28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Trump ka gati urdhrin ekzekutiv që do të shkundë rrjetet sociale

Presidenti amerikan, Donald Trump do të nënshkruajë të enjten një urdhër ekzekutiv për median sociale. Lajmin e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Ende nuk dihet me saktësi se çfarë do të përmbajë urdhri ekzekutiv. Por ka raportime se urdhri do të tentojë të rregullojë ‘fuqishëm’ gjigantët e medias sociale.

Trump paralajmëroi të mërkurën se do të mbyllë median sociale nëse vazhdon t’u mbyllë gojën zërave konservatorë.

Deklarata erdhi në kulmin e përplasjes së tij me rrjetin social Twitter, të cilët për herë të parë e vendosën një mesazh të presidentit në listën e ‘kontrollit të fakteve’.

“Republikanët ndjejnë se platformat e medias sociale po heshtin totalisht zërat konservatorë,” tha Trump.

Edhe mes medieve sociale janë të ndarë për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj Trump. Facebook ka dalë kundër Twitter për mënyrën se si reaguan ndaj mesazheve të presidentit.

Britania mbyll ambasadën në Korenë e Veriut, diplomatët largohen përmes kufirit me Kinën

Britania e Madhe ka mbyllur ambasadën e saj në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Pheniani, dhe ka urdhëruar stafin të largohet nga vendi. Sipas mediave të huaja, mbyllja e papritur është e lidhur me kufizimet e koronavirusit në vend, për të cilën Zyra e Jashtme tha se stafi i ambasadës e kishte të pamundur funksionimin e saj atje.

Bëhet e ditur se një numër diplomatësh dhe banorë të huaj u evakuuan nga kryeqyteti i Koresë së Veriut që nga muaji mars. Një numër burimesh thanë të mërkurën se diplomatët britanikë u larguan nga Koreja e Veriut, përmes kufirit me Kinën.

Ndërkaq qindra banorë të huaj kanë mbetur në Pyongyang, përfshirë diplomatë nga ambasada suedeze dhe ruse, dhe një numër i vogël i punëtorëve të përfaqësuar nga Gjermania, Zvicra, Franca dhe Italia.

Shtyhet sërish gjyqi për Tahirin

Shtyhet sërish gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri në Gjykatën e Apelit. Mësohet se shkak për shtyrjen është bërë mos njoftimi në mënyrën e duhur i Tahirit.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet në datën 11 qershor. Kujtojmë që gjyqi për Tahirin është shtyrë edhe më herët për shkak të situatës me COVID 19.

Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit që që nga java tjetër do të fillojëme gjykimin e dosjes.

Prokuroria e akuzonte Tahirin se në kohën kur ishte ministër i brendshëm bashkë me ish- drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela kanë bashkëpunuar me Moisi Habilajn apo vëllezërit e tij që bashkë korrespondojnë të jenë kushërinj.

Rama-Veliaj, 7 kulla të tjera gjigande në zemër të Tiranës, hapen themelet

Qendra e Tiranës rreth e qark sheshit “Skënderbej” po kthehet në një zonë me ndërtesa të larta, dendësia e të cilave, nuk i përgjigjet shtysave të tregut ku kërkesa që rrjedh nga bumi ekonomik do të çonte vetvetiu në ndryshime kaq të hovshme.

Në anë të Hotel Tiranës në vend të ndërtesës monument kulture ku nisi fillimisht të funksionoje Banka e Shtetit Shqiptar do të ngrihet një kullë 25 katëshe që imiton bustin e heroit kombëtar, Skënderbeut.

Projekti i kullës, i quajtur “Tirana’s Rock” është publikuar nga Portali Shqiptar i ndërtuesve, por objekti ka marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Këto ditë janë prishur objektet ekzistuese për t’i lënë vend kullës së radhës.

Objekti, i cili ngrihet mbi një parking nëntokësor 5 katësh, konsiston në rreth 29,300 metër katror ambiente tregtare, zyra dhe njësi banimi. Apartamentet përbëjnë pjesën kryesore të projektit. Ndërsa ambientet tregtare do të jenë të aksesueshme nga ana e sheshit Skënderbe.

Trualli ku do të zhvillohet projekti që propozohet, kufizohet nga rruga e “DIBRES” që ndodhet në Jug, Unaza e Vogël në Veri. Trualli është pjesë e zemrës së qytetit të Tiranës.

25 katëshi është projektuar nga studio holandezë MVRD për llogari të kompanisë së ndërtimit Ana shpk.

Kompania ANA është krijuar në vitin 2003, me aktivitet në import-eksport, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Kompania kishte rreth 38 milionë lekë të ardhura në vitin 2018 (rreth 312 mijë euro), me një përgjysmim në raport me vitin e mëparshëm, sipas bilancit zyrtar.

Totali i kapitalit të kompanisë është rreth 850 mijë euro. Detyrimet totale janë 5.7 mln euro (1.4 mln euro kredi dhe pjesa tjetër kryesisht arkëtime në avancë për porosi), çka bën që raporti detyrime/kapital të jetë 6.7, shumë më i lartë se mesatarja prej 0.5-1, që preferojnë bankat për të dhënë kredi.

Në kahun e aktiveve (total 6.5 mln euro), kompania ka aktive afatgjata në formën e makinerive dhe pajisjeve me vlerë rreth 3 mijë euro, ndërsa pjesa më e madhe e aktiveve janë të drejta të arkëtueshme dhe shpenzime të shtyra (shih bilancin në fund).

Nuk ka një vlerë se sa do të jetë investimi për ndërtimin, por sipas të dhënave sipërfaqja e ndërtimit në total do të jetë rreth 38 mijë metra katror. Sipas ndërtuesve, në atë zonë kosto e ndërtimit është minimumi 400 euro/metër katror pa tokën dhe rreth 1000-1500 euro përfshirë tokën. Me këto kosto, investimi maksimal shkon në mbi 50 milionë euro.

Në qendër të Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve luhaten në 3000-4000 euro për metër katror, ndërsa për zyra nga 10 mijë deri në 15 mijë euro për metër katror. Duke e llogaritur vetëm me një çmim të shitjes së apartamenteve prej 4000 euro/m2, për një sipërfaqe ndërtimi mbi tokë prej 29 mijë metrash katror, të ardhurat do t’i kalonin 120 milionë euro.

Ndërtuesit pohojnë se për projekte të tilla, ku toka është në një vend me vlerë, dhe ka një projekt me një leje ndërtimi, gjetja e investitorëve është e lehtë.

7 kulla po ngrihen në zemër të Tiranës

Aktualisht rreth sheshit Skendërbej ngjitur me të janë duke u zhvilluar 7 kulla të larta mbi 20 kate, të cilat aktualisht janë në fazë zhvillimi. Ndërsa pas prishjes se godinës së teatrit është hapur rruga për ndërtimin e një kompleksi me ndërtesa të larta të cila janë afërsi të zonës së qendrës.

Projekti Book Building, 4-5-11-21 kate

Është një kompleks me godina polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë. Book Building ndërmjet rrugës 28 Nëntori dhe rrugës “Abdi Toptani”, me subjekt zhvillues Techno-Alb sh.p.k. Projekti parashikon ndërtimin e tre objekteve në një sipërfaqe mbi 40 mijë metra katrorë

“Eyes Tirana”, 26 kate

Eyes of Tirana është projektuar si një ndërtesë e madhe, 26 kate e lartë në 55.444 m². Punimet për ndërtimin e kullës pritet të nisin këtë vit. Godina do të operojë si hotel nga Marka ndërkombëtare e hotelerisë Melia, teksa zhvilluesi në Tiranë është Edil Al.

Tirana “Forever Green”, 20 kate

Pas disa kohësh pezullimi, punimet nisën për objektin 20- katësh në afërsi të qendrës përballë Kishës Ortodokse, e cilësuar Tirana Forever Green, por po ecin me ritëm të avashtë. Objekti, tani një karabina, zë një sipërfaqe prej më shumë se 12.400 m² dhe ka 20 kate, në të cilat katër nëntokë.

Kulla do të ketë 4 nivele parking nëntokësor, hapësira komerciale, dyqane, 7 nivele zyra, 8 nivele banimi dhe një hotel super luksoz, me një investim 25 milionë euro.

Hotel Tirana i ri, 30 kate

Kompania GECI shpk që ka në administrim dhe pronësi hotel Tiranën, nisi këto ditë projektin për zgjerimin e tij me një objekt të ri rreth 30 kate. Punimet për projektin po vazhdojnë  dhe parashikohet të ndërtohet brenda një periudhe pesë vjeçare, për shkak të vështirësive të punimeve në pjesën e nëntokës. Hoteli i ri do të administrohet nën emrin e Hotel Tiranës dhe jo nën një markë të njohur ndërkombëtare. Objekti i ri është konceptuar si shumëfunksional, por kryesisht hotel. Në katet e para të saj do të ketë dyqane të luksit, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma, suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash.

Tirana’s Rock, 25 kate

Është projekti ri gati për nisje. Një kulle rreth 80 metra e gjatë me 25 kate në formën e fytyrës së Skënderbeut do të shërbejë më së shumti apartamente luksi. /MONITOR

Alarmi: Qeveria rrezikon prodhimin e brendshëm të energjisë dhe falimentimin e HEC-eve

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) shprehen të zhgënjyera në një deklaratë zyrtare për mosreflektimin e institucioneve ndaj shqetësimit të ligjshëm të tyre mbi vendimin e Këshillit të Ministrave për ndryshimin e VKM nr. 687 “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve eksistues”.

Duke analizuar në detaje efektin që sjell ky vendim, AREA dhe FIAA dalin në përfundimin se, me uljen e çmimit qeveria vë në vështirësi operimin e HEC-eve të vegjël dhe prodhimin vendas, pasi cënon fizibilitetin e investimeve në burimet e rinovueshme, duke ndikuar negativisht në bilancin ekonomik të këtyre sipërmarrjeve me ndikim të drejpërdrejtë pozitiv në sektorin energjitik dhe në ekonominë shqiptare.

Ndryshimi i bonusit është në vazhdën e ndryshimeve të shpeshta, gjithmonë përkeqësuese ndaj prodhuesve të energjisë së rinovueshme, që dëmtojnë drejtpërdrejtë investitorët shqiptarë e të huaj dhe sektorin energjitik në plan afatshkurtër dhe afatgjatë.

Vendimi i qeverisë rrezikon falimentimin e këtyre investimeve me vlerë mbi 600 milionë euro e me mijëra të punësuar, duke e bërë të pamundur kështu edhe misionin për të ulur çmimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Ulja e çmimit rrezikon që investitorët e thirrur për të investuar vetë nga qeveria shqiptare, të mos jenë në gjendje të shlyejnë investimin e tyre, duke cënuar kështu edhe bankat që kanë mbështetur projektet e tyre ambicioze për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Për pasojë, vendimi ka pasoja negative edhe në klimën e investimeve.

Kjo VKM cënon sigurinë juridike të kontratës koncesionare, pasi e bën çmimin e energjisë më të ulët se kostoja e investimit. Për këtë arsye AREA dhe FIAA i kanë kërkuar qeverisë shqiptare ta tërheqë VKM-në, përndryshe do të ndjekin të gjithë hapat ligjorë, deri në përballjen në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Vendimi i qeverisë është marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë konsultim, sikundër është i paargumentuar, pasi është po kjo qeveri që e vendosi metodologjinë në nëntor të vitit 2017.

Ndryshimi i bonusit dekurajon prodhimin vendas. Duke goditur prodhuesit e energjisë, qeveria nuk po investon më për të ardhmen e prodhimit vendas, por për të ardhmen e prodhimit të vendeve nga ku importohet energjia.

Ky vendim varfëron investitorët që kanë zgjedhur vendin tonë për të investuar, duke dëmtuar kështu ekonominë kombëtare, ndërsa promovon dhe pasuron investitorët e vendeve importuese të energjisë elektrike, duke e bërë akoma më të varur energjitikisht Shqipërinë, përfundon deklarata.

 

Ndryshimi i formulës

Qeveria ka vendosur pak ditë më parë të ndryshojë formulën me të cilën iu blihet sot energjia prodhuesve me përparësi të energjisë, që janë HEC-et private. Eshtë vendosur ulja e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.30 në 1.20. Ky bonus është një nga tre elementët që përfshin formula e miratuar në vitin 2017 dhe e kundërshtuar gjerësisht në atë kohë nga investitorët pasi ulte në mënyrë të dukshme çmimin e rënë dakord në kontratat fillestare koncesionare të nënshkuara me shtetin shqiptar. E cilësuar si një formulë reale në atë kohë edhe pse e kundërshtuar gjerësisht çmimi vjetor i blerjes ka në bazë bursën hungarse HUPX DAM.

“Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kwh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/këh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.30 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit” thuhet në vendimin e vitit 2017. Tashmë e njëjta formulë do të zbatohet duke aplikuar si bonus promovimi për burimet e rinovueshme në masën 1.2 që automatikisht ul çmimin vjetor final në çdo skenar. https://www.monitor.al/qeveria-ul-cmimin-e-energjise-per-hec-et-private-area-godet-prodhuesit-u-be-ne-fshehtesi/

Çmenduria e fundit nga Surreli, plazhet do të hapen, por askush s’do lejohet me çadër!

Kryeministri Edi Rama në komunikim online për luftën kundër Covid-19 tha se rreziku i virusit është real dhe mund të bëhet vrastar. Rama u shpreh se kjo ishte java e fundit me masa kufizuese, ndërsa gjithçka do të hapet si më parë, përveç disa sektorëve.

“Në kushtet e hapjes për heqjen e kufizimeve mund të sjellë përhapjen e virusit dhe për këtë jam shumë në merak, pasi virusi nuk ka ikur. Dua t’ju falenderoj për respektimin e masave në këtë periudhë, ku thyerja e rregullave nuk ishte në përmasa të mëdha.

Kjo është java e fundit e masave kufizuese të lëvizjeve, ku me përjashtim të aktiviteteve sportive e kulturore ku do të vazhdojnë të mbeten pa spektatorë, dasmat dhe funeralet nuk mund të zhvillohen me qindra pjesëmarrës, si dhe transporti publik që do të vazhdojë të mbetet i mbyllur edhe për pak kohë, si dhe turizmi që do të kryhet brenda kornizave të sigurisë, të gjitha të tjerat do të jenë të hapura.

Ne po përgatitemi për të fuqizuar sistemin dhe për t’u përgatitur për një valë të re. Mjekët dhe infermierët na bënë krenarë, u treguan heronj dhe profesionistë.”

Kryeministri Rama tha se kjo do të jetë fundjava e fundit me kufizime lëvizjesh mes zonave.

“Në 1 qershor do të hapim qarkullimin e makinave në të gjitha vendet, kufijtë tokësore si dhe plazhet. Por nuk do të lejojmë që asnjë subjekt tjetër të vendosë çadra plazhi, përveç hoteleve. Do të fillojnë të hapen kantieret e ndërtimit, si dhe do të projektojmë një plan investimesh që do të zgjerojë frymëmarrjen e organizmit të këtij vendi që është goditur, por nuk është rrëzuar”.

Nga paketa e parë e ndihmës financiare, Rama u shpreh se deri tani rreth 65 mijë biznese kanë përfituar dy pagesa prej 26,000 lekë.

“Rreth 109 mijë individë kanë marrë 40 mijë lekë nga paketa e zgjeruar. Janë shqyrtuar rastet pse individë të tjerë nuk kanë marrë pagesën dhe ata që nuk kanë përfituar shumë shpejt do të kenë në llogari pagën e luftës për të punësuarit në biznese me xhiro mbi 14 milionë lekë.”

Marshimi i opozitës i qartë, i sigurtë dhe i pandalshëm

Nga Red VARAKU

Ka një përpjekje për ta paraqitur opozitën sikur është në një marrëveshje me qeverinë, vetëm për faktin se ajo po vazhdon me përfundimin e Reformës në Zgjedhore, edhe pas provokimit qëllimisht të kryeministrit me shembjen e Teatrit Kombëtar.

A thua se pjesëmarrja në Reformën Zgjedhore me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira është një vendim i ri, i papritur dhe i panjohur i opozitës.

Për këtë opozita ka qenë gjithmonë e qartë, e hapur dhe e vendosur që vjet në janar, ndaj dhe mori dy vendimet historike, atë të djegjes së mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë që u publikuan nga Zëri i Amerikës dhe BILD, ku vetë kryeministri bashkë me elitën e PS parakalonte duke vjedhur vota, nuk ishin arsye më pak e vogël se shembja e Teatrit, për ta shembur këtë pushtet me dhunë dhe për t’i dërguar fajtorët para drejtësisë, por opozita që prej fillimit nuk ka kërkuar kurrë pushtet me dhunë.

Këtë vendosmëri të opozitës për shmangjen e dhunës dhe përplasjes civile, e pamë gjithashtu pas vendimit arrogant të kryeministrit për zgjedhje pa opozitën.

Një tjetër provokim i rëndë ky, ndaj të cilit opozita mbajti një qëndrim tejet korrekt dhe të përgjegjshëm për të cilin z. Basha mori vlerësimin dhe premtimin nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës.

Si pasojë e aksionit të opozitës dhe përgjegjësisë së treguar prej saj, ndërkombëtarët, të alarmuar nga ajo që panë nga përgjimet dhe përpjekja pêr destabilizim në 30 qershor, kërkuan menjëherë nëpërmjet z. Palmer dhe z.Hahn të niste puna për Reformën Zgjedhore, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë , ndëshkimin e krimit elektoral etj, si një mënyrë për të dalë nga kriza e rëndë ku ndodhej vendi.

Puna nisi në shtator, por duke parë përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit për të penguar realizimin e këtyre kërkesave si dhe për ta shtyrë apo vonuar Reformën Zgjedhore, ata u detyruan ta bllokonin integrimin vjet në tetor dhe ta kushtëzonin atë me nëntë kushte, që lidheshin drejtëpërdrejtë me plotësimin e kërkesave të opozitës.

Kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme e opozitës, e cila nëpërmjet aksionit të saj ia kishte dalë ta çmontonte regjimin e kryeministrit në sytë e ndërkombëtarëve dhe t’i rikthente prozhektorët e Perëndimit drejt Shqiperisë.

Ishte tërmeti i 26 nëntorit, i cili e shtyu mbledhjen e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore në janar. Gjithsesi, Këshilli Politik në janar filloi punën dhe Reforma ishte kushti kryesor për hapjen e hapjes zyrtare të negociatave në Mars. Për shkak të pandemisë, puna e Këshillit u ndërpre, për të rifilluar sërish rreth tre javë më parë.

Kaq është ajo që po ndodh edhe tani, ndaj është i pakuptueshëm surprizimi i një pjese të opinionit në lidhje me vendimin për përfundimin e Reformës Zgjedhore.

Sigurisht, i mirëkuptoj si ata njerëz që nuk mund ta durojnë më këtë njeri dhe si ata që nuk mund ta kuptojnë se si mund të vazhdohet bashkëpunimi me të. Por, ja që Edi Rama nuk është nga ata njerëz me integritet që mund të largohet nga pushteti me protesta, sado legjitime, të gjata në kohë dhe masive qofshin ato.

Këtë e pamë me protestat e vjetshme, që duhet thënë që bashkë me aktin e djegjes së mandateve dhe vendimin për bojkotimin e zgjedhjeve janë më të mëdhatë e zhvilluara në Shqipëri pas atyre të viteve 1990.

Fatmirësisht jemi akoma në demokraci dhe protestat janë thjesht një mjet demaskimi, sensibilizimi madje dhe presioni, por nuk janë kurrë mekanizma të ndryshimit të pushtetit. Ato janë thjesht mjete sensibilizimi dhe në këtë kuptim ia kanë dalë të kenë sot në krahun e tyre jo vetëm popullin shqiptar, por edhe një nga tre faktorët më të rëndësishëm të ndryshimit të pushtetit, faktorin ndërkombëtar.

Dihet që i vetmi mekanizëm për largimin e Ramës janë zgjedhjet dhe për realizimin e zgjedhjeve me një kod të ri të dakortësuar nga palët, opozita është investuar fort që vjet në shkurt.

Pra, trajektorja e opozitës ka qenë gjithmonë e pandryshuar. Sot, ajo thjesht po realizon angazhimin e saj për përfundimin e Reformës Zgjedhore dhe më pas aplikimin e saj , të cilën ka një vit që e kërkon dhe për të cilën ka marrë angazhim para ndërkombëtarëve.

Tanimë përfundimin e këtij operacioni, siç po shikohet edhe nga ofensiva perëndimore, që ka nisur menjëherë pas 30 Qershorit si asnjëherë tjetër, e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët, të cilët janë të angazhuar në imponimin e plotësimit të kushteve të Bundestagut nga ana e qeverisë shqiptare, që në fakt do të thotë zgjedhje të parakohshme me kodin e ri zgjedhor.

Pra, operacioni për rikthimin e demokracisë në Shqipëri është drejt fundit dhe çdo nxitim ose gabim sigurisht që nuk do të bënte tjetër vetëm se do ta hidhte në erë produktin e saj.

Shqipëria është me fat që ka kaq shumë mbështetje në rrugën e integrimit europian! Qeverisë nuk i ka mbetur rrugë tjetër vetëm se të plotësojë të gjitha kushtet e Bundestagut.

Sepse Shqipëria ka nevojë për një Qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri që e ka prioritet integrimin europian, një qeveri që punon për shqiptarët dhe Shqipërinë si gjithë Europa.

Nga 1 qershori lëvizje e lirë e makinave në gjithë vendin, plazhet do të hapen vetëm për hotelet, jo për qytetarët

Edi Rama njoftoi se duke filluar nga data 1 qershor do të lejohet qarkullimi i automjeteve në të gjithë vendin.

‘Do të hapim qarkullimin e makinave në të gjithë vendin dhe plazhet do të jenë të hapura, por nuk do të lejojmë asnjë objekt privat përveç hoteleve’, tha Rama.

“Kjo është java e fundit për masat kufizuese, me përjashtim të aktiviteteve sportive, dasmave dhe funeraleve. Transporti publik që do të rrijë mbyllur edhe për pak dhe plazheve që do të bëhet kundrejt rregullave, gjithçka tjetër do jetë si më pare”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se veç rasteve të përjashtuara, gjithçka tjetër do të jetë si më parë.

Gjithsesi, shtoi ai, sjellja individuale e gjithsecilit nuk duhet të jetë si më parë.

Covid-19/ Çfarë do ndodhë javët në vijim, Rama sulmon mbledhjen e firmave nga Aleanca për Teatrin

Kryeministri Rama ka dalë në një komunikim në lidhje me masat Covid-19, të cilin e ka quajtur të fundit.

Rama ka bërë me dije se transporti public, dasmat, funeralet, plazhet si edhe aktivitetet sportive do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Ndërkohë që pjesa tjetër do të jetë e hapur.

Rama ka sulmuar edhe mbledhjen e firmave nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Rama: Ai as ka ikur dhe as është mundur përfundimisht. Numrat në Tiranë nuk po flasin mirë. Shfaqjet politike me turma pa asnjë lloj mase por përkundrazi me karshillëk që flet për papërgjegjshmëri, dhe në rastin më të keq për dritëshkurtësi po vijojnë edhe përtej të 3-tave të karakatinës së Teatrit sa për të mbledhur firma nga pseudo aktorë që janë thjesht marioneta politike dhe të bizneseve që me demek nuk kanë marrë asnjë kacidhe. Në fakt po luajnë me shëndetin e njerëzve. Bëni kujdes o njerëz. Pasojat e asaj që hoqëm deri këtu do ti kalojmë. Me shëndetin dhe jetën e familjes tuaj nuk luhet, e ka kush e ka, atë ma lini mua. Shani e shfryni sa të doni, por rrezikun e infeksionit mos e neglizhoni se është real e vrastar.

Përballuam më të keqen dhe të mos mbyllemi si rezultat i moskokëcarjes. Virusi mund të hapet si vaji në lakra pas heqjes së kufizimeve. Jam shumë në merak se kjo fazë që kemi hyrë sepse virusi as ka ikur as është mundur plotësisht.

Dua t’ju falenderoj për sjelljen si njerëz dhe qytetar në respekt dhe mirëkuptim të masave ekstreme që u detyruam të marrim. Fatmirësisht dolëm faqebardhë për gjërat që mund të shkonin për dreq. Zërat e atyre që kanë veshë por s’duan të dëgjojnë, kanë tru por s’duan të mendojnë, nuk munguan por ishin shumë pak.

Kjo është java e fundit e masave të mbetura. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive që do të mungojnë spektatorët, dasmave e funeraleve që s’mund të mblidhen qindra njerëz, transportit public që do të jetë e mbyllur edhe pak, plazheve që do të funksionojë si më parë.

Sjellja nuk duhet të jetë si më parë se një valë e re infeksioni, dnoshta më e aggressive mund të jetë e pashmangshme dhe mund të vijë me të ftohtin dhe vjen si rezultat i papërgjegjshmërisë. Në ardhtë, do ta përballojmë. Nga ana jonë, po përgatitemi për të fuqizuar sistemin dhe për të qenë gati për një valë të re.

Struktura e re pranë autostradës Tiranë-Durrës është ngritur si një spital mbështetës. Mjekët dhe infermierët, njerëzit tanë na bënë krenarë.