28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

A do të ketë “tym të bardhë” në Stamboll? Rusia dhe Ukraina negociojnë sërish kushtet e paqes në Turqi!

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë do të takohen nesër, më 2 qershor, në Pallatin Çırağan të Stambollit për raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin e vazhdueshëm që ka hyrë në vitin e tij të katërt.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka konfirmuar se takimi do të fillojë në orën 12:00, me shpresën për të ndërtuar mbi bisedimet e mëparshme, të cilat, pavarësisht mungesës së një armëpushimi, rezultuan në marrëveshjen për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës nga secila palë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar pjesëmarrjen e Ukrainës, me ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov që do të udhëheqë delegacionin e Kievit, por ka theksuar se “çështjet kryesore” mund të zgjidhen vetëm përmes një takimi të drejtpërdrejtë mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Raundi i parë i bisedimeve, i mbajtur më 16 maj 2025 në Pallatin Dolmabahçe të Stambollit, zgjati vetëm dy orë dhe përfundoi pa një marrëveshje për armëpushim, por shënoi një hap përpara me marrëveshjen për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës, shkëmbimi më i madh i tillë që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2022.

Sipas burimeve nga Reuters dhe Sky News, bisedimet u karakterizuan nga pozicione të forta, me Rusinë që paraqiti kërkesa të konsideruara “jorealiste” nga Ukraina, përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga territoret e saj të okupuara dhe kufizime të rënda në sovranitetin e Ukrainës.

Për raundin e dytë, Turqia, e cila ka ndërmjetësuar më parë bisedime mes dy palëve në vitin 2022, do të vazhdojë të luajë një rol kyç. Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan pritet të kryesojë takimin, ndërsa delegacioni rus do të udhëhiqet nga ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky, i cili ka qenë i përfshirë edhe në negociatat e mëparshme të pasuksesshme. Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, delegacioni rus tashmë ka mbërritur në Stamboll, duke treguar gatishmërinë e Moskës për të vazhduar dialogun.

Ukraina ka paraqitur një memorandum që përfshin propozime për një armëpushim 30-ditor në tokë, ajër dhe det, me monitorim nga partnerë ndërkombëtarë, siç raportohet nga New York Times. Presidenti Zelensky ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të përfshijë një “armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe të ndershëm” për të ndalur gjakderdhjen dhe për të krijuar një bazë për diplomaci të mëtejshme. Ai ka kritikuar Rusinë për mungesën e një propozimi të qartë për paqe dhe ka akuzuar Kremlinin për përpjekje për të sabotuar bisedimet. Në një postim në X, Zelensky ka deklaruar se “Rusia po bën gjithçka që mundet për të siguruar që raundi i ardhshëm i bisedimeve të dështojë”.

Nga ana tjetër, Rusia ka insistuar që një armëpushim i vetëm nuk mund të zgjidhë konfliktin. Sipas Sky News, Kremlini ka deklaruar në OKB se çdo marrëveshje duhet të adresojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, duke përfshirë kërkesat për njohjen e territoreve të okupuara, heqjen dorë të Ukrainës nga anëtarësimi në NATO dhe kufizime në madhësinë e ushtrisë ukrainase.

Këto kushte janë konsideruar “të papranueshme” nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron, të cilët kanë bërë thirrje për sanksione më të ashpra kundër Rusisë nëse Moska refuzon një armëpushim të plotë.

Megjithatë një faktor tjetër mund të ndikojë në rrjedhjen e bisedimeve për paqe, sulmi i fundit me dronë i Ukrainës që shkatërroi rreth 40 avionë, përfshirë edhe bombarduesit bërthamorë.

“Ndal ndërhyrjeve të papërgjegjshme në ish-Burgun e Spaçit!“

Në zemër të një prej vendeve më të ndjeshme dhe me rëndësi historike të Shqipërisë, ish-Burgut të Spaçit, po zhvillohen aktualisht punime për xhirimin e një filmi artistik. Por, ndërhyrjet që po kryhen në këtë hapësirë, sipas denoncimit të aktivistit Arnen Sula, janë të pakontrolluara dhe po dëmtojnë rëndë paraqitjen autentike të këtij objekti historik. Këto ndërhyrje, thotë Sula, jo vetëm që fshijnë gjurmët e së kaluarës, por po shkatërrojnë edhe memorien kolektive që Spaçi ruan përmes dhimbjes dhe përpjekjeve të një brezi të tërë njerëzish.

Sula kërkon me urgjencë ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe thekson se çdo ndërhyrje në këtë hapësirë duhet të bëhet vetëm pas një studimi serioz historik dhe konservues, i cili duhet të mbështetet mbi bazën e rrëfimeve autentike të ish-të përndjekurve politikë dhe ish-punonjësve të sistemit të Spaçit. Vetëm përmes kësaj qasjeje, sipas tij, mund të sigurohet një restaurim i kujdesshëm dhe i besueshëm, që do të respektojë dhe ruajë realitetin historik dhe funksional të Spaçit, ashtu siç ka ekzistuar në të kaluarën.

Në një mesazh të fortë, Arnen Sula paralajmëron kundër përdorimit të vendit të kujtesës për qëllime që nuk lidhen me ruajtjen e historisë:

“Boll më me përdorimin e vendeve të kujtesës për ushqimin e egove artistike dhe për krijimin e imazheve estetike të sajuara! Spaçi nuk është asnjë skenë filmi ku mund të sajohet çdo imazh për efekt estetik; ai është një vend dëshmie, një vend dhimbjeje dhe një vend kujtese që kërkon respekt.”

Ai thekson se Spaçi nuk i përket askujt në mënyrë individuale, por është një pasuri kolektive, një memorial i gjallë i një periudhe të errët të historisë së vendit. Për këtë arsye, ai fton të gjithë institucionet, aktivistët, artistët dhe qytetarët e thjeshtë që të bashkëpunojnë në ruajtjen dhe vlerësimin e këtij vendi, duke shmangur çdo ndërhyrje arbitrare që mund të shkatërrojë këtë trashëgimi të çmuar.

Denoncimi i Arnen Sulës vjen në një moment kur diskutohet shpesh mbi mënyrën se si duhet trajtuar dhe kujtuar vende si Spaçi, që janë dëshmitarë të dhimbjes dhe sakrificës njerëzore. Ai kërkon që Spaçi të mos transformohet në një objekt turistik apo në një dekor estetik, por të ruhet si një simbol i vërtetë i kujtesës historike, i dhimbjes dhe i rezistencës.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e Elbasanit për biznesin e paneleve fotovoltaike

Bashkia Elbasan pozicionohet e treta në renditjen e njësive vendore për dhënien e pasurive publike me qira subjekteve private gjatë 10 viteve të fundit. Bashkia e Elbasanit, që sipas dosjeve të SPAK dhe komunikimeve në SkyEcc është nën kontrollin e krimit, ka dhënë 730 hektarë tokë publike me qira, ku 58.7% (428 ha) janë për energji të rinovueshme dhe 38% (277 ha) për agropylltari.

Ashtu si në tendera, emërime drejtorësh dhe leje ndërtimi, në pah dalin grupet kriminale që rezultojnë se kanë marrë me qira (vlerë simbolike) pronat publike në Elbasan, drejtëpërdrejt ose përmes biznesmenëve satelitë, për të ngritur bizneset e tyre me para të pista.

Faktet tregojnë se Gledian Llatja është vetëm në letra kryebashkiak i Elbasanit pasi praktikisht vepron si një administrator i caktuar nga Suel Çela, në kërkim nga SPAK si kreu i një prej organizatave kriminale më të rrezikshme në Elbasan dhe Shqipëri e përfshirë në trafik droge, atentate, pastrim parash, korruptimin e zyrtarëve lokalë etj.

Në 17 korrik të vitit 2024, Bashkia Elbasan me në krye Gledian Llatjan i ka dhënë babai të Suel Çelës, Petrit Çela, përmes kompanisë Çela P shpk., 7 hektarë pyje në “Papërr-Sollak” për vendosje stacionesh, bazamente për panele fotovoltaike/eolike me qëllim prodhimin e energjisë.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Procedura tenderuese është formale dhe me fitues të paracaktuar. Çmimi dysheme për dhënin me qira të pronës publike nga Bashkia Elbasan është 1 083 500 lekë në vit. Çuditërisht oferta fituese e kompanisë së babait të Suela Çelës është 1 083 500 lekë, aq sa vlera dysheme, duke e bërë tenderin/ankandin të humbasë qëllimin që është krijimi i konkurrencës dhe përfitimi i autoritetit publik pikërisht nga ofertat.

Në maj të vitit të kaluar, Llatja ka kopsitur letrat duke i dhënë Çelës edhe 12 hektarë pyje publike, në të njëjtën zonë, për të ngritur panelet diellore.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Ligji ndalon që të skeduarit dhe të dënuarit për trafik droge dhe krime të rënda të marrin pjesë në tendera dhe ankande publike, por në figurat e krimit kanë gjetur shtigje, duke marrë paratë dhe pasuritë publike përmes kompanive në emër të të afërmve.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Në janar të vitit 2024, Bashkia Elbasan i ka dhënë një sipërfaqe të papërcaktuar pyll publik shtetasit Renato Bodurri për të ngritur një kamping. Renato Bodurri rezulton një ushtar i grupeve kriminale në Elbasan, të cilin e përdorin për menaxhim biznesesh, pastrim parash dhe krime.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Bodurri është marrë i pandehur nga Prokuroria edhe si pjesëmarrës në sulmin fizik ndaj gazetarit Gjergj Zefi, mbrëmjen e 10 marsit 2023, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.

Bodurri është menaxher në lokalin e famshëm Living në Elbasan, në pronësi të grupit Çopja, Hajdar (Dar) dhe Franc Çopja të akuzuar nga SPAK për 4 vrasje, për porositjen e 14 atentateve, trafik droge, pastirim parash etj. Gjyshja e Renato Bodurrit dhe vetë Bodurri rezultojnë mbulesë e 72 pasurive me vlerë dhjetëra milionë euro të grupit Çopja, përfshirë edhe Hajder Çopjan, i njohur si Dari i Dubait.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Ndërkaq, në dosjen e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan, Renato Bodurri del edhe si korrier i Suel Çelës. Ai është përdorues i aplikacionit SkyEcc dhe shërben si ndërlidhës me gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila kishte porositur goditjen e gazetarit Saimir Kodra.

Suela Çela komunikon me Renato Bodurrin në SkyEcc, të cilit i kërkon që të dërgonte telefonin një personi, për të folur me të. Më tej, telefoni i shkon Megi Fetah, vajza e gjyqtares Pajtime Fetahu, e cila thotë se ‘mami është e lumtur që po komumunikon me të’. Pajtime Fetahu interesohet nëse banda po e kryen porosinë e saj për të goditur fizikisht dhe ndoshta eliminuar gazetarin Saimir Kodra.

Në 30 gusht 2024, Bashkia Elbasan i ka dhënë personazhit kontrovers Erla Myftaraj, ortak dhe mbulesë e figurave të krimit të Elbasan, 20.6 hektarë pronë publike nga ekonomia pyjore “Zalli-Shkumbin”, për vendosje të panelesh diellore. Oferta e kompanisë fituese Reverside Green shpk është sa çmimi dysheme.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Pas kompanisë fituese, e cila kamuflohet pas një karteli kompanish të tjera, qëndron Eral Myftaraj, simboli i korrupsionit me tendera në Elbasan, mashtrimit me zbatimin e kontratave, krimeve mjedisore dhe prerjen e pyjeve. Disa fakte dhe rrethana ngrenë dyshime të forta se Eral Myftaraj është dora e Suel Çelës për kontrollin e tenderave në Elbasan.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Në dosjen e SPAK për grupin kriminal të Suel Çelës në Elbasan del qartë se drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan Luan Tabaku është ushtar i Suel Çelës. Ky i fundit jo vetëm që e urdhëron, por e merr drejtorin edhe pas në makinë si të ishte ndonjë çerr, duke i dhënë porosi.

Sipas dosjes së SPAK-ut, Xhino Roka teksa bisedon me Klaus Matishin i thotë ndër të tjera se po fliste me Lanin (Luanin). Gjatë bisedës Xhino ruan një konsideratë të thellë për Luanin, për seriozitetin që ai paraqet në punë. “Zjarr është. Është për mashallah, u rri punëve te koka. Shyqyr që e kemi zemra, duhet te ai vendi ai. Përfaqësues me kollare…. Ne e sistemuam në punë dhe ai po na ndihmon tani“.

Në një tjetër bisedë që i përket muajit gusht të vitit 2020, Suel Çela del vetë në komunikimet e Sky Ecc teksa flet me një nga anëtarët e grupit të tij kriminal, i identifikuar si Klaus Matishi, të cilit i tregon jo vetëm që është takuar me Luanin, por edhe se si e mban të fshehur pas në makinë që të mos e shikojnë të tjerët. Ajo që vihet re në këtë bisedë është se Suel Çela, e trajton pa ndonjë shenjë respekti të veçantë përfaqësuesin e tij me kollare në krye të institucionit ku e ka vendosur, të cilin diku në bisedë e cilëson edhe si bythëgrisur që hapet bythësh dhe që duhet mbajtur në kontroll.

Në një nga bisedat që Suel Çela bën me Klaus Matishin, ai i tregon këtij se ishte në kafe me Luanin, të cilit i kishte bërë llafe se përse nuk e kishte pyetur për lokalin. ‘Luanin e kam futur dhe po merret me gjëra të mëdha, duhet ta ruajmë shumë tani. Po mundohem ta mbaj në shina, po vjen dy herë në javë këtu me makina të ndryshme, ulet mbrapa që të mos e shohin. Mundohu të flasësh në telefon me të sa më pak’. Bisedat tregojnë qartë se drejtori Luan Tabaku është një argat i Suel Çelës.

Po kujt ia ka dhënë tenderat e ujësjellësit Luan Tabaku?

Rreth 10 milionë euro tendera ka marrë Eral Myftaraj nga drejtori i Ujësjellësit, Luan Tabaku, i cili as dritaret e zyrës nuk i hap pa lejen e Suel Çelës.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Në 27 janar 2025, Eral Myftaraj, përmes kompanisë së tij AL-MEXWOOD shpk, ka marrë tenderin e radhës nga Ujësjellësi i Elbasanit me vlerë 2.5 milionë euro, për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave Trash,Karthnek, Njësia Administrative Sheze, Bashkia Peqin.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Tenderi është firmosur nga Luan Tabaku. Në tender ka marrë pjesë vetëm Eral Myftaraj. Oferta fituese është sa fondi limit. Kriteret janë përcaktuar sipas kompanisë së Myftarajt. Besohet se gjysma e fondit ndahet mes palëve.

Në korrik 2023, Luan Tabaku ka firmosur një tender 7 milionë euro për Eral Myftarajn për rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të zonave informale: Harmës; pjesërisht Krastë e Vogël, pjesërisht Lagjja: Dyli Haxhire” dhe, pjesërisht Lagjja: Katund i Ri.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Për këtë tender, për të cilin dyshohet se Suel Çela ka urdhëruar që t’a fitojë Eral Myftaraj, është bërë një luftë e egër. Luan Tabaku ka rrezikuar jo pak. Ai ka skualifikuar çdo kompani tjetër, për t’i dhënë tenderin Eral Myftaraj, si gjithmonë me ofertë fituese sa fondi limit. Myftaraj e ka marrë tenderin përmes kompanisë tjetër Meteo shpk.

50 mln euro tendera/ Gledian Llatja i jep Suel Çelës pyjet e

Gjatë 7 viteve të fundit, vetëm me kompaninë e ndërtimit Meteo, Myftaraj ka marrë rreth 50 milionë euro tendera. Mbi 8 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë AL-MEXWOOD, me objekt veprimtarie sudime dhe projektime në fushën e pyjeve./ Prapaskena

Rriten presionet mbi tregun e punës, kompanitë pezullojnë planet e zgjerimit

Të dhënat e fundit nga tregu i punës tregojnë se bizneset kanë ezauruar pagën si mjet për të rekrutuar punonjës. Pritshmëritë për rritjen e pagave në maj u ulën në krahasim me janarin 2025. Të ardhurat e bizneseve po rriten më pak se shpenzimet për pagat dhe kostot e tjera në proceset e prodhimit. Pezullimi i planeve të zgjerimit, furnizimi me punonjës nga jashtë dhe investimet në teknologji po shikohen zi zgjidhje për të përballuar situatën. Të dhënat nga agjencitë private të punësimit tregojnë se kërkesat më të mëdha nga bizneset janë në sektorin e shitjeve, ndërsa 30% e kërkesave nga punëmarrësit janë për ekonomistë dhe inxhinierë

Presionet në tregun e punës janë shtuar më tej këtë vit, nga mungesat e fuqisë punëtore, zgjerimi e kërkesës nga jashtë për punonjës shqiptarë, por nga ana tjetër, bizneset po përdorin më pak pagën si mjet joshjeje.

Kërkesa vijon të jetë e lartë për punonjës në sektorin e tregtisë, shërbimeve dhe ndërtimit, teksa bizneset po tregohen më të kujdesshme në ofertat e pagave.

“Tani presionet ‘më rrit pagën ose iki’ marrin përgjigjen ‘shumë mirë, ik’” – pohoi Erald Pashaj, i cili drejton EPPC Albania & Kosovo, një nga kompanitë më të mëdha të Konsulencës për Burimet Njerëzore.

Kjo sjellje e bizneseve ka frenuar dukshëm rritjen e pagave në sektorin privat në tremujorin e parë në krahasim me pritshmëritë e janarit 2025, tha ai. Edhe për periudhën në vijim, ritmet e rritjes së pagave në biznese do të frenohen.

Bizneset po u thonë “stop” kërkesave për paga më të larta. Ajo që në gjuhën ekonomike quhet produktivitet i ulët, për bizneset është rritje e kostove, pa mundur të rrisin të ardhurat nga shitja e mallrave dhe shërbimeve.

Informacioni i fundit ekonomik zyrtar mbi ndërmarrjet tregon se në vitin 2023, shpenzimet e bizneseve përpara janë rritur shumë më tepër se të ardhurat.

Të ardhurat totale të të gjitha bizneseve shënuan rritje vjetore me vetëm 0.7% në vitin 2023, teksa shpenzimet për paga u rritën me 17% në një kohë që numri i të punësuarve me pagë u rrit me vetëm 2.1%.

Vitin e kaluar, pagat në sektorin privat u rritën më pak se në atë shtetëror. Paga në sektorin privat arriti në 71,162 lekë në muaj bruto, me rritje 5% nga viti 2023, ndërsa paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në mbi 92 mijë lekë, me rritje vjetore 12%.

Diferenca ndërmjet pagave në sektorin privat dhe atë shtetëror u thellua më tej, pasi politika e qeverisë për të nxitur pagat në privat duke rritur pagat e administratës nuk funksionoi.

Paga mesatare në sektorin privat ishte sa 77% e pagës mesatare në shtet nga 80% që ishte ky raport më 2023.

Kërkesa e ulët nga jashtë për mallra shqiptare dhe zhvillimi i ekonomisë drejt sektorëve me vlerë të ulët po kufizojnë mundësitë e bizneseve për të përdorur pagat si mjet për të plotësuar nevojat për punonjës.

Në këtë situatë, shumë biznese po qëndrojnë në vendnumëro dhe të tjerë po plotësojnë nevojat me punonjës të huaj. Të tjera biznese po mundohen të shfrytëzojnë avantazhet e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.

Agjencitë e punësimit që sjellin punonjës nga jashtë kanë ankesa ndaj bizneseve shqiptare, pasi shumica e tyre nuk kanë njohuri për burimet njerëzore, kontratat dhe detyrimet.

P.sh. disa kompani ndërtimi marrin punonjës turq dhe indianë, që fillimisht i joshin me kushte të mira dhe paga të larta, por që nuk i respektojnë më pas.

Pasi kalon një muaj ose dy, grupet e punonjësve ikin dhe vijnë të tjerë, që largohen sërish, por ndërkohë kompania (në këtë rast ndërtuesi) ka arritur të kryejë volumet e punës.

Ekspertët e burimeve njerëzore janë të shqetësuar për këtë sjellje të kompanive shqiptare, e cila ndikon shumë negativisht në vendet e origjinës ku Shqipëria synon të sjellë punonjës të huaj.

Pagat, rritje më pak se pritshmëritë

Ekspertët e burimeve njerëzore parashikuan në janar të vitit 2025 se rritja mesatare e pagave këtë vit do të ishte rreth 7%.

Zoti Pashaj e dha këtë parashikim, pasi analizoi buxhetet e kompanive për vitin 2025, ku vërejti se në kompani të ndryshme, rritja minimale do të ishte 4% dhe maksimale deri në 12%, për sektorë dhe pozicione të caktuara, por norma mediane do të ishte rreth 7%.

Por zhvillimet në tregun e punës nga janari në maj 2025 tregojnë se rritja e pagave do të jetë më e ulët, në kufijtë e inflacionit, sipas z. Pashaj.

“Mesa duket, volumet në shitje dhe rritja në biznes nuk është e tillë sa të motivojë rritje kostosh të tjera”, tha ai. Ndërkohë cilësia e punës nuk po ecën në proporcion të njëjtë me rritjen e pagave.

Dy vitet e fundit, shumë biznese kanë menduar se duke rritur pagat do të kenë më shumë të ardhura, (punë më cilësore, etj.), por nuk ka ndodhur kështu.

Pas pandemisë, pagat janë rritur vetëm nga presioni i tregut, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore dhe konkurrencës ndërmjet punëdhënësve, sepse dikush ofron më shumë dhe e merr nga dikush tjetër që nuk ofron aq shumë, etj.

Kjo rritje pagash, e cila nuk është shoqëruar me rritje të produktivitetit, duket se është ezauruar. Z. Pashaj tha se pritshmëritë për rritjen e pagave janë rishikuar me ulje të fortë në 4-mujorin e parë 2025.

Irida Vela, një tjetër eksperte e burimeve njerëzore, tha se në Shqipëri, pagat po rriten ngadalë, më së shumti në sektorët e IT-së, bankave dhe prodhimit.

Jashtë vendit, pagat për profesionet e përmendura janë shumë konkurruese dhe shpesh shoqërohen me përfitime të tjera.

Ajo tha se profesionet me perspektivë janë ato në teknologji, analiza të të dhënave, kujdes shëndetësor dhe menaxhim projektesh.

Prej gati dy vitesh ka vështirësi në analizimin e të dhënave zyrtare mbi punësimin, për shkak se INSTAT nuk ka harmonizuar popullsinë zyrtare me të dhënat e Censit 2023.

Banka e Shqipërisë, në vrojtimet e saj për 3-mujorin e parë 2025, referoi se rritja e kërkesës për mallra e shërbime do të shoqërohet me krijim të vendeve të reja të punës dhe rritje të mëtejshme të pagave.

Megjithatë, kërkesa për punë në 6-mujorin e dytë 2024 është rritur më ngadalë dhe pritjet për krijimin e vendeve të punës janë më të ulëta.

Treguesit e tërthortë tregojnë se punësimi është rritur, teksa bizneset vijojnë të hasin vështirësi në plotësimin e vendeve të lira. Banka e Shqipërisë pohoi se pagat në sektorin privat vijuan rritjen, por me ritme më të ulëta, duke zbutur presionin mbi kostot e punës për njësi.

Rezultatet e Vrojtimit të Besimit të Bizneseve në industri, ndërtim dhe shërbime treguan si faktor kufizues në aktivitetin e firmave “mungesën në forcën e punës”.

Treguesit e vrojtimeve dëshmojnë për pritje më të ulëta të bizneseve për punësimin dhe për papunësi më të lartë nga konsumatorët, gjatë tremujorit të katërt 2024.

Punonjësit e huaj, nuk ka stabilitet

Shumë biznese, që janë duke tentuar të plotësojnë nevojat me punonjës të huaj, po eksperimentojnë me vende dhe agjenci të ndryshme. Burimet nga tregu pohojnë se punonjësit e ndërtimit po vijnë nga Turqia, ndërsa punonjësit e pastrimit dhe prodhimit në fabrika, nga Azia.

“Tendenca e punësimit të të huajve është në rritje dhe kështu do të vijojë, pasi nuk ka mënyrë tjetër. Por punonjësit e huaj ende janë shumë pak, 10-12 mijë leje pune në total. Ky treg konsiderohet vunerabël si në klientë vendas dhe në ata që vijnë”, tha z. Pashaj.

Bizneset shqiptare ende nuk kanë përqafuar teknikat e kohës në trajtimin e burimeve njerëzore, si në paga edhe në politika. Për shkak të kësaj mangësie, një pjesë e madhe e të rinjve ikin nga Shqipëria.

Në sektorin e prodhimit (fabrika dhe ndërtim) punonjësit e huaj zënë 5-10% të totalit të punonjësve. Paga e tyre është mesatarisht 500 euro në muaj, teksa sigurohet fjetja dhe një bonus për ushqimin.

Punonjësit e huaj shpesh trajtohen më mirë se ata shqiptarë, edhe pse janë më pak frytdhënës në punë. Njëkohësisht po përdoren si “mjet” për të kërcënuar punonjësit shqiptarë, me idenë që të mos kërkojnë paga më të larta se janë të zëvendësueshëm.

Z.Aliaj, një djalë në të 30-tat, i cili punon në një kompani ndërtimi në Tiranë tha se gati 30% e kolegëve janë nga Turqia.

“Edhe pse i marrin me kushte më të mira se ne (70 euro dita) kur vjen puna te pagesat dhe qiraja, pronari nuk e mban fjalën.

Kemi ndërruar tre ekipe me punonjës nga Turqia për një vit. Turqit ikën se nuk morën pagat e premtuara, por ndërkohë pronari i mbaroi punimet”, tha Aliaj.

Rriten kërkesat nga jashtë për punonjës shqiptarë

Kërkesat nga jashtë për punonjës nga Shqipëria si me kualifikim, ashtu edhe pa kualifikim, po rriten, ndërsa është zgjeruar edhe gjeografia e vendeve europiane që po synojnë tregun shqiptar të burimeve njerëzore.

Kërkesat për punonjës shqiptarë të përqendruara kryesisht në Gjermani, tani po shtrihen edhe në vende të Europës së Veriut, gjithashtu, edhe gama e profesioneve që po kërkohen po zgjerohet.

Irida Vela, profesioniste me përvojë të gjatë në menaxhimin e burimeve njerëzore, pohoi se ka rritje të qëndrueshme për punonjës shqiptarë, sidomos nga Gjermania, Italia dhe vendet nordike. Shqipëria po shihet si një burim i rëndësishëm i fuqisë punëtore të përgatitur mirë, veçanërisht në shëndetësi, teknologji dhe profesione të kualifikuara.

Kjo prirje, sipas saj, pritet të vazhdojë, por rrezikon të përkeqësojë mungesën e profesionistëve brenda vendit. Infermierët, mjekët, IT specialistët, ndihmësit socialë dhe punëtorët sezonalë (në ndërtim, bujqësi, turizëm) janë më të kërkuarit.

Vendet që kërkojnë më shumë punonjës shqiptarë janë Gjermania, Austria, Italia, Suedia.

Të dhëna nga agjencitë e punësimit referojnë se po rritet kërkesa për dentistët shqiptarë dhe profesione me më pak aftësi, të tilla si punonjës ndërtimi, kujdestarë për të moshuar etj.

Nga përpunimi i të dhënave të “Pantheon”, një agjenci private punësimi, rezulton se nga 160 vende pune të lira, rreth 60% i takojnë tregut të huaj dhe 40%, tregut shqiptar. Ofertat më të mëdha për punësim jashtë i takojnë Gjermanisë, Italisë dhe Zvicrës.

Paga në tregun e huaj për punonjës shqiptarë variojnë nga 1000 euro për pastrues në Gjermani deri në 4000 euro për shef kuzhine në Itali.

Të dhënat tregojnë se në tregjet jashtë ka kërkesë për sanitare, kujdestare, personel bari dhe restoranti, ndërsa edhe në Shqipëri, kërkesa më e lartë për punonjës shihet në sektorin e bareve dhe restoranteve, punonjës supermarketesh dhe sanitare biznesesh, punonjës ndërtimi etj.

Jashtë vendit dominon pagesa fikse mujore, përfshirë akomodimin falas, ndërsa brenda vendit shpesh përdoret pagesa ditore (2000 – 3 000 lekë / ditë) ose pagesë bazë + bakshish, ndërsa për punonjësit e ndërtimit, pagat variojnë 4500-5000 lekë në ditë.

Kërkesa e madhe për punonjës nga vendet e Europës po nxit më tej emigracionin. Të dhënat e Eurostat treguan se gjatë 2022 dhe 2023 kanë emigruar në vendet e Europës rreth 100 mijë shqiptarë, të cilët më së shumti ikin me kontrata pune dhe jo si azilkërkues.

Profesionet, trendet dhe disbalancat e vitit 2025

Të dhënat e përditësuara deri në maj 2025 nga platforma Duapune.com  tregojnë një tablo interesante të tregut shqiptar të punës, ku punëdhënësit vazhdojnë të kërkojnë profile të lidhura me shitjet dhe shërbimin ndaj klientit, ndërsa punëkërkuesit orientohen kryesisht drejt financës dhe profesioneve inxhinierike.

Të dhënat tregojnë një hendek midis kërkesës dhe ofertës së aftësive.

Sipas indeksit Duapune.com, në muajin maj 2025, sektori i shitjeve (Agjent shitje, Menaxher shitjesh, Shitës) përbën 13 % të të gjitha njoftimeve në listën e 20 punëve me të ofruara në Duapune.com.

Sektori i financës (me profesione si financier, ekonomist, analist kredie, etj.) zënë 12.5 % të totalit të ofertave dhe teknologjia (informaticien dhe të tjera nga IT) zunë 4.1 % të ofertës, teksa mbi 6% e ofertave ishin për punonjës në sektorin e ndërtimit.

Nga ana tjetër, kërkesat nga punëkërkuesit në 20 kategoritë kryesore, rreth 20% ishin për profesione që kishin lidhje me ekonominë dhe financën, 15% e kërkesave u përkisnin profesioneve që kishin lidhje me inxhinierinë dhe profesionet kreative (montazhier, dizajner, balerin, kostumograf) përbënin 7.5 %, ndonëse oferta e punëdhënësve mungon pothuajse tërësisht për këto profesione.

Rreth 41% e punëkërkuesve ishin të grupmoshës 34-44 vjeç, 24% të kërkesave për punë ishin të moshës 35-44 vjeç dhe grupmosha 25-34 përbënte 24% kërkesës për punë. Të rinjtë nën 25 vjeç përbënin vetëm 3% të punëkërkuesve dhe 7% ishin në moshën 45-54 vjeç.

Nga të dhënat e Duapunë.com shihet se oferta e punëdhënësve për sektorin e shitjeve është shumë më e madhe se kërkesa e punëmarrësve për këto profesione.

Për profesionet e financës kërkesa dhe oferta janë më të balancuara, ndërsa ka një hendek në aftësitë dixhitale. Punëdhënësit kanë vështirësi të gjejnë punonjës shitjesh dhe IT, ndërsa një numër i madh kandidatësh financiarë dhe punonjës të dizanjit konkurrojnë për shumë pak vende të lira pune.

Të dhënat sugjerojnë se bizneset duhet të përmirësojnë pagat dhe kushtet e punës për profesionet në mungesa, ndërsa sistemet arsimore në vend duhen të përshtatin ciklet e studimet me nevojat e tregut të punës.

Më 2025, pagat më të lara jepen për pozicione më të rralla. Menaxherët dhe profesionet e specializuara në financë, IT dhe inxhinieri përbëjnë 7% të njoftimeve të biznesit, por ofrojnë 30-60% mbi pagën mesatare kombëtare.

Gati 78% e njoftimeve janë në kryeqytet dhe kjo shton konkurrencën, por dhe potencialin për pagë më të lartë./ Monitor.al

Pas zgjedhjeve mbaron “Paqja fiskale”, fillon “lufta”

Dy ditë para zgjedhjeve, qeveria miratoi dhe një vendim për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024.

Më herët, po përpara zgjedhjeve, qeveria shpalli nismën për “Paqe Fiskale”, që parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore të akumuluara prej më shumë se 10 vitesh dhe faljen e pjesshme të detyrimeve 5 deri në 10-vjeçare.

Nisma nuk ishte e papritur, pasi gjithnjë para periudhave zgjedhore, qeveria tenton të bëjë “paqe” me biznesin.

Shqipëria ka zbatuar ndërhyrje të tilla të herëpashershme, duke filluar nga viti 2008, kur u falën detyrimet tatimore dhe doganore të prapambetura deri më 31 dhjetor 2007, apo në 2014-n, (kur u falën gjoba dhe kamatëvonesa për tatimpaguesit që kryenin pagesën e principalit deri më 31 dhjetor 2014, me synim formalizimin e borxheve tatimore dhe falje administrative).

Tentativat e herëpashershme të viteve të fundit për një amnisti fiskale dhe administrative për deklarimin e fitimeve të paregjistruara nuk kanë arritur të bëhen realitet, për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme të institucioneve financiare, duke detyruar qeverinë ta “fshehë” amnistinë nëpërmjet paqes fiskale.

Edhe kjo nismë nuk iu shmang debatit të përhershëm të dëmit moral, që shkaktojnë këto lloj lëvizjesh, pasi stimulon evazorët dhe fshehjen e detyrimeve, sikurse dekurajon tatimpaguesit e rregullt dhe që kanë paguar detyrimet.

Historia e vërteton këtë shqetësim. Në fund të vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve, gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në afat kap vlerën e 162,5 miliardë lekëve, apo rreth 1,6 miliardë euro, me rritje prej 4.7% në krahasim me vitin e kaluar.

Por, paqja duket se u shua menjëherë pas zgjedhjeve, ende pa nisur. Vendin e saj e zuri “lufta”. Bizneset raportojnë se kontrollet e inspektorateve të Punës apo Shëndetësore, që ishin qetësuar muajt e fundit, kanë rifilluar vrullshëm.

Administrata Tatimore mori së fundmi akses të menjëhershëm në informacionin mbi mjetet e regjistruara, që do të mundësojë monitorimin e të dhënave në kohë reale, me qëllim mbledhjen e borxheve tatimore, duke paralajmëruar intensifikim të procesit të mbledhjes me forcë të detyrimeve.

Që Shqipëria ka një nivel të lartë evazioni, ky nuk është një sekret. Të ardhurat që qeveria arkëton nga taksat që paguajnë bizneset dhe individët kanë ardhur në rritje në vlerë vit pas viti, por në raport me madhësinë e ekonomisë, janë luhatur që pas vitit 1998, në kufirin e 26-28% të PBB-së.

Ky nivel është shumë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 40% e PBB-së, apo dhe se vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Kosovës), që luhaten në 34-40% të PBB-së.

Informaliteti më i lartë mbetet në tregun e punës, me të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore që nuk e kalojnë 6% të PBB-së, sa gjysma e mesatares europiane.

Format për të luftuar evazionin janë të shumta, por as lufta dhe as paqja fiskale, që japin mesazhe të kundërta te tatimpaguesit, nuk hyjnë në to.

Forcimi i administratës tatimore nëpërmjet dixhitalizimit të sistemit të faturimit dhe raportimit financiar rrit transparencën dhe ul hapësirat për shmangie.

Po ashtu, zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, veçanërisht në sektorin informal, dhe ofrimi i stimujve për deklarim vullnetar, janë mjete të efektshme.

Legjislacioni i qëndrueshëm, një sistem i thjeshtuar me pak shkallë tatimore, procedura të lehta deklarimi dhe pagesash dhe rregulla të qarta ndihmon në uljen e kostove të përputhshmërisë për bizneset dhe individët. Kjo i bën më të lehta respektimin e detyrimeve tatimore dhe redukton nxitjen për shmangie.

Edhe Qeveria duhet të japë një mesazh të fuqishëm kundër evazionit fiskal dhe në favor të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore duke treguar në mënyrë të qartë dhe transparente se si taksat shndërrohen në shërbime publike konkrete dhe cilësore.

Kjo kërkon që të ardhurat nga taksat të administrohen me efikasitet, integritet dhe transparencë, duke u orientuar drejt përmirësimit të infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

Sa më i lartë shpërdorimi, nëpërmjet koncesioneve jo eficiente, korrupsionit në tendera, lejimit të evazionit, aq më e fortë do të jetë dhe “rezistenca” e bizneseve dhe individëve.

Vetëm kur qytetarët shohin se kontributi i tyre tatimor përkthehet në përmirësim real të jetesës, kjo do të rrisë besimin në shtet dhe do të zvogëlojë motivimin për shmangie fiskale.

Për momentin, shenjat janë që “lufta” ka për të vazhduar deri në “paqen” e zgjedhjeve të radhës./ Monitor.al

Fitim Zekthi: SHBA e bëri të qartë qëndrimin të cilin PD nuk e lexon dot

Nga Fitim Zekthi

Një nga tiparet më të dallueshme të politikës dhe gjuhës populiste, një nga shenjat më të forta të politikës që nuk pranon kurrë një të vërtetë veç asaj që prodhon vetë është përpjekja e saj për të mbajtur nën kontroll mendjen e publikut me anë të mënyrës se si komunikon me të. Publiku ose një pjesë e publikut nuk duhet të mendojë, nuk i duhet as të ketë kohë të mendojë. Publikut i duhet folur vazhdimisht me klishe, me fjalë kallpe të cilat duhet të përsëriten vazhdimisht. Klisheja ka vetinë të shkëpusë kontaktin e menjëhershëm me realitetin. Duke bërë këtë shkëputje me realitetin ajo e fut ose përpiqet ta fusë publikun, një pjesë të tij ose individin në një realitet tjetër. Klisheja thotë Piotr Fidelius, një mendimtar i njohur i disidencës antikomuniste çeke, i bie tangent në kokë indidvidit dhe mund të lerë vetëm një gjurmë e cila mjafton që të mos e lejojë atë të mendojë vetë me kokën e tij.

Pas kësaj vjen një klishe tjetër dhe një klishe tjetër dhe koka e indidvidit bëhet shënjestër ka në mënyrë tangenciale bien vazhdimisht klishe. Në këtë rast ai nuk mendon më vetë por mendon sipas klishesë, është klisheja në fakt mendimi i vetëm i tij.
Në Rama funksionon gjithnjë në këtë mënyrë prej vitesh. Berisha gjithashtu funksionon prej vitesh po në këtë mënyrë. Rama e përdor për “pasaportën europiane”, për “Shqipërinë e zhvilluar”, për “arritjet historike”, për “shpatën e drejtësisë që ia dha SPAK-ut” për “përgjegjësinë personale të atyre që hanë mollët dhe dardhat” etj. Ai e di që publiku, ai të cilit i drejtohet do të mendojë pak a shumë me këto klishe. Berisha e përdor “narkoshtetin”, për “PD-në që tashmë është çliruar dhe është më e fortë se kurrë”, për “komplotin sorosian”, për “SPAK vegël e krimit”, etj.
Pas zgjedhjeve përdormi i klisheve është rritur gati në progresion gjeometrik sidomos mos nga Berisha dhe PD-ja. Ata duan me çdo kusht të mos i lejojnë votuesit dhe anëtarët e PD-së, sigurisht as deputetët që të mendojnë vetë, që të kenë kohë të mendojnë vetë. Klishetë me “masakrën më të madhe zgjedhore në histori”, me “terrorin e krimit ditën e zgjedhjeve” kanë marrë dhenë. Denduria e përdorimit të tyre është aq e lartë sa askush nga anëtarët e PD-së apo nga deputetët dhe zyrtarët e PD-së nuk ka patur as kohë dhe as mundësi të mendojë ndryshe ose të ndalet dhe të mendojë nëse ka diçka ndryshe nga klishetë.

Edhe në lidhje me qëndrimin ndërkombëtar për zgjedhjet përdorimi i klisheve kaq i madh. Berisha po thotë që informoi Partitë e Djathta të botës dhe ato tashmë po e shikojnë dhe analizojnë “masakrën e tmerrshme”. Në lidhje me urimet e liderëve politikë të qeverive të Gjermanisë, Francës, Italisë (vendet më të fuqishme të BE-së) Berisha dhe PD po thonë që ishin urime për mirësjellje. Nga njerëz afër tyre në shtyp thuhet se ata janë thjesht liderë sorosianë dhe kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Rëndësi ka vetëm SHBA-ja e cila sipas tyre do t’i bëjë hatanë Ramës.

Në lidhje me deklaratën e ambasadës amerikane për zgjedhjet dhe në lidhje me një pjesë të deklaratës së Zëvendës sekretariatit të shtetit Christofer Landau të cilën e publikoi ambasada amerikane në Tiranë përsëri PD tha se SHBA-ja nuk uroi Ramën, nënkuptoi farsën elektorale dhe me kalimin e kohës Rama do ta ketë keq punën.
Klishetë vazhdojnë edhe më paprerë por ndalemi deri këtu. Le të shohim pak vetëm ato që lidhen me reagimet e SHBA-së dy tre ditët e fundit. Në fillim ambasada e SHBA-së tha se “… SHBA uron popullin shqiptar për zgjedhjet. Presion të vazhdojmë partneritetin e ngushtë me popullin shqiptar”. Pas kësaj deklarate ambasada publikoi një pjesë të mesazhit të zëvendës sekretarit të shtetit Landau i cili thoshte se “Shtetet e Bashkuara mund të jenë një partner i gatshëm me kapital të konsiderueshëm politik. Mund të punojmë shumë; por do të punojmë vetëm me ata që janë të përkushtuar ndaj një realizmi praktik për vendet e tyre. Ne i refuzojmë të dy ekstremet e papranueshme të dëshirës për një transformim të jashtëzakonshëm, nga njëra anë, ose të rishikimit të ankesave të lashta, nga ana tjetër. Politika e pafundme dhe e zgjeruar, pa kufizim dhe përulësi historike, bëhet një armik i strategjisë dhe i shtetndërtimit kushtetues. Ky nuk është qëllimi ynë, funksioni ynë, apo misioni ynë”.

Berisha dhe PD-ja thanë se urimi i ambasadës nuk uronte Ramën. Ata thanë se para katër vitesh ambasada dhe departamenti i shtetit uruan Ramën. Pra, këtë herë ata nuk janë më me Ramën. Këtë nuk është më fryma e Soroisit dhe kontrolli i Sorosit. Për deklaratën e dytë nuk pati ndonjë qëndrim specifik por u la të kuptohej se SHBA nuk është me Ramën dhe se tashmë në krye të SHBA-së janë njerëz që do ta çrrënjosin Sorosin dhe sigurisht ngadalë edhe Ramën.

Në të vërtetë deklarata e parë e ambasadës dhe fragmenti I dytë i Landau-ut janë pjesë e së njëjtës filozofi politike. Një filozofi politike e nisur që nga 20 janari kur presidenti Trump mori detyrën. Kjo filozofi kërkon që SHBA të mos përfshihet në punë të botës, punë të cilat nuk e bëjnë SHBA-në “më të fortë, më të sigurt dhe me të zhvilluar”. Këtë u ka kërkuar edhe sekretari Rubio ambasadave në botë në dtën 21 janar sapo mori detyrën. Filozofia e re është pak a shumë izolacionizmi, një rrymë e njohur prej shekujsh në SHBA e cila ka qenë dominuese para luftës së dytë botërore. Është kjo filozofi e cila bëri që të rrëzohen nga kongresi marrëveshjet për Lidhjen e Kombeve të nënshkruara nga presidenti Willson në vitet 1920. Presidenti Willson madje ishte autori i këtyre marrëveshjeve. Pra, SHBA nuk do futet fare në Lidhjen e Kombeve. Kjo filozofi i ka rrënjët tek Etërit Themelues dhe tek fjalimi i lamtumirës i presidentit të parë George Washington. Shkurt SHBA sot e sheh rolin e saj në botë më të reduktuar. Në këtë linjë kanë qenë edhe qëndrimet e Zëvendëspresintit J D Vance në Mynih, të Sekretarit të Mbrojtes Hegseth po në Mynih. Në këtë linjë janë edhe qëndrimet për Ukrainën. Në këtë linjë janë qëndrimet për BE-në kur presidenti Trump tha se BE është krijuar për të dëmtuar SHBA-në. Në këtë linjë janë edhe qëndrimet për konfliktin Indi-Pakistan (dy vende bërthamore) kur SHBA tha se nuk është lufta jonë dhe nuk ndërhyjmë fare. Në këtë linjë është edhe mospërfshirja fare e SHBA-së për konfliktin politik në Kosovë ku ka 23 seanca parlamenti që nuk zgjedh dot një kryetar dhe vendi është në krizë të plotë. Ambasada amerikane dhe departamenti i shtetit në Kosovë nuk kanë bërë asgjë ndryshe nga dikur kur bënin gjithçka.
Pra, SHBA është tashmë më larg dhe më pak e interesuar. Ajo, për fatin tonë ekstremisht të mirë në këtë rast, ka dërguar një mesazh urimi për pavarësinë e Kosovës dhe ka dërguar sërish ekspertët e saj të FBI-së dhe departamentit të drejtësisë për të ndihmuar SPAK-un.

Kështu që deklarata e ambasadës për zgjedhjet është një gjë që edhe mund të mos vinte fare. Erdhi dhe për fatin e keq të gjuhës dhe klisheve të PD-së, duke uruar popullin për zgjedhjet i quan zgjedhjet të mira. Nuk do uronte popullin për një farsë apo një masakër. Këtë qëndrim të mosinteresimit si dikur të SHBA-së e thekson edhe më deklarata e zëvendës sekretarit Landau. Ai thotë që SHBA “do të ndihmojë kur “kërkohet dhe kur është e justifikuar ndihma”. Me justifikim është ajo që e bën SHBA-në “më të fortë, më të sigurt dhe më të zhvilluar”. Ai tha edhe se ata nuk duan ekstremizma të asnjë krahu dhe me sa duket ambasada amerikane e publikoi pikërisht për të thënë që SHBA nuk i do qasjet ekstrem, ishte të Ramës dhe Berishës.
Pra as Rama dhe as Berisha nuk janë në fokus të SHBA dhe as në pëlqimin e SHBA personalisht. Në fokus por shumë më të zbehtë se sa dikur janë Shqipëria dhe njerëzit. Zgjedhjet mbaruan për amerikanët por kanë mbetur klishetë tona./liberale.al

1 Qershori i programit të shpresës dhe goditjes politike

Një vit më parë, më 1 qershor 2024, Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha prezantoi për herë të parë në historinë e politikës shqiptare një program të plotë qeverisës një vit përpara zgjedhjeve. Ky hap u cilësua si një akt i guximshëm dhe i paprecedentë që shënoi një frymë të re në opozitë dhe solli shpresë për një të ardhme ndryshe. Por, vetëm dhjetë ditë më vonë, sipas ish-deputetes Mirela Karabina, gjithçka u përmbys nga një ndërhyrje e fortë politike që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve.

Më poshtë po publikojmë të plotë reagimin e Karabinës në rrjetet sociale:

1 Qershor – Një vit më parë
Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha prezantoi programin e saj qeverisës, për herë të parë në historinë politike shqiptare, një vit përpara zgjedhjeve parlamentare një forcë politike prezanton programin për publikun.
Një qasje e re, një mendësi ndryshe, një politikë e re euroatlantike.
Programi ynë hartuar në bashkëpunim me ekspertë të huaj dhe shqiptarë ishte një program që adresonte realisht problemet e qytetarëve dhe ofronte zgjidhje konkrete për: pronën, familjen, arsimin, shëndetësinë e sigurinë.
Por vetëm 10 ditë më pas, më 11 qershor Edi Rama ndërhyri në mënyrë të paprecedentë dhe i dha vulën e PD-së Rithemelimit të Sali Berishës.
Një vendim që nuk kishte lidhje me ligjin, por me pazarin politik.
Kështu Rama siguroi mandatin e katërt në tavolinë dhe 86 deputetë përmes kodit zgjedhor të përçudnuar nga pazari PS-PD, pazar në kurriz të opozitës, shqiptarëve dhe demokracisë.
Shqipëria meriton më shumë se një lojë pazari mes qeverisë dhe një opozite të kapur.

Konkursi i parë bukurisë për fëmijë në Shqipëri: një ngjarje e veçantë e vitit 1931

Nga dr. Hasan Bello

Në historinë botërore konkursi i parë i bukurisë për fëmijë është organizuar në vitin 1921 në Atlantic City ku morën pjesë fëmijë të vegjël që përfaqësonin qytete të ndryshme të ShBA-së. Në Shqipëri një konkurs i ngjashëm u organizua në kryeqytet më 2 gusht 1931, i cili zyrtarisht u quajt “Konkursi i Bukurisë Foshnjore Shqiptare”.

Në këtë konkurs u vlerësuan fotografitë e 14 vajzave të vogla. Komisioni përbëhej nga Inspektori i Arsimit Osman Myderrizi, Skënder Luarasi dhe Aleks Lubonja. Pjesë e tij ishte edhe znj.Elena Trajan dhe prof. Andrea Thanasi, por për arsye personale, nuk ishin të pranishëm në këtë proces.

Në parim komisioni konstatoi se fotografitë e paraqitura kishin rezolucion të dobët. Megjithatë, ai i vlerësoi duke u mbështetur në tiparet dhe ekspresionet foshnjore të fizionomisë së vajzave. Komisioni përzgjodhi tre prej tyre: 1) Albin Tefiku e moshës dy vjeçare e gjysmë, e bija e doktorit të njohur Sabri Tefiku; 2) Behixhe Libohova e moshës dymbëdhjetëvjeçare, e bija e Maliq Libohovës, i Ngarkuari me Punë në Londër; 3) Eta Bimbli e moshës katër vjeç e gjysmë, e bija e Thoma Bimblit, anëtar i Bandës Mbretërore.

Në vend të parë siç shihet u zgjodh Albin Tefiku. Vendimi u dha në zyrat e gazetës “Ora”, e cila do t`u dhuronte prindërve të këtyre vajzave nga një fotografi të madhe artistike.

Ky konkurs mbetet një shembull i hershëm i përpjekjeve për të sjellë modele të reja kulturore në Shqipërinë e viteve `30, në një kohë kur vendi po hidhte hapat parë drejt modernitetit.

Zgjedhjet presidenciale në Poloni/ Garë e fortë mes një pro-evropiani dhe një skeptiku! Rezultati, vendimtar për të ardhmen në BE

Garë e fortë në zgjedhjet e balotazhit në Poloni mes Rafal Trzaskowskit, pro-evropian dhe konservatorit të krahut të djathtë, Karol Nawrocki. Rezultati është vendimtar për të ardhmen e Polonisë në BE.

Rafal Trzaskowski apo Karol Nawrocki? Proevropiani apo skeptiku? Në balotazhin e së dielës, (01.06) për zgjedhjet presidenciale në Poloni votojnë edhe polakët në Gjermani. Preferencat e tyre janë të ndryshme nga bashkatdhetarët në vendlindje.

Takuam Ewan, e cila rregullisht e ka dhënë votën e saj kur janë zhvilluar zgjedhje në Poloni. Edhe pse jeton në Gjermani për 40 vjet dhe ka pasaportë gjermane, ajo gjithmonë voton. Fillimisht në Gjermani erdhi si refugjate politike, po Ewa ende ka të afërm në vendin e saj të origjinës. Në Poloni ajo ndihmoi madje në një fushatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit atje nga viti 2015 deri në vitin 2023, kur partia konservatore kombëtare PiS sundonte vendin.

Rreth dy milionë njerëz me rrënjë polake jetojnë në Gjermani, mbi 850,000 prej tyre kanë vetëm pasaportë polake. Kushdo që ka shtetësi polake ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje në Poloni – por vetëm rreth 80,000 nga “polakët gjermanë” e ushtruan këtë të drejtë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dy javë më parë.

Që të munden të votojnë qytetarët polakë që banojnë në Gjermani duhet të regjistrohen në një listë në konsullatë. Kjo kërkon një kartë identiteti ose pasaportë të vlefshme polake, të cilën shumë emigrantë polakë në Gjermani nuk e kanë më. Edhe distancat e gjata deri te qendrat e votimit kanë efekt pengues: Gjithsej ka 54 qendra votimi në qytete të mëdha gjermane si Hamburgu, Berlini, Këlni, Mynihu dhe Dortmundi. Për shumë polakë që jetojnë në Gjermani, udhëtimi për në qendrën e votimit mund të jetë 200 kilometra larg ose më shumë. Nuk ka votim me postë.

“Vota është një detyrë për mua, të cilën e përmbush me kënaqësi”, shprehet Ewa. Kjo është arsyeja pse ajo po merr pjesë edhe në zgjedhjet presidenciale të këtij viti – si mbi 112,000 polako-gjermanë që u regjistruan në listat zgjedhore deri të martën në mbrëmje (27 maj 2025). Një e katërta më shumë se në raundin e parë të votimit. E më shumë se kurrë më parë.

Nawrocki në vendin e tretë
Rezultatet e raundit të parë të votimit tregojnë qartë: polakët në Gjermani votojnë ndryshe nga bashkëqytetarët në vendlindje. Rafal Trzaskowski, liberal dhe pro-evropian, doli i pari në të dy votimet – në Gjermani me 40.6 përqind krahasuar me 31.6 përqind të votave që arriti në Poloni. Ndërsa në Poloni, nacional-konservatori Karol Nawrocki doli i dyti, në Gjermani këtë vend e zuri ekstremisti i krahut të djathtë Slawomir Mentzen, pra vendin e dytë me 18.8 përqind.

Nawrocki u rendit i treti në Gjermani me vetëm 14.5 përqind – në Poloni numri i votave ishte më shumë se dyfish më i lartë, 29.5 përqind. Nëse preferencat e polakëve që jetojnë në Gjermani do të kishin qenë vendimtare në raundin e parë të votimit, kandidati nacionakonservator nuk do të ishte pjesë e zgjedhjeve të balotazhit.

Fitorja e Trzaskoskit nuk ishte e papritur. Që pesë vjet më parë, kryetari aktual i bashkisë së kryeqytetit polak, Varshavës, fitoi zgjedhjet e balotazhit në Gjermani me mbi 70 përqind kundër presidentit në detyrë, konservatorit kombëtar Andrzej Duda. Por megjithatë, në Poloni i humbi zgjedhjet.

Habi shkaktoi vendi i dytë për Mentzen, i cili përfundoi i treti në Poloni në raundin e parë. Në përgjithësi, kandidatët ekstremistë të krahut të djathtë në Gjermani arritën një rezultat shumë të mirë. Në Gjermani, 28 përqind e votuesve votuan për Mentzenin dhe antisemitistin dhe antievropianin Grzegorz Braun, ndërsa në Poloni, 22 përqind.

Mentzen i partisë libertariane të krahut të djathtë ekstrem, Konfederacja, është në Parlamentin Europian në një grup me AfD-në. Kurse Braun sapo humbi imunitetin si eurodeputet sepse shuajti qirinjtë e Hanukkah në parlamentin polak, Sejm, dhe sulmoi një grua që u përpoq ta ndalonte.

Lodhje nga sistemi dypartiak
“Unë vendosa për Braun”, u shpreh Damian [emri i ndryshuar, red.]. Ai vjen nga Polonia veriore dhe ka punuar si punëtor ndërtimi në Gjermani për vite me radhë. Kohën e lirë në Berlin Damian e kalon në një diskotekë polake. “Braun e vlerëson historinë polake, ai kultivon të qenurit polak. Liberalëve nuk u intereson kjo”, shpjegon Damian. «Ata duan të shfaqen si evropianë, aq sa do të na nënshtrojnë tek Brukseli», ka frikë Damian. Për ta parandaluar këtë, mendon, se duhet të marrë pjesë “padyshim” në zgjedhje.

As Piotri nuk mund ta imagjinojë veten të mos e përmbushë detyrën si qytetar. “Katoliku i devotshëm”, siç e quan veten, ka një punë të paguar mirë në Gjermani, ku jeton prej gati 40 vitesh. Fëmijët, të cilët kanë lindur në Gjermani, votojnë vetëm në zgjedhjet gjermane, ndërsa Piotr merr pjesë si në zgjedhjet gjermane ashtu edhe në ato polake. “Unë votova për Mentzenin,” zbulon ai. “Ai është inteligjent, e njeh ekonominë dhe më e rëndësishmja – nuk ka të bëjë fare me sistemin aktual.”

Me sa duket ky “sistem” ka rëndësi për shumë polakë gjermanë, beson politologia Agnieszka Lada-Konefal: “Votuesit që mbështesin Braun dhe Mentzen nuk mund të përshkruhen thjesht si anti-evropianë ose anti-semitë”, thotë zëvendësdrejtoresha e Institutit Gjerman-Polak në Darmstadt. “Mbi të gjitha, ata janë ‘kundër-sistemit’, duke mos dashur as Trzaskowski-n dhe as Nawrocki-n sepse, për ta, ata përfaqësojnë sistemin dypartiak që ka ekzistuar prej vitesh. Ata emigruan sepse ndiheshin të disavantazhuar nga ky sistem – dhe nuk duan të kthehen për sa kohë që ai ende ekziston. Ata duan dikë të ri.”

“AfD-ja jonë”
“Ata thjesht votojnë kundër”, shprehet Ewa për votuesit ekstremistë të krahut të djathtë. “Jetojnë këtu në Gjermani, e shohin se si zgjidhet AfD-ja këtu. Dhe pastaj mendojnë: Pse të mos votojmë edhe ne për ‘AfD-në tonë’?” Ewa voton ndryshe. Në vitet e fundit, ajo ka votuar për Trzaskowski-n dhe partinë e kryeministrit në detyrë Donald Tusk, Platformën Qytetare (PO). Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ajo votoi për kandidaten e partisë së Majtës së Re sepse ajo mbron të drejtat e grave. Kjo ishte, siç thotë ajo, “vota e zemrës”.

Çdo votë mund të jetë vendimtare
Përpara kishës polake në Berlin takojmë një tjetër Ewa, rrugës për në kishë. “Të gjithë miqtë e mi polakë janë dakord”, qesh ajo. “Vetëm Rafal Trzaskowski, kush tjetër?” Nuk vendos religjioziteti. “

Shumica e polakëve në Gjermani janë progresivë, kozmopolitë dhe pro-evropianë”, thekson politologia Lada-Konefal. “Për këta njerëz, Trzaskowski është kandidati që do të sigurojë që edhe Polonia të zhvillohet në këtë drejtim.”

Sipas sondazheve të javës para balotazhit të dy kandidatët janë në garë kokë më kokë. Pra, çdo votë mund të jetë vendimtare. Për shumë polakë, përfshirë ata në Gjermani, më 1 qershor nuk bëhet më fjalë për atë se kë duan, por për atë se kë nuk duan. Sipas tyre, ata zgjedhin “të keqen më të vogël”.

Edhe Dana mendon kështu. Ajo erdhi në Berlin sepse komuniteti LGBT në Poloni sulmohej gjithnjë e më shumë nën qeverinë e PiS. “Në raundin e parë, votova për kandidatin e krahut të majtë, sepse vetëm e majta i merr seriozisht njerëzit si ne dhe na mbron. Të dielën, do të votoj për Trzaskowski sepse ai është më pak i keq se Nawrocki.” Dana i zgjedh fjalët me kujdes: “Për ne queerët, zgjedhjet vështirë se sjellin ndonjë gjë të mirë gjithsesi”, thotë ajo me dorëzim. Por Dana e ka gjithashtu të qartë se një president i PiS do t’i sillte të këqija komunitetit të saj.

Edhe Piotr, i cili në fakt do të donte ta shihte ekstremistin e krahut të djathtë Mentzen si president, do të zgjedhë, sipas tij “të keqen më të vogël”. “Jo Trzaskowski! Pikëpamjet e tij ndryshojnë shumë shpesh. Ndonjëherë është katolik, pastaj mbështet lëvizjen LGBT. Ndonjëherë shfaqet me flamurin polak, pastaj me flamurin e BE-së, madje edhe me ngjyrat e ylberit. Nuk mund ta kuptoj këtë”, shpjegon polaku gjerman. “Vota ime shkon për Nawrocki-n.”/DW

Fermerët ankohen për konsumimin e perimeve të importit, ekspertët: Më pak të përkrahurit në rajon

Shqiptarët tryezën nuk e shtrojnë me produktet e vendit, por me ato të importit.

Domatet e Vladimir Çelës nga Karbunara e Lushnjës, si treg të tyre kanë raftet e marketeve jashtë territorit të Shqipërisë, ndërkohë që europianët ushqehen me prodhimet bujqësore made in Albania, shqiptarët blejnë domaten e fermerit turk dhe atij grek, dhe kjo zgjedhje nuk bëhet për shkak të cilësisë, por çmimit.

“Produktet tona janë të destinuara për eksport në Evropë, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Suedi. Prodhimi i vendit tonë shkon jashtë afërsisht 70-80% ikën për eksport, kurse në vendin tonë vjen importi. Pse duhet? Logjika të çon që është për qëllim tregtar”, shprehet fermeri.

Sipas Vladimirit, janë tregtarët ata që prishin imazhin e prodhimit vendas, pasi kështu ulin vlerën e produktit dhe rrisin fitimin e tyre: “Java që u mbyll pati në çmim domateje 60-70 lekë, çmim relativisht i ulët.”

Por ekspertët e ekonomisë kanë tjetër mendim, sipas Romina Radonshiqit, të hash shqip të kushton më shumë, kjo sepse fermeri ynë është i keqsubvencionuar nëse e krahasojmë me atë të rajonit.

“Produktet e importit janë më konkuruese se ato të vendit. Bujqësia është i pari sektor që duhet të subvencionohet së bashku me turizmin dhe agroturizmin. Nëse Shqipëria do të punonte më tepër me bujqësinë, këto produkte që do të eksportoheshin do të zhvillonin sektorin duke konkuruar vendet e BE-së dhe ne do të hanim më shqip”, shton ekspertja.

Për të zgjeruar hartën e eksporteve, dhe për të rritur vlerën e prodhimit, bujku ynë po përpiqet që të nxjerrë në treg një produkt me zero pesticide.

“Të shkoni ku do, si produkti ynë nuk ka. Kjo domate që shikon këtu nuk është bërë me asnjëlloj pesticide dhe pjalmimin e ka me bletë. Ne jemi të gatshëm të survejohemi nga të gjitha dhe të ndahet cilësia dhe çmimi, kështu duam të çertifikohemi.”

Pavarësisht thirrjes së Vladimirit, në çdo sezon bujqësor thirrja e tij mbetet e njëjta: duam më tepër përkrahje nga Ministria e Bujqësisë dhe vetë tregtarët./TCH