12.5 C
Tirana
E premte, 19 Shtator, 2025

Basha me qytetarët në Tiranë: Kjo është një betejë që do ta përcaktojë rinia

NJOFTIMI PËR TAKIMET E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME QYTETARË NË NJËSINË 8, NË TIRANË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarë dhe biznese në njësinë 8, në Tiranë. Ai dëgjoi nga afër problematikat e qytetarëve të cilat janë shtuar për shkak të pandemisë dhe harresës së qeverisë. Rënia e konsumit, largimi i njerëzve, pamundësia ekonomike dhe problemet e ish-pronarëve ishin shqetësimet që u drejtuan nga qytetarët.

“Lulzim Basha: Si je? Me shëndet?
Qytetari: Po ju?
Lulzim Basha: Familja si ёshtё?
Qytetari: Mirё! Mirё.
Lulzim Basha: Mbahu fort, këto valixhet pёr fat tё keq kanё filluar tё simbolizojnë largimin apo jo?
Qytetari: Po, çfarë do tё bёjmё.
Lulzim Basha: Njerëzit vijnë i blejnë dhe largohen, apo jo?
Qytetari: Keq na vjen! Ashtu ёshtё! Shumë, shumë tё vështira!”

“Qytetari: Një fjalë i thonë kryetar që, po qau fëmija nuk i jep nëna me pi. Më shumë se po qajnë kalamajtë po qajmë ne. Diçka që e kemi vetë në dorë, shpresojmë të bëhet më e mira.”

“Qytetari: Na shpronësoi dy-tri herë! Përveç kësaj, megjithëse përcaktoi vizën e blertë, në asnjë moment nuk iu referua vijës së blertë, edhe vlerësimi i pronës që bëri është brenda vijës së blertë por si tokë fshati.”

Duke i falënderuar për pritjen e ngrohtë, Basha tha se po përballet me të njëjtat ankesa në çdo takim ku u shpreh se vetëm ndryshimi që do vij më 25 prill është zgjidhja e çdo problemi. Sipas tij e vetmja nevojë që kanë qytetarët shqiptarë sot është një qeveri që mendon për ta, pasi në 8 vitet e fundit ka qenë inekzistente.

Lulzim Basha: Kjo është një betejë që do ta përcaktojë rinia shqiptare, siç ka përcaktuar të gjitha ndryshimet e mëdha. Dhe kjo është betejë për ndryshim, nuk është thjesht betejë për zëvendësim, është betejë për ndryshim. Nga ky ndryshim do të varet rruga Europiane e Shqipërisë. Pra nga ky ndryshim do të varet që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi europiane për arsimim, që do të thotë universitete në Shqipëri me cilësi europiane, do të thotë edhe programe shkëmbimi ku më të mirët të kenë mundësi të shkojnë në universitete europiane të mësojnë aty, të krijojnë lidhje aty, të krijojnë mundësi për praktika pune. E vetmja gjë që keni nevojë për të hedhur këtë hap përfundimtar për të qenë si një europian është një qeveri që mendon për ju dhe j’ua bën më të lehtë, më të mundur arsimimin cilësor dhe punësimin. Dhe ky është misioni kryesor i qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Mesazhi kryesor që kam për ju dhe që dua ta shpërndajmë kudo është që asnjë i ri nuk do të mbetet mënjanë, asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme se Shqipëria i ka mundësitë e jashtëzakonshme t’ju akomodojë, t’ju bëjë krenarë siç e bëni ju Shqipërinë krenare.
E kam nis lëvizjen tek medreseja, ecëm gjatë rrugës së Dibrës, takuam kryesisht sipërmarrës, tregjet, bizneset e vogla, dyqanet që janë aty. Pritja ka qenë shumë e ngrohtë. Në sytë e tyre duket qartë shpresa dhe gëzimi për ndryshimin që po vjen, por gjendja është shumë e vështirë. E vështirë për ta dhe kuptohet që është e vështirë për ta sepse është e vështirë për njerëzit. Konsumi ka rënë, bojlerët janë në minimum, aftësia e familjeve për të siguruar bukën e gojës dhe ushqimet bazë kurrë nuk ka qenë më e dobët dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse ndryshimi është urgjent, sepse një vend me pasuri të jashtëzakonshme, një qytet me një pasuri dhe një bujari legjendare nuk mund të pranojë që për shkak të keqqeverisjes të shkojnë me lista dhe me varfëri, si kurrë më parë në 2021. Ka 8 vite që taksat vetëm rriten, ka 8 vite që faturat vetëm rriten, ka 8 vite që qytetari nuk dëgjohet, në veçanti qytetari i Tiranës nuk dëgjohet për asgjë.
Për pronarët dhe me pronarët, ne kemi hartuar një plan që fillon me shfuqizimin e ligjit të shpronësimit të dytë. Ai është ligji i shpronësimit të dytë.

Reagimi i fortë i SHBA: Votoni ato Parti që çojnë vendin në BE, do marrim masa ndaj atyre që nxisin dhunë

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA

Sezoni i fushatës zgjedhore në Shqipëri nisi zyrtarisht dje për të ecur drejt zgjedhjeve kombëtare në 25 prill. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës dhe, së bashku me autoritetet vendore ndërkombëtarët, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre me sukses.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë partive, udhëheqësve dhe votuesve që të përfshihen plotësisht dhe me përgjegjësi në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të tyre. Nxisim partitë të paraqesin ide dhe kandidatë që pasqyrojnë respekt për votuesit. Presim nga udhëheqësit që të shfaqin udhëheqësi, përfshirë edhe duke u siguruar që partitë dhe kandidatët e tyre sillen në përputhje me ligjet elektorale dhe standardet ndërkombëtare, duke refuzuar qartë dhunën dhe duke treguar se ata me të vërtetë do të ishin të denjë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Shqipërinë.

Nxisim votuesit t’i mbajnë partitë dhe kandidatët përgjegjës, të marrin në shqyrtim zgjedhjet që kanë dhe të votojnë për ato parti dhe kandidatë të cilët ofrojnë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë – një e ardhme në partneritet me Shtetet e Bashkuara, që e shtyn Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane si një demokraci e fortë dhe e begatë. Edhe media duhet të luajë rolin e saj me përgjegjësi dhe etikë, duke bërë pyetje të vështira në emër të publikut dhe duke kërkuar përgjigje të vërteta nga kandidatët. Presim gjithashtu që shoqëria civile të luajë rolin e saj të rëndësishëm gjatë gjithë procesit zgjedhor. Përgjatë gjithë kohës, ne shpresojmë që të gjitha partitë, udhëheqësit dhe votuesit të sillen me dinjitet dhe, më e rëndësishmja, me respekt për këtë ushtrim më themelor dhe të rëndësishëm të demokracisë. Populli i Shqipërisë nuk meriton asgjë më pak.

Si mikja dhe aleatja juaj, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të qarta pritshmëritë dhe shpresat tona. Ne përsërisim se do t’i mbajmë udhëheqësit përgjegjës. Në këtë drejtim, është tërësisht e kuptueshme se ata që aktualisht janë në poste drejtuese kanë përgjegjësinë e parë dhe më të rëndë për të vepruar në interesat e vendit. Ne do të marrim masat e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë ose nxisin dhunën, pranojnë ose nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, apo ndryshe përpiqen të minojnë

Alizoti: Rama është fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë

Drejtuesi politik i PD-së për Qarkun e Beratit, Tomorr Alizoti, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se pandemia më e madhe në Shqipëri është vetë Edi Rama.

Alizoti thekson se spitalet janë shndërruar në kampe përqendrimi, prandaj shumë qytetarë zgjedhin shtëpinë për t’u kuruar nga virusi.

“Krahu tjetër që bën fushatë janë shou. Rama nuk ka fytyrë që të flasë për pandeminë, sepse në kohë të Covid, ai çoi trupa për të shkatërruar teatrin, duke abuzuar. Çelja e fushatës së PD-së ishte natyrale e spontane. PS-ja vepron edhe pas orës 20.00. E kam kaluar vetë koronavirusin, dhe infermieri që vjen në shtëpi do 50 mijë lekë, duhet oksigjen dhe ka shtrenjtësi të çmimeve. Spitalet janë shndërruar si kampe përqendrimi, sepse kanë frikë njerëzit nga spitalet. Ka njerëz që hidhen nga dritarja. Teza se fushata e PD-së përhapi pandeminë, vjen nga një i çmendur si Rama. Pandemia më e madhe në Shqipëri është Rama dhe ekipi i tij”, tha Alizoti.

Tomorr Alizoti nënvizon se PS nuk ka asnjë lloj programi, prandaj dhe Rama bën më së tepërmi shou.

“Fushata e PS ishte shou, sipërfaqësor, nuk pashë plan ekonomik të tij. Rama është ndjekës, nuk ka kauzë politike, është i çakorduar totalisht. Rama gjithë diskursin politik duke u marrë personalisht me kundërshtarin. Është fatkeqësi e Shqipërisë që kryeministri merret se kur vjen kryetari i opozitës, nuk ka gjëra serioze dhe merret me të tilla gjëra”, u shpreh Alizoti.

Duke folur për gjendjen në qarkun Berat, alizoti vlerësoi se situata është dramatike, me njerëz që mezi arrijnë që të mbijetojnë.

“Ka varfëri të madhe në Berat. Varfëria dhe mjerimi në Berat është në kohë mesjetare. Konfuci thoshte që refuzoj të jem i pasur në një vend të varfër. Berati është në mjerim, një qytet 2400-vjeçar. Kam parë nëna të divorcuara me fëmijë, që edhe nëse i kap pandemia, do të vdesin. Kjo është Shqipëria e vërtetë. Berati është të keqen e Kandaharit. Shqipëria është një tragjedi e madhe.

Unë vij nga të persekutuarit, im atë ka qenë në burg dhe e di se çfarë heq një nënë për të rritur fëmijët. Rama është fëmijë blloku dhe nuk e dinë se çfarë është vuajtja. Nuk mund të shikojmë më fëmijë të vegjël që mbledhin kanaçe. Ekonomia mban edhe perandori dhe këtu jam i bindur se Rama ka dështuar”, deklaroi Alizoti.

Po ashtu, Alizoti tha se në Shqipëri, në çdo zonë ka kriminelë, që trembin kandidatët e opozitës.

“Zoti Klosi në Berat ka tetë vjet. Qytetarët iu kam thënë se a ju ka ardhur ndonjëherë kryetari i qarkut apo kryetari i bashkisë. Zotëria ka qenë ministër, ka tetë vjet në pushtet. Pushteti i gjatë të bën të keq. Kur Rgani qëndroi tetë vjet, nuk mund të rrijë Rama e Klosi 12 vjet. Derisa Berati është në mënyrë mizerable, kryetari i qarkut s’ka pse të rrijë më në qeveri.

Blloku socialist nuk ka kurajo të debatojë, ata kanë frikë të përballen. Niveli i krimit në terren është problem. Banditët në Elbasan erdhën e u zunë për Ramën. Gjithë kjo reformë në drejtësi dhe për vjedhje votash nuk shkoi kush në burg. Kur bie vota, bie demokracia. Në Shqipëri ka kriminelë në çdo zonë, që trembin opozitën”, pohoi Alizoti.

Për Alizotin, është e rëndë që shqiptarët dhe sirianët të jenë “kokë më kokë” në shifra, sa i përket azilkërkuesve për në Gjermani.

“Rama është e keqja më e madhe e vendit në tranzicion. Politikë do të thotë të shikosh sa para kanë qytetarët dhe situata është dramatike. Shqiptarët janë më kokë me sirianët për azil në Gjermani. Njerëzit e lëshojnë vendin ose për luftë ose për mjerim të tmerrshëm. Shqiptarët janë baraz me Sirinë, në kohën që popullsia jonë nuk është as çereku i shtetit sirian. Negociatat nuk po hapen”, u shpreh Alizoti.

Në fund, Alizoti tha se dështimi më i madh i Ramës janë vaksinat.

“Dështimi më i madh janë vaksinat. Shqiptarët nuk janë kavje, që merr vaksina në Rusi dhe në Kinë. Serbia ka plan. Rama nuk di asgjë nga ekonomia. Ai ka vetëm negativitet në diskurs. Rama na del madje edhe në telefon”, përmbylli Alizoti.

KQZ kërkon “hetim të thelluar” për Tom Doshin

Tom Doshi vijon të jetë një problem i madh në zgjedhjet e 25 prillit. Ambasadorja Yuri Kim ka shprehur disa herë shqetësimin e saj për listën me kandidatë të papastër, por duket se partitë në vend nuk kanë ndërmend të tërhiqen.

Kështu gjatë mbledhjes së sotme kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi foli mbi rastin e Tom Doshit, duke u shprehur se institucioni që ai drejton kishte indicie që e nxitën të kërkonte hetim të thelluar mbi kandidatin e PSD-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Celibashi thotë se mbi Tom Doshin ka informacione të marra nga të dhëna publike, por edhe formulari i dekriminalizimit.

Pyetje: Mbi ç’kriter e keni dërguar verifikimin e këtij kandidati, pasi të tjerët kemi parë që kishin disa ekspulse apo dënime të mëparshme nga shtetet e BE, po për z.Doshi mbi ç’kritere e keni dërguar?

Celibashi: Hetimi i thelluar kryhet në ato raste kur KQZ merr indicie nga përmbajtja e formularit të deklarimit. Ligji parashikon që KQZ mund ti marrë këto indicie edhe nga të dhënat e tjera publike. Rasti i z.Doshi është i tillë, pra ku nëpërmjet të dhënave publike ka informacione që e nxisin KQZ-në që ti kërkoj organit të Prokurorisë informacione të tjera veç atyre që ai ka prezantuar në formularin e dekriminalizimit, me qëllim që të bëhet një vlerësim i plotë dhe i gjithanshëm mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij si subjekt zgjedhor në këto zgjedhje. Por tej kësaj, edhe në formularin e tij të dekriminalizimit aty ka të dhëna që shërbejnë si indicie për KQZ-në, edhe nëse nuk do të kishte një informacion apo të dhënë publike për ta filluar procesin për një hetim të thelluar për këtë kandidat. Kemi mjaftueshëm indicie për të hetuar, dhe nëse nga hetimi do rezultojë që dokumentacioni e klasifikon si të papërshtatshëm KQZ do ta marrë vendimin.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Doshin për korrupsion domethënës, Rama thotë se ai është engjëll përpara Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Turizmi humbi 1.1 miliard euro në 2020

Turizmi ka qenë sektori më i goditur në vitin 2020. Pandemia, që filloi nga mesi i marsit bllokoi të gjitha udhëtimet për një periudhë disa mujore, por dhe më pas ato mbetën të kufizuara dhe vijojnë të jenë të tilla.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri u përgjysmuan, duke zbritur në 989 milionë euro. Në total, në vend kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve. Tkurrja ishte më e fortë në tremujorin e dytë dhe të tretë (shih grafikun: Shpenzimet e të huajve në Shqipëri, sipas tremujorëve).

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend në 2020- ra me 58.5%, pas viti i mëparshëm kishte qenë më i miri në historinë e turizmit shqiptar. Rezervimet e verës nga agjencitë e huaja në Europë, nga Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj u anuluan.

Turizmi u mbajt në këmbë nga rajoni, kryesisht shtetasit e Kosovës, të cilët shpëtuan hotelet nga rënia edhe më e thellë e të ardhurave. Në 2020-n, turistët nga Kosova zunë 52% të totalit, nga 34% një vit më parë.

Shqiptarët kursejnë 915 mln euro

Ndërsa të huajt nuk kishin kufizime për të hyrë në Shqipëri që nga maji, Bashkimi Europian ndaloi udhëtimin e shtetasve shqiptarë prej mesit të marsit dhe ende nuk lejon lëvizje për qëllime turistike. INSTAT raportoi se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga vendi në 2020-n ra me 51%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë ranë me 58% në vitin 2020, duke zbritur në 667 milionë euro.

Në total janë rreth 915 milionë euro “të kursyera”, si rrjedhojë e pamundësisë për të lëvizur.

Njësoj si me shpenzimet e shtetasve të huaj, edhe ato të shqiptarëve ranë me ritmet më të larta në tremujorin e dytë dhe të tretë. (shih grafikun: Shpenzimet e shqiptarëve jashtë sipas tremujorëve).

Bilanci mbetet pozitiv

Bilanci i turizmit (diferenca mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë) në vitin 2020 ishte pozitiv prej 321 milionë euro, por të ardhurat e munguara nga turizmi kanë dëmtuar ndjeshëm industrinë vendase.

Ulja e numrit të turistëve dhe shpenzimet e munguara të tyre çuan në krizë aktivitetin hotelier shqiptar. Sipas INSTAT, volumi i aktivitetit të këtij sektori që vitet e fundit kishte marrë hov për shkak të rritjes së numrit të turistëve, ra me 63% gjatë periudhës së karantinës.

Pas një rikuperimi në muajt e verës, por që mbeti sa dy të tretat e vitit 2019, që ishte më i miri historik për turizmin, shitjet e këtij sektori ranë sërish me 41% në muajt e fundit të vitit, pas rikthimit të pjesshëm të karantinës.

Ndalimi i udhëtimeve dhe i aktiviteteve turistike, që ende po vijon, ka bërë që edhe agjencitë e udhëtimit të jenë më të goditurat në vend nga pandemia. Ky sektor nuk po arrin të marrë veten.

Pas rënies së aktivitetit me 86% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, vera vijoi me tkurrje prej 57%, sipas INSTAT. Ndërsa në tremujorin e fundit, rënia u përshpejtua sërish në -66.4%, teksa as të huaj nuk erdhën dhe as shqiptarët nuk udhëtuan jashtë për festat e fundvitit.

Bujar Leskaj hap fushatën në Vlorë: Do fitojmë 6-7 mandate

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qytetin e Vlorës, Bujar Leskaj, ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas Leskajt PD në këtë qark do të marrë 5 deri në 6 mandate ndërkohë sipas tij, edhe LSI do të dalë me 1 ose 2 mandate në qarkun e Vlorës.

Bujar Leskaj: Partia Demokratike a në Vlorë, I garanton vlonjatët se Edi Rama nuk do fitojë në Vlorë. Partia Demokratike Aleanca për ndryshim do marri 5-6 mandate. LSI 1 deri në 2. E deklarojë më përgjegjshmëri do jemi 6-7 mandate ne në Vlorë. Këtë e vendos qytetari vlonjat. E ndjejmë pulsin, ndershmërinë, varfërinë. Do votohet pro ndryshimit. Për fitoren e ndryshimit”

Ndërkohë Leskaj i është përgjigjur edhe kryeministrit Edi Rama duke thënë se ai është stërnip i Esta Pashë Toptanit. Më tej Leskaj ka shtuar se nuk është serioze të flasësh për Ramën.

Bujar Leskaj: Rama është kryetar i një sekti dhe nuk meriton përgjigje zyrtare. Përgjigjen do ja japë populli shqiptar, me 25 Prill. Jemi tek varri i Ismail Qemalit, që simbolizon luftën dhe përpjekjen shqiptare. Dhe të flasësh këtu për Edi Ramanë, stërnipin e Esat Pashë Toptanit nuk është serioze është turp për ne. Ne do vijmë përsëri tek varri i Ismail Qemalit. Do përulemi dhe do jemi të përgjegjshëm. Nëse do flasim për stërnipin e Esat Pashës, jam i bindur që të madhit Ismail Qemali, atit të Kombit do t’i lëvizin eshtrat. Lëreni nipin e Esat Pashës, Janë dy rrugë në Beograd që kanë emrin e dy tradhtarëve të kombit shqiptarë. Esat Pashë Toptanit dhe Koçi Xoxes. Që simbolizojnë koha ndryshe por të lidhura. Rruga e tretë do ta ketë emrin Edi Rama”

PD e Vlorës starton fushatën nga Sheshi i Flamurit

Partia Demokratike sot ka çelur fushatën elektorale në Sheshin e Flamurit, përpara varrit të Atit të Kombit, themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora.

Me dhjetëra demokratë dhe qytetarë të Vlorës janë mbledhur në Sheshin e Flamurit, ku drejtuesit e PD vlorë, ekipi I kandidatëve për deputetë kanë vendosur kurora me lule.

Nën tingujt e Himnit Kombëtar, të kënduar nga Kastriot Tusha emocionet e përcjella ishin të jashtëzakonshme.

Drejtuesi Politik i qarkut Vlorë, z. Bujar Leskaj ka çelur zyrtarisht fushatën e PD, e cila do të jetë: “Fushata zgjedhjet e 25 prillit, e cila çelet sot në Vlorë është një fushatë e veçantë dhe këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për fatin e Vlorës, fatin tonë, fatin e Shqipërisë.

Fushata jonë, fushata e PD është një fushatë pozitiviste dhe qytetare!

Një fushatë ku ne shpalosim jo vetëm vlerat që përfaqësojnë PD dhe demokratët, por edhe programin tonë, vizionin tonë për të ardhmen.

Fushata jonë bazohet tek thelbi dhe dashuria që kemi për Vlorën dhe Demokracinë dhe jo te shpifjet, fyerjet dhe sulmet personale! Fushata jonë bazohet te dashuria që kemi për njerëzit, Vlorën dhe vlonjatët e ndershëm e punëtorë!”

Në përfundim të fjalës së tij zoti Leskaj ka ftuar qytetarët vlonjatë të votojnë masivisht: “Pjesëmarrja masive popullore në zgjedhjet e 25 prillit, zëri juaj dhe vemdimarrja juaj, janë vullneti i sovranit.

Me 25 prill, duhet patjetër të merrni në dorë fatet tuaja, si vlonjatë dhe si shqiptarë. Si prindër dhe si europianë. Kjo është ftesa që kam për gjithsecilin prej jush. Kjo është ftesa që kam, për çdo vlonjate e çdo vlonjat, për çdo bashkëqytetar.

Shikoni njëri-tjetrin në sy, shtrini dorën njëri tjetrit. Bashkohuni jo vetëm rreth halleve, por bashkohuni rreth zgjidhjeve. Bashkohuni rreth vendosmërisë për një të ardhme, për veten tuaj, por mbi të gjitha për fëmijët tuaj.

Së bashku do të bëjmë NDRYSHIMIN do të sjellim NDRYSHIMIN!

Në 25 prill fiton Shqipëria, fiton Vlora!”

Avantazhi më i madh i opozitës

Bujar NISHANI

Zgjedhje këto që pas 25 prillit duhet të sjellin modelin krejt të ndryshëm të qeverisjes, në përgjegjësi, profesionalizëm e mbi të gjitha një moral të ri.
Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita kanë sot më shumë se kurrë më parë, mundësinë, rrethanat, motivin dhe moralin të bëjnë përmbysjen e madhe politike dhe të krijojnë bindjen e fortë tek qytetarët se 25 prilli nuk është një formalitet juridik për rrotacionin politik ndërmjet një qeverie në ikje dhe një qeverie në ardhje por domosdoshmërisht, nisja e një epoke të re serioziteti, profesionalizmi, përgjegjshmërie e mbi të gjitha morali i lartë në qeverisje.

Ky është motivi i fushatës por dhe detyra e përgjegjësia e çdo kandidati për deputet i opozitës gjatë kësaj fushate.
Opozita ka sot çdo epërsi morale dhe nuk ka nevojë për formalizëm.

Thjeshtësia dhe sinqeriteti janë nevoja e vetme e opozitës!
Kjo është fushatë e vështirë nga pandemia dhe shteti paralel i bandave qeveritare, por me avantazhin më të madh moral nga opozita pasi zullumet e kësaj qeverie ndaj shqiptarëve kanë qenë më të pamëshirshmet.
Opozitës i mjafton në këtë fushatë ti përgjiet veç një pyetjeje fondamentale.
Përse i duhet mandati i tretë Edi Ramës?

Opozita duhet tu përsërisë shqiptarëve, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, në çdo qytet, fshat, lagje e takim, se mandati i tretë “Rilindjes” i duhet :
Që të vijojnë grabitjen e shqiptarëve, tenderat ku vlera e nevojshme për një punë publike shumëzohet me 7-të që të parapaguhet 30% i makutëve, që fatkeqët e tërmetit të vijojnë e dimërojnë edhe 4 vite të tjera pa shtëpi, të vijojë të përvetësohen parqet e sheshet për kulla betoni, që shqiptarët të trajtohen si kavje për vaksinat e paçertifikuara, që shqiptarët të vijojnë të torturohen e poshtërohen në të ashtuquajtura spitale, etj., etj., pa fund.

Përgjigja e pyetjes se përse i duhet mandati i tretë, Edi Ramës, nis e mbaron fare thjesht.
Tek vijimi i korrupsionit më të zi e më masivi, i parë në këtë vend, tek vijimi i kapjes së shtetit nga banda !
Ndaj, shumë miqësisht i sugjeroj kandidatëve për deputet të PD dhe opozitës që çështjen e luftës kundër korrupsionit dhe hajnisë ta kenë prioritet mbi prioritetet.

Prezantimi i një projekt-ligji konkret mbi vetingun e çdo politikani e pushtetari, bazuar tek konfiskimi i çdo pasurie të pajustifikuar, do të fitonte rrufeshëm besimin tek modeli i qeverisjes së re.
Do të ishte ideale nënshkrimi i një kontrate AntiKorrupsion nga çdo kandidat me përfaqësi qytetarësh sipas grupeve të interesit në zonat ku konkurojnë!

Ky qëndrim do të konfirmonte përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e opozitës përballë shqiptarëve duke motivuar fort besimin e tyre.
Përgjegjshmëria dhe serioziteti janë dy kolonat themelore të moralit.
Morali i lartë është ajo çka kërkojnë më shumë se çdo gjë sot votuesit.

Morali përbën kontrastin më të fortë midis dy modeleve. Atij që duhet rrëzuar dhe atij që i duhet dhënë besimi.
Morali është avantazhi më i madh i PD dhe opozitës përballë amoralitetit, mashtrimit dhe inkriminimit të pushtetit.
Standarti i moralit duhet garantuar gjatë kësaj fushate, me seriozitet !
Projekti i një Ligji Vetingu të Politikanëve, do të garantonte seriozitetin e merituar për AntiKorrupsionin !
#25PrillZgjidhja 🇦🇱

Basha-qytetarëve: Me ndihmën tuaj ne do të sjellim ndryshimin

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, me anë të një postimi në “Facebook” ka publikuar një video nga hapja e mbrëmshme e fushatës së Partisë Demokratike.
Basha shprehet se ishte një mbrëmje e mrekullueshme, duke shtuar se të gjithë bashkë të sjellim ndryshim, që të fitojë Shqipëria.

Postimi i kreut të PD-së Lulzim Basha:

Ishte një mbrëmje e mrekullueshme!
Me ndihmën tuaj ne do të sjellim ndryshimin për të gjithë shqiptarët dhe do të fitojmë.
Së bashku për ndryshim.
Shqipëria fiton!

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/3869746233084613

Vendimi zyrtar/ Nga qershori në BE do të lëvizet vetem me çertifikatë vaksinimi

Ursula von der Leyen

Kur të jenë vaksinuar të gjithë në BE ndaj COVID-19, kjo duhet të dokumentohet në një certifikatë, që personi mund ta paraqesë nëse i kërkohet. Por në fakt aktualisht vaksinat janë një mall jo i lehtë për t’u poseduar.

Në samitin virtual të BE-së (25.03) u ra dakord që deri në verë në BE të ketë një certifikatë të njësuar për vaksinimin. Kancelarja gjermane e mbështeti vendimin, por tërhoqi vëmendjen për disa pengesa. Në BE vazhdon të jetë e diskutueshme nëse liria e lëvizjes do të kondicionohet nga kjo certifikatë.

Këtij vendimi i parapriu hapja e rrugës për certifikatën nga Parlamenti Europian një ditë më parë. Deputetët votuan që kjo çështje të trajtohet me procedurë të përshpejtuar. Komisioni i BE-së preferoi një proces të përshpejtuar, në mënyrë që bisedimet mes institucioneve të mund të fillojnë sa më shpejt. Certifikata e planifikuar e vaksinimit do të aplikohet qysh në qershor.

“Me certifikatën digjitale” Komisioni i BE-së do të krijojë një zgjidhje të përbashkët teknike për të 27 vendet e BE-së për të kapërcyer kufizimet aktuale të udhëtimeve. Certifikata, që do të njihet në mbarë BE-në, duhet të dokumentojë vaksinimet, rezultatet e testeve të licencuara dhe informacionet për shërimin nga infeksioni me koronavirusin. Lidhur me zbatimin teknik ka një sërë pyetjesh.

Kritika dhe rezerva
Edhe pse deputetët votuan në procedurë të përshpejtuar, paraprakisht pati kritika të ashpra. Kryetari i grupit parlamentar të kristiansocialëve, Manfred Weber (CSU), kritikoi, që propozimi i komisionit është bërë shumë vonë. “Dhe tani kërkohet të veprohet me procedurë të përshpejtuar”. Kryetari i grupit të ekologjistëve, Philippe Lamberts, nënvizoi, që një proces i tillë e kufizon fort debatin demokratik dhe verifikimin ndaj është e gabuar. Deputetët tërhoqën vëmendjen gjithashtu për pabarazitë lidhur me një certifikatë vaksinimi dhe theksuan, që përmes saj duhet të garantohet edhe ruajtja e të dhënave.

Po vaksinimi?
Përveç kritikave është edhe problemi që mungon furnizimi me vaksinat. Samiti virtual i BE-së (25.03) shqyrtoi problemet me furnizimin e vaksinave dhe kontrollin e eksporteve në vendet e treta. “Ne theksojmë rëndësinë e transparencës si dhe përdorimin e licencave të eksportit”, thuhet në deklaratën përmbyllëse të samitit. Kancelarja gjermane Angela Merkel kërkoi që në sfondin e problemeve me pandeminë të analizohen “pa doreza” dobësitë e BE-së. Shtetet e BE-së duan që të rrisin shpejtësinë në procesin e vaksinimit të popullsisë ndaj koronavirusit. Megjithatë me orë të tëra në samit u zhvilluan debate për shpërndarjen e vaksinave, për të cilat ka vështirësi furnizimi. Në tre muajt e ardhshëm duhet të furnizohen tri herë më shumë vaksina se deri tani, deklaroi presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen. Deri tani nga gati 450 milionë qytetarë të BE-së të paktën 65 milionë janë vaksinuar një herë. Deri në fund të marsit vendet e BE-së do të marrin rreth 100 milionë doza. Për periudhën prill-qershor janë premtuar nga koncernet farmaceutike 360 milionë doza.

Çfarë bën Britania e Madhe?
Prodhuesit e vaksinës duhet t’u përmbahen afateve të kontraktuara të furnizimit, theksohet në deklaratën e samitit. Sfondi ka të bëjë kryesisht me grindjen lidhur me prodhuesin britaniko-suedez AstraZeneca. Sipas Komisionit të BE-së kompania gjatë tremujorit të parë do të duhej të furnizonte 120 milionë doza. Ndërkohë bëhet fjalë për maksimumi 30 milionë doza. Komisioni i BE-së për shkak të këtij debati i ka ashpërsuar rregullat e eksportit në BE. BE-ja druan, se AstraZeneca favorizon britanikët në furnizim edhe me vaksinat që prodhohen në BE. Sipas Komisionit deri tani 21 milionë doza kanë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithsej BE ka eksportuar 77 milionë doza.