14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Teliti: 670 mijë pensionistë në rradhë të dëshpërua për shpërbëimin qesharak të qeverisë. Për 7 vjet u lanë në rrënim ekonomik

Rama, një histori 7-vjeçare dështimesh e premtimesh të rreme. Në rradhë e të dëshpëruar, 670 mijë pensionistë shqiptarë të mbetur në mëshirë të një shpërblimi qesharak prej 50 mijë lekësh.

Të patrajtuar financiarisht dhe të harruar nga qeveria e klientelës, pensionistët janë të detyruar të presin lëmoshën e qeverisë. Shqipëria ofron ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj – më pak se çdo vend i botës.

Për 7 vite, Rama u ka sjellë shqiptarëve vetëm rrënim ekonomik, rritje të kostos së jetesës, shtim të papunësisë dhe rrënim të sistemit shëndetësor. Kosto e jetesës po rritet çdo ditë. Këtë vit çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.7%, duke shkaktuar një humbje të fuqisë blerëse të pensionistëve prej rreth 100 mijë lekësh të vjetra. Pensionistët e shohin këtë shtrenjtim të jetesës kudo, në supermarkete, dyqane ushqimore, në farmaci.

Kjo është e turpshme! Boll më me Ramën!

Gjëja e fundit që i intereson atij dhe qeverisë së tij jemi ne qytetarët e Shqipërisë. Pas 7 vite dështimesh, ajo që mund të ofrojë Rama gjithnjë e më shumë dështime. Është koha për ndryshim. Ndryshim për pensionistët, të rinjtë e të rejat, bizneset, ata që kanë humbur vendin e punës dhe ata që mezi po e mbajnë punën. Ndryshim për të gjithë shqiptarët që duan një jetë më të mirë.

Është koha që më #25prill të nisim një kapitull të ri të udhëtimit tonë të përbashkët!

Deklarata e tmerrshme e Ramës në vitin ’95!

Ish-Kryeministri, Sali Berisha ka rikujtuar një shkrim të publikuar pak kohë më parë në “Syri.net” (`Rama: Kush thotë se, shqiptari nuk duhet ta shesë shqiptarin te i huaji, është derr nacionalist!), ku evokohet një intervistë e Edi Ramës botuar në 8 tetor 1995 në gazetën “Koha Jonë”.

“Kjo është moto e jetës së tij. Askush nuk mund ta akuzojë se e fsheh urrejtjen për shqiptarët!”, shkruan Berisha.

Edi Rama gjatë këtyre 8 viteve që ka qenë në pushtet, sa herë që ka dashur që të fajësojë opozitën për raportet skandaloze të ndërkombëtarëve që pasqyrojnë situatën reale të vendit, ka përdorur rëndom një parullë: Unë nuk e shaj kundërshtarin politik dhe Shqipërinë në gjuhë të huaj!

Faktikisht ai inskenon dhe prodhon lajme të rreme në gjuhën shqip, të cilat që në mënyrë të rrufeshme përkthehen në serbisht, siç po bën aktualisht me sulmet ndaj Lulzim Bashën për Kosovën, por edhe “djegja” që i shkaktoi fjalimi i Vjosa Osmanit në parlament, e cila la të kuptojë se kryeministri i Shqipërisë nuk duhet të luajë me dy porta me armiqtë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Por çfarë mendonte (jo për sharjen), por edhe për shitjen e shqiptarit nga shqiptari te të huajt, Edi Rama, 25 vite më parë?!

Në një intervistë të dhënë në atë periudhë (8 tetor 1995)  për gazetën “Koha Jonë”, kur u pyet se si do t’i përgjigjeshit atyre që thonë se sidoqoftë shqiptari nuk duhet ta shesë shqiptarin tek i huaji, ai me bindje të fiksuar deklaronte se ata që mendojnë kështu janë derra nacionalistë.

Duket se kjo bindje e rrënjosur herët që në rini, e ka shoqëruar Ramën, edhe në bisedat e shumta sekrete dhe të hapura me mikun e tij të ngushtë Aleksandër Vuçiç dhe të tjerë, që ende nuk kanë dalë në skenë.

“Të thuash që “shqiptari nuk duhet ta shesë shqiptarin tek i huaji” do të thotë të jesh një derr i padurueshëm nacionalist, një individ i rrezikshëm për ardhmërinë e shoqërisë ku jeton, sepse bota nuk ndahet në shqiptarë dhe të huaj, të paktën bota e njerëzve. Asnjë e keqe nuk i ka ardhur botës së njerëzve prej komunikimit, prej përzierjes së kulturave, gjuhëve, racave. Përkundrazi. Por ja që dashnorët perversë të Shqipërisë, hije të dala nga dosjet e zeza të së kaluarës, masturbatorët e vonuar që i janë qepur pas karvanit të  mpakur e të mplakur të pushtetit, intelektualët me emrin e fituar në marshimin triumfal të diktaturës, kërkojnë të na imponohen si profetë të demokracisë duke zgjatur bërrylat mbi sofrën e kombit dhe duke ju hakërryer me terma inkuizicionale kujtdo që nuk mendon si ata. Zoti ua ndaloftë dorën kur do t’ju duhet të dorëzojnë çiftet në mbarim të këtij sezoni të fundit të gjuetisë së tyre të neveritshme!”, deklaronte Rama në vitin 1995.

Pensionistët në radhë të gjata për të marrë shpërblimin e qeverisë

Gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin ka nisur shpërndarja e shpërblimit të Vitit të Ri për pensionistët, e cila do të jetë në vlerën e 5 mijë lekëve të reja.

Por nevoja për para te pensionistët ka bërë që duke filluar nga mëngjesi i sotëm të ketë radhë të gjata të qytetarëve në zyrat e postës dhe në banka, duke injoruar në këtë mënyrë dhe masat parandaluese për përhapjen e Covidit.

Qytetarët shprehen se nuk kanë frikë dhe mundohen që të respektojnë distancat, por siç mund të shihet edhe në pamje, kjo e fundit duket që të ketë qenë një mision i pamundur.

Janë rreth 677 mijë qytetarë që përfitojnë nga fondi i alokuar për shpërblimi në fundvit, prej 34 milionë dollarësh.

Humb jetën nga Covid-19 violinistit të shquar (Foto)

Covid-19 i ka marrë jetën në moshën 74-vjeçare violinistit Pavllo Papalilo. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, TKOB shkruan se Papalilo ishte një ndër violinistët më të spikatur.

Njoftimi i plotë

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi ndarjen nga jeta të një ndër violinistëve të spikatur të TKOBAP-së, Pavllo Papalilo.

Pavllo Papalilo u nda sot nga jeta në moshën 74-vjeçare pas një lufte me Covid-19, të cilën nuk e fitoi dot.

Violinisti Papalilo e nisi karrierën e tij artistike në vitin 1970 si violinist pranë Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit deri në daljen e tij në pension në vitin 2013.

Pasioni dhe korrektësia ka karakterizuar violinistin Papalilo në punën e tij për 4 dekada me radhë, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e realizuara nga TKOB, opera, balete, koncerte simfonike, si brenda dhe jashtë vendit. Do të mbetet artisti që u shqua për urtësinë dhe thjeshtësinë e tij, njeriu model i orkestrës.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij.

I paharruar kujitmi i tij!

Edhe nesër po të vijnë vaksinat anti-Covid, ato do të skadojnë të gjitha, ja pse! Eksperti paralajmëron Qeverinë

Mjeku i njohur, Artan Koni ka sfumuar propagandën e qeverisë për ardhjen e vaksinës anti-Covid në Shqipëri.

Dr. Koni shkruan në një postim në FAcebook se, vendi ynë jo vetëm që nuk e ka zinxhirin ftohës për minus 70 gradë që ka nevojë kjo vaksinë të ruhet, por nuk ka edhe asnjë informacion se çfarë po bën qeveria shqiptare për ta siguruar atë.

“Vaksina e gripit ruhet në temperatura 2 – 8 gradë e megjithatë çdo vit firon rreth 25% e këtyre vaksinave në rang botëror, si pasojë e problemeve të magazinimit apo transportimit nëpër pikat e vaksinimit.

Vaksina anti-COVID ruhet në temperatura -70 gradë. Nëse supozojmë se nesër vijnë këto vaksina në Shqipëri, ato do të skadojnë të gjitha, sepse për të ruajtur këtë vaksinë, na duhet zinxhiri i ftohjes…zinxhir të cilin nuk e kemi.

Përpara se të zëvendësojmë pemën e vitit të ri që u dogj gjatë protestave, na duhet të ngremë një zinxhir ftohës për temperatura shumë të ulëta.

Ministria e Shëndetësisë duhet të na tregojë cilët janë hapat konkretë që po merren në këtë drejtim.

Nëse vaksina e gripit ka 25% firo, sa firo do të ketë vaksina e COVID?!

Nuk e kemi luksin të humbasim as edhe një vaksinë COVID!”, shkruan Dr. Koni.

Çmimet janë rritur me 43%/ Si po shkatërrojnë paratë e drogës tregun imobilar në Shqipëri

Në shumicën e pallateve të reja që po ndërtohen në Tiranë, punimet kanë përfunduar fazën e tyre të parë. Ndërtuesve iu duhen minimalisht edhe 2 vjet kohë për përfundimin tërësisht të tyre. Aktorë të tregut shpjegojnë se përdorimi i parasë informale në ndërtim do të mbingopë ofertën, ndërsa nuk do të lejojë që çmimet të ulen.

“Kompanitë që po ndërtojnë aktualisht janë të blinduara me para dhe shumë pak prej tyre po i financojnë investimet me kredi bankare. Shtrirja në kohë e shitjeve ku një ndërtues 80% të objektit e ndërton me kredi krijon humbje, për këtë arsye ai është i detyruar të ulë çmimet”, tha z. Caka nga agjencia Devinf.

Në kryeqytet, aktualisht janë duke u zbatuar disa skema për legalizimin e parasë informale. Një ndërtues që kërkoi të mbetet në anonimat, shpjegoi për “Monitor” se si po funksionojnë 3 skemat më të reja në këtë sektor.

Skema I
Në rast se një individ kërkon të legalizojë një vlerë të vogël parash nëpërmjet blerjes së një apartamenti, ajo mund të bëhet në këtë mënyrë. Financiarisht nevojitet një shumë e pastër monetare, për blerjen e një apartamenti, pasi është e pamundur që shitja të kryhet 100% në rrugë informale.

Nëse apartamenti me sip 100 m² kushton 100 mijë euro blerësi dhe ndërtuesi bien dakord që 50 mijë euro e vlerës të deklarohet në kontratën e shitjes, kurse pjesa e mbetur të paguhet në formë cash. Më pas, ky apartament ri- shitet i deklaruar në kontratë me vlerë 100 mijë euro. Në këtë rast, nëpërmjet shitjes formalizohen 50 mijë euro kundrejt taksës 7,500 euro që paguhet në shtet (tatimfitimi 15% llogaritet për diferencën e çmimit të shitjes në kontratë me atë të çmimit të blerjes në kontratë).

Skema II
Nëse një subjekt kërkon të legalizojë një shumë të konsiderueshme të parasë informale, psh 1 milion euro, atë mund ta bëjë edhe nëpërmjet rritjes së fitimit nga ulja fiktive e shpenzimeve. Nëse kjo shumë do të legalizohet për një objekt me vlerë shitjeje 1 mln euro, ndërtuesi nuk deklaron shpenzimet reale, por i ul ato fiktivisht me qëllim që të rrisë fitimin.

Nëse shpenzimet fiktive janë deklaruar në vlerën e 800 mijë eurove dhe objekti shitet me vlerë 1 mln euro, fitimi i deklaruar 200 mijë euro është shuma e formalizuar, kundrejt tatimfitimit 15% (30,000 euro për këtë rast) që paguhet në shtet.

Skema III
Një individ që kërkon të legalizojë 1 mln euro hap një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emrin e tij, me një shumë modeste kapitali 10 mijë deri në 20 mijë euro, si dhe siguron mbështetjen e një kompanie të madhe dhe me ndikim në treg. Kompania e re duhet të lidhë kontratë bashkëpunimi, si investitor me një kompani me influencë në treg për projekte të ndryshme.

Individi që kërkon të pastrojë paratë të paktën, si fillim përdor 150 mijë euro për kompaninë e re, të cilat i siguron në formë kontrate borxhi me të afërmit e tij (kjo kontratë nuk të penalizon ligjërisht). Ndërsa bashkëpunimi për projektin vazhdon me kompaninë serioze dhe me influencë në treg, sa herë nevojitet likuiditet, furnizohet nga investitori në të zezë. Në përfundim të realizimit të projektit bëhet rishpërndarja e shpenzimeve + fitimit mes kompanive.

Skema IV
Një apartament në qendër kushton minimalisht 400 mijë euro (4000 mijë euro/m2 për një sipërfaqe 100 metra), duke e bërë të vështirë ndarjen e pagesave. Një skemë tjetër që po përdoret sipas ndërtuesve ëhstë që blerësi futet si aksioner në kompani dhe më pas ai përfiton përqindjen përkatëse të ndërtimit.

BSH: Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 43% në 7 vitet e fundit

35% e pronave të shitura në Shqipëri blihen nga individë me banim jashtë vendit.

Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë për tregun e pasurive të paluajtshme dhe indeksin e çmimeve të banesave tregon se në gjysmën e parë të këtij, blerësit jorezidentë kishin një peshë të konsiderueshme në transaksionet e tregut të pasurive të paluajtshmë në vend.

Raporti i numrit të pronave të shitura për jorezidentët ndaj numrit total të pronave të shitura është thuajse i pandryshuar krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të kaluar, çka dëshmon se pesha e lartë e blerësve nga jashtë nuk përbën një zhvillim të përkohshëm apo sporadik. Rreth 1/3 blerësve nga jashtë Shqipërisë raportohen si rezidentë në Bashkimin Europian.

Blerësit jorezidentë përfshijnë shtetas të huaj dhe shqiptarë me banim jashtë vendit. Nëse emigrantët kanë qenë gjithmonë një faktor me ndikim të konsiderueshëm në tregun e pasurive të paluajtshme, vitet e fundit është vërejtur një rritje e shtetasve të huaj që zgjedhin të blejnë prona në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare.

Kërkesa nga jashtë mund të jetë një faktor në mozaikun e komplikuar dhe paradoksal të çmimeve të larta të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vend, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë, është rritur me 40% krahasuar vitin 2013, që përfaqëson edhe periudhën bazë. Për Tiranën, rritja e çmimeve është edhe më e lartë, me 43.4%. Çmimet mesatare të banesave të shitura në Tiranë kanë shënuar rritje të ndjeshme, me mbi 50%, në zonat jashtë qytetit, por kanë regjistruar rënie të lehtë në zonat qendrore dhe në periferi.

Sipas agjentëve, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar janë blerë me hua bankare. Për zonat bregdetare, agjentët raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, ndërsa çmimet e shitjes në zonat e tjera të vendit shfaqën ndryshime thuajse të papërfillshme.

Pavarësisht se ekonomia po kalon rënien më të fortë prej 23 vitesh, sërish agjentët e pasurive të paluajtshme dhe firmat e ndërtimit presin rritje të mëtejshme të çmimeve në kryeqytet. Ndërkohë, për zonat e tjera të vendit, prarashikimet janë neutrale, që tregon se nuk ka pritshmëri për ndryshime të mëdha në konjukturën e çmimeve.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për tregun e pasurive të paluajtshme përfshin një kampion prej 230 shoqëri ndërtimi dhe agjentësh të tregtimit të pasurive të paluajtshme, sipas një përzgjedhjeje të bërë në bazë të numrit të të punësuarve dhe vlerës së xhiros vjetore.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 10.6muaj. Ky tregues shënoi rritje të lehtë në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe ndikimin kryesor në këtë ndryshim e ka dhënë rritja e kohës mesatare të shitjes për zonën e Tiranës me 1.2 muaj në 10.4 muaj.

Për zonën e Bregdetit, koha e shitjes është rritur lehtë në rreth 10.7 muaj, ndërsa për Zonat e Tjera, mesatarja e kohës së shitjes vlerësohet të jetë 11.4 muaj dhe nuk ka shënuar ndryshime në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm. BSH thekson se pjesa më e madhe e shitjeve raportohet të jetë kryer brenda një periudhe midis 1 dhe 12 muaj.

Shifrat alarmuese të INSTAT: 47 mijë persona janë larguar nga Shqipëria vetën gjatë vitit 2019

Gjatë vitit 2019, më shumë se 47 mijë persona janë larguar nga vendi në emigrim, raportoi INSTAT. Numri i emigrantëve të rinj e zgjeroi diasporën shqiptare me 2.6% vetëm në një vit, teksa totali i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, arriti në gati 1.7 milionë persona (1.684.135).

Teksa demografët prisnin që emigracioni të stabilizohej pas dy dekadave të para të tranzicionit, në fakt zhvillimet kanë shkuar në të kundërtën, duke reflektuar thellimin e fenomenit. Me krizën ekonomike të vitit 2008, heqjen e vizave më 2011 dhe mungesën e prosperitetit ekonomik, një valë e re emigracioni u rikthye fuqishëm më 2015, ku rreth 69 mijë shqiptare aplikuan për azil në vendet anëtare të BE-së.

Një anketë të mëparshme për emigracionin INSTAT ka zbuluar se numri i individëve gjithsej të larguar nga Shqipëria, në periudhën 2011 – 2019 rezulton 360.699 banorë, ose rreth 12,4% e popullsisë gjithsej të vitit 2011.

Lexo edhe këtë: Anketa / Në dekadën e fundit kanë emigruar 360 mijë persona, largohen nga vendi gati 7% e familjeve (rekord Tirana)

Arsyet ekonomike vazhdojnë të shtyjnë pjesën më të madhe të shqiptarëve të largohen nga vendi. Sipas Anketës së Forcës së Punës, 2019, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi” me 83,7%.

Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentë të zakonshëm në 28 vende të Europës, nga ana tjetër, statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të Europës.

Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptarë, si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe.

Emigrimi në dekadën e fundit shënonte: 56% meshkuj në Gjermani dhe Greqi, dhe 51% meshkuj në Itali. Emigrimi në Gjermani ende ka të ngjarë të jetë i lidhur ngushtë me punësimin (dhe studimin) e cila tregohet nga raporti i ulët e fëmijëve. Italia dhe veçanërisht Greqia kanë një shpërndarje moshore më të gjerë, treguese e migrimit familjar.

Të dhënat e Anketës së Komunitetit Amerikan për vitin 2019 tregojnë që shqiptarë të gjeneratës se parë në vitin 2019 janë 99.370 persona, ndërsa gjenerata e dytë është 115.587, me një total prej 214.957 shqiptarë që jetojnë në SHBA.

Referuar të dhënave të censeve të vendeve europiane destinacion të emigrantëve shqiptarë, rreth 39,0% e shtetasve shqiptarë janë të punësuar, 10,1% të papunë dhe pjesa tjetër inaktivë.

Meshkujt karakterizohen nga një normë më e lartë punësimi sesa femrat. Shpërndarja e statusit të punësimit sipas shteteve – më shumë të punësuar raportohen në Britani, Norvegji dhe Danimarkë. Për sa u përket shtetasve të punësuara femra ato shënojnë përqindjen më të lartë në Poloni.

Migrimi ndërkombëtar ka qenë një forcë e madhe në ndryshimin e popullsisë në dy dekadat e fundit. Arsyeja kryesore për rënien e popullsisë në dy Censet e fundit ishte emigrimi në shkallë të gjerë i qytetarëve shqiptarë. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, migrimi përfshin veçanërisht të rinjtë, të cilët migrojnë për arsye punësimi, mundësi arsimimi dhe arsye familjare.

Autoritetet në Itali: Varianti i ri i virusit nuk është më agresiv

Një grua nga Roma ka rezultuar e prekur nga varianti i ri i koronavirusit në Itali. Ajo së bashku me burrin janë izoluar. Autoritetet shëndetësore kanë ndjekur zinxhirin e infektimit dhe tek familjarët duke kryer të gjitha procedurat e nevojshme.

Varianti anglez i Covid është izoluar në laboratorët e spitalit ushtarak Celio në Romë. Departamenti Shkencor Celio, i cili po bashkëpunon me Institutin e Lartë të Shëndetit, ka sekuencuar gjenomin e virusit nga gruaja që doli pozitive me variantin e gjetur në javët e fundit në Britaninë e Madhe.

BE: Vaksina efektive kundër variantit të ri të koronavirusit
Ekspertët e Bashkimit Evropian besojnë se vaksinat ekzistuese kundër Covid janë gjithashtu efektive për variantin e virusit të identifikuar në Britaninë e Madhe. Kështu deklaroi ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn për Zdf. “Sipas të gjitha gjërave që dimë deri më tani, varianti ri nuk ka ndikim tek vaksinat”, të cilat mbeten “efektive”, tha Spahn, duke përmendur “bisedimet e ekspertëve me autoritetet evropiane”.

Rezza: Varianti i ri nuk është më agresiv
Fjalët e Spahn konfirmohen gjithashtu nga Gianni Rezza, Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit të Ministrisë së Shëndetësisë. “Varianti i Sars-CoV2 që aktualisht po qarkullon në Londër dhe Anglinë jug-lindore, ka mutacione në proteinën sipërfaqësore të virusit, të ashtuquajturën Spike. Edhe pse është hipotezë se këto mutacione mund të rrisin transmetueshmërinë e virusit, ato nuk duket se ndryshojnë as agresionin klinik dhe as përgjigjen e vaksinës”.

Speranza: Varianti anglez përhapet më shpejt
Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, shpjegoi në një intervistë në “Gjysmë ore më shumë” në Rai 3 se “varianti i koronavirusit dhe kapaciteti i difuzionit është rreth 70% më domethënëse”. Ai më pas shpjegoi se Italia si masë paraprake ka vendosur të bllokojë fluturimet për në Britaninë e Madhe, “për t’u dhënë mundësinë shkencëtarëve tanë të kuptojnë shkallën e virusit me të cilin përballemi”.

Akuzë ndërkombëtare për Ramën, OKB: Tirana zyrtare, regjimi më i keq për pastrimin e parave, trafik kokaine nga Amerika Latine

Një raport i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), që analizon me detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka theksuar se Shqipëria është vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit për 2014-2018, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare tashmë janë përhapur në gjithë Europën, kryesisht në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës së Jugut.

Raporti thekson se dënimet më të shumta janë në kultivimin e narkotikëve, më pak në pastrim parash, ndërsa konstaton se nuk ka shumë dënime për grupet e organizuara kriminale. Sipas raportit, bazuar në intervista, trafiku i drogës dhe prodhimi duket se shpesh janë të lidhura me krimin e organizuar, megjithatë pjesëmarrja në krimin e organizuar ka nivele shumë të ulëta dënimi në Shqipëri.

“Kjo tregon nevojë për të shqyrtuar më me hollësi se në cilën fazë rastet po dështojnë si dhe të vazhdohet me analizimin e arsyeve për këto dështime”, thuhet në raport.

Sipas raportit, krimi i organizuar ndikohet dhe nga niveli i lartë i korrupsionit, ndërsa shprehet skeptik për ecurinë e procesit të vetting-ut. Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar.

“Korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri, veçanërisht brenda policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Qeveria prezantoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjet për personelin e policisë dhe vetting-un. Sidoqoftë, pavarësisht arrestimeve dhe ndjekjeve ekzistuese të zyrtarëve publikë për marrje ryshfeti, nuk kishte asnjë dënim gjatë periudhës së vëzhguar”, thuhet në raport.

Raporti thekson se deri më tani, shumica e veprimtarive kriminale të regjistruara të përfshira në këtë analizë në Shqipëri kanë të bëjnë me (i) prodhimin vendas të kanabisit, kryesisht bar kanabisi (marijuanë) si dhe (ii) trafikun e drogës. Në këtë rast, Shqipëria vepron kryesisht si një vend tranzit, veçanërisht për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës Ballkanike, d.m.th., përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriout në Itali dhe tregjeve të tjera në Europën Perëndimore dhe Qendrore dhe për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, veçanërisht nga Kolumbia, në Europën Perëndimore dhe Qendrore. Ndërsa përfshirja e grupeve shqiptare në aktivitete të tilla trafikimi duket se ka rënë në vitet e fundit, prodhimi i kanabisit dhe trafikimi i lidhur me të i produkteve të kanabisit në vendet e tjera janë rritur – megjithëse këto aktivitete janë luhatur dukshëm në vite.

Kanabisi, si u përhap kultivimi në gjithë vendin, pas Lazaratit
Kanabisi është droga më e prodhuar dhe e kapur gjerësisht në të gjithë botën.

Megjithëse kanabisi prodhohet në pothuajse të gjitha vendet në të gjithë botën, Shqipëria është veçuar vazhdimisht si një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm për burimin e barit të kanabisit që gjendet në Europë.

Gjatë periudhës 2014-2018, Shqipëria u përmend nga shtetet e tjera europiane si “vendi kryesor i origjinës” të kanabisit që gjendet në tregjet e tyre, e ndjekur nga afër nga Holanda. Në Europën Perëndimore dhe Qendrore, 24% e të gjitha përmendjeve të vendeve kryesore të origjinës së barit të kanabisit kishin të bënin me Shqipërinë ndërsa në Euopën Juglindore kjo përqindje u rrit në 61% gjatë periudhës 2014-2018.

Kanabisi shqiptar luan një rol të madh në disa vende të rajonit, veçanërisht në Malin e Zi (origjina e raportuar e afro 100% të të gjithë barit të kanabisit të kapur atje në 2017), Kroacia (origjina e 90% e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018) , Maqedonia e Veriut (70% e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018), Bosnjë dhe Hercegovinë (70% në 2017), Greqi (61% në 2018), Hungari (50% në 2017), Austri (50%) në 2017), Itali (16% në 2018), Zvicër (15% në 2018) dhe Rumani (13% në 2017). Edhe Suedia raportoi në mënyrë të përsëritur bar kanabisi që gjendej në territorin e saj kryesisht me origjinë nga Holanda dhe Shqipëria.

Raporti thotë se pas operacionit të suksesshëm në Lazarat në vitin 2014 u konstatua një rritje e çmimeve të kanabisit, (nga €200-300 për kg në 2014 në €1,300 – €2.000 për kg në 2015). Më pas u vu re një kultivim masiv në gjithë vendin, veçanërisht në 2016. Si rrjedhojë, një vit më pas, në 2017 u konstatua dhe kulmi i kapjes së ngarkesave të kanabisit (Për vitin 2017, Shqipëria kapi sasinë e tretë më të madhe të barit të kanabisit në Europë me 19% të totalit europian). Në të kundërt, konfiskimet e barit shqiptar ranë në 20 tonë në 2018 (megjithëse Shqipëria u rendit e shtata për konfiskimet atë vit). Raporti e lidh këtë rënie dhe me uljen e çmimeve të barit të kanabisit që ranë në €100-400 për kg në 2016 dhe €150- 250 kg në 2017. Pas rënies së prodhimit, çmimet filluan të rriteshin sërish në 2018. (€200-700 për kg).

Ulet rëndësia e Shqipërisë si vend trafikimi për heroinën, rritet për kokainën

Raporti thekson se Shqipëria ka qenë një vend i rëndësishëm tranzit përgjatë rrugës më të ngarkuar në botë të trafikut të heroinës, rruga Ballkanike, e cila ka origjinën në Afganistan dhe ka Europën Perëndimore si destinacionin e saj përfundimtar. Por, sipas raportimeve, roli i vendit si transit i heroinës ka rënë dhe Shqipëria përmendet gjithnjë e më pak nga shtete si Italia dhe Franca, ndërsa raportohet ende nga Zvicra.

Por, raporti thekson se në të kundërt, rëndësia e Shqipërisë si një vend tranzit për kokainën e Amerikës Latine në Europën Perëndimore duket se është në rritje.

Grupet kriminale shqiptare fitojnë terren në gjithë Europën
Raporti thekson se grupet kriminale të shtetasve shqiptarë kanë fituar rëndësi në trafikun ndërkombëtar të kokainës në një numër vendesh të tjera europiane vitet e fundit, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Zvicrën, Belgjikën dhe Austrinë. (për sa i përket numrit të përgjithshëm të arrestuar në 2018). Numri i përgjithshëm i personave që kishin shtetësinë shqiptare të arrestuar për trafik kokaine në Europën Kontinentale jashtë Shqipërisë u rrit – siç u raportua nga vendet anëtare në UNDOC në pyetësorin e raportit vjetor – nga 115 në 1998 në 1,935 në 2018. Në shumë raste, dërgesat e organizuara të kokainës nga grupet shqiptare të krimit të organizuar tani anashkalojnë plotësisht territorin e Shqipërisë.

Aktivitetet e grupeve shqiptare të krimit të organizuar nuk janë të kufizuara në Europën kontinentale. Grupet shqiptare të krimit të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kanë vendosur kontroll dhe ndikim në të gjithë vendin në tregun e trafikut të drogës atje, veçanërisht atë i kokainës. Këta kriminelë të organizuar gjithnjë e më shumë po krijojnë marrëdhënie me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine, duke ushtruar më shumë kontroll mbi tregjet, thuhet në raport.

Pak dënime dhe për pastrim parash
Në vitin 2020, Task Forca e Veprimit Financiar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (FATF) përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri. Lista gri e FATF përfshin regjimet me kornizën më të keqe ligjore dhe agjencitë për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit. Që atëherë, Shqipëria ka bërë një angazhim të lartë politik për të punuar me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, thuhet në raport.

Ndjekjet penale për pastrim parash në Shqipëri janë luhatur, nga 49 në 2013 në 112 në 2015 para se të bien në 62 në 2017. Dënimet për pastrim parash mbeten në nivele shumë të ulta, madje ranë nga 27 në 2017 në 14 në 2018. Përpjekjet joefikase kundër pastrimit të parave në të kaluarën mund të jenë një nga shpjegimet e mundshme të niveleve të ulëta të dënimit.

Këshilli i Europës deklaroi se niveli i provave të kërkuara për të vërtetuar krimin nuk është gjithmonë i qartë për praktikuesit në Shqipëri dhe procedurat e pastrimit të parave kryesisht pezullohen ose pushohen nga prokuroria.

Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen para kohe nga jeta të ish-deputetit të PD

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-deputetit të PD, Bedri Çollaku. Basha shkruan se, me vdekjen e tij miqtë kanë humbur një njeri të mirë dhe profesionist të shquar, Partia Demokratike ka humbur një prej ekspertëve dhe politikanëve seriozë dhe të rrallë.

“Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Bedri Çollakut, ish-deputetit të Partisë Demokratike dhe ekspertit të njohur të sistemit bankar. Shpreh ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Virgjinushit, vajzës Genta dhe djalit Erionit. Në këtë ditë të vështirë të humbjes së bashkëshortit të dashur, babait të rrallë dhe të përkushtuar, jemi pranë tyre me mendimin dhe lutjet tona. Me vdekjen e tij miqtë kanë humbur një njeri të mirë dhe profesionist të shquar, Partia Demokratike ka humbur një prej ekspertëve dhe politikanëve seriozë dhe të rrallë. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha në mesazhin e ngushëllimit.