22.5 C
Tirana
E enjte, 5 Qershor, 2025

Prokuroria bastis zyrat e “Lapsi.al” pas publikimit të skandalit të PS me të dhënat personale të qytetarëve

Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet pas publikimit të informacioneve lidhur me përdorimin e të dhënave të qytetarëve nga Partia Socialiste. Prokuroria ka shkuar në zyrat e Lapsi.al për të sekuestruar serverin pas publikimit të disa prej të dhënave për database-in ku ndodhen të dhënat e qytetarëve ku thuhet se janë shënuar të dhëna mbi bindjet politike.

Kreu i SPAK Arben Kraja deklaroi sot se kanë filluar verifikimet dhe do ketë përgjigje patjetër lidhur me akuzat e ngritura për të cilat ka dhe një padi.

Ngjarje e rëndë, djemtë e politikanit të PS qëllojnë mbi policinë, dy policë dhe një qytetar të plagosur

Djemtë e politikanëve të PS luftojnë me policinë, i plagosin dhe madje edhe mund ti vrasin, sepse ata nuk i kap ligji. Kjo ka ndohur gjatë këtyre 8 viteve dhe kjo ka ndodhur edhe sot në Mamurras.

Zbardhen detaje të reja nga të shtënat me armë zjarri në Mamurras, ku mbetën të plagosur dy efektivë politike dhe një qytetar.

Të plagosur kanë mbetur efektivët Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, ku njëri është plagosur me armë dhe tjetri me sende të forta. Ndërkohë, nuk ka ende të dhëna për personin tjetër të plagosur, që është dërguar në spital.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije për “BalkanWeb” se dyshohet që ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave.

Ari i Rusisë

Gjatë 5 viteve të fundit Rusia ka shpenzuar më shumë se 40 miliard dollarë për të ngritur një rezervë ari të fuqishme, duke u bërë kështu blerësi më i madh i botës. Banka Qendrore e Rusisë ka pohuar se ka pushuar së bleri ar në gjysmën e parë e parë të vititi të kaluar (mars 2020) për të inkurajuar eksportet dhe për të arritur të thithë investitorët – për pasojë edhe valutat e huaja – në Rusi, pasi që për shkak të pandemisë së Covid-19 është regjistruar një rënie drastike e çmimit të naftës.

Banka Qendrore e Rusisë la nisur t’i shesë rezervat e saj të arit për herë të pas 13 vjetësh, aq sa në prill të 2020, Guvernatorja aktuale e saj, Ėlvira Sachipzadovna Nabiullina, ka njoftuar ndërprerjen e blerjes së arit nga ana e qeverisë ruse dhe vetë qeveria në mënyrë të njëkohshme ka nisur të rilëshojë liçencat për eksportimin e metalit të çmuar, si minatorëve, ashtu edhe kompanive të nxjerrjes, duke i hapur kështu derën e eksportimit të gjithë arin e nxjerrë në vend.

Faktikisht, rezultatet e një zgjedhjeje të tillë nuk kanë vonuar të manifestohen dhe sipas të dhënave të tremujorit të dytë janë shitur 87 ton metale të çmuara, rreth 9 herë më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, në tremujorin e tretë të 2020, fluksi i valutës së huaj në Rusi – i derivuar nga shitjet e naftës – ka zbritur me 51%, domethënë në 15.3 miliard dollarë, ndërsa prej shitjes së produkteve petrolifere rënia ka qenë me 45%, që i korrespondon 8.7 miliard dollarë. Kurse përsa i përket shitjes së gazit, të ardhurat janë pakësuar me 43%, domethënë me 4.6 miliard dollarë.

Në këtë kontekst, strategjia e shitjes sl arit kompenson falimentimin e shitjes jashtë vendit e lëndëve të para të verifikuara gjatë gjithë 2020. Eksporti i arit ka siguruar një të ardhur korresponduese me 1.5 miliard dollarë në muaj, të paktën sipas vlerësimeve të analistëve të Raiffaisen Bank, të cilët theksojnë, me të dhënat në duar, se ekonomia ruse ka fituar me arin të njëjtën shifër që do të fitonte me shitjen normale e gazit dhe naftës.

Për shkak të nevojave të financimit të kostove të rimarrjes së vetes nga pandemia, bankat qendrore të botës në tremujorin e tretë janë bërë shitës neto të arit për herë të parë nga viti 2010, vëren WGC (World Gold Council) se për herë të parë janë shitur 12.1 ton më shumë nga sa janë blerë. Shitësi më i madh ka qenë Yzbekistani, i cili ka larguar 34.9 ton njëherazi, domethnënë 10% të rezervave të arit. Në vend të dytë Turqia, që po kalon një krizë akute valutore me deflukse kapitali, inflacion në dy shifra dhe rënie të lirës në minimumet historike. Në korrik – shtator, Banka Qendrore Turke i ka yvogëluar rezervat me 22.3 ton (3.8%). Veë kësaj, Taxhikistani (9.2 ton), Filipinet (7.8 ton) dhe Mongolia (2.4 ton) kanë hequr ar. Rusia është klasifikuar në vendin e 6 e listës së shitësve.

Herën e fundit që Banka Qendrore e Federatës Ruse ka shitur pjesë të rezervave të saj ka qenë në tremujorin e parë të 2007 (1.2 ton) dhe, qysh atëhere, politika e arit e Kremlinit ka qenë ajo e blerjes mesatarisht të 20 – 30 tonëve ar në tremujor, për ta dyfishuar më pas shpejtësinë më 2014, kur aneksimi i Krimesë ka shkaktuar një breshëri sanksiones perëndimore. Kështu, në vitin 2018 Rusia është bërë shteti i 6-të në botë në termat e rezervave të arit, duke kaluar Kinën, dhe në vitin 2020 duke ju afruar Francës, që ka një sasi prej 2436000 ton ar në rezerva – 2298000 ton janë rezervat aktuale të Federatës Ruse.

Po pse Rusia ka nisur garën e arit?
“Ari është një mbrojtje në masën 100% nga rreziqet ligjore dhe politike” – ka shpjeguar në gushtin e 2018 Dmitry Tulin, zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Ruse: “Lingotat nuk janë subjekt ndaj të njëjtit tip shantazhi që financa ndërkombëtare mund t’i rezervojë çdo lloj valute”. Në tri vitet e fundit Rusia i ka spostuar në mënyrë agresive rezervat e saj të huaja nga dollari amerikan tek ari, ppor sidomos në valuta të tjera, si euro dhe juani kinez. “Kjo është një qasje atipike për një vend me përmasat e Rusisë dhe një ekonomi kaq të madhe”, ka thënë Timur Nigmatullin, menaxher investimesh i “Otkritie Broker” në faqen internetore e lajmeve të Business FM, i cili ka pohuar se vendet do të preferonin në përgjithësi një përzierje valutash të forta më shumë sesa metale në portofolet e tyre të rezervës.

Në këtë pikë, për t’i kuptuar më mirë ngjarjet, duhet të shpjegojmë se çfarë është valuta rezervë
Valuta rezervë i referohet valutës që mbahet në sasi të konsiderueshme nga qeveri dhe institucione si rezervë ppër valutë të huaj apo për të shlyer obligacione borxhi ndërkombëtar. Një vend mund ta mbajë rezerva në instrumente të tregut monedhë, obligacione ose ar. Një vend valuta e të cilit përdoret gjerësisht siguron statusin e valutës rezervë. Për pasojë, rezerva valutore i korrespondon depozitave në monedhë të huaj të kontrolluara nga bankat qendrore dhe nga autoritetet e tjera monetarë që qëndrojnë në kasafortat e aautoriteteve kompetente (Banka Qendrore Europianë për Eurozonën).

Këto rezerva formohen nga rezerva të ndryshme valutore, sidomos janë të formuara nga euro dhe dollarë, por në masë të vogël edhe nga jen, stërlina apo franga zvicerane. Rezervat valutore ndërkombëtare përdoren për të mbështetur, për shembull, për t’i dhënë mbështetje pasivëve me monedhë lokale të emetuara kur kjo është në rrezik zhvlerësimi apo rezervave të depozituara nga bankat private, nga qeveria apo nga institucionet financiare. Veç të tjerash, ekzistojnë sidomos ato të formuara nga rezerva ari apo nafte.

E specifikuar kjo, siç e kemi shkruar edhe më parë, aneksimi i Krimesë dhe sanksionet pasuese perëndimore ndaj Federatës Ruse kanë krijuar midis viteve 2014 dhe 2016 një krizë të vogël të brendshme dhe, për këtë motiv, Moska ka nisur të blejë valuta rezervë me përjashtim të dollarit. Faktikisht, teksa dollari përbën valutën kryesore rezervë në botë, duke përfaqësuar mbi 60% të të gjitha rezervave në valutë të huaj në nivel global – sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) – euro është valuta kryesore rezervë e Rusisë, me mbi 165 miliard dollarë në llogari.
Si konkluzion, mund të vërejmë se pasi ka qenë blerësja më e madhe e arit në botë për shumë vite, Rusia i ka reduktuar në maksimum blerjet e saj në fillim të vitit të kaluar dhe e ka pezulluar krejtësisht blerjen e arit në marsin e 2020, në kulmin e pandemisë.

Elvira Nabiullina, Guvernatorja e Bankës Qendrore të Rusisë, ka deklaruar në korrik se: “Pas bllerjeve të mëdha të viteve të fundit, është e kënaqur për nivelin e rezervave të arit të Rusisë”, duke specifikuar veç të tjerash se blerja e arit nuk ka shërbyer vetëm si “parashutë” në rast se nafta dhe gazi nuk do të kishin rënë ndjeshëm – siç edhe ka ndodhur në tremujorin e parë të 2020 – por ndryshimi i strategjisë së arit, është pjesë e një plani më të gjerë dhe tashmë të ravijëzuar nga presidenti Vladimir Putin për të “de-dollarizuar” ekonominë ruse dhe reduktuar dobësinë e saj ndaj sanksioneve amerikane. Në ditët e sotme, ari është komponenti i dytë më i madh i rezervave të bankava qendrore pas euros, që përbën rreth një të tretën totalit të aktiviteteve. Rreth 12% e rezervës është në juan.
(nga Geopoliticus)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Në politikë vlera matet në administrimin e humbjes

Ardi Stefa

Kur fiton merr përsipër përgjegjësinë dhe peshën e fitores e përgjegjësisë. Kur humbet qëndron pas dhe ndjek vendimet e shumicës. Nuk hedh gurë. Këtë përcaktojnë rregullat e demokracisë dhe rregullat e moralit dhe etikës.

Në politikë madhështia e liderit matet dhe duket jo tek fitorja, por tek administrimi i humbjes.

Por po nuk e përballove dot, e mira është që të mos luftosh, se mos ndoshta edhe e shmang.

Epoka post-Rama në PS ka nisur, por kryeministri nuk është nga ata që do të shesin lirë lëkurën e vet. Në moshën 56 vjeçare ai nuk do në asnjë mënyrë që të sillet vërdallë nëpër Shqipëri si turist, apo si ndonjë politikan pensionist siç bëjnë politikanët e vjetër.

Duke qenë narcist i dashuruar me pushtetin, ai pushtetin nuk e le kollaj t’i rrëshqasë, qoftë si kryeministër, qoftë si kryetar i PS.

Rama nuk është budalla. E di që do të humbasë në këto zgjedhje dhe duhet të që administrojë të ardhmen e tij politike. Do jetë në rrugë të bërtasë e ulërasë kundër politikave të kundërshtarit dhe kundërshtarit? Më e mundshmja është që të kërkojë të jetë edhe për tetë vite të tjera në qendër të “vendimeve e jetës politike shqiptare”.

Por që të arrijë deri atje, duhet që të qartësojë situatën brenda partisë së tij, në mënyrë, pra, që të mos ketë në parti njerëz që të vënë në dyshim autoritetin dhe lidershipin e tij. Një kryeministër i mbaruar politikisht, nuk është domosdoshmërit edhe një kryetar partie politikisht i mbaruar, që do të përpiqet të administrojë zemërimin e pasuesve dhe të rilindë.

Rama ka filluar të administrojë që tani humbjen në zgjedhje.

Nuk janë aspak të rastësishme listat e kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit, si edhe vendosja e “senatorëve” të PS në vende nga fundi, ku rrezikohet potencialisht zgjedhja e tyre në parlament.

E gjitha kjo mundet të interpretohet në disa mënyra:

E para, si demonstrim i forcës ndaj kundërshtarit, duke i treguar që është i sigurtë që do të fitojë në 25 prill!

E dyta, të motivojë ministrat dhe “senatorët” e partisë që të punojnë më shumë dhe duke punuar për fitoren e tyre për të hyrë në parlament, të garantojnë fitoren e PS në zgjedhje.

Të dyja janë opsione, të cilat duhen marrë parasysh.

Por unë mendoj se është një tjetër parametër në përzgjedhjen që ai bëri për t’i vendosur të vjetrit e PS në vendet në fund të listave.

Vendosja e tyre në vendet e rrezikuara dhe moszgjedhja e tyre në parlamentin e ardhshëm, vetëm nëpërmjet disa formulave e marifeteve, është edhe një mënyrë spastrimi, që Ramës i siguron kreun e partisë. Ashtu sikundër ia garanton kreun e partisë edhe vendosja në vendet fituese e disa personave, të cilët nuk kanë asnjë kontribut, asnjë lidhje me PS, asnjë lloj biografie politike, në emër të rigjenerimit, rinovimit të partisë.

Pikërisht kjo kategori anonimësh politikë në PS, bën të mundur mbijetesën politike në krye të partisë të Ramës. Pasi, në rast se në vendet fituese të listës do të ishin “të vjetrit” e PS, pas humbjes së zgjedhjeve do ta “shqyenin” Ramën dhe nuk do të ishte më as në krye të partisë.

Rama e di se “senatorët” pas humbjes në zgjedhje do t’i kërkojnë llogari për gjithçka dhe do të lëkundin themelet e autoritetit të tij brenda partisë. Do t’i kërkojnë llogari për gjithçka, për të gjitha gabimet, të cilat i çuan në humbjen e pushtetit. Ndoshta edhe do të kërkojnë largimin e tij si përgjegjës për humbjen gjatë kërkimit të shkaqeve të humbjes. Shumë “senatorë” do t’i faturojnë atij humbjen duke thënë se në zgjedhjet e 25 prillit nuk fitoi PD, por humbi PS, në disa raste do të artikulohet edhe fakti që humbi sekti rilindas rreth Ramës që kapi për gryke në këto tetë vite Partinë Socialiste.

Rama e di mirë lojën e spastrimeve. Vjen me një origjinë politike të një force që di si t’i “vrasë” fëmijët, sa herë që këta të fundit shmangen nga linja! Nuk e ka problem, pra, as të largojë cilindo që e ka pengesë në periudhën pas zgjedhjeve në opozitë. Koha e tij në kolltukun kryeministror ka përfunduar dhe ajo ç’ka atij i duhet është një “peisazh i pastër” brenda partisë, në mënyrë që të vazhdojë të jetë i fuqishëm, qoftë edhe brenda një partie në opozitë.

Ndaj këmbëngul që Rama ka filluar qysh herët të administrojë humbjen.

Një humbje në politikë nuk sjell fundin e botës. Por administrimi i humbjes, në rast se është realiste mundet të sjellë fundin e gabimeve, ose, në rast se është katastrofike mundet të sjellë një dëm edhe më të madh nga vetë humbja dhe fundin e një epoke.

A është i gatshëm Rama të pranojë humbjen denjësisht?

Ngelet për t’u parë, por duke njohur karakterin e tij konfliktual një gjë e tillë është e vështirë.

Koha për të mposhtur frikën përmes një bashkimi të madh qytetar

Ardit GJINALI

Frigimi mbetet instrumenti famëkeq i një regjimi për të pllakosur heshtjen e mosreagimit tek secili qytetar..heshtje që ka zanafillën tek frika që përcjellin elementët jo-njerëzor gjithëfarësh mbi njerëzit e zakonshëm të një lagjieje, zone administrative apo qyteti…heshtja e shumë-dëshiruar qytetare e një regjimi që ka uzurpuar thuajse secilin segment të shtetit dhe po rreket të kryejë të njëjtin akt përmes tjetërsimit të shpirtit të një Shqipërie që është keq-përdorur pamëshirshëm me babëzi ulëritëse që ngjall ndjesinë e piskamës keqardhëse për të këtillën kandisje rrënuese;- regjimi bashkëshoqëruar me instrumentat famëkeq njerëzor nuk mund të përvjedhë të drejtën e qytetarit për tu ndjerë keq dhe për të reaguar ndaj së tillës të keqe…qytetari duhet të refuzojë nënshtrimin nën rendin e thundrrës ku banaliteti, vulgariteti, maskarallëku njerëzor i veshur me petkun e zi të të tillit politik takohen dhe tokin të tilla gota gëzimi në tryezat famëkeqe të shthurjes njerëzore ku ngatërrohet buza me hundën dhe truri me barkun e fryrë dhe të dendur në lëmshin e arishverisheve në dëm të qytetarit me mbrojtje të munguar nga ofensiva e hordhive pushtet-ushtruese.

Qytetari nuk mund të pranojë nënshtrimin tallës dhe asfare të dinjitetshëm…i njëjti nuk mund të jetë subjekt i frikës që është shndërruar në një ndër aleatet e çmuara të pushtetit të keq-ushtruar..pushtet që është simboli i koalicionit famëkeq të shkurajimit qytetar dhe shpopullimit kombëtar..koalicion i frikës, shantazhit, kërcënimit, tjetërsimit njerëzor, vërtetës së munguar, mundësive të rrëmbyera , jetesës së pamundur, vullnetit qytetar të deformuar, zgjedhjeve të vjedhura, demokracisë së cënuar, qytetit të humbur, fshatit të zbrazur…një koalicion i së keqes që duhet mposhtur, një keqqeverisje për tu rrëzuar përmes ushtrimit demokratik të votës dhe pjesëmarrjes qytetare masive…e tilla pjesëmarrje që duhet të zhbëjë secilën llogari të mbrujtur tavolinave ku ideohet padrejtësia, ekzekutohet paligjshmëria dhe interpretohet me hipokrizi të lëvdueshme dhe buzëqeshje të shtirur në buzët që shqiptojnë shumësinë e të pavërtetave mbi kinse mbrojtjen e interesit shoqëror dhe publik, gjithashtu.

E sotmja thërret për një bashkim qytetar që përfaqëson dinjitetin njerëzor dhe lirinë shoqërore, demokracinë për tu mbrojtur dhe shtetit për tu çliruar nga pushteti, mundësinë e re për të vijuar jetën në këtë vend, nismën e lirë dhe talentin njerëzor për tu zhvilluar përmes meritokracisë, sipërmarrjen private që ka vuajtur qasjen taksidare të kontrollorit të ndërzyer nga fermani arbitrar, besimin e ri tek njëri tjetri për një ndryshim të ri të ditëve më të mira, një normalitet shoqëror dhe politik përmes një mendësie të re qeverisëse në frymë dhe thelb, një fillim i Ri që nuk harron arritjet pozitive të së shkuarës dhe nuk përsërit batakun e të njëjtëve mëkate që kanë errësuar të tashmen.

25 Prilli është dita dhe data për të mundur frikën dhe për të thirrur ndryshimin përmes votës masive dhe të arsyeshme, votë ndëshkuese për të vjetrën keqqeverisëse dhe apeluese për të re-në qeverisëse që të inkurajojë kundërtrupat e nevojshëm që do të pengojnë secilën shfaqje të ndonjë metastaze helmuese për shpresën e re që buron nga shpirti i shumicës qytetare, e tilla numerike dhe morale, gjithashtu. Koha për të vrarë frikën përmes besimit dhe shpresës është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…

Qyteti i Shkumbinit si fillim i ndryshimit kombëtar

Nga Luçiano Boçi

“Ai që nuk sheh Qytetin e Shkumbinit (Skampinin), ka humbur rrugën!” – thotë një fjalë e lashtë. Në zemër të rrugës Egnatia, Elbasani, ka shenjuar jo vetëm drejtimin, por edhe kthesat e mëdha të historisë. Gurrë e një qytetërimi të përjetshëm, unazë e artë në rrugën mes Lindjes dhe Perëndimit, Elbasani ka shënuar fillim-fundin e perandorive të mëdha, pikëndarjen e epokave historike dhe kapërcimet më të rëndësishme politike të një trualli shumë më të madh se perimetri i tij rajonal. Edhe në këto zgjedhje Elbasani, përsëri do të shënojë fillimin e një ndryshimi të thellë me përmasa kombëtare.
Elbasani është qarku i katërt më i madh në Shqipëri. Por nga roli, kujtesa historike dhe për nga pesha e mendjes në arealin kombëtar – ai ka qenë dhe mbetet i pari. Elbasani ka shërbyer si kampioni ideal i çdo studimi të bërë në vend: asnjë rajon tjetër nuk përfaqëson më besnikërisht Shqipërinë moderne – në demografi, strukturë kulturore dhe psikologjike. Sjellja e Elbasanit gjithmonë ka pasqyruar realisht orientimin e shqiptarëve drejt asaj që mishëron të ardhmen e vendit.

Qeveria mund ta ketë harruar Elbasanin. Por Elbasani nuk mund ta harrojë vetveten! Ai përsëri do të shënojë në këtë shekull ngjarje të mëdha historike siç është kthimi i Shqipërisë në një vend anëtar të Europës.
Ky truall që laget nga Skampini realisht ka prodhuar më shumë histori sesa mund të konsumojë mendja e vogël e atyre që qeverisin sot.
Ky qytet 2,400 vjecar, u themelua nga një perandor me origjinë ilire, i cili qeveriste Perandorinë Romake. Diokleciusi është po ashtu, i pari perandor në historinë botërore që iku vetë nga froni. Por Edi Rama duhet ta dijë këtë!
Ky qytet shënoi fillim fundin e të dy perandorive që zgjodhën ta harrojnë Qytetin e Shkumbinit në periferinë më të largët të tyre. Ato humbën. Kurse Skampini mbeti!

Kalaja e Elbasanit ka përcjellë dy perandorë romakë dhe një sulltan, ndoshta më të famshmin e tyre – Mehmet Fatih Ngadhnjyesin. Perandorët ishin të dy me origjinë ilire: Diokleciusi ishte nga Ulqini, Justiniani i Parë – nga rrethinat e Prishtinës. Të tre ata e ndërtuan kalanë. Ajo prapë flet vetëm për fundin e tyre.

Fati dhe fatkeqësia e Elbasanit u lidh me rrugën Egnatia; kur ajo lulëzonte, rajoni shkëlqente me vrull. Për këtë gjatë qeverisjes së PD, SHBA lobuan në krah të shqiptarëve dhe e ripërfshinë atë në korridoret e rëndësishme europiane si Korridori 8. Rrugë të reja e lidhën Elbasanin me Durrësin dhe me Tiranën – financuar nga Partia Demokratike.
Qytetin historikisht e kanë rrënuar përsëritshëm dyndjet e barbarëve dhe dhuna e atyre që plaçkisin gjithçka kur ndjehen pushtues. (Pse më vjen në mend po i njëjti emër, Edi Rama?!).

Por Elbasani ka shumë çfarë t’i mësojë dikujt për traditën shtet-formuese të shqiptarëve, për organizimin korporativ dhe për shumë shprehi’ që konsiderohen fjalë kyçe në aftësinë e një vendi për zhvillim.
Qyteti shqiptar ka si emblemë zejtarinë. Elbasani ka pasur asi zejtarësh që kanë marrë pjesë në panaire ndërkombëtare qysh prej vitit 1.311. Në 1580-tën ata kishin korporatën e tyre. Ky është Elbasani im!

Esnafët e këtij qyteti kanë qenë organizuar në llozha hierarkie – ndarë sipas fesë dhe zejeve dhe bashkëqeverisnin në vendimarrje. Në Elbasan kishte 60 zeje të ndryshme përfshi prodhimin e armëve. Me Kanune precise, ata kishin caktuar taksat, çmimet, peshat, masat, tregëtinë e jashtme, doganat, me një ndershmëri të mahnitshme. Termi i përdorur deri në Selanik ” Elbasan Pazar” nënkuptonte çmim të pandryshuar – një tipar që ndan tregjet e lindjes nga ato të perëndimit.

Kjo ka ndodhur në Elbasan 500 vjet më parë! Elbasani e ka ndarë pazarin edhe këtë herë! Elbasani Fiton!
Mos e harroni traditën e jashtëzakonshme të këtij qyteti kur rrahja e shkopit të Kreut të Esnafëve (Tabakëve) tri herë në kalldrëm të Bezistanit shkaktonte mbylljen e dyqaneve brenda disa minutave dhe gadishmërinë luftarake e të gjithë zejtarëve të qytetit.
Maja e arritjes së kësaj kulture është padyshim Kisha jonë Ortodokse Autoqefale “Shën Maria” – e cila u bë vatër e gjuhës shqipe nën penën e Dhaskal Todrit, Teodor Haxhifilipit, Konstandin Kristoforidhit, Aleksandër Xhuvanit e shumë të tjerëve.

Mos harroni zemërgjerësinë unike të Elbasanit që strehoi e mbrojti me guxim një bashkësi të rëndësishme hebreje, e cila u integrua e plotë në jetën dhe indin e qytetit të Shkumbinit. Elbasani ka të gjithë stofin e qytetit perandorak, e metropolit modern, e shtëpisë së hapur – në mendje e në zemër.

Mos e harroni Elbasanin! Sepse “kush nuk e sheh Qytetin e Shkumbinit (Skampinin), ka humbur rrugën!” – thotë një fjalë e lashtë.
Elbasani në këtë kapërcyell shekujsh do të udhëheqë përsëri ndryshimin e madh të Shqipërisë drejt një vendi anëtar të Bashkimi Europian. Shqipëria fiton sepse Elbasani fiton! Kjo është e vërteta!

Kruja voton për veten!

Qazim MERLIKA

Ne kulmin e fushates elektorale Kruja ka vetem nje alternative: te votoje per veten.
E kam fjalen per zonjen Merita Bakiu, qe me poshte do ta quaj Rita, duke shpresuar se ma lejon dhe se keshtu e therrasim te gjithe ne Kruje.
Rita eshte cdo demokrat i ndershem i Krujes, pasi ne 30 vitet fundit ajo ka kontribuar per Partine Demokratike, duke qene ne pozicione drejtuese dhe duke sakrifikuar shume. Dihet nga te gjithe qe per nje femer ne Kruje nuk eshte e lehte te ushtroje aktivitet politik. Me rreth 30 vite te kontributit politik, ajo nuk u shperblye kurre (edhe pse i takonte) me poste te larta ne administrate, por vazhdoi te ushtroje me shume dinjitet profesionin e nderuar te mesueses.

Pra cdo demokrat i ndershem duke votuar per Riten, voton per veten.
Rita eshte cdo i djathte krutan, pasi ajo rrjedh nga nje familje e djathte, qe ka bartur dhe vazhdon te barte vlerat me te mira te se djathtes tradicionale krutane. Ajo personalisht nuk ka devijuar asnjehere nga keto vlera dhe si rrjedhoje, duke votuar per te, cdo i djathte krutan voton per veten.

Rita eshte cdo nene, cdo do bije dhe cdo bashkeshorte krutane, pasi te gjithe e njohim si nje bashkeshorte, bije dhe nene model. Bashkeshorte e nje bashkeqytetari tone te nderuar, qe kujtohet me respekt nga te gjithe, bije e nje familjejeje te respektuar si dhe nene e dy femijeve te mrekullueshem. Per me teper ajo eshte nje nene qe per vite me rradhe ka mesuar dhe edukuar shume femije tanet, te cilet e kujtojne vetem per mire.
Pra cdo nene, cdo bije dhe cdo bashkeshorte krutane voton per veten.

Rita eshte cdo familje krutane, pasi eshte bije dhe nuse ne dy nga familjet me perfaqesuese te Krujes. Te dyja familje te nderuara dhe te respekuara me vlerat me te mira qe na karakterizojne. Vlera te cilat fale edhe ketyre dy familjeve, vazhdojne te na dallojne dhe te na identifikojne si krutane.

Pra cdo familje krutane voton per veten.
Rita eshte e perditshmja e Krujes, qe takojme ne pazar, neper sportele pagesash, rruges per ne pune, neper qoka dhe kudo tjeter qe nje krutan ndodhet ne perditshmerine e tij. Rita nuk eshte pa te meta, sepse i tille thone se eshte vetem Zoti, por jam i bindur se edhe te metat qe mund te kete, jane te metat tona, jane ato qe na bejne krutan.

Ajo eshte cdo krutan dhe si rrjedhoje cdo krutan voton per veten.
Une me 25 prill do shkoj te votoj si demokrat, si i djatht, si familjar dhe si krutan.
Do votoj Riten, do votoj veten!

25 prilli nuk do të mjaftojë…

Ilirjan TAGA

Ju pashë dje përballë “kokëfortë” si gjithmonë. Aty në vijë të parë, të gatshëm në çdo thirrje, të pashpërblyer dhe të pashpërblyeshëm, të mplakur dhe të rinuar e të burrëruar.

Do kisha dashur t’iu kujtoja historitë e vjetra që ju na i keni treguar kur kemi qenë të vegjël, historitë me të cilat jemi rritur, e që nuk na ngopnin barkun por na ushqenin krenari, krenarinë që na siguronte qëndresë në një përballje krejtësisht të pabarabartë me regjimin, krenari që bënte të ndiheshim fitimtar.

Atëherë, ne nuk mendonim për privilegje por, kërkonim drejtësi, nuk mendonim për përkrahje por, kërkonim liri, nuk pretendonim pushtetin, por demokracinë. Sepse ne e dinim apo besonim se drejtësia, liria dhe demokracia, do të na mjaftonin për të jetuar mirë e me dinjitet. Atëherë ne nuk mendonim as dëmshpërblime, kërkonim respekt.

Prandaj edhe ishim krenarë, se historia, duke na radhitur kundër së keqes, na kishte bërë dashur apo pa dashur, heronjtë e të mirës. Ishim krenarë se, çfarë kërkonim ishin ideale, shpirtërore, fisnike, njerëzore. Dhe ishte më e madhe se vetja jonë, vuanim dhe rezistonim pakicë për shumicën e shqiptarëve.

Po sot? A nuk i mungojnë këtij vendi drejtësia, liria, demokracia?
A nuk duket se misionin nuk e kemi realizuar ose misioni na është rikthyer?
Ne jemi të padëmshpërblyeshëm. Nuk na kthejnë dot jetët, rinitë, vitet, nuk na fshijnë dot dhimbjet. Sado të bëjnë, edhe pse nuk e kanë bërë sa duhej e sa mundej, është e sigurtë se, ne nuk ngopemi me dëmshpërblime, me privilegje, me vende pune, me bursa studimi.
Ne ngopemi vetëm me liri, me demokraci, me drejtësi.

Sot, ky vend, kërkon e pret prapë nga ne. Sepse ne kemi lindur luftëtarë dhe luftëtari është gjithmonë kur ka betejë
Prandaj ne, ish të përndjekurit, jemi prapë në ballë të betejës sot. Jo, as në emër dhe as për hatër të dikuj tjetër, por në emër dhe për hatër të vlerave tek të cilat besojmë…

…e luftëtari i mirë, nuk peshon sa lufton bashkëluftëtari i vet, lufton më shumë, lufton edhe për të.
Me 25 Prill duhet të ndalim rrugëtimin mbrapsht të Shqipërisë dhe ta kthejmë nuk rrugë të mbarë. Kësaj rradhe jemi të qartë se, 25 Prilli nuk do të mjaftojë, do të jetë vetëm pika e kthesës dhe e fillimit…

Ibrahimoviç, dënim të dyfishtë për kartonin e kuq

Zlatan Ibrahimoviç është pezulluar me një ndeshje dhe është gjobitur me 5.000 euro për kartonin e kuq që e mori në fitoren e Milanit kundër Parmës.

Ibrahimoviç u përjashtua direkt me karton të kuq nga Pablo Maresca në fitoren e kuqezinjve 3:1 kundër Parmës në fundjavë, për sjellje josportive.

Si pasojë, ai do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Milanit kundër Genoas dhe do të detyrohet t’i paguajë 5.000 euro gjobë.

Sulmuesi suedez e mohoi se e kishte fyer gjyqtarin Maresca.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, kishte thënë pas ndeshjes se 39-vjeçari kishte argumentuar me gjyqtarin por nuk e kishte ofenduar.

“Ibrahimovic më tregoi se gjëja e vetme që ia kishte thënë gjyqtarit ishte kjo: ‘Ty vërtet nuk të bën se çfarë them unë?’”.

Tweet-i që i kushtoi Shqipërisë 110 milionë euro, pse fitoi gjyqin Becchetti

Marash LOGU

Në 2 Prill, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve mbi Investimet (ICSID) pranë Bankës Botërore vendosi përfundimisht të lërë në fuqi vendimin për dëmshpërblimin nga Shqipëria të sipërmarrësit italian Becchetti dhe ortakëve të tij në vlerën 110 milionë euro. Megjithatë kryeministri Rama, ashtu si ministri i tij Ahmetaj në Mars 2020, vazhdojnë të përsërisin se nuk do të paguajnë kokërr leku, tashmë kanë filluar bllokimet në llogaritë e huaja të shtetit shqiptar. E vërteta është se pasi përdori mjetin e anullimit të vendimit, Shqipëria nuk duket të ketë mjete të tjera në dispozicion për kundërshtimin e vendimit sipas Konventës të ICSID. Ndërkohë, detyrimi vazhdon të rritet pandalur për shkak të kamatëvonesave.

Por, cilat janë arsyet që çuan në marrjen e këtij vendimi? Megjithëse, vendimi është 286 faqe dhe 914 paragrafë, në fakt arysyet kryesore që i krijuan bindjen Tribunalit ishin katër. Këto arsye do t’i shtjellojmë në vijim në mënyrë që çdo qytetar, i cili për mungesë kohë apo kuptueshmërie të gjuhës së ndërlikuar juridike nuk do ta lexojë vendimin e plotë, të kuptojë se cfarë konkretisht i kushtoi Shqipërisë 110 milionë euro.

Së pari, Tribunali pranoi se hetimet filluan nga një qeveri që ishte pranë një kanali televiziv konkurrent me kompaninë e Becchettit dhe kundër një kanali kritik me qeverinë (Agon Channel). Konkretisht, Becchetti dhe ortakët e tij arritën të provojnë para gjyqtarëve se qeveria kishte lidhje të ngushta me televizionin Top Channel. Si shembuj të këtyre lidhjeve të ngushta, ata sollën faktet se Ëngjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë, kishte përfaqësuar si avokat Top Channel në një gjyq kundër Becchettit në Romë. Po, ashtu ish-drejtori dhe ish-zëvëndësdrejtori i këtij kanali u emëruan në detyra të rëndësishme, përkatësisht kryetar i Bordit të AMA dhe drejtor i IMT-së në Bashkinë Tiranë gjatë qeverisjes së Ramës.

Ndërkohë, sa i përket faktit që Agon Channel kishte një qasje kritike ndaj qeverisë, para panelit u paraqitën mesazhet kërcënuese të Erion Veliaj ndaj gazetares Sonila Meço për raportimet e dasmës së tij në Shtator 2014 dhe zbulimin e skemës së mashtrimit me kartat e identitetit që lejonte një person të votonte mbi 20 herë në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Së dyti, Tribunali pranoi si të vërtetë se në një takim të organizuar ndërmjet Becchettit dhe Ëngjëll Agaçit, ky i fundit i kishte deklaruar se për të kuptuar pse bizneset e tij po hetohen, ai duhet të bisedonte me Enkelejd Jotin, asokohe drejtor i përgjithshëm i Top Channel. Në Mars 2017, Enkelejd Joti do të zëvëndësonte në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të QSUT, Ogerta Manastirliun. Në të njëjtën bisedë, Agaçi e kishte “këshilluar” Becchettin se nuk është ide e mirë të kundërtosh qeverinë.

Së treti, Tribunali pranoi se proçesi penal, i filluar ndaj Becchettit dhe ortakëve të tij, kishte të meta të konsiderueshme. Gjithashtu, gjyqtarëve vërejti se Shqipëria kishte sinjalizuar sistemin e Interpolit për ndalimin e Becchettit dhe dy ortakëve të tij. Por, dy herë që Interpoli kishte kërkuar informacion mbi akuzat që mbështesnin urdhër-arrestet, nga shteti shqiptar nuk ishte dhënë asnjë përgjigje. Kjo solli fshirjen e urdhër-arresteve në sistemin e Interpolit në Prill 2017. Me interes është fakti se në pjesën përshkruese të veprimeve proceduriale del qartë se shteti shqiptar ishte me vonesë për përmbushjen e çdo detyrimi apo kërkesë ndaj Tribunalit. Vonesat u evidentuan nga palët paditëse dhe u kërkua që të mbaheshin parasysh në momentin e caktimit të dëmshpërblimit.

Së katërti, Tribunali konstatoi se në 9 Qershor 2015, menjëherë pasi doli urdhëri i sekuestrimit të televizionit Agon, kryeministri Rama shkroi në Twitter “Bllokimi i parasë së zezë që ushqente AgonCH një sukses!”. Po, ashtu Tribunali konstatoi se 8 ditë më pas, i ftuar në emisionin “Opinion”, kryeministri Rama deklaroi se “…ne do ta shkundim sistemin gjyqësor nga themelet”.

Deklaratat e kryeministrit në Twitter dhe Opinion, së bashku me provat dhe faktet e tjera, krijuan bindjen e Tribunalit se Becchetti dhe ortakët e tij ishin viktima të një fushate politike, me qëllim shkatërrimin e plotë të një kanali televiziv për të favorizuar konkurrentët e tij pro-qeveritar dhe për të shuar një zë kritik, që po fuqizohej me shpejtësi në tregun shqiptar.

Në fakt, arsyeja e katërt mbi të cilën u mbështet vendimi i Tribunalit është thelbësor për të kuptuar mentalitetin me të cilin kryeministri Rama ka qeverisur këto tetë vite. Me bindjen se Shqipëria nuk kishte nevojë për institucione të tjera përveç tij, dhe se ai vetë ishte kryepolic, kryehetues, kryeprokuror a kryegjyqtar, vendimet që në fakt i takonin organeve të drejtësisë, i shpallte vetë në Twitter a Facebook. Ndoshta në Afganistan a Siri, me të cilët renditemi krah për krah për nga numri i azilantëve, ky standard mund të jetë normal. Por, për tre gjyqtarët, nga presidenti nga Australia, dhe dy anëtarët nga Zvicra e Mbretëria e Bashkuar, ky standard ishte i papranueshëm.

Ndaj, e vetmja arsye që ka sot kryeministri për t’u krekosur, ndaj një vendimi që do bënte me turp çdo shtetar të përgjegjshëm, është autorësia e tweet-it më të shtrenjtë në botë, plot 110 milionë euro, në kurriz të qytetarëve të tij.