16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Lufta e vaksinave, gjenden 29 milionë doza AstraZeneca të fshehura në Itali

29 milion doza të vaksinës Astrazeneca u gjenden të fshehura në Itali, njoftoi të mërkurën, gazeta italiane La Stampa. Sasia e vaksinave është pothuajse sa dyfishi i atyre të dorëzuara në 27 vendet e BE-së deri më tani.

Ato u gjendën të fshehura në strukturën italiane të kompanisë Catalent, për paketimin dhe prodhimin e produkteve farmaceutike dhe gjenetike. Struktura ndodhet në qytetin Anagni, në afërsi të Romës.

Mendohet se dozat ishin të destinuara për Mbretërinë e Bashkuar dhe jo për vendet evropiane. Sasia e vaksinave u zbulua pas sinjalizimit të autoriteteve italiane nga Komisioni Evropian.

La Stampa shkruan se vaksinat “u zbuluan falë vizitës së komisionerit Thierry Breton në njësinë e prodhimit të vaksinave në Leiden, në Hollandë, të menaxhuar nga kompania Halix”. Kjo kompania ka fituar nga kompania AstraZeneca të drejtën e prodhimit të vaksinave brenda BE-së, por ajo ende nuk është licensuar nga BE.

Mendohet se Britania e Madhe e ka përdorur këtë problem dhe ka marrë doza të AstraZenecës të prodhura nga kjo njësi prodhuese, për të përfunduar vaksinimin e plotë të popullsisë së rritur. Kapaciteti prodhues i njësisë është rreth 5-6 milionë doza.

Tani, Komisioni Evropian dyshon se AstraZeneca po favorizon Mbretërinë e Bashkuar në kurriz të vendeve të BE-së. Brukseli dyshon se kompania ka ngadalësuar me dashje shpërndarjen e vaksinave për BE-në.

PD hap nesër fushatën për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit

PD nis nesër fushatëm e fitores të zgjedhjeve të 25 prillit që do ti paraprijë një ndryshimi të madh të vendit. Opozita shkon në zgjedhje me një mbëhstetje të madhe popullore dhe rezultati pritet që të jetë historik.

Pritet, që nesër në orën 17:00 të zhvillohet ceremonia e PD në Sheshin “Nënë Tereza”.
Në këtë ceremoni, së bashku me krydemokratin Lulzim Basha, do të jenë të pranishëm edhe të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike, në 12 qarqet e vendit.

Sekretari amerikan i shtetit viziton Europën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të mbajë një fjalim të mërkurën në Bruksel ku do të flasë rreth angazhim të administratës së Presidentit Biden për të rindërtuar dhe ringjallur aleancat e Shteteve të Bashkuara. Kjo ka qenë pjesë e mesazhit të tij gjatë vizitës së parë në Evropë këtë javë në cilësinë e kryediplomatit të vendit, çka tregon një shkëputje nga katër vite të politikës së jashtme nën ish-Presidentin Donald Trump që u përqëndrua tek dhënia e përparësisë interesave amerikane.

Fjalimi vjen në ditën e fundit të një takimi dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, të cilin zoti Blinken po e shfrytëzon gjithashtu për të zhvilluar bisedime të veçanta me homologët e tij.

Axhenda e së mërkurës e zotit Blinken përfshin gjithashtu një takim me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlut Çavusoglu, një takim me ministrat e jashtëm të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe takim me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Zoti Blinken u tha gazetarëve të martën se Shtetet e Bashkuara duan të rindërtojnë marrëdhëniet e tyre të partneritetit “mbi të gjitha me aleatët tanë të NATO-s.”

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden ka në plan të diskutojë rreth forcimit të marrëdhënieve SHBA-BE gjatë një vidioekonference me udhëheqësit e Bashkimit Evropian të enjten.

Qëndrimi i zotit Biden është në kontrast të dukshëm me atë të ish-Presidentit Donald Trump, i cili sulmonte shpesh vendet e tjera të NATO-s për mos përmbushjen e qëllimit të aleancës për të shpenzuar secili, 2% të Prodhimit të Bredshëm Kombëtar për mbrojtjen.

“Gjëja e fundit që mund të lejojmë të bëjmë është mos e vlerësojmë këtë aleancë”, tha zoti Blinken, një nga bashkëpunëtorët e vjetër dhe të besuar të Presidentit Biden.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian i mirëpriti komentet pozitive të zotit Blinken rreth NATO-s, një aleancë e themeluar në 1949 për të ndalur kërcënimin ushtarak të ish-Bashkimit Sovjetik. Një nga temat kryesore për diskutim gjatë dy ditëve takimeve në Bruksel është misioni i NATO-s në Afganistan, ndërsa afrohet afati i 1 majit për tërheqjen e plotë të të gjithë trupave amerikane, sipas një marrëveshje paqeje të arritur vitin e kaluar mes grupit Taliban të Afganistanit dhe administratës Trump.

Zoti Blinken tha se çështja po shqyrtohet dhe se pjesë e punës së tij në Bruksel janë bisedimet me aleatët e NATO-s, si për të dëgjuar, ashtu edhe për të ndarë mendimet e SHBA-së rreth kësaj çështjeje. Ai tha se çfarëdo që do të vendosin Shtetet e Bashkuara, veprimet e tyre do të merren në konsultimin me vendet e tjera anëtare, që kanë qenë pjesë e misionit ushtarak.

“Ne kemi hyrë së bashku, jemi përshtatur së bashku dhe kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku”, tha zoti Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se i mirëpret përpjekjet për paqe, duke theksuar se ajo është “rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme politike në Afganistan”.

Por shefi i NATO-s tha se në mënyrë që të arrihet paqja, të gjitha palët duhet të negociojnë me mirëbesim, duhet të ketë një zvogëlim të dhunës dhe se Talibanët duhet të ndalojnë mbështetjen e terroristëve ndërkombëtarë siç është al-Kaida.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas paralajmëroi kundër një tërheqje të parakohshme që do të dëmtonte siç tha arritjet në fushën e sigurisë.

“Ne duam një tërheqje të bazuar në kushte të të gjitha forcave nga Afganistani”, tha zoti Maas.

Kim vlerëson qëndrimin e PD dhe ka një mesazh për PS: Të jetë e qartë për rastin Doshi

Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim, kërkoi të martën që Partia Socialiste të pozicionohet qartë për rastin e deputetit Tom Doshi, dhe rikandidimin e tij në zgjedhjet e 25 Prillit, si kryetar i Partisë socialdemokrate.

Në një postim të saj në Twitter, ambasadorja Kim vlerëson qëndrimin e Partisë Demokratike ndërsa shkruan se kjo forcë politike dhe të tjera “nuk duan në parlamentin shqiptar, dikë ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në territorin e saj”, shkruan ambasadorja amerikane duke ju referuar vendimit të Prillit 2018, të Sekretarit të atëhershëm të Shtetit.

Në postimin e saj, ambasadorja Kim, i drejtohet “të tjerëve” duke ngritur disa pyetje “Nga se kanë frikë” A është “e dobishme” të heshtësh”, Përse duhet lënë që të tjerët të mendojnë që je “aleat” me të”? Kjo është ajo që sipas jush meritojnë votuesit? Shqipëria meriton diçka më të mirë”, përfundon postimin e saj në Twitter, shoqëruar me njoftimin e Departamentit të Shtetit, për rastin Doshi.

Zonja Kim nuk e përmend me emër Partinë socialiste, por referenca ndaj kësaj force politike është mëse e qartë. Për më tepër, me herët në mbrëmje, ambasadorja amerikane gjatë një interviste në televizionin ABC NEWS, kishte qenë e drejtpërdrejtë kur tha se “është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë. Dëshiroj të shoh që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë. Eshte krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar cdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”, u shpreh ajo.

Deri tani nuk ka patur ndonjë reagim zyrtar nga Partia Socialiste.

Dy javë më parë Partia Demokratike ju drejtua Komisionit Qëndor të Zgjedhjeve me kërkesën për të ndaluar kandidimin e Doshit, i cili sipas saj “është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshit ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021”.

Por KQZ e rregjistroi atë si kandidat në zgjedhje, duke e e referuar atë dhe 11 kandidatë të tjerë në Prokurori për verifikime. “Mendoj që KQZ-ja ka përgjegjësi të shqyrtojë të gjitha rekordet në mënyrë që të sigurohet që kandidatët të kualifikohen. Në këtë rast ai nuk është skualifikuar, e kjo nuk do të thotë që ai është i pafajshëm. Por thjesht do të thotë që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë të reformohet. Dhe ky është nënkuptimi i saj. E dyta, çështja, së bashku me 11 kandidatë të tjerë i është dërguar prokurorisë dhe ne vërtetë presim që prokurorët të bëjnë punën e tyre”, u shpreh zonja Kim duke shtuar se “në fund, nuk ju përket Shteteve të Bashkuara që të vendosin se kush duhet të jetë në parlament. Nuk janë Shtetet e Bashkuara se kush do të jetë aty, por janë votuesit shqiptarë. Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre”.

Incident në Kombëtaren e Kosovës

Policia e Kosovës i ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me raportimet në media për gjoja një përleshje fizike në ekipin kombëtar të Kosovës mes portierit Arijanet Muric dhe anësorit Edon Zhegrova.

Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Florie Ahmeti, ka konfirmuar për Gazetën Express se nuk ka gjetur prova për të hapur ndonjë rast në lidhje me këtë incident.

“Pas raportimeve të mediave, Policia e Kosovës ka kontaktuar personat kompetent të hotelit si dhe menaxherin e përfaqësueses dhe ka rezultuar se nuk ka pas elemente për inicim të ndonjë rasti”, tha Ahmeti për Express.

Portieri i parë i Kombëtares, Muric, u përjashtua të martën prej kampit dardan për ndeshjet e këtij muaji nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Në një komunikatë për media, organi qeverisës i futbollit të vend e njoftoi se i kishte përjashtuar portierin e klubit holandez Willem II për, siç tha, arsye disiplinore.

Por në media u raportua bujshëm për një përleshje fizike mes tij dhe yllit të llastuar të ekipit kombëtar, sulmuesit të Baselit Zhegrova. Po ashtu, në disa media të tjera lokale u raportua se Muric kishte shkuar në gjendje të dehur në hotelin ku po qëndronte kampi verdhekaltër.

Kjo e ka shtyrë policinë t’i marrë në pyetje disa persona, përfshirë zyrtarët e hotelit ku është e vendosur Kombëtarja dhe menaxherin e ekipit kombëtar të Kosovës.

Në mungesë të dëshmive për ndonjë përleshje fizike, policia nuk do të hapë rast për këtë incident.

Sidoqoftë, Muric i ishte tërhequr vëmendja për mungesë disipline në Kombëtare edhe në të kaluarën, por pavarësisht incident, ai kishte shpëtuar pa u lagur në atë botë.

Në tetorin e kaluar, 22-vjeçari nga Mali i Zi i theu rregullat e karantinës kur u fotografua me një vajzë në hotelin e ekipit kombëtar.

Mungesa e disiplinës i ka kushtuar atij edhe me ndërrim ekipi shpesh herë në dy vitet e fundit. Që prej vitit 2019, Muric, i cili është në pronësi të Manchester City, kaloi kohë i huazuar në Nottingham Forest, Girona dhe tani Willen II, duke dështuar të bindë.

Ky incident ndodhi në kohë të papërshtatshme, pasi Kosova do ta nisë një fushatë të re, të dytën në historinë e Kombëtares për Kupën e Botës, këtë fundjavë si nikoqire e Suedisë në Prishtinë.

Raporti: Shqipëria me përkeqësim të lartë të lindjeve

Lindshmëria u përkeqësua në të gjithë Europën gjatë vitit 2019, kurse Shqipëria hyn në mesin e vendeve me treguesin më të dobët të indeksit të fertilitetit në kontinent.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2019, në të gjithë Bashkimin Europian kanë lindur 4.17 milionë foshnje, duke vazhduar një trend rënës që filloi pas vitit 2008, kur në BE lindën 4.68 milion fëmijë.

Shkalla totale e lindshmërisë ishte 1.53 lindje për grua në BE në 2019, një rënie e vogël nga kulmi i saj i fundit në 2016 (1.57), megjithatë një rritje krahasuar me 2001 (1.43).

Në Shqipëri, indeksi i fertilitetit ishte më i ulët se mesatarja e BE me vetëm 1.36 nga 1.37 që ishte më 2018 dhe me një përkeqësim të dukshëm nga viti 2000, ku ky tregues ishte 1.9.

Indeksi i fertilitetit poshtë 2.1 tregon se popullsia është nën normën e zëvendësimit dhe po shkon drejt rënies. Shqipëri e kaë humbur normën e zëvendësimit prej vitesh, ndërsa në Europë ky proces ka qenë më i ngadaltë.

Në Rajon, Serbia dhe Mali i Zi kishin një indeks të fertilitetit më të mirë se Shqipëria përkatësisht me 1.52 dhe 1.77.

Në vitin 2019, shkallën më të lartë të lindshmërisë e kishte Franca me 1.86 lindje të gjalla për grua dhe ishte Shteti Anëtar me nivelin më të lartë të lindshmërisë në BE, ndjekur nga Rumania (1.77), Çekia, Irlanda dhe Suedia (të tre 1.71) dhe Danimarka (1.70).

Në të kundërt, nivelet më të ulëta të lindshmërisë janë vërejtur në Maltë (1.14 lindje për grua), Spanjë (1.23), Itali (1.27), Qipro (1.33), Greqi dhe Luksemburg (të dy 1.34) dhe Shqipëri me 1.36.

Në vendin tonë, gjatë periudhës 2011 – 2020 lindjet në shkallë kombëtare kanë rënë me 18%. Nga 34,285 bebe të lindura më 2011 në vitin 2020 linden 28,075. Qarku i Kukësit shënoi rënien më të madhe në shkallë vendi. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në prefekturën Verilindore lindshmëria shënoi rënie me 37.8 për qind.

Pas Kukësit, rënien më të madhe të lindshmërisë gjatë dekadës së fundit e ka shënuar Qarku i Beratit me 34.3%. Gjirokastra renditet e treta për rënien e madhe të lindshmërisë me 32.2% dhe më pas Vlora me mbi 31% për të njëjtën periudhë. Në të kundërt rënien më të ulët të lindjeve e kishin Tirana dhe Durrësi përkatësisht me -1.6 dhe -12.0%. Këto dy qarqe, edhe pse me rënie të lindjeve, kanë shtesë natyrore pozitive të popullsisë për shkak të zhvendosjeve nga rrethet e tjera drejt tyre.

Si pasojë e kësaj situate, zhvillimet demografike janë duke u zhvilluar sipas skenarëve pesimistë të projeksioneve të popullsisë.

Sipas rishikimit të fundit që i takon periudhës 2019-2031, në skenarin pesimist indeksi i fertilitetit për një grua në vitin 2019 ishte 1.36 njësoj si në skenarin pesimist, por në të ardhmen treguesi mund të përkeqësohet përtej këtij skenari për shkak se anketat e tërthortë tregojnë se emigracioni në dekadën e fundit ka qenë më i lartë se pritshmëritë.

Vendet e Europës Lindore përjetuan rënie të lindshmërisë gjatë viteve 1990 dhe 2000, ku indeksi Sintetik i Fekondimit (ISF) arriti në nivele shumë të ulëta. Rastet më ekstreme janë ato të Bullgarisë (1,09 fëmijë për grua) dhe të Republikës Çeke (1,13 fëmijë për grua), për pjesën tjetër të vendeve të Evropës Lindore iSF arriti minimumin, rreth vlerës 1,2 lindje për grua. Në hipotezën e lindshmërisë së ulët në Shqipëri mendohet që iSF do të arrijë nivelin 1,2 në vitin 2031, por zhvillimet reale po tregojnë se ky nivel do të arrihet para këtij viti.

Bardhi: Pas 25 prillit, referendum për ndarjen administrative

Elbasan, fshati në mjerim dhe i braktisur, Gazment Bardhi: Pas 25 prillit, subvencion sipas prodhimit, referendum per ndarje të re administrative

Në Floq në njësinë administrative Klos të Cërrikut, banorët janë punëtorë të palodhur dhe nxjerrim maksimumin nga mundi e djersa e tyre. Mirëpo të braktisur totalisht nga qeveria, pa rrugë, pa kanale vaditëse, pa shkollë, pa qendër shëndetësore, pa pikë grumbullimi për shitje, ata nuk ja dalin dot.

“Jam i bindur që Kryetari i Bashkisë nuk ka ardhur ndonjëherë këtu”, u shpreh Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, gjatë një takimi me banorët.
“Fondet e subvencioneve kanë shkuar në 5 duar. Njerëzit, fermerët janë përballur me burokraci e kërkesa pa fund thjesht për t’i penguar. A mund të thotë dikush, kush ka marrë 1 euro nga fondi 100 milionë euro që ai (Rama) thotë se ka shpërndarë vitin e kaluar”, pyet Bardhi.
Banorët thonë se nuk i kanë parë as në ëndërr, dhe shtojnë se ato para i kanë marrë ata vetë.

“S’duhet të diskutonim sot për rrugë. Duhej të ishin bërë rrugët, dhe subvencionimi do të duhej të funksiononte vetë. Ne kemi një plan, një zgjidhje konkrete, që secili do të marrë për aq sa prodhon, pa shkresa e letra, vetëm me kartën e identitetit”, shtoi Bardhi.

Zona njihet për prodhimin e rakisë mjaft cilësore, një traditë 30 vjeçare tashmë. Banorët thonë se nuk e shesin dot dhe nuk e përballojnë dot konkurencën me fqinjët, pasi kostot janë shumë të larta, nuk ka infrastrukturë dhe nuk ka pikë shitje. Dhe, asnjë mbështetje nga qeveria. Ata ankohen se procedurat e aplikimit për fonde janë shumë të komplikuara dhe kërkojnë dokumentacion që shpesh nuk e kanë.

“Ne e kemi prioritet të 4 viteve të para nxjerrjen e fshatit nga mjerimi. Nuk ka arsye që dikush që banon në fshat të jetë i varfër. Nëse ju do të keni rrugë, kanale vaditëse, dhe subvencione mbi bazën e prodhimit, ju nuk ja keni nevojën askujt”, u shpreh Bardhi.

Për të kuptuar se sa të braktisur janë banorët këtu, dhe sa e dështuar ka qënë ndarja territoriale, mjafton të shohësh shkollën kryesore 9 vjeçare të kësaj njësie, Rushan Xhuvani.

Pa dritare, pa izolim, pa ngrohje. Klasat mblidhen shumë rrallë dhe me krejt pak nxënës, të cilët kanë të pamundur të edukohen në kushte të tilla.

Eurostat: 5 mijë kërkesa për azil nga shqiptarët edhe në vitin e pandemisë

Ndonëse 2020-a ishte një vit, kur udhëtimet u bllokuan që nga mesi i muajit mars, shtetasit shqiptarë e kanë gjetur sërish rrugën për të ikur në Europë dhe për të kërkuar azil.

Eurostat raportoi sot se ka pasur mbi 5 mijë kërkesa për azil për herë të parë nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian dhe Zvicër. Në krahasim me një vit më parë, kërkesat kanë rënë me rreth 70%, si rrjedhojë e kufizimeve të krijuara nga pandemia.

Franca vijon të mbetet shteti më i preferuar i shqiptarëve për të kërkuar azil, për shkak të trajtimit më të mirë social që u bëhen emigrantëve. Në total, janë rreth 2 mijë aplikime nga shtetasit shqiptarë për azil në Francë, ose 39% e totalit. Në krahasim me një vit parë, aplikimet janë tkurrur me 76%.

Greqia është shteti i dytë i BE-së që pret më shumë aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë, me rreth 1 mijë, ose 20% të totalit. Më pas renditet Gjermania me 16% të totalit; Italia, me 9%, Belgjika me 5.3%.

Suedia është një tjetër destinacion, ku shqiptarët provojnë që të aplikojnë për të marrë dokumente si azilantë (190 aplikime, ose 4% e totalit).

Irlanda është një tjetër vend që ka zgjuar interesin dy vitet e fundit, me 40 aplikime në 2020-n.

Në të gjithë botën, Shqipëria renditet e 23-ta për numrin e kërkesave për azil, por duke qenë se popullsia e saj është e ulët, në raport me popullsinë, klasifikohemi të dytët pas Sirisë. Ndërsa në Ballkan mbetet e para në vlerë absolute.

Lexo edhe këtë: Edhe në pandemi, shqiptarët të dytët në botë për azil në BE, në raport me popullsinë, për 2020-n

Për 2020-n mungojnë të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar (tashmë të dalë nga BE), ku në 2019-n kishte 3,900 aplikime. Ndërsa në Zvicër kishte 45 aplikime, nga 130 në 2019-n.

Aplikimet për azil

Eurostat raporton se në vitin 2020, 416 600 aplikantë për herë të parë të azilit aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, me rënie me 34% krahasuar me 2019 (631 300) dhe me 21% krahasuar me nivelin e regjistruar në 2014 (530 600), para kulmeve të 2015 dhe 2016.

Sirianët, Afganët, Venezuelët dhe Kolumbianët paraqitën më shumë kërkesa për azil, duke përbërë së bashku 40% të të gjithë aplikuesve të parë në Shtetet Anëtare të BE në 2020.

Sirianët (63 500 aplikantë për herë të parë, ose 15% e numrit të përgjithshëm të aplikantëve për herë të parë) ishte shtetësia kryesore e azilkërkuesve në Shtetet Anëtare të BE, duke vazhduar trendin e vërejtur që nga viti 2013. Mbi gjysma e Sirianëve paraqitën kërkesën e tyre ne Gjermani.

Afganët (44 200, ose 11% e totalit të BE-së) ishte shtetësia e dytë kryesore për të tretin vit radhazi. Rreth një e katërta e të gjitha kërkesave afgane u paraqitën në Greqi dhe Francë secila.

Shtetasit e Venezuelës (30 300, 7% e totalit të BE-së) u renditën të tretët. Mbi 90% e shtetasve të Venezuelës kërkuan azil në Spanjë. Venezuelianët u ndoqën nga afër nga kolumbianët (29 100 aplikantë për herë të parë, 7% të totalit të BE), gjithashtu me më shumë se 90% të aplikacioneve në Spanjë.

Me 102 500 aplikantë për herë të parë të regjistruar në vitin 2020, Gjermania përbënte një të katërtën e të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE. Ajo u pasua nga afër nga Spanja (86 400, ose 21%) dhe Franca (81 800, ose 20%), përpara Greqisë (37 900, ose 9%) dhe Italisë (21 200, ose 5%). Këto pesë shtete anëtare së bashku përbënin 80% të të gjithë aplikuesve për herë të parë në BE.

Jo më vetëm me vaksinë, Pfizer nis provat tek njerezit me ilaçin anti-virus

Pfizer ka nisur provat njerëzore të një ilaçi eksperimental për personat e infektuar me Covid-19.

Prodhuesi i barnave, i cili zhvilloi vaksinën e parë të autorizuar kundër COVID-19 në SHBA me kompaninë gjermane BioNTech, tha se kandidati antiviral kishte reaguar kundër virusit në studimet laboratorike.

Ilaçi arrin të pengojë një enzimë që koronavirusi përdor për tu shumuar brenda qelizave njerëzore. Nëse rezultatet tregojnë se ilaçi është i sigurt dhe efektiv, kompania do të kalojë në Fazën II dhe do të rekrutojë një grup më të madh pjesëmarrësish.

Kompania po studion gjithashtu një kandidat antiviral të administruar në mënyrë intravenoze në pacientët e shtruar në spital

22 vjet më parë, kur NATO bombardonte Serbinë

24 marsi shënon sot 22-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj bazave serbe në luftën e Kosovës. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për arritjen e një marrëveshje paqësore me Beogradin.

Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit e atëhershëm amerikanë, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00.

Më tej, sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pranoi të tërhiqte trupat nga Kosova.

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha.

Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra persona konsiderohen të zhdukur, ndërsa forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë. Më poshtë janë disa nga fotot e rralla të 22 viteve më parë, kur avionët e NATO-s bombarduan Serbinë për të çliruar Kosovën.