16.5 C
Tirana
E martë, 18 Nëntor, 2025

Gazetari spanjoll: Shtimi i drogës lidhet me zgjedhjet e prillit

Gazetari spanjoll Ferran Barber, i ftuar në Çim Peka LIVE, lëshoi alarmin se mafia shqiptare po mbush malet e Spanjës me kanabis.

Ai tha se grupet kriminale e kanë transferuar atë model kultivimi të drogës nga Shqipëria drejt Spanjës. Sipas tij, situata është alarmante për shkak se Spanja tani po eksperton kanabis nëpër Europë.

“Sikur e thashë, ata bashkëpunojnë edhe me punëtorët lokalë. Marijuana ka gjithmonë e pranishme. Por tani kemi të bëjmë me një model ndryshe sepse po përballemi me grupe të organizuara ndërkombëtare të lidhura me mafian shqiptare. Para disa kohësh në pyjet e pishës u zbuluan gati 60 mijë bimë kanabisi.

Bëhet fjalë për organizime paraushtarake. Rojet janë të armatosur. Ata bëjnë gropa ku fshehin pompat e ujit. Sigurojnë ushqime për muaj të tërë. Jetojnë në kampe prej kohësh pa dalë. E njohin zonën shumë mirë, çka sugjeron se edhe banorët vendas janë duke bashkëpunuar me ta.

Plantacionet nuk dallohen nga helikopterët dhe dronët pasi janë të fshehur në kodra”, tha Barber.

Ai lëshoi edhe alarmin se kjo drogë po shtohet pasi ka lidhje me zgjedhjet e prillit në Shqipëri.

“Zgjedhjet në prillin tjetër janë të lidhura me këtë. Mafiozët duhet të bëjnë shumë para që të mbajnë lidhjet e tyre me njerëzit në pushtet, me kumbarët e tyre. Është shumë e vështirë për policinë spanjolle që të gjejë lidhjet e tyre.

Mafia shqiptare tani po përpiqet që të punojë në nivel industrial. Ky është krim dhe këtë krim duhet ta luftojmë”, tha ai.

Shqiptarët të pambrojtur nga variantet e reja të Covid-19!

Nga Bardh SPAHIA

Rritja e orarit kufizues është vetëm një nga elementët e kontrollit ndaj Covid-19, pjesë e detyrimit dhe sakrificës qytetare për të shmangur infektimin.

Por cka bie në sy si zakonisht është mungesa e masave parandaluese, mbrojtëse për kontrollin e prekjes së vendit tonë nga varianti i ri i koronavirusit.

Të gjitha vendet europiane dhe jo vetëm, përfshi edhe fqinjët tanë kane marre masa te forta, si dhe kanë shtuar kontrollet në pikat kufitare. Në këtë situatë Shqipëria gjendet krejtësisht e papërgatitur dhe pa asnjë plan. Akoma sot autoritetet shqiptare nuk kanë ndërmarrë asnjë hap edhe pse nga vendet e prekura ku ende udhëtohet po mbërrijnë emigrantët shqiptarë që do kalojnë festat pranë familjeve.

Kufizimi i orarit të lëvizjes është një sakrificë e madhe për qytetarët e bizneset shqiptare e cila do shkojë kot nëse nuk integrohet me masat e shumta që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse qeveritare! Duhen marrë masa të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse, pikësëpari duke hartuar një strategji dhe plan veprimi serioz për të evituar infektimin me format e reja të Covid-19. Dështimi i qeverisë dhe autoriteteve shtetërore në këtë drejtim kushton jetë!

Basha takon nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të Preshevës dhe Medvegjës

Pata kënaqësinë të prisja sot nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci, anëtarin e Asamblesë në Komunën e Medvegjës, Muharrem Salihun, Alban Salihun nga Forumi Ekonomik i shqiptarëve në Serbi dhe Sami Salihun nga Asambleja e Preshevës.

Një vend të veçantë zuri në këtë takim procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila është më masive në Medvegjë, por po shtrihet me shpejtësi edhe në Preshevë dhe Bujanovc.

Kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, sepse nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të ndryshojë struktura etnike e Luginës së Preshevës. Ajo çfarë po bën Serbia është spastrim i pastër etnik.

Shqipëria ka humbur një mundësi gjatë drejtimit të OSBE-së, për ta trajtuar këtë çështje tejet të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në këtë mënyrë humbasin çdo të drejtë.

U shpreh miqve nga Lugina e Preshevës vendosmërinë time menjëherë pas marrjes së detyrës së Kryeministrit, për ta trajtuar me prioritet dhe në çdo institucion ndërkombëtar këtë çështje, e cila është shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Një vend të veçantë zuri dhe Kosova dhe përpjekjet për të dëmtuar luftën e drejtë për liri të UÇK.

Askush nuk mund ta përbaltë luftën e drejtë të UÇK, dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mos rishkruhet historia, ku agresori të kthehet në viktimë, siç po përpiqen ta shesin sot.

Shqipëria do të miratojë në seancën e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, rezolutën që dënon krimet serbe në Kosovë, si dhe do të heqë të gjitha barrierat mes dy vendeve, duke nisur me traun e rrugës Durrës-Kukës.

Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më të rëndësishëm mbështetës dhe koordinues mes shqiptarëve, për të mirën e përbashkët që është zhvillimi ekonomik, integrimi euroatlantik dhe forcimi i faktorit shqiptar kudo ku jeton e punon.

Ministria bleu Favipavirin 3 herë më shtrenjtë se në Europë, Berisha: Vjedhje taze e Ndrikull Hajnisë

Ish-Kryeministri Berisha, duke u bazuar në një shkrim investigative gazetaresk, ka denoncuar edhe njëherë blerjen me çmim tre herë më të lartë të medikamentit Favipavir nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Berisha e quan këtë vjedhje si taze të Ndrikull Hajnisë dhe mafiozit të saj Joti, duke nënkuptuar ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe drejtorin e QSUT-së, Enkelejd Joti.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Nje vjedhje taze e Ndrikull Hajnise dhe mafiozit te saj Joti!

Gazetari investigativ i kap ata me presh ne dore!

Ndrikull Hajnia dhe Mafioz Joti blejne me çmim tre here me te larte ilacin Favipavir, i cili nuk eshte lejuar te perdoret kunder covid 19 ne Bashkimin Europian dhe SHBA.

Ndrikull Hajnia dhe Mafioz Joti ne tenderin e tyre blejne nje pakete me 34 kokrra Favipavir 200 mg kokrra me 10.725 nderkohe qe ne tregun nderkombetar kjo sasi kushton vetem 3500 lek.

Denoj me ashpersine me te madhe kete akt te paster korruptiv te Ndrikull Hajnise dhe Mafiozit te saj Joti dhe u bej thirrje mjekeve te mos perdorin per eksperiment ne te semuret produktet e vepres penale te Ndrikull Hajnise dhe Mafiozit te saj Joti.

Per hollesi ju ftoj te lexoni te plote ne linkun e meposhtem artikullin e gazetarit investigativ te portalit te mirenjohur Bold News. sb

https://boldnews.al/…/piruetat-e-drejtesise-se-re-per…/

Zëri i Amerikës: Ekspertët në Shqipëri kundër Buxhetit 2021: Nuk është realist…

Në Shqipëri buxheti i vitit 2021 ka marrë vëmendje të veçantë si pasojë e momentit të vështirë ekonomik që po kalon vendi, për shkak të tërmetit të një viti më parë dhe pandemsë së Kovid 19.

Qeveria thotë se ka hartuar një buxhet ambicioz që parashikon rimëkëmbje të ekonomisë. Ekspertët janë skeptikë dhe thonë se, optimzimi i qeverisë, sikur të ishte një vit normal, nuk ka asnjë bazë reale.

Pak kohë më parë pjesë e këtij debati u bë dhe Presidenti Ilir Meta i cili e ktheu për rishqyrtim në Parlament projektbuxhetin e vitit 2021, me arsyen kryesore se nuk merr në konsideratë pasojat e pandemisë ndërsa shumica qeverisëse e rrëzoi dekretin, duke e cilësuar të pambështetur këtë argument.

Shqipëria po mbyll një vit tejet të vështirë ekonomik pas goditjes së dy krizave të njëpasnjëshme, ajo e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e Kovid 19 e cila ende vijon. Kjo situatë ka sjellë parashikimet e qeverisë, të FMN dhe BB për rritjen ekonomike që variajojnë nga afërsisht – 6% në minus -9% nga 4.1% që ishte parashikuar për vitin 2020. Rritja ekonomike në buxhetin e vitit 2021 parashikohet me 5.5%, ndërsa prtishmëritë e FMN janë 4%.

“Është një buxhet i cili duket që nuk është realist, ka të ardhura të fryra, shpenzime të fryra, sidomos investime të fryra. Pra në vitin 2021 qeveria ka parashikuar nivelin më të mirë të mbledhjes së të ardhurave tatimore në historinë e tranzicionit, gjë që nuk ndodh në një periudhë normale dhe jo më në periudhë krize”- i tha Zërit të Amerikës Neritan Sejamini, Drejtues i emisionit “Me pak fjalë” në Euronews Albania.

Të ardhurat parashikohet të rriten me 10% krahasuar me 2020-ën, me një peshë me 18.3% në PPB, duke ruajtur një mesatare të viteve të fundit. Ekspertët thonë se, krizat i përkeqësojnë treguesit ekonomikë. Ndërsa qeveria mendon se, përmes nismave fiskale të cilat ulin disa detryime për biznesin e vogël që përbën rreth 90% të totalit të binzesve, do të çlirojë në konsum afërsisht 50 milionë dollarë. Optimizmi i qeverisë mbështetet edhe në ruajtjen e nivelit të investimeve, në uljen e informalitetit apo dhe në shtyrjen e pagesës prej 45 milion dollarësh për kontratat e partnerieteve publike private për të ardhmen, që përbën rreth 1 të tretën e detyrimit vjetor të qeverisë për këto kontrata.

“Ne projektojmë buxhete në bazë të kalkulimeve tona dhe të disa parakushteve. Masat e marra mund të nxisin konsumin vitin tjetër. Thamë investimet publike nuk u ndërprenë këtë vit, dhe vitin tjetër shkojnë në 121 miliard lekë, është 7.2% e PBB, niveli i investimeve në vitin tjetër, në rindërtim, infrastructure. Sigurisht të gjitha këto do të përkthehen në rritje ekonomike, sepse do të rritet edhe punësimi, do të rritet edhe konsumi”- tha për Zërin e Amerikës Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Eksperti Adrian Civici, vlerëson pozitivish disa aspekte të buxhetit për vitin e ardhshëm, si rritjen e buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë, synimin për të ulur borxhin publik nga 80.1 në 78.6%, por shpreh shqetësim, se disa elementë në buxhet lidhen me zgjedhjet e pritshme politike te 25 prillit.

“Në Shqipëri është bërë traditë që gjithmonë vitet elektorale nuk kanë rezultuar pozitive për ekonominë, dhe nga ana tjetër politika shqiptare i përdor, sidomos instrumentin e taksave, si element elektoral për të joshur kategori të ndryshme sociale apo biznese. Mendoj që dhe këtë vit ky fenomen është evidentuar”- argumentoi për Zërin e Amerikës Adrian Civici, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Zyrtarët i mohojnë zërat kritikë se buxheti optimist lidhet me qëllime elektorale, dhe thonë se politikat e uljes së taksave apo të rritjes së pagave duke veçuar ato me 40% për personelin shëndetësor apo dyfishimin ndihmës ekonomike, janë vijim i politikave të mëhershme. E megjithatë ekspertët janë kritikë.

“Të krijohet ideja sikur mund të kemi një shoqëri pa taksa. Dhe kjo politikë taksash që propozojnë të dyja palët si qeveria ashtu dhe opozita nuk ka asnjë mundësi që të mbijetojë në një kohë afatgjatë. Jam i bindur që kushdo të vijë në qeverisje në prill të 2021-it, do t’u duhet t’i rishikojë këto premtime taksash dhe t’i ndryshojë përsëri”-u shpreh Neritan Sejamini, Drejtues i emisionit“Me pak fjalë” në Euronews Albania.

FMN ka qenë mjaft e rezervuar në parashikimet për vitin e ardhshëm dhe kërkon kujdes nga qeveria, nëse borxhi publik rritet në 88% nga 80.1 që pritet të jetë në fund të vitit. Ministrja e Financave Anila Denaj nuk shpreh shqetësim për këtë skenar të FMN.

“Ky është një skenar që nuk do të aprovohej në parlament. Por nuk do të shkojë një skenar i tillë. Nëse të ardhurat nuk materializohen ne i rishikojmë të ardhurat siç kemi bërë këtë vit. Bllokojmë disa shpenzime në infrastrukturë, rialokojmë PPP, çdo gjë do të shtyhet por ne nuk do të rrezikojmë rritje borxhi dhe mungesë likuiditeti”- shpjegoi Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Por ekspertët kanë pikëpyetje për një buxhet të hartuar në kushte të vështira ekonomike, kur kriza e Kovid 19 vijon dhe pasojat e tërmetit kanë lënë një faturë mbi 1 miliard euro.

“Ajo që edhe shumë ekspertë të tjerë e kanë vënë në dukje, është një buxhet pa skenar alternativ, në sensin që mund të presim edhe në janar edhe në shkurt ngjarje të tjera, dhe mund të jemi të detyruar që duke filluar që në tremujorin e parë të kalojmë në rishikime të buxhetit”- u shpreh Adrian Civici, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Pandemia e Kovid19 në Shqipëri është në pikun saj. Infektimet janë shtuar. Numri i viktimave është rritur 3 herë në krahasim me muajt e verës. A rrezikon ekonomia shqiptare një mbyllje të dytë pas asaj në pranverë, dhe a bën pjesë kjo në skenarët e qeverisë.

“Një mbyllje tjetër do të ishte një skenar shumë i vështirë. Si qytetare që jetoj përditë në këtë vend mendoj që kujdesi për parandalimin e infeksionit është shtuar. Dalja e vaksinës në disa vende, nisma që ka marrë qeveria shqiptare për ta siguruar atë, janë masa, që besoj se do të ulin infeksionet, por mbi të gjitha do të ulin dhe rrezikun për mbylljen e plotë të ekonomisë”- tha Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Pavarësisht gjithë skenarëve të pritshëm për vitin 2021, një gjë është e sigurt që Shqipëria po mbyll një prej viteve më të vështira me një rritje ekonomike – 6%, pas vitit 1997 kur rritja ekonomike ishte -10%. Projekti buxhetor ambicioz i qeverisë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e saj me 5.5% shihet më skepticizëm nga ekspertët që parashikojnë një rimëkëmbje në rastin më të mirë pas 3 apo 4 vitesh.

Degjenerimi i këtij shteti kuptohet thjesht nga fakti që policia ushtron dhunë në mes të rrugës, e pastaj…

Nga Ergys MERTIRI

Kam qëndruar larg mediave këto ditë (përveç dy-tre prononcimeve sa për të dhënë shpjegimin tim mbi ngjarjen), për shkak edhe të pamundësisë për t’iu përgjigjur të gjithave, por për shkak se nuk e kam me qef të shfaqem në pozicionin e viktimës që ankohet, pavarësisht se këtu ka vend për të bërtitur fort. Veten e shikoj si komentues lajmesh, ngjarjesh e fenomenesh dhe nuk më pëlqen aspak të jem unë vetë lajmi.

Në këto kushte, do të preferoja t’i referohesha ngjarjes, duke parë në të një fenomen përtej rastit në vetvete.

Për të gjithë ata që kanë qenë të shqetësuar, më duhet të sqaroj se nuk kam qenë i dhunuar fizikisht, në asnjë moment. Sigurisht, jam shtyrë e fyer nga policët, në mënyrë fare të pahijshme, madje edhe të turpshme për ta, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi thelbësore. Megjithatë ndjehem i dhunuar, pasi, ndonëse nuk më goditën mua, janë dhunuar miqtë e mi në syrin tim duke u goditur kafshërisht pikërisht nga njerëz me uniformë që përfaqësojnë shtetin, e që janë aty për të kundërtën, për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve.

Degjenerimi i këtij shteti mund të kuptohet edhe thjesht nga fakti që policia ushtron dhunë në mes të rrugës, e pastaj na rrëmben telefonat, në mënyrë krejtësisht të paligjshme, për të fshirë provat e dhunës që ne kishim filmuar. Pra kemi të bëjmë me një polici që vepron tinësisht duke u përpjekur të fshehë dorën pasi ka hedhur gurin! Është e njëjta polici që arreston adoleshentë protestues, nëpërmjet punonjësve të saj të infiltruar (si kalecë) brenda protestës, e duke i dhunuar më pas barbarisht për t’i frikësuar që të mos protestojnë më. Ky shtet ka frikë nga reagimi i adoleshentëve! Pa koment.

Kam qenë prezent në komisariat, kur është goditur Astrit Seranaj, brutalisht, nga një punonjës policie dhe kam parë gjakun në fytyrën e Donald Martinajt, shkaktuar nga kambalja e kolegut të tij. Bashkë me ta jam përballur me provokacionet e një oficeri të policisë gjyqësore, i cili, krejt në të kundërt me detyrën e tij, u përpoq të na intimidojë e frikësojë, për të na demoralizuar që të mos reagojmë ndaj dhunës së ushtruar.

Them se ia vlen të ndalem pak tek fytyra e këtij lloj punonjësi policie, pasi aty shteti del më zbuluar se kduo, dhe se janë pikërisht këta lloj policësh arsyeja kryesore se përse kasapët me uniforma sillen si egërsira me qytetarët. Dhuna fiton krahë, pikërisht sepse janë pikërisht këta që fshehin provat, shtrembërojnë faktet dhe ushtrojnë presion mbi viktimat, për të mbrojtur paudhësitë e kolegëve. Ata janë fytyra më e shëmtuar e shtetit.

Pas dhunës së ushtruar brenda në korridorin e komisariatit, një punonjës i tillë vjen të na intimidojë duke na treguar sesa keq paskeshim qenë futur ne në telashe nga mosbindja e treguar. Kujtoj që Astriti nuk kish bërë asgjë, përveç se kish shprehur pakënaqësinë e tij për një gardh të pakuptimtë të vendosur nga policia në pedonale, ndërsa unë dhe Donaldi, nuk kishim bërë asgjë përveç se kishim filmuar shoqërimin e dhunshëm të tij. Kur i fola për dhunën e ushtruar, zotëria në fjalë u përgjigj në mënyrë ligësisht ironike se gjaku në fytyrën e Donaldit, dukej plagë e vjetër, e cila nuk ish shkaktuar nga policia.

I kërkova zotërisë të më shpjegojë se ku e gjen kurajën për të vënë në dyshim dëshminë tonë, kur nuk ka asnjë kompetencë për të gjykuar, për sa kohë nuk ish ekspert mjeko-ligjor. Në mënyrën më të trashë mu përgjigj se këtë përfundim e arrinte nga përvoja e tij me raste të dhunuarish. Përvoja e tij, në fakt, dukej se ishte eksperiencë diabolike në shtrembërime faktesh dhe përdorime të turpshme të funksionit për rëndimin e kushteve të viktimave. Nga cinizmi policor i përdorur në formulimin e fjalive, shfaqej njëfarë kënaqësie perverse, e ardhur nga fakti se zotëria ndjehej me pushtet brenda atij territori, e për pasojë, edhe superior në inteligjencë. Kjo ndodh përgjithësisht me të gjithë ata që, në fakt, superioritetin e fitojnë vetëm nëpërmjet dhunës.

Në këto kushte, i tregova zotërisë një kamerë në fund të korridorit, e cila ishte dëshmitare e asaj që ne po pohonim, dhe rrjedhimisht edhe i marrëzisë që ai mbronte. Kjo e tërboi. Filloi të ngrejë zërin, duke iu kërkuar kolegëve të na procedojnë për mosmbajtje maske kundër kovidit. Po fliste këtu me zërin e vërtetë, atë të liderit të birrucës. Duke ia kthyer me ironi, i thashë se jemi në komisariat dhe jo në gjendje të lirë, për të na gjykuar, por mu drejtua, në mënyrë kërcënuese, duke më thënë: Ty të kemi parë në kamera që ke qenë pa maskë në momentin e shoqërimit.

Situata filloi të bëhej komike. I kërkova zotërisë të zbatojë menjëherë urdhërin dhe të na vendosë gjobë. Kokoshi i uniformave blu u katandis në një thelë, dhe krimi ynë mbeti në 30 mijë lekë të vjetra! Shteti i zotërisë u shfaq pa brekë, në tërë mjerimin e tij, si një organizatë dylekshe lapangjozësh që, aq kanë në dorë të të bëjnë keq. Ishin për t’u mëshiruar.

Sigurisht, jo të gjithë policët janë njësoj dhe patjetër që ka njerëz të drejtë, të ndershëm e profesionistë brenda strukturave të policisë. Çështja është se ajo sot sundohet nga një frymë banditeske e motivuar politikisht nga një pushtet i dalë binarësh. Për pasojë institucionet e rendit janë politizuar dhe pushtuar nga njerëz me frustracione militanteske, të cilët e përdorin atë në shërbim të pushtetit që i ka vënë në atë detyrë. Janë pikërisht këta elementë halabakë, të rekrutuar në emër të asaj që rilindja e quan “Policia që duam”, të cilët po prodhojnë, jo vetëm një shtet policor e represiv, por një armiqësi të policisë me qytetarët.

Tre ditë para shoqërimit tim në rajon, bëra një shkrim të gjatë për të shpjeguar këtë realitet si një fenomen psiko-social. E preka me dorë gjithçka më pas në realitet. Egërsia në fytyrat e shumë prej policëve në atë komisariat mund të shpjegohet vetëm me antagonizmin e rrezikshëm që pushteti ka ushqyer tek një pjesë e mirë e strukturave policore. Ky antagonizëm po shkon drejt një lloj polarizimi dhe urrejtje të ndërsjelltë, e cila është e rrezikshme për çdo shoqëri. “Policia që duam”, është bërë në realitet policia që nuk na do, që na urren e na masakron. Kjo është paradhoma e çdo diktature, apo qelia e çdo demokracie.

Aktori Mehdi Malkaj: Nuk kemi ndërmend ta ndërpresim protestën! Policia jonë të rreh me dashuri…

Mbrëmjen e sotme po mbahet në ambientet e Pedonales në Tiranë protesta e dytë e Alencës për Mbrojtjen e Teatrit. Protesta vjen si shprehje e revoltës paqësore ndaj shoqërimit të dhunshëm pa shkak të 4 anëtarëve të Aleancës mbrëmjen e ditës së diel.

Në një prononcim të shkurtër për FaxNews aktori i njohur Mehdi Malkaj, u shpreh se ata nuk i kanë ndërprerë ndonjëherë protestat ndaj dhe do të vijojnë të luftojnë për të drejtat qytetare.

Malkaj tha me ironi se policia jonë është ndryshe nga policitë e tjera në botë pasi të rreh me dashuri.

“Ne nuk e kemi ndërprerë ndonjëherë protestën, as kemi ndërmend ta ndërpresim, vetëm nëse ndodh një fuqi e jashtëzakonshme. Policia jonë të rreh me dashuri, gjë që s’e kanë polictë e tjera, se përpara se të të rrahë të tërheq një herë zvarrë”, tha Medi Malkaj.

Anglia nën ethet e koronavirusit të ri, rriten fríkshëm rastet e reja

Gjatë 24-orëve të fundit në ishull janë regjistruar 33,364 raste të reja si dhe 215 humbje jete.

Nëse bëjmë një retrospektivë të rasteve të reja të zbuluara ditët e fundit shohim që shifrat kanë pësuar një rritje të konsiderueshme, gjë që mund të lidhet dhe me infektueshmërinë më të lartë të mutacionit të ri të Covid-19.

Ditën e djeshme autoritetet në Britaninë e Madhe raportuan shifrën rekord prej 35,928 rastesh të reja, ndërsa të shtunën u raportuan 27,052 infektime.

Studiuesit pohojnë se mutacioni i ri i Covid-19 është shfaqur për herë të parë në shatator kur shifrat e infektimeve ishin në nivele të ulta me një mesatare prej 3000 infektimesh të reja ditore.

Ekspertët thonë se variantin e ri të koronavirusit e kanë hasur tashmë në shtete europiane si Italia, Holanda, Danimarka dhe Austria.

“Spiegel” shkrim për arrestimin e nipave të deputetit të PS: Dy nga lordët më të mëdhenj të drogës në Europë

Një operacion dyvjeçar i policisë në bashkëpunim me autoritetet belge ka vënë në pranga 9 persona, të konsideruar si drejtues të një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike të llojit kokainë nga Amerika Latine, drejt Bashkimit Evropian.

Në pranga në kuadër të këtij operacioni ka rënë edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, shtetasi Ramazan Rraja, jo pak i njohur për autoritetet shqiptare.

Ramazani nuk është i vetmi nga familja Rraja i përfshirë në këtë grup kriminal, pasi raportohet se është arrestuar edhe shtetasi Fioralb Rraja.

Ndërkohë në pranga janë vënë edhe Musa Gjikola, Genti ose Flamur Balliu, Bledar Pepaj dhe Fatmir Xheçuka.

Revista më e madhe gjermane, Spiegel, shkruan se 17 personat janë arrestuar në Bruksel dhe Antverp të Belgjikës. Mes të arrestuarve janë edhe dy nga bosët më të mëdhenj të drogës në Europë, shkruan revista.

Operacionet vendimtare për këtë operacion janë marrë nga policia gjermane. Karteli shqiptar e merrte drogën nga Amerika Latine dhe e shpërndante në Europë.

Gjatë operacionit policor u kapën edhe mijëra euro dhe 187 kg kokainë.

Hetuesit gjermanë kishin rënë në gjurmë të kësaj bande kur kapën një sasi kokaine në Bavari. Kokaina vinte bashkë me bananet dhe u shpërnda nëpër disa supermarkete në kutitë e bananeve.

Sipas hetuesve, grupi e trafikonte drogën nga Ekuadori drejt Gjermanisë në kutitë e bananeve.

Artistët vijojnë protestën, Budina mesazh Lleshajt: Je në fokusin tonë se ishte ti që shembe Teatrin 

Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit vijon protestën para Ministrisë së Brendshme që nga momenti i shoqërimit të aktivistëve nga efektivët e policisë. Regjisori Robert Budina foli për Fax News duke thënë se në rrugica shitet çdo ditë drogë, por efektivët merren me artistët. Ndërkohë i dha një mesazh të qartë ish ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj duke i thënë se nuk ka mbetur jashtë fokusi pasi sipas tij, është përgjegjës për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Robert Budina: Pavarësisht se teatri kombëtar u rrëzua me ne brenda, ishte arsyeja që kryeministri të legjitimohej. Nisur nga ky precedent, pretendojmë se edhe kjo që po ndodh sot, jemi të bindur që me këmbënguljen tonë dhe duke i treguar shqiptarëve që po jetojmë në diktaturë dhe duke u thënë që japim shembullin tonë që të sensibilizohen dhe kur të vijë dita, t’ia tregojnë me votë.

Në çdo rrugicë, shitet kollaj fare drogë dhe policët nuk janë aty, por këtu për të na ndaluar neve. Ky drejtor policie me të cilin Shqipëria ka njohur periudhën më të errët, është një polici politike që është e interesuar për protestat.

Shikoni si një ish-ministër i Brendshëm që denigron policinë. Ne do të vijojmë me protestat tona se ka të bëjë dhe me denoncimin e shumë aferave korruptive të Teatrit Kombëtar dhe do të bëjmë ndjekje penale të policëve që prekën artistët.

Ish-ministri që mendon se ka dalë jashtë fokusi, është në fokusin tonë se ishte ai që shembi Teatrin Kombëtar. Protesta jonë nuk është thjesht fizike, por edhe institucionale sepse të drejtat e njeriut po shkelen.