31.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

UNIVERSITETET më të mira në botë për vitin 2025 sipas renditjes së CWUR

Performanca përkeqësohet për 264 universitete amerikane. ‘Pamje e zymtë’ në Evropë

Për të katërmbëdhjetën vit radhazi, Harvard është universiteti më i mirë në botë sipas renditjes së CWUR.

Pas tij vijnë dy universitete të tjera private amerikane, MIT dhe Stanford; Kembrixhi dhe Oksfordi në Mbretërinë e Bashkuar, të renditura përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë, janë institucionet publike me renditjen më të lartë në botë. Shtetet e Bashkuara, që zënë tetë nga dhjetë vendet e para, ruajnë epërsinë e tyre globale.

Në renditjen Globale 2000, vetëm 40 universitete amerikane përmirësuan renditjen e tyre nga viti 2024, 15 prej tyre që ruajtën pozicionin e tyre dhe 264 që ranë në renditje.

Universiteti më i mirë publik në Shtetet e Bashkuara është Berkeley, i renditur i dymbëdhjeti në botë, një vend pas Caltech (Institutit të Teknologjisë së Kalifornisë). Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara mbeten vendi i dytë më i përfaqësuar në renditjen “Globale 2000” me 319 universitete, dhjetë më pak se vitin e kaluar. Kanadaja ka 38 institucione në renditje, të kryesuara nga Universiteti i Torontos që mban vendin e 23-të.

“Edhe pse Shtetet e Bashkuara mund të krenohen me universitetet më të mira në botë”, tha Nadim Mahassen, president i Renditjes Botërore të Universiteteve, “rënia e shumicës dërrmuese të institucioneve të saj të arsimit të lartë duhet të jetë shqetësuese për Sekretaren e Arsimit të SHBA-së, Linda McMahon, dhe të gjithë administratën Trump. Në një kohë kur universitetet kineze po korrin përfitimet e viteve të mbështetjes bujare financiare nga qeveria e tyre, institucionet amerikane po përballen me shkurtime në fondet federale apo edhe polemika mbi lirinë akademike dhe lirinë e fjalës. Me Shtetet e Bashkuara të tejkaluara nga Kina si vendi me më shumë përfaqësues në renditje, reputacioni i saj në arsimin e lartë global është seriozisht i kërcënuar.”

Mahassen paralajmëron: “Rënia e ndjeshme e universiteteve amerikane është paralele me atë të universiteteve në Japoni, Francë dhe Gjermani, ndërsa universitetet britanike dhe ruse kanë ecur  pak më mirë. Me rritjen e jashtëzakonshme të institucioneve kineze, universitetet në botën perëndimore nuk mund të rrinë duarkryq dhe të pushojnë mbi dafina.”

Cwur analizoi 74 milionë të dhëna të bazuara në performancë për të renditur universitetet në mbarë botën bazuar në katër faktorë: cilësia e arsimit (25%), punësimi (25%), cilësia e fakultetit (10%) dhe kërkimi shkencor (40%). Këtë vit, u vlerësuan 21,462 universitete nga 94 vende.

Universitetet evropiane po ecin mirë, por pamja është e zymtë

Evropa mbetet një lojtare e rëndësishme sipas Qendrës për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR), me 621 universitete që pozicionohen në 2000 vendet e para, por pamja e përgjithshme për vitin 2025 është e zymtë, për shkak të rritjes së konkurrencës globale.

Gjashtëdhjetë e gjashtë universitete italiane, të udhëhequra nga Universiteti Sapienza i Romës, shfaqen në edicionin e vitit 2025 të renditjes “Globale 2000” sipas Qendrës për Renditjen Botërore të Universiteteve (CWUR), por Italia po has vështirësi të konkurrojë me rivalët e saj globalë: 80% e universiteteve italiane nuk përfshihen në renditje.

Në Mbretërinë e Bashkuar, suksesi i Kembrixhit dhe Oksfordit maskon rënien prej 75% në renditjen e institucioneve britanike. Në Global 2000, vetëm 16 universitete kanë përmirësuar pozicionin nga viti i kaluar, me 6 që ruajnë pozicionin e tyre dhe 67 që kanë rënë në renditje. Në përgjithësi, Mbretëria e Bashkuar ka 89 përfaqësues – tre më pak se vitin e kaluar – në Global 2000.

Franca ka pesë universitete në 50 vendet e para, njësoj si Mbretëria e Bashkuar. Institucioni më i mirë francez për të gjashtin vit radhazi është Universiteti Psl, i renditur i 19-ti në botë. Në përgjithësi, 10 institucione franceze performuan më mirë se vitin e kaluar, me 2 prej tyre që ruajtën pozicionin e tyre dhe 59 që ranë në renditje. Në total, Franca ka 71 universitete, dy më pak se vitin e kaluar, midis 2,000 universiteteve më të mira në botë.

Gjermania ka 69 universitete në renditje këtë vit, të kryesuara nga Universiteti i Mynihut në vendin e 50-të. Vendi sheh një rënie të ndjeshme të përgjithshme në renditje, me 64 universitete që kanë shënuar rënie.

Rusia ka 43 universitete në Global 2000, tre më pak se vitin e kaluar, me 12 institucione që janë ngjitur në renditje, 1 që e ruan pozicionin e saj dhe 30 që kanë zbritur në renditje. Universiteti më i mirë rus këtë vit është Universiteti Shtetëror i Moskës, i renditur i 245-ti në botë.

Dhjetë universitetet më të mira në Evropë këtë vit janë: Cambridge (Mbretëria e Bashkuar, i 4-ti), Oxford (Mbretëria e Bashkuar, i 5-ti), PSL (Francë, i 19-ti), UCL (Mbretëria e Bashkuar, i 20-ti), Imperial College (Mbretëria e Bashkuar, i 28-ti), Paris City University (Francë, i 29-ti), ETH Zurich (Zvicër, i 32-ti), Paris Saclay (Francë, i 34-ti), Institut Polytechnique de Paris (Francë, i 35-ti) dhe Copenhagen (Danimarkë, i 38-ti).

Panorama për universitetet aziatike është mikse. Sipas listës Global 2000 të hartuar nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR), në fakt, rritja e shpejtë e Kinës në renditje ka ardhur për shkak të investimeve të vazhdueshme të vendit aziatik në arsimin e lartë. 98% e universiteteve kineze renditen më lart se vitin e kaluar, me Universitetin Tsinghua të renditur në vendin e 37-të.

Dhjetë universitetet më të mira në Azi këtë vit janë: Tokio (Japoni, vendi i 13-të), Kioto (Japoni, vendi i 24-të), Universiteti Kombëtar i Seulit (Koreja e Jugut, vendi i 31-të), Tsinghua (Kinë, vendi i 37-të), Pekin (Kinë, vendi i 44-të), Universiteti i Akademisë Kineze të Shkencave (Kinë, vendi i 46-të), Shangai Jiao Tong (Kinë, vendi i 61-të), Universiteti Hebraik (Izrael, vendi i 65-të), Zhejiang (Kinë, vendi i 68-të) dhe Instituti Weizmann (Izrael, vendi i 70-të).

Në Oqeani, dhjetë universitetet më të mira janë: Uellsi i Ri Jugor (i 52-ti), Melburni (i 64-ti), Universiteti Kombëtar Australian (90), Sidnei (94), Kuinslendi (103), Monash (117), Australia Perëndimore (151), Adelaide (213), Auckland (277) dhe Universiteti i Teknologjisë i Sidneit (314).

Dhjetë universitetet më të mira në Amerikën Latine dhe Karaibe këtë vit janë: São Paulo (i 118-ti), Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës (i 282-ti), Universiteti Federal i Rio de Janeiro (i 331-ti), Campinas (i 369-ti), Buenos Aires (i 409-ti), Universiteti Katolik Papnor i Kilit (i 415-ti), Universiteti i Kilit (i 453-ti), Universiteti Shtetëror i São Paulo (i 454-ti), Universiteti Federal i Rio Grande do Sul (i 476-ti) dhe Universiteti Federal i Minas Gerais (i 497-ti).

Në Afrikë, dhjetë universitetet më të mira janë: Cape Town (i 275-ti), Witwatersrand (i 292-ti), Stellenbosch (i 458-ti), KwaZulu-Natal (i 505-ti), Cairo (i 517-ti), Pretoria (i 557-ti), Johannesburg (i 607-ti), Ain Shams (i 740-ti), Addis Ababa (i 808-ti) dhe Mansoura (i 814-ti).

Çmimet e bulmetit dhe vezëve, Shqipëria ndër vendet me rritjen më të lartë në Europë

Shqipëria u rendit e pesta në mesin 41 vendeve të Europës për rritjen e madhe të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve më 2024, sipas të dhënave të reja të Eurostat të azhurnuara këto ditë për ndryshimet vjetore të çmimeve në Europë.

Në krye të listës qëndron Turqia, me një rritje të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve prej 38.6%. Turqia tre vitet e fundit po përjeton një hiperinflacion që vjen i kombinuar nga problemet strukturore të ekonomisë turke dhe politikës monetare.

Pas saj vijnë Malta me rritje 6.7%, Norvegjia me 5.9% dhe Islanda 4%. Shqipëria ndjek këtë renditje me një rritje prej 3.9%, duke e tejkaluar ndjeshëm mesataren e BE-së dhe të rajonit.

Islanda dhe Malta janë vende ishullore me kapacitete të ulëta prodhimi dhe kosto të larta të transportit, teksa Shqipëria nuk është e krahasueshme me këto vende.

Rritjet më të lehta të bulmetrave dhe vezëve u vunë në vende si në Portugali me 1.8%, Maqedoninë e Veriut me 1.8%, Serbi 1.5% dhe Mali i Zi me +1.1. Ndonëse presionet inflacioniste po zbuten në shumë ekonomi europiane, Shqipëria ende përballet me sfida që e bëjnë tregun e ushqimeve me rritjen nga më të lartat në Europë.

Ndërkohë, shumë vende të Bashkimit Europian kanë përjetuar ulje të çmimeve për këtë grup produktesh, veçanërisht Çekia me -6%, Hungaria -4.4%, Finlanda -2.4%, dhe Gjermania -1.7%.

Zona euro në tërësi ka shënuar rënie mesatare vjetore prej -0.4% deri në -0.5% të çmimeve të bulmetit dhe vezëve më 2024, duke reflektuar stabilizim ose lehtësim të presionit të çmimeve, pas rritjeve të ndjeshme në vitet e mëparshme pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Rritja me 3.9% e çmimeve për produktet bazë në vendin tonë si qumështi, djathi dhe vezët është pasojë e kostove të larta të prodhimit dhe importit, mungesës së subvencioneve të qëndrueshme për bujqësinë.

Numri i kafshëve në ferma është përgjysmuar dekadën e fundit duke ulur ofertën në treg, teksa nga ana tjetër ardhja e turistëve ka rritur kërkesën për bulmet dhe vezë në muaj të caktuar duke ndikuar më tej në rritjen e çmimeve.

Në një kohë kur vendet e BE-së po përfitojnë nga stabilizimi i tregjeve dhe reduktimi i çmimeve bazë, Shqipëria vijon të përjetojë rritje që ndikon drejtpërdrejt në kostot e jetesës, veçanërisht për shtresat në nevojë.

Me një popullsi në plakje, me ulje të popullsisë në fshat, me mungesë të theksuar të subvencioneve për bujqësinë dhe me kontrolle jo efecientë në zinxhirin e furnizimit Shqipëria rrezikon të vijojë trendin rritës të çmimeve edhe në të ardhmen./ Monitor

Dështimi i shëndetësisë/ Pacientët e qarkut Kukës gjejnë shpëtim në spitalet e Kosovës

Kur u përball me probleme kardiovaskulare këtë pranverë, Hasan Çaushit nga fshati Nikoliq i Hasit i shkoi ndërmend që të zgjidhte vdekjen përballë shtrimit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza në Tiranë. Por burri 75-vjeçar e gjeti një rrugëdalje në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovën fqinje, ku BIRN e takoi ndërsa po kurohej në fillim të majit.

“Doktori këtu në Gjakovë më tha me shkue në Tiranë, e i thashë: nëse më merr në dorë mirë, që jo, po shkoj në shtëpi e vdes,” tha Çaushi për BIRN nga pavioni i kardiologjisë në spitalin e Gjakovës.

“Nuk po merremi vesh shumë atje [Tiranë], ka popullsi të madhe atje, e nuk po merremi vesh,” shtoi ai.

Çaushi nuk është i vetmi pacient nga qarku i Kukësit që po kërkon shpëtim në spitalin publik të Gjakovës në Kosovë. Të mbetur pa shërbim shëndetësor eficent, 171 banorë nga Hasi dhe Tropoja i gjetën dyert e hapura në spitalin e Gjakovës për probleme shëndetësore nga më të ndryshmet gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2025.

Sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë, këta pacientë duhet të trajtohen në spitalin rajonal të Kukësit, por ky i fundit vuan nga mungesa e kushteve dhe e mjekëve specialistë, aq sa po i detyron pacientët e vet që të udhëtojnë drejt Prizrenit për t’u kuruar.

Qyteti i Gjakovës në Kosovë gjendet vetëm 29 kilometra larg Krumës në bashkinë e Hasit dhe njerëzit në të dy anët e kufirit ndajnë mes tyre një histori të gjatë marrëdhëniesh sociale dhe ekonomike. Për pacientë si Çaushi, sistemi shëndetësor dallon si nata me ditën.

Ai tha BIRN se në spitalin e Gjakovës e pritën si vëlla dhe e trajtuan me vizita dhe medikamente brenda një kohe të shkurtër.

“Këto shërbime në Krumë dhe Kukës janë me fukarallëk, se në Krumë nuk kemi dhomë të hyjmë, duhet të presim 3 orë për të marrë një serum,” tha ai.

Në vitin 2022, qeveria shqiptare ndryshoi ligjin për shërbimin spitalor dhe spitali i vogël i Krumës u kthye në ditor. Drejtori i këtij spitali, Shaban Peka, i pranon mangësitë e shumta ndërsa pohon se banorët e zonës i drejtohen Gjakovës si raste urgjente dhe pranohen atje, pavarësisht kostove të trajtimit.

“Shëndetësia ka një kosto të lartë, por në Gjakovë e kanë lëshuar dorën për shkaqe që dihen,” tha ai duke nënkuptuar patriotizmin.

‘Spitalet te ne nuk janë si këtu’

Arbër Pozhegu, drejtor i Infermierisë në spitalin e Gjakovës shpjegon të dhënat mbi pacientët nga Shqipëria

Sistemi shëndetësor në Shqipëri gjendet prej vitesh në lëngatë për shkak të korrupsionit, mungesës së pajisjeve dhe numri i ulët i mjekëve specialistë. Në zona të varfra si Kukësi, Hasi dhe Tropoja, këto probleme shumëfishohen.

Numri i pacientëve nga Shqipëria në spitalin e Gjakovës në Kosovë zë 3.72% të numrit të përgjithshëm të pacientëve për tremujorin e parë të vitit 2025. Megjithatë, në shifra nominale ata e kalojnë shifrën 1 mijë.

Arbër Pozhegu, drejtor i Infermierisë në spitalin e Gjakovës i tha BIRN se gjatë kësaj periudhe kanë marrë shërbime ambulatore 1277 pacientë, janë hospitalizuar 171 si dhe janë kryer 12 lindje të grave nga Hasi dhe Tropoja.

Gjithashtu, spitali ka kryer 31 operacione të përgjithshme, katër ndërhyrje në katarakte dhe 6 në avistina si dhe janë asistuar me hemodializë 228 pacientë nga Shqipëria.

Për shtrimin në spital, pacientët nga Shqipëria paguajnë një kosto minimale prej 30 eurosh, pavarësisht kohës së qëndrimit.

Drejtori i spitalit “Isa Grezda” të Gjakovës, Hilmi Shala i tha BIRN se pacientët nga Hasi dhe Tropoja janë të pranishëm çdo ditë në spitalin e tij – një histori kjo që vazhdon që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe që u shumëfishua gjatë krizës pandemike të COVID-19.

“Është afërsia gjeografike, pastaj zona e Krumës dhe Bajram Currit nuk kanë personel mjekësor të mjaftueshëm atje dhe ne në këto momente qëndrojmë mirë me resurse humane,” tha Shala.

“Për neve është fluks normal…Kemi staf të mjaftueshëm, numri i shtretërve është i madh. Besoj që ata kanë besim te mjekët tanë përderisa vijnë këtu,” shtoi Shala, duke theksuar se në spitalin e Gjakovës të gjithë pacientët trajtohen njëlloj.

Ky migrim pacientësh lehtësohet edhe nga një marrëveshje e vitit 2023 mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila parashikon që shërbimet që nuk kryhen në spitalin rajonal të Kukësit të ofrohen në Gjakovë dhe Prizren. Por në realitet, pranimet në spitalet e Kosovës motivohen më shumë nga humanizmi se sa nga marrëveshja.

Kurt Mazreku, pensionist nga Vranishti i Hasit mbërriti në spitalin e Gjakovës në gjendje shumë të rëndë, por tashmë thotë se ka besim “te Zoti dhe doktori se do t’ia dalë”.

“Arsyeja e ardhjes këtu është se ne e kemi më afër. Spitali është i pajisur me pajiset e duhura të sëmundjes, të cilat ne atje nuk i kemi dhe vijmë në Gjakovë,” tha Mazreku.

Edhe Zyra Nabolli nga fshati Kosturr i Hasit thotë se aksesi në spitalin e Gjakovës është i thjeshtë edhe për shkak të afërsisë. Gruaja e shtruar në pavionin e ortopodisë përmes edhe arsye të tjera.

“Spitalet te ne nuk janë si këtu, këtu janë shërbimet më të mira. Janë më specialista se andej dhe komunikimi është i mirë, gjithçka është mrekulli,” tha ajo e kënaqur.

Në Kukës mungojnë mjekët

Mjeku obstetër-gjinekolog, Ibish Abdyli nga Gjakova shërben prej vitesh në Krumë

Qarku i Kukësit numëron 62 mijë banorë, duke shënuar një rënie drastike me pothuajse përgjysmin që nga viti 2001. Në vitin 2023, afro 40% e popullsisë së qarkut jetonte në tre qytetet, Kukës, Krumë dhe Bajram Curri, ndërsa 60% jetonte në zonat rurale.

Popullsia e mbetur e qarkut do duhej të trajtohej fillimisht në spitalin rajonal të Kukësit, por ky institucion gjendet prej vitesh në hall. Spitali vuan nga mungesa e mjekëve specialistë, ndërkohë që prej 3 vitesh nuk ka kirurg dhe i përcjell urgjencat drejt spitalit të Prizrenit.

Drejtori i spitalit të Kukësit, Saimir Shehu e lidh migrimin e pacientëve drejt Kosovës me mungesën e mjekëve specialistë në spitalin e tij.

“Kukësi ka vetëm dy mjekë kardiologë, të cilët e kanë të pamundur të përballojnë numrin e vizitave. Nevojat e spitalit të Kukësit janë për rreth shtatë kardiologë,” tha Shehu për BIRN.

Në Kukës mungon gjithashtu prej tre vitesh kirurgu dhe të gjitha urgjencat dërgohen në Prizren.

“Nuk kemi mjek kirurg. Urgjencat i dërgojmë në Prizren, ndërsa operacionet e planifikuara kryhen të premten, të shtunën dhe të dielën ku vjen një kirurg nga Prizreni që ka kontratë me Ministrinë e Shendetësisë,” theksoi Shehu.

Cilësia e mirë e shërbimit në spitalin e Prizrenit i shtyn shumë pacientë të Kukësit që të kurohen atje, pavarësisht se marrëveshja mes dy qeverive nuk e parashikon këtë.

“Kur pacienti vjen në spital, ne nuk e kthejmë mbrapsh, pasi kemi pacientë që vijnë nga zona e Gorës së Kukësit, që e kanë më larg Kukësin se Prizrenin,” thotë për BIRN drejtoresha e spitalit “Prim. Dr. Daut Mustafa” të Prizrenit, Narqize Arënliu (Hoxha).

Drejtoresha Arënliu (Hoxha) flet për një diskriminim pozitiv të pacientëve nga Kukësi, për të cilët thotë se trajtohen njësoj si qytetarët e Kosovës, madje edhe pa listë pritjeje. Ajo theksoi gjithashtu se këta pacientë përfitojnë shumë shërbime diagnostikuese si rezonanca manjetike, rentgeni dhe gjithë shërbimet e tjera të imazherisë, por edhe urgjencat kirurgjikale, gjinekologjike apo urgjenca të tjera shëndetësore.

Edhe në Prizren, sipas drejtoreshës Arënliu (Hoxha), pacientët shqiptarë paguajnë 30 euro për hospitalizimin dhe deri maksimumi në 200 euro për procedura të komplikuara të koronografisë invazive.

Ndryshe nga spitali i Gjakovës, në atë të Prizrenit numri i pacientëve nga Shqipëria është disi më i ulët. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në këtë spital u shtruan 98 persona, përfituan shërbime ambulatore dhe diagnostikuese 491 si dhe shërbime të dializës 614 persona.

Përveç shërbimeve mjekësore për pacientët nga Shqipëria, Kosova po e ndihmon krizën e shëndetësisë shqiptare edhe me mjekë të saj.

Mjeku obstetër gjinekolog, Ibish Abdyli është njëri prej tyre, i cili po shërben prej 7 vitesh në Krumë, pas shërbimeve të mëparshme në Kukës dhe Tropojë. Abdyli thotë se në Krumë ndryshojnë shumë kushtet në krahasim me Gjakovën.

“Spitali i Gjakovës ka 22 mjekë obsetër-gjinokologë. Një obsetër që jam unë këtu, nuk e përballoj dot. Nuk ka as mjete,’ tha ai për BIRN.

Edhe Xhevat Musa nga Gjakova, i specializuar për sëmundjet profesionale, ka lidhur një kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe punon si mjek urgjence në spitalin e Krumës. Ai thotë se ndjehet mirë në Krumë, vetëm 20 kilometër larg shtëpisë së tij në Gjakovë ku pi edhe kafenë e mëngjesit.

“Arsyeja që pacientët shkojnë në Gjakovë është se atje ka shumë mjekë specialistë, laboratorë e paisje të imazherisë bashkëkohore,” thotë ai.

Hap vëllazëror vetëm në një drejtim

Spitali rajonal i Kukësit vuan nga mungesa e mjekëve specialistë

Që prej viteve 2000, tridhjetë e tre pacientë nga qarku i Kukësit e marrin shërbimin e hemodializës në Gjakovë ose Prizen falë një marrëveshjeje mes dy ministrive, që i kushton qeverisë së Kosovës rreth 500 mijë euro në vit. Por pacientët nga Kosova nuk marrin të njëjtin trajtim kur ndodhen në Shqipëri.

Në repartin e hemodializës në Prizren trajtohen 16 pacientë nga Kukësi, të cilët përgjatë një muaji mund të marrin minimalisht 13 seanca sipas protokollit mjekësor.

“Kostoja e një seance është 120 euro, por pacientët nga Kukësi nuk paguajnë pasi kemi marëveshje me Shqipërinë,” thotë shefi i hemodializës në Prizren, Rexhep Hapçiu.

Shpenzimet për hemodializën janë një barrë financiare për spitalin e Prizrenit dhe drejtoresha e tij, Narqize Arënliu(Hoxha) i tha BIRN se i ishte ankuar kryeministrit Albin Kurti. Sipas saj, Kurti ia kishte prerë shkurt: “Bravo e madhe nëse u shërbeni kuksianëve, ashtu vazhdoni”.

Ndryshe ndodh me shtetasit nga Kosova kur ndodhen në Shqipëri, të cilëve në rastin më të mirë u duhet të paguajnë 120 Euro për seancë dhe në rastin më të keq nuk u ofrohet shërbim farë. Në Shqipëri, shërbimi i hemodializës është pothuajse i privatizuar përmes një koncesioni 10 vjeçar të dhënë nga qeveria “Rama”.

Nefrologia Miloreta Tolaj, mjeke në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë thotë se pacientët e saj e ndjejnë këtë problem kur përgatiten të nisen me pushime në Shqipëri.

“Gjatë kohës kur kanë pushime, obligohen të shkojnë ose edhe t’i shkurtojnë pushimet e tyre për shkak të çmimit që duhet të paguajnë për seancën e dializës në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht se kanë pasur edhe më herët ankesa, kanë pritë se mos ka ndonjë marrëveshje mes dy vendeve,” tha Tolaj.

Gazetari veteran nga Kosova, Nehat Islami, u ka dërguar letër autoriteteve në Shqipëri në emër të këtyre pacientëve, duke kërkuar heqjen e kostove, njëlloj siç veprohet me shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë.

“Edhe ne kemi nevojë t’i kalojmë disa ditë pushimi në bregdetin e bukur shqiptar, por për shkak të çmimit të lartë që duhet ta paguajmë për një hemodializë, që shkon gjerë 120 Euro vetëm për një seancë, detyrohemi të qëndrojmë në shtëpi dhe të ndahemi nga anëtarët e tjerë të familjes që të shkojnë pa brenga në pushime,” thuhet në letrën e Islamit në vitin 2022, duke e konsideruar marrëveshjen “një hap vëllazëror vetëm në një drejtim”. Si përgjigje, Islami mori vetëm disa fjalë të vagullta të ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe asnjë zgjidhje.

Sistemi shëndetësor shqiptar diskriminon pa dallim shtetasit e Kosovës dhe të Shqipërisë kur vjen puna për hemodializën.

“Isha me pushime në Lezhë dhe kam paguar për dy seanca dializë 240 euro,” thotë Bujar Shehu nga Kukësi, i cili e kryen prej 14 vitesh falas hemodializën në Prizren.

Punonjësit shendetësorë të Prizrenit bëjnë përgjegjës hartuesit e marrëveshjes dy palëshe.

“Problemin e dializës së kosovarëve në Shqipëri e kemi adresuar dhe vazhdojmë t’a adresojmë. Jemi në pritje të marrjes së një pergjigje,” thotë Valmir Avdaj, administrator i repartit të hemodializës në Prizren. “Një marrëveshje që nuk plotëson interesat e dy palëve, nuk quhet marrëveshje pasi palët nuk respektohen,” përfundoi ai./ BIRN

Bashkia Elbasan, pranon: “Nuk ka incenerator”. Rritet çmimi për depozitimin e mbetjeve në landfill

Në një kohë që Prokuroria e Elbasanit po kryen hetimet mbi abuzimet e mundshme financiare të kompanisë publike së mbjetjeve, “Eco-Elb”, Bashkia e Elbasanit ka miratuar rritjen e çmimit për depozitimin e mbeturinave në landfill, ndërkohë që ka pranuar, më së fundmi zyrtarisht, se inceneratori është tërësisht jo-funksional.

Në mbledhjen e 30 Majit 2025, Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në mungesë totale transparente, pa praninë e medias dhe duke shkëputur sinjalin e transmetimit live në rrjete sociale, ka miratuar kontratën e re me kompaninë publike “Eco-Elb”.

Në bazë të kësaj kontrate, të siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se çmimi i cili do të paguhet për depozitimin e mbetjeve në landfillin publik nga bashkitë e Qarkut Elbasan do të jetë 2600 lekë të reja për ton, nga 2500 që ishte deri më tani.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak

Por, ajo që bie në sy në kontratën e re është “zhdukja” e termit ‘incenerim”, i cili duhet të ishte një prej shërbimeve bazë dhe fitimprurës të kompanisë “Eco-Elb”.

Trashëgimia e skandalit

Kompania publike “Eco-Elb” u krijua në dhjetor 2021. Aksioneri kryesor është Bashkia e Elbasanit, ndërkohë që ortakë janë edhe bashkitë e Peqinit, Belshit, Cërrikut, Librazhdit, Prrenjasit dhe Gramshit. Administratori i saj është Leli Kaja. Objekti i kompanisë është grumbullimi, përpunimi dhe incenerimi i mbetjeve urbane në Qarkun Elbasan.

“Eco-Elb” ka nënshkruar kontratë simbolike “1 euro” me Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara”, e cila ka në përdorim landfillin dhe “inceneratorin” e Elbasanit, pas sekuestrimit të kompanisë koncesionare “Albtek Energy” nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në vijim të hetimeve për korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.

Inceneratori i Elbasanit, vepra kryesore e të gjithë investimit mbi 20 milionë euro të qeverisë shqiptare, është jashtë funksionit dhe ka funksionuar vetëm pak ditë, që prej përfundimit të punimeve, në dhjetor të vitit 2021.

Skandali i parë financiar, ai i ndërtimit të landfillit, duket se ka lënë trashëgimi edhe gjatë menaxhimit të tij nga “Eco-Elb”. Prokuroria e qytetit ka nisur prej disa muajsh hetim për dyshimet mbi abuzime të rënda financiare në kompaninë publike dhe, deri më tani, është në fazën e verifikimit të dokumentacionit të sekuestruar në Mars të vitit 2025.

Incenerator nuk ka

Opozita, përfaqësues të rëndësishëm të shoqërisë civile dhe grupet e ambjentalistëve kanë denoncuar shpesh mos-funksionimin e inceneratorit dhe, si pasojë, krizën e thellë mjedisore të shkaktuar nga mungesa e përpunimit të mbetjeve.

Drejtuesit e “Eco-Elb” dhe të Bashkisë së Elbasanit e kanë mohuar publikisht ekzistencën e krizës, megjithëse një reportazh i kryer nga “Boldnews.al” dëshmon për situatën thuajse katastrofike në landfillin e qytetit, ku dallohet qartë se impianti i përpunimit të mbetjeve është tërësisht jashtë funksionit.

: Pamje nga landfilli i Elbasanit

Katër vjet pas marrjes në menaxhim të landfillit të Elbasanit, më në fund, edhe bashkia detyrohet të pranojë që inceneratori nuk punon.

Bashkia e Elbasanit, nën drejtimin e Gledian Llatjas dhe shoqëria “Eco-Elb” nënshkruajnë çdo vit kontratën për depozitimin e mbetjeve në landfill.

Në kontratën e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit në 30 Maj 2025 thuhet se kompania publike merr përsipër “pranimin, grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane”. Në këtë kontratë të re, ndryshe nga të ngjashmet e miratuara mungon termi “incenerim”.

Objekti i kontratës së miratuar në 30 Maj 2025 mes Bashkisë së Elbasanit dhe “Eco-Elb”

Në këtë mënyrë, Bashkia e Elbasanit, nëpërmjet Këshillit, është e detyruar për herë të parë të pranojë atë që tashmë e dinin të gjithë, që shoqëria “Eco-Elb” nuk mund të kryejë incenerimin.

Në kontratat e mëparshme përmendej termi “incenerim”

Një relacion financiar që shoqëron kontratën e vitit 2025 thotë se “inceneratori ka punuar 30 ditë gjatë vitit 2022, rreth 170 ditë gjatë vitit 2023 dhe asnjë ditë gjatë vitit 2024 e në vijim”.

Bjanka Çopja, anëtarë e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Elbasanit thotë për “Boldnews.al” se Bashkia e Elbasanit e konfirmoi inekzistencën e inceneratorit, atë që opozita e ka denoncuar prej kohësh; janë paguar miliona për shërbim e incenerimit që nuk është ofruar kurrë.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Bjanka Çopja

“Për tre vite me radhë, janë paguar miliona lekë për një shërbim që nuk është kryer – incenerimi nuk ka funksionuar kurrë. Janë shkelur procedura ligjore, janë harxhuar fonde publike pa asnjë llogari të qartë ekonomike për performancën e shoqërisë “Eco-Elb”, dhe mbi të gjitha, është mashtruar qytetari i Elbasanit”, thotë këshilltarja Çopja në një komunikim telefonik me redaksinë.

Humbje financiare dhe rritje kostosh

Pika më e rëndësishme në kontratën e re, të nënshkruar në maj të këtij viti mes Bashkisë së Elbasanit dhe “Eco-Elb” është, natyrisht, çmimi i rritur për depozitimin e mbetjeve, që pritet të rrisë kostot mbi bashkitë e qarkut, rrjedhimisht të rëndojë mbi taksat e qytetarëve.

Prej qershor 2025, bashkitë do të paguajnë një faturë 1 mijë lekë më shumë për depozitim të çdo toni mbeturinash, se sa më parë. Duke llogaritur se gjatë vitit 2024, “Eco-Elb” ka pranuar mbi 50 mijë ton, atëherë vetëm shtesa mbi çmimin e mëparshëm arrin në plus 5 milionë lekë të reja, duke shkuar pagesa totale nga 126.345.000 lekë në vit deri më tani, në 131.400.000 lekë në vijim.

Çmimi i ri, prej 2600 mijë lekë të reja për ton mbeturina, u fiksua pas analizës financiare të kryer nga një eksperte private, e kontraktuar nga Bashkia e Elbasanit.

Në analizën financiare, ekspertja kontabël paraqiti katër skenarë, ku të gjithë parashikonin rritje çmimi, nga 2.600 lekë deri në 5.000 lekë për depozitimin e çdo toni mbeturinash në landfill.

Ekspertiza, megjithëse e mangët në disa pjesë, zbuloi shumë aspekte negative në menaxhimin financiar të landfillit nga “Eco-Elb”.

Të dhënat e përpunuara treguan se kompania publike, në secilin vit të funksionimit të saj, ka rezultuar me humbje dhe nuk ka mbuluar kostot e shërbimit, “duke akumuluar një kapital negativ neto në shumën 52. 613.720 lekë të reja (mbi gjysëm milioni euro)”.

Humbjet financiare të “Eco-Elb”, sipas analizës financiare

Sipas analizës financiare, humbjet më të mëdha janë shënuar në vitin 2023. Në atë vit, “Eco-Elb” ka dyfishuar shpenzimet për paga punonjësish, në shifrën e 92.392.863 lekë.

Këshilltarja e opozitës, Bjanka Çopja, risjell në vëmendje se “rritja e shpenzimeve për paga është kryer pikërisht kur Bashkia e Elbasanit ishte përfshirë në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2023”.

Për eksperten e kontraktuar, në çdo rast, në mungesë të funksionimit të inceneratorit, kompania “Eco-Elb” jo vetëm që nuk do të mbulojë kostot dhe detyrimet aktuale, por do të shtojë borxhet edhe në vitet e ardhshme.

Analiza financiare, tregon më së paku, që analiza e kostove në vitet e kaluara ka qenë fiktive dhe autoritetet shtetërore kanë tentuar të fshehin në çdo mënyrë mungesën e funksionimit të inceneratorit, i cili duhet të ishte një ndër burimet kryesore të të ardhurave të shoqërisë publike, nëpërmjet prodhimit dhe shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbeturinave.

Megjithatë, këshilltarja bashkiake, Bjanka Çopja, vlerëson se në analizën financiare të ekspertes mungon një element shumë i rëndësishëm, që përbën burim të ardhurash për “Eco-Elb”.

Analiza financiare nuk ka përllogaritur të ardhurat e mundshme të shoqërisë nga ankandet për shitjen e mbeturinave të riciklueshme. ‘Eco-Elb’ ka për detyrë, ndër të tjera, që të ndajë mbetjet në burim dhe t’i shesë ato tek kompanitë e riciklimit. Në këtë mënyrë, ‘Eco-Elb’ do të krijonte të ardhura dhe, rrjedhimisht, do të ulte kostot dhe natyrisht, nuk do të kërkohej rritje çmimi”, thotë ajo për “Boldnews.al”.

Të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion të këshilltarëve bashkiakë të opozitës tregojnë se “Eco-Elb”, nën administrimin e Leli Kajës, nuk ka realizuar asnjë procedurë ankandi gjatë 4 viteve të funksionimit të saj.

Administratori i “Eco-Elb”, Leli Kaja

Ekzistojnë dyshime se “Eco-Elb” mund të ketë kryer “shitje” të mbeturinave të riciklueshme në mënyrë “private” tek kompani të ndryshme, megjithëse anëtarë të ndryshëm të Këshillit Bashkiak nuk e kanë të konfirmuar një veprimtari të tillë.

Të kontaktuar nga “Boldnews.al”, disa prej tyre deklaruan se shitjet e mundshme jashtë procedurës së ankandeve mund të verifikohen vetëm nga organet ligjzbatuese.

Prokuroria e Elbasanit ka deklaruar më herët për “Boldnews.al” se ka nën verifikim të gjithë veprimtarinë financiare të “Eco-Elb”, përfshirë edhe dyshimet për fryrje të organikës së kompanisë publike, sidomos para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025./boldnews.al

PD sot, si PPSH në vitet 1980?

Nga Indrit Vokshi

Partia e Punës në vitet 1980 degradoi në krejt gallatë, tragjike e komike.

Enveri e Ramizi i zhdukën ata që kishin lidhje me luftën, kishin legjitimitet për të folur dhe kishin dy gramë mend në kokë. Nuk ishin më pra, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Hysni Kapo, Tuk Jakova etj. Ishin Prokop Murra, Simon Stefani, Pali Miska, Muho Asllani, Pilo Peristeri, Lenka Çuko.. këta me të cilët tallej mileti, ngaqë s’dinin gjë tjetër veç të lavdëronin udhëheqjen, të flisnin për sukseset e Shqipërisë Socialiste (e cila ishte me radhë buke) dhe t’i “frikësonin” njerëzit duke iu thënë se po nuk ishte shoku Ramiz e po devijuam nga rruga e shokut Enver, ne do na hajë gogoli imperialist, do ngordhim si parti e si Shqipëri.

Se sa qesharakë, debilë dhe mediokër ishin ata e dëshmoi koha: sapo u rrëzua pushteti i tyre e u hap kapitull i ri, Shqipëria nuk u shua, përkundrazi u përmirësua. Edhe vetë partia e tyre nuk u shua me ikjen e Enverit e Ramizit dhe të këtyre hajvanëve, përkundrazi, partia u reformua, për 7 vjet u rikthye në pushtet dhe sot qeveris prej 12 vjetësh e është në mandat 4.

Sepse ata, socialistët, në vitin 1991 bënë një rithemelim real; larguan Pali Miskat me shokë e shoqe, larguan ata që shanin Dritëro Agollin në kongres sepse iu kritikoi partinë dhe vazhduan përpara me Fatos Nano, Et’hem Ruka, Rexhep Meidani, Namik Dokle, Sabit Brokaj, Pandeli Majko, Ilir Meta, etj të cilët ishin shumë më pak qesharakë. E ja ku janë sot. Në kongresin e 2003, Edi Rama, ose Edvin Kristaq Rama i drogës ka thënë një shprehje: Partia nuk është monument kulture që duhet ruajtur i paprekur për shekuj.

Sot ka veç një parti në Shqipëri e cila funksionon në logjikën e Partisë së Punës së viteve ’80. Parti e cila dominohet nga një kontigjent mediokër politikisht të cilët si deputetë e zyrtarë të lartë nuk kanë kapacitetin dhe guximin për asgjë. Ata, njëlloj si Pali Miska e Simon Stefani, njëlloj si Prokop Murra e Lenka Çuko, vënë kujën se po ndryshuam, po guxuam të kërkojmë shtigje e rrugëdalje prej pusetës ku ndodhen, do të shkatërrohet bota, do na hajë armiku etj. Po cili armik? Se armiku më i madh i tyre është vetja e tyre dhe injoranca e tyre. Sot ka vetëm një anëtarësi e cila njëlloj si anëtarësia që shante dhe agresonte Dritëro Agollin në kongres pse guxoi iu kritikoi mitin, shajnë e agresojnë si armik, si të shitur e si të blerë cilindo njeri.

Kushdo brenda PD, me mençuri duhet të rrijë urtë e të mos thotë asnjë fjalë, se duke ndejtur urtë do ta shkatërrojnë sunduesin dhe tarafin e tij. Pse? Sepse do ta lënë pa armik të brendshëm. Duke e lënë pa armik të brendshëm ata do ta lënë atë kontigjent pa ushqim. Nëse krijohet armik i brendshëm, lukunia mobilizohen dhe bashkohen përballë rrezikut se po iu marrin partinë. Prandaj le ta lënë pa armik. Lëreni pa armik dhe do ta shihni si do shkërrmoqet keq.

Në vitin 1991 kryeministri i Bashkimit Sovjetik i deklaroi Perëndimit: Ju se kuptoni se duke u zhdukur ne, po iu bëjmë ju diçka të tmerrshme, sepse po zhdukemi si rrezik. Ju sdo keni më një gogol aq të madh për tu mobilizuar kundër tij e për tu bashkuar kundër tij.

Thjesht lëreni pa armik. Se ska ku shpik armiq të brendshëm tani në kohë të opinionit publik e teknologjisë, se e tallin e bëjnë meme. Se kryetari i vet i partisë së parë ku ishte anëtar, Enveri pra, krijonte armiq më lehtë ngaqë veç RTSH ishte dhe gazetat i kishte të gjitha nën pronësi.

Dështimi vijon/ Asgjë që nuk pritej, del sërish në rrjetet sociale teza e provimit të maturës

Duket se as këtë vit nuk ka pasur ‘surpriza’… sërish në rrjetet sociale është publikuar teza e provimit të anglishtes.

Sot më shumë se 27 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar provimeve të maturës, i cili ka nisur në orën 10:00.

Por siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme, sërish ka rrjedhur teza, e cila është shpërndarë më pas gjerësisht në rrjetet sociale.

SPAK dhe autoritetet finlandeze operacion kundër trafikut të drogës, goditen disa grupe kriminale

SPAK, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese finlandeze, ka zhvilluar një operacion të përbashkët kundër disa grupeve kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të koordinuar ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre finlandeze, që synon goditjen e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa vende të Europës dhe që kanë lidhje me Shqipërinë.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, ndërsa janë përdorur teknika speciale të hetimit dhe shkëmbim informacioni në kohë reale ndërmjet palëve.

Sadik Bejko: Rama dhe Berisha ngjajnë si dy pika uji me njëri-tjetrin

Nga Sadik Bejko

Klasa politike në Shqipëri është një mbetje e epokës komuniste. Nuk ka dalë ende një brez i ri dhe i papërlyer udhëheqësish.
Nuk po flasim për shefin e opozitës, që hipën e zbret veç i vdekur nga kali i politikës.
Edhe shefi i pozitës në esencë ngjan si dy pika uji me të parin.

Edi Rama prej dekadash është në krye të PS, parti vazhdim i asaj komuniste që nga viti 1945.

Sipas dëshmive të aktorit Rikard Larja, shkruar në librat e diplomatit dhe analistit politik Sh. Murati, Rama u thirr nga emigracioni në stanin e politikës së Tiranës nga klani i Sofokli Lazrit, një figurë e errët e me lidhje okulte në politikën e lartë të erës komuniste. Lidhje që të shpien deri në strofullat e arinjve të stepave…

Rama di të përdorë ngjyrat, tingujt, regjinë e tallavasë politike, gjellë e pëlqyer për turmat. Me namin e një artisti e sportisti në politikë, me lojën e spektaklit të një politike të fasadave e të ngjyrave, të atraksioneve pesë grosh në takime me ndërkombëtarët, Rama është kthyer në një gotë kokteji shumëngjyrëshe çlodhjeje për takimet e ndërkombëtarëve në sheshet dhe restorantet luksi të Tiranës.

Nuk do të kemi asgjë të re në politikë me këto dy figura, mbetje të kohëve të baba Qemos.

Nuk do të kemi qeveri: vetëm vullnetin e njëshit mbi ca zero me fytyra ministrash, që bëhen të gjallë veç kur zbulohen se kanë ngrënë dardha pas kurrizit të Shefit.
Nuk do të kemi kryebashkiak … se po nuk i pëlqeu Shefit, e degdis… pak në burg.
Nuk do të kemi parlament. Se Shefi i Madh fshin menderen me opozitën. E poshtëron hapur, e sheh si pluhur te atletët e tij të bardha… me yll.
E degradon në atë farë feje sa opozita djeg goma, djeg karriket e Parlamentit.
Çmenduri.

Asgjë e re nën këtë diell.

“Më ke folur sesi priteshin kokat e pashallarëve turq, nëse ke vend në romanin tënd, shkruaj…”- Historia e trishtë e autorëve të festivalit 11-të: Kadare u takua me Todi Lubonjën, ja çfarë diskutuan

Festivali i 11-të i Këngës në Radiotelevizion, në historinë e Shqipërisë komuniste, ishte një “gur kilometrazhi”, që tregoi edhe njëherë se çdo tentativë e artistëve për të çarë drejt Evropës, do të pengohej patjetër në atë “postbllok”, ku shpallej “ndalim qarkullimi”! Është kjo arsyeja që historianët e artit të muzikës, do t’i rikthehen shpesh atij festivali, i cili mbolli talente, por korri viktima. Në kalendarët e kohës, ky festival do të shënonte kulminacionin e përpjekjeve për të thyer rregullat e ngurta të Realizmit Socialist, të cilat megjithëse vepronin në mënyrë më të ashpër në letërsi, përsëri nuk mund të mos ndikonin gjithashtu në muzikë, pikturë, skulpturë etj., etj.

Starti

Tentativat e mëparshme në zhanrin e organizimeve muzikore, ishin dukur në ato vite qysh në emisionet televizive, “Fituesi i fituesve”, etj., të cilat në një farë mënyre, kërkonin t’i ngjanin emisioneve muzikore italiane, që në atë kohë kishin filluar të ndiqeshin prej të gjithëve.

Larg skematizmit

Kësisoj, një ditë prej ditësh urdhri për përgatitjen e Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion, mblodhi në një kamp artistik disa prej emrave më të spikatur të fushave të ndryshme, të cilët gjithashtu njiheshin për prirjet e tyre liberale. Vetë Fadil Paçrami e Todi Lubonja, duke qenë me prirje të mirëfillta artistike, ndërtuan rreth vetes një “kështjellë” të vogël me artistë të talentuar e liberalë, duke shpresuar se në këtë mënyrë, do të rriteshin nivelet e artit muzikor dhe të traditës festivaliste në Shqipëri.

Dhe frytet erdhën shumë shpejt. Madje, që në përzgjedhjen e këngëve, iu dha prioritet pikërisht kompozimeve ritmike. Ndërsa, në tekstet e këngëve, për herë të parë ndihej tendenca për t’u shkëputur disi nga parimet kryesore të realizmit socialist, (siç ishte “Partishmëria Socialiste”, “Heroi Pozitiv”, etj). Një evolucion i madh u duk edhe në paraqitjen e dekorit, ku rekuizita e përdorur kishte mjaft diferenca me festivalet e mëparshme. Edhe mënyra e komunikimit të konferencierëve, Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, me juritë e rretheve, me anë të telefonatave direkte, shënoi një arritje të re. Megjithatë, Kapexhiu dhe Luarasi në atë kohë, nuk mund ta dinin se kjo histori që filloi me tam-tamet e daulleve, do të mbaronte me gjyqe dhe arrestime.

Epilogu

Shumica e pjesëmarrësve të këtij festivali pa pasur asnjë faj, u internuan ose u burgosën, ndërkohë që shumë të tjerë u pushuan nga puna. Vetë Edi Luarasi pësoi një kalvar të tërë vuajtjesh, pas festivalit, për një faj të cilën nuk e kishte bërë. Ose faji i saj i vetëm kish qenë pasioni dhe dashuria për artin e madh, si edhe ndjeshmëria për t’i dhuruar spektatorit gjithmonë e më shumë, vepra artistike që të ishin sa më pranë të vërtetës jetësore.

Padyshim, që një fat akoma më tragjik pësoi bashkëshorti i saj i talentuar, regjisori Mihallaq Luarasi, i cili ishte njeri i spikatur i artit të asaj kohe, duke llogaritur këtu edhe vënien në skenë të dramës “Njolla të murrme”. Regjimi e burgosi, vetëm me akuza politike që u ngritën kundër artit të tij. Dhe në fund të fundit, ndëshkimi erdhi vetëm për faktin se ata të dy (dhe të tjerë para e pas tyre), kishin tentuar të dilnin nga skematizmi arkaik, për të dhënë një shembull të përsosmërisë artistike të asaj kohe.

Para dhe pas shfaqjes: Si u motivua sulmi mbi “të spikaturit”?!

Regjisor i Festivalit të 11-të, ishte Mihallaq Luarasi, skenarist ishte Bujar Kapexhiu, skenograf, Edi Hila dhe drejtor direkt i këtij festivali, ishte Todi Lubonja. Sipas skenarit, i cili ishte parë disa herë nga strukturat e larta, ky festival për herë të parë, doli nga “rrethi” dhe rrëzoi mitin e shabllonizmit, duke filluar që nga komunikimi i dy drejtuesve në skenë.

Para së gjithash ky komunikim midis tyre, ishte një portë e hapur për spektatorin, i cili për herë të parë ndjente, se ishte pjesëmarrës në atë që zhvillohej në skenë. Për këtë periudhë skenaristi i Festivalit Bujar Kapexhiu, tregon: “Kisha rreth pesë vjet që kisha mbaruar Konservatorin dhe në atë kohë punoja si regjisor në Estradën e Shtetit. Propozimin e parë për të qenë spiker i Festivalit, por njëkohësisht edhe skenarist i tij, ma dha regjisori Mihallaq Luarasi.

Unë në fillim nuk pranova. Këtë refuzim e bëra për faktin se unë atëherë isha regjisor dhe po të pranoja të dilja si spiker, më dukej një shkallë më poshtë. Por më vonë më thirrën në strukturat e larta të shtetit dhe pas disa bisedave, pranova. Isha njëkohësisht skenarist dhe prezantues”, – është shprehur ai. Kapexhiu padyshim që është një nga dëshmuesit më të vërtetë dhe më të qartë të këtij aktiviteti me përmasa kombëtare. Madje, juritë e ngritura nëpër të gjitha rrethet, tregonin qartë se kënga fituese për herë të parë në historinë e festivaleve, do të vendosej nëpërmjet votimeve të specialistëve, në të gjithë Shqipërinë.

“Linja telefonike direkt me sallën e Festivalit, u përdor për herë të parë”, dëshmon Kapexhiu. Këngëtarët që morën pjesë aty ishin nga figurat më të shquara të muzikës së lehtë shqiptare. Deri në atë kohë të gjithë së bashku kishin gjetur rrugët e duhura artistike për të kapur kulminacione. Kështu, përveç kompozitorëve të mëdhenj të asaj kohe), duhet thënë se si këngëtarë konkurruan: Vaçe Zela, Sherif Merdani, Tonin Tërshana, Dorian Nini, Lindita Sota, Françesk Radi, Bashkim Alibali etj., etj. Ndërsa këngët me të cilat konkurruan, si; “Në ekranin e televizorit”, “Erdh pranvera”, “Kafe Flora”, “Kënga e studentit”, “Në bulevard kalojmë”, “Mblodha shokët në park”, etj., etj., që të nesërmen filluan të këndoheshin në formë melodish nga njerëzit e thjeshtë.

Ajo që mbizotëroi gjatë netëve të festivalit ishte ritmi muzikor, ku xhazi kishte prioritet. Vetë festivali i cili në thelb gjithmonë përbën një festë muzikore për popullin, mori mjaft përgëzime nga të gjithë njerëzit në mbarë vendin tonë. Por ai gjatë atyre ditëve u pëlqye edhe nga drejtuesit e lartë të shtetit komunist. U thanë gjithashtu fjalë shumë të mira për këngëtarët, kompozitorët, autorët e teksteve dhe madje morën përgëzime të veçanta edhe piktorët e kostumeve.

Në thelb, me një fjalë të vetme e gjithë kjo ndërmarrje u cilësua si një evolucion. Por ndërkaq, pas pak javësh filloi të qarkullonte një thashetheme, sipas të cilit Enver Hoxha, ende nuk kishte thënë mendimin e tij. Pastaj dalëngadalë në shtyp filloi një valë artikujsh, kundër imitimeve moderniste dhe më në fund Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së, zyrtarizoi censurën. Në atë plenum u goditën rëndë zhvillimet e reja të letërsisë, dramës, muzikës, pikturës etj., ku në mënyrë të veçantë u bënë ndëshkime për Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.

Si u ndëshkuan organizatorët e Festivalit?

Lidhur me periudhën e ndëshkimeve, Bujar Kapexhiu tregon: “Në fillim, pra pas ditëve të Festivalit të 11-të në Radio-Televizionin Shqiptar, kishte një entuziazëm të madh tek njerëzit e thjeshtë dhe sidomos tek rinia e asaj kohe. Të gjithë na përgëzonin dhe na thoshin se ky festival, kishte kapur parametrat evropianë, duke arritur majat. Por dalëngadalë entuziazmi u fashit papritur dhe filluan ngado mbledhjet, në të gjitha institucionet artistike. Këto mbledhje bëheshin me urdhër nga Komiteti Qendror i PPSH-së.

Thuhej se personalisht Enver Hoxha, kishte shprehur pakënaqësinë e tij ndaj festivalit. Kështu që unë nga dita në ditë, prisja radhën e ndëshkimit”. Kështu shprehet regjisori dhe aktori i njohur Bujar Kapexhiu, i cili citon gjithashtu shprehjen e Balzakut se; “Më mirë një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pa fund”. Dhe tmerri i atyre mbledhjeve të gjata nuk kishte të mbaruar. Një mëngjes u lajmërua një mbledhje e tillë edhe për punonjësit e Estradës së Shtetit, ku punonte atëherë regjisori Kapexhiu.

Ja si e kujton ai: “Në këtë mbledhje ishte i deleguar Enver Halili, i cili në thelb, më është dukur gjithmonë një njeri i mirë. Aty Enver Halili vuri në dukje, ato që i kishin ngarkuar të thoshte, por zëri i dridhej, ngaqë ndihej se edhe ai vetë nuk kishte dëshirë t’i thoshte ato gjëra. Si përfundim, në fund të kësaj mbledhjeje, u vendos pushimi im nga puna. Dhe kështu ndodhi, mua menjëherë më çuan të punoja si punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit ‘Josif Pashko’!

Gjithashtu edhe në institucionet e tjera artistike, u morën dënime për artistë të tjerë. Dua të përmend këtu kolegen time të nderuar, zonjën Edi Luarasi, e cila u pushua nga puna dhe për shumë kohë, u caktua të punonte si rrobaqepëse në N.I.L.R.G. Ndërsa Françesk Radin, e dërguan në Fushë-Arrëz, Edi Hilën në një pulari të Tiranës, Justina Aliajn e pushuan nga puna, Aleksandër Lalon, e transferuan në një zonë të largët, e kështu me radhë”.

Pak kohë më vonë Enver Hoxha ndëshkoi rëndë në plenumin famëkeq, edhe drejtuesit e lartë të kulturës në Shqipëri, ku i paprekur mbeti vetëm Ramiz Alia. Në atë kohë Ramizi ishte përgjegjësi direkt i kulturës, në Byronë Politike, por gjithsesi rrethi i të dënuarve u mbyll me kaq. Vetë Ramizi, në rrethet e ngushta të byroistëve, ka bërë autokritika për ngjarjet e Festivalit të 11-të, në Radiotelevizion dhe ai vetë ka kritikuar gjithashtu të tjerët për këtë festival.

Regjisori Mihallaq Luarasi, kishte bërë vetë Festivalin e 10-të, dhe kështu i besuan dhe festivalin pasardhës. Lidhur me këtë, bashkëshortja e tij, Edi Luarasi, është shprehur: “Në këtë festival, gjithçka ishte ndryshe, duke filluar nga vendosja e orkestrës, kombinimi në skenë-sallë, dinamizmi i prezantuesve, veshja e orkestrës, e këngëtarëve, lidhja me juritë e rretheve, orkestracionet etj., etj.. Orkestracionet ishin shumë dinamike. Në këtë festival i këndohej dashurisë, i këndohej natyrës, nënës, diçkaje të bukur dhe krejt ndryshe nga festivalet e tjera, ku i këndohej partisë, brigadierit pararojë, turnit të tretë, etj., etj.

Mbas festivalit, kush nuk na përgëzonte, na përgëzonin njerëzit në rrugë, atëherë shqiptarët mendonin se nuk e kemi më kokën nga Italia, tani kemi këngëtarët tanë. Dhe kjo gjë ne na pëlqente, sepse në atë kohë, ishte kulmi i Rafaela Karra, në Itali”. Por kur do të fillonte sulmi? Si e shpjegon këtë, Edi Luarasi: “Pas suksesit filluan goditjet. Por jam e bindur se Festivali i 11-të, ishte një pretekst. Ishte një rast për t’u goditur arti. Atëherë shteti kishte “futur në xhep” akuzën për “Njollat e murrme”, ku regjisor ishte Mihallaqi.

Në këtë dramë, unë kisha rolin kryesor. Ishte një rol fantastik. Pra, goditja ndaj artit dhe ndaj nesh, ishte e planifikuar. Unë ndjesinë e parë e provova kur isha me Mihallaqin, gjatë një koncerti. Dikush më tha: ‘Edi, shoku Enver nuk e ka pëlqyer festivalin dhe më duket se do ta godasë’. Por me këto fjalë, përsëri nuk na shkonte mendja, për ndonjë gjë të rëndë. Por papritur filluan një nga një breshëritë. Në fillim gjoja bëheshin letra nga punëtorët, ose të rinjtë e rretheve të tjera, nga Lushnja, Elbasani, etj.. Gjoja se nuk i kish pëlqyer festivali dhe se kishte shfaqje të huaja. Atëherë filluan edhe mbledhjet.

Më kujtohet në Radio Televizion, ka ardhur Pirro Kondi dhe nuk po e merrnim vesh, sepse mendonim që kishte ardhur për ta përgëzuar festivalin. Por të deleguarit thanë menjëherë: lërini përgëzimet, se na kanë ardhur letra, që e kritikojnë festivalin, nga rinia. Pastaj vazhdoi mbledhja. Ata që i jetuan ato kohëra, e kuptojnë fare mirë se çfarë furie filloi kundër të drejtave minimale të njerëzve. Mihallaqin fillimisht e kanë çuar në Ballsh për riedukim. Ishte viti 1973 dhe ai është dënuar që të mbante thasë me çimento”!

Ditët e marsit

Festivali i 11-të i këngës në Radiotelevizion, u ndëshkua në muajin mars të vitit 1973. Jeta e këngëve zgjati vetëm tre muaj. Kaq ndofta ka mjaftuar që kujtesa e artdashësve, t’i fiksonte ato. Për këtë arsye, marsi i vitit 1973, është identifikuar me një dimër censure. Jo më kot shkrimtarët dhe historianë e kujtojnë atë mars, si një periudhë me shi, kur në bulevardin qendror të Tiranës, njerëzit me çadra në duar nuk bisedonin për gjë tjetër, përveçse për vrasjen e muzikës, ku jo rrallë flitej për prerje kokash. Vetë Kadareja në një libër të tij, tregon se në ato ditë ka takuar në bulevard, Todi Lubonjën.

Midis të tjerave gjatë këtij takimi, jo rastësisht Lubonja ka kujtuar një libër të Kadaresë, ku flitej për prerje kokash. Atëherë Kadareja ishte duke i dhënë dorën e fundit romani “Kështjella”, për luftën kundër turqve. Me fjalë të tjera midis shkrimtarit Kadare dhe Drejtorit të RTSH-së Lubonja, u fol për kokat e turqve. Lubonja i tha Kadaresë: “Më ke folur për një lloj ndëshkimi, ku priteshin kokat e pashallarëve turq. Nëse ke një vend në romanin tënd, shkruaj diçka edhe për këtë lloj prerje kokash dhe mos më harro edhe mua”.

Post-Festival

“Yjet” që ndritën në ato tre net të festivalit, lanë pas një ndriçim të largët, i cili shërbeu si kulminacion për artistët e ardhshëm. Mesazhi dhe mirësia që doli ato net nga sallat e festivalit, u shpërnda si ajri dhe mbeti përgjithmonë si ushqim shpirtëror për artistët dhe njerëzit e thjeshtë. Nuk u harrua asnjëherë fakti se: Vaçe Zela, Justina Aliaj, Lindita Sota, Ema Qzimi, Sherif Merdani, Tonin Tërshana, Dorian Nini, Bashkim Alibali etj., kënduan me emocion këngë të tilla, që kishin kohë që i ëndërronin.

Këto këngë mbetën në kujtesë, dhe ndoshta njerëzit u lidhën më shumë me to, siç lidhet njeriu me fëmijën që vuajti më shumë. Kjo edhe për faktin se pikërisht ky festival u ndalua dhe i paracaktoi shumë familjeve të artistëve, një fat tragjik. Dhe pavarësisht nga kjo, edhe në spektaklin “Këngët e shekullit”, disa këngë të këtij festivali, vërtetuan edhe njëherë shprehjen e njohur, se; “arti i vërtetë, mund të shtypet prej diktaturave, por gjithsesi vetë diktaturat kanë një fund, ndërsa arti i madh, jo”. Memorie.al

Festivali i 11 i Këngës në Radiotelevizion, 22, 23, 24 dhjetor 1972

Udhëheqës artistik: Nikolla Zoraqi

Regjisor: Mihal Luarasi

Skenograf: Edi Hila, Myrteza Fyshekati, Tomi Vaso

Dirigjent: Ferdinand Deda, Ermir Krantja, Gaspër Çurçia

Orkestra e madhe e Radio Televizionit

Kompleksi ritmik i drejtuar nga Robert Radoja, Gaspër Çurçia, Ferdinand Deda, Gjon Simoni, Alqi Kareco

Prezantues: Edi Luarasi, Bujar Kapexhiu

Kryetar i jurisë: Çesk Zadeja

Çmimi i parë:

“Kur vjen pranvera”, e Pjetër Gacit

Çmimi i dytë:

“Kafe FLORA”, e Agim Krajkës

Çmimi i tretë:

“Kush me njeh mua”? e Agim Prodanit

Kërkesa për apartamente të reja në rënie, pronarët e firmave shprehen pesimistë, ngadalësojnë vrullin e ndërtimeve

Besimi në ekonominë shqiptare është rritur me 1.1% në muajin maj, sipas vrojtimit të fundit të Bankës së Shqipërisë, me përmirësime të ndjeshme në sektorin e industrisë dhe shërbimeve, ndërsa ndërtimi dhe tregtia vijojnë të shfaqin tendenca negative.

Sektori industrial ka shënuar një rritje prej 8% në besim, falë shtimit të kontratave për porosi të reja dhe rritjes së prodhimit. Në të njëjtën kohë, shërbimet, të nxitura nga shtimi i turistëve të huaj gjatë majit, kanë pasur një përmirësim të lehtë prej 2.2% në pritshmëri, veçanërisht në hotele, resorte, bujtina dhe restorante që presin kërkesë më të lartë dhe rritje çmimesh në muajt e verës.

Në të kundërt, sektori i ndërtimit ka përjetuar një rënie të besimit me 3.4%, për shkak të vlerësimeve të dobëta për aktivitetin ndërtimor aktual dhe pritshmërive më të ulëta për kontrata të reja. Rënia është reflektuar edhe në numrin e lejeve të ndërtimit, ku sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë të vitit janë miratuar 258 leje ndërtimi, nga 311 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që përfaqëson një rënie prej 17%
.

Vlera totale e ndërtimeve të reja, për të cilat janë miratuar leje, është përllogaritur në rreth 200 milionë euro, çka tregon për një ngadalësim të ndjeshëm të këtij sektori pas bumit të kullave shumëkatëshe në vitet e fundit. Rënia e kërkesës për prona, së bashku me rritjen e çmimeve, po japin sinjale të qarta për një frenim të mëtejshëm të investimeve në ndërtim.

Ndërkohë, perceptimi i qytetarëve për situatën e tyre financiare mbetet pesimist dhe nuk planifikojnë blerje të mëdha, duke treguar një kontrast mes gjallërimit të bizneseve dhe pasigurive në nivel familjar.