19.5 C
Tirana
E enjte, 26 Qershor, 2025

E ardhmja e Armando Brojës, sulmuesi i Kombëtares mund të përfundojë në… kategorinë e dytë

Armando Broja nuk po gjen “paqe” për sa i përket të ardhmes së tij. Sulmuesi shqiptar, mbylli një sezon jo fort pozitiv tek Evertoni, ku u aktivizua si i huazuar, teksa tashmë është duke kërkuar një aventurë të re.

Së fundmi ka dalë skenë një rikthim i mundshëm i Brojës te Sauthemptoni, që në edicionin e ardhshëm do të militojë në Championship, që është dhe kategoria e dytë angleze për nga renditja.  

“Shenjtorët” janë në kërkim të një sulmuesi, ndërsa Broja është në kërkim të një ekipi të ri. Për këtë fakt mediat britanike mendojnë se ribashkimi mes palëve nuk mund të konsiderohet një utopi. Vlen të theksohet fakti se Broja është aktivizuar me ekipin e Sauthemptonit në sezonin 21/22 ku luajti 38 ndeshje duke shënuar 9 gola dhe dhuruar dy asist. 

Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit: Enver Hoxha për orë e orë të tëra qëndronte në një bar të Parisit, në pritje të ndonjë në pritje të ndonjë klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt pagesës…

Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Në Gjurmët e një ditari

Për jo ma shumë se tre muej kohë, në kampin e mrekullueshëm të Beratit

Tue mos u zgjatë me ngjarjet e zakonshme të nji kampi pune, nga nandori i 1952-it, lamë Çengelajt dhe u drejtuem për në kampin e Urës Vajgurore, “Lapërdha” e Beratit, ku prej kohësh të burgosun të tjerë po punojshin për ndërtimin e nji aerodromi ushtarak. Në këtë kamp “madhështor” u bashkuem dy kampe e do të qëndrojshim bashkë derisa t’u pregatiste ai i Vlashukut, që ishte destinacioni i jonë. Kampi i Urës Vajgurore, do t’u mbante mend si kampi ma i madh që kishte qenë ndonjiherë, ndonëse për nji periudhë të shkurtë, me ma shumë se katër mijë të burgosun, si dhe kampi ku nji shumicë të burgosurish politikë, do të njiheshin mes tyne e prej ku nji ditë do t’u largojshin, tue pasë lanë e marrë mbresa të pashlyeshme për të gjithë jetën.

Ndërmjet tjerëve, atje do të takojshim edhe shokët tonë të Shkodrës, që kishin pasë dalë në kamp mbas nesh, si Sami Repishtin, Xhevat Metën, Ernest Përdodën, Tomë Sheldinë, Et’hem Bakallin, Zef Nikën, Nush Tukën, si dhe Feti Qukun e Mark Lleshin, që po bijshin për herë të dytë në burg, etj. Do të gjejshim gjithashtu në atë kamp edhe shokë nga të burgjeve të tjerë me të cilët ishim njohë e lidhë qysh dy e tre vjet ma parë ndër kampe të tjerë. Takimet e të burgosurve politikë, mbas disa kohësh që t’mos ishin takue me njeni-tjetrin, do të ishin si takime bashkëluftëtarësh. Takime të tilla do të krijojshin vazhdimisht atmosferë të gëzueshme e inkurajuese, për vetë vuejtjet e kauzën e përbashkët që ata kishin.

Në këtë kamp, për herë të parë, do të takojshim Patër Mëshkallën, te i cili, si ndoshta te asnji tjetër, ishin shkri në nji gja, thjeshtësia e sinqeriteti, inteligjenca e kultura, si edhe nji ngrohtësi deri në afinitet edhe me ne, çka do të bante që atij, pavarësisht moshës që kishte e petkut që mbante, t’iu manifestojshin qysh në takimin e tịj të parë me ne. Te Patër Meshkalla do të më bante përshtypje pamja e tij, që edhe pse disi si e zeshkët e gjithë rrudha, do të na bahej tërheqës dhe e dashtun edhe prej afrimit të menjëhershëm e, besimit të pa asnji rezerve që ai po shfaqte për ne.

Vuejtja nga njena anë, si dhe kontakti me njerëz të zgjedhun për nga karakteri, që të keshë pasë me të e disa herë edhe për nga kultura, shtue këtyne librat e sidomos synimet, patën ba që nji kategori të burgosurish me moshë të re, të kishin fitue atë shkallë formimi të parakohshëm, sa do të kishin qenë vërtetë nji dobi reale për vendin, nëse komunizmi do të ishte përmbysë, qysh atëherë.

Edhe atje në Berat, si në kampe të tjerë, do të njifshim shumë njerëz të mirë, mes të cilëve edhe fshatarë të thjeshtë, emnat e të cilëve, për kohën e gjatë që ka kalue, më janë fshi nga kujtesa, por jo gjithherë edhe fytyrat e nji fisnikni e tyne. Sa kohë që u ndodhshim në atë kamp, mezi ç’do të pritshim që të mbaronte dita e punës, për të takue në mbramje individë e grupe shokësh, që me qëndrimin e tyne të papërkulun ndër burgje e kampe, kishin ba emën.

Nga të burgut të Vlonës, Meçan Hoxha do të ishte nji prej atyne nacionalistëve të kulluet e njeri i mirë, të cilit ndoshta ma shumë se çdo gja tjetër, do t’i a tregojshin shprehja e qetë e dashamirëse e fytyrës së tij të qetë që kishte, toni i ulët e i shtruem i fjalëve të matuna e konfidenciale që përdorte, si të nji njeriu me të cilin të ishim njohë prej kohësh, çka ne, si të rinj që ishim, do të na bante me besue se të gjitha sa ma sipër, t’i burojshin prej nji nacionalizmi të tij të pastër e të thellë, si rrallë kush tjetër.

Njeri shumë i mirë nga të burgut të Vlonës, do të ishte edhe Fatos Kokoshi, që ishte në gjendje të të tregonte nji numër të pambarim filmash, që kishte pasë ndjekë dikur në Francë. Po ashtu Abdurraman Kreshpani, nji tjetër nacionalist i devotshëm, që vite ma parë kishte ndërpre studimet në Itali e, kthye në Shqipni për të luftue me armë në dorë pushtuesin italian, i inkuadruem brenda radhëve të Ballit Kombëtar. Inxhinieri Besim Grezhica, nji tjetër njeri i mirë e i papërkulur. Po kështu vlonjatët, disi ma të rij, si Ventigjar Hamzaraj, që disa vite të shkollës së mesme, i kishte krye në Paris, si bir i nji nëpunësi të ambasadës shqiptare që kishte qenë. E kështu edhe të rinjt, Numan Numani, Teufik Gabrani, Lavdosh Begja, djelm të mirë e të vendosun, që mbetshin si edhe ma parë, besnikë të Ballit Kombëtar.

Në atë kamp qeshë ba mik me nji Bexhet Shehu, pavarësisht diferencës në moshës që kishte me mue. Kishte studjue në Austri dhe prej natyre ishte model i njeriut të sjellshëm e të dashun. Nji herë Bexheti do të më thonte: “S’mund të them se u besonj falleve, por ama është e vërtetë, se kunata ime e pau në filxhan arrestimin tim, qysh dy ditë para. Ajo shikoi filxhanin e kafesë, që sapo e kisha pirë, dhe menjëherë u tret në fytyrë e sytë iu mbushën me lotë. “Çfarë pe në filxhan”? e pyeta unë, dhe ajo njëherë përnjëherë, nuk m’u përgjigj, por pasi unë këmbëngula, ajo duke u dridhur, më tha: Bexhet, të shikonj në burg. Dhe vërtetë unë në ato dy ditë u arrestova”.

Si mik që tashma e kisha Bexhetin, nji ditë do t’i bajsha pyetjen: “Bexhet, ndër të burgosun, kush po sakrifikon ma shumë, ju që në shtëpi keni lanë gra e fëmijë, apo ne që këtu po shkrijmë vite të papërsëritshme rinie”? “I dashur Ahmet”, – do të fillonte me më folë me buzëqeshje Bexheti, – “kësaj pyetje, që vërtetë është interesante, vështirë t’i japësh nji përgjigje të saktë. Duhet gjetë nji njeri tjetër”!

Shyqyri Borshi do t’ishte po aq simpatik, për të burgosurit e atij kampi, sa ç’kishte qenë dikur për vajzat e pjacës së Shkodrës. Temperamenti i gëzueshëm i tij e, humori i përhershëm, kishin ba që atë ta njifshin e ta dojshin të gjithë. Disa herë Shyqi, i hypun mbi nji vagon të mbushun me dhé, tue kalue para të burgosurve që ishin në punë e sipër, do t’u thirrte me sa za të kishte: “Ej, ej, po kalon para jush artisti i burgjeve e, kampeve të Shqipnisë”.

Familjen e Shyqit, me origjinë të largët prej Borshit të jugut, dhjetë vjet ma parë, lufta e kishte sjellë nga Podgorica në Shkodër. E kishin arrestue m’kot, kur kishte qenë ushtar diku andej kah jugu. As që donte të dinte për politikë dhe ndonjiherë do të më kishte thanë: “Kur pata shkue mbas luftet në Zagreb, për të vazhdue studimet universitare, Shkodrën e pata lanë tue u marrë me politikë. Ndër shtëpia e në rrugë, ndigjojsha njerëzit se thojshin: po dalin sot e po dalin nesër këta hora, e tash po vijnë anglezët e amerikanët, etj., etj., ndërsa kur unë studjojsha në Zagreb, kisha përshtypjen se atje, askujt s’i shkonte ndër mend me u marrë me politikë, e se ne studentët u merrshim vetëm me mësime e dashni. U ktheva në Shqipni, e Shkodrën e gjeta përsëri tue u marrë me politikë, ashtu si e kisha lanë dikur”!

Nji tjetër djalë simpatik në atë kamp, do t’ishte Qamil Kacmoli prej Shijakut, nji tip me karakter leal, të gëzueshëm, ekspansiv e të dashun, e me trup të hedhun. Tregojshin se gjatë luftës, ishte numrue ndër ma trimat që kishte pasë ajo zonë e Shijakut. E kishin burgosë për zhgënjimin që ai kishte pasë pësue. Mark Prela e Sami Repishti, që me të ishin ba shokë qysh ma parë, na e patën njohë e lidhë edhe ne me të. Nuk mund të harroj me këtë rast, dy fshatarë të thjeshtë që ato ditë punojshin ngjitë me ne. Më duket se ishin nga Vloçishti i Korçës e, se njeni prej tyne, e kishte emnin Izet, të cilin na e quejshim; “xha Izet”, si plak që ishte. Gjeneral Nexhip Vinçanin e ramë nga pozita qysh atëherë, ai e kishte të vetin.

Xha Izeti e ai shoku i tij, qyshë me mbarimin e Luftës së Parë Botnore, kishin pasë emigrue në Amerikë e, tregimet e tyne për Amerikën, sado të thjeshta që ishin, prapëseprapë tërhiqshin e kënaqshin kureshtjen tonë. Pranë u ndodhte vazhdimisht edhe nji tjetër fshatar prej anës së tyne, me emnin Koço, që si dy të mësipërmit, edhe ai kishte punue për disa vite në Amerikë e, që mes tjerash, do të na tregonte: “Në ditën e 4 korrikut, Festës së Pavarësisë së Amerikës, parakalojshin me flamuj grupe nga të gjithë vendet e botës. Shqipëria, sipas alfabetit, vinte e para pas Amerikës dhe për këtë gjë, grekërit desh pëlcisnin nga inati e për çdo përvjetor ata protestonin, duke thënë se shqiptarët, nuk duhet të kalonin para tyre”!

Nga fundi i qëndrimit tonë në këtë kamp, komanda do të zbulonte hapjen e nji tuneli, në faqen ballore të nji grope të madhe septike prej dheu. E ishte për të ardhë shumë keq. Kishte kohë që nji grup të burgosurish, në mshehtësi e rrezik të madh, kishin punue gjatë shumë netëve për hapjen e atij tuneli e, si edhe ndonjiherë tjetër, vetëm kur ai t’mos donte veç edhe pak punë për të dalë jashta rrethimit prej telash me gjemba, ata do t’u zbulojshin e, t’u dënojshin me shumë vite të tjerë burgu. Edhe nji episod i parëndësishëm do të më ndodhte në nji ndër ato ditë të fundit të qëndrimit tonë në atë kamp: ndërsa isha largue pak nga vendi i punës, shikoj se brenda nji ferre, diçka po lëvrinte.

Mora me të shpejtë nji lopatë e, nisa të hap rrugën në drejtim të saj, dhe shpejt vërejta se aty kishte nji çerdhe gjarpnijsh të rinj, të cilëve fillova t’u biej me lopatë, ndërkohë që drejt meje po vijshin tue më thirr për emën, Met Rrapushi, – furrtari i njohun në Shkodër – dhe ish-studenti, Merxhan Smajli, që të tronditun siç ishin, po m’u lutshin që ta ndërpritsha atë punë. Mënyra me të cilën ata po ma kërkojshin atë gja, – si t’ia kërkojshin nji njeriu të huej, e jo mue, shokut të tyne – si dhe xixëllimat e lotëve në sytë e tyne të skuqun, shtue edhe fjalët “Aman Ahmet, se ti nuk e din, se ç’ka ka përbrenda vetes nji gjarpën”, banë që unë, jo vetëm që t’u tërhiqsha menjiherë prej atij veprimi të porsa filluem, por prej dhimbjes që po provojsha për ta, s’po dijsha as si me u kërkue ndjesë, për ç’kisha ba.

Kampi i Vlashukut

Vazhdonte me qenë dimën kur nji ditë, ne të kampit nr. 2, të hypun ndër makina, lamë kampin e Urës Vajgurore e, shumë shokë tonë të vjetër e të rinj e, tue dredhue gjatë disa dhjetëra kilometrash nëpër rrugë të pashtrueme, për anë do kodrash të ulta, mbërritëm te nji vend ku s’u dukte fshat e asgja e, që u quente Vlashuk. Do të ishte nji kamp – viti 1953 – të cilit fronti i punës, nuk do t’iu largonte anjiherë, me që punimet do të ishin të përqendruem në hapjen e nji kanali me gjatësi të shkurtë, por me përmasa të mëdha, si gjanësi e thellësi.

Do të vinte nji kohë, që për të nxjerrë dheun e gërmuem prej fundit të atij kanali të thellë 25 metra, do t’u dojshin trembëdhjetë skela të alternueme, në të dy faqet e tij, përmes të cilave, lopatë mbas lopate, ai dhé të dilte përjashta. Në thellësi të kanalit, drita depërtonte pak e se dheu atje kishte ngjyrë mes blusë e të blertës, se ishte shumë i ngjeshun e që kundërmonte edhe nji erë të randë, që ndoshta i ngjiste asaj të piritit a vojit të gurit, e që shpeshherë donte me të zanë edhe hundët.

Punimet në fundin e kanalit, veç vështirësisë së gërmimit të nji dheu të fortë e të ngjeshun si tutkall, si dhe rreziqeve eventuale që paraqiste, gjatë stinës së verës kishte dy të mira: freskinë dhe ujin e mbledhun ndër pellgje të vegjël anës kanalit, ujë me të cilin na do të shuejshim etjen tonë e të shumë shokëve të tjerë, sipër ndër skela, pa pyetë për shijen e tij të pakandshme, që kishte marrë prej kundërmimit të dheut, prej kah ai buronte.

Që të mos u shembshin faqet e thella të kanalit të hapun, ishte konsumue nji sasi e pallogaritshme materiali drusor për veshjen e tyne, por që megjithatë, prej presionit të madh të masave të dheut anash, e sidomos mbas ndonji shiu që mund të kishte ra, të ngopuna me lagështinë siç do t’ishin, disa herë ato do të humbshin pikat e tyne të mbështetjes e do të bajshin që dy faqet e kanalit, t’u puqin mes tyne, tue çue dam punën tonë të disa ditëve. Për fatin tonë, shembjet do të ndodhshin vazhdimisht mbas mesnate, aq sa ne të burgosnit, tue qeshë, do të thoshim: “Duket se njitash, ka fillue Zoti me na dashtë”. Kur të vinte prandvera me ditët e saj të zgjatuna, puna do t’u organizonte në katër turne gjashtë orëshe, që u ndërrojshin në krye të çdo jave. Fati do ta sillte që pesë nga gjashtë vetë që kishte sofra e jonë, t’ishin në nji turn, ndërsa unë i vetëm, në turnin tjetër.

Gjatë asaj jave që unë do ta kisha turnin e punës në mbas dreke, rolin e kuzhinierit për drekën do ta kryejsha unë. Ishte ajo kohë kur unë vazhdojsha me studjue gjuhën angleze, me anë të nji metode italiane “Lisly”, dhe me qëllim që ta pratikojsha atë, çdo porosi që kisha për shokët, kur ata t’u kthejshin prej turnit të parë, si lidhun me gjellën a tjetër gja, unë do t’ua lejsha të shkrueme në anglisht, mbi nji copë letër të ashpër thasësh çimentoje.

Brenda nji kampi prej rreth dy mijë e gjashtëqind të burgosurish, – ma të shumtët politikë – anjëherë nuk do të të hiqshin vërejtjen fytyrat e të burgosurve dhe i shikojshe për herë të parë. I burgosuni politik zakonisht mban lidhë brenda nji rrethi mjaft të gjanë shokësh e miqsh, sikurse ruan e respekton edhe disa njohje që atij t’i ishin afrue rastësisht, të cilat zakonisht mbyllin pak a shumë botën e njerëzve të tij të burgut, jashtë të cilit ai përgjithësisht nuk del. Kështu nji ditë unë, mbasi pata mbarue punë para kohe, nga thellësia e kanalit ku punojsha, u ngjita sipër që të pritsha përfundimin e punës për të gjithë. Rasti e solli që aty të hyjsha në bisedë me nji të burgosun nga Berati me emnin Qemal, i cili aty punonte me nji elektro-vinç të madh.

Qysh në fillim te ai njeri do të më bante përshtypje fytyra e tij e pastër e shumë bardhoshe, si dhe toni i qetë i zanit të tij, që sa herë që fliste, do ta përcillte me buzëqeshjen e nji njeriu të mirë e me edukatë. Mbas nji bisede prej rreth nji orë, u ndamë sikur të kishim qenë njohë prej kohësh. Mbasi të kishte mbarue punë edhe turni i dytë, pra në mbramje, kur po hajshim darkë, unë do t’u flitsha për të shokëve të sofrës. Po ç’ndodhi ndërkaq? Për nji koinçidencë të pabesueshme e fatale, këta shokë të mij, do të më tregojshin se pikërisht atë vinçier, me emnin Qemal, e kishte pase zanë nën vete vinçi at mbas dreke, tue ia pasë qitë zorrë e tru përjashta!

Vdekja e nji të burgosuni në nji kamp pune, disa herë kalon me indiferencën e atyne që atë nuk e kanë njohë ma parë dhe me pikëllimin ma të thellë nga ana e shokëve të tij. Kështu nji shok i Qemalit, që më duket se emnin e pat Nuri, nga pikllimi për vdekjen e Qemalit, qysh atë natë, luejti mendsh. E izoluen brenda nji barake të vogël, që vinte pak mbrapa kapanonit tonë dhe për nji javë resht ai djalë, ditë as natë, nuk do të pushonte se thirruni me za të naltë: “Qemal, o Qemal, Qemal ore”!- tue mbushë me dhimbje e lanë edhe pa gjumë, shumë të burgosun aty rrotull. Ruzhdi Baja, kushri i imi e, që në atë periudhë flinte brij meje, i shqetësuem që s’po e zinte gjumi prej të thirrunave të atij Nuris, do të turfullonte: “Boll na u dhimbt ai djal që diq, veç edhe kështu mos me të lanë me mbyllë sy, të lodhun si jena, s’po di ça me thanë”! Kund nja nji javë mbrapa, Nuriun nuk e ndigjuem ma të thërriste: dikush na tha se e kishin nisë për spital.

Në këtë kamp të Vlashukut, kujtoj me respekt e tashma vetëm për figurë disa njerëz të mirë prej Beratit e rretheve të tij, ndër ta sidomos nji burrë të shkurtë, me emnin Syrja. Si Syrjanë, po nga Berati kujtoj me këtë rast edhe nji ish-student, pak brun e simpatik, që njenin prind e kishte me origjinë italiane. Nga Berati ishte edhe studenti Ilia Thereska, që gjimnazin e kishte ndjekë në atë të Gjinokastrës. Po ashtu, kamp mbas kampi, do t’u njifshim e do t’u afrojshim shumë me nji grup kolonjarësh shumë të mirë, që në krye të tyne kishin nji plak me emnin Muço, Muço Shkëmbin, nji zotni gjithë prestigj, që e meritonte nderin që iu bante nga të gjithë.

Ma i riu ndër ta, do të ishte Kamberi, që na e thirrshim Kambo. Qysh në kamp të Beratit, ishim njohë e krijue lidhje shoqnore me intelektualë, si Isuf Vrionin, që si bir ambasadori që kishte qenë në Francë, të gjitha ciklet shkollore, përfshi edhe ndonji vit të fillores, i kishte pasë krye në Paris, ku kishte qenë laurue dy herë e, nji herë të tretë në Milano të Italisë. Po kështu do t’u afrojshim edhe me dy shokët e tij, Milto Liton e Foto Balën, që bashkë me Isufin, do të formojshin nji treshe të pandame.

Foto Bala ishte rritë me Enver Hoxhën. Bashkë kishin krye gjysë-gjimnazin e Gjinokastrës, bashkë në lice të Korçës e, bashkë edhe në Montpellier të Francës. Foto Bala, jo vetëm që ishte intelektual i plotësuem, por kishte edhe nji mënyrë të të treguemit shumë të kandëshme e elokuente. Ndër të tjera, ai do të na tregonte për Enver Hoxhën, për sjelljet e tij në përgjithësi, për mungesën e plotë të karakterit të tij, për “manierat” femnore që ai përdorte deri në neveri, sa herë që kishte të baj me femna, si dhe për shumë aventura të tij, shumë e shumë herë të fëlliqta.

“Do të ishte Enver Hoxha, i vetmi shqiptar që për orë e orë të tëra, do të pozonte pa turp, në nji bar të Parisit, në pritje të ndonji klienteje plakë e të pasur, që përkundrejt nji pagese, do ta merrte me vete atë bukurosh”, do të na thonte Foto Bala. E vazhdonte: “Si i shthurur që ishte, kushedi sa herë me ishte futur në shtrat, disa orë pas mesnate, duke më thënë: “Foto, Foto, bëj një çikëz vend, sa të futem edhe unë”. Dhe kur Enveri do të vinte në krye të Shqipnisë, dëshmitarin e sa maskarallëqeve të tij, Foto Balën, ai do ta mbante dhjetë vjet në burg, kurse të atin, që e kishte pasë farmacist në Durrës, do t’ia pushkatonte, për çka Fotoja do të thonte: “Po ai pizeveng, mirë me mua, po me babain ç’pat”?

Më shumë njerëz të mirë, do t’u njifshim e do t’u lidhshim si shokë në këtë kamp, por unë s’pakut do të kujtoj edhe dy, njeni Niko Koka e, tjetri Lem Daçi, të dy prej Shkodret, të arrestuem në Durrës, ku kohët e fundit kishin qenë me punë e banim, si dhe njifarë Eshref Zagorçani prej Pogradecit, që pak vite ma parë, kishte pasë ndërpre studimet e nalta në Austri. Mes tjerëve, do të kishim atje edhe studentin Ali Cali, nga Tirana.

Tue vazhdue me qenë në këte kamp, ndodhi që nji të shtunë në darkë, njenit prej shokëve të sofrës, familja i solli ushqime. Daja, – ekonomati e kuzhinieri i jonë – po u merrte me sistemimin e tyne. Thabit Rusi, tue mos shikue mirë prej dritës së pakët të kapanonit, përmbysi gabimisht nji shishe voji e, mbrapa nisi të turfllonte; “Ku paska qenë që s’e pashë?! E marrtë dreqi”, etj. Ndërkaq Maliq Bushati, tue mos pasë qenë koha për gjumë, ishte shtri në dyshek e mbulue edhe me batanije. Ndërkohë që Thabiti vazhdonte të shprente idhnimin për humbjen e nji shisheje voji aq të çmueshme për ne, unë do të vërejsha se si Maliq Bushati, u tundte e shkundte nën batanije dhe mbasi e zbulova e pyeta: “Ç’ka ke që tundesh”?! e ai pa muejtë me frenue gazin e, tue vazhdue me u dridhë edhe ma shumë, do të m’u përgjigjte:

“Shyqyr që duel edhe nji tjetër me derdhë, se ju mbetët tue thanë për gjithçka; Maliqi, Maliqi”. Dhe me të vërtetë, nëse do t’u derdhte a t’u thyente nji gja, t’u griste a t’u ndyente nji plaçkë, për autor do të kishin pasë përgjithësisht dorën, brylin, kambën, gjunin a kryet e Maliqit. Po ashtu, edhe nji morr po t’u vërente se ishte futë brenda vendeve tona, do t’ishim të sigurt, se atë e kishte sjellë Maliqi, edhe në qoftë se ai në atë ditë të kishte veshë rroba të lame. E ngjiste kështu, sepse Maliq Bushati, sa askush tjetër, do t’u fuste ndër skutat e ma të vorfënve e, të të harruemve të kampit.

Daja, çdo mëngjes, do të mbushte kutitë e duhanit për të gjithë e, në veçanti atë të Maliqit, do ta raste edhe me duer, dhe tue ia dorëzue, do t’i thonte: “Maliq, kjo për gjithë ditën ee”? Dhe Maliqi, megjithëse aty për aty, do t’iu përgjigjte me “Po, mor po”, kur t’u kthente prej punës, si asnji tjetër prej nesh, punën ma të parë që do të kërkonte me ba, do t’ishte zgjatja e kutisë së duhanit bosh, drejt Dajës, sepse ai si gjithnji, do të kishte takue Prekën, Hajdarin, Nduen, Muhon, po edhe Koçon a ndonji tjetër, me të cilët ai vazhdimisht, do të ndante duhanin.

Sa herë që Maliq Bushatit, t’i vinte ndonjë gja e re prej shtëpijet, si këmishë, brekë etj., ai do të mendonte se nuk i takojshin atij e, përgjithësisht m’i hidhte ato mue, si ma i riu i sofrës që isha, gja që natyrisht unë s’do t’ia pranojsha asnjiherë, sikurse nuk do t’ia pranojsha as nji kafshatë mishi, që mund t’i kishte ra nga kazani, e që ai, tue ia hjekë vetes, sa pa nisë me ngranë, do të kërkonte që të m’a hidhte në gavetë time! Memorie.al

Shefi i mbrojtjes gjermane paralajmëron: Rusia mund të sulmojë NATO-n brenda katër viteve të ardhshme!

Anëtarët e aleancës perëndimore NATO duhet të përgatiten për një sulm të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme, sipas shefit të mbrojtjes së Gjermanisë.

Gjenerali Carsten Breuer tha në intervistën e tij për BBC, Rusia po prodhon qindra tanke në vit, shumë prej të cilave mund të përdoren për një sulm ndaj shteteve baltike anëtare të NATO-s deri në vitin 2029 ose edhe më herët.

Ai gjithashtu këmbënguli që NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, duhet të mbetet e bashkuar mbi luftën në Ukrainë, pavarësisht dallimeve në opinione të shprehura së fundmi nga Hungaria dhe Sllovakia.

Komentet e tij vijnë disa javë përpara zhvillimit të samitit të vendeve të NATO-s në Hagë, ku pritet të diskutojnë buxhetet e mbrojtjes, ndër të tjera.

Gjenerali Breuer tha se NATO po përballet me “një kërcënim shumë serioz” nga Rusia, një kërcënim që ai nuk e kishte parë kurrë më parë në 40 vitet e tij në shërbim.

Për momentin, tha ai, Rusia po i ndërton forcat e saj në një “masë të jashtëzakonshme”, duke prodhuar afërsisht 1,500 tanke kryesore beteje çdo vit.

“Jo çdo tank do të shkojë në [luftën në] Ukrainë, por po shkon edhe në stoqe dhe në strukturat e reja ushtarake që janë gjithmonë përballë Perëndimit”, tha ai.

Rusia prodhoi gjithashtu katër milionë fishekë municionesh artilerie 152 mm në vitin 2024, dhe jo të gjitha këto sasi shkuan në Ukrainë, shtoi gjenerali Breuer.

“Ekziston një qëllim dhe ka një grumbullim të stoqeve” për një sulm të mundshëm në të ardhmen ndaj shteteve balltike të NATO-s, tha ai.

“Kjo është ajo që po vlerësojnë analistët – në vitin 2029. Pra, duhet të jemi gati deri në vitin 2029… Nëse më pyetni tani, a është kjo një garanci që nuk është më herët se viti 2029? Do të thoja jo, nuk është. Pra, duhet të jemi në gjendje të luftojmë sonte”, tha ai.
qëndrimet në Gjermani ndaj mbrojtjes dhe Rusisë.

Katandisja e dhimbshme e opozitës dhe tre arsye, pse humbi thellë PD e Berishës

Nga Artur Zheji

Një tufë e madhe të paaftësh dhe një tufë egoistësh të përçarë, kënaqen tek sodisin 80 vjeçarin “bio”, Sali Berishën që del elegant dhe arësyeton urtësisht, ekran më ekran dhe i “çjerr” maskën Edi Ramës, për “farsën” zgjedhore të 11 Majit 2025.

Dhe mbas shpatullave të Saliut, këta të paaftë, të shumtë në të vërtetë, fshihen e tkurren dhe ndërkohë mprehin thikat e tyre kundër njeri tjetrit: gjithmonë në emër të Doktorit dhe të pastërtisë opozitare. Pamje e dhimbshme e katandisjes opozitare në këtë verë që po vonon të mbërrijë. Duhet më shumë dinjitet dreqi e mori, duhet t’i thonë në sheshin e mejdanit ato që pëshpërisin tërë ditën kafeneve.

Opozita humbi thellë për të paktën tre arsye madhore, arsye që janë krejt para syve të të gjithëve, që kanë sy për të parë dhe pak tru për të analizuar çfarë ndodhi.

Arsyeja e Parë: Me presion, me joshje apo me dredhi, Sali Berisha e mori përsëri Partinë Demokratike. Të përçarë e të coptuar, të dreqosur e të mallkuar nga sharjet dhe akuzat trasversale të të gjithëve kundër të gjithëve, që gjenin tradhëtarë e të shitur te Rama, në fizionominë dhe politikëbërjen e çdo disidenti antiBerisha. Shumë demokratë “historikë” ishin gati të “shqyenin” politikisht njeri tjetrin më shumë se kundërshtarin e qetë dhe me rrënjë të ngulura thellë në territor. Berisha bëri çfarë mundi e aq sa mundi me stilin e tij të sprovuar, por dhe shumë të vjetëruar njëkohësisht.

Por humbja e zgjedhjeve, përsëri nuk ishte faji i tij, si edhe nuk ishte as faji dhe as “tradhëtia” e Lulzim Bashës, 4 vite më parë. Partia Demokratike nuk e përsërit dot fitoren e vitit 2005, pa përçarje apo pa tradhëti të brendëshme të së Majtës.

Arsyeja e Dytë: Rama nuk lejoi faktorë të brendshëm të së Majtës apo PS, që të ngrenin krye, ndonëse nuk janë pak ata, që kujisin nga shtypja që ushtron personaliteti gjithë e më i madh, i shefit të gjatë. Çuditërisht edhe Ben Ahmetaj, s’dihet se si ndodhi, respektoi një “heshtje parazgjedhore” dy-tre mujore para 11 Majit.

Të tjerët, nëse kishin ndonjë gjë për të thënë, domethënë ndonjë mosdakortësi ndaj Ramës dhe vijës së tij të qasjes, u janë zbrazur trimërisht grave në shtrat, nëse ishin burra, ndërsa gratë politikane e kanë artikuluar “disidencën” e tyre, maksimumi te parukierja e besuar.

Pra, megjithë Lalin, Erion Veliajn në burg, Partia Socialiste, fitoi përsëri, madje më thellë dhe në mënyrë më metodike.

Duke forcuar bindjen e dikurshme të veteranëve të partisë, se kur themi Partia, nënkuptojmë Rama dhe kur themi Rama, nënkuptojmë Partia.

Arsyeja e Tretë: Partitë e reja, kandidate për të marrë stafetën politike apo për të kryer rotacion politik në Shqipëri, u shfaqën të sëmura rëndë edhe nëpër ekrane.

U shfaqën të rinj, por të ligështuar nga sëmundja e vjetër shqiptare politike e përçarjes, e vetëpëlqimit dhe e urrjetjes personale e politike për njeri tjetrin. Të paaftë të krijojnë një Front politik, me idenë e krijimit të një Poli të Tretë.

Dhe rezultuan ca partiza thërrime, që çertifikojnë gjithmonë e më shumë, demokraticitetin e pretenduar zgjedhor nga shumica qeverisëse. Duke u shndërruar nga kundërshtarë të Partisë Socialiste, në aleatë të Imazhit të saj ndërkombëtar.

Dhe bashkohen të gjithë në korin: Se fajin e ka Berisha!

I cili sëpaku, çapitet me dinjitet ekran më ekran dhe i palodhshëm “demaskon” farsën zgjedhore dhe mbron “fitoren e munguar” apo “fitoren e vjedhur”, e të tjera e të tjera…

E dhimbshme dhe qesharake. Ndërsa këta të “rinjtë” e mplakur befas, se ku janë fshehur këto kohë dhe nuk dalin më me megafon rrugëve.

Po pse?

Ah, po, erdhi Vera, duhet me ju turr plazheve dhe udhëtimeve!
Bravo Çuna! Jeni Njisha! Një herë jeton robi!

Edi Rama ia dha vulën Berishës/ Mirela Karabina: Koalicioni Euroatlantik u fut vonë në fushatë

Mirela Karabina nga “Koalicioni Euroatlantik” tha se partia ku ajo bën pjesë, nuk mundi do të marrë asnjë mandat deputeti. Ajo u shpreh se partia e Lulzim Bashës u fut vonë në proces.

“Jam pjesë e “Koalicionit Euroatlantik”, por nuk arritëm që të merrnin një mandat në Kuvend. U futëm me vonesë në procesin juridik sepse kemi qenë në një proces për vulën dhe logon e PD-së. Kjo na penalizoi sepse tradicionalët kanë kaluar tek sigla e PD-së.

Ne e kemi prezantuar programin tonë një vit më parë, si kurrë një parti politike. Gëzimi dhe ajo çfarë bëri PD-ja pas riorganizimit, në 11 qershor, Edi Rama ai dha vulën Berishës. Ai vendim nuk ishte ligjor, por ishte politik. Rama ka dëshmuar se gjykatat i ka përdorur për pushtetin e tij”, tha Karabina për “Ora News”.

Të rinjtë dhe teknologjia: Shkëputja mes botës virtuale dhe asaj reale po ndikon në mirëqenien e tyre

Një studim i Doxa për Generatën Z në Itali, i realizuar për Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt dhe i porositur nga Lenovo, tregon se 45% e të rinjve ndjejnë një ndarje të fortë midis jetës online dhe asaj offline. Kjo shkëputje po ndikon negativisht në mirëqenien mendore dhe marrëdhëniet me familjen dhe miqtë.

Për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj sfide, Lenovo ka krijuar një eksperiment social me avatarë 3D interaktivë, që mund të flasin me të dashurit e të rinjve për tema që ata i shmangen në bisedat reale. Ekspertët theksojnë se teknologjia, nëse përdoret me përgjegjësi, mund të jetë një mbështetje e vlefshme, por nuk mund të zëvendësojë ndihmën profesionale të psikologëve dhe mjekëve.

“Teknologjia duhet të jetë një mjet ndihmës për një shoqëri më të lidhur dhe gjithëpërfshirëse,” thotë Pietro Parodi nga Lenovo, ndërsa Cristina Rigon nga Telefono Amico Italia shton se avatarët mund të ndihmojnë ata që ndihen të izoluar.

Megjithatë, sfida mbetet të gjejmë balancën midis botës virtuale dhe asaj reale, për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve.

Pajtuesi i gjaqeve flet për gjakmarrjen mes fisit Kaza dhe Gjini: Fajin e ka shteti

Pajtuesi i gjaqeve, Gjin Marku foli në lidhje me sagën e gjakmarrjes mes fisit Kaza dhe Gjini, ku viktima më e fundit ishte 57-vjeçari Pjeter Kaza, i cili u vra këtë të dielë në Tale të Lezhës.

Marku, ia faturoi situatën shtetit dhe politikanëve, duke i akuzuar se e kanë mbajtur vendin në një tranzicion të gjatë dhe të vështirë.

Sipas tij, fiset Kaza dhe Gjini janë familje tradicionale të Mirditës dhe të mira, por për shkak të tranzicionit të vështirë, sistemi nuk ka arritur t’i shmangë këto probleme për shoqërinë shqiptare.

Ai dha si shembull periudhën e sistemit komunist, ku tha se u shmang gjakmarrja mes fiseve.

“I shpreh ngushëllimet familjes Kaza, janë familje dhe miq, jo vetëm të mi, por edhe të gjithë mirditorëve. Janë familje shumë mirë dhe të njohura tradicionalisht në Mirditë. Po ashtu edhe familja Gjini. Në Mirditë kemi tre, katër fiset që kanë qenë familjet më të mira, por fatkeqësisht ata nuk i ka vrarë hakmarrja dhe gjakmarrja, por ky sistem dhe ky tranzicion i rrezikshëm për shoqërinë shqiptare. Nuk mund të themi se është hakmarrja apo gjakmarrja ajo që prevalon në këtë rast, por mungesa e përgjegjësisë së shtetit dhe institucioneve, të cilat kanë detyrën kryesore të rregullojnë jetën e shoqërisë, siç populli endërron dhe paguan për këtë. Në sistemin komunist njerëzit nuk lejohej të vriteshin, ndërsa tani, në këtë tranzicion të dëshpëruar dhe rrënues për shoqërinë shqiptare, janë shfaqur këto probleme të mëdha. Ne kemi qenë institucioni i vetëm që kemi luftuar me mish e shpirt për të qenë pranë dhimbjes dhe pajtimit të palëve. Lufta me traditën dhe zakonet mbetet një betejë e humbur. Zakone nuk kanë qenë asnjëherë të këqija, por një mjet i popujve që i kanë ndjekur dhe bazuar. Por në këtë tranzicion kemi papërgjegjshmërinë e atyre që duhet t’i kenë dalë zot vendit, të cilët nuk e kanë bërë dot komunikimin me shoqërinë, sepse u ka interesuar pushteti dhe jo rregullimi i jetës së qytetarëve. Familjet, në të cilat fatkeqësitë nuk ndalen, mbeten në dhimbjen dhe respektin e gjithë mirditorëve,”
tha pajtuesi i gjaqeve, Gjin Marku gjatë një interviste në Euronews Albania.

Shpërthejnë protestat studentore në mbi 30 qytete të Serbisë, kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme

Në më shumë se 30 qytete të Serbisë, u mbajtën protesta, me thirrjen e studentëve që po mbajnë bllokadë, duke kërkuar nga autoritetet shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.Thirrja për veprim kolektiv u bë saktësisht shtatë muaj pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë.

Protestat në të gjitha qytetet serbe zgjatên tri orë, dhe më pas u mbajt një homazh 16-minutësh për viktimat.

Në Beograd, rreth orës 18:00 protestuesit kanë bllokuar dy nga urat më të frekuentuara – Gazelën dhe Urën e Brankos.

Protestuesit në ura brohoritën sloganin “Duam drejtësi, duam të vërtetën, duam zgjedhje”.

Aleksandar Jeremiç, qytetar nga Beogradi, shkoi në protestë me miqtë e tij. Ai tha se shpreson që kërkesa për zgjedhje të parakohshme, e ngritur nga studentët, të realizohet.

“Kjo është një ide që edhe unë e mbështes, por ata [studentët] kanë energjinë. Ata po e udhëheqin këtë, ne jemi këtu për t’i përkrahur. Ky protestë është vetëm një hap në këtë proces”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Kërkesë për zgjedhje, edhe në Novi Sad

Në Novi Sad, studentë dhe qytetarë bllokuan një nga nyjet kryesore në qendër të qytetit.

Një student i Fakultetit Juridik u drejtua të pranishmëve duke theksuar se një shoqëri demokratike nënkupton mbikëqyrjen e pushtetit dhe kërkimin e llogaridhënies.

“Është koha t’u kujtojmë se i shohim dhe duam zgjedhje të parakohshme. Koha është që të organizohemi dhe t’ua bëjmë të qartë se nuk do të tolerojmë parregullsitë zgjedhore dhe se Kushtetuta do të respektohet”, tha ai.

Organizimin e protestës në Novi Sad e mbështetën qytetarët e bashkuar në kuvende lokale. Një përfaqësuese e tyre kërkoi gjithashtu shpalljen e zgjedhjeve.

“Këtë po e themi nga Novi Sadi, por edhe qytete të tjera po protestojnë në të njëjtën kohë. Nuk ka më asnjë ditë për të pritur – ju mbetet vetëm të shpallni zgjedhje”, u shpreh ajo.

Protestë masive studentore në Pozharevc

Në Pozharevc, protesta filloi më herët gjatë ditës dhe është parashikuar të zgjasë 13 orë. Në protestë po marrin pjesë studentë dhe nxënës nga qytete të tjera – nga Çaçaku erdhën vrapues me stafetë, ndërsa nga Beogradi dhe Jagodina, protestues që udhëtuan në këmbë.

Qytetarët i pritën me një ceremoni mikpritëse një ditë më parë.

Organizatorët planifikojnë që në të gjitha qytetet të lexohen fjalime të njëjta.

Reagimet e Qeverisë serbe dhe mbështetja e publikut

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, nga partia në pushtet, reagoi duke e quajtur bllokimin e urave në Beograd “shqetësim i qytetarëve pa kuptim dhe qëllim”. Në një postim rrjetet sociale ajo e përshkroi protestën si “dhunë për hir të dhunës, me filozofi jete – mundemi, jemi arrogantë dhe të pandjeshëm”.

Studentët serbë që për më shumë se gjashtë muaj po bllokojnë fakultetet publike dhe po organizojnë protesta në gjithë Serbinë, gëzojnë mbështetjen e qindra mijëra qytetarëve – përfshirë grupe lokale, bujq, avokatë, aktorë, e të tjerë.

Në fillim të majit, studentët kërkuan shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke theksuar se për shkak të “korrupsionit të thellë të rrënjosur”, institucionet nuk janë të afta të veprojnë lirisht për t’u përgjigjur kërkesave të tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 16 maj se zgjedhjet do të mbahen brenda një viti e gjysmë, kur institucionet përkatëse të marrin vendim.

Për studentët, kërkesa kryesore mbetet përcaktimi i përgjegjësisë penale dhe politike për vdekjet në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Autoritetet kanë deklaruar disa herë se kërkesat e studentëve janë përmbushur, por studentët i kanë hedhur poshtë këto pohime dhe kanë vendosur të vazhdojnë me protestat dhe bllokadat. /REL

Moment special, një tjetër futbollist shqiptar do të luajë në La Liga sezonin e ardhshëm

Skuadra spanjolle e Elçes, ku aktivizohet sulmuesi shqiptar i Kosovës, Elbasan Rashani, e ka kurorëzuar sezonin e saj mbresëlënëse me një rikthim në La Liga, teksa ditën e sotme triumfoi me rezultatin e thellë 0-4 ndaj Deportivo La Korunjës, duke siguruar kthimin direk në elitën e futbollit spanjoll.

Edicionin 2024/2025 e mbylli në vendin e dytë me 77 pikë. Si e para në elitë u ngjit Levante që kishte 79 pikë.

Rashani në ndeshjen ndaj Deportivos ishte në stol. 32-vjeçari ka luajtur 11 ndeshje në La Liga 2 të Spanjës me fanellën e Elçes, ndërsa ka shënuar tri gola.

Rashani iu bashkua Elçes nga francezët e Klermonti në gusht të vitit 2024.

Si ndryshojnë simptomat e diabetit tek gratë dhe burrat

Megjithëse diabeti është një gjendje që ndikon në nivelet e sheqerit në gjak, ai shfaqet tek femrat dhe meshkujt në mënyra të ndryshme.

Tek gratë, diabeti mund të shfaqet në formën e infeksioneve dhe çekuilibrit hormonal që shpesh ndikojnë në sistemin riprodhues.

Edhe pse këto nuk mund të jenë një shenjë e sigurt e diabetit, ato mund të jenë shenja paralajmëruese të hershme.

AgroWeb.org bazuar në kërkime të ndryshme, sjell për ju disa nga simptomat që mund të tregojnë më shumë rreth diabetit tek gratë.

Infeksion i traktit urinar

Shpesh diabeti ndikon në aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar infeksionet.

Në këtë rast mund të bëjë që fshikëza e urinës të ketë probleme me zbrazjen e plotë, gjë që nganjëherë çon në infeksion të traktit urinar tek gratë.

Ju mund të vini re një nevojë të vazhdueshme për të urinuar dhe një ndjesi djegieje sa herë që urinoni.

Sindroma e vezoreve policistike
Sindroma e vezoreve policistike është gjithashtu e lidhur ngushtë me diabetin e tipit 2.

Për shkak se kjo sindromë bën që trupi juaj të prodhojë më shumë insulinë, gjë që mund të ndikojë në shfaqjen e diabetit, veçanërisht tek gratë mbi 40 vjeç.

Simptomat E Përbashkëta Të Grave Dhe Burrave

Disa simptoma shfaqen njësoj si tek burrat dhe gratë janë :

urinim i shpeshtë
uri ose etje e vazhdueshme
lodhje
mpirje në duar ose këmbë
shikim i paqartë
humbje ekstreme e peshes
Nëse keni një histori familjare të diabetit ose nëse jeni diagnostikuar me prediabet, monitoroni nga afër sheqerin në gjak dhe kërkoni kontrolle të shpeshta me mjekun tuaj.

Diabeti Tek Gratë Shtatëzëna
Diabeti gjatë shtatëzanisë quhet ndryshe diabeti gestacional.

Sipas mjekëve, ai shfaqet në tremujorin e dytë dhe testimi kryhet midis javës së 24 dhe 28 të shtatzënisë.

Diabeti gestacional mund të menaxhohet me një regjim të rregullt ushtrimesh dhe një regjim të shëndetshme ushqimor, megjithëse ndonjëherë mund të jetë e nevojshme të merret edhe insulinë.

Për sa kohë që gjendja trajtohet, rreziku i komplikimeve anësore gjatë shtatzanisë është i ulët.

Megjithatë është e këshillueshme që edhe pas shtatëzanisë të monitoroni nivelin e sheqerit në gjak, pasi gratë me këtë lloj diabeti janë më të priruara për të zhvilluar diabet të tipit 2 edhe më vonë gjatë jetës.

Nëse jeni të shqetësuar se mund të keni diabet, sigurisht që duhet të kosultoheni me mjekun tuaj për të kryer analizat dhe trajtimin e nevojshëm./AgroWeb.org