26.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025

Çfarë na mësojnë vitet 1930 rreth riarmatimit!

Nga Alexander Evans

Aleatët fituan në Luftën e Dytë Botërore falë parave, teknologjisë dhe aftësive prodhuese, si dhe vendosmërisë, lidershipit dhe sakrificës. Pa garantuar mjaftueshëm para, retorika e Britanisë por edhe e vendeve të tjera të Evropës për mbrojtjen, do të jetë boshe…

Sot po jetojmë në një epokë të re kërcënimesh. Kështu shkruan Sekretari i Mbrojtjes John Healey në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të sapopublikuar. Ky është një dokument i besueshëm, që pasqyron punën e ekipit serioz të mbledhur enkas për të punuar për të.

Megjithatë, ai është kritikuar për shkak të premtimeve të shumta, që nuk shoqërohen me shpjegimin se nga do të vijnë paratë. Kryeministri britanik Keir Starmer, është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 2.5 për qind të PBB-së deri në prillin e vitit 2027, me ambicien për të arritur nivelin 3 për qind deri në legjislaturën e ardhshme, që si rregull përkon me fundin e vitit 2028.

Ky është një hap i parë pozitiv. Por rëndësi ka jo vetëm hartimi i një plani, por edhe financimi i plotë i angazhimeve dhe prioritizimi i investimeve që parashikohen. Në lidhje më çështjet e mbrojtjes, ne zakonisht angazhohemi me nxitim dhe i faturojmë angazhimet sipas dëshirës.

Por mjedisi strategjik ka ndryshuar me shpejtësi. Ne jetojmë sot në një botë ku konkurrenca midis  fuqive të mëdha është një realitet. Qeverive në mbarë Evropën, iu desh kohë që të ndërgjegjësoheshin në lidhje me nivelin e kërcënimit.

Ministri i jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, ishte një mbështetës i hershëm i shpenzimeve më të larta për mbrojtjen. Në një fjalim të shkëlqyer, mbajtur verën e vitit të kaluar në Fondacionin Ditchley, ai i kujtoi audiencës së tij: “Jemi në pragun e luftës së ardhshme. Pyetja nuk është nëse do të sulmohemi, por nëse do të jemi gati!”.

Polakët janë përgatitur, sepse kanë qenë edhe më parë në një pozitë të tillë. Historia nuk përsëritet, por shpeshherë rimon. Bota jonë e paqëndrueshme, duket e ngjashme me atë të viteve 1930: nacionalizma konkurruese, dhe një kërcënim i vërtetë për luftë. Gjithsesi, ka edhe dallime. Në vitin 1935, edhe mesin e papunësisë masive dhe vështirësive ekonomike, Britania shpenzonte më shumë nga PBB-ja e saj për mbrojtje, se sa niveli 2.3 për qind që shpenzojmë sot. Dhe kjo në një vit kur 2.5 milionë britanikë figuronin papunë, dhe kur prodhimi industrial nuk ishte kthyer ende në nivelet e para vitit 1929.

Tani dallimi është se janë rritur edhe kërkesat e tjera për buxhetin publik: Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS), pensionet dhe një shtet i madh social. Një qeveri më e madhe, është më e kushtueshme. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por nivelet e borxhit të Britanisë në vitet 1930, ishin shumë më të larta nga sa janë sot.

Prandaj, ne duhet të investojmë tani tek aftësitë e reja, siç bëmë atëherë. Ashtu si fuqia ajrore që në atë kohë përfaqësonte teknologjinë ushtarake më të përparuar, aftësitë kibernetike dhe hapësinore përcaktojnë kufirin e mbrojtjes së sotme. Dhe e gjitha kjo na çon tek detyra që kemi përpara.

Duhet të kemi një debat të fuqishëm kombëtar rreth mbrojtjes dhe kërcënimeve aktuale por edhe të mundshme me të cilat përballemi. Pavarësisht lajmeve të fundit në mediat sociale, publiku nuk ka kuptuar ende sa duhet përmasat e kërcënimit që nga vjen sot nga vende si Rusia.

Mendoj se është detyrë e të gjithë politikanëve tanë në qeveri dhe opozitë që ta nxisin këtë debat. Në këtë rast, ka punë edhe për universitetet, ku me disa përjashtime të rralla, është zbehur mësimdhënia dhe të folurit për luftën dhe mbrojtjen. Ne duhet të shpenzojmë shumë më tepër për mbrojtjen.

Mbretëria e Bashkuar rrezikon të bjerë shumë poshtë në tabelën e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes, ndërsa të tjerët po angazhohen të rrisin buxhetet e tyre. Ekziston një logjikë, sipas së cilës Britania duhet të ndjekë qasjen “NATO e Para”, dhe kësisoj të përqendrohet në sfidën afatshkurtër ndaj agresionit rus.

Por ekziston edhe një logjikë tek ruajtja e aftësisë ndaj një “armiku të panjohur”: nuk mund ta dish kurrë se nga mund të vijë kërcënimi i radhës. Sulmet kibernetike, nënkuptojnë se hakerat në Korenë e Veriut ose Kinë mund ta kërcënojnë sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe.

Ekziston ende një logjikë në qëndrimin e Britanisë pranë Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë më të fortë, një mik bujar dhe aktualisht vendi më i fuqishëm në botë. Megjithatë, logjikë ka edhe në bashkëpunimin me vendet evropiane – duke e mbrojtur autonominë tonë strategjike – sepse ne kemi nevojë për prodhim dhe inovacion, ashtu si dhe për para.

Aleatët fituan në Luftën e Dytë Botërore falë parave, teknologjisë dhe aftësive prodhuese, si dhe vendosmërisë, udhëheqjes dhe sakrificës. Pa angazhuar mjaftueshëm para, retorika e Britanisë për mbrojtjen do të jetë boshe. Rishikimi këtë vit i strategjisë së mbrojtjes, është një kontribut i madh, por ajo që ka më shumë rëndësi janë paratë.

Këtë do ta shohim këtë javë, kur Ministrja e Financave të paraqesë në parlament rishikimin e shpenzimeve në këtë sektor./Përshtatur nga “Daily Telegraph”

*Shënim: Alexander Evans, lektor në Shkollën e Ekonomisë në Londër.

“Paraburgimi mund të zgjatet minimalisht një vit”, Lala jep detaje nga vendimi i gjykatës për Veliajn

Apeli i GJKKO-së vendosi sot ta rrëzojë kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të fituar lirinë. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se Prokuroria e Posaçme ka për detyrë të raportojë çdo dy muaj për hetimet ndaj personave të përfshirë, përfshirë kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.  Gjykata vendosi që masa e sigurisë ndaj tij “arrest me burg” të vazhdojë, pasi hetimet vijojnë dhe ekzistojnë dyshime se ai mund të ndikojë në dëshmitarë ose të prishë prova.

Lala tha se jy është rasti i parë në Shqipëri ku një zyrtar i zgjedhur vendor mbahet në arrest gjatë ushtrimit të detyrës, dhe vendimi përfundimtar pritet nga Gjykata e Lartë, e cila do të vendosë nëse ai do të qëndrojë apo jo në burg.

“Ligji e detyron Prokurorinë e Posaçme që çdo dy muaj të informojë gjykatën për personat që kanë nën hetim.

Në rastin konkret, prokuroria ka kryer këtë veprim hetimor dhe gjyqësor në një seancë të zhvilluar në muajin prill, ku informoi gjykatën për të gjitha veprimet paraprake hetimore ndaj zotit Veliaj, kryetarit të Bashkisë Tiranë, bashkëshortes së tij Ajola Xoxe, si dhe gjashtë biznesmenëve të tjerë që janë nën hetim për veprat penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”.

Sipas ligjit, kur prokurorët ose gjykatësi paraprak konstatojnë se nuk ka më veprime hetimore për t’u kryer, mund të urdhërojnë shkurtime në kohën e hetimit ose të shqyrtojnë masat e sigurisë.

Gjykata e shkallës së parë vendosi që masa e sigurisë për zotin Veliaj të mos ndryshonte, pasi nuk kishin ndryshuar kushtet dhe kriteret mbi bazën e të cilave ishte caktuar kjo masë.

Ky vendim u apelua nga vetë zoti Veliaj, i cili kërkoi rishikimin e masës, duke argumentuar se nuk ekzistonte më asnjë arsye për qëndrimin në “arrest me burg”, dhe se ai duhej të kthehej në detyrën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pasi nuk ekzistonte rreziku që të prishte provat apo të intimidonte dëshmitarët.

Në seancë, ku ishte i pranishëm vetëm avokati i zotit Veliaj (pasi kryetari i bashkisë nuk mori pjesë), dhe ku mori pjesë edhe biznesmeni Elman Abule me avokaten e tij, avokatët kërkuan zbutjen e masës për zotin Veliaj, duke propozuar si alternativë garancinë pasurore, pa specifikuar shumën, që do të vendosej nga gjykata.

Megjithatë, gjykata vendosi që zoti Veliaj duhet të qëndrojë nën masën e sigurisë arrest në burg, duke argumentuar se ende ka veprime hetimore për të kryer dhe ekzistojnë dyshime të arsyeshme që ai mund të ndikojë tek dëshmitarët apo të prishë provat, sidomos nëse lirohet me masë më të lehtë sigurie.

Ndërkohë, biznesmeni Abule u la në arrest shtëpie, pasi për të masa e sigurisë u zbut nga arrest me burg në arrest shtëpie, që nga koha kur ai u paraqit në gjykatën e apelit.

Në lidhje me këtë çështje, duhet theksuar se Zoti Veliaj ka ngritur ankim në Gjykatën e Lartë kundër masës së arrestit në burg, ashtu si edhe të dyshuarit e tjerë, përfshirë bashkëshorten dhe biznesmenët e përfshirë.

Deri tani, në praktikë, Gjykata e Lartë nuk ka lehtësuar masat e sigurisë në raste të tilla, si për shembull rastet e zotit Berisha apo zotit Meta.

Megjithatë, ky është rasti i parë kur një zyrtar i zgjedhur vendor, si kryetari i Bashkisë Tiranë, është arrestuar gjatë ushtrimit të detyrës.

Ndryshe nga ish-zyrtarët e tjerë që janë arrestuar jashtë ushtrimit të detyrës, zoti Veliaj është i vetmi që është në detyrë dhe për këtë arsye Gjykata e Lartë do të përballet me një dilemë të madhe, duke marrë parasysh edhe funksionin që ai vazhdon të ushtrojë.

Nëse ankimi i tij rrëzohet, paraburgimi mund të zgjatet minimalisht për një vit, deri në një rivlerësim të mundshëm të masave.

Nga ana tjetër, duke marrë parasysh veprat penale për të cilat dyshohet (korrupsion dhe pastrim parash), praktika e deritanishme e SPAK-ut, gjykatës së posaçme dhe Gjykatës së Lartë ka qenë që të mbahen masa të rrepta sigurie, kryesisht arrest me burg.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme, si sëmundje të rënda apo detyra familjare, është lehtësuar masa e sigurisë.

Në rastin e zotit Veliaj, situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi SPAK pretendon se ai ka drejtuar sulme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe nga burgu.

Ky është argumenti kryesor përse prokurorët e posaçëm insistojnë që ai të mbetet në arrest me burg, seancë pas seance“- tha Lala.

Limaj gati për ta zgjidhur krizën: Nuk kërkojmë poste në qeveri

“Jemi gati t’i japim tre votat tona për në Kuvend dhe jo t’i kërkojmë vend në qeveri Kurtit.” Kështu shprehet në një intervistë në Ditarin e Kosovës në A2 CNN kryetari i Partisë Nisma, Fatmir Limaj.

Pas më shumë se 4 muajsh bllokim politik, më në fund duket se kriza mund të ketë një zgjidhje. Sipas Limajt, zgjidhja është te vullneti politik, dhe aspak te Kushtetuta, te Gjykata, apo — aq më pak — te presidentja.

Frika e Limajt shkon përtej partive dhe llogarive meskine të secilës prej tyre, sidomos atyre në opozitë. Llogari, të cilat Kosova nuk ka luksin t’i bëjë, sipas tij, pasi ende është një demokraci e pa rrumbullakosur, shkruan A2 CNN.

“Ndërkohë që ne merremi me këto llogari, gjeopolitika ndryshon dhe mund të humbasim shumë çështje, në dëm të Kosovës,” thekson Limaj.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme ai nuk i sheh si alternativë; madje këtë ide e quan “një shaka që është bërë te presidentja.”

Situata e inflacionit në Shqipëri/ Më shtrenjtë vijojmë të paguajmë për ushqimet

Çmimet mbeten të larta, por ritmi i rritjes po ngadalësohet. Inflacioni në maj bie pak, por qytetarët ende nuk ndiejnë lehtësim në xhepat e tyre. Ekspertët shpjegojnë arsyet dhe paralajmërojnë rreziqet e ardhshme nga zhvillimet ndërkombëtare.

Çmimet mbesin të larta, produktet po vazhdojnë të shtrenjtohen…vetëm se jo me vrullin e mëparshëm. Kështu mund të përmblidhet ecuria e çmimeve për muajin e muajin e shkuar.

Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë rritjes së çmimeve ra në 2.2 për qind në maj, nga 2.3 për qind në prill. Në krahasim me majin e vitit të shkuar ai mbetet i pandryshuar.

“Janë efektet e inflacionit të importuar i cili duke qenë se ka një rënie në nivelet e eurozonës, por edhe më gjerë..,. te partnerët kryesorë të Shqipërisë. Arsyeja e dytë lidhet me kursin e këmbimit… zhvlerësimin e euros”, shprehet eksperti për ekonominë Adrian Civici.

Dalja në tregje e prodhimit vendas ka ndikuar gjithashtu në pasjen e një inflacioni në nivele të ulëta veçanërisht te produktet e konsumit. Treguesi ra në vetëm 3.2 për qind muajin e shkuar nga 3.8për qind që ishte në prill.

Pra, çmimet e frutave, perimeve, bulmetit, mishit e më gjerë vijuan ishin 3.2 për qind më të shtrenjta se majin e vitit2024. Lajmi i mirë është se ritmet e shtrenjtimit u ngadalësuan.

“U ngritën çmimet. Ok, dakord. Se u rrit nafta e hajde. Po nafta u ul. Prapë aty rrinë tek ai start”, shprehet një qytetar.

Po pse nuk ulen më çmimet një herë që rriten?

“Çmimet kanë tendencën të përshtaten shumë më shpejt kur ka rritje kostosh, ndërsa kur kostot bien, tregu është më i ngadalshëm në reflektim. Kjo lidhet edhe me pritshmëritë e biznesit, mungesën e konkurrencës në disa segmente apo edhe zinxhirët e furnizimit që reagojnë me vonesë”, thekson pedagogu Ardian Civici.

Por qetësia në frontin e çmimeve mund të mos zgjasë. Ekspertët paralajmërojnë se kërcënimi i një vale të re inflacioni mbetet i gjallë, sidomos për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, Ukrainë, dhe tensioneve tregtare globale.

“Luhatjet në çmimet ndërkombëtare të naftës, rritja e kostove të transportit detar për shkak të konflikteve, si dhe tensionet në tregjet ushqimore, janë faktorë që mund ta kthejnë inflacionin në një rrezik të ri. Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtyre zhvillimeve për shkak të varësisë nga importet”, shprehet Adrian Civici, pedagog, ekspert për ekonominë.

Edhe Banka e Shqipërisë, në deklaratat e fundit, nënvizon se rreziqet e jashtme nuk kanë kaluar, ndaj politika monetare dhe financiare mbetet në gatishmëri.

Arsyet e forta pas lodhjes dhe depresionit gjatë verës, çfarë duhet të bëni

Ndjesia e lodhjes na shoqëron në një pjesë të madhe të jetës.

Puna, shkolla, angazhimet familjare dhe miqësore mund të bëhen nxitës të rregullt të lodhjes. Të qenit të lodhur herë pas here nuk është shkas për shqetësim, por lodhja e vazhdueshme lë pasoja në organizëm.

7 arsyet përse ndiheni të lodhur gjithë kohës

Anemia

Lodhja e shkaktuar nga anemia vjen si rezultat i mungesës së rruazave të kuqe të gjakut. Këto të fundit transportojnë oksigjenin nga mushkëritë në inde e qeliza. Anemia shkaktohet nga mungesa e hekurit, vitaminave, humbja e vëllimit të gjakut, gjakderdhja, artriti, tumoret dhe problemet me veshkat.

Përveç lodhjes së vazhdueshme, anemia shoqërohet me vështirësi në fjetje, mungesë përqendrimi, rrahje të shpejta zemre, dhimbje në kraharor dhe të kokës.

Dehidratimi

Nëse njeriu nuk pi ujë për një kohë të gjatë do të ndihet më i lodhur dhe më i acaruar.

Dehidratimi afatgjatë ka një ndikim domethënës në nivelet e energjisë dhe tek humori. Studimet thonë se truri tkurret kur mungojnë lëngjet.

Përveç lodhjes, dehidratimi shfaqet me simptoma të tjera siç është mjegullimi i trurit, enjtje e gishtave, dhimbje koke dhe tharje të lëkurës. Sigurohuni që të pini ujë vazhdimisht.

Tiroidja

Kur hormonet e tiroides dalin jashtë normales, një aktivitet i rëndomtë ditor mund të duket drobitës. Tiroidja prodhon hormone që kontrollojnë metabolizmin. Nëse ndiheni të lodhur vazhdimisht, bëni një analizë të tiroides sa më parë.

Diabeti

Më shumë se një milion njerëz në botë diagnostikohen çdo vit me diabetin e tipit 2. Shumë të tjerë as nuk e dinë që e kanë këtë sëmundje e cila shfaqet edhe nëpërmjet ndjesisë së lodhjes së vazhdueshme. Trupi ka nevojë për glukozë që të punojë. Diabetikët nuk e pëpunojnë glukozën siç duhet, gjë që shkakton akumulim të saj në gjak.Pa energjinë e mjaftueshme për mbarëvajtjen e punëve në organizëm, trupi has vështirësi dhe lodhet shpejt. Përveç lodhjes, diabeti shfaqet edhe me etje të tepërt, uri, rënie në peshë, irritim, infeksione dhe mjegullim të shikimit.

Depresioni

Depresioni ka ndikim në mënyrën se si flemë, ushqehemi dhe ndihemi për veten dhe të tjerët. Kjo sëmundje shteron energjitë, prish gjumin dhe stilin e ushqyerjes. Njerëzit që bien në depresion kanë probleme me kujtesën, përqendrimin, ndihen të pashpresë, pa vlerë dhe kanë mendime negative.

Nëse ndiheni të lodhur, të mërzitur, në ankth, pa humor, pa oreks, pa interes për gjëra që dikur ju kanë sjellë gëzim, të irrituar, me dhimbje koke, ndjenja faji, atëherë vizitohuni menjëherë tek një mjek.

Lexoni këtu për kurat natyrale kundër depresionit, ankthit dhe stresit.

Apnea e gjumit

Apnea e gjumit është një çrregullim që shkakton ndërprerje të përkohshme të frymëmarrjes. Ndërprerja e saj prish gjumin dhe si rrjedhojë zgjimi është gjithnjë i lodhshëm dhe pushimi i mangët. Ky çrregullim sinjalizohet edhe nga gërrhitjet dhe më pas shkakton lodhje të vazhdueshme si pasojë e ndërprerjes së shpeshtë të gjumit. Apnea e gjumit mund të shkaktojë sëmundje të zemrës, të rrisë tensionin e gjakut dhe isheminë.

Vitaminat dhe mineralet

Përpiquni të konsumoni ushqime me kalium, magnez, vitaminë B12 dhe B6. Konsumoni spinaq, avokado, fara kungulli dhe luledielli, fasule, bizele, fruta të thata, banane, drithëra, vezë./AgroWeb.org

A po zbehet vlera e diplomave?

Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë po ulet në Shqipëri, ndërkohë që po zbehet edhe vlera që ofrojnë këto dokumente në tregun e punës në vend.

Një pjesë e madhe e njoftimeve të punësimit që publikohen në internet nuk kërkojnë kualifikime nga ana e punëmarrësit.

“Në fakt në analizën e tregut që ne kemi bërë, duke marrë të gjithë ato faqe që janë shtetërore apo private, njoftojnë apo publikojnë vende pune kanë rezultuar se të paktën se 54% e këtyre njoftimeve nuk kërkojnë një kualifikim specifik. Vetëm 26% prej tyre kërkojnë një kualifikim me një diplomë universitare”, shprehet Kolindo Vjerdha nga Qëndresa qytetare.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i të diplomuarve në harkun kohor të 5 viteve është ulur me 16%. Kjo nuk pengon që të rinjtë e shumtë, dhe jo vetëm, të bëhen pjesë e tregut të punës në Shqipëri.

“Ajo çfarë ne nuk ka gëzon në një fare mënyre është se prespektiva e të rinjve të drejtohet në këtë lloj tregu që nuk kërkon një kualifikim, por ofron një mundësi punësimi që ka një pagë të mirë, por jo kualifikimin” tregon në të tjera zoti Vjerdha.

Pjesa më e madhe e njoftimeve që publikohen në internet dhe nuk kërkojnë kualifikim mbeten ato të shërbimeve, si në sektorin e turizmit, i cili gjatë 3 viteve të fundit është zhvilluar masivisht dhe kërkesa për staf mbetet e lartë.

Po ashtu, edhe në sektorin e shërbimeve telefonike, ku shpeshherë pagat tejkalojnë edhe ato që kërkojnë kualifikime të larta.

Friedrich Merz, kancelari “macho” që por ringjall politikën e jashtme gjermane!

Kancelari që do të bëhet “macho”, Friedrich Merz buzëqeshi ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump i dha versionin e tij të lëvdatave. Komplimenti nuk mund të ishte vlerësuar më shumë. Duke pasur parasysh se çdo gjë mund të kishte ndodhur në Zyrën Ovale – me shumë poshtërime që tashmë u ishin shkaktuar disa udhëheqësve botërorë – Merz doli çuditërisht i padëmtuar. Në fakt, ai bëri më shumë se kaq: Ai e liroi veten nga faji, ashtu siç mund të bënte çdo vizitor në selinë e MAGA-s.

Ndryshe nga Presidenti francez Emmanuel Macron ose Kryeministri britanik Keir Starmer, dy homologët e tij më të ngushtë, ai gjithashtu shmangu pretendimet e rreme. Ai nuk e vuri dorën në gjurin e Trump dhe as nuk i dërgoi ndonjë letër mbretërore. Në fakt, në krahasim, dhurata e tij, një kopje e kornizuar e certifikatës së lindjes së gjyshit të Trump, ishte paksa e dobët. Por ajo vendosi një ton të përshtatshëm: të përmbajtur dhe jashtëzakonisht të sjellshëm, me një aluzion shumë të vogël të një kundërshtimi ndaj çështjes së diskutueshme të shpërfilljes së shkujdesur të Ukrainës nga Amerika.

“Punë e mbaruar”, do t’i ketë thënë vetes Merz ndërsa do të sistemohej përsëri në avionin e tij qeveritar. Udhëheqësi gjerman sigurisht që nuk ka pasur dorën më të mirë, brenda apo jashtë vendit, por ai po e luan çuditërisht mirë. Gjithashtu, ia vlen të kujtojmë se ai ka qenë në këtë detyrë vetëm një muaj.

Gjatë kësaj kohe, Merz është nisur në një ofensivë sharmuese për të gjithë, dhe krahasuar me mandatin e paraardhësit të tij jokarizmatik, Olaf Scholz, ndryshimi nuk mund të ishte më i theksuar. Por, a ka arritur Merz i fuqishëm diçka konkrete? Dhe a ka qeveria e tij një politikë të jashtme të prekshme?

Deri më tani, udhëheqësi gjerman ka përmirësuar marrëdhëniet me Francën, të cilat ishin në një nivel shqetësues. Ai është përpjekur shumë t’i rikthejë britanikët në radhët e veta dhe është nisur drejt Polonisë, megjithëse fitorja e ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale të së dielës së kaluar ka të ngjarë të pengojë çdo përparim. Ai ka bërë apelin e vendeve nordike dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e regjistrimit të brigadës lituaneze të Gjermanisë në Vilnius. Ai gjithashtu ka krijuar një marrëdhënie të mirë me kryeministren italiane me ndikim të madh, Giorgia Meloni.

Por Trump ishte prova e parë e madhe. Dhe ndërsa qasja e Merz ka dhënë tashmë rezultate në aspektin e muzikës së humorit në establishmentin gjerman, në terma konkretë, nuk e ka bërë këtë.

Kjo për shkak të faktit të trishtueshëm se jo vetëm gjermanët, por edhe francezët dhe britanikët, janë bërë thjesht aktorë të vegjël në dy konfliktet kryesore të vazhdueshme: Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Gazë.

Merz është takuar tashmë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky personalisht tri herë që kur mori detyrën, në Kiev, gjatë një samiti të liderëve evropianë në Tiranë dhe së fundmi në Berlin. Megjithatë, ai ende nuk e ka mbajtur premtimin që bëri kur ishte në opozitë: lejimin e dërgimit të raketave gjermane Taurus. Në vend të kësaj, ai ka ndjekur rrugën franceze të paqartësisë strategjike për të shmangur detajimin publik të armëve që po dërgohen.

Dhe për çështjen më të madhe nga të gjitha, bindja e Trump që ta bindë Presidentin rus Vladimir Putin të angazhohet seriozisht në bisedimet e paqes, as Merz, as Macron dhe as Starmer nuk duket se po arrijnë asgjë. Ata janë tërësisht të varur nga tekat e një Shtëpie të Bardhë, e cila është ende çuditërisht e magjepsur nga Kremlini.

Dallimi më i madh në tonin e Berlinit është se Merz ka folur për një ndryshim strategjik kulturor në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke e transformuar Gjermaninë nga një fuqi e mesme e fjetur në një “fuqi të mesme kryesore”.

Ministri i Punëve të Jashtme Johann Wadephul ishte i pari që foli hapur për shifrën “5 përqind të PBB-së” për shpenzimet ushtarake, një rritje masive nga shifra e sotme që është pak mbi 2 për qind. Edhe pse ky numër është vetëm një aspiratë dhe përfshin 1.5 për qind të asaj që quhet “infrastrukturë kritike” që mund të nënkuptojë pothuajse çdo gjë është prapëseprapë një ndryshim i madh. Vetë Trump e ka pranuar këtë. Por mbetet për t’u parë se sa shpejt do të arrihet, ose nëse do të arrihet ndonjëherë.

Ndërkohë, strukturat e qeverisë tashmë po ripërpunohen për të përmbushur këto prioritete të reja. Pas vitesh zvarritjeje, Kancelaria ka krijuar një Këshill të Sigurisë Kombëtare, me një përgjegjësi gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet e sigurisë. Dhe për herë të parë në dekada, Ministria e Jashtme është në duart e partisë në pushtet të Merz, Kristian Demokratëve.

Megjithatë, aty ku Merz duket më i hutuar dhe ku Gjermania vazhdon të jetë e paralizuar, është në qasjen e saj ndaj Lindjes së Mesme. Për shkak të historisë së saj naziste, Gjermania e ka bërë mbijetesën e Izraelit një “arsye shteti”. Dhe u godit veçanërisht kur iu kujtua se sulmet terroriste të Hamasit më 7 tetor 2023 përbënin ditën më vdekjeprurëse për hebrenjtë që nga Holokausti.

Megjithatë, administratat e Scholz dhe Merz duket se nuk janë në gjendje dhe nuk janë të gatshme të bëjnë dallimin midis antisemitizmit dhe kritikave për shkatërrimin që Izraeli po i shkakton Gazës. Kur Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja nënshkruan një letër të përbashkët duke e kërcënuar Izraelin me “veprime konkrete”, Merz u dallua. Është e vërtetë që ai e ka kritikuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ditët e fundit, por kjo kritikë u pasua nga një siguri se shitjet e armëve do të vazhdonin. Pas SHBA-së, Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh në botë i armëve për Izraelin – dhe mbështetësi i dytë më i zëshëm i tij. Edhe në vitin 2024, qeveria e mëparshme miratoi eksporte me vlerë 160 milionë euro, duke përfshirë motorë për tanket izraelite Merkava.

Por prapa skenave, mendimi po fillon të ndryshojë. Sipas sondazheve, mbështetja publike gjermane për Izraelin po bie.

Tani, testi i madh i radhës për Merzin, dhe për Evropën, do të jetë samiti i ardhshëm i NATO-s në Hagë. Ai po koreografohet nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, si një gala për të festuar Trumpin. Diskutimet po mbahen jashtë tryezës, antagonizmat po mbahen larg, me qëllim që presidenti i paqëndrueshëm të mos e braktisë Perëndimin. Ushtrimi i kufizimit të dëmeve po ecën në mënyrë të lavdërueshme.

Pra, ndërsa Merz mund të mos ketë ende shumë për të treguar për veten e tij, përpjekjet e tij të para në diplomacinë ndërkombëtare sugjerojnë se ai po e gjen shpejt veten në formë./Përshtatur  nga “Politico”

50% e fëmijëve në Shqipëri vuajnë nga anemia, shkak kequshqyerja

Fëmijët dhe adoleshentët që vuajnë nga anemia si pasojë e mungesës së hekurit janë shtuar në të gjithë Europën, dhe një nga shkaktarët është mënyra e të ushqyerit.

Në Shqipëri të dhënat tregojnë se thuajse gjysma e fëmijëve deri në 6 vjeç kanë anemi të lehtë apo të moderuar,  nga mungesa e hekurit.

“Në studime të pilotuara është vënë re se në moshën e fëmijërisë së hershme, deri në moshën e fillimit të shkollës, 40–50% e fëmijëve janë anemikë – por me anemi të lehtë deri diku të moderuar. Dikur kemi pasur më shumë raste me anemi të rëndë. Edhe adoleshentet janë më të prekura nga anemia për shkak të mungesës së hekurit”, thotë Manika Kreka, shefe e Shërbimit të Onkohematologjisë, QSUT.

Anemia shoqërohet me simptoma të tilla si lodhje, dobësi, marramendje dhe vështirësi në frymëmarrje. Sipas OBSH-së, anemia ndikon në performancën shkollore të fëmijëve dhe në produktivitetin në jetën e të rriturve, duke sjellë humbje ekonomike për familjet./Euronews Albania

Minierat/ Raporti i KLSH: Strategjia e mangët pa indikatorë matës të sektorit

Vendit i mungon një strategji e plotë me tregues realë mbi ecurinë e sektorit minerar duke mos ofruar kështu një panoramë të saktë mbi investimet, numrin e punonjësve apo tregues të tjerë të rëndësishëm.

Një raport auditimi performance i Kontrollit të Lartë të Shtetit rendit tek konkluzionet e tij pikërisht këtë aspekt duke nënvizuar se mbi këtë strategji nuk ka asnjë raportim apo monitorim madje as një strukturë përgjegjëse për të kryer këtë të fundit.

“Strategjia minerare e Republikës së Shqipërisë është e mangët, pa indikatorë matës për të gjithë periudhën e veprimtarisë së saj (2010-2025) për disa aspekte të ndryshme si për shembull vlera e investimeve në sektorin minerar, numri i punonjësve të punësuar në sektorin minerar dhe nën sektorët e tij etj.

Lidhur me Monitorimin dhe Raportimin mbi ecurinë e Strategjisë Minerare të Shqipërisë nuk është përgatitur asnjë Relacion/Raport që të dëshmojë mbi synimet dhe objektivat e saj.

Në Strategjinë Minerare të Shqipërisë nuk përcaktohet ngritja dhe detyrimi i ndonjë strukture për të monitoruar treguesit e saj, ndryshe sa përcaktohet në Strategjinë Minerare të Suedisë”, thuhet në auditim.

Në këtë kontekst KLSH ka rekomanduar që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në hartimin e Strategjisë së re Minerare, të marrë masa për përcaktimin e indikatorëve për gjatë gjithë periudhës kohëzgjatjes së saj si dhe të përcaktojë qartë njësinë apo strukturën e cila do të monitorojë periodikisht atë.

I njëjti auditim ndalet në një analizë të detajuar të të ardhurave nga renta minerare dhe konkretisht për lejet e dhëna në materialet ndërtimore dhe specifikisht “gëlqeror i mermerizuar”. Pavarësisht se të ardhurat e subjekteve kanë qenë në rritje si efekt I volumit të shitjes renta nuk ka reflektuar këtë tendencë.

Audituesit nënvizojnë se në sektorin e shfrytëzimit të GMMD, 63 % e lejeve minerare i përkasin emërtimit “Gëlqeror i mermerizuar”.

“Prodhimi në fund të vitit 2022 në sektorin e shfrytëzimit të GMMD rezulton 27,279 m3 nga 12,537 m3 që ka qenë në vitin 2020. Të ardhurat e subjekteve që shfrytëzojnë GMMD nga shitjet (brenda dhe jashtë vendit) rezultojnë të jenë 592,155,168 lekë për vitin 2022 duke shënuar një rritje të lartë në raport me të ardhurat nga shitjet për vitin 2020 të cilat kanë qenë 230,054,425 lekë.

Volumi i produktit të shitur të GMMD (në m3 ) ka shënuar rritje nga 11,011 m3 në vitin 2020 në 24,927 m3 në vitin 2022.

Pavarësisht rritjes së volumit të shitur mbi të cilin përllogaritet renta minerare, ecuria e kësaj të fundit ka shënuar trend zbritës për periudhën objekt auditimi nga 13,320,612 lekë në vitin 2020 në 8,888,552 në vitin 2022” nënvizon raporti.

I njëjti sjell në vëmendje se disa subjekte nuk paguajnë rentën teksa rekomandon që Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për të gjithë subjektet që shfrytëzojnë Gëlqerorët Masiv, të Mermerizuar dhe Dekorativ, të marrë masa për të unifikuar pagesën e rentës minerare bazuar në emërtimin e mineralit që përmban Leja Minerare e shfrytëzimit./MONITOR

Media italiane: Brusca i lirë, emigrantët e pafajshëm dërgohen në Shqipëri

Lirimi i Giovanni Brusca-s, personi që vrau me një atentat mizor prokurorin anti-mafia Giovanni Falcone në vitet ’90, ka shkaktuar një reagim të fortë në opinionin publik në Itali.

Mediat italiane përtej Adriatikut bëjnë një analogji që në këtë rast indirekt lidhet edhe me Shqipërinë, më saktë me emigrantët q vijnë nga Italia sipas paktit mes dy vendeve. Mes të tjerash, mediat italiane shkruajnë se nuk mund të kuptohen ligjet, pasi vrasësi mafioz del nga burgu, ndërsa emigrantët, nuk kanë kryer asnjë krim përveçse janë ilegalë, dërgohen në qendrat në Shqipëri.

Brusca 2

Shkrimi i plotë i medias italiane QDS.it: 

Ka diçka absolutisht të çuditshme në një shtet, në dukje demokratik, që liron Giovanni Brusca-n dhe dërgon në Shqipëri njerëz që ende nuk kanë kryer, dhe shumica e tyre nuk do të kryejnë, ndonjë krim. Një kriminel i rebeluar, atavist, i cili ka rrezikuar institucionet, ka masakruar jetën e shërbëtorëve të guximshëm të shtetit, ka tretur fëmijë në acid, lirohet, sipas rregullave aktuale.

Një njeri për të cilin nuk dimë asnjë pendim të vërtetë, dhe jo juridiksional. I cili nuk ka folur kurrë për shumë fakte të Cosa Nostrës, vetëm disa, i cili nuk ka dorëzuar kurrë asnjë euro nga biznesi i tij kriminal, as ato të bashkëpunëtorëve të tij. Dikush mund të thotë se edhe në Amerikën e Trump, emigrantët e paligjshëm përfundojnë në burgje në vende të tjera. Vetëm se në Amerikën e Trumpit dikush si Brusca do të ishte ekzekutuar, ose – në shtetet e pakta ku nuk ka dënim me vdekje – nuk do të kishte dalë kurrë nga burgu, ato të vështirat, shumë më të rënda se ato që na tregon Hollivudi, ku vdekshmëria në burg nuk ndodh nga vetëvrasja si në Itali.

Burri që vrau Giovanni Falconen me një eksploziv me telekomandë është i lirë. Disa thonë për shkak të të njëjtit ligj që gjykatësi i guximshëm donte për të penduarit. Por a jeni të sigurt se dikush aq kokëfortë, i vendosur dhe i zgjuar sa Falcone do të ishte kënaqur me pendimin e Brusca-s, i cili do të kishte marrë kaq pak prej tij në këmbim të kaq shumë? Ndërsa një emigrant, i torturuar dhe i shtypur, i grabitur nga të gjitha pasuritë e tij, futet në një vend paraburgimi pa kryer asnjë krim kundër personit dhe pa gjyq?

Çdo gjë në jetë duhet të ketë një përpjesëtim, dhe këtu nuk shihet, përtej ligjit, i cili në çdo rast duhet të interpretohet gjithmonë, jo vetëm të proceduralizohet. Brusca ka mbjellë viktima, por ka edhe armiq, njerëz që e kanë zëvendësuar, administratorë gjyqësorë që kanë menaxhuar gjërat, asetet dhe kompanitë e tij, të fituara në mënyrë të paligjshme. A janë të gjithë këta njerëz të sigurt sot nga dikush i quajtur U’ verru për egërsinë e tij? Ligji nuk është një dogmë besimi; Shteti mund, në fakt duhet, të ngrejë standardin për njerëz si Brusca, të cilët për vite me radhë janë mbështetur nga taksapaguesit dhe janë mbrojtur nga Shteti. Ai duhet të kërkojë shumë më tepër të vërtetë sesa ajo e arritur deri më tani, përndryshe nuk do të ishim pa të vërtetën në shumë gjyqe, para së gjithash atë të Borsellino-s. Cili ishte “negociata” e vërtetë , kush ishte pranë tij, çfarë bashkëpunimesh, zonash gri, shoqatash, po mbrojnë ende Brusca-n dhe bashkëpunëtorët e tij? Kush e ka mbrojtur Messina Denaro-n për shembull për këto tridhjetë vjet?

Brusca nuk ishte thjesht një shef i çfarëdoshëm, ai ishte në qendër të dinamikës së Corleonesit. Ai e di, por nuk flet, ose thotë vetëm atë që dihej tashmë, ndoshta të spërkatur me disa detaje shtesë. Problemi është ndoshta se kush i bën pyetjet, ato të duhurat, ato që të çojnë tek e vërteta dhe jo te dimensionet e saj të pjesshme ose anësore. Falcone dinte si të bënte pyetje, sepse ai kishte një njohuri të thellë të fenomenit, në përpjesëtim me atë që ishte një Inteligjencë Artificiale, me gjithë respektin e duhur për klasën aktuale të magjistratëve. Para se ta lironi, bëjini disa pyetje të duhura, të përshtatshme, në përpjesëtim me lirinë e madhe që ai do të ketë së shpejti, një liri jete që viktimat e tij nuk do ta kenë më. Dhe, nëse ai nuk përgjigjet, trajtojeni si një emigrant të paligjshëm, dikë që nuk ka të drejtë të jetojë në një vend të civilizuar, dërgojeni në Shqipëri, së bashku me ata emigrantë të varfër. Do të kishte më shumë kuptim ta mbanim atë jashtë Italisë sesa ata.