20.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Qershor, 2025

Meta për raportin e OKB: Rama po shpopullon Shqipërinë, do t’i rikthejmë shqiponjat në folenë e tyre

Presidenti Ilir Meta ka publikuar raportin e Komisionit Ekonomik për Europën në OKB, sipas të cilit Shqipëria kryeson listën e vendeve që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020 pavarësisht situatës së pandemisë. Meta shprehet se shpopullimi është drama më e madhe që po i ndodh vendit dhe thekson se duhet bërë gjithçka që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre.

“Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Një tjetër raport, kësaj here i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, bën me dije se Shqipëria kryeson listën e vendeve, që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë.

Sipas këtyre konkluzioneve mesatarja e të larguarve në vitin 2020 ishte mbi 550 qytetarë për 100 mijë banorë, një tendencë dukshëm në rritje në krahasim me vitin 2015 kur treguesi ishte rreth 350 emigrantë për 100 mijë banorë.

Ndaj duhen shumëfishuar përpjekjet e të gjithë aktorëve jo vetëm për t’i thënë NDAL SHPOPULLIMIT, por për programe konkrete e realiste, që u krijojnë mundësi më të mira qytetarëve e sidomos të rinjve. Të bëjmë gjithçka, që shqiponjat të qëndrojnë dhe të kthehen në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve”, shkruan Meta.

Xhaferraj për programin e arsimit: Bandat e Ramës kanë marrë peng profesorë dhe kandidatë për Rektor

Kryetari i Partisë Demokratike Dega Durrës, Ferdinand Xhaferraj, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ndaj programit të shpalosur sot nga kryeministri Edi Rama për Arsimin. Ai e cilëson këtë si një tallje publike, duke theksuar se në dy mandate qeveria e drejtuar nga Rama nuk u ka rritur asnjë qindarkë rrogave të mësuesve. “Në këtë vit elektoral, i dështuari Edi Rama trumbeton me të madhe se gjoja u ka rritur rrogat me 32%, por edhe kjo joreale”, shkruan Xhaferraj.

Ai përmend dhe përfshirjen e bandave në zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve. “Kryeministri më i keq që ka njohur historia pluraliste tenton të mashtrojë shqiptarët, sikur ata ta kenë harruar përfshirjen e drejtuesve të bandave më të rrezikshme në zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve. Bandat e komanduara nga Rama arritën deri aty sa të marrin peng profesorë dhe kandidatë për Rektor”, thotë Ferdinand Xhaferraj në postimin e tij.

Postimi i plotë:

“Si politikan dhe si i angazhuar prej vitesh drejtpërdrejtë në arsimin e lartë, jam i zhgënjyer nga tallja publike që Edi Rama bëri sot në shpalosjen e të ashtuquajturit program të Partisë Socialiste për Arsimin. Në tetë vite ai nuk u shtoi asnjë qindarkë rrogave të mësuesve. Në këtë vit elektoral, i dështuari Edi Rama trumbeton me të madhe se gjoja u ka rritur rrogat me 32%, por edhe kjo joreale.

Në mandatin 4 vjeçar të Lulzim Bashës si Kryeministër, rroga e mësuesve do të jetë minimumi 700 euro. Edukatorët e Kombit do të kenë mundësinë të bëjnë një jetë dinjitoze, njësoj si kolegët e tyre në shtetet përreth.

Edi Rama me tam-tame thotë se gjoja në universitete është vendosur meritokracia. Kryeministri më i keq që ka njohur historia pluraliste tenton të mashtrojë shqiptarët, sikur ata ta kenë harruar përfshirjen e drejtuesve të bandave më të rrezikshme në zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve. Bandat e komanduara nga Rama arritën deri aty sa të marrin peng profesorë dhe kandidatë për Rektor.

Sistemi i Maturës Shtetërore është një dështim i plotë dhe më mirë se të gjithë këtë e dinë maturantët dhe familjarët e tyre. Mjafton të kujtojmë personazhin e “TURIT”.

Me Edi Ramën arsimi shqiptar ka pësuar vetëm regres.

Me Partinë Demokratike Shqipëria Fiton Arsimin!”

Basha nga Shkodra: Do jem kryeministër për ekonominë, por edhe për dijen, artin e sportin

Kreu i PD Lulzim Basha në kuadër të fushatës elektorale këtë të martë ndodhet në Shkodër ku dhe është takuar me disa artisë të këtij qyteti.

Basha nga Shkodra ku është takuar dhe me aktorin Zef Deda është shprehur se do të punojë për të kthyer institucionet në duart e njerëzve.

“Ne duam që institucionet tua kthejmë njerëzve. Unë jam me ju njerëz kulture dhe të artit pir ekonomia është problemi kryesor në vendin tonë. Nuk do të jem vetëm kryeministër dhe i qeveri e ekonomisë, por dhe e dijes, e artit e sportit. Flasim për shkollat. Arti kultura dhe sporti janë lënë pas dore në shkolla tona. Ne do të shtojmë dhe do të zgjatet orari mësimor deri në orën katër. Shkodra do të ketë drejtorinë e vet Arsimore dhe Lezha të vetën. Ne do të risjellin këto shërbime afër njerëzve.

Një përvojë të suksesshme që e përdorin dhe vendet e tjera si Holanda që është dekocentrimi, që disa institucione të mos jenë vetëm në Tiranë por energjia, fluksi që gjenerojnë të shpërndahet. Arti dhe humori i Shkodrës nuk kanë lidhje me batutat e Ramës, humori s’është denegrim”, ka thënë Basha.e.su

E vërteta e pezullimit të vaksinës AstraZeneca, çfarë thonë ekspertët

Dhjetëra vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit. Kjo ka ndodhur pas raporteve të javës së kaluar se disa njerëz në Danimarkë dhe Norvegji kanë pësuar mpiksje gjaku, pas vaksinimit.

Megjithatë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë thënë se të dhënat në dispozicion nuk sugjerojnë se vaksina ka shkaktuar mpiksjen dhe se njerëzit duhet të vazhdojnë të imunizohen.

Danimarka është bërë javën e kaluar vendi i parë që ka ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, pas raporteve për mpiksje gjaku te disa njerëz. Një person, madje, ka vdekur si pasojë e trombozave të shumta, dhjetë ditë pasi është vaksinuar me dozën e parë të AstraZeneca-s.

Autoritetet shëndetësore daneze kanë thënë se pezullimi do të zgjasë së paku dy javë, derisa rastet të hetohen. Megjithatë, ato kanë theksuar se “aktualisht, nuk mund të konstatohet nëse ekziston ndonjë lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut”.

Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda dhe Kongo shpejt e kanë ndjekur shembullin.

Të shtunën, autoritetet norvegjeze kanë raportuar se katër persona, nën moshën 50 vjeç, që kanë marrë vaksinën AstraZeneca, kanë një numër të papritur të ulët të trombociteve. Kjo mund të çojë në gjakderdhje të rëndë.

Shumë shpejt, Irlanda dhe Holanda kanë njoftuar se edhe ato e ndalojnë përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca.

Autoritetet në Holandë – si edhe ato gjetkë – kanë thënë se pezullimi i vaksinës AstraZeneca është rreptësisht parandalues.

Të hënën, mjekët norvegjezë kanë njoftuar se një nga individët e shtruar në spital, pas vaksinimit me AstraZeneca, ka vdekur.

Në të njëjtën ditë, edhe Gjermania, Franca dhe Italia kanë thënë se do ta pezullojnë këtë vaksinë.

Në përgjigje të këtyre njoftimeve, AstraZeneca ka thënë se ka rishikuar me kujdes të dhënat për 17 milionë njerëz që kanë marrë këtë vaksinë në Evropë. Nga ta, ka thënë AstraZeneca, 37 njerëz kanë pasur probleme me mpiksje gjaku. Sipas saj, “nuk ka prova të rrezikut në rritje” për mpiksje gjaku në ndonjë grupmoshë apo gjini.

A ka prova se vaksina është përgjegjëse?
Jo. Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka “asnjë tregues se vaksinimi i ka shkaktuar këto rrethana”. Rregullatori i Bashkimit Evropian ka thënë se numri i raporteve për mpiksje gjaku te njerëzit e vaksinuar me AstraZeneca, nuk është më i lartë se tek ata që nuk janë vaksinuar.

Në Britaninë e Madhe, ku janë administruar 11 milionë doza të vaksinës AstraZeneca – më shumë se në çdo vend tjetër – ka pasur raporte për rreth 11 persona që kanë pësuar mpiksje gjaku, pasi janë vaksinuar. Asnjë prej këtyre rasteve nuk është dëshmuar se është shkaktuar nga vaksina.

Mpiksjet e gjakut që formohen në krahë, këmbë ose diku tjetër, ndonjëherë mund të shkëputen dhe të shkojnë në zemër, tru ose mushkëri, duke shkaktuar goditje në tru, sulme në zemër ose bllokime vdekjeprurëse të rrjedhjes së gjakut.

Atëherë, pse është pezulluar vaksinimi?
Sa herë që vaksinat shpërndahen gjerësisht, shkencëtarët presin që të raportohen çështje serioze shëndetësore dhe vdekje – thjesht, sepse miliona njerëz marrin doza dhe problemet pritet të ndodhin rastësisht.

Shumica dërrmuese e këtyre problemeve dalin se nuk janë të lidhura me vaksinën, por pasi vaksinat kundër koronavirusit janë ende në fazën eksperimentale dhe nuk ka të dhëna afatgjata, shkencëtarët duhet t’i hetojnë të gjitha efektet e paparashikuara anësore të vaksinës.

“Njerëzit vdesin çdo ditë dhe ne kemi më shumë se 300 milionë njerëz në të gjithë botën që janë imunizuar, e që do të vdesin nga shkaqe të tjera”, tha Mariangela Simao, ndihmëse e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

A ka shqetësime të ngjashme me vaksinat tjera kundër koronavirusit?
Agjencia Evropiane e Barnave aktualisht po shqyrton nëse vaksinat e bëra nga Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca mund të shkaktojnë nivele të ulëta të trombociteve të gjakut te disa pacientë – një gjendje kjo që mund të çojë në mavijosje dhe gjakderdhje.

A ka telashe të tjera AstraZeneca?
Vaksina është miratuar për përdorim te të rriturit në më shumë se 50 vende dhe ka dalë të jetë e sigurt dhe efektive gjatë kërkimeve të bëra në Britani, Brazil dhe Afrikë të Jugut.

Por, ka pasur disa shqetësime për të dhënat nga vaksina dhe disa udhëheqës evropianë, përfshirë presidentin e Francës, Emmanuel macron, kanë vënë në dyshim efektivitetin e vaksinës te njerëzit e moshuar, për shkak të mungesës së informacioneve.

Britania e ka autorizuar e para vaksinën, duke u bazuar në rezultate të pjesshme, që kanë sugjeruar se ajo është 70 për qind efektive. Por, EMA, kur ka rekomanduar licencimin e vaksinës, ka vlerësuar se efikasiteti i saj është rreth 60%.

Të dhënat nëse vaksina mbron të moshuarit kanë qenë të paplota dhe kjo ka bërë që disa vende evropiane fillimisht t’i përjashtojnë të moshuarit nga vaksinimi me AstraZeneca.

Çfarë rekomandojnë ekspertët?
OBSH dhe EMA – si dhe rregullatorët në disa vende – kanë thënë se njerëzit duhet të vazhdojnë të imunizohen.

“Siguria e publikut do të jetë gjithmonë e para. Njerëzit duhet të shkojnë dhe të marrin vaksinën e tyre kundër koronavirusit, kur atyre u kërkohet ta bëjnë këtë”, ka thënë rregullatori i barnave në Britani.

Basha-Ramës: Prej 8 vitesh je i lidhur nga zinxhirët e krimit dhe të korrupsionit, të ka kapur dëshpërimi i humbjes

Në vizitën në Shkodër kreu i PD iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me zhvillimet e fundit politike si edhe deklaratave të kreu të qeverisë, sipas të cilit Lulzim Basha, është i lidhur nga zinxhirët e Berishës e Metës.

“Sa i mirë është ai që e ka humbur toruar dhe e ka kapur dëshpërimi i humbjes, është i lidhur me zinxhirët e krimit dhe të korrupsionit tash 8 vjet. Është strumbullari i cdo të keqe që ka pësuar Shkodra, tani që po i vjen fundit, vetëm vjell vrer. Kjo është alternativa e Edi Ramës. Alternativa ime është e alternative e fitores”- u shpreh Basha.

Koalicion me Edi Ramën nëse asnjëra nuk siguron 71 mandate?

Nuk ka asnjë shans që shqiptarët të mos bëjnë atë që cdo shoqëri normale në këto kushte. Shqiptarët janë njerëz normal, në një qeveri jo normale. Kjo do marrë fund më 25 prill, Rama do largohet. Kam një angazhim nese nuk i mbaj në 4 vite nuk do kërkoj mandat të dytë.

A është PD një KÇK me LSI, sic thotë Edi Rama?

Nuk ka shqiptar që nuk e di kush i ka lënë në vend numëro këto 8 vite. ai vijon të bashkëpunojë me kriminelë. Ka policinë, shtetin, e gjithcka e nuk hyn në qytet pa praninë e bandave.

Shkodra, pritje madhështore Bashës

Kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet sot në Shkodër, ku është takuar me qindra qytetarë. Basha e cilësoi sinjal të fitores mikpritjen duke falënderuar Shkodranët. Sipas tij, nga Shkodra ka nisur gjithmonë dita e bardhë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Mirë se ju gjej! Faleminderit për mikpritjen, faleminderit nga zemra Shkodrës për këtë mikpritje të jashtëzakonshme! Nga Shkodra ka nisur gjithmonë dita e bardhë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa herë vij këtu mahnitem me bujarinë, me mençurinë e shkodranëve, pa lënë mënjanë Shkodrën e mendjeve, të akademikëve, të artistëve dhe njerëzve punëtorë. Faleminderit nga zemra për këtë sinjal të fitores. Ju lus merrni masat e distancës dhe maskat se më 25 prill do ta shërojmë Shqipërinë nga një virozë 8-vjeçare, por duhet të kujdesemi.
E rëndësishme të bashkohemi bashkë, më 25 prill të sjellim ndryshimin. Bashkë do fitojë Shqipëria, do fitojë Shkodra!”, deklaroi Basha.

Perla e Shqipërisë dhe Europës/ Ekologjisti gjerman i drejtohet Ramës, po kryhet një krim mjedisor me Vjosën

Ekologjisti gjerman, Michael Succow, fitues i çmimit alternativ Nobel, në një letër të hapur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i bën thirrje për fillimin e projektit të Parkut të Kombëtar të Vjosës.

Në një letër drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe autoriteteve të BE-së, fituesi i çmimit të fondacionit The Right Lievelihood, i njohur ndryshe edhe si çmimi alternativ Nobel, bën thirrje për të nisur që tani me planifikimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Model për BE-në
“Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të virgjër të Evropës me një nga ekosistemet më të spikatura të kontinentit. Në dritën e përkeqësimit të jashtëzakonshëm të habitateve natyrore dhe biodiversitetit në Evropë dhe në notë, Vjosa është një dhuratë e madhe jo vetëm për banorët e Shqipërisë, por për të gjithë evropianët dhe më gjerë”, shkruan ekologjisti 79-vjeçar ndër të tjera në letrën e tij.

Profesor Succow, i cili në këtë letër mbështetet edhe nga të tjerë fitues të çmimit alternativ Nobel, i bëjnë thirrje Shqipërisë që të fillojë sa më shpejt me planifikimin e Parkut Kombëtar te Vjosës përgjatë gjithë lumit në Shqipëri duke përfshirë edhe degët e tij. Sipas Succow rreth 30 projektet e HEC-eve të reja përgjatë lumit përbëjnë rrezik për ekosistemin.
Në letrën e tij drejtuar edhe BE-së, Succow u bën thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të mbështesin me fonde dhe me ekspertizë Shqipërinë në qëllimin e saj për të krijuar Parkun e Parë Kombëtar të një lumi të virgjër në Evropë. “Kjo do të ishte një arritje gjigante për natyrën e Evropës dhe dhe mund të shërbente si model për BE-në” shkruan ndër të tjera Succow.

36 organizata mbështesin nismën
Rreth 36 organizata mjedisore i janë drejtuar për këtë çështje që nga shkurti e deri tani qeverisë së Shqipërisë, ndër ta edhe aktori i Hollivudit, Leonardo di Caprio, në një mesazh në Twitter. Më 10 shkurt, rreth 20 organizata mjedisore nga Shqipëria dhe Evropa i kishin dorëzuar ministrit të Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, një plan për krijimin e Parkut Kombëtar në rrjedhën e lumit Vjosë.

Qeveria e Shqipërisë më herët kishte paralajmëruar se do ta kthente luginën e Vjosës në një plan kombëtar, por sipas shoqatës për mbrojtjen e mjedisit, EcoAlbania, projekti i qeverisë shqiptare i ka përjashtuar nga mbrojtja zonat përreth hidrocentraleve të planifikuara.
Veç hidrocentraleve, ekspertët e shohin të rrezikuar ekosistemin e Vjosës, me ngritjen e aeroportit të Vlorës, tenderi i të cilit i është dhënë ndërkohë kompanisë zvicerano-shqiptare Mabetex, të ish-ministrit të jashtëm të Kosovës Behgjet Bacolli, dhe kompanisë turke ADA, e cila aktualisht po ndërton edhe spitalin e Fierit.

Sipas Ecoalbania, përgjatë Vjosës jetojnë aktualisht 1.175 specie kafshësh dhe bimësh, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të shoqatës ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës IUCN. Ekspertët mendojnë se numri i specieve të rralla është shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj janë ende të paeksploruara.

Shifrat dramatike të OKB: Shqipëria me numrin më të lartë të refugjatëve gjatë vitit 2020

Shqipëria kryeson listën e vendeve që kanë përjetuar rritjen më të madhe të emigracionit në vitin 2020, pavarësisht situatës së pandemisë.

Sipas një raporti të Komsionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara, mesatarja e refugjatëve[1] në vitin 2020 ishte mbi 550 për 100 mijë banorë për Shqipërinë, një tendencë dukshëm në rritje në raport me vitin 2015 kur janë krahasuar të njëjtat shifra dhe treguesi ishte rreth 350 për 100 mijë banorë.

Ky tregues është përpiluar nga UNHCR, Agjencia e KB për Refugjatët, dhe sipas raportit përdor të dhëna për nivelet e refugjatëve që janë mbledhur në mënyrë rutinore nga UNHCR përmes Rishikimit të saj vjetor të Statistikave të Popullsisë (PSR), duke përfshirë të dhëna në nivel vendi nga sistemet administrative të azilit dhe bazat e të dhënave direkte të regjistrimit të refugjatëve.

Shqipëria vitet e fundit ka pasur një nivel të lartë të kërkesave për azil, duke u renditur e dyta në botë në raport me popullsinë.

Pas Shqipërisë ndodhet Turqia e cila ka pasur një rritje të shtetasve që lënë vendin në raport me popullsinë totale në vitin 2020 kur krahasimi bëhet me 5 vite më parë. Por pavarësisht tendencës së ngjashme Turqia ka vetëm 100 refugjatë për 100 mijë banorë.

Raporti i Kombeve të Bashkuara nënvizon se tendenca e vendeve të tjera në rajon është krejt e kundërt. Pra nëse krahasohen shifrat e 2015 me ato të 2020 ka pasur përmirësim pra më pak largime.

“Në nivel global indikatori ka shënuar rritje të proporcionit të refugjatëve nga 216 për 100 mijë banorë në 2015 në 307 për 100 mijë banorë në vitin 2020. Raporti i refugjatëve që kanë origjinën nga një nga vendet e UNECE ka rënë nga 48 në 26 për 100 mijë banorë. Në terma absolutë numri i refugjatëve që kanë origjinën nga këto vende ka rënë nga 607 mijë në 343 mijë. Reduktimi i numrit të refugjatëve me origjinë nga vendet e UNECE kryesisht udhëhiqet nga rënia e dukshme e refugjatëve nga Ukraina. Rënie e dukshme u shënua edhe nga vende si Kroacia, Serbia dhe Kosova. Nga ana tjetër ka pasur një rritje të dukshme të numrit të refugjatëve që vijnë nga Shqipëria dhe Turqia në raport me numrin total të popullatës së tyre”, thuhet në raportin e UNECE.

Ky insitucion ka analizuar tendencën e emigracionit në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Në këtë rast në thelb ishte objektivi 10 për Zhvillimi të Qëndrueshëm që ka të bëjë me uljen e pabarazisë mes vendeve më së shumti targeton lehtësimin e migrimit të rregullt, të sigurt dhe të pëgjegjshëm e lëvizshmërinë e njerëzve përfshirë përmes zbatimit dhe planfikimit të politikave migratore të mirëmenaxhuara./ N.Maho

[1] Refugjat është një person i cili është larguar nga vendi i tij sepse rrezikohet nga shkelja serioze e të drejtave të njeriut dhe persekutimit. Rreziqet për sigurinë dhe jetën janë aq të mëdha sa menduan se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largoheshin dhe të kërkonin siguri jashtë vendit të tyre sepse qeveria e tyre nuk mund ose nuk do t’i mbrojë ata nga ato rreziqe. Refugjatët kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare (perkufizimi sipas Amnisty International).

Dështimet e Ramës, Basha: Të fundit në Europë për investime në kërkim dhe zhvillim

Teksa na ndajnë 39 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, kryedemokrati Lulzim Basha, ka renditur sipas tij një tjetër dështim të kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në “Instastory”, Basha ngre pyetjen se në ç‘vend renditet Shqipëria për investimet në kërkim dhe zhvillim në krahasim me vendet e tjera të Evropës?

Përgjigja sipas liderit demokrat, është që vendi ynë, renditet i fundit në Evropë sa i përket kësaj liste.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

39 ditë deri më 25 prill, 100 dështimet e Ramës në 8 vite. Si rendietet Shqipëria për investimet në kërkim dhe zhvillim në krahasim me vendet e tjera të Evropës? Përgjigja: E fundit në Evropë.