32.5 C
Tirana
E hënë, 9 Qershor, 2025

“NATO ka nevojë për rritje 400% të mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore”- Mark Rutte: Rusia po përhap terror nga ajri në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar sot nga vendet anëtare një rritje prej 400% të kapaciteteve ajrore dhe kundërraketore të Aleancës, gjatë një fjalimi në Londër, në konferencën e organizuar nga Chatham House.

“Nuk mjafton të vazhdojmë si deri tani – duhet të bëjmë një hap të madh përpara në mbrojtjen tonë të përbashkët. Rreziku nuk do të zhduket, edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë,” theksoi Rutte, sipas një deklarate të shpërndarë nga zyra e tij.

Ai paralajmëroi se për të ruajtur një kapacitet mbrojtës të besueshëm, NATO ka nevojë për shumëfishim të mjeteve ajrore dhe sistemeve kundërraketore, në një kohë kur kërcënimi nga sulmet ajrore po rritet ndjeshëm.

“Shohim në Ukrainë si Rusia përhap terror nga ajri. Ndaj do të forcojmë mburojën që mbron hapësirën tonë ajrore,” tha Rutte, i cili zhvilloi sot një takim edhe me Kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer.

Në prag të samitit të NATO-s në Hagë më 24-25 qershor, Rutte propozoi që vendet anëtare të angazhohen për një plan të ri investimesh në mbrojtje, në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky apel vjen në një moment kur Presidenti amerikan, Donald Trump, po i kërkon të njëjtën gjë vendeve aleate në Evropë dhe Kanada, duke i paralajmëruar se SHBA nuk do të garantojë më sigurinë e tyre nëse nuk marrin angazhim real për mbrojtjen.

Ndërkohë, Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh nga Brukseli se palët janë pranë një marrëveshjeje që mund të formalizohet pikërisht në samitin e Hagës.

Në fjalën e tij, Rutte theksoi gjithashtu nevojën për mijëra automjete të blinduara, tanke shtesë dhe miliona predha artilerie, për të garantuar një mbrojtje reale dhe efikase përballë sfidave të reja të sigurisë.

Ai përshëndeti edhe strategjinë e re të mbrojtjes së Britanisë së Madhe, të prezantuar javën e kaluar, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s.

Vrasja e Edmond Papës, dënohen me 25 dhe 30 vite burg Albano Velo dhe Andrew Bode

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen e vrasjes së Edmond Papës, duke dënuar me gjithsej 55 vite burg dy personat e akuzuar për këtë krim të rëndë.

Sipas vendimit të shpallur sot, Andrew Bode është dënuar me 30 vite burg, ndërsa Albano Velo, u dënua me 25 vite heqje lirie.

Të dy u shpallën fajtorë për përfshirje direkte në atentatin ndaj Papës, i cili mbeti i vrarë në dhjetor të vitit 2022 në Tiranë.

Arabia Saudite nis projektin gjigant të pyllëzimit, synon të mbjellë 10 miliardë pemë dhe të rivalizojë Amazonën

Arabia Saudite ka ndërmarrë një nga nismat më ambicioze mjedisore në historinë e saj moderne, me synimin për të mbjellë 10 miliardë pemë në vitet e ardhshme, si pjesë e projektit “Saudi Green Initiative” (SGI).

Kjo nismë, që ka nisur që prej vitit 2021 me urdhër të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, synon të transformojë peizazhin ekologjik të vendit, i cili njihet më shumë për shkretëtirat dhe rezervat e naftës sesa për gjelbërim.

Por nisma nuk ndalet vetëm në kufijtë e Arabisë Saudite. Përmes projektit paralel “Middle East Green Initiative” (MGI), shteti saudit synon të ndihmojë edhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, me objektivin e përbashkët të mbjelljes së 50 miliardë pemëve në rajon.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur Arabia Saudite përballet me sfida serioze mjedisore, si shkretëtirëzimi i përshpejtuar, cilësia e dobët e ajrit, ndotja e lartë dhe rritja ekstreme e temperaturave, veçanërisht në zonat urbane.

Autoritetet saudite theksojnë se ky projekt ka për qëllim jo vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, por edhe dhënien e një shembulli global për transformimin ekologjik. Arabia Saudite synon të kalojë nga një ekonomi e mbështetur te nafta, në një model më të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën – një ambicie që, nëse realizohet, mund ta rendisë vendin mes liderëve të rinj botërorë në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Pritet vetëm zyrtarizimi, ylli i Milanit lë përfaqësuesen dhe kryen vizitat mjekësore me klubin e ri! Shi milionash për merkaton e Igli Tares

Tanimë mbetet vetëm zyrtarizimi por Tizhani Rejnders mund të quhet një futbollist i Mançester Sitit. Mesfushori ka lënë përfaqësuesen e Holandës gjatë ditës së sotme dhe ka shkuar të kryejë vizitat mjekësore për klubin e ri, duke kryer shpejt gjithçka që duhet për transferimin nga radhët e Milanit.

Lojtari kishte paralajmëruar pas ndeshjes ndaj Finlandës se do të shkëputej nga grumbullimi për të kryer këto vizita, për t’u kthyer pastaj në kohë për ndeshjen e të martës ndaj Maltës. “Nuk mund të pritej më. Qëllimi është të marr pjesë në Botërorin e Klubeve me Sitin. Në këtë mënyrë do të njoh menjëherë shokët e skuadrës”, kishte shpjeguar futbollisti.

Nga shitja e tij Milani d të përfitojë 57 milionë euro plus 8 të tjera në formë bonusesh me klauzola që janë lehtësisht të arritshme. Një plusvalencë e jashtëzakonshme duke llogaritur se lojtari u ble për rreth 20 milionë euro nga Alkmar vetëm dy vite më parë. Këto do të jenë para të cilat pastaj Igli Tare do të përdorë për të përforcuar ekipin në merkato duke nisur nga vendi i lënë bosh në mesfushën e Milanit nga holandezi.

Pse shishet e vajit të ullirit duhet të jenë me ngjyrë të errët? Zbuloni arsyet

A e keni vënë re ndonjëherë që pjesa më e madhe e shisheve të vajit të ullirit, qoftë plastike apo qelqi, kanë një ngjyrë të gjelbër ose përgjithësisht të errët? Kjo nuk është thjesht për arsye estetike. Ka një arsye shumë të rëndësishme pas këtij dizajni.

Vaji i ullirit thith metalet me të cilat bie në kontakt

Ruajtja e vajit të ullirit në një ambalazh të përshtatshëm dhe me një proces të duhur mbushjeje është thelbësore. Oksidimi i frutit të ullirit nis që në momentin e korrjes dhe vazhdon gjatë ruajtjes së tij. Prandaj, mbushja e vajit në shishe me ngjyrë të errët ndihmon që produkti të mbetet i freskët, ndërsa ngjyra e shishes filtrin rrezet ultravjollcë (UV).

Në fakt, ekspozimi ndaj dritës së diellit mund të ndikojë edhe në shijen e vajit, duke zhdukur aromat e tij të frutshme. Edhe pse çdo lloj ene të errët ose jo transparente, si qelqi i errët, qeramika apo çeliku inox është një zgjedhje shumë e mirë për ruajtjen e vajit, më të përdorurat janë shishet prej qelqi të gjelbër.

Kjo ndodh sepse qelqi i gjelbër është më i disponueshëm dhe prodhohet në sasi të mëdha nga industria.

Sipas disa studimeve, përqendrimet e larta të metaleve të rënda në organizëm janë të lidhura me shfaqjen e disa llojeve të kancerit. Për këtë arsye, ambalazhet prej hekuri apo bakri nuk rekomandohen, pasi këto metale mund të përthithen nga vaji dhe të kalojnë në trupin tonë.

Megjithatë, pavarësisht nga materiali i ambalazhit, mënyra e ruajtjes në shtëpi është po aq e rëndësishme. Vaji duhet të mbahet gjithmonë në një vend të freskët dhe të thatë – idealisht në një dollap të mbyllur – dhe jo në banakun e kuzhinës ku bie rrezet e diellit.

Si të zgjidhni një vaj ulliri cilësor:

Shmangni shishet plastike, ato janë më poroze dhe lejojnë kalimin e dritës, krahasuar me ato prej qelqi, qeramike apo çeliku inox. Disa studime kanë treguar se paketimet plastike mund të lëshojnë mikroplastikë në produkt.

Zgjidhni shishe që ruhen në vende të freskëta, jo në raftet e sipërme të supermarketeve apo nën ndriçim të drejtpërdrejtë. Ekspozimi ndaj dritës dhe nxehtësisë ndikon negativisht në cilësinë e vajit.

Kontrolloni datën e korrjes në etiketë përpara blerjes. Sa më i freskët, aq më i shëndetshëm dhe i shijshëm është vaji i ullirit.

Si u shmang nisja e luftës së tretë botërore në Kosovë

Hyrja e befasishme e rusëve në Prishtinë e më pas vendosja e tyre në Aeroportin e Prishtinës ishte një vërejtje se sa të pasigurta ishin akoma rrethanat, sa të paparashikueshme janë Rusia dhe Perëndimi më nuk ishte i sigurt se kush vendos në emër të Rusisë në Moskë. Sepse nga Ministria e Jashtme ruse, amerikanëve dhe NATO-s u thuhej se “ky ka qenë një gabim” ose “një moskuptim” dhe ato forca do të tërhiqen menjëherë. Por në të njëjtën kohë, forcave ruse që tashmë ishin në Aeroportin e Prishtinës po përgatiteshin t’u vinin në ndihmë mijëra pjesëtarë të njësive speciale nga Moska. Kjo do t’i forconte ata dhe do ta detyronte NATO-n në një negocim për ndarje të zonave dhe territorit të Kosovës

Nga Agustin Palokaj

Para 26 vjetësh dikur në këtë kohë, kur NATO-ja po bëhej gati të niste dislokimin në Kosovë, pasi ajo u çlirua dhe ushtarakët e lartë të NATO-s me ata të Serbisë kishin arritur pajtimin për largimin e forcave serbe dhe hyrjen e NATO-s në Prishtinë, befas u shfaqen forcat ushtarake të Rusisë. Të lodhur dhe të rraskapitur, me disa mjete të vjetra ushtarake, kishin bërë qindra kilometra nga Bosnjë-Hercegvoina, ku ndodheshin në misionin paqeruajtës të SFOR-it, ndërsa në Prishtinë kishin nxitur euforinë e serbëve që dolën t’i prisnin, me flamuj, këngë e valle, duke vallëzuar edhe mbi tanket ruse.

Në atë kohë në Shkup prisnin që NATO-ja, sipas planit të përgatitur mirë, me besimin se edhe rusët dhe serbët ishin pajtuar me të, të niste hyrjen në Kosovë. Lajmi se rusët më 11 qershor kishin hyrë në Prishtinë, shtangu NATO-n, befasoi dhe shokoi shumë kryeqytete të mëdha perëndimore dhe nxiti dyshimin nëse përpjekjet disajavore për të pasur Moskën në anën e tyre nga SHBA-ja, Britania, Gjermania dhe të tjerët kishin arritur vërtet sukses. Apo Moska ka një “politikë të dyfishtë” për t’u konfrontuar me Perëndimin. Një ditë para hyrjes së NATO-s në Kosovë u vë në dyshim zbatimi i parimit dhe qëllimit “Forcat serbe jashtë, NATO-ja brenda dhe refugjatët kosovarë prapë në shtëpitë e tyre”. Këto tri qëllime ishin parimi nga i cili NATO nuk lëshoi pe për 78 ditë, prandaj edhe operacioni i sulmeve ajrore ishte aq i gjatë.

NATO me Rusinë kishte kontakte të vazhdueshme, me gjithë zemërimin e Moskës me sulmet ajrore ndaj Serbisë. Për shkak se disa vende të NATO-s insistonin se prania tokësore në Kosovë duhej të bëhej me lejen e OKB-së, duhej fituar edhe Rusinë. Rusët kërkonin së pari që pjesë e marrëveshjes të ishte mbetja në Kosovë e një numri të konsiderueshëm të ushtarëve të Serbisë. Kur kjo u refuzua, kërkuan që rusët të kenë një sektor në veri ku do të vendoseshin forcat e tyre. Kjo po ashtu u refuzua por me premtimin se do të gjendet një modalitet për praninë e ushtarëve të Rusisë në një mision ushtarak ndërkombëtar. Dhe Rusia si rezultat i këtyre diskutimeve do të mbështeste Rezolutën për vendosjen e Kosovës nën një administrim civil të OKB-së, me rol të OSBE-së në krijimin e institucioneve demokratike vendore dhe me prani ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja. Pjesë e pajtimit ishte edhe çarmatimi i UÇK-së. Por hyrja e befasishme e rusëve në Prishtinë e më pas vendosja e tyre në Aeroportin e Prishtinës ishte një vërejtje se sa të pasigurta ishin akoma rrethanat, sa të paparashikueshme janë Rusia dhe Perëndimi më nuk ishte i sigurt se kush vendos në emër të Rusisë në Moskë. Sepse nga Ministria e Jashtme Ruse amerikanëve dhe NATO-s u thuhej se “ky ka qenë një gabim” ose “një moskuptim” dhe se ato forca do të tërhiqen menjëherë.

Por në të njëjtën kohë forcave ruse që tashmë ishin në Aeroportin e Prishtinës po përgatiteshin t’u vinin në ndihmë mijëra pjesëtarë të njësive speciale nga Moska . Kjo do t’i forconte ata dhe do ta detyronte NATO-n në një negocim për ndarje të zonave dhe territorit të Kosovës.

Ka shumë tregime për atë ngjarje për të cilën edhe sot e kësaj dite flitet si momenti më i ndjeshëm në të cilin ka mundur të niste lufta e tretë botërore. Gjenerali Wesley Clark, atëherë komandant i forcave të NATO-s për Evropën, që kishte komanduar edhe operacionin e sulmeve ajrore, kishte kërkuar që KFOR-it të merrte me forcë kontrollin e Aeroportit të Prishtinës, ku ishin vendosur forcat ruse. Komandanti i parë i KFOR-it, Michael Jackson, kishte refuzuar. Citohet të ketë thënë madje se “nuk dëshiron të nisë luftën e tretë botërore”. Jackson citohet t’u ketë thënë miqve se ishte ndier shumë rëndë sepse, si ushtarak, kjo ishte hera e parë në karrierën e tij kur ai kishte refuzuar zbatimin e një urdhri nga një epror superior i tij. Diçka që për ushtarakët është e paimagjinueshme.

Në skenë, në favor të NATO-s dolën dy shtete të cilat akoma nuk ishin pjesë e kësaj aleance. Rumania dhe Bullgaria. Ato refuzuan të jepnin leje për avionët rusë që të përdornin hapësirën e tyre ajrore për të përforcuar kontingjentin ushtarak që kishte hyrë në Prishtinë, në aeroport. Kjo kishte ndihmuar shumë që këto shtete, pa qenë gati sipas kritereve objektive, të bëheshin anëtare të NATO-s në vitin 2004 dhe të BE-së në vitin 2007. “Nuk mund të paramendojmë çfarë do të ndodhte në Ballkan sikur Bullgaria dhe Rumania në atë moment kritik të mos ishin në anën tonë”, kishte thënë njëherë ish-komisioneri i zgjerimit Gunther Verheugen, i cili edhe dha lejen për hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në BE edhe pse të gjithë mendonin se ishin larg nga përmbushja e kushteve në atë kohë.

Gjithçka përfundoi mirë më vonë. NATO-ja nuk pati nevojë të luftojë kundër forcave ruse në Kosovë, por t’u ndihmonte me ushqim dhe pajisje. Pastaj edhe forcat ruse u vunë në shërbim të misionit të KFOR-it nën komandën e NATO-s.

Për një kohë pati raporte të mira mes NATO-s dhe Rusisë dhe bashkëpunimi në Kosovë përmendej si shembull për këtë. Partneriteti dhe bashkëpunimi vazhduan edhe përmes një këshilli të përbashkët NATO-Rusi deri kur nisi invazioni gjithëpërfshirës i Rusisë ndaj Ukrainës, prej kur Rusia përsëri u definua si një rrezik kryesor për sigurinë e NATO-s.

Sot, kur shënohet 26-vjetori i çlirimit të Kosovës, që praktikisht ndodhi me vendosjen e forcave të NATO-s dhe largimin e forcave të Serbisë, episodi i qershorit të vitit 1999 shërben si dëshmi se sa shpesh ngjarjet me rëndësi historike varen nga disa incidente të vogla që kanë mundur lehtë të shkonin në ndonjë drejtim tjetër.

Sulmet ruse ndaj Europës/ Agjentë, sabotime dhe vrasje, cilat janë qëllimet e Moskës?

Akte sabotimi kundër dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë, propagandë pro-ruse, madje edhe vrasje: lista e operacioneve të inteligjencës ruse në Evropë po zgjatet gjithnjë e më shumë. Që nga fillimi i luftës së agresionit kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, numri i rasteve është rritur vazhdimisht, sipas një studimi nga Universiteti holandez i Leidenit.

Drejtuesi i projektit studimor, Bart Schuurman e sheh studimin e ekipit si një “thirrje zgjimi” për politikën në Evropë, shkruan Schuurman. Eksperti i sigurisë kryeson Grupin e Kërkimit për Terrorizmin dhe Dhunën Politike në Universitetin e Leidenit.

Sulme terroriste kundër aviacionit

Rusia nuk është përgjegjëse vetëm për “dëmet e konsiderueshme në infrastrukturën evropiane të energjisë dhe telekomunikacionit”, por edhe për “sulme terroriste ndaj aviacionit civil dhe kërcënimeve ndaj shërbimeve publike që mund të rrezikojnë mijëra njerëz”, tha Schuurman.

Sulmi me zjarrvënie ndaj një kontejneri ajror mallrash që i përkiste kompanisë gjermane të logjistikës DHL, pak para se të ngarkohej në një aeroplan, tregon se organizatorët e dyshuar rusë janë të përgatitur të pranojnë rrezikun e lëndimeve personale. Ashtu si në Luftën e Ftohtë, Rusia po përdor të gjithë gamën e masave të inteligjencës, thotë Gerhard Conrad, një ish-agjent i Shërbimit Federal të Inteligjencës Gjermane (BND), në një intervistë me DW. Bëhet fjalë për “frikësimin e popullsisë”, si dhe për “aktivitete spiunazhi kundër objektivave ushtarakisht të rëndësishëm, nga industria e armëve deri te bazat e Bundeswehr-it”, thotë Conrad.

Fenomen i ri: Rekrutimi i agjentëve të disponueshëm”

Ajo që është e re është rekrutimi i të ashtuquajturve “agjentë të disponueshëm”, thotë Conrad. Këta shpesh janë simpatizantë të Rusisë, të rekrutuar në vendet e BE-së për para që të shkaktojnë trazira. Nëse agjentë të tillë ekspozohen, dëmi për shërbimet e inteligjencës ruse është minimal. Në Gjermani, para zgjedhjeve për parlamentin kombëtar, Bundestag, një numër gjithnjë e në rritje i veprimeve të tilla ilegale nga sabotatorë jo-profesionistë dolën në dritë. Por Rusia tani po rekruton edhe spiunë të tillë amatorë për të spiunuar bazat ushtarake duke përdorur dronë.

Kërcënim nga viti 2014

Kërcënimi në rritje nga Rusia ka qenë i dukshëm “jo vetëm që nga viti 2022”, thotë ish-agjenti Conrad, “por më së voni që nga viti 2014”. Në atë kohë, Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë pas revolucionit pro-evropian të Maidanit dhe dërgoi ushtarë në rajonin Donbas në Ukrainën lindore.

Conrad, një ish-punonjës i BND-së, është i bindur se njerëzit në Evropë duhet të jenë të vetëdijshëm se kërcënimi nga Rusia nuk do të marrë fund nesër. Gjermania dhe Evropa duhet të përgatiten për një “mbrojtje kundër kërcënimeve hibride” afatgjatë. Shtetet e BE-së jo vetëm që duhet të përmirësojnë aftësitë e tyre ushtarake, por edhe shërbimet e tyre të inteligjencës. “Për ta bërë këtë, atyre u duhet shumë personel, u duhen shumë mundësi teknike, madje edhe mundësi ligjore, për të identifikuar këto struktura, këto modele sulmi, që në fillim”, shpjegon Conrad. Vetëm në këtë mënyrë sulmet hibride të Rusisë mund të zbulohen që në fillim./DW

Rritja e çmimeve fundos turizmin në Kroaci, braktiset masivisht nga vizitorët

Numri i turistëve që vizitojnë Kroacinë ka rënë ndjeshëm, duke i dhënë një goditje të madhe industrisë së turizmit.

Ky vend ballkanik ka qenë një destinacion i preferuar për vizitorë nga Gjermania, Austria, Republika Çeke dhe Italia, shumë prej tyre të tërhequr nga çmimet më të lira që ofronte Kroacia.

Megjithatë, gjatë tre viteve të fundit, çmimet në sektorin e turizmit në Kroaci janë rritur me plot 50%. Ky shpërthim i çmimeve e ka bërë Kroacinë më të shtrenjtë se dy nga rivalët e saj më të mëdhenj. Spanja dhe Greqia.

Në të dy vendet mesdhetare, kostot janë rritur vetëm me 15 deri në 20% gjatë së njëjtës periudhë./ Express

Ekonomia e minimalizmit, si shqiptarët po e ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si shpenzojnë

Në një botë të sunduar nga reklamimi agresiv, ekonomia e konsumit dhe dëshira për më shumë, minimalizmi është shfaqur si një antidot ndaj mbikonsumit.

Në dekadat e fundit, globalizimi dhe dixhitalizimi kanë sjellë një bum të madh në industrinë e konsumit, duke nxitur blerje të shpejta dhe të vazhdueshme.

Reklamat e personalizuara, modelet e tregtisë elektronike dhe ofertat e vazhdueshme kanë krijuar një mjedis ku konsumi shihet si një mënyrë jetese dhe reflektim i suksesit personal.

Megjithatë, si një kundërpërgjigje ndaj kësaj kulture të mbingarkesës, minimalizmi po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, sidomos në mesin e brezit të ri.

Duke zgjedhur të kufizojnë blerjet impulsive dhe të përqendrohen në cilësi, edhe si një zgjedhje ekonomike, njerëzit po përqafojnë një qasje më të qëndrueshme, duke u dhënë përparësi përvojave mbi materializmin dhe duke reduktuar ndikimin mjedisor.

Minimalizmi po ndryshon mënyrën se si individët shpenzojnë, duke ndikuar drejtpërdrejt në industri të tëra, nga moda deri te pasuritë e paluajtshme dhe teknologjia. Ndërsa kompanitë tradicionale përballen me një treg më të ndërgjegjshëm dhe përzgjedhës, markat që përshtaten me këtë filozofi, duke ofruar produkte më të qëndrueshme dhe me jetëgjatësi më të madhe, po shohin rritje të konsiderueshme.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Selami Xhepa, “nëse më shumë njerëz praktikojnë minimalizmin, atëherë konsumohet më pak.

Këtu duhet të pyesim: më pak nga çfarë? Nëse minimalizmi nënkupton reduktimin e konsumit të mallrave të shpejtë dhe produkteve të përdorshme, atëherë mund të goditet industria e produkteve të konsumit të shpejtë, ashtu si dhe sektori i modës së shpejtë në tregti. Ky është një efekt i menjëhershëm.

Në një periudhë më afatgjatë, edhe mallrat më të qëndrueshme mund të preken. Për shembull, familjet mund të zgjedhin të përdorin të njëjtën makinë për disa vite më tepër, në vend që ta zëvendësojnë pas pesë apo dhjetë viteve si zakonisht. Si rezultat, mund të humbasin vende pune në këto industri (tregti, automobilistikë, prodhim etj.).

Megjithatë, nëse ka më pak shpenzime, kjo do të çojë në më shumë kursime. Bankat do të mbajnë depozita më të larta, të cilat mund të investohen në sektorë të tjerë, si energjia, pasuritë e paluajtshme, bujqësia etj.

Si pasojë, vendet e punës në këta sektorë do të rriten. Gjithashtu, mund të argumentohet se individët mund të zgjedhin të investojnë kursimet e tyre drejtpërdrejt nëpërmjet mënyrave të ndryshme.

Minimalizmi nuk do të thotë që ndalohet krejtësisht konsumi; ai thjesht do të thotë se disa lloje të konsumit reduktohen, siç janë mallrat fizike, ndërsa të tjera mund të rriten, si shërbimet e njohurive.

Prandaj, mund të thuhet se minimalizmi ndihmon në zhvendosjen e vendeve të punës, duke krijuar mundësi në fusha të tjera.”- thotë ai.

Sociologia Marsi Simo thekson se, minimalizmi nga ana shoqërore konsiderohet si një goditje ndaj idealizmit të dukjes.

“Është e rëndësishme të theksohet se jetojmë në një shoqëri që i jep një vlerë të rreme zotërimit të më shumë gjërave, ndërsa në të njëjtën kohë nuk na lë mjaftueshëm kohë për t’i shijuar ato. Ngritja e vazhdueshme e standardeve për të pasur diçka më të madhe dhe më të mirë është një cikël i pafund.

Gjithmonë do të ketë një makinë më të bukur për të blerë ose një shtëpi më të madhe. Në fillim mund të duket si një sfidë e madhe, por sapo të fillosh të çlirohesh nga jeta e ndërtuar rreth zotërimit të më shumë gjërave, do ta shohësh stresin të zhduket dhe botën të ngadalësohet.

Zgjedhjet që bën do të ndihmojnë në formimin e një mënyre të re të jetesës, e cila mund të sjellë ndryshime thelbësore në jetën tënde”-përfundon ajo.

Nga mbingarkesa në vetëpërmbajtje

Minimalizmi nuk është një koncept i ri. Filozofitë lindore, si Zen Budizmi, gjithmonë kanë promovuar idenë e jetës me më pak. Megjithatë, në shekullin XXI, ai është kthyer në një formë rezistence ndaj mbikonsumit dhe jetesës së tejmbushur me gjëra materiale.

Dokumentarë si “Minimalism: A Documentary About the Important Things” dhe librat e autorëve si Marie Kondo kanë popullarizuar idenë se “më pak është më shumë”.

Kjo qasje ka ndikuar drejtpërdrejt në modelet e konsumit. Konsumatorët po bëhen më të kujdesshëm me blerjet e tyre, duke investuar në produkte më cilësore dhe të qëndrueshme, në vend që të ndjekin impulset e konsumit të shpejtë.

Si pasojë, tregjet e modës së shpejtë (fast fashion) dhe produkteve të konsumit të përditshëm po përballen me një rishikim të kërkesës.

Sipas ekspertes së marketingut, Suela Gjati, minimalizmi ka ndryshuar mënyrën se si markat komunikojnë me konsumatorët.

“Më parë, marketingu fokusohej te krijimi i nevojës për blerje të vazhdueshme. Sot, konsumatori i informuar kërkon më shumë autenticitet dhe vlerë reale. Por minimalizmi nuk ka të bëjë vetëm me pastrimin e shtëpisë nga sendet e tepërta apo me blerje më të ndërgjegjshme.

Ai është një filozofi jetese që përqafon thjeshtësinë në çdo aspekt, nga mënyra sesi organizojmë ditën, tek angazhimet shoqërore dhe mënyra si marrim informacion.

Në një epokë ku jemi të bombarduar me stimuj të pafundmë nga mediat sociale te kërkesat profesionale, minimalizmi bëhet një mjet për të rifituar kontrollin mbi kohën dhe mendjen tonë”, – shton znj. Gjati.

Ky trend po ndikon edhe në teknologji, me rritje të interesit për “digital minimalism”, një koncept i promovuar nga autori Cal Newport.

Shumë njerëz po kërkojnë të reduktojnë kohën para ekranit, të filtrojnë informacionin që konsumojnë dhe të kufizojnë ndërveprimet e panevojshme dixhitale për të krijuar një ekuilibër më të shëndetshëm mes jetës online dhe asaj reale.

Nga ana tjetër, ky transformim ka ndikime të mëdha në ekonomi dhe në industrinë e marketingut. Kompanitë po e kuptojnë se konsumatorët e sotëm nuk priren më të blejnë pa kriter, por kërkojnë autenticitet, transparencë dhe vlerë të qëndrueshme.

“Markat që kuptojnë këtë ndryshim dhe përshtasin strategji më të qëndrueshme do të mbijetojnë në një treg gjithnjë e më të ndërgjegjshëm”, thotë Suela Gjati.

Nga pronësia te përvojat

Brezi i Gen Z dhe një pjesë e Millennials kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën si shpenzojnë. Në vend që të investojnë në prona apo makina të shtrenjta, ata parapëlqejnë të shpenzojnë paratë për eksperienca si udhëtimet, koncertet, ushqimin dhe aktivitetet sociale.

Kjo tendencë është reflektuar edhe në rritjen e shërbimeve si Airbnb, Uber dhe platforma të tjera që ofrojnë akses ndaj shërbimeve pa pasur nevojë për pronësi.

Sipas Ilirida Travel, agjenci udhëtimesh në Tiranë, të rinjtë e brezit Gen Z po udhëtojnë më shumë se kurrë më parë. Ata parapëlqejnë të eksplorojnë destinacione të reja, të përjetojnë kultura të ndryshme dhe të investojnë në kujtime, jo në pasuri materiale.

“Ky trend ka sjellë rritje të konsiderueshme në prenotimet për udhëtime të shkurtra dhe përvoja të personalizuara”, – pohojnë ata.

Për më tepër, ky brez ka ndryshuar mënyrën se si ndërvepron me markat. Ata kërkojnë produkte dhe shërbime që përshtaten me vlerat e tyre personale, duke u dhënë përparësi markave të qëndrueshme, etike dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit.

Kjo ka detyruar bizneset të ndryshojnë qasjen e tyre, duke krijuar modele më të përgjegjshme të prodhimit dhe konsumit.

Edhe turizmi i aventurës është në rritje të ndjeshme mes të rinjve.

“Brezi i ri është gjithnjë e më shumë i tërhequr nga aktivitetet e natyrës dhe eksplorimi i Shqipërisë nëpërmjet tureve të aventurës. Ata kërkojnë përvoja unike, larg turizmit masiv, si ecjet në male, rafting dhe kamping”, thotë Neri Ibi nga “My Albania Nature Explorer”.

Rritja e interesit ka nxitur zhvillimin e sektorit të turizmit të qëndrueshëm, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të preferuar për eksploruesit e rinj.

Në përgjithësi, transformimi i sjelljes së konsumatorëve ka ndikime të mëdha në ekonomi, industri dhe mënyrën se si kompanitë operojnë. Të rinjtë e sotëm nuk priren më të blejnë pa kriter, por kërkojnë autenticitet, transparencë dhe përvoja me vlerë të qëndrueshme. Kjo po dikton rregulla të reja për tregun dhe modelet e biznesit të së ardhmes.

Ndikimi në industri: kush fiton dhe kush humbet?

Minimalizmi ka krijuar sfida për disa sektorë të ekonomisë, ndërsa ka hapur mundësi të reja për të tjerë. Në rastin konkret, Fast fashion-i po përballet me sfida të mëdha, pasi konsumatorët priren t’u shmangen blerjeve të shpejta e të lira në favor të produkteve më cilësore dhe të qëndrueshme.

Për më tepër, tregu i veshjeve të përdorura po përjeton një rritje të ndjeshme, duke ndikuar në uljen e prodhimit të veshjeve të reja dhe rritjen e vlerës së produkteve të ripërdorshme.

Trendi është i dukshëm edhe në industrinë e mobilieve dhe arredimit të brendshëm. Ilir Linza, përfaqësues i mobilierisë “BestSeller”, thotë se minimalistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë mobilie të vogla, funksionale dhe me përdorim të shumëfishtë.

“Konsumatorët sot nuk blejnë më mobilie masive apo orendi të mbingarkuara. Në vend të tyre, ata po kërkojnë produkte që përshtaten me hapësira të vogla dhe me një stil jetese më praktik. Kjo është veçanërisht e dukshme te të rinjtë që jetojnë në apartamente të vogla ose në mjedise me hapësira të kufizuara.

Ne kemi parë një rritje të ndjeshme në shitjet e tavolinave të palosshme, rafteve modulare dhe divaneve që kanë hapësira të fshehura për magazinim. Është një qasje e cila nuk ka të bëjë vetëm me dizajnin, por edhe me funksionalitetin.

Sot, njerëzit nuk duan të mbushin shtëpitë e tyre me mobilie që nuk i përdorin çdo ditë”, – shprehet ai.

Për më tepër, z. Linza vëren se minimalistët nuk bëjnë kompromise kur vjen puna te cilësia:

“Edhe pse zgjedhin më pak mobilie, ata kërkojnë produkte më të mira. Për shembull, klientët tanë preferojnë dru të fortë dhe materiale natyrale në vend të opsioneve të lira dhe të përkohshme.

Ata janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një mobilie që do të zgjasë më gjatë, në vend që të ndryshojnë arredimin çdo pak vite”, – shton ai.

Nga ana tjetër, arkitektja Megi Hoxha shpjegon se ndryshimi i preferencave ka sjellë një rritje të ndjeshme të kërkesës për arredime minimaliste dhe hapësira të dizajnuara në mënyrë më funksionale.

“Të rinjtë sot nuk duan më shtëpi të ngarkuara me mobilie dhe aksesorë të shumtë. Ata parapëlqejnë hapësira të hapura, të ndriçuara mirë dhe me pak elemente, por të zgjedhura me kujdes.

Për shembull, shumë prej klientëve të mi zgjedhin mobilie shumëfunksionale, si: një krevat me hapësirë magazinimi poshtë tij, një tavolinë ngrënieje që shërben edhe si tavolinë pune, apo një divan që kthehet në krevat për miqtë që vijnë për të qëndruar”, – thotë ajo.

Znj.Hoxha shton se minimalistët shpesh i japin përparësi funksionalitetit dhe ndjesisë së hapësirës:

“Minimalizmi nuk do të thotë vetëm më pak objekte në shtëpi, por edhe një ndjenjë më e madhe harmonie dhe lirshmërie. Një dhomë e mbingarkuar me mobilie mund të krijojë stres vizual dhe psikologjik, ndaj shumë të rinj zgjedhin të mbajnë vetëm gjërat e nevojshme dhe funksionale.

Dizajni skandinav dhe ai japonez janë frymëzimet kryesore, pasi të dyja këto stile e vënë theksin te pastërtia vizuale, drita natyrale dhe materialet e thjeshta”, – thekson ajo.

Ky ndryshim drejt minimalizmit tregon se konsumatorët po bëhen më të vetëdijshëm për cilësinë dhe ndikimin afatgjatë të blerjeve të tyre, duke favorizuar bizneset që ofrojnë produkte të menduara mirë dhe të qëndrueshme.

Ndërkohë që sektori i mobilieve dhe arkitekturës po përshtatet me këtë ndryshim, industria e produkteve masive dhe mobilieve të lira mund të përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha në të ardhmen.

“Minimalizmi nuk do të thotë domosdoshmërisht konsum më i vogël, por konsum më i zgjuar. Në vend që të blejnë çdo pajisje të re, konsumatorët minimalistë kërkojnë produkte me jetëgjatësi më të madhe dhe funksionalitet të shumanshëm. 

Ky trend ka shtyrë kompani si Apple dhe Samsung të fokusohen më shumë në qëndrueshmëri, riparueshmëri dhe riciklim. Programet e tregtimit të pajisjeve të vjetra dhe përdorimi i materialeve të ricikluara janë disa nga strategjitë që kompanitë po përdorin për të adresuar këtë ndryshim në sjelljen e konsumatorit.

Minimalizmi ka ndikuar edhe në mënyrën si njerëzit blejnë ushqim dhe produkte të tjera përditshmërie. Konsumatorët priren të zgjedhin produkte me më pak paketim, me burime të qëndrueshme dhe me më pak mbetje. 

Kompanitë e produkteve ushqimore dhe kozmetike po fokusohen në formulime më natyrale, më të thjeshta dhe me më pak kimikate, ndërsa konceptet “zero-waste” dhe “refill stations” po bëhen gjithnjë e më popullore.”

Një ndikim afatgjatë në ekonomi

Megjithëse disa argumentojnë se minimalizmi mund të dëmtojë ekonominë duke ulur konsumin, realiteti është më kompleks.

Konsumi nuk po zvogëlohet domosdoshmërisht, por po ndryshon drejt një modeli më të vetëdijshëm. Ndërsa produktet e lira dhe të prodhuara masivisht mund të humbasin terren, ato cilësore dhe të qëndrueshme mund të fitojnë besnikëri nga konsumatorët.

Sipas ekonomistit Selami Xhepa, ky ndryshim nuk duhet parë si një rënie e konsumit, por si një riorientim drejt shpenzimeve më strategjike. “Minimalizmi nuk është një tendencë kalimtare, por një reflektim i ndryshimeve në mendësinë e konsumatorëve.

Njerëzit po bëhen më të kujdesshëm në shpenzimet e tyre, duke shmangur blerjet impulsive dhe duke kërkuar produkte me vlerë të qëndrueshme. Ky është një transformim i rëndësishëm për ekonominë, sepse e orienton atë drejt një modeli më të ekuilibruar dhe më pak të bazuar në konsum të pakontrolluar”, – thotë ai.

Z. Xhepa thekson se ky mentalitet i ri do të ndikojë edhe te vetë bizneset: “Nëse më parë, kompanitë bazoheshin në një model shitjesh të mëdha dhe të shpejta, tani suksesi i tyre do të varet nga aftësia për të ofruar produkte cilësore dhe qëndrueshmëri në treg.

Konsumatorët po kërkojnë më shumë transparencë nga markat dhe kjo po ndikon në mënyrën se si operojnë bizneset. Kompanitë që nuk përshtaten me këtë ndryshim do ta kenë të vështirë të mbijetojnë”.

Ndërsa disa sektorë si “fast fashion”-i ose prodhimi masiv mund të përballen me sfida, të tjerë si industria e produkteve të personalizuara, mobilieve funksionale dhe tregu i sendeve të ripërdorshme do të kenë përfitime. Z. Xhepa parashikon se ky trend do të ketë efekte afatgjata edhe në mënyrën se si menaxhohen burimet ekonomike:

“Minimalizmi është gjithashtu një përgjigje ndaj një problemi më të gjerë ekonomik dhe mjedisor. Në një botë me burime të kufizuara, konsumi i mençur dhe i qëndrueshëm është domosdoshmëri dhe jo një zgjedhje.

Ky është një faktor që do të formësojë ekonominë e dekadave të ardhshme.”

“Antikonsumi

Ekonomia e antikonsumit, e nxitur nga minimalizmi, po sfidon themelet e kapitalizmit duke vënë në pikëpyetje ciklin e pandalshëm të prodhimit dhe konsumit. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po shkojnë drejt një mënyre jetese më të thjeshtë dhe më të vetëdijshme, kompanitë po detyrohen të rishikojnë modelet e tyre të biznesit dhe të fokusohen te zgjidhje më të qëndrueshme dhe etike. Kjo lëvizje nuk është thjesht një trend kalimtar, por pasqyron një ndryshim të thellë në qëndrimet e konsumatorëve ndaj konsumit, pronësisë dhe qëndrueshmërisë. Antikonsumi mund të jetë çelësi për një ekonomi të re, ku ndjekja e më shumë gjërave nuk është më e vetmja masë e suksesit.”/ Monitor

Polonia në alarm, aktivizon avionët luftarakë pas sulmit rus pranë kufirit

Ushtria polake njoftoi sot se kishte ngritur në ajër avionë luftarakë për shkak të një sulmi “intensiv” rus në Ukrainën perëndimore.

“Për shkak të sulmit intensiv ajror të Federatës Ruse kundër territorit të Ukrainës, avionët polakë dhe aleatë filluan të operonin në hapësirën ajrore polake në mëngjes”, shkroi shtabi i përgjithshëm i ushtrisë polake në një letër drejtuar shtypit.

“Avionët luftarakë u ngritën në çifte dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar u vunë në gatishmëri të lartë”, shtoi ai.

Një mobilizim i tillë është i zakonshëm kur raketat ose dronët rusë godasin zona në Ukrainën perëndimore, e cila kufizohet me Poloninë, një vend anëtar të NATO-s .

“Dhjetëra” dronë dhe raketa ruse u rrëzuan gjatë natës në rajonin Rivne të Ukrainës perëndimore, tha kryebashkiaku i qytetit Oleksandr Tretyak në Telegram.

Sipas guvernatorit rajonal Oleksandr Koval, Rivne pati “një natë shumë të vështirë” për shkak të “sulmeve masive ajrore të armikut”, të cilat plagosën të paktën një civil.

Kievi u shënjestrua gjithashtu nga një sulm rus, duke rezultuar në dëmtime të një pallati apartamentesh, theksoi kreu i autoriteteve të qytetit, Timur Tkachenko.