16.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Covid-19, Komiteti Teknik kërkon kufizime të thella

Dhjetori pritet të jetë një muaj edhe më i vështirë sa i përket sëmundshmërisë nga koronavirusi. Infektimet pritet të arrijnë në 1 mije raste në dite si dhe do të rriten shtrimet në spital.

Parashikimi i zymtë vjen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Anëtari i KTE, dr. Skënder Brataj, tha sot se do të detyrohen të kërkojnë aplikimin r masave të tjera shtrënguese në orare dhe aktivitete të ndryshme.

Sipas tij, situata nga epidemia pritet të përkeqësohet edhe më tepër. Për më tepër, rritja e infektimeve parashihet të shoqërohet me fluks të ri shtrimesh dhe humbje jetësh.

Drejtor i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se në dhjetor numri i të infektuarve mund të arrijë 1 mijë raste në ditë.

“Nga 700-800 raste të ditëve të fundit, do të kemi një rritje 20-30% të rasteve ditore dhe shtrimeve në spital. Dimri, temperaturat e ulëta, lagështia e ajrit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura janë favorizues të përhapjes së virusit”.

Përfaqësuesi i Komitetit Teknik shprehet i rezervuar në lidhje me masat e tjera që parashihet të merren për të parandaluar përhapjen e virusit.

Por Brataj nuk nguron të deklarojë nevojën për të aplikuar kufizimet e tjera, si në orare ashtu dhe në aktivitete të ndryshme.

Po kaq të nevojshme janë edhe rregullat që duhet të zbatohen nga qytetarët.

“Nevojiten kufizime të tjera. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen të zbatojnë rregullat, nëse nuk do të kontrollet infeksioni do të ketë masa të tjera, kufizime të orareve dhe masa siç po aplikojnë vendet e tjera të botës”.

Një nga treguesit kryesorë të përkeqësimit të situatës janë spitalet, dedikuar rasteve të rënda me koronavirus. Në katër spitalet Covid janë të shtruar rreth 500 pacientë, ku 32 janë në reanimacione e prej tyre, shtatë persona janë të intubuar.

Aktualisht 18 mijë e 523 persona janë të sëmurë aktivë. Më të prekurit nga virusi janë 65-70 vjeçarët, grupmosha që ka patur edhe më shumë humbje jete.

Nga fillimi i epidemisë mbi 810 persona nuk kanë mundur t’i mbijetojnë sëmundjes kurse 18 mijë e 849 janë shëruar. Tek të shëruarit nuk përfshihen ata që e kanë kaluar pa bërë tampon dhe pa u kuruar në shtet.

Pse Merkel e dha personalisht lajmin për bllokimin e negociatave?

Nga Red VARAKU

Ajo që befasoi dje më shumë se sa dështimi për të shtatin vit rresht për hapjen e negociatave, nuk ishte vetëm fakti se kjo ishte një shpullë e qartë për qeverinë pa u mbledhur akoma samiti së paku nga dhjetë vende anëtare, por ishte fakti se kësaj rradhe njoftimin për këtë dështim të ri, e dha vetë njeriu më i rëndësishëm i BE, kancelarja gjermane Angela Merkel.

Edhe pse Gjermania ka Presidencën e BE, një njoftim kaq rutinë mund ta jepte kushdo, duke filluar nga Ministri i Jashtëm gjerman dhe duke përfunduar tek ndonjë përfaqësues i Bundestagut, që në fakt ka edhe tagrin të vendosë në lidhje me zgjerimin e BE.

Por, fakti që Kancelarja e shtetit me të fortë të Europës zgjodhi ta jepte personalisht këtë lajm, ka një domethënie dhe simbolikë shumë te madhe, jo vetëm për politikën, por kryesisht për vetë shqiptarët, aq më tepër që kemi hyrë në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Tre janë arsyet pse Angela Merkel e dha vetë personalisht këtë njoftim.

Së pari, për t’i rikujtuar z. Rama se Gjermania dhe personalisht vetë Merkel nuk mund ta harrojë kurrsesi përpjekjen e tij të dështuar për të destabilizuar rajonin, nëpërmjet projektit rus të ndarjes së territoreve dhe idesë së Jugosllavisë së re.

Së dyti, për t’i dëshmuar atij se Gjermania nuk e harron injorimin që ky i fundit i bëri Gjermanisë vjet në qershor, përmes refuzimit të ofertës se z. Wahdepul për të shmangur zgjedhjet pa opozitën dhe për të negociuar krizën që u shkaktua për shkak të përgjimeve.

Së treti, Merkel dëshironte që t’i jepte një mesazh të qartë jo vetëm politikës shqiptare, por vetë popullit shqiptar, se Gjermania nuk do të lejojë në asnjë rast hapjen e negociatave, sa kohë nuk do të plotësohen kushtet e vendosura prej Bundestagut.

Por, të gjithë e dimë se plotësimi i kushteve do të thotë rikthim i Shqipërisë në kornizat institucionale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Pra, BE kërkon largim të këtij kryeministri përmes rrotacionit me zgjedhje të lira, sepse ky lloj presioni është presioni tipik që zakonisht vendet e BE ushtrojnë mbi qeveritë e korruptuara me qëllim largimin e tyre.

Nuk besoj që ka ende njeri që nuk e ka kuptuar që BE me në krye Gjermaninë është e vendosur që të mos bëjë asnjë hap pas në lidhje me kushtet e vendosura prej tyre.

Dhe e thënë pikërisht në prag të zgjedhjeve nga vetë Kancelarja gjermane, ky është një mesazh i qartë dhe i prerë që përgjegjësinë për zhbllokimin e negociatave tani e kalon të gjithën tek vendosmëria dhe vullneti i shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme.

Xhaçka udhëtoi 22 herë me helikopter për mbledhjet e partisë, PD: Një kryeministër normal duhet ta shkarkonte ministren

• Helikopteri udhëtoi 22 herë për mbledhjet e partisë së Olta Xhaçkës”, PD: Një kryeministër normal duhet ta shkarkonte ministren për shpërdorim të detyrës dhe abuzim me fondet

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Prej me shumë se një jave Partia Demokratike ka denoncuar abuzimin me postin të Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka. Që kur është emëruar drejtuese politike e Edi Ramës në Dibër, ajo ka përdorur helikopterin ushtarak për fushatën e Partisë Socialiste në Dibër.

Këtë e kemi denoncuar më fakte konkrete dhe prova filmike.

Deri më sot, nuk ka asnjë sqarim nga Ministrja e Mbrojtjes për qytetarët shqiptarë. Pse Olta Xhaçka duhet të shkojë në mbledhje partie me helikopter dhe pse qytetarët duhet të vuajnë pasojat e këtij abuzimi që kushton mbi 100 milionë lekë.

Vetëm në dy muajt e fundit, për të dërguar dhe për të marrë Olta Xhaçkën nga Dibra, helikopteri ushtarak ka udhëtuar 22 herë nga Farka në Peshkopi dhe anasjellas. Ka patur raste që zonja ministre ka përtuar të shkojë deri në Farkë dhe helikopteri e ka marrë apo e ka lënë poshtë zyrës së saj në Ministrinë e Mbrojtjes.

Olta Xhaçka hesht, edhe pse është kapur në flagrancë në një shkelje, të përsëritur, të kryer në vijimësi, me vetëdije të plotë që i ka kushtuar buxhetit të shtetit mbi 100 milionë lekë.

Edhe Edi Rama hesht, megjithëse abuzimi me detyrën nga vartësja e tij, është flagrant. Më e pakta, që mund të bëntë një kryeministër normal, do të ishte shkarkimi i Ministres së Mbrojtjes për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike për interes privat partiak.

Ministrja nuk flet, pasi e di se ky rast abuzimi i kushton më shumë sesa një vend në qeveri. Edi Rama bën sikur nuk ka parë dhe nuk ka dëgjuar, sepse ka të njëjtën mendësi për luksin e shfrenuar me paratë e taksapaguesve.

Përdorimi i helikopterit ushtarak për punët private partiake të qeverisë ka treguar para shqiptarëve dhe partnerëve se ky rast nuk është vetëm papërgjegjshmëri apo abuzim me fondet.

Ky është një rast flagrant sesi çdo burim i administratës shtetërore vendoset në shërbim të karrikes së pushtetit të një personi të vetëm, Edi Ramës.

Në ekran po shfaqen edhe një herë datat, kur Olta Xhaçka e ka përdorur helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për punët e Partisë Socialiste. Brenda ditës, helikopteri ka shkuar në Dibër, është kthyer, në Tiranë, ka shkuar prapë në Dibër pasdite për ta marrë, pasi ka inspektuar rrugë lokale dhe ka bërë mbledhje partie.

Helikopteri e ka bërë këtë plot 22 herë për 2 muaj. Çdo vajtje në Dibër e Olta Xhaçkës me helikoptërin ushtarak kushton nga 5-10 mijë euro.

Mijëra familje vuajnë sot pamundësinë e blerjes së ilaçeve anticovid, pamundësinë e bërjes së një tamponi që në privat kushton 100 euro, pamundësinë e blerjes apo edhe të gjetjes së një bombole oksigjeni. Ndërsa Ministrja e Mbrojtjes shpërdoron 100 milionë lekë për 2 muaj për udhëtime me helicopter ushtarak, që e përdor si taksi private për fushatën elektorale të PS.

Qindra nëna nuk kanë ç’t’u japin fëmijëve të tyre, nuk i çojnë dot në shkolla, nuk u sigurojnë dot arsimim, ndërkohë që për mbledhje partie në Peshkopi për pushtetin e Edi Ramës, Olta Xhaçka harxhon 10 mijë Euro me helikopter.

Partia Demokratike do ta çojë deri në fund këtë çështje të abuzimit të rëndë me pushtetin dhe me fondet publike.

Qytetarët nuk meritojnë këtë pushtet arrogant, brutal dhe të pandjeshëm. Qytetarët meritojnë një qeveri që punon për interesin e tyre!

Shqiptarët janë vetëm në luftën me sëmundjen dhe ekonominë e rrënuar. Qeveria Rama po punon për vete…

Nga Lulzim BASHA

Shqiptarët janë vetëm në luftën me sëmundjen dhe ekonominë e rrënuar. Qeveria Rama po punon për vete, jo për qytetarët.

Rama e gjunjëzoi ekonominë dhe e rrënoi sistemin tonë shëndetësor këto 7 vjet. Qytetarë si Lina dhe Robert Martini janë ata që po e paguajnë çmimin e papërballueshëm të kësaj katastrofe.

Shqipëria është sot vendi që jep ndihmën ekonomike më të vogël për qytetarët e saj. Pensione nuk rriten, shëndetësia po kolapson, kosto e jetës po rritet, ushqimet dhe ilaçet shtrenjtohen.

Qytetarët Shqiptarë kanë nevojë për një qeveri që punon për ta.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeveri që sheh gjithë kohës interesin personal, por për një qeveri që përpiqet çdo ditë për interesin kombëtar dhe që prin rrugën drejt Bashkimit Europian.

Një qeveri që do të sjellë shpresë për njerëzit.

Jorida Tabaku citon raportin e FMN: Borxhi jashtë kontrolli, buxheti i shtetit të ndalojë çdo shpenzim të panevojshëm!

Sot, ekonomia Shqiptare po vuan si rezultat i rritjes 8 vjeçare të taksave, i abuzumit dhe mungesës së vizionit.

Raporti i fundit i FMN ngriti të njëjtat shqetësime që opozita ka kohë që i ngre:

– Qeveria duhet t’i hapë rrugën mbështetjes vetëm të aktiviteteve esenciale në buxhet dhe të ndihmojë më vulnerabël, përfshirë edhe mos harxhimin e parave për shpenzime jo prioritare duke përmisuar eficencën e shpenzimeve. Kjo është urgjente shpenzimet e buxhetit kanë nevojë për një rishikim dhe përmbajtje të shpenzimeve për të manaxhuar situatën.

– Ndryshimet e vazhdueshme dhe pa bazë të politikave fiskale duhet të shmangen, sepse kanë dobësuar sistemin fiskal.

– Autoritetet duhet të përgatiten në rastin e masave të kontigjencës në rast të një ashpërsimi të situatës nga pandemia.

FMN konstaton se Shqipëri ka pasur një rënie ekonomike që në 4 mujorin e fundit të 2019 dhe arriti në -10.4% në tremujorin e dytë të 2020, ndërkohë që të gjithë treguesit e ekonomisë janë në përkeqësim:

Deficiti buxhetor u zgjerua në gjysmën e dytë të 2020 duke reflektuar rënien e turistëve, eksporteve dhe remitancave, të ardhurat nga taksat gjatë periudhës Janar-Shtator ranë me 10.6% nga viti i shkuar dhe goditjen më të madhe e dhanë taksat e të ardhurave dhe fitim që u prek rëndë (rënie me 29%).

Të gjitha këto lidhen me mungesën e strategjisë së Ramës gjatë pandemisë, me korrupsionin galopant që ka shoqëruar cdo vendim të qeverisë dhe ato në kohë fatkeqësie dhe me mungesën e paketa për ndihmën.

Sot, Shqipëria rendit ndër vendet me borxhin më të lartë i cili rrezikon të shkojë në 88%, dhe ishte pikërisht ky borxh që e pengoi atë të jepte ndihmë në kohën e pandemisë, duke rezultuar në ndihmën kmë të vogël në Ballkanin Perëndimor.

Per vitin e ardhshëm vlera e kontratave të PPP pritet të shkojë në 50% të produktit të brendshëm bruto edhe pse FMN vazhdon të këshillojë alokimin e fondeve për njerëzit në nevojë.

Ndërkohë që në lidhje me fondet e rimëkëmbjes ku ka një korrpsion të lartë thuhet që është e domosdoshme që të sigurohet një prokurim i duhur publik, një mbikqyrje strikte, një monitorim adeguat dhe një raportim i saktë (përfshirë edhe publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit) dhe një audit i pavarur i fondeve që të jetë i jashtëm.

Shqiptarët nuk duan një kryeministër që e kalon kohen ne FB dhe Instagram, por që lufton vërtet epideminë dhe mbështet ekonominë. Një qeveri që do të sjellë shpresë për njerëzit.

Na duhet një duhet nje qeveri që punon për të rindërtuar vendin dhe për të shëruar plagët e ekonomisë të hapura këto 8 vite.

“1 maskë mbrojtëse për mjekët blihet 3 herë më shtrenjtë”, PD: Heshtja e qeverisë nxitje e vjedhjes edhë në kohë pandemie

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ORJOLA PAMPURI

Të dashur qytetarë.

Sot mijëra e mijëra prej jush jetoni në vështirësi ekonomike, në luftë për mbijetesë, të papunë, me pak të ardhura.

Shumë prej jush po përballeni edhe me vështirësitë për të marrë ilaçet anti covid. Të tjerë enden oborreve të spitaleve covid, duke pritur me orë të tëra në autoambulanca me shpresën që do të lirohet një shtrat.

Spitale me kapacitete drejt ezaurimit, ende asnjë masë për të hapur pavionet covid në spitalet rajonalë e për të siguruar stafin e trajnuar apo aparaturat e domosdoshme.

Por ky realitet i vështirë, jeta dhe shëndeti i qytetarëve nuk janë prioriteti i parë për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Kryemiinstri dhe qeveria në ikje kanë si shqetësim kryesor përfitimin, pasurimin në kurriz të shqiptarëve të një grushti njerëzish.

Klanet brenda qeverisë po luftojnë njëri-tjetrin se kush do të gllabërojë tenderin e radhës.

Në kohë pandemie, kur vëmendja e gjthë botës është tek shëndeti i qytetarëve, në Shqipëri vëmendja është se në ç’mënyrë qeveria do ta shfrytëzojë pandeminë për të përfituar nga tenderi i rradhës.

Prej dy ditësh ne kemi bërë publik një rast flagrant të abuzimit dhe vjedhjes së taksave të shqiptarëve në emër të pandemisë, por qeveria vazhdon të heshtë.

Kanë blerë pajisje anticovid me vlerë 3 herë më të lartë, duke skulifikuar ofertat e tjera që ofroninntë njëjtin shërbim me 1 milion euro.

1 maskë mbrojtëse kushton 3 herë më shtrenjtë. Një palë çizme plastike blihen me trefishin e çmimit, sepse qeveria në ikje e Edi Ramës është e babëzitur për të zhvatur deri tek mjetet që mbrojnë mjekët dhe stafin shëndetësor.

Me 3 milionë euro, e cila ishte edhe oferta më e lartë, mund të ishin blerë pajisje mbrojtëse te paktën edhe për 3 spitale të tjerë rajonalë dhe njerëzit e sëmurë nuk kishin pse prisnin ambulancave për një shtrat.

Çfarë duhet të bëjnë njerëzit që qeveria të reagojë dhe të ndalë dorën e hajdutërisënë këtë situatë të rëndë?! Çfarë ka më skandaloze sesa kaq, që qeveria injoron qytetarët e saj rhe nuk u thotë pse 1 maskë mbrojtëse për mjekët blihet 3 herë më shtrenjtë?

Heshtja e qeverisë, heshtja e Ministrisë së Shëndetësosë, heshtja e Edi Ramës që kontrollon gjithçka do të thotë se ata kanë dijeni, e pranojnë dhe e nxisin vjedhjen e shqiptarëve edhe në këtë kohë të vështirë.

Na duhet ta ndryshojmë këtë realitet. Qytetarët nuk janë për t’u injoruar dhe për t’u trajtuar me përbuzje!

Babëzinë, pandjeshmërinë dhe arrogancën e pushtetit do ta largojmë më 25 Prill.

Qytetarët kanë nevojë për një qeveri që punon për interesin e tyre!

Të shtëna me armë pranë një lokali, një i plagosur

Një plagosje më armë zjarri ka ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në qytetin e Lezhës.

Policia ndodhet në vendngjarje, ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet dhe autorët e ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një lokali në autostradën Lezhë-Milot. Sipas të dhënave më të fundit, i plagosur në vendngjarje, ka mbetur shtetasi A. D. 40 vjeç, ndërkohë që nuk ka ende informacio nga policia.

Intervista/Rama sulmon Europën pas refuzimit të negociatave: BE është në krizë ekzistenciale

Ndërsa Bashkimi Europian ka zyrtarizuar qëndrimin për të mos hapur negociatat për anëtarësim të Shqipërisë për shkak të mos përmbushjes së kushteve nga Rama, ky i fundit ka nisur sulmet ndaj BE duke deklaruar se vetë BE është në një krizë ekzistenciale.

ARTIKULLI I FORBES

Rama për ”Forbes”: Mes ambicieve tona shndërrimi në një vend i bizneseve inovative

– Viti 2020 është dyfish i paharruar për Shqipërinë, që dallohet si vendet më pak të prekura nga Covid-19 dhe së cilës i është dhënë statusi i kandidates zyrtare për në Bashkimin Europian, shkruan Sabah Kemel Kaddouri për filialin francez të revistës së njohur ”Forbes”.

Toka e Shqiponjave është në zhvillim e sipër, me një dinamizëm të mishëruar edhe nga kryeministri i saj, Edi Rama. Frankofil dhe artist në shpirt, Edi Rama u fut në politikë “rastësisht”. Sot, ky takticien inteligjent po ndërton një Zonë të Lirë në stilin e Dubait për të marrë pjesën e luanit në tregun shumë të dëshiruar ”Digital Nomad”.

Forbes: Si po e përballon Shqipëria këtë krizë shumëplanëshe në botë? Cilat janë masat tuaja për të mbështetur ekonominë dhe popullatën?

Rama: Shqipëria është një nga vendet më pak të prekura nga Covid-19. Ne e vlerësuam shumë shpejt rëndësinë e situatës duke ndjekur nga afër përkeqësimin e gjendjes shëndetësore te fqinjët tanë italianë. Ne u mbyllëm para shumë të tjerëve. Mbyllja e kufijve dhe pasja nën kontroll e gjithçkaje ishte një sfidë e vërtetë! Përtej çështjes së paprecedent të shëndetit publik, ne nuk kemi dashur të braktisim projektet tona kryesore ekonomike. Në drejtim të modernizimit të infrastrukturës sonë dhe rindërtimit sepse, sa për kujtesë, Shqipëria u dëmtua në mënyrë dramatike nga një tërmet i nëntorit të vitit 2019. Dhe kjo, disa muaj para se OBSH të shpallte emergjencën ndërkombëtare ndaj epidemisë Covid-19, që është shndërruar në një pandemi globale…

Gjatë kësaj periudhe, qeveria jonë vazhdoi të paguante qiratë e popullatës së prekur që duhej të zhvendosej, të financonte rindërtimin e 100 shkollave apo edhe disa prej thesareve tona të trashëgimisë kulturore, të dëmtuara seriozisht. Gjatë izolimit, ne gjithashtu u përqendruam te bizneset duke subvencionuar papunësinë dhe duke mbështetur bizneset e vogla. Këto investime të drejtuara mirë na kanë lejuar të jemi të qetë.

Toka e Shqiponjave priti një numër rekord vizitorësh nga Ballkani, Europa Lindore dhe Italia gjithashtu.

Forbes: Ju jeni kulturalisht shumë afër Italisë. Ka shumë ndikime nga pikëpamja arkitektonike, gastronomike ose gjuhësore.

Rama: Po, Shqipëria dhe Italia kultivojnë një marrëdhënie shumë të veçantë. Çizmja (Italia – shën. i përkth.) është investitori ynë i parë. Italia po na mbështet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ne jemi të angazhuar në një dinamikë të mirë për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. Këtë vit, ne kemi bërë një hap përpara me njohjen zyrtare të kandidaturës sonë, pavarësisht nga një kontekst shumë i ndërlikuar në nivelin global dhe europian… Për ta përmbledhur, më pëlqen të perifrazoj frazën e famshme të presidentit François Mitterrand: ”Shqipëria është atdheu ynë dhe Europa është e ardhmja jonë”. Ne shqiptarët jemi të rrethuar nga vendet që i përkasin të 27-ëve, në fakt thirrja jonë është të vendosim të ardhmen tonë në këtë bashkim. Unë nuk dua ta shoh Shqipërinë të bëhet një objekt zilie për aktorët e fuqishëm që veprojnë jashtë kufijve europianë. Fuqi, të cilat, për më tepër, nuk ndajnë të njëjtat standarde të demokracisë si BE.

Forbes: Siç e dini, aktualisht ka shumë mosbesim ndaj Bashkimit Europian. Euroskepticizmi po fiton terren. Pavarësisht këtij konteksti, Evropa mbetet ende një objektiv i fundit për vendin tuaj?

Rama: Absolutisht dhe unë e pohoj fort këtë. Unë mendoj se midis brezit të ri të europianëve, shumë kanë harruar pse u krijua Bashkimi Europian. Është për të ardhur keq që disa njerëzve u mungon kjo ndjenjë e historisë. Europa ka sjellë paqe dhe prosperitet! Ndërsa shqiptarët, të çliruar nga zgjedha komuniste në vitet ’90, ne e shohim Europën si një vend të lirisë dhe stabilitetit.

Është gjithashtu e dobishme të kujtohet se nëse Europa ka peshë sot, kjo është për shkak se është e unifikuar. Individualisht, si mund të peshonin fqinjët tanë përballë fuqisë së BRICS-it, me Kinën në mendje? Uniteti është forcë.

Sa për këto kriza ekzistenciale që po kalon BE, unë mund të ndaj vetëm vizionin e Emmanuel Macron. Presidenti juaj ka të drejtë që dëshiron të përparojnë 27 vendet përmes ndikimit të ”qarqeve”, si çifti franko-gjerman, sepse fati i këtyre dy vendeve është të vendosin veten në pozicionin e lokomotivës. Mekanizmat duhet të zhvillohen qartë për të kapërcyer bllokimet e kryera nga “vendet e vogla”. Kjo është bindja ime.

Forbes: Shoh se ju jeni duke ndjekur nga afër veprimin e presidentit tonë. Siç e dini, Emmanuel Macron gjithmonë ka pasur ambicien për ta bërë Francën një vend Start-Up. Si punoni për të inkurajuar sipërmarrjen?

Rama: Po, unë jam shumë i interesuar për atë që po ndodh në Francë. Një vend në të cilin kam jetuar, të cilin e njoh dhe me të cilin jam i lidhur. Unë jam gjithashtu i bindur që ne duhet ta marrim këtë kthesë për brezat e ardhshëm. Veprimi im bazohet në disa akse për t’i ofruar Shqipërisë diçka tjetër përveç një horizonti të ashpër në sektorin e prodhimit. Qëllimi është të krijojmë produkte me vlerë të shtuar të lartë për të inkurajuar krijimtarinë, kërkimin dhe zhvillimin midis shqiptarëve. Ne mbështesim fillestarët përmes mekanizmave të ndryshëm siç është një platformë dixhitale kushtuar tyre. Në këtë hapësirë, sipërmarrësit mund të raportojnë bllokime burokratike drejtpërdrejt te qeveria. Ne përqendrohemi në transparencën e jetës politike dhe publike, por edhe në dematerializimin e procedurave profesionale dhe private.

Në të njëjtën kohë, ne jemi në proces të ndryshimit të legjislacionit për të ndërtuar një ekosistem financiar, i aftë për të tërhequr liderë ndërkombëtarë nga teknologjia dhe financat (tregtarët, për shembull) përmes stimujve dhe masave konkurruese. Ambicia jonë është të ndërtojmë një “Zonë të Lirë”, mbi bazën e asaj që mund të ekzistojë në Dubai. Në veçanti, ne jemi duke finalizuar një ligj që synon ”Digital Nomads”, së shpejti ata do të jenë në gjendje të përfitojnë nga një status pa taksa, nga një aeroport i ri ndërkombëtar në qytetin bregdetar të Vlorës, në Rivierën Shqiptare. Toka e Shqiponjave është padyshim një vend ku jeta është e mirë, një nga vendet më me diell në kontinent, një kosto jetese shumë më e ulët sesa e fqinjëve tanë në BE, aq sa shumë pensionistë italianë të vendosen në Shqipëri ku po blejnë një shtëpi të dytë. Kaq shumë përparësi nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së disa kompanive shumëkombëshe, të cilat kanë gjithnjë më shumë gjasa të investojnë tek ne, si për shembull udhëheqësi i industrisë botërore të hotelerisë ”Marriott”.

Forbes: Ju keni pasur rezultate të shkëlqyera në drejtim të përmbysjes së kurbës së papunësisë dhe udhëheqjes së një politike shumë ambicioze për vendin tuaj. Megjithatë, keni ardhur në politikë krejt rastësisht.

Rama: Jam një politikan rastësor! Gjithmonë jam përmbushur nga jeta ime si artist, piktor dhe profesor i Arteve të Bukura, aq sa kurrë nuk kam pasur ambicie për të ushtruar profesionin e kryeministrit! Të qenit në një zyrë gjatë gjithë ditës me telefonata dhe mesazhe të vazhdueshme sigurisht që nuk ishte dëshira ime kryesore. Por, jeta shpesh ka plane të tjera për ju … Unë hezitova për një kohë të gjatë para se të hyja në politikë kur më ofruan një post ministror. Më në fund, u nxita nga ideja e të ndjerit i dobishëm për vendin tim: Shqipëria kishte një të kaluar shumë të vështirë, më e vështira nga të gjitha vendet komuniste, kështu që unë isha i etur të merrja pjesë në rinovimin e saj, në marshimin drejt progresit dhe lirisë. Përgjegjësia e udhëheqjes së qeverisë së vendit është nderi më i madh i mundshëm! Vendi ynë po ndryshon çdo ditë për t’u bërë i denjë për familjen e madhe europiane.

Forbes: Si i keni marrëdhëniet me pushtetin?

Rama: Më parë, kur kam qenë kryetar i bashkisë së kryeqytetit Tiranë, nuk përballesha me të njëjtat përgjegjësi dhe të njëjtat kritika. Puna ime tërhoqi më shumë mbështetje dhe më lejoi të marr çmimin e “Kryetarit të Bashkisë më të Mirë në Botë” në 2004. Sot, si Kryeministër, unë jam më i ekspozuar ndaj jopopullaritetit sepse bëhet fjalë për fillimin e reformave strukturore në nivel kombëtar… Ju duhet të jeni shumë bindës dhe i durueshëm në shpjegimin e meritave të veprimit tuaj. Më në fund, do të huazoj një citim tjetër nga presidenti Mitterrand i cili ka folur, dhe me të drejtë, për ”vetminë e udhëheqësit”.

Ishte e vërtetë dje, është e vërtetë edhe sot.

Refuzim kategorik Ramës jo vetëm për negociatat, DW: Nuk do t’i miratohet as korniza negociuese

Kancelarja gjermane Angela Merkel shpreson që të hapë konferencën ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut qysh këtë vit. Ajo tha se shpreson që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do ta mënjanojnë grindjen e tyre.

“Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha kancelarja në një takim virtual me komisionet e parlamenteve të vendeve anëtarë të BE-së.

“Sa i përket Serbisë, ajo duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet e saj me Kosovën”, tha kancelarja. Ajo ritheksoi edhe njëherë me këtë rast se ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE.

Krahas parlamentarëve të vendeve anëtarë në konferencë virtuale, një lloj bilanci i punës së Gjermanisë si kryetare e radhës së BE-së, e morën fjalën edhe parlamentare nga vendet kandidate. Në emër të Shqipërisë ishte deputetja Rudina Hajdari, e cila në pyetjen e saj se kur do të miratohet korniza negociuese, e falënderoi kancelaren dhe BE-në për programin e Komisionit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për ndihmën në kohën e pandemisë.

Më 7 dhjetor ministrat e Jashtëm dhe të Evropës së BE-së do të vendosin për çeljen zyrtare të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendimi përkatës është marrë në mars të këtij viti. Për shkak të grindjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për përkatësisë historike të maqedonasve, Bullgaria ka paralajmëruar se do të vërë veton për hapjen e konferencë së parë ndërqeveritare.

Ajo që shpresohet për momentin është, sipas vëzhguesve, që së paku Bullgaria të mos pengojë miratimin e kornizës negociuese. Në rastin e Shqipërisë nuk pritet as miratimi i kornizës negociuese, pasi vendi nuk i ka plotësuar parakushtet e vëna nga BE-ja dhe Bundestagu Gjerman.

Barcelona kërkon të marrë Shkodran Mustafin në janar

Shkodran Mustafi është në listën e ngushtë të Barcelonës për blerjet e afatit kalimtar dimëror, i cili hapet në fillim të janarit.

Barcelona ka mbetur pa asnjë qendërmbrojtës tani për tani, pas lëndimit të Clement Lenglet në fitoren e thellë 4:0 kundër Osasunës të dielën në La Liga.

Lëndimi i tij nënkupton se Barça nuk e ka në dispozicion asnjë qendërmbrojtës në këtë kohë, duke qenë se Gerard Pique, Ronald Araujo dhe Samuel Umtiti janë të lënduar po ashtu.

Derisa Lenglet pritet të rikthehet së shpejti, Pique, Umtiti dhe Roberto pritet të mungojnë disa muaj.

Sipas Mundo Deportivos, gazetës së afërt me klubin katalonas, synimi kryesor i Barçës mbetet Eric Garcia i Manchester City.

Por, mundësitë që ta kthejnë atë në klub në janar janë shumë të vogla, prandaj Barcelona është duke menduar të sjellë përforcime nga tjetërkund.

Dy prej emrave më të përfolur janë Shkodran Mustafi i Arsenalit dhe Antonio Rudiger i Chelsea.

Mustafi – mbrojtësi shqiptar i Gjermanisë – sapo është kthyer nga lëndimi, i cili ia ndërpreu formën e mirë që e kishte gjetur nën udhëheqjen e trajnerit Mikel Arteta, pas një sezoni të dobët dhe plot kritika që e kishte nën drejtimin e Unai Emery.