20.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

Pa kushte sigurie: Në Gjykatën e Kukësit, i pandehuri qëndron ngjitur me viktimën

Nga Bashkim Shala

Zhvillimi i një gjyqi në gjykatën e Kukësit është kthyer në sfidë për stafin që menaxhon procesin administrativ. Gjykata nuk ka hyrje të veçanta për palët dhe ka vetëm një sallë formale, të pajisur me kafaz sigurie, ku mund të zhvillohen gjykime penale.

“Zhvillohen 40-60 seanca gjyqësore në ditë, ku janë vetëm tre salla gjykimi, ku vetëm njëra është penale me kafaz për të pandehurin, ndërsa dy të tjerat janë në përmasat e një zyre të përshtatura si salla,” thotë Shkëlzen Mulosmani, kancelar në gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Gjykata dhe Prokuroria e Kukësit u vendosën në ndërtesën e ish-Komitetit të Partisë së Punës pas viteve ’90, duke u adaptuar në njëfarë mënyre, por pa mundur të kryejnë funksionin e vet si institucione bashkëkohore. Përgjatë tre dekadave, godina nuk ka pasur asnjë investim serioz.

Mulosmani thotë se problemet janë të njohura dhe janë përmendur edhe në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore të vendit, por përtej konstatimit, planet për përmirësimin e kushteve kanë ngecur.

“Gjykata e ndan hapësirën e saj me prokurorinë e rrethit, arkivin qendror, përmbarimin dhe bashkinë. Aktualisht, ndërtesa e gjykatës nuk i përmbush standardet e projektimit që lidhen me sigurinë dhe/ose shmangien e komunikimit ex-parte (pra, hyrje dhe dalje të dedikuara për personelin e gjykatës, palët dhe/ose të paraburgosurit)”, thuhet në raportin e KLGJ-së në vitin 2022.

Faza e dytë e hartës së re gjyqësore, që shkriu gjykatën e Tropojës me Kukësin, u implementua më 1 maj të vitit 2023, por dy vjet më vonë problemet e infrastrukturës nuk duket se janë zgjidhur.

Përkundrazi, zbatimi i hartës së re gjyqësore ka shtuar telashet për funksionimin e Gjykatës së Kukësit e cila përballet me mungesë të hapësirave, infrastrukturë të papërshtatshme dhe kapacitete të pamjaftueshme për numrin në rritje të çështjeve dhe stafit pas bashkimit me Gjykatën e Tropojës.

“Situata është shumë e rëndë, nuk ka si shkon më keq,” tha për BIRN avokati Ilir Nerguti, duke theksuar se nuk ka kushte sigurie për viktimat.

“Në shumicën e rasteve qëndrojnë ngjitur i pandehuri me viktimën,” shtoi ai.

Sipas Nergutit, autoritetet përgjegjëse justifikohen me tranzicionin në drejtësi. “Reforma në drejtësi është në një situatë tranzitore është justifikimi I autoriteteve përgjegjëse . Është premtuar se do ketë zgjerim të ambjenteve, po ky muhabet është që prej 15 vitesh”, shtoi Nerguti.

Zyrtarët e gjykatës së Kukësit thonë se i kanë kërkuar KLGJ-së që ish-ndërtesa e maternitetit të vjetër të Kukësit të adaptohet për ambiente të Gjykatës dhe Prokurorisë së Kukësit, kjo sipas tyre do mund të zgjidhte problemet për mjedise.

“I kemi propozuar KLGJ-së që ish-ndërtesa e maternitetit të vjetër të Kukësit të adaptohet për ambiente të Gjykatës dhe Prokurorisë. Kemi informacione se KLGJ-ja dhe Ministria e Shëndetësisë janë në negociata për këtë qëllim, megjithatë për të kryer këtë adaptim kërkohen shumë investime,” thotë Mulosmani.

Problemet sipas Mulosmanit shkojnë përtej dëshirave, pasi institucionet e reja të drejtësisë, në rastin konkret edhe KLGJ-ja, pavarësisht se janë ngritur prej një dekade nuk kanë mjaftueshëm autonomi në përmirësimin e infrastrukturës. Mulosmani thotë se ky institucion nuk i ka në pronësi godinat e gjykatave në të gjithë vendin.

“Pengesë tjetër në hartën e re gjyqësore janë pronësitë e gjykatave, ku ato ende janë në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa KLGJ-ja veçse i ka në administrim. Për të kryer një investim sado të vogël në këto ambiente duhet një mori procedurash burokratike,”shtoi ai.

Pavarësisht reformave institucionale të ndërmarra prej më shumë se një dekade, mungesa e burimeve financiare dhe standardet e sigurisë dhe shërbimit vijojnë të pengojnë ofrimin e drejtësisë në kushte dinjitoze për qytetarët dhe palët në proces.

“Ka më shumë se dy vjet që në ndërtesën ekzistuese të gjykatës së Kukësit është bashkuar edhe gjykata e Tropojës, por megjithëse gati është dyfishuar numri i zyrtarëve, ambientet janë të njëjta. Jemi në procedurë me KLGJ-në për rregullimin e ambienteve, por ato gjithsesi janë të pamjaftueshme dhe kjo nuk është një zgjidhje”, thotë për “BIRN” kancelari i kësaj gjykate Shkëlzen Mulosmani.

Sipas Mulosmanit, ambientet e kësaj gjykate nuk i plotësojnë kushtet që kërkon harta e re gjyqësore. “Përmes një dere hyjnë prokurorët, gjyqtarët, avokatët, të pandehurit dhe familjarët e tyre. Me këtë rast shkelen edhe të drejtat e të pandehurit përsa i përket prezumimit të pafajësisë, ku mund të fotografohet apo filmohet edhe kur paraqitet për masë sigurie, që nuk lejohet me ligj, ku nuk ka hyrje të veçantë për të pandehurit,” thotë Mulosmani.

Një problem tjetër është edhe siguria e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe vetë të pandehurve, pasi mungojnë sallat penale në raport me numrin e seancave ditore që zhvillohen në gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës.

Avokati Nerguti thotë se për shkak të mungesës së mjediseve dhe hapësirës ka patur raste ku janë kërcënuar apo sharë avokatët, prokurorët apo edhe gjyqtarët si nga familjarë të të akuzuarve, por edhe nga vetë të akuzuarit.

“ Na shajnë vazhdimisht, pasi jemi shumë afër njeri- tjetrit. Jemi detyruar të rrimë urtë se nuk kemi se çfarë bëjmë,” tha Nerguti.

Harta e re gjyqësore reduktoi në 13 numrin e gjykatave të shkallës së parë dhe në këtë kuadër, dosjet e Tropojës u transferuan në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjës në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.

Probleme me infrastrukturën nuk ka vetëm në gjykatën e Kukësit. Apeli i Përgjithshëm i vendosur në kryeqytet, po ashtu vuan nga mungesa e hapësirave dhe trupës së gjyqtarëve./BIRN

Ish-kreu i ARRSH, Berberi mbetet në burg: GJKKO rrëzon kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë! Në qeli dhe bashkëpunëtori i tij

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-kreut të ARRSH Evis Berberi dhe të bashkëpunëtorit të tij Valter Begaj për zëvendësim të masës së sigurisë. GJKKO vendosi vijimin e masës “arrest në burg” për të dy.

Ish-kreu i ARRSH mbahet në qelinë e paraburgimit që prej datës 16 mars të vitit 2024. Bashkë me të në pranga u vendos edhe Valter Begaj edhe Ervis Lami.

Ky i fundit u la i lirë pak kohë më parë nga shkalla e parë, por Apeli i Posaçëm e riktheu sërish në qeli, pas ankimimit të vendimit të GJKKO nga Prokuroria e Posaçme.

Operacioni “Rrjeta e Merimangës” – Goditja spektakolare e Ukrainës ndaj forcave ajrore ruse dhe mesazhi i qartë për aleatët perëndimorë

Operacioni i fundit i Ukrainës, me emrin e koduar “Rrjeta e Merimangës”, shënon një ndër momentet më të guximshme dhe të sofistikuara të luftës kundër Rusisë. Ky ofensivë në shkallë të gjerë ka dërguar një mesazh të qartë e të dyfishtë: jo vetëm për Kremlinin, por edhe për aleatët perëndimorë që duket se kanë nisur ta shohin luftën si të humbur.

Pas 18 muajsh përgatitje, Ukraina pretendon se ka arritur të shkatërrojë 40 nga 120 bombarduesit strategjikë të Rusisë – një humbje e konsiderueshme për një nga shtyllat e fuqisë ajrore të Moskës. Pavarësisht se nuk është e mundur të verifikohen plotësisht këto të dhëna, dëmi i shkaktuar nga operacioni llogaritet në rreth 7 miliardë dollarë.

Gazetari Paul Adams i BBC-së e cilëson këtë si një goditje të jashtëzakonshme, të ngjashme me fundosjen e anijes “Moskva” apo bombardimin e urës së Kerçit – ngjarje që kanë shënuar kthesa të mëdha në narrativën e luftës.

Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase (SBU), operacioni përfshiu kontrabandimin e dhjetëra dronëve të vegjël në thellësi të territorit rus, të fshehur në ndarje të posaçme brenda kamionëve të mallrave. Këta dronë u shpërndanë në të paktën katër lokacione të ndryshme, për mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, dhe më pas u lëshuan në mënyrë të koordinuar drejt bazave ajrore strategjike.

“Askush tjetër në botë nuk ka realizuar një operacion të tillë inteligjence,” u shpreh analisti i mbrojtjes Serhii Kuzan. Ai thekson rëndësinë jetike të këtyre avionëve – Tu-95, Tu-22 dhe Tu-160 – të cilët janë jashtë prodhimit dhe riparimi i tyre është tejet i vështirë, në disa raste i pamundur.

Sipas blogerit ushtarak Oleksandr Kovalenko, ndikimi i kësaj goditjeje është kolosal. “Shkalla e dëmit është e tillë që kompleksi ushtarako-industrial rus, në formën që ndodhet, zor se mund të rikuperojë këto humbje në të ardhmen e afërt.” Humbja e avionëve Tu-160, të rrallë dhe supersonikë, konsiderohet veçanërisht e rëndë: “Sot, Forcat Ajrore Ruse humbën dy nga ‘njëbrirëshat’ e tyre,” shkruan ai.

Ukraina drejt negociatave: Nuk është dorëzim, por strategji

Ndërkohë, Ukraina ka konfirmuar pjesëmarrjen në raundin e radhës të negociatave për armëpushim me Rusinë, që do të zhvillohen në Stamboll. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se delegacioni do të udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umyerov.

Kievi deri më tani kishte lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në këtë raund të dytë, të propozuar nga Moska, por duket se pas operacionit spektakolar ndaj forcave ajrore ruse, pozicioni ukrainas në tavolinën e bisedimeve është forcuar.

Sipas burimeve në Ministrinë e Jashtme turke, takimi është planifikuar të nisë të hënën, më 2 qershor, në orën 13:00 sipas orës lokale, në Pallatin Ciragan në Stamboll.

Mesazhi për Perëndimin: Ukraina nuk ka hequr dorë

Përtej aspektit ushtarak, “Rrjeta e Merimangës” është një deklaratë strategjike në një kohë kur disa zëra në Perëndim po zbehin mbështetjen për Ukrainën. Një zyrtar qeveritar në Kiev, në një bisedë me gazetarin ukrainas të BBC-së, Svyatoslav Khomenko, tha: “Problemi më i madh është se amerikanët janë bindur se ne tashmë e kemi humbur luftën. Dhe që nga ai supozim, rrjedh gjithçka tjetër.”

Në rrjetet sociale, gazetari i mbrojtjes Illia Ponomarenko ironizoi qëndrimet skeptike me një postim ku përmendte fjalët e dëgjuara shpesh: “Ukraina ka vetëm edhe 6 muaj. S’keni më letra në dorë. Dorëzohuni për paqe…” Përkundrazi, ai theksoi se me këtë operacion, Zelensky “hodhi Mbretin e Dronëve”.

Revista Business Ukraine ishte edhe më therëse: “Rezulton që Ukraina paska disa letra në dorë pas të gjithave.”

Këto mesazhe shkojnë përtej Moskës. Ato janë një thirrje për aleatët perëndimorë që të mos e lëshojnë Ukrainën në një moment vendimtar. Ndërkohë që delegatët ukrainas udhëtojnë drejt Stambollit për negociata, vendosmëria është e qartë: Ukraina është ende në lojë dhe nuk është gati të dorëzohet.

“Amerikanët sillen sikur roli i tyre është të negociojnë për ne termat më të butë të dorëzimit,” i tha zyrtari Khomenkos. “Dhe ndihen të ofenduar kur ne nuk i falënderojmë. Por natyrisht që nuk i falënderojmë – sepse nuk besojmë se kemi humbur.”

Pavarësisht avancimeve të ngadalta, por të vazhdueshme të forcave ruse në Donbas, Kievi i dërgon botës një sinjal të fuqishëm: fitorja nuk është thjesht një ëndërr, por një mundësi reale. Dhe Ukraina nuk ka ndërmend të dorëzohet pa luftuar deri në fund./BBC

Juristi që denoncoi aferën CEZ-DIA: Hetimet që kanë çuar Ilir Metën në gjykatë janë vetëm maja e ajsbergut, gati të…

Juristi i njohur, Romeo Kara, denoncuesi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) i aferës “CEZ-DIA”, zbardh detaje të pathëna mbi skandalin që ka çuar ish-presidentin Ilir Meta përballë drejtësisë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Kara flet për kontrata të manipuluara, dëshmitarë të eliminuar, dokumente financiare komprometuese dhe rolin e paprekur të djalit të Sali Berishës, Shkëlzenit në një nga aferat më të mëdha të tranzicionit shqiptar.

Ai paralajmëron se dosja ndaj Metës është vetëm maja e ajsbergut dhe se dhjetëra çështje të tjera janë gati të shpërthejnë, nëse SPAK vepron me vendosmëri.

 -Z. Kara, dosja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka shkuar tashmë për gjykim. Sa vite burg rrezikojnë ata për akuzat që u rëndojnë?

Fakti që dosja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka kaluar për gjykim është një zhvillim me rëndësi jo vetëm ligjore, por edhe simbolike për vendin tonë, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me dy individë, por kemi të bëjmë me simbole të një kulture të tërë të pandëshkueshmërisë, që ka shkatërruar moralin publik dhe ka minuar besimin e qytetarëve tek shteti.

Sa për pyetjen tuaj konkrete: bazuar në nenet përkatëse të Kodit Penal, nëse akuzat si pastrimi i produkteve të veprës penale, korrupsioni apo fshehja e pasurisë vërtetohen, dënimet e mundshme janë disa vite burg, që në disa raste mund të kalojnë dhjetëvjeçarin.Por më shumë se sa vite burg, shqetësimi im është: a do të kemi një gjykim real, të paanshëm dhe të bazuar në prova, apo thjesht një proces për të dhënë iluzionin e drejtësisë?Unë e kam ndjekur personalisht me vite këtë çështje, kam dokumentuar fakte dhe kam denoncuar hapur abuzimet.

Nuk kam folur për të bërë zhurmë, por për të krijuar një precedent: që askush të mos jetë mbi ligjin, sado i fuqishëm politikisht të jetë. Sot është momenti që sistemi i drejtësisë të tregojë nëse ka vërtet pavarësi dhe kurajo për t’u përballur me të vërtetën.Ky nuk është vetëm një proces penal ndaj dy individëve. Është një përballje historike mes dy Shqipërive: asaj që kërkon të jetojë me punë dhe ndershmëri, dhe asaj që është pasuruar me hajni, me trafiqe, me korrupsion dhe pabarazi. Në këtë përballje, unë nuk jam spektator, jam palë me qytetarët që presin drejtësi.

-Si i shihni sulmet e fundit të Ilir Metës ndaj drejtësisë dhe ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij?

Sulmet e fundit të Ilir Metës ndaj drejtësisë dhe ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij nuk janë as të reja dhe as të papritura. Ato janë shfaqja më klasike e panikut të një njeriu që e ndien fundin e pandëshkueshmërisë së tij dhe që po përpiqet me çdo mjet të mundshëm të shkatërrojë sistemin para se ai t’i kërkojë llogari. Nuk kemi të bëjmë me një përballje politike, por me një strategji vetëmbrojtjeje kriminale.

Shpifjet, kërcënimet dhe baltosjet ndaj drejtësisë janë një përpjekje për të krijuar kaos dhe për të nxitur mosbesimin tek institucionet, me shpresën se do të relativizohet faji dhe do të sabotohet procesi gjyqësor. Ndërsa sulmet ndaj bashkëpunëtorëve të tij të dikurshëm tregojnë se, në këtë betejë nuk ka më as ideale, as besnikëri, as parime, por vetëm frikë dhe interes personal.Ilir Meta është ndoshta rasti më domethënës i një politike që ka ndërtuar perandori personale mbi korrupsionin, klientelizmin dhe tradhtinë ndaj interesit publik.

Ai e ka përdorur pushtetin për të ndërtuar një mur mbrojtës për veten, jo për të ndërtuar shtet për qytetarët, dhe tani që ai mur po shembet, ka filluar të godasë gjithçka e këdo rreth tij, por tashmë është shumë vonë. As baltosja e drejtësisë, as denigrimi i ish-bashkëpunëtorëve nuk do ta shpëtojnë nga ajo që po e pret: përballja me ligjin dhe me popullin që ka tradhtuar.

-Çfarë faktesh ka mbledhur SPAK për çështjen CEZ-DIA që thuhet se ka fundosur Metën?

Çështja CEZ-DIA është një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit institucional në Shqipëri dhe, në bindjen time të thellë, është dosja që tregon qartë mënyrën se si pushteti është përdorur si mjet për pasurim të paligjshëm dhe për kapjen e shtetit. Në këtë aferë nuk ka thjesht keqmenaxhim, por ka skema të strukturuara mashtrimi, shfrytëzimi të institucioneve dhe zhvatje reale të pasurisë publike.SPAK ka në dorë një mori faktesh që janë grumbulluar prej vitesh, dëshmi, dokumente financiare, kontrata të manipuluara, urdhra politikë të dhënë nën dorë, rrjedha transaksionesh të dyshimta brenda dhe jashtë vendit.

Janë pikërisht këto prova që e bëjnë këtë dosje kaq të rrezikshme për Ilir Metën dhe për rrethin e tij, sepse tregojnë jo vetëm përfshirje personale, por edhe funksionimin e një rrjeti të gjerë korrupsioni të institucionalizuar.Kam denoncuar publikisht këtë aferë që herët, kur shumë heshtnin ose ishin pjesë e këtij mashtrimi të madh. Faktet që sot ndodhen në duart e SPAK-ut janë në përputhje të plotë me ato që unë dhe disa zëra të tjerë të guximshëm kemi ngritur prej vitesh. Edhe pse nuk mund të komentoj çdo detaj të hetimit, pasi hetimi është ende aktiv, ajo që mund të them me përgjegjësi është kjo: nëse kjo çështje ndiqet me profesionalizëm dhe pa ndërhyrje politike, ajo ka potencialin të bëhet një moment themeltar në dekriminalizimin e politikës shqiptare.

-Pse ish-presidenti përpiqet ta lërë përgjegjësinë e kësaj afere te Damian Gjiknuri?

Ilir Meta përpiqet ta zhvendosë përgjegjësinë te Damian Gjiknuri sepse ndodhet për herë të parë realisht përballë drejtësisë dhe e ndien që rrjeta po mbyllet rreth tij.Siç ndodh zakonisht me ata që e kanë ndërtuar karrierën mbi intriga dhe pazare, ai përpiqet t’i përdorë të tjerët si mburojë, siç ka bërë gjithë jetën. Gjiknuri në atë kohë ishte një funksionar i nivelit më të ulët krahasuar me pozicionin dhe fuqinë që kishte Meta si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë pak vite përpara tij.Ky është një mekanizëm klasik: të kërkosh një “kokë turku” për të shpëtuar veten, por në këtë rast, dosja CEZ-DIA është ndryshe.

Ajo nuk mbështetet në thashetheme politike, por në dokumente, vendime qeveritare, veprime konkrete dhe zinxhir përgjegjësish që të çojnë drejt burimit të vërtetë të autoritetit: Ilir Metës. Dhe ajo që e dallon këtë rast është se drejtësia nuk po heton vetëm ‘penën që firmosi’, por dorën që e drejtoi atë firmë, mendjen që e urdhëroi dhe xhepin që e përfitoi.Meta nuk po flet si një i pafajshëm, por po sillet si një njeri i kapur, që kërkon me çdo kusht të rrëzojë këdo që mund ta fundosë bashkë me të. Sot jemi në një kohë kur loja me përgjegjësinë nuk funksionon më. Drejtësia ka nisur të ndjekë logjikën e provave, jo të spektaklit politik dhe në këtë logjikë, Ilir Meta është në qendër të aferës, jo në periferi të saj.

-Ju keni ngritur dyshime se janë eliminuar persona që kanë pasur dijeni mbi aferat e Ilir Metës. Çfarë bazash keni për këto dyshime?

Po, unë kam ngritur prej kohësh dyshime publike të argumentuara se disa persona me dijeni mbi aferat më të errëta të Ilir Metës mund të jenë eliminuar në mënyrë të dyshimtë apo janë zhdukur në rrethana që nuk janë hetuar kurrë seriozisht. Nuk kam pretenduar asnjëherë se kam prova të pakundërshtueshme për të bërë akuza penale pasi kjo është detyrë e prokurorisë, por si qytetar, si jurist dhe si njeri që ka ndjekur këto dosje prej më shumë se një dekade, ndjej përgjegjësinë morale dhe intelektuale për të ngritur alarmin kur shoh një model të përsëritur heshtjeje, frike dhe zhdukjeje të informacionit.

”Ka persona që kanë pasur role kyçe në aferat CEZ-DIA apo të tjera që lidhen me struktura të pushtetit dhe janë larguar nga kjo botë në rrethana të errëta, ose janë detyruar të heshtin përmes shantazhit, kompromisit apo frikës. Disa janë gjetur të vdekur në mënyrë të dyshimtë, të tjerë janë zhdukur nga skena publike menjëherë pasi kanë dhënë sinjale se mund të flasin dhe ajo që është më tronditëse: asnjë institucion nuk i ka hetuar këto ngjarje me seriozitetin që meritojnë.

”Ndaj, kur flas për ‘eliminim’, nuk i referohem vetëm eliminimit fizik, por edhe atij institucional, moral dhe mediatik si një heshtje e organizuar, fshehje e dokumenteve, sabotim i procedurave, transferim apo asgjësim i dëshmive. Këto nuk janë rastësi, janë pjesë e një sistemi mbrojtjeje që i ka shërbyer për vite me radhë Ilir Metës dhe të ngjashmëve me të. Sidoqoftë koha e asaj mburoje po merr fund. Unë do të vazhdoj të flas, sepse vetëm duke thyer murin e frikës mund të çlirojmë të vërtetën.

-Cili është roli i Shkëlzen Berishës në aferën CEZ? A ka fakte që SPAK nuk i ka hetuar ende, ose që pritet t’i hetojë më vonë?

Në privatizimin e CEZ-it, që është një nga aktet më të dëmshme për interesin publik shqiptar, kemi të bëjmë me një skemë që nuk mund të ishte realizuar pa një koordinim të kujdesshëm politik dhe institucional në nivelet më të larta. Janë të pakta provat e shkruara për të pohuar me bindje, po Shkëlzen Berisha ka patur një rol në atë aferë. Në këtë kontekst, roli i Shkëlzen Berishës, nëse ka patur rol, nuk ka qenë zyrtar, por mund të ketë qenë një ndër aktorët informalë me ndikim të drejtpërdrejtë në prapaskenë.

SPAK, deri më tani nuk e ka hetuar kurrë këtë çështje, që padrejtësisht u hetua nga Prokuroria e Tiranës.Pyetja që mbetet pezull është: pse mjaft individë pa funksione publike, por me akses të pakufizuar te qeveritë tona, kishin kontakte me palët që përfitonin nga një marrëveshje shtetërore? Në çdo shtet normal, kjo gjë do të ishte objekt hetimi penal, jo vetëm politik. Ndaj unë besoj se është detyrë e drejtësisë të mos e trajtojë këtë si një çështje familjare, por si një indicie serioze për ndërhyrje të paligjshme në proceset shtetërore.

”Privatizimi i CEZ-it nuk ishte një gabim teknik, por ishte një skemë e organizuar dhe çdo njeri që ka pasur rol në të, qoftë edhe joformal, duhet të thirret për të dhënë llogari. Nëse duam drejtësi të vërtetë, ajo nuk mund të ndalet para emrave të mëdhenj dhe të pajtohet me mbylljen e kësaj çështjeje.

-Mendoni se kjo është vetëm fillimi i proceseve gjyqësore ndaj Ilir Metës apo do ketë edhe zhvillime të tjera të rëndësishme?

Pa asnjë dyshim, ajo që po ndodh sot me Ilir Metën është vetëm fillimi. Ai është një simbol i një epoke të tërë korrupsioni, ku politika nuk funksionoi si shërbim publik, por si mekanizëm pasurimi personal dhe kontrolli mbi shtetin. Hetimet që kanë çuar në dërgimin e tij në gjykatë janë vetëm maja e ajsbergut. Prapa tyre fshihen dhjetëra çështje të tjera, afera të mbetura pezull, prova të injoruara dhe dëshmi që presin të zbulohen.Ilir Meta nuk ka qenë thjesht një individ që ka abuzuar me pushtetin — ai ka qenë një nyje e rëndësishme në rrjetin e lidhjeve të errëta mes politikës, biznesit dhe drejtësisë.

Dhe si çdo nyje e tillë, rënia e tij do të sjellë edhe çarje të tjera. Kemi ende për të parë zhvillime në çështje të tilla si privatizimet strategjike, koncesionet e dyshimta, ndikimi i tij mbi gjyqtarë dhe prokurorë, dhe sidomos pasuritë e tij të padeklaruara.Ky nuk është fundi i një kapitulli, por fillimi i fundit të një epoke. Sa më thellë të shkojë drejtësia në zbardhjen e së vërtetës, aq më shumë do të kuptojë publiku se për vite me radhë Shqipëria është sunduar nga një grup i vogël njerëzish që kanë ndarë pasurinë publike si plaçkë lufte. Procesi ndaj Ilir Metës është një rast prove: ose do shërbejë për të çmontuar gjithë këtë sistem, ose do mbetet një spektakël pa pasoja reale. Unë besoj dhe do luftoj që të ndodhë e para.

-A mendoni se drejtësia duhet të marrë masa më të ashpra, si sekuestrimi i pasurive të Ilir Metës, gjatë hetimeve?

Po, unë besoj se drejtësia duhet të marrë masa shumë më të ashpra gjatë hetimeve, përfshirë sekuestrimin e pasurive të Ilir Metës dhe rrethit të tij të ngushtë. Sepse kur kemi indicie serioze për pasuri të paligjshme, të ardhura nga korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, mungesa e veprimeve parandaluese është e pajustifikueshme. Drejtësia nuk mund të ecë me hapa të ngadaltë përballë një sistemi që për vite me radhë ka vjedhur me shpejtësinë e rrufesë. Ligji antimafia dhe ligji për pasurinë e pajustifikuar e parashikojnë qartë mundësinë e sekuestrimit të pasurive që janë në dyshim për origjinën.

Dhe në rastin e Ilir Metës, kemi një sërë pasurish të deklaruara pjesërisht, apo të dyshuara si të fshehura përmes njerëz të afërt, fondacionesh, apo entitetesh që përdoren si mbulesë. Nëse këto pasuri nuk sekuestrohen tani, ato mund të zhduken, transferohen ose pastrohen, duke e bërë drejtësinë të vonuar dhe të paplotë.Drejtësia nuk ka luksin të sillet me butësi me ata që kanë qenë të pamëshirshëm me shtetin dhe qytetarët. Sekuestrimi nuk është dënim — është një masë parandaluese dhe hetimore. Nëse drejtësia nuk e përdor këtë instrument, atëherë ajo dërgon një mesazh të rrezikshëm: se pasuritë e korrupsionit janë të paprekshme dhe të mbrojtura. Ndaj, po, drejtësia duhet të veprojë shpejt, me guxim dhe pa dallim emrash. Sepse drejtësia që vonon, shpesh bëhet bashkëfajtore.

-Në këtë kontekst, si e vlerësoni përgjigjen dhe qëndrimin e ish-presidentit në përgjithësi për akuzat dhe procesin gjyqësor?

Qëndrimi i Ilir Metës përballë akuzave dhe procesit gjyqësor është një qëndrim tipik i një politikani që është mësuar të qëndrojë mbi ligjin. Ai nuk ka zgjedhur të përballet me drejtësinë në mënyrë institucionale, me argumente dhe transparencë, por ka reaguar me arrogancë, fyerje dhe viktimizim politik. Në vend që të japë llogari për pasuritë dhe veprimet e tij, ai sulmon prokurorët, gjykatësit, median, ish-bashkëpunëtorët dhe të gjithë sistemin që po përpiqet më në fund ta vendosë përpara ligjit.

Ky është qëndrimi i dikujt që për shumë vite nuk ka njohur kufij, sepse ka qenë produkt dhe njëkohësisht garantues i një sistemi pandëshkueshmërie. Retorika e tij publike është tallëse për inteligjencën e qytetarëve dhe fyese për vetë drejtësinë. Kur e sheh një ish-president që sillet si të ishte mbi ligjin, kupton sa e domosdoshme është që ky proces të shkojë deri në fund, jo për hakmarrje, por për drejtësi dhe për rikthimin e besimit publik.Ilir Meta nuk është i vetmi, por është një ndër shembujt më simbolikë të kapjes së shtetit nga korrupsioni.

Prandaj, përballja e tij me drejtësinë nuk është një akt personal, por një moment i madh i provës së sistemit. Nëse ai vazhdon të tallet me institucionet pa pasoja, atëherë rrezikojmë të dështojmë si shoqëri. Por nëse ai përballet realisht me drejtësinë, pa privilegje dhe pa favore, ky do të jetë një mesazh i qartë: se epoka e paprekshmërisë ka marrë fund.

-Çfarë mesazhi mund t’i jepni publikut për besueshmërinë dhe efektivitetin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë?

SPAK nuk është i përsosur, por është deri më tani e vetmja dritë konkrete që kemi parë në një tunel të gjatë pandëshkueshmërie. Të gjithë e dimë se për dekada me radhë, korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri ka qenë i paprekshëm. Prokuroria dhe drejtësia kanë qenë shpesh në shërbim të pushtetit dhe jo të ligjit. SPAK është një përpjekje për të thyer këtë zinxhir, dhe për herë të parë, kemi parë politikanë të fuqishëm që thirren në llogari. Ky është një përparim që nuk mund të mohohet.

Por qytetarët kanë të drejtë të jenë të kujdesshëm, madje edhe të dyshojnë. Dhe kjo është e shëndetshme. Ajo që duhet të kuptojmë është se SPAK funksionon vetëm nëse qytetarët e mbështesin me vigjilencë, jo me verbëri. Ne nuk duhet të presim mrekulli nga pak prokurorë, por duhet të ushtrojmë presion qytetar që ata të shkojnë deri në fund, pa kompromis, dhe pa ndalesa për shkak të emrit apo partisë. Unë i them qytetarëve sot: mos u lodhni duke kërkuar drejtësi!

SPAK nuk është i pagabueshëm, por është një mjet që mund të funksionojë nëse nuk e lëmë vetëm.Të gjithë ata që kanë grabitur pasurinë publike, që kanë shkatërruar institucionet, që janë pasuruar në kurriz të popullit, duhet të ndiejnë se koha e tyre ka mbaruar. Vetëm atëherë drejtësia do ketë kuptim.

-Ndërkohë nga ana tjetër, dosja “Partizani” ka shkuar për gjykim. Si e shihni këtë dhe a mendoni se Berisha do të dënohet për këtë aferë?

Fakti që dosja ‘Partizani’ për Sali Berishën ka shkuar për gjykim është një ngjarje me peshë historike për Shqipërinë. Për herë të parë, një ish-kryeministër dhe simbol i pushtetit të pandëshkueshëm në këtë vend përballet me drejtësinë për një aferë konkrete dhe me pasoja të matshme. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por një provë për sistemin e drejtësisë dhe një provë për vetë shoqërinë tonë.Rasti ‘Partizani’ nuk është simbolik, është shumë konkret.

Ai flet për mënyrën se si pushteti politik është përdorur për të përfituar pasuri private përmes ndikimit mbi vendimmarrjen shtetërore, përmes familjarëve, përmes ndikimit në prona publike. Dhe në këtë rast, kemi indicie dhe prova që për herë të parë nuk po shpërfillen, por po ndjekin një rrugë drejt gjykimit. Ky është një hap i madh përpara, pavarësisht nëse arrijmë menjëherë në një dënim penal apo jo.A do dënohet Berisha? Kjo është një çështje që i përket drejtësisë, dhe nuk mund të parashikohet me siguri. Por një gjë është e qartë: fakti që ai sot nuk është më mbi ligjin, fakti që ai është i detyruar të shkojë para gjykatës si çdo qytetar tjetër, është një fitore për shtetin e së drejtës.

Nëse drejtësia vepron me guxim dhe profesionalizëm, dhe nëse qytetarët mbeten vigjilentë, atëherë rruga drejt dënimeve reale është e mundur.Ky proces nuk është vetëm për një tokë në Tiranë, por për rikthimin e barazisë përpara ligjit, për rrëzimin e miteve të paprekshmërisë. Në fund, nuk është e rëndësishme vetëm nëse Berisha dënohet, por nëse ky rast shënon fillimin e fundit të kastës politike që ka abuzuar me pushtetin si pronë private për dekada me radhë.

-Berisha vazhdon të thotë se zgjedhjet i vodhën. Si e komentoni ju këto akuza?

Kur një politikan që ka sunduar për dekada i humbet zgjedhjet dhe nuk arrin t’i fitojë më përmes votës së lirë, fjalia e parë që thotë është: ‘Zgjedhjet u vodhën’. Ky është një refren i njohur në politikën shqiptare, sidomos nga ata që e kanë përdorur vetë manipulimin elektoral si mjet për të ardhur dhe qëndruar në pushtet. Sali Berisha nuk është viktimë e vjedhjes së zgjedhjeve — ai është një nga arkitektët e hershëm të deformimit të zgjedhjeve në Shqipëri.Le ta themi troç: kur ai fitonte, zgjedhjet ishin të rregullta; kur i humbte, ato ishin të vjedhura. Ky standard i dyfishtë është fyese për qytetarët dhe për demokracinë.

Dhe sot, kur ai ndodhet përballë drejtësisë për një aferë konkrete si rasti ‘Partizani’, është më se e qartë se pretendimi për zgjedhje të vjedhura është një manovër për të krijuar tymnajë, për të mbuluar thelbin: që ai nuk është më i paprekshëm dhe se nuk kontrollon më institucionet që dikur i kishte nën hyqëm. Demokracia nuk është pronë private. Askush nuk e ka të garantuar pushtetin përjetë. Zgjedhjet janë një garë, jo një e drejtë e lindur. Dhe kur një lider politik shndërrohet në pengesë për të ardhmen e vendit, qytetarët reagojnë me votë, me distancim, me mosbesim. Ky është realiteti që Sali Berisha nuk e pranon dot, por që shoqëria shqiptare po e kupton gjithnjë e më mirë.

-Nga drejtimi i PD-së, Berisha refuzon të dorëhiqet, edhe pse po shkel statutin. Si e vlerësoni këtë qëndrim dhe përgjegjësinë e tij për humbjen?

Qëndrimi i Sali Berishës për të mos u larguar nga drejtimi i Partisë Demokratike, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme dhe akuzave serioze që rëndojnë mbi të, është shprehja më e pastër e një mentaliteti autokratik që nuk njeh as përgjegjësi, as limit, as parime. Ai nuk po e mban thjesht një karrige, por ai po pengon një parti të tërë të rilindë dhe me të edhe një pjesë të mirë të shoqërisë që ende shpreson në alternancën demokratike.Refuzimi për të dorëhequr veten, për të hapur rrugë, për të respektuar statutin që vetë e ka formuluar, tregon se Berisha e trajton PD-në si pronë private, jo si një organizatë politike moderne.

Kjo është fatkeqësi jo vetëm për demokratët, por për gjithë vendin sepse pa opozitë funksionale, nuk ka demokraci funksionale dhe pa dorëheqje pas dështimeve, nuk ka as moral politik, as standarde.Mbi të gjitha Sali Berishës i duhet qënia ne krye të PD për të shmangur përballjet me drejtësinë dhe vonuar fundin e tij.Përgjegjësia e tij për humbjen është e drejtpërdrejtë. Nuk mund të shpëtosh një parti duke e kthyer atë në bunker mbrojtjeje personale. Dhe aq më pak mund ta ribesosh opozitën duke i qëndruar kokëfortësisht mbi një tokë të djegur, ku nuk mbin më besimi.

Berisha është bërë sot pengesë, jo zgjidhje dhe sa më gjatë të qëndrojë, aq më e thellë do jetë kriza, jo vetëm për PD-në, por për gjithë besimin e qytetarëve në sistemin politik.Koha e liderëve që nuk largohen kurrë ka përfunduar. Sot qytetarët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe rotacion. Kush nuk i ofron këto, është në kundërshtim me vetë thelbin e demokracisë.

-Si e shihni të ardhmen e Partisë Demokratike? A ekziston rreziku që partia të ndahet ose të përballet me krizë të thellë?

Partia Demokratike ndodhet sot në një nga momentet më të vështira të historisë së saj politike. Ajo përballet jo vetëm me humbje zgjedhore dhe mungesë vizioni, por edhe me një krizë identiteti, lidershipi dhe legjitimiteti. Nëse kjo situatë nuk përballet me guxim, transparencë dhe reformim të thellë, rreziku për ndarje, fragmentim dhe degradim është më real se kurrë.PD ka qenë një aktor kyç në historinë e tranzicionit shqiptar, por sot është bërë peng i një të kaluare që nuk po pranon të largohet.

Sa më shumë që e ardhmja e saj lidhet me fatin personal të një lideri të vetëm, aq më pak ka gjasa që ajo të jetë një forcë moderne, opozitare dhe përfaqësuese e vlerave që predikon. Nëse nuk ndodh një shkëputje e qartë nga modeli i lidershipit të vjetër, që ushqehet me përçarje, konflikt dhe autokraci, atëherë PD do të humbasë çdo shans për të ringritur veten. E ardhmja e PD-së nuk është e shkruar. Ajo mund të jetë një histori e rilindjes përmes vetëreflektimit dhe ndryshimit radikal.

Por po aq mund të jetë një histori shuarjeje graduale, nëse vijon rruga e mohimit të përgjegjësisë dhe e kultit të individit. Në këtë pikë, përgjegjësia është kolektive, e çdo anëtari, strukture dhe qytetari që ende beson se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë dhe të ndershme.Shpresoj që në këtë krizë, të lindë edhe një shans i ri. Sepse pa opozitë të vërtetë, nuk ka demokraci të vërtetë. Dhe PD-ja, për të mbijetuar, duhet të zgjedhë: ose të jetë parti moderne me vlera, ose të mbetet një fantazmë e vetes.

Varësia nga vështrimi i tjetrit

Nga Bjorn Runa

Tani që duartrokitjet po zbehen, mund të marrim frymë dhe të pyesim veten se çfarë ndodhi ekzaktësisht? Jo çfarë u tha, jo ç’marrëveshje u dakordësuan dhe as çfarë problemesh u zgjidhën apo ç’pyetje morën përgjigje. Vetë thelbi i samitit – rrjedhojat e tij gjeopolitike, apo rëndësia demokratike – u tret shpejt nën peshën e sipërfaqësores dhe asaj çfarë u duk se mbetet problemi kryesor për Shqipërinë si shtet dhe ne si shoqëri: Si do na shohë Perëndimi? Si të sillemi? Si do të peceptohemi?

Diçka e tillë ngre disa pyetja më të thella  dhe të parehatshme: Pse jemi kaq të investuar tek syri i tjetrit? Përse rënia në sy, sa më pozitivisht, mbetet më e rëndësishme se realiteti në të cilin jetojmë?

Dëshira për t’u njohur dhe për t’u vlerësuar nuk është diçka e re, por një ndjesi koloniale në strukturë, e rrënjosur thellë në identitetin tonë post-diktatorial. Ne nuk dolëm nga dekada të tëra izolimi me një vizion, por me një dëshirë për t’u ndjerë të përfshirë, për t’u duartrokitur dhe përthithur. Me dëshirën që më në fund t’i përkisnim Europës që kishim mitologjizuar, duke e shndërruar atë në një pasqyrë. Një kontrollues. Një standard, të cilin nuk e përcaktuam ne, por me të cilin duhet të mateshim dhe vazhdojmë ta bëjmë.

Kështu, reshtëm së pyeturi se çfarë mendojmë ne në lidhje me politikën, institucionet dhe të ardhmen tonë, dhe filluam të pyesim nëse i aprovon Europa

Por, ndërsa sforcohemi çdo ditë për t’iu përshtatur standarteve të imagjinuara, cila është linja me të cilën kërkojmë të përputhemi? Një kontinent që e flet rrjedhshëm gjuhën e të drejtave të njeriut, por mbetet çuditërisht i heshtur teksa uria merr jetë fëmijësh në Gaza. Një union që në letër e mbron mospajtimin dhe kundërshtitë, por e ka të vështirë të veprojë kur popullsi të tëra rrethohen me gardhe e ushtri, zhvendosen me forcë, apo edhe më keq vriten. E testuar përkundër sfidave gjeopolitike, busulla morale e Europës fillon të lëkundet.

Po flasim për të njëjtin union që e  lartëson demokracinë si një nga shtyllat e veta themelore, identiteti i përbashkët i të cilit (unionit) supozohet t’i ketë rrënjët tek demokracia, debati dhe pluralizmi, por që nuk ka zë të flasë për represionin që ndodh fare pak larg kufijve të tij. Në Serbi, protestat masive të studentëve kundër rrëshiqtjes së vendit në autoritarizëm, u përballën me dhunë policore, intimidim dhe manipulim mediatik, ndërsa Brukseli pati forcë vetëm të pëshpëriste disa kritika standarte. Në Greqi, po njësoj. Nga ana tjetër, brenda vetë BE-së forcat e ekstremit të djathtë forcohen dita-ditës duke gërrryer nga brenda institucionet demokratike. Dhe cila është përgjigjia e unionit ndaj gjithë këtyre? Në rastin më të mirë, vërejtje teknike në vend të një qëndrimi të qartë politik dhe në rastin më të keq, indiferencë. Thënë ndryshe, një union që flet me gjuhë filozofi, por sillet si tregtar.

Pra, çfarë na tregon e gjithë kjo? Se ‘Projekti Europian’, siç implementohet aktualisht, nuk është domosdoshmërisht moral. Se uniteti i tij, shpesh varet më tepër nga heshtja se sa nga parimet. Se, të ashtuquajturat vlera  europiane – demokracia, dinjiteti njerëzor, solidariteti – vlejnë për t’u aplikuar në mënyrë selektive.

Dhe këto kontradikta nuk janë të parëndësishme sepse, kur një bllok politik flet për virtyte por toleron dhunën, kur predikon reformim tek vendet aspirante dhe justifikon kalbjen e brendshme të disa prej anëtarëve, atëherë “rruga Europiane” nuk i ngjan më një ideali të përbashkët, por një hierarkie të përbashkët bindjeje. Një lloj skene ku përfshirja kthehet në teatër, ku përkatësia nuk varet edhe aq nga ajo çfarë bën, por nga sa mirë e luan rolin.

Dhe ne, me zellin për t’u dukur të gatshëm, bëjmë sikur gjithçka është në rregull.

Kjo nuk do të thotë të shpërfillim ambicien, apo nevojën për bashkëpunim më të thellë me Europën, por të kërkojmë më me këmbëngulje se çfarë ndryshon realisht dhe cilat probleme mbeten të pazgjidhura? Një vend nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e vet demokratike me estetikë të marrë hua. Duhet, fillimisht të përballet me kontradiktat e veta dhe jo t’i groposi ato në emër të progresit.

Megjithatë, çështje të tilla rrallëherë bëhen pjesë e narrativës publike, pasi e ndërlikojnë imazhin. Sfidojnë duartrokitjet. Na kujtojnë se të dukesh modern nuk është njësoj si të jesh demokrat. Sado joshëse, rënia në sy nuk e zëvendëson dot nevojën për reflektim, pasi të dukesh dhe të shihesh nga tjetri nuk është e njëjta gjë si të kuptohesh.

Siç na kujton Edward Said, vështrimi i më të fortit nuk është kurrë i pafajshëm. Ai na përcakton, na modelon dhe na disiplinon. Nën pretendimin se vetëm vëzhgon, ai krijon kronizën të cilës ne të tjerët duhet t’i përshtatemi. Dhe, siç Milan Kundera paraljmëronte dikur, fati i kombeve të vogla është që të jetojnë me frikën se mund të harrohen dhe për shkak të kësaj frike, na duhet të kapemi pas rënies në sy si mënyrë mbijetese. Perfomanca e Shqipërisë në skenën europiane i reflekton të dyja këto të vërteta. Ne jo vetëm po pozicionohemi me Europën, por po i përgjigjemi vështrimit të saj duke e modeluar veten sipas pritshmërive të tyre, ndërsa shpresojmë të mos zhdukemi plotësisht. Por, në proces e sipër, rrezikojmë të humbasim pikërisht atë që shpresonim të ruanim: zërin tonë.

Pyetja atëherë nuk mund të jetë më si u dukëm, por kur do të fillojmë të shohim?

Eljan Kasa: Mirënjohës për ata që na votuan, duhet reflektim për rezultatin dhe strategji për të ardhmen

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Gazeta Impakt zhvilloi një intervistë me z. Eljan Kaja, kandidat për deputet në qarkun e Durrësit nga Koalicioni Euroatlantik. Në këtë bisedë, z. Kaja ndan vlerësimin e tij për procesin zgjedhor, sfidat e një formacioni të ri politik, qëndrimin ndaj çështjeve të ndjeshme si dhe mesazhin e tij për qytetarët që e mbështetën dhe ata që zgjodhën ndryshe.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë.

1. Si e vlerësoni procesin zgjedhor të 11 majit në tërësi? Ishte një proces i drejtë dhe i rregullt sipas jush?

Zgjedhjet e 11 majit shënuan përparim në disa aspekte të procesit demokratik, të tilla si pjesëmarrja për herë të parë të diasporës, roli i SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore, por ishin shumë pak për tu vlerësuar pozitivisht. Për të aspiruar hyrjen në BE duhen reforma të mëtejshme për të siguruar një garë të drejtë dhe të barabartë për të gjitha palët e përfshira. Nëse rendisim difektet janë vërtet shumë.

2. Cili ishte reagimi juaj personal dhe i Koalicionit Euroatlantik ndaj rezultatit në qarkun e Durrësit? A mendoni se qytetarët dhanë një mesazh të qartë me votën e tyre?

Unë e lexoj rezultatin në një këndvështrim tjetër. Nga këto këto zgjedhje unë kam arritur të nxjerr një konkluzion, që votuesit shqiptarë janë pragmatistë dhe akoma votojnë kumdra si dhe mosbesues ndaj politikës së re, ne funksionojmë si formacion politik nga 3 muaj dhe është shumë e vështirë të konkurosh pa struktura të mirstrukturuara.
Prandaj, edhe pse rezultati mund të jetë zhgënjyes në shifra, ai është inkurajues në përmbajtje. Qytetarët kanë folur, ndryshe nga herët e tjera ata kishin një alternativë ndryshe për mos të zgjedhur të keqen më të vogël si në rastet e tjera. Megjithatë është detyra jonë të dëgjojmë, të kuptojmë dhe të veprojmë.

3. A keni ndonjë shqetësim lidhur me mënyrën si u administruan votat apo me rolin e institucioneve zgjedhore gjatë këtij procesi?

Nga sa kemi konstatuar deri tani ne procesi duket shumë kompromentuar dhe aspak bindës, por nuk na takon ne të hamendësojmë, panvarsisht se hamendësimet tona na shfaqin një panoramë të frikshme, janë organet kompetente që duhet të hetojnë dhe janë ata që duhet të prononcohen.

4. Çfarë mësimesh merrni nga ky rezultat për angazhimet e ardhshme politike në Durrës apo në nivel qendror?

Ajo që ne kemi lexuar gjatë fushatës ballë për ballë me qytetarët panvarësisht që nuk u përkthye në vota nga shumë faktorë, është thirrja për vazhdimësi, për konsolidim të alternativës sonë. Është një mesazh për të mos u tërhequr, por për të qëndruar me këmbëngulje dhe durim në ndërtimin e një opozite të re, që nuk mban peng të shkuarën dhe nuk frikësohet nga sfidat e së ardhmes.

5. Mesazhi juaj për qytetarët që ju mbështetën dhe për ata që zgjodhën ndryshe — si do të vazhdojë angazhimi juaj politik pas këtyre zgjedhjeve?

Reagimi ynë, si individë dhe si Koalicion Euroatlantik, ndaj rezultatit në qarkun e Durrësit është një reflektim i thellë, i shoqëruar me përgjegjësi dhe vetëdije të plotë për situatën politike dhe sociale të vendit. Ne jemi mirënjohës për çdo votë që na është besuar dhe e konsiderojmë atë një akt besimi dhe shprese për një politikë ndryshe, më të drejtë, më të ndershme dhe më të orientuar nga qytetari./ Botuar me shkurtime nga gazeta “Impakt”

Klima e biznesit, bie besimi në ndërtim dhe tregti

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) iu kthye rritjes në muajin maj. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 1.1 pikë dhe qëndron 8.9 pikë mbi mesataren historike. Rritja e TNE-së muajin e kaluar reflektoi përmirësimin e besimit në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve.

Në të kundërt, rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë dha një kontribut negativ në treguesin e agreguar për ekonominë. Besimi konsumator mbeti i pandryshuar, në nivelin e një muaji më parë.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 8 pikë përqindje në muajin maj, duke kompensuar rënien e muajit të kaluar. Niveli i tij këtë muaj është përsëri mbi mesataren historike me rreth 7.8 pikë përqindje.

Përmirësimi u përcaktua nga vlerësimet optimiste për kontratat porositëse të bizneseve nga eksportet. Gjithashtu, bizneset ishin më optimiste edhe për prodhimin industrial aktual. Pritjet për çmimet në të ardhmen kanë shënuar rënie të lehtë krahasuar me muajin e kaluar.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 3.4 pikë përqindje në muajin maj. Pavarësisht luhatjeve mujore, niveli i treguesit qëndron 13.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia e besimit këtë muaj u përcaktua nga vlerësime më të ulëta të bizneseve për aktivitetin ndërtues aktual dhe pritje më të ulëta për porositë kontraktuese. Pritjet për çmimet u rishikuan lehtë për lart këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 2.2 pikë përqindje në muajin maj. Niveli aktual i tij qëndron ndjeshëm mbi mesataren historike, me 16 pikë përqindje. Përmirësimi i besimit u përcaktua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin e kërkesës.

Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë rritur këtë muaj. Treguesi i besimit në tregti regjistroi rënie me 1.8 pikë përqindje në muajin maj.

Niveli i tij aktualisht qëndron rreth 4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien e besimit ndikuan kryesisht vlerësimet më pesimiste për ecurinë aktuale të biznesit. Në një masë më të vogël rënëse ndikoi edhe komponenti i pritjeve për nivelin e punësimit në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar në rritje këtë muaj.

Treguesi i besimit konsumator ruajti të njëjtin nivel me një muaj më parë, duke qëndruar rreth 2.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Për sa i përket komponentëve përbërës të treguesit, vlerësimi i konsumatorëve për situatën e përgjithshme ekonomike u përmirësua në maj, duke dhënë kontributin kryesor rritës. Ndërkohë, komponentët e tjerë: situata financiare e familjeve dhe blerjet e mëdha dhanë kontribut negativ./ Monitor

Policia në kompromis me krimin/ Rrëfimi i Erion Alibej për vrasjet në Elbasan

Screenshot

Rrëfimet për vrasjet mes bandave të Elbasanit janë pasuruar me një dëshmi tjetër tronditëse nga një prej personazheve kyç të përplasjeve. Bëhet fjalë për Erion Alibej, një emër që për shtatë vite ka marrë frymë vetëm për një qëllim: të hakmerret për vrasjen e të vëllait në masakrën e dhjetorit të vitit 2018 në Bradashesh. Në atë atentat mbetën të vrarë vëllai i tij Endrit Alibej, daja Arben Dylgjeri dhe një mik i tyre nga Turqia. Motivi ka qenë mosmarrëveshjet për trafikun e drogës dhe ky ishte momenti që ndryshoi gjithçka për Endrit Alibej, moment të cilin ai e rrëfeu edhe këtë të enjte në sallën e gjyqit.

“Unë aty arrita i pari. Nuk kishte asnjë person, as polici. E çuditshme, sepse aty zakonisht qëndron gjithmonë një patrullë policie. Edhe sot po të kalosh aty, është një patrullë.

Kur mbërrita, gjeta nënën, tezen, motrën dhe fëmijët që bërtisnin e ulërinin. Ishte një skenë që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë. Kapa Endritin në krahë, mu duk sikur ishte ende i ngrohtë, por kishte shumë plumba në një anë të trupit. Erdhi një furgon policie dhe ambulanca, por ndërroi jetë në spital” tregoi Alibej për vrasjen e të vëllait.

Pas kësaj ngjarjeje, Erion Alibej u vu në kërkim të gjakut. Ai nisi një rrugë pa kthim për të gjetur ekzekutorët dhe porositësit e masakrës. Përgjatë udhës u bashkua me një tjetër emër famëkeq të krimit, Nuredin Dumanin, vrasës me pagesë nga Dibra. Objektivi i përbashkët? Talo Çela, dorasi që drejtonte një brigadë vrasësish me pagesë në Elbasan, Tiranë dhe Durrës dhe që sot është zhdukur pa lënë gjurmë, që prej intervistës së tij të fundit me gazetarin Spartak Koka.

Për të arritur te Çela, Alibej akuzohet se ka porositur shtatë vrasje dhe sot akoma e drejton gishtin për masakrën e Bradasheshit te dy vëllezërit nga Dubai, Hajdar dhe Florenc Çopja.

Por përtej detajeve të konfliktit mes klaneve të drogës, rrëfimi i Alibej nxjerr në pah një tjetër realitet alarmant: rolin e policisë si aktor i pafuqishëm, i korruptuar dhe në kompromis me krimin.

Fillimisht Erion Alibej përmendi një rast konkrete ku policia ka hyrë në kontakt të drejtpërdrejtë me të, ndonëse ai ishte zyrtarisht në kërkim.

“Ditën që çova familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato. Më erdhën policët dhe donin të flisnin me mua, ndërkohë që unë isha në kërkim. Niko Brahimaj ishte tek Krimet e Rënda. Më thanë: ‘Hajde bëj një deklaratë dhe do të të lirojmë, që të jesh afër familjes.’”

Një person në kërkim që ftohet nga drejtues policie për të bashkëpunuar, me premtimin se do të lirohet tregon se çdo normë ligjore tashmë është e shkatërruar. Kjo është edhe një dëshmi që policia nuk kishte as informacion, as fuqi, por mbi të gjitha asnjë orientim për të ndalur përplasjen mes bandave.

Dhe për të shtuar edhe më shumë dyshimin mbi kapjen e strukturave të sigurisë, Alibej jep një detaj për një nga shefat e policisë, emrin e të cilit nuk e përmendi në gjyq:

“Shkova. Ishin aty Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit, për të cilin e dija që ishte i shitur tek Suel Çela. I thashë: “Nuk e dua këtë këtu.” E nxorën jashtë. Më thanë: “E dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion – për kë dyshon?” U thashë: “Do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektiv? Nuk di ku t’ju drejtoj.” Ashtu siç ma dhanë fjalën që do të më lironin për të përcjellë familjarët në banesë, ashtu edhe më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë: “Bën mirë të ikësh nga ky qytet” ka treguar Alibej.

Ky është një tjetër pohim kompromentues për strukturat e policisë, një drejtues policie në listën e pagesave të bandave dhe kolegët e tij që bien dakort ta largojnë, si një fakt i gjithëpranuar.

Rrëfimi i Alibej nuk është thjesht rrëfimi i një njeriu të lodhur nga rruga e mundimshme e hakmarrjes, as dëshmia e radhës e një krimineli që më në fund ka luksin të flasë para gazetarëve. Këtu kemi një akuzë të detajuar për një shtet që ka humbur kontrollin mbi territorin. Këtu është fjala për qytet të dorëzuar krimit, ku bandat kanë më shumë pushtet se policia dhe Elbasani është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, pasi nga një dosje në tjetra del se në Shkodër, Vlorë, Lezhë apo në Durrës, policia i ka zgjatur dorën krimit për të bërë paqe dhe pas paqes, zgjat dorën edhe për ndonjë lek më shumë.

Hapa di të bëjë vetëm zemra!

Nga Agim Baçi

A mund ta kapërcejmë të shkuarën tonë nëse e mbajmë brenda vetes pa mundur ta rrëfejmë kurrë me fjalë? Natsume Soseki, në rrëfimin e tij “Kokoro”, vë përballë atë që dëshiron të mësojë dhe atë që ka nevojë të rrëfehet. Një student i ri, që hap një derë të madhe për të parë, dhe një njeri në moshë që ka nevojë ta lërë atë derë të hapur për të rrëfyer, për të ftuar dikë që ta njohë siç është. Në fillim duken dy rrugë të kundërta. Por pastaj, përmes një humori dhe serioziteti njëkohësisht, Soseki na rrëfen se të njohësh dhe të të njohin janë e njëjta udhë e njeriut, veçse dikush kërkon të shohë pas, e dikush të shohë përpara, sepse mes tyre nuk është vetëm koha, por edhe leksioni i gjithë botës- në fillim mëso dhe pastaj, në mundsh, rrëfehu!
“Mos e gjyko detin prej dallgës”, thotë një fjalë e urtë perse! Dhe kjo fjalë e urtë duket sikur e mbështejll gjithë rrëfimin e Sosekit, teksa na fton të ndërtojmë ura besimi kur kërkojmë që dikush të lërë vetveten te ne. Soseki, duke e ndërtuar marrëdhënien fillimisht përmes atij që duhet të pyesë, ai fton çdo lexues të bashkëudhëtojë me të, duke besuar se të gjithë kanë nevojë fillimisht që të pyesin. Dhe studenti, që duhet të ndërtojë për veten një udhë, pasi është jashtë autoritetit prindëror dhe sigurisë nga të tjerët, i ndërton pyetjet natyrshëm sikur e sheh për herë të parë botën dhe nuk fshihet pas asnjë filozofie. Por “Sensei”, siç e thërret studenti mikun e tij të moshuar, është përballë shumë dilemave teksa i kërkohet të rrëfejë vetveten. E vërteta e së shkuarës së tij, e sidomos historia me mikun e tij të ngushtë, K-në, nuk është materializuar kurrë me fjalë, nuk është bashkëndarë me askënd, ndaj nuk mund të jepet menjëherë, e për më tepër, nuk mund të jepet pa besuar se dikush do të mund ta mbajë atë të vërtetë që ai kërkon ta rrëfejë. (A nuk vihemi ne të gjithë në një dilemë të madhe kur na kërkojnë t’u rrëfejmë diçka nga vetja? A e mendojmë për një çast se si do na e marrë dhe nëse do të na besojë apo jo?). Por ç’do të ishte njeriu nëse nuk do të shihte se përvoja e tij, mësimet që ka marrë në jetë, nuk do të vlenin për dikë tjetër?
Rrëfimi i Sosekit është njëkohësisht një përshkrim i fortë i dilemave të vetmisë. Marrëdhënia mes studentit dhe “Senseit”, përmes komunikimit e më pas rrëfimit, vjen edhe si një kundërshti e fortë e sëmundjes më të madhe që mund të japë vetmia- pafuqisë për t’i shtrirë dorën dikujt. Dhe kjo pafuqi ka ushqim vetëm jetën përmes dyshimit. E kur dyshimit i bashkëngjitet pesha e madhe e humbjes, gjithçka duket se bëhet e errët përreth dhe nuk shikojmë dot dorën që na duhet pranë.
“Mendoja me vete se duhej t’i hapja zemrën K-së, por e ndeja që tani ishte shumë vonë për ta bërë këtë gjë. Heshtja ime kishte qenë një gabim i tmerrshëm. Mallkoja veten që nuk ia kisha ndërprerë rrëfimin e t’i kundërvihesha me rrëfimin tim. Ose të paktën, mbasi të përfundonte ai, të tregohesha i zgjuar dhe t’i flisja për ndjenjat e mia. Pas asaj që ndodhi, nuk do të kishte kuptim t’ia tregoja, do të dukej sikur po e trilloja. Më rrihnin tëmthat nga dëshpërimi. Do të doja që K-ja ta shtynte edhe një herë derën që ndante dhomat tona e të hynte brenda. Në mëngjes, ai më zuri befas, krejtësisht të papërgatitur. Sa do të doja që të përsëritej skena. Hera-herës hidhja sytë nga dera, por ajo qëndronte e mbyllur. Përtej asaj dere, K-ja qëndronte i heshtur… Pas një farë kohe, heshtja fillojë të më nervozojë. Çfarë mendonte ai vallë?” (Natsume Soseki, “Kokoro”, Ombra GVG, Përkthimi: Pirro Dollani, f.273)
“Kokoro”- pra zemra e gjithçkaje- vjen përmes një diskutimi ku përfshihet morali, nderi, dashuria dhe detyra. Soseki ka rrëfyer hendekun e madh që rrokin brezat, duke e ftuar lexuesin të gjejë udhën përmes asaj që kërkon të justifikojë hapat e tij dhe asaj që ka nevojë të kuptojë nga njerëzit e realitetet rreth tij. Dilemat për atë që kemi brenda nesh pasi jemi përballur me botën ndryshe janë gjithnjë në sulm, ndërkohë që rrëfimi ynë ndaj të tjerëve mbetet një sfidë që rrethohet nga qindra pikëpyetje.
“…Ndoshta nga rrethanat e jetës ose nga natyra ime, kam jetuar kështu që të kisha sa më pak lidhje me njerëzit. Por jo se jam moskokëçarës ndaj të tjerëve. Jo, unë i kaloj ditët në plogështi, sepse jam shumë i ndjeshëm dhe më mungon energjia që të përballoj shqetësimet që më shkaktojnë. Kësisoj, sapo premtoj diçka, brengosem së tepërmi nëse nuk e përmbush. Nevoja për t’u çliruar nga ky ankth më shtyu të merrja penën përsëri….
…Kam lindur njeri me moral dhe më kanë rritur të tillë. Morali im mund të jetë krejt ndryshe nga morali i të rinjve sot, por edhe nëse është ndryshe, është i imi. Nuk është një kostum që unë e kam marrë hua që të shkojë me kohën”.( F. 176-177).
I shkruar në fillimshekullin e shkuar, Soseki duket se ka paralajmëruar si askush tjetër zgjerimin e hendekut moral mes brezave dhe sfidat e njeriut për t’i qëndruar besnik vlerave që ka besuar dhe ëndrrave që ka patur në fëmijërinë dhe rininë e tij.

Darëzeza digjet, mafia ndërton: Zjarri si mjet i krimit të betonit

Zjarri që ka përshirë pyllin me pisha pranë bregdetit të Darëzezës nuk është as katastrofë natyrore, as aksident mjedisor. Ai është një akt kriminal me autorë të njohur dhe që ndjek gjithnjë të njëjtin skenar: fillimisht e djegin, e legalizojnë dëmin dhe më pas e shpallin zone zhvillimi urban me resorte dhe vila buzë detit.

Darëzeza, një nga pikat e fundit të mbetura me hapësirë të pastër natyrore, po digjet si shumë zona të tjera bregdetare në Shqipërinë e dekadës së fundit. E njëjta gjë ndodhi në Shëngjin, në Zvërnec, në Palasë, në Divjakë e në zonat me interes turistik nga Velipoja deri në Ksamil. Zjarret “aksidentale” pasohen gjithmonë nga leje ndërtimi, ndarje parcelash dhe shfaqje të “investitorëve strategjikë”.

Harta e zjarreve përputhet gjithmonë me hartën e planeve të zhvillimit që harton qeveria. Zjarr pas zjarri, pyje të dëmtuara shpallen zona të degraduara, dhe u jepet dora e “shpëtimit” me beton dhe hekur.

Prapa këtyre veprave nuk ka pasione kriminale, por vendime politike. Nuk ka piromanë anonimë, por sipërmarës të fuqishëm dhe pushtetarë të lidhur me oligarkët e ndërtimit. Zjarri është mjeti i pastër dhe i lirë i rishpërndarjes së pasurisë publike. Ai zgjidh bllokimet ligjore dhe bën rrugë që leja ndërtimore të vijë “natyrshëm”.

Qeveria bën sikur nuk sheh, Ministria e Mjedisit hesht, Bashkia nuk vepron, Policia nuk ndalon askënd, Prokuroria nuk heton. Sepse plani është miratuar në heshtje.

Zjarri i Darëzezës është prova e radhës që qeverisja e Edi Ramës është kthyer në strukturë të mbrojtjes së mafies së ndërtimit. Dhe ndonëse propaganda flet për gjelbërim e turizëm të qëndrueshëm, realiteti është i thjeshtë: aty ku ka pisha, hidhet benzinë. Aty ku ka shkurre, derdhet beton.

Darëzeza nuk po digjet nga vapa. Po digjet nga mafia. Dhe nëse nuk ndalet tani, herën tjetër nuk do të kemi as park, as plazh, as natyrë. Vetëm kulla, asfalt dhe hije korrupsioni.