28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Spahia denoncon skandalin, nuk ka tamponë për pacientët, Maqedonia mbi 1 mijë në ditë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia deklaroi se sistemi shëndetësor është në kolaps i plotë sa i takon situatës me koronavirus, ndërsa shtoi se qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit.

Spahia ka ndarë publikisht shqetësimin e një gazetareje, e cila kishte pasur një nga prindërit sëmurë, ndërsa atij nuk i ishte bërë tamponi, që sipas demokratit mungonte.

Mes të tjerash Spahia theksoi se e njëjta problematikë shfaqet dhe kur qytetarët telefonojnë në 127-ën, ku sipas tij personat me simptoma të dyshuara Covid lihen në pritje pa trajtim.

REAGIMI I SPAHIAS
Dështimi i qeverisë me virusin Covid-19 ka cuar në kolaps të plotë shërbimin shëndetësor në të gjitha nivelet. Ky rast i denoncuar nga një gazetare, prindi i së cilës nuk ka marrë dot shërbim në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por është përcjellë në shtëpi në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak se qeveria ka ndërprerë shërbimet e mirëfillta specifike në këtë spital për pacientët që nuk kanë Covid! Dhe po sipas eksperiencës së gazetares, “Shefqet Ndroqi” I kthyer në spital Covid nuk kishte tamponë për të vërtetuar problematikën e pacientit!!!

E njëjta situatë me 127-ën, ku personat me simptoma të dyshuara Covid lihen në pritje pa trajtim, e vetëm kur gjendja e tyre bëhet kritike, shtrohen në spital, atëherë kur mundësitë e rikuperimit janë tejet të ulëta!

Një problematikë e re është shfaqur me tamponët, të dyshuar se janë marrë nga Kina e që sipas burimeve japin rezultat fals negativ në 60% të rasteve, e provuar edhe nga njerëz pranë ministres së shëndetësisë, duke rënduar edhe më tej situatën e përhapjes së virusit!
Dukshëm ka mungesa të theksuara në të gjitha drejtimet: nga testet, kapacitetet testuese, mjetet mbrojtëse për personelin shëndetësor, infrastrukturë, aparatura e kapacitete njerëzore të specializuara!

Eshtë skandaloze sjellja e qeverisë në këtë situatë: në vend që të ndërhyhet dhe shpejt madje, kryeministri dhe ministrja e shëndetësisë investohen disa herë në ditë me video e mesazhe propagande duke mashtruar, mbajtur të fshehtë situatën në kolaps të plotë, ndërkohë që qytetarët janë të abandonuar krejtësisht në mëshirë të fatit!

Kosova mbyll kufirin me Shqipërinë

Kosova po ashpërson masat ndaj COVID-19 dhe prej 30 korrikut do të vendosë edhe kushte për vendet fqinje të cilat kanë rritje të rasteve.

Sipas një vendimi të propozuar nga qeveria dhe të siguruar nga Klan Kosova, prej 30 korrikut të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët vijnë nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia duhet të vetëkarantinohen apo izolohen për 7 ditë në shtëpitë e tyre.

Një masë e veçantë që mund t’i shpëtojë nga kjo është për qytetarët e Kosovës që kanë leje qëndrimi apo leje të përkohshme qëndrimi dhe që dalin nga territori i Kosovës, në rast se nuk kthehen sërish në vend për 48 orë atëhere duhet të kenë test Covid ose do të vetëkarantinohen edhe ata 7 ditë.

Duket se Kosova do të marrë masa pas ditëve të fundit tragjike si për viktimat por edhe për shtimin e rasteve me COVID-19 dhe kjo do të prekë edhe Shqipërinë që këtë gusht pret shumë turistë nga Kosovë.

Rama drejt një katastrofe elektorale, synon 8 deputetë në tavolinë nga ndryshimet personale të Kushtetutës

Të gjitha sondazhet e ndryshme që po kryhen rrëzojnë Ramën nga pushteti dhe i japin një fitore bindëse opozitës. Sondazhet flasin për një fitore të qartë dhe të thellë në rast se zgjedhësve do t’u garantohet e drejta e votës.

I ndërgjegjshëm që po shkon drejt një katastrofe elektorale, Rama ka si shpresë të vetme ndryshimet personale të Kushtetutës dhe të Kodit elektoral që do ti mundësonin të merrte deri 8 deputetë nga votat e popullit opozitar.

Rama po përgatit një skemë të madhe mashtrime me zgjedhjet përmes këtyre ndryshimeve kushteteuse duke synuar të fitojë 8 deputetë në tavolinë.

Çdo ditë e më shumë Opozita e Bashkuar fiton mbështetjen e shqiptarëve për të marrë drejtimin e qeverisjes. Qëndrimet e saja dhe denoncimet e përditshme të aferave të qeverisë “Rama 2”, e kanë rritur shumë besimin tek opozita. Dhjetëra sondazhe e kanë konfirmuar këtë dhe Rama e di, sepse ka bërë edhe ai sondazhe të vetat.

Së fundmi këtë fakt e ka konfirmuar edhe një sondazh i bërë në Balkanëeb, që e nxjerr opozitën e bashkuar të fituar në zgjedhje me një diferencë të madhe, prej 13.5 për qind më shumë se Edi Rama dhe partitë që e ndjekin. Kjo është një diferencë e madhe, që Rama kërkon ta mbushë me ndryshime kushtetuese, duke ndaluar koalicionet parazgjedhore.

Më datë 30 korrik pritet që të vendoset fati i vendit, për zgjedhje normale me rregulla të gjithëpranuara apo rregulla të njëanshme ku do ketë përplasje e luftë në kutitet e votimit, edhe me hunjë!

Kjo do jetë java që do mbahet mend gjatë në historinë e vendit, pasi këtë javë kryeministri Rama ose do ti thërrasë arësyes për konsensus kombëtar për zgjedhjet, ku PS dhe PD-LSI të bien dakort ose ai do fus duart në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme, duke sjellë destabilitet politik në vjeshtë, pasi sipas opozitës reale do ti bëhet thirrje popullit me maska apo pa maska për të rrëzuar regjimin që kërkon të vjedhë zgjedhjet akoma pa u zhvilluar.

Mëkati i këtij shkrimi qoftë i imi!

Hamit TAKA

Zoti e populli e dinë, por, në se jam duke bërë sevap me këtë shkrim, i gjithi qoftë i çdo prijësi në Shqipëri, i juaji Shkëlqesi Kryeministër, i juaji Fortlumturi President, i juaji Madhëri Kryetar i Kuvendit, i juaji Hirësi të Klerit, ndërsa mëkati vetëm imi…

Të nderuar zotërinj! Së pari, me emrin e Zotit dhe më pas me lejen e liri-demokracisë, mësova se mëkat më të madh se të vjedhësh nuk ka, madje mëkat tjetër veç vjedhjes nuk ka…

Përshëmbëll: mësova se heshtja është mëkat, sepse vjedh zërin… Të mos shkruash prej frikës është mëkat, sepse vjedh guximin… Të mos votosh atë që beson është mëkat se vjedh besimin… Të vjedhësh votën është mëkat se vjedh Themelin e Demokracisë… Të korrësh pa pushim, gjithashtu është mëkat, sepse vjedh të mbjellat…

Mësova se të rrish këmbëkryq, ndërsa dhunohen e përdhunohen përditë fëmijë e gra është mëkat, sepse vjedh shpresën… Të fshehësh është mëkat, sepse vjedh të dukshmen; të shmangesh sot, për qindra fëmijë, të sëmurë e të moshuar të vuajtur për të grënë është mëkat, sepse vjedh të pashmangshmen. Arsimi i dobët, aq më keq analfabetizmi, është mëkat, sepse vjedh dijen. Moskokëçarja është mëkat, sepse vjedh këmbënguljen.

Të bësh peshqesh Atdheun e të gjithëve është mëkat, sepse vjedh përkatësinë. Të qëndrosh krah për krah me përdhunuesin është mëkat, sepse vjedh nderin. Të duartrokasësh të keqen është mëkat, sepse vjedh të mirën… Edhe të përzesh Shqiptarët prej dheut të tyre është mëkat, sepse vjedh Atdheun…

Mësova shumë ndërkohë që mësoja…
Mësova se poshtërsia është mëkat, sepse vjedh lartësinë. Të urresh është mëkat, sepse vjedh dashurinë. Të gënjesh është mëkat, sepse vjedh të vërtetën. Të shtrembërosh është mëkat, sepse vjedh të drejtën… Të vjedhësh dhuratën është mëkat, se vjedh bujarinë.

Të nderuar Zotërinj!
Mësova se mëkat më të madh se të vjedhësh nuk ka, madje mëkat tjetër veç vjedhjes nuk ka… Ndërsa mësoja, gjithashtu edhe mendoja, se si ikën vjedhurazi këto 30 vite liri, po aq vite sa totalitarizmi shqiptar e izoloi Shqipërinë nga Lindja e Perëndimi dhe ndaloi ushtrimin e besimit ndaj Zotit. Mëkati qoftë veçse i imi, por i bindur jua them të hiqni dorë tashmë me kacavjerrjen në periudhën e të paudhëve… Kthehuni te e sotmja! Kthehuni te e sotmja dhe lavdëroni Zotin e Popullin që ju ngarkoi këtë amanet pikërisht për këtë kohë, në këtë vend dhe me këtë popull…

… Sepse edhe Shqipëria po përjeton kohëra të vështira ashtu si kohërat e mbërritjes së profetëve.… Sepse Shqipëria sot është i vetmi vend i shenjtë në botë që paqësisht ofron me dhjetëra rrugë të drejta ndaj dashurisë për Zotin…

Të nderuar Klerikë,

Nuk përtova dhe nuk rreshta së mësuari për asnjë çast edhe për udhën dhe gjykimin e Profetëve. Të kryqëzosh shpirtrat e përvuajtur është mëkat, sepse vjedh Jezusin… Ti dorëzohesh këtij realiteti është mëkat, sepse vjedh Muhametin…Të dehesh me pushtetin dhe të kujtosh se feja është aq sa diametri i kapuçit mbi kokë është mëkat, sepse vjedh qiellin…

Të marrësh anën e të fortit është mëkat se poshtëron të dobëtin…

Them se Mëshirploti do t’jua falë mëkatet e të kaluarës, nëse filloni të reagoni ndaj çdo vjedhjeje, ndaj çdo dhunimi, ndaj çdo privimi lirie…

Ma besoni, Zoti gjithësecilit prej jush i dha një amanet të shenjtë, si asnjë Kleriku tjetër në botë. Për këtë, lëvdoni atë më shumë. Ju dha amanet situata të ngjashme me ato që u dha profetëve në kohërat e mbërritjes së tyre. Thellohuni më shumë…
Nga fundi, mësova se dita e gjykimit të madh nuk ngjante aspak me Gjykatat e liri-demokracisë… Nuk kish aty ik sot e hajde nesër. Nuk kishte as Veting e as SPAK… Atë ditë, edhe shurdhi do dëgjonte, edhe i verbëri do shikonte, edhe sakati do vraponte. Vetëm një seancë do zgjaste e tëra. As Apel, as Gjykatë e lartë, as Kasacion, as Venecie, as Strazburg nuk kish atje. Ish dita e të vërtetës së pamohueshme… Siç duhej të ishte tek ne 22 Marsi 1992…

Dështim i qeverisë me Covid-19, qytetarët në mëshirë të fatit

Nga Bardh SPAHIA

Dështimi i qeverisë me virusin Covid-19 ka cuar në kolaps të plotë shërbimin shëndetësor në të gjitha nivelet. Ky rast i denoncuar nga një gazetare, prindi i së cilës nuk ka marrë dot shërbim në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por është përcjellë në shtëpi në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak se qeveria ka ndërprerë shërbimet e mirëfillta specifike në këtë spital për pacientët që nuk kanë Covid! Dhe po sipas eksperiencës së gazetares, “Shefqet Ndroqi” I kthyer në spital Covid nuk kishte tamponë për të vërtetuar problematikën e pacientit!!!

E njëjta situatë me 127-ën, ku personat me simptoma të dyshuara Covid lihen në pritje pa trajtim, e vetëm kur gjendja e tyre bëhet kritike, shtrohen në spital, atëherë kur mundësitë e rikuperimit janë tejet të ulëta!

Një problematikë e re është shfaqur me tamponët, të dyshuar se janë marrë nga Kina e që sipas burimeve japin rezultat fals negativ në 60% të rasteve, e provuar edhe nga njerëz pranë ministres së shëndetësisë, duke rënduar edhe më tej situatën e përhapjes së virusit!

Dukshëm ka mungesa të theksuara në të gjitha drejtimet: nga testet, kapacitetet testuese, mjetet mbrojtëse për personelin shëndetësor, infrastrukturë, aparatura e kapacitete njerëzore të specializuara!

Eshtë skandaloze sjellja e qeverisë në këtë situatë: në vend që të ndërhyhet dhe shpejt madje, kryeministri dhe ministrja e shëndetësisë investohen disa herë në ditë me video e mesazhe propagande duke mashtruar, mbajtur të fshehtë situatën në kolaps të plotë, ndërkohë që qytetarët janë të abandonuar krejtësisht në mëshirë të fatit!

Gazeta më e njohur në botë shkrim të fortë kundër Ramës: OSBE është zhytur në krizë, ka ngelur pa timon

Një nga gazetat më të njohura në botë, Financial Times shkruan se, OSBE është zhytur në krizë, pasi ka ngelur pa timon.

Ironia është se OSBE drejtohet sivjet nga Shqipëria, e cila vetë është në një krizë, kurse kryetari i OSBE, Edi Rama, është mësuar të marrë timonin, por ta lërë makinën pa drejtim.

“Organizata më e madhe ndërkombëtare e sigurisë në botë është në krizë pasi përplasjet kanë provokuar largimin e ekipit drejtes, duke ngjallur frikë se vakuumi i pushtetit mund të pengojë punën jetike në zonat e konfliktit,” shkruan gazeta.

“Mandati i OSBE përfshin parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e krizave, si dhe mbështetjen e standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut. Misionet e saj veprojnë si sytë dhe veshët e komunitetit ndërkombëtar në disa pika problematike siç janë Ukraina lindore, enklava e Nagorni-Karabakut, shteti i shkëputur i Transnistrias, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe projekte më të gjera në rajonin mes Europës dhe Azisë”, vijon gazeta.

Sipas saj, tani i bie Tiranës që të zgjidhë krizën, kur ministrat e Jashtëm të OSBE të mblidhen në Tiranë në dhjetor.

Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë në Shqipëri tha se kriza është shenjë e problemit të multilaterizmit.

Po çfarë ka ndodhur?

Shqipëria kishte lobuar për të zgjatur mandatet e Sekretarit të Përgjithshëm, Thomas Greminger dhe të Komisionerit për Minoritetet, Lamberto Zanier; Drejtorit të ODIHR, Ingibjorg Gisladottir dhe të Komisionerit për Lirinë e Medias, Harlem Desir. Por një grup vendesh kundërshtuan zgjatjen e mandatit për Thomas Greminger dhe Lamberto Zannier. Mes tyre Franca, Kanadaja, Norvegjia, Islanda dhe Armenia.
Kurse Azerbajxhani dhe Taxhikistani kundërshtuan zgjatjen e mandatit për Harlem Desir. Ndërsa Turqia dhe Taxhikistani rezistuan për mandatin e Ingibjorg Gisladottir. Negociatat e Shqipërisë për të arritur një konsensus për situatën dështuan.

Ish-kryeministri Sali Berisha shkruan se Edi Rama si drejtues i OSBE nuk u pranua për vizitë nga homologët e disa vendeve.

Ai përmend raportin sekret të OSBE për Ramën, që e akuzon se ka një pasuri të paligjshme prej 200 milionë dollarësh.

Botuesi i njohur thirrje Metës: “President, shpërndaje këtë Parlament”!

“President, shpërndaje këtë Parlament”. Është kjo thirrja që i drejtohet Presidentit nga gazeta Koha Jonë me botues Nikoll Lesin.

“Ilir Meta qëndroi fort, nuk u frikësua nga krejt pisat dhe zagarët e mazhorancës që lëshonte kryeministri ndaj tij. Meta doli përballë Ramës pa e lëkundur, sepse kishte bindjen se kishte të drejtë. Kishte bindjen se kjo e gjitha ishte për të kapur krejt Shtetin nga mafiozët e Rilindjes, ndaj luftoi derisa Komisioni Venecias dha verdiktin final: Nuk ka asnjë shkelje të Presidentit të Shqipërisë.

Përkundrazi Venecia shkroi se fajin për kushtetuesen e ka njeriu i Edi Ramës në KED, Ardian Dvorani. E ka mazhoranca që shkeli Kushtetutën.

Mbi Komisionin e Venecias nuk kishte takat Edi Rama të dilte”, thuhet në artikull.

Shkrimi në Koha Jonë

Parlamenti shqiptar këtë të hënë të datës 27 korrik 2020 vendosi me votë se dështoi përballë Presidentit Ilir Meta. Mazhoranca u tërhoq, e detyruar nga Komisioni i Venecias, nga kërkesa e grupit parlamentar të saj të firmosur një vit më parë për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Para një viti Edi Rama për arësye karrieriste, pasi siç doli më vonë nga Lulzim Basha, se ai donte ti merrte karriken e Kryetarit të Shtetit për vete, pra kryeministri u lëshua kundër Ilir Metës me gjithë arsenalin e llumit të rrugës duke fyer dhe akuzuar Presidentin.

Ilir Meta qëndroi fort, nuk u frikësua nga krejt pisat dhe zagarët e mazhorancës që lëshonte kryeministri ndaj tij. Meta doli përballë Ramës pa e lëkundur, sepse kishte bindjen se kishte të drejtë. Kishte bindjen se kjo e gjitha ishte për të kapur krejt Shtetin nga mafiozët e Rilindjes, ndaj luftoi derisa Komisioni Venecias dha verdiktin final: Nuk ka asnjë shkelje të Presidentit të Shqipërisë.

Përkundrazi Venecia shkroi se fajin për kushtetuesen e ka njeriu i Edi Ramës në KED, Ardian Dvorani. E ka mazhoranca që shkeli Kushtetutën.

Mbi Komisionin e Venecias nuk kishte takat Edi Rama të dilte.

Ndaj sot parlamenti vendosi me votë se nuk ka vend për shkarkim, por gjoja po japim disa këshilla.
Gjoja disa këshilla apo se do të bëjë ligj për të ndryshuar kompetencat e Presidentit, por kryeministri Rama do ti shikojë me dylbi, sepse loja e pisët, e pabesë dhe krejt e poshtër e qeverisë dhe e një pjese të grupit parlamentat të PS-së, sot doli hapur në publik se ishte me qëllim kapjen e institucionit të presidentit.

Pasi Ulsi Manja në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor tha se nuk ka vend për shkarkim, në foltoren e parlamentit Rilindja nxori disa zagarë deputetë të gjoja opozitës së re, të cilët me fjalime të shkruara nga Rilindja, nxorën gjithë llumin e thënë nga Taulant Balla dhe krejt shpura e deputetëve të PS-së që ishin paguar e urdhëruar nga Edi Rama prej një viti.

Foli edhe vetë Kryeministri. Edi Rama u mundua të thoshte se nuk po tërhiqem nga akuzat, por shkeljet nuk janë kaq të rënda, sa për shkarkim!

Kryeministri deklaroi se asnjë president tjetër në vend nuk shkoi përtej korrnizës kushtetuese, përveç Metës, i cili sipas tij, ishte aq i mirë me opozitën, sa i bëri keq Shqipërisë me akte vandale. Më pas doli edhe Taulant Balla, Edhe ai tha se Meta shkeli këtë e atë, por nuk na la Venecia!

Edi Rama foli si i qartur, pa fre, i çorientuar, i vrerosur dhe i sakatosur politikisht sepse e di mirë se sondazhet e nxjerrin humbës.

Përfundimisht Presidenti Meta mposhti gjithë atë grup kriminal në parlament të cilët si një parlament ilegjitim me 122 deputetë, nga 140 që e ka Kushtetuta, meriton një Dekret. Dekret për shpërndarje parlamenti.

Dhe duhet ta firmosë atë se e kërkon populli! Më mirë një dekret të fortë dhe të shpëtojë Shqipëria nga ai pleh parlament, sesa kështu duke lenguar shqiptarët.

Natyrisht për të qenë korrekt, në atë parlament ka deputetë më integritet nga radhët e PS-së, si Gramoz Ruçi, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe disa, por në thelb parlamenti mbetet jo legjitim dhe që prodhon krizë të fortë politike.

Ndaj zoti President, jo si hakmarrje ndaj baltës dhe pisllëkut që hodhën prej një viti mbi Kreun e Shtetit, por si AKT patrotik për të shpëtuar vendin nga gjithë këto të këqija e ku qeverisja po bën kërdinë, edhe pse nuk ka parlament, firmose Shperndarjen e Parlamentit.

Çfarë do Loku tek zyra e tij përditë?/ Zhupa: Gjenerali i ushtrisë së rilindjes merr në mbrojtje ushtarin e tij Gonxhe…

Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka reaguar pasi Rama mori në mbrojtje Blendi Gonxhen, i cili akuzohet se, ka marrë para publike për një kompani transporti që ai ka në posedim.

Zhupa shkruan në reagimin e saj se, kryeministri Rama sot i bëri reklamën Gonxhes për të treguar që nuk ka ndërmend ta shkarkoj por e promovon si modelin e babëzisë edhe korrupsionit që duhet të arrijnë edhe rilindasit e tjerë, të cilët mund të jenë më poshtë në këto “arritje”.

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa ka publikuar disa dokumente në lidhje me drejtorin e DPSHTRR-së, Blendi Gonxhen, ku e akuzon se brenda një muaji shtoi 3 kategori shtesë patente për veten e tij.

Ajo i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet dhe t’i hyjë në thellësi aferave të shumta të Gonxhes.

Reagimi i zëdhënëse së PD

Gjenerali i ushtrisë së rilindjes mori në mbrojtje ushtarin e tij të kapur në shkelje të rënda ligjore, në abuzim me detyrën dhe konflikt interesi. Rama sot i bëri reklamën Gonxhes për të treguar që nuk ka ndërmend ta shkarkoj por e promovon si modelin e babëzisë edhe korrupsionit që duhet të arrijnë edhe rilindasit e tjerë, të cilët mund të jenë më poshtë në këto “arritje”.

Është aq shembullore drejtoria e Blendi Gonxhes së Ramës, sa që drejtori merr vete 3 kategori lejesh drejtimi shtesë në 1 muaj pa kurs, tek vartësit e tij, duke shpërdoruar detyrën. Aq shembullore sa që drejtori merr para nga buxheti për kompaninë e tij të transporteve, edhe është autoriteti që jep gjithë shërbimet, lejet, targat, licencat që i duhen kompanisë së tij.

Në vend që Rama ta mbronte sot, pse nuk e thërret Gonxhen në zyrë e ta pyes çfarë do Loku tek zyra e Gonxhes përditë?

Ushtari Gonxhe mesa duket i ka dhënë pjesën e tij përherë gjeneralit Rama nga paratë që i zhvat nga taksat e qytetarëve edhe nga rryshfetet. Kur faktet flasin qartë për shkeljet e Gonxhes, Rama zgjedh të shikoj gishtin-godinat.

Në SHBA nisin provat përfundimtare me vaksinën kundër Covid-19

Prova më e madhe klinike në botë me vaksinën kundër COVID-19 nisi të hënën me 27 korrik me vullnetaret e parë nga 30 mijë të planifikuar. Vaksina eksperimentale është prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe kompania “Moderna Inc.”, dhe është një nga disa prej kandidateve të mundshme në garën botërore për prodhimin e një vaksine kundër virusit.

Nuk ka ende asnjë garanci se vaksina eksperimentale e zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe “Moderna Inc.”, do të garantojë mbrojtje nga COVID-19.

Vullnetarët nuk do ta dinë nëse po marrin injeksionin e vërtetë apo një imitim të vaksinës. Pas dy dozash shkencëtarët do të ndjekin nga afër se cili grup do të pësojë më shumë infeksione, ndërsa ato vazhdojnë me rutinën e tyre të përditshme, veçanërisht në ato zonat ku virusi po përhapet i pakontrolluar.

Kompania “Moderna” tha se vaksinimi nisi në Savanah të Xhorxhias mes më shumë se 12 vendeve të tjera ku po kryhen prova klinike në të gjithë vendin.

Në Binghamton të Nju Jorkut infermierja Melissa Harting tha se ajo ishte ofruar si vullnetare “për të bërë atë që i takon për të ndihmuar”. “Ndihem e ngazëllyer” tha zonja Harting përpara vaksinimit të hënën në mëngjes.

Disa vaksina të tjera eksperimentale të prodhuara nga Kina dhe nga universiteti i Oksfordit në Britani ndodhen në fazën përfundimtare të disa testime në shkallë të ulët që po kryen në Brazil dhe vende të tjera të goditura rëndë nga pandemia.

Por SHBA po kërkon të vendosë një standard të lartë për të gjitha testimet që do të kryejë për çdo vaksinë që mund të përdoret në vend. Çdo muaj, Rrjeti Parandalues i COVID-19, i financuar nga qeveria, do të kryeje një studim të ri të çdo vaksine që shihet si kandidate potenciale për përdorim masiv, secila me të 30 mijë vullnetarët e rekrutuar rishtazi. Studimet masive nuk janë thjesht për të provuar nëse të vaksinat funksionojnë, ato janë të nevojshme për të kontrolluar sigurinë e tyre. Ndjekja e rregullave të njëjta të studimit do t’u japë mundësinë shkencëtarëve të bëjnë krahasime mes të gjitha vaksinave.

Më pas në gusht, SHBA nis provën përfundimtare klinike me vaksinën e Oksfordit, që pritet të pasohet nga provat klinike të një vaksine të mundshme të prodhuar nga “Johnson & Johnson” në shtator dhe nga “Novavax” në Tetor, nëse gjithçka shkon sipas planeve.

Kompania “Pfizer Inc.” planifikon nisjen e studimit të saj me 30 mijë persona këtë verë. Ky konsiderohet një numër tejet i madh njerëzish të cilët do të përveshin mëngët në shërbim të shkencës. “Javët e fundit më shumë se 150 mijë amerikanë plotësuan një formular në internet ku shfaqnin interesin e tyre për të marrë pjesë në studim”, thotë doktor Larry Corey, virolog në Institutin e Kërkimeve për Kancerin “Fred Hutchinson” në Siatëll, i cili po ndihmon me mbikëqyrjen e vendeve ku po kryhen provat klinike.

“Këto prova do të përfshijnë amerikanë të gjeneratave të ndryshme, ato do të jenë multietnike pasi duhet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë e popullatës së Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Corey gjatë një takimi mbi vaksinat javën e kaluar. Ai theksoi se është veçanërisht e rëndësishme të sigurohet një numër i mjaftueshëm vullnetarësh që i përkasin komunitetit afrikano-amerikan dhe atyre me origjinë nga amerika latine pasi siç tha ai këto janë komunitetet më të goditura nga COVID-19 në SHBA.

Normalisht duhen vite për prodhimin e një vaksinë të re nga e para, por kësaj here shkencëtarët po vendosin rekorde shpejtësie, duke e parë vaksinën si shpresën më efikase kundër pandemisë.

Deri përpara fundit të muajit dhjetor koronavirusi nuk dihej që ekzistonte. Prodhuesit e vaksinave hynë në veprim më 10 janar, kur Kina shpërndau sekuencën gjenetike të virusit.

Vetëm 65 ditë më vonë në mars, vaksina e prodhuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë u testua tek njerëzit. Vullnetari i parë inkurajoi të tjerë t’i bashkohen provave klinike.

“Aktualisht të gjithë ndihemi shumë të pafuqishëm. Mund të bëjmë shumë pak për të luftuar këtë virus. Të jesh në gjendje të marrësh pjesë në këtë provë më ka mësuar se unë po bëj diçka”, thotë Jennifer Haller nga Siatëll për agjencinë “AP”. “Përgatituni për shumë pyetje nga miqtë e familjarët se si po shkon si dhe shumë falenderime”, thotë ajo.

Studimi në fazën e parë të tij ku morri pjesë edhe Jennifer Hallerin si dhe 44 vullnetarë të tjerë, tregoi se injeksionet stimuluan sistemit imunitar të vullnetarëve në atë mënyrë që sipas shkencëtarëve do të garantojë mbrojtje, me disa efekte anësore të vogla siç janë temperatura për një kohë të shkurtër, të dridhura e dhimbje të trupit./VOA

Amnistia fiskale/ Komisioni Europian kundër Ramës: Nismë e rrezikshme, nxitimi i pakuptueshëm

Komisioni i Ekonomisë ka vendosur në mbledhjen e sotme që të shtyhet miratimi i amnistisë për në muajin shtator. Si rrjedhojë, amnistia nuk pritet që të kalojë në Kuvend në këtë sesion parlamentar.

Shtyrja u bë në mënyrë që të lihet më shumë kohë për diskutimin e një prej projektligjeve më të rëndësishëm të kohëve të fundit dhe për të marrë në konsideratë të gjitha mendimet e grupeve të interesit.

“Besoj qe për të gjithë ne do ishte më e vlefshme që miratimi nen për nen dhe në tërësi për këtë pr.ligj të kalonte disa javë më vonë sepse ka nevojë për reflektim dhe përshtypje nga të gjithë palët, sidomos nga palët që janë zbatues, nga bankat tregtare të nivelit të dytë”, tha kryetarja e komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Teksa qeveria shqiptare ka depozituar në Parlament projektligjin për amnistinë fiskale, Komisioni Evropian nëpërmjet një raporti konfidencial, që zotërohet nga “Panorama”, ka rreshtuar një sërë arsyesh duke kundërshtuar kështu nismën e qeverisë në Tiranë.

Kjo nismë u bë fillimisht publike nga kryeministri Rama në shkurt të këtij viti gjatë konferencës së Partisë Socialiste. Gjatë periudhës së pandemisë duket se humbi përkohësisht fokusi por kjo temë u ritkheypak kohë pasi qeveria shqiptare shpalli suksesin me marrjen e borxhit të ri përmes EUROBOND-it të majit 2020.

Mirëpo në një raport konfidencial, të siguruar nga “Panorama”, në lidhje me projektligjin, Komisioni Europian është tejet kritik ndaj qëllimit dhe frymës së projektligjit. Në raport nënvizohet se ky projektligj “nuk ka përfituar nga konsultimi i duhur me partnerët relevant përpara se të dërgohej në Kuvend”. Komisioni sqaron se ky është një projektligj që ka një impakt të madh në jetën e vendit dhe se një urgjencë e tillë nga qeveria është e pakuptueshme.

Në mars të vitit 2020 qeverisë shqiptare iu vendosën 15 kushte për të nisur procesin e integrimit të vendit në BE, një prej këtyre kushteve lidhet me zbatimin e sugjerimeve të organizatës Moneyval. Në raportin e saj Komisioni nënvizon se për Moneyval është tejet e paqartë se si “do të implementohet Ligji Kundër Pastrimit të Parave në kontektstin e një amnistie të tillë” Sakaq KE këmbëngul se Shqipëria duhet të sigurojë dhe të veprojë në bazë të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe ajo duhet të mos neglizhojë “legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe rekomandimet e Moneyval”

Shqetësimi në rritje për Shqipërinë është kthimi i saj në një qendër të pastrimit të parave. Projektligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale duket se nuk i ka tingëlluar pozitivisht Brukselit, në raport evidentohet gjithashtu se projektligji në fjalë “do të krijonte një “oportunitet të madh” për evazorët fiskalë dhe pastruesit e parave”. Ky koment i referohet nenit 13 të projektligjit i cili i jep mundësinë përfituesve të Amnistisë Fiskale jashtë Shqipërisë që të mos i kalojnë paratë përmes bankave por t’i sjellin ato cash.

Një tjetër kritikë e ekspertëve të BE-së lidhej me përfshirjen në ligj edhe të personave që nuk kanë nënshtetësinë shqiptare por kanë biznese në Shqipëri. Jo vetëm kaq por edhe gama e gjerë e produkteve që kjo Amnisti fiskale dhe penale përfshin e bën edhe më të rrezikshëm, sipas raportit, këtë amnisti në këtë kohë dhe të dërguar me shpejtësi në Kuvend.

Komisioni gjithashtu kritikon edhe pandëshkueshmërinë penale apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie. “projektligji mundëson një mosndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kanë mbajtur pasuri të fshehtë” lexohet në raportin në fjalë ndërkohë që efektet pas kësaj amnistie nuk dihen ende. Aq më tepër që sipas KE-së ky projekt-ligj do të sillte në rast aprovimi shqetësime të mëdha “në lidhje me kompetitivitetin e pandershëm nga ato që kanë mbajtur asetet e tyre jashtë sistemit deri më tani”

Ligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale ka qenë tejet i sulmuar edhe nga opozita shqiptare për arsye të ngjashme. Në dy deklaratat e saj për shtyp Partia Demokratike ka argumentuar se projektligji në fjalë është një mburojë për të inkriminuarit dhe gjithashtu e kthen vendin në një Panama të Europës. PD u zotua se do të anullonte këtë ligj duke aplikuar dhe efekte prapavepurese në procesin e anullimit. Deklaratat e demokratëve u pasuan nga reagimet e qeverisë e cila artikuloi domosdoshmërinë që ka vendi për të vendosur në punë paratë e informalitetit si dhe paratë e emigrantëve shqiptarë.

Me sa duket argumentet e qeverisë nuk kanë bindur plotësisht as Komisionit Europian i cili ka rekomanduar që qeveria shqiptare dhe Parlamenti duhet të rishikojnë adaptimin e këtij draft-ligji. Sakaq Brukseli ka udhëzuar Kuvendin se “nëse ka ndërmend të vazhdojë përpara me adaptimin e një ligji fiskal dhe penal, duhet të adresojë pikat e ngritura në këtë raport”.

Komisioni gjithashtu kritikon edhe pandëshkueshmërinë penale apo hetimin që do të vijë pas kësaj amnistie. “projektligji mundëson një mosndëshkim të padrejtë ndaj atyre që kanë mbajtur pasuri të fshehtë” lexohet në raportin në fjalë ndërkohë që efektet pas kësaj amnistie nuk dihen ende. Aq më tepër që sipas KE-së ky projekt-ligj do të sillte në rast aprovimi shqetësime të mëdha “në lidhje me kompetitivitetin e pandershëm nga ato që kanë mbajtur asetet e tyre jashtë sistemit deri më tani”

Ligji i Amnistisë Fiskale dhe Penale ka qenë tejet i sulmuar edhe nga opozita shqiptare për arsye të ngjashme. Në dy deklaratat e saj për shtyp Partia Demokratike ka argumentuar se projektligji në fjalë është një mburojë për të inkriminuarit dhe gjithashtu e kthen vendin në një Panama të Europës.

PD u zotua se do të anulonte këtë ligj duke aplikuar dhe efekte prapavepurese në procesin e anulimit. Deklaratat e demokratëve u pasuan nga reagimet e qeverisë e cila artikuloi domosdoshmërinë që ka vendi për të vendosur në punë paratë e informalitetit si dhe paratë e emigrantëve shqiptarë.

Me sa duket argumentet e qeverisë nuk kanë bindur plotësisht as Komisionit Evropian i cili ka rekomanduar që qeveria shqiptare dhe Parlamenti duhet të rishikojnë adaptimin e këtij draft-ligji. Sakaq Brukseli ka udhëzuar Kuvendin se “nëse ka ndërmend të vazhdojë përpara me adaptimin e një ligji fiskal dhe penal, duhet të adresojë pikat e ngritura në këtë raport”.

Ndërkohë mësohet që parlamenti ka shtyrë për në shtator diskutimin për këtë projekt-ligj. /Panorama/