14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Nëntor, 2025

Shkodra sërish në protestë: Nuk i trembemi asnjë lloj dhune që vjen nga shteti

Qytetarët në Shkodër kanë nisur që të grumbullohen në sheshin “Luigj Gurakuqi”, ku po protestojnë për vrásjen e të riut Klodian Rasha nga policia, dhe për sjelljen e policisë në tërësi. Shumë prej qytetarëve shprehen se protestojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për të cilët kërkojnë që të mos largohen nga vendi.

Qytetarët mbajnë pankarta të shumta në duar, ku thonë se nuk do t’i tremben asnjë lloj dhune që vjen nga shteti, dhe apelojnë për drejtësi.

“Unë protestoj sot për të ardhmen, e ardhmja e fëmijëve, na kanë vrárë shpresën. unë vetë e kam larguar djalim tim nga ky vend, është shumë e dhimbshme. Ne distancohemi nga çdolloj akti dhune, nuk ka asnjë gjë që të na frikësojë ne”, shprehet një zonjë, e cila është në profesion mësuese.

“Ka ardhur puna sot me ju tut policit, jo se po i tutem, por nuk mund të pranojmë këto që bëhen”, thotë një tjetër qytetare.

Ndërkohë që një tjetër zotëri, i cili merr pjesë në protesta tha se ”Shqipëria nuk ka pasur diktaturë, ka pasur vetëm spiunë të komunistëve”.

Në qytetin e Shkodrës ndërkohë është vënë re një prezencë e madhe e forcave të Policisë. Nga ana e tyre protestuesit janë shprehur se distancohen nga çdolloj akti dhune, dhe se qëndresa e tyre do të jetë me mesazhe dhe pa asnjë konfrontim me punonjësit e shtetit.

Një nga thirrjet kryesore të të rinjve është “Ard Veliu dorëhiqu”, thirrje drejtuar kreu të Policisë së Shtetit.

Të qash apo të qeshësh? Prokuroria: Hetimi provoi se zgjedhjet në Dibër u blenë tërësisht, por u dogjën afatet!

Prokuroria e Dibrës njoftoi të premten se hetimet e saj për të ashtuquajtur “Dosja 184”, kishin “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër në zgjedhjet e pjeshme të vitit 2016, por përshkak të kohës që kishte kaluar krimi ishte parashkruar dhe dosja për 11 të akuzuarit nuk mund të dërgohej në gjyq.

“Pavarsisht se nga hetimi është provuar tërësisht fakti i konsumimit të veprës penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim…, ndjekja penale nuk mund të vazhdojë për personat nën hetim dhe nuk mund të fillojë për personat me statusin e të kallëzuarit, pasi kundërvajtja penale e parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është parashkruar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të akuzuarit, që sipas prokurorisë u provua se kishin kryer këtë vepër penale në mënyrë të organizuar, janë Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), Robert Aga, Afrim Mikli, Drini Gjeci, Arben Keshi, Hasan Hoti, Bekim Krashi, Nuri Meda, Fatbardh Lala, Ylli Mikli, Dik Spata.

Kryebashkiaku aktual i Dibrës Dionis Imeraj, i cili përmendet nga prokuroria vetëm në listën e të hetuarve, mohoi në një telefonatë për BIRN akuzat. “Nuk e kam pranuar asnjëherë”, tha ai për akuzën, ndërsa tha që ishte thirrur nga prokuroria vetëm për t’iu njoftuar pushimi i çështjes. “Drejtësia e verifikon vetë atë pjesë”, tha Imeraj.

Prokuroria tha se do të dërgonte për gjykim ish-Shefin e Komisariatit të Dibrës Robert Aga, për “shpërdorim detyre”, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë lokalë, Drini Gjeçi, ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore, Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohen për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore Drini Gjeci, i cili shkon në gjykatë për kanosje të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre, tha se nuk kishte koment. Ndërkohë të tjerë të akuzuar dhe të hetuar nuk qe e mundur të arriheshin, para publikimit të shkrimit.

Dështimi i hetimeve dhe djegia e afateve për dërgimin e njërës prej dosjeve më të bujshme për vjedhjen e zgjedhjeve i atribuohet kryesisht ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda që mbajti për gati tre vjet “në sirtarë” dosjen, për të cilën më pas shpalli moskompetencën duke ia dërguar Prokurorisë së Dibrës. Ping-pongu me dosjen vijoi edhe pas kësaj, pasi prokuroria e Dibrës refuzoi fillimisht ta pranonte, duke cituar mungesë stafi dhe njohje e lidhje me të pandehurit.

Në qëndrimin e saj Prokuroria e Dibrës thotë se kishte kaluar periudha 3 vjeçare nga fillimi i hetimeve dhe se kundravajtja penale, që në këtë rast është blerja e votës dhe dhënia e premtimeve, ishte parashkruar.

Dosja 184 sëbashku me dosjen tjetër me nr.339, që i përket hetimeve të një organizata kriminale në Durrës të përfshirë po ashtu sipas prokurorisë në blerje votash dhe shatazh zgjedhësish, u bënë shkak për bojkotin e parlamentit dhe më pas edhe të zgjedhjeve lokale nga opozita, duke futur vendin në një nga krizat më të thella politike.

Përgjatë tre viteve, dosja ndërroi disa duar prokurorësh dhe Krimet e Rënda u përballën me kritika publike për zvarritje hetimesh për shkak ‘të zyrtarëve të lartë të shtetit të kapur në përgjime’. Një pjesë e këtyre përgjimeve që iu publikuan në tabloidin gjerman BILD, përfshinë kryeministrin Edi Rama, deputetin e Partisë Socialiste dhe ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe ish-deputetin, tani kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreu dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Por ndërsa për zyrtarët lokalë ka vendime për dërgim të dosjes në gjyq, për bashkëbiseduesit e tyre nuk duket se ka pasoja, pavarëisht se në biseda del që i kanë inkurajuar dhe përshëndetur veprimet.

Më i qartë ndër to është rasti i ish-drejtorit të Drejtorisë Arsimore, i cili akuzohet për “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, edhe pse një nga telefonatat e përgjuara dhe publikuara tregon se të paktën në një rast ai kishte marrë porositë nga tani kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, për t’i thënë një drejtori shkolle të shpallte publikisht votën për Partinë Socialiste. “Deklaro votën hapur atje, që e kë për PS-në, ndryshe ditën e hënë tregoja ku fluturon”, dëgjohet Ndreu në bisedë. Ndreu u mbrojt duke pretenduar se i kërcënuari rrezikonte vetëm vendin si kryetar i Partisë Socialiste edhe pse mesazhi po i përcillej përmes shefit të tij në zyrën arsimore.

Zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër u fituan nga Partia Socialiste dhe koalicioni i saj i atëhershëm me PDIU (më pas një fraksion i kësaj partie që iu bashkangjit socialistëve), me rezultat më të thellë se zgjedhjet e mëparshme, ndërsa demokratët u ankuan për presione dhe blerje të votës. Mënyra se si rrodhën ngjarjet prodhuan një qeverisje lokale me probleme, ndërsa anëtarët e koalicionit fitues u rrahën me njëri tjetrin në zyrat e bashkisë në përplasjet për të ndarë vendet e punës./BIRN

130 miliardë lekë do paguani për vjedhjen me koncesionin e laboratorëve, mjekë e infermierë hidhen në rrugë!

Mjeku dhe akademiku Genc Sulçebe është themeluesi i Imunologjisë në Shqipëri dhe përgjatë 10 muajve të pandemisë, ai ka shërbyer si burim i rëndësishëm informacioni dhe reference në përballjen me virusin vdekjeprurës Sars-Cov-2.

Por përtej këshillave për pandeminë, Sulçebe është përfshirë muajin e fundit në një betejë brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, QSUNT, që ka për synim mbijetesën e shërbimit laboratorik universitar të Imunologjisë.

Laboratori i drejtuar prej vitesh nga Sulçebe është një nga tre shërbimet e para diagnostikuese që kaluan nën administrimin e kompanisë koncesionare “Laboratory Network” si pjesë e kontratës së katërt të partneritetit publik privat në sektorin e shëndetësisë.

Por kur koncesionari nisi punën në fillim të nëntorit, Sulçebe e gjeti veten në një kthinë prej 50 metrash katrorë–e pamjaftueshme për të kryer diagnostikime dhe për të shërbyer njëherazi si qendër e kërkimit shkencor në fushën e Imunologjisë.

Sipas koncesionarit, kjo hapësirë është e mjaftueshme për aparaturat e teknologjisë së fundit për testet imunologjike. Por Sulçebe i tha BIRN se mungesa e hapësirës cenonte zinxhirin e funksionimit të laboratorit dhe planet e tij për të zgjeruar studimet mbi përhapjen e COVID-19 në Shqipëri.

“Ta zemë se merremi me manipulimin e ADN-së dhe kjo procedurë do hapësirë. Unë nuk mund ta bëj në një dhomë 35 metra katrorë,” u ankua ai.

Kontrata e partneritetit publik privat për shërbimin laboratorik të vendit u firmos nga qeveria shqiptare në prill 2019, pavarësisht protestave të dhjetra mjekëve dhe laborantëve. Ajo parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë mbi 13 miliardë lekë ose rreth 104 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme.

Kontrata u fitua nga konsorciumi i kompanive Labopharma dhe AB Laboratory Solution B.V me përfitues fundor biznesmenin Janis Karathano si dhe kompania franceze Exalab –të cilat zotërojnësë bashku kompaninë koncesionare Laboratory Network.

Por zbatimi i koncesionit në kohën kur vendi gjendet i mbërthyer nga pandemia e COVID-19 ka vështirësuar rritjen e kapaciteteve testuese ndaj COVID-19.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se laboratori i dytë i testimeve të COVID-19 u hap pas një raundi negociatash dhe një kontrate të shkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare; ku përcaktohej kryerja e një numri të caktuar testesh brenda një periudhe 4-mujore, që parashikohej fillimisht të përfundonte në fund të dhjetorit.

Megjithatë, testimet ecën me ritëm të ngadaltë dhe laboratori u detyrua të punonte me staf të patrajnuar gjatë muajit nëntor, pasi laborantët e specializuar për testimet PCR u punësuan nga kompania koncesionare.

Përveç problemeve me pandeminë, mjekë dhe pedagogë të intervistuar nga BIRN thanë se lista e analizave që do të kryhet nga kompania koncesionare është e cunguar dhe rrezikon të sjellë probleme afatgjata në diagnostikimin e popullatës si dhe rritje të dyfishtë të kostove; si nga buxheti i shtetit ashtu edhe nga xhepat e qytetarëve.

Ata shprehën gjithashtu shqetësimin se “privatizimi” i laboratorëve mund të cenojë kërkimin shkencor në fushën e mjekësisë si dhe statusin e QSUT-së si qendra e vetme universitare në vend.

E pyetur nga BIRN, kompania koncesionare “Laboratory Network” tha se ‘po transformonte’ të gjithë procesin e diagnostikimit në vend, përmes rehabilitimit të laboratëve, futjes së aparaturave moderne dhe protokollit të ri të punës, që nga marrja e mostrave dhe deri te kompjuterizimi i çdo të dhëne.

Ndërsa përfituesi fundor i koncesionit, Janis Karathano mohoi që kompania e tij të ishte bërë pengesë për hapjen e laboratorit COVID, ndonëse pranoi se ‘nuk e kishte bërë me dëshirë’.

“Nuk është se e kam bërë me qejf të madh, pasi edhe unë vetë mund të bëja analizat e COVID, por kur bëhet fjalë për një gjë kaq të rëndësishme dhe për një marrëdhënie kaq afatgjatë që kemi me Ministrinë e Shëndetësisë, sigurisht që është gjetur pika e bashkëpunimit dhe unë nuk jam aspak pengesë,” tha ai.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Beteja për laboratorin e COVID

Ministrja Ogerta Manastirliu dhe Silva Bino gjatë vizitës në laboratorin e dytë të testimeve COVID në QSUNT. | Foto : MSH

Shqipëria u përfshi zyrtarisht në listën e vendeve të prekura nga pandemia e COVID-19 në muajin mars dhe prej asaj kohe, janë kryer gati 229 mijë testime; numri më i ulët i testimeve në Europë për 1 milion banorë.

Deri më 16 dhjetor, pandemia preku mbi 50 mijë shqiptarë dhe u mori jetën 1040 qytetarëve.

Barra kryesore e testimeve është mbajtur nga Instituti i Shëndetit Publik, por kapacitetet e ulëta janë bërë shpesh objekt debati mbi mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga autoritetet shqiptare.

Në kundërpërgjigje, Ministria e Shëndetësisë njoftoi më 17 korrik hapjen e një laboratori të dytë të testimeve kundër COVID-19, ndërsa ministrja Ogerta Manastirliu e konsideroi këtë një investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare për rritjen e kapaciteteve të testimit.

Megjithatë, BIRN mësoi se hapja e laboratorit nuk ishte një proces i thjeshtë, në kushtet kur të drejtat për operimin e laboratorëve testues të vendit po i kalonin kompanisë koncesionare “Laboratory Network”.

Në muajin gusht, koncesionari mori nën administrim tre laboratorët kyçë të QSUNT-së; laboratorin Mikrobiologjik, atë të Imunologjisë si dhe shërbimin Klinik-Biokimik, të cilat iu nënshtruan rikonstruksionit. Ndërsa laboratori i COVID u vendos brenda ambienteve të shërbimit laboratorik të Mikrobiologjisë.

Sipas marrëveshjes së shkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë koncesionare, laboratori do të realizonte 12 mijë teste PCR për pacientët e shtruar në spitalet e dedikuara për kurimin e COVID-19 si dhe teste serologjike për grupin më të rrezikuar të mjekëve dhe infermierëve gjatë periudhës shtator-dhjetor.

Marrëveshja parashikonte gjithashtu që kitet dhe reagentët do të vendoseshin në dispozicion nga QSUNT dhe do të realizoheshin nga personeli i spitalit, ndërkohë që koncensionari do të vendoste në dispozicion ambientet.

Megjithatë, laboratori u përball me vonesa në sigurimin e testeve dhe deri në fillim të dhjetorit kishte kryer rreth 4 mijë teste PCR nga 12 mijë të parashikuarat.

Shefi i shërbimit të Mikrobiologjisë, Andi Koraqi i tha BIRN se njëra nga vështirësitë ishte stafi i patrajnuar, pasi një mjek dhe 6 laborantë të trajnuar për testimet PCR që prej muajit prill u detyruan të punësohen nga kompania koncesionare, pas ndërprerjes së kontratës nga QSUT.

Në fillim të nëntorit, Koraqi i tha BIRN se laboratori COVID ishte provizor dhe në këto rrethana, ai nuk mund të ofronte garanci për stafin.

“Koncensionari nuk priste derisa të mbaronte kontrata disa mujore… Dhe normalisht ata zgjodhën të ruajnë vendin e punës e të lidhin kontratë të re me koncensionarin, por ne jemi të penalizuar,” tha Koraqi.

Me 8 mijë teste të pakonsumuara dhe me numra të lartë të të infektuarve ditorë, palët u takuan sërish më 11 dhjetor dhe e rinegociuan marrëveshjen.

Në një bisedë të dytë me Koraqin në mesin e dhjetorit, BIRN mësoi se ishte vendosur që laboratori COVID të vazhdonte punën deri në dhjetor 2021.

“Nuk ka një kontratë të shkruar, por është një marrëdhënie mirëbesimi dhe laboratorit të COVID i është zgjatur afati deri në dhjetor të 2021,” tha Koraqi.

Ndryshe nga ai, kompania koncesionare i tha BIRN se afati mund të ndryshojë me miratimin e përbashkët me shkrim të palëve pas përfundimit të sasisë së testeve të përcaktuara në kontratë.

“Koncensionari ka vendosur në dispozicion të QSUNT infrastrukturën e nevojshme për realizimin e testeve dhe mbulon gjithashtu edhe shpenzimet operative, që lidhen me energjinë elektrike, ujin, ventilimin,” tha administratori i kompanisë, Sokol Ramizi.

“Në parim ky afat mund të ndryshojë me miratimin e përbashkët me shkrim të palëve,” shtoi Ramizi.

Negociatat e Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë koncesionare për të mbajtur hapur laboratorin e COVID nuk duartrokiten nga të gjithë. Mjeku dhe eksperti i shëndetësisë, Erion Dasho e konsideroi këtë një absurditet.

“Në kushte të tilla të jashtëzakonshme, siç është kjo pandemi me të cilën po përballemi, qeveria mund të marrë masa edhe të tipit që të përdorë prona të privatit,” tha Dasho duke iu referuar ligjit të shëndetit publik.

“Ndërkohë që ne jemi në situatën kur shteti i kërkon leje privatit që të përdorë një ambient që është i shtetit. Epo ky nuk është shtet!” shtoi ai.

Lista e cunguar e analizave

Prej fillimit të nëntorit, laboratorët e QSUNT administrohen nga kompania koncesionare “Laboratory Network”. Foto: Esmeralda Keta.

Dhënia me koncesion e shërbimit laboratorik të vendit u motivua nga Ministria e Shëndetësisë me rritjen e gamës së analizave dhe certifikimin e laboratorëve në standardet e Bashkimit Europian.

Sipas kontratës që BIRN e disponon, kompania koncesionare, Laboratory Network do të kryejë 164 lloje analizash me një tavan prej 6 milionë analizash në vit, ku peshën kryesore e mban QSUNT me 2.5 milionë.

Megjithatë, mjekë dhe laborantë i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se lista e analizave që do të realizohen nga koncesionari është më e vogël nga sa arrinin të bënin laboratorët publikë dhe larg nevojave reale për diagnostikë.

“Diagnostikimi i një sëmundje është 70-80% diagnozë laboratorike, pra analiza, ekzaminime, ndërsa 20% është kontakti i drejtëpërdrejtë me pacientin. Dhe ti këtë shërbim kaq jetësor shkon e jep me koncension?” tha njëri prej mjekëve.

“Pra unë tani, për të vendos se çfarë analizash apo ekzaminimesh më duhen për një diagnozë të qartë më duhet të mendohem e bën apo jo privati, është apo jo në listë? Kjo është në kufijtë e absurditetit,” shtoi ai.

Një tjetër mjek mori si shembull analizën D-Dimer; e realizuar më parë në QSUT dhe e domosdoshme për një pjesë të pacientëve të infektuar me COVID, por që nuk gjendet në listën e koncesionarit për analizat mikrobiologjike.

“Tek lista e ekzaminimeve që ka sjellë koncensionari dhe që do të kryejë laboratori Mikrobiologjik mungon analiza e D-Dimer, që në këto kohë që po kalojmë, jo vetëm është thelbësore për të kuptuar nëse je i prekur nga COVID apo jo, por është një analizë që nuk ka laborator që nuk e kryen. Dhe ky nuk është një ekzaminim i ri si tamponi, ky është një tregues që është bërë më parë,” tha ai.

Ndryshe pretendon kompania koncesionare, e cila thotë se D-Dimer do të kryhet nga laboratori Klinik-Biokimik.

BIRN disponon listën e ekzaminimeve që do të realizojë kompania koncesionare në dy prej laboratorëve ku ka filluar punën dhe konstatoi se ka një reduktim të dukshëm në llojet e analizave.

Lista përban 37 lloje analizash për laboratorët e Imunologjisë dhe Mikrobiologjisë, ndërkohë që vetëm shërbimi laboratorik i Imunologjisë nën administrim publik mund të kryente deri në 74 lloje të ndryshme analizash.

Prej 2 nëntorit, laboratori i Imunologjisë mund të realizojë vetëm 11 ekzaminime imunologjike, ndërkohë që 6 analiza të tjera janë futur te Mikrobiologjia.

E njëjta skemë reduktimi ka ndodhur edhe me laboratorin Mikrobiologjik. Nëse më parë ata realizonin mbi 60 lloje të ndryshme ekzaminimesh, sipas listës që u ka dërguar koncensionari do të realizojnë vetëm 27 ekzaminime mikrobiologjike, plus 6 të tjera që janë ekzaminime imunologjike.

Mjekët i thanë BIRN se laboratorët e tyre kishin kapacitete të mëdha testuese, por buxhetet ishin të limituara, ndaj ata zgjidhnin të kryenin analizat më të domosdoshme.

“Nëse do të kishte kite dhe reagentë, ne sigurisht kishim mundësi të kryenim shumë më shumë. Por njeherë mungonin kitet për x analizë, njëherë për një analizë tjetër e normal që punonim me kapacitet të reduktuar,” tha një prej laborantëve.

Mjeku Erion Dasho u bie këmbanave të alarmit se lista e cunguar e analizave do të rëndojë shëndetin e popullatës dhe xhepat e tyre –duke i detyruar ata të shkojnë drejt laboratorëve privatë.

“Fakti që numri i testeve është kaq i limituar, atëherë do të thotë që për testet jashtë kësaj pakete, xhepat e qytetarit do të rëndohen edhe më,” paralajmëroi Dasho.

Sipas Dashos, kjo do të dëmtojë më shumë shtresat e varfra dhe grupet vulnerabël, të cilët nuk kanë para për t’u testuar në spitalet private.

“Kjo është shumë e rrezikshme, pasi jo vetëm cenon cilësinë e kujdesit shëndetësor, por kjo mund të rrezikojë edhe shëndetin dhe jetën e pacientit,” shtoi ai.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se lista e ekzaminimeve mund të shtohet apo modifikohet me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtuesit e QSUNT thanë gjithashtu se të gjitha analizat e kryera nga laboratorët publikë në vitin e fundit do vazhdojnë të realizohen pa pagesë nga koncesionari, me materialet e vendosura në dispozicion nga spitali.

“Ju bëjmë me dije se për të gjitha analizat e kryera vitin e fundit nga QSUNT, të cilat nuk përfshihen në listën e analizave të miratuara sipas Kontratës PPP, sipas një marrëveshjeje nga autoriteti me konçensionarin, këto analiza do të realizohen pa pagese prej këtij të fundit duke i vënë QSUNT në dispozicion kitet dhe reagentët,”tha QSNUT.

Kompania koncesionare “Laboratory Network” dha një version të ndryshëm nga QSUT për ekzaminimet jashtë listës së kontratës, të cilat do të kryhen pa pagesë.

“Kontrata e partneritetit publik-privat ka përcaktuar listën e testeve që do të realizohen nga koncensionari. Kjo listë përfshin 164 teste. Kontrata parashikon mundësinë e shtimit te testeve të reja si dhe procedurën që duhet të ndiqet në këto raste,” tha administratori i kompanisë.

“Deri në dorëzimin e laboratorit të fundit, pas 6 muajsh, koncensionari ka rënë dakord me QSUNT që të kryejë çdo lloj analize që ajo ka nevojë pa kosto shtesë, me kushtin që QSUNT të sigurojë kitet dhe reagentët,” shtoi ai.

I pyetur për listën e cunguar të analizave, Karathano u përgjigj se përgjegjësinë “duhet ta kërkojmë tjetërkund”.

“Unë jam privat dhe kryej vetëm ato analiza që më janë kërkuar. Nëse nesër do më kërkojnë 500 lloje analizash, unë jam i gatshëm t’i ofroj, pasi infrastruktura është ngritur,” tha Karathano.

Kërkimi shkencor në pikëpyetje

Ambientet e laboratorit të QSUNT pas kalimit nën administrimin e kompanisë koncesionare. Foto: Esmeralda Keta.

Në fillim të nëntorit, shefi i shërbimit laboratorik të Imunologjisë, Genc Sulçebe refuzoi të punonte për kompaninë koncesionare –ai është në kërkim të një strehe të re për laboratorin e Imunologjisë.

BIRN mësoi se ai mund të kalojë nën varësinë e Akademisë së Shkencave, për të vazhduar misionin e tij me studimet mbi COVID-19 në Shqipëri.

Largimi i Sulçebe përfaqëson një frakturë të dukshme mes laboratorëve të administruar tashmë nga koncesionari dhe statusit universitar të tyre –që nënkupton praktikën nga studentët e mjekësisë dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.

Akademiku Sulçebe nuk është i vetmi pedagog dhe shef shërbimi që nuk ka pranuar të lidhë kontratë me kompaninë koncesionare –duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si këto shërbime do të funksionojnë në të ardhmen.

Ndërpritet kontrata me pedagogët
Më 8 nëntor, të gjithë mjekëve pedagogë që punonin në laboratorët e QSUNT-së u është ndërprerë kontrata në mënyrë të papritur.Sipas një vendimi të vitit 2008, pedagogët merrnin një honorar për punën e tyre në laboratorë, e cila në vitin 2014 u stabilizua si pagesë mujore. “Unë jam pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë, dhe normalisht kam kontribute edhe tek laboratori. Tani kjo na ndërpritet në mënyrë të papritur,” tha njëri prej pedagogëve, që e quajti situatën absurde.”Laboratori duhet të jetë shërbim universitar dhe një nga kriteret është punësimi i pedagogëve të Mjekësisë.Sa kohë që ai i ka kaluar privatit dhe ka pushuar nga puna stafin akademik, ai nuk është më shërbim universitar dhe si pasojë as QSUNT nuk është më qendër universitare…,” u ankua ai. Drejtuesit e kompanisë koncesionare mohuan akuzat për heqje nga puna të pedagogëve, duke sqaruar se nuk është në tagrin e tyre ndërprerja e marrëdhënieve të punës me punonjësit e QSUNT.
Edhe shefi i laboratorit Mikrobiologjik, Andi Koraqi ka vendosur të qëndrojë në QSUNT, ndërsa roli i tij i ri do të jetë monitorimi i punës që bëhet në laborator dhe i cilësisë së ekzaminimeve, të cilat do t’ia raportojë drejtorisë e QSUNT.

“Unë do të jem në rolin e monitoruesit të laboratorit,” tha Koraqi. “Ndërsa si shef shërbimi nuk besoj se asnjë prej nesh rrezikohet, pasi ne jemi të zgjedhur dhe kemi qëndruar si pjesë e strukturës së QSUNT dhe jo e koncensionarit” shtoi ai.

Sipas ligjit “Për shërbimin Spitalor” të vitit 2003 dhe atij për “Kërkimin Shkencor” të vitit 2015, spitale terciare quhen spitalet me organizim teknik, pajisje mjekësore dhe me shërbime, që janë në gjendje të sigurojnë: ndihmë mjekësore të nivelit të lartë; punë kërkimore-shkencore, në bashkëpunim me departamentet e mësimdhënies: përgatitje profesionale dhe shkolla për kualifikimin e personelit ndihmës dhe teknik.

Kalimi i një hallke kyçe si laboratorët nën administrim privat i ndan mjekët në qëndrime sa i përket së ardhshmes së kërkimit shkencor.

Një pedagog që foli me BIRN në kushtet e anonimatit, ishte kritik dhe i drejtpërdrejtë.

“Aktualisht ne i kemi vënë kazmën kërkimit shkencor.E para nuk bën dot kërkim shkencor në laboratorët e privatit, pasi ai është kontraktuar vetëm për një numër strikt analizash,” tha ai.

“Kini parasysh që mjekësia ecën me hapa gjigandë dhe ekzaminimet laboratorike ndryshojnë nga viti në vit. Ne nuk do të mund të ecim me hapin e shkencës në këtë rast, pasi ne ia kemi dhënë privatit,” shtoi ai.

Por profesori Mentor Petrela, shefi i Neurokirurgjisë në QSUT mendon se evolucioni i laboratorëve në QSUNT në këto 30 vite nuk ndoqi nevojat në rritje të shërbimeve, ndaj e konsideron koncesionin si zgjidhjen më të mirë.

“Kalimi me koncesion është alternativa për të arritur standardet dhe garantuar rezultatet kur ky sektor nuk shkon mirë. A duhej bërë në bllok ose pjesë-pjesë, këtë nuk mund ta them,” tha Petrela.

Profesor Petrela mendon gjithashtu se orientimi drejt kostifikimit të shërbimeve do të ndryshojë mentalitetin publik të analizave pafund, dhe jo sipas taxonomisë.

“Rreziku i vetëm mbetet gjithnjë në PPP, që publiku nuk është aq i përgatitur dhe duhet të ketë kapacitete tekniko- financiare kompetente për të ndjekur kostot dhe konsumin, që nuk është gjithnjë e mundshme,”shtoi ai.

Drejtoria e QSUNT i tha BIRN se mjekët pedagogë do të vazhdojnë të realizojnë funksione kërkimore – shkencore, monitoruese dhe raportuese, duke përdorur infrastrukturën si dhe informacionin e vënë në dispozicion nga koncensionari.

“QSUNT ka për mision të shërbejë si bazë kërkimore – shkencore në fushën e shëndetësisë, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë Tiranës dhe struktura te tjera kërkimore shkencore dhe kjo nuk ndryshon me nënshkrimin e kontratës,” tha QSUNT, duke shtuar se pedagogët, studentët dhe specializantët do të kenë të drejtë të hyjnë në ambientet e laboratorëve.

Pronari i kompanisë koncesionare, Karathano i tha BIRN se pas refuzimit të shefave të shërbimeve, ata kanë punësuar dy drejtuese të reja teknike, të cilat plotësojnë statusin universitar që i duhet këtij laboratori.

Ai shtoi gjithashtu se kompania do të ishte e lumtur nëse studentët dhe profesorët do të realizonin edhe kërkim shkencor –që sipas tij do t’ia rriste vlerën laboratorit. Megjithatë, ai pranon se jo gjithçka ka shkuar siç duhet.

“Është absurde të mendosh se nuk do të lejoj të realizohet kërkimi-shkencor. Çdo profesor që do të bëjë një gjë të tillë është i mirëpritur, por deri tani askush nuk ka shkelur në derën e laboratorit,” tha Karathano.

“Do të isha i lumtur t’i mbështesja, por ata janë mësuar që të kenë secili laboratorin e vet,” përfundoi ai.

“Reporter.al”

Gjesti fisnik, babai i Klodian Rashës dhuron paratë për shërimin e vajzës nga Shkupi

Edhe pse ka pak ditë që fati e sprovoi me një tragjedi, mes lotësh, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, Qazim Rasha, ka vendosur të dhurojë të gjitha paratë që i janë mbledhur si ndihmë pas vdekjes së të birit për kurimin e vajzës së vogël nga Shkupi, Adisa.

Në një lidhje për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”, i ati i 25-vjeçarit të ndjerë ka rrëqethur me fjalët e tij, teksa ka shprehur dhimbjen e madhe që i ka lënë vrasja e të birit, duke thënë se ishte një bombë që nuk përjetohet.

“Ju falënderoj që ndatë dhimbjen bashkërisht për djalin tim. Dhimbja e djalit tim është dhimbja e gjithkujt, është fatkeqësi e rëndë, është një bombë që nuk përjetohet, por mua më ra përpjesë. Mendova që pjesën time, për interesimin që bënë për djalin tim, që u munduan të ma lehtësonin dhimbjen, duke qenë se në shtëpinë time shumë njerëz kanë ardhur për të kontribuar për shpirtin e Klodianit, të mund t’ua kthej këtë në një gëzim.

Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai cfarë pati e mori me vete. Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar babain e artistit Noizy e të gjithë ata që më kanë ndihmuar, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës, që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush”, tha i ati i të ndjerit.

Naçi: Jemi gjithë shumë të emocionuar këtu, na i mbushi sytë dhe zemrat me lot.

Qazim Rasha: Jam pa fjalë, çdo zemër të shërohet, asnjë zemër të mos lëndohet. Çdo nënë të gëzojë, çdo fëmijë të jetojë. Zoti i begatoftë zemrat e çdo shqiptari, asnjë familje mos e provoftë. Mundohuni të shëroni zemra, mos u mundoni të plagosni zemra.

Naçi: Çdo donacion që bëhet sot të shkojë për shpirtin e Klodit e të shkojnë për Adisën e vogël. Zoti ju bekoftë edhe ju Qazim pas asaj sprove që kaluat!

Tjetër krim i policisë, efektivët e “Shqiponjës” qëllojnë me breshëri automjetin, kush janë dy banditët

Sali BERISHA

Korbat e zinj te Edvin Kristaq Xhelatit qellojne me bresheri drejt automjetit ne Qenas, Fier.
Te dashur miq, me dt 14 dhjetor ne darke vone Korbat e Zinj, keshtu do te quhet narkobanda e Shqiponjave pas vrasjes se pabese, pas shpine dhe ne prag te deres te 25 vjeçarit Klodian Rasha, kane shkrehur bresheri kallashnikovi drejt nje automjeti qe nuk eshte ndaluar pas kerkeses se tyre per tu ndaluar.

Kryebanditi i Korbave te Zinj, vellezerve siamez te Nevaldos, Ardi Xhafa ne fillim ka fshehur ngjarjen. Ai e ka bere publike vetem kur ngjarja eshte dekonspiruar nga police te tronditur per ngjarjen te Narkokomisariatit te Fierit, te cilet kane njoftuar Shoqaten e Punonjesve te Policise ne Lirim se korbat e zinj, narkobanditet me uniforme që qëlluan me armë në drejt automjetit jane Donald Bedri dhe Renald Stasa, të dy militante te partise se krimit te ri ne detyre.

Denoj me ashpersine me te madhe kete akt kriminal te vrasesve me pagese dhe uniforme te efektivave te Korbave te Zinj dhe kryebanditit ne drejtim te tyre Ardi Veliu.

Raporti: Shqipëria, një nga 5 vendet me çmimet më larta në Europë dhe pagat më të ulta

Ndërsa INSTAT raportoi se çmimet u rritën mesatarisht me 1.4% në nëntor në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, një tjetër tregues i publikuar nga INSTAT, Indeksi i harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që bën krahasim me vendet e Europës, tregon se shtrenjtimi i çmimeve ka qenë më i lartë, me 2.2%.

Sipas INSTAT, Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Nëntor 2020 është 2,2%. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,7% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,1%,“Pije alkoolike dhe duhan” me 1,6%,“Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,2%,“Argëtim dhe kulturë” me 1,0 %,“Komunikimi” me 0,5%,“Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4 %, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,7 %,pasuar nga grupi “Shëndeti” 0,2 %.

Sipas grafikut të publikuar nga INSTAT, Shqipëria ishte e pesta në Europë për rritjen e çmimeve, ndërsa një muaj më parë ishte e katërta. Vihet re se në shumë shtete inflacioni është afër zeros, ose dhe negativ. Ndërsa në Shqipëri ai vijon të jetë pozitiv, i ndikuar kryesisht nga çmimet e ushqimeve, që zënë edhe peshën më të madhe të shpenzimeve të një familjeve shqiptare, me rreth 41%, nga 13% që është mesatarja europiane, sipas Eurostat. Për më tepër edhe nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit), duke dhënë ndikimin kryesor në këtë diferencë.

Në muajin Nëntor 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është-0,9%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit“ Ushqime dhe pije joalkoolike” me2,4%,pasuar nga grupet “Transporti” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 0,4%,pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,1 %.

Ndryshimi vjen nga pesha më e lartë të frutave dhe perimeve në indeksin e harmonizuar

Në vitin 2017, për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasim sa më të mirë me vendet e tjera të inflacionit, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

“New Europe” zbardh skandalin: Calavera kontaktoi me Komisionin e Venecias për llogari të Ramës, a po flirton…

Nga Kassandra

Komisioni i Venecias, një organ i respektuar juridik i Këshillit të Evropës, po merret që vitin e kaluar me shumë çështje nga Shqipëria; mjaftueshëm për t’u etiketuar me shaka nga diplomatët si ‘Komisioni i Tiranës’.

I pari ndër ta është Luigi Soreca, kreu i Delegacionit të BE në Tiranë, i cili së fundmi ka bërë fushatë në mënyrë jodiplomatike që autoritetet të bënin dy emërime jo më vonë se 31 dhjetori në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë pezull prej tre vitesh si pasojë e një fushate në drejtësi të kryer dhe zbatuar keq. Kjo ka krijuar një boshllëk pushteti që është mbushur zellshëm nga një kryeministër i etur për pushtet që përballet me akuza për autoritarizëm, korrupsion dhe lidhje me krimin. Mungesa e pushtetit të tretë është një arsye për polarizimin politik në rritje teksa shumë çështje sensitive presin të gjykohen.

Kjo shpjegon pse ka shumë raste nga Shqipëria në Komisionin e Venecias. Diplomatëve shakatarë mund t’u kujtohet që BE luajti një rol mbi proporcional në reformën në drejtësi në Shqipëri dhe ata kanë një farë përgjegjësie për nofkën e re të Komisionit të Venecias. Do të donim të besonim se ky sens moral shpjegon thirrjet e përjavshme nga Soreca për emërimet në drejtësi.

Burimet tona në Bruksel dhe në Delegacionin në Tiranë na tregojnë për përpjekje për të përmbushur një kusht kryesor për nisen e negociatave me BE. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese mund të mos jetë ende funksionale për disa pavarësisht emërimeve, siç thonë disa ekspertë, por kjo do të jetë temë e një tjetër artikulli.

Javën e kaluar, Komisioni i Venecias bëri të ditur opinionin për ndryshimet e fundit kushtetuese në Shqipëri të cilat prekin sistemin zgjedhor. Ishte një denoncim i fortë i abuzimit të Edi Ramës me situatën me qëllim rritjen e shanseve të tij në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Ajo që nuk iu tha publikut ishte se ideja për t’ia referuar çështjen Komisionit të Venecias erdhi nga maja e Komisionit Evropian. Oliver Varhelyi, Komisioneri i Zgjerimit, vizitoi Tiranën më 7 tetor, ku u takua me Presidentin Ilir Meta dhe zyrtarë të qeverisë dhe opozitës. Burimet tona thonë se ai sugjeroi Venecian si rrugëdalje nga ngërçi i krijuar nga ndryshimet arbitrare kushtetuese të Ramës. Meta i shkroi Venecias më 21 tetor, por deri tani nuk ka pasur shumë për t’u përmendur përveç Komisionerit që aplikon diplomaci e korrektesë teksa përpiqet të ndihmojë në zgjidhjen e një nyjeje politike në vendin e Ballkanit Perëndimor.

Ky është padyshim një zhvillim i mirëpritur duke pasur parasysh paraardhësit e tij pro-Ramës. Ajo që i tërhoqi vëmendjen Kassandrës, megjithatë, ishte informacioni se një zyrtare e Komisionit, quajtur Genoveva Ruiz Calavera, e cila është vartëse e Várhelyit si drejtore për Ballkanin Perëndimor, i telefonoi Komisionit të Venecias. Ajo kërkoi që kërkesa e Metës të refuzohej. Mendimi i saj ishte që Komisioni të rekomandonte ndryshime legjislative dhe parlamenti shqiptar t’u bindej e të vepronte sipas tyre. Kjo do të vinte në rrezik zgjedhjet e 25 prillit dhe pasqyronte në mënyrë perfekt argumentin publik të Ramës.

Kassandra do të donte të besonte mendimin e Presidentit Meta dhe Komisionerit Varhelyi se kthimi në formulën e anuluar zgjedhore nuk do të shqetësonte zgjedhjet e prillit. Ajo kërkon një copëz të thjeshtë legjislative efekti i së cilës do të shfaqet vetëm pas numërimit të votës. Megjithatë, pa një analizë të thellë, nuk mund të kemi një qëndrim të patundur për këtë çështje.

Varhelyi është konfliktuar publikisht me Ramën në dy raste të veçantë, teksa i bëri thirrje kryeministrit të mos aplikonte ndryshimet para publikimit të Komisionit të Venecias. Shumë politikanë të tjerë të BE iu bashkuan thirrjes, të cilën Rama vendosi ta injoronte. Për këtë kemi shkruar gjashtë javë më parë, duke vënë në dukje ftohjen midis Ramës dhe niveleve institucionale të BE.

Të gjithë ne e dimë nga përvojat e mëparshme se zyrtarët e Komisionit që injorojnë pikëpamjet e shefave të tyre politikë në Kolegjin e Komisionerëve janë gjë e zakonshme në Bruksel. Ajo që na duket e mahnitshme është që Calavera vazhdoi operacionet e saj personale me Komisionin e Venecias në prapaskenën e këtij konflikti. Ky duket si një akt i pazakontë sabotimi e madje një mosbindje e hapur, pasi ajo duhet ta ketë ditur që ‘Venecianët’ do të tregonin.

Mund të duam të spekulojmë për arsyet e saj, por nuk duam të nxjerrim konkluzione të shpejta. New Europe ishte e para dhe e vetmja gazetë kryesore evropiane që ekspozoi korrupsionin e Romana Vlahutin, paraardhësja e Sorecas në Tiranë. Ca para mënjanë mund ta kenë trimëruar në veprimet e saj pro-Rama, por ajo ka qenë hapur e njëanshme që nga fillimi i punës së saj në Delegacion dhe ka qenë edhe e toleruar nga Selia.

Deklaratat publike të Calaveras, përfshirë ato drejtuar Parlamentit Evropian, vijnë era Ramaizëm puro. Ajo drejton monitorimin ndërkombëtar të procesit të vettingut, i cili është aspekti kryesor i reformës në drejtësi që është kritikuar vazhdimisht. Ndoshta aty duhen gjetur arsyet. Ende nuk e dimë, por nuk do ta përjashtonim këtë mundësi të qartë në hetimet tona të ardhshme.

Duke qëndruar te faktet që dimë, e konsiderojmë këtë një çështje kredibiliteti për Komisionin Evropian. Komisioneri Várhelyi, kur mori postin, premtoi të rikthente besimin në procesin e zgjerimit. Nëse dështon të rimarrë kontrollin në departamentin për të cilën është përgjegjës, atëherë do të jetë shumë e vështirë për të të mbajë premtimin fillestar.

100% e tarifës së studimit nga shteti për studentët nga familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë

Basha është zotuar se qeveria e ardhshme do të anulojë menjëherë ligjin aktual për arsimin e lartë. Ai premton se në ligjin e ri do të ketë vëmendje maksimale pjesa e mbështetjes financiare që asnjë i ri shqiptar mos ngelet pa arsim për shkak të pamundësisë ekonomike.

Ai ka ripërsëritur edhe një herë se në programin e PD për arsimin përllogaritet një mbulim 100% i tarifës nga shteti për studentët nga familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, dhe 50% të tarifës për studentët nga familje me të ardhura 640 mijë deri në 1,280 mijë lekë të vjetra në muaj.

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Një bashkëbisedim krejt i veçantë me drejtuesin e Portalit Studentor, Gevio Tabaku rreth arsimit, pandemisë, protestave dhe çështjeve me interes për rininë.

❌ Qeveria jonë do të anulojë ligjin aktual të arsimit të lartë.

💼 Në ligjin e ri të arsimit, arsimi i lartë do ketë vëmendje maksimale, mbështetje financiare që asnjë i ri shqiptar mos të mbetet pa arsim për shkak të pamundësisë ekonomike.

📑Nga programi ynë për arsimim, veçova:

🔖100% e tarifës së studimit e mbuluar nga shteti për studentët nga familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj;

🔖50% e tarifës për studentët nga familje me të ardhura ndërmjet 640 mijë dhe 1,280 mijë lekë të vjetra në muaj.