15.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Blinken kërcënon ashpër: Rusia do ta paguajë shtrenjtë çdo veprim anti-amerikan

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se do të ketë “kosto dhe pasoja” për Rusinë, për siç thuhet aktivitetet e saj malinje ndaj Shteteve të Bashkuara.

Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet në një intervistë me rrjetin televiziv CNN që u transmetua të dielën.

“Ne do të ndërmarrim masat e nevojshme për të mbrojtur interesat tona,” në momentin kur SHBA e shohin të përshtatshëm, tha zoti Blinken në intervistën që shte regjistruar disa ditë më parë, ndërkohë që shefi i diplomacisë amerikane përmbyllte në Bruksel bisedimet me homologët e tij në NATO.

Mes aleatëve perëndimorë, tha ai “ka një angazhim të përbashkët” se duhet të tregohen “sy-hapur e të kthjellët” lidhur me veprimet e Moskës dhe ta mbajnë përgjegjës Kremlinin.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se zyrtarët janë në vazhdën e punës duke analizuar mundësinë e sanksioneve ose masave të tjera nga Uashingtoni kundër Moskës dhe po vijojnë konsultimet me vendet e NATO-s.

“Ne jemi më të fortë kur veprojmë në bashkërendim,” tha ai.

Megjithëse SHBA dhe Rusia rënë dakord me shpejtësi për të zgjatur një traktat për kontrollin e armëve që do të skadonte pak pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Biden, Uashingtoni po fajëson Rusinë për veprime të tjera, përfshirëofertën e shpërblimeve për ata që kryejnë atentate ndaj trupave amerikane në Afganistan, përzierje në zgjedhjet e 2020 dhe penetrimin në sistemet kompiuterike amerikane.

Komentet e zotit Blinken në intervistën dhënë CNN-it të kujtojnë deklaratat e Presidentit Biden i cili tha dy javë më parë në një intervistë me kanalin ABC se e konsideron udhëheqësin rus, Putin “vrasës”.

Presidenti Biden tha në intervistë: “Do ta shihni së shpejti se çfarë çmimi do të paguajë,” duke shtuar se SHBA synon të vazhdojë edhe bashkëpunimin me Rusinë sepse ka plot “fusha ku është në interesin e përbashkët të bashkëpunojmë”.

“Prandaj e zgjata traktatin për kontrollin e armëve, ndërkohë që ai bënte këto të tjerat. Por zgjatja e traktatit ishte në interes të njerëzimit, që të pakësojmë rrezikun për një konflikt bërthamor”.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat për përzierje në zgjedhjet amerikane dhe për orkestrimin e një sulmi kibernetik që penetroi sisteme të qeverisë dhe kompanive private përmes firmës SolarWinds. Po ashtu, Kremlini ka përgënjeshtruar njoftimet se ka ofruar shpërblime për sulme ndaj ushtarëve amerikanë në Afganistan apo se ka helmuar udhëheqësin opozitar rus Alexei Navalni.

Një analizë e shërbimeve amerikane të zbulimit arrin në përfundimin se ka të ngjarë që Presidenti Putin urdhëroi një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish-Presidentit Trump në zgjedhjet e nëntorit 2020.

Nuk është e qartë se çfarë masash po peshon administrata Biden kundër Rusisë, por ato mund të përfshijnë ndëshkime si ngrirja e aseteve të firmave që kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt ose jo në ndërhyrjet në zgjedhje apo që kanë ndihmuar infiltrimin kibernetik si dhe aktivitete të tjera që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Një ligj i vitit 1991 i jep autoritetet presidentit amerikan t’ua ndalojë bankave amerikane t’i japin kredi një vendi që përdor armë kimike, si ajo që u përdor për të helmuar zotin Navalni.

SHBA-Kinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se sheh aspekte “gjithnjë e më konfrontuese” në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shefi i diplomacisë amerikane shtoi se kjo marrëdhënie ka pa diskutim dimensione rivaliteti por ka edhe pista për bashkëpunim mes dy vendeve.

Të shtunën Shtetet e Bashkuara kritikuan sanksionet e Pekinit kundër dy zyrtarëve amerikanë për të drejtat fetare si dhe ndaj një ligjvënësi kanadez, të vëna pas komenteve të dy vendeve perëndimore lidhur me trajtimin e pakicës ujgure në Kinë.

Nord Stream 2

Sekretari i Shtetit u pyet gjatë intervistës edhe për tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2, në vaçanti në lidhje me masat që mund të marrë Uashingtoni për të penguar ndërtimin e kësaj strukture nga Rusia në Gjermani. Zoti Blinken tha se vendimi përfundimtar është në dorë të atyre që po përpiqen ta ndërtojnë tubacionin. Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, thjesht duan që kundërshtitë e tyre ndaj këtij projekti të kuptohen qartë nga këto vende.

Hetimi i OBSH dhe Kinës: Virusi nga lakuriqët e natës, nuk ka dalë nga laboratorët

Sipas agjencisë Associated Press, një studimi i përbashkët i pa botuar ende, mes OBSH-së dhe Kinës mbi origjinën e COVID-19 arrin në përfundimin se “transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njeriu, përmes një kafshe tjetër, është skenari më i mundshëm” i përhapjes së virusit.

Skenari që virusi të ketë dalë nga një laborator dhe të jetë përhapur tek njeriu, konsiderohet si “jashtëzakonisht i pamundur” sipas hetimit të përbashkët, thuhet në raport.

Studimi zbulon gjithashtu se brejtësit dhe macet “mund të preken nga virusi COVID, gjë që sugjeron se ato gjithashtu mund të jenë transmetuese” të tij.

Një diplomat i një vendi anëtar të OBSH-së në Gjenevë, e ndau studimin, që “dukej të ishte një version gati përfundimtar”, me agjencinë Associated Press të hënën, por agjencia e lajmeve nuk e ka bërë të ditur identitetin e diplomatit, sepse ai nuk ishte i autorizuar ta jepte informacionin para botimit.

Raporti është “bazuar kryesisht” në një vizitë që një ekip ekspertësh ndërkombëtarë bëri këtë vit në Wuhan të Kinës ku u shfaq për herë të parë koronavirusi.

Infeksionet në SHBA në nivel konstant

Ndërsa vazhdon fushata e vaksinimit në Shtetet të Bashkuara kundër COVID-19, nivelet ditore të infeksionit mbeten të larta.

Anthony Fauci, këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë, shprehu shqetësim të dielën se kjo mund të jetë rezultat i heqjes së disa kufizimeve shumë herët nga disa shtete – veçanërisht në periudhën e pushimeve të pranverës.

“Mendoj se ishte e parakohshme”, tha zoti Fauci për kanalin CBS, duke folur për shtetet që hoqën kufizimet ndërsa po rritet niveli i vaksinimit, duke paralajmëruar se ekziston “një rrezik real” të shohim një valë të tretë të epidemisë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të dielën, Presidenti Joe Biden tha se beson se niveli i infektimeve ka mbetur i njejtë, në vend që të ulet, pasi njerëzit “po heqin dorë nga masat mbrojtëse”.

Të enjten e kaluar, presidenti Biden u zotua për 200 milionë vaksinime në 100 ditët e tij të para si president. Të dielën, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan se më shumë se 51.5 milionë amerikanë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 93.6 milionë kanë marrë të dyja dozat.

Në të njëjtën kohë, SH.B.A. kanë konfirmuar afërsisht 60,000 raste të reja ditore të virusit gjatë disa ditëve të fundit. Niveli i pandryshuar i rasteve në një shkallë kaq të lartë është shqetësues.

“Unë mbetem thellësisht e shqetësuar për një ndryshim të mundshëm të trajektores së pandemisë. Të dhënat më të fundit të CDC vazhdojnë të sugjerojnë se rënia e rasteve ka mbetur e pandryshuar në një nivel shumë të lartë, “tha Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e CDC-së.

Më herët të dielën, Dr. Deborah Birx, e cila ka shërbyer si koordinatore e përgjigjes së Shtëpisë së Bardhë ndaj koronavirusit nën administratën Trump, tha për kanalin CNN se ajo beson se numri i të vdekurve prej 550,000 mund të kishte qënë shumë më i ulët, nëse zyrtarët në qytete dhe shtete do të kishin ndërmarrë hapa më agresivë për të ndalur infeksionet duke nxjerr mësime nga vala e parë.

“Kishte rreth 100,000 vdekje që erdhën nga vala e parë”, tha zonja Birx. “Të gjithë rastet e tjera, sipas mendimit tim, mund të ishin zbutur ose zvogëluar ndjeshëm.”

Koncesion i ri korruptiv, Rama i jep portin e Vlorës për shfrytëzim miqve të tij për 35 vite

Një bashkim i katër shoqërive, dy prej të cilave të kontrolluara nga një dorë, janë shpallur fituese për të marrë me koncesion portin turistik në qytetin e Vlorës. Konsorciumi i përzgjedhur fitues nga Ministria e Infrastrukturës përbëhet nga Brunes sh.p.k, Marina di Valona, Ndregjoni shpk dhe një kompani angleze me emrin Marina projects limited. Dy shoqëritë e para, Brunes dhe Marina di Valona kontrollohen 100 për qind nga i njëjti pronar, biznesmeni Geront Çela.

Konsorciumi fitues ka ofruar të investojë 22.8 milionë euro nga paratë e veta për ndërtimin e portit turistik në Vlorë dhe në këmbim do të ketë të drejtën të shfrytëzojë me koncesion për 35 vjet portin turistik, plus do të përfitojë një sipërfaqe të madhe toke falas në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Sipas projektit, porti turistik i Vlorës do të ndërtohet në vendin ku aktualisht ndodhet porti i mallrave. Kompanitë private do të marrin falas nga qeveria të gjithë tokën në zonën ku ndodhet sot porti i mallrave për të ndërtuar portin turistik. Ndërkohë që qeveria ka marrë përsipër që portin e mallrave ta zhvendosë në zonën e Triportit, pra duke ndërtuar një port të ri detar me paratë e buxhetit të shtetit. Sipas kryeministrit Rama, ndërtimi i portit të ri të mallrave në zonën e Triportit do të fillojë brenda pak muajsh, por Partia Demokratike e cilësoi këtë si një aferë korruptive.

Sipas PD, në portin ekzistues të mallrave janë investuar dhjetëra milionë euro dhe ndërtimi i tij në një vend të ri do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë dhjetëra milionë euro të tjera. Po kështu, PD ka akuzuar se zhvendosja e portit të mallrave në Triport do të godasë rëndë ekonominë e qytetit të Vlorës dhe veçanërisht industrinë e peshkimit.

Porti i ri turistik do të ketë një kapacitet akomodimi për 400 anije dhe jahte si dhe do të jetë i aksesueshëm për të gjithë vitin. Mbetet ende e paqartë nëse në tokën që do të përfitojnë falas nga shteti, kompanitë private do të ndërtojnë edhe pallate apo hotele, pasi kjo nuk është e detajuar në projektin fillestar të koncesionit.

Neurologët: Dëmet e jashtëzakonshme në tru që sjell abuzimi me alkoolin

Drunk and unconscious businessman lying on a counter

Me kalimin e viteve, ndikimi i alkoolin në trupin tuaj ndryshon. Ndërsa disa ndryshime dallohen menjëherë, ndryshimet e tjera janë pak më delikate

“Efektet e alkoolit në tru varen nga mosha dhe zakonet e përditshme të konsumit”, thotë Dr. Kristen Willeumier. “Me plakjen, ndryshime specifike strukturore dhe funksionale ndodhin në tru, duke përfshirë hollimin e korteksit cerebral, tkurrjen neuronale etj.”, shkruan Well&Good.

Një studim i neuroimazherisë në tetor të vitit 2008, botuar në JAMA Neurology, vëzhgoi 1,839 pjesëmarrës të moshës 33 deri 88 vjeç dhe zbuloi se nivelet më të larta të konsumit të alkoolit shoqëroheshin me vëllim më të vogël të trurit. Rezultate të ngjashme pati dhe një studim i botuar në gusht të vitit 2020, në revistën Nature Scientific Reports.

“Korteksi parafrontal dhe hipokampusi janë të prekshëm nga procesi i plakjes dhe një rënie e vëllimit të trurit në këto rajone mund të kontribuojë ndjeshëm në dëmtimet e kujtesës. Konsumi i alkoolit ka një ndikim të shtuar në trurin e plakur, veçanërisht në këto rajone thelbësore për funksionin njohës.”

Konsumi mesatar dhe i rëndë, pra katër ose më shumë pije në ditë, është i dëmshëm për funksionin e trurit. Etanoli mund të ketë një efekt neurotoksik në tru, duke çuar në dëmtime strukturore dhe funksionale të trurit, citon Anabel.

Pirja e madhe mund të ndikojë në funksionin vaskular për shkak të përgjigjes inflamatore dhe stresit oksidativ, duke rritur rrezikun e hipertensionit, sëmundjes koronare të zemrës, goditjes në tru etj.

Përdorimi i rëndë i alkoolit shoqërohet me një rrezik në rritje edhe të dementias. Një studim i qershorit 2018, botuar në The Lancet Public Health, “zbuloi se në një grup prej 1,109,343 rastesh të dementias, kishte një lidhje të çrregullimeve të konsumit të alkoolit me të gjitha llojet e dementias.

Ndërsa ndikimet afatshkurtra të alkoolit si ulja e përqendrimit, humorit dhe ndryshimet e kujtesës mund të zhbëhen shpejt, kini kujdes pasi ndikimet afatgjata janë shpesh të pakthyeshme.

Studimi i ri ngre alarmin, mësimi online po dëmton shëndetin mendor të fëmijëve

Shkollat virtuale mund të të paraqesin më shumë rreziqe për shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe prindërve sesa të mësuarit normalisht

Sipas një studimi të botuar të enjten, 25 mars, nga CDC (Qendrat Amerikane për Kontrollon dhe Parandalimin e Sëmundjeve), mund të nevojitet më shumë mbështetje për t’u marrë me efektet e pandemisë, shkruan CNN.

Prindërit, fëmijët e të cilëve ndoqën shkollën online, ose bënë një kombinim mes të mësuarit në shkolla dhe të mësuarit online, kishin më shumë të ngjarë të raportonin rritje të rrezikut nga 11 në 17 në treguesit e mirëqenies së fëmijëve dhe prindërve.

Studiuesit panë përgjigjet e një sondazhi nga tetori dhe nëntori i vitit 2020, nga 1290 prindër me fëmijë të moshës 5-12 vjeç. Thuajse 25% e prindërve raportuan përkeqësim të shëndetit mendor ose emocional te fëmijët e tyre.

Këta prindër kishin më shumë gjasa të thoshin se fëmijët e tyre ishin më pak aktivë fizikisht dhe kalonin më pak kohë jashtë dhe me miqtë.

“Dallimi është si nata me ditën, veçanërisht për fëmijët e mi. E normalizuam këtë mënyrë të të mësuari, por s’ka asgjë normale në të”, shprehet Stephanie Kokinos, nënë e dy fëmijëve.

Kokinos ka dy vajza, 5 dhe 7 vjeç. Ajo është aktualisht e papunë dhe bashkëshorti i saj punon nga shtëpia.

“As nuk mund ta imagjinoj si do ishte nëse do punoja. Kjo ka qenë vërtet një punë me kohë të plotë, vetëm për t’u siguruar që nevojat e tyre të plotësohen nga pikëpamja akademike, por dhe nga ana emocionale.”

Sipas sondazhit, prindërit e fëmijëve që ndiqnin mësimin online, kishin më shumë gjasa të raportonin humbjen e punës, shqetësime mbi stabilitetin e punës, sfidat e kujdesit për fëmijët etj. Rreth 43% raportuan shqetësime emocionale.

Si të përfitoni më shumë nga ndryshimi i orës

Ndryshimi i orës përkthehet në ditë të gjata dhe net të shkurtra. Kombinuar me motin e ngrohtë, ditët e gjata ndikojnë ndjeshëm tek humori i gjithsecilit, por që të ndiheni të motivuar duhet ta shfrytëzoni siç duhet

Studimet kanë treguar se drita e diellit për orë të zgjatura ndikon tek serotonina, hormoni përgjegjës për lumturinë, qetësinë dhe humorin e njerëzve. Ajo që sugjerojnë ekspertët gjatë ditëve më të gjata janë ndërveprimi i ngushtë me natyrën.

Qëndrimi për një kohë të gjatë në diell do t’ju pasurojë me vitaminën D dhe mbi të gjitha do të ndikojë tek hormoni i lumturisë, shkruan Health Line.

Si ta ndryshojmë rutinën tani që dita është më e gjatë?

1. Përdorini në funksion të humorit tuaj

Organizoni sa më shumë aktivitete në natyrë që ndikojnë pozitivisht tek ju. Nëse keni lënë për t’u takuar për një drekë jashtë me miqtë, gjatë gjithë ditës ka gjasa të jeni pozitivë pasi e dini ç’ju pret në vazhdim, citon Anabel.

2. Lëvizni sa më shumë në natyrë

Ditët më të gjata dhe të ngrohta jua japin një avantazh si ky që mund ta quani pa frikë ilaç për humorin dhe streset e ditës. Merrni një biçikletë dhe dilni, ose thjesht bëni ecje të gjata duke shijuar diellin dhe çliruar energjitë negative.

3. Vaktet konsumojini në ambiente të hapura

Pikniku është perfekt, por duke qenë se jo gjithnjë kemi kohë për organizim të tillë, bëni diçka më të thjeshtë. Vaktin përpiquni ta konsumoni në oborr apo diku tjetër jashtë. Pastaj, do të ktheheni më të motivuar për të vazhduar me punët brenda shtëpisë.

Thirrja tjetër e fortë e Ambasadores amerikane për shqiptarët: Mos ia dorëzoni fuqinë tuaj kriminelëve

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka dalë më një apel të fortë ndaj shqiptarëve që do të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Mos e shitni të drejtën tuaj. Mos ia dorëzoni fuqinë tuaj kriminelëve. Vetëm TY duhet të zgjidhni të ardhmen tuaj”, shkruan Kim në Twitter.

Gjashtë ditë më parë, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim komentoi çështjen e blerjes së votës në Shqipëri. Kim është shprehur se qytetarët shqiptarë duhet të dinë vlerën e votës dhe të mendojnë të ardhmen e fëmijëve para Iphoni që mund të marrin në një moment.

“Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre. Ajo që dëgjoj këtu është blerja e votave dhe mendoj që votuesit shqiptarë duhet të vendosin. A është krenaria ime, dinjiteti im, e ardhmja e fëmijëve të mi? A ja vlen që të marr një celular IPHONE ta përdor, a ja vlen për 100 euro?

A ja vlen kjo gjë për ofendimin që dikush mund të të thotë se mund të të blejë votën tënde? Mund të blejë jetën tënde?
Nuk mendoj që është kështu. Dhe arsyeja pse kam ardhur në Shkodër, është sepse ky vend ka një histori shumë të vecantë. Është një vend i njerëzve të fortë. Me një ndjesi të fortë krenarie. Dhe mendoj që kur njerëzit mbajnë mend se kush janë, ata kanë për të bërë gjënë e duhur në zgjedhje”, ka thënë Kim në ABC.

Vjedhja, 50 milionë euro tendera u dhanë në tavolinë në 2020

Rindërtimi dhe situata e pandemisë kanë orientuar institucionet drejt tenderëve me negocim pa shpallje paraprake ndërkohë që nuk kanë munguar këto procedura edhe për shërbime të tjera jashtë këtyre dy aspekteve.

Raporti vjetor i Agjencisë së Prokurimit Publik për vitin 2020 tregon se në total ishin 416 procedura me negocim pa shpallje paraprake me një fond limit prej 6.2 miliardë lekësh apo rreth 50 milionë euro. Vetëm për rindërtimin rezultojnë 74 negocime pa shpallje paraprake me një fond limit prej 2.1 miliardë lekësh ndërkohë që për COVID 19 ishin 191 procedura me po 2.1 miliardë lekë si fond limit.

Tenderët me negocim pa shpallje paraprake janë kritikuar vazhdimisht për shkak të hapësirave që lenë për abuzime por duket se nën justifikimin e dy emergjencave të njëpasnjëshme institucionet kanë gjetur shteg për t’i vijuar.

Nga ana tjetër ajo që bie në sy në vitin 2020 është fakti që ofertat e bëra nga operatorët ekonomikë për të marrë përsipër punë, mallra apo shërbime kanë qenë më të shtrenjta duke rezultuar me një kursim më të ulët sesa në vitin 2019. Përqindja që zë vlera totale e fituar ndaj fondit limit të prokuruar në vitin e kaluar ishte 92.15 për qind teksa një vit më parë ishte 91.3 për qind. Kjo do të thotë se autoritetet kanë kursyer më pak para nga garat e hapura prej tyre në sistemin e prokurimit.

Çuditërisht punët apo shërbimet më të shtrenjta kanë ardhur në një vit kur treguesi i ofertave mesatare për një procedurë ka ardhur në rritje.

Në vitin 2020 mesatarja e ofertave ka qenë më e lartë që do të thotë se në një procedurë ka pasur më shumë operatorë pjesëmarrës në raport me një vit më parë. Ndërsa mesatarja e ofertave për procedurë ishte 2.57 në 2020 në raport me 2.37 në 2019 “gara” nuk ka prodhuar oferta më të lira.

Në vitin 2020 ajo që bie në sy është kërcimi i fondit që ka shkuar për tenderë që është më shumë se 2 miliardë duke u dyfishuar në raport me vitin 2019.

APP ka nënvizuar se përqindja më e madhe e procedurave është zhvilluar në 6 mujorin e dytë të vitit. Këto shifra për vitin 2020 kanë qenë të imponuara edhe nga periudha e pandemisë së Covid-19, ku në tremujorin e parë dhe të dytë u pezulluan apo u riplanifikuan nevojat.

“Megjithatë, kërkohet një koordinim dhe përgatitje më e mirë planifikuese në procesin e buxhetimit dhe detajimit të fondeve, kryesisht sa i përket investimeve publike”, thuhet në raport.

Monitor

Kronohistoria e një konflikti që ka ndryshuar botën

10 vjet nga fillimi i luftës në Siri është e vështirë të rrëfehet ajo që la ndodhur në vend. Konflikti është diktuar nga shtresëzime, sfumatura, objektiva gjeopolitikë dhe motive fetare të ndryshme. Nga avancimi i ISIS tek ndërhyrja e Rusisë dhe Turqisë, duke kaluar nëpër sulmin në Rojava dhe në rrethimin e Alepit. Cila është situata e konfliktit sirian sot?

Nëqoftëse mendohet për Sirinë të vijnë pashmangshmërisht në mendje pamje shkatërrimesh dhe gërmadhash që shoqërojnë eksodin e miliona njerëzve. Numrat e konfliktit janë dramatikë: rreth 385000 të vdekur (prej të cilëve mijëra minorenë); 5.5 milion refugjatë që kanë lënë vendin, më shumë se 6 milion të shpërngulur të brendshëm. Të kuptosh dhe të shpjegosh luftën siriane lshtë mjaft e komplikuar, është një konflikt i diktuar nga shtresëzime, sfumatura, objektiva gjeopolitikë dhe të tjera të markës fetare. Për të mos folur për ndërhyrjen e huaj tl aktorëve ndërkombëtarë e lokalë. Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se lufta në Siri ka shkaktuar dëme ekonomike deri në rreth 400 miliard dollarë. Sipas “Save the Children”, 2 milion fëmijë janë larguar nga shkolla dhe 80% e popullsisë jeton nën pragun e varfërisë. 6.2 milion fëmijë që rrezikojnë të mbesin pa ushqim.

Pranvera arabe
Gjithçka ka nisur me naifestimet e muajve të parë të 2011, që ashtu si ato të Magrebit, kërkonin reforma të reja, punësim dhe fundin e një qeverie disadekadëshe (familja Assad e qeveris Sirinë qysh nga viti 1971). Nga Tunizi në Kajro protestat kanë pushtuar kështu rrugët e Alepit, Damaskut dhe Deraasë, deri sa kanë degjeneruar në një luftë llogoresh cfilitëse për të shtypur protestat, presidenti Bashar al Assad ka premtuar reforma të reja, një riformatim qeverie dhe një kushtetutë të re që i kufizonte pushtetet e tij presidenciale. Por, përveç premtimeve, kanë ardhur edhe bombat.

Fillimi i konfliktit
Epiqendër e protestave siriane ka qenë qyteti i Deraasë në jug të vendit, afër Jordanisë. Manifestimet janë shtypur menjëherë me dhunë nga forcat ushtarake qeveritare, duke shkaktuar edhe viktimat e para. Të vdekurit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë ushqyer zemërimin e sirianëve, duke çuar në episode guerriljeje. Dhe është pikërisht Deraaja një prej qyteteve ku për herë të parë rreshtohet ushtria për të qetësuar protestat. Në ato ditë dhuna e regjimit qe e padëgjuar dhe kundërshtimi zgjerohet në qytete të tjera. Deraa, Homs dhe Idlib. Numri i sirianëve të vrarë rritet në mënyrë marramendëse, në majin e 2011 llogariten tashmë 1000 të vdekur dhe mijëra aktivistë të arrestuar.
Në përleshjet me ushtrinë fillojnë të ndërhyjnë edhe grupet e para islamiste, duke filluar nga Vëllazëria Myslimane, e ndaluar nga qeveria siriane, por e mbështetir fort nga Turqia kufitare e sulltanit Erdogan. Fillon lufta e armatosur, rebelët përdorin përplasje me zjarr kundër policëve dhe regjimi nxjerr tanket nëpër rrugët e disa qyteteve. Masakrimi i civilëve provokon përçmimin edhe brenda aparateve ushtarake. Disa oficerë dezertorë i japin jetë Ushtrisë së Lirë Siriane (ESL) dhe manifestimet bëhen gjithnjë e më të dhunshme. Situata vazhdon kështu deri në fund të tetorit, kur ESL arrin fitoren e saj të parë në Homs kundër forcave të armatosura siriane, duke vrarë 37 ushtarë. Është arritur pika e moskthimit.

2012: të gjithë brenda
Viti i ri hapet me miratimin e kushtetutës së re siriane, e ndodhur ne shkurtin e 2012, por rebelët “kërkojnë kokën” e al Assad dhe zgjedhje të reja politike. vështirësitë e qeverisë qendrore nxisin lindjen e grupeve të reja të armatosura, secili që dëshiron të përfitojë nga situata për përfitim personal. Formohen grupe me frymëzim të qartë fondamentalist, më i rëndësishmi është Fronti al Nusra që lind pikërisht në 2012 dhe përdor një lloj lufte të armatosur që mbështetet mbi atentatet terroriste. Guerrilja vazhdon në pjesë të mëdha të vendit dhe, në një vit largësi, numërohen tashmë 10000 të vdekur midis palëve në konflikt (forca qeveritare, ESL dhe islamistë). Pas atentateve dhe masakrave të ndryshme ndaj civilëve, edhe fuqitë botërore vendosin të futen në konflikt, nuk e bëjnë në mënyrë direkte, por formohen rreshtime të ndryshme: njëri që do rënien e al Assad dhe tjetri që e mbështet.
E para që ndërhyn është Turqia, e cila nis të mbështesë me armë e municione rebelët e ESL, duke u dhënë mbrojtje oficerëve dezertorë të saj. Kurse midis forcave perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar mbështesin edhe ata rebelët, ndërsa vendet arabe e Gjirit Persik vendosin të financojnë disa grupe me frymëzim islamist. Kurse në favor të al Assad rreshtohen Rusia dhe Irani që nuk kanë ndërmend ta humbasin aleatin e çmuar të tyre. Lindja e rreshtimeve të ndryshme ndërkombëtare e ka çuar luftën deri në ditët tona. Në fazat e para të konfliktit, rebelët e ESL kanë luftuar me mbështetjen e grupeve fondamentaliste, duke bërë front të përbashkët kundër al Assad, por brenda pak kohësh është arritur edhe në një përplasje të brendshme midis tyre duke parë objektivat e ndryshëm finalë. Shpejt futen në konflikt edhe Njësia e Mbrojtjes Popullore Kurde (YPG) që duke parë kaosin e përgjithshëm vendos të përqëndrohet në Kurdistanin sirian, në verilindje të Sirisë dhe brend apak javësh arrijnë që të sigurojnë kontrollin e qyteteve të rëndësishme, midis të cilëve Efrini. Në pak kohë, kurdët i japin jetë në Rojava Administrimit Autonom të Sirisë Verilindore.

2013: avancim islamik, ndërhyrje të huaja
Në marsin e 2013, dy vjet nga fillimi i konfliktit, Fronti al Nusra arrin rezultate vendimtare. Qytete të vogla, pika ushtarake, ura dhe centrale energjitike përfundojnë nën kontrollin e islamistëve. Megjithatë, pushtimi vendimtar është qyteti i Raqqasë që deri në këtë fazë të konfliktit e ka ruajtur një pozicion neutral dhe me pak akte guerriljeje. Islamistët sigurojnë kështu një pjesë të mirë të kontrolli të qendro – veriut dhe fillon procesi i radikalizimit që do të jetë vendimtar në vitet e mëpasme. Katari dhe Arabia Saudite derdhin para dhe armë midis radhëve të milicive islamiste. Kurse Irani i frikësohet se mos rënia e al Assad mund t’i japë fund ”aksit të Rezistencës”, një aleance midis Iranit, Sirisë, Hamasit, Hizballahut dhe rebelëve Houthi të Jemenit. Një aks që i kundërvihet islamit sunit dominues dhe në optikë antiizraeliane. Gjatë protestave të para të 2011 Irani i ka furnizuar mbështetje forcave të armatosura siriane në termat e furnizimeve dhe të financimit, por me avancimin e luftës Teherani ka siguruar armatime, inteligjencë dhe instruktorë ushtarakë. Mbështetja e Hizballahut libanez për al Assad do të jetë vendimtare, për shembull në betejën e al Qusayr kundër Frontit al Nusra.
Në pranverën e 2013 hapet fronti i tretë. Abu Bakr al Bagdadi, lideri i Shtetit Islamik të Irakut (ISI), shikon të lufta në Siri një mundësi për zgjerimin e xhihadit dhe rithemelimin e Kalifatit. Vendos kështu të ndërhyjë jo vetëm kundër forcave qeveritare, por edhe kundër rebelëve “qafirë” të ESL. Ngjitja e fondamentalistëve islamikë çon në një eskalim edhe në zonat nën kontrollin e kurdëve. Shikohen episodet e para e luftës sektare, e cila çon në aksione “pastrimi etnik” ndaj disa pakicave fetare siriane. Midis episodeve më të rënda sulmi në Guvernatoriatin e Latakisë, ku mbetën të vrarë midis 67 dhe 140 alavitëve (pakicë siriane pjesë e së cilës është edhe familja al Assad). Regjistrohen edhe sulmet e para kimike me klor dhe gaz sarin që do ta çojnë komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë në muajt e mëparshëm.
Midis sulmeve më shkatërrimtare është ai i Ghoutas i ndodhur më 21 gusht, që ka shkaktuar vdekjen e të paktën 281 personave. Hetimet e Kombeve të Bashkuara kanë sqaruar përdorimin e armëve kimike, megjithatë nuk kanë saktësuar se kush i ka përdorur dhe për këtë qeveria siriane dhe rebelët akuzojnë njëri tjetrin. Për të kërkuar shmangien e sulmeve të ngjashme, më 26 shtator është arritur marrëveshja në Këshillin e Sigurimit e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e programit kimike sirian. Ndërsa një hetim i Kombeve të Bashkuara ka provuar të hedhë dritë mbi 16 sulme të supozuara kimie të ndodhura në Siri ato muaj, duke hartuar në raport të detajuar.

2014: shpallja e Kalifatit
Janari i 2014 hapet me të shumëpriturën Konferencë të Paqes të Gjenevës me iniciativën e Kombeve të Bashkuara me ndërmjetësimin e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në konferencë marrin pjesë qeveria siriane, Koalicioni Kombëtar Sirian (organi politik që përmbledh rebelët sirianë, midis të cilave edhe falangat e armatosura) dhe Fronti Kurd. Rezultati i vetëm i arritur ka qenë një armëpushim që ka mundësuar të evakuohen civilët nga disa zona më delikate të konfliktit. Ndërkohë, më 3 qershor mbahen në Siri zgjedhjet presidenciale, por qendrat e votimeve janë të pranishme vetëm në zonat e kontrolluara nga qeveria. Bashar al Assad shpallet fitues me 88.7% të votave.
Avancimi i ISIS në Irak ka një pasojë të drejtpërdrejtë në konfliktin sirian. Pas pushtimit të Mosulit dhe forcimit të milicëve me armë, para dhe luftëtarë të rinj, më 29 qershor Abu Bakr al Baghdadi shpall vendosjen e Kalifatit në territoret e kontrolluara midis Sirisë dhe Irakut. Ofensiva xhihadiste më e rëndësishme e atyre ditëve ndodh në Guvernatoriatin sirian të Deir Ezzor. Në total rreth 200000 janë në arrati prej frikës së një masakre fetare. Rreziku i Kalifatit e shtyn komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë me sulme si në Siri, ashtu edhe në Irak, nëpërmjet një koalicioni të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të përbërë nga Bahreini, Jordania, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në mes të shtatorit ISIS ndërmerr një ofensivë të fuqishme në rajonin kurd të Kobanes dhe rreth 300000 refugjatë drejtohen drejt Turqisë.

2015: Eksod emigrantësh
2015 është kujtuar si viti ku Rusia e Vladimir Putinit merr një rol gjithnjë e më vendimtar në konflikt dhe ndërhyn me bombardime si kundër xhihadistëve (sidomos në kryeqytetin e kalifatit, në Raqqa), ashtu edhe kundër rebelëve, në demonstrim të mbështetjes së tij ndaj presidentit sirian. Mizoritë e ISIS dhe intensifikimi i konfliktit çojnë në eksodin e emigrantëve që shfaqen në kufijtë europianë. Sipas UNHCR, vetëm në 2015 më shumë se 366000 refugjatë kanë ardhur në Europë nëpërmjet detit, pjesa më e madhe e tyre nga Siria. Në këtë moment Europa vendos që të bëjë traktativa me presidentin sirian, por edhe me Turqinë me qëllim që t’i mbajë emigrantët në vend. Përveç ndërhyrjes ruse është vendimtare edhe ajo e Forcave Quds të trupës së Gardianëve të Revolucionit islamik iranian, të drejtuara nga gjenerali Qasem Soleimani, i vrarë në janarin e 2020 në një sulm amerikan.
Më 21 tetor al Assad bën udhëtimin e tij të parë jashtë vendit nga fillimi i konfliktit dhe shkon në oborrin e Putinit në Kremlin. Një gjest që synon të rehabilitojë figurën e tij politike në pritje të konferencës së paqes të organizuar në Vjenë më 30 tetor. Rreth një muaj më pas, dy avionë turq F-16 rrëzojnë një bombardues rus, duke shkaktuar vdekjen e një piloti dhe duke i dhënë jetë kështu një krize të rëndë diplomatike midis dy vendeve, që mbështesin dy palë të kundërta në konflikt.

2016: Alepi i rikthehet ad Assadit
Më 11 shkurt rilançohen bisedimet e radhës së paqes në Mynih të Bavarisë që do të çojë në një armpushim dhe në ndihma të reja humanitare në vend. Më 14 mars, Putini njofton tërheqjen progresive e forcave ruse nga territori sirian, por garanton mbështetje në luftën kundër ISIS që janë nën sulmin e milicive kurde në Raqqa dhe në provincën e Alepit. Pas rreth 4 vitesh e gjysmë, forcat qeveritare siriane arrijnë ripushtimin e plotë të Alepit.

2017: fillimi i tërheqjes së ISIS
Midis fundit të 2016 dhe fillimit të 2017 ISIS pëson humbje të “rënda”. Ripushtohet qyteti i lashtë i Parlimras, i plaçkitur nga milicët në 2013, që i kanë shkatërruar pjesë të vlerës historike dhe arkeologjike. Forcat demokratike siriane, të udhëhequra nga kurdët dhe nga milici arabe e asire ripushtojnë Raqqa, ndërsa ushtria siriane merr nën kontroll Deir Ezzor, duke i shtrënguar xhihadistët në një tërheqje. Kurse për herë të para Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPAC) deklaron se qeveria siriane ka përdorur armë kimike në marsin e 2017 mbi fshati al Laraminah në perëndim të vendit, pavarësisht marrëveshjes që ua ndalonte përdorimin të nënshkruar në 2013.

2018: Plani i Erdoganit kundër kurdëve
Viti i ri hapet me operacionin turk “Dega e Ullirit”, një sulm kundër milicive kurde në veri të Sirisë afër me kufirin turk. Midis provincave më të goditura është ajo e Afrinit. Operacioni ndodh me miratimin e heshtur të Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara, ndërsa një mobilizim i fortë ndërkombëtar rreshtohet me kurdët, gjithmonë një avampost kundër ISIS të al Baghdadi. Më 8 prill rebelët theksojnë se ushtria siriane ka përdorur sërish armë kimike me gaz klorihidrik në Douma. Pamjet video të shpërndara kanë provuar një zemërim të rëndë ndërkombëtar. Aq sa pas disa ditëve, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar lëshojnë një sulm raketor me objektiv vendet e prodhimit të armëve kimike të qeverisë siriane. Lidhur me sulmin kimik të supozuar, Wikileaks ka botuar një seri dokumentash dhe korrespondencash të shkëmbyera midis anëtarëve të OPAC që kanë marrë pjesë në hetime, të cilat ngrenë dyshime të ndryshme lidhur me sulmin. Midis majit dhe qershorit ka një ofensivë të re ndërkombëtare kundër ISIS, sidomos në rajonet lindore të vendit, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara me mbështetjen e forcave demokratike siriane dhe atyre irakene. Ndërkohë, pas më shumë se 6 vitesh, provinca e Damaskur rikthehet nën kontrollin qeveritar. Më 27 tetor në Stamboll mbahet një samit midis liderëve të Turqisë, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës ku përcaktohet një mbështetje ndaj integritetit territorial sirian përveç një procesi të ri të drejtuar nga Kombet e Bashkuara për miratimin e një kushtetute të re në Siri dhe rikthimin progresiv në atdhe të refugjatëve.

2019: Vdekja e al Baghdadi
2019 do të kujtohet si viti ku komuniteti ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara ua kanë kthyer krahët forcave ushtarake kurde, duke ia lnë rrugën hapur Recep Tayyip Erdogan në operacionin e tij të gjerë ushtarak në Rojava. Erdogani ka deklaruar se dëshiron të krijojë një “zonë kushinetë” në kufi për të shmangur që njësi eventuale të PKK (të konsideruar terroristë nga Turqia) mund të futen në vend. Kurse objektivi i Turqisë është të vazhdojë ta shtypë rezistencën kurde në kufi. Më 27 tetor 2019 Donald Trump ka njoftuar vrasjen e Abu Bakr al Baghdadi në një sulm të ndodhur në Barisha, në afërsi të Idlibit. Një ngjarje që thuajse sanksionon fundin e Kalifatit.

2020: Viti i pandemisë
Në fund të dhjetorit, forcat e armatosura qeveritare nisin operacionin sulmues në Sirinë veriperëndimore, të quajtur “Alba di Idlib 2”, që sipas “Save The Children” ka shkaktuar rreth 850000 të pastrehë. Në Idlib sot vazhdohet të luftohet. Rusia dhe Turqia në një vit kanë firmosur një armëpushim që është respektuar shumë herë, sidomos për shkak të pandemisë, që pashmangshmërisht i ka ngadalësuar ritmet e luftës. Në vend janë regjistruar totalisht rreth 16400 infektime dhe pak më shumë se 1000 të vdekur. Situata për civilët mbetet jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe rreziku i eskalimit të mëtejshëm në guvernatoriatet veriore është ende i lartë. Diskutimet lidhur me kushtetutën e re siriane momentalisht nuk kanë pasur fund të mirë, me 5 takime të mbajtura midis palëve nën egjidën e Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, në këtë 2021 priten zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kurse raportet e fundit e Kombeve të Bashkuara numërojnë ende 10000 milicë të ISIS operativë dhe lëshojnë alarmin lidhur me radikalizimin e fëmijëve të tyre të ndodhur aktualisht në kampet e ndodhura në verilindje të Sirisë, si ai i al Hol.
(nga Domani)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Vota është liria që nuk ka çmim

Ardit GJINALI

Vendi ka nevojë për bashkimin e zëshëm të një shumice që nuk mund të vazhdojë heshtjen; zëri i lartë dhe kumbues, aspak zhurmues, por një jehonë dhe kushtrim i rëndësishëm për të mundësuar një fillim të ri për Shqipërinë; një fillim i ri përmes votës së lirë që është mundësia për të realizuar një ndryshim të bazuar në vullnetin qytetar të shprehur lirshëm dhe të interpretuar drejtë; vota është liria që nuk ka çmim….e tilla është pushteti qytetar që mbron shtetin dhe shpëton shoqërinë; vota është instrument ndëshkimi dhe mekanizëm ndryshimi…është përgjegjësi qytetare që thërret përgjegjshmërinë e qeverisjes….është drita shoqërore që shemb errësirën keqqeverisëse….është demokracia e ushtruar që inkurajon oshëtimin asfare agresiv të zërit të shumicës, vota është e vërteta absolute e lirisë individuale, e tilla që nuk mund të jetë objekt i një ankandi skllavërues për individin.

Sjellja shoqërore nuk mund të udhëhiqet nga leverdia dritëshkurtër e ujdive robëruese për shpirtin e qytetarit që do të vijonte të tillën endje të atykëtushme në boshllëkun e honit të ngritur nga mendësia e jetësuar në sjellje pushtet-ushtruese të enturazhit hiç-qeverisës që qeveris interesat gjithëfarësh të të njëjtëve duke sunduar të tillët që konsiderohen të tjerët…..ata ndryshe që quhen me përçmim nga sejmenët e pushtetit si masa e të shumtëve që vendosen nën zgjedhën e kompromisit meskin, ndihmesës së gënjeshtërt dhe shantazhit të vërtetë…..e tilla ndërthurje e secilit element ose veprimi ndaraz për të ndarë dhe përçarë djallëzisht të tillën që konsiderohet me shpoti si masa, por që është shumica e vërtetë qytetare dhe shoqërore …e tilla jo vetëm morale, por dhe numerike në secilin kontekst përfshirë dhe të tillin të energjisë dhe fuqisë individuale…..shumica që është thelbi i funksionimit normal të një shoqërie; – një shumicë që nuk mund të zoritet në kalvarin e pamundësive të së përditshmes duke u skllavëruar nga një pakicë me moral të munguar ,që fsheh përdhunshëm në xhepat e humbëtirës së grykësisë së pakicës së vjetër me ambalazh njerëzor të ri, të tillën mundësi që është thelbi i lirisë individuale dhe shoqërore, gjithashtu.

Qytetarët e zakonshëm të këtij vendi janë shprehja e shpirtit të qëndresës ndaj agresionit të një pakice vlerash të munguara dhe të harruara, që identifikohet me qeverisjen, por e tilla ka përdorur keq dhe braktisur angazhimet e së shkuarës së afërt duke ngërthyer të tashmen përmes arbitraritetit , të drejtës së mohuar dhe ligjit maliq që është kërbaçi represiv lotsjellës mbi fytyrën e vuajtur të shqiptarit; shqiptari ka vendosur të zgjedhë qëndresën asfare të lehtë, e tilla që është mbrujtja e revoltës paqësore që dëshmon ekzistencën tërësore të të njëjtit duke refuzuar frymimin mekanik dhe gjallimin pa dinjitet dhe plot frikë ku pllakos heshtja; – heshtja që do të ishte miratimi tragjik dhe përshtashmëria me errësirën e imponuar nga falangat e së keqes- heshtja është zëri i shuar i shumicës që do të pranonte sundimin e një pakice gjoks-rrahur dhe zë-hakërryer që rreket të përcjellë kërcënimin për të sunduar në rendin e frikës qytetare; heshtja është zezona e së ardhmes së një shoqërie…e tilla është çmimi i pranimit të mungesës së lirisë.

Koha për të shembur murin e heshtjes dhe të një reagimi shoqëror demokratik përmes votës për të realizuar ndryshimin është tani! Koha për një bashkim të madh, një shpresë të re dhe ditë më të mira në një Shqipëri normale, qeveri dhe Kryeministër normal është tani! Vota është materializmi i një bashkimi qytetar me frymën e shpresës. Bashkë sepse ka ende shpresë…