21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Gjithnjë e më pak, gjithnjë e më shumë

Nga Lutfi Dervishi

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më shumë kulla

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më shumë administratë

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më shumë trafik

Gjithnjë e më pak fermerë, gjithnjë e më shumë ekspozita bujqësore

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më shumë stadiume

Gjithnjë e më pak fuqi blerëse, gjithnjë e më shumë lokale e dyqane

Gjithnjë e më pak eksport, gjithnjë e më shumë import

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më shumë media

Gjithnjë e më pak intelekt, gjithnjë e më shumë inteligjencë artificiale

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë e më shumë propagandë

Gjithnjë e më pak art, gjithnjë e më shumë show

Gjithnjë e më pak lajme, gjithnjë e më shumë kronika

Gjithnjë e më pak opozitë, gjithnjë e më shumë opozitare të opozitës

Gjithnjë e më pak njerëz, gjithnjë 140 deputetë

Divorcet, afro 12 mijë padi në vit! Punonjësit socialë ankohen për diskriminim në Gjykata

Mbasi i kanë kërkuar ndërhyrje Këshillit të Lartë Gjyqësor, Urdhri i Punonjësve Socialë u kërkon të gjitha gjykatave që të unifikojnë praktikën dhe t’i thërrasin si ekspertë për rastet e divorceve mes çifteve që kanë fëmijë dhe ku sociologu është i caktuar me ligj të përshkruajë rrethanat socio-ekonomike të prindërve.

Punonjësit socialë pretendojnë se nuk ka vetëm shkelje të ligjit, por edhe dëmtohet interesi më i lartë që është ai i fëmijës.

Megjithëse mbeten të preferuarit e gjyqtarëve, edhe psikologët nuk i kanë fort në qetësi situatat, mbasi vazhdojnë vetëjetën për kryetarin.

Nga të dhënat që Këshilli i Lartë Gjyqësor i vendosi në dispozicion Top Channel, rezulton se gjatë 2024 u shqyrtuan 11,909 padi divorcesh, nga të cilat u gjykuan dhe u dha vendim për 7,432 zgjidhje martesash./TCH

SPAK ka nën hetim 41 raste për krime zgjedhore

Prokuroria e posaçme po kryen veprime hetimore për 41 kallëzime të regjistruara në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

SPAK ka konfirmuar për Abc News se deri në datë 26 maj janë depozituar 192 kallëzime që lidhen me krimet zgjedhore dhe deri më tani për 41 prej tyre janë gjetur elemente të veprës penale dhe janë duke u kryer veprime më të thelluara hetimore. Për 38 kallëzime është vendosur mos fillim për shkak se nuk ka patur prova të mjaftueshme për vijimin e hetimeve.

Numri më i lartë i procedimeve është iniciuar nga Policia e shtetit me 21 të tilla ndërsa 4 nga subjektet politike. Nëpërmjet platformës online që u ngrit për herë të parë nga SPAK janë dorëzuar 60 kallëzime, ndërsa 24 të tjera janë denoncuar nëpërmjet postës.

Numri më i madh i procedimeve të regjistruara prej 35, lidhet me veprën penale të korrupsionit në zgjedhje, e ndjekur nga ajo e përdorimit te funksionit publik për qëllime politike dhe shpërdorimi i detyrës.

Gjatë kësaj periudhe SPAK ka zhvilluar disa operacione në kuadër të krimeve zgjedhore duke ushtruara kontrolle dhe sekuestruar aparate celulare mes të cilëve atë të zëvendës kryetarit të bashkisë Pukë, Ndue Suma kryetarit të bashkisë së vaut të dejës Kristijan Shkreli si dhe ish-kryetarit të bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. Në janar të këtij viti, prokuroria e posaçme ngriti një strukturë të veçantë për hetimin e krimeve zgjedhore.

Merz do të takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 5 qershor

Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të enjten, më 5 qershor, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius.

Kornelius tha më 31 maj se është planifikuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë, pasuar nga një drekë e përbashkët e më pas një konferencë për media.

Bisedimet në Uashington pritet të përqendrohen në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përgjigjes së NATO-s ndaj kërcënimeve të jashtme në rritje. Udhëheqësit po ashtu pritet të bisedojnë për mosmarrëveshjet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Ky do të jetë takimi i parë mes dy udhëheqësve që kur Merzi mori detyrën e kancelarit më 6 maj. Para se Merz të merrte këtë post, ishte takuar me Trumpin shumë vite më parë në Nju Jork.

Zhurmuesi televiziv si mjet i diktaturës për të izoluar shqiptarët edhe mendërisht

Pas vitit 1974, Shqipëria hyri në fazën më të thellë të izolimit të saj historik. Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Kinën, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi mbylljen e çdo dritareje komunikimi me botën e jashtme. Jo vetëm kufijtë tokësorë mbetën të blinduar, por edhe ajri u bë i pakalueshëm. Nisi zhurmimi sistematik i sinjaleve televizive nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia.

VNA ka siguruar një dokument zyrtar të vitit 1974, ku Drejtori i Postave dhe Komunikacioneve, Perikli Pani, i dergon Hysni Kapos planin për vendosjen e dhjetëra aparateve zhurmuese në zonat kufitare, për të bllokuar çdo valë televizive të huaj.

“Me vënien ne pune te gendrës transmetuese televizive te Dajtit u arrit te mbulohet rreth 20% e sipërfages së vendit tonë, krye-sisht zonat fushore dhe bregdetare, ku banojne rreth 45% e popullsise.  Per zgjerimin e mbulimit te vendit me sinjal televiziv, ne zonat kufitare dhe gendrat me popullsi me te dendur, vitet e fundit janè vendosur dhe do te vendosen disa persëritesa televizive te mon-tuar ne vend; deri në fund te vitit 1974 siperfagja e mbuluar pritet te arrijë në 30% kurse si popullsi rreth 68%. Deri tani janë vendosur 18 cope persëritisa televizive ne këto vende: Kukës, Fierz, Puke, Peshkopi, Elbasan, Bulqizë, Librazhdë, Pogradec, Korçë, Ersekë, Çorovodë, Përmet, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, Berat, Orikum dhe Poliçan (Berat)” – thuhet ndër të tjera në dokument.

Kjo masë bashkë me zgjerimin e rrjetit të transmetuesve të brendshëm, synonte të forconte monopolin e vetëm ideologjik: Zërin e Partisë. Në këtë mënyrë, izolimi i Shqipërisë nuk ishte më vetëm politik apo diplomatik, ai shtrihej mbi mendjet, veshët dhe sytë e qytetarëve të saj.

Shqipëria u kthye në një vend ku edhe valët u ndaluan, ku çdo fjalë që vinte nga jashtë konsiderohej kërcënim, dhe ku vetmia ideologjike u ngrit në normë shtetërore. Ishte ky fillimi i mbylljes totale të vendit që do të zgjaste deri në fundin e regjimit më 1991.

Dy lajme nga jashtë me rëndësi të madhe brenda

– Busulla e Shqipërisë është euroatlantizmi. Po të ndodhë të mos kapemi nga radari i atlantizmit, apo më keq akoma, të bjerë atlantizmi nga binomi me europianizmin, anëtarësimi në BE merr një rendësi jetike për demokracinë dhe sigurinë tonë si vend –

Nga Preç Zogaj

Lami i parë ishte deklarata e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet e 11 majit. E vonuar në krahasim me deklaratat e mëpërshme dhe me ato të qeverive europiane, konçize, e shtrydhur deri në palcë, e konceptuar si një urim për popullin e Shqipërisë, shoqëruar me gadishmërinë e Uashingtonit për të vazhduar partneritetin e ngushtë me vendin tonë, deklarata u përgjigjet qartë dy pyetjeve aktuale kryesore për ne, në erën e re të qeverisjes së Presidentit Tramp.

Pyetja e parë: A i njeh SHBA zgjedhjet e 11 majit? Përgjigja është po. Urohet një gjë që njihet. Urohet populli “dele” sipas epiteteve që përdorin disa opozitarë për zgjedhësit e PS-së.
Urohet populli “që han bar” sipas shprehjes që përdorin disa kundërshtarë të PD-së për zgjedhësit demokratë.
Urohen zgjedhësit e partive të tjera më të vogla.
Urohen edhe ata që nuk kanë marrë pjesë në votime, duke ua deleguar zgjedhjen atyre që kanë marrë pjesë, qoftë duke abstenuar në shenjë proteste, qoftë në shenjë indiference.

Pyetja e dytë: A mos po na harrojnë matanë Atlantikut, a mos nuk do të kemi më statusin e marrëdhënieve të ngushta me vendin më bamirës të kombit shqiptar përgjatë gjithë historisë? Përgjigja është jo. Sa u takon SHBA-ve, dora e miqësisë speciale mbetet e shtrirë. Dora e popullit shqiptar dhe Tiranës politike gjithashtu. Aq më shumë tani kur PD po investohet njëlloj si partitë e tjera në termat e proamerikanizmit dhe kur vetë Amerika ka rifituar germën “r” në të folurën e atyre që ia kishin zëvendësuar gjatë katër viteve të fundit me gërmen “l” (Amelika- Amelika). Me besim se nuk do t’ja heqin prapë “r”-në kur të mos ndodhë ndonjë gjë e re në Uashington.

Lajmi i dytë është deklatata e fundit e Komisioneres për zgjerimin e BE-së, Marta Kos në konferencën e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel. “Na duhet të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në Qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave”, tha ajo duke pohuar ujdinë me kryeministrin Rama për ta realizuar martesën e Shqipërisë me Europën brenda mandatit të saj, domethënë brenda periudhës 2029-2030. Nuk varet e gjitha prej saj, sigurisht. Por kjo zonjë dhe komisionierja për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, dhe vetë Presidentja e Komisionit, Ursula Von der Leyen dhe politikanë të tjerë të lartë të BE-së e qeverive të vendeve anëtare na kanë befasuar së fundi, duke avancuar afate që as qeveria jonë nuk ka guxuar deri vonë t’i shqiptojë. Gjeopolitika, ndërgjegja e re që po fiton Europa përkundrejt zhvillimeve me plot të panjohura, duke rritur kohezionin brenda vendeve të familjes, pa lënë xhepa jashtë hapësirës së saj natyrore, është shansi ynë i madh për të bërë realitet endrrën e pashuar të integrimit në BE. Pas një rrugë të gjatë, me shumë ndalesa, ndërprerje, dëmtime për mentë e kresë shpeshherë, jemi duke shkuar drejt stacionit të fundit.

Qeveria po bën të vetën. Opozita duhet të bëjë të vetën, duke u sjellë me integrimin si qeveri. Për t’i dhënë një dorë dhe për të lenë një kujtim të mirë, ndërsa nuk e ndalon dot trenin në lëvizje të anëtarësimit. Meritat e njërit dhe tjetrit do të jenë gjithmonë shumë të vogla në krahasim me përfitimet e të gjithëve.

Kthehemi te Deklarata e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet. Kemi komentuar në krye çfarë është thënë në rreshtat e saj, pa u joshur të hyjmë midis rreshtave. (Në këtë rast me vjen ndërmend Kurcio Malaparte, një shkimtar italian me dhunti gjeniu, që thoshte se vështirësia jonë për t’i kuptuar amerikanët qëndron në prirjen tonë për të parë tek ata shtatë të tetat e ajzbergut nën ujë). Gjithkush është i lirë të humbasë në të pathënat e deklaratës amerikane dhe të nxjerrë prej andej çfarë t’i pjellë mendja e t’i dojë qejfi. Unë për vete dhe qindra mijëra si unë besoj nuk tërhiqen në ushtrime kësisoj të fantapolitikës edhe për një arsye të thjeshtë: amerikanët i thonë vetë ato që kanë për të thënë kur duhen thënë. Tani për tani dhe kam bindjen edhe në perspektivë është në fuqi partneriteti i ngushtë amerikano-shqiptar si konstante e një politike me rrënjë të thella që nuk preket nga konjukturat apo eksperimentet kalimtare.
Do të thotë se mbështetja amerikane për luftën kundër krimit e korrupsionit dhe për sundimin e ligjit përmes institucioneve të tilla si SPAK, GJKKO e tjerë do të vazhdojë. Njëlloj edhe bashkëpunimi prioritar në fushën e sigurisë. Në kuadrin e NATO-s dhe në projekte dypalëshe. Nëse shtohen investimet e mëdha në ekonomi edhe më mirë.
Busulla e Shqipërisë është euroatlantizmi. Po të ndodhë të mos kapemi nga radari i atlantizmit apo më keq akoma, të bjerë atlantizmi nga binomi me europianizmin, anëtarësimi në BE merr një rëndësi jetike për demokracinë dhe sigurinë tonë si vend./ Liberale.al

Bie me 13% sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në kryeqytet në janar-mars

Pasi arriti rekord në vitin 2024, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ka shënuar rënie në tremujorin e parë të vitit. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në kryeqytet në periudhën janar-mars u dhanë 72 leje ndërtimi, me një sipërfaqe prej rreth 201 mijë metra katror.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipërfaqja ka rënë me 13.3%. Së bashku me tremujorin e parë 2023, këto janë nivelet më të ulëta që janë dhënë që nga viti 2018.

Në 2024-n, sipërfaqja e lejeve të ndërtimi arriti një nivel rekord prej mbi 1.9 milionë metra katror. Kjo është sipërfaqja më e lartë e dhënë ndonjëherë për ndërtim për kryeqytetin, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT raporton të dhënat për Tiranën.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për ndërtimn në 2024-n u rrit me rreth 36%, ndërkohë që është dhe rreth 7% më e lartë se në 2022, kur shënohej rekordi i deritanishëm me 1.8 milionë metra katror.

Më pak leje në rang vendi

Sipas njoftimit të INSTAT, Në tremujorin e parë të vitit 2025, janë miratuar 258 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një ulje prej 17,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u miratuan 311 leje.

Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet në këtë tremujor, është 335.137 m², duke shënuar një ulje prej 6,3 %, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024 (357.585 m²).

Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) arriti në
20,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 47,6 %, krahasuar me një vit më parë (13,6 miliardë lekë).

Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 188 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 215.418 m².
• Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 70 leje dhe 119.719 m² sipërfaqe.
• Qarku i Tiranës mban peshën kryesore me 72 leje ndërtimi të reja dhe 201.237 m², ndonëse me rënie nga një vit më parë.
• Rritje domethënëse e vlerës së projekteve ndërtimore u regjistrua në qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier./ Monitor

Siguria ushqimore lë për të dëshiruar! Policia Bashkiake ul kontrollet në rrugët e Durrësit

Shitja e produkteve ushqimore në rrugë vazhdon të jetë problem për sigurinë shëndetsore në qytetin e Durrësit, ndërsa Policia Bashkiake ka ulur në 5 vitet e fundit masat administative. Lehtësisht në qytet kryet shitja e qumështit me bidona plastikë, si edhe e produkteve të tjera ushqimore, por masat administrative kanë rënë ndjeshëm nga viti në vit.

Çdo ditë nga mëngjesi deri në mesditë tregtarë ambulantë të palicensuar shesin bidona me qumësht në lagjen numër 18 të qytetit të Durrësit. Bidona plastikë qëndrojnë në rrugë në pritje të blerësve me orë të tëra, ndonëse konsumimi i produktit të bulmetit në të tilla kushte vlerësohet i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve.

Edhe në lagje të tjera të qytetit konstatohet shitja e qumështit me bidona në rrugë, e po kështu edhe e produkteve ushqimore, si frutat apo perimet.

Policia Bashkiake në Durrës tha se monitoron dhe kontrollon territorin nga shitësit ambulant të ndryshëm që tregtojnë produkte ushqimore në hapësira publike apo tregjet dhe vendos masa administative, por nuk i kategorizon sipas produkteve.

“Policia Bashkiake nuk i ka të kategorizuara masat administrative sipas artikujve në tregtim qumështi në bidona plastik, por i kategorizon si shitës ambulant”, tha institucioni në një përgjigje zyrtare për Median Amfora.

Policia Bashkiake në total në pesë vitet e fundit ka vendosur 1967 masa administative, duke i ulur ato ndjeshëm nga 265 masa të vendosura në vitin 2020, në vetëm 54 masa administative në vitin 2024.

Paradoksi qëndron se në vitin 2020, që kulmoi me pandeminë COVID-19, ndërsa vendi ishte i mbyllur nga muaji mars deri në fillim të muajit qershor dhe shitja e produkteve ushqimore kryhej vetëm në tregun agro-ushqimor të qytetit, me orar të reduktuar policia bashkiake ka vendosur 265 masa administrative.

2021 ishte ende viti i pandemisë dhe me rënie të ndjeshme të aktivitetit tregtar dhe qytetarët ishin mjaft të kujdesshëm për konsumimin e produkteve ushqimore, Policia Bashkiake e Durrësit ka vendosur numrin më të madh të masave administative, 1116 të tilla.

Ndërsa më pas masat administative kanë rënë ndjeshëm: 374 masa në vitin 2022, 158 masa në vitin 2023 dhe vetëm 54 në vitin 2024.

Amfora ka konstatuar se shitja e produkteve ushqimore kryesisht e qumështit, vezëve, prodhimeve të stinës, si fruta-perime, erëza, çajra, kryhet në shumë rrugë të qytetit. Policia bashkiake tha se kryen kontrolle të përditshëm në afërsi të tregjeve apo hapësirave publike.

“Policia bashkiake funksionon me shërbim patrullë dhe inspektor për çdo turn, që është përgjegjës për shërbimet në terren. Ndarja e shërbimeve bëhet sipas problematikave dhe sipas ngarkesave në zona të caktuara, në tregje”, shtoi institucioni.

Siguria ushqimore është vënë së fundmi në qendër të vëmendjes së opinionit publik, veçanërisht pas rastit të bllokimit të sasisë prej 18.3 tonë fileto pule me salmonelë me origjinë nga Brazili, në Portin e Durrësit në mars të këtij viti, apo rastet e gripit të shpendëve në pularitë e qytetit.

Policia Bashkiake tha se se gjatë pesë muajve të fundit ka qenë pjesë e task-forcave për sigurinë e produkteve ushqimore.“Policia bashkiake ka marrë pjesë në çdo taksk-forcë të ngritur nga institucionet qëndrore apo vendore në bashkëpunim me institucione të tjera për ndalimin e shitjes së produkteve ushqimore të palicensuara në rrugë apo hapësira të tjera publike dhe private”, përfundoi institucioni./Amfora.al

Studimi: Më shumë se gjysma e videove në TikTok për shëndetin mendor, përmbajnë dezinformata

Më shumë se 50% e videove më të ndjekura në TikTok që ofrojnë këshilla për shëndetin mendor përmbajnë dezinformata, kështu thuhet në një një hetimi të publikuar nga The Guardian, duke ngjallur shqetësime serioze mes ekspertëve të fushës dhe deputetëve britanikë.

Hetimi përfshiu analizimin e 100 videove më të njohura të postuara nën hashtagun #mentalhealthtips, të cilat u vlerësuan nga një grup psikologësh, psikiatrësh dhe akademikësh. Nga to, 52 u cilësuan si të pasakta ose të rrezikshme, për shkak të përhapjes së informacionit të gabuar rreth ankthit, depresionit, traumës dhe çrregullimeve të tjera mendore.

Ekspertët kritikuan përdorimin e termave terapeutikë jashtë kontekstit, sugjerimet e thjeshtuara për çështje komplekse dhe promovimin e trajtimeve pa bazë shkencore, si ngrënia e portokallit në dush për të ulur ankthin apo përdorimi i suplementeve të paaprovuara.

“Shumë nga këto video patologjizojnë ndjenjat normale të përditshme dhe paraqesin përjetimet si sëmundje mendore të rënda”, tha Dr. Dan Poulter, psikiatër dhe ish-ministër i shëndetësisë.

Amber Johnston, psikologe klinike, paralajmëroi se shumë video krijojnë përshtypjen e gabuar se trajtimi i traumës është i shpejtë dhe universal, ndërkohë që realiteti kërkon kujdes të personalizuar nga profesionistë të kualifikuar.

Platformat sociale nën kritikë

Deputetët britanikë reaguan ashpër ndaj zbulimeve, duke i cilësuar ato si “shqetësuese” dhe “dënuese”. Ata kërkuan nga qeveria rregullim më të fortë të përmbajtjeve digjitale, veçanërisht atyre që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor të qytetarëve, sidomos të rinjve.

“Algoritmet e TikTok-ut po amplifikojnë dezinformimin që lidhet me shëndetin mendor”, deklaroi Chi Onwurah, kryetare e Komitetit të Teknologjisë në Parlamentin britanik. Ajo shtoi se ka mangësi të dukshme në Aktin e Sigurisë Online, i cili duhet të përforcohet për të adresuar këtë problem.

TikTok mbron veten

Në përgjigje të kritikave, TikTok tha se platforma e tij është një vend i hapur për shprehjen personale dhe ndarjen e përvojave autentike, por se 98% e përmbajtjeve të dëmshme për shëndetin mendor hiqen përpara se të raportohen, sipas kompanisë.

Platforma tha gjithashtu se bashkëpunon me OBSH-në dhe NHS-në për të ofruar informacion të saktë dhe për të drejtuar përdoruesit drejt burimeve të besueshme.

Ndërkohë, ekspertët vazhdojnë të paralajmërojnë se edhe pse mediat sociale mund të ndihmojnë në ndërgjegjësim, ato nuk mund të zëvendësojnë diagnostikimin profesional dhe mbështetjen e specializuar në fushën e shëndetit mendor.

“Njëri në mandatin e 4-ët, tjetri në disfatën e radhës”, Bamir Topi hedh dyshime për pakt të heshtur mes Ramës dhe Berishës: Pazari vazhdon, bashkuan votat në…

“Pazari vazhdon”! Kështu shprehet ish-Presidenti Bamir Topi teksa analizon zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke ngritur dyshime për një pakt të heshtur mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ai solli në vëmendje bashkimin e votave të përfaqësuesve të PS dhe PD në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ku u rrëzuan kërkesat e 4 kandidatëve të PD për rinumërimin e votave nominale. Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha pretenduan për parregullsi dhe vota të devijuara tek kandidatët e tjerë. Vendimin e KAS, ish-kreu i shtetit Bamir Topi e quan si vijim të pazarit mes Ramës dhe Berishës.

Pjesë nga intervista

Nisida Tufa: A ishte inspirues programi i PD, për të thithur elektorat dhe për të marrë votë?
Bamir Topi:
 Dëshiroj ta shpjegoj, por kam frikë se nuk do të kuptohem. Disa e kuptojnë. Këtu është çështja e një dominanti. Kush është dominanti? Pra, cili është dominanti, programi, jeta politike e një partie, apo dominanti se çfarë këta të dy kanë gatuar? Zgjidh ti emrin e një personaliteti me famë botërore, sille në Shqipëri të futet në zgjedhje me këtë kod elektoral, të jesh i sigurt që do të largohet i turpëruar. Pra, jo këta të dy, Edi Rama dhe Sali Berisha janë koshientë për çfarë kanë bërë. E pe çfarë ndodhi dje për ta bërë më konkrete historinë, disa zëra që vijnë nga PD që kërkojnë të rilexohet rezultati, praktikisht u rrëzuan me vota të përbashkuara të PS dhe PD në KAS. Pra, pazari vazhdon. Në rast se do të ishte titulli i një editoriali për të dhënë fizionominë e zgjedhjeve do të ishte: “Pazari vazhdon”! Dhe kur pazari vazhdon dhe dikush është në mandatin e 4-ët dhe dikush në disfatën e radhës, unë them që ky i dyti që është në disfatë e mirëpret sepse ka marrë monopolin e opozitës. Ju mendoni se është i dëshpëruar? Prandaj them unë që ka hipokrizi.

Nisida Tufa: Konferenca për shtyp çdo ditë, rreth mesditë, për zotin Berisha dhe nxjerrë të denoncimeve me zë dhe figurë se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj fushate dhe procesit zgjedhor. Si i lexoni këto denoncime zoti Topi?
Bamir Topi:
 Hipokrizi. I gjithë lajtmotivi i kësaj bisede kur flasim për opozitën, është hipokrizi e liderit të PD. Nëse do të ishte i vërtetë do të ishte inkurajuar dje në KAS që t’i jepte zë deputetëve që ankohen për vjedhje votash. Fenomeni i vjedhjes nuk vjen vetëm nga partia tjetër, por edhe brenda për brenda. Hipokrizia duhet të përfundojë. Këto zëra publikë që dalin i japin mundësi që njerëzit të vijnë në vete, të vijnë në terezi. Por nuk shkon në çdo lloj analize që të bësh, në 35 vjet vazhdimisht duke u ankuar pas çdo zgjedhje dhe para zgjedhjeve thotë që ne do të garantojmë votën. Kë të besojmë? Është ndonjë aktivitet promocional ky, tregtar që i bën reklamë një malli dhe pastaj ikën dhe zhduken? Jo, nuk shkon më kjo histori.