23.5 C
Tirana
E enjte, 26 Qershor, 2025

Viti ‘97 përndjek pensionistët: Dokumentet e zhdukura, 6500 të moshuar enden gjykatave

Viti tragjik 1997 vazhdon të përndjekë, kësaj radhe moshën e tretë shumë prej të cilëve vazhdojnë të vijnë në gjykata mbasi pretendojnë se u janë zhdukur dokumentet nga sulmi ndaj institucioneve.

Shemedin Shahu ka punuar në një ish ndërmarrje shtetërore para 1990 por ai nuk mund ta provojë këtë gjë sepse dokumentet nuk ekzistojnë. Ndaj edhe për të sikurse edhe për 6500 të moshuar që kanë ngritur padi civile dhe administrative, shpresa mbetet gjyqësori që më së shumti vazhdon të thërrasë si dëshmitarë shtetas qe kanë punuar në ish kooperativa të cilat u shkrinë, por që për shumë prej tyre dokumentet që provojnë kontributin nuk ekzistojnë.

Edhe bashkëshortja e tij i gjeti vitet e humbura përmes gjykatës.

Megjithatë për këdo që i janë zhdukur dokumentet për 1997, çështjet shqyrtohen me prioritet.

Në skemën e pensioneve janë të përfshirë mbi 700 mijë persona, ndërsa përballë stokut në rritje dy vjet më parë qeveria ka kërkuar që disa çështje si paditë e pensionistëve, urdhrat e ekzekutimit dhe paditë për fëmijët për pension ushqimor të mos rekursohen nga institucionet./tch/

CIES: Amir Rrahmani mbrojtësi më i mirë në Serie A dhe i katërti më i vlerësuar në botë

CIES (Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive) ka publikuar raportin për fundin e sezoneve në të gjitha kampionatet e botës, duke bërë një vlerësim për futbollistët më të mirë sipas pozicioneve në fushë.

Në qendër të mbrojtjes, Amir Rrahmani (indeksi 86.2 sipas CIES) i Napolit renditet në pozitën e katërt në botë, teksa është i pari ndër mbrojtësit qëndror më të mirë të Serie A në Itali. Me një paraqitje të shkëlqyer, kapiteni i Kosovës ndikoi që Napoli të shijonte trofeun e kampionit në Serie A.

Në listën e mbrojtësve më të mirë, në krye qëndron ylli i Liverpoolit, Virgil van Dijk. Podiumi plotësohet nga Aurelien Tchouameni i Real Madridit, që shpesh luan edhe si mesfushor dhe William Saliba i Arsenalit.

Ky institut ka përpiluar një listë me futbollistët më të mirë në botë për secilin rol, duke analizuar 60 kampionate në të gjithë globin.

Gjashtë aspektet kryesore të lojës që merren në konsideratë janë: duelet ajrore, mbrojtja në tokë, shpërndarja e pasimeve, avancimi me topin, krijimi i rasteve për gol dhe finalizimi.

Rezultati më i lartë sipas indeksit të vlerësimit u regjistrua për Mohamed Salah (Liverpool), përpara dy lojtarëve të Barcelonës; Lamine Yamal dhe Pedri Gonzalez. Dy futbollistë të tjerë të Liverpoolit kryesojnë listën për pozicionet mbrojtëse; Virgil van Dijk dhe Trent Alexander-Arnold.

Florian Wirtz (Bayer Leverkusen) kryeson renditjen për mesfushorët sulmues, ndërsa Kylian Mbappe është përpara Viktor Gyökeres për qendërsulmuesit.

Demokracia hibride që ofron Rama 4.0, një rrezik edhe për BE

Nga Mehmet Gökhan Tuncer

Numërimi i votave përfundoi 9 ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Rezultati ishte i qartë: fituese ishte Partia Socialiste e udhëhequr nga Edi Rama. Ajo arriti jo vetëm të ruante pozicionin e saj, por e zgjeroi ndjeshëm atë, duke u rritur nga 48.5 në mbi 52 për qind të votave dhe marrë 83 nga 74 vende që kishte në parlamentin shqiptar me 140 deputetë. Ky rezultat, i  siguron një mandat të katërt kryeministrit Edi Rama, që e qeveris vendin që nga viti 2013.

Dobësia e opozitës dhe instrumentalizimi i pushtetit

Suksesi i Ramës, u bazua kryesisht tek dobësia dhe përçarja e opozitës. Partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike, e cila pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 u zhyt në një krizë të thellë të brendshme dhe u nda në fraksione rivale, garoi këtë herë nën drejtimin e ish-kryeministrit dhe presidentit Sali Berisha, duke pësuar një humbje të rëndë.

Ajo mori vetëm 34 për qind të votave – nga gati 40 për qind 4 vite më parë – dhe në parlament zbriti nga 59 në 50 vende. Ky rezultat, nxori në pah kufijtë e strategjisë së bojkotit nga ana e Berishës dhe e retorikës së tij gjithnjë e më nacionaliste dhe populiste. Duke shpresuar për një fitore, ai ndoqi axhendën e “Shqipërisë Madhështore” nën këshillat e menaxherit të fushatës së Donald Trump.

Por pritshmëritë nuk i përmbushën as partitë e vogla të sapoformuara. Edhe pse ato paraqitën në këto zgjedhje me fytyra të reja, kauza lokale, dhe synonin të ishin një alternativë ndaj elitës së vjetër politike, nuk mundën të shkëputeshin nga modeli tradicional i politikës shqiptare: përdorimi i angazhimit qytetar, si një mjet për profilizimin personal politik.

Ato nuk kishin themele të gjera programatike dhe struktura të brendshme të qëndrueshme. Ndaj dështuan të bindnin votuesit, se përfaqësonin më shumë sesa vetëm disa individë të arsimuar dhe të përkushtuar, duke e përdorur shoqërinë civile si një trampolinë, gjë që shpesh sjell asimilim nga strukturat ekzistuese të pushtetit dhe në fund të fundit përforcimin e status quo-së.

Siç e vunë në dukje vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të udhëhequr nga OSBE “keqpërdorimi i burimeve publike dhe i pushtetit institucional nga partia në pushtet”, luajti gjithashtu një rol në avantazhin elektoral të Edi Ramës.

Evropa si një premtim fushate

Megjithatë, faktori kyç në suksesin e jashtëzakonshëm të Ramës, ishte instinkti i tij politik për dëshirën më të fortë të shqiptarëve në vend dhe në diasporë: anëtarësimin në BE. Mbi 90 për qind e popullsisë e mbështet anëtarësimin në BE – shkalla më e lartë në çdo vend të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë sfond, Edi Rama e përqendroi fushatën e tij tek procesi i integrimit të vendit në BE.

Në një peizazh politik shpesh të karakterizuar nga skepticizmi dhe ndasitë partiake, ai arriti të mbledhë një shumicë të gjerë qytetare përtej vijave tradicionale partiake. Rama i paraqiti zgjedhjet si një moment përcaktues, duke premtuar anëtarësimin në bllok deri në vitin 2030.

Rezultati i qartë i zgjedhjeve, tregon se projekti evropian është një përparësi kombëtare për shumë shqiptarë. Vota ishte më pak një zgjedhje për një parti sesa për një qëllim: qëndrimin në rrugën evropiane. Strategjia e Ramës për ta portretizuar veten si një udhëheqës vizionar i integrimit euroatlantik të Shqipërisë përputhet me zhvillimet e politikës së jashtme.

Mbështetja e tij për kursin e politikës së jashtme të BE-së është vlerësuar, veçanërisht që nga pushtimi rus i Ukrainës. Bisedimet e shumëpritura të pranimit në BE, filluan zyrtarisht në mesin e vitit 2022. Në këtë kontekst, Shqipëria po e vendos veten si një favorite për integrimin në BE në Ballkanin Perëndimor dhe po fiton më shumë njohje ndërkombëtare si një anëtare e besueshme e NATO-s.

Tirana, dikur një kryeqytet i përgjumur, është bërë skena e forumeve të mëdha ndërkombëtare – nga samitet BE-Ballkani Perëndimor tek takimet në kuadër të Procesit të Berlinit dhe takimet e Komunitetit Politik Evropian. Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit të këtij viti në Berlin, Shqipëria ishte e ftuar zyrtarisht dhe i impresionoi vizitorët me diversitetin e saj.

Fakti që të dyja palët po punojnë aktivisht për transformimin e imazhit të Shqipërisë, është shumë i mirëpritur dhe padyshim një hap i nevojshëm për integrimin evropian. Por, pavarësisht pamjes aktuale pozitive të integrimit të Shqipërisë në BE, mbetet pikëpyetja nëse e gjithë kjo është disi hipokrite.

Evropianizimi i Shqipërisë: Një zhvillim hipokrit?

Sfidat më të rëndësishme politike dhe ekonomike të Shqipërisë, burojnë nga një strukturë e dobët shoqërore. Në aspektin social, vendi vuan nga një mungesë e madhe e kapitalit njerëzor për shkak të emigracionit dhe një popullsie në plakje, tendenca që janë përkeqësuar ndjeshëm nën udhëheqjen e Ramës që nga viti 2013.

Politikat e tij autoritare, i kanë kufizuar liritë demokratike, shoqërore dhe politike, ndërsa ekonomikisht ato përqendrohen kryesisht tek bumi në sektorin e ndërtimit. Kjo ka çuar në një rënie të sektorëve prodhues si industria dhe bujqësia.

Sa i përket strukturës shtetërore, ka mungesë të kapacitetit të duhur në të gjitha nivelet e administratës publike dhe mangësi të mëdha në infrastrukturën publike, veçanërisht në kujdesin shëndetësor, arsim, transport, strehim, shërbime familjare, çështje sociale dhe kulturë, probleme  të përkeqësuara nga mungesa e kapitalit njerëzor.

Që të gjithë këta faktorë, ndikojnë tek një strukturë shoqërore dhe shtetërore e dobët, që e minon qeverisjen efektive dhe kohezionin social. Në këtë kontekst, afrimi me BE-në në Shqipëri tenton të manifestohet në një bum projektesh të diskutueshme në infrastrukturë dhe turizëm (p.sh., projekti i aeroportit brenda rezervatit natyror Vjosë-Nartë) dhe marrëveshjeve dypalëshe (p.sh, marrëveshjet për qendrat italiane të pritjes së emigrantëve në territorin shqiptar), pa përfshirë në vendimmarrje popullsinë e zonës.

Këto projekte, jo vetëm që shkelin të drejtat themelore të njerëzve dhe habitatet natyrore, por kërcënojnë gjithashtu rezervatet natyrore dhe biodiversitetin e pasur të Shqipërisë, një nga pasuritë e saj më të mëdha.

Rreziku i demokracisë hibride

BE duhet të ketë qartë një gjë: Procesi i integrimit të Shqipërisë në bllok, duhet të mbështetet me vendosmëri. Megjithatë, kjo nuk duhet të ndodhë me koston e tolerimit të një regjimi hibrid, gjysmë-demokratik, që kombinon institucionet formale demokratike me praktikat autoritare. Një regjim i tillë, përbën një rrezik të konsiderueshëm, për vetë Shqipërinë, stabilitetin rajonal si dhe për BE-në./“Heinrich Böll Foundation”

Valë e të nxehtit afrikan në qershor: Temperaturat deri në 38°C, vera pritet përvëluese dhe pa reshje

Muaji qershor ka nisur me valën e parë të të nxehtit afrikan, duke sjellë temperatura të larta dhe mot të kthjellët në pjesën më të madhe të vendit. Meteorologia Tanja Porja tha se gjatë ditës së sotme termometri ka shënuar deri në 32°C, me vlerën më të lartë të regjistruar në Elbasan.

Sipas saj, e gjithë kjo javë dhe java pasardhëse do të shoqërohen me mot të kthjellët dhe temperatura që do të rriten ndjeshëm, duke arritur në 35 deri në 38°C në disa zona të vendit.

“Qarku i Elbasanit, Beratit, Fierit dhe Gjirokastrës do të jenë më të prekurit nga të nxehtit afrikan. Deri më 15 qershor, termometri do të qëndrojë në vlera të larta. Më pas pritet një freskim i lehtë, por temperaturat e larta do të rikthehen sërish,” u shpreh Porja.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se vera do të jetë jashtëzakonisht e thatë dhe përvëluese, me vlera që në korrik dhe gusht pritet të kalojnë 40 gradë Celsius.

“Mungesa e reshjeve do të zgjasë deri në shtator,” tha Porja, duke theksuar se kjo situatë do të shoqërohet me net të nxehta dhe mëngjese gjithnjë e më të ngrohta.

Në kushte të tilla, qytetarëve u këshillohet të shmangin qëndrimin në diell në orët e pikut, të hidratojnë organizmin dhe të marrin masa mbrojtëse për të përballuar të nxehtin që po intensifikohet.

“Do ta nxij jetën po s’më dhe 3000 €”, efektivi i burgut të Durrësit shantazhon të dënuarin/ Letra që ‘e dogji’

Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të hetojë rastin e një punonjësi më burgun e Durrësit me iniciale G.Kushi, ndaj të cilit prokuroria e këtij qyteti  kishte ngritur akuzën e korrupsionit.

Polici i burgut u denoncua nga një i burgosur i quajtur Marius , i cili njoftoi prokurorinë e këtij qyteti se punonjësi e kishte kërcënuar.

“Do ta nxij jetën këtu në burg, nëse nuk më jep 3 mijë euro”, thuhet se i ka thënë efektivi të burgosur.

Pasi e ka paralajmëruar, polici i ka lënë në një letër të verdhë me shkrim dore numrin e llogarisë, ku familja e të burgosurit duhet të hidhte shumën.

Siç rezulton, pas denoncimit të të burgosurit prokuroria e Durrësit kreu ekspertizën e shkrimit dhe me dyshimet se shkrimi i përkiste policit ngriti akuzë ndaj tij, dhe pikërisht atë të korrupsionit.

Rezulton se paratë nuk janë paguar, ndërkohë që çështja me komunikimin e akuzës dhe marrjen si të pandehur të policit u dorëzua tek një gjyqtar paraprak i këtij qyteti, i cili ka shpallur moskompetencën me konstatimin se ky hetim dhe gjykimi duhet shqyrtuar nga gjykata antikorrupsion në Tiranë.

Gjyqtari Erjon Çela sipas Anila Hoxhës pasi ka shqyrtuar çështjen ka vendosur që aktet  hetimore të rikonsiderohen edhe njëherë nga SPAK, që duhet të bëjë të njëjtat veprime dhe t’ja dorëzojë të pandehur policin./ Top Channel

Ja ku ndodhet xhamia e lashtë në Shqipëri që strehon Kuranin e rrallë të dhuruar nga Erdogani

Kasem Hafizi, imami 78-vjeçar i xhamisë, tregon Kuranin e ruajtur në xhami, Tiranë, Shqipëri, 31 maj 2025 (Foto AA)

Një kopje e rrallë e Kuranit, e dhuruar nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, po ruhet me kujdes në Xhaminë e Kalasë së Prezës, një vend adhurimi shekullor që ndodhet brenda kufijve të kryeqytetit shqiptar.

Kalaja e Prezës, e vendosur afërsisht 22 kilometra nga qendra e Tiranës, daton që nga Mesjeta dhe është bërë një pikë interesi si për vizitorët vendas ashtu edhe për ata ndërkombëtarë për shkak të xhamisë së saj historike.

Sipas burimeve, xhamia u ndërtua midis viteve 1528 dhe 1547 për t’i shërbyer garnizonit osman të vendosur në kështjellë, si dhe familjeve që jetonin aty pranë. Vendi tani njihet për rëndësinë e tij historike dhe kulturore.

Xhamia iu nënshtrua restaurimit nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe një ceremoni zyrtare e rihapjes u mbajt më 13 maj 2015, me pjesëmarrjen e Erdoganit dhe zyrtarëve turq dhe shqiptarë.

Ja ku ndodhet xhamia e lashtë në Shqipëri që strehon Kuranin

Ndër sendet më të çmuara të xhamisë është një Kuran i dhuruar nga Erdogan gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2015 për ceremoninë e hapjes së punimeve të Xhamisë së Namazgjahut. Kurani, i cili shquhet për kaligrafinë, mjeshtërinë dhe vlerën historike, konsiderohet një artefakt unik.

Kaligrafi i njohur osman Ahmed Karahisari shkroi dorëshkrimin origjinal, ndërsa replika e ekspozuar në xhami u përgatit në vitin 2013 nga Fondacioni i Arteve Klasike Turke. Origjinali aktualisht ruhet në Pallatin Topkapi të Stambollit.

Kasem Hafizi, imami 78-vjeçar i xhamisë, i cili i ka shërbyer xhematit për 33 vjet, i tha Anadolu Agency (AA) se Kurani është ndër më të rrallët në botë.

“Xhamia jonë strehon një Kuran shumë të veçantë, të dhuruar nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan gjatë hapjes pas restaurimit të TIKA-s”, tha Hafizi. “Ajo paraqet një stil unik kaligrafie dhe peshon rreth 17 kilogramë. Mat 60 centimetra në gjatësi, 42 centimetra në gjerësi dhe 8 centimetra në trashësi.”

Hafizi e përshkroi Kuranin si një dhuratë shumë të vlerësuar, duke vënë në dukje se shumë vizitorë dhe besimtarë shprehin admirimin e tyre kur e shohin atë. Ai shtoi se teksti i shenjtë ruhet në një kuti qelqi transparente për mbrojtje dhe ekspozim.

Dështon edhe përpjekja e 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetët refuzojnë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit

Për të njëzetepestën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të hënën ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ligjbërësit refuzuan për të shtatëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post – është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 2 qershor, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën e 4 qershorit.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./REL

Aktrojnë

Nga Edison Ypi

Takova Hasanin. O Hasan, i thashë, si ke qënë me shëndet o burridheut, gruan, kalamajtë, farefisin, miqtë, mirë i ke pasur ? Mirë, tha Hasani, mirë i kam pasur. Po ja, me halle. Duke filluar nga bota në prag shkatërrimi me akullnaja që shkrihen dhe tempreratura që ngrihen. Pastaj me Shqipërinë që më është mërzit në kulm si është katandisur dhe çthurur p

SHKK FED invest mban Asamblenë Vjetore 2025: Të bashkuar për më shumë mundësi dhe financa sociale

Më datë 31 Maj 2025, ne ambientet e Hotel “Hilton Garden” në Tiranë, në një atmosferë entuziaste dhe me pjesëmarrje të gjerë, Shoqëria e Kursim – Kreditit “FED invest” zhvilloi me sukses Asamblenë e Përgjithshme Vjetore. Asambleja e Përgjithshme është autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe demokratik i FED invest, ku anëtarët kanë të drejtën e votës, sipas parimit një anëtar, një votë. Ky takim, i dymbëdhjeti në radhë, shënoi një tjetër gur themeli në historinë 33 vjecare te institucionit tone si kooperativa financiare më e madhe dhe me e konsoliduar ne vend, me mbi 97 mije anëtare dhe me 58 dege te shtrira ne mbare vendin.
Kjo Asamble përmbylli takimet e Mbledhjeve të Përgjithshme Vjetore në të gjitha Njësitë Grup/Bazë, ku anëtarësia u njoh me aktivitetin dhe arritjet e vitit 2024, si dhe objektivat e vitit 2025. Delegatë nga e gjithë Shqipëria, përfaqësues të Njësive Bazë/Grup, u mblodhën ne këtë forum për të reflektuar mbi rrugëtimin e vitit 2024, për te vlerësuar arritjet, për të shkëmbyer përvojat dhe diskutuar mbi sfidat dhe zgjidhjet, si dhe për të projektuar së bashku objektivat ambicioze të FED invest-it per vitin 2025. Në qendër të diskutimeve ishin çështje si: rritja e inovacionit dhe e zgjerimi i shërbimeve digjitale, marketingu efektiv, përfshirja financiare për të gjithë segmentet dhe fuqizimi i komuniteteve lokale.
“Asambleja jonë është më shumë se një mbledhje, është një manifestim i vlerave tona të përbashkëta, i besimit dhe bashkëpunimit që na ka sjellë deri këtu,” theksoi Kryetarja e Këshillit Drejtues, Zj. Zana Konini në fjalën e saj hapëse, duke falënderuar anëtarët, ekipin drejtues dhe partnerët për besimin e mbështetjen e pandërprerë.
Në fjalën e saj znj. Zana KONINI, Kryetare e Këshillit Drejtues të SHKK FED invest theksoi se: -“ Me vizionin për financë të qëndrueshme, viti 2025 do të fokusohet në përmirësimin e ofertës sonë unike financiare, fuqizimin e kornizës së menaxhimit të riskut, thellimin e personalizimit të shërbimeve për anëtarët në çdo hap të rrugëtimit të tyre financiar dhe zgjerimin e anëtarësisë për të kapur sa më shpejt këtë vit “gurin kilometrik 100 mijë anëtarë”.
Ndërsa z. Perlat SULAJ, Administrator i SHKK FED invest, tha se: -”realizuam me sukses një sërë aktivitetesh institucionale për rritjen e kapaciteteve institucionale në funksion të objektivave strategjikë, fushata marketingu dhe promocioni që kanë sjellë forcimin e „brand-it“ të FED invest në treg, si dhe në komunitetin e institucioneve financiare dhe donatorëve të huaj. Kemi vazhduar t‘i konsolidojmë marrëdhëniet me partnerët e huaj, si dhe të fillojmë projekte të reja që vijojnë të zbatohen edhe gjatë vitit 2025. Asambleja vlerësoi lart punën e Komitetit te Kontrollit dhe Komiteteve “Anëtari ne Qendër” dhe “Ekipi i Opinionisteve”. Asambleja gjithashtu ritheksoi rolin kyç të Qendrës ABA si katalizator për ekspertizën, informacionin dhe njohuritë agri dhe përfshirje të grupeve vulnerabël ne finance dhe ngritje kapacitetesh, si dhe rikonfirmoi angazhimin për të thelluar bashkëpunimet me partneret ndërkombëtare ne funksion te rritjes se kapaciteteve, diversifikimit te burimeve te financimit dhe aplikimit te praktikave moderne te bujqësisë se qëndrueshme dhe digjitalizimit, në shërbim të anëtarëve.
Në fund të punimeve, u miratuan vendime të rëndësishme sipas detyrimeve ligjore dhe statutore dhe u miratuan objektivat strategjike për të ardhmen e FED invest. U prezanatuan raportet e aktiviteve te KDs, Komitetit te Kontrollit, Raporti i Aktivitetit i SHKK FED invest, Raporti i Audituesit te Jashtem, Komiteti Anëtari ne Qender dhe Ekipi i Opinionisteve dhe akte te tjera qe lidhen me ecurinë e aktivitetit te SHKK FED invest te cilat janë kompetencat ekskluzive e AZP. Keto vendime janë te rëndësishme dhe do te sjellin ndryshime ne te ardhmen.
Vendimet e marra në këtë Asamble përcaktojnë qartë një drejtim të guximshëm përpara: zhvillim të qëndrueshëm, risi dhe zgjidhje teknologjike dhe angazhim të pandalshëm për mirëqenien financiare të çdo anëtari të FED invest. Të bashkuar për më shumë mundësi dhe financa sociale.

Era e VPN-ve në Shqipëri/ Si po “dështon” ndalimi i TikTok, rriten shikimet e videove

Më 13 mars 2025, qeveria shqiptare vendosi një ndalim njëvjeçar të aksesit në TikTok, duke përmendur shqetësime mbi sigurinë kibernetike dhe ndikimin negativ të përmbajtjeve të dëmshme tek të rinjtë.

Megjithatë, ky ndalim ka rezultuar të jetë joefektiv, pasi përdoruesit shqiptarë kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar, kryesisht përmes përdorimit të rrjeteve private virtuale (VPN).

Pavarësisht përpjekjeve për bllokimin e platformës, TikTok mbetet jashtëzakonisht i popullarizuar në Shqipëri. Sipas të dhënave të kompanisë mëmë ByteDance, në fund të vitit 2024, aplikacioni kishte 1.53 milionë përdorues mbi moshën 18 vjeç në një vend me një popullsi prej 2.4 milionë banorësh.

Analiza të fundit tregojnë se ndalimi ka pasur ndikim minimal në përdorimin e platformës. Sipas një raporti të Pikasa Analytics, vetëm një rënie prej 3.3% e postimeve është vërejtur pas ndalimit, ndërsa shikimet e videove janë rritur me 14% krahasuar me javën para ndalimit .

Pas ndalimit të TikTok, përdorimi i VPN-ve në Shqipëri ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme. Sipas ProtonVPN, përdorimi i shërbimit të tyre është rritur me 1200% në ditën e parë të ndalimit, dhe kjo tendencë vazhdon të rritet. Aktualisht në Shqipëri, në Appstore, VPN-të janë aplikacioni i tretë më i shkarkuar i muajit të fundit, pas ChatGPT dhe Temu.

Keishliii, një nga influencueset më të njohura në TikTok në Shqipëri, ka ruajtur një aktivitet të qëndrueshëm në platformë. Me mbi 134,000 ndjekës dhe një normë angazhimi prej 5.80%, ajo vazhdon të tërheqë një audiencë të gjerë. Postimet e saj arrijnë mesatarisht 101,200 shikime dhe 4,700 pëlqime, duke treguar një interes të vazhdueshëm nga ndjekësit e saj, pavarësisht ndalimit.

Një tjetër krijuese përmbajtjeje e njohur është Hatixhe Brika e njohur si Hati, e cila ka parë një rritje të numrit të ndjekësve të saj me 30% nga fillimi i vitit deri më tani. Ajo ka arritur 512.5 mijë ndjekës momentalisht dhe ka një numër pëlqimesh në total prej 32 milion, që nga nisja e përdorimit të platformës.

Por çfarë tregon kjo?

Sipas ekspertit të teknologjisë, Tomi Kallanxhi, ndalimi i TikTok në Shqipëri ka treguar se në epokën dixhitale, përpjekjet për të kufizuar aksesin në platforma të njohura mund të jenë joefektive dhe të sjellin pasoja të paparashikuara.

“Rritja e përdorimit të VPN-ve dhe vazhdimi i përdorimit të TikTok sugjerojnë se qytetarët janë të gatshëm të gjejnë mënyra për të anashkaluar kufizimet,” thotë ai.

Kallanxhi thekson se për shumë përdorues, ndalimi u bë një nxitje për të mësuar teknologji të reja. “Ka raste kur përdoruesit, duke kërkuar mënyra për të rikthyer aksesin në TikTok, mësuan të përdornin VPN, të ndryshonin parametrat e rrjetit apo të instalonin aplikacione të tjera mbrojtëse. Kjo në vetvete është një formë edukimi dixhital.”

Sipas tij, suksesi i TikTok lidhet me faktin që algoritmi i platformës është jashtëzakonisht tërheqës dhe arrin të kuptojë dhe të shërbejë përmbajtje sipas preferencave të secilit përdorues në mënyrë pothuaj perfekte. Kjo është arsyeja pse TikTok po e zëvendëson gjithnjë e më shumë YouTube për brezin Z.

“Sot, rreth 67% e të rinjve të kësaj moshe në Shqipëri e përdorin më shumë TikTok sesa YouTube,” vëren Kallanxhi.

“Unë nuk e shoh këtë fenomen si një shqetësim, por si një përparësi,” shton ai. “Është një mundësi për të kuptuar se ku shkon vëmendja e brezit të ri dhe si mund të kanalizohet ajo drejt përmbajtjes cilësore, në vend që të luftojmë me ndalime teknike që nuk funksionojnë.”

Pse TikTok mbetet kaq i përdorur?

Përgjigja është e thjeshtë: TikTok nuk është thjesht një aplikacion për video të shkurtra. Ai është bërë një platformë argëtimi, informimi, tregtie dhe madje edhe aktivizmi. Algoritmi i personalizuar, shpejtësia në përhapjen e përmbajtjes dhe mundësia për të arritur audienca të gjera e bëjnë atë një mjet të fuqishëm.

Në Shqipëri, TikTok është kthyer në një dritare të rëndësishme për influencuesit, artistët, bizneset e vogla dhe opozitën politike. Kjo e fundit ka shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj vendimit, duke e cilësuar si një akt të motivuar politik për të kufizuar zërat kundër qeverisë, sidomos në prag zgjedhjesh./ MONITOR