndershëm me të njëjta fjalë që ju drejtova Petrit dhe Nazmiut, me të njëjta fjalë që i jam drejtuar më ç’është e vërteta demokratëve jo tani në fushat për gjithë këto vite. Mos kujtoni, mos kujtoni se ata nuk e ndiejnë vuajtjen dhe dhimbjen që kanë shkaktuar 8 vite dështime. Njësoj si ju edhe ata i përcjellin fëmijët në emigracion, çmimi i naftës është rritur njësoj si për ju ashtu dhe për ata, taksat janë rritur njësoj, papunësia është rritur njësoj, njësoj e ndiejnë vuajtjen një popull i bashkuar nga vuajtja dhe dhimbje 8 viteve dështim. Por tani një popull i bashkuar nga nevoja për ndryshim. Ndryshim do të thotë zgjidhje.

Zgjidhjet fillojnë me ekonominë, me punësimin, me arsimin e fëmijëve tanë që ti mundësojnë një punë me pagë dinjitoze këtu [ër të ndalur plagën e emigracionit. Ndryshim do të thotë integrim, hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Ashtu si hoqëm vizat për shqiptarët, ne do ta rihapim rrugën drejtë Bashkimit Europian. Vota për ndryshim na bashkon të gjithëve si asnjëherë më parë, demokratë, aleancën për ndryshim dhe socialistë të zhgënjyer dyfish sepse ata e besuan dhe votuan dhe sot vuajnë njësoj si të tjerët. Ndaj le ta bëjmë këtë bashkim të madh, një energji të pa ndalshme më 25 prill. Sepse në 25 prill përgjegjësia e ndryshimit është në dorën tuaj. Vetëm ju mund ta sillni ndryshimin duke votuar numrin 9. Vetëm ju mund të mundësoni arsimin e duhur të fëmijëve tuaj dhe një sistem me norma europiane duke votuar numrin 9. Vetëm ju mund të ndalni plagën e emigracionit, për të çliruar energjitë pozitive të ekonomisë, të investitorëve, të sipërmarrësve të vegjël e të mesëm, të investimeve të huaja, duke votuar numrin 9!

Vetëm ju mund të hapni rrugën e Europës të bllokuar tash 8 vite duke votuar numrin 9!

Shqipëria Fiton!

Fitore!

Socialistët i bashkohen Bashës, grisin teserat e Partisë: Jemi bashkë!

Socailistët po grsin publikisht tesarat e PS.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë pasdite një takim elektoral në zonën e Paskuqanit, ku është pritur me entuziazëm nga shumë qytetarë.

Takimit të Bashës i janë bashkuar edhe një grup socialistësh, të cilët dëgjohen duke thënë para kryedemokratit se janë të zhgënjyer nga PS. Madje, siç mund të shihet në video dhe foto, njëri prej tyre ka grisur dhe teserën e PS para Bashës.

Në fjalën e tij, Basha është shprehur se banorët e Paskuqanit, por edhe të gjithë Shqipërisë, kanë në dorë ndryshimin, ndaj sipas tij, më 25 prill duhet të votojnë PD dhe Aleancën për Ndryshim.

“Për 8 vite me radhë kam parë e kam dëgjuar për vuajtjet e dhimbjet e prindërve, për pamundësitë e fëmijëve të Paskuqanit. Kemi shkelur derë më derë, me një përpjekje mbinjerëzore për të mbajtur gjallë shpresën, për të mbajtur këtu fëmijët tanë. 8 vite të gjata, dimri më i gjatë që ka kaluar Shqipëria. Sado që e trashë zërin, ai është një burracak, që nuk e ka mbajtur premtimin e tij dhe ka frikë të përballet. Ka frikë të përballet me banorët e Paskuqanit, të Gjirokastrës, Durrësit, me nënat shqiptare. 25 prilli është dita për ta bërë ndryshimin realitet me votën tuaj. Ne do iu hapim rrugën drejt BE. Vota për ndryshim na bashkon të gjithëve si asnjëherë më parë, demokratë dhe socialistë”, u shpreh Basha.

Tjetër deklaratë e fortë nga Yuri Kim: SHBA paralajmëron ata që blejnë vota dhe frikësojnë votuesit

“Po shoh disa tituj të pavërtetë. Ju lutemi shikoni të gjithë intervistën. Shtetet e Bashkuara NUK mbështesin ndonjë kandidat ose parti të veçantë. SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të bërë të ditur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron kundër atyre që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit,” – shkruan Kim.

Mbrëmjen e së martës në emisionin “Përballë” në RTSH ajo është shprehur se 25 prilli është momenti kur shqiptarët të tregojnë se janë kundër kriminelëve dhe të votojnë për ndryshimin.

“Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht.

Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti,” – tha Kim.

Kush janë “patronazhistët” e drejtuesve të policisë dhe si votojnë ata

Në një situatë të tensionuar politike parazgjedhore, kur atmosfera është ngarkuar me akuza dhe kërcënime, paanësia e policëve dhe do të jetë kyçe në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ditën e zgjedhjeve. Por edhe policët kanë bindjet e tyre politike dhe Partia Socialiste me patronazhistët e saj është përpjekur të zhbirojë në preferencat politike të secilit.

Zv.ministri Besfort Lamallari është për momentin përfaqësuesi më i lartë politik në Ministrinë e Brendshme, pasi Bledi Çuçi u tërhoq përkohësisht nga detyra. Sipas Database të Partisë Socialiste vota e tij nuk është e sigurtë, megjithëse preferencë raportohet të jetë “te tjera” Besfort Lamallari është raportuar nga një i afërm i tij, Adriatik Lamallari.

Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sipas skedës së Rilindjes nuk është votë e sigurtë për PS, por preferenca e tij është për Partinë Socialiste dhe në zgjedhjet e kaluara mund të ketë votuar PS, raporton patronazhisti Flamur Tabaku.

Zv.drejtori i policisë së shtetit, Albert Dervishaj është më i qartë në bindjet e tij dhe siç raporton atronazhistja Fatbardha Dervishaj, ai mund të konsiderohet votë e blinduar për PS, me preference të caktuara për PS dhe në zgjedhjet e kaluara ka votuar për PS.

Më i kujdesshëm ka qenë patronazhisti i Tonin Vocajt, Drejtorit të Policisë Kriminale që nuk e ka shënuar emrin në raportimin e të dhënave për PS. Por për Vocajn është interesante të vihet re se sipas të dhënave të PS për vitin 2013 ai ishte votë e PD, ndërsa për këto zgjedhje konsiderohet se e ka kthyer dhe ka preferenca për PS.

Drejtori për Rendin dhe Sigurinë, Gjovalin Loka, një efektiv i vjetër që nga koha e komunizmit nuk mund të ishte ndryshe veçse një votë e sigurtë për PS dhe kështu është raportuar edhe në të dhënat e patronazhistes Sonilda Prifti që ka plotësuar skedën e tij. Gjovalin Loka rezulton se historikisht ka votuar Partinë Socialiste dhe edhe sot e kësaj dite ruan të njëjtat preferenca, të paktën sipas asaj që ka shkruar patronazhistja e tij.

E pazakontë është skeda e Rebani Jaupit, Drejtorit të Policisë së Tiranës. Si rrallë për ndonjë person tjetër të dhënat për të rezultojnë bosh. Nuk ka pasur patronazhist që ta marrë përsipër Jaupin dhe preferenca e tij nuk është shënuar në skedën e Partisë Socialiste, përveç faktit që në vitin 2013 Rebaniu ka votuar Partinë Socialiste.

Por në Database-n e Partisë Socialiste është raportuar më shumë se 1800 policë dhe punonjës të policisë së Tiranës, të paktën nëse i referohesh vendit të punës si Drejtoria e Policisë. Lapsi.al ka parë këtë liste dhe pasi ka hequr të dhënat sensitive e publikon atë të plotë si më poshtë: