29.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Denoncimi i fortë: Luljeta Bozo i zuri shtëpinë inxhinierit të pushkatuar nga Enver Hoxha

Ermal HASIMJA

1946, një inxhinier i ri 33-vjeçar pushkatohet me plot të tjerë me grupin e “sabotatorëve të Maliqit”.

Pak kohë më pas një çift komunistësh vijnë për të inspektuar shtëpinë e të ndjerit dhe për të parë nëse iu pëlqente për ta marrë për vete. U pëlqen dhe e mbajnë për gati 50 vjet duke lënë familjen e inxhinierit në rrugë.

2021, vajza e çiftit komunist, vetë ish-komuniste e ndoshta ende komuniste, deklaron në publik se komunizmi kishte më tepër të mira se të këqija.

Unë e besoj plotësisht! Për njerëz të tillë, komunizmi kishte më tepër të mira: u dha shtëpitë e të pushkatuarve që ua nxorën familjet në rrugë.

Problemi është se këta njerëz, përpara se të pyeteshin për komunizmin duhet të jepnin llogari për atë që bënë për 50 vjet, duhet të shporreshin nga hapësira publike e të turpëroheshin publikisht.

Siç ndodhi në Gjermani pas Nurenbergut e deri më sot. Kjo nuk ndodhi. Meqë nuk ndodhi tani nuk e kanë problem të bëjnë bilancin pozitiv të komunizmit. Turp, Shqipëri, e mjera Shqipëri!

Studiuesit anglezë: Ky është ilaçi që po u shpëton jetën pacientëve të intubuar

Deksametazoni, një steroid i lirë, u ka shpëtuar jetën të paktën 1 milionë pacientëve me Covid në mbarë botën. Kështu thuhet në një studim të kryer nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Angli.

Studimi ka nisur që në mars të vitit të shkuar dhe janë marrë në shqyrtim mijëra pacientë të ndryshëm.

Pas 100 ditëve të para të testimit, u zbulua se deksametazoni e shkurtonte rrezikun e vdekjes me një të tretën te pacientët në ventilator.

Në total mendohet se ilaçi i lirë u ka shpëtuar jetën të paktën 22 mijë personave vetëm në Britaninë e Madhe. Ndërkohë në mbarë botën kjo shifër mendohet se i kalon 1 milion njerëz.

“Është e qartë se deksametazoni ka një ndikim shumë të madh. Një milion njerëz është një shifër shumë e madhe,” tha udhëheqësi i këtij studimi, Peter Horby nga Universiteti i Oksfordit.

Rezultatet e këtij studimi janë publikuar nga revista shkencore ‘Nature’.

Komisionerja e BE përgëzon Bashën për programin e arsimit: Axhendë e përqendruar tek kërkimi dhe inovacioni

Në kuadër të programit ‘SHQIPËRIA FITON ARSIMIN’, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ekipi i tij i ekspertëve prezantuan platformën e arsimit online që përfshin 5 gjuhë të huaja falas dhe trajnimin e dyfishtë profesional në 20 disiplina të ndryshme për shqiptarët.

Prezantimi u bë ne nje takim online te organizuar nga ambientet e universitetit ‘Modul’ të Vienës, me pjesëmarrjen e Komisioneres së BE-së për Inovacionin, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriela, dhe të rektorëve nga universitetet më të mëdha austriake si dhe përfaqësues dhe ekspertë shqiptarë dhe të huaj në këto fusha.

Komisonerja Gabriel deklaroi se arsimi kërkon një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në nivelin europian.

MESAZHI I KOMISIONERES

“Faleminderit shumë, Dr. Basha, i dashur president i Universitetit, të dashur rektorë dhe zëvendësrektorë. Zonja dhe zotërinj, së pari jam e kënaqur që ju bashkohem sot. Urime për zgjedhjen e shkëlqyeshme të temës së diskutimit tuaj, edukimin. Unë mendoj se e ndajmë plotësisht mendimin se arsimi është çelësi për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë dhe kjo është arsyeja pse unë e mirëpres shumë këtë diskutim.

Unë do të filloja duke thënë se arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës është themeli për përmbushjen personale dhe qytetarinë aktive. Ndihmon të rinjtë të gjejnë vendin e tyre në shoqëri dhe ekonomi dhe u jep atyre kompetenca, aftësi, njohuri të nevojshme për të lulëzuar në jetë.

Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës siguron edhe më shumë se kaq. Do të zvogëlojë ikjen jashtë vendit të trurit. Kjo do t’u japë bizneseve një fuqi punëtore të aftë dhe ekonomive kombëtare dhe rajonale një shans më të mirë për të qenë konkurrues. Tani, më shumë se kurrë, arsimi duhet të vendoset lart në axhendën tonë politike. Kërkon vëmendje të veçantë, një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në Nivelin Evropian kombëtar.

Ne duhet të ndërtojmë një sinergji të fortë midis kërkimit arsimor dhe inovacionit. Një sinergji e tillë është e domosdoshme nëse duam ta mbajmë Evropën të fortë, duke përfshirë këtu edhe fazën e sfidave globale, mposhtjen e një pandemie apo tranzicion të gjelbër dhe dixhital. Bashkëpunimi i fortë me Ballkanin Perëndimor, me Shqipërinë, ka qenë gjithmonë në thelbin e punës sonë dhe punën time personale. Unë kërkoj punë për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe për t’i dhënë atij vrullin e ri në fusha të reja të portofolit tim, duke përfshirë arsimin, kërkimin dhe inovacionin. Sot do të doja të ndaja me ju se si synoj ta arrij këtë.

Së pari, në fushën e transformimit dixhital. Axhenda do të inkurajojë zhvillimin dhe zbatimin e strategjive arsimore dixhitale në rajon dhe mbështet trajnimin e mësuesve. Ne do të vazhdojmë me iniciativa të tilla si mundësia dixhitale e praktikave.

Ne kemi nevojë që të rinjtë tanë të kenë këtë përvojë e cila do të vazhdojë t’u japë studentëve të të gjitha disiplinave, mundësinë për të zhvilluar praktikën që u nevojitet për të pasur përvojën dixhitale të kërkuar nga tregu. Do të nxisë zhvillimin e qendrave rajonale të inovacionit dixhital, diçka që unë e fillova kur isha Komisionere për Dixhitalizimin dhe ajo që do të doja të bëja është të lidhë qendrat e inovacionit dixhital me qendrat e shkencës dhe teknologjisë, për të parë se si Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë, komunitetet e njohurive dhe inovacionit mund të punojnë së bashku.

Axhenda gjithashtu do të sigurojë një mundësi për pjesëmarrje më aktive të rajonit në fushën e arsimit evropian dhe bazuar në nismën e universiteteve evropiane, shpresojmë që të frymëzojë transformimin e sektorit të arsimit të lartë”.

Kryemadhi: Rilindja i urren shqiptarët, pas 25 prillit do të kthejnë një më një çfarë kanë marrë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur në njësinë nr.1 në Tiranë gjatë një takimi elektoral për shembjen tek materniteti ‘’Mbretëresha Geraldinë’’.

Kryemadhi thotë se akti është vepër e mafites pasi po shembet një godinë e cila ka histori dhe memorie emocionale.

Ajo ka kërcënuar se kovën që ngritën mbi maternitetin, do u bjerë mbi kokën e tyre.

‘’Shembja e materniteti vepër e mafias. Pastrim i parave të pista dhe të inceneratorëve.

Rrënim i historisë e memories emocionale. Ata që kanë ngritur kovën e varinskit apo eskavatorit, për ta rrënuar atë godinë, mund të kenë qenë nën efekte komplet të tjera, por kova do u bjerë mbi kokën e tyre.

Rilindja ka një urrejtje për shqiptarët. Pasi shkatërroi mjekët, pensionistët tani po shkatërron dhe memorien. Materniteti, i ndërtuar nga një grup i jashtëzakonshem mjekësh. Pas 25 prillit angazhohemi për rindërtimin e teatrit. Angazhohemi që të gjithë përgjegjësit ti çojmë perpara drejtësie që të kthejnë një më një çfarë kanë marrë.’’- tha Kryemadhi.

Prishja e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”/ Meta: Tjetër sulm kriminal i Ramës kundër historisë

Presidenti Ilir Meta reagon për prishjen e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, duke e cilësuar një ndërhyrje brutale mbi godinën historike.

Sipas Kreut të Shtetit, “ky është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar”.

Reagimi i Metës:

Ndërhyrja brutale mbi godinën historike të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë’’, pa transparencë, në periudhë pandemie, është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar.

Shkatërrimi kriminal i Teatrit Kombëtar, rrafshimi i qindra objekteve me status special e monument kulture, si dhe “zhdukja” e Sahatit pas kullave, janë dëshmi e babëzisë dhe të një gjenocidi kulturor ndaj identitetit të Kryeqytetit tonë, në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimit publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore.

Duke u solidarizuar me qëndrimin e Unionit të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë për çështjen e ndërhyrjes mbi godinën e maternitetit ‘’Mbretëresha Geraldinë’’, u premtoj të gjithë shqiptarëve se pas 25 prillit në Shqipëri do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik.

Albin Kurti: Tani të zgjedhim Vjosa Osmanin, Presidente të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka ngelur hapi i tretë për konstituimin e institucioneve që është zgjedhja e Presidentes së vendit, ndërkaq theksoi se sa më parë do ta marrë detyrën si kryeministër i vendit.

Kurti pas përfundimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së re, para medieve tha se sa më shpejt që të zgjidhet presidente Vjosa Osmani, aq më mirë është për të gjithë, duke qenë se siç tha ai vendi është në krizë të shumëfishtë.

“Kosova është në një krizë të shumëfishtë, nuk besoj që kemi nevojë edhe për një krizë më shumë. Më së miri do të ishte të dalim nga këto kriza. Sa më parë që arrijmë ta thirrim seancën e radhës, pas zëvendësimit të deputetëve që u zgjodhën ministra dhe ta zgjedhim presidenten zonjën Vjosa Osmani aq më mirë për të gjithë. Unë do ta marrë detyrën një orë e më parë, sepse nuk kemi kohë për të humbur, andaj besoj se do të merren të gjitha aranzhimet teknike që nesër paradite ta marr detyrën”, u shpreh Kurti para medieve.

Albin Kurti merr 67 vota në Parlament, profili i Kryeministrit të ri të Kosovës

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës. Me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi për zgjedhjen e Kurtit në krye të ekzekutivit. Në legjislaturën e tetë, LVV do të ketë 58 ulëse.

Ky është profili i Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, publikuar në ueb faqen e lëvizjes Vetëvendosje (pa ndërhyrje)

Albin Kurti është i lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Albin iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti diplomoi në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.

Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë politik e bashkë-themeluan një iniciativë qytetare të quajtur Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ai ishte Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! deri në mars të vitit 2015.

Ai garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në janar të vitit 2018 dhe fitoi. Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Albin Kurti ishte kandidati që fitoi numrin më të madh të votave në vend.

Albin Kurti ka botuar me qindra artikuj, dhe është ftuar të prezantojë në universitete të ndryshme të njohura brenda dhe jashtë vendit.

Ai gjithashtu ka shërbyer si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate.

Albini është i martuar dhe ka një fëmijë.

Kush janë Donika Gërvalla e Faton Peci, dy ministrat e Qeverisë Kurti nga lista e Vjosa Osmanit?

Kush janë dy ministrat e Qevrisë Kurti, të cilët vijnë nga lista e Vjosa Osmanit?

Profili i zëvendësministres së dytë dhe ministres për Punë të Jashtme Donika Gërvalla:

Donika Gërvalla ka lindur në Shkup në tetor 1971. Fëmijërinë e hershme e kaloi në Prishtinë. Pas arratisjes së babait në dhjetor 1979 për t’iu shmangur arrestimit nga policia jugosllave për shkak të veprimtarisë atdhetare, së bashku me nënën dhe dy vëllezërit arratisen në janar 1980 në Gjermani. Pas atentatit të trefishtë në Untergruppenbach më 17 janar 1982, familja Gërvalla vendoset në Tiranë.

Në fëmijëri shquhet për talentin e saj muzikor dhe merr pjesë si soliste në flaut që në moshën 11-vjeçare në koncerte të shumta. Ajo ka studiuar muzikë në konservatoret e Tiranës dhe Hamburgut si dhe drejtësi në Universitetin e Hamburgut.

Në dhjetor 1990 ishte pjesë e protestave studentore dhe në shkurt 1991 e grevës së urisë së studentëve, të cilat çuan në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.

Në shtator 1991 ishte bashkëorganizatore e Referendumit për Pavarësi në Tiranë, organizimin ky që i mundësoi shprehjen e vullnetit qindra qytetarëve të Kosovës që ndodheshin në Shqipëri.

Në qershor 1992 largohet nga Shqipëria për studiuar në Gjermani.

Është anëtare nderi e LDK-së nga shkurti 1991; 1993-1997 ishte nënkryetare, ndërsa 1997-1999 anëtare e kryesisë së degës së LDK-së në Gjermani. Si zëdhënëse e LDK-së gjatë dy viteve të luftës përfaqësoi qëndrimet e Kosovës para opinionit gjerman, në qeveri dhe Bundestag, në TV, radio, gazeta, debate.

Pas një faze të angazhimit pa funksione partiake, në vitin 2015 u zgjodh kryetare e LDK-së në Gjermani. Pas dështimit të përpjekjeve për reforma të brendshme, në vitin 2018 jep dorëheqje dhe largohet përfundimisht nga LDK-ja.

Është e martuar me Stefan Schëarz, ish-deputet i CDU-së në Bundestag. Familja Gërvalla-Schëarz ka gjithsej 5 fëmijë dhe jeton në Bonn, Gjermani.

Profili i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci:

Faton Peci është lindur në qershor të vitit 1982, në Mitrovicë.

Ka përfunduar studimet në Shkenca Politike dhe Filozofi në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, si dhe studimet e nivelit Master në Shkenca Politike.

Ai ka shërbyer si Shef i Stafit në Presidencë; Këshilltar politik i Kryetarës së Kuvendit; Këshilltar i zv/Kryeministrit si dhe Ministrit të Kultures, Rinisë dhe Sportit. Ai ishte gjithashtu konsulent i UNDP-së dhe CDF në projekte që ndërlidheshin me përkrahjen e institucioneve, si dhe konsulent i DFID në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Ai ishte edhe anëtar i Asamblesë Komunale të Mitrovicës.

Peci, sipas biografisë së publikuar në faqen e LVV-së , mbështet politika që promovojnë një sistem të arsimit më cilësor dhe shëndetësi më efikase. Ai gjithashtu do të angazhohet që të mbrojë sovranitetin e vendit.

Skandal tjetër i rëndë me mjekësinë, pas 70 ditësh i thanë se i ka vdekur babai

Tjeter skandal me mjekeisne.
Sipas emisionit BOOM, Anila Zeqiri shtron në spital babain në datën 27 dhjetor 2020 dhe kur kanë kaluar me shumë se dy muaj ajo ende nuk di se ku ndodhet babai saj.

Anila Zeqiri: Unë nuk e di se ku e kam babain. Kam marrë ambulancën për babin dhe e çova në spital, ku me morën emër mbiemër. Ai ka qëndruar nga data 27 deri në datën 10 më kanë thënë që është shtruar në spital dhe unë i çoja ushqime. Pastaj më thanë se nuk ndodhej aty, por ndodhej në Tiranë. Atje më thanë se nuk ishte aty dhe deri më sot kam ngelur kështu pezull. Nuk e di se sa më fshehën. Unë po çmendem se nuk e di nëse është gjallë apo ka ndërruar jetë.

Kur vajza shkon në spitalin e Vlorës për të pyetur se ku ndodhet babai, nuk i jepet informacion.

Mjekët: Ka ikur më 27 dhjetor, 2 herë në Tiranë. Ka ardhur dhe ka ikur sërish atje. Ka qenë në urgjencë dhe është nisur për në Tiranë më 27 dhjetor. Ti mos na kërko babain tënd ti, mos të të zë me dacka!

Familjari: Ju nuk merrni ndonjë kontakt me ata të Tiranës se çfarë ndodh?

Mjekja: Jo nuk kemi kontakte, sepse është spital Covid ai.

Sapo Ministria e Shëndetësisë kupton se ky rast do të behet mediatik kontakton menjëherë familjarët.

Mjeku: Më datë 27 dhjetor më datë 4 pa një çerek ka ardhur nga urgjenca e Vlorës. Më datë 6 janar ka ndërruar jetë dhe është dërguar në morg dhe aty është akoma dhe mbahet në kushte frigoriferike.

Familjari: Pse nuk është njoftuar spitali i Vlorës që ky ka vdekur? Nuk njoftohet në këto raste? Kjo është papërgjegjshmëri!

Pas ndjekjes që emisioni BOOM i bëri këtij rasti familjarët mundën të tërheqin trupin e të ndjerit nga morgu 70 ditë pasi kishte ndërruar jetë.